SYTË
-Me Llambi Blidon, piktorin e verbuar-
1.
Orbitat më sulmojnë me linjat,
Planetët me dritat…
S’më mjaftojnë sytë!
2.
Blido shkrep blicin e shpirtit.
Më verbon,
Të shoh VETËKRIJIMIN!
Nuk më duhen sytë!
FLUTURIM NË ËNDËRR
I lehtë pendë, u enda në gjumë,
Humnerës së natës, në qiej të egër.
Dhe zgjohem përmbys, i derdhur në plumb,
Mbërthyer pas teje më keq se një thnegël!
…
Prapë nata do vijë, në gjumë të më marrë,
Me ty të më ngrejë në qiej të lartë…
Largomu një çast nga ëndrra e marrë;
Që gjumi të trembet, të paktën, një natë!
KATARZË
Filtrohet krejt papritur qenia,
Kur ora vjen, në dhé të prehet,
Virtytet i lë lart, te Jeta
Me trupin, thellë kalben veset!
Tek hyj në ty, më ndodh krejt ndryshe:
Flak jashtë djallëzi e vese
Dhe shenjtërohem brenda fryme,
Si diamant në bulëz vese!
ANIJA
-Liri pa masë, marrëzi me maskë-
Hapësirë pa fund, pa hije kund!
Liri e lashtë, butak në kum!
Në shkumë humb qiellnaja kumt!
Anija, burg pa portë e mur!
Ndëshkimi kryhet pa gardianë!
Sht-erret pak nga pak retina
Në gjithësinë plot enigma!
Dhe etja djeg më keq se kripa,
Dhe vuajtja tremb më fort se frika!
Njeri sovran! Liri hapsanë!
DITURI NATYRE
Mësohen peshqit të notojnë në akuarium,
Mësohen tigrat si të ngjiten në podium,
Mësohen vjollcat si të çelin post mortum,
Mësohen yjet të krijohen në vakuum!
Mësohen zogjtë, me solfezh të cicërijnë,
Mësohen kuajt të udhëtojnë me makinë,
Mësohet fara si të mbijë në vitrinë,
Mësohet sperma si të vdesë në vaginë!
Mësohet mendja të mendojë në çmendinë!
INTERMEXO
Koha aed
E verbër zbret
Zërit të vet!
Lulebora çel
Njëlloj si parvjet!
Bora bie si dje,
E bardhë, e ftohtë, e qetë!
Sot…
Ti më flet
Si miliarda vjet më vonë.
Luleborët çelin
Si vitin tjetër…
Bora bie si nesër;
E bardhë, e qetë, e ngrohtë!
Koha?
Si kohë;
E verbër!
VAJZA E VRESHTIT
-Ti: -Dje isha në vresht.-
Të gjitha kordelet:
Të kaltrat,
Të kuqet,
Të blertat,
Të bardhat
I gjete në sepete,
Ua lidhe hardhive.
Vreshti,
Me fjongo fëmijërie,
Në valle vajzërie,
Pi stinën e verës,
Për verë dashurie!
LUMI I NDALUR
I.
Rrëzuar në pritë, ndal rrjedhën e fle…
Oshtimën dhe valët nën gurë i fsheh.
Përmbysur Gjithësia mbi ujin e qetë.
Ujana, me pamjet, shpall humbjen e vet!
II.
Braktisur prej meje, mban hapat në vjeshtë!
Pasionet dhe puthjet i thua për meshë.
Ç’ka patëm të shtrenjtë, e mbjell në kujtesë,
Me ditët që fikëm, mes-netët i ndez!
PËR NESËRMBRËMA
Zbrazur krejt në njëri-tjetrin,
Kujtohemi vonë për mëngjesin!
Mjellmë
Në dritë del,
Me mua e mbjellë.
Të linjtat e shtatit e të shtratit,
Brofin hapësirash;
Lojë hijesh korijesh,
Kurora lisash e nimfash,
Avuj shirash e shpirtrash!
Shtjellen të linjtat,
Nga drita te rrënja…
Lahen, zbardhen, erëmohen,
Për nesërmbrëma…
ÇATITË
Çati më çati,
Çapitem te ti,
Fluturak mbi frymë fantazmash.
Në kthim,
Çatitë, çikë-çikë,
Më mbulojnë me gjurmët e mia,
Për të mos mbërritur kurrë
Te nisja!
