VOAL

VOAL

AMANETI RINOR- Poezi nga THANI NAQO

November 13, 2017

Komentet

A R K I T E K T I- Poezi nga ATDHE GECI

 

 

Nga farë e Pirros dhe Kastriotit t´Ilirisë

u rrit fara e origjinës  sonë dhe e gjuhës

kështu u lind dhe kjo poemë e shqipeve

nga  zemra  e  tokës  dhe  ekuilibri i saj

 

Ne do të jetojmë derisa toka të ekzistoj

më thoshin në heshtje  Ajri  dhe  Dielli

lulet e mbjella  nëpër  shpirtin  e tokës

janë Atdheu ynë i qenies dhe  i kombit

 

Kosova më dha emrin e vet  t´Atdheut

më fali muzën që  t´ia lartësoj këngën

ai që shpiku numrat dhe shkronjat, qe

dardan dhe, njëherit poet i smeraldeve

 

Atdhe-Mëmëdhe i fjalës dhe shkrimit

jam në lundër me kohën  dhe me erën

kam pamje yjesh dhe diejsh të pafund

jam në fushë të vetëdijes e të vet jetës

 

Kjo jetë e tashme dhe e ardhshme, në

brendësi e ka të kaluarën  e vlershme

jam në këmbë  me  një qerre të vjetër

në Roganë jam i bekuar nga ylli Iliri!….

 

 

Atdhe Geci – Prishtinë, qershor, 2025

Ecja e zakonshme e mëngjesit- Nga Felicita Jakoel

Ecja e zakonshme e mëngjesit.
Vetëm unë…
duke u përpjekur të harroj stresin, sirenat, bumet dhe lajmet kaq shqeresuese qe pasojne.
Ne nje parking, nje dritare makine e thyer, e copetuar si nje britme qe çan heshtjen. Eca me tutje po copat e vogla te qelqit jeshil qe shkelqenin ne trotuar me bene te kthehem.
Qëndrova aty, pa levizur
dhe mendova-
ndoshta mund të bëj diçka
me këto thërrime.
Kështu që i mblodha me
kujdes grimcat e asaj dickaje te plote, te thyer dhe mendova te
te bej kete koke gruaje te bukur, te forte por qe shperthen ……
Ndoshta nje simbol
qe flet më fort
se çdo fjalë që mund të them per sa ndodh me jeten tone
këto ditë ne Israel.
Shpresoj per qetesi dhe siguri….sa me shpejt!

MARSH I POPUJVE- Poezi nga VEHBI SKËNDERI, shkruar më 6.4.59

O njerëz, lidhi besa besë,
-Kudo që jini nëpër botë,
-Kush do një këngë e ka një shpresë,
Kush s’do të mbytet dheu me lotë,
Kush do një zog edhe një flutur,
Që nget mes grurit të jeshiltë,
Kush s’do të nxihet maj’i bukur
Agim’i kuq i trandafiltë!
.
Mos ndizen flakët atomike!
Në këmb’ për luftën më kreshnike:
Të mbrojmë fshatin dhe qytetin,
Të mbrojmë pyllin edhe detin,
Hardhitë dhe kallinjtë nd’arë,
Lavdinë, tempujt mijvjeçarë!
.
Ne duam njerzit, shpezët, bimët,
Ne duam dritë e gaz përhera,
Mos dridhen rrugëve jetimët,
Mos bëhen nënëzat të mjera!
Të flakim grindjet dhe mëritë
I shenjtë para nesh qëllimi
-Nuk vlejn’ intrigat dhe kufitë..
Sa vlen e ardhmja dhe njerzimi.
.
Mos ndizen flakët atomike!
Në këmb’ për luftën më kreshnike:
Të mbrojmë fshatin dhe qytetin,
Të mbrojmë pyllin edhe detin,
Hardhitë dhe kallinjtë nd’arë,
Lavdinë, tempujt mijvjeçarë!
.
O njerëz, duart të shtërngojmë,
S’na ndajnë mure, male e dete.
Për paqën ne gjithkund luftojmë
-Për nipat, mbesat dhe për vete.
Do i bëjmë kopshte shkretëtirat,
Ne rrojm’në shekullin e Djellit,
E nisëm sulmin për hapsirat
-Ja çels’i portave të qjellit,
.
Mos ndizen flakët atomike!
Në këmb’ për luftën më kreshnike:
Të mbrojmë fshatin dhe qytetin,
Të mbrojmë pyllin edhe detin,
Hardhitë dhe kallinjtë nd’arë,
Lavdinë, tempujt mijvjeçarë!
6.4.59

Kur në festën e grurit dekorohen krundet- Poezi nga FATBARDH AMURSI

Ku vanë gjithë ato elozhe për arën me grurë,
Për kallzën me kokën plot,
Për fjalët me brumë,
Kur në festën e grurit dekorohen krundet,
Komplementohet kashta në emër të bykut
Dhe himet mburren për firot
Që, gjoja, na paskan duk?!
.
Në festën e grurit
I parë del krundja,
I dyti pabuksi,
I treti një bukëshkal,
Dhe e gjithë majmëria i duartroket,
Ndonëse i kanë hequr kotheren fukarasë.
.
Kur në festën e grurit dekorohen krundet,
Vetja të duket,
Si kali që vërtitet në lëm,
Dhe turren drejt teje ata të llaçes
Kapistallin për të vënë?!
.
Fatbardh Amursi

Më 18 qershor 1812 lindi shkrimtari i shquar rus Ivan Aleksandrovich Goncharov

VOAL- Ivan Aleksandrovich Goncharov (Ivan Aleksandroviç Gonçarov) lindi më 18 qershor 1812 në Simbirsk, djali i Avdotyas dhe Aleksandrit, të dy prej të cilëve i përkisnin klasës tregtare.

I rritur në një shtëpi guri në qendër të qytetit të tij të lindjes, ai humbi të atin kur ishte vetëm shtatë vjeç: që nga ai moment ai mori kujdesin e Nikola Tregubov, kumbarit të tij, një marinar në pension.

Midis viteve 1820 dhe 1822, Ivani studioi në një institut privat të drejtuar nga Reverendi Fyodor S. Troitsky: gjatë këtyre viteve ai pati mundësinë të mësonte gjermanisht dhe frëngjisht dhe filloi të lexonte disa shkrimtarë evropianë, duke huazuar vepra nga biblioteka e reverendit. Në gusht 1822 ai u transferua në Moskë, ku hyri në Kolegjin Tregtar: ai kaloi tetë vjet të palumtura atje, duke e urryer cilësinë e dobët të arsimit që mori dhe disiplinën e ashpër.

Gjatë kësaj periudhe, ai zgjodhi të studionte si artist autodidakt, duke lexuar Nikolai Karamzin dhe Aleksandr Pushkin.

Studime akademike

Në vitin 1830, Goncharovi u largua nga kolegji dhe vitin pasardhës, pasi i mbijetoi epidemisë së kolerës që kishte goditur Moskën pa u dëmtuar, ai u regjistrua në Universitetin Shtetëror të Moskës në Fakultetin e Filologjisë, ku pati mundësinë të studionte arkitekturë, art dhe letërsi. Në universitet, ai rizbulon entuziazmin, falë atmosferës së lirisë intelektuale dhe debatit të gjallë të atij mjedisi. Ivan Aleksandrovich Goncharov ka mundësinë, ndër të tjera, të jetë dëshmitar nga afër i një debati publik midis idhullit të tij Pushkinit dhe profesorit Mikhail T. Katechenovsky.

Ndryshe nga shokët e tij të klasës në universitet, Vissarion Belinsky, Alexander Herzen dhe Nikolai Ogaryov, Goncharov mbeti indiferent ndaj idealeve të revolucionit politik dhe shoqëror që po fitonin terren në atë kohë: profesionet e tij kryesore ishin leximi dhe përkthimi.

Publikimet e para

Në vitin 1832, Ivani debutoi në fushën e botimeve me botimin, nga revista “Telescope”, të dy kapitujve të romanit “Atar-Gull” të Eugene Sue, të përkthyer prej tij. Në vitin 1834, Goncharovi u diplomua dhe u kthye në atdhe, duke synuar të bashkohej me kancelarinë e guvernatorit të Simbirskut, Zagryazhsky.

