Fatbardh Kupi ishte i biri i patriotit dhe luftëtarit Abaz Kupit, i cili priti me armë pushtuesit fashist më 7 prill të vitit 1939 dhe ishte krijuesi i çetave të para nacionaliste.
Lindi në vitin 1928, në Krujë. Që në moshë të re iu desh të përballej dhe të sfidonte përndjekjen si antifashist dhe antikomunist. Për shkak të veprës së shquar të të atit, vuajti internimin në Himarë nga viti 1939 deri më 1940, e pastaj në Itali së bashku me familjen deri në vitin 1941. U lirua dhe u kthye në Krujë. Pushtuesit fashistë e rrethuan të atin, Abaz Kupin, në Krujë, por nuk mundën ta shtinin në dorë. Për këtë arsye, Fatbardhi me familjen e tij u internua në Gjirokastër deri në fund të vitit 1942. U lirua dhe kthye sërish në Krujë. Me fitoren e komunizmit dhe arratisjen e të atit dhe dy vëllezërve, Fatbardhi dhe familja e tij iu nënshtrua përndjekjes nga pushteti i ri. Nga fundi i vitit 1944 dhe fillimi i vitit 1945, u mobilizua në repartet luftarake të F.N.Ç.L., me komandant Gjin Markun.
Ndërkohë që Divizioni i Gjin Markut kapërceu kufirin e shkoi deri në Vishegrad, Bardhi i sëmurë rëndë, u shtrua në spital. Pasi u shërua mori raport mjekësor për paaftësi shëndetësore. Mirëpo raporti duhej firmosur në Korpusin e Shkodrës. Shkoi në komandë, ku gjeti Shefqet Peçin dhe Beqir Ballukun. Pa firmën e tyre, s’mund të lirohej, do ta cilësonin dezertor. Sekretari ishte krutan, daja i Sami dhe Gani Kupit, kushëririt të tij. Lufta i përzjeu njerëzit…! Ai ia përgatiti lejen në bazë të raportit, të cilën duhej ta firmoste ose komandanti ose komisari. Kur hyn në zyrë, komandanti Shefqet Peçi e provokon për babain, duke ia sharë. Bardhi ia kthen dhe… debati ashpërsohet. Hyn në mes Beqir Balluku, i cili shmangu sherrin. Ia mori raportin dhe ia firmosi, duke i bërtitur fort: “Hajt ik në shtëpi tani”!– “Këtë burrëri e bëri Beqir Balluku, nuk e di nga se u nis, por unë nuk ia harroj, më shpëtoi se Shefqeti ishte gjaknxehtë dhe gjakësor”, e kujton atë incident të kohës së largët Bardhi.
NDARJA ME BABANË
Më 24 tetor 1944, Abaz Kupi u largua nga atdheu. Familjen e la në Shkodër. Djali i vogël u arrestua më 1945, ndërsa pjesa tjetër e familjes, bashkëshortja dhe vajzat u internuan në Tepelenë e më pas nëpër kampet e Myzeqesë. Fatbardh Kupi ka rrëfyer para se të ndërronte jetë në 2016-ën takimin e fundit me të atin I cili e njoftoi për vendimin qe kishte marrë. “Unë po iki për pak kohë. Ti Bardhi, shko në shtëpi dhe qëndro pranë nënës dhe motrave”. Bardhi, që ende nuk e dinte vendimin e ikjes, e ka pyetur; “po pse duhet të kthehem në shtëpi? Unë s’jam fëmijë…”! Qetëqetë, i ati i është kthyer me fjalë të matura: – “Ato kanë nevojë për mbrojtje dhe unë po ta besoj ty këtë detyrë, sepse kam besim”. Pas kësaj, i ati, kishte nxjerrë një letër, dhe i kishte kërkuar që të nënshkruante aty një deklaratë bese, se nuk do t’i braktiste kurrë nënën dhe motrat.
Pa e kuptuar mirë se ç’po i kërkohej, djali 17 vjeçar, ia kthen: “Kur të mërzitem, do të iki ndonjëherë, se s’mund të rri gjatë në shtëpi me gratë”. I ati këmbënguli që s’duhej të lëvizte pa i ardhë lajmërimi prej tij dhe të kujdesej për nënën dhe motrat, Dudinë, Hyrien dhe Bukurinë. Madje, i kërkoi që ta firmoste besën përmes deklaratës dhe të jepte fjalën e burrit. Letra pasi u firmos nga i biri, u palos në katërsh dhe babai e futi në portofol. Letra kishte vetëm një fjali, kujton Bardhi: “Nuk largohem nga familja, pa më lajmëruar baba”….! Poshtë firma. Fatbardh Kupi, për shkak të rezistencës që bëri babai i tij, fashistët e internuan një herë në Himarë e pastaj në Itali. Që nga kjo moshë e re ai u përballë me armiqtë e Shqipërisë dhe i luftoi ata në mënyra të ndryshme, duke vazhduar rrugën e babait të tij, Abaz Kupit.
