VOAL

VOAL

Përse Syri.net e censuroi fjalën e Keda Kacelit?! Nga Elida Buçpapaj

November 13, 2022

Komentet

Çfarë po ndodh në Theth?- Nga SULEJMAN MATO

Çfarë po ndodh në Theth?
Shteti ka te drejta por ka dhe detyra per jeten e asaj popullate.
Shteti ka detyre per t’ ua njohur pronat dhe per t’i orjentuar ndertimet sipas nje plani urbanistik.
Por shteti, mbi te gjitha, ka detyre jetesen dhe mireqenien e banoreve te vet.
Kush eshte me e rendesishme per nje shtet social?
Ata jane banore te atij fshati malor qe nuk kane ikur nga trojet e veta por jetojne me punen e vet pa asnje ndihme nga shteti.
Pra, shteti jo vetem nuk i ndihmon por shkon dhe u pret dhe burimin e vetem te jeteses.
Çfare mund te besh ti o njeri nese ndodhesh ne rrethana te tilla?
I shkruaj keto radhe se dikur, kur u be elektrifikimi, kam jetuar disa dite mes mizerjes se jeteses se atyre njerezve bujare dhe fisnike.

Respekti ndaj policisë dhe përdorimi i forcës nga policia- Nga Aurel Dasareti, USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike

Po, policia duhet të respektohet. Respektimi i policisë është i rëndësishëm për një shoqëri që funksionon mirë, pasi ndihmon në ruajtjen e rendit dhe ligjit dhe krijon siguri për qytetarët. Policia ka një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e shoqërisë nga krimi dhe në zbatimin e ligjit.
***
Po, policia duhet të respektohet. Si pjesë e sundimit të ligjit, policia varet nga besimi dhe respekti i popullsisë për të kryer punën e saj në mënyrë efektive. Ky respekt është i ndërsjellë, dhe policia ka gjithashtu përgjegjësinë të veprojë profesionalisht dhe me respekt për të drejtat e individit.
Arsyet për të respektuar policinë:
• Zbatimi i ligjit (ruajtja e rendit dhe ligjit):
Policia është përgjegjëse për ruajtjen e rendit dhe ligjit, mbrojtjen e shoqërisë dhe zbatimin e ligjeve, dhe puna e saj është thelbësore për një shoqëri të sigurt dhe
mbrojtjes së qytetarëve. Një sundim i ligjit që funksionon mirë varet nga besimi midis policisë dhe popullsisë.
Puna e policisë i nënshtrohet udhëzimeve etike dhe ata duhet të veprojnë në mënyrë objektive dhe të paanshme.
Respekti dhe bashkëpunimi midis policisë dhe qytetarëve janë të rëndësishëm që policia të jetë në gjendje të kryejë detyrat e saj në mënyrën më të mirë të mundshme.
Të tregosh respekt për policinë është një shenjë e marrjes së përgjegjësisë sociale dhe e kontributit për një shoqëri të sigurt dhe që funksionon mirë.
Çfarë do të thotë të respektosh policinë:
Të trajtosh policinë me respekt, të përdorësh gjuhë të sjellshme dhe të shmangësh fyerjet ose kërcënimet.
Të bashkëpunosh me policinë kur ata kryejnë detyrat e tyre, siç është përgjigjja e pyetjeve ose ndjekja e udhëzimeve.
Mosrespektimi i policisë mund të çojë në përgjegjësi penale, siç janë gjobat ose, në raste të rënda, arrestimi.
Mungesa e respektit mund të çojë në trazira dhe konflikte, veçanërisht në situata kur policia duhet të zbatojë ligjin.
Është e rëndësishme të mbahet mend se policia ka gjithashtu përgjegjësinë të tregojë respekt dhe t’i trajtojë të gjithë me dinjitet.
Mbrojtja e shoqërisë: Policia punon për të mbrojtur qytetarët nga krimi dhe për të hetuar e ndjekur penalisht veprat penale.
Respekti për policinë- ndihmon në ndërtimin e besimit dhe bashkëpunimit të mirë midis policisë dhe shoqërisë. Kjo është e rëndësishme që policia të jetë në gjendje të kryejë punën e saj në mënyrë efektive.
Parandalimi i krimit– Policia punon gjithashtu në mënyrë parandaluese dhe prania e saj mund të ndihmojë në parandalimin e akteve kriminale.
Si të tregosh respekt për policinë:
Ndiqni udhëzimet e policisë- Kur policia kërkon diçka, duhet të ndiqni udhëzimet e saj, për sa kohë që është brenda kufijve të ligjit.
Duhet të jeni të sjellshëm dhe të respektueshëm, shmangni provokimin ose përballjen me policinë përveç nëse është absolutisht e nevojshme.
Nëse keni informacione që mund të ndihmojnë policinë në punën e saj, duhet t’ua jepni atyre këto informacione.
Respekti për policinë është një vlerë e rëndësishme në një shoqëri që dëshiron të ruajë ligjin dhe rendin. Duke treguar respekt për policinë, ju kontribuoni për një shoqëri më të sigurt dhe më të mirë për të gjithë.
***
Përdorimi i forcës nga policia rregullohet në Aktin e Policisë (i cili zbatohet në të gjitha shtetet demokratike, përfshirë Kosovën) dhe Udhëzimet e Policisë, dhe duhet të jetë gjithmonë i nevojshëm, proporcional dhe i justifikueshëm. Policia mund të përdorë forcë vetëm kur është e nevojshme për të kryer detyra zyrtare ose për të ruajtur qetësinë dhe rendin. Policia i nënshtrohet kontrollit politik, shoqëror dhe formal për të parandaluar abuzimin me pushtetin.
Detyrat e policisë janë të larmishme dhe përfshijnë, ndër të tjera, mbrojtjen e njerëzve, parandalimin e krimit, ofrimin e ndihmës dhe ndjekjen penale të veprave penale.
• Përdorimi i forcës mund të jetë i rëndësishëm në lidhje me të gjitha këto detyra, por gjithmonë duhet të ndodhë brenda kornizës së ligjit.
• Roli i policisë është gjithashtu të ruajë paqen dhe rendin, si dhe të mbrojë sigurinë si të individëve ashtu edhe të publikut të gjerë.
E rëndësishme për t’u mbajtur mend:
• Policia duhet të përpiqet gjithmonë të zgjidhë situatat pa përdorimin e forcës, nëse është e mundur.
• Është e rëndësishme që policia të jetë e trajnuar mirë dhe e pajisur për të qenë në gjendje të trajtojë situata të ndryshme në një mënyrë të përgjegjshme.
Megjithatë, si në çdo profesion, policia mund të kryejë një incident (të padëshirueshëm) në rastet kur detyrohet të përdorë forcë kundër një personi që është i rrezikshëm për rendin (për shembull për kalimtarët në rrugë) dhe për vetë policinë; për ta thënë ndryshe: një ngjarje e papritur dhe zakonisht e padëshiruar. Dhe, nëse çështja është serioze, ajo duhet të hetohet nga agjencitë përkatëse dhe më pas (nëse e meritojnë) ata duhet të shkarkohen si të paarsimuar, ose paraburgosen. Pra, asnjë paraburgim të policëve para hetimit.
Mungesa e policisë në nivelin e rrugës dhe vendet publike krijon pasiguri ose rrezik për të pafajshmit. Kjo mund të interpretohet si një shqetësim në lidhje me rritjen e krimit, mungesën e sigurisë ose pamundësinë për të trajtuar incidentet që kërkojnë ndërhyrjen e policisë.
Është e vërtetë që prania e policisë në rrugë mund të ketë një efekt parandalues ​​ndaj krimit dhe të ndihmojë në ruajtjen e qetësisë dhe rendit. Kur policia është e dukshme, ajo mund të veprojë si një pengesë për shkelësit e mundshëm dhe t’i japë popullsisë një ndjenjë sigurie.
10.07.2025
PS: Shpërndaje këtë letër.

