VOAL

VOAL

A është zgjidhje politike kjo që ofron Presidentja

Në takimet me partitë politike të pozitës dhe opozitës, Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga u ka ofruar partive një marrëveshje për zgjidhjen e situatës politike në vend. Jahjaga ka vendosur që marrëveshjen për Asociacionin e Komunave Serbe ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.

Presidentja Jahjaga ka vendosur që vetë, në bazë të kompetencave kushtetuese të saj, ta kërkojë mendimin e Gjykatës Kushtetuese për marrëveshjen me Serbinë, të nënshkruar në Bruksel, për Asociacionin.

Express mëson se sot edhe një herë Presidentja do t’i takojë përfaqësuesit e pozitës dhe të opozitës, ku do t’ua paraqesë këtë propozim.

Me një pajtueshmëri eventuale të partive politike, Presidentja këtë kërkesë do ta dërgojë në Kushtetuese nesër para fillimit të seancës së Kuvendit, e cila është thirrur të mbahet prej orës 16:00.

Në përgjigjen për Express, Zyra e Presidentes së Kosovës ka deklaruar se Presidentja po vazhdon të konsultohet me partitë parlamentare për hapat e mëtejmë.

Po ashtu, mësohet se ideja e Jahjagës ka gjetur edhe përkrahjen te ambasadat e huaja.

Pas dërgimit në Kushtetuese, Gjykata ka afat ligjor prej 60 ditësh për të kthyer përgjigje.

Delawie: Situata është kritike dhe kjo nuk është e mirë për Kosovën

PRISHTINË, 22 TETOR – Ambasadori amerikan Greg Delawie, pas takimit me kryetarin e Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, tha se e pata një takim me kryetarin për ti treguar se e mbështesim Kuvendin, jemi të vetëdijshëm për situatën kritike ne vend dhe kjo nuk është mirë për Kosovën. Unë kam një mesazh për këta qe po e bllokojnë Kuvendin se po e dëmtojnë ekonominë e Kosovës, po e rrezikojnë Kosovën.

Në fund dua t’ua bej te qarte qe SHBA mbështesin Kosovën në integrimet europiane.

Shkarkimi i rektorit Ramadan Zejnullahu nxit reagime në shkallë të gjerë

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, që është universiteti më i madh dhe i vjetri në vend,  shkarkoi të mërkurën rektorin e këtij universiteti, Ramadan Zejnullahu, duke shkaktuar një valë reagimesh edhe të institucioneve më të lartë të Kosovës.

Kërkesa për shkarkimin e rektorit Zejnullahut ishte shtruar nga njëzetë e tetë anëtarë të Senatit të Universitetit të Prishtinës. Në kërkesë numëroheshin disa arsye për shkarkimin e rektorit, mes tjerash, edhe për siç thuhej, shkeljet ligjore, bllokimin e mbledhjeve të Senatit, ndërprerjen e konkurseve për studime të doktoratës, etj.

Rektori i shkarkuar tha në një reagim se “vendimi i Këshillit nuk kishte të bënte me mua ose me stafin tim, por me idenë e reformës dhe progresit që ne po e përkrahim fuqishëm dhe idenë e mashtrimit dhe shantazhit që e përkrahin disa njerëz të fuqishëm. Sot, fatkeqësisht, fitoi kjo e dyta”.

Qeveria e Kosovës e e cilësoi jo të drejtë dhe të dëmshëm për Universitetin e Prishtinës vendimin për shkarkimin e rektorit Ramadan Zejnullahu. Në një komunikatë të qeverisë thuhet se “kryeministri Isa Mustafa, në koordinim të plotë me ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, do të kërkojnë rishikimin e këtij vendimi. Qeveria e Kosovës konsideron se Universitetit të Prishtinës nuk i duhen veprime të tilla që e dëmtojnë atë pikërisht në periudhën kur po bën hapa të mëdhenj përpara në drejtim të ngritjes së cilësisë dhe avancimit të gjithëmbarshëm”.

Qëndrimi i qeverisë u mbështete nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ndërsa në orët e mbrëmjes, ministri i arsimit shkarkoi nga detyra anëtaren e Këshillit Drejtues Shefkije Islamaj që ishte emëruar nga kjo ministri.

Universiteti i Prishtinës u themelua 45 vjet më parë dhe deri vonë ishte i vetmi universitet publik në Kosovë.

Militantë të politikës LDK-së, PDK-së, AAK-së shkarkuan rektorin – sot në Prishtinë protesta

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, pas shumë përpjekjesh, ia arriti qëllimit që ta shkarkojë nga detyra rektorin Ramadan Zejnullahu, i cili fitoi mbështetjen vendore e ndërkombëtare për guximin e tij për reformimin e UP-së. Vendimi për shkarkimin e rektorit ka trazuar opinionin kosovar, ndërsa shoqëria civile ka paralajmëruar për sot në orën 11:00, protestë para Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Megjithatë, neni 32 i Statutit të UP-së i jep mundësi rektorit që të ankohet, ndërsa ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, e ka fjalën e fundit për shkarkimin apo jo të tij. Pas vendimit për shkarkimin e rektorit, janë hapur edhe shumë faqe në rrjetet sociale ku është bërë thirrje për protesta e përkrahje për Zejnullahun.

Rektori është shkarkuar me gjashtë votat e anëtarëve, shumica nga të cilët janë militantë partiakë: Fevzi Berisha, Alberta Troni, Kemajl Bislimi, Shefkie Islamaj, Zeqir Veselaj, e Beqir Sadikaj. Tre nga gjashtë anëtarët që votuan shkarkimin e rektorit janë pjesë e partive politike në Kosovë.

Fevzi Berisha anëtari i 63-të në listën e Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK),

Alberta Troni ishte kandidate e LDK-së për deputete në zgjedhjet parlamentare në Kosovë, por nuk arriti të futet në Kuvend..

Zeqir Veselaj: ish-kёshilltar politik i Et’hem Ҫekut. Aktualisht prodekan nё Fakultetin e Edukimit, ku dekan ёshtё Et’hem Ҫeku. I akuzuar se ka bёrё plagjiaturё nё temёn e doktoraturёs, akuzё e cila ёshtё vёrtetuar mё pas.

Kemajl Bislmi: i akuzuar se ёshtё njeriu i deputetit tё PDK-sё, Elmi Reҫica. Anёtar i Kёshillit Drejtues tё Universitetit, por kurrё nuk ka shkruar asnjё punim shkencor pёr ndonjё revistё shkencore kredibile ndёrkombёtare.

Fevzi Berisha: zёvendёs ministёr i Arsimit nё vitet 2004-2007, nё ministrinё e kontrolluar nga LDK-ja gjatё koalicionit LDK-AAK.

Shefkije Islamaj: kryetare e Kёshillit Drejtues. E akuzuar si marionetё e PDK-sё.

Beqir Sadikaj: kandidat pёr deputet nga radhёt e PDK-sё. Ёshtё akuzuar dhe vёrtetuar se ka bёrё plagjiaturё. Pёr kёtё shkak u ul nё gradё shkencore, prej profesorit tё asocuar nё profesor asistent.

Analistët: Seanca e së premtes është provokim

Thirrja e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës për ditën e premte në kohën e tensioneve të shtuara politike, paraqet provokim për gjendjen e sigurisë në Kosovë, kanë vlerësuar deputetë dhe analistë politikë në Prishtinë.

Bëhet fjalë për deputeten e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani dhe deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Deda, si dy deputetë që nuk pajtohen me pozicionet e ngurta të qeverisë dhe opozitës rreth opsioneve për tejkalimin e krizës politike.

Komentet e tyre ata i kanë bërë gjatë një debati të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës, si monitorues i punës së Kuvendit.

Deputetja Vjosa Osmani ka thënë se vendi është në krizë dhe se Kuvendi është dashur që t’i jap një shans nismës së presidentes që të gjendet një zgjidhje politike.

“Caktimin e seancës për të premten në ora 16:00 e konsideroj si një eksperiment. Në radhë të parë eksperiment me jetën e deputetëve, pasi që ata po konsiderohen si minj me të cilët eksperimentohet se sa mund të thithin gaz lotsjellës, sa mund të durojnë provokime pa u grushtuar me njëri tjetrin, sa mund të durojnë mjete tjera që mund të dalin tash në shesh në seancën e radhës dhe potencialisht po e krijon hapësirën për një vikend shumë të dhunshëm në mes të qytetarëve”, është shprehur Osmani.

Ndërkohë, deputeti Ilir Deda, i cili ka propozuar si zgjidhje për tejkalimin e krizës edhe mbajtjen e referendumit për Asociacionin e Komunave Serbe, ka thënë se tash për tash, do të ishte me rëndësi që të vendoset një dialog politik mes qeverisë dhe opozitës, në mënyrë që vendi të shpëtojë nga trazirat e mundshme.

Ngjashëm me deputeten Osmani, edhe Deda e ka cilësuar të panevojshme thirrjen e seancës për të premten.

“Unë kam frikë nga dita e premte se çka mund të ndodhë atë ditë në orën 16:00. Unë nuk e di se çka mund të ndodhë, por me siguri duke e parë se çka ka ndodhur javët e kaluara në Kuvend, nuk do të jetë një ditë normale. Dhe, kush do të merr përgjegjësi për shkaktim të abnormalitetit politik dhe rritjes së potencialit për dhunë brenda shqiptare… askush nuk dëshiron ta marrë përgjegjësinë”, ka theksuar Deda.

Tash për tash, referendumi konsiderohet si opsion i pamundshëm pasi që Kosova nuk ka ligj përkatës.

Marrë parasysh gjendjen e krijuar, analisti politik, Dukagjin Gorani ka thënë se rrugëdalje nga kjo situatë do të mund të ishin edhe zgjedhjet e lira.

Të gjithë skenarët tjerë që çojnë në ballafaqimin e pushtetit dhe opozitës janë shumë të rrezikshme, ka theksuar Gorani.

“Duhet të shkohet në zgjedhje pasi që ato janë forma e vetme e rivendosjes së legjitimitetit. Nuk kanë nevojë zgjedhjet të mbahen për një muaj e as për 45 ditë, por mund të mbahen në pranverën apo verën e ardhshme. Por, është mirë që sot të diskutohet nëse kjo skenë politike ka nevojë të ri-legjitimohet për shkak të goditjeve të mëdha dhe për shkak të krizës së madhe në të cilën u fut kjo shoqëri”, ka thënë Gorani.

Në anën tjetër, publicisti Halil Matoshi ka kritikuar si qeverinë ashtu edhe opozitën, por në masë më të madhe fajtor për gjendjen e krijuar e ka bërë opozitën, pasi që kërkesat e tyre i ka cilësuar si të papranueshme dhe anarkike.

Matoshi ka thënë se opozita duhet ta kuptojë që Kosova nuk është shtet një-etnik, pasi që kompromisi me bashkësinë ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës ishte pranimi i shumë etnicitetit. Kurse idenë e referendumit e ka cilësuar si opsion jo të mirë.

“Kriza mund të eskalojë. Por, mos harroni që Kosova si projekt ndërkombëtar është e mbrojtur prej NATO-s. Këtu janë forcat e KFOR-it dhe unë nuk besoj që këtu lënë banda e banditë që t’u vërsulen institucioneve të shtetit. Po ashtu, jam kundër referendumit si formë e demokracisë së drejtpërdrejtë sepse ende nuk kemi mendim politik unik”.

“Mendoj se nëse vendosim demokraci të drejtpërdrejtë nesër dikush ka me dal me kërkesën në Kuvend që të ndërrohet sistemi dhe në vend të Kushtetutës të vendoset Sheriati, sepse pretendojnë që janë shumicë muslimane e tjera”, ka deklaruar Matoshi.

Pushteti dhe opozita kanë acaruar raportet mes tyre pas nënshkrimit të marrëveshjes në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa dhe atij të Serbisë Aleksandar Vuçiq për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe marrëveshjes me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.

Për të dy këto marrëveshje, opozita kërkon që të anulohen si kusht për zhbllokimin e Kuvendit.

Madje, në dy seancat e fundit opozita përdori edhe gazin lotsjellës për të penguar punimet e Kuvendit.

Andaj, panelistët sugjeruan që Kuvendi të mos mbajë seancë të premten, për t’i dhënë një rast shtesë ndonjë zgjidhjeje politike, ngase sipas tyre, ka potencial serioz për dhunë dhe eskalim të situatës ku mund të përfshihen edhe masat qytetare dhe organet e rendit.

Albin Kurti bën kallëzim penal ndaj Policisë së Kosovës

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka dorëzuar sot në Prokuorinë Themelore dhe në Prokurorinë e Shtetit një kallëzim penal kundër zyrtarëve të Policisë së Kosovës, që kanë bërë ndalimin e tij mbrëmjen e 12 tetorit.

Sipas njoftimit që ka publikuar Vetëvendosje në faqen e saj në Facebook, kundër këtyre zyrtarëve të policisë ekziston dyshimi i bazuar se me “arrestimin e Kurtit” kanë kryer veprën penale Privimi i kundërligjshëm i lirisë, si dhe veprën penale të Keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Kurti është ndaluar për rreth dy orë nga Policia e Kosovës më 12 tetor, derisa po kthehej nga një udhëtim zyrtar.

Departamenti për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë ka thënë se ndalimi është bërë në kuadër të hetimeve kundër deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët dyshohet se kanë hedhur gaz lotsjellës në një seancë të Kuvendit.

Shkarkohet rektori i Universitetit të Prishtinës Ramadan Zejnullahu

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka shkarkuar të mërkurën Ramadan Zejnullahun nga posti i rektorit të UP-së.

Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë kryetarja e Bordit të Universitetit të Prishtinës, Shefkije Islamaj.

“Këshilli ka mbajtur mbledhjen me një pikë të rendit të ditës, siç është paraparë. Ka pasur kuorum sipas ligjit dhe statutit. Është votuar dhe me 6 vota është shkarkuar”, ka thënë Islamaj.

Kërkesën për shkarkimin e Zejnullahut e kanë iniciuar senatorët e Universitetit të Prishtinës.

Zejnullahu ka qenë në qendër të kritikave për moszbatimin e Memorandumit të Bashkëpunimit për regjistrimin e fëmijëve të kategorive të dala nga lufta në Universitetin e Prishtinës.

Regjistrimi i tyre, sipas Memorandumit, bëhet pa përmbushjen e kritereve të përcaktuara për pranim të rregullt në UP.

