VOAL

VOAL

PËRNDJEKJE – Poezi nga SYLVIA PLATH – Përktheu SKËNDER BUÇPAPAJ

June 6, 2018

Komentet

Me shamitë e reve si rrema në duar…*- Cikël poetik nga LULZIM LOGU

ITAKA …

Do të shkojmë së shpejti në Itakë e shtrenjta ime, nga Kefalonia në Poros
Ti vër karficën e artë dhe mblidh flokët e bukur mbi sytë që pasqyrojnë detin
Si Penelopa dikur e mbante dhe më pas Odiseu e kërkonte përmes saj, në kthim
Gjithçka shoh tashmë në sytë e tu, dy Jone të pafund dhe zhytëm si i çmendur
Duke rikrijuar historinë tonë të ishullit, shumë të kam kërkuar Penelopa ime e bukur
Dhe kurrsesi të të humb tjetër, Troja ime që shfaqesh çdo çast brenda meje, bregu
Që kam ëndërruar kaq gjatë, në lojën e mundimshme kah gjysma ime e duhur…
Do të shkojmë së shpejti në Itakë e dashur, me varkën e ndjenjave tona mbi valë
Dhe me shamitë e reve si rrema në duar…

11 gusht 2022

NJË VETËTIMË

Kam qarë dikur për sytë e tu të shkruar, ti nuk kishe si ta dije
Kam qarë edhe sot kur ata u mbyllën përjetë, pa lamtumirë
Kurrsesi ta dish sa më janë dhimbsur të shkretët, u shuan
Siç shuhet horizontit të muzgut pa kuje , befas një vetëtimë…

03 qershor 2023

DITËT MË TË BUKURA

Ditët më bukura tashmë janë të strehuara në skutat e padukshme të kujtesës time të tronditur
Nga sulmet e covidit, të dhimbjes së mungesave dhe ikjeve të hershme, ndrrojnë shpesh kah
Të fundit zhyten përpak në pluhurin e kohës dhe shuhen si përgjithmonë, e shkuara ngre krye
Një fasadë e palyer, krejtësisht gri, ku portretet e dashurisë feksin një e nga një, sumbuj drite
Iluzojnë pak çaste, trishtojnë dhe gëzojnë njëkohësisht, bie pre’ puthjesh dhe përqafimesh
Zgjat duart pastaj ti bëj bashkë pranë meje, por ata humbin prapë sërish…
Më vjen të klith e më pas të qaj, por e sotmja ja beh papritur e vertetë siç ishte, kam turp
Fshij sytë dhe tremb lotët e fshehur në qerpikët delikatë, kthehem i vertetë në çastin tim
I lutem mëngjesit të vonojë diellin me rrezet e tij, ta shijoj mugëtirën, kufi mes kohëve
Të pajtoj qenien time , ndarë medysh, njëra shkoi me kujtimet, tjetra sheh para vazhdimin
Dy krijesa , barazlargohen paditur ,tërheqin njëra tjetrën në joshjen e vet të pafajshme
Në shtratin e trishtë e shkuara e vakët si vesa, e sotmja një rreze, shenjë e kthimit…
Ditët më të bukura nuk kanë trokitur akoma, presin zgjimin…

12 Qershor 2023

NJËZET VJET…
I.L
Nganjëherë më duken shekuj dhe silueta jote larg, peng i qiejve
Që veç reshin shi me pika të mëdha, të buta, që bien si sumbuj të artë,tej barit të etshëm, harlisur për dashni pa fund…
Nganjëherë më duken minuta dhe fryma jote derdh avuj malli
Mbi pritjen që dihat në lojën e trishtë, të mungesës së gjatë
Zgjas duart e mia të pangopura dhe prapë pres…
Mes qiellit dhe tokës, ngrihem dhe bie iluzionesh të thyeshme
Dhe rritem , pemë shprese , me degët kapur yjesh,si llamba
Ndriçojnë vakët vetminë time të skajshme…

Tropojë,01.07/2021

A MENDON ME PER MUA?!
A mendon më për mua, a mendon tjetër, këso kohe
Kur stinë lamtumirash ka, zgjasin pafund, një shekull
Asnjë përqafim kthimi në sfondin e ditës, vetëm ikje
Duar pas xhami që në mjegull humbje treten larg
Si V-ja e pëllumbave shtegtarë, braktisën lagunën
Krejt qyteti një foltore bosh, pa besimtarë rrotull
Frymë statujash, fytyra të ngrira dhe koha e mpirë
Gjithçka pezull, të duket se stinët kanë ndalur befas
Shfaqjen e tyre në universin përplot pluhur dëshpërimi
Dhe shpresa një gjethe e vetmuar herbariumi të vjetër
Rënë mbi muret e shkreta, dikur banesat e dashurisë…
A mendon tjetër për mua, nëse ke kohë tash për tu menduar
Kur grija e flokëve të rrallë zbulon brengat e trurit të lodhur
Në pisllëkun e botës që vervitet rreth parasë dhe trupi i femrës
Sheshbeteja e të gjitha dhimbjeve dhe mëkateve të errta të ditës
Shuan pafund iluzionet në prespektivë, teksa shfaqet pa enigma
Faqe të gjithëve, pa pelerinën e mendafshtë të Evës dhe dorën e Adamit
Që mbulonte të fshehtën përvëlonjëse vetëm për vete, në odën e tij
Me mure të trendafilta dhe çati prej gjethesh, me aromë dehëse frutash
Të paktën e kishte një sekret, sekretin e tij joshësh, ku mbante peshën e jetës
Dhe ndërtonte vazhdimin e qënies, por ne çfarë ndërtojmë sot
Në epokën e konsumit që vret më shumë se termeti dhe flaka
Më shumë se thatësira dhe ajri plot metal, që na shqyen mushkëritë
Me çfarë të puthim apo të qeshim sadopak, buzët e kolme klinike
Dhe gjokse që çajnë paturp, tollumbace të ndyra prej yndyre
Ndryshe krejt ishte atherë e dashur, një puthje mbante me vite
Kujtimin e bukur dhe shpresën e të qënit së bashku një ditë
Tej bluzës tende të hollë prej mjegulle, zgjoja me mijra ndjesi
Dhe udhëtime të panumurta viseve tua , shtegtime të bukura…
A mendon më për mua, a mendon tjetër ,pas shumë kohe
Ndërsa me instragramin on kalon kryqëzimin e ditës, foto sa një çast
Më pas shuhet, as kujtim nuk mbetet, semafori tej ndizet dhe shuhet
Si një idiot i marrë, marr letër e shkruaj,era e saj me deh ditënetve
Kur ti ndjek ëndrrat e reja, në siluetën e cigares elektronike që digjet
Mbi tavolinën ku sytë dhe mendja rrotullohen prej tjetrit, plaçka e tij
Grisen shpejt getat dhe lëkura e butë mavijoset epshit të ndezur
E shkuara një konvencion, s’ka datë, as emra, tymi fshin të ardhmen
Ndoshta nuk do të shoh më të nesërmen…
A mendon më për mua, a mendon tjetër, në shtyllën përtej
Shumë njerëz kanë ndaluar, dikush qan mbyturazi, një foto e njohur
Dhe ajo fjalia që si një shami lotësh shtrydh lajmin e trishtë
E paskan vrarë, sa e bukur ishte, të shkretën…

19 Janar 2020

MË MUNGON …
I.
Më mungon aq shumë sa dua të thërras deri në qiell, tek retë skaj më skaj
Të shkundet shtrati i tyre, mbi kryet tim të bjerë pelerinë e lagur krejt prej vese
Me dënesjet e mia shkrirë në një baladë pa titull këndoj idhshëm, pastaj qaj
Deri në agun e ditës flë në frymën tënde të imagjinuar, mbështjellë si mjegull
E cila s’e pret kurrë diellin dhe pabesisht dhe aq papritur tretet…

31 Dhjetor 2022

UNË TË KAM DASHUR
Unë të kam dashur gjithmonë, ndoshta ende pa lindur në këtë botë, të kam pritur
E padyshim do të dua krejt jetën time, sado e gjatë të jetë ajo, pa lëkundje kurrë
Je lavjerrësi që shënon mëngjeset e mia të shpresës, ndërsa zgjedh vazhdimin
Në vend të humbjes,je ora që shënon muzgun e trishtimit të moshës që u thinj befas
Aq papritur, ndërsa dielli ngjan më i ftohtë ditëve që rrjedhin pakuptuar kah fundi
Ai fundi kur ndjen barin e harlisur të ëndrrës, që të josh në gjumin marrëmëndës
Dhe shquan së largu sesi bien në honin e kujtimeve të pathënat, të pamundurat
Mbetet veç portreti yt, një tis gri ,që si mjegull vesh dritat e syve dhe pulson si yll
Ai ylli që ndjekim qiellit të verës si fat dhe ja rrefejmë shpesh të dashurve të zemrës
Dhe shpresojmë ta kemi gjithmonë aty mbi krye, llambë që nuk di të shuhet asnjëherë
Kur fiken gjitha të tjerat…
Unë të kam dashur gjithmonë, i bekuar çasti kur të ndjeva pranë dhe u ndala të pres
Kurrë se kam mallkuar pritjen e gjatë për ty, edhe kur ligësia kërcënoi shëmtueshëm
Një mëngjes të vranët, duke dashur ta këpusë herët fjongon e brishtë të lidhjes tonë
Që përvijoi mbi buzët tona të sapoçelura në puthje, tutje ranë petlat e trendafilit të egër
Të bardha, të brishta, fragmente të zbehta, mbi duar të pista,që lakmonin dhimbshëm
Shpresën dhe ditën e cila po lindte, mbaj mend ,ishte e shtunë, a do të vinte e diela…
Unë të kam dashur, s’kam reshtur ndonjëherë ,duke e thënë si lutje të përditshme ndaj zotit
Dhe kur terrri ka qënë më mbytës së kurrë, se njeriu vdes pa dritë se për ajër mbetet
Ke qënë xixëllonja e vetme fund shpelle, e cila më tregonte daljen prej kah vinte agu i ditës
Dhe shpresën, flamur e mizidukshëm, që zmadhohej çdo çast para syve të mi të kallur
Që e përpinin të etur jetën…
Unë të kam dashur…

AJO ZEMËR E VOGËL…
Ajo zemër e vogël filloi të rrahë
Në xhamin e monitorit , një tricë e trembur dimri
Ëndërrova çastin kur të kem në prehër
Të prek frikshëm gishtat e vegjël, sythe paçelur
Ta ndjej ritmin e gjakut tim , frymën
Që shkriu trishtimin e mungesës
Dhe ankthin e pritjes së gjatë
Ai puls tashmë në shpirtin tim
Violinë që bie me akorde malli
Pa hark, luan dhimbja ime
Nga çasti kur pushoi së qëni
Kujtova se zogu i fëminisë ra
Mbi një dallgë dëbore
Dhe ngriu…

Por në pranverën e ardhshme
Kur të shkrijë bora e fundit
Dhe sythet çelin befas
Ti brof papritur skaj mjegulle
Ndihet frymëmarrja jote
Shuan dhimbjen time
Si akullin mbi gjethe shiu…

Ajo zemër e vogël fillon të rrahë
Në xhamin e monitorit
Në krahërorin tim të etur
Duke shlyer aritminë time
Në një simfoni të rrallë shprese…

Ajo zemër e vogël
Violinë që bie me akorde të forta
Dhe ritëm tjetër…
E enjte, 22 Janar 2026

.
*Nga libri i ri në proces ‘’Në qiell nuk vdiset’’

Ali Pashe Tepelena Poezi nga Ismail Kadare

Koka ne Stamboll, trupi ne Janine,
Te vrane. Ali Pasha, te grine.
Nje varr i vetem s’e nxinte dot lavdine,
Lavdine bashke me mizorine.Midis dy kontinentesh gjere e gjate i shtrire,
Si nje mal ku era fryn e ulerin stuhia.
Zbardh mjeker e rralle si bora ne brinje,
Si mjegull te koka te rri Vasiliqia.

