Sapo jam njohur me propozimet tashmë zyrtare për reformën territoriale. Në atë që është publikuar zyrtarisht, Bashkia Konispol dhe Delvina ruajnë statusin e tyre si bashki, ndërsa kjo nuk ndodh me Libohovën, qytetin historik, Këlcyrën me rrënjë të thella në lashtësi, Belshin që aq shumë e kishte për zemër Sami Frashëri, Prrenjasin, Maliqin, Memaliajn, Poliçanin, Patosin, Dimalin, Cërrikun e të tjera me rradhë.
Por pyetja është: çfarë kriteresh po përdoren dhe cili është synimi? Standardet duhet të jenë të barabarta për të gjithë. Nëse disa bashki shkrihen për shkak të demografisë, funksionalitetit apo ekonomisë, atëherë përse nuk ndiqen të njëjtat kritere edhe për njësitë vendore minoritare greke? Janë dy të tilla, me numër banorësh thuajse sa një fshat i madh. Përse duhet ta ruajnë statusin e tyre? Ligjet dhe kriteret duhet të jenë të njëjta për të gjithë… apo jo?
Në fakt, thelbi është se ndryshimi i statusit apo një reformë e re territoriale nuk është themeli i zgjidhjes, përkundrazi. Krijimi i bashkive më të mëdha nuk garanton automatikisht shërbime më të mira dhe zhvillim më të madh. Faktet kanë treguar se pas bashkimeve të mëparshme, zona të tëra kanë mbetur ende pa investime dhe larg vëmendjes… Kjo ka çuar në largim! Largim masiv, sepse shpesh mungojnë edhe shërbimet më minimale. Mund të rendis fshatra të tërë në Tiranë, ku investime nuk duken!
Fagu, Murthi, Parreti, Sheshi, Pinar, Kurth, Vrap, Mustafa-Koç, Përcëllesh, Selbë, Kus, Darshen, Pajanë, Gjysylkan, Grecë, Allgjatë, Besh, Fravesh, Pashkashesh, Vilëz, Sauqet…janë vetëm disa nga fshatrat e Tiranës që kam vizituar vitet e fundit dhe ku kam gjetur probleme të pafundme, pikërisht për shkak të mbetjes krejtësisht mënjanë punëve të Tiranës… dhe jemi në kryeqytet! Çfarë duhet të pres në zona të tjera? Do e zgjidhi rritja e bashkimi?
Reformat ndryshojnë kufijtë, por nuk ndërtojnë të ardhmen e qyteteve. Për këtë duhen projekte serioze, mbështetje konkrete dhe një vizion afatgjatë zhvillimi. Kjo mungon, këtu nis e ndërtohet ose jo e ardhmja! Ky është thelbi që nuk mund të mbulohet me ndryshimin e statusit të një bashkie! Duhet zhvillim, duhet mbështetje, duhen projekte, duhen investime serioze dhe afatgjata!
A keni menduar çfarë ndodh pasi t’i hiqet statusi si bashki Libohovës, Prrenjasit, Memaliajt, Belshit, Maliqit, Patosit, Dinalit, Selenicës, Divjakës, Poliçanit apo edhe Bashkive si Rrogozhina, Fushë Arrëzi, Klosi, Cërriku? Çfarë garancie ka që këto zona nuk do të mbeten edhe më larg vëmendjes? Të presim një reformë të re pas 10 vjetësh?
Shpendajeni sa të keni dëshirë miq! 
(Nuk lejohet kopjimi i shkrimit përmes ndryshimit të titullit!)