Ish-kryeministri dhe ish-deputeti socialist Pandeli Majko ka kritikuar ashpër qeverinë shqiptare ditën e sotme, në lidhje me nismën më të fundit për të hapur një Konsullatë të Serbisë në Shkodër dhe një shqiptare në Luginën e Preshevës.
“Serbia në Shkodër ka marrë më shumë se një konsullatë”, shprehet Majko mes të tjerash nëpërmjet një reagimi në rrjetin social.
Gjithashtu ai vë në dukje se konsullata serbe në Shkodër dhe ajo shqiptare në Preshevë janë më shumë sesa një ironi, teksa nxjerr në pah faktin se Shqipëria do hapë konsullatë aty ku ka tokë shqiptare dhe që i takon Kosovës.
“Në Shkodër konsullata serbe do të ketë më rëndësi se sa vetë minoriteti! Kundrejt hapjes së konsullatës serbe në Shkodër do të hapet konsullata shqiptare në Luginën e Preshevës! Krahasimi është më shumë se një ironi…! Lugina e Preshevës është një vazhdimësi territoriale e banuar nga shqiptarët e mbetur në sovranitetin e Serbisë!”, thotë Majko.
Reagimi i plotë i Pandeli Majkos:
“Konsullatë serbe në Shkodër?!…
Në Shkodër konsullata serbe do të ketë më rëndësi se sa vetë minoriteti!
Kundrejt hapjes së konsullatës serbe në Shkodër do të hapet konsullata shqiptare në Luginën e Preshevës! Krahasimi është më shumë se një ironi…!
Lugina e Preshevës është një vazhdimësi territoriale e banuar nga shqiptarët e mbetur në sovranitetin e Serbisë!
Konsullata në Luginën e Preshevës “shmang” Kosovën! Në Shkodër, konsullata serbe ka Malin e Zi në mes!…
Për Shqipërinë duket se konsullata është trajtuar si shprehje e interesit standart! Për Serbinë, që nuk njeh sovranitetin e Kosovës dhe diskuton identitetin e Malit të Zi, është diçka tjetër!
Serbia në Shkodër ka marrë më shumë se një konsullatë!”. Panorama