Sekretari trokiti në derën e dhomës së vogël, që Skënderbeu e përdorte si studio dhe e lajmëroi se nipi si edhe shoqëruesit kishin arritur te portat e kështjellës së Krujës.
-Le të hyjnë!
Vetëm kaq tha Skënderbeu duke ngritur vetëm shikimin drejt sekretarit dhe iu kthye punës që kishte mbi tryezë. Ai nuk doli t’i priste dhe madje nuk shfaqi asnjë gëzim, kur dëgjoi lajmin. Ftohtësia ndihej në zë dhe dukej në fytyrën e tij.
Kur dera u mbyll pas sekretarit, Skënderbeu sërish me pendën në dorë provoi të mbaronte letrën mirëpo frazat i zuri ngërçi dhe mendimet u turbulluan. Penda dukej sikur bënte vetëm gërvishtje nervoze, disa fjalë të shtrembëra nisën të përsëriteshin nga dy herë dhe shkrimi deri aty i rregullt dilte i shprishur sikur e shkruante një dorë e pamësuar. Ai e bëri shuk letrën dhe e hodhi në shportë. U ngrit në këmbë e shkoi te dritarja. Jo më kot kishte zgjedhur si studio dhomën nga juglindja. Atë e rrihte dielli më gjatë, qe me e ngrohtë dhe me më shumë dritë se të tjerat, dhe nga dritaret e saj dukej një panoramë që përmblidhte valëzimet e buta të kodrave, fushën poshtë, kënetën dhe hapësirat ujore të Adriatikut. Ndryshe nga ana lindore, që e priste dhe e kufizonte faqja shkëmbore dhe e ashpër e malit, këtej syri të çlodhej në hapësirat e largëta e të avullta të detit.
Atë ditë avujt uleshin mbi ujërat e detit dhe një qiell gri e i ftohtë rëndonte mbi malet. Në të vërtetë asnjë lloj peizazhi nuk do të ishte në gjendje t’ia largonte mendimet që i zienin në kokë. Prej disa ditësh kishte marrë një letër të shkurtër nga Gjergj Balsha ku e njoftonte se kështjella që ishte nën komandën e tij qe pushtuar nga turqit fare rastësisht. Ndërsa ai dhe kapedanët e tjerë kishin dalë për gjah larg kështjellës, turqit kishin ardhur papritur dhe e kishin shtënë në dorë. Të zotët kishin ngelur përjashta, të huajt qenë futur brenda.
Pushtimi i kështjellës së Modricës e tronditi Gjergj Kastriotin, sepse veç të tjerave hapte një të çarë në unazën e mbrojtjes nga ku turqit e kishin shumë më të lehtë të sulmonin tokat arbërore. Skënderbeu kërciste dhëmbët nga inati, kur mendonte sesi kishte rënë kështjella në duart e osmanllinjve, pa u shkrehur një top, pa u ndezur një fitil, pa flakëruar një shpatë, pa u hedhur një shigjetë, pa u thyer një shtizë.
Kapedanët e vjetër, të cilët po luftonin kundër turqve për dymbëdhjetë vjet, e kishin quajtur gabim emërimin në rang gjenerali të një djaloshi, që gjer në atë kohë nuk ishte dalluar në beteja apo kuvende. Gjergj Kastrioti kishte thënë se do të shikonte zotësinë e gjithsecilit dhe do t’u caktonte edhe postet e detyrat sipas aftësive dhe shërbimeve. Rënia e kështjellës së Modricës u dha shkak feudalëve dhe princave të kujtonin rastin e thyerjes së ushtrisë arbërore përpara Kështjellës së Beratit nën drejtimin e kunatit të prijësit. Ndonëse Skënderbeut s’i kishin thënë gjë drejtpërsëdrejti, ai e ndiente nga vështrimet e oborrtarëve e kapedanëve se rasti në fjalë ishte më i rëndë. Kunati axhami kishte dhënë jetën ndërsa nipi po vinte në kështjellën e Krujës me një arsenal gjahu, pajisje e kuaj, sikur të shkonte për verim. Në korridore dëgjoheshin përfolje nga oborrtarë dhe vizitorë:
-Të ishte njeri tjetër, Gjergji s’kishte për ta pranuar.