Trupi ne Evrope, koka ne Azi.
Gjymtyret po shqyejne te shekujve jorgane.
Dalin diku kembet, dore e ftohte qiri.
Ne te çara vitesh nxjerr tym llulle e gjate.

Koka ne Stamboll, trupi ne Janine,
Te shtrine Ali Pasha, te shtrine.

 

FIGURA E PUBLICISTIT PREND BUZHALA PARA LUFTE DHE SOT NË LIRI!- Nga AGIM DESKU

 

Intelektuali si figurë e angazhuar!

Figura e intelektualit, në mendimin kritik bashkëkohor, nuk reduktohet në prodhues dijesh, por konceptohet si subjekt etik dhe shoqëror, i angazhuar në mbrojtje të së vërtetës dhe dinjitetit njerëzor. Edëard Said e përkufizon intelektualin si zë publik që “sfidon ortodoksinë dhe pushtetin”¹, ndërsa Antonio Gramsci e sheh atë si intelektual organik, të lidhur me fatin historik dhe kulturor të komunitetit të vet².
Figura e Prend Buzhalës përmbush në mënyrë të qartë këto dy paradigma teorike:
– si intelektual rezistent në kushtet e okupimit,
– dhe si intelektual kritik në kushtet e lirisë, duke ruajtur koherencën morale dhe estetike të veprës së tij.
I. Prend Buzhala para luftës: Arsimi dhe fjala si forma të rezistencës kulturore!

Figura e Prend Buzhalës përfaqëson një nga personalitetet më komplekse dhe më përfaqësuese të inteligjencies shqiptare në Kosovë, veçanërisht në periudhën para luftës dhe në realitetin e pasluftës, në liri. Veprimtaria e tij shumëdimenzionale, që shtrihet nga arsimi, publicistika, krijimtaria letrare, kritika estetike dhe redaktimi profesional, e vendos atë në një pozitë unike brenda historisë kulturore dhe letrare shqiptare.
Ky shkrim synon të trajtojë figurën e Prend Buzhalës si intelektual rezistent në kohë okupimi, si i burgosur politik, dhe si krijues i lirë dhe kritik i formuar në kushtet e lirisë, duke evidentuar vazhdimësinë morale dhe estetike të veprës së tij.

-Prend Buzhala para luftës: Intelektuali në kushte okupimi
Arsimi si akt rezistence
Në periudhën e okupimit serbosllav, Prend Buzhala shfaqet si një figurë kyçe e mbajtjes gjallë të arsimit shqip. Si profesor dhe drejtor i arsimit në Komunën e Klinës, ai nuk ishte thjesht administrator i sistemit arsimor, por një organizatormoral dhe intelektual i rezistencës kulturore.
Në një kohë kur arsimi shqip ishte i përndjekur, i shtypur dhe i institucionalisht i sabotuar, veprimtaria e Buzhalës përfaqësonte një akt të hapur kundërshtimi ndaj politikave asimiluese. Shkolla, në këtë kontekst, nuk ishte vetëm institucion didaktik, por hapësirë e ruajtjes së identitetit kombëtar dhe gjuhësor.

-Publicistika si formë e qëndresës intelektuale!
Paralelisht me veprimtarinë arsimore, Prend Buzhala u shqua si publicist aktiv, duke e shndërruar fjalën e shkruar në mjet rezistence politike dhe kulturore. Publicistika e tij e asaj kohe është e karakterizuar nga:
diskurs kritik ndaj shtypjes,
ruajtje e dinjitetit gjuhësor,
artikulim i vetëdijes kolektive shqiptare.
Në këtë periudhë, fjala publike kishte rrezik real, dhe shkrimi ishte akt guximi. Publicistika e Buzhalës nuk kërkonte spektakël, por ndërgjegjësim, duke ndërtuar një diskurs të qëndrueshëm intelektual që refuzonte heshtjen.

-I burgosuri politik: intelektuali i ndëshkuar!
Përkushtimi i tij ndaj çështjes kombëtare dhe kulturore e çoi Prend Buzhalën drejt burgosjes politike. Ky fakt nuk është thjesht episod biografik, por element formues i profilit të tij intelektual.
Burgosja politike e shndërron autorin nga dëshmitar në martir të fjalës së lirë, duke i dhënë veprës së tij një thellësi morale dhe ekzistenciale. Përvoja e burgut do të reflektohet më vonë në veprën e tij krijuese dhe kritike, përmes një ndjeshmërie të veçantë ndaj lirisë, drejtësisë dhe përgjegjësisë së fjalës.

-Prend Buzhala sot në liri: Krijuesi dhe kritiku i formuar

1. Liria si sfidë estetike dhe etike
Pas luftës, Prend Buzhala hyn në një fazë të re krijuese, ku liria nuk përjetohet si rehati, por si sfidë e re morale dhe estetike. Ai nuk i nënshtrohet triumfalizmit, por i qaset realitetit me një sy kritik, shpesh edhe polemizues.
Në këtë periudhë, ai shquhet si një nga kritikët më të talentuar të artit poetik shqiptar, duke ndërtuar një diskurs kritik të rrallë për nga thellësia teorike dhe ndjeshmëria estetike.

1. Arsimi si kapital simbolik dhe rezistencë!

Në kushtet e okupimit serbosllav, arsimi shqip funksiononte si formë rezistence kulturore dhe identitare. Sipas Pierre Bourdieu-së, gjuha, arsimi dhe kultura përbëjnë “kapital simbolik”, i cili shërben si mekanizëm fuqizimi dhe mbijetese³. Si profesor dhe drejtor i arsimit në Komunën e Klinës, Prend Buzhala ishte një aktor kyç në ruajtjen e këtij kapitali kulturor.
Shkolla, në këtë kontekst, nuk ishte thjesht institucion pedagogjik, por hapësirë e ruajtjes së identitetit kombëtar, ku edukimi shndërrohej në akt kundërshtimi ndaj politikave asimiluese⁴.
2. Publicistika si diskurs kundër-hegjemonik
Publicistika e Prend Buzhalës para luftës mund të lexohet përmes teorisë së diskursit të Michel Foucault-së, sipas së cilës fjala është gjithmonë e përfshirë në marrëdhënie pushteti⁵. Në këtë kuptim, shkrimet e Buzhalës përfaqësojnë një diskurs kundër-hegjemonik, që synon ruajtjen e narrativës shqiptare në një hapësirë publike të kontrolluar dhe represive.
Publicistika e tij nuk synon neutralitet, por pozicionim etik, duke e shndërruar fjalën në mjet ndërgjegjësimi dhe rezistence qytetare.
II. Burgosja politike: Përvoja e kufirit ekzistencial!
Burgosja politike e Prend Buzhalës përbën një moment formues në profilin e tij intelektual. Në dritën e ekzistencializmit (Camus, Sartre), burgu është hapësirë ku subjekti përballet me kufijtë e lirisë dhe përgjegjësisë⁶.
Kjo përvojë nuk e thyen fjalën e autorit, por e thellon atë, duke i dhënë veprës së tij një dimension etik të qëndrueshëm. Fjala e shkruar shndërrohet në dëshmi të përballjes me dhunën strukturore dhe në akt të ruajtjes së dinjitetit njerëzor.

2. Kritiku letrar: arkitekt i mendimit estetik!
Prend Buzhala njihet sot si një nga kritikët më produktivë dhe më seriozë të letërsisë shqipe. Kritika e tij karakterizohet nga:
njohje e thellë e traditës letrare shqiptare dhe botërore,
qasje intertekstuale dhe filozofike,
respekt ndaj autorit, por pa kompromise estetike.
Ai nuk është kritik përjashtues, por ndërtues i dialogut letrar, duke ndihmuar në formimin e shijeve estetike dhe në afirmimin e autorëve të rinj e të konsoliduar.
3. Krijimtaria letrare: shumësi zhanresh dhe identitet estetik!
Si shkrimtar, Prend Buzhala është autor i shumë veprave letrare, duke përfshirë poezi, prozë, ese dhe kritikë letrare. Kjo shumësi zhanresh dëshmon për një energji krijuese të jashtëzakonshme, por edhe për një kërkim të vazhdueshëm estetik.

Poezia e tij përfshin elemente mitike, filozofike dhe simbolike, ndërsa proza dhe eseja shërbejnë si hapësira reflektimi mbi identitetin, historinë dhe fatin kolektiv.
V. Redaktori: Arkitekti i padukshëm i letërsisë!
Në studimet tekstuale bashkëkohore, roli i redaktorit konsiderohet thelbësor në formësimin e veprës letrare¹⁰. Prend Buzhala, si redaktor i dhjetëra e dhjetëra

 

veprave, ka ndikuar ndjeshëm në cilësinë gjuhësore dhe estetike të letërsisë shqipe.
Ai vepron si kujdestar i gjuhës dhe ndërmjetës estetik, duke kontribuar në ndërtimin e një kulture letrare të qëndrueshme.
Figura e Prend Buzhalës përfaqëson një model paradigmatik të intelektualit shqiptar: të formuar në rezistencë, të sprovuar në burg dhe të konsoliduar në liri. Ai mishëron intelektualin organik (Gramsci), kritik hermeneutik dhe krijues polifonik, duke dëshmuar se fjala e vërtetë lind nga përballja me historinë dhe jo nga rehati akademike.
Poezia e tij është e ngarkuar me simbolikë filozofike dhe mitike, proza eksploron dimensione të kujtesës dhe identitetit, ndërsa eseja shndërrohet në hapësirë reflektimi të thellë kulturor.

-Kritika si akt interpretimi!

Në periudhën e pasluftës, Prend Buzhala afirmohet si një nga kritikët më të rëndësishëm të letërsisë shqipe bashkëkohore. Kritika e tij mbështetet në parimet e hermeneutikës letrare, sipas Hans-Georg Gadamer-it, ku kuptimi lind nga dialogu mes tekstit, lexuesit dhe traditës⁷.
Ai e trajton poezinë si sistem simbolik, duke e lexuar në raport me mitin, historinë dhe kujtesën kulturore. Në këtë kuptim, kritika e tij është interpretuese, jo normative, duke refuzuar dogmatizmin estetik.-
-Formimi i kanonit letrar!
Në frymën e Harold Bloom-it, kanoni letrar formohet përmes tensionit estetik dhe dialogut kritik⁸. Prend Buzhala vepron si ndërmjetës i kanonit, duke afirmuar vlera autentike dhe duke problematizuar imitimin, mediokritetin dhe konsumizmin letrar.
IV. Krijimtaria letrare: Polifonia e zhanreve!
Opusi letrar i Prend Buzhalës shtrihet në poezi, prozë, ese dhe kritikë. Kjo shumëzhanrësi mund të lexohet në dritën e teorisë së polifonisë së Mikhail Bakhtin-it, ku zërat e ndryshëm bashkëjetojnë në një univers kuptimor kompleks⁹.

-Redaktori: arkitekti i heshtur i letërsisë!
Një aspekt shpesh i nënvlerësuar i veprimtarisë së Prend Buzhalës është puna e tij si redaktor profesional i shumë veprave letrare të autorëve të ndryshëm. Kjo punë përfaqëson një kontribut të jashtëzakonshëm në cilësinë dhe zhvillimin e letërsisë shqipe bashkëkohore.
Redaktori Buzhala nuk është censurues, por udhërrëfyes estetik, duke ndihmuar autorët të arrijnë formën më të mirë të shprehjes së tyre.
III. Figura e Prend Buzhalës në kontekstin kulturor shqiptar përfaqëson modelin e intelektualit të angazhuar, që nuk e ndan krijimtarinë nga përgjegjësia shoqërore. Ai është dëshmi se fjala e lirë nuk lind në liri, por përgatitet në rezistencë.
Në kontekstin shqiptar, ai qëndron si figurë që lidh:
arsimin me kulturën,
publicistikën me letërsinë,
rezistencën me krijimtarinë.