Zejnullahu ka thënë se ky memorandum është i paligjshëm.

Këshilli Ekzekutiv miratoi kërkesën e Kosovës për anëtarësim në UNESCO – në nëntor vendimi përfundimtar

Këshilli Ekzekutiv i UNESCO-s miratoi kërkesën e Kosovës për pranim në këtë agjenci të Kombeve të Bashkuara. Projektrezoluta e paraqitur në mbledhjen e këtij këshilli të mërkurën pasdite me të cilën rekomandohet pranimi i Kosovës mori 27 vota, ndërsa 14 vende votuan kundër.

Kërkesën për pranimin e Kosovës në UNESCO e ka paraqitur zyrtarisht Shqipëria, ndërsa është mbështetur nga 45 vende.

Vendimi përfundimtar për pranimin e Kosovës do të merret në Konferencën e përgjithshme të UNESCO-s, e cila mbahet nga 3 deri më 18 nëntor.

Konferencën e përgjithshme e përbëjnë 195 vende anëtare dhe secili vend ka një votë, ndërkaq që për marrjen e vendimit nevojiten dy të tretat e votave.

Beogradi kundërshton ashpër anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, duke ngulur këmbë se sic thuhet, kishat dhe manastiret ortodokse në Kosovë i takojnë trashëgimisë dhe pronës së Kishës Ortodokse serbe dhe çdo rrëmbim i kësaj trashëgimie do të ishte cenim real i ekzistimit të objekteve më të rëndësishme fetare, kulturore e historike të popullit serb”.

 

Lirohet nga akuza djali i Isa Mustafës dhe pesë të tjerë

PRISHTINE – Gjykata Themelore e Ferizajt ka liruar nga akuza gjashtë të pandehur për mashtrim, falsifikim të dokumenteve zyrtare, keqpërdorim të pozitës zyrtare si dhe marrje-dhënie ryshfeti, mes tyre edhe djali i kryeministrit Isa Mustafa.

Gjykata njofton se është konstatuar se veprimet e të pandehurve, nuk përbëjnë vepër penale mashtrimi dhe ndaj tyre është pushuar procedura penale.

Tre të pandehurve tjerë, në mesin e të cilëve edhe Besnik Mustafa, që akuzohen se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare u është refuzuar akuza, pasi prokurori i shtetit është tërhequr nga akuza gjatë shqyrtimit gjyqësor.

“Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 dite nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa iu drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt”, thuhet në njoftim.

KosovaPress: Përkrahje e paimagjinueshme për Kosovën në UNESCO

Delegacioni i Kosovës i prirë nga zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, sapo është futur në objektin ku do të mbahet mbledhja e Këshillit Ekzekutiv të UNESCO-s.

Pas 30 minutave pritet që Bordi Ekzekutiv i UNESCO-së të votojë për kërkesën e anëtarësimit të Kosovës në këtë agjenci.

Siç raporton KosovaPress nga Parisi, kolegët gazetarë nga mediet ndërkombëtare tregojnë se përkrahja e Kosovës në votimin e sotëm është e paimagjinueshme.

Shtetet anëtare me shumicë kanë lobuar nga mëngjesi i sotëm për të siguruar votat e mjaftueshme për kalimin e Kosovës në fazën finale.

Shpëtimi tek intelektualët e paprekur nga virusi kancerogjen i korrupsionit – Nga FLORIM ZEQA

Zërat e shpresës për LDK-në
Përderisa kërkesat për shkarkimin e kryeministrit Mustafa nga blloku opozitar janë krejtësisht normale dhe të natyrshme për rrethanat e krijuara, zërat që dalin nga LDK-ja për shkarkimin e tij, më duken sa të shëndetshëm po aq të arsyeshëm, për faktin që kanë të bëjnë me ndryshimin substancial në politikbërjen e vendit, e në veqanti për riparimin e dëmeve që i shkaktoi lideri Mustafa kësaj partie me sjelljen e tij diktatoriale në kuvendin e VIII-të zgjedhor,…duke i ulur imazhin partisë shtetformuese me ngulfatjen e frymës rugoviane dhe injorimin e vlerave demokratike në LDK.
Zërat për shkarkimin e “kryministrit” Mustafa mbrenda LDK-së, janë zëra ogurmirë, të shëndosh, të sinqertë që mbjellin shpresë për ndryshime pozitive në vendin tonë, zëra këta, që paralajmërojnë agimin e një dite të re për LDK-në e katandisur nga grupet e interesit.
Nëse analizojmë atë çfarë ka ndodhur në vendin tonë pas zgjedhjeve të 8 qershorit të vitit të kaluar e deri në ditët e sotme, atëherë me plotë të drejtë përgjegjësia politike adresohet vetëm ndaj kryeminstrit aktual, ngase Isa Mustafa është gjeneratori kryesor i të gjitha këqijave në vend; bllokadave politike, ekzodit masiv të të rinjëve e deri tek kriza e fundit institucionale në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Mirëpo pasojat e ditëve të sotme, si bie fjala; korrupsioni, krimi i organizuar, haraçi, degradimi i sistemit të drejtësisë, arsimit, shëndetësisë, kulturës e deri tek sistemi energjetik i vendit, për më tepër janë të lidhura me keqqeverisjen shtatvjeqare të PDK-së se sa me qeverisjen kukull të LDK-së.
Përderisa është kështu, atëherë opozita duhet të tregohet më e përgjegjshme në kërkesat e saja, duke e ngarkuar me përgjegjësi të njëjtë politike edhe nënshkruesin e marrveshjes së 19 prillit 2013, zv. kryeministrin e parë të qeverisë, apo siq po i thonë ndryshe mbështetësit e tij, kryediplomatin Hashim Thaçi, i cili na e solli “Zajednicën” nga Brukseli në Kosovë.
Krahas zërave për ndryshime pozitive, ndëgjojmë edhe klidhje ogurzeza mbrenda LDK-së për vazhdimin e së keqës, mbrojtjen e së keqës së madhe me emrin Isa Mustafa!
Isa Mustafa me sejmenët e tij, grupet dhe klanet e interesit të akomoduar në pushtetin aktual janë të gatshëm të rrënojnë çdo gjë dhe çdo vlerë që u del përpara, madje edhe shtetin për të mbrojtur kolltuqet e ngrohta dhe privilegjet e pushtetit !
Të paudhët e LDK-së, për t’u “mbrojtur” nga kërkesat për ndryshime, kanë gjetur formën e mbrojtjes përmes propagandave të stilit titist; “Isa Mustafa ia ka anuluar shumë vendime Hashim Thaçit, andaj mos të ngutemi se krejt gjerat do bien në vendin e vet, aty ku kan qenë,…andaj tani të gjithë pa hezitim duhet ta mbështesim kryeministrin Isa Mustafa” !
Ah, sa do të ishte fat për LDK-në dhe mirë për vendin, sikur “Akademik”  Isa Mustafa të ishte i tillë, sikur të ishte i përmasave të Rektorit Ramadan Zejnullahu, sikur ta kishte integritetit e pastër moral, sikur ta kishte ndërgjegjën dhe sinqeritetin, vullnetin dhe guximin për t’u përballur së paku me fjalët dhe premtimet e dhëna elektoratit rugovian.
Le të dali dikush që e dëshmon vetëm një rast kur Isa Mustafa e ka anuluar një vendim të vetëm, apo që e ka penguar ndonjë veprim të Hashim Thaçit në këto tetë vjetët e fundit,…përkundrazi e ka ndidhmuar në të gjitha veprimet, edhe atëherë kur LDK-ja ishte në opozitë. Sa për ilustrim po i përmendi vetëm disa; marrveshjen për presidenten nga zarfi, përmes të cilës e mbajti Thaçin në pushtet, mbështetja për miratimin e marrveshjes së Thaçit me Daçiqin, të 19 prillit 2013, ligjit për amnistimin e kriminelëve serb, ligjin për demarkacionin, ligjin për trashëgimin kulturore (serbe), etj,…të gjitha këto të miratuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Në anën tjetër, PDK-ja e Hashim Thaçit ia arriti qëllimit duke përmbushur misionin e saj historik; përmes Isa Mustafës dhe servilëve të tij, arriti ta shkatërrojë në masë të madhe LDK-në rugoviane , e cila tashmë e ka të humbur busollën orientuese, duke rrëshqitur në prehërin e PDK-së.
Në rrethanat e krijuara, kurdo që të mbahen zgjedhjet, LDK-ja rrezikon do të pësojë debakël, madje të përballet me pragun zgjedhor të 5 %-it,…e krejt kjo falë lakmisë për pushtet të liderit të tyre dhe disa shkurtpamësve, servilëve, puthadorëve dhe mjeranëve të LDK-së.
Në zgjedhjet e ardhshme, kur do që të mbahen ato, LDK-ja nuk do të mund ta luajë më rolin e viktimës si më parë, duke e drejtuar gishtin në drejtim të SHIK-ut dhe PDK-së, ngase tani është e ulur këmbëkryq në sofren e tyre,…ata që deri dje bashkëpunonin fshehurazi me kundërshtarët e frymës rugoviane, tashmë  po veprojnë ashiqare dhe pa ju skuqur fytyra fare!
Është e shëndetshme për LDK-në, që ju çjerrën maskat atyre që në njërën anë deklaroheshin kundër keqqeverisjes, kundër kapjes së shtetit, ndërsa në tjetrën pranuan të bëhen pjesë e saj, qoftë edhe me prezencën fizike në kampin pozitar në kuvend,…sikurse që ju çjerrën maskat edhe atyre që thirreshin për ndryshime në LDK, ndërsa tani qendrojnë në heshtje të rreshtuar pas veprimeve antidemokratike një lideri diktatorial.
Nisur nga logjika e thjeshtë, ata që nuk kanë investuar në ndërtimin (themelimin e   LDK-së) e shtëpisë, nuk kanë si të jenë mbrojtësit e saj,…sikurse që nuk ishin asnjëherë kultivues të frymës rugoviane, por vetëm shkatërrues të saj, siq ndodhi në Kuvendin e VIII-të zgjedhor të 31 majit 2015, kur lideri diktaorial me sejmenët e tij vepruan në kundërshtim me të gjitha rregullat dhe parimet demokratike, duke ngulfatur frymën rugoviane, shprehjen e vullnetit të lirë, duke i lënë prapa dyerëve të kuvendit zgjedhor dy degët më të fuqishme të LDK-së në Diasporë (Zvicër dhe Gjermani).
Për fat të mirë, tashmë elektorati ka filluar ta kuptojë misionin e Isa Mustafës, madje edhe disa nga mbështetësit e deridjeshëm të tij,…se ai kishte ardhur në krye të LDK-së me mision për ta shkatërruar dhe varrosur përfundimisht filozofinë politike të dr. Ibrahim Rugovës.
Andaj qendrimi i mëtutjeshëm i Isa Mustafës në kreun e LDK-së, paraqet fyerje të rëndë për elektoratin rugovian,…përeqse kërcënon me ndarje të re, rrezikon shpërbërjen totale të LDK-së.
Sikurse qendrimi i Isa Mustafës në krye të LDK-së që e rrezikon të ardhmën e këtij subjekti politik, ashtu edhe bashkeqeverisja e LDK-së me uzurpatorët e shtetit e rrezikon të ardhmën e vendit, i zgjatë jetën krimit dhe korrupsionit, rritë  varfërinë dhe mjerimin social në vend.
Shpëtimi i LDK-së, mbetët vetëm tek intelektualët e paprekur nga virusi kancerogjen i korrupsionit dhe krimit të organizuar, që nuk kanë bashkëpunuar asnjëherë me strukturat e SHIK-ut, UDB-së apo organizatave tjera antishqiptare, tek gjeneratat e reja të botës akademike dhe shkencore, tek analistët dhe gazetarët e pastër (jo lakmiqar të pushteteve), aktivist dhe veprimtar që i kanë shërbyer LDK-së me devotshmëri dhe besnikëri, pa u ndalur për asnjë moment për një çerekshekulli rresht

BE pritet të nënshkruajë MSA-në me Kosovën

Pritet që Bashkimi Evropian ta nënshkruajë Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Kosovën javën e ardhshme, duke e hapur rrugën për integrim të Kosovës në bllokun e 28 vendeve evropiane, kanë thënë mbrëmë zyrtarët.

Ky veprim, që po ashtu shihet si ndihmesë për afrimin e mëtejmë të Serbisë me BE-në, mund të shkaktojë shqetësim në disa vende anëtare të Bashkimit Evropian, që kanë probleme me lëvizjet e brendshme separatiste.

Spanja, Qiproja, Rumania, Greqia dhe Sllovakia, nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, të shpallur në vitin 2008.

Por, kjo nuk i ka parandaluar ato që në të kaluarën ta japin autorizimin e tyre për fillimin e negociatave të BE-së me Kosovën, që ka ndihmuar në uljen e tensioneve nacionaliste në Ballkan.

Kosova i ka përfunduar bisedimet me BE-në për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, në korrik të vitit 2014, që paraqet një hap në rrugën kah anëtarësimi në Bashkimin Evropian, që mund të bartë me vete përfitime ekonomike.

Zyrtarët thanë se përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri e BE-së, Federica Mogherini, dhe Johannes Hahn, komisionar për politikën evropiane të fqinjësisë dhe për negociata për zgjerim, javën e ardhshme do ta nënshkruajnë MSA-në me Kosovën, thanë zyrtarët.

Ajo do të bëhet fuqiplotë vitin e ardhshëm.

“Nënshkrimi i marrëveshjes do ta riforcoj perspektivën evropiane të Kosovës dhe do dë të ndihmoj në stabilizimin e brendshëm”, tha një zyrtar i BE-së.

Ambasada amerikane përkrah Jahjagën për të kultivuar dialogun politik

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka thënë se përkrah fuqimisht përpjekjet e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, “për të kultivuar dialogun politik mes partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës.”

Përmes një njoftim të lëshuar nga ambasada amerikane në Prishtinë u apelohet partive politike në Kosovë “që të heqin dorë nga çfarëdo kërcënimi me dhunë që është edhe i paligjshëm, edhe i papërputhshëm me një shtet modern demokratik.“

“Kuvendi është institucioni më i rëndësishëm i Kosovës dhe funksioni i tij është jetik për demokracinë, përparimin, dhe sigurinë e Kosovës. Vetëm një Kuvend që funksionon mund të debatojë dhe miratojë masat që nevojiten për të përmirësuar jetën e qytetarëve të Kosovës dhe për të siguruar që Kosova vazhdon rrugëtimin e saj drejt integrimit Euro-Atlantik,” thuhet në komunikatën e ambasadës së SHBA-së.