Kur njoha Mirelën e vërtetë- Nga Prof. dr. ESHREF YMERI

Eshref Ymeri

Zonja Vilhelme Haxhiraj, në një Ese të ditëve të fundit, e ka vënë theksin me shumë të drejtë te shpërfillja e Akademisë së Shkencave dhe e institucioneve të kulturës ndaj veprave të krijuara pas vitit 1990. Ajo përmend edhe pesë fjalorët e mi frazeologjikë dygjuhësh, tre me autorësi dhe dy me bashkautorësi, të botuar në periudhën mes viteve 2015-2022. Botimin e katër prej tyre, në kopje të pakta, e pata përballuar me kursimet e pensionit tim. Për përgatitjen e këtyre fjalorëve pata punuar 50 vjet (1972-2012). Për botimin e fjalorit të parë frazeologjik, rusisht-shqip, iu drejtova tre milionerëve shqiptarë për ndonjë mbështetje financiare. Asnjëri prej tyre nuk denjoi të më kthente as përgjigje negative. Atëherë vendosa t’i drejtohem ministres së kulturës, Zonjës Mirela Kumbaro, me të cilën kemi qenë pedagogë-kolegë në katedrën e përkthimit, që mbulonte të gjidha gjuhët e huaja të Fakultetit të gjuhëve të huaja të Universitetit të Tiranës. Gjatë asaj kohe kam pasur përshtypje shumë të mira për Profesoreshë Mirelën: ishte shumë e thjeshtë, mjaft e sjellshme dhe me takt shembullor në komunikimin me të gjithë kolegët. Pra, dallohej për etikë intelektuale. Prandaj krijova bindjen e plotë se ministria që ajo drejtonte do të më ndihmonte me ndonjë mbështetje financiare sado të vogël për botimin e fjalorit. Ja letra në vijim që i dërgova me internet:

———- Forwarded message ———-
From: Eshref Ymeri [email protected]
Date: 2014-05-11 4:49 GMT-07:00
Subject: Përshëndetje, Zonja Ministre
To: [email protected]
Prof.as.dr. Mirela Kumbaro
Ministre e Kulturës
E nderuara Zonja Ministre,
Më lejoni të kem nderin t’Ju drejtohem me një kërkesë për sponsorizimin e botimit të Fjalorit Frazeologjik Rusisht-Shqip me një shumë prej 200 mijë lekësh (2000$). Fjalori ka një vëllim prej 1255 faqesh kompjuterike dhe atë do ta dërgojë në shtyp Shtëpia Botuese EDFA, me drejtor dr. Fatmir Xhaferri.
Me respekt
Prof.dr. Eshref Ymeri
Tiranë, 06 maj 2014

Prita përgjigje, qoftë edhe negative, por më kot. Me sa duket, Profesoresha-ministresha nuk qenkej më ajo pedagogia e dikurshme aq e thjeshtë e frëngjishtes. Përkundrazi, sapo i kishte hyrë politikës dhe ishte bërë anëtare e qeverisë së Ramës, hunda i paskej hipur në lis, ndaj dhe nuk denjoi kurrsesi të merrej me një pensionist hesapi, si puna ime, për t’i kthyer përgjigje.

Në një status të saj, të botuar në internet, Profesoresha-ministresha Mirela Kumbaro, me rastin e ftesës që i kishte bërë Rama për ta bërë anëtare të qeverisë, ja çfarë ka shkruar:

“Mos shko”, – më tha im atë, – kur i thashë per ftesën që më bëri Edi Rama dhe Partia Socialiste për t’iu bashkuar skuadrës së Rilindjes në ndërtimin e qeverisë së re. “Politika është e pabesë, e vështirë, do të të njollosë”. Gjithmonë kam gjetur ujdinë me tim atë. Kësaj radhe nuk e gjeta. Unë vendosa të kaloj rubikonin dhe të futem në politikë, duke marrë përsipër detyrën e ministrit të kulturës. Ai mbeti i pezmatuar, i trishtuar, plot ankth duke ndjekur çdo ditë mediat dhe titujt e gazetave që kur një grua del në mejdan të politikës nuk ta kursen baltën dhe fyerjen, dhe, si për të refuzuar përjetësisht këtë spektakël banal, ku nuk mund ta shihte të bijën të ndotej, vendosi ta ndalte jetën pak javë pasi unë e “zhgënjeva,” duke mos i shkuar për fije deshirës se tij, por më parë më la amanet Gjirokastrën. Ndërkohë unë, pas 25 vitesh, kur politika jo rrallë më kishte zhgënjyer, kur politikanë, gjithëfarë, nuk më frymëzonin më, për të parën herë pashë një dritë dhe një energji të re, një vullnet se mund të kalojmë, më në fund, nga tranzicioni në zhvillimin e qendrueshëm dhe modern” (Citohet sipas: “Rrëfimi i Mirela Kumbaros, tregon çfarë i tha babai kur Rama e bëri ministre”. Faqja e internetit “Libohovaonline”. 16 maj 2016).

Pra, Profesoresha-ministresha Mirela Kumbaro nuk dëgjoi këshillën e urtë të Babait të saj, sa të zgjuar, aq edhe fisnik. Ajo braktisi punën si pedagoge universiteti dhe vendosi të hyjë në botën e politikës, e cila në Shqipërinë e demoshëmtisë është burim pasurimi të jashtëzakonshëm. Babai i saj i ndjerë e kishte parashikuar me saktësi se e bija e tij do të ndotej keq, do të njollosej paq në pellgun e politikës. Dhe parashikimi i Tij profetik u bë realitet, çka e dëshmon me fakte konkrete Platforma e respektuar mediatike “Pamflet”. Ja dëshmia konkrete:
“Emri “Mirela Kumbaro”, ka dalë në 23 afera të rënda shkatërruese për kulturën, mjedisin e turizmin, por dhe me dëme financiare e pasurore afro 2 miliardë Euro, sipas KLSH-ës e Auditeve të Ministrisë së Financave, shkaktuar me vendimet dhe urdhërat e saj në pazaret që ka bërë. P.sh., emri i saj doli në dosjen hetimore të arrestimit të ish-ministrit Ilir Beqja, ku rezultoi se, bashkë me të, ka vjedhur 462 milionë lekë, duke sajuar të njëjtin tender paralel fiktiv si Ilir Beqja, për akomodim të delegacioneve të BE, por SPAK nuk e futi në dosjen hetimore” (Citohet sipas: “Firmat e Mirela Kumbaros kanë dalë te mbetjet dhe në 23 afera të rënda, pse bën diferencime SPAK”. Faqja e internetit “pamflet.net”. 28 gusht 2024).

Duke shpërfillur Këshillën e Artë të Babait, Profesoresha e Universitetit Mirela Kumbaro pati kuturinë ta tradhtojë Prindin e vet mendjendritur dhe të hyjë me guxim në llagëmet e politikës, të cilat, në vendin tonë, kur të mungon forca e karakterit, të njollosin kokë e këmbë, por ama edhe të pasurojnë deri në nivele përrallore. Pikërisht në raste të tilla provohet më së miri karakteri i njeriut përballë joshës së politikës dhe të parave që rrjedhin prej saj. Dhe jeta e vërtetoi se Profesoreshës-ministreshës Mirela Kumbaro i paska munguar forca e karakterit.

