Anëtari i këshillit Kombëtar të PD-së dhe ish-kandidati për deputet në zgjedhjet e fundit, Ilir Alimehmeti, u distancua nga diskursi politik që ka ndjekur ish-deputeti Ervin Salianji në garën për kryetar të partisë.
Ai rrëfeu edhe ambicien e tij për Bashkinë e Tiranës dhe jo për postin e kryetarit të PD, teksa shpjegoi pse zgjodhi të mos garonte për zgjedhjet e 23 majit.
Ndërsa theksoi se moskandidimi i Salianjit lidhej me mosplotësimin e kritereve, në emisionin “Kjo Javë” në News24, ai shpjegoi se vetë është për një garë në ekip dhe me projekt, e jo për një konkurrim individual siç zgjodhi Salianji.
Kurse për garën me një kandidat të vetëm, të kryetarit aktual Sali Berisha, Alimehmeti tha se e sheh si një konfirmim, edhe pse pranoi se gara me më shumë se një kandidat është më interesante.
“Kjo situatë për PD quhet një konfirmim se s’ka si të jetë ndryshe me një kandidat të vetëm, quhet rikonfirmim. Patjetër një garë do kishte qenë një garë interesante. Nuk kam pasur ndonjëherë dyshim se nuk do konfirmohej zoti Berisha në garë”, tha ai.
Pyetjes nëse mund të kishte figura të tjera për garë, ai tha:
“Patjetër që mund të kishte ehe figura të tjera që mund të kandidonin por për të marrë drejtimin duhet të fitonin votat. Kemi pasur edhe më parë kandidatë që morën vota si më 2022 kur kishim zotin Elezi të Kukësit. Për platformë fituese do duhej platformë, me një ekip dhe të kandidonin ëpr shumë pozicione, se ka edhe pozicione të tjera. Por është tjetër llojë gare, ndryshon nga ajo elektorale”.
Alimehmeti u pyet nëse mund të kishte kandiduar edhe vetë për postin e kryetarit në zgjedhjet e 23 majit. Por ai u përgjigj se nuk e ka ambicien për kryeministër në hije dhe se objektivi i tij është Tirana, duke nënkuptuar zgjedhjet e ardhshme lokale të 2027 për kryebashkiak të kryeqytetit në siglën e PD.
“Unë e kuptoj dashamirësinë, por duhet të ketë ambicien personi përkatës. Nuk e kam këtë ambicie. Kam tjetër objektiv, e kam treguar qartë me vite. Objektivi im ka qenë i drejtuar drejt Tiranës. Ambicia e kryetarit të PD dhe nesër kryeministër, është tjetër lloj çështje, gare, territorialisht më e gjerë. Mendoj se ka njerëz më të avancuar. Tjetër garë, është ambicie tjetër që unë nuk e kam”, u shpreh Alimehmeti.
I pyetur për përjashtimin e Ervin Salianjit nga gara për kryetarin e partisë, Alimehmeti u distancua, duke thënë se nuk e mbështet modelin që zgjodhi ish-deputeti për të konkurruar dhe platformën e tij.
Gjithashtu ai u shpreh se do ishte dakord që Salianji të konkurronte, por mungesa e kritereve e mbajti jashtë zgjedhjeve.
“Ashpërsimi i tonit nuk është pozitiv, nuk e shoh si pozitiv atë arsyetim dhe nuk e mbështes dot atë arsyetim. Unë mendoj se nuk do kishte ndonjë problem, ka qenë anëtar Kryesie, unë nuk shihja problem, por ka një Komision që vendos. A do kishte një garë? Padyshim do kishte një garë, por nuk u plotësuan ato kushte që unë thashë. Shkon parimi gjithmonë në ekip, nuk shkon në garë për një pozicion të vetëm, por shkon në ekip dhe unë garën e shikoj për të gjitha pozicionet, me ekip. Por e vendoste kryesia. A do të kishte një garë? Mendoj se do të kishte, por nuk i plotëson ato kushte”, vijoi ai.
Por a e sheh Alimehmeti ish-deputetin Salianji si një kryetar partie?
“Mund të ishte apo jo kryetar partie është çështje personale, ajo varet nga anëtarësia dhe në bazë të sondazheve nuk e kemi parë këtë. Individi një votë ka dhe vendos shumica. Sepse shumica vendos, është vullneti i shumicës, nëse PS psh., bën dhe voton një ligj, unë duhet ta zbatoj, është vullneti i shumicës”, tha këshilltari bashkiak i Tiranës.
Ajri në Shqipëri nuk është më një çështje mjedisi. Është një histori e vjetër neglizhence që përsëritet me të njëjtët protagonistë: trafikun, ndërtimet, institucionet… dhe mungesën e matjeve. Prej tetë vitesh, stacionet shtetërore të matjes së ajrit fiken dhe ndizen herë pas here, duke e kthyer monitorimin në një proces të dështuar.
Shqipëria ka një rrjet kombëtar monitorimi të ajrit me 59 stacione. Një hartë që të jep idenë e një sistemi të plotë, të shtrirë, të aftë për të treguar në kohë reale çfarë po thithim. Por në terren, realiteti flet ndryshe. Monitorimi kryhet vetëm në 9 stacione në të gjithë vendin. Katër në Tiranë. Nga një në Durrës, Shkodër, Elbasan, Fier dhe Korçë. Pjesa tjetër e vendit nuk ka matje të cilësisë së ajrit.
Agjencia Kombëtare e Mjedisit, institucioni përgjegjës për matjen e cilësisë së ajrit, e pranon indirekt dështimin.
Në një përgjigje për Faktoje, institucioni shprehet se rrjeti aktual përbëhet nga stacione që matin ndotës si PM10, PM2.5, NO₂, SO₂, O₃ dhe CO, ndërsa “stacionet janë në funksion, me përjashtim të njërit për arsye teknike”.
Por problemi nuk është më vetëm nëse janë ndezur apo fikur. Problemi është se janë pak. Shumë pak. Problematikë që është vënë në dukje edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, ku përmes një auditi të fundit thekson se institucionet “nuk kanë garantuar të dhëna të besueshme dhe të mjaftueshme për vlerësimin e gjendjes reale të cilësisë së ajrit”.
Shqipëria që matet dhe Shqipëria që nuk matet
Në këtë boshllëk institucional, një hartë tjetër ka filluar të ndërtohet, ajo e matjeve alternative. Nga njëra anë qëndron Agjencia Kombëtare e Mjedisit, institucioni ligjërisht përgjegjës për matjen e cilësisë së ajrit, me një rrjet të kufizuar stacionesh dhe raportime që e paraqesin situatën relativisht të qëndrueshme për shumicën e ndotësve. Sipas AKM-së, përveç rritjeve sezonale të ozonit në verë, “situata për ndotësit e tjerë paraqitet e stabilizuar”, ndërsa tejkalimet e ndotjes lidhen kryesisht me trafikun, ndërtimet dhe ngrohjen në dimër.
Nga ana tjetër, një sistem paralel, i ngritur nga shoqëria civile, po përpiqet të plotësojë boshllëkun që shteti ka lënë me një panoramë shumë më të qartë.
Instituti për Zhvillimin e Habitatit CoPlan, një organizatë që merret me adresimin e çështjeve mjedisore, përmes projektit GreenAL, ka vendosur qindra pika monitorimi në qytetet kryesore.
Rezultatet e fundit nuk lënë vend për optimizëm dhe nuk përputhen aspak me narrativën zyrtare.
Në Tiranë, 66.7% e pikave tejkalojnë normat për dioksidin e azotit një ndotës që lidhet drejtpërdrejt me trafikun, ndërkohë që sipas të dhënave zyrtare këto nivele raportohen përgjithësisht brenda kufijve.
Në Durrës, 100% e pikave të monitorimit të Co-PLAN rezultojnë mbi standardet për grimcat e imëta PM2.5 dhe PM10, ndërsa Agjencia flet për një situatë pa rritje të konsiderueshme për shumicën e ndotësve.
Në Elbasan, kontrasti bëhet edhe më i dukshëm. Ndërsa matjet alternative tregojnë se 91% e pikave tejkalojnë kufirin për NO₂, raportimet zyrtare nuk evidentojnë një situatë alarmante për këtë ndotës. E njëjta tablo përsëritet në Fier, ku deri në 79% e pikave janë mbi normë për grimcat e pluhurit, dhe në qytete si Korça dhe Shkodra, ku më shumë se gjysma e pikave rezultojnë mbi standardet.
Pra, teksa Agjencia Kombëtare e Mjedisit flet për një situatë përgjithësisht të qendrueshme me tejkalime të kufizuara, matjet e Co -Plan në terren tregojnë se ndotja është e përhapur, e vazhdueshme dhe mbi normat e lejuara.
Trafik dhe ndërtim
Nuk ka mister në këtë histori. Asnjë ndotës i padukshëm që nuk mund të identifikohet. Vetë Agjencia Kombëtare e Mjedisit pranon për Faktoje se “kontribuesit kryesorë të ndotjes së ajrit janë trafiku i rënduar dhe ndërtimi”, ndërsa në dimër shtohet edhe ndotja nga përdorimi i lëndëve djegëse për ngrohje.
Në disa qytete, lista zgjatet. Industria në Elbasan, Fier dhe Tiranë vazhdon të jetë një faktor i rëndësishëm. Por mbi të gjitha qëndron trafiku. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, në vitin 2025 numri i mjeteve në qarkullim në vend e kaloi për herë të parë shifrën 1 milion.
Edhe dy muajt e parë të vitit 2026 konfirmojnë të njëjtin trend, me rreth 14 mijë mjete të importuara dhe një rritje prej 5%.
Por problemi nuk është vetëm numri. Është cilësia e flotës. Rreth 69% e automjeteve në Shqipëri funksionojnë me naftë, ndërsa mosha mesatare makinave ka arritur në 18 vite.
Kontrolli i Lartë i Shtetit e përshkruan këtë si një tendencë shqetësuese, duke theksuar se “është rritur numri i mjeteve me moshë mbi 20 vjet”, një faktor që ndikon drejtpërdrejt në ndotjen e ajrit, sidomos në zonat urbane. Në këtë panoramë, mjetet elektrike mbeten pothuajse të padukshme, vetëm 1.3% e totalit.
Në sfondin e trafikut, një tjetër burim ndotjeje është rritur ndjeshëm vitet e fundit ndërtimi. Sipas të dhënave të INSTAT, të përllogaritura nga Faktoje, në pesë vitet e fundit janë dhënë rreth 7 mijë leje ndërtimi në të gjithë vendin. Çdo kantier sjell pluhur, lëvizje mjetesh të rënda dhe zhdukje të hapësirave të gjelbra elementë që jo vetëm rrisin ndotjen, por edhe e bëjnë atë më të qëndrueshme në kohë.
Para ka, por jo për ajrin
E ndërsa qeveria shpenzon miliarda lekë për investime, ajri që qytetarët thithin ka një buxhet minimal për t’u matur.
Pak kohë më parë, Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, u shpreh se “Ministria e Mjedisit ka angazhuar edhe buxhetin e saj këtë vit dhe në dy vitet në vijim për të plotësuar Shqipërinë me të gjithë pajisjet për monitorimin e cilësisë së ajrit”. Por ndonëse në dokumentet zyrtare, mbrojtja e mjedisit shfaqet si prioritet, fondet për përmirësimin e cilësisë së ajrit janë të pakta, si pjesë e Programit të Mbrojtjes së Mjedisit.
Për vitin 2026, fondet arrijnë në rreth 1 miliard lekë. Por ky është një buxhet që duhet të mbulojë edhe mbetjet, biodiversitetin, ndryshimet klimatike dhe ujërat. Ajri mbetet një pjesë e vogël e kësaj torte. Madje, analiza buxhetore e viteve të fundit tregon se sa herë që buxheti rishikohet, ky zë pëson shkurtime.
Ky reduktim ndodh përmes akteve normative, që në praktikë tkurrin më tej financimin për një sektor që tashmë operon me burime minimale. Ndaj dhe rezultati është i dukshëm në terren, një rrjet monitorimi i kufizuar, pajisje që shpesh dalin jashtë funksionit dhe mungesë e të dhënave të vazhdueshme.
Përfundim
Shqipëria ka një plan për cilësinë e ajrit. Një dokument që flet për ulje trafiku, përmirësim të transportit publik, promovim të teknologjive të pastra. Por në praktikë, këto mbeten formulime të përgjithshme. Kontrolli i Lartë i Shtetit vëren se masat janë “jo të qarta dhe jo lehtësisht të matshme”. Nuk ka objektiva konkrete.
Ndërkohë, vendi ka një detyrim të qartë. Direktiva 2008/50 e Bashkimit Europian kërkon monitorim të vazhdueshëm dhe publikim të të dhënave në kohë reale për cilësinë e ajrit. Pa këtë, vendi rrezikon jo vetëm shëndetin e qytetarëve, por edhe procesin e integrimit europian.
Dhe zgjidhjet janë. Kontrolli i Lartë i Shtetit thekson se Agjencia Kombëtare e Mjedisit duhet të sigurojë funksionimin e pandërprerë të stacioneve të monitorimit, me mirëmbajtje dhe kalibrim të rregullt. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit duhet të garantojë fondet për zgjerimin e rrjetit matës. Dhe mbi të gjitha, qytetarët duhet të kenë akses në të dhëna të përditësuara dhe të besueshme. Sepse ajri nuk është statistikë. Është ajo që thithim çdo ditë. Dhe për këtë, askush nuk mund të presë. /Faktoje.al
Gazetari investigativ italian Nello Trocchia, ka folur për fuqizimin e grupeve kriminale shqiptare dhe lidhjet e tyre me organizatat mafioze në Itali.
I ftuar në emisionin “Oponencë” në News24, Trocchia deklaroi se mafia shqiptare ka ndërtuar ndër vite një strukturë të organizuar dhe fleksibile, që i ka mundësuar të zgjerohet shpejt dhe të krijojë marrëdhënie të forta me grupet kriminale italiane.
“Mafia shqiptare ka një strukturë shumë të mirë, të paktën nga sa e njohim ne në Itali. Janë grupe që kanë aftësinë të shkrihen dhe të përhapen menjëherë”, u shpreh gazetari italian.
Ai theksoi se sot ekziston një ndërthurje e fortë mes mafias shqiptare dhe organizatave kriminale italiane si Ndragheta dhe Camorra, veçanërisht në aktivitetet që lidhen me trafikun e drogës dhe pastrimin e parave.
Sipas Trocchia-s, bashkëpunimi mes tyre shtrihet në bizneset ilegale, rrjetet e furnizimit me lëndë narkotike dhe aktivitetet financiare të paligjshme.
Gazetari investigativ deklaroi gjithashtu se Italia ka shërbyer si një “palestër” për grupet kriminale shqiptare që prej viteve ’90, periudhë gjatë së cilës shumë trafikantë shqiptarë krijuan lidhje të drejtpërdrejta me botën e krimit italian.
“Mafia shqiptare ka gjetur në Itali një palestër në vitet ’90 dhe ka bërë stërvitje. Kolona shumë të rëndësishme dhe trafikantë të rëndësishëm kanë kaluar në Itali, kanë pasur lidhje me krimin italian”, tha ai.
Sipas Trocchia-s, pas më shumë se tre dekadash bashkëjetese dhe bashkëpunimi kriminal, raporti mes mafias shqiptare dhe organizatave italiane nuk është më i njëanshëm.
“Raporti i tyre është sot mes të barabartësh”, deklaroi gazetari italian.
Gazetari investigativ italian Nello Trocchia, i ftuar në emisionin “Oponencë” në News24, ka komentuar marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë për kampet e procesimit të emigrantëve të kapur në det në përpjekje për të shkuar drejt Italisë.
Sipas Trocchia-s, kjo marrëveshje përfaqëson një dështim të dukshëm si nga pikëpamja politike, ashtu edhe nga ajo ekonomike, duke sjellë kosto të larta për palët e përfshira.
“Marrëveshja Itali-Shqipëri për refugjatët është një dështim i madh për të dyja palët. Italia ka shpenzuar më shumë se 1 miliard euro, ndërsa rreth 120 milionë euro shkojnë për Shqipërinë për të garantuar sigurinë”, u shpreh gazetari.
Ai shtoi se, sipas tij, vendimi për këtë marrëveshje ka qenë i gabuar nga ana politike dhe ekonomike, duke e cilësuar si një zgjedhje të pasaktë të qeverisë italiane.
“Unë besoj se kjo marrëveshje ka qenë një zgjedhje e gabuar nga ana e Melonit dhe një pozicionim i gabuar politikisht”, deklaroi Trocchia.
