VOAL

VOAL

Editoriali – DETYRIMET TONA NDAJ SHQIPTARËVE TË VRARË E TË ARRESTUAR NË KUMANOVË

VOAL – Në zhvillimet e para pak ditëve pati shumë shqiptarë të vrarë dhe të arrestuar nga ana e forcave speciale të Maqedonisë. Politika jonë në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup e ka për detyrë që të bëjë të mundur ndriçimin e plotë të zhvillimeve të atyre ditëve në Lagjen e Trimave në Kumanovë dhe të dalë sa më shpejt me versionin e saj zyrtar, në mënyrë që të nxirren mësimet e duhura dhe të merren masat e duhura. Ne si komb e kemi për detyrë të tregojmë se jeta dhe integriteti i bijve tanë është i çmuar dhe i shenjtë. Prandaj atyre që dhanë jetën nga plumbat e Maqedonisë t’iu bëhen të gjitha nderimet dhe shërbesat e lamtumirës në vendlindjet e tyre. Për të arrestuarit të sigurojmë një proces absolutisht të drejtë, dhe transparent duke përfshirë avokatë sa më të zotë, mundësisht edhe ndërkombëtarë, dhe duke sensibilizuar të gjitha organizmat shqiptare e ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Është koha e fundit që ne ta mbrojmë të vërtetën shqiptare të shkelur, të fyer, të nëpërkëmbur dhe të poshtëruar nga një Maqedoni, e cila në këtë çerek shekulli është dëshmuar e pabesë dhe armiqësore ndaj qytetarëve të saj shqiptarë dhe ndaj kombit shqiptar në tërësi. Seriozitetin tonë në këtë përkushtim kemi rastin dhe mundësinë tashmë ta shpalosim pikërisht në rastin e zhvillimeve në Lagjen e Trimave të qytetit të Kumanovës, duke i përmbushur një për një detyrimet tona ndaj bashkëkombësve tanë që e humbën jetën dhe ndaj atyre që ndodhen të arrestuar. Nëse i neglizhojmë, nëse nuk i përmbushim me dinjitet këto detyrime, ashtu si do të bënte çdo komb i vërtetë evropian, atëherë nuk kemi pse të ankohemi kurrë më për papërgjegjësitë, për vrazhdësitë dhe për barbaritë e Maqedonisë ndaj popullit shqiptar në Maqedoni dhe ndaj kombit shqiptar në tërësi, nuk kemi pse ta deklarojmë më kurrë shqiptarinë tonë, atdhetarinë tonë.

DEPARTAMENTI AMERIKAN I SHTETIT – NDJEKIM NGA AFËR SITUATËN NË MAQEDONI

VOAL – UASHINGTON – Një zyrtar i Departamentit të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se qeveria amerikane po ndjek nga afër situatën në Maqedoni dhe është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet dhe udhëheqësit politikë të këtij vendi.

Zyrtari u bëri thirrje banorëve të ruajnë qetësinë dhe të lejojnë zbardhjen e fakteve për dhunën në Kumanovë.

Diplomati amerikan u bëri thirrje udhëheqësve të Maqedonisë të bashkëpunojnë dhe të hapin një dialog për zgjidhjen e sfidave me të cilat ndeshet vendi i tyre, si krizën e zgjatur politike dhe realizimin e reformave të nevojshme. za

MBYLLET AEROPORTI I PRISHTINËS – MENJËHERË PAS AKSIDENTIMIT TË HELIKOPTERIT TË EULEX-it

VOAL – PRISHTINË – Të paktën një pjesëtar i Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit është plagosur nga pasojat e rrëzimit të një helikopteri të këtij misioni në aeroportin e Prishtinës.

Një zëdhënëse e aeroportit tha se në orët e pasdites ka ndodhur një aksident në pistë i një helikopteri të EULEX-it i cili fluturonte për qëllime trajnuese. Një person është lënduar me këtë rast dhe nuk ka dëme të tjera në njerëz.

Aeroporti përkohësisht është mbyllur.

Zyrtarë të EULEX-it thanë se janë duke hetuar shkaqet e aksidentit. za

LIGA QYTETARE SHQIPTARO-AMERIKANE KËRKON DORËHEQJEN E PETRIT SELIMIT

VOAL – PRISHTINË – Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane kërkon dorëheqjen ose shkarkimin e menjëhershëm të zëvendësministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimit, për shkak të deklaratës fyese që bëri ai, ku krahasoi punën dhe deklaratën e Joseph DioGuardi me atë të plitikanëve serbë Gjuriq dhe Jeremiq.

Faton Bislimi, anëtar i bordit të drejtorëve të LQSHA-së, në një konferencë për media të mbajtur sot në Prishtinë, shtroi tri kërkesa të këtij lobi.

“Përfundimisht dua të theksoj se ne kemi tri çështje ose tri kërkesa që duam t’i ngremë sot. E para ka të bëjë me kërkesën tonë për dorëheqje të zotit Selimi ose për shkarkim të tij nga kryeministri Mustafa dhe ministri I Punëve të Jashtme, zotëri Thaçi. E dyta për shkak se fyerja e tij ka qenë aq e turpshme dhe e pavlerë, zotëri Selimi do të reflektojë në këtë, por nëse ai nuk reflekton, barra bie mbi kryeministrin e vendit dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, që janë mbikëqyrës të tij të drejtpërdrejtë. Dhe e treta është që për të rikujtuar përherë për gjeneratat e reja, rolin historik të SHBA-ve vis-a-vi Kosovës, ne kërkojmë nga kryetari i kryeqytetit, pra kryetari I Prishtinës, zoti Shpend Ahmeti dhe Kuvendi Komunal i Prishtinës, që sheshi para Hotelit Grand, ku ka qenë edhe takimi i parë i delegacionit të SHBA-ve, të emërohet me emrin Joseph DioGuardi”, tha Bislimi.

Joseph DioGuardi u zgjodh në Kongresin Amerikan dhe u rizgjodh përsëri në vitin 1986. Ai ishte President I Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe ndihmoi shumë në marrëdhëniet sa më të mira mes SHBA-ve dhe Kosovës. kp

E FORTË – SABRI DHE SAMI HAMITI HUMBIN NË DEGËN 4 TË PRISHTINËS

10-05-2015 09-41-31

VOAL – PRISHTINË – Votimet në degën e katërt të LDK’së kanë përfunduar. Në një dokumente të siguruar nga Gazeta Express tregon ne detaje se si është votuar.

Sipas këtij dokumenti shihet se humbje te thellë kanë pësuar Sabri Hamiti dhe Sami Hamiti.

Derisa, fitues ka dalë Frashër Demaj.

Për më shumë shiheni listën më poshtë:

1.Frasher Demaj

2. Naser Rugova

3. Valon Murtezaj

4. Nuredin Ibishi

5. Hajrullah Ternava

6. Hykmete Bajrami

7. Naim Krasniqi

8. Arben Gashi

9. Vlora Dumoshi

10. Petrit Bicaj

11. Rita Hajzeraj

12. Fehmi Rexhepi

13. Bilbil Krasniqi

14. Alma Lama

ALI LAJÇI – KOSOVA I KA INJORUAR HARTAT E VITIT 1974

VOAL – PEJË – njorimi i kërkesave të banorëve në zonën kufitare me Malin e Zi do të sjellë pasoja të mëdha. Ky është paralajmërimi që ka dhënë anëtari vëzhgues i Komisionit për caktimin e demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, Ali Lajçi. Ai ka akuzuar komisionin se është vënë në shërbim të interesave politike, “të cilat do të dalin në shesh më vonë”.

Sipas Lajçit, malazezët po vazhdojnë të vizatojnë vija kufitare të papranueshme për popullatën e atjeshme. Ai ka shtuar se në rajonin e Rugovës janë 7 mijë hektarë, kurse në pjesën kah Kulla janë 5.5 kilometra, për të cilët ka shprehur pretendime Mali i Zi.

“Mund të nxjerrin telashe dhe të shkaktojnë edhe konflikte ndërmjet njerëzve, prandaj Qeveria nuk duhet lejuar një gjë të tillë”, ka theksuar Lajçi në intervistën dhënë “Kohës Ditore”. Ai ka ftuar Kuvendin e Kosovës që në asnjë mënyrë të mos e ratifikojë marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi.

Ish- kryetari i Komunës së Pejës pretendon se kanë në dispozicion fakte me harta, kadastrat e të gjitha vijave kufitare historike, me të cilat do ta fitonin rastin, nëse ai përfundon pranë Gjykatës së Arbitrazhit.

Kosova fituese e garës së NASA-s

 

LILIANA ÇAVOLLI – NJË GJYSMË SHEKULLI ME KËNGËT E SAJ (Dossier)

Ka ndërruar jetë sot në mëngjes këngëtarja e njohur shqiptare Liliana Çavolli

Ka ndërruar jetë, në orët e hershme të së shtunës, këngëtarja e njohur shqiptare Liliana Çavolli.

Ajo ishte në skenë për më shumë se 5 dekada, me këngën e saj të lehtë qytetare. Lili, siç e njihnin miqtë kishte punuar edhe në redaksinë e muzikës në Radio Prishtinë, ndërsa pa luftës ajo ka qenë autore dhe moderatore e emisionin “Evergreen” në Radio Kosova.

Lililana Çavolli ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e muzikës kosovare.

70 vjetorin e lindjes dhe pesë dekada karrierë në skenë ajo i kishte festuar në një megakoncert  në Teatrin Kombëtar të Kosovës, në shkurt të vitit 2013.

Për pesë dekada me radhë ajo ia fali publikut këngën dhe shpirtin. Asnjëherë nuk kishte kërkuar diçka në kthim. Por shpërblimin ia solli koha. Mbrëmja e së dielës së 3 shkurtit, për shumë kë mund të ketë qenë e zakonshme. Por, jo edhe për divën e muzikës shqiptare, Liliana Çavolli.

“Është mbrëmja më e bukur e jetës sime”, kishte qenë përshkrimi që ia ka bërë Çavolli gala koncertit të titulluar “Kënga dhe shpirti, për Lilin me zemër”. 


Liliana Cavolli: Muzika është dashuria ime


Nga Flora Durmishi

 


Liliana Cavolli u shqua si artiste e rrallë, e cila pushtoi majat e muzikës zbavitëse, por shkëlqeu edhe në zhanre të tjera. Liliana u lind në Prizren më 5 maj të vitit 1942 nga nënë Miseretja-aktore dhe këngëtare dhe babai Isak Cavolli, mësues. Liliana ishte fëmijë dhe mezi e mban në mend kur familja e saj u shpërngul në Shkup ku qëndroi disa vjet.Po në Shkup Liliana pati paraqitjen e parë në radio pa e ditur se ky ishte hapi i saj i parë në karrierë. Nëna e Lilianës ishte këngëtare dhe një mëngjes e mori si shoqëruese në një paraqitje në radio. Fati përsëri e këtheu në Prizren ku Liliana filloi të hedh shtat si vajzë por edhe si këngëtare. Njëkohësisht ndoqi mësimet e solokëndimit në shkollë të mesme të muzikës dhe u anëtarësua në SH.K.A. “Agimi”. Talenti, zëri dhe puna në Prizren bënë që Liliana të shquhet shpejt si emër premtues. Këto karakteristika e bënë ardhjen më të lehtë të saj në Radio Prishtinë. Këtu fillon një kapitull tjetër shumë i rëndësishëm për jetën dhe karrierën artistike të Liliana Cavollit. Zëri, si dhuratë nga natyra, dhe dashuria për këngën ishin adutet kryesore të Lilianës që e bënë të admiruar. Por nuk ka munguar edhe mbështetja dhe mirëkuptimi nga kolegët dhe kompozitorët si: Skënder Gjinali, Musa Piperku, Severin Kajtazi, Gjergj Kaqinari, Isak Mucolli etj. ndaj të cilëve Liliana është shumë mirënjohëse.

