VOAL

VOAL

Arta Dade refuzon medaljen dhe ftesën për tubimin e sotëm, ‘shuplakë’ Ramës: Shpirti i PS-së s’është në antimitingun, por në sheshin e rinisë

Ish-deputetja dhe ish-ministrja e Jashtme, Arta Dade, ka refuzuar ftesën e kryesocialistit Edi Rama për të marrë pjesë në organizimin që do të mahet sot në sheshin ‘Italia’ për 35-vjetorin e themelimit të PS. Ajo doli hapur kundër, duke kritikuar zhvillimet brenda PS-së dhe organizimin e një “antimitingu”, siç e cilëson ajo. Dade thekson se socialistët e vërtetë, sipas saj, nuk gjenden në aktivitetet e organizuara nga lart, por në sheshin ku prej 13 ditësh po zhvillohet protesta e rinisë për dinjitet dhe të drejta sociale.

Ajo shprehet se Partia Socialiste nuk ka qenë historikisht parti e kundër-protestave të organizuara, por një forcë politike që ka lindur si “avangardë e ndryshimit” dhe ka qenë në ballë të zhvillimeve të rëndësishme historike në vend.

Në deklaratë, Dade kritikon ashpër mënyrën e funksionimit të sotëm të PS-së, duke e cilësuar situatën aktuale si një “tjetërsim” të partisë dhe duke e akuzuar për korrupsion, klientelizëm dhe arrogancë të pushtetit. Ajo përmend gjithashtu se protesta e rinisë nuk është kundër së majtës, por përfaqëson kërkesa sociale dhe barazi, duke e cilësuar atë si një thirrje për rikthimin e vlerave të së majtës.

Dade kritikon edhe ish-funksionarë të PS-së që, sipas saj, rreshtohen në “antimiting”, duke i cilësuar si të motivuar nga interesa personale dhe jo nga parime politike. Në përfundim, ajo bën thirrje për një “të majtë të rilindur”, me moral, integritet dhe afër qytetarëve, duke theksuar se “ora e rikthimit ka trokitur”.

REAGIMI I DADES
Sot, socialistët e vërtetë, ata që u rritën me idealet e drejtësisë shoqërore, nuk gjenden në antimitingun e thirrur “nga lart”. Ata janë aty ku ka qenë gjithmonë shpirti i të majtës, në sheshin ku prej 13 ditësh rinia po proteston për dinjitet. Partia Socialiste nuk ka qenë kurrë partia e kundër-protestave të organizuara me administratë dhe presion. Ajo lindi si avangardë e ndryshimit dhe ka ditur të jetë edhe në vitet më pas, në krye të çdo kthese historike të vendit. Ai shesh që kërkon të mbushë sot zoti Rama nuk përfaqëson historinë e saj, por tjetërsimin e saj.

Vendi im sot është aty ku kam qenë gjithmonë dhe e di që sot flas në emër të çdo socialisti që nuk e ka shitur kujtesën. Socialistët e vërtetë kanë qenë në krye të përballjeve në vitet më të errëta të tranzicionit, në ’92, në ’94, në vitin tragjik ’97, dhe në atë 21 Janar të përgjakur që pasoi krimin shtetëror të Gërdecit. Kemi qenë aty përballë Sali Berishës dhe regjimit të tij. Tragjedi është se ai sistem që luftuam nuk u shkatërrua. Ai u betonua nga ai që sot ka zaptuar kreun e PS-së. Refuzimi im i sotëm është ndaj tij dhe ndaj antimitingjeve të korrupsionit e të fasadës, të cilat i përkulen vetëm parasë e pushtetit, dhe harrojnë gjakun e derdhur në bulevard.

Z.Rama po përpiqet ta shesë revoltën e rinisë si një lëvizje destabilizuese, por e vërteta është krejt ndryshe. Mbi të gjitha, kjo protestë nuk është kundër së majtës. Përkundrazi, ajo ka kërkesa thellësisht të majta dhe sociale, kërkesa për barazi, për mundësi, për mbrojtjen e atyre që kjo qeverisje i ka lënë pas dore. Ndaj ​kjo është një revoltë edhe kundër zaptimit të së majtës. Ajo që ndodhi me Partinë Demokratike në vitin ’90, kur Sali Berisha e ktheu atë në pronë private dhe zaptoi të djathtën, po përsëritet sot simetrikisht me Partinë Socialiste. Ky zaptim duhet të marrë fund.

Asnjë forcë tjetër politike në historinë moderne të Shqipërisë nuk ka bërë më shumë për shtetformimin dhe progresin sesa Partia Socialiste. Por së fundmi, në trupin e kësaj partie janë rritur tumore të rrezikshme, korrupsioni galopant, klientelizmi dhe së fundmi arroganca e pushtetit absolut. ​Diferenca historike e PS-së ka qenë aftësia e saj për vetëkorrigjim. Socialistët e vërtetë janë vetëpastruar përmes vullnetit, idealeve dhe zërit kritik, jo përmes duartrokitjeve servile nëpër anti mitingje të rreme. ​Në këtë ndarje të madhe epokale, është e dhimbshme dhe zhgënjyese të shohësh disa ish-përfaqësues të Partisë Socialiste, njerëz me të cilët kemi ndarë beteja të vështira, që sot do rreshtohen në atë antimiting. Të vjen vërtet keq për rënien e tyre morale. ​Është e trishtueshme të konstatosh se si këto figura që dikur kishin zë, sot pranojnë të përdoren si dekor, të nxitur nga interesa të vogla, meskine të çastit.

Nuk përfaqësojnë më asgjë veçse kompromisin e tyre personal me të keqen. Duke pranuar të bëhen mburojë e korrupsionit, ata kanë dorëzuar dinjitetin e tyre përpara historisë së kësaj partie, duke zgjedhur të jenë në anën e gabuar të sheshit dhe të kohës. Shqipëria ka sot nevojë për një të majtë të rilindur mbi idealet e saj fillestare. Ka nevojë për një shpallje platforme për të rikthyer shtëpinë ideologjike të së majtës te njerëzit. Ka nevojë për një organizatë politike me moral, me integritet dhe me sytë nga populli, jo nga xhepat.

Ora e këtij rikthimi ka trokitur! BW

SPAK: Skema e dyshuar e pastrimit të parave pas shitjes së tokave në Zvërnec – Reporter.al

 

Manastiri i Zvërnecit. Foto: Vladimir Karaj

Më 28 maj 2026, një notere ngjiti shkallët e Prokurorisë së Posaçme për të dëshmuar mbi disa kontrata për shitblerjen e tokave në zonën e Zvërnecit- aty ku pritet të ndërtohet një resort masiv i prezantuar fillimisht nga Jared Kushner – dhëndri i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Përballë oficerëve të Policisë Gjyqësore, noterja pranoi fillimisht që t’i kontrollohej telefoni, por më pas u pendua. Megjithatë, nga këqyrja e pjesshme u përftuan mesazhe dhe dokumente që hedhin dritë mbi një skemë të dyshuar pastrimi parash pas transaksioneve me tokat në Zvërnec, të cilat përfshijnë një rrjet personash të hetuar më parë, avokatë dhe ndërmjetës.

Sipas një vendimi të Gjykatës së Posaçme për autorizime kontrolli, transaksionet me tokat dyshohet të jenë lehtësuar gjithashtu nga persona të lidhur me kompaninë “Kastrati Group”.

Vendimi i gjykatës shpjegon se nga nëntori 2025 deri në maj 2026 u nënshkruan një seri kontratash shitblerjeje me një vlerë totale prej 211 milionë euro – përmes së cilës pronësia e tokës në gjurmët e projektit transferohej nga Artur Shehu dhe personat e lidhur me të drejt kompanisë “Albania Land Development” në pronësinë e dy vëllezërve miliarderë nga Katari, Ramez dhe Mohamad Al-Khayyat – të prezantuar si investitorë të projektit.

Gjatë këtyre transaksioneve të ngutshme, çmimet e pronave u rritën me 22 herë – çka e ka shtyrë Prokurorinë që të hetojë një skemë të mundshme të pastrimit të parave në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Planet kontroverse për ndërtimin e një resorti masiv në zonën e mbrojtur Pishë Poro – Nartë kanë nxjerrë dhjetramijëra shqiptarë në protesta të përditshme prej 31 majit në Shqipëri dhe diasporë me kërkesa për anulimin e projektit dhe dorëqjen e kryeministrit Edi Rama.

Rama i ka zhvlerësuar protestat dhe ngulmon se projekti do të bëhet, ndërkohë që ka mohuar ekzistencën e një projekti përfundimtar.

Sipas dokumenteve gjyqësore, një sipërfaqe prej mbi 1 milion metra katrorë në zonën kadastrale 3951 në emër të Artur Shehut u vlerësua fillimisht me 5.5 milionë euro në nëntor 2025, por u shit pesë muaj më vonë me një çmim prej 122 milionë eurosh. Të tjera parcela të vlerësuara fillimisht me 300 mijë euro, u shitën për afro 19.2 milionë euro me një rritje prej 64 herësh brenda pak muajsh.

Këto të dhëna dhe bisedat e shtynë SPAK të kërkonte nga Gjykata leje për kontroll të zyrave dhe shtëpive për 7 persona, përfshi persona të lidhur me Artur Shehun dhe Redi Strugën – i pari i akuzuar për lidhje me krimin e organizuar dhe i dyti, një nga figurat kyçe në transaksionet e tokave si administrator i kompanisë “Albania Land Development”.

Prokuroria e Posaçme nuk ka komentuar mbi hetimin, ndërkohë që kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Prokuroria kishte sekuestruar paratë e transferuara nga investitorët e huaj në Shqipëri për shkak se po hetonte mbi pretendimet e pronësisë.

Kompania “Kastrati Group” nuk iu përgjigj një kërkese për koment deri në publikimin e shkrimit.

Transferta aksionesh dhe pronash

Tokat në Zvërnec janë prej dy dekadash objekt i konflikteve gjyqësore mes banorëve të zonës, që pretendojnë se i kanë përfituar ato përmes Aktit të Marrjes së Tokës në Pronësi, (AMTP) dhe Artur Shehut – një figurë kontroverse me origjinë nga Vlora që jeton prej dy dekadash në Florida të Shteteve të Bashkuara.

Një sipërfaqe më e vogël toke rezulton në emrin e Ferdinant Sulajt, trashëgimtar i familjes Shehu dhe sipërfaqe të tjera janë tjetërsuar në emër të Pullumb Petritajt, ish-avokat i familjes në proceset e gjata gjyqësore.

Tokat janë regjistruar në Kadastër bazuar mbi një vendim të Gjykatës së Apelit Tiranë, i prishur më pas nga Gjykata e Lartë. Në vendimin e qershorit 2024 të Gjykatës së Lartë referohet se disa prej dokumenteve të përdorura gjatë proceseve gjyqësore kanë rezultuar të falsifikuara.

Në fillim të vitit 2025, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama ka miratuar dy leje zhvillimi dhe një leje për përgatitje kantieri në pranverën e vitit 2025, por asnjëra prej tyre nuk është zbardhur.

Lejet e zhvillimit iu dhanë kompanisë “Zvërnec South Adriatic Development”, fillimisht e regjistruar offshore si trust në Holandë nën pronësi të panjohur dhe prej 7 majit 2026, nën zotërimin e kompanisë së regjistruar në Doha të Katarit, “Sazan Development Holding LLC” me aksionerë dy vëllezërit Al Khayyat dhe dy kompani të tjera të regjistruara në Luksemburg dhe Delaëare të Shteteve të Bashkuara – gjithashtu zona offshore.

Sipas hetimeve paraprake të Prokurorisë së Posaçme, SPAK, blerësi kyç i tokave në zonën ku pritet të shtrihet projekti është biznesmeni Redi Struga – themelues i kompanisë “Albania Land Development” që tashmë zotërohet nga vëllezërit Al Khayyat. Por Struga rezulton gjithashtu një nga shitësit e mëdhenj të tokës përmes kompanisë së tij “South Adriatic Development”, e cila zotëronte 1.2 milionë metra katrorë në zonë.

Dokumentet e hetimit paraprak tregojnë transaksione mes kompanisë “South Adriatic Development” më cilësinë e shitësit dhe “Albania Land Development” si blerës – të dy kompani të administruara nga Struga, të cilat kanë pasur gjithashtu shumëfishim të çmimit brenda një kohe të shkurtër.

Sipas kontratës së premtim- shitjes mes dy kompanive, në nëntor 2025 toka është vlerësuar për 6.4 milionë euro, ndërkohë që kontrata finale e shitjes ka një çmim prej 70 milionë eurosh; ku vlera fillestare e 6.4 milionë eurove cilësohen si parapagim.