Përfundim
Prend Buzhala është një figurë komplekse dhe shumëplanëshe e kulturës shqiptare: arsimtar i rezistencës, publicist i guximit, i burgosur politik, krijues i devotshëm dhe kritik letrar i formuar. Veprimtaria e tij para luftës dhe sot në liri dëshmon për një vazhdimësi morale dhe estetike, ku fjala mbetet gjithmonë në shërbim të së vërtetës, lirisë dhe kulturës.
Ai përfaqëson një institucion më vete në letërsinë shqipe bashkëkohore, dhe studimi i figurës së tij mbetet i domosdoshëm për të kuptuar rolin e intelektualit shqiptar në kohë krize dhe në kohë lirie.
Shtator 2024-Janar 2026
A,Desku

LIBRASHITËSI- Cikël poetik nga Imri Musliu

 

 

Data dhe vendi i lindjes: 13/03/1958, Zaskok-Ferizaj
Shkollimi: Shkollën fillore e kreu në Zaskok, shkollën e mesme të makinerisë në Ferizaj, ndërsa fakultetin teknik të makinerisë në Prishtinë.

Ka botuar karikatura nga viti 1981, duke filluar në Gazetën e Studentëve ‘’Bota e Re’’ në Prishtinë dhe vazhdon edhe sot të merret me këtë aktivitet.
Shkruan poezi, prozë dhe mledh e krijon anekdota.

Ka te botuara libra me poezi, karikatura, romane dhe anekdota.

“Ligjërata e Kabilit”, poezi, Shkup 1996
“Kakafizma“, bashkautor me Bardh Frangun (karikatura dhe aforizma humoristik), Ferizaj 2003
“Kohë e uritur“, poezi, Ferizaj 2006
“234 anekdota“, Prizren 2016
“Kapërcimi përtej Urës së Siratit“-roman, Ferizaj 2016
”78 ditë ankth dhe shpresë”-ditar, Prishtinë 2022

Në vitin 2021 ka qenë bashkëthemelues i bibliotekës në kuadër të Bienales Ndërkombëtare të Humorit e Satirës “Niko Nikolla” në Pogradec.

Ka hapur ekspozitë të pavarur të karikaturës, të parën e këtij lloji në Ferizaj në vitin 2001, shumica të botuara më parë në gazetën lokale ‘’FerPress’’ dhe ‘’Rozafa’’ në Ferizaj dhe ekspozitën e dytë personale në vitin 2021.

Ka fituar mirënjohje për karikaturë në festivalet e karikaturës në këto festivale ndërkombëtare:
– Festivali Ndërkombëtar i Karikaturës, vizatimit dhe kaligrafisë në Tbilisi të Gjeorgjisë, 2016
-Festivali Ndërkombëtar i Karikaturës në Eskishehir të Turqisë, nëntor 2016
– Festivali Ndërkombëtar i Karikaturës në Tunizi, 2017
-Euro-Kartoenale Kruishoutem – Belgjikë, 2019
-Festivali Ndërkombëtar i Karikaturës, Filipine 2020
-Festivali Ndërkombëtar i Karikaturës ‘’Cairocature’’- Edicioni i Dytë, Kairo, Egjipt 2020
– Ka qenë finalist në Festivalit Ndërkombëtar të Karikaturës në Kyrenia të Qipros në vitin 2021 etj.
-Është anëtar i rregullt i revistës satirike të përmuajshme ‘’BirKitapBinDost’’ në Stamboll, Turqi, ne Bashkent Postasi dhe ne shumë gazeta elektronike të karikaturës nëpër botë.

Është njëri nga themeluesit e Shoqatës së Karikaturistëve ‘’HiTHi’’ në Ferizaj në vitin 2016 dhe drejtor ekzekutiv i saj nga fillimi e deri më sot dhe drejtues i Festivalit Ndërkombëtar të Karikaturës që organizohet çdo vit në Ferizaj.

Ishte mësimdhënës në Shkollën e Mesme Teknike “Pjetër Bogdani” në Ferizaj, prej ku është pensionuar.

LIBRASHITËSI
Në shesh, flejnë librat mbi tavolinë
Librashitesi me një strajcë bukë
U rri pranë e ma kujton
Bariun me tarçuk varur në sup

Një ditë nuk mora bukë me vete
Dhe ngela i urutur, tha
Se nuk shita asnjë ekzemplar

Dielli ngrihet e bie kupës së qiellit
E librashitësi qëndron në shesh
I ekspozuar para librave
E vazhdon të besoj
E vazhdon të shpresoj
Në bukën e librave
Si sharraxhiu dikur moti
Për fëmijët përtej shtatë bjeshkëve
Simitet kah i ëndërronin

IN MEMORIAM PËR KURBETÇIUN
Rrahu e rrahu shtigjet
Shko e eja
Ngrohtësi solli në veri
Ferski në jug
Pastaj dikush tha: Vdiq
Dikush tha: U shkri
Balsam iu bë Tokës së vet
Vetes i hapi plagë
Tjerëve t’ua mbyll

MUSË TAHIRI
Musë Tahirit
Iu prenë gjunjtë
Iu këput shpresa
Kur dora e hasmit
Ia shkretoi
Kullë e plang
E mbështetje t’vetme
Kërkoi kanunin

Po as hasmi
Nuk e përvëloi
As Kanuni
Sa kanunxhinjtë

Kur shpërtheu
Dufi i zhgënjimit
Jehoi kënga:

“Musë Tahiri e fshinë synin
E për faqe e p’shtetë martinën”

Kur Kanuni bënë leqe
Lindin musëtahirë
Leqet t’i drejtojnë

QENI

Kafshon qeni
Zbaton urdhërat
E kryeqenit
Mungesën e ujkut
Kur heton

Ai qen bir qeni

KRYEQENI
Ulur në bisht
Kokën nuk e kthen
Mbërthyer nga ishiasi
Qafë e kurriz

Ashtu rri
I zhytur thellë
Në strategjinë e kafshimit
Qenqe

BESA E QENIT
Historia nuk di
Se u pre kush
Në besë të qenit

Njeriu
Kurrë nuk u betua
Në besë të qenit
Po në besën e vet
Të pabesë

UJKU
Përditë e më pak ujqër
Përditë e më shumë qenë

Kur mungon ujku
Vërshojnë qentë

Të bijtë e qenit

LUANI

Lehin qentë
Ulërijnë ujqit
Diku larg

Ai në fron
I zhytur
Në krenarinë e vet
Lehjen nuk e kthen
As syrin nuk e tremb

TUFANI

Toka dridhet

Minjtë të zënë ngushtë
Dalin fushës

Për tu fshehur
Copëtohen këmbësh
Gjëja e gjallë

Qielli
Nuk i mban shpezët
Struken llugave

Njeriun nuk e mban toka
Qielli ngushtohet
Vaj medet

ORA E APOLLONISË
(Ora e Apollonisë
Nuk përfillka kohë
Nuk përfillka stinë)

Dhëmbi i kohës
E brenë vetveten
Në këta gurë

Në amfiteatrin antik
Dy mijë e treqind vjet
Jepet shfaqje

Është kohë tjetër
Janë tjerë aktorë

Shëtitorja antike
Dymijë e treqind vjet
Pret e përcjell

Është e njëjta rrugë
Është tjetër kohë

Koha ndërroi
Dymijë e treqind vjet
Por Ora e Apollonisë
Nuk përfillka kohë
Nuk përfillka stinë

Apollonia
Dritare e kohës
Në lashtësi

ALPINIZËM

Përgatis
Kunja hekuri
Shkallë litari
Çizme alpine
Dhe nisem përpjetës
Majën ta pushtojë

Copa akulli e gurësh
Shembje dheu e bore
Rrugën ma vështirësojnë

As çizme alpine
As shkallë litari
As kunja hekuri
Nuk më ndihmojnë
Ta pushtojë
Majën e Poezisë

KALORËS TË PËRJETSHËM
Botës së paanë
Kalërojmë
Nëpër shekuj
Oazën e lumturisë duke kërkuar

Vorbulla pluhuri të pista
tornado
Na mbështollën
Ne vazhduam udhëtimin
Dhe kërkuam

U thinjëm mbi kuaj
Kinse po kalëronim kohën
Gjersa koha na kalëroi
E vesh s’e morëm!

ASGJË E RE

Këngëtarë çirren kafeneve
Të dehur nga paraja
Këpusin tela
Thyejnë instrumente

Lypsarë rrugëve
Mallkojnë acarin e ditës
Diellin që nuk i nxehë

Gazetarë prostituta
Nxijnë faqe gazetash
Nxijnë fate njerëzish

Dhe, nata e dita
Ndërrohen si më parë
Universi zgjërohet si më parë
Zemrat tkurren si më parë

Asgjë e re
Në shekullin e ri

 

UDHËKRYQI

Eci pafundësive
Me shpejtësinë e dritës
Gjithë jetën

Askund s’arrijë

Të kthehem prap
Kohë nuk kam

Të vazhdoj
Prap nuk kam kohë

Më duket të gjitha rrugët
Përfundojnë në këtë udhëkryq

FJALA E KRIPA

E mora kripën
Ia dhash fjalës

Veç ma shtoi etjen

Nga etja nxitova
Në lumë fjalësh
De kripën e mori lumi

DIÇKA QË DJEG

Rrugët e bukës
Çojnë dikah larg
E rrugët e kthimit
Përditë ngushtohen

Midid dy rrugëve
Midis dy flakave
Kalitet e digjet zemra

Njëra dëbon
Tjetra tërheq
E në mes tyre
D i l e m a

Në këtë duel që djeg
Duart e vogla të Dardanit
Prapa më tërheqin
Në nënkulmin e shtëpisë
Ta mundim skamjen me durim

Kjo botë na lindi
E po na han
Përditë ngapak

VETËM ME BISHAT

Këtu larg shtëpisë
Me duar e sopatë
Gatuhet buka

Fëmijët përtej bjeshkëve
Ëndërrojnë simite
Babit i besojnë shumë
Dhe sopatës së tij

Një flakë më pushton
Midis ahishtës
Ku gdhihem e errem
Vetëm me bishat

LOJË E VIRGJËR

Ju shoh kah luani
Të padjallëzuar
Të bartur mbi krahët e këngës
Nuk u brengosin:

Vërshimi i sëmundjeve
Mungesa e barërave
Çfrenimi i epsheve
Mungesa e arësyes
Tërbimi i inflacionit
Mungesa e bukës

I rrënqethur
Lotëtt’mos m’i shihni
Shpinën ua kthej

Lotët vazhdojnë
Në njërën anë
Vaji në anën tjetër

E Toka megithatë sillet
N’orbitën e vet
e s’trazohet

KOKA TË BRONZTA

Të gjithë u thurin himne
Për së vdekuri

Për së gjalli ua pijnë gjakun

Proletariatit i flini në zemër
Byrokracisë i flini në gjuhë

Me kokat tuaja të bronzta
Në fushën tetë herë tetë
Luftë e tmerrshme zhvillohet

NDARJE
1

U ndamë

Ti në klinikë
Unë në autobus

Dhembja na brente

Ty në asht
Mua në zemër

Pamjet turbullonin

Lotë në klinikë
Lotë në autobus

Kështu ndaheshim
Përditë ngapak

NDARJE
-2-
Atë ditë
Ditë ishte
Po terr ishte

Qielli terr
Zemrat terr

Rigonte
Shi qiellit
Shi faqeve

Fjalët ishin lidhur nyjë
Kuptoheshim me shikime

E rigonte
Shi qiellit
Shi faqeve

Në ndarje
Era frynte
Zemra ç’frynte
E rigonte
Rigonte shi

Shi në qiell
Shi në tokë
Shi në sytë e mi

UDHA QORRE

Largësitë më rriten
Përditë e përditë
Dhembja më ulet
Këmbëkryq në kokë
Lëkurën shtroj
Me lëkurë mbulohem
Rrugëve e trotuareve

Nëpër mjegull
Horoskopi më bëhet
Busullë rrugëtimi
NË FUND TË FUNDIT

Eci mes binarësh
Ata sikur bashkohen diku
Në fund të fundit

Eci, eci, eci…
Prap e njëjta rrugë
E njëjta pamje
E unë mes binarësh

RUAJU KOHËS, KALA
Shekujve
Bedenave
Mureve
Shëtiste vdekja

Portave
Nuk kalonte
Njeri i gjallë

Tani ajo
As që mbyllet
Bedenat kanë zënë myk

Brenda shëtisin
Njerëz racash të ndryshme
Gjuhësh të ndryshme

E kaluara
Paloi qafën në cung
Dhe shkoi

Por kohët ndërrojnë

Dhe, ruaju kohës
Kala

NË REPARTIN ONKOLOGJIK

Kthinë e qetësisë
Stacion i fundit
I fjalës sa
Ku memec u bëre
Ciceron

Në dyluftim me vdekjen
Fjala t’u bë fli

Kështu si sonte
Kurrë s’ke belbëzuar
Ciceron

I tillë paska qenë fati yt
Medet,
medet,
medet!