Opusi i këngëve të Lilianës është shumë i gjerë dhe ajo, sic vlerësojnë krijuesit dhe kritikët e muzikës, interpretoi shkëlqyeshëm në të gjitha zhanret. Si nëna që i do të gjithë fëmijët nësoj, thotë Liliana, e kam të vështirë të vecoj se cilin pëlqej më shumë. Liliana është e sigurt se me sukses do të mund ta provonte veten edhe në interpretimin e muzikës klasike. Ne, të gjithë, jemi kënaqur me këngën e Lilianës. Jemi kënaqur e gëzuar edhe për faktin se ishte një paraqitje e mrekullueshme e këngës shqipe nëpër botë, pothuaj në të gjitha kontinentet. Liliana edhe në këtë moshë ende e ka zërin, ka edhe dëshirën për të realizuar ndonjë projekt dhe ka dashamirët e shumtë të këngës së saj që do të gëzoheshin nga një hap i tillë. E pse të mos ndodh kjo?

Në Radio Prishtinë Liliana këndonte vet dhe këndonte bukur por njëkohësisht ka dhënë një ndihmesë që edhe këngët tjera, që transmetoheshin, të kishin nivelin e duhur artistik. Liliana ishte redaktore e muzikës dhe udhëheqëse e emisioneve të paharrueshme si “Unë ti muzika dhe poezia”, “Evergeen” etj. Edhe sot ajo udhëheq emisionet më të dëgjuara muzikore në Radio Kosovë ku ndihet shumë mirë.

Liliana Cavolli ishte dhe do të mbetet “ Zonjë e muzikës zbavitëse”.

Jeni ndër kengëtaret më me emër, keni qenë redaktore e muzikës në ish Radio Prishtinë dhe autore e disa emisioneve ndërsa tash jeni autore e dy emisioneve shumë të dëgjuara në Radio Kosovë! A mund të tërheqni një paralele nga koha kur keni punuar në Radio Prishtinë me të sotmen kur punoni në Radio Kosovë?

Liliana Cavolli: S’ka ndonjë dallim të madh! Punoj me dashuri dhe entuazëm si dikur! Jam e lumtur që më dëgjojnë edhe më tutje ata që dikur kanë qenë gjeneratë e re e tash janë të rritur.

Rridhni nga një familje artistësh. Nëna juaj, Meserete Cavolli, ka qenë këngëtare dhe aktore. Keni lindur në Prizren, jeni rritur në Shkup. Jeni rikthyer në Prizren ku edhe keni mbaruar shkollën e muzikës. Pse kjo lëvizje Prizren-Shkup-Prizren?

Liliana Cavolli: Në vitin 1953 u larguam nga Kosova për në Shkup ngase i ndjeri babi im, Isak Cavolli, ka qenë i përndjekur nga UDB-a serbe dhe gjithënjë i burgosur. Prandaj shkuam në Shkup, me nënën dhe dy vëllezërit e mi, dhe jetuam atje vite të tëra. U këthyem në Prishtinë. Nëna ime ishte aktore në Prishtinë fillimisht, e pastaj edhe në Shkup njëherit ishte edhe një ndër këngëtaret e para të Kosovës krahas Zehra Mulës, pastaj kanë ardhur Vera Shahta e më pas Nexhmije Pagarusha, Sanije Shala e kështu me radhë.

Çfarë kujtoni nga fillimet tuaja në fushën e muzikës? Si lindi dashuria për këngën?

Liliana Cavolli: Diku në vitet e 60 u paraqita dhe unë si pasardhëse e nënës sime, se këngën e kam kultivuar në shtëpi, jam rritur me këngën. Nëna ime ka qenë për nga natyra shumë e gjallë dhe duke kryer punët edhe këndonte ndërsa unë e përcillja me zërin e dytë. Mund të kujtoj me këtë rast kur në Radio Shkup, isha shumë e vogël, nëna këndonte gjallë, pra drejtëpërdrejtë. Shkonim në mëngjes në radio, me që ishte drejtpërdrejtë, dhe unë e përcillja në këngë. P.sh. kemi pasur disa duete pastaj në Radio Prishtinë i kemi regjistruar ato. Nuk jam e sigurt a ekzistojnë më ato këngë. Do doja shumë që t’i kem në fonotekën time, më shumë për shkak të vajzës sime e cila do donte shumë t’i ketë ato. Edhe babai im ka qenë adhurues i këngës e muzikës. Të gjithë kemi kënduar, ka qenë një atmosferë muzikore në shtëpi.

Keni qenë gjithashtu edhe pjestare e SHKA “Agimi”. Paraqitja e parë para publikut kosovar a ju kujtohet?

Liliana Cavolli: Po, paraqitja e parë ka qenë si pijestare e shoqërisë “Agimi” shoqëri me traditë. “Agimi” ka pasë në gjirin e vet orkestrin zbavitës, popullor, korin. Atje jam paraqitur për herë të parë para publikut prizrenas me këngë zbavitëse nga festivali i Sanremos i cili atëbotë ishte shumë i popullarizuar, festival Italian. Ne e dëgjonim në radio, i kopjonim këngët e tyre dhe i këndonim. Pastaj erdha në Prishtinë.

Angazhimet e para nga kush i Opera, baleti, orkestri simfonik vec po ecen mirë…

Liliana Cavolli: Të mbahen më shumë koncerte! Dhe në ato koncerte të jenë prezentë, pa keqkuptime, edhe këngëtarët e rinj po edhe ata me moshë të mesme. Le të këndohet kënga e vjetër dhe kënga e re së bashku. Mos të fikohen që kanë konkurrencë se gjithkush në këtë qiell e ka vendin e vet. Pra në koncerte them se është më mirë kur bëhet një kombinim si në diasporë si këtu, pra një kombinim i së resë me të vjetrën. Këtu te ne, për cudi, këngëtarët e vjetër nuk respektohen, nuk ftohen për icizime për festa të ndryshme. Kujto këtu regjistrimet që bëhen për Vitin e Ri!!! Në botë kjo nuk ndodh. Nëse keni përcjellur RAI 1 ose RAI 2 ose në TV Spanjoll, i shikoj me ëndje se si një Iva Zaniki –këngëtare e njohur, udhëheq me shumë sukses emisione në TV aty këtu këndon, ose Sanita Montie, Lola Flores e shumë e shumë emra të tjerë të cilat i kanë kaluar të 70-tat dhe angazhohen. Këtu kjo nuk ndodh! Kur angazhojnë këngëtarë, është për të qeshur, por po i bëre 40 vjet thonë: është e vjetër! Po pjekuria e këngëtarit vjen pas të 40-ve, të 50-tave e kupton!? Është mëkat mos të shfrytëzohet zëri që një këngëtar e ka ruajtur dhe është në gjendje të këndojë.

Komponentë kryesore, për të qenë këngëtar, nuk mjafton vetëm zëri, këtë do të thuash?

Liliana Cavolli: Po pikërisht këtë !

Në karrierën tuaj komunikimet me Shqipërinë?

Liliana Cavolli: Kam pasë fatin që të shkoj, me ansamblin “Shota”, në Shqipëri diku në vitet e shtatëdhjeta dhe nuk mund ta harroj pritjen që na është bërë! Publiku i Shqipërisë na ka admiruar! Nuk mund t’i harroj ato suksese qe kam pasur atje! Cdo takim me adhuruesit e mi në Shqipëri më krijon emocion dhe kënaqësi të posacme.

A janë realizuar të gjitha ëndërrat e Lilianës?

Liliana Cavolli: Kam pasur shumë dëshirë të merrem me muzikë klasike. I kam pasur të gjitha predispozitat të bëhem këngëtare e operas por ja kështu nuk u bë. Erdha në Kosovë, fillova të këndoj… më morën ujrat e zbavitjes, muzikës zbavitëse, popullore, u punësova… Kështu që as vet nuk u angazhova për ta plotësuar këtë dëshirë, por këtë ua dëshiroj talenteve të reja. Ka shumë prej tyre që vërtet mund të arrijnë. Do t’u kisha thënë atyre të mos shkojnë të këndojnë nëpër kafene por ta ruajnë zërin, të shkollohen, se një ditë patjetër që do të funksionojë si duhet edhe ky segment.

Thanë për Liliana Cavollin:

Nexhmije Pagarusha

Lilana Cavolli është një këngëtare e shkëlqyer. Ka qenë dhe është edhe sot! Ajo ka kënduar me të njejtin sukses si këngën zbavitëse si atë popullore. Lilana është një soprano e mrekullueshme. Ajo edhe sot është në gjendje të këndojë drejtëpërdrejtë. Nuk do të pranonte kurrë të këndojë play beck.

Musa Piperku-kompozitor

Liliana, në kohën kur kemi punuar ne, gjithmonë konsiderohej një zë i spikatur i muzikës popullore, zbavitëse por ka mjaft edhe incizime të muzikës për fëmijë. Ka egzistuar mendimi i popullit dhe i njerëzve profesionalë se menjëherë pas Nexhmije Pagarushës vinte Liliana Cavolli si interprete e këtyre zhanreve. Ajo është e brumosur përvec talentit edhe me një pasuri të rrallë të zërit, interpretimit dhe talentit në përgjithësi. Liliana ka marrë edhe shumë shpërblime në Akordet e Kosoves”. Njëri ndër shpërblimet ka qenë edhe kompozimi im “Floriana” 1973. Gjatë karrierës së saj e kemi pasë Lilianën si simbol të kulturës shqiptare.

Sami piraj-kompozitor dhe gazetar i muzikës

Para se gjithash është timbri i saj karakteristik, i ciltër, vokacioni i ngrohtë, ngjyra e formësuar, diksioni i cartë që janë bazament i vlerës së kalibrit të këngëtareve të afirmuara. Liliana mbetet me emër në këngën tonë duke iu falënderuar këtyre karakteristikave. Ajo në cdo interpretim të këngëve nuk dëshiron të mbetet e zakonshme. Përkundrazi përjetimi i notave me tekstin mbeten prore preokupim për ta skalitur deri në maksimum atë që ishin dhe mbeten sinonime të këngëtareve tona të mëdha si Nexhmije Pagarusha, Vace Zela, Hafsa Zyberi, Naile Hoxha, Fitnete Rexha, Shpresa Gashi, Shahindere Bërlajolli etj.

Ardit Gjebrea-kantautor

Është një këngëtare e shquar e muzikës shqipe. Unë e kam ndjekur që kur kam qenë fëmijë me këngëtarët e mëdhenj që kanë ardhur në Shqipëri. Më kujtohet kur për herë të parë e kam dëgjuar të kënduar prej saj “ Zambaku i Prizrenit” jam mrekulluar, vërtet, me zërin e saj dhe gjithmonë më ka mbetur në kujtesë këngëtarja Liliana Cavolli, si një këngëtare vërtet profesioniste, me një zë shumë të bukur dhe shumë të pasur. Më duket pak të them se ishte kënaqësi kur ajo pranoi ftesën tonë të vijë dhe të këndojë në festivalin “Kënga Magjike”. Liliana për mua mbetet një ndër emrat më të mëdhenj të muzikës kosovare.

Engjell Berisha

Liliana është një prej atyre këngëtareve që e prezentoi, jo vetëm në Kosovë por edhe jasht Kosove në mënyrë dinjitoze, këngën tonë popullore, argëtuese edhe këngën e stilizuar.Ajo ka një zë me diksion të pastër, të kuptueshëm dhe mund të themi se ka vesh të përsosur, të shkëlqyeshëm. E ka trashëguar nga e ëma se edhe ajo këndonte dikur. Ishte koha kur këndohej me vullnet me dëshirë dhe me shumë dashuri për muzikën, ishte koha kur nuk ishte komercializuar kaq shumë muzika sic është sot. Liliana mundet dhe duhet të këndojë edhe sot me të njejtin sukses.

Shkurte Fejza

Liliana Cavolli është këngëtare e madhe, me vokal të pashterrshëm. Këngëtareve të këtij kalibri si Nexhmijes, Lilit, Shankës etj. ia kam kushtuar këngën “ Mbetsh e re, gjynah me u plakë”. Është i dhimbshëm realiteti kur njeriu e sheh se gjeneratat po ecin, vitet po kalojnë, edhe si shumë të tjerë para nesh, duhet të pajtohemi me këtë. Mirëpo ky proces te zonja Lili ka qenë më i ngadaltë sepse ajo është shumë vitale dhe plot freski. Lili edhe si njeri është treguar e madhe! Kujtoj këtu një rast kur nuk ma dhanë çmimin e fituar “Mikrofoni i Art”! Zonja Lili ka ardhur në Mushtisht dhe ma dha lajmin, e atyre nga lart, se nuk lejojnë që ta marr unë mikrofonin, edhe pse me vota të fituara!!! Ajo më tha : “Eja në manifestim për inat dhe tregoju se nuk mund të të përkulin.