Thaçi entuziast që András Riedlmayer, hebre i Amerikës, ekspert i Harvardit lobon për Kosovën në Unesco

András Riedlmayer, ekspert botëror për arkitekturën islame pranë Universitetit të Harvardit, e mbështet anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Këtë e ka pohuar zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh edhe ministër i Punëve të Jashtme që e ka vlerësuar shumë lobimin e një hebreu hungarez për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

“Paramendoni sa fantastike është kur një hebre hungarez, ekspert i Harvardit amerikan për arkitekture islamike, lobon për Kosovën në Unesco? Ja shembull i tolerancës globale fetare dhe miqësisë mes popujve. Faleminderit Andras Riedlmayer”(sic), ka shkruar Thaçi.

Riedlmayer ka qenë edhe ekspert i Tribunalit të Hagës në gjyqin kundër Sllobodan Millosheviq, ku ka dëshmuar se Serbia qëllimisht ka shkatërruar një numër të jashtëzakonshëm xhamish, ka bërë spastrimin etnik të Kosovës. Tash së fundi është edhe redaktor i një libri të botuar nga Ministria e Jashtme e Republikës së Kosovës dhe Bashkësia Islame e Kosovës mbi shkatërrimin e trashëgimisë islame në Kosovë. Edhe ky libër është botuar për qëllim lobimi për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

Më 22 Korrik të këtij viti, Kosovapress e ka intervistuar András Riedlmayer, intervistë që po e sjellim si më poshtë:

KosovaPress: Ju jeni një ekspert i arkitekturës islame në Qendrën për Dokumentim pranë Programit Aga Khan në Universitetin e Harvardit. Sa është i rëndësishëm anëtarësimi i Kosovës në UNESCO?

András Riedlmayer: Anëtarësimi në UNESCO është shumë i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës, për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të Kosovës dhe për njohjen e saj në mbarë botën.

UNESCO mund t’i ofrojë Kosovës këshilla nga ana e ekspertëve të specializuar në këtë fushë, por edhe mbështetjen për trajnimin e specialistëve kosovarë në mbrojtjen ligjore, ruajtjen, inventarizimin dhe menaxhimin e trashëgimisë kulturore të vendit.

Këtu përfshihet mbrojtja e trashëgimisë së prekshme, materiale të Kosovës – të mishëruar në ndërtesat e bukura të vjetra, në qytetet historike të Kosovës, në muzetë e saj, dhe lokacionet arkeologjike. Veç kësaj, anëtarësimi i Kosovës në UNESCO do të jetë i vlefshëm edhe për promovimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore jo materiale të Kosovës – për regjistrimin dhe ruajtjen e traditave gojore në Kosovë, arteve të performuara të saj, praktikave sociale, ritualeve, ngjarjeve festive, shkathtësive tradicionale artizanale dhe shprehjeve të tjera të kulturës dhe identitetit të Kosovës.

KosovaPressP: A ka Kosova objekte të rëndësishme të arkitekturës islame që mund të konsiderohen si objekte të trashëgimisë?

András Riedlmayer: Kosova ka qenë prej kohësh udhëkryq i Ballkanit, aty ku rrymat e mëdha fetare dhe kulturore mesdhetare janë puqur dhe kanë ndërvepruar më njëra-tjetrën dhe me traditat lokale. Këto ndërveprime kulturore i kanë dhënë Kosovës një trashëgimi të jashtëzakonshme, duke përfshirë një traditë 600-vjeçare të traditës islame evropiane, në lulëzim e sipër, njëherësh një pjesë e trashëgimisë së vendit që meriton një njohje dhe vlerësim më të mirë.

Shembujt përfshijnë xhamitë e vjetra të Kosovës dhe monumente të tjera të arkitekturës islame, të tilla si Xhamia, Hamami i Sulltan Mehmed Fatihut (i ndërtuar më 1461), në Prishtinë; Xhamia e Tregut (1471), në Pejë; Xhamia e Gazi Ali Begut (1410), në Vushtrri; Xhamia dhe Biblioteka Islame e Hadum Sylejman Agës, në Gjakovë (e ndërtuar më 1592-95); Hamami, Xhamia dhe Biblioteka e Gazi Mehmet Pashës (1563-1574) dhe Xhamia e Sinan Pashës (1615) në Prizren. Këto janë vetëm disa nga objektet e trashëgimisë islame evropiane të Kosovës.

Përreth këtyre monumenteve dhe dhurimeve përkatëse islamike (të njohura si vakufe), u ngritën shkolla islame, tregje, lagje dhe qytete të tëra, si Prizreni, Gjakova, Vushtrria dhe Peja. Këto monumente dhe qytete historike janë një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë historike dhe kulturore të Kosovës dhe meritojnë njohje e mbrojtje.

KosovaPress: Argumenti kryesor i Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO është shkatërrimi i kishave nga individë të caktuar në Kosovë. Si do ju përgjigjeshit këtyre akuzave?

András Riedlmayer: Ky nuk është një argument valid. Mos harroni se gjatë luftës së viteve 1998-1999, 218 xhami, rreth 40 për qind e të gjitha xhamive në Kosovë, u shkatërruan apo dëmtuan, si pasojë e sulmeve nga forcat serbe. Forcat serbe po ashtu dogjën e shkatërruan pazaret e vjetra në qytetet e Gjakovës, Pejës dhe Vushtrrisë, ata shkatërruan xhaminë e vjetër dhe kullat historike në qytetin e vjetër të Deçanit, por shkatërruan edhe shumë qytete dhe fshatra të tjera.

Kjo përbënte, sipas fjalëve të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, një “fushatë sistematike nga ana e forcave serbe, kundër popullatës shqiptare të Kosovës me motive posaçërisht fetare, e cila përfshiu dëmtimin dhe shkatërrimin sistematik të monumenteve kulturore dhe të objekteve të shenjta myslimane.” [Gjykimi nga ana e Dhomës Gjyqësore të ICTY, Prokurori kundër Vllastimir Gjorgjeviq, 23 shkurt 2011, paragrafi 1855].
Në anën tjetër, mrekullisht, asnjë kishë apo manastir i vetëm serb në Kosovë nuk është dëmtuar apo shkatërruar nga shqiptarët gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Fatkeqësisht, kjo ndryshoi pas përfundimit të luftës në qershor të vitit 1999, kur mijëra refugjatë shqiptarë të cilët ishin dëbuar nga Kosova gjatë luftës u kthyen në qytetet dhe fshatrat e tyre të djegura. Gjatë verës së vitit 1999, dhjetëra kisha dhe manastire ortodokse u dëmtuan dhe rreth 40 syresh u shkatërruan në sulmet hakmarrëse. Trazirat ndëretnike të marsit 2004 rezultuan në dëmtimin e 30 kishave dhe manastireve të tjera.
Sulmet mbi trashëgiminë shqiptarë të Kosovës gjatë luftës së viteve 1998-1999 ishin, në të shumtën e rasteve, të kryera nga formacione të armatosura të shtetit serb. Dëmet e shkaktuara ishin të tmerrshme dhe të jashtëzakonshme – por qeveria serbe deri më tani ka refuzuar t’i njohë këto dëme, dhe ajo nuk ka ofruar asnjë kërkimfalje apo dëmshpërblim për shkatërrimin e trashëgimisë kulturore dhe fetare të Kosovës.

Njerëzit të cilët sulmuan kishat dhe manastiret ortodokse serbe në Kosovë në mars të vitit 2004 ishin protestues të dhunshëm civilë. Qeveria e Kosovës u përgjigj duke kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që të ndajë fonde publike për riparimin dhe restaurimin e kishave dhe manastireve të dëmtuara. Afro 200 akuza janë ngritur ndaj protestuesve të marsit 2014; 143 individë u dënuan, 67 prej të cilëve morën dënime me burg prej më shumë se një vit. Nuk janë shënuar incidente të reja që do të rezultonin në dëmtimin të kishave në Kosovë në dekadën e fundit. Mendoj se këto fakte flasin për vete.

KosovaPress: A mendoni se diplomacia e Kosovës ka dështuar në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore? Serbia i ka regjistruar të gjitha monumentet si serbe?

András Riedlmayer: Pretendime të tilla “eksterritoriale” ndaj trashëgimisë së ndodhur në territorin e një shteti tjetër nuk kanë precedent dhe vlefshmëri. Kjo nuk është çështje që ia vlen të debatohet. Trashëgimia e paluajtshme i takon vendit ku ajo ndodhet, vendit që është përgjegjës për mbrojtjen e saj. Mbani në mend se shumica e ndërtuesve dhe mjeshtërve që ndërtuan xhamitë dhe kishat e Kosovës ishin banorët vendas, siç ishin edhe njerëzit të cilët kanë shfrytëzuar këto monumente përgjatë shekujve për t’u falur dhe për rituale të rëndësishme, dasma apo funerale. Këto monumente, ashtu si edhe njerëzit që i kanë shfrytëzuar ato, u përkasin qyteteve dhe fshatrave në të cilat kambanoret dhe minaret janë pjesë e peizazhit shumetnik dhe shumfetar të Kosovës.

Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës ka bërë shumë për të promovuar njohjen ndërkombëtare të këtij realiteti kulturor në Kosovë. Që nga viti 2012, MPJ e Kosovës ka sponsorizuar Nismën ndërfetare të Kosovës (Interfaith Kosovo) – në kuadër të së cilës janë mbajtur një sërë konferencash dhe punëtorish në të cilat kanë qenë pjesë edhe prijës fetarë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile të Kosovës dhe nga vende anembanë botës. Nisma Interfaith Kosovo tani është në komunitetin global online përmes faqes www.interfaithkosovo.org dhe ka sponsorizuar një sërë publikimesh mbresëlënëse, në mesin e tyre një libër mbi shkatërrimin e trashëgimisë islame në luftën e Kosovës 1998-1999, për të cilin kam pasur nderin të kontribuoj me fotografi dhe një tekst hyrës. /KosovaPress/

Kryetari i Akademisë së Shkencave të Serbisë, Kostiq: Nuk pendohem për deklaratat e mia rreth Kosovës

Voal – Kryetari i Akademisë së Shkencave të Serbisë, Vladimir Kostiq në një intervistë për një media serbe, ka deklaruar se nuk pendohet për deklaratat e tij që kanë të bëjnë me realitetin e ri në Kosovë.

Ai ka shtuar se nuk e ka pritur gjithë këtë “dënim publik” që po i bëhet, duke thënë se nëse akademikët e kërkojnë dorëheqjen e tij, ai do ta bëjë një gjë të tillë.

Para disa ditësh, Kostiq kishte thënë se “e vetmja mençuri politike me elemente të dinjitetit në këtë moment, është të lihet Kosova, sepse as de facto, e as de jure nuk është më pjesë e Serbisë” dhe se “dikush duhet t’i tregojë këtë gjë popullit”, duke shkaktuar reagim të ashpër në Serbi, transmeton lajmi.net.

Në një intervistë për Alo, në pyetjen se a është penduar për këtë deklaratë, ai është përgjigjur:

“Jo nuk jam penduar, pse do duhej bërë një gjë e tillë? E thash atë që mendoj dhe qëndroj prapa asaj që thash. Kam folur në emrin tim dhe jo në emër të Akademisë. Fatkeqësisht, jam keqkuptuar sepse askush nuk e ka dëgjuar atë që kam thënë dhe kontekstin në të cilën e kam përdorur”.

“Isha i vetëdijshëm për riskun e deklaratës, por këtë nuk e prisja. Një deklaratë e tillë bartë përgjegjësi, të cilat unë jam i gatshëm t’i marr. Sigurisht, do të ishte më e lehtë t’i thosha popullit atë që dëshiron ta dëgjojë dhe jo atë që mendoj se është realitet”, u përgjigj ai kur u pyet se nëse e ka pritur një reagim të tillë.

Kostiq gjithashtu është pyetur nëse është befasuar dhe si ka reaguar ndaj reagimit të Nikoliqit.

“Po, jam befasuar. Ne të dy mund të pajtohemi në disa gjëra, e të mos pajtohemi në gjëra tjera, por unë kurrë nuk do i kërkoja atij të dorëheqet për shkak të një qëndrimi me të cilin unë nuk pajtohem. (Kërkesa e Nikoliqit për dorëheqjen e Kostiqit) Drejtpërdrejt  sulmon dhe nënçmon integritetin tim. Nga Shesheli psh, do e prisja kërkesën për dorëheqjen time”, u përgjigj Kostiq. /lajmi.net

Opozita – Jahjagës: Rëndohet situata nëse qeveria nuk tërhiqet nga marrëveshjet me Serbinë

Tre liderët e partive opozitare në Kosovë pas takimit me presidenten Jahjaga, kanë thënë se nuk do të heqin dorë nga veprimet e tyre nëse qeveria nuk tërhiqet nga marrëveshjet me Serbinë.

Kryetari i Vetëvendosjes Visar Ymeri tha se i kanë kërkuar Jahjagës që të kërkojë mosmbajtjen e seancave pa pajtim gjithëpartiak për gjetjen e një zgjidhjeje.
Lideri i AAK-së Ramush Haradinaj tha se çdo thirrje e seancës së ardhshme pa marrëveshje nënkupton thirrje për përshkallëzim të situatës.
Ndërsa Fatmir Limaj nga Nisma tha se është e padrejtë që prokuroria dhe policia po përndjekin deputetët dhe aktivistët e opozitës.

Presidentja Jahjaga e takon sot opozitën

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga pritet të takojë sot përfaqësuesit e partive opozitare, në kuadër të bisedimeve për të tejkaluar bllokadën e punës së Kuvendit.

Të hënën, Jahjaga ka pritur në takim të përbashkët kryeministrin Isa Mustafa, njëherësh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe zëvendëskryeministrin Hashim Thaçi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës.

Raportet midis pushtetit dhe opozitës janë tensionuar për shkak të marrëveshjes me Serbinë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe asaj me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.

Sipas opozitës, këto marrëveshje e defunksionalizojnë dhe dëmtojnë shtetin.

Kryeministri Mustafa ka thënë se nuk do t’i nënshtrohet kërkesës së opozitës për tërheqje të nënshkrimeve nga marrëveshjet.