NË RRETH

Në rreth përsëritet çdo gjë

Qeshim, qeshim, qeshim
E harrojmë

Me thikat e xhelatit në dorë
Muzat i bëjmë të heshtim
Qajmë, qajmë, qajmë
E prap harrojmë

Në rreth çdo gjë përsëritet

SHPELLA E GADIMES

Paska fshehur dosjet
Shumëçka paska fshehur
Kjo shpellë

Paska mësuar nga Sodoma
Shumëçka paska mësuar
Kjo shpellë

Paska përvetësuar
Shtatë pash nëntokën
Mbitoka e paska tmerruar
Këtë shpellë
Këtë galeri artesh
Këtë muze antik

MALLKIMI

Kalin e rëndon mallkimi
për krimin e njeriut të panjerëzi

Trojën nuk e pushtoi kali
As Rexhën nuk e shqelmoi
Po njeriu i panjerëzi
Pushtoi Trojë e vrau njeri
Pastaj shpifi dhe mallkoi
Kalin e quajti të zi
Atë ditë e sot
Mallkimi shëtitë në gjithësi
Dhe kërkon të përplaset
Në kalë a në njeri

RROTË MBI STUPC

N’atë luftë të përhershme
herë uji herë zjarri
ngadhnjejnë
(Mirko Gashi)

sillet rrota
sillet bota
rrugës sinusoidë

sa bie
ngritet
e prapë bie
për t’u ngritur

hidhet fara
mbillet ara

sa korret
prapë mbillet
e vazhdon rrota
të sillet
ara të korret
e prapë të mbillet

çdo gjë që ngritet
sërish zbritet
herë majë Lybeteni
herë poshtë te liqeni

rrotë mbi stupc

KRAHASIM
Kur t’i pash sytë
E kuptova sa i verbër jam

Kur ta dëgjova ligjërimin
E kuptova sa memec jam

Kur ta pash hapin
E kuptova sa statik jam

Kur e kuptova sa i vogël jam
E kuptova madhështinë time!

NJË COPË BUKË
(Pesë punëtorë kosovar, humbën jetën tragjikisht në një kantier ndërtimi në Kazakistan)

Dora e vogël e një fëmije
E rrëmbeu një tas kosi
N’tjetrën dorë një gurabie
E n’valixhe i vendosi

S’desh ta mbante sall për vete
Po me babin desh ta ndaj
K’shtu janë rrugët e k’saj jete
Me pak g’zim e me shumë vaj

Pa e ditë se ku po shkonte
I tha babit udhë e mbarë
Ai vajzës s’i tregonte
Se po bëhej mërgimtarë

Thellë, shumë thellë, n’zemër e mbylli
S’desh ta shfaqte jashtë mërzinë
Si q’m’shehë n’vete shumëçka pylli
Kurrë për fushë s’e çet brendinë

Një lëmsh vreri brenda i vloi
Shtrëngoi dhëmbët e nuk foli
Bukë as ujë teposhtë s’i shkoi
Vreri i vet për hund’sh i doli

Në një skutë dikund u struk
Me valixhe n’aeroplan
Bashkë me Të dhe një copë bukë
Fluturoi n’Kazakistan

Mëngjes i hershëm i 10 marsit 2015, Aeroporti i Prishtinës

 

NËNËS SIME

Unazat iu deformuan
Shtëpinë duke bartur
Mbi kurriz

Sytë iu verbuan
Ecjen time kah dielli
Duke parë

Flokët iu zbardhuan
Në derë të oborrit duke më pritur
Kohëve me brymë

Veç gojë e saj
S’u helmua kurrë
Balsam ishte fillim e fund

Shkallares së jetës
U ngrita e rashë
Se më ndiqte pas
Nënën nuk e pashë

LULE PËR NËNËN
Lule nuk të bleva
Se një zë më pëshpëriti:

O injorant
A e din ti
Se nuk dilet
Nga koha e hapësira
Pa ardhur Dita?!

Ai që të solli këtu
Edhe të nxjerr
E lulet
As ti
Nuk i merr me vete
As trupin tënd
Asgjë, asgjë, asgjë

Kur të vie Dita
Lule për nënën do të jesh ti
Buqetë lulësh për ty
Do të jetë ajo!
tetë mars 2014

NËNA IME
1/
Fjalën e fundit nuk e the
Se fundin nuk e pranove si fund
Veç si fillim të ri

Unë nuk mbeta veç Robinson i Tokës
Por edhe më keq
Mbeta jetim
Deri në çlirim
Nga ky ngujim

NËNA IME
2/
Sa ishe
Me t’dashtë
Nuk dita
Tani që s’je
Të kërkoj

Mbi varr
Lulet e Blinës e të Jonit
Era i përkëdhel
Erë blini
E fllad Joni
Të ofojnë

‘’TAKIMI’’ ME NËNËN”

Foton ta zbrita nga muri
N’korrnizë më dukeshe e kufizuar
Ti je e madhe, gjithë shëndritë nuri
Si yll n’gjithësinë n’yje praruar

Në mendjen time të shohë përherë
Ashtu ballëlartë, me sy kah dielli
T’shëndritë fytyra gjithë shend e verë
Duket prej teje merr dritë dhe qielli

Ashtu na sheh kah vijmë e shkojmë
Duke shijuar të mirat mbi dhe
Këshillat tua i përjetësojmë
Kur ike tutje e ne na le

Atë çast pafuqie s’do ta kujtoj
Pa lamtumirë kur nga këtej ike
Unë fare mirë tash të kuptoj
Nuk quhet ndarje, ndarja fizike

Gjithkah tek endem, do t’jem me ty
T’dalë përtej kohës, t’kthehem përsëri
Gjithë ç’ma thotë mendja, ta shohë me sy
A s’është kjo mbi t’gjitha një mrekulli?

Kjo do të ndodh kur te Ti të vijë
Kur pesha ime më s’do t’m’pengoj
Shpejtësinë e dritës kur ta arrijë
Dalja prej kohës do t’jetë vetëm lojë

KUR VIE FESTA E VITIT TË RI

Saherë kaloj përreth varrezave
Nuk shikoj andej kah zhvillohet jeta
Po nga varri yt, nënë

Saherë vie festa e Vitit të Ri
E shkrepin fishekzjarret
Dal në borën e acartë
Se kam temperaturë
Kur më kujtohet pafuqia jote
Kur Ti luftoje me vdekjen
E tjerët festonin

Edhe atëherë ishte dimër
Por gropat e syve t’u bënë puse djerse
As akulli s’të jepte fresk

Për herë të parë u ndjeva i dobët
Dhe ika nga dhoma e përpëlitjeve të vdekjes
Të mos rëndoj me lotët e mi

Ti ike në tjetrën botë
Pa na thënë lamtumirë
Dhe bëre mirë
Që ndarjen nuk e pranove

Ende e kam ndjenjën se jam me Ty
Dhe vërtetë jam me Ty
Veç ngohtësinë e prehërit nuk ta ndjej

Tani as dielli kur nxenë
Akullin në zemër, nuk ma shkrinë
Dimër, as verë!

NUK RRËFEN GJË KËNGA, RRËFEN VETËM LOTI
Te dyertë e oborrit na përcillte nëna
Kur niseshim me babën t’hënave për n’Prishtinë
Pa dhënë vi mëngjesi, dhe pa ikur hëna
Verë e dimër, në borë a në shi me vetëtimë

S’kthehej, deri te kthesa e zabelit sa arrinim
Pastaj menjëherë, përvilte këmbë e duar
Ajo e dinte mirë, ashtu si ne e dinim
Se jeta ka shumë fronte, herët kishim mësuar

Gëzohej se me të gjitha, na kishte përgatitur
Si dy alpinistë kur nisen thik pjerrinës
Njërin rrugës së dijes, që do për t’u ngjitur
Tjetrin t’i prekë retë, n’rrokaqiej t’Prishtinës

Në fund të javës kthehesha me dëshirë
Se e gjeja nënën, aty ku e kisha lënë
Ra shi, ra borë a ishte kohë e mirë
Ishte ditë me diell, a terri kishte rënë
Asnjëherë, pesha e kohës zezonë
S’ia përkuli dot atë trup pehrri
Na priste ditën, a n’mbrëmje deri vonë
Për punën që bënim, na e kishte lakmi

Teksa m’përqafonte, i ndërronim njëmijëenjë fjalë
Njëqind hapa udhë ende pa i kaluar
Nga larg e ndjeja erën e lakrorit valë
Në sofrën që priste, darkën për ta shtruar

Pasdarkave kur plaste kënga në sharki
Shpejt na ikte koha si rrjedha e lumit
Ajo e buzëqeshur na rrinte karshi
Që n’mbrëmje lamtumirën, ia jepnim gjumit

Ah nënë! Iku ajo kohë, ike edhe Ti
Ëndërroj se m’pret ende te oborri
Saherë që largohem, prapë kthehem e vi
S’të gjejë më aty, as s’ndjej erë lakrori

Tani kur Ti pushon në lëndinë
Kohën ta rikthej, mundohem kot së koti
Që ta shuaj mallin e rrëmbej sharkinë
Nuk rrëfen gjë kënga, rrëfen vetëm loti.