ARRESTIMI I PARË MË 1945
Fatbardh Kupi u arrestua më 9 qershor të vitit 1945. Prokurori në akt-akuzë, e akuzoi se kishte mobilizuar popullin në radhët e Legalitetit, kishte bashkëpunuar me rininë e Ballit, ishte në radhët e armiqve të popullit. Më 17 dhjetor 1946, me vendim nr. 685, Gjykata Ushtarake e Tiranës e deklaroi “kriminel lufte dhe armik të popullit” dhe e dënoi me 5 vjet burg. U lirua pasi plotësoi dënimin, por pas disa muajsh u internua në PortoPalermo të Himarës, ku qëndroi deri në vitin 1951. Nëna dhe katër motrat e tij u internuan në kampin famëkeq të Tepelenës. Kur Porto Palermo pushoi së qeni kamp internimi, Fatbardhi u transferua në Tepelenë, ku u bashkua me familjen. Nga Tepelena familja Kupi u dërgua në kampin e fabrikës së tullave në Tiranë. Aty qëndruan deri në vitin 1954. Më 14 prill 1954, u internua për 5 vjet në Kuç të Vlorës. Pas mbarimit të internimit në Kuç, u transferua në Savër të Lushnjës, ku u martua me Liri DorinKupin, e cila sakrifikoi çdo gjë për hir të dashurisë. Në vitin 1968 u transferua në Grabian, kurse më 1981 në Gradishtë të Lushnjës.
ARRESTIMI I DYTË NË 1981
Për herë të dytë u arrestua më 25 nëntor 1981. Arrestimi erdhi pa asnjë shkak. U akuzua pse ishte shprehur se, “Partia e Enverit ia ka mohuar të drejtat babait Abaz Kupi, që ka luftuar kundër armiqve të Shqipërisë”. Kaq mjaftonte për ta dënuar për agjitacion dhe propagandë kundër partisë dhe pushtetit. Gjyqi ishte i montuar. Dëshmitarët false, të cilët kur ai doli nga burgu, të penduar i kërkonin ndjesë. Si prove, ishte bashkëngjitur edhe një ekspertizë për hartimin e shkruar prej tij, teksa vazhdonte gjimnazin natën. Gjyqi ishte një farsë. Njëri prej dëshmitarëve, G. V., i tha se: poshtërsia më e madhe në jetën e tij, ishte dalja dëshmitar i rremë në gjyqin kundër Bardhit, por e kishin detyruar. I gjithë gjyqi ishte i montuar. U dënua me 10 vjet burg.
Kaloi kohë të vështira në burgun e Ballshit. Më pas do të provonte Qafë-Barin, Bulqizën etj. U lirua më 1989 dhe u kthye pranë familjes në Gradisht. Fatbardh Kupi është i vetmi djalë i Abaz Kupit që mbeti në Shqipëri, pas instalimit të pushtetit komunist dhe të diktaturës në Tiranë. Pushtetarët hoxhistë, duke njohur veprimtarinë kombëtare e antikomuniste të babait të tij, e burgosën dhe e internuan në kampe përqendrimi që ishin hapur për antikomunistët dhe kundërshtarët e tyre. Ky në qeli dhe në internim iu nënshtrua torturave dhe keqtrajtimeve të rënda fizike, por në asnjë moment nuk hoqi dorë nga një Shqipëri demokratike për të cilën kishte luftuar babai i tij kundër fashizmit dhe komunizmit. Përkundër torturave, ai qëndroi gjithnjë i pamposhtur, i dinjitetshëm dhe tregoi moral të fortë për një Shqipëri etnike, të cilën e kishte konceptuar Mbreti i Shqiptarëve, Ahemet Zogu qysh në vitet e 30 të shekullit të kaluar. Abaz Kupi, posa mësoi sëmundjen e mbretit Zogu I, shkoi në Paris dhe qëndroi atje derisa vdiq dhe kur iu bë ceremonia e varrimit. Ky mori pjesë edhe në ceremoninë e shpalljes së Leka Zogut Mbret i Shqiptarëve.
Fatbardh Kupi i ndarë nga babai, të cilin më nuk arriti në të gjallë të tij ta shihte, dhe i mbetur nën diktaturën e Enver Hoxhës aq gjatë, paraqet figurën e një atdhetari të palëkundshëm dhe një burrë që atdheun e kishte mbi të gjitha, një Shqipëri, ku të gjithë do të jetonin të lumtur dhe të lire. Fatbardh Kupi pat deklaruar: “Gjatë gjithë jetës kam jetuar me krenarinë e babait tim, që i vuri gjoksin luftës në Durrës dhe i priti fashistët me luftë. Vuajtjet e mia janë të vogla para madhështisë së babait tim. Shkruani për atë se ma lehtësoni dhimbjen dhe mallin”. Fatbardh Kupi ndërroi jetë me 23 shkurt 2016, në North Shore Hospital – Long Island, Nju Jork dhe u përcoll me nderime nga komuniteti shqiptar me 27 shkurt në varrezën ku pushon edhe ati, Heroi i 7 prillit, në Kew Gardens Road Kew Gardens Queens, Nju Jork.
/Gazeta Panorama