Një vit më vonë, ai u transferua në Shën Petersburg dhe filloi të punonte si përkthyes për Departamentin e Tregtisë së Jashtme të Ministrisë së Financave. Këtu, në atë që atëherë ishte kryeqyteti rus, ai ra në kontakt me familjen Majkov.

Duke u bërë anëtar i qarqeve letrare më elitare të vendosura pikërisht në shtëpinë e Majkovëve dhe i frekuentuar – ndër të tjerë – nga shkrimtarë të tillë si Dmitri Grigoroviç, Fjodor Dostojevski dhe Ivan Turgenjev, në vitin 1838 Gonçarovi bëri debutimin e tij zyrtar me një novelë satirike, të titulluar “Sëmundja e Ligë”: është një histori që u shfaq në “Borëborë” në të cilën ai tall sentimentalizmin romantik.

Pasi botoi një tjetër tregim të shkurtër në vitin 1839, në vitin 1842 ai iu përkushtua shkrimit të një eseje të frymëzuar nga shkolla natyraliste psikologjike dhe të quajtur “Ivan Savvich Podzhabrin”.

Romanet

Në vitin 1847, u botua romani i parë i Goncharovit, i titulluar “Një histori e zakonshme”, i cili vë në skenë konfliktin midis romantizmit të tepruar të një fisniku të ri rus që kishte mbërritur së fundmi në Shën Petersburg nga provincat dhe pragmatizmit të moderuar të klasës tregtare në zhvillim të kryeqytetit. “Një histori e zakonshme” i ndau kritikët, por në të njëjtën kohë kontribuoi në rritjen e famës së autorit të saj, deri në atë pikë sa termi “aduyevschina” (nga emri i protagonistit, Aduyev) u bë i famshëm si sinonim i “aspiratës romantike të padobishme”.

Në vitin 1849, “Sovremennik” botoi “Ëndrra e Obllomovit”, një fragment nga romani i dytë i ardhshëm i Goncharovit “Obllomov” (në atë kohë i njohur me titullin e përkohshëm “Artisti”), i cili gjithashtu rezultoi i shkëlqyer si një tregim i shkurtër. Në vitin 1852, Goncharovi nisi një udhëtim të gjatë nga Britania e Madhe në Japoni, nëpërmjet Afrikës, deri në kthimin në Rusi, në bordin e fregatës Pallada si sekretar i Admiralit Yevfimy Putyatin, misioni i të cilit ishte të inspektonte Alaskën dhe poste të tjera larg perandorisë, por edhe të vendoste marrëdhënie tregtare me Japoninë.

Ivani u kthye në Shën Petersburg më 25 shkurt 1855, pasi kishte udhëtuar nëpër Siberi dhe Malet Urale: vetëm “kalimi” rus zgjati gjashtë muaj. Rrëfimi i këtij udhëtimi, i titulluar “Fregata Pallada”, do të shfaqet për herë të parë në “Otechestyennye Zapiski” në prill 1855, dhe më vonë në “Antologjinë e Detit” dhe revista të tjera.

Në vitin 1858, “Fregata Pallada” u botua si libër më vete dhe mori shumë vlerësime pozitive, duke u bërë mjaft e famshme: vepra ishte një zbulesë, veçanërisht për përshkrimet e vendeve që rrëfente.

Në vitin 1859, u botua romani më i famshëm i Ivan Goncharov, “Oblomov”. Tregon historinë e një pronari tokash rus i cili heq dorë nga çdo përpjekje për veprim dhe luftë për shkak të inercisë së tij, jo vetëm fizike, por edhe mendore./Elida Buçpapaj

Përjetime shpirtërore nga vargu magjik të Ylfete Osmani në përmbledhjen poetike “Ujëvara e kujtimeve”- Nga Sokol Demaku

Përjetime shpirtërore nga vargu magjik të Ylfete Osamni në përmbldhjen poetike “Ujëvara e kujtimeve”

Poetja kosovare tashmë e njohur për lexuesin e poezisë bashkëkohore shqipe Ylfete Osmani ka bërë nam dhe zë në krijimtarin e saj prej vargut të artë me të cilin ka hy thellë në mendjen dhe shpirtin e lexuesit të saj me vargjet lirike, të cilat rrjedhin lirshëm dhe krijojnë një ndjenjë shpirtërore tek lexuesi i pasionuar pas poezisë.
Kur u rekemi shtigjeve të dashurisë, të jetës, të punës, këtu kemi vargun i cili paraqet dashurinë në format e saj me të buta por edhe me të ashpra kur është fjala tek dashuria dhe mërgimi, tek ndjenja per atcdheun, bashkëkombasin, kohen e shtrigave, helmimeve dhe vuajyjet e rinise sone nen thundren e okupimit. Autorja e cili ka një përvojë në lamin e peozisë na vjen para nesh me një tufë poezishë në librin e saj të radhës ” Ujëvara e kujtimeve” duke i hymnizuar vlerat e jetës, punës, atdhedashurisë dhe dashurisë.
Nga ajo që prezentohet në këtë libër, kuptojmë se këtu na paraqitet ndjenja e dinjitetit personal duke prezentua ate çka ai ndjen dhe mabanë në shpirtin e saj autorja dhe me një stil të veçantë bënë përshkrim të gjithanshëm të gjërave të cilat do i hasim në jetën e përditshme.
Poezia e dashurisë në pamje të parë është si një përrallë e përjetshme. Është poezia një “instrument” për çlirimin e shpirtit dhe shkarkimin e ndjenjave, kjo mvaret nga ai që e perjeteon dhe din ta lexoj poezinë dhe ta ndjej në shpirt dhe menjde poezin e Ylfete Osmanit. Poezia e këtij vëllimi poetik është përplot me përjetime të vërteta, ndjenja shpirti, me ndjenja të zjarrta që shpërthejnë nga brendia e shpirtit e që shprehen fuqimisht në vargun poetik. Kjo vërehet që në poezia e parë “Ujëvara e kujtimeve” të vëllimit, nga e cila poezi edhe merr titullin përmbledhja.Kur poetja fillon me:
Eja, le të udhëtojmë se bashku
Në tokën që vetveten përtrinë
Atje ku vetëdija jonë merr flatra
Fuqia jote merr krahë n`fluturim.
Në këtë kontekst do ndalemi në përmbajtjen e poezive të këtij vëllimi që kryekëput kanë një përmbajtje ku shprehen ndjenjat e mbrendshme dhe ato përmes një vargu i cili, është aq i zjarrtë sa edhe poezinë e benë shumë të vrullshme dhe të ndjeshme kur kemi të bëjme me ndjenjat e njeriut e këtu lexuesi nga ajo që lexon dhe ndjen gjendet në rrugën që ka si finalitet shkrirjen me qenjen kur depërton në një rrugëtim të përjetshëm nga ajo që ndjen në shpirt, sikur poetja shprehet tek poezia me titull “Mendime”:
Nganjëhere mendimet i dua
Si vargjet që shkruhen në letër
Të ish e mundur do t`i thurja
Një nga një të gjitha në sekondë
Cdo moment, cdo gjest e cdo fjalë.
Këtu, në përmbledhjen ” Ujëvara e kujtimeve” dashuria nuk mban shenjat e një misteri te mendum, por ajo fanitet konform rregullave transparente sipas të cilave, pas ndjenjave tona fillojnë ëndërrat tona që në kopshtin e dashurisë e ku poetja me një ndjenjë filozofike e përshkruan dashurinë në poezinë e saj te poezia“Kopshti i dashurisë” kur thotë:
Atëbotë ëndrra ime fshihej nëpër shkronja
E jotja ëndërr ishte udhetim pas ylberit
Dhe pse atje s`mbërrij dot, ti e dije
Në kopsht lule pranvere cdo herë do mbillje
Fletër natyrshëm, bukur celin ne cdo stinë
Ëndrrat tua preheshin në atë drithërim.
Por autorja me një sens majft të qelluar ndalet dhe në vargjet e saja përshkruan egzistencën e dashurisë si një mall sepse ajo egzisoton cdo kund, në tokë, në zemren e njeriut banon ajo sepse ajo është hyjnore dhe se ajo është një sherim për pleqërinë, sheron palgë, sheron zemra të thyera e të helmuara kur poetja tek poezia “Dashuri e mall” thotë:
Nëse egziston dahsuria e vërtetë
Duhet të jetë pa kushte, pa faj, pa mëkat
Të jetë pa hile, pa mëri, pa kufi
Nëse dashuria ekziston në tokë
E tillë vec bë një zemerbanon.
Autorja është ajo e cila kthen mendimet e saja në të kaluarën kur ajo ka qene adoloshqente dhe ka përjetua të gjitha ato të liga që rina jonë perjetoj gjatë kohës së sundimit barabar të barbarëve sllav në trojet tona ku për bukuri e përshkruan shtrirjen e shtrigës së ligë mbi trojet tona kur thotë tek poezia “Fluturimi i mëllenjave”:
Krahët e zinj në atë stinë dimir
Lëndinën e dahurisë paralajmeruan
Për një dhjetëvjetësh të paharruar
Të mabj breza të bashkuar.