Negociata në prapaskenë

Edhe pse transaksionet me pronat janë kryer në emër të kompaninë “Albania Land Development” të administruar nga Struga, dy dëshmitarë deklaruan në Prokurori se në prapaskenë vepruan edhe persona të lidhur me grupin “Kastrati”.

Sipas dokumentit që BIRN disponon, noterja dhe djali i njërit prej pronarëve pretendues të tokës dëshmuan në prokurori se bisedimet për tjetërsimin e tokave u lehtësuan nga persona të prezantuar si të lidhur me konglomeratin Kastrati.

Dëshmitë hedhin dritë mbi një skemë ku, përtej letrave zyrtare, palët negocionin asete të padeklaruara. Në njërin prej rasteve, dëshmitari tha se priste të merrte në këmbim të tokës në Zvërnec apartamente dhe garazhe në vlerën e 2 milionë eurove, ndërsa kishte marrë si parapagim nga kompania “Kastrati” një makinë S Class në vlerën e 220,000 euro, e cila do të shlyhej pas kalimit të parave nga shitja e pronave.

Në një dëshmi të dytë, noterja që kreu transaksionet deklaroi se ishte punësuar për të lidhur kontratat mes palëve nga punonjës të “Kastrati Group”, por pretendoi se bisedat me ta ishin fshirë nga telefoni i saj.

Gjithsesi, këqyrja e pjesshme e telefonit të saj zbuloi biseda me avokatin Enkes Hysendhima, i cili e udhëzonte noteren se si të justifikohej origjina e sipërfaqeve masive të tokës në prag të shitjes.

Hysendhima është avokat dhe një nga shumë emrat e lidhur me Artur Shehun dhe me çështje të hetuara dhe gjykuara në lidhje me tjetërsime pronash në jug të vendin, por ai nuk rezulton i dënuar.

Sipas vendimit të Gjykatës, ai është një nga personat ku janë kryer kontrolle në kërkim të provave të tjera, së bashku me Pullumb Petritajn dhe fëmijët e tij, një kompani të Artur Shehut dhe kontroll personal dhe në ambientet e biznesit të Redi Strugës.

SHBA i hoqi ‘non gratën’, Berisha: U korrigjua vendimi i padrejtë ndaj meje dhe familjes sime! Falënderoj administratën Trump…

Kryedemokrati falënderon administratën e Presidentit Donald Trump dhe Sekretarin Marco Rubio për korrigjimin e këtij vendimi të padrejtë, i cili sipas tij, ishte i bazuar në lobimin korruptiv të Edi Ramës dhe mentorit të tij, George Soros.

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar heqjen e “non gratës” nga SHBA, duke e cilësuar këtë vendim si një korrigjim të një padrejtësie ndaj tij dhe familjes së tij. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Lideri i opozitës thekson se ai dhe familjarët e tij nuk janë më të privuar nga mundësia e udhëtimit në Amerikë.

Kryedemokrati falënderon administratën e Presidentit Donald Trump dhe Sekretarin Marco Rubio për korrigjimin e këtij vendimi të padrejtë, i cili sipas tij, ishte i bazuar në lobimin korruptiv të Edi Ramës dhe mentorit të tij, George Soros.

Berisha falënderon gjithashtu familjen, miqtë, bashkëpunëtorët dhe mbështetësit e Partisë Demokratike për solidaritetin e treguar gjatë kësaj periudhe, si dhe qytetarët shqiptarë që e kanë mbështetur me votë. Në fund të reagimit të tij, kreu i demokratëve u bën thirrje anëtarëve dhe mbështetësve të PD-së të vijojnë përpjekjet për rikthimin e votës së lirë dhe të ardhmes së merituar të qytetarëve shqiptarë.

Reagimi i Berishës:

Të dashur miq, Që nga dita e djeshme, pas një rishqyrtimi të thelluar nga Departamenti i Shtetit të çështjes time, unë dhe familjarët e mi nuk jemi më të privuar nga mundësia e udhëtimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra, dje u korrigjua një vendim i padrejtë i administratës së mëparshme të SHBA-së ndaj meje dhe familjes sime.

Me këtë rast, dua të falënderoj administratën e Presidentit Trump dhe Sekretarin Rubio për korrigjimin e këtij vendimi të padrejtë, i cili ishte i bazuar fund e krye në lobimin korruptiv të Edi Ramës dhe mentorit të tij, George Soros. Unë falënderoj gjithashtu familjen time, miqtë e mi shqiptar dhe të huaj, bashkëpunëtorët e mi, anëtarët dhe mbështetësit e PD-së për solidaritetin dhe mbështetjen e tyre të tejet të çmuar, të cilën e dëshmuan ndaj meje në sagen time për të vërtetën dhe dinjitetin njerëzor.

Mirënjohje të veçantë dua t’u shpreh sot mbi gjysmë milioni qytetarëve shqiptarë, të cilët, në kushtet tejet të vështira të një autokracie elektorale dhe një narkoregjimi, votuan për mua dhe Partinë Demokratike. Duke përfunduar, ftoj anëtarët dhe mbështetësit e Partisë Demokratike të vazhdojmë pa rreshtur përpjekjet tona për rikthimin e votës së lirë dhe të ardhmes së merituar të qytetarëve shqiptarë./Dosja.al

Sekuestrohen 138 mln euro nga llogaritë e “Albanian Land Development”, kompania e Redi Strugës

 

Sekuestrohen 138 mln euro nga llogaritë e “Albanian Land Development”, kompania e Redi Strugës.

Lajmi konfirmohet për BalkanWeb nga gazetarja Klodiana Lala.

Mësohet se Artur Shehu i ka shitur kompanisë “Albania Land Development” prona.

Ndërkohë mësohet se janë sekuestruar pasuritë edhe të nipave të Mirit të Gjikes, Erion dhe Adrian Ramaj. Bëhet fjalë për vila në Green Cost.

Mijëra qytetarë kërkojnë largimin e Ramës, reagon Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë: Kërkesat e protestuesve po trajtohen me arrogancë! Thirrja për institucionet

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) ka reaguar lidhur me protestat qytetare që po zhvillohen prej 12 ditësh në Tiranë, duke theksuar se kërkesat e protestuesve duhet të trajtohen me vëmendje, dialog dhe transparencë institucionale.

 

KASH shprehet kritik ndaj mënyrës së trajtimit të disa kërkesave të protestuesve, duke dënuar çdo qasje “arrogante apo shpërfillëse” ndaj shqetësimeve qytetare. Sipas këshillit, në një shoqëri demokratike është thelbësore që vendimmarrja të shoqërohet me konsultim publik dhe llogaridhënie.

Këshilli u bën thirrje institucioneve shtetërore, investitorëve dhe shoqërisë civile që të angazhohen në dialog konstruktiv, me qëllim forcimin e shtetit të së drejtës dhe mbrojtjen e interesit afatgjatë të vendit.

Reagimi i plotë:

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) shpreh mbështetjen e tij për të drejtën themelore dhe demokratike të qytetarëve shqiptarë për të protestuar paqësisht në mbrojtje të interesave kombëtare, pasurive publike, mjedisit dhe trashëgimisë natyrore të vendit. Protestat e fundit përcjellin mesazhe të qarta dhe legjitime, të cilat meritojnë vëmendje, dialog dhe transparencë nga institucionet shtetërore.
Vetëm në këtë mënyrë Shqipëria mund të përmbushë detyrimet që rrjedhin nga procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke garantuar respektimin e pronës private dhe të drejtave të ligjshme të qytetarëve, duke promovuar një model zhvillimi në bashkëpunim dhe në shërbim të komunitetit, si dhe duke kundërshtuar e parandaluar çdo përpjekje korruptive që cenon integritetin e këtyre proceseve dhe besimin e publikut tek institucionet.

KASH vlerëson se këto protesta nuk lidhen vetëm me çështjen konkrete që i ka nxitur ato. Ato pasqyrojnë gjithashtu shqetësime më të thella, të akumuluara ndër vite në opinionin publik, të lidhura me perceptimin mbi korrupsionin e përhapur, pandëshkueshmërinë dhe, në disa raste, mbrojtjen politike që u ofrohet individëve të përfshirë në afera të ndryshme me interes publik. Këto perceptime kanë dëmtuar besimin e qytetarëve tek institucionet dhe kërkojnë reflektim serioz nga të gjithë aktorët politikë dhe institucionalë.

Këshilli shpreh shqetësimin për mënyrën se si janë trajtuar disa nga kërkesat e protestuesve dhe dënon çdo qasje arrogante apo shpërfillëse ndaj shqetësimeve qytetare. Në një shoqëri demokratike, dëgjimi i zërit të qytetarëve, konsultimi publik dhe llogaridhënia janë pjesë e pandashme e vendimmarrjes së përgjegjshme.

KASH mbështet investimet e huaja strategjike që sjellin zhvillim ekonomik, vende pune dhe modernizim për Shqipërinë. Megjithatë, çdo investim i tillë duhet të bazohet në transparencë të plotë, respektim rigoroz të ligjit, mbrojtje të mjedisit dhe garantim të interesit kombëtar.

Veçanërisht kur bëhet fjalë për zona me rëndësi strategjike, bregdetare apo ekologjike, është e domosdoshme që proceset vendimmarrëse të jenë transparente, të konsultuara me publikun dhe komunitetet e prekura, si dhe të shoqërohen me garanci të qarta për mbrojtjen e sovranitetit, pronës publike dhe pasurive kombëtare.

KASH u bën thirrje institucioneve shtetërore, investitorëve, komuniteteve lokale dhe shoqërisë civile të angazhohen në një dialog të hapur dhe konstruktiv, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm, forcimit të shtetit të së drejtës dhe mbrojtjes së interesit afatgjatë të Shqipërisë. bw

“Jemi kundër dyshes që kanë marrë peng vendin” Protestuesi: Shantazhet dhe kërcënimet më të mëdha vijnë nga njerëzit pranë opozitës

TIRANË- Një protetsues ka deklaruar se turma po proteston kundër dyshes Rama-Berisha që sipas tyre, kanë marrë peng vendin.

Gjatë grumbullimit të protestës së 12-të kundër politikave në vend, qytetari tha se ka pasur shantazhe dhe kërcënime nga njerëz afër opozitës.

“Që nga dita e parë që ka nisur kjo protestë dhe i kam prijë, dua të them që problemet e 35 viteve nuk zgjidhjet për 10. Jemi kundër dyshes që kanë marrë peng vendin, jemi kundër dyshes, Rama-Berisha. A keni parë ndonjëherë tubime kaq të sinkronizuar, në të gjithë botën ku ka shqiptarë. Po të dihej se kush është këta do e kishin kapur, por duke qenë se është vullnet popullor nuk kanë çfarë të bëjnë, Por shantazhet dhe kërcënimet më të mëdha vijnë nga njerëzit pranë opozitës…”, u shpreh protestuesi./Dosja.al

Revolta masive kundër Ramës “Pjesëmarrje historike në protesta dhe marshim”, Kulluri: Kjo lëvizje është më e fortë se viti ’97! Në shesh ishin mbi 40 mijë njerëz

Ndërsa kryeqyteti përgatitet për protestën e 12-të radhazi të thirrur kundër qeverisë së Edi Ramës, analisti Edvin Kulluri, i ftuar në programin e drekës në News24, ka bërë një bilanc të shifrave dhe frymës së kësaj kryengritjeje qytetare.

Sipas Kullurit, pjesëmarrja në marshimet e fundit ka qenë historike, duke prekur shifra që i kalojnë parashikimet, ndërsa theksoi se këtë herë në shesh ka dalë pjesa më vitale dhe e ndershme e shoqërisë.

Analisti deklaroi se ndryshe nga protestat e zakonshme politike, kjo e sotme ka një shtrirje të gjerë sociale që buron nga pamundësia ekonomike dhe revolta ndaj sistemit.

“Po e them me rezervë, kanë qenë të paktën 40 mijë njerëz në marshimin pas protestës. Ka dalë shtresa e mesme, punëtorët, njerëz që punojnë me nder në këtë vend,” u shpreh Kulluri në News24.

Kulluri u ndal gjatë te kriza e thellë ekonomike dhe sociale që po kalon rinia shqiptare, duke e vënë theksin te pamundësia për të përballuar jetesën në Tiranë dhe rritjen galopante të çmimeve të pronave.

“Ka dalë një rini që nuk ka alternativë përpos se të largohet ose të nënshtrohet. Është brezi i parë që nuk ka mundësi të blejë një shtëpi në këto 35 vite. Në Tiranë sot nuk paguajnë dot as qiranë. Kemi mijëra prindër që përcjellin me lot fëmijët e tyre përditë drejt emigrimit.”

Në analizën e tij, Kulluri bëri edhe një krahasim të fortë historik, duke e cilësuar këtë lëvizje si një moment kthese për vendin, madje më të fuqishëm se trazirat e vitit 1997.