ZËRI I AMERIKËS – SERBIA DO TA HEQË KOSOVËN NGA KUSHTETUTA E SAJ?

Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka paralajmëruar një ndryshim të mundshëm të qasjes ndaj Kosovës, që është kushti themelor në përpjekjet e Beogradit për integrimin në Bashkimin Evropian.

Ai ka thënë të përditshmes “The Wall Street Journal”, se është “duke shqyrtuar mundësinë e ndryshimeve kushtetuese deri në fund të vitit 2017, ku do të mund të përfshihej heqja e përkufizimit të Kosovës si pjesë e Serbisë”. Aktualisht Kosova zë vend në preambulën e kushtetutës serbe.

“Ne duhet të jemi shumë të sinqertë me popullin tonë për mundësitë e ndryshme. Dhe populli i Serbisë duhet ta thotë fjalën e fundit”, citohet të ketë thënë ai, ndërsa i ka cilësuar “shaka” propozimet e qeverisë së Kosovës që përfaqësuesve të komunitetit serb t’u ofrojë “pushtet sipërfaqësor”.

Serbia përfitoi hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian pas marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën e cila shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008.

Ndonëse nuk e kanë vënë si kusht njohjen e pavarësisë së Kosovës, diplomatët evropian kanë përsëritur qëndrimin se hapja e kapitujve të negociatave për anëtarësim duhet të pasojë një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe detyruese për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Por, presidenti serb Tomislav Nikoliç, tha të premten se “kushti kryesor për anëtarësimin në Bashkimin Evropian do të jetë njohja e pavarësisë së Kosovës”, ndërsa ka përsëritur se Serbia nuk do ta bëjë këtë.

“E nëse Bashkimi Evropian vazhdon të ngulë këmbë, kjo do të thotë se BE nuk dëshiron të na shohë në përbërjen e vet”, i tha ai agjencisë ruse të lajmeve Interfax.

“Por këtë kusht nuk do të pranonte asnjë popull. Këtë mund të pranojnë vetëm robërit”, citohet të ketë thënë presidenti serb i cili shkoi në Moskë për të marrë pjesë në parakalimin ushtarak të shtunën në 70 vjetorin e kapitullimit të Gjermanisë naziste, që kishte shënuar edhe fundin e Luftës së Dytë Botërore.

Vendimi për pjesëmarrjen edhe te ushtrisë serbe në parakalim është marrë nga presidenti serb, me gjithë kërkesat që i janë bërë nga përfaqësues evropian që të mos e bëjë një gjë të tillë.

Një pjesë e madhe e shefave të shteteve perëndimore përfshirë edhe aleatet e dikurshëm të Moskës gjatë Luftës së Dytë Botërore kanë paralajmëruar se nuk do të marrin pjesë në parakalim në shenjë proteste ndaj ndërhyrjes së Rusisë në Ukrainë përmes aneksimit të siujdhesës së Krimesë një vit më parë.

Serbia synon integrimin në Bashkimin Evropian dhe shpreson të fillojë negocimin e kapitujve në kuadër të bisedimeve për anëtarësim gjatë këtij viti. Por, ajo po ecë nëpër një rrugë të ngushtë ndërmjet perëndimit dhe aleatit të saj tradicional, Rusisë, që nga shpërthimi i krizës në Ukrainë.

Beogradi kishte refuzuar t’u bashkohet sanksioneve evropiane kundër Rusisë, por, në të njëjtën kohë, ndonëse pa e dënuar aneksimin e Krimesë nga ana e Rusisë, është shprehur në mbështetje të tërësisë tokësore të Ukrainës.

Serbia vazhdon të ruaj lidhjet emocionale e kulturore me Moskën, posaçërisht edhe për shkak të qëndrimit të saj kundër pavarësisë së Kosovës që u shpall në vitin 2008 më mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Evropës perëndimore.

“Nuk ka kthim prapa”, citohet të ketë thënë kryeministri serb Vuçiç për përpjekjet e Serbisë drejt integrimeve evropiane.

“Kam edhe unë zhgënjimet e mia personale dhe politike kundruall Bashkimit Evropian, por  detyra ime është të kujdesem mbi çështjet e rëndësishme strategjike të këtij shteti”, ka thënë ai, duke shtuar se këtë mesazh ka jo vetëm për Washingtonin e Brukselin, por edhe për Moskën.

VAZHDON GJYKIMI KUNDËR OLIVER IVANOVIQIT

VOAL – MITROVICË – dhe sot vazhdon gjykimi kundër Oliver Ivanoviqit dhe katër të akuzuarve të tjerë në Gjykatën Themelore të Mitrovicës në veri të këtij qyteti, ku pritet të të rrëfehen dëshmitarët tjerë për ngjarjet e 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 në atë pjesë të qytetit.

Ndërkohë, dje ka dhënë dëshminë e saj, Besa Sokoli, e cila ka thënë se natën kritike bashkë me të gjithë anëtarët e familjes ka qenë në banesën e saj në veri.

Sipas saj, natën e 3 shkurtit pas orës 19:00 kishte dëgjuar zhurma njerëzish, por edhe sirena të autoambulancave duke shkuar në spitalin e qytetit që ndodhej në veri.

Në lidhje me Oliver Ivanoviqin, ajo tha se e ka parë njëherë pak para fillimit të bombardimeve të NATO-s në uniformë të policisë, dhe jo asnjëherë tjetër.kp

Washington Post – KOSOVARËT MYSLIMANË I ZBULOJNË RRËNJËT E TYRE TË HARRUARA KATOLIKE

Në fshatin Gjonaj të Prizrenit, ekziston një kishë e vjetër, njëra nga dëshmitë për rrënjët katolike të shqiptarëve, por çelësat e kësaj kishe i mbajnë serbët

VOAL – Prestigjiozja amerikane, “The Washington Post” ka hulumtuar rrënjët fetare të shqiptarëve të Kosovës. Nga hulumtimi del se rrënjët e hershme të myslimanëve kosovarë i përkasin besimit katoliko­-roman. Në fshatin Gjonaj të Prizrenit, ekziston një kishë e vjetër, më shumë se njëmijëvjeçare, e cila është njëra nga dëshmitë për rrënjët katolike të shqiptarëve. Çelësat e kësaj kishe i mbajnë serbët, të cilët thonë se u përket atyre, mirëpo banorët atje thonë se kjo kishë u përket shqiptarëve dhe ka qenë e tyre deri në konvertimin e fshatit në Islam.

Një banor i këtij fshati,  Don Albert Jakaj, 36 vjeç, i cili njëkohësisht është edhe prift ka thënë se beson që i gjithë Ballkani ka qenë me besim katolik dhe sipas tij, janë pikërisht objekte të tilla fetare, si kjo kishë në Gjonaj që e dëshmojnë përkatësinë fetare të shqiptarëve dhe ballkanasve në kohën e dominimit dymijëvjeçar të Perandorisë Romake. Pasi Kosova u vendos nën regjimin otoman, nga pjesa e parë e shekullit 15 e deri në vitin 1912, pjesa më e madhe e shqiptarëve të Kosovës u konvertuan në Islam. Mirëpo, përkundër asaj që pjesa më e madhe e rajonit të Brodit tashmë janë myslimanë, shumica e banorëve të këtij rajoni e përkrahin këtë hulumtim dhe kanë shprehur interesim për zbulimin e rrënjëve të tyre pothuajse të harruara.

Dodë Gjergji

“Kjo është historia e kombit tonë,­ ka thënë Ademi, ­paraardhësit tanë kanë qenë katolikë dhe këta janë hapat tanë të parë për zbulimin e rrënjëve tona”, ka shtuar ai. Zyrtarisht 90% e popullatës së Kosovës i takon besimit islam, ndërsa vetëm 3% e tyre atij katolik. Mirëpo, ndryshe nga këto të dhëna, prifti katolik Dodë Gjergji mendon se këto shifra fshehin afinitetin e vërtetë shpirtëror të kosovarëve. Sipas Gjergjit, vetëm 10% e popullatës kosovare e praktikojnë besimin mysliman, ndërsa pjesa tjetër janë sekularë. “Besimi islam nuk është diçka që shqiptarët e kanë marrë vullnetarisht, por ka qenë diçka që ju është imponuar”, ka thënë Gjergji.

“Historia kristiane është më e fortë se historia otomane”, ka shtuar ai, duke folur për “Washington Post”. Gjergji ka thënë se është mjaft i kënaqur me rritjen që ka shënuar religjioni katolik në vitet e fundit. “Jemi shumë të kënaqur për shkak se në këtë kohë pasigurie duhet guxim i madh që dikush të deklarohet se dëshiron të kthehet në rrënjët e veta”, ka thënë ai. Po ashtu, në Kosovë nuk mungojnë as familjet ku bashkëjetojnë dy fetë, ajo myslimane dhe katolike. Agron Bytyçi, ish-­ushtar i UÇK­së, tani piktor dhe profesor i artit në Universitetin e Prishtinës, tregon se është rritur me babanë katolik dhe nënën myslimane.

“Si fëmijë nuk e kam ditur se çfarë religjioni i përkas, por pasi jam rritur kam pasur lirinë për të zgjedhur njërën nga të dyja fetë”, thotë Agroni, i cili është pagëzuar në vitin 1995. Në anën tjetër, feja katolike njeh edhe “Laramanë”, të cilët e fshehin besimin e tyre të vërtetë. Epiqendra e këtij komuniteti është në lindje të Kosovës. Gjysma e shtëpive të fshatit Zhegër janë laramanë. Ata nuk kanë kishë në fshat, por janë të njohur për ndezjen e qirinjve dhe lutjes në shtëpi sipas traditave katolike. Një “Laraman”, Rexhep Sejdiu, jeton në Zhegër që 38 vite dhe është pronar i një pompe të benzinës.

“Ndjehem katolik”, ka thënë ai, duke shtuar se shumë rrallë e diskuton çështjen e besimit jashtë familjes së tij. Ai e viziton kishën në Jakaj fshehurazi gjatë natës ndërsa ditën bëhet mysliman. “Laramanët frikësohen të deklarohen si katolikë”, ka thënë prifti. Sipas priftit, kjo ndodh sepse nëse e bën publik që i takon besimit katolik mund të shkaktojë probleme, një ndër të cilat është privimi nga martesa i fëmijëve të tyre. “Laramanët” nuk deklarohen si katolikë për shkak se mendojnë se nuk do të mund të jetonin në stilin e jetës që dëshirojnë.

70 % E TË RINJVE NË KOSOVË JANË TË PAPUNË

VOAL – TIRANË – Përrfaqësues të shoqërisë civile nga Kosova dhe vende të tjera të rajonit janë mbledhur këtë të enjte në Tiranë në një uorkshop me temë: “Krijimi i Punësimit dhe Prosperitetit”.

Kjo konferencë ndërkombëtare është thirrur nga fondacioni Friedrich Ebert Stiftung, zyra e Tiranës, dhe qëllimi është të kontribuojë në Samitin e Ballkanit Perëndimor që zhvillohet në Vjenë midis datave 26 dhe 27 gusht.

Të pranishmit në takim theksuan se pjesëmarrja e shoqërisë civile ka një rol të rëndësishëm në të gjitha proceset e integrimit Evropian në vendet më të reja të BE-së.

Diskutimet në këtë seminar u fokusuan në çështjet më të rëndësishme në lidhje me krijimin e punësimit dhe zhvillimit ekonomik në vendet e rajonit që aspirojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian.

Përfaqësuesja e shoqërisë civile të Kosovës në këtë aktivitet, Bardha Ahmeti tha për KosovaPress në Tiranë se gjatë seminarit është punuar për përgatitjen e disa rekomandimeve mbi çështjet më kyçe të secilit vend, siç është punësimi, investimet etj, tema këto që do të paraqiten të përmbledhura për Ballkanin në Samitin e Vjenës.