Bjeshkët e larta të një gadishulli
Mbretërisë serbe i rrinin mbi kokë
Atje ku banojnë shqiponjat,
Penda bashkonte në tokë.
Duke vazhduar me poezinë briljante “Pranverë e helmuar” e që përshkruan në menyrë kronologjike ato ngjarje tragjike të shkollareve tanë, të të rinjëve tanë që ishin të përditshme në jetën e rinisë sone nën thundrën e okupuesit:
Në qytet, në shkollë, në rrugë,
Një pranverë e helmuar të shpërndfahet pat filluar
Ato ditë sheshin e shpërndau edhe në banka mësonjhëtor
Mantel badhet me nxitim nga katër anët i vëshuan
Të alivanosur për të bartur nxënës shkolle të helmuar.
Por qendrimi i autorës është madhor, është ai varg që shpreh ndjenjen dhe qendnirmin stoik të njeiut tonë, të të riut, dhe secilit që përjetoi ato kohë. Kë e përshkruan për mrekulli në vargune peoozisë “Unë mbijetoj” kur autorja ngre zërin dhe thotë:
Sa më shumë që
Më urren “shiftar” më quan
Të pengoj pse ekzistoj
Pse flas, pse dëshiroj
Të pemgon pse di të shkruaj
Njeri me bisht,

Të zemron, qeleshja ebardhë
Shkaba n`flamur, e folura shqip
S´e duron historinë, as njerëzinë.

Por, unë
Pa pardon
Rritem, majë kodrës së diellit…
Por poetja ndjen në vargun e saj pas gjithë këtyre katrahurave që populli ynë përjetoi me shekuj se “Pranvera ka mbërri” kur thotë te poezia e saj “Rikthimi”:
Në stacionin e trenit
Pranvera ka mbërri
Pëllumbat e bardhë lajmetaët e lirisë
Lule, përqafime njerëzis, brohoritje
Gjithcka duket e bardhë
Atë ditë rikthimi.
Dhe me penën e saj të artë autorja i këndon lirisë së shumë pritur me vite duke pershkruar ate si një ndjenjë pa kufi në shpirtin e njeriut zemer mirë kur thotë tek poezia !Kur je i lirë”.
Deri në qiellin pa re mbërrin
I lirë si ansjehere më parë
Nën hijen e dashurisë pa kushte
Që zgjedh njerëz me shumë zemër për të bekuar.

Një përmbledhje poetike me vargje lirike që autorja i këndon dashurisë, vuajtjes, robërisë, lirisë, atdheut e që mendoj se lexuesi i poezive të Ylfete Osmanit do ndahet i këmaqur nga ajo që do ndjen dhe përjetoi nga ky varg i saj magjik.

PIRGU I MALLKUAR – Tregim nga Meti REXHEPI

 

Unaza prej betoni nuk ishte më e gjerë se tre-katër këmbë njeriu, që mbath këpucët numër dyzetetre. Diametri i unazës rrethore të pirgut nuk të linte të bëje as një hap, as hapin e parë. Hapi i dytë të fundoste në hon! Rrethuar me këtë unazë, pirgu vazhdonte ngritjen, ndoshta edhe për nja tetë metra të tjera, deri në majën e mprehtë. Perimetri i kësaj unaze vrastare mbështjellke një trung betoni prej dy metrash e, ndoshta tetëdhjetë centimetrash. Nuk kishte deriçkë, as të mbyllur, as të hapur! Kurrfarë deriçke për rikthim shkallëve tatëpjetës tij, të lartë, të thellë në rrafshin e ngritjes së këtij pirgu të tmerrshëm.
Për ngjitjen deri në atë lartësi, ndoshta mbi tetëdhjetë metra a ku ta dija, pa shkallët vertikale, nuk do të kisha hipur vullnetshëm.
– Si u ngjita pa shkallë, të cilat doemos duhej t`i kishte kjo lartësi?!
– Kush më solli këtu dhe, me ç`forcë?!
Pyetjet trishtuese nuk kishin përgjigje. Tash ndodhi si ndodhi, jam ku jam! Në kujtesën time të tendosur nuk kishte kurrfarë shkallësh?!
-Por, si të mos kishte shkallë për ngjitje atje, në atë maje pirgu?! – Heshtte veta e dytë.
-Ndoshta nëpërmjet kësaj arkitekture përjetësohej tirania? – E shfaqi një hamendje të përgjithësuar e pa bindshmëri dytëshori.
Një pirgu të tillë nuk i dukej as ndonjë vrimë për ta futur shtizën për flamur, për t`ia dëshmuar lartësinë simbolit, atij simboli të merituar ose të pamerituar për atë lartësi…
Nuk ia kapte arsyeja as për çfarë motivi duhej të hipte tek ajo unazë me diametër aq të ngushtë?! Nuk ishte shtyrë as nga ndonjë motiv i fortë i vetëvrasjes; as t`iu ngjitej madje atyre shkallareve lakadredhas, që sprovonin marramendjen. Nuk dukej të kishte drita. Ngjyrën e kishte hiri, prej betoni të hirtë.
– Kujtesa nuk më kishte dhënë dëshmi të mjaftueshme historike për ngritjen e këtij pirgu. – I tha dytëshorit.
– Shkaqet e ngritjes së pirgjeve të këtillë, gjithnjë nismat i kanë nga pellgjet e gjakut, të gjakut që ishte derdhur për qëllime të dikujt prej dikujt… – Dytëshori sikur deshi të përmbushte syprinën e heshtjes gojë-hapur për përpirje.
Qëllimi i ngritjes të pirgut ishte shenjë e dukshme për përtrollitje të ngadhënjimtarëve. Ngadhënjimtarët praninë e tyre të përhershme ose të përkohshme e çimentonin me gurë-gdhendje a me beton. Përderisa nuk i dija shkaset e ngjitjes time të tmerrshme në këtë lartësi mbidetare; nuk kisha si ta kuptoja ndryshe, përpos si aventurë e dorës së fshehtë, pasojat e së cilës nuk mund të jenë të tjera, pos sosh, të fatalitetit! Vijoni, për ta shmangur gjëmën, derisa kishte ende energji, ndonëse i shtangur, ndiqte ecejaket e përsiatjeve: ndoshta arkitekti i kësaj ngrehine pingule ka shfaqur forcën e përfaqësimit afatgjatë të sedrës ngadhënjimtare? Mbase hamendja nuk ishte krejt e kotë dhe pa këmbë në tokë?
-I kujt mund të ishte ky pirg: i tiranisë a i liridashësve?
-I kujtdo qoftë! – Pohoi preras Vijoni dhe dëftoi mllefin:
– Shihe se si mua ma solli zezonën!
– Ah! Çfarë vrasje më paska kurdisur, pa dhimbjen e të dashurve, edhe pa mirënjohje të askujt! Një shuarje e pakuptimtë.
Lëshoi një thirrje, jo po klithmë, si shigjetë e ndezur, të cilën e përpiu ajri:
-He-e-e-e-e-e-j-j, he-he-he-he-e-e-e-e-e-j-j, o-o-o-o-o-o, a-a-a dë-ë-ë-ë-gjo-o-o-o-n ku-u-u-ush-sh, mo-o-o-o-re-e-e-e, he-e-e-e-e-e-e-j-j!
Kjo klithmë, kjo këlthitje gati-gati sa nuk e shkëputi nga shtylla dhe unaza e ngushtë e pirgut. Pas dënesesh dhe derdhjes së asaj energjie, gjithnjë i puthitur për betonin e vrazhdë të pirgut, oscilimet e baraspeshimit rikthyen trurin dhe trupin në gjendjen pa luhatje marramendjeje vetëm për një çast. Por, mbeti peng me mornica dridhjesh në shpirt e trup. Marramendja i ngjante një lavjerrësi që pritej të këputej, ëh!
-Kujt t`i thërras për të më shpëtuar nga zgripi i kësaj gjëme?!
-I thërras dytëshorit, njënjëshëm i trishtuar. Më dridhet zemra, më dridhet trupi, më dridhen këmbët të mbledhura galuc, pa shtrirë me orë të tëra, panumërueshëm…
-I thash jetës: nuk paska çmim për ty moj shtrigë e ëmbël!
I mbështetur ngjitur me pirgun, me kofshët e mavijosura mbi betonin e ftohtë, këmbët i dilnin tej qarkut të unazës, sodiste çastin e fundit të rrëshqitjes fatale, me një këlthitje, që do të mbetej pas si hije e një fute e dyfishuar e natës!
E përshkuan mornicat e rrëqethjeve dhe djersë të ftohta!
I vetëtoi edhe një rrethanë e tipave që kryejnë vetëvrasje:
-Vetëvrasësit nuk qenkëshin të ligj si thuhej.
-Në njëfarë mënyre ata janë heronj të llojit të vet! – I doli pohimi dytëshorit si tumire parësorit.
Konstatimi: se lartësia paska rreziqet më reale të jetë-vrasjes, Vijonit i doli të jetë i saktë.