“Themeluese e korrupsionit” Ish-ministrja socialiste, Ermelinda Meksi pro deklaratës së Petro Koçit për Ballukun: Largimi i figurave të PS, duhet reflektim!

Ish-deputetja dhe ish-ministrja Ermelinda Meksi ka reaguar lidhur me deklaratat e bëra nga Petro Koçi, i cili një ditë më parë kishte cilësuar Belinda Balluku si “themeluese të korrupsionit”.

Meksi thekson se qëndrimi i Koçit nuk duhet parë thjesht si një debat mes individësh, por si një sinjal për reflektim mbi drejtimin dhe transformimet e Partisë Socialiste ndër vite.

Sipas saj, çështjet e ngritura në atë deklaratë meritojnë vëmendje më të gjerë, pasi lidhen me mënyrën se si partia ka evoluar në krahasim me parimet dhe frymën e viteve të saj të para.

REAGIMI I MEKSIT
Në 35-vjetorin e Partisë Socialiste, shkrimi i Petro Koçit ngre disa çështje që meritojnë reflektim.

Më shumë se debat mes individësh, e lexoj atë si një shqetësim për mënyrën se si ka evoluar Partia Socialiste në raport me frymën e viteve të para të saj.

PS e fillimviteve ’90 u përpoq të fitonte besimin e shoqërisë përmes debatit të ideve, përfshirjes së intelektualëve, demokracisë së brendshme dhe hapjes ndaj mendimit ndryshe. Shumë prej nesh u angazhuam në PS pikërisht për këto vlera.

Për këtë arsye ky shkrim më preku, aq më shumë që me qarkun e Fierit më lidh një nga betejat më të rëndësishme elektorale të jetës sime politike. Në vitin 2009, pas pesë mandatesh si deputete e Tiranës,Partia Socialiste më besoi, së bashku me mallakastriotin Piro Lutaj, një nga sfidat më të vështira elektorale në qarkun e Fierit. Kandidova plot dëshire në Mallakastër, vendlindjen e tim eti, një zonë ku gjithë pushtetii lokal qe i dominuar nga Partia Demokratike. Falë punës së socialistëve dhe mbështetjes së mallakastriotëve kudo që jetonin, arritëm fitoren qe ndryshooi ekuilibrat politikë të zonës.

Kur dëgjoj sot diskutime mbi përqendrimin e vendimmarrjes, dobësimin e debatit të brendshëm apo largimin e figurave me kontribute, mendoj se përgjigjja nuk duhet të jetë mohimi i problemit, por reflektimi mbi të.

Një parti që qëndron gjatë në pushtet përballet natyrshëm me sfidën e ruajtjes së dinamizmit, pluralizmit te mendimit dhe aftësisë për vetëkorrigjim.

Kjo është çështja më e rëndësishme që ngre ky shkrim, veçanërisht në një moment kur besimi publik dhe aftësia për të dëgjuar zërat kritikë po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme për të ardhmen e PS.

Në këtë përvjetor, u shpreh mirënjohjen të gjithë socialistët që ndërtuan dhe mbështetën Partinë Socialiste në vitet më të vështira te opozites si dhe në ato të qeverisjes.

Gëzuar 35-vjetorin, me urimin që PS të ruajë gjithmonë aftësinë për të dëgjuar, reflektuar dhe rinovuar veten.

Mbi 80 kërkesa në 1 muaj për terapi hormonale. Mjekët e QSUT të shqetësuar për shërbimin. Priten protesta për ta sabotuar

Elton Qyno – Syri.net/

Një shërbim mjekësor si terapia hormonale po synohet të futet si aksesor i ri pranë Qendrës Spitalore “Nënë Tereza”, ku Ministria e Shëndetësisë ka ngarkuar drejtorinë spitalore për të ngritur dhe ofruar në të ardhmen këtë shërbim mjekësor pranë pavijonit të Endokrinologjisë.

Që nga periudha e fillimit të muajit maj 2026 e deri më sot, janë regjistruar mbi 80 kërkesa pranë këtij pavijoni me qëllim futjen në skemën e terapisë hormonale.

Një mjek pranë këtij shërbimi tha për gazetarin e “Syri.net”, Elton Qyno, se çështja është shumë problematike, pasi ende pa u ofruar si shërbim, numri i kërkesave është i madh, ku vetëm në 1 muaj janë paraqitur mbi 80 raste për të marrë shërbimin hormonal.

“…jemi në kushtet kur vetë mjekët e shërbimit nuk duan ta ofrojnë terapinë hormonale, pasi më mirë se kushdo ata e dinë se çfarë efekti ka kjo për fëmijët dhe më tej shoqërinë. Ka një diskutim të brendshëm mes bluzave të bardha për sabotimin e këtij shërbimi, përmes rrugëve të protestës, por ende nuk është marrë asnjë masë veprimi deri më tani. Fakti që brenda 1 muaji, në pavijonin e Endokrinologjisë janë depozituar mbi 80 kërkesa për të marrë terapinë hormonale, kjo është një shifër shqetësuese…” – thotë një nga mjekët e këtij pavijoni.

Dhe të mendosh që kjo situatë statistikore vjen në një kohë kur shërbimi ende nuk është vënë në punë, por është hedhur si udhëzim nga Ministria e Shëndetësisë për ta implementuar pranë Qendrës Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë.

Futja e këtij shërbimi ka sjellë reagime të forta nga shoqëria civile që mbron familjen dhe shoqërinë shqiptare. Por njëherësh, reagime kundër terapisë hormonale kanë bërë edhe 5 komunitetet fetare në Shqipëri, të cilat e kanë quajtur këtë nismë si aktin më të rëndë që i bëhet familjes shqiptare.

Kjo nismë është kundërshtuar edhe në protestat 10-ditore të zhvilluara në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit.

Udhëzimi i Ministrisë së Shëndetësisë përcakton kriteret mjekësore, procedurat klinike dhe monitorimin për terapinë hormonale, e cila do të ofrohet në QSUT dhe do të mbulohet nga fondet publike.

Protokolli parashikon trajtim për të rriturit, por edhe për adoleshentët nga 16 vjeç, kur vlerësohet nga mjekët dhe ka miratimin e familjes.

Për shkak të mungesës së njohjes ligjore dhe të kujdesit të duhur shëndetësor, deri më tani kanë qenë të shumtë shqiptarët transgjinorë, të cilët janë detyruar të marrin terapi hormonale jashtë vendit ose ndonjëherë edhe në farmaci vendase nën dorë, duke shtuar ndjeshëm kostot dhe rrezikun shëndetësor, duke qenë jashtë monitorimit të mjekut specialist.

Por një urdhër i Ministrisë së Shëndetësisë, i miratuar më 28 prill dhe i firmosur nga zv.ministrja Eugena Tomnini, synon t’i japë zgjidhje kësaj situate.

Tashmë të gjithë ata persona që duan të ndryshojnë trupin përmes hormoneve për t’iu përshtatur identitetit gjinor (që jo domosdoshmërisht përputhet me seksin biologjik) do të kenë të drejtë ta marrin këtë trajtim në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë.

Ministria e Shëndetësisë ka miratuar për herë të parë një protokoll zyrtar për trajtimin hormonal të personave transgjinorë, duke e futur këtë shërbim në sistemin publik shëndetësor në Shqipëri.

Urdhri përcakton kriteret mjekësore, procedurat klinike dhe mënyrën e monitorimit për tranzicionin hormonal që do të kryhet në shërbimin e endokrinologjisë në QSUT.

Trajtimi do të jetë i aksesueshëm për burrat transgjinorë që kalojnë nga vajzë në burrë përmes hormonit të testosteronit, si dhe për gratë transgjinore që kalojnë nga burrë në grua përmes estrogjenit dhe anti-androgjenëve.

Si rregull, terapia mund të nisë nga mosha 16 vjeç, ndërsa në raste të veçanta, dhe vetëm me vlerësim të specializuar, mund të konsiderohet edhe nga mosha 14 vjeç.

“Bulevardi digjet, korrupsioni krihet!” Përçahet e majta, Petro Koçi shpërthen kundër Ballukut: Themeluesja e korrupsionit! Sjellje ordinere dhe hakmarrëse

Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, ka reaguar pas aktivitetit të organizuar në Fier për 35-vjetorin e themelimit të PS-së, duke lëshuar akuza të forta në adresë të ish-zv/kryeministres Belinda Balluku.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Koçi kritikoi mënyrën e organizimit të ceremonisë, duke pretenduar se disa prej themeluesve të Partisë Socialiste u lanë jashtë aktivitetit, ndërsa të tjerë u ftuan në mënyrë selektive.

Sipas tij, festimet dhe ceremonitë politike nuk mund të përdoren për të mbuluar problemet që lidhen me korrupsionin. Ai akuzoi Ballukun se ka krijuar një klimë frike dhe servilizmi në strukturat shtetërore dhe partiake, ndërsa e fajësoi edhe për përçarje mes figurave themeluese të socialistëve.

“Themeluesja e korrupsionit nuk mund të mos e ushtrojë zanatin edhe në një ceremoni kremtimi të përvjetorit të themelimit të PS. Zakonisht ajo mbjell frikë dhe servilizëm kudo ku e dërgojnë, në detyra shtetërore apo partiake. Mbrëmë shfaqi edhe vesin e lig të përçarjes së themeluesve të PS. Ca i ftoi, ca i harroi. Servilët dhe frikacakët rreth saj nuk bezanë”, shkruan Koçi në reagimin e tij.

REAGIMI
Bulevardi digjet, korrupsioni krihet.
Themeluesja e korrupsionit nuk mund te mos e ushtroje zanatin edhe ne nje ceremoni kremtimi te pervjetorit te themelimit te PS.

Zakonisht ajo mbjell frike dhe servilizem kudo ku e dergojne, ne detyra shteterore apo partiake.

Mbreme shfaqi edhe vesin e lig te percarjes se themeluesve te PS.

Ca i ftoi, ca i harroi. Servilet dhe frikacaket rreth saj nuk bezane.

Performoi haptaz nje sjellje ordinere prej hakmarreseje.

Hierarkine e kontributeve te themelimit, modernizimit dhe fuqizimit te PS nuk e hedh dot askush ne koshin e plehrave.

Aspak imazhi i nje individi qe frymezon protestat e pernatshme ne bulevardin e Tiranes dhe qe ushqen PD ne e Sali Berishes. Aspak njeriu qe ne zgjedhjet e Majit 25 i solli historise se PS turpin e vjedhjes se votave edhe brenda llojit, e verifikuar nga procesi i rinumerimit, apo skandalin e fallsifikimit te perberjes se listes fituese ne numerimin e pare te fleteve te votimit. Dhe kurre njeriu qe perfshiu ne listen e deputeteve pinjollet e atyre qe i bene nenen votave dhe sakrificave te socialisteve ne zgjedhjet e vijes se kuqe te vitit 96 apo te atyre qe hoqen mbathjet para grave te Libofshes.

Nuk e çrrënjosin dot historinë e themelimit te PS themeluesit e korrupsionit.

Si u be PS Fier kryeqytet politik.
Viti 92 ka qene vendimtar ne procesin e shnderrimit te PS ne nje organizate te forte dhe moderne.

Sfida ka qene se pari intelektuale dhe morale.

PS u kthye shume shpejt shpirt dhe ndergjegje politike e shoqerise fierake. Ndertuam nje parti qe i sherbente qytetareve si modeli i i ndershmerise shembullore dhe i demokracise se plote institucionale. Ata gjeten te PS ate qe u mungonte ne marredhenien e tyre me shtetin dhe pushtetin e kohes.

Tezat politike kerkonin argumentim bindes dhe te sinqerte.

Ne rrafshin organizativ nisem nje proces thuajse unik ne disa elemente.

E para e ngritem partine me grupe nismetare ne cdo njesi, kryesisht me kuadro te rinj qe nuk nuk vinin nga PP.

70% e anetaresise ishte komplet e re dhe pa lidhje me PP.

E dyta ne ndertuam organizata ne baze profesioni ku kontributi intelektual gjeti terren permbushes te aspiratave te qindra specialisteve qe vinin nga fusha te ndryshme te sistemit profesional. Organizatat e Specialisteve te Naftes, te Arsimit, te Shendetesise, te Kultures, te Bujqesise, te Financave dhe Ekonomise, te Biznesit etj u kthyen ne terrenin politik te perpunimit te argumentit, ideve dhe alternatives qeverisese.

Ne kuptuam shpejt nevojen e ngritjes se kapacitetit dhe instrumentit koordinativ ne territor prandaj ndertuam te paret keshillin zonal dhe ja propozuam si detyrim statutor Kryesise se PSSH.

Dokumentat publike, promemoriet, kerkesat publike, konunikatat e PS Fier kishin format europian.

