Mësuesi ynë i talentuar i histories, Vasil Danga ishte edhe arkeolog.
Kjo puna e studimeve dhe e arkeologjisë thoshin, se e koishte lënë edhe pa u martuar.
Në shkollë, veç mësimdhënies kishte pasion edhe kabinetin e historisë dhe gjeografisë. Kur fliste për lufëtrat , veç ta dëgjoje! Pale kur niste për arkeologjinë- një palë vesh dhe një palë sy nuk të mjaftonin.
Ishte i thinjur, por kravata në qafë kurrë nuk i mungonte. Kostumet e tij ngjyrë preshi dhe palltoja ngjyrë kamilje, ishin të pandara në imazhet tona si nxënës të tetëvjeçares.
Pasion i tij ishte edhe ndonje shkrim në gazetën lokale dhe sidomos, ndonjë kumtesë shkencore për arkeologjinë apo heroizmin e popullit tonë ndër shekuj, në referimet në pallatin e kultures të qytetit, ku shokët e udhëheqësisë vendore, në vendet e lozhës, neve nxënësve na dukeshin çdo herë si të derdhur në allçi.
Ato ditë, klasa jonë si maturë kishte shkuar në një ekskursion triditor në Korçë, në qytetoin e shkollës së parë shqipe dhe të Themistokliut, kur morëm vesh thagmën* (mrekulli, çudi ) që i ndodhi profesor Vasil Dangës në Tiranë.
Më pas mësuam se ëndrra e tij për t’u bërë i njohur në botën shkencore dhe akademike, kishte marrë shenjën e parë nga një telefonatë prej kooperativës bujqësore të Mogilave buzë lumit.
Traktori duke hapur toka të reja me punime të thella, kishte ndeshur në një objekt arkeologjik. Një pllakë e madhe mermeri sa një portë shtëpie, ishte lëvizur nga maja metalike e plugut.
U ndërprenë punimet. U njoftua profesor Vasili. Pasi mori leje nga shkolla u nis me taksinë e Kamberit drejt vendit të gjetjes. Siç konstatoi, gjetja e fshtarëve ishte nje sarkofag antik prej mermeri. Poshtë kapakut të varrit profesor Vasil Danga zbuloi i ngazëllyer, mbetje mortore antike: një skelet njeriu dhe një iventar të pasur me sende.
“Sihariq!-u tha ai traktoristit dhe disa fshatarëve që pushonin nën hijen e një gorrice.
Ata e panë të habitur teksa vendoste në një thes prej zhake sendet e sarkofagut duke nisur nga kokallat e lashta. Herë pas here mbante edhe shënime.
“Gjete florinj?- e kish pyetur i shpuar nga kërshëria njeri prej tyre te gorrica.
“Ç’florinj, mor shokë! Jo florinj, po gjëra më të çmuara keni zbuluar: eshtra antike dhe sende të rralla.…-ua ktheu entuziast.
“Ahaaaa…!” -bënë burrat me njeri-tjetrin duke bërë në ajër me dorën pranë kokës atë sinjalistikën e stërnjohur popullore: “Qënka i lojtur prefesori i ngratë! I shkarë! Gjynah!”
***
Afër mendsh që do të njoftonte me telefon që të nesërmen Institutin Arkeologjik të Tiranës, po se po, po edhe Akademinë e Shkencave. Aso kohe, bashkëpunëtorët shkencorë vlerësoheshin goxha dhe merreshin me seriozitetin e duhur.
Të ndodhur në prag të një Konference Kombëtare të Arkeologjisë, shokët e Tiranës e përgëzuan për raportimin dhe profesor Danga ishte i mirëpritur një orë e më parë në zyrat e institucionit. Ai nisi të qëndisë një ditë pas zbulimit raportin mbi gjetjet arkeologjike në Mogila:
Përmbledhje:
Një sarkofag (varr).Mendoj se mund të jetë i një princi të pasur ilir me rol të rëndësishëm në shoqëri. Koha: shek. IV–III para Erës sonë* (para Krishtit)
Çfarë është gjetur konkretisht:
- 1. Stoli princërore. 2.Elemente dekorative prej ari .3.Rrip argjendi me zbukurime (me motive lufte) 4. Armë: Shpata dhe thika. 5.Enë luksi.6. Enë për verë (kupë, amfora, krater) Enë prej bronzi dhe qeramike të cilësisë së lartë që flasin për jetën aristokratike të kohës.7.Monedha të ndryshme. 8. Objekte personale.9. Elemente kalorësie:Pajisje kali (zbukurime, pjesë frerësh). Etj, etj.
U bë gati për kryeqytet. Bleu enkas një valixhe inkeliti ngjyrë lejla për të futur pjesët më të rëndësishme të gjetjeve dhe sigurisht kokallat *(eshtrat) e princit të supozuar. I vendosi brenda një këllëfi me akllas portokalli në madhësinë e një nënkrese mesatare.
“ Pikërisht eshtrat, mendoi ai, do t’i hap të parat në tryezën e zyrës së drejtorit në kryeqytet. Princin ilir! Zbulimin befasues, pse jo të krejt konferencës së pritshme kombëtare?.
Dhe ja tani do të dëgjojmë raportimet dhe njoftimet që vijnë nga treva jugore dhe posaçërisht nga gjetjet më të fundit pranë tumave të Mogilave.
Kryetari i Akademisë së Shkencave, profesor Aleksi heq syzet e trasha optike nga balli prej bronxi dhe hedh vështrimin sa te salla, edhe te radha ku qëndronte mësuesi Vasil Danga:“ Ju lumtë shoku Vasil ! Një zbulim i madh që hedh dritë falë përkushtimit të një gjurmuesi të palodhur të terrenit, një mësues i thjeshtë historie por me pasion të madh shkencor dhe kërkimor!