***
Sillej rrethit të ankthit mbi unazën e ngushtë tre-katër këmbë njeriu mesatar, prore me njërën dorë farkueshëm trungut të betonit. Kurrë më tepër se tash nuk iu kishte dashur përqendrimi maksimal, mbajtja e baraspeshës në diametrin prej afro tri metrash. Puthitje e domosdoshme përreth shtyllës së pirgut enigmatik. Ec e përballoje lëvizjen rrotullore e matur me centimetra! Patjetër pa asnjë shkarje centimetrash! Çdo tejkalim centimetrash të perimetrit gjeometrik, i jep të shtyrën rënies, plandosje dhe shkapërderdhje të gjymtyrëve!
– Oha-a-a!
– Deri kur do ta kem esëll vëmendjen e përqendrimit?
– Cili mizorë më solli në këtë lartësi të tmerrit e të zgripit?!
Nga çasti në çast shtrëngimi priste lakimin e trupit tij në të majtë a në të djathtë. Veçse një gjendje e epuar dhe, shkëputej nga ajo unazë, që i ishte vënë këtij pirgu të çuditshëm me perimetër rrethor, pa kurrfarë rrethoje mbrojtëse. Kjo farë unaze sikur të ishte bërë për jetë-vrasjet fatale; për të dëshpëruarit, që kanë prerë mendjen të hidhen nga lartësia e sigurt, për t`i dhënë fund trupit tyre, pasi më përpara u ishte helmuar mendja. Për ata, që gjithçka që quhej jetë ishte absurde, e pakapshme, e pashije, torturuese dhe, nuk ia vlente të shpenzohej më tej durimi për kurrfarë sakrificash!
– Zot o Zot! – Po ia shfaqte trishtimin vetës së dytë, e cila matej me çaste, përderisa fiziologjia numëronte orët e një fundi të pritur, dytëshorit kohëzgjatja i bëhej javore, mujore, vjetore e shekullore!
– Çfarë të bëja?!
– Kujt t`i këlthas?!
Hapësira përreth pirgut ishte e zbrazët, nuk shushurinte asgjë. Si dukej, ky pirg i mallkuar i paskësh dëbuar zogjtë, sorrat e zeza, shqiponjat mbretëresha të bjeshkëve. Po të ishte joshës ky farë pirgu, do të ngrehnin çerdhet shqiponjat ose lejlekët.
– Pirg i mallkuar!
– Pirg i ngritur mbi gjakun e trupave të pafajshëm, mbi shtatzëna e foshnje, akëcilat nuk kishin arritur ta perceptonin as dritën e kësaj bote, mbi të cilën mbijnë dhe rriten mizoritë!
Epitetin i mallkuar e shqiptoi të përsëritur kaq pashmangshëm. Jehona e reflektimit nuk arriti më larg se sa tek vetvetja:
Mbase dhe unë mund t`i përkas këtij epiteti, kush e di? Ndonjë dhimbje e shkaktuar ndokujt, do të më ketë mallkuar?
E pra, le ta vuaj, porse jo kaq pamëshirshëm, kaq mizorisht!
Secilën herë iu shmangej shikimeve poshtë pirgut, por pamjet nuk kishin si të lidhen veçse për strumbullarin e ftohtë të pirgut prej betoni ngjyrë hiri. Çdo shikim poshtë këmbëve dirigjonte ekuilibrin, dhe: sillej, sillej, sillej, sillej, sillej, sillej ngadalë, ngadalë dëshpërueshëm me maturinë e ndëshkueshme centimetrave të perimetrit… Pothuajse, edhe mendja, edhe ndjenjat ishin ngjeshur në vorbullën rrotulluese të kokës, e cila po merrte trajtën e ngjizjes së akullit: përpara, prapa, rrotull, gjithnjë në sfond ishte e priste rënia fatale!
Amplitudat e ndjenjave shkrinin dhe ngrinin akujt e zemrës.
– Cilit fat i ngjaj? – Ishte fillikat pos me dytëshorin dhe asnjë frymë tjetër e gjallë kundruall asaj lartësie.
– Mos po i ngjaja Sizifit?
– Sizifi sado që shtynte në pjerrtësi shkëmbi barrën e gurit, shumëfish më të rëndë në përpjesëtim me fizikun e tij, së paku kishte truall ku i nguliste këmbët.
– Ç`mu dashka tash Sizifi i mitologjisë?
– Ndoshta edhe unë qenkam vazhdimësia mitologjike e ndëshkuar prej perëndive të sotme? – U zhyt në amplitudën e përsiatjeve të sikletshme:
– Unë kam sedër të prekshme, e cila po shkërmoqet, unë nuk dua të jem i padukshëm, unë e ndjejë njerëzoren, por, mua askush nuk më sheh, nuk më ndjejnë, askujt nuk i duhem, nuk më zgjatet një dorë shpëtimtari?! Ë-ë-ë-ë… Askush nuk e peshon dhimbjen dhe dashurinë time; askush, askush, askush nuk më fut në kronikën e kujtesës së bardhë!