Shkencëtari-enciklopedist francez Zhan Leron Dalamber (Jean Le Rond D’Alembert – 1717-1783), filozof dhe matematikan, ka thënë:
“Nuk ka asgjë më të rrezikshme në shoqëri, sesa njeriu pa karakter”.
Për ta justifikuar tradhtinë ndaj Babait të vet në vitin 2013, kur rilindja neokomuniste erdhi në pushtet, Profesoresha Mirela Kumbaro, pas ftesës së Ramës, na paskej krijuar bindjen se paskej nisur “një dritë dhe një energji të re, një vullnet se mund të kalojmë, më në fund, nga tranzicioni në zhvillimin e qendrueshëm dhe modern”. Por gjatë këtyre 12 vjetëve, jeta vërtetoi konkretisht se qeverisja neokomuniste e Ramës dhe e bandës rreth tij, kaq rëndë e ka varfëruar ekonomikisht pjesën dërrmuese të njerëzve, saqë kjo solli si pasojë shpopullimin tragjik të vendit, të shoqëruar edhe me vjedhjen skandaloze të votave sipas mënyrës djallëzore të “trenit bullgar”. Ja çfarë ka shkruar analisti i njohur Fatos Lubonja për gjendjen e Shqipërisë gjatë sundimit 12-vjeçar të Ramës dhe të bandës së tij:
“Një vend me 2 milion banorë prodhon kriminelë më tepër se Brazili që është 212 mln banorë dhe Kolumbia 15 mln… Zotëria është përgjegjës që e ka shndërruar Shqipërinë në inkubator krimi” (Citohet sipas: “Lubonja për replikat Rama-Farage: Shqipëria inkubator krimi, kjo është shqetësuese” (Faqja e internetit “Politiko”. 03 korrik 2025).

Pra, ja kjo është Shqipëria e vërtetë, e cila ka rënë viktimë e hajdutërisë së qeverisjes së bandës së Ramës. Nuk dihet nëse Profesoresha-ministresha Mirela Kumbaro jep ose jo mësim si pedagoge e jashtme në Fakultetin e gjuhëve të huaja. Sepse nëse jep, atëherë është për të lënë mendjen se si ka fytyrë të dalë para studentëve në auditor si Profesoreshë-ministreshë hajdute?!
Dëshiroj t’i kujtoj Profesoreshë-ministreshës Mirela Kumbaro se “mendjemadhësia, – sipas Uiliam Shekspirit (William Shakespeare – 1564-1616), – është një material i dobët, ajo është si puna e asaj pëlhurës, e cila, sa herë të lahet, vjen e hyn në ujë”. Ndërsa shkrimtari francez Labryjer (La Bruyère – 1645-1696), një mjeshtër ky i publicistikës aforistike, thotë:
“Mendjemadhësia është i vetmi shkak që na bën ta mbajmë hundën aq përpjetë para atyre që janë poshtë nesh dhe të zvarritemi aq paturpësisht para atyre që janë sipër nesh”.

Kësisoj, Profesoresha-ministresha Mirela Kumbaro përfaqëson “heroinën” kryesore të shprehjes aforistike të personalitetit të letrave franceze. Domosdo, se mendjemadhësia dhe servilizmi prehen në formimin e saj si dy kategori morale. Në faqen e internetit “Dritare” të datës 26 mars 2016, ka pasë qenë botuar artikulli me titull “Mirela Kumbaro rrëfen a qau për Ramën”. Dhe servilizmi ndaj Ramës pati shpërthyer me të qeshurat e saj vesh më vesh gjatë zhvillimit të fushatës zgjedhore të vitit 2017 në Tepelenë, kur, në njërin nga takimet me zgjedhësit, kryemjeshtri i servilizmit ndaj kryepolitikanëve komunistë dhe neokomunistë, Golik Jaupi, ia pati marrë këngës, kushtuar Ramës, duke iu drejtuar me vargjet:
“Ja e bën ti Shqipërinë,
Ja të tërë ramë në greminë”,

Dhe Rama, gjatë këtyre 12 vjetëve, “e bëri” Shqipërinë me varfërimin tragjik të njerëzve. Le të flasim me gjuhën e fakteve.

Në një informacion, të botuar në shtyp një vit e gjysmë më parë, thuhet se “… përgjatë çdo viti të dekadës së fundit, një qytet me 40,000-42,000 banorë, u fshi nga harta e Shqipërisë, duke qenë se kjo është një popullsi demografike mesatare e qyteteve tona. Pra, bashki të tilla si: Mallakastra, Librazhdi, Mati, Cërriku, Belshi, Vau i Dejës apo Vora, të cilat kanë një popullsi rreth 40,000 banorë, janë asgjësuar nga harta e Republikës së Shqipërisë, nga viti në vit. E shprehur më thjesht, çdo vit ne kemi humbur nga një bashki dhe kjo është ulëritëse. Kjo analizë induktive bëhet mbi të dhënat zyrtare të INSTAT, imagjinoni se sa e frikshme duhet të jetë situata reale në terren e shpopullimit demografik” (Citohet sipas: Miranda Rira. “Shpopullimi masiv, drama më e madhe e shqiptarëve në shekullin XXI”. 19 janar 2024).
Në mbyllje dëshiroj të theksoj se për ta njohur Profesorshën-ministreshën e vërtetë Mirela Kumbaro, më pati ardhur në ndihmë edhe Napoleon Bonaparti (1769-1821), i cili u pati lënë brezave pasardhës një fjalë të urtë të shkëlyer:
“Jepi njeriut pushtet dhe ke për ta njohur se kush është ai“.

Kaliforni, 04 korrik 2025

HAPPY 4-TH OF JULY, 2025, AMERICA!- Nga FRANK SHKRELI

Të nderuar miq –Uruar të gjithëve 4 Korrikun! Amerika sot po feston 249-vjetorin e Pavarësisë të lirisë e demokracisë — në përgatitje për të festuar vitin që vjen 250-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.  Presidenti Ronald Reagan ka paralajmëruar bashkatdhetarët e tij kur ishte gjallë se “Liria nuk  është kurrë më larg se një brez nga zhdukja…”: “Freedom is never more than one generation away from extinction. We didn’t pass it to our children in the bloodstream. It must be fought for, protected, and handed on for them to do the same, or one day we will spend our sunset years telling our children and our children’s children what it was once like in the United States where men were free.”  Sa me vend ky paralajmërim i Presidentit Ronald Reagan.
50-vjet më parë, si student i ardhur rishtas në këtë vend në Nju Jork, si refugjat politik  jam përballuar me një frymë socialiste-komuniste në bankat e shkollës  — një frymë që promovohej nga profesorët e mi. Merreni me mend, si student i arratisur nga komunizmi, i ardhur në Amerikë në vitin 1970 për të gëzuar lirinë e demokracinë amerikane–  të dëgjoja lavde dhe merita të komunizmit e socializmit, si alternativa për demokracinë amerikane. Në atë kohë u mundova të shpjegoja përvojën time nën komunizëm me disa shkrime modeste dhe argumente të cilët qendrojnë edhe sot e kësaj dite, si më poshtë. Nuk e di nëse sot 50-vjet më vonë është një përputhje rasti a po një përsëritje e historisë.
Por për fat të keq, ja ku jemi sot, në 249-vjetorin (në prak të 250-vjetorit) të Pavarërsisë së Shteteve të Bashkuara — një kërcënim tjetër ndaj lirisë dhe demokracisë amerikane. Në qytetin më të madh të Amerikës — në Nju Jork — qëndrën kryesore të kapitalizmit dhe të financave në botë — ngre kryet e shëmtuar një kandidat për kryetar bashkie që haptazi e deklaron veten socialist-demokrat, i cili fitoi zgjedhjet paraprake të Partisë Demokrate amerikane kohët e fundit –duke promovuar qendërime politike radikale që nëse fiton në zgjedhjet e përgjithëshme në nëntor, politikat e tija të prononcuara, do të shkatërrojnë qytetin e Nju Jorkut, nga ai që e njohim sot. Kemi të bëjmë me një të ri 33-vjeçar i pa përvojë politiko-ekonomike — një djalosh i lindur në Ugandën e Idi Aminit — Kasapit të Ugandës — i quajtur Zohran Mamdani, “soscialist-demokrat”, që disa e quajnë komunist e që është bërë shtetas amerikan vetëm 7 vite më parë. Siç duket një gënjeshtar i pa identitet — që sipas gazetës Nju Jork Tajms në të kaluarën, herë është deklaruar me origjinë indiane e herë si zezak e herë të tjera afrikano-amerikan. Faji, natyrisht, është i votuesve të Partisë Demokrate në Nju Jork që votuan për një socialist, plani i të cilit është të falimentojë, financiarisht, Nju Jorkun me politikat e tija socialisto-komuniste.
Edhe amerikanët — përfshir shqiptaro-amerikanët — duhet të zgjohen — në këtë ditë të Pavarësisë — dhe të dëgjonë fjalët e Ronald Reaganit se, “Liria nuk është kurrë më larg se një brez nga zhdukja…” — Gëzuar Ditën e Pavarësisë — Ditën e Lirisë e të Demokracisë!