Janar-qershor: Kosova 337.2 milionë euro remitanca nga diaspora

 

Remitancat, që njëherësh paraqesin edhe kategorinë më të madhe në kuadër të llogarisë së të ardhurave dytësore, vazhdojnë të kontribuojnë në ngushtimin e deficitit të llogarisë rrjedhëse, raporton zëri.info.

Sipas të dhënave të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) shihet se vlera e gjithsej remitancave të pranuara në vend deri në qershor 2015 arriti në 337.2 milionë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 15.8 përqind. Bazuar në të dhëna të Agjencisë së Statistikave të Kosovës pjesa dërmuese e remitancave në Kosovë shpenzohen për konsum / Zëri

Kosova e siguron bukën nga Serbia

Importi i miellit të grurit në Kosovë është kryesisht nga Serbia, Hungaria dhe Austria. Sipas Doganave të Kosovës, gjatë vitit 2014 janë importuar 53.8 milionë kilogramë miell, prej të cilave 53.6 milionë janë importuar nga Serbia, transmeton zeri.info.

Nëse i kthejmë në euro këto kilogramë mielli, del se janë importuar gjatë vitit 2014 mbi 13 milionë euro. Kurse për periudhën 9-mujore të këtij viti Republika e Kosovës ka importuar miell rreth 45.5 milionë kilogramë miell.

Nga këto shifra pothuajse të gjitha janë importuar nga Serbia, rreth 45 milionë kilogramë. Kjo i bie se për këtë periudhë 9-mujore Serbia ka eksportuar miell në Kosovë në vlerë prej 11.4 milionë eurosh.

Derisa statistikat doganore flasin për mijëra tonelata grurë dhe miell të importuar, zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë deklarojnë vazhdimisht se nga prodhimi vendor përmbushen më shumë se 70 për qind të nevojave të brendshme.

Nga të dhënat e po kësaj Ministrie, vendi importon gjatë një viti rreth 130 milionë kilogramë miell ose 130 mijë tonë për konsum të përgjithshëm, konsum për bagëtinë, grurë për mbjellje dhe për nevojat industriale.

Ekspertët: Kapitulli 35 e përkufizon shtetin e Serbisë, pa Kosovën

Hapja e kapitullit 35 të negociatave me Serbinë, për anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian, do të ketë reflektime pozitive për Kosovën, vlerësojnë ekspertët e të drejtës ndërkombëtare dhe njohësit e integrimeve evropiane në Kosovë.

Kapitulli 35 ka të bëjë me çështjen e normalizimit të marrëdhënieve të Serbisë me fqinjët, duke nënkuptuar praktikisht edhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Tashmë, rekomandimin për hapjen e këtij kapitulli, Komisioni Evropian dhe Këshilli Evropian për Punë të Jashtme ia kanë paraqitur Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian.

Afrim Hoti, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se pozicioni i deritashëm i Serbisë ndaj Kosovës, në bisedimet në Bruksel, nuk ka qenë i rastësishëm.

Sipas tij, Serbia ka qenë e interesuar që para hapjes së Kapitullit 35 dhe në përgjithësi para hapjes së negociatave me BE-në, ta rregullojë çështjen e mbetjes, të formalizimit dhe ruajtjes së prezencës serbe në Kosovë.

Në këtë drejtim, siç thotë ai, krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe një varg përfitimesh tjera, të cilat Serbia ka arritur t’i sigurojë për serbët e Kosovës, përmes marrëveshjeve në Bruksel, janë rezultat i vetëdijes së serbëve se procesi i negocimit do ta sjell Serbinë para vendimit që të ecet kah BE-ja pa Kosovën ose në kahje të kundërt.

“Mendoj që tashmë po shkojmë drejt një rrethi vicioz. Po shkojmë -edhe Serbia edhe Kosova- drejt ofrimit të derës hyrëse në kuadër të BE-së dhe kjo derë hyrëse duhet të lë prapa shumë probleme, në mesin e të cilave është edhe pozicioni i Serbisë kundrejt Kosovës”.

“Mendoj se Kosova duhet të përfitojë në këtë drejtim, sepse tashmë, ky kapitull do ta lëvizë çështjen e neutralitetit. Fundja, nëse deri më tani kemi folur pa emra, nga hapja e Kapitullit 35 dhe tutje, Serbia dhe Kosova duhet të kenë emra të përveçëm”.

Emrush Ujkani, profesor i të Drejtës Evropiane në Universitetin e Prishtinës, thotë se ende pa u marrë me Kapitullin 35, reagimet në opinionin e Serbisë kanë treguar se sa do të jetë i rëndësishëm.

Ky kapitull, sipas tij, do ta orientojë Serbinë për ta ndjekur agjendën evropiane për një fqinjësi të mirë.

“Në të njëjtën kohë, i jep leksion ose e bën të kuptojë opinionin në Serbi dhe lidershipit atje, se Kosova, përfundimisht është çështje më vete, është shtet dhe rrjedhimisht Serbia, unë mendoj, se nuk ka kurrfarë të ardhme për ta ndikuar rrjedhën e zhvillimeve politike në Kosovë”.

“Do të thotë, ajo mund të ndikojë, jo vetëm në Kosovë, por edhe në vendet tjera, për të keq, por ajo do të konsiderohet si diçka e dëmshme dhe e papranueshme”.

Ujkani ka shtuar se përfitimet që mund t’i ketë Kosova në këtë situatë, nuk duhet parë si një fitore ndaj Serbisë, por si diçka që buron nga agjenda evropiane dhe qasja e Bashkimit Evropian karshi dialogut.

Edhe profesor Hoti, këto implikime i sheh më shumë si çështje në kontekstin e realizimit të kritereve të Bashkimit Evropian.

“Unë besoj që marrëdhëniet me fqinjët, definimi i kufijve, por edhe numri i përgjithshëm i popullsisë të një vendi të caktuar, janë ndër kriteret. Tek negocimi, mendoj se këto do të jenë pyetjet e para që do t’i parashtrohen Republikës së Serbisë”.

“Në këtë drejtim, edhe nëse nuk do të kemi njohje të drejtpërdrejtë, atëherë, të paktën raporti i Serbisë kundrejt Kosovës, në kuptimin e normalizimit të marrëdhënieve, do të duhej të ishte raport në mes shtetesh. Kjo, në mënyrë indirekte, besoj që reflekton dhe nënkupton njohje të ndërsjellë”.

Ditë më parë, autoritetet e Beogradit patën reaguar lidhur me Kapitullin 35 dhe rreth asaj se farë do të nënkuptojë ky kapitull lidhur me Kosovën.

Ndonëse, sipas zyrtarëve serbë, në kapitullin 35 nuk përmendet në mënyrë eksplicite njohja e Kosovës nga Serbia, ata kanë shfaqur brengosjen se ky kapitull nënkupton këtë fakt.

Isa Mustafa e mbyll faqen në Facebook

PRISHTINE -Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës njoftoi se për shkak të rritjes së numrit të sulmeve ndaj llogarisë së kryeministrit Isa Mustafa në Facebook, kjo llogari do të deaktivizohet, deri në rritjen e masave të sigurisë.

“Gjatë kësaj periudhe, çdo postim apo komunikim për apo në emër të kryeministrit Isa Mustafa nuk paraqet qëndrimet e kryeministrit dhe të njëjtat do të denoncohen në organet kompetente. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, duke falënderuar përkrahësit dhe të gjithë qytetarët për mirëkuptimin, njofton se me kryeministrin Isa Mustafa mund të komunikojnë në çdo kohë përmes Zyrës për Komunikim Publik në ZKM”, thuhet në njoftim.

Ymeri-Jahjagës: dialog ndërpartiak vetëm nëse tërhiqen nënshkrimet nga Asociacioni dhe demarkacioni

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka iniciuar nisjen e takimeve me liderët e institucioneve dhe partive politike në kuadër të përpjekjeve për tejkalimin e krizës politike të krijuar me bllokadën e punës së Kuvendit.

Ajo u ka drejtuar ftesa të gjitha partive politike të përfaqësuara në Kuvend që të diskutojnë për gjetjen e një zgjidhjeje.

Përmes një deklarate të cilën e ka lexuar para medieve, Jahjaga ka njoftuar se do të shfrytëzojë autoritetin kushtetues që ka, për garantimin e funksionimit të institucioneve demokratike në vend.

Ajo i ka cilësuar të papranueshme veprimet e dhunshme në institucione, duke paralajmëruar se ato rrezikojnë të lëndojnë konsensusin demokratik në Republikën e Kosovës.

“Tashmë ftesat subjekteve politike si të koalicionit qeveritar ashtu edhe partive opozitare u janë dërguar, fillimisht për takime të ndara në zyrën time, dhe përfundimisht – në mirëbesim – në tryezë të përbashkët”.

“Shpresoj që kjo iniciativë e imja të ndihmojë që shqetësimet t’i adresojmë me pjekuri politike dhe duke dëshmuar angazhimin tonë që të jetësojmë përkushtimin tonë për një demokraci parlamentare që fuqizon institucionet, forcon besimin e qytetarëve në perspektiven e vendit të tyre dhe krijon pajtimin bazik për rrugën tonë përpara”, ka deklaruar Jahjaga.

Nismës së presidentes, përfaqësuesit e partive politike i janë përgjigjur pozitivisht, ndonëse vërehen dallime të mëdha rreth pozicioneve për tejkalimin e gjendjes.

Partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe partia Nisma për Kosovën, ndonëse kishin ftesa që të shkonin ndaras në takim, kanë kumtuar se do të shkojnë në Presidencë nesër si opozitë e bashkuar.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë se dialogu ndërpartiak i ndërmjetësuar nga presidentja mund të ketë sukses vetëm nëse kryeministri Isa Mustafa i tërheq nënshkrimet nga marrëveshja me Serbinë për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe ajo me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.

Në çdo rrethanë tjetër, ai ka thënë se opozita nuk do të tërhiqet dhe do të mbajë të bllokuar Kuvendin.

“Dalja nga kjo situatë politike në të cilën jemi është shumë qartë dhe kjo nuk është çështje e diskutimit. Pra, nëse ka reflektim nga ana e kryeministrit apo nga ana e qeverisë dhe nëse ata e thonë se do të tërhiqen nga marrëveshjet atëherë mbase edhe mund t’i diskutojmë modalitetet e tërheqjet”.

“Mirëpo me këtë insistim që marrëveshjet do të zbatohen gjithsesi, me këtë zotim edhe një herë me një darkë jo formale, siç u quajt ajo me Vuçiqin, ku është thënë se Kosova do t’i zbatojë marrëveshjet, mendoj se nuk ka se çfarë të diskutohet”, ka thënë Ymeri.

Ndërkohë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka marrë të hënën miratimin e Kryesisë së Kuvendit që të mos caktohet data e vazhdimit të seancës së ndërprerë të Kuvendit, në mënyrë që t’i jepet rast presidentes që të gjejë një zgjidhje eventuale.

Për këtë arsye, ai dhe kryesia kanë shtyrë takimin e planifikuar të hënën, për ditën e martë.

Nismës së presidentes, i ka dhënë mbështetje edhe Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar.

Raportet ndërmjet forcave politike në opozitë dhe atyre në pushtet kanë pësuar tensionim më të madh që prej arritjes së marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të komunave të banuara me shumicë serbe.

Marrëveshja është arritur më 25 gusht, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas opozitës, kjo marrëveshje e defunksionalizon shtetin dhe i hap rrugë ndarjes së Kosovës.

Po ashtu, tri partitë opozitare vazhdojnë të kërkojnë tërheqjen edhe të nënshkrimit nga marrëveshja me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.

Tërheqja e nënshkrimeve, nga kryeministri Isa Mustafa dhe Qeveria e Kosovës janë cilësuar të papranueshme.


Zijadin Gashi

[email protected]

Zijadin Gashi, i lindur më 01 janar 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001.

Rakiq e Bahtiri: Heqim ‘Parkun e Paqes’, hapim Urën e Ibrit

Punimet për renovimin e urës kryesore mbi lumin Ibër, që lidh anën jugore dhe atë veriore të Mitrovicës, kanë nisur të shtunën me vënien e rrethojës që shënon vendin e punimeve.

Procesi i punës po vazhdon edhe të dielën, me vënien e shtyllave të betonit në të dyja anët e urës, bëjnë të ditur zyrtarët e të dy komunave, të asaj jugore dhe veriore të Mitrovicës.

Renovimi i urës nënkupton edhe heqjen nga aty të barrikadës së ashtuquajtur “Parku i paqes”.

Kryetari i komunës së Mitrovicës së jugut, Agim Bahtiri, thotë për Radion Evropa e Lirë, se punimet në urë do të vazhdojnë deri në qershorin e vitit të ardhshëm, kur edhe pritet që ura të funksionalizohet për qarkullim.

“Deri në qershor, (ura)do të jetë e gatshme, për të ecur të lirë edhe këmbësorët, çiklistët dhe automjetet”, thotë Bahtiri.

Në anën tjetër, kryetari i komunës së Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq, duke folur për Radion Evropa e Lirë, e vlerëson fillimin e punimeve në urën kryesore mbi lumin Ibër, si hap të parë të rivitalizimit të saj.

Rakiq i hedh poshtë pohimet, siç shprehet ai, të disa medieve, të cilat, sipas tij, e kanë shtrembëruar deklaratën e tij, kinse të ketë thënë se rivitalizimin e urës mbi Ibër, ka filluar, por i ashtuquajturi “Parku i paqes” nuk do të largohet.

“Unë kam deklaruar se gjatë ditës së djeshme (të shtunën) do të vendoset rrethoja rreth ‘Parkut të paqes’ dhe se ai nuk do të largohet gjatë ditës së djeshme. Pra, sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel, ura do të lëshohet për qarkullim në atë moment që do të ndërtohet zona për këmbësorë (në anën veriore të urës) dhe kur do të respektohen të gjitha vendimet që i ka sjell Kuvendi i komunës së Mitrovicës së veriut, pra, kur të nënshkruhet memorandumi për marrëveshje (për saktësimin e kufijve administrativ të dy komunave, veriore dhe jugore). Pra, nuk kam thënë se ura do të jetë e mbyllur për afat të gjatë, por vetëm se duhet të respektohet procedura e caktuar”, deklaron Rakiq.

Të dy kryetarët e komunave, të jugut dhe veriut të Mitrovicës, Bahtiri dhe Rakiq, vlerësojnë se rinovimi i urës kryesore mbi lumin Ibër dhe mundësia e qarkullimit përmes saj, është në dobi të të gjithë qytetarëve.