Keto kontribute e bene PS Fier organizaten me te mire ne rang vendi.

Te mos harrojme qe kjo veprimtari shtrihej ne cdo njesi jo vetem te Fierit te sotem, por edhe te Mallakastres, Patosit dhe Roskovecit. Me pas Mallakastra u nda me vete.

Homazh per kontribuesit e shuar.
Ja vetem disa prej tyre. Fieraket mund te plotesojne emra te tjere ne komentet perkatese. Nese nuk kane frike nga kontrolloret hakmarres te pelqimeve ne fb.

Nikollaq Koshovari

Gjergji Kerri

Luan Rustemi

Halit Kacanolli

Tashko Lako

Mimi Dema

Thoma Meço

Islam Lala

Naun Prifti

Fadil Cepele

Vasillaq Popi

Idriz Kabashi

Ylli Islami

Tomott Demiri

Toli Shabani

Xhoxhi Marku

Musa Makashi

Fatmir Xhindi

Marianthi Poro

Elida Jano

Qiriako Decka

Kristofor Leka

Sokrat Pitushi

Sokrat Plaku

XhevairTahiri

Kujtim Meta

Ilirian Iliazi

Todi Dano

Engjell Beshaj

Ilir Dano

Fatbardha Kapaj

Artan Ferati

Ahmet Ismaili

Leta Zoto

Ilir Behaj

Kujtim Amoniku

Perparim Nallbani

Nardi Sauli

Kristofor Sinani

Sefefin Tafa

Nikollaq Hysi

Skender Duraj

Xhevit Duraj

Arian Koçi

E shume e shume te tjere.

Cfare duhet ndyshuar
Mendoj se duhet hequr dore nga perqendrimi i gjithe pushtetit ne duart e te deleguarve.

Te rritet pushteti i anetaresise ne vendimmarrjen politike.

Ne rang qarku te ngrihet me vendim Asambleje nje strukture kolegjiale qe diskuton dhe vendos per ceshtjet kryesore dhe zhvillimet politike ne nivel vendor.

Te zgjidhen ne krye te PS ne rang Bashkie njerez me personalitet dhe nepermjet nje procesi votimi.

Te ndalohet shoqerimi i te deleguarve me dhjetera drejtues administrate te dikastereve.

Sepse opinioni ngatërron patronazhistet me shoqëruesit e te deleguarve e kjo krijon keqkuptime dhe fyerje per te zgjedhurit e strukturave vendore.

Te lirohen nga pergjegjesia,e te deleguarit personat qe jane nen ndjekje penale.

Vetem nje trimeri duhet sot: te jesh i ndershem.

Rrjolli rrethohet me tela me gjemba, banorët thërrasin protestë të shtunën

RJOLL- Banorët e Rrjollit kanë thirrur një protestë ditën e shtunës, pasi biznesmeni Bashkim Ulaj ka rrethuar me tela me gjemba kantierin ku po ndërton resortin ‘Blu Borgo’ në Velipojë. Banorët e Rrjollit akuzojnë biznesmenin dhe qeverinë për grabitje pronash dhe ndërtim të paligjshëm.

Për këta arsyeje ata kanë protestuar dhjetëra herë që prej shkurtit të këtij viti, periudhë e cila lidhet edhe me nisjen e investimit. Protesta do të zhvillohet të shtunën, më 13 qershor në orën 11:00 në Rrjoll./Dosja.al

Rrjolli rrethohet me tela me gjemba, banorët thërrasin protestë

‘Pakënaqësia qytetare nuk mund të injorohet’- Konferenca Ipeshkvnore: Zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet

Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë ka reaguar përmes një deklarate publike lidhur me protestat e zhvilluara në Tiranë, qytete të tjera të vendit dhe në diasporë, duke theksuar se zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet dhe të trajtohet me seriozitet nga institucionet dhe politika.

 

Në deklaratën e saj, Kisha Katolike shpreh mbështetje për të drejtën demokratike të protestës, ndërsa u bën thirrje forcave politike të gjejnë rrugën e dialogut dhe të japin përgjigje konkrete ndaj shqetësimeve të qytetarëve.

Sipas Ipeshkvijve, pakënaqësia e shfaqur në protestat e fundit nuk mund të neglizhohet dhe kërkon zgjidhje brenda kornizave demokratike dhe europiane.

DEKLARATË PËR SHTYP

Të dëgjohet zëri i njerëzve e të gjenden zgjidhje politike brenda kornizave të demokracisë

Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë po ndjek me kujdes zhvillimet shoqërore në vendin tonë, veçanërisht protestat që po zhvillohen në qytetin e Tiranës, në qytete të tjera të Shqipërisë e në diasporë. Shkak për këto protesta kanë qenë disa projekte që prekin zona natyrore të mbrojtura apo kundërshtohen problemet të premtuese, për të ndërtuar në to objekte që synojnë zhvillimin e një turizmi elitar.

Nga ana jonë si Ipeshkvij të Kishës katolike, vlerësojmë se zhvillimi i vendit duhet të ketë parasysh mbrojtjen e ambientit, por edhe respektimin e pronës së gjithkujt. Papa Françesku, në Letrën e tij Enciklike Laudato si’, thotë: «Parashikimi i impaktit ambiental të sjelljes dhe të projekteve kërkon procese politike transparente dhe që i nënshtrohen dialogut, ndërsa korrupsioni, që fsheh impaktin e vërtetë ambiental të një projekti, në këmbim të favoreve, shpesh çon drejt marrëveshjeve të paqarta që i lënë detyrimet për t’u informuar dhe në debat të thelluar» (LS 182).

Në këtë kuptim vlerësojmë, konsultimi dhe përfshirja e komuniteteve lokale që jetojnë aty dhe i agjencive që merren me mbrojtjen e ambientit është më se i domosdoshëm. Për ne, kjo gjë quhet zhvillim integral që duhet të marrë parasysh të gjitha dimensionet e jetës njerëzore si ato individuale ashtu edhe ato komunitare. Sikurse thotë Shën Pali VI, ky zhvillim duhet të përfshijë «të gjithë njeriun dhe krejt njeriun» (Populorum Progressio, 42). Kjo është pjesë e Doktrinës shoqërore të Kishës dhe ne ftojmë që çdo projekt zhvillimi të bëhet duke marrë parasysh, jo vetëm krijimin e strukturave e gjallimin e vetvetes, por të ketë në qendër njeriun me nevojat dhe të drejtat e tij private dhe komunitare.

Protestat e këtyre ditëve dhe pjesëmarrja e shumtë të rinjve dhe familjeve në to kanë nxjerrë në pah edhe një pakënaqësi ndaj sistemit politik aktual. Kjo pakënaqësi është vërejtur në pjesëmarrjen dhe në artikulimin e shumicës protestuese. Kisha nuk ka për detyrë të gjykojë zgjedhjet politike, por të orientojë ndërgjegjet. Ne jemi të bindur se zëri i njerëzve duhet të dëgjohet dhe të lexohet. I takon politikës të gjejë zgjidhje brenda kuadrit politik dhe demokratik. Këto janë rregullat e demokracisë evropiane ku ne aspirojmë të shkojmë. Nuk mund të injorohet zëri i shumicës së njerëzve që kanë të drejtën e pakundërshtueshme të shprehin mendimin e tyre dhe të kërkojnë ndryshime.

Ne ftojmë përfaqësuesit e politikës, që të gjejnë tryezën e dialogut, të japin përgjigjet e duhura ndaj qytetarëve të thjeshtë të popullit tonë që kërkojnë të mos anashkalohen, të dëgjojnë zërin e të rinjve që kanë të drejtë të ndërtojnë jetën e tyre këtu, pa iu nënshtruar fatalisht humbjes së shpresës dhe rrugës së emigrimit, plagë e cila në vitet e fundit ka emrin shpopullim i vendit.

Ne i lutemi Hyjit për popullin tonë, për politikanët dhe për të gjithë njerëzit vullnetmirë të këtij vendi, që të gjejnë, bashkë me rrugën e dialogut politik dhe shoqëror, edhe zgjidhjet e duhura brenda kornizave politike dhe demokratike të një vendi që ka si synim integrimin evropian.

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë

Image

“Poshtë patronazhistët, s’i duam militantët”- Sheshi tejmbushet në ditën e nëntë: Opozitë e shitur, opozita jemi ne! Rama dorëhiqu, Atdheu është i yni, të bëhemi 1 milion në shesh

Dita e nëntë e ka gjetur protestën qytetare në bulevardin para kryeministrisë me një pjesëmarrje më masive nga ditët e tjera, ku kanë ardhur shqiptarë nga të gjitha trojet, duke iu bashkuar kauzës kundër qeverisë, politikës 35-vjeçare dhe kundër skandaleve abuzive.
Mes thirrjeve të shumta ranë në sy edhe ato për patronazhistët që kërkojnë përçarjen e qytetarëve në shesh, por edhe të opozitës që e cilësuan “të shitur”.


“Opozita jemi ne, opozita e shitur”, “Atdheu jemi ne”, “Rama jep dorëheqjen”, “Rama në burg, Berisha në burg”.

Organizatorët thanë se do kishte pak fjalime nga intelektualë dhe më shumë parulla dhe mesazhe me një kërkesë të vetme: Dorëheqje.

protesta sot3

“Pas fjalimeve të shkurtra sheshi është i qytetarëve, paqësisht marshoni, në paqe në të gjithë qytetet e rrugët. Të bëhemi 1 mln shqiptarë, të kërkojmë dorëheqjen e më antishqiptarit që ka njohur Shqipëria, Edi Rama. Nuk i duam militantët e partive këtu me ne, edhe pse edhe ata janë vëllezërit dhe motrat tona, por sheshi është i yni”, thanë ata.

Mijëra qytetarë u mblodhën fillimisht në Sheshin Skënderbej dhe më pas marshuan drejt godinës së Kryeministrisë, ku bulevardi u mbush me pankarta, flamuj dhe thirrje kundër qeverisë dhe klasës politike në tërësi.

protesta bulevard sot

Atmosfera para Kryeministrisë u karakterizua nga slogane të forta si “Rama jep dorëheqjen”, “Mos u përçani! Poshtë patronazhistët”, “Rama ik”, si dhe thirrje që kërkonin largimin e elitës politike që ka dominuar jetën publike shqiptare prej dekadash.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama dhe përfaqësues të mazhorancës kanë vijuar të minimizojnë protestën, duke e lidhur atë me dezinformimin, interesa politike apo ndikime të jashtme. Në deklaratat e fundit, Rama ka ironizuar protestuesit dhe ka sulmuar figura publike që kanë shprehur mbështetje për revoltën qytetare.

Ajo që nisi në Zvërnec si një kundërshtim ndaj një projekti të caktuar, tashmë po merr përmasa më të gjera, duke u shndërruar në një shprehje të pakënaqësisë ndaj të gjithë klasës politike.

Këtë e dëshmojnë edhe mesazhet që dominuan tubimin para Kryeministrisë. “Rama në burg, Berisha në burg”, “Poshtë kasta politike” dhe “Mos u përçani! Poshtë patronazhistët” ishin ndër thirrjet më të dëgjuara gjatë protestës, duke reflektuar zhgënjimin e një pjese të qytetarëve jo vetëm ndaj qeverisë aktuale, por ndaj gjithë sistemit politik.

protesta sot ne bulevard

Me thirrje kundër klasës politike dhe elemente të forta patriotike ka nisur protesta para Kryeministrisë. Në shesh janë dëgjuar Himni Kombëtar dhe kënga patriotike “Xhamadani Vija-Vija”, ndërsa protestuesit kanë valëvitur flamuj kombëtarë.

Protestuesit kanë shigjetuar me thirrje dhe ironi si kryeministrin Edi Rama, ashtu edhe kreun e PD-së Sali Berisha, duke kërkuar burgosjen e tyre. “Rama n’burg, Berisha n’burg”, kanë thirrur njëzëri pjesëmarrësit.

protesta reuters

Të rinj, të reja, fëmijë dhe të moshuar janë bërë bashkë në këtë protestë, e cila po tërheq vëmendje edhe ndërkombëtare përmes transmetimit live të Reuters. Sipas organizatorëve dhe pjesëmarrësve, kjo është një kauzë që nuk do të ndalet deri në dëgjimin e kërkesave të tyre. gsh

FOTOT- PS feston 35-vjetorin, kryeministri Rama pritet me protesta në Shkodër! Qytetarët i kërkojnë dorëheqjen!

Ndërsa pritej të festohej 35-vjetori i partisë Socialiste, në turin e shpallur në çdo qark, kryeministri Edi Rama është pritur me protesta ditën e sotme në Shkodër (8 qershor), teksa do të marrë pjesë në eventin e organizuar.