Sot shumica e njerëzve në Perëndim janë të pandjeshëm kur sistemet autoritare torturojnë njerëzit në diktatura Nga Ivana Stradner

 

VETËZBULIMI I VOTËS SË FSHEHTË, PËRBËN KRIM ELEKTORAL- Nga IDRIZ ZEQIRAJ

      “Sa të rroç, do të mësosh”, – thonë vëllezërit tanë jugor. Me keqardhje e dhimbje të madhe, për partinë e Presidentit Rugova, mësuam atë që nuk e prisnim kurrë! “Në Kryesinë e LDK-së morëm vendimin që deputeti ynë të votojë fshehurazi, por pa e hedhur fletën votuese në kutinë zgjedhore, ta trgojë adresimin e votës së “fshehtë!” Shpalosjen e këtij “xhevahiri” unik, kryetari LDK-së, Lumir Abdixhiku, e bëri publik në debatin televiziv. Këtë e “arsyetoi” se e kërkuan dy deputetet e përfolura, Marigonë Geci dhe Serbeze Kabashi-Muqaj, pasi i kontaktoi hapur LVV, në kërkim të votës së tyre. Dhe, kjo është krejt normale për në subjekt politik, me fitore plebishitare, duke vjelur vota sa e gjithë opozita e marrë së bashku, por të pamjaftueshme për votimin e kryetarit të Kuvendit.
     LVV i kontaktoi pikërisht dy deputetet në fjalë, duke parë reagimet e tyre dinjitoze dhe me integritet të plotë, për zgjidhjen e ngërçit kuvendor. Deklarimet e tyre të hapura dhe të sinqerta, ndoshta, nuk i pëlqyen shefit të LDK-së dhe ngjallën dyshimin se ato mund të mos jenë pjesë e votimit të tufëzuar, blegtoral. Dhe, kjo e nxiti kryetar Lumirin, të bëjë atë deklarimin fatal të vetëzbulimit publik të votës së fshehtë të deputetëve të LDK-së!
     Marigonë Geci, mbesa e bajraktarit të Llaushës, të ekzekutuar nga soldateska serbo-sllave, deklaroi hapur se nuk voton rikthimin në pushtet të PDK-së të kriminalizuar. Kjo parti ka përgjakur LDK-në dhe Kosovën, përfshi edhe familjen Geci, të cilën me Komunikatën numër 59, kërkonte eliminimin politik dhe fizik të saj. Për pasojë, u vranë gazetari Bekim Kastrati, truproja e Presidentit Rugova, Besim Dajaku dhe u plagos babai i Marigonës, Gani Geci. Edhe pse dihen urdhërdhënësit dhe ekzekutorët, drejtësia e kapur nga PAN-i, çuditërisht dhe kriminalisht, i ka fshehur dhe heshtur krimet.
     Serbeze Kabashi-Muqaj, e specializuar në mjekësi, në Mannheim të Gjermanisë, tani doktoreshë dhe profesoreshë në Universitetin e Prishtinës. Është e bija e Ragip Kabashit, mërgimtari dhe veprimtari i hershëm të Shoqatës “Nëna Tereze”; të Shoqatës së njohur “Dardania”, aktivist i Fondit të 3 %-it; i LDK-së dhe pjesëmarrës në të gjitha aksionet për Kosovën në paqe dhe në luftë. Një humanist i përkushtuar, burrë i dashur, komunikues i shkëlqyer, i matur, i mençur dhe fisnik. Dhe, doktoreshë Serbezja ka trashëguar mjaft nga cilësitë e të atit, deri në përmasën “më bëjë baba të të ngjaj”. Si deputete rishtare, e përgjegjshme, e përkushtuar, për ta përmbushur premtimin publik, të dhënë zgjedhësve të saj dhe të Kosovës mbarë, e përjetoi rëndë ngërçin kuvendor. Andaj, bëri thirrje publike, për një zgjidhje të shpejt e fatlume, pa e fajësuar ndonjë subjekt politik me emër.
     Vendimi i paprecedent i Kryesisë të LDK-së, ka shokuar jo vetëm anëtarësinë, elektoratin dhe shqiptarët, sepse nuk e prisnin këtë poshtërim, për deputetët e saj të zgjedhur me votën e lirë dhe demokratike. Është një vendim unik, një lajthitje, që nuk i bënë nder një partie veterane të demokracisë, bërëse e paqes dhe e luftës, themeltare e shtetit të  Kosovës. Dhe, pikërisht, kjo e rëndon, madje skajshëm, lidershipin aktual të LDK-së, për censurimin e demokracisë!
     Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, duhej të mblidhej të nesërmen e publikimit të deklarimit të kryetarit Abdixhiku, për vendimin monstrum, ta demantonte, duke e zhbërë atë, me qortimin e madh se metoda të tilla kontrolli të votës së fshehtë, nuk mund të jenë praktikë e LDK-së zë madhe të Presidentit Rugova. Heshtja për këtë krim partiak elektoral, duhet thyer nga vetë partia.
    Edhe KQZ duhet të reagojë dhe ta ndalojë me rregullore e ligj, ashtu siç ndëshkon fotografuesit e votës së blerë. Heshtja, fshehja e krimit, inkriminon edhe aprovuesin, duke e bërë pjesë të krimit. Ndërkohë KQZ, pas këtij skandali të legalizuar, duhet të mbikëqyrë, pa cenuar  fshehtësinë e votimit, të gjithë procesin votues, që mund të bëhet përmes telefonit.
 