***
Rrotullimi i radhës përreth strumbullarit të ftohtë, pa derë për dalje, pa shkallë për zbritje!… Kushti i zbritjes ishte përveç fluturimit ose aso fluturimi që shpie në shkërmoqje! Fiziologjia e damarëve të tendosur tëhollohej, ngurtësohej lëvizja e rruazave të kuqe e të bardha e përroskave të gjakut. Vija e hedhjes së urinës luhaste me tërheqje, me pikat ngjitur sipër njëra-tjetrës, krejtësisht i mbështetur, hidhte atë fije të lëngshme të kripur, sikurse një pè i hollë ujëvare hapësirës së poshtme. Mandej, ç`t`i bënte jashtëqitjes, që do ta kishte kundërmuese deri në tharje, ose shkelje mbi të gjatë rrotullimit të domosdoshëm? Aj-me!
Mendja assesi nuk e kapërcente gojën e frikshme prej përpirësi të honit e të shpresës së vdekur! Shpresës i kishte mbetur veçse fija e hollë e kapjes për kashte, ndërsa të korrat e kallinjve ishin larg, larg… Në trup ende kishte kripëra, që i vrujonin si pikla të ftohta kallnori. Me gjithë mynxyrat kishte një përparësi: i kruhej shpina dhe mund ta fërkonte në vrazhdësinë e pirgut.
Përsiatja për trishtimin i shfaqej në mori variantesh. Përmbyllja e trishtimit priste çastin e vet… I fjaf-fjuan reflekse, që depërtuan sikurse rrezet Rëngën ngujimin e rrethimit prej rojeve të trishtë të armatosur me bajoneta!
– Përse është mjeshtëruar kështu ky pirg? Si të mos kenë paraparë shkallë për hipje dhe zbritje?
Zëri i mekur i vetës, zëri në bashkëdyzim, shqiptoi qasjen e vet mendore, që ruante ende esëlltin:
– Si shihet mjeshtrit nuk paskan paraparë shkallë për pirgun, që askush të mos kishte mundësi të ngjitej dhe, akëcili, që disi mund të hipte në atë lartësi, të mos e përdhoste me të dhjerë një krenari të paprekshme.
– Nuk përjashtohen dhe qëllime të tjera… – Vijoi Vijoni:
– Kryemjeshtri i pirgut i paska shkuar për shtati diktatorit.
– Doemos. – Tha veta nën ethe trazimi.
Dytëshorit i kishin shteruar këshillimet, nuk pleqëronte me urtësinë e dikurshme, ishte kapluar nga gjendja pezull e qenies ku vegjetonte urtësia e tij. Ajo urtësi tashmë e priste dorëzimin.
– Ja: pikërisht këtu vinte në shprehje admirimi dhe përparësia e shpezëve për dhuntinë e fluturimit; krahët e tyre fluturues ishin mrekullia, të cilën evolucioni nuk ua dhuroi njerëzve. Përsosja evolucionare nuk ishte bujare me njerëzit. Kësaj përsiatje ekzistenciale i doli pyetja e çdo-çasti, më e rëndomta e njeriut:
– Pse?
Krye-vetës që e mbante në vatrën e ngrohtë, këshilltarit dytëshor, kishte filluar t`i fikej edhe zjarri i rëndomtë, qoftë edhe për motet e acarta. Ngaqë shkallës së lartë të tendosjes, temperatura nga dyzet gradë, menjëherë i zbriste tek zero gradë celsius! Zjarr akull!
Pseja e sapo shtruar ishte fshirë nga harresa, ajo vjedharake e kujtesës. Psesë ia kishte fshirë fare çdo udhë-marrje tjetër harresa. Mozaikut të përfytyrimeve i vinin ngjyrat e stinëve, kopshtet, aroma e galdimit të prillit, kraharori i gufuar, vithet rrumbullake, duart e buta, buzët qershi të rreshkura të vashës pa kozmetikë… Pastaj, kundërmimi ndotës i jashtëqitjes përdhosi atë fanitje të veçueshme të idilit të jetës. Hija e tokës përshkallëzonte trusninë, mandej agmia mbi qepalla lotonte vesën.
Sërishmi përfytyrimi fragmentar i përsiatjes i parashikoi mbarimin e pozitës pezull.
– Nata tjetër makthit do t`ia sjellë fundin e lumtur!…
– Si, si, si?! – Spontanisht i dolën pyetjet njëra pas tjetrës dytëshorit.
– Shtrëngimi, puthitjet reumatike për pirgun mizorë, do t`i kushtëzojë muskujt t`i jepen dorëzimit, më tej gjumi do ta përzë vetëdijen dhe, do ta përmbyllë aktin e fundit të kësaj zezone përmes rrotullimit nga njëri krah në tjetrin dhe: ho-o-o-o-pa-a-a-a-a-a-a!…
– Atëbotë, nuk do të mbetemi të varur në këtë ferr?!
– Assesi. Do të pushojmë në botën e amshuar!
– A ka gjasa të na ndjekin tiranët edhe atje?…

 

Më 16 Qershor 1937 lindi Erich Segal, autori i Love Story, Doctors, The Class Nga Saimir Kadiu

 

Erich Segal (16 QERSHOR 1937 – 17 janar 2010) shkrimtar i madh amerikan.

Autor i veprave te tilla si “Love Story”, “Doctors”, “The Class” etj.

Libri qe e beri te famshem eshte padyshim “Love Story”.. qe u be edhe nje film kult ne vitin 1970…i regjizorit Arthur Hiler me skenar te Erich Segal dhe me interpretimin e magjishem te Ali MacGraw dhe Ryan O’Neal.

Ky liber i jashtezakonshem nuk ishte thjesht nje thriller, por ishte e lidhur me nje histori personale te autorit…

Kete histori na e jep Paula Young Lee…

“Në vitin 1998, një seri bisedash të keqinterpretuara lanë të kuptohej se ish-zëvendëspresidenti amerikan, Al Gore, pretendonte se ai dhe e shoqja, Tipper, kishin frymëzuar autorin për historinë e famshme. Por një grua me emrin Janet Sussman vendosi të tregonte se në fakt ishte ajo Jenny në jetën reale…

Janet Sussman ishte vajza e vogël e një çifti intelektualësh ruso-polak, që kishin emigruar në SHBA.

Familja e saj ishte pjesë e atij që e motra, Deborah, e quante “Klani”, një rreth i ngushtë social, që i ishte dedikuar gjetjes së parave për të krijuar një atdhe për hebrenjtë. Pjesë e këtij rrethi ishte edhe familja Gartners, prindër të të riut Gideon, me të cilin Janet dhe merrte mësime pianoje.

Në vitin 1952, ndërsa ishte në një kamp veror, 15-vjeçarja Janet mori një letër dashurie nga një shok shkolle 17-vjeçar. Në plot shtatë faqe, ai i rrëfente se e donte dhe se i kishte shkruar pasi shumë shpejt do të shkonte në kolegj, ndaj kishte frikë se e kishte humbur shansin të linte një takim me të. Ai ëndërronte të martohej me të në krye të dhjetë viteve. Ëndërronte se ajo do t’i kthente përgjigje. Megjithatë mendonte se ishte budallallëk të pranonte ndjenjat e tij, sepse kushedi sa djem të tjerë ishin të dashuruar me të!
***

Në fillim të viteve ‘50, Janet Sussman ndiqte shkollën e mesme bashkë me Gideon Gartner dhe Erich Segal.

Erich ishte moshatar me Janet, por një klasë me lartë, ndërsa Gideon, i cili i shkroi letrën e dashurisë, ishte dy vjet më i madh.

Gideon vazhdonte t’i shkruante letra, por Janet nuk ishte e interesuar. Ajo ishte shumë e zënë me miqtë, pasionin për të kënduar, studimet … për t’u përfshirë në një lidhje. “Në atë kohë jeta ishte ajo që ndodhte”,- ka shpjeguar Janet. “Nuk i vije gjërat në dyshim. Unë merrja letra dhe mendoja se edhe të tjerë merrnin po ashtu.

Erich nisi t’i dërgonte letra në vitin 1954 dhe vazhdoi t’i dërgonte për 16 vitet në vazhdim. Janet e njihte, të gjithë e njihnin, por nuk e kuptonte se si e kishte tërhequr vëmendjen e tij, pasi pothuajse nuk e shihte kurrë gjatë aktiviteteve të ditës në shkollë…

***

Pas mbarimit të kolegjit, Janet vendosi të shkonte në Paris tek e motra. Gjatë kohës në Paris u takua me Erich, kur pranoi të shkonte për darkë në shtëpinë e disa të afërmve të tij. Megjithatë ajo nuk shfaqi asnjë interes për ta takuar sërish. Erich u kthye i dëshpëruar në SHBA dhe vazhdoi t’i dërgonte letra. Janet ka ende një duzinë me letra nga ai. Kur Janet ishte në Paris, Erich shkoi të takonte prindërit e saj, të cilëve u la përshtypje të mirë.
***

Pas kthimit në SHBA, në tetor 1960, Janet nisi punë si asistente e Geraldine Souvaine, producente. Në atë kohë, pranoi të dilte me mikun e vjetër, me të cilin merrte mësime pianoje, Gideon. “Kur e kisha takuar për herë të fundit ishte thjesht djalosh, kur u ktheva nga Parisi ishte bërë burrë. Papritur u ndjeva e tërhequr nga ai”,- kujton Janet.

Pak muaj më vonë, ata u martuan.

Erich i shkroi një letër urimi.
***

Tashmë grua e martuar dhe me tre fëmijë, Janet vazhdonte të merrte letra rregullisht. Ajo e dinte se kush ia dërgonte. Erich ishte bërë profesor i letërsisë greko-latine në universitetin e Yale, si dhe kishte pasur sukses si skenarist në Hollivud. Ajo e mendonte si një shkrimtar të afirmuar, që thjesht nuk hiqte dot dorë nga letrat. Ndonjëherë ajo i kthente ndonjë përgjigje të shkurtër dhe nuk e shtynte më tej.