MONACO- Poezi nga Meti REXHEPI

 

Deti ta kishte grabitur oborrin me armën që nuk kapet
mbi kaltërsi valësh thyhen konturuat e zilive
fryma e mushkërive të zgjeruara të erës shqepet dendurisë së pallateve
të hedh shallin e freskisë së hollë e të përdredhur dhe t’i mbështjell
ngrehinat e Tua i fërkon dhe lëmon rrëmbyeshëm e fashitur
përplasen kontrasteve të pjerrtësive të frymëmarrjeve ritmet
ndërvarje djersësh me kozmetikën

Deti Zot i tokës kaherë preras ta kishte shqiptuar fatin:
ngjitu më lart në daç bëhu bukuroshe
do më lësh se (z)bën t’i shtrijë prekjet e mia në këmbët Tua
e shtrënguar ndërtove prirjen e urdhërdhënësit të pathyer
s’të mbeti dy mendje si ajo shtytje mëshikëze nga urina
t’ia mbështesje shpinën shkëmbit t’i falesh valëve
që vijnë e diç marrin dhe gërryejnë shkëmbin e lënë kripëra

çdo t’i bëje konturove prej hinkës Tënde si do ta përpije vapën
nëse s’do t’i puthte prore këmbë e duar sy e faqe
menyja e flladit të lëngshëm dhe shija e peshkut të kripur erëzash e barishte
kupola Jote bardh e kaltër ta ngjyen ajrin
atë dënim ngushtice mbi shkëmbinj e gdhive në njërin ngadhënjim
shkallëve përmbushe mandate ngjitjeje lart, por jo zbritje poshtë
Zonjës Sate luks-matëse mbase ia gdhende fytyrën
si një fisnikeje me emrin Monaco

për mua paske buzë e duar të ftohta Zonjë e shtrirë në gurë zemër plastike
buzët t’i ngjyeka krejt praruar paraja kësaj Mbretërie të Miniaturës
fati çast i lumturuar apo i zi ai basti i Monte Karlos
nëse jo mua vetëm kodit Tënd Zonja Monako i çilen dyert prej lulesh
Zonjë nuk pash koshere bletësh e faqet mjaltore i mbarke
nuk e ditke se bëke mëkate m’i shpaluake gjinjtë pjalmore
që t’i përkëdhelin pandarë pos lëmim diamantesh
apo ari shumë karatësh

farfuritjet Tua të natës nuk ma ndriçojnë terrin
modeli Yt udhë rrëfim që do të më linte vishkull bredharak
një rebel gurë rrotullues tatëpjetash ngadalë me të pështyra përpjetash
mëtoja të rindërtoja vetveten porse Ty nuk të ndjek dot
me qenin në shtrat gjithnjë vjen e shkon mos ta prishkam egon
skamja dhe kamja ndjekin njëra-tjetrën
athua u zgjuaka mëshira Jote e ftohtë
kur e kur e fortifikuar në Kështjellën Tënde
po hykan pa biletë Krishtlindjet
ndjesia e gozhduar e gjakut, ajo simbolikë për lashtësi dhimbjesh

Monaco
paqen ta qëndiskan farfuria e ngjyrave të Krishtlindjeve
mbase lutesh t’i kesh bekimet e shirave
për të mbjellat e të vjelat e Tua në arat e artarëve
ruana, Zot: zemrat mos të na kaplohen me duna rëre në vena
Nili të mos shterojë lulja e parasë nuk çel në rërë
ndonëse mbi Ty vegjetojnë lule – ëndjet e saksive
shqisat e Tua shijojnë mjaltin e kallinjve të mendjes
sot, veçse të këqyra, sot thellësisht të këqyra jashtë lëkurës sime të rrjepur
ziente shqisa e kthimit në pikën e zezë ku ardhjen te Ti nisa
gjarpërinj e hiena dykëmbëshe të uritura kishin zënë prita
dhe lëvrinin në dogana lloje ngjyrash me çdo farë zërash të mykur e mynxyra

 

Frejus – Francë, dhjetor 2025

ERA E VENDLINDJES QË RUAN SHPIRTRAT- Nga LULZIM LOGU

 

Sapo ka dalë libri më i ri poetik i poetit Zef Mulaj nga shtëpia botuese SIMPLE,në Italisht Macerata! Vento custodisce l’anima.(Era ruan shpirtrat),poezi në Haiku , libri i 8-të në gjuhen italiane në mes 18 librave, shqip italisht, anglisht,gjermanisht. rumanisht.

Në parathënien që hap librin e ri shkruhet:
Nuk është vetëm një përmbledhje haikush: është një udhëtim i thellë i brendshëm që bashkon emocionin me mendimin, dhimbjen me rilindjen, dashurinë me ndërgjegjësimin shoqëror. Çdo poezi ecën me hap të lehtë, por të vendosur, si era që prek malet, fushat, qytetet dhe sidomos shtresat më të thella të shpirtit.
Autori është shkencëtar dhe poet — një ndërthurje e rrallë që i lejon të shohë botën me saktësi analitike dhe njëkohësisht të ndiejë bukurinë e saj të fshehur. Vështrimi shkencor kap hollësitë; zemra poetike i kthen ato në emocion universal. Ky ekuilibër i jep vargut një thellësi të veçantë: çdo rrokje është zgjedhur me kujdes, çdo imazh mban brenda një mesazh të fuqishëm.
Pak biografi për poetin e njohur tropojan i cili ka shumë vite që jeton në Itali:
Dr. Zef Mulaj lindi në fshatin Mulaj të krahinës Nikaj-Mërtur të Malësisë së Gjakovës (Tropojë). Ka punuar shumë vite në profesionin  e tij,  në zona të ndryshme të tropojes .Ka mbaruar studimet e larta në Degën e Farmacisë të Fakultetit të Mjekësisë të Tiranës.
Përveç punës së farmacistit, gjithnjë është marrë me kërkime shkencore, sidomos në studimin e bimësisë mjekësore të Alpeve Shqiptare.
Në vitin 1994, vendoset në Itali, me një bashkëpunim shkencor. Në vitin 1998 mbaroi studimet e larta edhe në universitetin Camerino të Italisë, ku mori titullin doktor i shkencave farmaceutike me studimin e bimësisë mjekësore të Alpeve të Shqipërisë.
Mbrojti titullin “Master akademik”,  me titullin Dr. në  shkencat “Metodikat analitike forense”, në universitetin La Sapienza – në Romë. Bashkëpunëtor shkencor në Katedrën e Farmakologjisë të Universitetit Politeknik në Marche të Italisë: Farmacia  klinika (Aplikative Sperimentale).Specializuar në Institutin e Medicinës Legale Departamentin e Kimisë Toksikologjike Forense në Universitetin Macerata Itali.Është pranuar në Albën e Rolit të Konsulentëve  dhe të Ekspertëve  Shkencorë në fushën e Kimisë  dhe Metodikat Analitike Forense në fushën e kriminologjisë shkencore.
Specialist në toksikologjinë klinike e ambientale; në farmakovigjilencë mjekësore; ekspert në kontrollin kimik të produkteve farmaceutike të lëndës së parë; specialist në fitoterapi  e  farmakonjozia, specialist në informatikën aplikative. Është i specializuar për ndërhyrjet e shpejta mjekësore, për Kryqin e Kuq Italian. Merret me hulumtimin dhe zbulimin e substancave të reja farmakologjike natyrore. Specializuar në aplikimin e instrumenteve më bashkëkohore shkencore, në ivestigimin analitik, në Kiminë Analitike Forense (Spetrometria e masës e  HPLC-së etj…) në fushën  shkencore të kriminologjisë, substancave abuzive, alimentare, shëndetin publik etj.
Ka marrë pjesë në kongrese e konventa ndërkombëtare,”Farmakovigjilenca dhe substancat abuzive”, konventa ndërkombëtare “Kimia  forense” etj.
Autor i  publikimeve,  mbi 40 artikuj dhe studime shkencore.
Anëtar i Shoqatës së Fitoterapisë në Repuplikën e Italisë, anëtar i Lidhjes Botërore të Poetëve Bashkëkohorë (World Poets Society), anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, anëtar i shoqatës kulturore “Leopardian Komunity Itali”, anëtar nderi i shoqatës “Leopardian KomunityItali” me motivacion“Excellent në fushën e kulturës dhe të shkencës, njohur në Europë”.Is a member of Albanian-American Academy Science  and Arts.
Në vitin 2012, në njëqindvjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, u zgjodh një nga njëqind shqiptarët e diasporës në Botë për arritjet në fushën e shkencës e të kulturës nga  “Albania Excellence”.
Vepra letrare dhe shkencore:
“Emri që lind diellin”, poezi, Tiranë, 2004.
“Mjegullvarur mbi Ballkan”, poezi, Tiranë, 2006.
“880 bimë mjekësore në Alpet e Shqipërisë, Weso,Tiranë, 2009.
“Imazh”, roman policesk, “Weso” Tiranë, 2011.
“Prendi per mano la miaombra” (Merr për dore hijen time), poezi, italisht – shqip, anglisht e gjermanisht, në Simple Macerata, 2011.
“Lulet e shpirtit”, poezi,“Filara”, Tiranë, 2012.
“Jetë e thyer” (Memory-roman), “Filara”, Tiranë, 2012.
“Altri occhi all’orizonte”(“Sytë e tjerë në horizont”), poezi, Editura Simple, Macerata – Itali, 2012.
“Pieni di sogni ifiumi”(Lumenj ëndrrash), Editura Simple, Macerata – Itali, 2014.
“Hëna, nuse e poetit”, “Edlora”, Tiranë, 2015;
“Sguardo oltre  iconfini”(Shikim përtej kufijve) (Roman polices, “Kimerik”,Mesina – Itali, 2015. “
“Atje qirinjët i i ndez dielli”, poezi , Editura  Edlora Tiranë  2019.
“Miracolo in gabbia, poezi Haiku ,Editura Simple Macerata Itali 2020

Era si metaforë dhe shpresë:
Era në librin e ri të Mulajt është një metaforë e prekshme, delikate dhe fluide, shpesh e padukshme, por thellësisht e ndjeshme teksa përshkon vargjet magjike të hajkut, ngarkuar mungesë dhe mall zhuritës për vendlindjen , larg të cilës jeton autori, fizikisht ndjehet aq larg, por mbi krahët e lehtë të hajkut udhëton në skutat më të mistershme të nënvetëdijes dhe qiellit të kujtimeve që reshin lot si shi.
Si guide e shpirtit të tij ngujuar luginave ngopur me mjegull dhe ritmin e valëve të lumit, me aromë dredhëze dhe parfumin e mrekullueshëm të pishave dhe bredhave të Alpeve, në hapat e mezidukshëm të dhive të egra që hukasin agimin e parë ashtu si në tablonë e famshme të piktorit të njohur tropojan Nazmi Hoxha, në akordet e ngrehur telave të lahutës së largët në mbrëmjet e festive ku prin silueta e adhuruar e Jezusit, në jehonat mbresëlënëse të zanit të malësorëve të cilër ruajnë pafund shijen e atdheut në kangët majekrahu dhe kcimet e shenjta…
Era e vjeshtës,
fytyra grash të forta
akulli s’i përkul…
Dashuria për vendlindjen, përjetimet e saj në portretet e dashura njerëzore dhe në gjurmë kujtimesh të paharruara, vetmia e idhët që e kaplon poetin në mungesë të saj, shpresa e mbijetuar e rikthimit dhe ringjallja e pejsazhit mahnitës të saj përftuar nga rrëfimet e kërkuara përditë për të ushqejnë gjetje befasuese të hajkut, strukture solide të figuracionit poetic dhe origjinalitet tematik si dhe stilt ë ngrohtë, i cili të josh pafund në ethet e leximit:
Në baltë të errët,
mbin një shpresë e re
nënë që shëron…
Kjo dashuri që ndihet nga thellësia e trishtë e krijimit, ndërsa poeti ngadhnjen mbi ëndrrat tronditëse të mallit dhe e bën poezinë e tij kaq të lehtë, hajkut ngjajnë si flutura që lodrojnë vargu të tij të ndjenjave:

Buzëqeshja jote,
dritë që thyen errësirën
më shpëton prapë…
Natyra në librin e Mulajt me erën si kryefjalë, me pejsazhet mahnitëse që shtrihen bukur në strukturën e hajkut, mëkuar mall, pritje, mungesë, shpresë, me frymë personazhesh tejet të pranishëm nga e shkuara dhe e ardhmja e tij jetësore shqëron udhëtimin e tij poetik duke njehësuar femininë, kujtimet, emrat e dashur dhe fytyrën e paharruar të vendlindjes gdhendur në trajtat dhe linjat më përfekte të një të dashure universal dhe të përjetshme:
Natë e thellë,
kush dëgjon vajin e tyre
heshtje e rëndë…

Ndjesi përmbledhëse pas leximit të parë:
Hajku i Mulajt ka frymë moderne, poeti shfaqet i angazhuar dhe i përditësuar në formë dhe figuracion ndërsa përcjell tematikat tronditëse të kohës në një rrafsh gjithëpërfshirës shpirtëror dhe social, vargjet përballojnë ngarkesën emocionale falë këtij përditësimi, qenja e autorit edhe si kerkues shkencor i jep përmasa interesante trajtimeve tematike dhe qendrimeve të tij poetike, hajku i tij ka identitet dhe personalitet duke e bërë një prej zëve më njohur të levruesve të tij në rrethin e gjërë të krijuesve bashkëkohorë të këtij lloji të poezisë.
Era e vendlindjes në këtë libër ruan mrekullueshëm shpirtrat njerëzorë dhe fton gjithësecilin prej nesh ta kemi gjithnjë brenda vetes të ngrohtë dhe të patjetërsueshëm atdheun si dimensionin më të shenjtë në udhëtimin tone bashkëkohor.