        Votimi i fshehtë është parësor, votimi i hapët është pjellë e diktatorëve
     Qysh kur bota ka krijuar institucione shtetërore, ka lindur edhe votimi i fshehtë. Votimi i fshehtë ka degjeneruar në votimin aklamativ, të hapur|, përkatësisht, fiktiv, të rrejshëm, kur diktatorët kanë dashur të mbijetojnë pushtetin e përjetshëm, respektivisht, deri në ngordhje. Po të mos ndodhte ky degjenerim, kriminelët, si Hitleri, Stalini, Enver Hoxha, Pol Pol Poti dhe soji i tyre, nuk mund të qëndronin në pushtet të pa limit. Por, as bastardë si Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Isa Mustafa, nuk mund të ricikloheshin ndër vite. Është vota e hapur e Këshillit të Përgjithshëm që e solli LDK-në në 10 %!
Më në fund, “u mbars mali dhe polli një mi”, – thotë një urtësi. Kështu ndodhi me Gjykatën Kushtetuese, fundoi ashtu siç pritej. Sistemi i drejtësisë, përfshi edhe Gjykatën Kushtetuese të hymnizuar, qëllimshëm, nga PAN-i kriminal. Në 47 faqet arsyetuese të saj shpërndanë mjegullnajë, për ta kamufluar të vërtetën absolute: “Votimi për krykuvendarin bëhet i fshehtë, i hapur dhe në forma tjera”, thuhet në tekstin bazë të Kushtetueses. Duhej të kalonin 5 (pesë) muaj të shqyrtimit, për ta gatuar këtë “çorbë të thartuar”, diçka si në stilin e veprave penale të parashkruara, nga gjykata tona mafioze!
     Potere e zallamahi, si një kor i çakorduar, analistë e juristë të opozitës, shkretonin, si me komandë: “Ne kishim të drejtë, ligji duhet të ndëshkojë LVV, për prolongimin, zgjatjen e konstituimit të Kuvendit!” Ndërkohë, Gjykata në vend që ta trajtojë çështjen juridikisht, ajo veproi politikisht! Megjithatë, nuk i mjaftuan të 47 faqet, për ta dhënë verdiktin që shënon Kushtetuesja me një fjali ose, së shumti, edhe periudhë të vetme.
     Tashmë, nuk ka asnjë dyshim se opozita, mediat, e ashtuquajtura “Shoqëria civile” korruptive, disa nga sindikatat e manipuluara, Edvin Rama me social-komunistët e tij, OVL e UÇK-së bashkëpunuese e hapur me Beogradin,i cili ia besoi dosjet e Gjykatës së Hagës, me qëllim të nxitjes të vëlla-vrasjes nder shqiptare, përfshi edhe Listën Serbe, janë palë me politikën e Serbisë, për ta rrëzuar Qeverinë Kurti, sepse me gjithë kundërshtinë e kësaj lukunie monstrume, arriti ta shtrijë sovranitetin në veriun e Kosovës. “Veriu i Kosovës është tokë e askujt”, thoshte Rama i Tiranës; “veriun nuk e administrojmë, e kemi humbë”, thoshte Hashimi; “unë nuk kam tokë për të falë”, thotë Albini.
     Prandaj Kurti po i fiton votat e shqiptarëve të Kosovës dhe zemrat e shqiptarëve të botës! Thënë troç, populli jo vetëm që nuk e donë PAN-in në pushtet, por edhe e urren, për krimet vrastare numerike dhe makro-hajninë zyrtare. Lidershipi i ri i LDK-së qe zotuar se nuk do të jetë më -bisht e patericë- e PDK-së, e cila po e nxitë LDK-në marrëzira kundër LVV, ndërsa vetë po zgërdhihet në anësore, për veprimet e tellallit të saj, LDK-së!
    Anëtarësia, elektorati, por edhe populli e shqiptarët e kudondodhur po i gëzoheshin LDK-së të ringjallur. Por, me qëndrimet e fundit, flirtet e hapura me partinë-bandë PDK-në; refuzimi i ftesës për bashkëqeverisje me LVV, ka ngjallur dyshimin e bazuar, se ajo, sërishmi, po kthehet në prehrin e persekutores të saj, PDK-së. Sjelljet, veprimet aktuale, flasin për vartësinë e serishme nga PDK-ja, përgjakëse e LDK-së dhe e Kosovës.
     LDK- ja e ka shansin ideal, për ta bërë aktin atdhetar,  duke e lënë PAN-in në opozitë, duke u dhënë kohë dhe ndihmuar që subjektet e tij në koalicion, PDK-AAK-NISMA të reformohen, më saktë, të riformohen, duke u spastruar nga kriminelët, tashmë, të konfirfmuar me procese gjyqësore vendore e ndërkombëtare. Lexoni listën emërore të deputetëve të PAN-it, për t`u bindur se duhet një “fshesë e hekurt”, për këtë pastrim të domosdoshëm.
     Në të kundërtën, organet kompetente të Kosovës duhet të fillojnë procedurën e shpalljes së jashtëligjshme të këtyre subjekteve rrastë të kriminalizuara. Sepse Kosova nuk mund të ecën para, me krime nëpër këmbë.
    Reflektimi i LDK-së, është urdhëresë e kohës. Sa më parë, aq më mirë. Përndryshe, druaj së kohë të vështira do të na presin!?

Congratulations on the 4th of July – Independence Day for the United States of America – By Isuf B. Bajrami

On this holy day for our American friends, convey the most sincere congratulations to the citizens and the state of the United States of America.
July 4 is not only an American holiday, it is a symbol of the victory of freedom over tyranny, it is a symbol of unity and democracy!
Of the right to build a state based on the will of the people and of a vision that still today inspires peoples who want to be free and sovereign.
We Albanians, wherever we are, feel this day as ours!
It is no coincidence that the USA has been and remains the most powerful pillar in the recognition and protection of our national rights.
It is the most special case in the liberation and state-building of Kosovo.
Happy July 4th, America’s Independence Day!
Place of Leka, 04.07.2025

Urim me rastin e 4 Korrikut – Ditës së Pavarësisë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Isuf B.Bajrami
Në këtë ditë të shenjtë për miqtë tanë amerikanë,përcjelli urimet më të sinqerta, për qytetarët dhe shtetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
4 Korriku nuk është vetëm festë amerikane,është simbol i fitores së lirisë ndaj tiranisë,është simbol i unitetit dhe demokracisë! I të drejtës për të ndërtuar shtet mbi vullnetin e popullit dhe i një vizioni që frymëzon edhe sot popujt, që duan të jenë të lirë dhe sovranë.
Ne shqiptarët kudo që jemi , e ndiejmë këtë ditë si të tonën!
Jo rastësisht SHBA-ja ka qenë dhe mbetet shtylla më e fuqishme në njohjen dhe mbrojtjen e të drejtave tona kombëtare në vazhdimësi.
Është rasti më I veçantë,në çlirimin dhe shtet-ndërtimin e Kosovës.
Gëzuar 4 Korrikun,ditën e Pavarësisë Amerikë!
Vendi i Lekës, 04.07.2025

Debati bëhet pati apo nuk pati zgjedhje, votime të lira- Nga ARTAN FUGA

Debati bëhet pati apo nuk pati zgjedhje, votime të lira.
Pikërisht kjo është zhvendosja nga çështja e vërtetë.
Problemi është a ka apo nuk ka më parti politike?
A ka apo nuk ka më Kuvend ?
A janë deputetët përfaqësues të popullit?
A ka më ndarje pushtetesh apo nuk ka?
A ka vërtet qytetar apo jo?
A ka më ekonomi?
Këta grinden a pati apo jo zgjedhje? Këtu s’pati fare kandidatë për deputetë se shumica ishte kukulla.
Këta problemin e kanë :
A ishte kryqi brenda apo kishte dalë pak kutisë së fletës së votimit?
Çfarë tragjikomedie!

Ne kemi kujtimet tona, ato nuk do të vdesin kurrë- Nga Aurel Dasareti, USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike

Njerëzit janë të vetmet krijesa tek të cilat emocionet janë të lidhura me kujtimet. Kujtimet janë jeta, të terrorizuarit dhe të  zhdukurit e pafajshëm i takojnë historisë dhe zemrave të dëshmitarëve okular, familjarëve dhe dashamirëve!
***
Me frazën “kujtimet janë jeta” kam theksuar se sa të rëndësishme janë kujtimet në formësimin e përvojës sonë të jetës. Ajo sugjeron që kujtimet nuk janë vetëm përvoja të ruajtura në mënyrë pasive, por se ato kontribuojnë në mënyrë aktive në ndjenjën tonë të identitetit, kuptimit dhe vazhdimësisë. Pa kujtime, do të humbnim një pjesë të rëndësishme të vetes dhe të kuptimit tonë për botën. Secili prej nesh ka kujtime për një anëtar të familjes ose të afërm, miq, shokë, kolegë që nuk janë më me ne. Fati është i njëjtë, sot jemi gjallë por jeta ka një fund. Kemi kujtime për ata që nuk janë më me ne, por edhe pasardhësit tanë do të kenë kujtime për ne kur të jemi në botën tjetër. Prandaj, tema në fjalë është e përgjithshme, kujtimet janë jetë, pavarësisht faktit se ka disa mënyra për ta interpretuar frazën:

• Kujtimet përcaktojnë se kush jemi:
Përvojat tona, si pozitive ashtu edhe negative, formojnë vlerat, qëndrimet dhe reagimet tona. Ato janë themeli i personalitetit tonë dhe i vetë-kuptimit tonë.