Një natë në 1969-n, Erich e mori në telefon. “Më tha se më kishte shkruar letrën e fundit të dashurisë dhe që ishte mbi 100 faqe”,- thotë ajo. Ajo letër e fundit ishte “Histori dashurie”, libri i tij i famshëm, që u bë libri më i shitur në vitin 1970 dhe e bëri autorin milioner. Një vit më vonë, kur doli filmi, Erich e ftoi Janet për darkë bashkë me dy aktorët dhe producentin e filmit. “Gideon më tha të shkoja, por ngulmoi që mos të identifikohesha si Jenny e historisë”,- kujton ajo.

Në një intervistë në vitin 1971, Erich ka folur për ndjenjat e tij ndaj gruas që frymëzoi personazhin e “Histori dashurie”.

“Kur humb gruan që do, gjithçka ka mbaruar, nuk ka rëndësi nëse ajo vdes apo të lë për një burrë tjetër. Ti je vetëm. Kur arrita në këtë pikë nisa të mendoja për “Histori dashurie”.

Kjo është edhe arsyeja pse Jenny vdes në libër, sepse për mua ajo është e vdekur”.

Lulëkuqe Nga Mim Marjanaku

 

Si linde ti
lulëkuqe?
E kuqja jote
nuk është
si e kuqja e Tizianit,
as si e kuqja
e buzës së nuses.

Vello trishtimi
të rri
mbi petale.
Aroma jote
nuk është ekstrakt parfumi.
Gjithë lulet e tjera
zbukurojnë dasma e kurora.

Ti, jo!
Si linde ti, lulekuqe?
Thonë
pas beteje …
lulekuqën dheun.

Tani e kuptoj
pse
je e vetmja lule
që ke grup gjaku.
Lulekuqe që mbin çdo ditë.

M.M 14/06/2025

Shqipëria e Madhe- Poezi nga ASDRENI

Poezia e Asdrenit kushtuar Kosovës dhe Çamërisë, botuar në gazetën, ‘Tomori’ në vitin 1941
Poezia e Asdrenit, poetit të madh kombëtar, kushtuar Kosovës dhe Çamërisë është botuar në gazetën “Tomori” më 28 nëntor 1941, në 29-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Në gazetën “Tomori” poezia është titulluar: “Shqipëria e Madhe”
Mir’ se erdhe midis nesh, o e bukura Kosovë!
Mir’ se erdhe motër, po të them dhe përsëri,
Mbas vuajtjeve dëshmove gjatas që dhe provë
Të hysh hirplotë në gjinjt e Mëmës Shqipëri.
Me vrer në buzë prisje të gjeje pak ndihmë e dritë
Ta ngrehësh vehten prej njëj territ të pafund,
Me flijime pa numër dhënë ditë për ditë,
Të ngopej bisha, sot përdhe, pa shpirt që u mund…
Me vargje trupin lidhur, kombi më gjakpirës
Pak frymë për të marrë vehten nuk të linte,
Të çorri faqe e sy me thonjt e tij grirës,
Me drapër gjith po korrte pleq dhe të rinj.
Dhe zëri t’ ishte shuar, lotët e syve tharë
Në fshamë e mbytur dhe në vojtje pambarim,
Ndër aq vjet s’pe një ditë pak të mbarë:
E zhveshur edhe e zbathur pa pikë përdëllim!
Një copë truall nuk të linte për jetesë
As bukë për fëmijët s’kishe për ushqim,
Dëshirë e tija: farë e jotja të mos të mbesë:
Në dhe të huaj larg të shporte me qëllim!
Mundime tmerri që s’tregohen dot me fjalë
Grabitje me pahir te gjësë pa pushim,
Në trollin tënd ai të kishte si një halë,
Çdo çast për ty s’mendonte veçse për shkatërim!
Sa burra nuk e derdhën gjakun kot së koti,
Për një të drejtë shpirt që dhanë me një plumb,
Mëshirë s’gjenin as kur binin pika loti,
Shtëpin’ e plengun zjarri kur ua bënte hi e shkrumb!
Kish heshtur kënga pleqërishte dhe dasmore
Lahutë-e fyell derthnin tingull vajtimtar,
Me drojë dilte bjeshkës vajza malësore,
Kurrkujt si qeshte buza, në aq tym e zjarr!…
Dhe ti e shetrenjta Çamëri si trime e rallë
Dikur që të ngjallej greku pate falur gjak,
Si mirënjohje flijimi prite plumb në ballë;
Pa faj dhe miq dëshmorë ranë keq në lak!
Mirë se erdhe pranë Mëmës, vajzë-e dëshiruar
Plot mall o bijë e shumëvojtur Çamëri,
Në gjinjt’ e saj të ngrohtë drejt në kraharuar
Gjith po të priste pa durim me dhempshuri.
Dy bija të përmallshme, Gurë të paçmuar
Si dy florinj të ndritshëm derdhur bukuri,
Mi ball të Shqipërisë, Mëmës së-adhuruar,
Si hyj po ndritni, ju, Kosovë e Çamëri!
Dy zotër të pashpirt me të egër se dy bisha
Mbë nj’anë serbi, fis i poshtër gjakatar
Ndaj tjetrës greku dhelpër, vrasës gënjeshtar;
Dy faqezes pa Perëndi, me kryqe-e kisha!
Me shufra dhe shuplaka, grykës dhe tërkuza,
Për ‘ta ju s’ishit veç një farë bagëti,
Ata me tallje, juve ju përcilte buza:
Po kthenje fjalë, ca më keq, si mjerë ti!
Por Ora-e fundit, Ora e tmerrit e shpërblesës
Çdo faj me të përdhunë bërë që s`e fal
Pluhur dhe hi u-bënë shkelësit e Besës
Rrufe mërije Zoti rrymën që s’ia ndal!…
Dikur Dodona plakë parathoshte Fatin
Që çdo shpirtlik e çojnë Hyjit drejt në Ferr
Dhe sot po gjith ata mizorët më të ngratin
E marrin shpagën prej njëj gjyqit që të therr!
Kur më të dobtin don e shkel me të përdhunë
Ndeh dorë lakmimtare me padrejtësi
Më shpejt a von të pret po gjith ajo furtunë
Që s’le pa mos përmbysur çdo paudhësi!
Ju me vullnet të fortin tuaj s’u-përkulët
Çdo sulm të bishës e përballtë me guxim,
Se vetëm kombet jetë-skllavë dhe shpirt-ulët
Durojnë zgjedhën qafës, pa një murmurim.
Mbërdhe përfare ranë hekurat e rënda
Përjetë-u shduk tirania që s’durohej dot
Sot flamuri kuq-zi ndeh flatrat siç i kënda
Mbi viset ku Shqiponjat motit qenë zot!
Sot Djell i ri ju ngrohn me rreze çlirimtare
Sot zgjedha e rëndë-e robërisë mori fund
Mëngjezi-i ndritshëm njaj prandvere shkëlqimtare
Mbi tokën t’uaj po përhapet me sa mund;
Sot ndër qytetet dhe katundet gazi ndjehet
Vëllazërimi-i tërë Kombit plot hare
Me këngë dhe kremtime populli dëfrehet
Fatlum për atë se lindi Jetë krejt e re!
Çdo Vatër e Kosovës dhe e Çamërisë
Le të tërhidhet me vallzime të pafre
Se Terri perëndoj, arthi Drita e Lirisë
Mbi malet tona po shëndris një qiell pa re.
Që tash, o burra djem, ju mbetet juve barra
T’i bëni ballë çdo rrezikut që ju del,
Të shohë vendi i ynë ditë më të mbara
Me vrrull t’a mbroni, këmbë-armiku kur e shkel!
Me krenari vazhdoni trimërinë e motshme
Qysh nga të Parët tanë mbetur trashëgim
Hovplot forcoheni me diturit’ e sotshme
Mos merrni Fenë parasysh për një Bashkim.
Si burra plot vullnet kësaj fatlume radhe
Të bëhemi me ndihmën e të Madhit – Zot,
Një Komb i fortë në një Shqipëri të Madhe
Që mundi i aq Dëshmorëve të mos vejë kot.
Fatosavet dhe Prijsavet u-qofshim falë
Me ne, dy kombe miq, që derdhën gjak bujar
Nër luftra ngadhnjimtare zot që kanë dalë
Kurorë Nderi plot shkëlqim për çdo luftar!
Ushtrive të lavdishme Mike dhe Mbrojtare
Me krahun e pathyershim vetëtimtar
Q ëu-shëmb armiku më mos ngrehë krye fare:
Nderime-e Mirënjohjen t’onën, shqiptar!
Asdreni
(“Tomori” 28 nëntor 1941). /