-E ka nip. Nipi duhet më shumë se evlati!
-Edhe sikur të dojë, s’ka çfarë t’i bëjë, se duhet të prishet me të motrën.
-Gjergji i vogël nuk i afrohet as deri në thua daiut të vet.
-Në të ngrënë dhe në luks ia kalon.
Skënderbeu edhe pse nuk i dëgjonte këto komente i merrte me mend. Ai kishte thirrur një pjesë të mirë të princërve dhe e feudalëve për të biseduar për traktatin që propozonte Senati i Venedikut. Të ftuarit e fundit priteshin të vinin në mëngjes. Gjersa te hapej mbledhja, ai duhej të merrte një vendim për Gjergj Balshën. Ç’të bënte me këtë komandant pa kështjellë? A t’i besonte një detyrë tjetër më pak të rëndësishme a ta linte fare pa përgjegjësi?
Këto pyetje parakalonin në mendje ndërsa dyshimin se kishte të bënte me një akt tradhtie e largonte me ngulm
Kur ia kishte besuar kështjellën e Modricës dhe rrethinat e saj, Skënderbeu kishte peshuar si cilësitë e mira ashtu dhe dobësitë e Gjergjit të ri dhe për çudi, virtytet dhe veset plekseshin si një gërshet. Më së fundi Skënderbeu kishte arsyetuar se për një gjë mund të ishte krejtësisht i qetë dhe i sigurtë se për nipin e tij Gjergjin e Balshajve nuk mund të vihej në pyetje besnikëria. Nëse Hamzai tradhtoi, këtë tradhti e bëri jo vetëm nga etja për pushtet, por edhe nga nxitjet e pareshtura të turkeshës, nënës së tij, ndërsa Gjergji i Jellës pikërisht për shkak të nënës nuk kishte për të tradhtuar kurrë.
I kaloi edhe një herë me radhë nëpër mend ngjarjet e rënies së kështjellës së Modricës. Komandanti i kështjellës i shoqëruar nga shpura dhe pjesa më e madhe e garnizonit kishte dalë për gjah. Pse e kishte marrë garnizonin pas? A nuk mund t’i linte më shumë ushtarë brenda në kështjellë? Si erdhën turqit papritur dhe pse ishte e hapur porta? Një palë ikin nga njëra anë e një palë vijnë nga ana tjetër.
Skënderbeu i njihte turqit dhe e dinte se për t’ia arritur qëllimit ishin gati të përdornin çfarëdo mjeti e manovre. Agjentë sekretë, të paraqitur si diplomat ose tregtarë të huaj kryenin misione të ngarkuara nga turqit dhe merrnin shpërblime. Turqit atë që s’mund ta fitonin me gjak ose me trimëri e blinin me para. A nuk i kishin propozuar Vrana Kontit me anë të një raguziani një shumë prej 300.000 dukatash po qe se bindej të dorëzonte kështjellën e Krujës? Vrana Konti e kishte hedhur poshtë me neveri atë propozim, por një tjetri, në vend të tij, me karakter të dobët mund t’i qe prishur mendja.
Skënderbeu doli nga studio dhe pasi përshkoi korridorin, hyri në dhomën e ngrënies. Ia mori mendja se aty do ta gjente të nipin dhe nuk u gabua . Ai po u tregonte anekdota vajzave dhe grave që ishin aty dhe ato po shkriheshin së qeshuri. Me t’u dukur te dera Skënderbeu, Gjergj Balsha u mundua t’i jepte fytyrës një pamje të pikëlluar dhe sakaq gratë u shpërndanë.
-Ç’qe kjo që na bëre? – e pyeti Skënderbeu , pa i dhënë dorën.
-Një fatkeqësi, asgjë më shumë.
-Si dole për gjah kur turqit ishin aq pranë?
-Nuk kishim asnjë dijeni. Ata erdhën fare papritur.
-A nuk ke dyshim mos i ka lajmëruar njeri për ikjen tuaj?
Gjergj Balsha ngriti supet. Mund të kishte ngjarë dhe ashtu, por ai s’dinte gjë.