Megjithatë, Bahtiri shpreh mendimin se qarqeve të caktuara nuk u konvenon stabiliteti në këtë hapësirë, e as heqja e të ashtuquajturit “Parku i paqes”.

“Ka grupe njerëzish që nuk duan, as në jug e as në veri, që të bëhet diçka e mirë. Por, njerëzit, qytetarët e rëndomtë, janë për ta hequr këtë (“Parkun e paqes”). Si serbët, si shqiptarët, janë për ta hequr atë”.

“Është një klasë e njerëzve që përfitojnë prej tensioneve. Ata mund të mos jenë të kënaqur, por megjithatë, situata është e qetë dhe po vazhdon gjithçka sipas planit”, shprehet Bahtiri.

Ndërkaq, Rakiq thekson se para se të lëshohet për qarkullim ura kryesore mbi Ibër, gjë që pritet në qershor të vitit të ardhshëm, ai dhe Bahtiri duhet ta bëjnë vlerësimin e kushteve të sferës politike dhe të sigurisë.

“Nuk ka arsye për shqetësim, as të qytetarëve të komunës së Mitrovicës së veriut, e as arsye për eufori të qytetarëve të komunës së Mitrovicës së jugut. Qëllimi i të dy kryetarëve është që në këtë hapësirë të sundojë paqja, e cila do të jetë afatgjate dhe jo sikurse deri më tash, që gjithçka të zgjidhim sot për nesër”, ka theksuar Rakiq.

Projektin për heqjen e të ashtuquajturit “Parku i paqes” dhe rivitalizimit të urës kryesore mbi lumin Ibër, e ka marrë përsipër ta realizojë Këshilli Evropian.

I ashtuquajturi “Parku i paqes” mbi urën kryesore mbi lumin Ibër, ishte vendosur më 18 qershor të vitit 2014, vetëm disa orë pas heqjes së barrikadës së mëparshme me rërë dhe gurë, nga ana e autoriteteve lokale të Mitrovicës së veriut.

Intervistë e Haradinajt tek Tribune de Gèneve: “Korruspioni është gjithandej, populli nuk ka vend pune” Nga Bernard Bridel

Në fund të viteve të 80-ta, Ramush Haradinaj ishte i njohur si ariu i bardhë në Leysin, ku punonte në ndërtimtari druri dhe Meili e trajnonte atë në arte marciale.  Pas 25 vjetësh mjegulli – nëpër të cilat u bë një prej komandantëve më të famshëm të UÇK-së dhe Kryeministër për një kohë shkurtër nga Dhjetori 2004 deri në Mars 2005 para se të përjetonte një sagë të gjatë ligjore për krime lufte në Hagë, prej të cilës doli i pastër në vitin 2012 – 47 vjeçari është tashmë udhëheqës i partisë kryesore opozitare në Prishtinë, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Si i tillë, ai qartazi nuk i kursen fjalët kundër qeverisë së Isa Mustafës dhe Ministrit të Jashtëm, Hashim Thaçi, njeriu vërtetë i fuqishëm i vendit.

Pyetje: Si është situata në Kosovë?

Ramush Haradinaj: Keq. Korrupsioni është gjithandej, populli nuk ka vende pune, arsimi ka degraduar, sikurse edhe sistemi shëndetësor. Në vend se të merret me këto, Kryeministri ynë fotografohet në Bruksel me homologun e tij. Zyrtarët e zgjedhur duhet të jenë të përgjegjshëm dhe llogaridhënës. Por, Qeveria e sotshme as nuk është as e përgjegjshme as nuk është duke punuar.

Pyetje: Në aspektin ndërkombëtar?

Ramush Haradinaj: Ballkani nuk është çështje e mbyllur. Vazhdimi i mbajtjes së çështjeve të hapura, sikurse është mosnjohja e Kosovës nga ana e Serbisë, nuk lë hapësirë për politika normale. Është në duar të njerëzve që luajnë me stabilitetin. SHBA-të dhe Evropa duhet të përmbyllin këto çështje të hapura në Ballkan. Kështu që, njerëzit do të mund të merren me probleme konkrete.

pyetje: Si reagojnë qytetarët ?

Ramush Haradinaj: Ekziston një padurueshmëri e madhe dhe presion i jashtëzakonshëm. Njerëzit janë të lodhur me këtë qeveri që krijon situata tragjike dhe detyron mijëra njerëz të lëshojnë vendin.

pyetje: A jeni i shqetësuar për revolta sikurse në vitin 2004?

Ramush Haradinaj: Ky rrezik ekziston, prandaj opozita duhet ta luajë rolin e vet dhe të marr përgjegjësitë si kërkesa për zgjedhje të parakohshme.

Pyetje: Duke ju dëgjuar juve, 15 vjet ishin të humbura për shkak të klasës politike. E saktë?

Ramush Haradinaj:  Po, mund të thuani ashtu.

Pyetje: Çka u thoni atyre që përshkruajnë Kosovës si një shtet në duart e mafias që është e përfshirë në të gjitha format e trafikimit, përfshirë edhe të organeve?

Ramush Haradinaj:  Vendi im është duke paguar çmimin për shkak të mungesës së institucioneve të fuqishme pas luftës. Nuk e besoj trafikimin e organeve, por nuk mund të mohoj trafikimin e drogave, prostitucionit. Prandaj, ne duam që t’i forcojmë institucionet. Ekziston edhe një shtet i propagandës, sikurse ështrë Serbia, që kanë axhendën e tyre për të denigruar Kosovën. Ajo që është e nevojshme është të krijohet atmosfera kundër krimit dhe mobilizimi shoqëror jep alternativë.

pyetje: Nëse ktheheni në pushtet, cilat do të jenë prioritetet tuaja për të zhvilluar vendin?

Ramush Haradinaj: I kemi tre sektorë me potencial të madh: energjetika, bujqësia dhe minierat. Këtu do të vëja përpjekjet e mia. Industria e ushqimit mund të krijojë shumë vende pune. Duhet, po ashtu, të kërkohet ekspertiza nga diaspora. Për shembull, midis Zvicres dhe Kosovës ekzistojnë lidhje shumë të forta në të cilat ne mund të vareshin në zhvillimin e tregëtisë dhe lehtësimin e vendosjes së bizneseve.

Pyetje: A është anëtarësimi në BE ende qëllimi juaj?

Ramush Haradinaj:  Po, sigurisht.

Pyetje: Dhe, ribashkim me Shqipërinë, Kushtetuta juaj e ndalon?

Ramush Haradinaj:  Kjo Kushtetutë është vendosur në një kohë, por kjo mund të ndryshojë…
Gazetari:
Bernard Bridel:

Deputetët, pengje të liderëve partiakë – Nga FLORIM ZEQA

Kuvendi i Kosovës sërish u tymos nga gazi lotsjellës! Përtej këtij tymi, fshihen prapaskenat politike, ambiciet personale dhe klanore të grupeve të interesit që qeverisin Kosovën tani e 16 vite.
Pos përseritjes së skenave të njëjta në kuvend, me këtë bllokadë politike, me këtë situatë paradoksale mund të kalojnë javë e muaj dhe prap do të mbesin të barrikaduara në istikamet e tyre blloqet politike për mbrojtjen, respektivisht marrjen e pushtetit.
Pavarësisht numrave dhe madhësisë, të dyja blloqet me forcë të njëjtë po i kundërvëhen njëri-tjetrit. Nëse njëri bllok deklarohet se i ka numrat (pozita) dhe nuk e demonstron forcën e saj, atëherë thjeshtë vërteton paaftësinë dhe mosguximin për ndërmarrjen e veprimeve politike në kuvend!
Në anën tjetër, edhe blloku opozitar, që thirret në emër të vullnetit të qytetarëve të vendit, duhet ta demonstroj forcën mbështetëse të popullit jashta dyerëve të parlamentit,..ngase vetëm fjalët nuk mjaftojnë si mbulesë !
Deputetët, të zgjedhurit e popullit përveqse numra janë shëndrruar në pengje të liderëve partiak, me pozicionimet barrikaduese prapa liderëve pa dashjen e tyre janë bërë  abuzues të votës së qytetarëve.
Po të mos ishte kështu, shumica e deputetëve shqiptar ne Kuvendin e Republikës së Kosoves, në radhë të parë do duhej të silleshin si përfaqësues të popullit, për gjetjen e një rrugedalje nga situata bllokuese pa pritur ndërhyrjen ndërkokmbëtare,…për të dëshmuar nivelin e përgjegjësisë qytetare për mbrojtjen e interesave të vendit para atyre të liderëve partiak.
Nisur nga përvoja e deritanishme, ndërhyrjet nga jasht, asnjëherë nuk kanë prodhuar zgjidhje të qendrueshme, por vetëm vazhdim të “Status Quos” politike për mbajtjen në pushtet të një klase të shantazhuar politike (presidentja nga zarfi, qeverisja aktuale).
Kështu siq janë barrikaduar, deputetët me ose pa vetëdijen e tyre, duke mbrojtur pozicionet e liderëve të tyre partiak janë duke e rrezikuar seriozisht të ardhmen e shtetit, pse jo edhe mandatet e tyre të fituara me aq mund dhe kosto të lartë materiale.
Liderët partiak, tashmë të barrikaduar në blloqe janë të gatshëm të sakrifikojnë çdo të arritur të deritanishme, gjithçka dhe çdo gjë për arritjen e aspiratave të tyre pushtetore, përfshirë edhe mandatet e deputetëve.
Themë kështu, pasi pavarësisht epilogut apo shkuarjës së vendit në zgjedhje të jashtëzakonshme, liderët partiak i llogarisin të garantuara vendet në parlament dhe mbetjën e tyre në garë për pushtet, përderisa shumica e deputetëve aktual  rrezikojnë të mos i arrijnë më kuotat e mjaftueshme të votave për kuvend.
Tashmë jemi mësuar, kur është në pyetje pushteti, liderët partiak nuk respektojnë parime dhe as programe politike,…duke përdorur standarde të dyfishta janë të gatshëm të gëlltitin çdo parim dhe premtim të dhënë para elektoratit të tyre.
Liderët partiak gjatë fushatës elektorale përdorin gjuhë fyese ndaj njëri-tjetrit dhe përqarëse mes elektoratëve, ndërsa pas zgjedhjeve kur rezultati ua pamundësonë realizimin e aspiratave të tyre politike, harrojnë gjithçka për të bërë të kundërtën e “parimeve” dhe premtimeve të tyre, duke u bashkuar mes vete,…për të mos përdorur fjalor tjetër, fillojnë t’i hajnë qershiat e lagura në gojën e njëri-tjetrit, për të “harruar” kështu vullnetin e elektoratit të tyre të shprehur me votë.
Të mëdhenjët i hajnë mollat, të vegëlve ju mpihen dhëmbët”, thotë një fjalë e urtë popullore. Pikërisht kështu ka gjasa të ndodhë me një pjesë të madhe të deputetëve të kësaj legjislature.
Shkuarja e vendit në zgjedhje të jashtëzakonshme, përveq dhëmbëve, disave prej deputetëve do t’ua “mpijë” edhe trupin,…nuk do ta kenë mundësinë e kthimit në karrigën e deputetit.
Tashmë një gjë është e qartë, kjo qeveri i ka ditët e numëruara, mirëpo ekoma nuk dihet mënyra si do të ndodhë kjo; a do të vie deri të rënja e kryeministrit  si rezultat i “Zanzibarit 2”  nga partneri qeverisës (i paralajmëruar nga “Remi” i PDK-së) apo do të përseritet skenari i shpërbërjes së kuvendit sikurse me rastin e bllokadës paszgjedhore të vitit të kaluar.
Çfarë do që të ndodhë, marrveshjet e Brukselit do të ngelin të paprekura,…Zajednica serbe në veri dhe në mbrendi të vendit do ta sfidoj edhe edhe në të ardhmen shtetin e Kosovës,…demarkacioni poashtu do të mbetët problem i pazgjidhshem i qeverisë pasuese,…populli do të përballet me të njëjtat probleme ekzistenciale që ka aktualisht !”
Shteti i Kosovës, edhe në legjislaturën e ardhshme do të mbetët pa ushtri, me FSK-në, si njësi për intervenime të shpejta në raste emergjente, e pa armatosur, siq ishte edhe në të kaluarën…
Poashtu edhe presioni ndërkombëtar ndaj politikës kosovare do të mbetët i të njëjtave nivele; “o bëni si ju themi ne, ose do të përballeni me izolim….”
Nisur nga një thënje e Raymond Burke: ” Në secilën formë të qeverisjes, legjislatori i vërtetë është populli”, atëherë deputetët si përfaqësues të popullit duhet të reflektojnë përgjegjësi, në radhë të parë para votuesve të tyre (obligim kushtetues) e tek më pastaj para liderëve partiak, në të kundërtën rrezikojnë legjitimitetin (mandatet e tyre), por jo edhe pozicionet e liderëve partiak.

Hakerat sulmojnë faqen e kryeministrit Mustafa në Facebook

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, përveç me opozitën ka patur problem edhe me rrjetin social Facebook.

Faqja e tij në këtë rrjet është sulmuar nga hakerat derisa është thyer fjalëkalimi. Mbrëmë përmes faqes së Mustafës është postuar një akuzë e rëndë në drejtim të Ramush Haradinajt, por më vonë është fshirë.
Menjëherë kanë reaguar nga Kabineti i Kryeministrit, duke thënë se faqja e Isa Mustafës ishte sulmuar nga hakerat.

Pritet të fillojnë punimet për heqjen e ‘Parkut të Paqes’

Në urën kryesore mbi lumin Ibër, që lidh anën jugore dhe atë veriore të Mitrovicës, sot fillojnë punimet për heqjen e barrikadës së ashtuquajtur “Parku i Paqes” dhe revitalizimin e urës.

Sipas zyrtarëve të komunës së Mitrovicës së jugut, punimet fillojnë në orën 16.

Siç është thënë edhe më parë, ura do të mbulohet në lartësi prej 4 metrash dhe aty do të zhvillohen punimet për renovimin e saj.

Projektin për heqjen e të ashtuquajturit “Parku i Paqes” dhe revitalizimit të urës kryesore mbi lumin Ibër, e ka marrë përsipër ta realizojë Këshilli Evropian.