Gazetari italian ngriti gjithashtu dyshime mbi ndikimin që kjo marrëveshje mund të ketë në procesin e integrimit europian të Shqipërisë, duke theksuar se edhe vetë Italia, sipas tij, ka humbur peshë në arenën evropiane.
“Nuk e di nëse kjo marrëveshje e ndihmon Shqipërinë për anëtarësim në BE, sepse edhe Italia ka humbur peshën e saj në arenën europiane”, tha ai.
EKSKLUZIVE ‘A SHOW’ – Ruhet me truproja, gazetari Trocchia: Kërcënimet pas librit për mafien shqiptare. Pse hesht Rama për takimin në Aruba?
Në një intervistë direkte me emisionin ‘A Show’ me gazetarin Adi Krasta, gazetari i njohur investigativ italian i ‘Domani’, Nello Trocchia, ka rrëfyer detaje mbi kërcënimet që çuan në vendosjen e tij nën mbrojtje të rreptë (eskortë) nga autoritetet italiane.
Gazetari konfirmoi gjithashtu se mesazhe shqetësuese i kanë ardhur edhe nga nipi i një narkotrafikanti italian, i lidhur ngushtë me grupet kriminale shqiptare që operojnë në kryeqytetin italian.
Një nga pikat më të nxehta të bisedës ishte informacioni i Drejtorisë Hetimore Antimafia (DIA) italiane për një takim të ndodhur në ishullin Aruba në vitin 2019, midis një karteli kriminal dhe përfaqësuesve të qeverisë shqiptare.
Trocchia sqaroi se përpara se të publikonte këtë lajm në librin e tij, kishte tentuar disa herë të merrte një version zyrtar nga kryeministri shqiptar, por kishte hasur në heshtje totale.
INTERVISTA E PLOTË
Adi Krasta: Në linjë të drejtpërdrejtë me kolegun tonë, gazetarin investigues, Nelo Trokja, i cili duhet të jetë në lidhje me mua dhe ja ku është. Nelo është një kënaqësi që je me ne.
Nello Troçhia: Shumë faleminderit. Faleminderit dhe për ftesën.
Krasta: Pra, nuk është vetëm ndjeshmëria jonë gazetareske, por për ty, i dashur Nelo, kemi edhe një ndjenjë miqësie dhe, si të themi, edhe kuriozitet njerëzor. Pyetja ime e parë ka të bëjë me situatën e re që është krijuar, ku ndodhesh. Më thuaj nëse është e mundur, a mund të na tregosh çfarë ka ndryshuar, që agjencitë e rendit në Itali kanë vendosur të të shoqërojnë me eskortë.
Trochia: Absolutisht po, kështu është. Mirëmbrëma juve dhe të gjithë teleshikuesve. Që nga mëngjesi i së shtunës më është komunikuar ky vendim për të rritur nivelin tim të mbrojtjes. Unë prej më shumë se dy vitesh kisha tashmë një formë vëzhgimi pranë shtëpisë sime, periodike, me një frekuencë orare të ndryshme, por që nga mëngjesi i së shtunës kam eskortë.
Pra, mbrojtja ime është forcuar, në kuptimin që unë lëviz ekskluzivisht me makinën e shërbimit i shoqëruar nga agjentët e institucioneve, të cilët i falënderoj për këtë vendim, ashtu siç i kam falënderuar gjatë këtyre viteve për vendimet e marra në lidhje me sigurinë time.
Këto ndryshime, natyrisht, lidhen me vlerësime që janë bërë nga Komiteti për rendin dhe sigurinë publike, ku marrin pjesë të gjitha forcat hetimore të kryeqytetit, prefekti i kryeqytetit, dhe për atë që mund të them unë, është se kur më është treguar, ma kanë thënë 20 ditë më parë në gazetën time, por kam bërë edhe unë një denoncim, një informim të Karabinierëve, pra për faktin se kam marrë kërcënime nga mjedise kriminale të lidhura me grupe kriminale me të cilat jam marrë gjatë këtyre viteve dhe me të cilat do të merrem edhe në të ardhmen.
Pastaj ka edhe prova të tjera, në vëmendje të hetuesve, për hetime për të cilat unë nuk kam dijeni, natyrisht. Por në fund janë marrë të gjitha elementet dhe është vendosur të më jepet eskortë.
Krasta: Më kujtohet gazetari i Rai 2, nëse nuk gaboj Sigfrido Ranuçi, i cili ka bërë këtë shërbim mbi Shqipërinë, ishte sinqerisht i shqetësuar për mundësinë që mafia shqiptare, një mafie që vepron me degë dhe rregulla ndoshta të ndryshme, por edhe të ngjashme me ato të mafies italiane, megjithatë në një farë mënyre vihet në diskutim kjo tipologji e ndryshme, më agresive e mafies shqiptare, një mafie reale në një kuptim. Nuk e di nëse mund të supozojmë, të hamendësojmë në këtë rast, mundësinë që pas librit të rëndësishëm, në të cilin ti flisje për mafien shqiptare, disa kërcënime vijnë sinqerisht nga këto grupe shqiptare në Itali dhe jo vetëm. A mund ta konfirmojmë këtë lidhje apo nuk ka, në këtë rast, një lidhje të dukshme?
Trochia: Shiko, unë i përmbahem fakteve. Faktet thonë se disa muaj më parë, dhe besoj se edhe kjo është një vlerësim, sepse është një vendim i rezervuar që i komunikohet më pas personit, në rastin tim mua. Besoj se kanë vlerësuar edhe një letër anonime që ka mbërritur muajt e kaluar në Prokurorinë Antimafia të Romës, në të cilën flitej qartë për librin tim ‘Invincibili’ mbi mafien shqiptare dhe për një lloj nervozizmi të disa grupeve kriminale në Itali që i referohen kriminalitetit shqiptar në Shqipëri.
Kjo ka ndodhur. Çfarë ka ndodhur tjetër? Që mes kërcënimeve të qarta dhe mesazheve shqetësuese që më kanë ardhur, të hapura, ka një që ka ardhur nga nipi i një narkotrafikanti që për vite me radhë ka qenë i lidhur me kriminalitetin shqiptar, me atë lloj mafieje të Romës që është e lidhur me kriminalitetin shqiptar dhe me këta trafikantë italianë.
Dhe është e qartë që subjektet që më kanë dërguar mesazhe shqetësuese dhe kërcënuese i referohen grupeve kriminale shqiptare. Kjo është e sigurt. Vendimi përfundimtar, megjithatë, siç thashë më parë, merret nga autoritetet në një mbledhje që ka karakter të rezervuar, pra sekret, kështu që ndoshta lidhet edhe me shumë mjedise të tjera kriminale, por ka edhe rastin tim dhe nuk duhet neglizhuar fakti që aktualisht Roma, kryeqyteti i Italisë ku unë jetoj, është një qytet i përshkuar nga grupe kriminale ku ato shqiptare kanë një rol të rëndësishëm, dhe unë me këto merrem prej kohësh.
Krasta: Në vendet me demokraci hibride, siç është Shqipëria në këtë moment, disa lajme të rëndësishme shoqërohen në një farë mënyre edhe me mosbesim, me thashetheme vulgare, me hipoteza që më pas bëhen, si të thuash, komplekse pothuajse për të dobësuar forcën e versionit, të rrëfimit, të versionit real të faktit. Ti e di shumë mirë që përshkrimi yt që ke bërë për takimin në Aruba është shoqëruar në Shqipëri nga një narrativë qeveritare, nga histori që përpiqen të dobësojnë analizën e gazetarisë, të gazetarit investigativ, në këtë rast analizën tënde. Si mund të jemi didaktikë me këtë publik të telenovelave turke, në një farë kuptimi? A mund të themi, të konfirmojmë që gjëja është; një, e rëndësishme; dy, e rrezikshme; tre, tregon një Shqipëri të vështirë, agresive, mjaft kërcënuese në një farë kuptimi, me lidhje të forta, me pika të forta me botën e krimit ndërkombëtar, në këtë kuptim. Nelo, si mund të jemi ne, ti në këtë rast, bindës për të mbrojtur këtë dëshirë të madhe që ka njerëzit për të krijuar dy histori paralele, ku e vërteta shpesh bashkëjeton me versionin e rremë?
Trochia: Le të nisim nga një fakt, një fakt që është i pakontestueshëm. Në Itali ka një prokuror ndër ata me mw shumw pwrvojw dhe më kompetentët që quhet Nicola Gratteri, i cili prej vitesh lufton ‘Ndranghetën, mafien më të fuqishme të Italisë dhe që tani ndan tregun e drogës me grupet kriminale shqiptare.
Nicola Gratteri, unë e kam intervistuar në librin tim dhe i bëj një pyetje. Ky është një fakt. E pyes; në të kaluarën e afërt, kundërshtarë të qeverisë Rama, gazetarë, vëzhgues, e kanë quajtur Shqipërinë një narkoshtet, një model narkoshteti, natyrisht ndryshe nga ato që kemi njohur në vitet e kaluara. Sipas meje është një ekzagjerim. Nicola Gratteri, prokuror i Napolit, një nga figurat simbol të luftës kundër mafies në vendin tonë, është përgjigjur jo, nuk është ekzagjerim, përkundrazi.
Dhe ky është një fakt që nuk mund të kundërshtohet duke delegjitimuar, siç ndodh shpesh, edhe në ambientin italian dhe jo vetëm shqiptar, punën gazetareske. Ky është një fakt. Një fakt tjetër i pakontestueshëm është se në një informatë të Drejtorisë Hetimore Antimafia italiane, shkruhej se kishte ndodhur një takim mes një karteli kriminal në Aruba në vitin 2019 dhe disa përfaqësuesve të papërcaktuar, të paspecifikuar të qeverisë Rama.
Unë, para se të shkruaja një fjali, një element të tillë, që është një informatë policore e Drejtorisë Hetimore Antimafia, që është forca më e rëndësishme hetimore në vendin tonë, kam realizuar një hetim, për një takim mes një karteli kriminal në Aruba në 2019.
Unë, para se të shkruaj, përmes zëdhënësve, përmes numrit të tij personal, i jam drejtuar Ramës, kryeministrit të Shqipërisë, kryeministrit, atij që drejton Shqipërinë, liderit, për ta pyetur nëse mund të konfirmonte praninë në vitin 2019 të subjekteve të lidhura me qeverinë shqiptare, sepse gazetaria ime është një gazetari që kur ka një akt zyrtar si ai që sapo përmenda, pra një informatë e Drejtorisë Hetimore Antimafia, bën gjithmonë një punë verifikimi, prove, pune gazetareske.
Në këtë rast, duke iu referuar qeverisë Rama, kryeministrit Rama, unë telefonoj kryeministrin Rama. Nëse ai vendos të mos përgjigjet, nuk është problem i imi, është problem i atij që ka vendosur të mos përgjigjet. Fakti që ai nuk ka dashur të përgjigjet në asnjë mënyrë, në asnjë nga mënyrat që unë i kam propozuar, nuk është problem i imi, është problem i atij që ka vendosur të mos përgjigjet.
Unë kam një fakt, unë raportoj informacionin e Drejtorisë Hetimore Antimafia, e raportoj fjalë për fjalë, e raportoj në librin tim. Dhe në të njëjtën kohë telefonoj ekzekutivin shqiptar, kërkoj të konfirmojë, të eksplorojë, të monitorojë nëse ka qenë kjo prani, sepse mund të ishte prania e një zëvendësministri, e një personi që ndoshta në mirëbesim po bënte një takim pune.
Mund të kishte shkuar në mirëbesim. Unë, për të kuptuar më shumë, bëj këto pyetje, sepse gazetarët duan të kuptojnë para së gjithash. Por nuk është se unë i censuroj lajmet. Unë kam dhënë një lajm, kam bërë gjithçka për të marrë edhe përgjigjen, versionin e qeverisë, por kjo përgjigje nuk më ka ardhur. Dhe unë lajmin e kam publikuar.
Krasta: Po të bëj një pyetje të fundit dhe pastaj të lë të lirë. Më kujtohet Saviano. Ai donte, e donte dhe e urrente faktin që prej shumë kohësh shoqërohet me një eskortë policore në jetën e tij të përditshme, një eskortë profesionale, pra e agjentëve për të mbrojtur jetën e tij. Por në këtë kuptim, dua të të pyes, ti sigurisht do të vazhdosh të bësh profesionin tënd, të punosh në profesionin tënd, pavarësisht rrethanave të reja që janë krijuar. Pyetja e parë. Pastaj, i shoqëruar nga një pikëpamje profesionale, dhe në fund, sipas teje, bazuar në analizën hetimore, informacionet që ke marrë deri tani, njohuritë e tua personale e kështu me radhë, a do të vijë apo mund të vijë një moment që e ashtuquajtura mafie shqiptare të marrë një formë edhe më kërcënuese, e lidhur me shtetin shqiptar të momentit dhe të rrisë pak forcën kundër ligjit, etj. Si e sheh ti këtë raport tëndin në të ardhmen me këtë problem të madh dhe të rëndësishëm mes dy vendeve tona mike?
Trochia: Le të nisim nga një fakt, sepse duhet të jemi të qartë. Unë i kam quajtur narkotrafikantët shqiptarë ‘të pathyeshëm’, jo vetëm sepse doja të jepja një titull libri, por sepse eksponenti më i rëndësishëm i kolonës romane, që quhet Arben Zogu, ndërsa ne po flasim, është i lirë. Është i lirë dhe është një nga eksponentët më të rëndësishëm të këtij bote kriminale. Subjekte të tjerë që unë i citoj në libër janë të lirë.
Po presim nga Dubai ekstradimin e Dorian Piku, ekstradimin e Altin Sinomatit, që në këtë moment janë ende atje dhe të subjekteve të tjera, ashtu si kolona romane e Zogut ka shumë subjekte të tjera të lira, janë të lirë në Romë, të lirë për të vepruar. Po flasim për një kolonë, për një nga kolonat për të cilat unë flas.
Dëshira për pushtet, për para, aftësia korruptive për të kontaminuar sektorë publikë, administrativë të kriminalitetit shqiptar, kjo aftësi është e jashtëzakonshme. Nuk ka prioritete të tjera për një qeveri, nuk ka prioritete të tjera përveç luftës së ashpër kundër mafies shqiptare, dhe këtë e kam kuptuar duke intervistuar një ish-magjistrat, Mandoi, i cili kritikon qeverinë shqiptare dhe thotë se ligji për konfiskimin nuk është i përshtatshëm për të luftuar nivelin e kriminalitetit që ka arritur në Shqipëri krimi.
Dhe siç më ka treguar një bashkëpunëtor drejtësie, që dikur ishte vrasës, ku nuk arrin pushka, ku nuk arrin kallashnikovi, arrijnë paratë. Aftësia e mafies shqiptare është të korruptojë si element qendror, sepse ka sasi të mëdha parash që vijnë nga narkotrafiku. Nuk ka prioritete të tjera, janë lojtarë ndërkombëtarë.
Nuk ka prioritet tjetër për një qeveri përveç luftës kundër mafies shqiptare dhe kundër nivelit shumë të lartë të korrupsionit që natyrisht i heq qytetarëve, i heq komunitetit dhe ia jep disa subjekteve të lidhura me krimin. Kjo është përgjigjja për pyetjen e dytë. Për të parën, unë do të vazhdoj të bëj profesionin tim.
Sigurisht, është e qartë që gjithçka bëhet më e komplikuar, është e pashmangshme, edhe vetëm në organizimin e jetës së përditshme. Unë gjithmonë kam thënë se ne jemi zgjedhjet që bëjmë, nuk jemi pasojat tona, por jemi zgjedhjet tona. Edhe pse ndonjëherë pasojat janë ndërhyrëse në jetën tonë të përditshme.
Unë do të vazhdoj të bëj gazetarin, kam nisur nga Campania, që është një tokë e madhe, dhe tani punoj për gjigantë që për mua janë simbole, si Giancarlo Siani. Ditët e fundit ishte përvjetori i 48-të i vrasjes së këtij gazetari intelektual nga mafia siciliane.
Unë mendoj se ne kemi detyrimin, ne që bëjmë këtë profesion, ta bëjmë sa më mirë të jetë e mundur dhe kur kemi lajmet, t’i japim, t’i rrëfejmë edhe hijet, kontradiktat, dhe të denoncojmë sistemet kriminale dhe të pushtetit.
Krasta: Nelo, të falënderoj shumë, të jam shumë mirënjohës që fole me mua. Faleminderit shumë këtë mbrëmje, faleminderit shumë.