Janar 2026

Marguerite Duras nuk shkruante thjesht tregime. Ajo dëbonte fantazma- Nga BUJAR HUDHRI

Në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare, ajo kaloi një lumë për të takuar të dashurin e saj—dhe më pas kaloi pesëdhjetë vitet e ardhshme duke shkruar për atë çast të vetëm, pa pushim, derisa ai u shndërrua në obsesionin letrar më të famshëm të shekullit XX.
Marguerite Duras nuk shkruante thjesht tregime. Ajo dëbonte fantazma.
E lindur në vitin 1914, në vapën mbytëse të Indokinës Franceze, ajo u rrit në një peizazh që do të përndiqte çdo fjalë që do të shkruante ndonjëherë. Lumi Mekong. Dielli tropikal i pamëshirshëm. Pabarazitë brutale të jetës koloniale. Ajo botë u gdhend aq thellë në shpirtin e saj, saqë dekada më vonë, duke jetuar në Paris, ajo ende mund ta ndiente peshën e saj.
Fëmijëria e saj u shënua nga një lloj humbjeje që e rimodelon përgjithmonë një njeri. Kur ishte vetëm shtatë vjeçe, i ati vdiq, duke lënë nënën e saj—një mësuese shkolle—të përpiqej të mbijetonte si të mundte mbi një copë tokë pa vlerë, të cilën administrata koloniale ua kishte “dhuruar” në mënyrë cinike në vitin 1924. Marguerite e pa nënën e saj të thyhej nën peshën e presionit, duke rrëshqitur drejt dëshpërimit dhe një lloj çmendurie etheplotë, ndërsa përpiqej më kot ta bënte tokën e papunueshme të jepte diçka—çfarëdo qoftë.
Ky kontakt i hershëm me vuajtjen, me dhunën e varfërisë dhe të shfrytëzimit kolonial—u bë motori i gjithçkaje që Marguerite do të krijonte. Ajo e kuptoi, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe që në moshë të re, se jeta nuk ndjek harqe rrëfimore të rregullta. Se e vërteta jeton në heshtje, në atë që nuk mund të thuhet, në hapësirat mes fjalëve ku kuptimi njëkohësisht fshihet dhe bërtet.
Ajo nuk ishte e interesuar t’ju tregonte se çfarë ndodhi. Donte që ju të ndienit si është të jetosh diçka aq intensive sa të të thyejë.
Në vitin 1929, kur ishte pesëmbëdhjetë vjeçe, ajo kaloi lumin Mekong me traget dhe takoi të dashurin e saj—një burrë i pasur kinez, në një kontekst shkelës, të rrezikshëm dhe shndërrues. Ai kalim, ajo marrëdhënie, ai çast u bënë obsesioni rreth të cilit ajo do të rrotullohej për pjesën tjetër të jetës.
Por ajo nuk shkruajti për këtë menjëherë. Së pari, ajo farkëtoi mjeshtërinë e saj. Në vitin 1950 botoi “Diga kundër detit”, duke u mbështetur në betejën e dështuar të nënës së saj me atë copë toke mizore. Pastaj, në vitin 1964, krijoi “Rrëmbimi i Lol Stein”, një kryevepër e lëvizjes franceze të “Romanit të Ri”, që e theu rrëfimin konvencional. Ajo copëzoi kohën. Përsëriste fraza si magji. I detyronte lexuesit të punonin për të rindërtuar çfarë po ndodhte, sepse kështu ndihet realisht kujtesa—e fragmentuar, obsesive, rrethore.
Dhe pastaj, në vitin 1984, kur ishte shtatëdhjetë vjeçe, ajo më në fund shkroi romanin “Dashnori”.
Libri u bë një sensacion ndërkombëtar, duke fituar çmimin prestigjioz francez Prix Goncourt. Por nuk pati sukses sepse ishte një kujtim romantik. Pati sukses sepse Marguerite kishte kaluar pesëdhjetë vjet duke mësuar si ta marrë një kujtim të vetëm dhe ta shpërbëjë aq plotësisht, ta rrotullojë aq shumë herë, të shqyrtojë çdo të metë e çdo çarje, saqë leximi të ndihej si përjetimi i drejtpërdrejtë i ndërgjegjes së dikujt tjetër.
Ajo shkroi për vajzën pesëmbëdhjetëvjeçare në traget me ndershmërinë brutale të dikujt që kishte jetuar mjaftueshëm gjatë për të kuptuar se çfarë do të thoshte vërtet ai çast. Jo si dukej nga jashtë, por çfarë ishte—dëshira, pabarazia e pushtetit, dhuna koloniale e thurur edhe në takimet më intime, mënyra se si vajzat e reja përdoren dhe hidhen tej, kompleksiteti i të dëshiruarit të diçkaje që njëkohësisht po të shkatërron.
Marguerite Duras e shndërroi parehatinë në art. Ajo refuzoi t’i ngushëllonte lexuesit me zgjidhje ose mbyllje. E kuptoi se disa përvoja nuk mbarojnë—ato thjesht vazhdojnë të jehonin, duke kërkuar të shqyrtohen sërish e sërish nga kënde të ndryshme, pa u bërë kurrë plotësisht të kuptueshme, por gjithmonë duke zbuluar diçka të re.
Stili i saj i të shkruarit—ajo përsëritje hipnotike, ato fragmente kohe të riorganizuara në modele jolineare, ai rrotullim obsesiv rreth të njëjtit çast—nuk ishte një marifet. Ishte e vetmja mënyrë për të qenë e ndershme me mënyrën se si funksionojnë realisht kujtesa dhe trauma.
Ajo vdiq në vitin 1996, pasi kishte kaluar tetë dekada duke dëshmuar se tregimet më të rëndësishme nuk kanë të bëjnë me atë që ndodhi, por me atë se si u ndje, çfarë kuptimi pati dhe si vazhdon të na formësojë shumë kohë pasi çasti ka kaluar.
Çdo shkrimtar që ka provuar të kapë peshën e heshtjes, që ka përdorur fragmentimin për të pasqyruar të vërtetën psikologjike, që ka refuzuar ta mbështjellë dhimbjen me një fjongo të bukur—punon në hapësirën që Marguerite Duras hapi.
Ajo na mësoi se ndonjëherë gjëja më e guximshme që mund të bëjë një shkrimtar është të kthehet te e njëjta plagë, herë pas here, jo për ta shëruar, por për ta kuptuar. Për t’i bërë lexuesit të rrinë me parehatinë, në vend që t’u ofrojnë përgjigje të lehta.
Ajo e kaloi atë lumë në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare. Dhe, në të vërtetë, kurrë nuk reshti së kaluari.

BRIXHIT BARDO- Poezi nga Konstandin Dhamo

 

Aktin e zhvirgjërimit tënd,
Që në vitet e pubertetit,
E qeshur, Brixhit, sfiduese dhe,
E çliruar,
Sapo dole në ballkon,
Tek u tregove miqve që po festonin,
Se, ç’kishte ndodhur,
E ktheve menjëherë
Në një devizë të njëmendtë,
Me një pankartë, veçse me një vulë gjaku ;
Tekst konciz telegrafik,
Që thoshte :

”Lëvizja feministe,
Revolucionin seksual të grave
Do të përndezë ! “

Kjo ishe ti,
Parisiania Brixhit Bardo,
Me energji vullkanike të pashtershme,
Pa të cilën,
Asnjë punë në këtë botë,
S’bëhet gjer në fund…

Kjo ishe ti,
Imponuese e paepur,
Çmendurisht e bukur dhe,
Magnetike
Si një planet më vete.

Ndonëse përgjithmonë,Brixhit,
Mbete me atë portretin tënd
Prej një çapkëneje të prapë
Dhe e llastuar ;
Po po,dhe me gojën e flaktë
Paksa të hapur
Dhe, dhëmbët e ndarë të ndritshëm….

E ngjeshe fort në prapavijë
Frontin e zi të moralistëve dogmatikë,
Ndrydhës dhe sundues,
Që kishin dënuar dhe sofrazhetat,
Qoftë dhe për një krim të kurdisur opinioni…

Vetë Simonë dë Bovuar,
Që shkëmbente përvojat erotike
Me Sartrin , bashkëshortin e saj filozof,
Deklaroi publikisht e bindur :

Pas Statujës së Lirisë
Asnjë femër tjetër n‘Amerikë ,
S’ka hedhur dritë
Sa ikona franceze
Brixhit Bardo!

Jo rastësisht, madamë Brixhit,
Filmin Dhe Zoti krijoi Gruan,
E luajte ti.

Eh…
Dhe në Shqipërinë komuniste
Të kyçur dhe të këputur,
Të Viteve Gjashtëdhjetë,
Kur se ç’frynte herë – herë
Një fllad lirie,
Para se të na përpinte
Revolucioni Kulturor Kinez,
Që përthau
“ Një mijë lulet – një mijë shkollat “konfuciane,
Vezulloi ikona jote, Brixhit;

Domethënë , i ndiqnim dhe ne filmat e tu;
Fotografitë e tua bardh e zi
I blinim te peshoret publike
Ndanë trotuareve…

Këngën për ty,
Brixhit Bardo, Bardo,
Të kënduar nga Dario Moreno,
E dëgjonim dhe
Endërronim !
Mjerisht,
Veçse ëndërronim…

E praruara leshraderdhur Bardo,
Si të kishe mbi krye
Krela rrezesh diellore
Që s’shuhen,
Një për një t’i numëruan
Të njëqind ( me gjasë ) dashnorët e tu ;
Një mijë cmirzinjtë e pafytyrë,
Që t’urrenin dhe intrigonin
S’t’i numëruan kurrë…

I ktheve krahët filmit
Në kulmin e suksesit,
Ende pa mbushur dyzet vjeç ;
Krahët ua ktheve madje
Dhe njerëzve,
Brixhit Bardo !

Ç’të lidhi përfundimisht
Me kafshët gjithfarësh ;
Ç’nevojë e shpirtit tënd,
E bukura Brixhit
Të nxiti të krijosh
Kopshtin tënd privat zoologjik ?

Kaq të padurueshëm t’u bënë
Kolegët e tu,
Kaq të shpifur e të urryer ?

Gjete vërtet një parajsë qetësie
N’atë kopshtin tënd që e zgjeroje
Me banorë të rinj,
Siç zgjerohej Barka e Noes
Në prag të lundrimit biblik…

Gjithsesi, buzëqeshem trishtueshëm
Sa herë vështroj fotot dhe videot e tua
Tek përqafon e puth me përgjërim
Qentë, macet, gomarët dhe kë jo,
Që të shohin në sy
Gjithë dashuri të sinqertë si e fëmijëve !
Eh, ai afeksioni yt për ato krijesa të pafajshme,
Sa prekës ish,sa prekës,
Megjithatë ,sërish Bardo
Armiqtë s’t’u shqitën.