Lidhur me Kosovën ajo tha se papunësia e të rinjve mbetet një problem akut, ku sipas statistikave, ndër 10 të rinj vetëm 3 janë të punësuar.

Lidhur me pyetjen nëse është pikërisht kjo papunësi e lartë shkak që shumë të rinj jo vetëm nga Kosova por edhe nga Shqipëria dhe vende të tjera të Ballkanit po zgjedhin të largohen dhe të kërkojnë azil, Ahmeti mendon që po, pra se papunësia është shkaku primar për azil, pasi të rinjtë nuk po kanë shpresë dhe të ardhme në vendet e tyre.

Çështjet më të rëndësishme të Konferencës ishin edukimi i drejtuar drejt tregut të punës, zhvillimi i degëve më të rëndësishme ekonomike, tërheqja e investimeve të huaja në vend dhe krijimi i markave vendase të cilat janë konkurruese në tregun Evropian.

Gjithashtu u propozuan iniciativa për integrimin e shoqërisë civile në procesin e zhvillimit ekonomik dhe politik, kjo duke ndjekur modelet e suksesshme të vendeve të reja të BE siç është Kroacia dhe Sllovenia.

Ky punim i konferencës do ti prezantohet më vonë udhëheqësve politikë të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor në Vjenë.kp

KUVENDI I KOSOVËS SOT MIRATON REKOMANDIMET E REJA PËR UKSHIN HOTIN

Deputetët e Kuvendit pritet që sot t’i votojnë rekomandimet e dala nga debati lidhur me fatin e veprimtarit Ukshin Hoti, pasi u kërkua që këto rekomandime të harmonizohet me rekomandimet e vitit 2012.Ndërkohë dje deputetët thanë se tashmë dihet ku ndodhet Hoti, por po mungon vullneti që të paktën të kthehen eshtrat e tij dhe ta ketë një varr në vendin e tij.

Deputetja e PDK-së Mexhide Mjeku-Topalli paraqiti rekomandimet e dala nga Peticioni i qytetarëve të Rahovecit, kërkoi nga deputetët që të bëjnë më shumë presion te ekzekutivi dhe organet tjera kompetente që ushtrojnë trysni më të madhe mbi Beogradin për të bërë të mundur zbardhjen e fatit të të pagjeturëve.

Rekomandimet e dala nga ky peticioni ishin që : Qeveria e Republikës së Kosovë në bisedimet Kosovë- Serbinë të kërkoj që brenda gjashtë muajve të përfshihet në agjendën e bisedimeve zbardhja e fatit të personave të pagjetur dhe në raportin për rezultate dhe sfidat në këtë proces të njoftohet kuvendi i Kosovës.

Rekomandimi i dytë qeveria e Kosovës të siguroj fonde për funksionalizmin e mekanizmave përkatës profesional, teknik, për punën më efektive për identifikimin e mbetjeve mortore dhe për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.. kp

KUVENDI I KOSOVËS – THEMELIMI I GJYKATËS SPECIALE NGA JAVA E ARDHSHME NË RENDIN E DITËS

 

VOAL – PRISHTINË – Kuvendi i Kosovës pritet që nga java e ardhshme të procedojë tutje me amandamentet kushtetuese në lidhje me themelimin e Gjykatës Speciale për Krime Lufte.

Me vetë faktin që kërkohen ndryshime kushtetuese, Kuvendit do t’i duhen dy të tretat e votave të 120 deputetëve dhe dy të tretat e votave të deputetëve nga radhët e komuniteteve pakicë për miratimin e këtyre amandamenteve.

Gjykata Speciale u lansua si ide pas raportit të senatorit zviceran Dick Marty të prezantuar në Këshillin e Evropës mbi supozimet e tij për trafikim të organeve të disa civilëve serbë nga disa ish-pjesëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Mbi bazën e këtyre pretendimeve, prokurori amerikan Clint Williamson kishte zhvilluar edhe një hetim të gjerë.

Në përmbyllje të hetimit të tij, një vëmendje të posaçme Williamson ia kishte kushtuar, asaj që ai e kishte quajtur klimë të frikësimit të dëshmitarëve, duke thënë se “ka pasur përpjekje për ta penguar gjithë procesin hetimor” që prej fillimit të punës së grupit hetues, përmes ndërhyrjes te dëshmitarët.

Arianit Koci, avokat nga Prishtina thotë se krijimi i task forcës hetuese speciale ka zgjatur tre vjet dhe sipas vet prokurorit të saj, Williamson, të gjeturat janë ‘top sekret’ (të fshehtësisë së lartë).

Kështu që në këtë fazë, ai nuk sheh shumë mundësi që ketë ndikimi mbi dëshmitarët.

“Nëse nuk dihet saktësisht se kush është i pandehur dhe kush janë dëshmitarët, atëherë si mund të ndikohet në ta? – Frikësimi apo ndikimi në dëshmitarët është një problem serioz dhe shqetësues për të gjithë. Dëshmitarëve të mbrojtur duhet patjetër t’ju krijohet klima e sigurisë në mënyrë që të sqarohen njëherë e përgjithmonë të gjitha pretendimet, të cilat dorën në zemër janë monstruoze”, ka deklaruar Koci.

Bazuar në përvojat e shteteve të dala nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë, avokati Arianit Koci thotë se fenomeni i mbrojtjes së dëshmitarëve është paraqitur në rastet e trajtuara në Serbia, Kroacia e madje edhe në Hagë.

Ndërkaq një element tjetër që ai potencon gjatë themelimit të kësaj Gjykate, është përbërja e saj. Koci beson se në përbërjen e kësaj Gjykatë do të duhej të kishte edhe gjyqtarë nga Kosova, në mënyrë që ajo të fitojë legjitimitetin e vet.

“Gjyqtarët kosovarë e njohin kontekstin shoqëror dhe i njohin rrethanat. Shumë kosovarë kanë krijuar bindjen se një pjesë e konsiderueshme e pretendimeve në raportin e Këshillit të Evropës janë sajuar prej shërbimeve sekrete në Serbi, prandaj pala kosovare duhet të jetë palë aktive në këtë gjykatë. Kjo çështje mund të zgjidhet në mënyrë shumë elegante – në këtë gjykatë gjyqtarët nga Kosova mund të jenë pakicë në çdo trup gjykues”, ka theksuar Koci.

Gjykata Kushtetuese tashmë u ka dhënë dritën jeshile miratimit të amandamenteve kushtetuese të propozuara nga qeveria me të cilat do të mundësohej themelimi i Gjykatës Speciale për krime lufte.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli beson se këto amandamente do të trajtohen nga Kuvendi javën tjetër. Sipas tij, në këtë proces është me rëndësi të ketë konsensus vendor e ndërkombëtar.

“Ajo çka është më kryesore është që të ruhet konsensusi nacional rreth kësaj çështje dhe në të njëjtën kohë të ruhet partneriteti me bashkësinë ndërkombëtare. Amandamentet janë në Komisionin për Legjislacion dhe në momentin që do të marrim dritën jeshile nga ata (Komisioni) ne do të veprojmë”, ka deklaruar Veseli.

Arritja e konsensusit të brendshëm politik për themelimin e Gjykatës Speciale nga analistët politik shihet si domosdoshmëri.

Në të kundërtën, ata tërheqin vërejtjen se këtë Gjykatë do ta themelonte Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, me çka, besojnë se do të sfidoheshin rëndë shteti dhe shtetësia e Kosovës, pasi që Këshilli i Sigurimit do të vepronte vetëm mbi bazën e Rezolutës 1244.

Analisti Artan Muhaxhiri mendon se alternativa e vetme para institucioneve të Kosovës, në këtë rast, është themelimi i kësaj Gjykate.

“Institucionet e Kosovës nuk kanë shumë alternativa dhe dihet se do të jenë të obliguara ta pranojnë edhe Gjykatën Speciale, mirëpo edhe projektet tjera që imponohen nga Bashkimi Evropian dhe faktori ndërkombëtar”, thotë Muhaxhiri.

Themelimi i Gjykatës Speciale po bëhet në vazhdën e thirrjeve të faktorit ndërkombëtar i cili kërkon që Kosova të zbatojë këtë obligim që ka marrë përsipër.

Marrëveshja ishte arritur përmes një letërkëmbimi ndërmjet presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe ish-shefes së diplomacisë evropiane Catherine Ashton në prill të vitit 2014, ku përveç vazhdimit të mandatit të misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit – EULEX, ishte aprovuar edhe themelimi i Gjykatës Speciale.

Ky letërkëmbim ishte ratifikuar si marrëveshje ndërkombëtare më pas edhe nga përbërja e kaluar e Kuvendit të Kosovës. rel

JOSEPH DIOGUARDI – PA NJË ZGJIDHJE TË DREJTË NË MARRËDHËNIET ARMIQËSORE MES KOSOVËS E SERBISË, NUK DO TË KETË PAQE DHE STABILITET NË BALLKAN


Deklaratë e të Nderuarit Joseph H. DioGuardi President, Liga Qytetare Shqiptaro – Amerikane (LQSHA)
Komiteti për Punë të Jashtme i Dhomës së Përfaqesuesve
Nënkomiteti për Evropë, Euroazi, dhe Kërcënimet në Rritje
“Progresi dhe Sfidat në Ballkanin Perëndimor”
29 prill 2015Politika e jashtme amerikane në Ballkan po dështon edhe një herë. Pa një zgjidhje të drejtë për marrëdhëniet armiqësore që janë ende të dukshme në mes të Serbisë dhe Kosovës gjashtëmbëdhjetë vite pasi sulmet ajrore të NATO-s kundër Serbisë i dhanë fund luftës, nuk do të ketë paqe dhe stabilitet në Ballkan. E ardhmja e integrimit të Evropës Juglindore në Bashkimin Evropian është në rrezik.