I ashtuquajturi “Parku i paqes” mbi urën kryesore mbi lumin Ibër, është vendosur me 18 qershor të vitit 2014, vetëm disa orë pas heqjes së barrikadës së mëparshme me rërë dhe gurë, nga ana e autoriteteve lokale të Mitrovicës së veriut.

Thuhet se punimet për heqjen e kësaj barrikade do të zgjasin me muaj.

Arsyet e paqena për atentat ndaj Mimoza Kusarit

Rreth katër muaj hetime të Drejtorisë së Krimeve të Rënda të Policisë së Kosovës nuk kanë arritur të zbardhin motivin se pse Mikel Qupi do të paguante 300 mijë euro për vrasjen e kryetares së Gjakovës dhe 30 mijë euro për vrasjen e një pjesëtari të familjes Radi, shkruan sot Koha Ditore.

I dyshuari si “porositës” i këtyre vrasjeve, që është arrestuar më 8 tetor të këtij viti, është një nëpunës civil, drejtues i Bashkësisë Lokale në Bishtazhin.

Nuk ka ndonjë biznes, pos një pompe të vogël benzine, dhe nuk është prekur me asnjë vendim të Komunës së Gjakovës.

Mungesën e motivit e thekson vetë Prokuroria Speciale në kërkesën për caktimin e paraburgimit dhe në shkresat e tjera.

Veriu serb i Kosovës kërkon zgjerim të territorit

Autoritetet e Komunës Veriore të Mitrovicës, të banuar kryesisht nga serbët, këmbëngulin që në kufijtë administrativë të përfshijnë Suhodollin dhe Lagjen e Doktorëve, shkruan sot Koha Ditore. Sipas Pakos së Ahtisaarit, Ligjit për…

Autoritetet e Komunës Veriore të Mitrovicës, të banuar kryesisht nga serbët, këmbëngulin që në kufijtë administrativë të përfshijnë Suhodollin dhe Lagjen e Doktorëve, shkruan sot Koha Ditore.

Sipas Pakos së Ahtisaarit, Ligjit për kufijtë administrativë të komunave dhe hartave zyrtare, të dyja këto lokalitete i takojnë Mitrovicës Jugore të banuar me shqiptarë.

Megjithëkëtë, kryeministri Mustafa e ka pranuar këtë si kontest, për të cilin duhet mbërritur marrëveshje.

Në anën tjetër, pa një marrëveshje për kufijtë, serbët kanë thënë se nuk lejojnë kalimin e lirë në Urën e Ibrit.

Edhe bashkëshortja e Ramushit, Anita, reagon ndaj Isa Mustafës

Anita ka shkruar se Kryeministri do të duhej të ishte i njoftuar se Haradinaj është shpallur i pafajshëm dy herë për të njëjtën akuzë në Hagë.

“O Ise vetem injorant duhet te jesh per t’mos e kujtuar qe edhe kete çeshtje e ka zgjidhur Gjykata e Hages, prej nga Ramushi ka dal DY here I pafajshem!!! Per hir te t’vertetes dhe historise te lutem informohu Se perveq se je “Kryeminister” je edhe “Amkademik”!!!”, ka shkruar Anita.

Megjithëkëtë, Kryeministri ka treguar se akuzën ndaj Haradinajt nuk e ka bërë vet por dikush ia ka thyer passwordin e rrjetit social Facebook.

Albin Kurtit ia dhurojnë dy vezë në Vushtri

Ish lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka qëndruar sot në Vushtrri, ku ka zhvilluar disa aktivitete në këtë qytet.

Aktivistët e këtij subjekti politik i kanë dhënë mbështetje Kurtit, duke e inkurajuar të gjuajë edhe më shumë me vezë në parlament, raporton Veriu.info.

Në këtë foto të publikuar nga aktivisti Naim Bunjaku, shihet se deputetit Kurti i jepen dy vezë dhe nga ai kërkohet që të mos ndalet së protestuari kundër Zajednicës.

Shumë zhurmë në Beograd – Së shpejti negociatat me BE, kusht njohja e Kosovës

“Serbia shpreson se do të shpërblehet për angazhimin e saj në zgjidhjen e problemeve me refugjatët dhe ankohet për kushtet për fillimin e negociatave për ansëtarësim në BE”, shkruan gazeta “Die Welt”, në artikullim me titull: “Ne ndjehemi të mashtruar nga BE”. “Aleksandar Vuçiq është lavdëruar shumë kohët e fundit për shkak të politikës së tij ndaj refugjatëve, ndryshe nga Hungaria dhe Kroacia, të cilat janë anëtare të BE. ‘Ne kemi bërë ç’ka qenë e mundur’, pohon Vuçiq, i cili shpreson se së shpejti do të fillojnë negociatat për pranim në BE… Tani erdhi lajmi nga Brukseli se të gjitha marrëveshjet që duhen arritur nënkuptojnë edhe njohjen e Kosovës. Në këtë dokument thuhet shumë qartë se cilat kushte duhet të plotësojnë Prishtina dhe Beogradi. A thua në Beograd nuk janë kuptuar kërkesat që duhen plotësuar në procesin e negociatave? Presidenti Nikoliq thotë se Serbia është mashtruar nga BE-ja. Kjo listë e re kërkesash është një ofensivë kundër krenarisë së popullit serb. Poshtërimi, krenaria dhe nderi janë fjalët kryesore që përdoren në politikën serbe për të kuptuar përshkallëzimin e fundit në raportet mes Serbisë dhe BE. Dhe megjithatë 57% e serbëve janë për anëtarësimin e vendit në BE, ndonëse kushtet nuk u pëlqejnë. ‘Nuk e kuptoj pse partnerët tanë po na poshtërojnë'”, citohet Vuçiq në gazetën “Die Welt”.

Ndërsa në shkrimin “Shumë zhurmë në Beograd”, gazeta “Süddeutsche Zeitung” konstaton se “Serbia së shpejti do të fillojë negociatat për anëtarësim në BE. Por kushti kryesor është njohja e Kosovës si shtet.”

“Presidenti i Serbisë Tomisllav Nikoliq e ka mbrojtur së fundi epitetin që i jepet si një politikan buldozer. Nëse Serbia e njeh Kosovës, ‘do të shpërthejë lufta civile”, thotë ai duke shtuar se kjo është esenca e kërkesës ‘brutale dhe të pashpirt’ të BE-së. Serbia ndodhet në prag të hapjes së kapitullit të parë të negociatave për anëtarësim në BE. Por edhe kryeministri Vuçiq ankohet për diplomatët në Bruksel, duke i cilësuar kërkesat e BE si ‘poshtëruese dhe të dhimbshme’. Qysh në fillim ka qenë e qartë që BE do të kërkojë rregullimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Por tani ka ardhur koha kur Serbia duhet të ndërmarrë hapa konkret për normalizimin e raporteve me Kosovën… Serbia nuk është e kënaqur veçanërisht me kërkesat për dobësimin e strukturave të saj në Kosovë, ku bëjnë pjesë rreth 5000 nëpunës. Serbia në të ardhmen duhet ta informojë Kosovën për punën e tyre. ‘Kjo është sikur ne të ishim provincë e Kosovës”, ankohet Vuçiq… Por gjendja po zien edhe në Kosovë. Serbët ankohen dhe kërkojnë më shumë të drejta. Por ata më shumë janë të shqetësuar për papunësinë se sa për humbjen e territorit”, shkruan “Süddeutsche Zeitung”.

Ndërsa “Die Tageszeitung” shkruan për vendimet e Bundestagut për azilin. “Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi vendosen në listën e vendeve të sigurta të origjinës. Në këtë mënyrë ato u bashkangjiten Serbisë, Bosnje-Hercegovinës dhe Maqedonisë, të cilat deri tani kanë qenë në këtë listë. Kjo nënkupton që azilërkuesit nga këto vende do të mbeten në vendstrehimet e pranit fillestar deri në zgjidhjen e kërkesave të tyre për azil”, shkruan gazeta.

Mustafa: opozita kërkon zgjedhje, duke menduar të zhvillohen me gaz lotsjellës

Kryeministri – thirrje organeve të drejtësisë që të vazhdojnë punën dhe të ndriçojnë rastet ku përfaqësues opozitarë janë përfshirë në incidente brenda Kuvendit

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, e ka përjashtuar mundësinë që ai t’iu nënshtrohet ultimatumeve të opozitës për tërheqjen e nënshkrimeve nga marrëveshjet që i ka firmosur me Beogradin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe me Podgoricën për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Mustafa ka shprehur keqardhje për dhunën, siç e ka cilësuar ai, të shkaktuar nga opozita ndaj institucioneve të Kosovës.

Mustafa ka thënë se është i gatshëm që për marrëveshjet e kontestuara nga opozita, të ballafaqohet me debat në Kuvend, porse nuk do t’iu nënshtrohet ultimatumeve dhe kërcënimeve.

Sipas kreut të Qeverisë së Kosovës, opozita po kërkon zgjedhje, duke menduar se edhe zgjedhjet do të zhvillohen me gaz lotsjellës nëpër vendvotime.

Njëherësh, ai u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që të vazhdojnë punën dhe të ndriçojnë rastet ku përfaqësues opozitarë janë përfshirë në incidente brenda Kuvendit.

Agjentët e SHIK-ut me Isa Mustafën po e shkatërrojnë LDK-në Nga Saim Tahiraj

Cdo gjë që niset e flliqtë,detyrimisht  flliqtë do përfundon,sepse vetë Zoti e ka krijuar botën të tillë. Nese shikojmë historikun e tri partive PDK,AAK,VV që nga themellim i tyre e deri me sot kanë një emrues të përbashkët, e ai është SHIK-u. Pas lufte duke parë autoritetin absolut të presidentit Rugova dhe LDK-së, SHIK-u ndërtoi një strategji.Themeloi disa parti politike,me programe të ndryshme dhe në krye të tyre vendosi agjentët e vetë më besnik.Qëllimi kryesorë i tyre ishte që me tërë arsenalin e tyre propagandistik nga tri qendra sulmuese, të sulmohej presidenti Rugova dhe LDK-ja.Pas shumë përpjekjeve të tyre titanike,rezulltati ishte shumë i dobët, sepse autoriteti i presidentit Rugova në popull, ishte shumë madh.Duke parë këtë fortifikatë të pa kapërcyeshme që quhej Rugovë ata ndërruan strategjin e tyre dhe filluan me vrasjët politike, ku si qëllim i tyre ishte eliminimi i kokave të mëdha, që përbanin rrethin e parë të presidentit Rugova,në mënyrë që të dobësohej veprimi i tij. Pa varësisht likuidimt të shumë bashkëpuntorëve më të afërt të presidentit Rugova ,prap se prap autoriteti i tij në popull mbeti i madh,bile vetëm sa u shtue.Po, ti shikoni veprimet e këtyre tri partive politike ndaj presidentit Rugova dhe LDK-së dhe ti analizoni mirë e vertetojnë këtë.Fatkeqësisht edhe LDK-e  nuk mbati e pa prekur nga kjo organizatë famkeqe e quajtur SHIK.Ata infiltruan agjentë të vetë edhe në LDK,por efekti i tyre ishte minor falë autoritetit të presidentit Rugova që amortizonte çdo gjë të tyre.Pasë vdekjës së presidentit Rugova ,e që ishte fatkeqësi kombëtare,gjërat filluan të marrin tatpjetën.Agjentet e SHIK-ut në LDK intesifikuan veprimet e tyre rrënuese nga mbrenda duke gjetur edhe element të dobët mbrenda LDK-së.Gjithashtu propaganda shkatrruese nga tri qendrat PDK,AAK,VV ,godiste pamëshirshëm në të gjitha drejtimet.Një pjesë e qëllimit të tyre u arritë në kuvendin e LDK-së ku u nda në dy pjesë,në LDK dhe LDD.Tani LDK-ja po kalonte fazën më të dhimbëshme në historinë e saj.Autoriteti që mbante LDK-në unike dhe shumë të fortë ma nuk  ishte.Figurat autoritative që ishin në krye të LDK-së nuk paten fuqi që të gjejnë një gjuhë të përbashkët për ta ruajtur unitetin e LDK-së, sepse fuqia e agjenturës shkatrruese të SHIKU-t dhe shërbëtorëve të tyre mbrenda LDK-së ishte më e madhe.Nga kjo kohë LDK vazhdoj me batica dhe zbatica të dukshme.Kjo vazhdoj deri me ardhjen e Isa Mustafës në krye.Ai gjeti qelësin për të hapur derën dhe për të u ngritur në krye të partisë.Ai çelës ishte sllogani i tij se kurrë ma koalicion me PDK-në.Mustafa  e dinte mirë,apo së paku dikush ia tregoj se në elektoratin e LDK-së do të futesh dhe ta përfitosh atë vetëm me këtë çelës.Pasi që erdhë në krye të LDK-së dal ngadalë filloi ta harrojë këtë premtim.Me veprimet e tija me Hashim Thaçin treguan se ai këtë qelës e përdori vetëm për tu futur në LDK si një kalë i Trojës dhe për ta pushtuar nga mbrenda.Marrveshja për presidentin që e trumbetoj si një sukses për të ia shkurtuar jetën qeverisjes Thaçi në dy vjetët ishte veprim i parë që shpëtoi Qeverinë Thaqi nga rënja.Pati edhe disa veprime tjera që LDK-në e shëndrroi në patericë të  Hashimit.Rasti më fyes për tërë antarësin e LDK-së ishte ai i shpërndarjes së Parlamentit,ku dual dhe me një mburrje ,pa fije turpi, e na deklaron së e rrëzuam Qeverinë e Thaçit.Qeverinë Thaqi e rrëzoj vetë PDK-ja ,e cila mblodhi nënshkrimet e deputetëve në sallën e parlamentit dhe fatkeqësisht edhe deputetët e LDK-së u bënë sherbëtorë të PDK-së me diktatin e Isa Mustafës.Këtë shpërndarje të Parlamentit e bëri PDK pasi ishte e bindur se do i fitonte votat prapë ,sepse analizat nga terreni  ishin te tilla.Slloganët e Isa Mustafës në fushatën elektorale filluan, se kurrë koalicion me PDK-në,do i zbulojmë të gjitha vrasjët politike të veprimtarëve të LDK-së etj,por këto të dyja ishin më kryesoret.Gjithashtu jashtë listës për deputetë la shumë përsonalitete autoritative dhe krijojë një listë me futjen e figurave të reja që as lagjeja e tyre nuk i njefë ,por ishin servilët e tij që më vonë do ti shërbenin më besnikëri.Fushata përfundoi dhe lajmi për humbjen e LDK-së u pritë me një zhgënjm dhe dhëmbje nga elektorati i LDK-së.Trumbetimet e Isa Mustafës për fitore të sigurt ranë në heshtje .Anëtarësia e gjerë e LDK-së priti sqarime për këtë.Isa në vend që të dilte para anëtarësisë së vet dhe si burr ta pranonte humbjën dhe të jepte sqarime për shkaqet që e sollën ate,ai u fut diku dhe mbrenda nate bëri pazarët e turpit dhe na doli të nesermen më një marrveshje „HISTORIKE“ të quajtur filimisht LAN,e më vonë VLAN.Të entuziazmuar me pompozitet na thanë se kurrë ma Qeveri Thaqi 3 .Për gjashtë muaj rreshtë mbajtën të bllokuara institucionet e shtetit dhe merrnin pagat nga djersa e popullit të shumëvuajtur, pa punuar asgjë, dhe pa i jep llogari askujt.Për gjashtë muaj rreshtë keqpërdori organët e partisë duke i shëndrruar ato si prona të veta përsonale,herë e votojshin për kryeminister e herë për kryetar të Parlamentit.Pas gjashtë muajsh mbrenda nate u hodhë në krahët e Hashim Thaçit për të cilin kishte vjellur zi e ma zi dhe se në krye të LDK-së, erdhi me premtimin se kurrë koalicion me PDK-në.Zhvilimet politike që po ndodhin tash e disa muaj e sidomos në muajn e fundit e shpalosi fëtyren e vëtetë të SHIK-ut si komandues  të tri partive poltike- PDK,AAK,VV është SHIK-u vet.Pozita në të cilën është tani LDK është jashtzakonisht e vështirë.Një sulm jashtëzakonisht i kordinuar nga SHIK-u më këto tri parti si pjellë e tij dhe me agjentët e vet që i ka mbrenda LDK-s.Për këtë pozitë në mes të shumë bajonetave që është sjellur LDK-ja dikush duhet të japë përgjegjësi. E kush tjetër përpos Isa Mustafës me klanin e tij.Në vend që të merrej me këto probleme shumë më heret Mustafa për të tërhequr vëmendjen ai anulon Kuvendet e dy degëve të LDK-së në Zvicër dhe në Gjermani,të cilat kanë qenë kuvendët më demokratike në tërë proqesin zgjedhor, dhe futi përqarje në mes të vaprimtarëve të degës dhe nëndegëve që për 25 vite kanë bërë aktivitet së bashku.E tërë kjo veprimtari e Isa Mustafës dhe klanit të tij ka vetëm një emër- SHKATRIM.Përqajë dhe sundo dhe bashkëpuno me ata që me të gjitha mjetët kanë vepruar vetëm e vetëm për ta shkatrruar LDK-në e Ibrahim Rugovës.Të gjithë ata që menduan ndryshe si në kohen e LKJ-së u përpoq ti diferencoi dhe ti afroi servilët dhe puthadorët.LDK—ja është në një udhëkryq të rrezikshëm për të qenë apo mos me qenë,andaj  i lusë të gjithë themeluesit e saj,intelektualët,anëtarësinë e gjërë që mos të shiqojnë nga bregu por ti përvjelin mëngët dhe ti futën punës për shpëtimin e LDK-së sa nuk është bërë tepër vonë.