-Pse e nxore gjithë garnizonin jashtë kështjellës?
-Shkuam për drerë dhe kjo gjueti…
-Unë di se kur është kohë lufte nuk dilet për gjah, – i tha rreptë Skënderbeu.
-Dajo, po marr guximin t’ju them se po të vazhdoni të më pyesni në këtë mënyrë, nuk do të pranoj të përgjigjem.
Skënderbeu nuk lëshoi pe.
-Unë mendoj se duket të përgjigjesh dhe të përgjigjesh mirë.
Gjergj Kastrioti e nënvizoi fjalën “mirë” e ajo mori një nëntekst të fortë. –Jo vetëm para meje, po kundrejt gjithë atyre që do të pyesin. Mos e kujton gjë të vogël pushtimin e një kështjelle? Përgjegjësia dhe nderi prej fisniku u detyrojnë më shumë nga sa pandehni.
-Unë s’kam asnjë faj! – bërtiti Balsha i ri i fyer, duke përpjekur dorën në tryezë. –Çdo gjë ngjau fare rastësisht.
-Shumë rastësi kanë ngjarë brenda një dite… –tha me ironi Skënderbeu. – Ju ikni për gjah, turqit vijnë papritur. Ardhjen e tyre s’e lajmëron askush, tymtarët flenë, britësit s’ndodhen në vendin e tyre, në kështjellë s’mbetet asnjë ushtar dhe turqit futen drejt nga porta e madhe…
Gjergj Balsha e pa se daja qe shumë i zemëruar dhe biseda kishte marrë ters. Ktheu kokën nga dritarja, sikur donte t’i thoshte: “Mjaft më torturove! Tani unë po e ndiej gabimin vetë!”
Fytyra e mbushur e Gjergj Balshës, nofulla katrore e fortë dhe sytë e vegjël e të shndritshëm tregonin qartë se ai kujdesej veçanërisht për tryezën e bukës. Jaka e bardhë e këmishës vinte edhe më në dukje ngjyrën e kuqe të lëkurës.
-Kush urdhëroi të hapej porta? – e pyeti Skënderbeu.
-Askush! Ajo qe hapur.
-Kur dolët për gjah a nuk i porositët ta mbyllnin?
-Habitem si ju vete mendja të dyshoni, – tha Gjergj Balsha ndërsa sytë i vërtiti sa nga njëra anë te tjetra.
-Hapja dhe mbyllja e portës bëhet vetëm me urdhër të komandantit të kështjellës. Atëherë kush urdhëroi të mos mbyllej porta, kur dolët përjashta?
-Unë! – u përgjegj me inat Gjergj Balsha.
Skënderbeu, me duar prapa, filloi të bënte ecejake nëpër dhomë. Hyri një kështjellar dhe i kumtoi diçka. Skënderbeu i bëri me shenjë të mos largohej.
-Mos edhe kjo është rastësi? – e pyeti Skënderbeu.
-Sigurisht! Pse, mos kisha dëshirë të mbetesha pa kështjellë dhe të vija këtu për të kërkuar strehë dhe bujtje?
Skënderbeu e mbërtheu në vend me një vështrim të rreptë.
-Gjergj Stres Balsha, o njeri i dobët, ti ke rënë në marrëveshje me armiqtë, ti ke lënë hapur portën, ti e ke shitur kështjellën.
Kaq e papritur qe kthesa dhe akuza, sa Gjergj Balsha humbi ngjyrat e u zverdh duke lëshuar duart poshtë.
-E shoh se qëndrimi im këtu qenka i tepërt dhe i padëshirueshëm, prandaj do të iki që këtë çast, – tha duke u ngritur në këmbë.
-Nuk do të ikësh pa u përgjigjur gjer në fund për tradhtinë që ke bërë, – gjëmoi Skënderbeu dhe pastaj, duke u kthyer nga ushtari, i dha urdhër. –Që këtë çast futeni në burgun e kështjellës dhe jepjani gjyqit!
Vendimi i Skënderbeut e mpiu Gjergj Balshën dhe ai nuk bëri asnjë kundërshtim kur e çarmatosën. Vetëm kur po e hiqnin nga salla, ktheu kokën dhe bërtiti:
-Nuk do t’jua harroj këtë poshtërim!
