DJE…
Kurmi ynë kafaz me hekura,
Ku rrinin ngujuar:
Zemra, shpirti
Dhe ëndërrat e vdekura;
Dita jonë një ring-bedel
Me grushtat e fatit,
Ekuilibrin ruanim
Si akrobatët në tel;
Viti ynë kalendar pune
Pa një fletë të bardhë
Të lerosura nga duart
Si gjethe të murme;
Jeta jonë gri pa fund:
E njëjta shtëpi,
E njëjta punë,
I njëjti kostum…
- SOT
Prindër të braktisur
Nga fëmijë me emra të ndërruar;
Gra të divorcuara
Nga burra të pa dashuruar;
Të rinj në udhëkryq
Si anije në dete pa busull;
Ideale të shfytyruara
Si vera e kthyer në uthull;
Endërra të zhngjyrosura
Si shavar i gjatë tranzicioni;
Vlera të varrosura
Në piramida të larta korrupsioni;
Gjuha-bishë e plagosur
Nga thikat e fjalëve të huaja;
Dhe poetë që kërkojnë
Në fundet e zemrave tuaja;
VALLJA E VAJZAVE ÇAME
Ku e nisnit vallen, vajza?
Buzë Jonit transparent?
Dhe deti me ju vallëzonte
Me dallgët lidhur gërshet.
E nisnit në një faqe mali?
Oh, atje djemtë ju donin!
Mali nuk ju kundërshtonte
Dhe gurët me ju këndonin.
Te pylli i gjelbër e nisnit?
Sa bukur zërat ju shkonin!
Kënga juaj dhe e zogut
Putheshin dhe fluturonin.
E nisnit vallen ju kudo
E nisnit te pylli me zhurmë,
Në malin e lart e nisnit
Dhe poshtë në detin me shkumë.
TE ARKIVOLI I NJE PIJANECII
Në arkivol pijaneci rri i qetë
Në prag të moshës ngjyrë vjeshte.
Nga jeta i velur apo i zbrazur krejt,
Ç’mistere mori vallë me vete?
Një kopsht i çelur mbase ka qënë
Dhe sot rri shtrirë si plep i tharë,
Një çapkëne dikur mos e ka lënë
Dhe u dogj ai me zjarrin e parë?
Mos zjarri u shua, s’mbeti shkëndi,
Mbase me këmbë fatin e shkeli,
Me shpresë të rindizej përsëri
Që flaka si mace ta përkëdheli;
Ndoshta lumturinë s’e preku kurrë,
Si një rrap ndan udhës që nuk çel lule,
Mbase i qëndroi fatit si burrë
Veç gota kokën ia përkuli;
Mbase krahët dikuash i ka kthyer
Dhe priti ai ndanë shtegut gjatë;
Kur ajo kaloi me tjetrin mbërthyer
Në vetmi jetoi si murg i ngratë;
Pastaj në një stol, si një fron mbreti
Me kupën ishte i dashuruar;
Në shpirt s’kish më tallaze deti
Veç kupa vere kish ëndërruar;
Çdo ind ia preku, ia këndelli keq
Ia turbulloi gjakun nëpër vena,
Po në një dilemë vuante për dreq:
A ka dashuri nëpër taverna?
E piu ai kupën gjer në grykë
Në atë stol fund jetës i dha,..
Pas varrimit në stolin e pistë
Dikush një tufë me lule la…
TE THEMI ATO QE NUK I THAME
Unë kurrë nuk jam qejfmbetur me ty,
As ti qejfmbetur nga unë s’ke qënë,
Për netët që kaluam pa gjumë të dy,
Për shetitjet që s’i bëmë dot nën hënë.
Asnjë herë unë nuk u sëmura nga ti
Dhe ti asnjë herë nuk u sëmure nga unë.
Atje ku rrinim ne të heshtur dikur
Toka ende vazhdon të nxjerrë shkumë.
Më pëlqen edhe sot kur ti para meje
Mikun e hershëm me afsh e përqafon.
Mos ma vështro ti zjarrin prej rrufeje,
Se të përpiqem të t’urrej është e kotë.