Trochia: Faleminderit, dhe një përshëndetje e ngrohtë për të gjithë ju dhe një përqafim për Shqipërinë, një tokë që e dua shumë.
Deputeti i PD-së Luan Baçi ishte në Studio24, për të folur mbi situatën e Partisë Demokratike dhe opozitës.
Duke folur mbi garën për kreun e PD-së, ku Berisha kandidon i vetëm, Baçi theksoi se askush nuk i vë dot kushte demokratëve se kë duan të keën kryetar.
Sa i përket 3-4 kandidatura të mundshme për kryetar, që nuk u pranuan, Baçi shton se ata u porositën të dalin aty, por nuk dha më shumë sqarime.
Luan Baçi: Nuk do merrem me retorikën për të thënë që atje nuk ka garë. Berisha është i pakonkurrueshëm. 3-4 figura të falin por jo individë që i porosisin që të dalin aty. Sali Berisha ka vërtetuar që me vota është kryetar i partisë. Ka shumicën dërrmuese. Kushdo që garon me Berishën as 4% të votave nuk merr. Berisha është sot për sot bashkuesi i opozitës. Ka disa partia parlamentare ose jo. Por nuk janë ata që do venë kushte partisë më të madhe opozitës kë do venë kryetare. Nuk i themi ne partive të reja kë keni kryetar ose jo.
Është qejfi i tyre. Ne kemi kryetar Sali Berishën. E zgjedhim ne kryetarin. Ata nuk duan të bashkohen, le ta gjejnë vetë hallin. Kemi Kodin zgjedhor. Zoti Lapaj, ka bërë propozimin për kodin, Berisha ka pranuar atë kod zgjedhor që ka propozuar zoti Lapaj. Me prag 4%. Nëse zhduket nën 4% nuk ja vlen. Nëse tremben nga pragu nuk janë parti politike. Janë propozuar lista të hapura, koalicione parazgjedhore. Po të miratohet një kod i tillë, nuk do ketë shumë nga ata që duan të futen në parlament. nëse u leverdis për të prishur le ta prishin. Nuk janë për rotacionin.
Ish-presidenti Ilir Meta ka reaguar pas seancës në GJKKO, duke deklaruar se Prokuroria ka rrëzuar akuzën kryesore për një lobim të dyshuar prej 1 milion dollarësh në SHBA për një foto me presidentin amerikan Donald Trump.
Sipas Metës, gjatë seancës përfaqësuesi i Prokurorisë ka pohuar se çështja lidhet vetëm me një pagesë të ligjshme prej 15 mijë dollarësh për “McKeon Group”, shumë që ai thotë se e ka deklaruar publikisht dhe më herët edhe para SPAK-ut, kur është pyetur për këtë çështje rreth tre vite më parë.
Më tej Meta ka komentuar gjithashtu edhe raportimet në mediat ndërkombëtare në lidhje me këtë dosje, të cilat, sipas tij kanë shërbyer si bazë për ngritjen e akuzave dhe izolimin e tij politik për 19 muaj.
“Durim! Edhe akuzat e tjera do të çmontohen njëra pas tjetrës”, ka shkruar ai.
Ilir meta: Sot, në seancën radhës të gjykimit në themel, vetë Prokuroria rrëzoi akuzën kryesore ndaj meje për gjoja lobimin 1 milion USD për një foto me Presidentin Trump.
Para gjykatës prokurori pohoi se bëhet fjalë vetëm për një pagesë të ligjshme prej 15 mijë USD për McKeon Group, pikërisht ajo që kam deklaruar publikisht, por edhe në SPAK, që para 3 vitesh, kur jam thirrur për këtë çështje.
Shikoni tani titujt e lajmeve të rreme të “Mother Jones” dhe “Kronen Zeitung”, të sponsorizuara me paratë e inceneratorëve dhe të mafias ndërkombëtare, mbi të cilat u ndërtua kallëzimi i rremë dhe akuza kryesore kundër meje, akuzë mbi të cilën u mbështet rrëmbimi dhe izolimi im politik prej 19 muajsh, akuzë që sot u rrëzua nga vetë Prokuroria.
Durim! Edhe akuzat e tjera do të çmontohen njëra pas tjetrës.
Problemet me furnizimin me ujë të pijshëm janë rikthyer sërish në qytetin e Vlorës, ku Ujësjellës Kanalizime Vlorë ka njoftuar ndërprerje të furnizimit në disa zona të qytetit.
Sipas njoftimit zyrtar, shkak i kësaj situate është një avari e rëndë e konstatuar në tubacionin kryesor 500, pranë zonës “Miramare”, e cila ka sjellë domosdoshmërinë e stakimit të të gjitha stacioneve të ujësjellësit.
UKV bën me dije se masa është marrë me qëllim shmangien e problematikave të mëtejshme në rrjet dhe parandalimin e dëmtimeve më të rënda në sistemin e furnizimit me ujë.
“Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë njofton qytetarët se, për shkak të një avarie të rëndë në tubacionin 500, të furnizimit me ujë, pranë zonës “Miramare”, janë stakuar të gjitha stacionet e ujësjellësit.
Grupet e Degës Teknike janë angazhuar në terren dhe do të punojnë gjatë gjithë natës për riparimin e avarisë në kohën më të shpejtë të mundshme, me qëllim shmangien e problematikave të mëtejshme në furnizimin me ujë.
Kërkojmë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve deri në normalizimin e situatës. Faleminderit për mirëkuptimin!”, thuhet në njoftimin e UKV.
Kujtojmë se edhe në muajin dhjetor, Vlora mbeti katër ditë pa ujë, ndërprerje e cila preku mijëra familje dhe biznese.
Asokohe defekti u riparua pas ardhjes nga Turqia të pjesëve hidraulike të nevojshme për tubacionin kryesor të ujësjellësit.
Ish-presidenti Ilir Meta është paraqitur sot në ambientet e reja të Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku po mbahet seanca e dytë në themel.
Meta është shfaqur në kafazin e xhamit brenda sallës së gjyqit.
Ndërkohë në një moment, Meta ka përshëndetur me simbolin e shqiponjës.
Avokati Cakrani ka kërkuar që seancat të bëhen të hapura për mediat në mënyrë që publikut të shikojë të vërtetat e e procesit dhe hetimit politik. syri.net
Kreu i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka prezantuar në rrjetet sociale një sërë propozimesh për ndryshimin e sistemit zgjedhor në vend, duke theksuar nevojën për një reformë të thellë që, sipas tij, rrit përfaqësimin dhe besueshmërinë e procesit.
Lapaj propozon një sistem proporcional kombëtar me lista të hapura dhe koalicione parazgjedhore, duke argumentuar se kjo do të siguronte barazi të votës në të gjithë territorin dhe përfaqësim më të drejtë në Kuvend.
Sipas tij, proporcionalja kombëtare bën që “vota të ketë vlerë të barabartë në çdo cep të atdheut”, ndërsa deputetët do të mbajnë përgjegjësi kombëtare dhe jo vetëm rajonale.
Ai thekson gjithashtu rëndësinë e listave të hapura, duke e konsideruar këtë si mënyrë për t’i dhënë qytetarit të drejtën të zgjedhë vetë përfaqësuesit dhe për të shmangur, siç shprehet, imponimet nga kryetarët e partive.
Një tjetër pikë e propozuar është krijimi i koalicioneve parazgjedhore, që sipas Lapajt do të ndihmonte maksimizimin e votës dhe bashkëpunimin mes forcave politike pa humbur identitetin e tyre.
Në lidhje me administrimin zgjedhor, ai kërkon depolitizim të komisioneve në nivel KZAZ, duke përfshirë profesionistë të lirë si avokatë, noterë dhe psikologë të përzgjedhur me short, për të rritur besueshmërinë e procesit.
Lapaj propozon gjithashtu vendosjen e një pragu prej 4% për hyrjen në Kuvend, duke e konsideruar si një mekanizëm që ruan stabilitetin dhe shmang fragmentarizimin e skajshëm politik.
Sa i takon numrit të deputetëve, ai shprehet kundër uljes së tij nga 140, duke argumentuar se kjo nuk sjell kursim real dhe përkundrazi rrit përqendrimin e pushtetit dhe dobëson garën zgjedhore. bw
Një incident i pazakontë është regjistruar këtë të diel në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku një automjet ka përfunduar në shkallët e godinës së Kryeministrisë.
Pas ndalimit të mjetit, drejtuesi është parë duke dalë nga automjeti dhe duke u ngjitur drejt hyrjes së institucionit, ku më pas ka goditur me shkelma dyert e godinës.
Në pamjet e publikuara shihet edhe një efektiv policie që afrohet pranë automjetit, por më pas qëndron në distancë pa ndërhyrë në momentin kur qytetari godet hyrjen e Kryeministrisë.
Deri tani nuk dihen motivet që kanë çuar drejtuesin e mjetit në këtë veprim.
Tre shtetas italianë janë mes gjashtë personave të proceduar penalisht pas protestës së 8 majit të organizuar nga Partia Demokratike e Shqipërisë, ku u pati edhe përplasje me policinë.
Gazetarja Xhensila Kodra raporton se sipas hetimeve paraprake, autoritetet kanë provuar përfshirjen e tyre në akte dhune ndaj efektivëve, megjithatë ata nuk dyshohet se kanë marrë pjesë në hedhjen e molotovëve.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se shtetasit e huaj janë marrë në pyetje nga hetuesit, por kanë refuzuar të japin shpjegime lidhur me arsyet e përfshirjes së tyre në protestë dhe mënyrën se si u bënë pjesë e tubimit.
Në total, për incidentet e ndodhura gjatë protestës janë proceduar gjashtë persona, të dyshuar për dhunë ndaj policisë dhe përdorim të mjeteve molotov në drejtim të forcave të rendit.
Hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes vijojnë ende.
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka dënuar dhunën policore ndaj gazetarëve gjatë protestës së opozitës, duke e cilësuar atë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias dhe informimit.
Zhupa solli në vëmendje rastin e gazetares Marsi Korreshi të Syri TV, e cila u godit me ujë me presion gjatë raportimit në terren.
Ajo iu referua edhe raportit të Reporterëve pa Kufij, sipas të cilit gazetarët që mbulojnë protesta shpesh bëhen viktima të dhunës policore.
Reagimi i plotë i Ina Zhupës:
“Gazetarët që mbulojnë protestat bëhen viktima të dhunës policore”, shkruante vetëm pak ditë më parë raporti i Reporterëve pa Kufij. Fatkeqësisht ky alarm ndërkombëtar, u vërtetua sërish dje në protestën e opozitës.
Pamjet tregojnë qartë sulmin ndaj operatorëve dhe gazetarëve që ishin në krye të detyrës, duke dokumentuar zhvillimet në terren. Gazetarja Marsi Korreshi e Syri tv godit dy herë nga uji me presion në distancë shumë të afërt dhe në drejtim të fytyrës, ndërsa goditja e dytë dhe e rrëzoi në tokë.
Dhuna ndaj medias është dhunë ndaj lirisë së informimit dhe një tregues i rrezikshëm i sjelljes së një narkopolicie që nuk i përgjigjet ligjit, por urdhrave politikë.
Asnjë uniformë nuk e vendos policinë mbi Kushtetutën dhe mbi të drejtat themelore të qytetarëve. Detyra e policisë është të garantojë rendin dhe sigurinë, jo të godasë gazetarët dhe të intimidojë median. Këto akte duhet të dënohen dhe autorët të mbajnë përgjegjësi.
VLORË– Tregu i fruta-perimeve në qendër të Vlorës është mbyllur, si pjesë e projektit për rijetëzimin e zonës pranë Sahatit. Tregtarët kundërshtojnë zhvendosjen drejt Jallisë së Nartës, duke e cilësuar zonën të largët. Tregtarët shprehen se vendndodhja e re është tepër larg dhe e papërshtatshme për aktivitetin e tyre, ndërsa kërkojnë shtyrje të afateve për të shitur mallin që kanë në stok.
Një nga tregtaret thotë me batuta se janë bërë si kanali i Hormuzit të rrethuar nga policët, ndërkohë që shton se policia ata të drogës i lejon, ndërsa tregtarët e fruta-perimeve jo.
Qytetarja: Jemi bërë si kanali Hormuzit, policë atje, policë këtu.
Pyetje: çfarë po shisni?
Qytetarja: Ata të drogës i lënë neve nuk na lejnë.
Pyetje: Ku do shkoni tani?
Qytetarja: Në të sëmës
Po ashtu, pakënaqësi kanë shprehur edhe qytetarët, të cilët thonë se mbyllja e tregut i lë pa një pikë të rëndësishme furnizimi me produkte të freskëta./Dosja.al
Vetëm pak ditë pas letrës së deputetes së PD Jorida Tabaku për situatën e parlamentit dhe procesit të integrimit në Shqipëri, kryetari i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, David McAllister, i ka kërkuar zyrtarisht Komisionit Europian sqarime për hapësirën e opozitës dhe funksionimin demokratik të institucioneve në vend.
Në një letër drejtuar Komisioneres për Zgjerimin Marta Kos, McAllister ngre shqetësimet e përcjella nga Tabaku për përjashtimin e opozitës nga procesi i integrimit, mungesën e transparencës dhe kufizimin e rolit kontrollues të parlamentit shqiptar.
Kreu i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian thekson se sipas shqetësimeve të ngritura nga Tabaku, opozita, shoqëria civile dhe publiku janë të përjashtuar nga informacioni mbi negociatat dhe procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ai kërkon nga Komisioni Europian një vlerësim të qartë mbi bashkëpunimin mes qeverisë dhe opozitës në Shqipëri, si edhe mënyrën se si mund të garantohet roli kushtetues i opozitës si institucion kontrolli demokratik.
Në letrën e tij, McAllister paralajmëron se një proces integrimi i dominuar vetëm nga ekzekutivi dhe që përjashton opozitën rrezikon të dëmtojë standardet demokratike dhe vetë besueshmërinë e procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian. Ai nënvizon se Shqipëria, si një vend që konsiderohet “frontrunner” në procesin e integrimit, duhet të ndjekë një proces të bazuar tek merita, integriteti institucional dhe standardet demokratike europiane.
Ndërkohë këtë të premte mazhoranca ka mbledhur Këshillin e Integrimit Evropian pa pjesëmarrjen e opozitës, teksa kjo e fundit nuk është thirrur për të qenë pjesë e panelit të diskutimeve. syri.net
Rexhep Ismaili, 66-vjeçari i cili një ditë më parë u ekzekutua me armë zjarri në ambientet e lokalit të tij ka qenë edhe pjesë e strukturave drejtuese të Partisë Demokratike në Sarandë.
Deputetja e këtij qarku, Ina Zhupa shprehet e tronditur për ngjarjen, ndërsa thotë se PD humbi një drejtues të strukturave të saj, një kontributor të palodhur dhe një bashkëpunëtor të vyer.
Zhupa shkruan se Rexhepi drejtonte gjithashtu shoqatën “Çamëria” dhe ishte një zë i fortë në mbrojtje të kauzave kombëtare.
Ligjvënësja demokrate pret nga policia dhe institucionet përgjegjese që të zbardhin ngjarjen, ndërsa autorët e krimit të vendosen para drejtësisë.
“E tronditur thellë nga lajmi për vrasjen e Rexhep Ismailit. Një njeri me vlera dhe një patriot i përkushtuar.
Partia Demokratike humbi një drejtues të strukturave të saj, një kontributor të palodhur dhe një bashkëpunëtor të vyer. Rexhepi drejtonte gjithashtu shoqatën “Çamëria” dhe ishte një zë i fortë në mbrojtje të kauzave kombëtare.
Kjo ngjarje e rëndë ka sjellë dhimbje dhe tronditje te të gjithë ne që e njohëm.
Pres që institucionet ligjzbatuese, Policia e Shtetit dhe Prokuroria, të veprojnë me përgjegjësi të plotë për zbardhjen sa më të shpejtë të kësaj vrasjeje dhe vendosjen e autorëve përpara drejtësisë.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe gjithë atyre që e njohën dhe e vlerësuan Rexhep Ismailin. U prehtë në paqe”, shkruan Ina Zhupa. Panorama
Kanye West, reperi dhe producenti muzikor 48-vjeçar nga Shtetet e Bashkuara pritet të mbajë një koncert në Tiranë më 11 Korrik, si pjesë e turit të tij të vitit 2026. Ardhja e tij në Tiranë u njoftua nga kryeministri Rama në rrjetet sociale, njoftim i cili e përshkruan eventin si një koncert historik në kryeqytet.