POEZIA NË GAZETË
U gjet
Në gazetë
Një cep i shkretë,
Pa asnjë shenjë,
Pa asnjë rresht-
Rrebesh!
U nis një varg
Për te kjo vjershë,
Për ty që je larg,
Sa herë hesht
Si këndi i qetë,
Në gazetë!
STIL STINE
Kundërmojnë dorëzonjat në buzët e prillit.
Kutërbojnë kufomat në kurthë të krimit.
Çengitë erëmojnë “J”adore”,
Zotërinjtë frymojnë alkool.
ULTIMO HOMO SAPIENS
-Mea culpa dymiliardvjeçare-
Pasi i humba të gjitha luftërat me dashurinë
Dhe i fitova duelet me perëndinë,
Hedh armët e arsyes
Dhe hyj në guvën Gjithësisë,-
Zanafillë jete në Dheun mes yjesh!
NDAJNATË…
Si paqe nën harqe m’u shfaqe,
Ndajnatën, kur prisja shtrëngatën…
Ne puthjet i nisëm në faqe,
Por buzët te buzët u ndalën!
Pa ndrojtje, e urtë m’u dhe,
Rabeckë e mardhur në borë.
Ashtu edhe ike atje,
Ku s’vinte dot fati i gjorë!
Siç erdhe në çerdhe, u derdhe
Mbi dhera, pas detesh nën qiej,
Ç’i ndodhi kështu kësaj zemre?
Qe ëndërr a jetë përtej!?
MARSH
Pa dijen tonë gjithçka u bë.
Lavdi, o Zot, që vesh s’e morëm!
Dhe dimë, se mund të dimë çdo gjë…
Me zell lakmie shtrijmë dorën,
Përtej, ku s’do të jemi më!
USHTARI
“Ndizet lufta për liri
E derdhet gjak!”
–Nga një këngë e Luftës së Fundit.-
Në fund të majës,
Triumfi i plagës…
Trupi treti nën tokë,
Shpirti shkrepi në shkëmb,
Shtatore pa emrin tënd!
Mbi majë të fundit
Hija të endet Katundit,
Kostum për turpin,
Lëkurë për trupin!
PRILL
Shkrinë!
Farat e mpira një stinë,
Mbinë!
Dikur,
Limfa e ngrirë në gur,
Rrodhi në bimë e drurë…
Ty të veshi me nur,
Lart të ngriti, në flur,
Të vije tek unë,
Udhës pa urë.
Dil!
Prill e trill,
Thëngjill
M’i sill!
BASHKËSHORTË
-Melit-
I.
Ditë për ditë grirë mjekra,
Stinë më stinë e ngritur prita.
Vit për vit e ngrirë zemra,
Deri sa u bëre imja!
II.
Ditë për ditë mjekra rritet.
Tashmë shtigjet janë të lira.
Zemra lot e qesh me vitet,
Kurse ne s’na nxë hapësira!
PLAGËT
Hapësira dergjet në dhembje të thella!
Ja një plagë, ku ishte plepi që prenë!
Ja dhe kjo, në vendin e barkës që la bregun!
Ja dhe tjetra, ku rrinte njeriu i vetëm!
Ja një, ku s’është më ylli i djegur!
Hapësira klith
Si shpirti pa ty!
KAFE VETËM
Lëng i zi, e bardha kupë…
Nata, terr në guaskë të ditës!
Gjerbe idhësinë me fund!
Munde me melhe(l)m psherëtimën!
JA SI MUND TË JEM PA TY
Si mund të jem një ditë pa ty?-
Të pyesja, kur ishim të dy.
Ti s’flisje dhe unë qeshja:
– Domethënë, do të jem si heshtja!?
Dhe ja, tani pa ty si jam:
As heshtje, as pamje, as vikamë.
I bindur se ende të kam,
Deri në shpirt të ngul si kamë!
MBJELLË NË QIELL
Rendi te lumi në maj,
Pa veten mbi ujin e qetë
Dhe lumi, me pamjen e saj,
U ngrit si reja te retë.
Herë qenie hyjnore, herë mjellmë,
Herë pjergull e mbjellë në qiell,
Vrapon si reja me retë
Trishtimin me hije ma shkel.
Bëre të më ikje…
-Jug-
Bëre që të niseshe, po s’dije se ku.
Te vetmia ime këmba seç t’u zu.
Bëre të më fshiheshe, po s’dije se nga,
Natën, në korije, dritë e hënës ra!