Dhjetëra qytetarë janë mbledhur poshtë Kalasë Rozafa duke protestuar kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec të Vlorës, kundër ndërtimit të resortit në Rrjoll.

protesta shkoder rama

Ndërsa makinat e eskortës kalonin me sirena dhe Policia ishte vendosur në kordon, dhjetëra qytetarë me flamuj, thirrje e pankarta janë rreshtuar anash rrugës.

shkoder rama

shkoder rama1

Në vendin ku po zhvillohet protesta ndodhen të pranishme dhjetëra forca policie, në afërsi të kalasë Rozafa.

bw

E sulmoi në Elbasan- “Po afron dita e llogaridhënies”, deputeti i PD i kthehet Ramës: Fundi yt nuk do të jetë politik!

Deputeti i Partisë Demokratike, Tomor Alizoti, ka reaguar pas përmendjes së emrit të tij nga kryeministri Edi Rama gjatë aktivitetit të organizuar në Elbasan me rastin e 35-vjetorit të Partisë Socialiste.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Alizoti akuzoi Ramën për arrogancë politike dhe për përpjekje për ta lidhur fatin e tij politik me fatin e Shqipërisë, duke argumentuar se askush nuk mund të identifikohet me interesin e vendit apo të qytetarëve. Deputeti demokrat u shpreh se protestat dhe zhvillimet e fundit në vend janë rezultat i drejtpërdrejtë i mënyrës së qeverisjes së kryeministrit dhe jo pasojë e veprimtarisë së opozitës apo faktorëve të tjerë politikë.

Sipas Alizotit, pakënaqësia qytetare po bëhet gjithnjë e më e dukshme, ndërsa mijëra shqiptarë po zgjedhin të shprehin kundërshtimin e tyre ndaj qeverisë përmes protestave në rrugë dhe sheshe. Ai theksoi se Shqipëria po kalon një moment të rëndësishëm politik, ku qytetarët po kërkojnë më shumë përgjegjshmëri, llogaridhënie dhe ndryshim, duke e konsideruar reagimin qytetar si një sinjal të qartë të pakënaqësisë ndaj modelit aktual të qeverisjes.

Postimi i plotë:
Që e ke humbur fare duket qartë. S’ka nevojë për psikologë e psikiatër. Bashkon fjalë dhe kujton se bën fjali. Më paske përmendur edhe mua si deputet, në ligjëratën e lodhshme para të tutëvëve. Ty të pëlqen të vetëkënaqesh para skllevërve të tu nëpër salla.

Po ky sot është problemi më i vogël që ke ti dhe duartrokitësit e tu. Tani po të jap një leksion historie, se ti, si i shkolluar nga kinostudio, e ke diapazonin mendor sa ekrani i një televizori Iliria. Po të tregoj që, që nga koha e faraonëve e deri te sivëllai yt, Stalini, të gjithë diktatorët e bashkojnë kombin me veten. Njësoj si ti, po fiks fare si ti, e quajnë fundin e vet si fund të kombit. Por, po të shkollohesh me televizor Iliria, babëzia ta errëson gjykimin.

Këto që po ndodhin këto ditë në Shqipëri janë rezultat i qeverisjes tënde. Mund të bësh kllounin sa të duash, të thërrasësh në ndihmë kë të duash; suksesi i protestës është fundi yt.

Unë jam deputet dhe në politikë ka finale të mira e të këqija politike. Por ti s’je më përballë meje si deputet, as përballë nesh si politikanë. Ndaj mos u përgjëro kot. Fundi i pushtetit tënd duket qartë që s’do të jetë më politik. Do të jetë në shesh, aty ku rrëzohen të gjithë ata që qeverisin si ti. Dhe unë i falënderoj dhe i mbështes nga zemra të gjithë ata që po ta afrojnë këtë fund, që e meriton totalisht. Kjo ishte përgjigjja politike. Sa për mbiemrin tim, më vjen keq. Jemi kaq të ndryshëm, sa s’ta kthej dot përgjigjen. Nuk ma lejon edukata familjare të debatoj me sojin tënd. bw

UNESCO shpall Liqenin e Shkodrës Rezervë të Re të Biosferës Botërore, i bashkohet 797 zonave të mbrojtura në botë

Një lajm i rëndësishëm për Shqipërinë dhe veçanërisht për rajonin e Shkodrës vjen nga UNESCO.

Në kuadër të Ditës Botërore të Mjedisit, organizata ndërkombëtare ka shpallur zyrtarisht Liqenin e Shkodrës si një nga 14 rezervat e reja të biosferës në botë për vitin 2026.

Me këtë vendim, Liqeni i Shkodrës bëhet pjesë e Rrjetit Botëror të Rezervave të Biosferës të UNESCO-s, i cili tashmë numëron 797 zona të mbrojtura në 145 vende të botës.

UNESCO vlerëson rezervat e biosferës si territore me vlera të jashtëzakonshme ekologjike, ku ruajtja e natyrës ecën paralelisht me zhvillimin e qëndrueshëm dhe mirëqenien e komuniteteve lokale. Përzgjedhja e Liqenit të Shkodrës konsiderohet një njohje ndërkombëtare për pasurinë e tij natyrore, biodiversitetin unik dhe rëndësinë që ka për ekosistemin e rajonit.

Drejtori i Përgjithshëm i UNESCO-s, Khaled El-Enany, deklaroi se rezervat e biosferës dëshmojnë çdo ditë se mbrojtja e natyrës dhe përmirësimi i jetës së njerëzve nuk janë qëllime në kundërshtim me njëra-tjetrën.

Për Shkodrën, ky status i ri pritet të sjellë më shumë vëmendje ndërkombëtare, mundësi për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, projekte mjedisore dhe promovimin e një prej pasurive më të rëndësishme natyrore të Ballkanit.

Liqeni i Shkodrës ishte një nga 14 zonat e reja të shpallura këtë vit nga UNESCO, krahas rezervave të reja në vende si Kanadaja, Portugalia, Mongolia, Filipinet dhe Vietnami.

Turistët italian flasin në protestën para Kryeministrisë: Nuk jemi të trembur! Shqipëria ka një popull krenar, nuk përkulet përballë lekëve!

Dy turistë italianë që ndodheshin në Tiranë i janë bashkuar simbolikisht protestës së zhvilluar përpara Kryeministrisë, duke reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili sot ka deklaruar se protestat mund të trembin turistët dhe të dëmtojnë sezonin turistik.

 

Turistja italiane tha se ajo dhe të tjerët që janë me të nuk ndihen të frikësuar nga protestat dhe e konsiderojnë të rëndësishme që qytetarët të ngrenë zërin e tyre për të drejtat dhe transparencën e qeverisë.

“Përshëndetje, ne jemi nga Italia. Jemi të lumtur që jemi këtu me ju, si turistë në vendin tuaj. Vëllezër dhe motra shqiptarë, ne nuk jemi të frikësuar. Protesta juaj nuk na frikëson. Është e rëndësishme të ngrini zërin për të drejtat tuaja, për transparencën e qeverisë. Faleminderit që ishit kaq mikpritës”, tha ajo.

Një tjetër turist italian tha se gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri ka parë një popull krenar që, sipas tij, nuk përkulet përballë parasë.

“Këto ditë që kam qenë këtu, kam parë një popull krenar! Kam parë një popull që nuk përkulet përballë lekëve. Mendojnë se mund t’ju blejnë, por nuk është kështu. Shqipëria ka shqiptarët. Vazhdoni kështu! Forca, Shqipëria”, tha ai. Panorama

Ish-ministrja socialiste kritikon Ramën, Ermelinda Meksi: Duhet të dëgjojë mesazhin e protestuesve, jo të numërojë pjesëmarrësit

Ish ministrja socialiste, Ermelinda Meksi ka reaguar sërish mbi debatet që kanë shoqëruar protestat e fundit kundër projektit të propozuar në zonën e Zvërnecit, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si qeveria po i trajton shqetësimet e qytetarëve.

 

Sipas Meksit, reagimi i fundit i Kryeministrit në platformën X fokusohet kryesisht te madhësia e protestës, mënyra se si ajo paraqitet në media, si dhe te ndikimi i mundshëm i dezinformimit, amplifikimit dixhital dhe rrjeteve sociale në formësimin e perceptimeve publike.

Më tej Meksi thekson se reagimi i kryeministrit “i kushton shumë më pak vëmendje përmbajtjes së pyetjeve që qytetarët po ngrenë lidhur me korrupsionin, transparencën, konsultimin publik, pronësinë, ndikimin mjedisor dhe përfitimet konkrete publike të investimit”.

Ajo thotë se Kryeministri vazhdon ta trajtojë çështjen si një debat mbi një projekt që “ende nuk ekziston”, ndërsa mesazhi që vjen nga protestat duket ndryshe.

“Kjo fazë kur duhet të zhvillohet debati publik mbi dobinë e investimit, ndikimet e tij afatgjata dhe modelin e zhvillimit që duam për Shqipërinë. Jo vetëm për një projekt të caktuar, por edhe për mënyrën se si e kuptojmë turizmin e qëndrueshëm, mbrojtjen e mjedisit dhe përfitimin e drejtë të qytetarëve nga pasuritë natyrore të vendit.

Në demokraci, më shumë se numri i protestuesve, rëndësi ka mesazhi që ata përpiqen të përcjellin.

Sa më gjatë të vazhdojnë protestat, aq më e madhe bëhet nevoja që ai  të dëgjohet dhe të adresohet me dialog, transparencë dhe fakte të verifikueshme.

Sepse çështja nuk është numri i atyre që protestojnë, numër qē megjithatë nuk duhet neglizhuar,por sa institucionet janë të gatshme të dëgjojnë dhe t’u përgjigjen në kohë shqetësimeve që ata shprehin”, thuhet në reagimin e Ermelinda Meksit. bw

Skandal në Vlorë, gardisti tenton t’i mbyllë gojën vajzës se re që po protestonte kundër Ramës

Aktiviteti i PS në Vlorë është shoqëruar me një sërë incidentesh.

Një ndër to ishte dhe tentativa për t’i mbyllur gojën të rinjve për të protestuar kundër qeverisë dhe kryeministrit Rama.

Në një video që po qarkullon në rrjete shikohet një vajzë e re që tenton të protestojë, por shoqëruesi i Ramës nga garda tenton t’i mbyllë gojën.

“Çohuni o njerëz” dëgjohet të thotë vajza e re teksa e largojnë nga sheshi. Nderkohe qe nje tjeter incident po me garden e kryeministrit është raportuar dje teksa te rinjve u janë grisur pankartat. Panorama

Protestat- Spiropali godet Ramën: Rotacioni s’duhet të shihet si katastrofë dhe fitorja jo si pronësi. Shqipëria të tregojë që di të ndërtojë shtet!

Ish-ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali ka reaguar mes valës së protestave që prej ditësh kanë përfshirë Tiranën dhe qytete të tjera të vendit, duke përcjellë një mesazh që godet kryeministrin Edi Rama. Çdo ditë, prej 1 jave, mijëra qytetarë protestojnë para Kryeministrisë dhe i kërkojnë Ramës dorëheqjen.

 

Spiropali thekson se rotacioni politik nuk duhet parë si katastrofë, ndërsa fitorja në zgjedhje nuk duhet konsideruar si pronësi mbi shtetin, duke bërë thirrje për ndërtimin e institucioneve që kontrollojnë pushtetin dhe mbrojnë qytetarët.

Deklarata e saj vjen në një kohë kur protestuesit po kërkojnë dorëheqjen e Ramës dhe po denoncojnë atë që e cilësojnë si kapje të institucioneve dhe keqpërdorim të pushtetit, në dëm të interesave të qytetarëve dhe atyre të vendit.

Nga Elisa Spiropali

Një Marrëveshje e re për Shqipërinë
Isha fëmijë kur nga pëshpërimat e familjarëve dhe ecejaket e farefisit mora vesh se në Sheshin Skënderbej diçka e pabesueshme, por e vërtetë kishte ndodhur.
Më vonë kuptova se diçkaja e jashtëzakonshme që deri atë ditë nuk mund as të ëndërrohej, ishte një fakt kokëfortë, një realitet i prekshëm, një “herezi” që askujt nuk i lejohej ta shihte as në ëndërr: ishte një protestë spontane dhe e heshtur e qytetarëve të Tiranës kundër regjimit diktatorial të asaj kohe.

Protestat e zhurmshme dhe krijuese të këtyre ditëve, krahasuar me protestën e heshtur të atëhershme, nuk janë lapsus psikologjik, nuk janë déjà vu, nuk janë lajthitje cerebrale. Janë fakte sa të ndryshme dhe të ngjashme, që në kohën dhe rrethanat e tyre, kanë secila rëndësinë dhe efektet e veta, për të nxjerrë mësimet respektive, dhe, si të tilla, duhen shqyrtuar me seriozitetin dhe përgjegjësinë që meritojnë.