• Kujtimet japin kuptim:
Duke kujtuar ngjarjet e kaluara, ne mund të shohim modele, të mësojmë nga gabimet tona dhe të vlerësojmë kohërat e mira. Kjo i jep kuptim jetës sonë dhe na ndihmon të orientohemi drejt së ardhmes (të lundrojmë në të ardhmen).

• Kujtimet krijojnë vazhdimësi:
Kujtimet janë ura lidhëse midis të kaluarës, të tashmes dhe të ardhmes. Ato na japin një ndjenjë lidhjeje dhe vazhdimësie, edhe kur përballemi me sfida ose ndryshime.

• Kujtimet janë një burim:
Në kohë të vështira, kujtimet e përvojave të mira mund të na japin ngushëllim, shpresë dhe motivim. Ato gjithashtu mund të përdoren si një burim në terapi dhe në punën me kujtesën për të përpunuar traumën ose për të promovuar shëndetin mendor. Ato gjithashtu mund të përdoren si burim në terapi dhe punën e kujtimeve për të përpunuar traumën ose për të promovuar shëndetin mendor.

• Kujtimet janë të gjalla:
Kujtimet nuk janë statike. Ato mund të ndryshojnë dhe të ndikohen nga përvoja dhe perspektiva të reja. Kjo i bën ato një pjesë dinamike dhe të rëndësishme të përvojës sonë të jetuar.

Në praktikë, mund të lehtësohet krijimi dhe ruajtja e kujtimeve të mira përmes masave të ndryshme, të tilla si dokumentimi i ngjarjeve (foto, video, ditarë), ndarja e kujtimeve me të tjerët dhe pjesëmarrja në aktivitete që ofrojnë përvoja pozitive. Në kujdesin për demencën, puna e kujtesës përdoret në mënyrë aktive për të ndihmuar njerëzit me demencë të mbajnë kontaktin me të kaluarën e tyre dhe të ruajnë identitetin e tyre.
***
Koha kalon. Kujtimet kthehen. Së bashku me prindërit e mi vizituam atdheun e paraardhësve tanë, Shqipërinë.
Shkodër. Po binte shi. Varret e prindërve të gjyshit i nderuam me buqeta me lule. Një varrezë në shi ishte gjëja më e trishtueshme për të parë, sepse shiu na bëni të mendojmë për lotët. Ndërsa dielli i ngroh fushat, ndërsa lisi fryn, varri fsheh të vdekurin, ndërsa zemra e gjallë i rreh! E tash e fsheh dheu i zi, dhe bari i blertë i mbuloi varrin. Atdheu ynë i bukur, o tokë e dashur heroike, lavdia e vjetër e gjyshit, që të jetë gjithmonë i lumtur! Edhe në jetën pas vdekjes…
02.07.2025

Mjafton edhe kjo bisedë- Nga PËRPARIM KABO

Mjafton edhe kjo bisedë.
Tek udhëtoja me taksi për në universitet, e pyeta shoferin: – Si të ecën puna?
– Po mirë, çka! E kam punë të dytë këtë. Punoj edhe te zjarrfikëset, 24 orë , pastaj tri ditë pushim. Ato ditë punoj taksist. Nuk del ndryshe.
– Sa paguhesh si zjarrfikës?
– Ç’e pyet, 520 mijë lekë të vjetra.
– Po ti je thjesht shofer apo edhe zjarrfikës?,-e ngava bisedën.
– Unë i bëj të gjitha: shtroj zorrë dhe fik zjarrin.
– Qenka turp e faqe e zezë ,-i thashë
– Ore kemi qenë më keq. E kemi pasur 390 mijë. Kur erdhi austriaku, u habit.
– Nē javë merrni kaq??
– Jo ,-i thamë ,në muaj.
Ai na shpjegoi se në Austri , ky profesion, sa fillon punë, vlerësohet me pagë mujore 2500 euro, plus paga e 13 dhe sigurim të veçantë jete. Me vjetërsi, paga rritet. Nëse s’ke shtëpi, komuna të jep shtëpi ,me një qira fikse, 300 euro në muaj, derisa të kesh nevojë…, edhe kur del në pension.
Pashë dje zjarrin në plazhin e Durrësit dhe ndihmën e disa vullnetarëve ,që hiqnin veturat nga buzërruga.
Në Austri, – vijoi shoferi,-çdo vullnetar që ndihmon për fikjen e zjarrit, i jepet 100 euro për njê orë ndihmë të dhënë.
Stina e verës ka ardhur përvëluese. Zjarrfikësat do pērballen herët ose vonë me flakët, por me këtë pagesë mujore, nuk ecet më.
Edhe diçka: Jashtë vendit, në çdo trotuar, sheh tuba uji të kuq në pozicion vertikal. Në raste zjarri, tubat e pompave të zjarrfikëseve lidhen menjëherë atje. Tek ne,mbaron uji në mbajtës, makina zjarrfikëse duhet të shkojë të rimbushet…
Mjafton edhe kjo bisedë, për të kuptuar se në çfarë raporti jemi me zjarrin…!
P.Kabo. 30 qershor, 2025.

Përvjetori i shënuar i themelimit të gazetës “Bota Sot”- Nga Prof. dr. ESHREF YMERI

Tridhjetëvjetori i themelimit të gazetës “Bota Sot” (26 qershor 1995) është një përvjetor i shënuar për të gjithë lexuesit e saj në mbarë trojet tona etnike dhe në Diasporë. Roli i saj është i jashtëzakonshëm në pasqyrimin e ngjarjeve tepër të zulmshme në historinë e popullit dardan që prej mesit të viteve ’90, kur bisha fashiste serbe po përgatitej ta shpopullonte krejtësisht territorin e Dardanisë.

Duke parë nga largësia 30-vjeçare interesimin e jashtëzakonshëm që pati ngjallur kjo gazetë për publikun e gjerë, sapo numri i parë i saj doli në qarkullim, të krijohej bindja e patundur se në Redaksinë e saj punonin gazetarë me autoritet të lartë profesional, të cilët, paraprakisht, kishin sanksionuar parimet themelore të gazetarisë.

Ku konsistonin ato parime themelore, të cilat patën shërbyer dhe vazhdojnë të shërbejnë si yll karvani gjatë komunikimit me masën e gjerë të lexuesve?

Së-pari, në respektimin e së vërtetës dhe në të drejtat e opinionit shoqëror për informacion. Shpeshherë thuhet se gazetaria është një kopje e dorës së parë, një kopje e pakorrigjuar e historisë, sepse gazetarët mbajnë shënim ngjarjet e rëndësishme.

Së-dyti, në informimin e opinionit shoqëror për ngjarjet e ditës dhe për ato të ardhshme, të cilat ushtrojnë ndikim mbi të gjithë planetin tonë, duke filluar nga ngrohja globale, lufta ose kërcënimi nga sunami, deri te rënia ekonomike dhe terrorizmi.

Së-treti, në shpërndarjen e informacioneve edhe për rutinën e përditshme, si, fjala vjen, ndyshimin e orarit të qarkullimit të autobusëve, rritjen e çmimeve, shtimin e taksave, suksesin ose disfatën e një skuadre sportive apo largimin për në amshim të një qytetari të shquar.

Së-katërti, në ushtrimin e profesionit të gazetarit jashtë varësisë nga ata, për të cilët jep informacion dhe në kryerjen e detyrës, duke u mbështetur vendosmërisht në sistemin e vlerave dhe në kodin e etikës.