Përtej entuziazmit dhe famës ndërkombëtare të reperit amerikan, njoftimi mbi koncertin e tij në Tiranë ka ngjallur debat për shkak të deklaratave të vazhdueshme antisemitike, mohimin e Holokaustit dhe glorifikimin e Adolf Hitlerit që West ka bërë vazhdimisht.
Disa nga datat e turit të tij në Europë janë anuluar pikërisht prej natyrës së deklaratave, me reagime të forta nga qeveritë e vendeve si Polonia apo Mbretëria e Bashkuar.
Disa prej aktivistëve të të drejtave të njeriut në Shqipëri i thanë BIRN se në kushtet kur disa vende europianë kanë anuluar koncertet e këngëtarit për shkaqet e përmendura më sipër, performanca e tij këtë verë në Tiranë sjell pikëpyetje të mëdha.
“Problemi këtu nuk është thjesht një koncert apo një artist, problemi është mesazhi që jepet kur një vend legjitimon ose promovon figura që kanë normalizuar gjuhën e urrejtjes, antisemitizmin, apo glorifikimin e figurave totalitare, që i kanë shkaktuar dëme të pariparueshme njerëzimit dhe kujtesës kolektive,” tha Isa Myzyraj, gazetar dhe aktivist për të drejtat e njeriut.
Sipas Myzyrajt, ky hap tregon se Shqipëria shpesh është e gatshme të kapërcejë çdo parim për efekt spektakli politik dhe për të tërhequr vëmendjen e një audience të re, të lodhur nga politika tradicionale.
“Por kur kjo ‘lojë’ kalon në promovimin e figurave që kanë relativizuar antisemitizmin apo kanë glorifikuar Hitlerin, atëherë kemi të bëjmë me një vijë të kuqe që nuk duhej kaluar,” shtoi Myzyraj.
Edhe Gentian Serjani, jurist dhe aktivist në Tiranë, i tha BIRN se kjo dukej më shumë si një qasje politike e drejtuesve tanë.
Ai shtoi se qëndrimet e Ramës kundrejt liderëve ndërkombëtarë kanë qenë jo konsistente, të karakterizuara nga ndryshime të forta në qëndrimet e tij, si për shembull deklaratat kundër Trump-it dhe më pas një sjellje krejt të ndryshme ndaj tij, madje edhe me vlerësime.
“Në fund, kjo është qasja politike që ka zgjedhur të ndjekë kryeministri ynë. Gjithsesi, mbetet për t’u parë se di do të reagojnë përfaqësuesit e shtetit të Izraelit në vendin tonë”, tha Sejrani, duke shtuar se financimi i koncertit të West si një formë promovimi për vendin ka prevaluar mbi deklaratat antisemitike të këngëtarit.
Edhe aktivisti Myzyraj shtoi se në fakt është e vështirë të kuptohet ky vendim i Shqipërisë për të promovuar një figurë kaq kontroverse si Kanye West, në një moment kur shumë vende dhe organizatorë koncertesh janë distancuar prej tij për shkak të gjuhës antisemitike.
“Për më tepër, kjo krijon një kontraditë të fortë politike për vetë kryeministrin Edi Rama, i cili vetëm pak muaj më parë mbajti një fjalim në Knesset, duke u shfaqur si një mbështetës i fortë i Izraelit dhe i luftës kundër antisemitizmit”, tha Myzyraj.
Sipas aktivistëve, një dilemë të fortë ngre edhe propaganda e disa zyrtarëve të lartë të cilët thonë se Shqipëria do të fitojë miliona euro nga ky aktivitet.
“Në një plan të gjerë ngrihet pyetja se deri ku jemi gati të shkojmë si vend, për të fituar ca para?”, shtoi Myzyraj, duke theksuar se nëse futemi në detaje, pyetjet janë akoma më të shumta, lidhur edhe me paratë që do të përfitojë buxheti i shtetit.
“Pyetjet janë të shumta, përgjigja duket gjithmonë e njëjtë: Kanye West do të vijë në Shqipëri, kaq!”, përfundoi Myzyraj./ BIRN
Gjykata e Lartë ndryshon masën e sigurisë ndaj ish-drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj dhe lë në fuqi dy masat e Apelit të GJKKO-së për dy të pandehurit e tjerë, Erjon Ismaili dhe Gëzim Hoxha.
Masa ndaj ish-zyrtares së pandehur nga SPAK është kthyer në detyrim paraqitjeje dhe mosdalje nga shteti, duke iu sekuestruar pasaporta.
Më herët Karçanaj ka qenë me masën arrest shtëpiak të vendosur nga dy shkallët e GJKKO-së, por pas rekursit të palës mbrojtëse u pranua ndryshimi vetëm për ish-drejtoreshën dhe urdhërohet të paraqitet në Policinë Gjyqësore çdo të martë të parë dhe të tretë të muajit.
Ndaj Karçanajt janë ngritur akuzat për “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “grup i strukturuar kriminal”, “kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.
Rekursi u bë më 16 prill në GJL, me relator Genti Shalën. Të pandehur në dosje janë edhe biznesmenët e kërkuar Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj. SPAK u ka sekuestruar edhe 40 mln euro pasuri të dyshuarve, mes tyre miliona euro dyshohet se i përkasin Karçanajt, me llogari bankare dhe vila apo apartamente.
Mirlinda Karçanaj, drejtoresha jetëgjatë e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe personi që ka menaxhuar qindramilionë euro nga taksat e qytetarëve, u mor e pandehur dhe u vendos nën masën e sigurisë arrest shtëpie, bashkë me zëvendësdrejtoreshën Hava Delibashi, masa e kësaj të fundit u ndryshua dhe ndaj sa u caktua masat “detyrim për paraqitje” dhe “ndalim për të dalë jashtë vendit”.
Tre biznesmenë, Andis Papa, Gëzim Hoxha e Rogers Rryta, u lanë në masë të pandryshuar nga Apeli.
Mirlinda Karçanaj, u mor e pandehur për veprën penale të shkeljes së barazisë në tenderë, kryer në formën e bashkëpunimit në kuadër të një grupi kriminal, krahas Ergys Agasit dhe Ermal Beqirit, një biznesmen tjetër fitues i prokurimeve të AKSHI-t, kompania e të cilit SOFT & SOLUTION, pati afro 18 milionë euro të ardhura dhe pothuajse 11 milionë euro fitime në vitin 2024.
Akuzat e SPAK ndaj drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj
SPAK ka zbardhur akuzat ndaj drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, zëvendëses së saj, Hava Delibashi dhe zv.drejtorin e policisë së Tiranës, Erjon Ismaili, të dyshuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.
Ndaj Mirlinda Karçanaj, e cila ndodhet nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”, janë ngritur akuzat për “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.
Ndaj Hava Delibashit, e cila më 24 mars u lirua nga arresti i shtepisë, rëndojnë akuzat për “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Ndërsa zv.drejtori i policisë së Tiranës, Erjon Ismaili, është pezulluar nga detyra.
Prokuroria e Posaçme ka ngritur akuza për kryerjen e veprave penale; “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.
Vendimi i Gjykatës së Lartë:
“Lënien në fuqi të vendimit nr. 4 (87-2026-50) datë 05.02.2026 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për sa i përket disponimit në lidhje me rekursuesit Erjon Ismaili dhe Gëzim Hoxha.
Ndryshimin e vendimit nr. 4 (87-2026-50) datë 05.02.2026 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në lidhje me rekursuesen Mirlinda Karçanaj.
Caktimin e masës së sigurimit “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, parashikuar nga neni 233 i Kodit të Procedurës Penale, duke u urdhëruar personi nën hetim Mirlinda Karçanaj të mos largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë pa autorizimin e gjykatës.
Caktimin e masës së sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale, duke u urdhëruar personi nën hetim Mirlinda Karçanaj të paraqitet pranë policisë gjyqësore, të martën e parë dhe të tretë të çdo muaji ora 10:00.
Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me ekzekutimin e këtij vendimi”. GSH
Ish-ministri i Financave, Arben Malaj ka hedhur akuza të rënda për mënyrën se si po trajtohen bastet sportive në Shqipëri, duke paralajmëruar për rrezik të lartë të ndikimit të grupeve kriminale në politikat fiskale të vendit.
Në një reagim në rrjete sociale, ai shprehet se ministria e Financave po shkel ligjin duke mos nxjerrë aket nënligjore përkatëse, ndërsa qindra miliona euro, sipas tij, përfundojnë tek pronarët realë të basteve sportive, ndërsa kërkon hetim të menjëhershëm nga SPAK.
“Asnjë ministër nuk mund të vazhdojë gjatë duke fshehur kokën si struci dhe duke mos dhënë përgjigje për pyetje konkrete. Bastet sportive vazhdojnë të ‘gëlltisin’ qindra milionë euro. Ministria e Financave shkel ligjin duke mos nxjerrë aktet nënligjore përkatëse, ndërsa qindra miliona shkojnë tek pronarët realë të basteve sportive. Kjo nuk është paaftësi, por rrezik i lartë i influencimit të grupeve kriminale në politikat fiskale, përderisa pranohet dhe theksohet masivisht se politika shqiptare është e kapur nga krimi.”, shkruan ai.
Ish-ministri ngre shqetësime edhe për mungesën e transparencës në disa vendime fiskale të qeverisë. Sipas tij, Ministria e Financave nuk publikon listën e përfituesve nga ulja me fuqi prapavepruese e tatimit mbi dividendin nga 15% në 8%, ndërsa mungojnë të dhënat edhe për përfituesit nga paqja fiskale.
Malaj argumenton se të dhënat fiskale mund të analizohen lehtësisht përmes tabelave Excel dhe funksioneve analitike si “Pivot Tables”, duke bërë të mundur identifikimin e përfituesve sipas kategorive dhe shumave.
“Ministria e Financave nuk publikon listën e përfituesve nga ulja me fuqi prapavepruese e tatimit mbi dividendin nga 15% në 8%. Po ashtu, Ministria e Financave nuk jep asnjë të dhënë të detajuar mbi përfituesit nga paqja fiskale, ndërkohë që statistikat e borxhit janë lehtësisht të analizueshme. “, shton ish ministri.
Një tjetër kritikë e fortë lidhet me përjashtimin nga akciza të karburantit për jahtet luksoze. Malaj e cilëson “analfabetik” justifikimin e Ministrisë së Financave mbi përdorimin e Konventës së Vjenës për këtë praktikë.
Sipas tij, nuk ekziston asnjë detyrim ndërkombëtar që shtetet të furnizojnë me naftë pa taksa jahte private turistike, ndërsa shumë vende të Bashkimit Evropian kanë kufizuar përjashtime të tilla pas ndërhyrjeve të institucioneve europiane.
“Lidhur me justifikimin e shitjes së naftës për jahtet luksoze, shpjegimi i Ministrisë së Financave është analfabetik; ata duhet ta lexojnë, ta kuptojnë dhe ta zbatojnë Konventën e Vjenës sipas sqarimeve thellësisht profesionale të mëposhtme.”, shton ai.
Në fund të reagimit, ish-ministri ngre dyshime edhe mbi rritjen e sasive të naftës pa akcizë për mjetet detare, nga 4 në 8 milionë kilogramë, duke pyetur nëse kjo mund të jetë indikator i “pastrimit” të naftës në tregun e brendshëm përmes mjeteve detare.
Reagimi i plote:
“Asnjë ministër nuk mund të vazhdojë gjatë duke fshehur kokën si struci dhe duke mos dhënë përgjigje për pyetje konkrete. Bastet sportive vazhdojnë të ‘gëlltisin’ qindra milionë euro. Ministria e Financave shkel ligjin duke mos nxjerrë aktet nënligjore përkatëse, ndërsa qindra miliona shkojnë tek pronarët realë të basteve sportive. Kjo nuk është paaftësi, por rrezik i lartë i influencimit të grupeve kriminale në politikat fiskale, përderisa pranohet dhe theksohet masivisht se politika shqiptare është e kapur nga krimi. Ky rast duhet të hetohet nga SPAK sa më parë. Ka aq shumë analiza thellësisht profesionale në mediat e shkruara dhe vizive, sa i mjaftojnë SPAK-ut për të hetuar me prioritet një burim kriminal me qindra milionë euro.”
Ministria e Financave nuk publikon listën e përfituesve nga ulja me fuqi prapavepruese e tatimit mbi dividendin nga 15% në 8%.
Po ashtu, Ministria e Financave nuk jep asnjë të dhënë të detajuar mbi përfituesit nga paqja fiskale, ndërkohë që statistikat e borxhit janë lehtësisht të analizueshme.
Ato përpunohen përmes tabelave Excel dhe funksioneve analitike si Pivot Tables, të cilat mundësojnë identifikimin dhe grupimin e të dhënave sipas kategorive të ndryshme, përfituesve, shumave dhe periudhave kohore.
“Lidhur me justifikimin e shitjes së naftës për jahtet luksoze, shpjegimi i Ministrisë së Financave është analfabetik; ata duhet ta lexojnë, ta kuptojnë dhe ta zbatojnë Konventën e Vjenës sipas sqarimeve thellësisht profesionale të mëposhtme.
Pergjigjia pas pyetjeve te mia thellesisht prrofesionale: Pa dashur të bëj komente, po ndaj me ju sqarimin e IA-së për këtë debat dhe për këtë rast: Konventa nuk krijon detyrim për asnjë vend që t’u shesë jahteve luksoze karburant me përjashtim nga taksat.”
Keni të drejtë kur thoni se “djalli qëndron në detaje”, pasi përdorimi i Konventës së Vjenës në këtë kontekst është shpesh një **interpretim i zgjeruar që vendet e përdorin për të joshur turizmin luksoz, por që BE-ja po e lufton gjithnjë e më shumë.
1. Konventa e Vjenës: Detyrim apo Mundësi?
Konventa e Vjenës (kryesisht ajo për Marrëdhëniet Diplomatike ose ajo për Shitjen Ndërkombëtare të Mallrave) nuk i “detyron” shtetet të japin naftë falas për jahtet private turistike.
Miti i Detyrimit: Nuk ka asnjë traktat ndërkombëtar që i detyron shtetet të subvencionojnë karburantin për një jaht privat që përdoret për qejf (leisure).
*Praktika Ndërkombëtare: Ajo që ndodh është se jahtet trajtohen si “anije në lundrim ndërkombëtar”. Sipas ligjeve detare, nëse një mjet lëshon portin e një shteti për të shkuar në një shtet tjetër, karburanti konsiderohet “furnizim për eksport” dhe si i tillë nuk ngarkohet me taksa lokale.
Abuzimi: Shumë vende (përfshirë Shqipërinë në këtë rast) e përdorin këtë klauzolë për të lejuar jahtet të mbushen pa akcizë, edhe nëse ato lundrojnë vetëm pak kilometra jashtë ujërave territoriale dhe kthehen sërish, duke e përdorur këtë si “karrem” për të sjellë pasanikët në portet e tyre.
2. Përvojat e BE-së kundër “Biznesit Abuziv
Vendet e Bashkimit Evropian kanë kaluar nëpër procese të ashpra gjyqësore në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë (ECJ) pikërisht për këtë çështje.
Rasti i Italisë dhe Francës: Për vite me radhë, këto vende lejuan jahtet që merreshin me qira (charter) të mos paguanin akcizë, duke i klasifikuar si “anije tregtare”.
BE-ja ndërhynë duke deklaruar se **vetëm anijet që kryejnë aktivitet të mirëfilltë tregtar (transport mallrash ose pasagjerësh me pagesë) përfitojnë nga përjashtimi.
Jahtet private, pavarësisht madhësisë apo “elitarizmit”, duhet të paguajnë taksa të plota.
Greqia: Pas krizës financiare, Greqia shtrëngoi rregullat. Edhe anijet turistike duhet të provojnë një numër minimal ditësh lundrimi jashtë vendit për të përfituar lehtësi, duke vendosur sisteme GPS për të monitoruar nëse jahti thjesht “doli dhe u kthye” për naftë të lirë.
Kroacia: Ka aplikuar tarifa të rrepta mjedisore që balancojnë përfitimin që jahtet marrin nga karburanti, duke u siguruar që “elita” të kontribuojë në arkën e shtetit.
3. Diferenca me Fermerët: Një Kontradiktë Politike
Në vendet e BE-së (si Gjermania, Franca apo Greqia), nafta për bujqësinë (**Gasoline for Agriculture**) është prioritet strategjik.
Në BE, fermerët marrin naftë me ngjyrë të kuqe ose jeshile (me taksë minimale ose zero) direkt në pompë ose përmes rimbursimit të menjëhershëm.
Logjika e BE-së:
Subvencionimi i fermerit ul koston e ushqimit për popullatën (interes publik). Subvencionimi i jahtit ndihmon vetëm pronarin e jahtit dhe operatorin e portit (interes privat).