 

*** Pikpamjet e opinionit janë të autorit

Malajzi: Ardit Ferizi, shtetas i Kosovës, arrestohet për bashkëpunim me IS-in

Ardit Ferizi do të ekstradohet në Shtetet e Bashkuara

Autoritetet e Malajzisë dhe të Shteteve të Bashkuara kanë bërë të ditur se një shtetas i Kosovës është arresetuar në Kuala Lampur, nën dyshimet se i ka dhënë informacione grupit militant të Shtetit Islamik (IS) për anëtarët e shërbimeve amerikane.

Shefi i policisë në Malajzi, Khalid Abu Bakar, ka thënë se i dyshuari, student rreth të 20-tave, është arrestuar më 15 shtator.

Khalid ka thënë se hetimet fillestare tregojnë se i dyshuari ka qenë në kontakt me një udhëheqës të lartë të Shtetit Islamik në Siri.

Ai akuzohet se i ka siguruar informacionet për shërbyesit amerikanë duke hyrë në mënyrë të paligjshme në disa serverë.

Khlalid ka thënë se i dyshuari ka hyrë në Malajzi në gusht të vitit 2014 për të studiuar shkencat kompjuterike dhe se do të ekstradohet në Shtetet e Bashkuara.

Përmes një deklarate tjetër, Departamenti amerikan i Shtetit e ka identifikuar të dyshuarin si Ardit Ferizi.

Ambasadori Delawie: partitë të kenë gjuhë të përbashkët për situatën

Ambasadori Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Greg Delawie pas një takimi të ka pasur me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga ku është diskutuar për ngjarjet e sotme në Kuvendin e Kosovës ka inkurajuar të gjitha partitë politike që të ulen dhe të gjejnë zgjidhje për situatën e krijuar.

Ambasadori në një prononcim për gazetarë ka thënë se partitë duhet të kenë gjuhë të përbashkët për të dalë nga situata politike në të cilën ndodhet Kosova.

“Para së gjithash, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështetin të ardhmen e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe zhvillimet e saja demokratike. Unë besoj që parlamenti është vend për diskutim, debat, si dhe për mospajtueshmëri. Por, jam i sigurt që ai nuk është vend për armë, dhunë dhe pengim”.

“Do të doja të inkurajoja të gjitha partitë që të marrin frymë thellë, ta pyesin vetën se a po i ndihmojnë veprimet e tyre të ardhmes kosovare si demokraci evropiane, apo po rrezikojnë izolimin. Dua të inkurajoj të gjitha partitë të gjejnë një mënyrë për të ndihmuar Kuvendin, krijuesin e demokracisë së Kosovës, që t’i kthehet rendi”, tha Delawie.

Aksion policor në Karadak dhe Malësinë e Shkupit – 7 arrestime për rastin e Kumanovës

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë ka arrestuar disa persona gjatë aksionit të gjerë policor të quajtur “rrufeja” në fshatrat e rajonit të Karadakut si dhe fshatrat e malësisë së Shkupit përkatësisht në Malinë, Gushincë, Brezë dhe Kumanovë.

Gjendja në këto zona është e qetë pas largimit të policisë, por banorët thonë se akoma mbeten të trishtuar nga të shtënat e shumta të armëve nga ana e policisë.

Ndihmësministri i Punëve të Brendshme Ivo Kotevski, ka bërë të ditur se gjatë aksionit të sotëm policor janë arrestuar 7 persona të cilët, siç ka theksuar ai, kanë ofruar ndihmë logjistike për grupin e armatosur lidhur me rastin e Kumanovës.

“Aksioni policor, në rajonin e Shkupit dhe Kumanovës, i cili ka filluar në orën tre pas mesnate ka të bëjë me të dyshuar për rastin e Kumanovës të cilët kanë ofruar ndihmë logjistike për grupin e armatosur,por nuk kanë qenë pjesë e grupit dhe luftimeve në Lagjen e Trimave, por në mënyra të ndryshme kanë ndihmuar qarkullimin dhe vendosjen e tyre në Kumanovë dhe në aksionin e Gushincë”, ka deklaruar Kotevski.

Ai ka shtuar se njëri nga të arrestuarit ka pasur detyrë të organizojë sulme në stacionet policore në Shkup me qëllim të defukusojë veprimet e policisë.

Ndërkohë, Prokuroria për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit ka ngritur hetim kundër 7 personave, të dyshuar për përfshirje në ngjarjet e 9 dhe 10 majit të këtij viti në Kumanovë, njofton Prokuroria Publike.

Nga Prokuroria njoftojnë se deri te gjykatësi nga hetimi paraprak është dorëzuar propozim për arrestimin e 7-të të dyshuarve.

“Në bazë të analizës nga argumentet e deritanishme nga hetimi në lidhje me ngjarjet e 9 dhe 10 majit në Kumanovë, prokurori kompetent për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit, ka dhënë urdhër për aplikimin e procedurës edhe për 7 persona. Prokurori kompetent deri te gjykatësi i procedurës së mëparshme ka dorëzuar propozimin për caktimin e masës paraburgim”, thuhet në kumtesën e Prokurorisë Publike.

Por, ish deputeti Hisni Shaqiri nga fshati Hotël, i cili njëherësh është dhe ish pjesëtarë i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, thotë se aksioni i sotëm policorë “ka për qëllim të kamuflojë dështimet rreth realizimit të marrëveshjes politike, përkatësisht pushteti për të mbuluar korrupsionin dhe krimin e organizuar dënohen zonat e malësisë së Karadakut në të cilat ka vepruar Ushtria Çlirimtare Kombëtare gjatë vitit 2001”.

“Lagjja e Trimave, në Hotël, Breza, dhe gjithë ajo pjesë e cila ka qenë zonë lufte gjatë vitit 2001 përkatësisht gjitha vendbanimet ku ka vepruar brigada 113-të Ismet Kashari, kështu pas 14 vitesh kemi të bëjmë me një hakmarrje nga ana e pushtetit ndaj kësaj zone me aksione policore tenton të hedh fajin te shqiptarët”.

“Qeveria përmes aksioneve policore mundohet të tërheq vëmendjen e qytetarëve dhe për dështimin e proceseve demokratike fajin ta hedhin tek shqiptarët. Kjo është dhe një papërgjegjësi edhe nga ana e udhëheqësve politik shqiptarë . Ne nuk duhet të jemi viktimë e proceseve të dështuara politike të qeverisë, është koha e fundit kur situatën duhet ta marrin në duar njerëz të përgjegjshëm”, ka shtuar Shaqiri.

Nga ana tjetër eksperti për çështje sigurie Vladimir Pivovarov, thotë se reagimi i organeve të policisë duhet të ishte i menjëhershëm për të evituar pasojat ndaj shoqërisë.

“Reagimi i policisë pas pesë muajve është i vonuar, mbase atëherë shërbimet policore nuk kanë pasur informacione të cilat tani i kanë siguruar andaj dhe në këtë moment e realizojnë aksionin”.

“Megjithëse më së miri është të reagohet në mënyrë transparente, me kohë konform obligimeve ligjore, sepse vetëm në këtë mënyrë tek opinioni shmangen dyshimet, reagimet e vonuara lënë hapësirë për spekulime“, thekson Vladimir Pivovarov.

Ai njëherësh kujton se kryeministri Nikolla Gruevski në prononcimin e parë pas ngjarjeve të majit në Kumanovë kishte premtuar se për tre ditë opinionit do t`i sqarojë se çfarë saktësisht ndodhi në Lagjen e Trimave, por ky sqarim është anashkaluar gjer më sot.

“Një ditë, pavarësisht se sa kohë do të kalojë, pas hetimeve do të dalë në dritë e vërteta përkatësisht pse u zhvillua aksioni policorë në Lagjen e Trimave sepse gjurmët mbeten kudo sado që tentohet të hidhet hije ndaj kësaj ngjarje“ , thekson Pivovarov.

Ndryshe gjatë konfliktit të armatosur më 9 dhe 10 maj në Lagjen e Trimave në Kumanovë, mbetën të vrarë 20 persona, prej tyre 8 pjesëtarë të forcave të sigurisë dhe 10 të grupit të armatosur, ndërsa mbi 30 të tjerë u arrestuan.

Prapë ndërpritet Kuvendi – gazin e hedh deputetja Donika Kadaj-Bujupi

– PRISHTINË – Opozita ka hedhur përsëri gaz në Kuvend dhe kryetari Kadri Veseli ka shtyrë seancën. Gazin kësaj radhe e ka lëshuar deputetja e AAK-së Donika Kadaj-Bujupi.