Ky tridhjetëvjetor i gazetës “Bota Sot” na kujton atë periudhë, kur Serbia fashiste, stekën e terrorit që ushtronte kundër popullit dardan, e kishte ngritur shumë lart. Në ato kushte, puna e drejtuesve të saj dhe e të gjithë gazetarëve bëhej jashtëzakonisht e vështirë. Pikërisht trimëria e secilit prej tyre asokohe ka qenë njëri nga tiparet më madhështore të karakterit të tyre, që qe shfaqur jo vetëm gjatë kryerjes së akteve të guximshme para rrezikut që u kanosej, por edhe në vendosmërinë e karakterit, në aftësinë për të marrë vendime të vështira dhe për të vepruar për arritjen e qëllimeve që i kishin vënë vetes, duke mposhtur frikën. Guximi ka qenë jo thjesht trimëri, por edhe gatishmëri për të mbrojtur bindjet e veta, qoftë edhe atëherë kur patën hasur në rezistencën e të tjerëve. Ai është, gjithashtu, aftësi për të marrë përsipër përgjegjësinë për qëndrimet e veta dhe pasojat vendimeve të veta.

Në kushtet kur filloi botimi i gazetës ”Bota Sot”, kuptohet vetvetiu që Redaksia e saj do të ndodhej nën krcënime të përhershme jo vetëm nga ana e shërbimeve të fshehta të Serbisë fashiste, por edhe nga ana e informatorëve tradhtarë, të infiltruar prej tyre në radhët e popullit dardan. Aq më tepër që interesimi i lexuesve për këtë gazetë qe shtuar jashtë mase, saqë në kohën kur në krye të saj ishin dy personalitete të publicistikës dhe përgjithësisht të botës së letrave, si Skënder dhe Elida Buçpapaj, tirazhi i saj pati arritur deri në dyqind mijë kopje. Shtimi i interesimit të jashtëzakonshëm të masës së gjerë të lexuesve për këtë gazetë me orientim të spikatur kombëtar, domosdo që do ta tërbonte Serbinë fashiste, e cila ndërmori akte kriminale kundër gazetarëve të saj. Si rezultat i atij tërbimi, qenë vrarë gazetarët Bekim Kastrati, Bardhyl Ajeti, qe kërcënuar krejt Redaksia me një atentat me bombë në shtator të vitit 2002.

Redaksia dhe gazetarët e gazetës “Bota Sot” kan qenë dhe vazhdojnë të jenë gardianë në mbrojtje të së vërtetës dhe demaskues të pamëshirshëm të shovinizmit serbomadh, të ngrehinës kriminale serbofashiste. Misionin e tyre të pazëvendësueshëm e gjejmë të mishëruar në një aforizëm të shklqyer të Napoleon Bonapartit (Napoléon Bonaparte – 1769-1821), në të cilin thuhet:
“Gazetari është një pastrues rrugësh, që punon me penë”.

Pra, gazetari bën sakrifica të jashtëzakonshme për pastrimin e jetës së njerëzve të ndershëm nga lloj-lloj pisllëqesh që hedhin mbi të jo vetëm pushtuesit e huaj, por edhe mercenarët, tradhtarët, hajdutët, oligargët e pangopur, politikanët e degjeneruar dhe karrieristë, të cilët, për pushtet dhe para, nuk ndalen para çdo krimi dhe marrëzie.

Qëndrimi burrëror i gazetarëve të gazetës “Bota Sot”, më sjell ndër mend disa gazetarë amerikanë me dinjitet tepër të lartë profesional, të cilët kanë bërë epokë në historinë e Shteteve të Bashkuara, çka dëshiroj ta ndaj me lexuesit e saj të nderuar.

Së-pari, gazetari i njohur Eduard Marrou (Edward Murrow – 1908-1965), të cilin e patën vlerësuar edhe si mbretin e gazetarisë politike, ka thënë:
“Gjithçka që kam pasë rrëfyer në efir, është vetëm një pjesë e asaj që kam parë dhe kam dëgjuar”.

Ai ka qenë i pari që pati përgatitur një reportazh në kampin nazist të pëqendrimit Bukenvald dhe pati ngulur këmbë vazhdimisht që materiali i gazetarisë duhet të jetë jo vetëm objektiv, por duhet që edhe lexuesin ta bjë të bjerë në mendime. Prej vitit 1935 ka punuar në teleradiorrjetin amerikan CBS, kurse në vitin 1937 u nis për në Londër, me detyrën e drejtorit të seksionit europian të kompanisë. Gjatë kohës që ndodhej në kryeqytetin britanik, filloi të formonte skuadrën e vet të punës, të cilën më vonë e patën quajtur “çunat e Marrout”. Kjo skuadër punoi në Europë deri në mbarim të Luftës II botërore dhe pati dhënë një kontribut të konsiderueshëm në luftë kundër fashizmit. Në vitin 1953, Eduard Marrou filloi “luftën” kundër senatorit republikan Xhozef Makarti (Joseph McCarthy – 1908-1957), i cili e pati akuzuar gazetarin padrejtësisht për simpati ndaj komunistëve. Por në saje të veprimtarisë këmbëngulëse të Marrout, senatori Makarti dha dorëheqjen.

Së-dyti, gazetaren Ida Tarbell (Ida Minerva Tarbell – 1857-1944) e kanë pasë karakterizuar si “gërmuese të pisllëkut”. Kjo nofkë u qe vënë njerëzve të penës në Shtetet e Bashkuara, të cilët qenë specializuar në fushën e gazetarisë demaskuese. Çështje e krejt jetës së saj qe bërë lufta kundër perandorisë së Xhon Rokfelerit (John Rockefeller – 1839-1937) “Standard Oil”. Babai i Idës kishte punuar në biznesin e naftës dhe kompaninë e tij e kishte gëlltitur perandoria e industrialistit amerikan. Gazetarja pati filluar një luftë të pashpallur, gjatë së cilës, në kompaninë e Rokfelerit, ajo kishte gjetur informatorin e vet – zëvendëspresidentin e kompanisë Henri Roxhers (Henry Rogers – 1840-1909). Ai i pati vënë në dispozicion dokumente të rëndësishme dhe i pati rrëfyer për të fshehtat e kompanisë “Standard Oil”. Në vitin 1905 qe botuar libri i kësaj gazetareje, me titull “Historia e Standard Oil”, në të cilin qenë publikuar jo vetëm intervista me Roxhersin, por edhe dokumente konfidenciale të kompanisë. Kompaninë e Rokfelerit e shpërbënë me akuzën për shkeljen e legjislacionit antimonopol, kurse libri i gazetares rezultoi si vepra më e shitur se çdo libër tjetër (bestseller) në Amerikë, dhe deri tani zë vendin e pestë në listën e veprave më të mira dokumentare.

Së-treti, dy gazetarët, Karl Bernstain (Carl Bernstein – 1944) dhe Bob Vudvord (Bob Woodward – 1943), ishin ata që “e ndihmuan” Riçard Niksonin (Richard Nixon – 1913-1994) të largohej para afatit nga posti i presidentit. Ky ishte rasti i vetëm në historinë e Shteteve të Bashkuara. Gjithçka pati filluar nga historia e përgjimit të paligjshëm të shtabit të Partisë Demokrate para zgjedhjeve të vitit 1972. Ishte fjala për “Skandalin e Uotergeitit” (Watergate scandal). Vudvordi dhe Bernstaini, dy vjet më parë, kishin rënë në gjurmët e ekzekutorëve dhe të organizatorëve të përgjimit dhe, përmes tyre, patën zbuluar porositësit e përgjimit. Për realizimin e zbulimit të atij përgjimi, gazetarët i pati ndihmuar një burim qeveritar, i cili fshihej prapa pseudonimit “Gryka e Thellë” (Deep Throat). Për një kohë të gjatë, Niksoni nuk pati pranuar t’ia dorëzonte videoregjistrimin prokurorisë. Në të ishte regjistruar biseda e presidentit me shefin e aparatit presidencial Harri Holdeman (Harry Holdeman – 1926-1993). Gatë asaj bisede qenë diskutuar hollësitë e përgjimit dhe pengesa për hetimin nga ana e CIA-s dhe FBI-së. Si rezultat i hetimit që zhvilluan të dy gazetarët, Riçard Niksoni dha dorëheqjen më 09 gusht të vitit 974.