Djalli” në Shqipëri
Në dokumentin që keni marrë, pika ku thuhet se qeveria ul akcizën me 20% vetëm nëse çmimi kalon 220 lekë/litër për shkak të “krizës në Ngushticën e Hormuzit”, është një **mekanizëm mbrojtës për tregun,
por nuk adreson faktin pse jahtet (që kanë fuqi blerëse gjigante) marrin naftë me 0 akcizë, ndërsa fermeri (që prodhon bukën) pret radhën për skema rimbursimi që shpesh nuk mbulojnë as 50% të nevojave të tij.
Përfundim:
Nuk ka detyrim nga Konventa e Vjenës për turizmin. Ky është një vendim sovran i qeverisë shqiptare për të favorizuar një sektor (marinat luksoze) në dëm të të ardhurave të shtetit dhe në pabarazi të plotë me sektorin prodhues (bujqësinë).
A mendoni se kjo rritje e sasive të naftës pa akcizë në tabelë (nga 4 në 8 milionë kg) mund të jetë një indikator i “pastrimit” të naftës në tregun e brendshëm përmes mjeteve detare. Panorama
Rreth 40 studentë të Akademisë së Sigurisë dyshohet se janë helmuar pas konsumimit të ushqimit në ambientet e institucionit.
Menjëherë pasi kanë ngrënë drekën, studentët janë ndjerë keq, ndërsa disa prej tyre kanë shfaqur komplikacione shëndetësore dhe janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore.
Dyshohet se shkak i helmimit është ushqimi i konsumuar gjatë vaktit të drekës.
Akademia e Sigurisë e siguron shërbimin ushqimor përmes një kompanie private kateringu, e cila ofron tre vaktet ditore për studentët. Ndërkohë, institucionet përkatëse kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. BW
Një grup banorësh nga zona e Kënetës në Durrës kanë mbërritur mbrëmë (5 maj) pranë Bashkisë së Durrësit, ku kanë ndezur qirinj në kujtim të dy fëmijëve që humbën jetën në aksidentin tragjik të së dielës (3 maj).
Karvani i makinave bllokoi përkohësisht një korsi qarkullimi në aksin përballë sheshit “Liria”, për t’u drejtuar më pas drejt shkallëve të bashkisë.
Aty, qytetarët ndezën qirinj dhe mbajtën një minutë heshtje në shenjë respekti për dy vogëlushët, të moshës 9 dhe 12 vjeç, jeta e të cilëve u ndërpre tragjikisht teksa po luanin në trotuarin pranë banesave të tyre.
Mes dhimbjes ata janë lutur për shpirtrat e dy vogëlushëve, jeta e të cilëve u pre nga një drejtues mjeti që pas arrestimit u gjet i dehur në timon.
Gjykata e Durrësit e la të dyshuarin Nikoll Radaçi në masën arrest me burg, po gjatë ditës së sotme.
Masa e sigurisë së Nikoll Radaçit
57-vjeçari u shfaq në gjendje të rënduar psikologjike dhe nuk foli asgjë para gjykatës. Ndërkohë familjarët nuk e kanë mbështetur, madje ata janë larguar nga banesa nga frika e hasmërisë.
Aksidenti i rëndë ndodhi mesditën e 3 majit në lagjen nr.15 të Durrësit. 3 fëmijë ishin duke luajtur me top në trotuar kur 57-vjeçari në gjendje të dehur, humbi kontrollin e mjetit dhe mori para të miturit, duke lënë të vdekur 2 prej tyre. E.M., 12 vjeç dhe K. N., 10 vjeç ndërruan jetë, ndërsa fëmija tjetër 8 vjeç, arriti të mbijetojë, por me plagë të rënda.
Kujtojmë e shoferi ishte raportuar disa herë në polici nga banorët e zonës, ndërsa ishte gjobitur dhe nga Rrugorja për shkelje të rregullave të sigurisë. gsh
Unioni Ndërkombëtar i Demokracisë (IDU) miratoi dy rezoluta thelbësore gjatë mbledhjes ekzekutive të mbajtur në Zagreb, duke dërguar sinjale të qarta mbi rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes dhe koordinimin ndërkombëtar kundër aktorëve autoritarë.
Rezolutat u mbështetën nga Fatmir Mediu, Kryetar i Partisë Republikane Shqiptare, dhe Rihards Kols, Anëtar i Bordit të Aleancës Kombëtare Letoneze. ‘Kriteri 2% i GDP nuk mjafton më për t’iu përgjigjur realiteteve strategjike të sotme, Aleatët duhet të lëvizin drejt 5%.’
Rezoluta 1
Mbrojtja dhe Siguría Transatlantike
Rezoluta e parë kërkon që anëtarët e NATO-s të angazhohen ndaj një kriteri të ri prej 5% të GDP-së në investime të kombinuara mbrojtëse dhe sigurie, duke përfshirë mbrojtjen kibernetike, gatishmërinë civile dhe kapacitetin industrial të mbrojtjes. Dokumenti thekson se mjedisi i sigurisë është ‘më i rrezikshëm që nga fundi i Luftës së Ftohtë’, i formësuar nga agresioni rus kundër Ukrainës dhe sulmet hibride ndaj infrastrukturës kritike.
IDU bën thirrje për prokurimin e përbashkët, standardet e përbashkëta dhe bashkëpunimin industrial transatlantik, si dhe investime në mobilitetin ushtarak, logjistikë dhe rezistencë energjetike. Dokumenti riafirmon se mbështetja për Ukrainën ‘mbetet domosdoshmëri strategjike’.
Rezoluta 2
Kina, Irani dhe Siguria Transatlantike
IDU kundër rolit të Kinës në mbështetjen e Iranit: sanksione më të forta dhe kontroll i investimeve të huaja
Rezoluta e dytë hedh dritë mbi rolin e Kinës në ruajtjen e rezistencës ekonomike dhe ushtarake të Iranit. IDU shpreh shqetësim të thellë se Bejingu lehtëson anashkalimin e sanksioneve përmes zinxhirëve kompleksë të furnizimit dhe ofron teknologji me përdorim të dyfishtë, përfshirë komponentët e dronëve, aftësitë satelitore dhe sistemet e navigacionit.
Dokumenti nënvizon se blerja e vazhdueshme kineze e naftës iraniane të sanksionuar i siguron Teheranit burime financiare kritike, duke dobësuar regjimin ndërkombëtar të sanksioneve. IDU propozon masa konkrete: ngrirje asetesh, ndalesa udhëtimi, kontrolle eksporti dhe vëzhgim i shtuar i investimeve të huaja.
‘Uniteti transatlantik mbetet përgjigja më efektive ndaj koordinimit autoritar.’
Rezoluta mbështet de-eskalimin e qëndrueshëm të kushtëzuar me çmontimin e verifikueshëm të rrjeteve të përfaqësuara të Iranit dhe respektimin e sigurisë detare ndërkombëtare.
IDU, Unioni Ndërkombëtar i Demokracisë, është aleanca globale e partive të qendrës së djathtë.
Mbledhja ekzekutive e Zagreb 2026 u mbajt më 1 maj në Kroaci. bw
Inxhinieri Xhevahir Ngjeqari e ka cilësuar Tunelin e Llogarasë si një nga projektet më problematike në vend. I ftuar në Kjo Javë, ai u shpreh se ndërtimi i tunelit nuk justifikon kostot e larta dhe se, sipas tij, ka pasur alternativa më ekonomike dhe më efikase.
Ngjeqari shkoi edhe më tej me kritikat, duke deklaruar se projekti është “anti-ekonomik dhe anti-kombëtar”, ndërsa ironizoi duke thënë se tuneli mund të përfundojë duke u përdorur për strehimin e bagëtive nga banorët e zonës së Dukat.
Sipas tij, një zgjidhje më e favorshme do të ishte ndërtimi i një tuneli më të shkurtër në zonën e Orikum, që do të lidhte më drejtpërdrejt korridorin turistik me bregdetin, me më pak kosto.
Xhevair Ngjeqari:I bëj një thirrje banorëve të Dukatit: mos ndërtoni stalla për bagëtinë sepse do t’i strehoni në tunelin e Llogarasë, është një nga veprat më anti-ekonomike dhe anti-kombëtare që nuk i shërben komunizmit. Në Orikum me 2.8 km tunel do të dilej në bregdet. Korridori turistik ndërtohet në buzë të detit. Llogaraja është dega më e prapambetur që mori në qafë Shqipërinë. Për çfarë u harxhuan gjithë ato lekë?
SPAK po ndjek një strategji hetimore ndaj ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, duke futur në “unazë” të gjithë rrethin familjar dhe atë shoqëror të saj.
Ylli “polar” i kontrolleve më të fundit ndaj rrethit të Ballukut ka qenë edhe gazetari Sokol Balla, ish-bashkëshorti i numrit dy të Ramës.
Pak ditë më parë SPAK ushtroi kontroll në banesën e Sokol Ballës, i cili edhe pse është zyrtarisht ish-bashkëshorti, duket se ka shërbyer si mekanizëm për pastrimin e parave të ish-gruas, dyshon SPAK.
Kujtojmë se para se ish-bashkëshorti i Belindës, Sokol Balla, të kontrollohej nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, ai është paraqitur në SPAK dhe ka dhënë shpjegime lidhur me disa transferta parash në Austri dhe jo vetëm.
Gjatë daljes nga ambientet e SPAK, Balla doli i “trullosur”, duke mos dhënë asnjë deklaratë për mediat dhe, për më tepër, ngatërroi derën e daljes nga ambientet.
SPAK ka ngritur dyshime të forta se ish-bashkëshorti i Belinda Ballukut ka përfituar benefite financiare dhe pasuri të paluajtshme, duke shfrytëzuar këtë lidhje me zyrtaren e lartë të qeverisë Rama.
Ndërkohë, paralelisht me këto kontrolle, SPAK ka kërkuar në gjykatë dy ditë më parë autorizimin për lejimin e këqyrjes dhe ekspertimit të sendeve elektronike të sekuestruara në ambientet ku është ushtruar kontrolli.
Gjithashtu, hetimi është intensifikuar me marrjen në pyetje të disa personave, mes të cilëve edhe biznesmenë që kanë përfituar tenderat e 7 loteve për ndërtimin e Unazës së Madhe. syri.net
TIRANË- Prokuroria Tiranë ka përfunduar hetimet për skandalin e Onkologjikut dhe ka dërguar për gjykim gjashtë persona. Mes të cilëve zv.Drejtoreshën, koordinatorin, mjekë e specialistë të Spitalit Onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare Tiranë (QSUT) si dhe administratorin e një kompanie farmaceutike.
Ata akuzohen për veprat penale ‘Shpërdorim të detyrës’, ‘Fshehja e të ardhurave’ si dhe ‘Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë’. Hetimet zbuluan raste ku pacientëve të ndryshëm nuk i jepej trajtimi i duhur mjekësor dhe orientoheshin në klinikat private, ku kundrejt tarifave të fryra kryheshin shërbime dhe ndërhyrje kirurgjikale të cilat duhet t’i jepeshin falas nga mjekët e spitalit onkologjik pranë QSUNT.
Gjithashtu rezultoi se pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT ishte instaluar një aparaturë Kobalto-Terapie për trajtimin e të sëmurëve të diagnostikuar me sëmundje tomorale. Nga viti 2021 kur ky aparat ka mbërritur në Shqipëri nuk është në shfrytëzim por është lënë në kushte të papërshtatshme duke u bërë burim rreziku ndaj vetë personelit mjekësor si pasojë e rrezatimeve të mundshme që emëton.
Të pandehurit për këtë rast janë Emiljano Lela, Alketa Pere, Brikena Qirjazi, Drilona Kishta, Halil Gashi dhe Florian Marku.
Njoftimi:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq gjashtë persona, mes të cilëve zv.Drejtoreshën, koordinatorin, mjekë e specialistë të Spitalit Onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare Tiranë (QSUT) si dhe administratorin e një kompanie farmaceutike për veprat penale ‘Shpërdorim të detyrës’, ‘Fshehja e të ardhurave’ si dhe ‘Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë’ parashikuar nga nenet 248, 180/1 dhe 178/1 të Kodit Penal.
Fillimisht çështja u dërgua në Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për vlerësim nëse kishte të bënte me ndonjë bashkëpunim që ishte kompetencë lëndore e kësaj prokurorie. Por u risoll në Prokurorinë Tiranë duke veçuar materialet në ngarkim të mjekut onklog E.G, për veprën penale të “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funskione publike”, parashikuar nga neni 259/2 i Kodit Penal.
Si rrjedhojë, në përfundim të hetimeve mbi procedimin penal nr.5071 të vitit 2023 nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, në bashkëpunim me Seksionin e Luftës Kundër Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Tiranë, arritën të dokumentojnë raste ku pacientëve të ndryshëm, pasi nuk i jepej trajtimi i duhur mjekësor orientoheshin në klinikat private ku kundrejt tarifave të fryra kryheshin shërbime dhe ndërhyrje kirurgjikale të cilat duhet t’i jepeshin falas nga mjekët e spitalit onkologjik pranë QSUNT.
Gjithashtu rezultoi se pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT ishte instaluar një aparaturë Kobalto-Terapie për trajtimin e të sëmurëve të diagnostikuar me sëmundje tomorale. Që të përdorej kjo aparaturë duhet të krijohej më parë një bunker antiradioaktiv ose antiatomik në kushtet e miratuara dhe të prezantuara nga Agjensia Atomike e Vienës ose agjencia ndërkombëtare IEAHEA. Ky bunker jo vetëm nuk u krijua por aparatura u vendos jashtë kushteve teknike e në dhomën ngjitur kabinetit të radiologjisë me një lloj radioaktiviteti që nuk mund të lejohet të vendoset në ambiente jo specifikë. Nga viti 2021 kur ky aparat ka mbërritur në Shqipëri nuk është në shfrytëzim por është lënë në kushte të papërshtatshme duke u bërë burim rreziku ndaj vetë personelit mjekësor si pasojë e rrezatimeve të mundshme që emëton.
Në përfundim të hetimeve, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë provoi se shtetasi Emiljano Lela në cilësinë e koordinatorit pranë Spitalit Onkologjik të QSUNT, ka ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në procesin e administrimit dhe orientimit të pacientëve tek klinikat private për të marë kurën e trajtimit në luftën kundër sëmundjeve tumorale, në një kohë kur sigurohej nga shteti. Ai përzgjidhte pacientë nga radha e pritjes dhe i orientonte jo tek mjeku që kishin të rekomanduar sipas procedurave, por tek klinikat private, duke përfituar përqindje monetare. Në analizë të fakteve dhe provave të mbledhura rezultoi e provuar se i pandehuri Emiljano Lela ka konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.
Po kështu edhe e pandehura Alketa Pere në cilësinë e administratores pranë Spitalit Onkologjik të QSUT, u provua se dërgonte pacientët drejt klinikave private, në tejkalim të kompetencave dhe në kundërshtim me rregullat ligjore dhe procedurale që rregullojnë ushtrimin e profesionit mjekësor dhe administrimin e dokumentacionit shëndetësor. Në analizë të fakteve dhe provave të mbledhura rezultoi e provuar se e pandehura Alketa Pere ka konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë provoi gjithashtu se edhe shtetasja Brikena Qirjazi në cilësinë e Zv/Drejtoreshës në QSUT e ngarkuar me mbulimin e shërbimit onkologjik, nuk ka marrë masat e nevojshme për garantimin e funksionimin e rregullt dhe të sigurt të pajisjes së burimit të kobaltit. Ajo nuk ka marrë masa për vënien në funksion të kësaj pajisjeje, duke bërë që pacientëve të mos u ofrohej në kohë shërbimi i nevojshëm mjekësor. Për pasojë, pacientëve nuk u është dhënë mundësia e zgjedhjes së metodës së trajtimit, duke u kufizuar vetëm në një alternativë të vetme trajtimi. Sa më sipër, rezulton e provuar se e pandehura Brikena Qirjazi ka konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.
Në vijim të hetimeve, rezultoi se edhe shtetasja Drilona Kishta në cilësinë e specialistit pranë QSUT ka pasur detyrimin ligjor të kryejë ekspertizën lidhur me menaxhimin e burimeve radioaktive dhe mbetjeve të tyre. Kjo shtetase hartoi një ekspertizë që nuk ishte në përputhje me gjendjen reale dhe me të dhënat e dhëna nga përfaqësuesit e njësisë së Radioterapisë.