Adem Salihaj: Anarkia në Kosovë është skenar i SHIK-ut dhe Kadri Veselit

Florim Zeqa bisedoi me deputetin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, zotin Adem Salihaj
Serviliteti dhe papjekuria e klasës politike të Kosovës, pengesë për shtetformim!
VOAL – Bashkëbiseduesi ynë nuk është emër i panjohur për opinionin publik, është një personalitet i rrallë, pothuajse ndër të vetmit që u bëri ballë te gjitha sfidave të kohës. I paluhatshëm në qendrime dhe i vendosur në veprime. Në vazhdimësi ka qenë luftëtar i pakompromis për idealet kombëtare të lirisë, pavarësisë dhe demokracisë, njëkohësisht edhe luftëtar i pakompromis kundër tradhëtisë dhe krimit të organizuar. Ishte bashkëpunëtor shumë i ngushtë i Presidentit Rugova, veçanërisht në vitet e fundit të jetës së tij. Është nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës. 
Adem Salihaj është i lindur më 25.12.1950, në fshatin Duraj të komunës së Kaçanikut, në një familje me tradita luftarake e patriotike kundër Serbisë. Ka kryer Fakultetin Filozofik-Dega e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Prishtinës. Ka punuar si gazetar në gazetën e studentëve “ Bota e re”, pastaj disa vite në Televizionin e Prishtinës. Në vazhdimësi ka qenë i ndjekur politikisht. Është dënuar tri herë nga regjimi serb dhe ka mbajtur rreth 12 vite në burgjet famëkeqe të Jugosllavisë.
Adem Salihaj ka ushtruar këto funksione të larta shtetërore :
-Zëvendës-kryeministër i Qeverisë së Kosovës 2004-2006, i nominuar drejtpërdrejt nga Presidenti historik Dr.Ibrahim Rugova, kryeministër në detyrë i Qeverisë së Kosovës, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, 2 mandate para lufte dhe 2 pas lufte, kryetar komune në Ferizaj,  2 mandate.
Poashtu në të kaluarën ka kryer edhe funksione të larta partiake si:kryetar dege me një ndërprerje 2-vjeçare, prej vitit 1992 deri në nëntor 2012, anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, anëtar i të gjitha organeve të larta larta partiake, komandant i Shtabit Komunal në Ferizaj në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës.
Është i martuar, ka shtatë fëmijë dhe jeton në Ferizaj. 
Pra, ky është bashkëbiseduesi ynë, deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, zoti Adem Salihaj me të cilin do të bisedojmë hapur rreth aktualitetit politik në vendin tonë.
Si e vlerësoni situatën bllokuese në Parlamentin e Kosovës?
Adem Salihaj: Bllokada në Kuvend është jo normale dhe jo e natyrshme. Këso lloj bllokade fizike unë nga përvoja që kam, nuk kam parë. Në çdo parlament mund të ndodhin ekscese apo incidente të rastesishme, ndonjë kacafytje, por kjo ndodhë për pak minuta, ndërsa pastaj normalizohet situata. Por, të dalsh dhe ta pengosh fizikisht punën e Kuvendit, duke pohuar se më, në asnjë seancë nuk do ta lënë të funksionojë, kjo është plotësisht jo normale. Sipas kësaj logjike, kujtdo që t’i teket, mund të dal aty përpara dhe ta bllokojë punën e Kuvendit. Mjafton t’u teket tre-katër deputetëve dhe dalin dhe e bllokojnë Kuvendin. Në politikë duhet veprime politike, jo veprime fizike.
Në rrethanat e krijuara, cila do të ishte zgjidhja më e mirë; ndërhyrja ndërkombëtare apo dialogu ndërpartiak?
Adem Salihaj: Ndërhyrja ndërkombëtare tregon paaftësisnë dhe papjekurinë politike të klasës politike të Kosovës për ta udhëhequr shtetin. Kjo gjë ka ndodhur në vazhdimësi,  gjatë tërë periudhës së pasluftës.Për fatin e keq të Kosovës, asnjë bllokadë apo ngërç nuk është zgjidhur pa ndërhyrjen e ndërkombëtarëve.
Sa i përket presidentes, praktika jonë ka treguar se ky institucion nuk ka autoritet në Kosovë për t’i kapërcyer bllokadat apo situatat e vështira. Ndërsa, partitë politike në Kosovë, sipas mentalitetit ballkanik, nuk kanë fleksibilitet dhe nuk dijnë të bëjnë kompromise. Në fund, përsëri do të jenë ndërkombëtarët ata që do t’ia tregojnë vendin secilit.
Si e shihni ju kerkesën e opozitës për tërheqje të nënshkrimit ose dorëheqje të kryeministrit Mustafa, kur dihet pamundësia e tërheqjes së nënshkrimit në marrveshjet ndërkombëtare ?
Adem Salihaj: Opozita, në fakt Lëvizja Vetëvendosje, ka kërkesa ultimative. Ose e tërheq Isa Mustafa nënshkrimin nga Marrëveshja, ose i bllokojmë institucionet dhe e rrëzojmë qeverinë. Në fakt, ai që nënshkruan diçka, mund edhe ta tërheq atë nënshkrim. Por, në rrethanat tona, kur këto nënshkrime vëhen pas një presioni të madh ndërkombëtar, praktikisht nuk mund të tërhiqet ai nënshkrim, pa krijuar një konfrontim shumë të madh e të rrezikshëm të Kosovës  me bashkësinë ndërkombëtare. Në një situatë të tillë, Kosova, si një shtet i brisht dhe i pafuqishëm, do të ndërshkohej rëndë me një injorim dhe mospërkrahje nga ana e bashkësisë ndërkombëtare.
Thirrjet e opozitës kundër “Zajednicës” i shihni si shkak për hakmarrje ndaj Isa Mustafës shkaku i prishjes së bllokut V-LAN vitin e kaluar apo skenar për zgjedhje të reja?
Adem Salihaj: Mendoj se janë të dyjat. Rrëzimi i Isa Mustafës, e dërgon vendin në zgjedhje të parakohshme. Kjo nuk është zgjidhje e problemeve tona. Nuk mund të mbajmë zgjedhje çdo vit në Kosovë. Sipas kësaj logjike, posa të përfundojnë zgjedhjet, ata të pakënaqurit mund të kërkojnë zgjedhje të reja. Kjo nuk jep asnjë rezultat për shtetin, përveç anarkisë dhe bllokadës.
Si e vlerësoni “gjenerozitetin” e kryetarit të kuvendit ndaj opozitës në raport me veprimet e tyre të dhunshme ?
Adem Salihaj: Kadri Veseli, nga një njeri kryesor i një organizate kriminale, së cilës i vëhen në barrë shumë veprime kriminale, po mundohet të paraqitet engjëll, pra, krejt e kundërta e asaj që është në realitet. Madje, po mundohet të paraqitet si një njeri tolerant, që i krijon hapsirë veprimi opozitës. Mendoj se kjo është një hipokrizi totale. Ai nuk e ka asnjë nga këto qëllime. Për Kadri Veselin, erdhi disi si e porositur kjo bllokadë e Kuvendit. Në këtë rast, edhe pse për arsye krejt të ndryshme, u përputhën qëllimet e tij dhe të Vetëvendosjes. Është vërejtur se që nga fillimi i zgjedhjes së tij si kryatar i Kuvendit, ai i ka krijuar Vetëvendosjes hapësirë të pakufizuar në Kuvend për ta sulmuar Isa Mustafën dhe Qeverinë. Kjo ka ndodhur sa herë që aty ka pasë në rend dite çështje të ndjeshme.
Kadri Veseli sa e sa herë e ka përsëritur se ata të Vetëvendosjes mund të flasin sa herë të duan e sa të duan. Pra, për ta nuk ka ekzistuar asnjë lloj kufizimi, gjithnjë me qëllim  për ta sulmuar sa më shumë Isa Mustafën. Por, jo vetëm atë. Bashkë me Isa Mustafën, Vetëvendosja e ka sulmuar gjithmonë edhe Hashim Thaçin. Pra, siç thotë populli, me një të rame, dy të vrame. Madje, ai shkoi aqë larg me kërcnime, sa që  deklaroi se më parë do të dalë nga salla pozita se sa opozita. Për Kadri Veselin, bllokada e institucioneve dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme janë të mirëseardhura, sepse, me këtë veprim, përveç përfitimeve tjera, bllokohet edhe formimi i Gjykatës Speciale, që paraqitet si një shansë e re për të shpëtuar nga ajo.
E gjithë kjo lojë vuri në pah diçka  interesante. Duket sikur është krijuar apo po krijohet  një lloj aleance në mes SHIK-ut dhe Vetëvendosjes, e cila mund të shërbej si bazë për koalicione të reja. Para pak kohësh, vështirë se do të mund ta kishte besuar dikush një gjë të tillë.
Ç’vlerësim keni ju për marrveshjet e arritura në Bruksel, janë të dëmshme apo të “dobishme” për të ardhmen e vendit siq po i vlerësojnë nënshkruesit e saj, Thaçi-Mustafa ?
Adem Salihaj: Marrëveshjet e arritura në Bruksel, të gjitha janë të aranzhuara dhe të imponuara nga bashkësdia ndërkombëtare. Kosova dhe Serbia janë të kushtëzuara, pra të detyrura t’i nënshkruajnë ato. Serbia për t’ia hapur vetes dyert për të hyrë në bashkimin Europian, kurse Kosova për të vazhduar ta ketë përkrahjen e Bashkësisë ndërkombëtare. Në gjithë këtë situatë të imponuar, padyshim që secila palë duhet të pretendojë të marrë sa më shumë. Ska asnjë dilemë se Serbia ka përfituar më shumë nga secila marrëveshje që është nënshkruar. Kosova, si palë më e dobët, gjithnjë ka lëshuar pe dhe ka bërë kompromise në dëm të vetin. Klasa politike e Kosovës në vazhdimësi është treguar servile ndaj bashkësisë ndërkombëtare, duke u munduar në këtë mënyrë që, duke dhënë interesat e Kosovës, të përfitojë për interesa personale. Përfaqësuesit e Kosovës nuk e kanë kushtëzuar asnjë marrëveshje me reciprocitet për pjesët e Kosovës Lindore. Historikisht, ky është një gabim i madh dhe i pafalshëm. Ne shqiptarët gjithnjë jemi treguar të papjekur në aspektin shtetformues dhe në mbrojtjen e interesave kombëtare.
A është kjo periudha më e vështirë në Kosovën e pasluftës, nese po, pse ?
Asem Salihaj: Jo,nuk e besoj. Nuk e di cila periudhë e pasluftës ka qenë e lehtë për Kosovën. Ne vetë i bëjmë të vështira këto periudha, duke krijuar në vazhdimësi tensione dhe bllokada.
A ka rrezikë që bllokada institucionale, bashk me ketë edhe situata tensionuese të shkaktojnë një valë të re të ekzodit të të popullatës shqiptare nga Kosova ?
Adem Salihaj: Ekzodi, përveç dimensionit ekonomik dhe social, ka edhe atë psikologjik. Ka plotë vende që janë më keq se Kosova, por nuk kanë ekzod. Pra, krijimi i situatave të bllokadave, krijon dëshprim në popullatë, i cili  shkakton valë ekzodi.
Pos vështirësive të sipërpërmendura, a do të jetë edhe posti i presidentit shkas për prishjen e kurorës qeverisëse mes dy partnerëve qeverisës (Thaçi-Mustafa) ?
Adem Salihaj: Zgjedhja e presidentit ka qenë e vështirë përherë, madje edhe në kohën e Presidentit Rugova, kur ai nuk kishte konkurent. Nëse dështon zgjedhja e presidentit, atëherë vendi shkon në zgjedhje të reja, ska opsion tjetër. Me këtë përfundon edhe puna e këtij koalicioni. Por, nëse zgjedhet ai, ky koalicion e vazhdon qeverisjen.
Duke pasur parasysh qendrimin tuaj të prerë për mosvotim të Hashim Thaçit për president në Parlamentin e Republikës së Kosovës, çfarë pritni të jetë reagimi i bashkëpartiakëve tuaj ?
Adem Salihaj: Qëndrimi im ka qenë përherë i prerë dhe i qartë. Unë nuk e votoj Hashim Thaçin për president të Kosovës. Sado që unë kam edhe arsye të forta personale të mos e bëj këtë, megjithatë, kur është çështja e interesave madhore, unë i lë anash arsyet e mija personale. Hashim Thaçin nuk e votoj për president të Kosovës, sepse zgjedhja e tij eventuale nuk i sjell asnjë të mirë Kosovës. Një njeri, i cili qëndron në krye të një partie, e cila është kaqë shumë e lidhur me krimin e organizuar dhe korrupsionin, nëse arrin të bëhet president, do t‘i sjell dëme të shumëfishta shtetit të Kosovës. Krimi dhe korrupsioni do të vazhdojnë të sundojë papengueshëm dhe Kosova nuk do të bëhet shtet i sundimit të ligjit, por një shtet mafioz, pa asnjë perspektivë për këtë popull. Besoj se të gjithë duhet t’i analizojnë këto çështje dhe të reflektojnë në momentin kur do ta japin votën e tyre.
Çka e ndanë dhe çka e bashkon koalicionin aktual qeverisës ?
Adem Salihaj: Koalicioni aktual qeverisës eshtë bërë me presionin e faktorit ndërkombëtar dhe nuk është vullnet i elektoratit të Kosovës. Të gjitha parapaskenat e atij ngërçit famoz politik lidhen me faktorët ndërkombëtar. Pra, qëllimi ishte që të formohet një koalicion, i cili mund t’i sgurojë dy të tretat e votave për formimin e Gjykatës Specile dhe për përfundimin e këtyre marrëveshjeve me Serbinë dhe Malin e Zi. Pastaj, faktori ndërkombëtar ishte kundër koalicionit me Vetëvendosjen, për shkak të qëndrimit të saj armiqësor dhe jokooperativ me faktorët ndërkombëtar. PDK-ja mund të bënte koalicion pa vështirësi me AAK-në, në vend të LDK-së, por nuk e bëri, sepse nuk e lanë ta bënte, për arsyen e thjeshtë se pa LDK-në nuk mund të siguroheshin dy të tretat e votave. Pra, ky nuk ishte një koalicion as i vullnetit, e ndoshta aqë shumë as i interesave.
Në Kuvendin e Republikës së Kosovës, më shumë e ndjeni vetën; pozitë apo opozitë, përfaqësues i popullit apo deputet i LDK-së ?
Asem Salihaj: Unë jam pjesë e LDK-së. Këtu s’ka asnjë dilemë. Por, kur janë disa çështje të mëdha dhe fundamentale, nuk u nësnshtrohem politikave ditore apo momentale. Dua ta kem qëndrimin tim parimor. Dua ta kem ndërgjegjen e pastër dhe ta dij se veprimet që i kam bërë, nuk i kam bërë për interesat e mija momentale personale, por për ato të Kosovës. Po mundohem të shoh më larg se politikat ditore dhe interesat e mija personale.
Së fundmi, e mendoni se ndonjëri nga subjektet e skenës aktuale politike mund t’ua kthejë shpresat qytetarëve të këtij vendi ?
Adem Salihaj: Të gjitha partitë që janë në Kuvendin e Kosovës, përveç Vetëvendosjes, e kanë provuar pushtetin dhe kanë pasur mundësi ta tregojnë aftësinë dhe vizionin e tyre. Deri më tash, elektorati i Kosovës nuk është i kënaqur aspak me të arriturat. Shpresat dhe besimi, në vend që të rriten dhe forcohen, ato po zvoglohen dhe po humben. Ndjenja e paperspektivës ka qenë vazhdimisht në rritje. Ky është një trend shumë negativ për Kosovën.
Në anën tjetër, Vetëvendosja si alternativë, nuk po tregohet largpamëse dhe fleksibile, nuk po arrin të ketë vizion dhe ta krijojë ndjenjën e perspektivës .Është tepër e ngurtë, edhe në planin e brendshëm, edhe në atë të jashtmin. Me veprimet e fundit ka treguar shumë destruktivitet, gjë e cila i ka shtyrë njerëzit që ta rishikojnë qëndrimin e tyre ndaj kësaj lëvizjeje. Fyerjet dhe poshtrimet arrogante  nuk mund të jenë metoda politike, që i krijojnë një të ardhme të mirë Kosovës.
Momentalisht nuk shoh ndonjë rrugëdalje nga situata. Ndoshta e ardhmja do të sjell në skenë forca dhe njerëz të dëshmuar me qëndrimet e tyre parimore, të denjë për ta udhëhequr këtë shtet.
Zoti Salihaj, në emër të lexuesve, ju faleminderit për kohën. Jam i sigurtë se kanë mbetur edhe shumë gjëra  pa u thënë, shpresoj që për intervistën e radhës të flasim më tepër për sukseset dhe progresin politik në vendin tonë. 
Bisedën e zhvilloi: Florim Zeqa

Send this to a friend