Skënderbeu i ktheu shpinën dhe nuk iu përgjigj.
Lajmi i burgosjes së Gjergj Balshës dhe akuza për tradhti u përhap menjëherë në të gjitha skutat e kështjellës. Në derë u ndje trokitja e butë e gishtërinjve të së shoqes dhe ajo hyri menjëherë në dhomë. Dukej e tronditur dhe përmbahej me zor.
-Më ndjeni, zot, që ju ndërpreva.
Qëndroi një çast si për të gjetur aty fillin e bisedës e si për të kërkuar fjalët më të përshtatshme. Gjergji pyeti veten: “Ka ardhur vete, apo e ka dërguar ime motër? Ka më shumë të ngjarë ta ketë dërguar ajo, ngaqë s’do të vijë vetë ose ngaqë është zemëruar”.
-Në kështjellë s’flitet gjë tjetër, veçse për atë që ndodhi pak më parë…. – Zëri i dridhej lehtë dhe në sytë e butë shihej një dëshpërim i sinqertë.
-Në kështjellë edhe më përpara flisnin për të. –Ai u ngrit në këmbë dhe po përpiqej të mbërthente përpara pasqyrës tokëzën e togës.
-Ç ’do të thonë të tjerët për këtë veprim?
Ai nuk u përgjigj menjëherë dhe kjo vonesë nuk iu duk shenjë e mirë së shoqes.
-Unë bëra atë që duhej të bënte çdo njeri në vendin tim.
-Mos harro se është gjaku yt!
-Andronika! – ai nuk e thirri me emrin përkëdhelës Donika, siç e thërriste gjithmonë, dhe asaj iu ndrydh zemra. – A thua të ketë gjak ai njeri? – Dhe pas pak vazhdoi. – Edhe një pikë gjak arbri të kishte në trup nuk do të bënte atë që bëri.
Donika e kuptoi se i shoqi në këtë çështje qe tepër i prerë.
-Pse je kaq i bindur në fajësinë e tij? Gjithçka mund të ketë ndodhur rastësisht ose nga pakujdesia.
Skënderbeu u kthye nga Donika.
-Një dyshim i vogël më vërtitet ende në kokë. Por qoftë tradhti a pakujdesi, faji mbetej faj.
-Ka të ngjarë të jetë pakujdesi!-i tërhoqi vëmendjen ajo te fjalët e tij.
-Po atëherë pse s’bëri atë që do të bënte gjithkush në vendin e tij? Të përpiqej të fitonte me nder atë që humbi me turp! Pse nuk luftoi kur u kthye? Kapedani i mirë e braktis i fundit anijen ose mbytet bashkë me të.
Donika para se të dilte i tha:
-Ende ka gjëra të paverifikuara.
Por Skënderbeu tashmë nuk kishte dyshime. Ai ia njihte dobësitë dhe të metat nipit, por kishte shpresuar se detyra dhe përgjegjësia do ta burrëronin. Ishte kureshtar të mësonte prapaskenën e ngjarjes si edhe arsyet që e kishin nxitur të braktiste kështjellën. Nuk vonoi shumë dhe Gjergj Stres Balsha pohoi para hetuesisë se kishte rënë në marrëveshje të fshehtë me turqit dhe ua kishte dorëzuar kështjellën për 30.000 dukata. Që të dukej se çdo gjë kishte ngjarë rastësisht e nga pakujdesia, qe organizuar gjahu dhe largimi i trupave mbrojtëse! Skënderbeu urdhëroi që të dërgohej në burgjet e Napolit duke thënë se fajtori kushdo qoftë duhet të marrë dënimin e merituar.
-Edhe tokës i vjen rëndë prej tij, sepse ai e shiti atë, – u tha prijësi i madh kapedanëve shqiptarë të mbledhur për traktatin e Venedikut. Të gjithë në atë sallë dhe në çdo cep të Arbërisë e dinin se motoja e Skënderbeut ishte:
“Atdheu është më i shtrenjtë se gjaku.”
Komentet