Prezantohu, sa vlen ti zotëri?- Poezi nga VIRON KONA

 

Në bibliotekë pashë mijëra libra,
shkruar nga mijëra mendimtarë,
fare mikroskopik m’ u duk vetja,
në qiellin e madh shkëlqimtarë.
.
Kujdestari i bibliotekës m ‘pyeti:
s`po të njohim nga vjen o njeri,
duke m`u afruar, më pëshpëriti:
na u prezanto, sa vlen ti zotëri ?
.
U prezantova e ai butë më tha:
ty zotëri, s`të kemi fare n ‘listë,
por vend më t ‘mirë se ky s`ka,
ku ti mund të përfitosh dituritë.
.
Librat e radhitur bukur në rafte,
nga mendjendritur janë krijuar,
aty është nektari, ajka e dijeve,
ta dish shumë ke për t ‘mësuar!
.
Kur të vijë çasti që të shkruash,
ji vetvetja, askush s`të detyron,
por vepra jote do të jetë e vyer,
nëse zërin e zemrës dëgjon.
.
Nga misioni kurrë mos u tërhiq,
ndonëse mund të kesh dështim.
Asgjë s‘arrihet me fjalë magjike,
por me vullnet dhe përkushtim.
.
Ti duhet të dish që të zgjedhësh,
të jesh meteor apo yll jetëgjatë,
i pari flakëron dhe shuhet shpejt,
i dyti shkëlqen qiellin çdo natë.
.
Do shpërblehesh me mirënjohje,
s`do të kesh përfitim dhe pasuri,
njerëzimi i mban në zemër bijtë,
siç mban dielli rrezet e tij.
.
Në qoftë se veprat që do kryesh,
do të shpallen me vlera një ditë,
i nderuar e krenar do t ‘ndihesh,
dhe emrin do ta kesh në listë.

Meditim rreth vëllimit “Ëndrra mahnitëse” të Sokol Demakut- Nga Viron KONA

 

Doli nga shtypi vëllimi poetik “Ëndrra mahnitëse” e autorit Sokol Demaku, me 82 faqe shtypë në Shtypshkronjën Lena Graphic në Prishtinë

“Ëndrra mahnitëse” titullohet vëllimi i ri poetik i Sokol Demakut. Janë “ëndrra” që shprehin pjesën e padukshme të ajsbergut, janë fjalë të pathëna që vrullojnë nëpërmjet vargjeve, si të duan të sfidojnë e të pastrojnë momente të turbullta që trazojnë jetën njerëzore, janë vargje që portretizojnë tipa dhe karaktere, por edhe shfaqin përpara lexuesve një mozaik temash dhe problemesh bashkëkohore. Sokol Demaku e shpreh mendimin e vet poetik me fjalën e tij të bukur si deti valët, si era flladet dhe aromat, si natyra ylberin dhe siç i shpreh shpirti i njeriut ëndrrat dhe shpresat.

Poeti dhe Demoni

I dashur lexues, kemi një libër plot thirrje të brendshme të një shpirti të mirë, që është ndeshur dhe vijon të ndeshet me vështirësi të llojllojshme, që u qëndron fort atyre dhe nuk dorëzohet. Kemi përpara një poet që kërkon të ndriçojë skuta të errëta të shoqërisë, të shpirtit njerëzor; nëpërmjet vargjeve poetikë ai kërkon të ngjallë te njeriu më shumë besim dhe shpresë, por edhe të qortojë apo edhe demaskojë në mënyrë poetike gabime dhe vese njerëzore. Kemi përpara një libër me poezi që përfshin brenda vargjeve momente të rëndësishme të filozofisë së jetës, filozofisë së mendimit. Një filozof do t`i shndërronte shumë nga mesazhet e këtij vëllimi në teza dhe hipoteza dhe do t`i zhvillonte në mënyrën e vetë, duke na krijuar vizione dhe këndvështrime origjinale dhe interesante; një piktor do të hidhte në tablo portrete dhe karaktere të ngjashëm me Demonin, atë qenie mbinjerëzore me fuqi të fshehtë, që besohet se ka në dorë fatin e njeriut, Demonin që, herë përfaqëson djallin, shpirtin e keq, një ngasje të keqe, një tundim, një ves të shfrenuar, si demoni i xhelozisë, i hakmarrjes, por, herë tjetër ai tjetërsohet apo përafrohet me Demonin e piktorit të madh Vrubel, ku figura e Demonit nuk përshkruhet si një mishërim i Djallit, por si një qenie njerëzore që është copëtuar nga vuajtja, apo si kërkim i lirisë shpirtërore.
Poeti Demaku depërton me idetë dhe mesazhet brenda shpirtit të njeriut, përpiqet t`i shpreh atij se gjithçka e egër dhe e fuqishme përballohet nga njerëz të ditur dhe të mirë, kjo jetë kërkon kapitenë, që sikurse përballojnë dallgët e oqeaneve në kohë të stuhishme, ashtu të përballojnë edhe dallgët e shpirtit. Sokol Demaku është një kapiten i tillë, është një poet i tillë, që njeh realitete nga më të shumëllojshmit, njeh botën dhe shpirtrat njerëzorë, që gëlojnë e gëlojnë pareshtur dhe që shfaqen nëpërmjet vargjeve edhe në këtë libër sa poetik dhe njëherazi me mesazhe filozofike.

Ta mbrojmë jetën!

Do të doja të zgjidhja disa nga poezitë dhe t`u bëja një koment më të gjatë në këtë hyrje, por ato janë aq shumë dhe pretendojnë podiumin e nderit për nga fuqia e mendimit dhe bukuria artistike, nga përmbajtja e thellësia, nga shprehjet jetësore dhe nga figurat letrare. Po përmend poezinë “Malli”, që çel librin, ku malli shpërthen si një llavë e brendshme e pa rrëfyer më parë. Te poezia “Hëna o hënë” ai i drejtohet hënës, si të dojë t`i kërkoj ndihmë, i bindur se, ajo do ta ndihmojë me dritën e saj. Te poezia “Ata yje”, i drejtohet yjeve… Te poezia “Jeta” ai e pranon dhe e mbron jetën, sepse ajo jepet një herë dhe njeriu duhet ta jetojë, sido që ajo të vijë, pasi siç dihet shumë pak gjëra kemi në dorë, madje, fare pak, e, megjithatë si qenie njerëzore, ne e duam dhe e mbrojmë jetën, madje edhe përpiqemi ta përmirësojmë, ndonëse ajo herë – herë edhe na fshikullon e godet, madje edhe rëndë, e përsëri ne e duam. Poeti do që t`u japë përgjigje dukurive të jetës, kurse te poezia “Themelet e jetës së re” ai kujton edhe kohë të liga, edhe kohë brengash, edhe kohë shkatërrimesh shpirtrash njerëzorë, teksa ngrihet në mënyrë poetike mbi to, duke i bërë thirrje vetëdijes njerëzore me vargjet: “të ndërtojmë kullën e shpresës,/së bashku si një,/të shtojmë një gur qëndrese,/në themelet e jetës së re.”

Kopshti i dashurisë

Janë si lulet e bukura të një kopshti poezitë që fshehin ndjenja dashurie, si trazime të thëngjijve brenda hirit, që atje qëndrojnë të strukur dhe druajnë të dalin e të shpërthejnë në ajër dritën e tyre verbuese dhe ngrohtësinë, teksa te poezia “Ata sy jeshile”, poeti shkruan: “Nuk kam guxim,/Të ndalem, të vështroj,/Ata sy jeshile,/Shumëçka tregojnë… /Ti je një lule,/Me aromë të rrallë,/Dua ta shijoj aromën,/Të lutem më ndihmo!” Ndjenjat e dashurisë fshihen edhe te poezitë “Nuk dua të shkoj”, “Fotografia e vjetër”, “Nuk dua largim” “Puthja e bardhë”, teksa sikur shpërthejnë te poezia “Ëndrra mahnitëse”, që i jep edhe titullin këtij libri e ku autori shkruan: “Të ëndërroj afër meje,/Sytë e tu më pushtojnë të tërin,/Më lejo të marr frymë thellë,/Fjalëve t`u jap përgjigje./Jeta është një shkollë e përhershme,/Që krijon shtigje të reja…”.