What’s done cannot be undone. Ç’u bë, nuk mund të ç’bëhet, thotë Lady Makbeth në skenën somnambul tek ecën në gjumë me qiri në dorë.
Është kollaj protestave të sotme t’u sillesh rrotull me llafe boshe, me konspiracione dhe hamëndje shterpe: Cilin krim kreu Lady Makbethi, pse i iku gjumi, pse ngrihej natën somnambul, pse mbante qiri në dorë?

Tani që të gjithë Makbethat vrasës dhe Hamletat dyshues kanë dalë hapur dhe kanë hyrë në lojë, tani që vrasja është bërë, gjaku është derdhur, ndërgjegjet janë tronditur, gjumi është prishur, çfarë duhet bërë diçka tjetër? Jo diçka dosido. Diçka shekspiriane. Diçka e qëndrueshme. Diçka që po u bë, nuk zhbëhet.
Për fat, kjo pyetje ka përgjigje.

Çka duhet bërë sot është një marrëveshje e re për Shqipërinë.
Çdo epokë ka pyetjen e vet themelore. Për shumë vite pyetja e Shqipërisë ishte si të ndërtonte shtetin. Sot pyetja është tjetër. Si ta bëjë shtetin më të madh se pushteti dhe Institucionin më të fortë se ai që e ushtron pushtetin. Pikërisht këtu fillon nevoja për një marrëveshje të re për Shqipërinë.

Shqipëria ka hyrë tashmë në një fazë të historisë së saj ku sfida më e madhe nuk është më ndërtimi i pushtetit. Pushteti është ndërtuar. Institucionet ekzistojnë. Administrata ekziston. Ligjet ekzistojnë. Ekonomia është më e fortë se dikur. Demokracia është më e konsoliduar se në vitet e para të tranzicionit. Shqipëria e ka rritur reputacionin e saj në botë dhe duhet ta mbrojë me çdo kusht emrin e saj. Sfida e kohës sonë është diçka tjetër. Është aftësia e pushtetit për të vendosur kufij brenda vetvetes.

Për më tepër se tridhjetë vjet Shqipëria ka jetuar me ankthin e mungesës. Mungonin institucionet. Mungonin rrugët. Mungonin investimet. Mungonte siguria. Mungonte shteti. Breza të tërë u rritën me bindjen se problemi kryesor i vendit ishte, në mos mungesa e shtetit, dobësia e shtetit.

Sot për herë të parë po përballemi me një pyetje tjetër. Çfarë ndodh kur pushteti bëhet më i fortë se mekanizmat e po atij shteti që duhet ta kontrollojnë. Çfarë ndodh kur problemet e administratës shtohen më shpejt se llogaridhënia. Çfarë ndodh kur stabiliteti fillon të ngatërrohet me shkaqe dhe pasoja pa lidhje, të pa adresuara.

Kjo është arsyeja pse Shqipëria ka nevojë për një marrëveshje të re me vetveten.

Një marrëveshje ku forca e shtetit të mos matet vetëm nga ajo që ndërton, por edhe nga pakësimi i aftësisë për të kontrolluar, ose ajo që me vetdijë pranon të mos kontrollojë. Një marrëveshje ku institucionet që mbikëqyrin pushtetin të jenë po aq, dhe më të afta se vetë pushteti.

Një marrëveshje ku parlamenti të mos jetë vetëm vendi ku miratohen vendime, por vendi ku dëgjohet shoqëria.

Një marrëveshje ku republika parlamentare të ushtrojë të gjitha funksionet e saj përfaqësuese, kontrolluese dhe monitoruese, sepse demokracia dobësohet sa herë që një pushtet rritet më shpejt se kontrolli mbi të.

Në zemër të kësaj marrëveshjeje qëndron një ide e thjeshtë. Askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk është nën ligjin. Të tre pushtetet duhet të qëndrojnë brenda kufijve të tyre kushtetues.

Drejtësia duhet të ketë forcën të hetojë dhe gjykojë. Parlamenti duhet të ketë forcën të kontrollojë. Qeveria duhet të ketë forcën të qeverisë. Por asnjëri nuk duhet të marrë pushtetin e tjetrit. Sepse aty fillon deformimi i shtetit.

Një shoqëri demokratike nuk matet vetëm nga qeveria që ka. Matet edhe nga opozita që prodhon. Opozita nuk është aksident i sistemit. Nuk është pengesë për zhvillimin. Nuk është problem për stabilitetin. Opozita është shqisa që paralajmëron kur pushteti humbet kontaktin me realitetin. Shoqëritë që humbin opozitarizmin nuk humbin vetëm debatin. Humbin aftësinë për të korrigjuar vetveten.

Prandaj Shqipëria ka nevojë për më shumë garë, dhe jo për më pak. Ka nevojë për një sistem të ri zgjedhor që prodhon përfaqësim real dhe jo vetëm riprodhim të elitave ekzistuese. Ka nevojë për zgjedhje ku qytetari të ndjejë se vota e tij ndryshon ekuilibrat, dhe jo vetëm statistikat. Ka nevojë për një kulturë politike ku rotacioni nuk shihet si katastrofë dhe fitorja nuk shihet si pronësi.

Po aq e rëndësishme është liria e medias. Sepse nuk ka demokraci të fortë me media të pabesueshme. Nuk ka qytetar të lirë pa informacion të lirë. Nuk ka kontroll mbi pushtetin kur informacioni bëhet i varur nga pushteti ose dezinformimi. Shqipërisë i duhet një hapësirë publike ku gazetari të mos ketë nevojë për leje për të pyetur dhe ku media të mos ketë nevojë për favore për të mbijetuar.

Në të njëjtën mënyrë duhet të ndryshojë edhe marrëdhënia mes ekonomisë dhe politikës. Vitet e ardhshme nuk do të fitohen nga ai që ka më shumë asete. Do të fitohen nga ai që ka më shumë dije.

Nga ai që ka më shumë teknologji. Nga ai që ka më shumë ide. Shqipëria nuk mund të mbetet një vend ku afërsia me pushtetin vlen më shumë se aftësia për të krijuar vlerë. Një ekonomi moderne fillon në momentin kur fiton ai që prodhon më mirë e më lirë, dhe jo ai që favorizohet nga pushteti.

Kjo lidhet drejtpërdrejt me brezin e ri. Shqipëria nuk ka më luksin të humbasë njerëzit e saj më të aftë. Gara, merita, mundësia, dhe jo kontrolli, janë thelbi i ndryshimit. Çdo i ri që largohet nuk merr me vete vetëm një vend pune. Merr me vete energji, dije, kreativitet dhe të ardhme. Vendi ka nevojë të krijojë kushte që mendja, puna dhe talenti të kenë më shumë vlerë se lidhja, ndërhyrja, inventarizimi apo privilegji.

Po aq vendimtare është cilësia e shërbimeve publike. Arsimi nuk mund të vazhdojë të trajtohet si sektor administrativ. Ai është fabrika ku prodhohet e ardhmja e vendit. Ai është thelbi i gjithçkaje që na rrethon, në të tashmen dhe në të ardhmen. Shëndetësia nuk mund të matet vetëm me shifrat e investimeve, godina, mjete etj. Ajo matet me sigurinë që ndien qytetari kur ka nevojë për të.

Një shtet modern nuk ndërtohet vetëm me llaç e tulla. Ndërtohet me dije, shëndet, besim dhe dinjitet.

Pikërisht këtu fillon edhe beteja kundër korrupsionit. Jo vetëm në sallat e gjyqeve. Jo vetëm në dosjet hetimore. Por në kulturën e përditshme të shtetit. Korrupsioni është bindja e ngulitur se rregulli mund të anashkalohet pa pasoja. Se ligji mund të negociohet. Se pushteti mund të përdoret si privilegj. Se abuzimi mund të normalizohet dhe të glorifikohet. Lufta kundër tij është mbi të gjitha një betejë morale për mënyrën si e kuptojmë shtetin.

Shqipëria ka hyrë në një moment ku nuk i duhet të provojë se dëshiron të ecë përpara. Këtë e ka dëshmuar. Ka nevojë të tregojë se di të ndërtojë një shtet që funksionon edhe kur pushteti ndryshon, edhe kur interesat përplasen, edhe kur askush nuk e vëren.

Një vend nuk bëhet europian kur bind të tjerët për atë që europian është. Bëhet europian kur qytetarët e tij ndihen të mbrojtur nga e drejta, të respektuar nga shteti, të lirë për të ndërtuar jetën e tyre pa kërkuar leje nga askush.

Kjo është marrëveshja e re të cilën Shqipëria duhet ta realizojë brenda vetes.

Qytetarët dalin në prtestë edhe në Korçë- Thirrje për largimin e Ramës: Ti dogje rininë, sot të djeg rinia ty

KORÇË- Qytetarë dhe aktivistë janë mbledhur në protestë në Korçë, duke kërkuar anulimin e projektit në Zvërnec. Mes pankartave të mbajtura nga protestuesit nuk munguan as mesazhet që lidhen me vrasjen e efektivit të policisë Enea Mekolli për të cilin u mbajt 1 minutë heshtje.

Protesta u zhvillua në pedonalen e qytetit të Korçës e cila u mbush plot me qytetarë. Ata bënë thirrje për protesta masive edhe në ditët në vijim, ndërkohë kërkuan edhe shfuqizimin e Paketës së Maleve. “Qoftë e bekuar pika që mbush gotën”, “Ti dogje rininë, sot të djeg rinia ty,” ishin disa nga pankartat që mbanin qytetarët në duar./Dosja.al

“Në Zvërnec duan të krijojnë një qytet me 10 mijë dhoma”, aktivisti Vorpsi: Rrezikohen 200 lloje shpendësh! Foleja e breshkave ishte vetëm 100 metra nga kantieri

Aktivisti Joni Vorpsi, i ftuar në studion e News24, ka lëshuar alarmin mbi dëmin e pariparueshëm ekologjik që po i shkaktohet zonës së mbrojtur të Zvërnecit dhe Lagunës së Nartës nga projekti i ri turistik.

 

Vorpsi solli të dhëna nga terreni, duke zbuluar se makineritë e rënda kishin rrethuar një hapësirë prej kilometrash, pranë habitateve unike ku çiftohen lloje të rrezikuara të kafshëve. Sipas tij, ky nuk është thjesht një kompleks i zakonshëm, por një projekt me përmasat e një qyteti të tërë që kërcënon të zhdukë ekosistemin.

Aktivisti shpjegoi me detaje pasurinë e jashtëzakonshme të faunës në këtë zonë, duke theksuar se Laguna e Nartës shërben si një pikë kyçe dhe e papërsëritshme në rajon për disa lloje të veçanta shpendësh dhe kafshësh ujore.

“Aty ka mbi 200 lloje shpendësh. Është pelikani kaçurrel që rrezikohet, si dhe flamingot që janë lloj i veçantë, dhe ky është vendi i vetëm në lagunën e Nartës ku ato çiftohen. Vitin e kaluar ishin 500 fole të tyre, kolonia më e madhe në Ballkan! Po ashtu janë breshkat e detit. Kemi zbuluar një fole të tyre shumë pranë kantierit, vetëm 100 metra larg. Ato çiftohen në gjithë hapësirën nga Zvërneci në Vjosë,” deklaroi Vorpsi.

Ndryshe nga tentativat për ta minimizuar ndikimin e ndërtimit, Vorpsi konfirmoi se në terren ka nisur puna dhe se shifrat e bëra publike që në fillim nga investitorët tregojnë një betonizim masiv.

“Nëse ne e trajtojmë atë si një projekt të thjeshtë gabojmë, ajo që po bëhet është diçka gjigante. Është një qytet i vogël, me 10 mijë dhoma që planifikohen të ndërtohen. Projekt patjeter që ka, sepse tashmë kanë sjellë edhe makineritë në terren. Deklarata se do të ketë 10 mijë dhoma është bërë që në fillim vetë nga Jared Kushner dhe Ivanka Trump. Gjatësia që do të zërë ky investim është e gjithë ajo pjesë që u rrethua nga kantieri, që shkon në plot 6 kilometra,” përfundoi aktivisti.

U vra gjatë aksionit për kapjen e të shumëkërkuarit, Enea Mekolli përcillet në banesën e fundit

Enea Mekolli, efektivi i forcave “Shqiponja”, i cili u vra dje në mënyrë tragjike, në krye të detyrës është përcjellë për në banesën e fundit,

Një numër i madh të afërmish, miqsh e kolegësh, së bashku me qytetarë dhe figura të policisë kanë marrë pjesë në lamtumirën e fundit për Mekollin, i cili është shpallur “Dëshmor i Atdheut”.

Ai mbeti i vrarë gjatë aksionit për kapjen e të 43-vjeçarit të shpallur në kërkim Violand Braçellari.