Gjithashtu rezulton se kjo ekspertizë është kryer përpara procesit të porositjes së burimit të kobaltit, çka ka sjellë si pasojë marrjen e një vendimi për porositjen e një burimi radioaktiv që nuk është vendosur në funksion dhe nuk është përdorur. Si pasojë e kësaj veprimtarie është shkaktuar dëm ekonomik për institucionin, duke cenuar interesat e ligjshme të shtetit. Sa më sipër, shtetasja Drilona Kishta., rezulton se ka konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.
Përsa i përket shtetasit Halil Gashi rezultoi se ai nuk ka lëshuar fatura tatimore për operacionet dhe shërbimet e kryera në klinikë, duke përfshirë shërbime si skaner dhe mamografi, si dhe ka lejuar që mjekë të punojnë në mënyrë të paregjistruar. Ai nuk ka lëshuar fatura tatimore për shërbimet dhe operacionet e kryera në klinikën që administronte, ka lejuar mjekë të punojnë pa regjistrim ligjor dhe ka përfituar materialisht nga ky sistem i fshehjes së të ardhurave. Sa më sipër rezultoi e provuar se i pandehuri Halil Gashi ka konsumuar veprën penale të “Fshehja e të ardhurave”.
Së fundmi, shtetasi Florian Marku në cilësinë e administratorit të “Flori Farma”, ka bërë blerjen dhe vënien në qarkullim të barnit “Valamor”, të cilin e dinte ose duhej të dinte se ishte kontrabandë (pa pullë të AKBPM-së dhe me barkod të dëmtuar). Si administrator i subjektit farmaceutik ka marrë pjesë në aktivitetin e paligjshëm të tregtimit të barnave kontrabandë, duke ditur ose duke qenë i vetëdijshëm për statusin e paligjshëm të barnit të blerë duke konsumuar veprën penale ‘Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë’./Dosja.al
Kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu ndodhet në Zagreb në kuadër të Forumit të International Democrat Union (IDU) që po zhvillohet në Zagreb.
Në një postim në rrjetet sociale, Mediu thekson se në fokus ishte situata në Europë, prespektiva Europiane e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Kërcënimet e Sigurisë, influenca e Rusisë dhe Kinës në rajon, lufta në Ukrainë dhe në lindjen e mesme, NATO dhe mardhënia Europë SHBA.
Postimi i plotë:
Forumi i IDU(Unioni Nderkombetar per Demokraci),i partive të djathta ku morën pjesë autoritete të larta Kryeministra, Ministra, ish Kryeministra, ish Presidentë, nga Kanadaja, Britania, Irlanda, Europa, Europarlamentarë, deputetë nga Gjermania Italia, Ukraina ballkani etj. Në këtë forum u diskutua për Situatën në Europë, prespektiva Europiane e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Kërcënimet e Sigurisë, influenca e Rusisë dhe Kinës në rajon, lufta në Ukrainë dhe në lindjen e mesme, NATO dhe mardhënia Europë SHBA.
Kënaqësi të takohesha dhe të shkëmbenim mendime me Ministrin e Jashtë të Kroacisë Gordan Grlić Radman, Ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Verout Timcho Muchunski, Kryetarin e Komsijonit të Jashtëm të parlamentir Kroat Ando Kristulovic, Përfaqësuesim e IRI, Institutit Republikan për rajonin Pauë Prososki ish Ministrin e Mbrojtjes së Britanis Michael Fallon etj bw
Analisti Fatos Lubonja ishte mbrëmjen e sotme në “Kjo Javë”, për të komentuar gjyqin ndaj Ilir Metës në GJKKO. Lubonja theksoi se kafazi ku qëndronte Meta në gjyq është i tepruar, ndërsa shtoi se gjyqi ndaj tij është politik.
Sakaq, u shpreh se më parë sistemi politik në Shqipëri udhëhiqej nga 3 banda, PD, LSI dhe PS.
Tashmë me Ramën kryeministër prej disa vitesh ky sistem pësoi mutacion sipas tij, pasi Rama eliminoi me bandën e tij Berishën dhe Metën.
Lubonja:Gjëja që më bëri përshtypje ishte kafazi. Mu duk e tepruar e shëmtuar, përgjithësisht. Pastaj, lidhur me çështjen që kemi kaq kohë nëpër gojë shoh disa plane. E para, a është gjyq politik apo është ndonjë gjyq që e bën drejtësi e pavarur. Duke u nisur me deduksion mendoj se është politik. Drejtësia nëse do ishte e pavarur, duhet të kishte përdorur të njëjtën standard me shumë të tjerë që nga Fatos Nano. Edhe Rama vetë që ka shumë gjëra që drejtësia duhet të kishte vepruar.
Fatos Nano ishte i tërhequr nuk kishte rrezik pavarësisht se kishte akuza. Me këtë merren se është luftë politike. Po mirë këta, për këtë sistem kanë reflektuar ndonjë çik për këtë sistem që kanë ngritur kështu? Që të mbash klientët, të formosh parti me klientë, të përdorësh pushtetin për të rritur partinë? Ky sistem që ishte më i moderuar kur ishin të tre, kur ishte dhe Ilir Meta. Se kishte rotacion. Iliri një herë ishte këtej dhe pastaj ishte andej. Por gjithsesi mendoj që ky sistem me Ramën ka pësuar një mutacion, se nuk ka më 3 banda por një, që ka eliminuar të tjerat.
Çfarë kemi bërë ne që është katandisur Shqipëria kështu? Rama ishte njeriu më i afërt i Metës kur sulmonte Nanon atëherë.
Statuti i PD-së nuk detyron që duhet të ketë patjetër kandidat dhe që patjetër duhet të “shpikim” kandidat artificial.
Partia Demokratike nuk ka pse të tallet me veten dhe me demokratët. Nuk ka pse të shpikë kandidatura fallco nga hiçi për të thënë që ka “rivalitet” apo garë mes “kandidatëve”.
Me gjithë respektin që kam për çdo demokrat apo demokrate që aspiron për karrierë në politikë, nuk mund të jem fare dakord me formalizma hipokritë që të regjistrohet në fletën e votimit për kryetar të Partisë Demokratike të Shqipërisë një qytetar apo qytetare që nuk ka asnjë “gradë” politike në CV dhe që nuk ka qenë kurrë as kryetar seksioni, grupseksioni, dege apo anëtar kryesie dege, sekretariate, këshill kombëtar, kryesi e madhe, grup parlamentar.
Statuti i PD-së nuk detyron që duhet të ketë patjetër kandidat dhe që patjetër duhet të “shpikim” kandidat artificial.
Çdo kandidat apo kandidate “laboratorik” apo i shpikur për të thënë që ka garë jo vetëm që e dëmton procesin e zgjedhjes së kryetarit të PDSH-së, por është shumë tallës, fyes dhe denigrues për kontributin e çdo demokrati.
Sali Berisha nuk ka nevojë të shpikë kandidatë, sa kohë që ai mendon që të jetë në garë për kryetar të PDSH-së, prandaj kushdo rreth tij që mendon se po i bën nder duke i “shpikur” kandidatë artificialë e dëmton procesin dhe u jep mundësi të gjithë kundërshtarëve të tallen me PD-në dhe demokratët.
Demokratët kanë 13 vjet në opozitë që vuajnë arrogancën e pushtetit të Ramës.
Nuk besoj që kanë takat të durojnë një tallje tjetër duke u ofruar si “kandidat” për kryetar të PD-së anonimë politikë apo fallco kandidatë.
Kumbaro merret 4 orë në pyetje, a ishte “Air Albania” alibi apo SPAK ka zbuluar një tjetër skandal?
Ministrat dhe deputetët socialistë duket se janë bërë si “të shtëpisë” në SPAK. Pas shumë figurave që kanë ngjitur shkallët e Prokurorisë së Posaçme, sot ishte ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, e cila është marrë në pyetje për afro 4 orë.
Ajo u fut në ambientet e prokurorisë në orën 13:00 dhe doli pak më parë, teksa është marrë në pyetje sipas saj, lidhur me një hetim që SPAK ka hapur mbi ndërtimin e stadiumit “Air Albania”.
Ishte vetë Kumbaro që tha para mediave se është pyetur për këtë çështje, por pa dhënë më shumë detaje.
“Isha si person në dijeni për çështjen e stadiumit ‘Arena’,” u shpreh Kumbaro, duke shtuar spekulimet për një aferë të re që po hetohet nga prokuroria speciale.
Deri më sot nuk ka pasur asnjë të dhënë se SPAK ka nisur hetimet mbi stadiumin kombëtar dhe nuk është e qartë se për çfarë çështje konkrete bëhet fjalë. Kumbaro ka qenë më herët ministre e Kulturës, më pas e Turizmit dhe Mjedisit dhe tani e Arsimit. Ndaj saj ka pasur shumë akuza dhe nuk është çudi që “Air Albania” të jetë alibi e Kumbaros për të “mashtruar” mediat, pasi ka shumë raste të tjera, sidmos me ndërtimet në zonat e mbrojtura ku Kumbaro ka gisht.
Rasti më i freskët i shkeljeve është një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit për ish-Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, kur ajo drejtohej nga Kumbaro.
Pjesa më kritike e raportit lidhet me mënyrën si institucioni ka trajtuar vendimet gjyqësore për rikthimin në detyrë të punonjësve. Sipas auditimit, ministria ka paguar për vite me radhë detyrime ndaj punonjësve gjyqfitues, por pa i rikthyer në pozicionet e mëparshme apo në poste ekuivalente. Për pasojë, janë krijuar pagesa të dyfishta për të njëjtin funksion: një person është paguar sipas vendimit të gjykatës, ndërsa puna është kryer nga një tjetër punonjës.
Një tjetër gjetje e rëndë lidhet me kontratën për “Rikonstruksionin e godinës së Agjencisë Kombëtare të Mjedisit”. Nga verifikimet në terren, KLSH ka konstatuar diferenca mes volumeve të punimeve të raportuara dhe atyre të kryera realisht, si edhe punime të llogaritura jo sipas gjendjes faktike në objekt. Për këtë kontratë, auditimi evidenton një dëm ekonomik në vlerën 1.851.948 lekë.
Në drejtim të menaxhimit të brendshëm, KLSH ka konstatuar mungesë të gjurmëve të auditimit, mungesë dokumentimi për proceset vendimmarrëse, mospërditësim të rregullt të faqes zyrtare me dokumentet e transparencës dhe mungesë të një baze të centralizuar të të dhënave për të ardhurat, kontratat dhe detyrimet kontraktuale.
Një tjetër bllok problematikash lidhet me prokurimet. Sipas raportit, në disa tendera ka pasur kritere të veçanta që nuk përputheshin me objektin e kontratës, ndërsa në dy raste dokumentacioni i publikuar në sistemin elektronik të prokurimeve nuk përputhej me dokumentacionin fizik të dorëzuar pas shpalljes së fituesit. KLSH evidenton parregullsi edhe në procesverbalet e marrjes në dorëzim të shërbimeve, të cilat në disa raste nuk janë protokolluar, si dhe mungesë specialistësh të fushës në komisionet përkatëse.
Në sektorin e turizmit, auditimi thotë se në raportet e realizimit të projekteve me mbështetje financiare mungon evidenca e procesit të monitorimit nga grupet përkatëse, çka sipas KLSH cenon transparencën dhe rrit riskun për përdorim jo të verifikueshëm të fondeve. Pra bëmat e Kumbaros janë të shumta. /Pamfleti
Seanca e radhës në GJKKO për dosjen “Partizani” është shoqëruar me debate dhe replika mes palëve, gjatë dëshmisë së kreut të Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla.
Balla, i thirrur në cilësinë e kallëzuesit dhe dëshmitarit, u pyet nga avokatët mbrojtës të Jamarbër Malltezit dhe Sali Berishës mbi mënyrën se si ka siguruar provat dhe bazën e kallëzimit të tij.
Avokati i Malltezit, Klodian Skënderi, kërkoi sqarime mbi kallëzimin, duke pyetur nëse ai ishte bërë në cilësinë e deputetit apo qytetarit dhe nëse ishte shoqëruar me prova.
Balla u përgjigj se të gjitha materialet që kishte në dispozicion i kishte bashkëngjitur kallëzimit. Ai theksoi se informacionet i kishte siguruar nga qytetarët, media dhe burime të tjera, përfshirë edhe të drejtën ligjore si deputet për të kërkuar informacion nga institucionet.
I pyetur nëse kishte marrë përgjigje nga Ministria e Mbrojtjes për dokumentet e dorëzuara, Balla tha se nuk i kujtohej dhe se duhej të verifikonte në kallëzim.
Në lidhje me mënyrën e dorëzimit të kallëzimit, ai deklaroi fillimisht se e kishte dorëzuar dorazi në prokurori, ndërsa më pas shtoi se mund të jetë dorëzuar nga një punonjës i Kuvendit.
“Për herë të 17 po them, bazuar në dyshime kam marrë vendimin të bëj këtë kallëzim,” u shpreh Balla.
Gjatë përgjigjeve, trupi gjykues i tërhoqi vëmendjen Ballës për të respektuar rolin e tij në proces.
“Mbani vendin tuaj, jeni thjesht dëshmitar. Nuk lejohen komentet,” u shpreh gjykata.
Në vijim, avokati Skënderi e pyeti Ballën mbi ekzistencën e dokumenteve për marrëveshje mes shtetit shqiptar dhe atij italian, si dhe për çështje të shpronësimeve.
Balla deklaroi se nuk i kujtohej nëse kishte parë dokumente të tilla, ndërsa për një shkresë të viteve 1993-1994 tha se ishte referuar nga burime publike.
Ai shtoi se, sipas njohurive të tij si qytetar, shpronësimi nënkupton marrjen e pronës për qëllime shtetërore.
Përballja me avokatin e Berishës
Avokatja e Sali Berisha, Klodiana Gjyzari, e pyeti Ballën mbi gjendjen e objekteve në momentin e hetimit.
Balla u përgjigj se ato ishin në gjendje të mirë dhe të rikonstruktuara, por shtoi se sipas tij ishin privatizuar me një vlerë “qesharake”.
I pyetur mbi vlerën reale, ai tha se nuk ishte ekspert, por vlerësoi se duhet të ishte “ndoshta 10 herë më e lartë”.
Nga ana tjetër, avokati Sokol Mëngjesi kërkoi të dinte se kush ishte favorizuar nga procesi i privatizimit.
Balla deklaroi se sipas tij përfitues kanë qenë Jamarbër Malltezi dhe subjekte të lidhura me shoqëritë përkatëse, duke shtuar se dyshimet lidhen edhe me ndikimin e tij si dhëndër i ish-kryeministrit.
“Unë jam këtu si kallëzues. Nëse do të kisha të gjitha faktet, nuk do të kishte nevojë për prokurorinë,” tha ai.
Gjykata: Të lutem hiqi që aktet që ke para se nuk lejohet.
Taulant Balla: Prej 2012 e në vazhdim kam paraqitur dyshimet e mia lidhur me mënyrën se si është proceduar për Sport Klub Partizanin. Të nderuar anëtarë të trupit gjykues, nga një numër shumë i madh pronash të Ministrisë së Mbrojtjes binte në sy se si, në mënyrë kaq të shpejtë, ishte kryer vetëm një privatizim, kthim tek ish-pronarët në një kohë rekord.
Në një kohë që ish-pronarët vuajnë për t’u kthyer pronën e tyre, ishte bërë procedura e njohjes së kthimit dhe madje edhe procedura e privatizimit të godinës. Po kthehem në vitin 2012, kur kam bërë investigime si deputet i opozitës dhe si sportdashës, për të treguar se si ishte hequr, dhe aty e keni me prova se si në një dokument është në plan përhapjeje dhe në tjetrin jo.
SPAK: Ju keni ngritur dyshime për origjinën e pronësisë, pasi pretenduat se janë dëmshpërblyer?
Balla: Jam njohur nga mediat me një dokument ku thuhej se pronarët janë dëmshpërblyer shumë vite më parë. Dihej botërisht që qeveria italiane nuk mund të ndërtonte një aeroport pa pasur një dokument pronësie.
A ju kujton gjë shoqëria G Kamp?
Balla: Jo, nuk më kujtohet.
Malltezi: Na sqaro pozicionin që mbani. Sa vjet keni qenë deputet?
Taulant Balla: Nga 2005.
Malltezi: Në çfarë pozicioni keni qenë kur keni bërë kallëzimin në SPAK?
Balla: 17 nëntor 2020 kam qenë kryetar i Grupit Parlamentar të PS.
Malltezi: Pra e keni paraqitur në këtë pozicion dhe jo si shtetas?
Balla: E kam bërë si qytetar.