Kosova

Janë bërë dy vjet që kur Marrëveshja Prishtinë – Beograd u nënshkrua nga Kryeminstri i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministrit serb Ivica Dacic dhe ky komision mbajti një seancë dëgjimore në lidhje me këtë marrëveshje. Përfaqësuesja e Lartë e atëhershëme e BE-së për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton, e cila ndërmjetësoi marrëveshjen dhe e quajti atë historike, priste që zbatimi i marrëveshjes të ndodhte disa javë pas nënshkrimit të saj më 19 prill, 2013. Në vend se kjo të ndodhte, pak nga marrëveshja 15-pikëshe është zbatuar. Çka është më e rëndësishme, ndarja de facto e Kosovës veriore nga Serbia është çështje ende e pazgjidhur dhe Serbia ende nuk i ka shpërbërë strukturat e veta paralele atje.
Serbia ende është duke kërkuar të drejta që shkojnë përtej Planit të Ahtisaarit (zyrtarisht të njohur is “Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës “) – në bazë të të cilit Parlamenti i Kosovës shpalli pavarësinë e Kosovës më 17 shkurt 2008 dhe pranoi mbikëqyrjen ndërkombëtare. Plani i Ahtisaarit, i cili përqëndrohet kryesisht në mbrojtjen e të drejtave të pakicave në Kosovë, përfaqësoi koncesionin maksimal të shumicës prej 92 përqind shqiptare kosovare për zgjidhjen e statusit final të Kosovës. Ndërkohë, shumica shqiptare në jug të Serbisë – në Preshevë, Medvegjë, dhe Bujanovc nuk kanë asgjë sikurse të drejtat që i ka pakica serbe e Kosovës.
Për shkak të Planit të Ahtisaarit dhe për shkak të refuzimit të Serbisë për të njohur sovranitetin e Kosovës, Kosova është e pavarur vetëm në emër. Kosova ende nuk ka një ulëse në Kombet e Bashkuara apo në organe të tjera ndërkombëtare, e kjo gjithashtu nënkupton se ka pak investime të huaja. Kosova është gjithashtu i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor nga ku qytetarët nuk mund të udhëtojnë pa viza. Kjo ka çuar në papunësi masive, sidomos në mesin e të rinjve (niveli është 60 përqind ose më shumë ), shumë prej të cilëve janë me arsim të lartë, por ata janë të papunë dhe pa perspektivë për një të ardhme në Kosovë. Si rezultat i kësaj, disa mijëra janë larguar nga Kosova për në Evropën Perëndimore që nga dhjetori, shumica në mënyrë të paligjshme. Shumë komentues e kanë vënë në pah lehtësimin e kufizimeve kufitare nga Serbia në Hungari.
Por arsyeja e vërtetë për ikjen e kosovarëve është humbja e besimit tek Perëndimi,i cili, ashtu siç deklaroi Këshilltarja e LQSHA-së për Çështje të Ballkanit Shirley Cloyes DioGuardi në artikullin e saj të dhjetorit 2014 ” Konfrontimi me rrënjët e tatëpjetës së Kosovës ” (që unë po e dorëzoj për procesverbalin e kësaj seance të Kongresit), lehtësoi kthimin në pushtet të elitës politike e cila e “ka penguar lulëzimin dhe prosperimin e Kosovën gjatë dekadës së fundit.” Kur bllokada gjashtëmujore pas zgjedhjeve të përgjithshme të Kosovës të 8 qershorit 2014 përfundoi për shkak të prishjes së koalicionit që kundërshtonte kthimin e Hashim Thaçit si kryeministër dhe Partisë së tij Demokratike të Kosovës (PDK), humbja e shpresës në Kosovë është bërë tronditëse.
Elita politike shqiptare në Kosovë është duke u bërë gjithnjë e më e pasur, ndërsa shumica e popullit shqiptar janë duke u bërë gjithnjë e më të varfër. Departamenti i Shtetit duhet të marrë përgjegjësi për përkrahjen e qeverisë së Thaçit, e cila është bërë një ndërmarrje haraçi. Humbja e shpresës në mesin e shqiptarëve, historikisht popullsia më pro-perëndimore, më pro-amerikane në Evropë, gjithashtu është e lidhur me pjesëmarrjen e BE-së dhe Shteteve të Bashkuara në disa nga shembujt më flagrante të korrupsionit që e ka kapur Kosovën . (Një punëtore e BE-së, shtetase gjermane,u dënua për vjedhjen e 4.3 milion eurove nga Kosova.) Tani është edhe koha që Administrata amerikane ta pranojnë rolin që ish-ambasadori i saj në Kosovë Christopher Dell ( 2009-2012 ) ka luajtur duke shtyrë përpara miratimin e marrëveshjes me Korporatën Bechtel për ndërtimin e një autostradë 1 miliardëshe nga Kosova në Shqipëri (kostoja e së cila u rrit në 2 miliard dollarë dhe që mund të ishte ndërtuar për shumë më pak para nga kontraktorët vendas) dhe pastaj duke marrë një pozite të lartë me Bechtel në Afrikë pasi la mandatin e tij në Kosovë. Ndërtimit dhe kostoja e saj e tepruar ndodhi kur Kosova ishte (dhe ende është) një vend që nuk është në gjendje për të krijuar vende pune dhe stabilitet politik. Kjo është krejtësisht e papranueshme dhe duhet të hetohet nga Inspektori i Përgjithshëm i Departamentit Amerikan të Shtetit.

Maqedonia

Në Maqedoni, përkeqësimi i gjendjes politike dhe marrëdhënieve mes grupeve etnike – në të vetmin vend në Ballkanin Perëndimor ku asnjë etni e vetme nuk është shumicë – është akute, por megjithatë si qeveria e SHBA-ve ashtu edhe Bashkimi Evropian janë duke dështuar për të adresuar krizën në rritje e sipër. Siç ka deklaruar Ervan Fuere, ish-Përfaqësuesi Special i BE-së në Maqedoni gjatë viteve 2005-2011, në artikullin e tij në Balkan Insight me 23 mars 2015, të titulluar “Gruevski duhet të japë dorëheqjen dhe të hapë rrugën për procesin e tranzicionit,” të cilën unë po e dorëzoj për procesverbalin e kësaj seance të Kongresit, “shkalla e korrupsionit të dyshuar dhe kërcënimeve të bëra nga kryeministri Nikolla Gruevski dhe partisë së tij në pushtet VMRO-DPMNE ka dalë në shesh” me anë të zbulimeve tronditëse që janë vënë në dispozicion për publikun nga udhëheqësi i opozitës maqedonase Zoran Zaev në lidhje me operacionin e gjerë të përgjimit të bërë nga Gruevski. Në një tjetër artikull në prill 2015, Fuere arriti në përfundimin se sot Maqedonia “është një vend i qeverisur nga frika dhe kërcënimi me një parti në pushtet, agjenda etno-nacionaliste dhe populiste e së cilës ka krijuar çarje të reja në një mjedis tashmë të brishtë,” më alarmuese e së cilave është rihapja e tensioneve të thella ndërmjet bashkësive etnike shqiptare dhe asaj maqedonase.
Ndërkohë,Ali Ahmeti, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), partia etnike shqiptare e cila është partnere e vogël në koalicionin qeverisës, ka përdorur kartën nacionaliste kurdo që ai e gjen atë politikisht të përshtatshme dhe ka qëndruar heshtur në lidhje me skandalin e përgjimit, që me sa duket është rezultat i përfshirjes së partisë së tij në korrupsion me partnerin e tyre të koalicionit,VMRO-DPMNE, udhëhequr nga kryeministri Gruevski, tani i akuzuar publikisht nga partia opozitare maqedonase, Bashkimi Social Demokratik i Maqedonisë, për një agjendë masive kriminale politike e ekonomike,veçanërisht kundër popullsisë së madhe shqiptare.
Kur është fjala për Maqedoninë, realiteti kryesor është se Marrëveshja Kornizë e Ohrit e vitit 2001, e cila i dha fund konfliktit të armatosur mes maqedonasve dhe shqiptarëve at vit dhe vuri përpara një numër ndryshimesh kushtetuese dhe ligjore të hartuara për të përmbysur një dekadë diskriminimi kundër shqiptarëve, ende nuk është zbatuar plotësisht.
Frustrimi dhe dëshpërimi në rritje i popullsisë së madhe shqiptare në Maqedoni me
qeverinë e korruptuar të Gruevskit , duke përfshirë edhe partitë politike shqiptare bashkëpunëtore të udhëhequra nga Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi, është një bombë figurative që mund të shpërthejë në çdo kohë, sidomos në një ekonomi që prodhon vetëm vende pune në qeveri të cilat shkojnë kryesisht për maqedonasit etnik dhe pastaj vetëm për ata të cilët votojnë për partneritetin e korruptuar Gruevski/Ahmeti, që është duke skllavëruar të gjithë vendin politikisht dhe ekonomikisht. Strategjia ballkanike e status quo-së e Departamentit të Shtetit, e cila tani mund të “përkthehet” në Ballkan si “paqe dhe stabilitet me çdo kusht, ” është bërë një aspirinë apo koktej i përditshëm për popullin shqiptar për ta zbutur dhimbjen e tyre për sot, e cila në ndërkohë është duke mbjellur farën për dezintegrimin etnik të Ballkanit,e jo integrimin evropian.

Përfundim

Në fund, asgjë nuk do të arrihet në Ballkanin Perëndimor pa përfshirjen e fortë të Shteteve të Bashkuara. Historia e rajonit ka treguar që kjo është e vërtetë. Lidhur me Kosovën, të gjithë anëtarët e BE-së duhet të njohin pavarësinë e Kosovës dhe ti japin fund izolimit të vendit nëpërmjet mundësive ekonomike. Për sa i përket Maqedonisë, shqiptarët duhet të trajtohen si një partner i barabartë në Kushtetutën e re të këtij shteti që tani po dështon, ose duhet të përballemi me mundësinë e federalizimit, i cili do ti lejojë popullit shqiptar kontroll administrativ, social, dhe financiar mbi fatin e tyre si pjesë e një federate maqedonase të shqiptarëve etnikë dhe maqedonasve etnikë. Maqedonia tashmë është një shtet aparteidi, në të cilin grupet e mëdha etnike jetojnë të ndarë, por jo në mënyrë të barabartë, dhe kjo duhet të korrigjohet. Përndryshe, Maqedonia nuk do të mbijetojë si shtet sovran që mund të integrohet në Bashkimin Evropian.

EDHE DIASPORA SHQIPTARE NË NORVEGJI KËRKON DORËHEQJEN E PETRIT SELIMIT

Kërkohet dorëheqje për përgjegjësit e deklaratës tendencioze në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës (MPJ).

Shqiptarët në Norvegji, të organizuar në qendrën Kulturore e Informative, Mekuli Press, kërkojnë llogari nga MPJ-ë e Kosovës për fjalët ofenduese, jodiplomatike e armiqësore ndaj mikut, patriotit, zëdhënësit e diplomatit, Joseph DioGuardi.

Diaspora shqiptare në Norvegji është e shqetësuar dhe e brengosur me skandalet e njëpasnjëshme të MPJ të Kosovës.

Dorëheqja e ambasadorit të Kosovës në Beograd, e kryer nga trysnia e MPJ-së, për shkak të fjalisë së qëlluar e me vend të tij se “pa e njohur Serbia pavarësinë e Kosovës, nuk ka normalizim të marrëdhënieve…”, dhe tani sulmi i egër e i papërmirësueshëm i MPJ-së ndaj diplomatit DioGuardi, janë tregues se diplomacia e Kosovës po udhëhiqet nga joprofesionalistë e diletant politik.

Vetëm dorëheqja e të papërgjegjshmëve dhe sharlatanëve politik, të punësuar në MPJ, është e logjikshme dhe e arsyeshme në këtë rast, u tha, ndër tjerash, në këtë takim rasti.

Kujtojmë se zëvendësministri i punëve të jashtme të Kosovës, Petrit Selimi, e kishte akuzuar ish kongresistin shqiptaro-amerikan, DioGuardi, duke thënë se po bën politikë si Vuk Jeremiq (ish ministri i jashtëm serb).

SHËNIMI I VIJËS KUFITARE KOSOVË-MALI I ZI DREJT PËRFUNDIMIT

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, thonë se punët rreth shënimit të kufirit ndërmjet Republikës se Kosovës dhe shtetit të Malit të Zi, janë në përfundim e sipër.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka theksuar së fundmi se Komisioni Kosovar Shtetëror për Shënimin e Kufirit me Malin e Zi, ka përfunduar punët, por sipas tij, janë edhe disa çështje që kanë mbetur për t’u sqaruar me Komunën e Pejës dhe banorët e atyre viseve ku do të shënohet vija kufitare me Malin e Zi.

“Asgjë nuk mund të ndodhë dhe asgjë nuk mund të kryhet jashtë dokumenteve, të cilat vërtetojnë se ku ka qenë dhe ku duhet të shënohet kufiri. Unë mendoj se kjo punë mund të kryhet dhe se zvarritja e këtij procesi, nuk mund të na çoj as më shumë në territorin e Malit të Zi, as nuk i fut ata në territorin tonë”.

“Kufiri është i qartë, vetëm se duhet të sqarohet me qytetarët në mënyrë që të mos ketë ankesa dhe ata t’i pranojnë argumentet të cilat atyre u ofrohen”, tha Mustafa.

Rreth shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi, për disa kilometra kontestuese, ka pasur reagime dhe pakënaqësi nga pronaret e atyre tokave ku do të përcaktohet vija e përhershme kufitare.

Ali Lajçi, kryetar i Komisionit Komunal për ketë çështje, i cili thotë se është emëruar nga kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxhiri, konsideron se lidhur me punën e deritanishme për shënimin e vijës ndarëse të kufirit me Malin e Zi, janë bërë shkelje të mëdha.

“Nga kjo zonë, kemi shqetësime të mëdha të pronarëve të shfrytëzuesve e të tjerë. Ata thonë se cenohet prona. Vetëm në anën e Rugovës shkon deri në 7 mijë hektarë, kurse nga pjesa e Kullës kemi edhe 5 kilometra që jemi duke e bërë llogarinë e tyre në sipërfaqe dhe kjo është e papranueshme”. Ë

“Është një cenim i rëndë, janë marrë bjeshkët kryesore”, tha Lajçi.