Autori i krimit ka hapur zjarr ndaj policisë pasi ata i kanë bërë thirrje për t’u dorëzuar, duke i marrë jetën 34-vjeçarit, ndërsa i plagosur rëndë mbeti edhe efektivi 36-vjeçar. bw

“Misioni i qeverisë është ndarja e Shqipërisë”- Alizoti: Qytetarë protestoni, edhe sikur të mos kem bindjet tuaja! Autokratët kanë vetëm një element, frikën!

Deputeti i partisë Demokratike, Tomor Alizoti, ka mbështetur hapur protestat e qytetarëve për Zvërnecin, edhe pse është një lëvizje kundër direktivës së partisë.

Nga foltorja e Parlamentit dje ai mbështeti lëvizjen qytetare në mbrojtje të mjedisit dhe territorit shqiptar, duke i nxitur që të vazhdonin protestat edhe nëse ai personalisht nuk do kishte bindjet e tyre.

Sepse, siç nënvizoi, qëllimi i qeverisë është ndarja e Shqipërisë”.

“Ka shqiptarë që nuk e di këtë që misioni i kësaj qeverie është ndarja e Shqipërisë! Pse është ndarja e Shqipërisë? Sepse autokracia funksionon së bashku me oligarkinë. Me një grup të vogël që mban pushtetin ekonomik dhe ushtron atë politik nëpërmjet autokratit dhe autokrati ka ikur! I cili bredh nëpër botë dhe jep misionin”, tha ligjvënësi opozitar, duke nënkuptuar kryeministrin Edi Rama.

Më tej ai shpjegoi edhe atë që ndodhi me dhunën ndaj qytetarit në Zvërnec dhe sjelljen e pushtetit, duke lënë të kuptohet se pas ishin interesat ekonomike dhe të pushtetit.

“Tani ju akuzuar drejtorin e Policisë dhe atë privat. Pse nuk e preku Policia atë rojën private, sepse ata janë pushteti! Po të guxonte të prekej dikush tjetër, Policia e gllabëronte. E dyta, pse tentoi drejtori i policisë të manipulonte? Sepse e dinte që ishte pushteti.  Tani meqë kjo u bë publike dhe doli në sy të njerëzve, tani kanë dalë njerëzit në rrugë”, tha ai.

Në fund të fjalës së tij nga foltorja e Kuvendit, Alizoti mbështeti publikisht protestën dhe deklaroi se kjo është mënyra e vetme, sepse autokratët kanë frikë.

“Ndaj të nderuar njerëz, protestoni, protestoni, protestoni, edhe sikur personalisht të mos kem bindjet tuaja. Protestoni sepse autokratët kanë vetëm një element, ata kanë frikë”, përfundoi deputeti demokrat. gsh

Alban Skënderaj në krah të qytetarëve, iu bashkua protestës kundër ndërtimeve në Zvërnec

Në mesin e personazheve të famshëm që iu janë bashkuar qytetarëve kundër qeverisë dhe ndërtimeve në Zvërnec është edhe Alban Skënderaj.

Këngëtari shumë i dashur për publikun është parë mes qytetarëve në protestën e një dite më parë. Ndonëse ai nuk e ka treguar këtë publikisht, artisti ka preferuar që të ‘flasë’ me prezencën e tij.

Kujtojmë që këngëtari ka bërë më herët një reagim në lidhje me dhunimin e protestuesit të shtunën e kaluar nga rojet e kompanisë së sigurisë private në Zvërnec, e cila ishte edhe “shkëndija” e reagimit qytetar në Tiranë.gsh

Njoftimi – ‘Protesta për hallet e qytetarëve’- Kryesia dhe drejtuesit e PD mbledhje në selinë e Vlorës

Partia Demokratike Dega Vlorë ka njoftuar se do të organizojë një takim me Kryesinë dhe drejtuesit e strukturave, në lidhje me protestën që do të organizojnë nesër.

Njoftimi i plotë:

Te nderuar gazetare!

Uroj te jeni mire!

Sot ne oren 20.00 ne seline e saj, PD, dega Vlore organizon nje takim me Kryesine dhe drejtuesit e strukturave, ne lidhje me Protesten qe do te organizoje neser. Pasqyrimi i ketij takimi sot do ti sherbente sensibilizimit qytetar per pjesemarrje!

Ju faleminderit!!

Me shume respekt per ju, Aurel Bylykbashi

Image

“A je shqipe, a je pulë” Pankartat pikante në ditën e pestë të protestës kundër qeverisë: Sot Zvërneci, nesër…

"A je shqipe, a je pulë"/ Pankartat pikante në ditën e

TIRANË- Protesta e sotme kundër qeverisë po shoqërohet me pankarta pikante nga qytetarët. Teksa protestuesit marshojnë, disa nga pankartat që bien në sy janë: “A je shqipe, a je pulë”.

Postera të tjera i referohen shembjes së ndërtesave në Theth vitin e kaluar, ku shkruhet: “Dje Thethi, sot Rrjolli, Zvërneci, nesër Skavica”. Aktivistët kanë zgjedhur edhe karikaturat me krerët e partive kryesore, si formë për të shprehur pakënaqësinë ndaj politikës në vend./Dosja.al

"A je shqipe, a je pulë"/ Pankartat pikante në ditën e

 

"A je shqipe, a je pulë"/ Pankartat pikante në ditën e

 

"A je shqipe, a je pulë"/ Pankartat pikante në ditën e

 

Protesta për Zvërnecin, qytetari me karton të kuq në dorë: Është për të gjithë deputetët, duhet të dalin nga Parlamenti

Një skenë simbolike u shënua gjatë protestës së zhvilluar këtë të enjte në Tiranë, ku një qytetar u shfaq me një karton të kuq në duar, duke përcjellë një mesazh kritik ndaj deputetëve të Kuvendit.

Me këtë veprim, protestuesi krahasoi politikën me një ndeshje futbolli, duke kërkuar “përjashtimin nga loja” të përfaqësuesve aktualë në Parlament.

“Ky karton i kuq është për të gjithë deputetët. Duhet të dalin jashtë Parlamentit, jashtë lojës”, deklaroi ai gjatë protestës. gsh

protesta zvernecin

FOTOT- “Nuk manipulohemi” – Personazhet e famshëm komentojnë në postimin e Ramës për Zvërnecin: Kush i bën gropën tjetrit, bie vet brenda!

Teksa protesta masive e qytetarëve kundër projektit në Zvërnec vijon prej disa ditësh, edhe reagimi i qytetarëve në rrjetet sociale ka qenë i ashpër kundrejt kryeministrit Edi Rama.

Në momentin që ky i fundit ka vazhduar reagimet në Facebook, duke mbajtur qëndrimin e tij për situatën, qytetarët e thjeshtë dhe jo vetëm janë revoltuar dhe kanë shpalosur qartë kritikat.

  • foto galeri
  • foto galeri

 

  • foto galeri

Ajo që bie në sy në seksionin e komenteve të kryeministrit janë reagimet nga personazhet e njohur të rrjeteve sociale dhe artit, të cilët i janë drejtuar kreut të qeverisë me shprehje si “nuk na manipulon” dhe “nuk na hedh dot hi syve”.

Një tjetër koment pyeste kryeministrin se ku shkojnë taksat e qytetarëve, në videon ku ai shprehej se Zvërneci është ndotur. bw

“Një shok na thotë që këtë mrekulli s’e ka pa kurrë”, “Shkodra Elektronike” i bashkohet revoltës për Zvërnecin: Edhe na po çohena!

Grupi i njohur i muzikës, Shkodra Elektronike, të cilët përfaqësuan Shqipërinë në festivalin europian Eurovision vitin e kaluar, kanë reaguar zyrtarisht në lidhje me kauzën e Zvërnecit dhe protestat qytetare që kanë përfshirë vendin.

Përmes një mesazhi të shkurtër por mjaft domethënës, artistët kanë shprehur mbështetjen e plotë për mbrojtjen e kësaj pasurie natyrore, duke njoftuar se do t’i bashkohen lëvizjes.

“Nji SHOK na thotë që këtë mrekulli s’e ka pa kurrë! E po niset njitesh! EDHE NA PO ÇOHENA!” – shkruan grupi në reagimin e tyre.

Me këtë qëndrim, Shkodra Elektronike rreshtohet krah zërave të shumtë të artit, kulturës dhe shoqërisë civile që po kërkojnë me ngulm anulimin e projekteve që prekin zonën e mbrojtur të Zvërnecit, duke treguar se kauza tashmë ka marrë një dimension të gjerë kombëtar.bw

Projekti prej miliarda eurosh që po nxit polemika në Shqipëri

Jetmira Delia-Kaci

 

Në Zvërnec, fshat pranë qytetit bregdetar të Vlorës, në Shqipëri, punimet përgatitore për një projekt turistik, të lidhur me planet e shpallura më herët nga Jared Kushner, dhëndër i presidentit amerikan Donald Trump, për ndërtimin e hoteleve dhe vilave, nxitën protesta dhe një varg shqetësimesh.

Banorë, aktivistë mjedisorë dhe përfaqësues të shoqërisë civile përmendën tri kryesore: ndikimin në mjedis, paqartësitë mbi pronësinë e tokës ku planifikohet ndërtimi, dhe mungesën e transparencës për projektin.

Më 30 maj, protesta në Zvërnec u shoqërua me përplasje të dhunshme me punonjës të sigurimit privat. Protestat më pas u bartën edhe në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, ku u kërkua anulimin i projektit dhe dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.

Çfarë tha Rama?

Kreu i ekzekutivit shqiptar po e mbron projektin. Ai tha se investimi në Zvërnec mund të arrijë vlerën prej 4 miliardë eurosh, dhe se mund ta vendosë Shqipërinë në “listën e kampionëve” të turizmit.

Sipas Ramës, projekti do të zhvillohet vetëm në pronë private, laguna nuk do të preket dhe investitorët kanë premtuar se gjithçka do të bëhet sipas ligjit.

“Nuk ka asnjë shans që investimi të ndalojë për aq kohë sa unë do të jem këtu”, u shpreh ai.

Por, kryeministri i Shqipërisë tha se për Zvërnecin ende nuk ka një projekt konkret, por vetëm një koncept të miratuar me kushte, ndërsa studimi mjedisor ende nuk është përfunduar.

Zvërneci, afër Vlorës i fotografuar më 2024.

Zvërneci, afër Vlorës i fotografuar më 2024.

Përfshirja e prokurorisë speciale

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar – SPAK konfirmoi më 1 qershor se ka nisur një hetim lidhur me Zvërnecin. Rama tha më pas se SPAK-u kishte bllokuar një transaksion prone, të lidhur me projektin.

Më 3 qershor, ai tha se SPAK-u ka verifikuar pronësinë e investitorëve të huaj mbi tokën ku është planifikuar projekti turistik. Sipas tij, është sqaruar origjina e fondeve të kaluara përmes bankës, ndërsa fondet janë mbajtur të ngrira dhe nuk i janë kaluar shitësit, për të cilin ka një proces hetimor.

SPAK-u, ndërkaq, i tha Radios Evropa e Lirë (REL) se çështja ndodhet në një fazë procedurale, dhe se hollësitë nuk mund të bëhen publike tani për tani.

Flamingo duke notuar në zonën e mbrojtur në Zvërnec, afër Vlorës. 10 maj 2026.

Flamingo duke notuar në zonën e mbrojtur në Zvërnec, afër Vlorës. 10 maj 2026.

Kush janë blerësit e tokës?

Pronare e zonës së rrethuar në Zvërnec rezulton të jetë kompania Albania Land Development.

Të dhënat e Qendrës Kombëtare të Biznesit tregojnë se pronarë të kësaj kompanie janë vëllezërit nga Katari, Mohamadmoataz Mhd Ruslan Alkhayat dhe Ramez Mhd Ruslan Alkhayyat.

Më 29 prill, Këshilli Kombëtar i Territorit dha leje për rrethimin dhe për punime përgatitore për rrugët e qasjes brenda pronës. Leja iu dha shoqërisë Zvërnec South Adriatic Development, në cilësinë e zhvilluesit të punimeve përgatitore.

Banorë të Zvërnecit i kanë thënë REL-it se janë të përfshirë në një kontest gjyqësor për pronësinë e tokës, që ata pretendojnë se u është marrë padrejtësisht.

Zvërnec, 9 maj 2026.

Zvërnec, 9 maj 2026.

Pse përmendet Kushner?

Në mars të vitit 2024, Kushner tha se synon të ndërtojë hotele dhe qindra vila në Zvërnec.

Sipas gazetës New York Times, ai do të përfshihej përmes firmës së tij investuese, Affinity Partners, e mbështetur nga fonde saudite dhe investitorë të tjerë të huaj.