Faleminderit po ju themë sërish nga zemra
Për netët që bashkë i kaluam pa gjumë,
Për atë që ti sëmurë nga unë s’ke qënë
Për atë që unë prej teje s’kam qënë i sëmurë.
Dhe nuk trishtohem për ç’ka bëmë e nuk bëmë,
Që ditën e natën asnjë të mos kujtohet,
As për brengat që njëri-tjetrit i lëmë,
Dhe kënga e pendimit kurrë të mos këndohet…
Top of Form
ENDERROJA DIKUR…
Dikur, atje thellë në kufi,
Të isha një zog netëve ëndërroja,
Të fluturaja lart në qiej si ai,
Atëherë kur vetëm lirinë dashuroja;
Të kapërceja klonin, të sulesha dhe unë
Mbi fushat, mbi kodrat mbuluar me ulli,
Mbi shtëpitë e vjetra, at’herë në gjumë
Avllive të rrënuara apo të kthyera në hi.
Atyre viseve krenare, të lashta sa bota,
Grehinave të vjetra, ku sundonte grija,
Ku prehen puset e vajit dhe djepet e forta
Pluhurin e viteve me ëndje t’ua fshija.
Dhe krojet e vjetër, të shterura tani,
Që jehonin nga këngët, të qeshurat plot zjarr,
Ku vashat lanin çarçafët e nusërisë,
Ta këndoja dhe unë atje këngën e parë;
Mes ëndërrave edhe lutjeve të fshehta,
Mes fjalësh të thëna nëpër netë të tëra,
Imagjinatës dhe dëshirës plot afshe të nxehta –
Ishin brigjet e Jonit dhe valët e gjëra;
T’i kapërceja klonet dhe telat me gjëmba…
Doja të isha i pari poet i katundit,
Ta çaja izolimin, të thyeja prangat e rënda,
Le t’më kapte vdekja për dore e fundit…
VENDLINDJES SIME
Ti s’ishe as majë e çveshur mbuluar me borë,
S’ishe as fushë e llangosur me baltë e moçale,
Ti ishe nusja ime e bukur me kurorë,
Ti ishe jeta ime me gëzime dhe halle;
Me syrin e fëmijës fytyrën tënde e pashë,
Me dashurinë e rinisë ty të përqafova,
Me pjekurinë e moshës emër të dhashë,
Për ta ruajtur të pastër dashurinë,
Vendlindja ime të lashë.
Edhe uji i krojeve, edhe uji i përrenjve
Rrjedhin vrullshëm damarëve të mi
Ti do të jeshë kënga, ti do të jeshë malli,
Deri sa të kemë shpirt, zemër edhe sy!
Unë jam bujku që lërova e mbolla farat e besës,
Unë jam bujku që korra grurin, misrin e thekrën,
Unë jam ai që ngava kuajt në lëmin e shpresës
Edhe për një gurë tëndin sot e jap jetën;
Jam bariu i tufës që fjeta në kasollen e stanit
Ku ngjiza kosin, djathin e shëllirën…
Jam shkollari që bëja detyrat shtrirë në livadhe,
Ku fletoret qëngjat m’i shikonin të dëlirë;
Vendlindja ime, që s’ma shove kurrë etjen e urinë
Ti më kishe lidhur këmbë e duar me skamjen,
Me tela me gjëmba ma kishe syrgjynosur lirinë
Më kishe lbyrur sytë e më kishe veshur pamjen;
Megjithatë unë të dua, të dua siç ishe dhe siç je,
E braktisur, me pamjen gri, pa zjarr në vatër
Me arat djerra, me demat dhe kuajt hergjele,
Të dua me dashurinë dhe dhimbjen e pastër!
Të dua për varrezat ku prehen të parët e mi,
Të dua për rrënjët e themelet e shtëpive tona-
Shtëpitë tona prej gëzimi, shtëpitë tona pa qetësi
Ku ninullave akoma u ndihet jehona…
Vendlindja ime,
Ti je dashuria e dashurive të mia,
Ti je kujtimi i kujtimeve të mia
Ti je parajsa e vdekjes sime;
Komentet