Një lypës në këtë botë të çmendur

Një poezi emocionuese, që na vë në mendime është “Lypësi i vogël”, ku autori përshkruan një lypës që jeta i ka dhënë veçse varfëri, si të ishte një zog në kafaz dhe që pret që dikush t`i hedhë një thërrime, teksa zemra e lexuesit ligështohet përballë realiteteve të tilla, që fatkeqësisht janë të dukshme. Në njërën anë lypësit e vegjël dhe varfëria e skajshme, kurse nga ana tjetër luksi i shfrenuar, jeta boshe dhe pa asnjë kuptim, ku pasuria e popullit shndërrohet në armë vdekjeprurëse, që vrasin e vrasin çdo ditë njerëz të pafajshëm…, teksa ai, lypësi i vogël vazhdon të lyp e të pres thërrimet e tij në këtë botë të errët e të çmendur..

Art, filozofi, traditë

Si njeri i palodhur i punës, poeti Demaku i këndon me vargje punës, që mban këtë jetë njerëzore, duke e quajtur punën “fryma e ditës që vjen”, jeta pa punë për atë “është si zhurmë pa tingull:, “ëndërr pa shpresë”, “tokë pa frymë” dhe ai përfundon: “Se çdo hap i hedhur në djersën e saj,/ Është jetë që ngrihet, është shpresë që s’ndal”. Vijon libri me poezinë “Mjerimi”, ku Demaku trondit shpirtin njerëzor me vargje të tillë: “Fëmijë pa lodra, gra pa fjalë,/Burra me shpresë të thyer ngadalë,/Kërkojnë diell në mes të shiut,/Kërkojnë drejtësi në heshtjen e zhurmës./Po mjerimi s’është vetëm varfëri,/Është harresë, është zemër që s’ndi,/…njeriu bëhet i huaj,/Për vëllanë që e sheh dhe s’e ndihmon kurrë!”. Nuk di pse, përballë kësaj poezie, sjell ndërmend fjalët e plakut të mençur drenicas, Xhemal Obria, të cilin kur e pyetën: “Përse ju ishit më pak, por ishit më të fortë. Ndërsa ne jemi më shumë, por jemi më të dobët? Xhemali u përgjigj: “Ne dikur e jepnim pasurinë për vëlla. Ndërsa ju sot e jepni vëllanë për pasuri!”.
Si një poet nga Drenica, nga vendi i shquar për virtyte, për rezistencë shekullore, për trima dhe heronj të kombit shqiptar, Sokol Demaku i ngre himne dhe vargje poetike besës, fjalës së dhënë të shqiptarëve. Këto fjalë të shkurtra dhe me shumë kuptim, shprehin virtyte të larta shqiptare, përmbajnë brenda tyre filozofinë tradicionale të shqiptarit në shekuj, ku besa dhe fjala e dhënë, janë si perla të ndritshme, që gjenden në Shqipëri dhe s`mund t`i gjesh lehtë tjetërkund në këtë botë të turbullt. Për shqiptarin dhe, njëherazi edhe për poetin “Besa është dritë që ndriçon nderin./ Se pa besë s’ka njeri të vërtetë,/Vetëm hije që rrinë në jetë”. Tradita e trashëgueshme shekullore e besës, e fjalës së dhënë, përshkruhet po aq bukur edhe te poezitë “Fjala e dhënë”, ”Burrëria’, “Miqësia’, ku poeti zbërthen kuptimin filozofik të saj, veçanërisht me vargjet: “Miqësia s’ka nevojë për fjalë të mëdha,/As për premtime që era i bartë,/Ajo lind në heshtje, rritet me kohën,/Dhe rri në shpirt si dritë që s’ ndalet./Një mik të vërtetë nuk e prishin stuhitë,/Ai s’pyet për lavdi, as për fitime,/Në ditë të mira rri pranë me gëzime,/Në ditë të vështira bëhet dritë mbi shpinë..”. Me art të hollë dhe me kuptim të thellë e figuracion të rrallë poeti i thur vargje xhelozisë që “Të vret ngadalë me fjalë që s’janë thënë”, mërisë, e cila “rritet si ferrë në zemrën e qetë”, tradhtisë, që “vjen si furtunë në ditë të paqme,/në shikimin që duket i sinqertë, por të mashtron…”. Ndër kulmet poetike është edhe poezia “Vallja e jetës”, ku me një “vështrim” të mendjes dhe të zemrës, poeti përshkruan jetën: “Në krahët e saj vallëzojmë të gjithë,/fëmijë e pleq, me lodhje e gëzim./…Vallja e jetës s’është për t’u mësuar,/është për t’u ndjerë me trup e me shpirt./Një poezi që nuk shkruhet me fjalë,/por me çdo frymë, çdo rrahje zemre,/ çdo ikje e ardhje…”
Po aq tërheqëse është dhe poezia “Të heshturit”, të cilën autori ua kushton dijetarëve të vërtetë, që me mendjet e ndritura i japin zhvillime të jashtëzakonshme jetës dhe njerëzimit dhe nuk kërkojnë asgjë prej tyre: “Ata nuk flasin, por fjala u ndizet në sy,/si yjet të fshehur pas reve të natës,/ Nëpër rrugë kalojnë pa zhurmë,/por toka i ndjen më shumë se bubullimat./Janë ata që mbajnë peshën e botës në shpinë…”.
Kanë një tingëllim realiste dhe jetësore poezitë “Lotët” dhe “Në heshtjen e mbrëmjes”, teksa është përshkruar me bukuri tronditëse, poetike e filozofike poezia “Dinaku”: “nën buzëqeshjen, që duket e qetë,/fshihet një ujk me fytyrë të vërtetë”. Apo poezia “Dyfytyrësia”, ku përshkruhet njeriu që mban një buzëqeshje për botën përjashta “një tjetër fytyrë në errësirë e fsheh”. Janë shprehur në formën e epigrameve poezitë “Shpirtngushti – Zemërgjeri”, e ku autori përball me njëri – tjetrin dy koncepte të kundërta të karakterit njerëzor. Kontrast paraqet dhe poezia “I ligu” i cili “…vjen pa zhurmë, si hije në terr,/me fjalë të ëmbla, por zemër ferr…thotë “jam shpëtim”, por sjell shkatërrim”. Poezia “Dashakeqi”, i cili “Në zemër ka zili që vlon,/një urrejtje të vjetër që s’pushon./Nuk të godet me dorë, por me fjalë,/me gjysmë të vërtetash, të mbjella si farë”. Vijon poezia “I pa gdhenduri”, të cili autori e krahason me “një statujë që s`u bë art”.

Gjerdan vargjesh vezullues

Krijohet përshtypja se poezia “Në heshtje fryn një fjalë”, shërben edhe si një epilog i këtij vëllim tërheqës e filozofik, që me pak fjalë dhe pak vargje të ngjeshur, përcjell bukuri mbresëlënëse për lexuesit, u shpreh atyre ide dhe mendime, ndjenja dhe mesazhe, si të ndajë me ta shqetësimet e jetës. Poeti depërton me vargje befasuese gjer thellë në shpirtrat e lexuesve, duke kuvenduar me ta, teksa “Në heshtje fryn një fjalë,/si puhizë mbi ujë të qetë,/ku hëna puth liqenin,/dhe nata rrëfen një jetë./Në mendje zgjohen kujtime,/si gjethet që bien në tokë, /secila ka një emër,/secila ndjen një mall./Në zemër digjet shpresa,/si qiri që s’do të shuhet,/dhe fjala që s’u tha kurrë,/në vargjet e mia struket”.
Dhe, në përfundim?
Në përfundim krijova përshtypjen se poeti Demaku, kësaj here kushedi pse më ngjasoi me peshkatarin e perlave, që zhytet me guxim në thellësinë e detit, atje ku gjallojnë e rriten mijëra guaska që fshehin brenda tyre perlat e ndritshme. Dhe, ai, me talentin dhe pjekurinë poetike, duke kërkuar ka “gjetur” jo një, por dhjetëra perla, të cilat na i përcjell ne lexuesve në këtë libër si një gjerdan vargjesh vezullues.
Urime dhe faleminderit, Sokol Demaku!


Send this to a friend