Kurse, kryetari i Komisionit Shtetëror për Shënimin e Kufirit me Malin e Zi, Murat Meha, tha për Radion Evropa e Lirë, se procesi për shënimin e vijës kufitare është duke shkuar pa problem.

Ai thotë se kufiri i vitit 1974, shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe Pakoja e Ahtisarit, janë pjesë përbërëse e vendimmarrjes për vijën kufitare.

“Komisioni shtetëror ka mbledhur gjithë dokumentacionin relevant dhe e ka prezantuar. Kosova nuk e ka as një pretendim për territore të huaja sikurse as Mali i Zi që nuk ka shprehur ndonjë pretendim në territoret tona. Prandaj, komisioni e ka pasur për detyrë që të punojë në bazë të dokumenteve dhe detyrave që i ka marrë përsipër me vendimin e qeverisë”, ka shpjeguar Meha.

Meha tha se si komision janë në dijeni për disa pakënaqësi të disa banorëve të asaj ane, por pretendimet e tyre duhet të dokumentohen me fakte.

“Kemi mbajtur 15 takime me banorët e asaj ane, me kryetarin e Komunës së Pejës i kemi sqaruar të gjitha gjërat. Presim me transparencë që t’i ofrojnë dokumentet për atë që pretendojnë dhe ajo do të jetë”, tha Meha.

Lidhur me këtë çështje, Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar me zyrtarë nga Ambasada e Malit të Zi në Kosovë.

Ata thanë shkurt se “nuk ka rrethana të reja lidhur me marrëveshjen e demarkacionit të kufirit mes Malit të Zi dhe Kosovës”.

Përfundimin e çështjes së shënimit të vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi e kanë kërkuar edhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në Kosovës.rel

FUSHATË PATOLOGJIKE KUNDËR PRESIDENTIT RUGOVA Nga GANI MEHMETAJ


Nuk kam lexuar tekst më të ulët e më denigrues në gjuhën shqipe se sa shkrimi i Kristo Zharkalliut, botuar kohë më parë në portalin Fjala e lirë. Nuk më brengos opinioni i tij për Rugovën, as pretencioziteti që t’u përgjigjet nga Athina Isa Mustafës e Gani Mehmetajt, sikurse thotë ai. Më irritoi gjuha staliniste, shkrimi i përçartë me një urrejtje patologjike për personalitetin të cilin në të gjallë e çmuan jo vetëm pjesa dërmuese e shqiptarëve të Kosovës e të territoreve etnike, por edhe disa nga personalitetet më të mëdha të botës: Klinton, Bush, Papa Gjon Pali i Dytë, Toni Bler, Holbruk etj. Sikur të ishte vetëm një për qind e asaj që shpif kurbetçari i përjetshëm, mendoni ju se do ta takonin Klintoni, Bleri, Prodi e kreu i Vatikanit? Mendoni se do ta krahasonin Rugovën më personalitetet më të mëdha të botës? Kujt i shkruan Zharkalliu? Enveristëve, të cilët kurrë nuk e deshën Rugovën, sepse nuk pranoi të vinte kurorë mbi varrin e diktatorit më të urryer shqiptar? Shikistëve të Fatos Klosit që vranë njerëzit e afërt të Rugovës e shumë “kosovarë” të tjerë?

Pse e ngatërron shtetin shqiptar Zharkalliu me dy-tre emra të SHIK-ut? Pse mendon ndryshe nga Pandeli Majko, ish-kryeministër shqiptar, megjithëse unë mund t’i kem hyrë në hak kur e ve në një listë me kriminelin Fatos Klosi? Por ai atëbotë ishte kryeministër, ndërsa tash shihet fare mirë se nuk e kishte nën kontroll SHIK-un.

Që të mos e zgjas po ia citoj disa nga emrat më të njohur të planetit, të cilët menduan ndryshe nga Zharkalliu dhe, ndryshe nga enveristët mjeranë që shkarravisin me emra të shpifur nëpër faqe interneti pa marr guximin të thonë kush janë dhe çka përfaqësojnë.

Bill Klinton, president i SHBA-së: “Jam shumë i pikëlluar me rastin e vdekjes së presidentit Rugova. Kam pasur nderin ta mbështes luftën e tij për paqe dhe liri. E kam dashur dhe e kam admiruar shumë. Rezistenca e tij e padhunshme ndaj shtypjes së Milosheviqit inspiroi botën. Me presidentin Rugova jam takuar shumë herë në Shtëpinë e Bardhë. Ka qenë kënaqësi, sa herë e kam takuar, sepse çdo herë më impresiononte me devotshmërinë dhe pasionin e tij për paqe, liri dhe për një të ardhme më të mirë për popullin e tij. Vdekja e presidentit Rugova është humbje e madhe për Kosovën, por unë shpresoj se vdekja e dr. Rugovës do t’i inspirojë të gjithë kosovarët që të vazhdojnë të punojnë më me ngulm për paqe dhe liri”.

Kryeministri Toni Bler: “Presidenti Rugova ishte një forcë e rëndësishme në jetën e Kosovës, për shumë vjet. Popullariteti i tij në mesin e popullit të Kosovës dëshmon për mbështetje të gjerë për përpjekjet e tij joviolente për të ardhmen e Kosovës. Jam shumë i lumtur që kam pasur rastin të takohem me të”.

Presidenti Bush: “Presidenti Rugova për shumë vjet udhëhoqi fushatën për paqe dhe demokraci në Kosovë dhe fitoi respektin e botës për qëndrimin e tij parimor kundër dhunës. Shtetet e Bashkuara kanë humbur një mik të vërtetë. Gjatë viteve të konfliktit, Ibrahim Rugova ishte zëri i arsyes dhe i maturisë që i ndihmoi popullit të Kosovës për të vënë bazat për një të ardhme paqësore. Humbja e këtij zëri, në këtë kohë vendimtare, është posaçërisht tragjike për Kosovën. Më lejoni t’ju siguroj se Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara për të punuar me gjithë njerëzit e Kosovës për ndërtimin e një ardhmërie që është stabile, demokratike dhe përparimtare”.

Presidenti Shirak, në një letër drejtuar zonjës së parë të Kosovës, Fane Rugova, shkruan: “Franca i bën sot homazhe rolit historik dhe kurajës politike që animuan Ibrahim Rugovën për të mbrojtur gjatë viteve 1990 të drejtat demokratike të popullit kosovar dhe për të punuar në kthimin e paqes dhe pajtimit në regjionin tuaj. Mungesa e bashkëshortit tuaj, tani kur kanë filluar bisedimet për çështjen e statusit final, bëhet edhe më tragjike. Përgjegjësia tani u takon të gjithë përgjegjësve politikë për të marrë përsipër amanetin e tij dhe të shpien në të mirë procesin e negociatave me një shpirt realizmi, tolerance dhe dialogu siç e kishte ai. Franca shpreh urimin që Kosova do t’i tregohet besnike këtij zhvillimi të thellimit të pajtimit, për t’iu afruar Bashkimit Europian.”

Bob Dol, miku i madh i shqiptarëve, senator shumëvjeçar amerikan, pas vdekjes së Rugovës shkruante: Dr. Rugova ishte një njeri i madh dhe heroik që personifikonte shpresat dhe aspiratat fisnike të popullit të Kosovës për një shtet sovran, të pavarur dhe të njohur nga komuniteti ndërkombëtar. Ka qenë privilegj për mua të punoj në aspektin profesional me dr. Rugovën dhe ta konsideroj atë një nga miqtë e mi më të ngushtë gjatë rreth dy dekadave që kur u njoha me të.
Përpjekja e madhe e presidentit Rugova për lirinë, demokracinë dhe pavarësinë e Kosovës ka të njëjtat përmasa me fushatat e ngjashme paqësore dhe historike të Mahatma Gandit, Nelson Mandelës dhe Martin Luther Kingut.

Riçard Holbruk, diplomat i njohur amerikan: “Kur e kam takuar Ibrahim Rugovën për herë të parë, ai dukej si një zë i vetmuar, në betejë të vetmuar, duke bartur një shall që thoshte se do ta varte, vetëm kur ta shihte vendin e lirë. E shikoja duke ndjekur ëndrrën e popullit të vet nën kushte të jashtëzakonshme me urtësi dhe këmbëngulësi, dhe u bëra admirues dhe shok i tij. Çfarë kënaqësie ishte ta shihja më në fund në Prishtinë pa shallin e tij! Mbaj zi për ndërrimin e jetës, së bashku me tërë popullin e Kosovës. Derisa Kosova e fitoi lirinë nën udhëheqjen e tij, tani përjetoi një humbje të tmerrshme në një pikë kritike, kur shumë punë mbetën për t’u bërë”.

Stipe Mesiq, presidenti kroat: “Shqiptarët e Kosovës me vdekjen e Ibrahim Rugovës, kanë humbur udhëheqësin e tyre, politika e matur e të cilit ishte kruciale në momentin kyç politik në të cilin po futet Kosova. Shpresoj dhe besoj së përfaqësuesit legjitimë të shqiptarëve të Kosovës do të dinë ta vazhdojnë rrugën e nisur nga ai, duke marrë vendime të qarta për popullin e Kosovës, por duke i ikur ekstremizmit të mundshëm i cili do të ndalonte arritjen e qëllimeve të nisura.

Presidenti shqiptar, Alfred Moisiu: “Humbja e presidentit Rugova është një humbje e madhe dhe e rëndë, jo vetëm për Kosovën, por për cilindo që flet shqip dhe aq më tepër në një moment kaq delikat, kur Kosova po hyn në fazën e negociatave për të fituar Pavarësinë e saj. Presidenti Rugova prej më se 20 vjetësh ka luftuar, është përpjekur dhe ka bërë çmos që problemi i Kosovës të dalë në rend ndërkombëtar… Gjithë populli shqiptar, gjithë shqiptarët ndjekin me dhimbje të dyfishtë humbjen e presidentit, e njeriut simbol për Kosovën, e njeriut flamur për Kosovën, e njeriut, i cili shkriu jetën, por fatkeqësisht nuk e arriti deri në fund të realizojë ëndrrën e tij të shohë me sytë e tij Kosovën e lirë. Kujtimi i tij do mbetet i paharruar”.

Kancelari Volfgang Shysel (Kancelar i Austrisë): “Ibrahim Rugova i dha trajtë politikës në Europën Juglindore me personalitetin e tij të fuqishëm. Ai promovoi zgjidhje paqësore për konfliktin në Kosovë dhe punoi për të ardhmen e Kosovës pa menduar as për shëndetin e vet. Austria do të vazhdojë me gjithë fuqinë e saj t’i mbështesë përpjekjet për arritjen e stabilitetit dhe paqes së qëndrueshme në Kosovë”.

Çka do t’u thoshte Zharkalliu këtyre personaliteteve? Cilën gjuhë do ta vë në veprim në shkrimin vijues kundër tyre, sepse menduan e thanë ndryshe nga kurbetçari, të cilit ora i ka ngelur me 1945, në kohën e krimeve monstruoze të Enver Hoxhës e vëllezërve të tij M. Popoviqit e D. Mugoshës, që ia vranë edhe babanë presidentit Rugova, sepse ishte kundër pushtuesve serbo-malazezë.

ANTON QUNI – FATOS KLOSI ISHTE NJË SABOTUES LUFTE

VOAL – Deputeti i LDK-së Anton Quni e ka quajtur sabotues të luftës ish shefin e SHIK-ut në Shqipëri Fatos Klosi. Kjo erdhi pas deklaratave të Klosit dhënë në emisionin ‘Komiteti’ të Gazetës Express. Quni e ka ftuar Klosin në debat, për siç tha ‘sqarimin’ e çështjeve të asaj kohe.

Anton Quni e ka quajtur ish-shefin e SHISH’it Fatos Klosi kometë që zgjatë pak sekonda e fiket. Tha se duke qenë në krye të shërbimit inteligjent shqiptar, Klosi ka mund t’i shërbente çështjes kombëtare gjë të cilën sipas Qunit, nuk e ka bërë. Tha se Klosi favorizoi vetëm njërin formacion, gjë e cila sipas tij duhet hetuar, nëse ishte në shërbim apo i bëri dëm vendit.