Urdhëroni te podiumi i nderit!-iu bë se dëgjoi ëndërrimtar Kryetarin e Akademisë së Shkencave tek e thërriste për të folur,duke i shtangur të gjithë të pranishmit në sallë me zbulimin e fundit.
Në sallën plot e përplot, tani po dëgjohej një mërmërimë e zgjatur që përfshiu edhe radhët e të ftuarve nga jashtë shtetit: akademikë, albanologë, etnologë, etj,. Pak më sipër te lozhat ballore dhe anësore të sallës, udhëheqja e lartë e Partisë dhe qeverisë, i kishte ngulur sytë prej sfinksi Vasil Dangës që po i afrohej i ndrojtur podiumit të foltores. Ndjeu se u bë prush në fytyrë.
***
Në stacionin e trenit në Ballsh preu biletën dhe me hap të nxituar hyri në vagon tok me dhjetra te tjerë që shtyheshin për të kapur një vend për t’u ulur. Arriti të rehatohej në një vend pranë dritares siç dëshironte por valixhen e mbante fillimisht mbi gjunj.
Kur fishkëllima e trenit dha sinjalin e nisjes në vagon ia behën një grup me pesë-gjashtë persona. Profesori i ndiqte pa vëmendje të sapombërriturit. Një grua e re e këtij grupi mbante në dorë një valixhe të ngjashme, prej inkeliti në po atë ngjyrë me valixhen që profesor Danga mbante mbi gjunjë. Ata zunë vendet dhe gruaja e sistemoi valixhen në vendin e bagazheve pingul mbi ndenjëset e tyre dhe ngjitur me profesorin.
Ende pa mbërritur në stacionin e Fierit, ai u njoh me bashkudhëtarët. Ata ishin krushq që shkonin për të këmbyer nishanet* (dhurata simbolike para dasmës.) me palën e nuses diku pranë kryeqytetit.
“Mos e mbaj valixhen mbi gjunjë se ka vend sipër,-iu drejtua dikush nga dasmorët profesorit. Me një ngurim të dukshëm ai e vendosi sipër te bagazhet.
“Kush do ia marrë i pari këngës te shtëpia e nuses?:-pyeti më i moshuari prej krushqve dhe i hodhi sytë nga tri e gratë e lyera me një tualet të rëndë.
“Hajde, Sofika,!- u dëgjua dhe pas pak zhurma e trenit u përzie me zërin e bukur të gruas që quhej Sofika
“O moj nuse, dritë në dritare,
erdhe me gëzim në shtëpi të madhe….
U mbushën sokakët me këngë e hare,
Lumë kush të solli në portën e re.”
Këngët popullore në vagonin e profesorit vijuan derisa treni iu afrua stacionit të fundit dhe njerëzit, si të nxitur nga një komandë alarmi, u sulën te dyert, kush e kush të dilte i pari, a thua do ikte Tirana. Gjithkush rrëmbente çanta ose valixhe dhe turrej jashtë. I fundit nga vagoni, doli profesor Vasili.
Zgjati dorën te bagazhet, tërhoqi çantën e lëkurtë prej inkeliti lejla dhe zbriti qetë- qetë duke ndjerë në fytyrë ajrin e lagësht e të freskët të Tiranës. Pas pak e pa veten në bulevardin Dëshmorët e Kombit dhe këmbët e çuan në hotel.
***
Të nesërmen, kur ora shënoi nëntë pa pesëmbëdhjetë, profesori trokiti në zyrën e drejtorit të Institutit.
Pas mirëseardhjes së përzemërt drejtori prof.Dhimosteni, ftoi në zyrë edhe tre-katër kolegë, ku Vasil Danga do të prezantonte mbi tavolinë gjetjet e shumëpritura arkeolgjike të sarkofagut të Mogilave.
“Paske ardhur me këmbë të mbarë shoku Vaso, pasi pasnesër çel siparin edhe konferenca kombëtare e arkeologjisë. Urdhëro!-tha ai dhe u ul ne karrigen e tij me sytë nga valixhja lejla mbi tryzën e madhe të punës.
“Përpiqemi,shoku Drejtor-tha Vasil Danga duke falënderuar për fjalët e mira në adresë të tij.
Kapaku i valixhes u zbërthye pas lëvizjes 180 gradë të zinxhirit dhe në zyrë u përhap një arome e rëndë parfumi që të shponte hundët. Profesor Vaso dukej i shastisur. Hoqi nje copë akllasi të bardhë dhe ne valixhe u duk nje fustan, një palë sandale të bardha grash,….tre shishe parfumi, të kuq buzësh, këmishë nate grash, një palë mbathje akllasi………
“Oohh nëna ime ! “-tha profesor Vasili. Balli iu mbush me bulëza djerse dhe sakaq u shakullos mbi karrige, në gjendje të fikëti.
“Një gotë me ujë!-tha dikush. Atë çast, shoferi i institucionit u afrua dhe i zbërtheu nga gryka kravaten e kuqe njeriut të alivanosur.
“Ç’po ndodh?-tha drejtori.-A jeni mirë?Ku janë eshtrat e sarkofagut?…
“Oohh nëna ime ! Pse më linde?-belbëzoi me pamjen e një të ndërkryeri “Krushqit, kryshqit e trenit !..tha ai i çoroditur në fytyrë.
“Valixhja është e tyre! Ata kanë marrë timen tok me gjetjet dhe eshtrat e sarkofagut dhe i kanë shpurë te nusja!..
Të gjithë ishin ngritur në këmbë me sytë nga valixhja lejla e çuditshme ndërsa ai vazhdimisht thërriste si në kllapi:
“Oh nëna ime ! Pse ma bëtë këtë?..///
–o0o–