Protestat e tua kundër therrjes së kafshëve,
I brofën në këmbë kasapët kundër teje,
Me vdekje të kërcënuan ata
Tek vringëllinin hanxharët
Që feksnin frikshëm…

Brixhit Bardo,
Si i le kafshët e gjora
Jetime!
Në kortezhin tënd mortor,
Më shumë se këdo,
Kafshët e tua do të desha
Të shihja ,
Të lotuara,
Të pikëlluara;
Prania e tyre ,
Më e denja do t’ishte !

Ato, eternalja Bordo
S’të lënduan
S‘të tradhtuan…
28/29 dhejtor 2025

Në Hagë- Cikël poetik nga Neki Lulaj

Në Hagë
Po fërshëllejnë acare mbi fytyrat e ndritura
Heroizmi dhe sakrificat e dëshmorëve  po zbehet
Po  mbulohen me lyshtër dhe me plaf të zi
Moj plakë e zgjebosur, ne gjithmonë qemë bonjakë
Apo hithra livadhi nën blirin e skëterrës.
Më ushqen kureshtja ta mësoj misterin e fshehtë.
Por drejtësia dhe e vërteta moti kanë ngordhur.
Në këtë kohë pa kohë po fryn sqotë bore nga Perëndimi.
UÇK-ja që mbrojti  nga agresori pragun  e nderin
Po gjykohet si dorë e krimit me pa të drejtë.
Është turp e mizori kjo çka po ndodh me herojt
E ky trishtim  futet si thikë mbi shpatulla shqipes
Zemra më është bërë mështeknë brengosëse
Nën këmbë po na gërryejnë  si urithi nëpër vrima
Armiqët puthadorë gjithandaj po gropojnë.
Ne puthëm shkurre e përqafuam murriza në kohëra
Mbi rrasën e kohës u mprehën ditët e padrejtësitë.
Hingëlluam prapa kalit tek avull nxirrte avull nga goja
Hënës ia ofruam gjoks e putra
E ju na i zhvleftësuat luftëtarë e  Lirisë tonë
Pasqyrë shpirti
Mbi samarin e jetës shoh si arnë një rreze dielli
Në leqet e vetvetes në lundrim pasqyrat pushtojnë kalanë
Kjo valë pellgu i shpirtit ky shekull plotë dallgë
Me cilin çarçaf u mbështoll hëna që ndrin botën mbarë
Ky lum terri ma rrënon muranën e degët e lisave
Me vesë i laka, e zogjtë me flatrat e veta engjëllore
Po bartin gjurmët e fërkimet e nata po gërhet
Si një plakë e lodhur që ecën përmbi pllaka
Me parmendë në dorë.
O pasqyrë e shpirtit tim
Me lër te mos harroj ashtin e fisit
Qe ne breza ardhmërinë ma rilind
Për ditët e reja të rizgjimit
Eci mbi samarët në stanët e pafund të jetës
E shtrëngoj leqet e shpirtit në lundrim
O,më trishtonky shekull me dallgë kërleshur
Që valë të reja më zgjoka në shpirt
E kërkoj çarçafë që të mbledh me duar hënën
Po lumi i territ po më bën udhën si murranë
Në degët e lisave mbledh vesën e  ëndërruar
E zogut ia prek flatrën e imtë e të bardhë
E mbaj me duar gjurmë të shumta fërkimi
E natën  si një qen tinza e dëboj
O moj kohë vrastare që vjen me shtigje verbimi
Mos u mplak me parmendë në dorë.
 
Shtegu i thinjur
Ajo vjen me buzë të purpura, të mbledhura.
Merr guximin e kalon shtegun që të thinj.
Në gjoks ka një det  dëshirash të ndezura
Perdet e shpirtit pëlcasin qiellin, kaltërsinë.
Ballin   e prek me ledhatime si  shurdhmemec.
Lëshojnë xixa stralli mes dremitjesh
Sikur bredhin kuajt në lamë, në udhën e shkretë.
Ne mes të oborrit shkurre mes moçalishtesh
Në dhomat e qiellit sërish terr,  brengë
Ta gjej shtegun në mes të vetëtimës
Të  ngjitem në majë të shkretëtirës së nxehtë
Botën e mykur ta hedhim mes luginës.
Në odën e zemrave shoh qiri të ndezur
E për rreth një botë te shurdhër në jerm.
T’i shqyejmë perdet e pendimit të egër
E buzëve të nxjerrin mjaltë e jo helm.
 
A  jemi ne ?
 A jemi ne
Shtegtarët e tokës me shkopij druri?
Apo zogjtë e qiellit me flatra që fluturojnë në qiell?
A jemi krijesat e ketij shekulli
Të spërkatur me pluhur meteorësh
Që kemi në krye thinja me  plotë dritë ?
A jemi ne
Të ngrohur në dimrin e thinjur me acar
Apo të ftohur me rreze maji me diell
Kur lulet sërish kanë rilindur?
A jemi ne
Njerëzit  me të dashurit e Zeusit
Dëshmitarët që i mallkuam gozhduesit e mjerë .
A ikëm  ne me vrap
Nga moçalet me shkarpa
E  bashkë u ngjitëm lart me stola qielli
Shkallëve të pavdeksisë
Në prehërin e tokës kokën e vumë në gurin e varrit
Ish jasteku i Nënë Lokës, i ngrohtë, i shtrenjtë.
Qe të jetojmë sa dheu i keësaj toke.
E dashur
 E dashur, sonte po rrimë pranë e pranë.
 Aromën e njëri-tjetrit me afsh po shijojmë.
 Të bëhemi të dy si pëllumba të bardhë
 Ti në Çamëri e unë në Ujman.
 Flokët gështenjë po t’i merr era
Uji i akullt ëmbël ma freskon zemrën.
Të jetojmë bashkë se na iku jeta
Ti në atë bokë e unë në këtë shteg.
Rrugëve të Çamërisë ecë ti si e dëbuar
 Vala e detit ta shton ngrohtësinë e nurin
Ulem aty mbi kalldrëmin e përmalluar
 Lulja e dashurisë po e shpon  gurin.
 Sa i dua i dua t´gjith njerëzit që  i ka mbi toka .
 Të gjithëve dua t`ua dhuroj një testament.
 Te kelithim se Çamëria është e jona.
 E të gjykojmë pse na ndau bota?
 Ikën vitet larg e larg në brigje kohe
 Shtiza e orës kurrë s`pushoi.
 Dua të lundroj gjatë n` Ujmanin ton
 Të prqafohm bashk në Çamërinë që na fton.
Kur ti vjen
Më erdhe me natën e qetë
Kur ajo kish rritur shtatin
Si ketri këmbëlehtë
Derën ngadalë e hape
Atë natë unë akoma s`kisha fjetë.
Isha thelluar në heshtjen time sublime
Si në kllapi ndijeva hapat e tua të lehtë.
Diçka befas më shpurpurisi mijëra kujtime.
Sa ndieva mallin që më zbukuronte këtë jetë.
Më erdhe si vetëtimë qielli
Që lumturojnë natyrën.
Me erdhe befas  te unë në këtë natë shenjtërie
Ti gëzimi i pashuar, ti shqiponja ime.
Ti erdhe natën në terr.
Por si Neon lëshoje dritë
Gjatë e pritëm njëri-tjetrin
Ti nga unë e unë nga ti
Kurrë s`kemi për të ikur në përjetësi.
Heshtja
Heshtja ecën me mua.
Heshtja lëviz si lokomotivë
Ma pushton trurin
Ushton në kokën time të trazuar.
Si stuhi rërë mbi shkretetirë.
Pas meje
Një mjegull vjeshte….
Gjethet me erën ikën pa adresë..
 Nga batica e saj
Ylberi rrit shtatin sa maja sa bregu
E Dielli ma rritë hijën
Ne mëngjesin e mbarë.
Ylberin s`munda kurrë me e zenë
Qe zbret mbi degë si zhurmë e pashkrua
Zgjon detin e fjetur si  një uragan
E bota po  bota pse vall është
Kaq shumë e trazuar?
Nuk dua t’i mbyll buzët e mia.
Të lodhura nga heshtje e tepruar.
E vitet po ikin si mjegulla mes lugine
Deri sa të shoh  dashurinë e kthyer
Dhe botën duke u përqafuar.

Parafjalë për Çamërinë- Poezi nga ATDHE GECI

Ne, që kemi shpallur një vullnet të ri

për Çamërinë shqiptare e Shqipërinë

fara e trimërisë  në  Epir  nuk shuhet,

që çamët të kthehen  të lirë në shtëpi.

Ky ogur i mirë  për  gjithë shqiptarët

do t´ia kthej famën e vet Çamërisë, e

atdheut do t´ia kthej emrin e vet, Iliri.

Në udhën drejt të  lashtëve  të  Epirit

pashë Pirron tek qante për Ledhëzën,

për fshatin e tij të lindjes e për Artën.

Me këtë shpallje dhe  këtë emër të ri

ne sot po  ia  japim  dorën Çamërisë,

bëmave të Pirros dhe zërit historik të

tij. Në Pargë e  gjithandej  Çamërisë,

ka burra  të  ndershëm  dhe  luftëtarë

që ia kalojnë figurave të  “Iliadës” së

së Homerit, që  me gjakun e vet dinë

ta realizojnë, Republikën e Çamërisë,

ëndrrën e lirisë të  epirotëve pellazgë.

Ipe të Epirit: Republikën e Çamërisë,

nuk ka ndryshkë kohe që atë e nxinë,

për aq sa shqiptarët i dalin zot vetes!…

.

Atdhe Geci – Den Hag, 30 tetor, 2016

KONFIGURIMI KLIENTELIST I JURIVE LETRARE, NJË FENOMENI I PËRSËRITUR, KU TË NJËJTËT INDIVIDË SHFAQEN NJË VIT SI ANËTARË JURIE DHE VITIN PASARDHËS SI FITUES ÇMIMESH, PËRBËN NJË KONFLIKT TË HAPUR INTERESI Nga dr. Mujë Buçpapaj