Quni thotë se është fat i madh që Klosi nuk kishte mund të shtrinte autoritetin e tij në të gjitha celulat dhe organizimin ushtarak.

Fatos Klosi ka bërë disa akuza të rënda në adresë të oficerëve të Bujar Bukoshit që rrinin në Tiranë.

Ish-shefi i shërbimit informative kombëtar ka thënë se i ka lutur disa herë ata që të shkojnë për të luftuar në Kosovë, por ata kanë hezituar.

Sipas tij, ata ishin të interesuar për paga të larta dhe për t’u reklamuar me armë nëpër lokalet e Tiranës.

Ndërkohë Quni tha se Ministria e Mbrojtjes e Republikës se Kosovës e kishte marrë përsipër përkujdesjen për familjet e ushtarakëve duke u ofruar një pagë simbolike. Tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka vepruar nën ombrellën e Ministrisë së Mbrojtjes dhe se i nënshtrohej rregullave dhe përgjegjësive ushtarake.

HAPJA E DOSJEVE E TRONDIT KOSOVËN

VOAL – Kuvendi i Shqipërisë, me shumicë votash, e ka miratuar të enjten Ligjin për  hapjen e  dosjeve të komunizmit, derisa në Kosovë një iniciativë e tillë parlamentare, edhe pse është debatuar nga Kuvendi i Kosovës në  vitin 2009, ku është miratuar edhe rezoluta për dënimin e krimeve të komunizmit, një ligj i tillë që mundëson  hapjen e dosjeve të regjimit të kaluar, jo vetëm që  nuk është bërë akoma nga qeveritë e deritanishme, por as  nuk ka nisma legjislative të kësaj fushe nga deputetët. Pas  “thyerjes” së akullit nga Kuvendi i Shqipërisë, njohësit e fushës së sundimit të ligjit dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, konsiderojnë se edhe Kosova nuk mund të bëjë një përjashtim të gjatë në  pastrimin e lidershipit të saj nga e kaluara  komuniste, sado që do të jetë një  proces i vështirë, ngase  është koha që  edhe në Kuvendin e Kosovës të procedohet për miratim një ligj i tillë, pasi të jetë arritur konsensus politik për këtë temë “Do të ishte punë e mirë dhe e dobishme edhe në aspektin politik edhe në aspektin moral, sepse për të qenë e keqja më e madhe, jo pak persona që kanë punuar në kundërshtim me interesat e kombit në periudha të caktuara kohore, tani akoma shiten si patriot të mëdhenj.ks

Më 6 majin e 1999 ra heroikisht Heroi i Kombit Luan Haradinaj

VOAL – PRISHTINË – Më 6 majin e vitit 1999 u vra duke luftuar heroi i kombit Luan Haradinaj.

Ai si pjesë e UÇK-së u vra në një betejë kundër forcave pushtuese serbe, më 6 maj të vitit 1999, në kufirin shqiptaro – shqiptar.

Beteja disa orëshe me forcat serbe, derisa po e udhëhiqte një ekspeditë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në rrugën për të hyrë në Kosovë, i mori jetën njërit nga djemtë e familjes Haradinaj.

Në këtë ditë, Luan Haradinaj, bashkë me të vëllain Ramushin dhe grupin e përbërë nga Fehmi e Xhevë Lladrovci, Selim Krasniqi e Ramiz Lladrovci, Abedin Rexha e Ilaz Kodra, Rafet Rama e Gani Rama, Emrush Xhemajli dhe Ali Ahmeti, u nisën për në Kosovë.

Kishin arritur sipër fshatit Larë, fshat ky që ndodhej afër Kushninit të Hasit, në vendin e quajtur “Qafa e Mullarit”, kur grupi bien në një pritë që kishte zënë ushtria jugosllave, në kufirin shqiptaro-shqiptar.

Në këtë pritë vritet Luan Haradinaj, plagoset Rafet Rama, e po ashtu edhe Ramush Haradinaj dhe Fehmi Lladrovci.

Trupi i Luan Haradinajt pushoi në Vlanë deri në çlirimin e Kosovës. Pas çlirimit trupi i tij u rivarros në Varrezat e dëshmorëve të kombit në vendlindje, në Gllogjan, ku prehet i qetë, së bashku me 20 dëshmorët e vendlindjes.

Luan Haradinaj lindi më 17 nëntor 1973 në fshatin Gllogjan të Deçanit. Shkollën fillore e kreu në fshatin Irzniq, ndërsa shkollën e mesme përkatësisht gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan.

Pas kryerjes së shkollës së mesme Luan Haradinaj regjistrohet në Fakultetin e Edukatës Fizike në Tiranë, të cilin nuk arriti ta kryejë duke ju bashkuar kështu luftës për çlirimin e Kosovës.

SOT BËHEN 16 VJET NGA VRASJA E FEHMI AGANIT

Sot bëhen 16 vjet nga vrasja e nënkryetarit shumëvjeçar të LDK-së dhe deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Fehmi Aganit.

Agani u vra me 6 maj të vitit 1999, nga forcat pushtuese serbe.

Figura e Aganit la gjurmë të pashlyeshme në historinë e pavarësisë së Kosovës, fushën e arsimit dhe mendimit shkencor. Fehmi Agani, njëri nga themeluesit dhe udhëheqësit e Lidhjes Demokratike, u vra afër Lipjanit 15 vjet më parë, nga serbë me uniforma dhe të armatosur.

Më 6 maj 1999, Agani, së bashku me familjen e tij, tentoi të linte Kosovën me tren. Në kufirin me Maqedoninë, treni u kthye mbrapsht. Diku afër Fushë Kosovës, policia ndaloi trenin dhe urdhëroi të zbrisnin të gjithë. Dëshmi të ndryshme të botuara në shtyp thonë se Agani u mor ose në një autobus së bashku me burra të tjerë shqiptarë, ose i vetëm me policët brenda një makine private. Kufoma e tij u gjend të nesërmen buzë një rruge gjithë baltë, pranë Lipjanit.

Për nder të profesor Aganit tashmë është ngritur përmendorja e tij në oborrin e Fakultetit të Filologjisë në Prishtinë.

Që nga vitet 60-ta kur ishe paraqitur me argumentim e së drejtës së Republikës së Kosovës e deri me vrasjen e tij, Agani e kishte vënë gjithë krijimtarinë e tij në shërbim të projektimit, të argumentimit dhe të realizimit të këtij qëllimi. Kështu ai ishte pjesëmarrës aktiv në politiken e Kosovës në vitet ’90.

KËSHTU E MBROJTI DIOGUARDI KOSOVËN NË WASHINGTON PARA SERBIT VEJVODA

Joseph DioGuardi është emër i njohur për popullin e Kosovës tash e sa vite. Megjithëse pavarësia e Kosovës ka ndodhur, puna e tij në mbrojtjen e çështjes së shqiptarëve nuk ka përfunduar.

Këtë ai e tregoi edhe në dëshminë e fundit që e dha në Washington ku kërkoi shqiptarët e Kosovës të përkrahen në integrimin e tyre në Evropë.

Të gjithë këto dëshmi, DioGuardi i dha para ish këshilltarit të lartë për politikë të jashtme në qeverinë serbe të  Zoran Gjingjiq dhe Zoran Zivkovic ndërsa ekskluzivisht për “Zërin” ai na e ka dërguar edhe videon e dëshmisë së tij.

“Mendoni për shqiptarët në Kosovë dhe Maqedoni. Ata sot kanë shkallën më të lartë të lindjes në Evropë sot. Tani mendoni për faktin se nuk ka liberalizim të vizave në Kosovë. Andaj nuk ka asnjë mënyrë që të rinjtë kosovarë të shkojnë në Perëndim dhe detyrohen të shkojnë në Turqi”, ka thënë DioGuardi, transmeton Zeri.info.

Ai më pas ka folur edhe për normalizimin e raporteve të Kosovës me Serbinë. ““Ju keni dëgjuar edhe shumë fjalë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi. Por si mund të ketë normalizim të marrëdhënieve kur në të gjitha rastet që i ofrohen Serbisë, ajo thotë se ne asnjëherë nuk do ta njohim shtetin e Kosovës. Si mund të keni integrim evropian kur 5 vende nga 28 vende të Bashkimit Evropian nuk e njohin pavarësinë e Kosovës”, ka shtuar ai, transmeton Zeri.info.

Krejt në fund DioGuardi tha që Washingtoni nuk duhet të harroj kush janë shqiptarët duke i cilësuar më pro amerikanët në Ballkan.

“Dhe mos harroni se kush janë shqiptarët. Ata janë më pro amerikanët, më pro demokratikët, dhe më tolerantët në aspektin fetar. Ata kanë katër religjione dhe edhe Sinagoga. Mysliman, katolikë e hebrenj jetojnë në harmoni së bashku. Këtë ne duhet ta përkrahim. Kjo nuk ndodhë askund në Evropë. Njerëzit nga Kosova kur ndodhi 11 shtatori në SHBA, shqiptarët po qanin dhe po ecnin rrugëve me qirinj derisa serbët, maqedonët, grekët e malazezët po festonin rrugëve. Dua vetëm të ju kujtoj se kush janë miqtë tanë në Ballkan.

Kosova nuk është dashur asnjëherë të futet në Jugosllavi pasi që nuk janë sllavë dhe ky është gabimi më i madh që ishte bërë pas luftës së parë botërore.

Sa I përket Kosovës, nëse Bashkimi Evropian është serioz për integrimin e Kosovës atëherë duhet të jetë më agresive që të shtyjë njohjen e Kosovës nga vendet të cilat nuk e kanë njohur duke përfshirë Serbinë”, ka përfunduar DioGuardi./Zeri/

VIHET GURTHEMELI I NDËRTESËS SË AMBASADËS AMERIKANE NË PRISHTINË

Autoritetet e Kosovës thonë se ndërtimi i ambasadës nuk është vetëm përcaktim i adresës së përhershme amerikane por edhe simbol i qëndrueshmërisë së shtetit të ri.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, kryeministri Isa Mustafa dhe ambasadorja amerikane Tracey Ann Jacobson hodhën gurthemelin e ndërtesës së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Prishtinë. Rreth 700 punëtorë do të angazhohen në ngritjen e kësaj godine që siç u tha, shënon fillimin e ndërtimit të shtëpisë së përhershme të diplomacisë amerikane në Kosovë.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha se qytetarët e Kosovës janë përjetësisht falënderues dhe mirënjohës për rolin e guximshëm dhe historik që Shtetet e Bashkuara kanë në bërjen e Kosovës shtet.

“Bashkë kemi bërë goxha një udhëtim. Qëndruat përkrah nesh në momentet më sfiduese të shekullit të kaluar, dhe bashkërisht nisëm një kapitull të ri të shpresës dhe optimizmit në fillim të këtij shekulli për të kurorëzuar përpjekjet tona për Kosovën shtet të të gjithë qytetarëve të saj shtatë vite më parë. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës qytetarët e Kosovës gjetën mbështetjen dhe besimin për realizimin e vizionit tonë për liri, pavarësi e demokraci. Përkundër shumë vështirësive, vullneti ynë i përbashkët triumfoi ndaj të keqes dhe sot si dy popuj që ndajnë vlerat fundamentale dhe idealet e demokracisë shënojmë edhe një fillim të ri – atë të vendosjes së adresës tuaj permanente si simbol i qëndrueshmërisë”.

Ambasadorja amerikane, Tracy Ann Jacobson tha se dita e sotme shënon thellimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

“Në këto vjet ekipi ynë ka punuar me shumë zell për ta mbështetur Kosovën në rrugëtimin e saj drejt zhvillimit të demokracisë, sundimit të ligjit dhe në zhvillimin ekonomik. Prandaj, po e ndjej që sot po e vëmë gurthemelin jo vetëm për ambasadën e re aq të nevojshme, por edhe të simbolit të përkushtimit dhe miqësisë së vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara me Republikën e Kosovës”, tha ambasadorja Jacobson.

Ndërtimi i ambasadës amerikane ndodhë 19 vjet pas hapit të parë të pranisë së përhershme amerikane në Kosovë. Në qershor të vitit 1996 Shtetet e Bashkuara hapën në Prishtinë Zyrën Informative, e cila pas luftës u shndërrua në misionin e Shteteve të Bashkuara për t’u shndërruar në ambasadë pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008.