Bëre të më ikje, po s’dije se si,
Malli nëpër shtigje t’u bë erë e shi!
Bëre të më lije, po s’dije se pse,
Nëpër dhimbjen time u pengove, re!
VENDLINDJA
E fundit
Në mur
U vu një pikturë,-
Dritare
Që sheh
Diku
E dikur!
SY TË KALTֻËR
Endacak nën yj,
Brenda tyre hyj!
Ah, sikur ta di,
Ç’jam aty tani!
EREMIT
Tej mjegullës së mjekrës
Rrudhat, –
Luginat e jetës…
Fryma hyn e del,-
Zonjë e shpellës
Së dënesës
Dhe të qeshurës!
Mjekra zbardhet!
Mjegulla varet
Vjeshtës,
Deri te Ti!
PO VIJ…
Shkel mbi hënë!
Gjurmët e florinjta
Shputat e mia
Pjalmojnë.
Shoh nën qiell!
Shpuza e kaltër,
Syve të mi
Yjëzon.
Hyj në zë!
E qeshura jote,
Yrteve të mia
Këndon.
ZBULUAR
Asgjë s’lind, asgjë nuk vdes më midis nesh!
…Ngrihen mjegullat të na veshin me enigma,
Nxihen qiejt të na fshehin sipër resh…
Largësive mbijnë e mbillen bubullima…
FATE
Humbe si gjurma nën borë.
Lotin e ndarjes s’e shfaqje.
Zemrën kurdisa si orë,
Pritjen ta maste me rrahje.
Malli m’u kthye në busull.
Botës të ndiqte si Nord.
Qiejve gremisej ky rruzull,
Me fajet dhe fatet në bord.
PUSHTIMI
Syri sulmohet me sy,
me ngjyra, me lot, me terr e me rreze.
Veshi dhunohet me zë,
Me tinguj dhe zhurmë, me krisma dhe heshtje.
Shpirti pushtohet nga Ti dhe vetëm nga Ti!
LE TË HESHTIM
Ç’të shkruajmë më shumë, ç’të themi më tepër?
Burg për ty të bëhem, hallkë për mua ti?!
Ç’është kjo ndjenjë e egër, që na ktheu në skllevër?
Kjo hapësirë e errët, që shfaqet liri?!
Le të heshtim pra, dhe pse “heshtja vret”!
Të mbetemi larg, të humbim një jetë!
Kështu ky planet, diku do ta ketë:
Një fron mbretëreshe dhe një mbret që pret!
LIDHUR
S’ka dëm e frikë! S’ka rrezik!
Dhunojeni lirinë sa mund!
I lidhur jam armik-e-mik,
Me puthjen që të vë përfund!
PARATHËNIE
Asgjë prej lënde!
Prej flokësh, flakësh,
Hiçasgjë!
Jo drita, po refleksi,
Jo fjala, po nënteksti
I thënë një herë e përgjithnjë,
Për ç’do të ndodhë tanimë!
Prania jo, po hija!
Jo ajo, po ëndrra,
Që tremb e shemb
Më keq se bëma!
I PAFYTYRI
-Parodi-
I pafytyri ka ballë të madh, pa asnjë shenjë,
Ka sy te fjetur gjysmëmbyllur!
I pafytyri, si asnjë burrë,
Ka faqe të buta, mjaltë e nur,
Sikur drita s’ia pa kurrë…
Ka buzë të majme, jargë e lyrë,
Ka hundë shkëmbore me dy shpella…
Dhe qesh vesh më vesh,
Dhe flet sikur hesht.
Dhe ec e ta gjesh,
Kush është mes nesh,
Se s’ka fytyrë!
VERBIMI
“Nesër do të verbohesh”,
I tha mëngjesi me alga nate,
Dhe brigje flu!
“Nesër s’do të jem për ty”,
I foli dita me njolla hijesh,
Pa e parë në sy!
Dhe udha u ngut!
Me kthesat, ndalesat, me grackat dhe baltërat, me gjurmët dhe turmën, me pamjet përgjatë, me detin në muzg dhe qiellin gjithkund,
Si gjarpëri në gur,
Në guvën e trurit
Iu fut!
Vrapove dhe Ti,
Dashuri,
Si specia e fundit në Arkën e Noes!
“Rri në liri”,
Të ndali Ai,
“Kudo që të jesh,
Të gjej dhe pa sy!”
Komentet