Kaliforni, 27 qershor 2025

PRESIDENTI TRUMP DHE KOSOVA DUAN PAQE, NDËRSA SERBIA KËRKON LUFTË DHE SHKATËRRIM- Nga Agim Aliçkaj

Republika e Kosovës është një vend i pavarur i krijuar me
vullnetin e Zotit, Amerikës dhe popullit shqiptar
Deklaratat e fundit të Presidentit Trump, të cilat përmendin disa
herë Kosovën dhe Serbinë, kanë shkaktuar një debat të madh në Kosovë
dhe gjetkë. Në konferencën e tij të fundit për shtyp, ai tha: “Serbia dhe
Kosova po shkonin drejt një lufte të madhe. U thashë atyre, nëse e nisni,
nuk do të ketë më tregti me Shtetet e Bashkuara. Ata thanë: Ndoshta nuk
do ta nisim.”
Secili po i interpreton ato në mënyrën e vet, sipas interesave të
veta. Por, pothuajse të gjithë pajtohen se Trump është i
paparashikueshëm.
Disa besojnë se kjo do të thotë që Serbia ishte gati të sulmonte
Kosovën këto ditë, por Trump e ndaloi atë.
Mendoj se Trump, në kontekstin e konflikteve aktuale, e tha këtë për
të treguar veten si një udhëheqës i përkushtuar për paqen kudo në botë,
duke synuar Çmimin Nobel për Paqen.
Nuk besoj se Trump ka kohë të merret me Kosovën dhe Serbinë në
një periudhë afatshkurtër. Ai ka probleme shumë më të mëdha, si lufta në
Iran, Ukrainë dhe Palestinë, plus problemet e brendshme të SHBA-së.
Kosova është një vend paqësor ku ligji dhe demokracia funksionojnë,
ku pakicat gëzojnë të drejta kombëtare dhe njerëzore si askund tjetër në
botë. Pjesa veriore e Kosovës është qetësuar pothuajse plotësisht, falë
veprimeve të drejta dhe të guximshme të qeverisë Kurti në katër vitet e
fundit. Bandat e regjimit autokratik të Vuçiçit janë kapur ose dëbuar nga
Kosova, së fundmi aktivisti i urrejtjes Aco Arsenijeviç.
Ushtarët e NATO-s, përfshirë amerikanët, janë në Kosovë dhe ruajnë
kufijtë e saj. Ata e dinë se në rast të agresionit serb kundër Kosovës,
Evropa Juglindore do të përfshihet në konflikt. Kjo i bën kërcënimet serbe
të çmendura dhe të pavlefshme. Aftësitë e saj për të kryer akte terroriste
në Kosovë janë zvogëluar ndjeshëm pas shkatërrimit të grupit kriminal të
terroristit Radojcic.
Megjithatë, nuk ka dyshim se në një kohë më të përshtatshme, sapo
luftërat aktuale të vihen nën kontroll, administrata e Presidentit Trump do
të kthehet te zgjidhja përfundimtare e konfliktit midis Kosovës dhe
Serbisë. Kosova duhet të jetë gati për këtë. Qetësia në Veri dhe në të
gjithë Kosovën, si dhe krijimi i shpejtë i institucioneve qeverisëse, krijojnë
një pozicion shumë më të favorshëm për Kosovën.
Duket se ai i ka problemet e Ballkanit në mendjen dhe në axhendën
e tij. Kjo dëshmohet edhe nga vazhdimi i “Aktit Kombëtar të Emergjencës
Lidhur me Ballkanin Perëndimor”.
Në këtë drejtim, Presidenti Trump mund të ketë një shans për të
bërë paqe të qëndrueshme dhe për të krijuar histori në Ballkanin
Perëndimor. Ai mund të jetë në gjendje t’i shpëtojë serbët nga vetja e
tyre, t’i hapë sytë popullit serb, t’i çlirojë ata nga mitet si Vidovdani dhe
urrejtja për të tjerët, t’i ndihmojë ata të kuptojnë se nuk janë viktima.
Regjimi i tyre në emër të tyre ka shkaktuar dhe humbur katër luftëra dhe
ka kryer dy gjenocide kundër popullit shqiptar dhe boshnjak.
Ai mund të jetë në gjendje t’i ndihmojë ata të kuptojnë se e kan
humbur Kosovën përgjithmonë me luftë. Republika e Kosovës është një
vend i pavarur i krijuar me vullnetin e Zotit, Amerikës dhe popullit
shqiptar. Kjo është konfirmuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e
Drejtësisë. Kosova është njohur nga më shumë se 110 vende të botës dhe
është e përjetëshme.
Ai mund të jetë në gjendje t’i japë fund shpresave iluzore serbe për
një Serbi të madhe, t’u kujtojë serbëve se Kosova është fëmija i Amerikës
dhe, në rast agresioni, do të mbrohet nga Amerika. Kjo është e vetmja
mënyrë për të arritur paqe të qëndrueshme në Evropën Juglindore.
Çuditërisht, disa media në Kosovë kanë raportuar, bazuar në
“burimet e tyre brenda administratës Trump”, se zyrtarët amerikanë janë
“të pakënaqur” me deklaratën e Kryeministrit në detyrë Albin Kurti, në të
cilën ai vlerëson rolin amerikan, por tërheq vëmendjen te dështimet e
regjimit serb dhe specifikon kushtet që duhen përmbushur për të zgjidhur
problemin. Ky është mashtrim i pastër, nga burime të dyshimta, kur dihet
se z. Kurti nuk ka paraqitur kushte për Amerikën, por për regjimin
shovinist serb të Vuçiçit.
Edhe më keq, pretendimet e disa kundërshtarëve të zotit Kurti se
Trump preferon një qeveri pa Kryeministrin Kurti janë naive dhe
qesharake. Jam i bindur se ai, për shumë arsye, nuk merret me emra, por
ia lë shumicës së popullit të Kosovës të vendosë se kush duhet ta
udhëheqë Kosovën. Sigurisht, ai preferon një qeveri të fortë që e di çfarë
dëshiron dhe punon me përkushtim për ta arritur atë. Ai nuk ka as kohën
dhe as guximin të merret me njerëz të korruptuar, servilë dhe dembelë që
presin që Amerika t’ua rregullojë të gjitha punët.
Sinqerisht, sipas mendimit tim, kushtet për udhëheqës të aftë, të
fortë dhe të vendosur aktualisht i plotësojnë më së miri kryeministri në
detyrë Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani, me disa nga
bashkëpunëtorët e tyre. Më vjen keq të them se shumica e udhëheqësve
të opozitës nuk i plotësojnë kushtet themelore për mbrojtjen dhe
ndërtimin e shtetit. Ata duhet të ndryshojnë dhe të bëhen më të mirë se
Kurti për të fituar mbështetjen e popullit dhe ndoshta edhe atë të
Presidentit Trump.
Meqenëse Serbia kërkon luftë, ndërsa Kosova dëshiron paqe, mendoj
dhe shpresoj se kur të vijë koha që Trump të merret me zgjidhjen e
konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë, ai do të anojë më shumë nga paqja,
domethënë nga një Kosovë pro-amerikane. Ndërsa, nëse rastësisht
mendon për udhëheqësit e Kosovës, preferenca e tij do të jetë për ata që i
shërbejnë popullit të Kosovës, që punojnë shumë dhe thonë: “Kosova e
para” dhe “Bëjeni Kosovën të fuqishme”.
Në fund të fundit, kjo varet kryesisht nga angazhimet, qëndrimet dhe
veprimet e klasës politike të Kosovës dhe të secilit prej nesh. Minimumi që
pritet nga ne është të mësojmë një gjë nga serbët, të luftojmë për tokën
tonë stërgjyshore me të njëjtën forcë dhe përkushtim siç luftojnë ata për
grabitjen e tokave të popujve tjerë.

Send this to a friend