Në Kosovë vazhdon të çmohet shumë roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në të gjitha proceset nëpër të cilat ka kaluar vendi. Ky rol shihet i pazëvendësueshëm edhe në proceset e ardhme politike të Kosovës dhe përmbushjen e aspiratave të saj për integrimet euro atlantike. Shtetet e Bashkuara janë mbështetësit më të fuqishëm të pavarësisë së Kosovës të shpallur në shkurt të vitit 2008. Deri tash mbi 100 vende të botës e kanë pranuar pavarësinë e shtetit të ri e cila kundërshtohet ashpër nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia. Zyrtarët amerikanë kanë përsëritur në vazhdimësi se pavarësia është proces i pakthyeshëm dhe se Kosova është e bashkuar dhe e pa ndarë. Por, njëkohësisht ata kanë kërkuar që institucionet e Kosovës të marrin përgjegjësitë për ndërtimin e një shteti funksional, ringjalljen ekonomike, luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit dhe veçanërisht mbrojtjen e pakicave kombëtare. za

KOSOVA SHËNON 7 VJETORIN E NËNSHKRIMIT TË KUSHTETUTËS

Institucionet e Kosovës kanë shënuar sot shtatëvjetorin e nënshkrimit të Kushtetuës së Republikës.

Akti më i lartë juridik është nënshkruar më 9 prill të vitit 2008.

Presidentja Atifete Jahjaga e ka vlerësuar këtë si njërën ndër ditët më të rëndësishme të shtetësisë së Kosovës.

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës u aprovua si domosdoshmëri e kohës që do ta mundësonte krijimin e Kosovës së pavarur, por edhe si akt i cili ngërthen tërë sakrificën dhe angazhimin e gjeneratave të tëra, që punuan e u flijuan që ne – të gjithë ne – të frymojmë të lirë, që të jemi zot të vetvetes”, ka thënë Jahjaga.

Sipas saj, qytetarët duhet të jenë krenarë që kanë një Kushtetutë, e cila“shtrin sundimin e ligjit në tërë territorin e Kosovës”.

Kryeministri Isa Musatafa ka thënë, në anën tjetër, se Kushtetuta është një sublimim i heroizmit dhe mosnënshtrimit që ka treguar populli kosovar për vite dhe shekuj. rel

KURTI – QEVERIA SJELL PROJEKTLIGJ SI KRAHINË E VARUR

Seanca e Kuvendit ka vazhduar me debatin për projektligjin për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, ku Albin Kurti nga Vetëvendosje tha se me këtë projektligj Qeveria po pranon se dialogu nuk po zhvillohet me Serbinë por në mes Prishtinës dhe Beogradit.

Ai u ndal edhe te anëtarët e komisionit të kësaj Agjencie, ku në projektligj thuhet se tre janë shqiptar dhe dy nga zyra e BE-së, të cilat kanë kompetenca të mëdha.

“Projektligji e nënshtron Kosovën ndaj përfaqësuesit të BE-së, kjo për shkak të emërimeve të anëtarëve të këtij komisioni, një shtet i pavarur nuk sjellë këso ligje por këto projektligje janë në koloni vazale dhe krahina të varura”,
ka thënë ai. – VOAL

ZËRI I AMERIKËS – SERBIA ‘ZEMËROHET’ SËRISH ME EDI RAMËN

Beogradi reagoi me zemërim ndaj deklarateve të kryeministrit të Shqipërsië Edi Rama për bashkimi kombëtar me mjetet e shekullit XXI

Arkiv: Nga vizita e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Beograd në nëntor të vitit 2014Autoritetet serbe reaguan me zemërim ndaj deklaratave të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për bashkimin e shqiptarëve në Bashkimin Evropian dhe qasjen që duhet të ketë BE-ja ndaj këtij bashkimi.Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, citohet nga mjetet serbe të informimit të ketë thënë se “Kosova dhe Shqipëria, nuk do të bashkohen kurrë, në formën klasike. U lutem udhëheqësve shqiptarë që të ndalen së provokuari jo qëndrueshmërinë në rajon”, citohet të ketë thënë ai në një postim në rrjetin social Twitter.Edhe zyrtarë të tjerë serbë thanë se deklaratat e kryeministrit Rama “janë kërcënim për paqen dhe qëndrujeshmërinë në rajon dhe thirrje e rrezikshme për ripërcaktim kufijsh në Ballkan”.Reagimet pasuan një intervistë të përbashkët të kryeministrit, Edi Rama me ministrin e jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçi, në televizionin “Klan Kosova”, pak kohë pasi që të dy u nderuan me titullin “Qytetar nderi i Ulqinit”.Kryeministri Rama tha se “puna e përbashkët ndërmjet dy qeverive, asaj në Tiranë dhe në Prishtinë, është rruga e një bashkimi kombëtar me mjetet e shekullit XXI, në funksion të një Bashkimi Evropian”.

“Bashkimi i shqiptarëve të Shqipërisë dhe shqiptarëve të Kosovës, pasi këta janë në fakt shqiptarët që jetojnë në dy shtete shqiptare, dhe nuk flasim për të tjerët që janë në shtetet tjera, është i pashmangshëm dhe i padiskutueshëm. Pyetja është si do të ndodhë? A do të ndodh në funksion të Bashkimit Evropian si proces i natyrshëm dhe krejt i mirëkuptuar nga të gjithë? Apo do të ndodhë si reagim ndaj një verbërie apo një përtacie evropiane, për të kuptuar që vetë Evropa duhet të ndryshojë qasjen ndaj vetvetes, duke u kthyer nga një fuqi që gjithnjë e më shumë është e varur nga taktika e ditës në një fuqi strategjike?Një Evropë strategjike do të kërkonte që Ballkani të ishte pjesë e saj dhe që normalisht pastaj, të gjitha etnitë në Ballkan të kishin lehtësinë e të qenit së bashku, pa pasur nevojë që të merreshin me kufijtë. Ndërkohë që një Evropë verbërisht taktike në vijim do të bënte që të triumfonte me patjetër dhe pa asnjë mundësi të dytë, linja e një bashkimi, përsëri në funksion të një Evrope të ardhshme, por në radhë të parë në funksion të një të sotmeje ku shqiptarët nuk do ta pranonin për një kohë të gjatë këtë historinë “tërhiq e mos e këput” të Evropës dhe të kësaj qasjes “tërhiq e mos e këput” me njëri tjetrin”, tha kryeministri Rama.

Në këtë intervistë ai ka tërhequr vërejtjen që “nëse Evropa e shikon Ballkanin dhe zhvillimin në Ballkan si gjëra pa lidhje me fatet e saj dhe nëqoftëse Evropa nuk arrin të kuptojë që proceseve që janë përshkallëzuar falë paqes në rajon duhet t’ia bashkojë edhe vullnetin e vet për të përshpejtuar bashkëpunimin mes vendeve të rajonit dhe kështu të përshpejtojë integrimin, mundet vërtetë të bëhet pa dashje sponsore e nacionalizmave folklorik”.

Kryeministri Rama ishte zyrtari i parë i lartë shqiptarë që kishte vizituar Serbinë pas një ngrirjeje 68 vjeçare gjatë së cilës nuk është shënuar asnjë takim i nivelit të tillë ndërmjet dy vendeve, në radhë të parë për shkak të Kosovës.

Vizita e tij në vjeshtën e vitit të kaluar në Beograd kaloi në shenjë të përplasjeve me mikpritësin e tij Aleksandër Vuçiç, i cili reagoi me zemërim për shkak të deklarimeve të kryeministrit Rama në mbrojtje të pavarësisë së Kosovës, të cilën Serbia vazhdon ta kundërshtojë.

www.voal-online.ch

EKSPERTËT – POLITIKA NUK E PËRFILL KUSHTETUTËN, EDHE 7 VJET PAS MIRATIMIT, AJO NUK ZBATOHET

Kushtetuta e Kosovës edhe shtatë vjet pas miratimit vazhdon të mos zbatohet në disa aspekte të saj, thonë ekspertët e çështjeve kushtetuese dhe analistët politikë.

Profesori dhe eksperti i çështjeve kushtetuese, Riza Smaka, i cili ka qenë edhe anëtar i komisionit për hartimin e Kushtetutës, mendon se në Kosovë ende ka probleme të mëdha në zbatim e Kushtetutës.

“Politika duhet ta krijojë juridiken ndërsa juridika duhet ta komandojë politikën, përderisa nuk ndryshohet dhe nuk plotësohet. Në vendin tonë nuk është gjithmonë kështu, kështu që politika edhe e krijon dhe më pastaj pa e ndryshuar dhe pa e plotësuar, nuk e përfill, por i përfill politikat ditore qeveritare dhe kjo shkon në disfavor të shtetit të së drejtës”,
vlerëson Smaka për Radion Evropa e Lirë.

Kushtetuta e Kosovës është miratuar më 9 prill të vitit 2008, përderisa ajo kishte hyrë në fuqi më 15 qershor të po atij viti.

Analisti i çështjeve politike Halil Matoshi, konsideron se edhe pse Kushtetuta e Kosovës është një Kushtetutë moderne, praktikisht në shumë aspekte nuk zbatohet.

Ai madje thotë se Kushtetuta nuk zbatohet, sidomos sa i përket sundimit të ligjit.

“Kushtetuta si akti më i lartë juridik- politik, nga e cila kanë derivuar ligjet në shtetin e Kosovës, praktikisht mbetet vetëm në letër, ndërkaq nuk vërehet zbatueshmëria e saj në një përqindje shumë të madhe”,
tha Matoshi.

Profesori Riza Smaka, zbatimin e Kushtetutës në veri të Kosovës, por edhe në komunat me shumicë serbe e sheh si problem politik.

Ai thotë se në ato komuna të banuara me shumicë serbe vazhdojnë të funksionojnë struktura që mbështeten nga pushteti në Republikën e Serbisë.

“Çështja veriut është çështje specifike, por kryesisht është çështje politike edhe shprehje e raporteve të forcave në terren. Kjo është çështje e tillë edhe natyrisht edhe këtu politikat duhet të ishin më pro-aktive”,
tha Smaka.

Lidhur me shtrirjen e Kushtetutës në veri të Kosovës, analisti Matoshi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se në këtëpjesë të vendit “Kushtetuta nuk ekziston”.

“Në veri nuk sundojnë, nuk mbretërojnë ligjet në frymën e Kushtetutës së Kosovës. Praktikisht për veriun e Kosovës, Kushtetuta e Kosovës është inekzistente”, u shpreh Matoshi.

Ndryshe, institucionet e Kosovës kanë shënuar të martën shtatë vjetorin e nënshkrimit të Kushtetutës së Republikës.

Presidentja Atifete Jahjaga e ka vlerësuar këtë si njërën ndër ditët më të rëndësishme të shtetësisë së Kosovës.

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës u aprovua si domosdoshmëri e kohës që do ta mundësonte krijimin e Kosovës së pavarur, por edhe si akt i cili ngërthen tërë sakrificën dhe angazhimin e gjeneratave të tëra, që punuan e u flijuan që ne – të gjithë ne – të frymojmë të lirë, që të jemi zot të vetvetes”, ka thënë Jahjaga.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se Kushtetuta e Kosovës, është akti më i lartë juridik, që kurorëzoi pavarësinë e vendit. Ai shtoi se kjo ditë duhet të “jetë rikujtim i përkushtimit tonë për vlera evropiane”.

“Sot, të gjithë ne jemi në rrugë për të realizuar synimet tona. Do ta ushtrojmë sovranitetin në tërë territorin e Republikës së Kosovës, por po ashtu, do të shfrytëzojmë këtë sovranitet për t’iu krijuar qytetarëve tanë jetë më të mirë dhe më të begatshme, të gjithë atyre, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, fetare, gjinore ose ndonjë përkatësi tjetër”, ka thënë Mustafa.

Kushtetuta, Kosovën e definon si një shtet qytetar, me shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera, si dhe e definon Kosovën si një shtet laik.


Send this to a friend