(Nga një takim me mikun e madh të shqiptarëve dhe të Kosovës, Kongresistin Eliot Engel)
Eliot Engel ishte njeriu ynë në Kapitol Hill. Ai ishte miku i madh i Kosovës. Ndaj, njeriun e parë që kërkuam ta takonim në Kongres pasi ishim akomoduar në zyrat tona në Usshington, ishte ky mik yni i madh në Kongres – Eliot Engel. Na priti në Zyrën e tij në Ndërtesën e Kongresit, bashkë me bashkëpunëtorin e tij të ngushtë, këshilltarin Jason Steinbaum, i cili kishte shoqëruar kongresmenin Engel në të gjitha vizitat e tij në Kosovë. Zyra e Kongresmenit Engel ishte shumë e këndshme, e mobiluar me shije, me një tavolinë pune prej druri dhe ulëse me mbulojë prej lëkure të zezë. Në mure vareshin korniza fotografish dhe copa artikujsh të ndryshme. Në mesin e tyre, foto me liderë shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria, në raste të ndryshme nga vizitat e tij në Kosovë dhe Shqipëri, apo nga takime me delegacione të këtyre vendeve në Uashington. Vërejta edhe një kornizë, ku ruante faqen e parë të gazetës “Rilindja” nga vitet ‘90, ku unë kisha bërë një intervistë me të me rastin e një vizite të tij në Prishtinë, shumë vite më parë. Pa tepri formalitetesh dhe në mënyrën më të përzemërt, na përgëzoi për hapjen e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Uashington. I thashë se kjo ishte edhe meritë e tij, si kurorëzim i punës së pandërprerë që kishte bërë në mbrojtje të së drejtës së Kosovës në Amerikë, që nga viti 1989, kur kishte ardhur për herë të parë në Kongres dhe që nuk u ndal për 25 vjet të tërë për të mbështetur kauzën e saj.
Eliot Engel ishte ndër të parët që kishte ngritur zërin. I pari që kishte nënshkruar një rezolutë në mbështetje të shqiptarëve të Kosovës dhe të Presidentit Rugova, në fillim të viteve 1990, dhe që kishte sponsorizuar vizitën e parë të këtij të fundit në Uashington, bashkë me veprimtarë të tjerë të Kosovës së asaj periudhe. Njeriu që vazhdonte akoma me tërë fuqinë e tij të angazhohej në të mirë të shtetit të ri të Kosovës dhe që përsëriste se partneriteti mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara vazhdonte të ishte i fuqishëm. “Gjithmonë kam thënë se Kosova do të jetë një vend i lirë dhe i pavarur, pavarësisht zërave skeptikë për këtë. Ju gjithmonë do të keni mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.”
Engel ishte midis ligjbërësve të parë në SHBA që kishin kërkuar nga Administrata e Klintonit të ndërhynte në mbrojtje të popullit të Kosovës nga sulmet e forcave serbe. Ai i kishte kërkuar Shtëpisë së Bardhë të sulmonte pozicionet serbe në Kosovë dhe të vendoste një zonë ndalim fluturimi për avionët serbë, duke krahasuar masakrat ndaj shqiptarëve në Kosovës me mizoritë e kryera kundër hebrenjve gjatë Holokaustit, pasi që ai ishte hebre dhe e kuptonte vuajtjen nën ideologjinë fashiste. Edhe tani kërkonte nga Administrata e Presidentit Obama që të mos e linte anash Kosovën.
“Sa herë që vizitoj Kosovën, shoh progres dhe e di se ka një të ardhme të ndritshme. Shpesh e kam thënë se një amerikan mund të shkojë në të gjithë botën, por kurrë nuk do të pritet me më shumë dashuri dhe miqësi sesa që pritem unë në Kosovë. Njerëzit atje me të vërtetë i duan amerikanët dhe çdo gjë amerikane.” Siç kishte rrëfyer sa e sa herë në takime me shqiptarë dhe në raste të tjera, Engel rikujtonte periudhën kur kishte tentuar të hynte në Kosovë për të ndjekur zgjedhjet atje në vitin e vështirë 1990. “Më ndaluan në kufi. Nuk donin të më linin të hyja. Millosheviqi kishte thënë se jam problem. Mbajta konferencë për shtyp në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë. I kisha humbur syzet dhe nuk shihja gjë, por fola nga zemra. Thashë se dua të hyj në Kosovë, por Millosheviqi nuk më lë. Por, thashë se kam një lajm për të. Një ditë do të jemi të gjithë në Kosovën e lirë dhe të pavarur dhe atëherë atij nuk do t’ia lejojmë të hyjë.” Ishte kjo deklarata, që ai e kishte përsëritur sa herë, pas transmetimit të saj nga Zëri i Amerikës, në atë kohë…