Malltezi: I tërheq vëmendjen, dëshmitari po thotë një të pavërtetë. A ka qenë kjo nismë?
Balla: Kur vihesh në dijeni të një vepre penale, duhet ta vësh në dijeni; e kam kryer këtë detyrë si qytetar dhe si deputet dhe është nder.
Malltezi: A ka qenë nismë e Grupit Parlamentar apo e juaja?
Balla: Është veprimtari e ndërgjegjshme, ka qenë vendim i imi personal, jo i grupit.
Malltezi: A i keni marrë ju të gjitha provat dhe ia keni bashkangjitur kallëzimit, po apo jo?
Balla: Kjo ka qenë një punë hetimore shumëvjeçare, ka nisur që në 2012. Kam administruar dokumente nga burime të ndryshme dhe i kam depozituar në SPAK.
Malltezi: Si i keni siguruar si prova?
Balla: Ato dokumente që mi kanë vënë në dispozicion, ia kam vënë prokurorisë.
Malltezi: Si janë marrë provat, ka kopje pasaportash, numra personal. Nuk bëhet fjalë vetëm për Berishën.
Balla: Jam drejtuar institucioneve. Një pjesë e dokumentacionit zyrtarisht, një pjesë prej qytetarëve.
Malltezi: Alket Hyseni, a të kujtohet?
Balla: Ka qenë deputet.
Malltezi: A e keni angazhuar ju apo jo si zyrë avokatie?
Balla: Jo.
Malltezi: Deputeti Alket Hyseni, a mund të ushtronte aktivitet provat?
Balla: Nuk e di.
Malltezi: Kur i dorëzuat provat, a ju pyeti prokurori se ku i gjetët provat?
Balla: U jam përgjigjur të gjitha pyetjeve që zonja prokurore më ka bërë.
Malltezi: Ju keni bërë kallëzim dhe thoni bazuar në prova. Sot dolët tek vlerësimet, sot i bazoni në vlerësim apo prova?
Balla: Zonja gjyqtare, kallëzime kryhen mbi dyshime, këto dyshime shoqërohen me disa dokumente që kanë bashkëngjitur kallëzimin.
Malltezi: Thoni aferë korruptive, çfarë afere?
Balla: Nuk ka një vepër më të qartë se kjo, se si merret një pronë shtetërore dhe privatizohet në mënyrë të paligjshme.
Malltezi: Dëshmitari tha që i ka marrë vetë provat dhe se këto prona janë tjetërsuar brenda 6 muajsh. Dokumenti i kthimit të pronës thotë që është bërë në 1999. A janë gjashtë muaj?
Balla: Kjo procedurë, nga informacioni që kam unë, është bërë në një periudhë shumë të shkurtër.
Malltezi: Zoti ka pasur dokumentet, njohja në 1999, kthimi në 2007.
Balla: Kemi të bëjmë me një pronë që në 2007 ishte në planin e përhapjes dhe nga ky moment deri në privatizim kanë kaluar 6 muaj. Mua më intereson fakti se si kjo pronë për 6 muaj iu hoq ministrisë dhe i kaloi privatit.
Malltezi: Cili ka qenë kundërplani i përhapjes?
Balla: Nuk më kujtohet emri, e keni në kallëzim.
Malltezi: Cila është procedura nga nxjerrja e planit të përhapjes?
Pyetje: A jeni në dijeni që Majko dhe Klosi janë shprehur për privatizimin dhe më pas ministrat e tjerë janë shprehur për privatizimin?
Balla: Po, jam në dijeni. Në vlerësimin tim, vlerësimi i dhjetë milionë lekë i godinave ka qenë akt korruptiv.
Malltezi: Siç më ndërprisni mua kur bëj pyetje, mund të ndërprisnin edhe dëshmitarin.
Gjykata: Nuk mund t’i drejtoheni gjykatës në këtë mënyrë, i pa dehur.
Malltezi: Nga 2005 në 2009, a janë 6 muaj?
Balla: Kjo procedurë është kryer në kohë rekord dhe jo si për çdo shqiptar që pret.
Malltezi: Cilit ligj i referoheni kur thoni që ka kaluar në mënyrë të kundra ligjshme?
Balla: Nuk kuptova pyetjen.
Malltezi: Cili ligj është shkelur?
Balla: Kjo pronë duhet të ishte shtetërore, është shkelur interesi publik dhe kur shkelet interesi publik, mendoj që është shkelur ligji.
Balla: Nga investigimi në media, unë mësova se ju ishit pronar në pjesën 1/64 pjesë takuese.
Malltezi: Keni pasur dokumentet e kthimit të pronës, ju thoni që keni bërë pjesëtimin e metrit.
Balla: Keni fjetur me 1/64 dhe jeni zgjuar me 60% të pronës. Ju në të vërtetë keni më shumë se sa deklaruar dhe krijimi i shoqërisë ‘Homplan’ është bërë për të fshehur pasurinë. 2/3 e 100 janë diku tek 66%.
Malltezi: Thoni që Malltezi nuk ka bërë deklarim në ILDKPI. Jeni në dijeni se si bëhet deklarimi?
Balla: Ju jeni i lidhur me vjehrrin tuaj dhe duhet të bënit deklarim. Kështu e lexoj unë ligjin.
Malltezi: Duke qenë se zotëria ka qenë për një kohë të gjatë deputet…
Prokuroria: Po bëhen komente nga i pandehuri.
Gjykata: Pa komente për secilin.
Malltezi: Çfarë provash keni paraqitur në prokurori për të vërtetuar se unë kam 60% të pronave?
Balla: Zonja gjyqtare, nuk mbaj mend prova, por unë kam ngritur dyshime dhe në kallëzim kam kërkuar që të kryhej hetim. Në kohën kur keni përfituar këtë pronë, vjehrri juaj ka qenë kryeministër dhe ju duhet të deklaroni këto prona.
Genc Gjokutaj: Kur pyetja bëhet për fakte konkrete, dëshmitari duhet të përgjigjet konkretisht. Po shikoj që ju ndërhyni tek pyetjet tona, por jo tek përgjigjet e dëshmitarit.
Gjykata: Pra gjithë kallëzimi juaj është bërë bazuar mbi atë çfarë është thënë në media?
Balla: Kjo kjo nuk është e vërtet zonja gjyqtare sepse ka prova të tjera.
Gjykata: Pra, gjithë kallëzimi juaj është bërë bazuar mbi atë çfarë është thënë në media?
Balla: Jo, kjo nuk është e vërtetë, zonja gjyqtare, sepse ka prova të tjera.
Gjykata: A jeni në dijeni se cilat janë procedurat për kthimin e pronave?
Balla: Zonja gjyqtare, familja jonë s’ka patur prona, jemi familje e varfër.
Malltezi: Thoni qëllim kriminal. Ku është qëllimi kriminal kur pronarët kërkojnë pronën e tyre?
Balla: Në vlerësimin tim, është grup kriminal.
Gjykata: Oriento pyetjet, se do marrësh kështu pyetje nga dëshmitari.
Malltezi: Keni thënë në Kuvend, “nuk na tret dheu pa futur Saliun në burg”.
Gjykata: Nuk lejohet si pyetje.
Balla: Nëse e doni si përgjigje, ua jap.
Gjykata: Nuk lejohet si pyetje.
Për shkak se ka prej orës 12:30 që po dëshmon, gjykata e ndërpret seancën për një pushim të shkurtër./Dosja.al
TIRANË- Sot në orën 12:30, në GJKKO vijon gjyqin për dosjen “Partizani”, ku të pandehur janë ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe persona të tjerë. Gjykata ka miratuar listën e SPAK me 11 dëshmitarë, 8 prej të cilëve pritet të dëshmojnë sot.
Mësohet se, i pari që do të merret në pyetje është deputeti i PS-së, Taulant Balla, si kallëzues i çështjes, i ndjekur nga ish-drejtues të klubit “Partizani”.
Ndërkohë në seancën e kaluar GJKKO pranoi dhe kërkesën e mbrojtjes së Berishës dhe Malltezit për të thërritur si dëshmitar dhe kryeministrin Edi Rama. Rama pritet të dëshmojë në cilësinë e kryebashkiakut të Tiranës i cili sipas tyre ka ka firmosur ndryshimin e destinacionit të truallit të ish kompleksit Partizani, nga terren sportiv për ndërtim, në kohën kur ka qenë kryetar./Dosja.al
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dërguar letërporosi në disa vende të BE dhe në SHBA në kuadër të hetimeve që po kryen për Belinda Ballukun, e cila është vënë nën “lupë” edhe për pasurinë, krahas hetimeve për abuzime me tenderat.
Gazetarja Klodiana Lala i bëri me dije këto të dhëna, duke shtuar se marrë shkas nga intensifikimi i hetimeve ndaj ish zv kryeministres, Prokuroria e Posaçme mund t’i drejtohet sërish Kuvendit për t’i hequr imunitetin e deputetes dhe hapjen e rrugës për arrestimin e saj.
“Burime pranë SPAK konfirmojnë se javët e fundit iu është dhënë rrugë disa letër porosive përmes të cilave është kërkuar informacion dhe të dhëna nga vende të BE por edhe në SHBA, që lidhen me Ballukun apo persona të lidhur me të. SPAK më herët kërkoi leje për arrestimin e saj por maxhoranca në fuqi e rrëzoi këtë kërkesë dhe tashmë në fuqi ndaj ish zv kryeministres mbetet në fuqi masa e ndalimit për të dalë jashtë vendit.
Mbetet në fuqi dhe masa e pezullimit nga ushtrimi i funksioneve, çka dmth Balluku i ka kundërshtuar në shkallë më të lartë. Nisur këto të dhëna të tjera, kontrolle intensive se ka dyshime të forta për transaksione dhe kontratat të tjera publike me persona të zonjës Balluku, ndoshta situata mund të ndryshojë dhe prokurorët mund të ripërsërisin por mbetet potencialisht një dyshim i arsyeshëm për sa kohë hetimet janë intensifikuar një kërkesë të re për ish numrin dy të qeverisë.”, raportoi gazetarja.
Më herët, sot, SPAK ushtroi kontrolle në zyra dhe biznese të lidhur me familjarë të Belinda Ballukut. Gazetarja Klodiana Lala konfirmoi se është ushtruar kontroll në banesën e Mired Reçit, djalit të tezes së Belinda Ballukut, por edhe personave të tjerë të lidhur me të, në kuadër të hetimeve që po kryhen edhe në drejtim të pasurisë.
Mired Reçi, rezulton se qenë ortak me 49% të aksioneve në dy kompani: “XL MARKET” shpk dhe “Hippo Tregu Elektrik” shpk. Ortaku tjetër është Meland Qirko, kunati i ish zëvendes kryeministres Balluku, i martuar me motrën e saj, Pamela Qirko.
Gjatë këtyre kontrolleve që pasojnë ato të dhjetorit 2025 dhe janarit të këtij viti, mësohet se janë sekuestruar sërish celularë, dokumenta që sipas Prokurorëve i shërbejnë hetimit të çështjes. Panorama
Një marrëveshje prej 6 miliardë dollarësh në fushën e sigurisë energjetike është nënshkruar në Tiranë në prani të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe ambasadores së Shteteve të bashkuara në Greqi, Kimberly Guilfoyle.
Marrëveshja u firmos mes kompanisë shqiptare Albgaz me dy kompanive të mëdha ndërkombëtare, njëra amerikane dhe tjetra greke.
Dokumenti parashikon zhvillim e Qendrës Energjetike të Vlorës dhe marrëveshjen kornizë për furnizimin me gaz të lëngshëm natyror, si hapa të rëndësishëm drejt diversifikimit të burimeve të energjisë dhe forcimit të pavarësisë energjetike, në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara, si edhe ndërveprim me Greqinë.
Nënshkrimit të marrëveshjes i parapriu një postim në X të ambasadores amerikane në Greqi, Kimberly Guilfoyle.
“… në Tiranë për të avancuar agjendën energjetike të presidentit të SHBA dhe për t’iu bashkuar kryeministrit Edi Rama për të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të një marrëveshjeje historike midis Shqipërisë, Venture Global dhe Aktor LNG USA për një marrëveshje 20-vjeçare për gazin e lëngshëm natyror amerikan”, theksoi ambasadorja.
Ajo tha se angazhimi prej 6 miliardë dollarësh forcon sigurinë energjetike dhe sigurinë kombëtare në të gjithë rajonin.
“Kur Shtetet e Bashkuara, Shqipëria dhe Greqia punojnë së bashku, ky rajon është më i lidhur, më i sigurt dhe më i begatë”, tha ambasadorja Guilfoyle.
Marrëveshja synon ndërtimin e infrastrukturës në Vlorë për importin e gazit të lëngshëm nga SHBA-ja dhe rigazifikimin e tij për furnizimin e Evropës Jugore.
Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës i Shqipërisë, Enea Kakaraçi, gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes tha se partneriteti me SHBA-në reflekton një vizion të përbashkët për të ndërtuar një të ardhme energjetike të sigurt dhe të qëndrueshme.
“Një shtyllë qendrore e këtij vizioni është zhvillimi i Qendrës Energjetike të Vlorës që është një komponent, një projekt shumë komponencial që do të ripërcaktojë rolin e Shqipërisë në këtë hartë energjetike”, tha ai.
Qendra Energjetike e Vlorës
Qendra Energjetike e Vlorës, parashikuar për të prodhuar 97 MW energji elektrike në vit u ndërtua në tetor të vitit 2011.
Qëllimi i tij ishte të prodhonte energji elektrike nga nafta/gazi dhe të ulte varësinë e Shqipërisë nga hidrocentralet dhe të zgjidhte problematikat me furnizimin me energji elektrike në kushtet e pikut të ngarkesës si dhe në kushtet e mungesës së reshjeve.
Projekti u financua nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, Banka Botërore, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim si dhe Banka Evropiane e Investimeve, BEI.
Vlera e projektit ishte 130 milionë euro. Pas përfundimit, pati probleme teknike serioze, kryesisht me sistemin e ftohjes, dhe që nga viti 2012 ka qenë kryesisht i mbyllur. Vitet e fundit, Qeveria shqiptare ka diskutuar disa plane për ta riaktivizuar, por nuk ka pasur asnjë vendim.
Ambasadorja amerikane në Athinë e cilësoi Shqipërinë një partnere të palëkundur të SHBA-së dhe vend me rëndësi të jashtëzakonshme strategjike për Ballkanin dhe Evropën.
“Presidenti Trump ka qenë kampion i zjarrtë i sigurisë energjetike. Vizioni dhe veprimet e tij kanë përforcuar faktin se ofrimi i një energjie të qëndrueshme forcon SHBA-në dhe aleatët tanë strategjikë. Administrata Trump e ka ngritur bashkëpunimin energjetik si shtyllë në mbarë botën. Dhe, nënshkrimi i sotëm është manifestim i prekshëm i kësaj përpjekjeje”, deklaroi Guilfoyle.
Ambasadorja gjithashtu theksoi se SHBA-ja mbështet Ballkanin që është më i ndërlidhur, më i sigurt në aspektin energjetik dhe më i begatë dhe Shqipëria, siç tha ajo, është thelbësore për këtë vizion.
Edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e cilësoi këtë marrëveshje me një rëndësi të jashtëzakonshme.
“Vlora do të kthehet në një pikë kritike për energjinë në Evropën Juglindore. Theksoj rëndësinë e nevojës të Shqipërisë e të Greqisë për të forcuar lidhjen tonë dhe bashkëpunimin në shumë mënyra, por posaçërisht sa i takon furnizimit me energji, prodhimit energjetik dhe rezistencës së pavarësisë energjetike. Duke pozicionuar Shqipërinë si ndërlidhëse, fluksi energjetik shkon përmes Ballkanit Perëndimor, kontribuon në stabilitetin e rajonit dhe ndikon në sigurinë energjetike të fqinjëve”, tha Rama.
Kryeministri shqiptar u shpreh se partneriteti midis Shqipërisë dhe SHBA-së, përçon sot një mesazh shumë të qartë se edhe vendet e të vogla mund të bëhen pjesë e zgjidhjes së sfidave më të ngutshme siç është nevoja për energji.
Kosova, ndërkaq, nuk ka rrjet gazsjellësish për shpërndarjen e gazit natyror e as sistem të ndërtuar institucional për menaxhimin e këtij sektori.
Por në Strategjinë e Energjisë të Kosovës për periudhën 2022-2031 parashikohet mundësia që vendi të lidhet me rrjetet rajonale të gazit në të ardhmen.//REL
Debatet e brendshme, sado të forta, nuk duhet të shndrrohen në spektakël ndëshkimor publik.