Reduktimi i zhanreve nga QKLL-ja, politikë regresive, braktisje institucionale e të ardhmes letrare kombëtare
-Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, një institucion që po minon ekosistemin e letërsisë shqipe
-“Konfigurimi klientelist i jurive letrare, një fenomeni i përsëritur, ku të njëjtët individë shfaqen një vit si anëtarë jurie dhe vitin pasardhës si fitues çmimesh, përbën një konflikt të hapur interesi”.
***
-“Ndërsa në vitin 2024, janë eliminuar kategoritë themelore: “Vëllimi më i mirë poetik”, “Vëllimi më i mirë me tregime”, “Libri më i mirë për fëmijë”! Ky eliminim nuk është një akt teknik apo neutral; ai përbën një akt politikash kulturore me pasoja strukturore. Poezia dhe tregimi janë laboratorët kryesorë të eksperimentimit estetik dhe të formimit të zërave të rinj. Letërsia për fëmijë është investim kulturor afatgjatë. Heqja e këtyre zhanreve nga sistemi i shpërblimit shtetëror nënkupton braktisjen institucionale të së ardhmes letrare”.
1. Kuadri institucional dhe funksioni normativ i çmimeve shtetërore
Në çdo sistem kulturor funksional, politikat shtetërore për librin dhe letërsinë nuk janë thjesht mekanizma administrativë, por instrumente normative, të cilat orientojnë zhvillimin estetik, etik dhe profesional të krijimtarisë kombëtare. Çmimet kombëtare të letërsisë, si çmime shtetërore, kanë një funksion të dyfishtë: së pari, të identifikojnë dhe shpërblejnë arritjet më të larta letrare, dhe së dyti, të stimulojnë zhanret strategjike për zhvillimin afatgjatë të kulturës letrare, si poezia, tregimi, drama, letërsia për fëmijë dhe përkthimi cilësor.
Në këtë kuptim, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit (QKLL), si institucioni që formulon politikat e librit, cakton juritë dhe strukturon arkitekturën e çmimeve vjetore, mban një përgjegjësi themelore publike për shëndetin estetik dhe konkurrues të letërsisë shqipe.
2. Reduktimi i zhanreve, shenjë e një politike regresive
Krahasimi ndërmjet Çmimeve Kombëtare të Letërsisë për vitin 2023 dhe atyre për vitin 2024 nxjerr në pah një fenomen shqetësues: reduktimin arbitrar të zhanreve letrare që tradicionalisht kanë qenë objekt stimulimi nga Ministria e Kulturës.Në vitin 2023, spektri i çmimeve përfshinte: romanin, poezinë, tregimin, letërsinë për fëmijë, studimin shkencor dhe përkthimin letrar. Ndërsa në vitin 2024, janë eliminuar kategoritë themelore: “Vëllimi më i mirë poetik”, “Vëllimi më i mirë me tregime”, “Libri më i mirë për fëmijë”!
Ky eliminim nuk është një akt teknik apo neutral; ai përbën një akt politikash kulturore me pasoja strukturore. Poezia dhe tregimi janë laboratorët kryesorë të eksperimentimit estetik dhe të formimit të zërave të rinj. Letërsia për fëmijë është investim kulturor afatgjatë. Heqja e këtyre zhanreve nga sistemi i shpërblimit shtetëror nënkupton braktisjen institucionale të së ardhmes letrare.
3. Juritë letrare dhe qarku i mbyllur i klientelizmit
Një nga problemet më serioze të QKLL-së është konfigurimi klientelist i jurive letrare. Fenomeni i përsëritur, ku të njëjtët individë shfaqen një vit si anëtarë jurie dhe vitin pasardhës si fitues çmimesh, përbën një konflikt të hapur interesi, që bie ndesh me çdo standard etik të institucioneve kulturore në hapësirën evropiane.
Ky qark i mbyllur: shuan konkurrencën reale, përjashton autorët e pavarur dhe zërat e rinj, krijon një kanon artificial, të bazuar jo në vlerë estetike, por në afiliacion institucional dhe botues.
Në vend të një fushe letrare të hapur dhe meritokratike, kemi të bëjmë me një mikrosistem oligarkik, ku një grusht autorësh, kritikësh dhe shtëpish botuese gjysmë-shtetërore riciklojnë njëri-tjetrin në mënyrë të vazhdueshme. Rezultati: fitojnë një grup krijuesish me vlera të dyshimta letrare dhe shpesh medikore dhe e pëson e ardhmja e letërsisë shqipe, konkurenca në nivel kombëtar dhe nderkombëtar.
4. Mediokriteti si normë institucionale
Politikat aktuale të QKLL-së nuk stimulojnë ekselencën, por normalizojnë mediokritetin. Vepra pa vlera të larta estetike, pa ambicie formale dhe pa ndikim afatgjatë promovohen si “arritje kombëtare”, duke prodhuar një letërsi: pa densitet estetik, pa universalitet tematik, pa potencial për përkthim dhe konkurrencë ndërkombëtare.
Në këtë mënyrë, institucioni që, sipas misionit të vet zyrtar, duhet të “mbështesë promovimin e letrave shqipe në tregun evropian dhe botëror”, realisht prodhon izolim kulturor dhe vetëkënaqësi provincial të të vetëshpallurve “elita”.
5. Diskrepanca midis misionit dhe praktikës
Politika zyrtare e misionit të QKLL-së artikulon synime të larta: nxitjen e krijimtarisë, forcimin e rolit edukativ të bibliotekave, përhapjen e kulturës së leximit dhe promovimin ndërkombëtar të letërsisë shqipe. Por praktika konkrete dëshmon të kundërtën diametrale: nxitje të klaneve, mbyllje të konkurrencës, shterim të diversitetit estetik, instrumentalizim të çmimeve shtetërore në favor të interesave të ngushta botuese.
Ky hendek midis diskursit dhe realitetit e bën QKLL-në një institucion formal pa legjitimitet kulturor real. Pra, diskrepanca në këtë rast thekson kontrastin e fortë dhe kontradiktën midis fjalëve dhe veprave, midis deklarimeve publike dhe rezultateve reale. Misioni zyrtar i QKLL-së është shpall ideale dhe qëllime pozitive (krijimtari, edukim, kulturë leximi, promovim ndërkombëtar), ndërsa veprimet konkrete të institucionit në realitet shkojnë në drejtim të kundërt (favorizime, mbyllje gare, mungesë diversiteti, përdorim i çmimeve për interesa të ngushta).
6. Një institucion i dështuar që kërkon rishikim rrënjësor
Në gjendjen aktuale, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit nuk funksionon si katalizator i zhvillimit letrar, por si frenues i tij. Ajo po minon themelet e ekosistemit letrar shqiptar, duke zëvendësuar konkurrencën me klientelizmin, vlerën me konformizmin dhe vizionin afatgjatë me interesa të momentit.
Ky është një fenomen që duhet denoncuar publikisht dhe akademikisht, sepse nuk kemi të bëjmë me gabime sporadike, por me një model të konsoliduar dështimi institucional, i cili, nëse nuk rishikohet rrënjësisht, rrezikon të lërë letërsinë shqipe pa oksigjen estetik dhe pa të ardhme reale.
SI MUND TË PËRMIRËSOHET SITUATA E DEGRADUAR E POLITIKAVE TË LIBRIT NË SHQIPËRI?
Nga kapja institucionale drejt rindërtimit të autonomisë së fushës letrare
1. Diagnoza: pse reforma kozmetike nuk mjafton!?
Në gjendjen aktuale, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit (QKLL) nuk vuan nga defekte të pjesshme, por nga një krizë strukturore legjitimiteti. Në termat e sociologjisë institucionale, kemi të bëjmë me një organizatë që:
• ka humbur besimin e aktorëve kryesorë të fushës letrare,
• operon nëpërmjet rrjeteve klienteliste të stabilizuara,
• Prodhon politika që rrisin heteronominë e fushës. (Pra vendimmarrja në fushën letrare nuk bazohet më në vlerën artistike, meritën, autonominë profesionale; por ndikohet nga politika, klientelizmi, interesa personale, ideologji apo pushtet administrative).
Në këtë fazë, reforma inkrementale (ndryshime personeli, rregullore të pjesshme) ka shumë gjasa të riciklojë të njëjtin habitus institucional. Prandaj, pyetja nuk është thjesht a të reformohet QKLL-ja, por çfarë lloj ndërhyrjeje është teorikisht dhe praktikisht e mjaftueshme.
2. Tre skenarë reformimi: analiza kritike
Skenari I: Shkrirja e QKLL-së dhe rindërtimi nga e para
(Reset institucional)
Ky është skenari më radikal, por edhe më koherent nga pikëpamja teorike.
Argumente pro:
• Ndërpret vazhdimësinë e habitus-it klientelist.
• Lejon rikonceptimin e misionit, strukturës dhe mekanizmave të shpërndarjes së kapitalit simbolik.
• Rikthen besimin e komunitetit letrar, duke krijuar një moment rifondimi simbolik.
• Rindërtimi shoqërohet me garanci autonomie.
• Përjashton zëvendësimin e një elite me një tjetër, nëse kriteret mbeten të paqarta.
Pse është i justifikuar rindërtimi?
Sepse institucioni:
• ka humbur plotësisht legjitimitetin,
• nuk perceptohet më si arbitër neutral,
• dhe funksionon si aparat riprodhimi i pabarazive.
Nga analiza e viteve të fundit, QKLL i përmbush këto kushte.
SKENARI II: RISTRUKTURIM I THELLË ME AUDIT TË JASHTËM
(Reformë e detyruar nga jashtë)
Ky model është aplikuar në disa vende të Europës Qendrore dhe Lindore pas kapjes së institucioneve kulturore.
Elementet kyçe:
• Audit i pavarur ndërkombëtar (ekspertë të politikave kulturore).
• Rishkrim i plotë i rregullores së çmimeve.
• Shpërndarje e qartë e kompetencave ndërmjet ministrisë, institucionit dhe jurive.
Avantazh:
• Ruhet kontinuiteti institucional, por thyhen mekanizmat informalë të pushtetit.
Kufizim:
• Nëse stafi dhe drejtuesit mbeten të njëjtë, habitus-i ka tendencë të riprodhohet.
Skenari III: Decentralizim i politikave të librit
(Shpërndarje e kapitalit simbolik)
Në këtë model, QKLL-ja humbet monopolin mbi çmimet dhe politikat e librit.
Masat kryesore:
• Çmimet kombëtare ndahen nga juritë e pavarura tematike.
• Krijohen fonde të dedikuara për zhanre specifike (poezi, tregim, letërsi për fëmijë).
• Bibliotekat dhe universitetet përfshihen si aktorë vlerësues.
Ky model rrit pluralizmin estetik dhe redukton rrezikun e kapjes.
3. Modele krahasuese nga Europa dhe rajoni
a) Franca – autonomi e garantuar
Institucione si Centre National du Livre funksionojnë me:
• juritë që ndryshojnë çdo vit,
• rregulla strikte për konfliktin e interesit,
• ndarje të qartë mes financimit dhe vlerësimit estetik.
b) Sllovenia – profesionalizim dhe transparencë
Agjencia Sllovene e Librit ka:
• kritere të publikuara në detaje,
• raportim vjetor publik për çdo vendim,
• përfshirje të akademisë dhe kritikës universitare.
c) Kroacia – rotacion dhe diversitet
Juritë janë:
• të përkohshme,
• me përfaqësim rajonal dhe gjinor,
• pa të drejtë rikandidimi të menjëhershëm.
4. Parime themelore për rindërtimin e një institucioni funksional
Çfarëdo modeli të zgjidhet, disa parime janë të panegociueshme:
1. Autonomia e fushës letrare nga politika dhe klientelizmi.
2. Transparenca radikale e procedurave dhe vendimeve.
3. Rotacioni i detyrueshëm i jurive dhe drejtuesve.
4. Ndarja e qartë e rolit të vlerësuesit nga përfituesi.
5. Rivendosja e të gjitha zhanreve strategjike në çmimet shtetërore.
5. Përfundim: shkrirje apo reformë?
Nga një këndvështrim strikt akademik dhe sociologjik, shkrirja e QKLL-së dhe rindërtimi i saj mbi parime të reja autonomie dhe profesionalizmi është zgjidhja më koherente për të ndërprerë ciklin e klientelizmit.
Megjithatë, kjo ka kuptim vetëm nëse shoqërohet me:
• një kornizë ligjore të fortë,
• përfshirje reale të komunitetit letrar,
• dhe modele të provuara europiane.
Përndryshe, rrezikojmë atë që Bourdieu e përshkruan si “iluzionin e reformës”: ndryshim forme, por jo strukture.

TË SHOH- Poezi nga BEKIM I. BLAKU

Të shoh,
nga larg,
përtej kufijve të botërave,
nëpër korridore të ëndrrave të mia.

.
Gumëzhijnë forma dhe plane
të dëshirave të skalitura.
Sonte edhe yjet paskan marrë
një konstelacion tjetër.

.
Erë veriu apo ngrohtësi e jugut,
nuk mund ta përcaktoj dot.
Kohëzgjatja e ëndrrave
është si gjithnjë krye më vete,
e dielli i dëshirave dhe ëndrrave
më ngroh përditë e më shumë.

.
Teksa hija ime zgjatet e zgjatet
në drejtim të kundërt me ty,
Dielli im.

.
Bekim I. Blaku
Berlin, 11 janar 2026


Send this to a friend