Nëse kjo ndodh, problemi nuk është më mospajtimi, është frika nga mospajtimi.
Ky fakt kokëfort, ky konstatim i dukshëm, më tepër se vetë paralajmërimi, më detyron të flas.
Kur paralajmërimi publik bëhet instrument kërcënimi, heshtja nuk është më maturi, është dorëzim.
Nëse qëndrimi im për mënyrën si po funksionon partia, qeveria, shteti, konsiderohet arsye për përjashtim, atëherë po e them qetë dhe qartë: Më përjashto.
Jo si sfidë personale. Jo si dramë politike. Jo si show mediatik. Por si provë se problemi nuk është te fjala që ngre shqetësim, por te sistemi që shqetësimin nuk e duron.
Nuk kam sulmuar Partisë Socialiste. Kam kritikuar modelin që në disa aspekte po dëmton edhe Partinë Socialiste.
Kam folur për ndarjen e partisë nga shteti. Për rrezikun që politika të zëvendësohet nga administrimi. Për një logjikë kontrolli. Ku struktura burokratike dhe pushteti administrativ rrezikojnë të marrin vendin e përfaqësimit politik.
Nëse këto konsiderohen arsye për përjashtim, atëherë pyetja nuk është pse flas unë. Pyetja është pse këto gjëra nuk lejohen të thuhen.
Pushteti nuk dobësohet nga kritika. Pushteti dobësohet kur humb aftësinë për vetëkorrigjim.
Nëse në një forcë politike që ka lindur si projekt emancipimi kombëtar, kritika trajtohet si devijim, atëherë problemi është më i thellë se çdo debat. Është krizë kulture politike.
Nëse të kërkosh që institucionet të mos kontrollohen, personalizohen, instrumentalizohen, është faj, atëherë më përjashto.
Nëse të kërkosh garë e meritë, brenda e jashtë partisë është faj, më përjashto.
Nëse të kërkosh që socialistët të mos zëvendësohen nga një model “drejtorokracie”, ku kontributi politik zbehet përballë kontrollit administrativ, qenka mungesë disipline, më përjashto.
Nëse të mendosh se pushteti duhet të njohë vetkufizim, dhe nuk duhet të njësohet me strukturat që e rrethojnë, qenka herezi e papranueshme, më përjashto.
Nuk po mbroj një pozicion. Aq më pak një kolltuk. Kryetarllëkun dhe ministërllëkun nuk ma ka lënë gjyshi apo gjyshja. Po mbroj një parim.
Në politikë mospajtimi nuk është thyerje e besnikërisë.
Mospajtimi është forma më e lartë e besnikërisë.
Kur refuzimi për t’u bërë pjesë e një automatizmi votash në Parlament interpretohet si largim nga grupi, atëherë problemi nuk është disiplina, por ideja se bindja kërkohet e verbër, pa arsyetim, pa marrë parasysh pasojat.
Kur refuzohet bindja si ritual, nuk po mbrohet uniteti, por po kërkohet nënshtrim.
Kur ndërgjegjja trajtohet si shkelje disipline vetëm sepse nuk dakordësohet me automatizmin e veprimeve, atëherë problemi nuk është mospajtimi, por modeli që e ngatërron bindjen me nënshtrimin, duke tentuar të normalizojë deri edhe abuzimin. Nëse edhe këtë e kam gabim, më përjashto.
Por të paktën të bëhet e qartë se përjashtimi nuk po ndodh sepse dikush ka tradhtuar partinë. Po ndodh sepse dikush ka refuzuar të heshtë për mënyrën si po vepron pushteti në emër të saj.
Dhe kjo nuk është çështje personale. Është çështje se si kuptohet politika. Çfarë ndodh me një parti kur qoftë edhe një akt politik mosvotimi shihet si armiqësi? Çfarë ndodh me një shtet kur kundërshtimi trajtohet si kërcënim? Çfarë ndodh me një shoqëri kur bindja kërkohet si nënshtrim?
Këto nuk janë pyetje për fatin tim, të cilin e bëj vetë pa ndihmën e askujt. Janë pyetje për mënyrën si qeveriset.
Kërcënimi për përjashtim nga grupi më shqetëson më pak se ideja se mund të normalizohet mendimi që një grupim politik duhet të funksionojë përmes frikës.
Një formacion politik ku askush nuk kundërshton, nuk është i fortë. Është i heshtur dhe duhet ruajtur nga zgripi.
Heshtja politike ka qenë gjithmonë paralajmërim i së keqes.
Jo rrallë, nuk tremb forca reale e kundërshtarit.
Tremb jehona që i bëhet frikës.
Shumë struktura kontrolli mbahen jo aq nga forca e tyre, sa nga përfytyrimi i rrejshëm që të tjerët kanë për forcën e tyre, për mekanizma që mbijetojnë nga frika që prodhojnë. Nëse nuk dakordësohemi as për kaq, më përjashto.
Nëse nuk respektohet e drejta të flas, madje dhe të bërtas, kur familja ime politike fillon të ketë frikë nga fjala, nuk ka dilemë, zgjidhja është 1, më përjashto.
Presidenti i PL-së, Ilir Meta ka reaguar pas komenteve të shumta për gjendjen e tij fizike, pas daljes së parë në publik që prej arrestimit të tij. Meta është shprehur se gjendja e tij fizike dhe shëndetësore, po ashtu edhe ajo mendore është më e mirë se kurrë.
Ai është shprehur se është kampion në ping-pong në burg, ndërkohë që ky sport i është ndaluar ta ushtrojë në qeli një muaj më parë.
Meta iu përgjigj dhe komenteve për dobësimin, modelin e flokëve po ashtu dhe për lëkurën. “Gjendja ime fizike, shëndetësore dhe mendore është më e mirë se kurrë, pavarësisht gjithë privacioneve të bëra publike.
Që nga 2 korriku i 2025, kur jam dënuar pa një akt vendimi ende zyrtar edhe sot vazhdojnë të gjitha kufizimet, përveç gjësë më të parëndësishme, ping-pongut, i cili është hequr si “sanksion” para një muaji.
Me këtë rast dua t’ju siguroj se mbetem kampion absolut dhe me reflekse të jashtëzakonshme. Sa për dijeni, nënkampioni këtu është një 30-vjeçar, që dikur ka qenë edhe futbollist. Nëse më rrinte kostumi i madh, kjo nuk ka të bëjë me faktin se më kanë lënë pa ushqim, siç është thënë, por me aktivitetin tim fizik që më merr të paktën 4 orë në ditë, e sidomos me ushtrimet për muskujt e barkut.
Po kështu, dieta ime është shumë e shëndetshme falë edhe përkujdesjes së motrës time dhe jo vetëm. Nëse shqetësimi është për modelin e flokëve, këtu nuk ka berber profesionist dhe ky nuk është problemi.
Nëse problemi është te lëkura, mos harroni se këtu uji është plot klor dhe do të më mjaftonte një javë në lumin e Valbonës ose të Shalës për ta bërë më të shndritshme lëkurën edhe se të (b)analistëve që bëjnë “make up” para se të dalin në studio për të shfokusuar opinionin publik nga 2 skandalet e GJKKO-së dje”, është shprehur Meta.
KUFIZIMET
Meta ka folur dhe për kërkesat e tij që gjyqi të transmetohet live, po ashtu ti jepet mundësia që të mos qendrojë në kafazin e xhamit.
“Së pari, në kundërshtim edhe me deklaratën e Komitetit Shqiptar të Helsinkit kundër përdorimit të kafazit si mënyrë denigruese, antikushtetuese dhe në dhunim të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, pa surprizë GJKKO vendosi si standard dje rastin e trajtimit të një terroristi maroken në Francë, përgjegjës për sulm kamikaz me pasojë vdekjen e dhjetra qytetarëve francezë.
Ky është një turp i ri i Ramaformës dhe pjellave të tij. Se si mund të jetë procesi i barabartë në këto kushte kur as dëgjon mirë, as dëgjohesh mirë dhe as kur mund të konsultohesh me avokatin, këtë vetëm njerëz të kapur dhe të pafytyrë mund ta justifikojnë.
Pra përjashtimi ekstrem mbi precedentin e një terroristi, pranohet si “standard” nga Gjykata Speciale e një vendi anëtar të Këshillit të Europës e që do të anëtarësohet në BE.
Skandali i dytë është vendimi për të penguar transmetimin live të gjithë procesit të gjykimit kur çështja është e interesit të lartë publik dhe qytetarët nuk kanë pse informohen nga gazetarë patronazhistë pranë SPAK-ut e regjimit në mënyrë të deformuar, por duhet të dëgjojnë vetë akuzat edhe provat e pretenduara nga SPAK-u, por edhe faktet dhe provat e mia, pasi kam mbajtur tre funksionet më të larta të shtetit si asnjë tjetër në historinë e Shqipërisë që në 1912 dhe duhet të jap llogari edhe para qytetarëve.
Ndaj edhe duhet të shohin live se kur, si dhe me çfarë akti, vendimi, veprimi unë i kam shkaktuar një qindrakë dëm shtetit shqiptar. Ky proces edhe live do të jetë sipas rregullave të Gjykatës (dhe jo Kuvendit), e cila ka të drejtë të sanksionojë cilindo që shkel etikën e procesit apo del jashtë objektit të gjykimit. Për më tepër, në këtë proces nuk ka të penduar, por edhe nëse do të kishte në këtë rast s’kishte pse të jepej live.
Ndërsa alibia se mund të ndikohen dëshmitarët është mashtrim, pasi ata i kanë dhënë me kohë dëshmitë dhe nën përgjegjësi penale.
Po kështu tani ato mund të publikohen, siç kemi bërë edhe ne për disa prej tyre.
Transparenca e këtij procesi është tmerri i Edi Ramës, sepse ai është vetë kallëzuesi i rremë, prokurori militant e falsifikues dhe po kështu edhe gjykatësi i vetëm i këtij procesi, pavarësisht se një herë shfaqet me pantallona e herën tjetër me fund.
Ai mund të shfaqet edhe nudo se se ka për herë të parë.
Po kështu, transmetimi live do i tregonte opinionit publik nivelin e vërtetë profesional dhe moral të “specialëve”. Ndaj edhe nuk garantohet ky standard transparence i vendosur që nga gjyqi i 2 Prillit 92-93”, thekson Meta. Panorama
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha reagoi sot në lidhje me shfaqjen në publik të Ilir Metës në kafazin prej xhami të gjykatës, që prej arrestimit të tij.
Berisha denoncoi, atë që e quan ‘trajtim çnjerëzor të Ilir Metës’, ndërsa theksoi se kjo është një hakmarrje primitive e Edi Ramës.
Po ashtu, Berisha tha se ndaj Ilir Metës është ushtruar jo vetëm dhunë psikologjike, por edhe dhunë fizike dhe provokacione nga më të ulëtat.
“Ish Presidenti i Republikës i Kryetar i Parlamentit dhe ish Kryeministri aktualisht kryetari i PL i burgosur politik u paraqit dje në sallën e gjyqit i ndryrë në kafaz xhami sikur të ishte një terrorist i rrezikshëm, ndonëse ndaj tij nuk ekziston asnjë prove e faktuar për ndonjë vepër penale. Ky akt çnjerëzor brutal i urdhëruar nga Rama riktheu para shqiptarëve skenat e gjyqeve politike stalisnite të Enver Hoxhës. Ndaj Ilir Metës është ushtruar dhunë dhe terror psikologjik, madje edhe fizik. Janë organizuar provokacione ndër më të ulëtat dhe të rrezikshme, janë dhunuar të drejtat kushtetuese elementare”, tha Berisha.
Deklarata e Berishës për Ilir Metën
Ish-presidenti i Republikës, ish-kryetari i parlamentit dhe ish-kryeministri i vendit, Ilir Meta, aktualisht kryetari i partisë së dytë më të madhe opozitare, Partisë së Lirisë, i burgosur politik, u paraqit dje në sallën e gjyqit i ndryrë në kafaz xhami sikur të ishte një terrorist i rrezikshëm, ndonëse ndaj tij nuk ekziston asnjë provë e faktuar për një vepër penale të çdo natyre qoftë ajo.
Ky akt çnjerëzor brutal, i urdhëruar direkt nga Edi Rama, riktheu para shqiptarëve skenat e gjyqeve politike staliniste të Enver Hoxhës, babait shpirtëror të Edi Ramës, dhe skulptorit xhelat, Kristaq Rama, babait biologjik të Edi Ramës.
Ky akt hakmarrës i verbër nuk është një qëndrim i rastit dhe as i izoluar ndaj ish-presidentit, ish-kryeministrit, ish-kryetarit të parlamentit, zotit Ilir Meta.
Në tetor të vitit 2024, me urdhër direkt të Edi Ramës, Ilir Meta u arrestua nën filmim, tek hynte në Tiranë, nga policia pa i paraqitur asnjë fletë arresti.
Ai u nxor me forcë në rrugë nga makina me të cilën udhëtonte nën mbrojtjen e Gardës së Republikës, u tërhoq zvarrë dhe u godit para kamerave nga policë të porositur për aktin e tyre dhe si person nën hetim u dërgua në burg.
Gjatë këtyre 17 muajve në burg, si person nën hetim dhe në kundërshtim me Kushtetutën, ndaj Ilir Metës, është ushtruar dhunë dhe terror psikologjik periodik, madje edhe fizik.
Janë organizuar provokacione ndër më të ulëtat dhe më të rrezikshme.
I janë dhunuar të drejtat kushtetuese më elementare.
Partia Demokratike denoncon dhe dënon me forcën më të madhe arrestimin, paraburgimin, qëndrimet çnjerëzore në burg dhe në sallën e gjyqit, të urdhëruara direkt nga Edi Rama, bastardi i bllokmenëve hoxhistë ndaj kryetarit të PL, Ilir Meta dhe kërkon lirimin e tij të menjëhershëm nga paraburgimi.
PD i bën thirrje Komitetit Antitorturë të Këshillit të Europës të ndërhyjë me urgjencë ndaj akteve të hakmarrjes primitive antikushtetuese ndaj Ilir Metës të Edi Ramës, armik i egër i pluralizmit politik dhe Ramaduro i parë dhe i vetëm në Europë.
TIRANË- Ish-Presidenti Ilir Meta është rishfaqur ditën e sotme për herë të parë në publik pas arrestimit të tij. Siç shihet në pamjet e mëposhtme që Dosja.al, ka siguruar nga nisja e seancës gjyqësore në GJKKO, Meta duket se ka pësuar ndryshime në pamjet e tij të jashtme.
Videoja e mëposhtme tregon ish-presidentin Meta pak ditë para arrestimit të tij vitin e kaluar. Dukshëm Meta duket më sportiv ku çdo mëngjes bënte vrapin e tij, të cilin e ndante dhe me ndjekësit e tij.
Ndërkohë që videoja tjetër tregon Metën ditën e sotme në seancën gjyqësore në GJKKO. Meta se në këto muaj izolim ka rënë në peshë duke pësuar një ndryshim në pamje. Por dhe mungesa e dritës dhe diellit kanë ndikuar, duke i zbardhur tiparet e fytyrës, vetullat, mjekrën dhe flokët./Dosja.al
Ministri i Punëve të Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi një konferencë të përbashkët për shtyp me Izet Mexhitin, kryetar i Lëvizjes Demokratike në Maqedoninë e Veriut dhe njëkohësisht kryetar i Komunës së Çairit.
Gjatë konferencës, Hoxha u pyet në lidhje me publikimin e një mesazhi që i atribuohet atij, ku pretendohet se u referohet shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut me fjalën “idiotë”.
Në përgjigjen e tij, ai nuk mohoi drejtpërdrejt ekzistencën e mesazhit, por theksoi se bëhet fjalë për një çështje të kaluar tashmë. Hoxha u shpreh se situata i përket javës së kaluar dhe se ai ka dhënë sqarimet e nevojshme për gjithçka që është pretenduar.
“Keni mbetur te java e kaluar, ndërkohë që gjërat kanë evoluar. Unë kam bërë të gjitha sqarimet e mia për çdo pretendim. U krijua një lloj tymnaje, por tashmë ajo është tejkaluar. Jam i hapur për t’u takuar në çdo kohë dhe në çdo rrethanë, pavarësisht nëse biem dakord apo jo, sepse edhe brenda një familjeje ka mosmarrëveshje,” tha ai.
Ministri shtoi më tej se nuk ka vend për interpretime të tjera mbi atë që është diskutuar dhe mbi bashkëpunimin në vijim, duke theksuar se nuk ka asnjë “tymnajë” që mund të ndikojë marrëdhëniet mes palëve apo të pengojë objektivat e përbashkëta. bw