REL-i iu drejtua Affinity Partners lidhur me investimet e parapara në Shqipëri dhe protestat që po zhvillohen. Përgjigjja erdhi nga Sazan Real Estate Development LLC, e cila tha se i respekton “proceset e vazhdueshme publike dhe institucionale” dhe është e gatshme të ecë përpara ndërsa ato zhvillohen.

Kompania figuron në regjistrin e pronarëve përfitues si një nga personat juridikë indirektë në strukturën e pronësisë së kompanisë Albania Land Development.

Një veturë duke kaluar pranë zonës së mbrojtur Pishë Poro-Nartë më 10 maj 2026.

Një veturë duke kaluar pranë zonës së mbrojtur Pishë Poro-Nartë më 10 maj 2026.

Kërkesa për transparencë

Përfaqësues të shoqërisë civile dhe analistë në Shqipëri konsiderojnë se pikërisht mungesa e transparencës është në qendër të debatit për Zvërnecin.

Rigels Xhemollari, nga organizata Qëndresa Qytetare, tha për REL-in se çështja mund të zgjidhet vetëm nëse bëhen publike dokumentet kryesore. Sipas tij, nëse nuk ka transparencë, projekti do të mbetet i kontestuar.

Politologu Ermal Hasimja beson se zgjidhja duhet kërkuar te zbatimi i ligjit, por mendon se problemi është bërë më i madh për shkak të ndryshimeve ligjore që, sipas tij, kanë hapur rrugë për abuzime në zona të tilla.

“Nëse do të ketë transparencë të plotë mbi ata që kanë pronat, si i kanë marrë, mbi ata që do të investojnë, duke parë edhe aspektin e lejeve mjedisore dhe duke respektuar në të gjitha rastet ligjin, besoj se do të gjendet rruga e duhur”, tha Hasimja për REL-in.

Për gazetarin dhe analistin Ben Andoni, “projekte të tilla nuk mund të kalojnë thjesht nëpërmjet protagonizmit të kryeministrit Rama dhe të disa individëve”.

Ai tha për REL-in se çështja e Zvërnecit ka nxjerrë në pah një problem më të madh: atë të pronësisë, “që është gati një ‘kancer’ për zhvillimin e Shqipërisë”.

Protestuesit duke u përleshur me policinë gjatë protestës kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec. Tiranë, 3 qershor 2026.

Protestuesit duke u përleshur me policinë gjatë protestës kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec. Tiranë, 3 qershor 2026.

Efekti i protestave

Xhemollari kujton se protesta ka sjellë më shumë vëmendje mediatike, ndërkombëtarizim dhe ndërgjegjësim qytetar për Zvërnecin.

Hasimja i sheh protestat si shenjë pozitive të aktivizimit qytetar, sidomos të të rinjve, ndërsa Andoni e cilëson pjesëmarrjen e gjeneratës Z risinë më të madhe.

Po pretendimet për ndikime të huaja? Xhemollari i hedh poshtë ato, duke thënë se “pas tyre nuk ka as grekë, as serbë, as izraelitë, as agjentë”.

Edhe Andoni konsideron se pretendimet e tilla janë të zmadhuara dhe se protesta është më shumë rezultat i pakënaqësive të grumbulluara.

Sokol Balla nuk iu përgjigj kërkesave të BIRN-it Investigimi i BIRN: Si u përdorën fotot me IA dhe kamerat e policisë për të sulmuar protestën për Zvërnecin –

 

BIRN/ Në studion e emisionit “Real Story” në ABC News, të hënën më 1 qershor, debati për protestën e banorëve të Zvërnecit kundër ndërtimit të një resorti mori një kthesë të pazakontë, kur i ftuari  Arben Meçe paraqiti si provë një fotografi.
Imazhi tregonte një autobus të rrethuar nga njerëz – disa të veshur me xhupa dhe pallto dimri – si dhe flamuj grekë në një pikë kufitare. Meçe tha se fotografia i ishte dërguar nga persona të pranishëm në vendngjarje dhe pretendoi se ajo dokumentonte mbërritjen e protestuesve nga Greqia për të marrë pjesë në protestën e zhvilluar në Tiranë.“Nga njerëz që janë prezent atje ma dërguan,” tha Meçe. Drejtuesi i emisionit, Sokol Balla, mbështeti interpretimin e tij, ndërsa Meçe këmbënguli se në protestë kishin mbërritur “tetë autobusë”. Analisti Skënder Minxhozi, duke vëzhguar fotografinë, sugjeroi se bëhej fjalë për linjën Athinë-Vlorë.

Por fotografia, e trajtuar në studio si dëshmi e një ndërhyrjeje të organizuara nga jashtë, rezultoi më pas të ishte një imazh i krijuar me inteligjencë artificiale, që sipas autorit – të intervistuar nga BIRN – ishte frymëzuar nga deklaratat e një deputeti të Partisë Socialiste.

Ky imazh është pjesë e një fushate me narrativa dezinformuese në media – e udhëhequr nga kryeministri Edi Rama dhe Partia Socialiste – sipas të cilave Greqia po nxit kritikat ndaj projektit të lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan, Donald Trump.

Fushata nuk përfshin vetëm foto të krijuara me IA dhe deklarata spekulative nga kryeministri dhe zyrtarë socialistë, por edhe keqpërdorim të pamjeve nga kamerat e Policisë së Shtetit, si dhe ‘lajme të pakonfirmuara’.

Sipas ekspertëve, kjo fushatë është një përpjekje për të manipuluar opinionin publik, ndërsa prej tre ditësh, mijëra qytetarë janë ngritur në protesta në Tiranë, duke kërkuar anulimin e projektit dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

“Për mendimin tim, këto përmbajtje nuk synojnë vetëm të dezinformojnë, por edhe të ndikojnë mënyrën se si qytetarët interpretojnë një ngjarje apo një kauzë,” thotë Erlis Çela, pedagog i komunikimit në Western Balkans University në Tiranë.

Analisti Arben Meçe i qëndroi deklaratës së tij se fotografia është origjinale.

“E kam testuar me tre mjetet më të fuqishme të inteligjencës artificiale të kohës,” pretendoi ai.

Kolegu i tij, Skënder Minxhozi theksoi se ishte e pamundur ta verifikonte vërtetësinë e fotos gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë.

“Unë s’kam mundësi që ta verifikoj në kohë reale nëse fotoja është e vërtetë,” tha ai.

Drejtuesi i emisionit “Real Story” në ABC News, Sokol Balla, nuk iu përgjigj kërkesave të BIRN-it për një qëndrim.

Protesta dhe narrativa e rreme me IA

foto-me-ai-533x400Kompania që po zhvillon resortin, Zvërnec South Adriatic Development, është regjistruar offshore në formën e një trusti në Holandë, ndërsa pronarët përfitues të saj mbeten anonimë.

Ajo ka marrë disa leje zhvillimi nga KKTU dhe sipas Ramës, do të investojë 4 miliardë euro, por asnjë nga lejet dhe as dokumentet shoqëruese, përfshi Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis nuk janë zbardhur.

Në fund të prillit, kompania vendosi të rrethonte zonën e mbrojtur duke përdorur si shkresë një letër nga AZHT, e cila e njoftonte për miratimin e një leje punimesh kantieri ende të pafirmosur.

Rrethimi, i cili u bë fillimisht edhe me tela me gjemba, solli protesta nga aktivistë të mjedisit dhe banorë të zonës që pretendojnë toka brenda tij.

Në 30 maj, banorë e Zvërnecit – një pjesë e të cilëve jetojnë prej vitesh në emigracion në Greqi – dhe aktivistë, u përplasën me punonjës të një kompanie sigurie të punësuar nga zhvilluesi.

Dhunimi i i një prej banorëve nga rojet private të sigurisë dhe përdorimi i lakrimogjenëve kundër protestuesve – në sy të Policisë së Shtetit që qëndroi apatike, shërbyen si shkëndijë për protesta masive në Tiranë, të cilat kanë tërhequr dhjetra mijëra qytetarë.

Kryemnistri Edi Rama reagoi duke pretenduar se protesta po nxitej nga Athina.

“Si mund të jenë gazetat e Greqisë aleatët tuaj në mbrojtjen e mjedisit të Shqipërisë? Gazetat greke që janë mbushur sot të gjitha me kauzën tuaj. Ka diçka këtu që nuk shkon?” tha ndër të tjera lideri jetgjatë socialist, ndërsa u përfshi në një debat në distancë me ish-kryeministrin grek, Alexis Tsipras.

Fjalët e Ramës u kthyen në “projekt” politik nga deputetë dhe mbështetës të tij në përpjekje për të lidhur protestën me Athinën zyrtare. Një prej tyre ishte deputeti i Partisë Socialiste, Ardit Bido, i cili mbajti një qëndrim të ashpër në Kuvend ndaj protestës dhe aktorëve sipas tij të përfshirë në të.

“Tre autobuzat që erdhën nga Greqia pse nuk i deklarojnë,” pyeti Bido nga podiumi i Kuvendit. “Kush i nxiti këto autobuza,” shtoi ai, duke pretenduar se ato lidheshin me eurodeputetin greko-shqiptar, Fredi Beleri, një figurë kontraverse politike.

Fjalët e Bidos shërbyen si frymëzim për Marjus Seitin, gazetar lokal në Vlorë dhe administrues i faqes “Vlora” në Facebook, i cili shpesh mbështet socialistët lokalë në faqen që administron. Në mungesë të një ilustrimi për fjalët e deputetit të zonës, Seiti thotë se përdori ChatGPT për të prodhuar një imazh, i cili më pas u qarkullua nga ABC News dhe medie të tjera pro-qeveritare.

“Pamja është ilustruese e krijuar me ChatGPT, bazuar në ato që tha deputeti Ardit Bido dje në Parlament,” shpjegoi Seiti për BIRN.

Ai theksoi se e kishte bërë të qartë në komente origjinën e fotos, e cila ka detaje absurde që tradhtojnë natyrën e saj artificiale: tabela që qëndrojnë në ajër pa u mbajtur nga askush, njerëz të veshur me xhupa dimërorë jashtë sezonit, dhe një targë autobusi që nis me ‘AL’ që përfundon si targë greke.

Seitaj tha se fiktiviteti qe i dukshëm dhe nuk është përgjegjësia e tij që kjo u përdor në lajme.

“Ata në studio duhet të jenë profesionistë dhe të jenë në gjendje të dallojnë se një foto me 500 pixel nuk mund të jetë reale dhe nuk merret për bazë,” tha ai. “Duhen ftuar në studio njerëz që janë në gjendje ta verifikojnë informacionin,” shtoi Seitaj, duke nënvizuar se ai vetë është pro projektit të Kushner.

Kjo foto nuk qe e vetmja e prodhuar kështu për këtë çështje. Më herët para protestës, burime anonime që u shumëfishuan më pas në rrjete sociale nga profile pro iraniane dhe të ngjashme, postuan foto të rreme të flamurit izraelit në rrethimin në Pishë Poro – Nartë.

Këto foto më pas u përdorën në narrativën e qeverisë për të sulmuar protestuesit si ekstremistë dhe të painformuar.

Pedagogu i komunikimit, Erlis Çela thekson se transmetimi i imazheve me IA si të vërteta, zhvendos debatin nga kauza reale te pretendime pa bazë faktike.

“Nëse media publikon materiale që sugjerojnë se protestuesit po veprojnë në emër të interesave të huaja pa prova të qarta dhe të verifikuara, ajo rrezikon të ndikojë në mënyrën se si publiku i sheh këta qytetarë,” thotë Çela.

Deputeti Ardit Bido e sheh ndryshe. Ai i tha BIRN se banorët e Zvërnecit kishin të drejtë për të protestuar, por insistoi se kishte edhe instrumentalizim politik nga jashtë.

“Banorët kanë ardhur në të drejtën e tyre dhe për një kauzë, që për mua qëndron dhe është e drejtë. Mes tyre, ka pasur së paku një individ, i cili sipas informacioneve nga vetë banorët, u instrumentalizua me argumentin se “Greqia nuk më lë të kthehem pas”,” tha Bido për BIRN.

Ai shkoi edhe më tej, duke pretenduar se kushdo që nuk ndante qëndrimin e Partisë Socialiste, punonte kundër interesit kombëtar.

“BIRN dhe kushdo që sheh interesat ekonomike të fqinjëve që kanë investime miliardëshe në turizëm, po merr pjesë haptazi në një luftë hibride,” akuzoi ai.

Hetim nga SPAK?

survejimi-dhe-perdorimi-i-mjeteve-publike-600x346

Përtej imazhit të krijuar me inteligjencë artificiale dhe deklaratave politike spekulative, BIRN gjeti se disa media të tjera prodhuan një mori lajmesh që promovonin narrativën e qeverisë se pas protestave fshihej Greqia.

Protestuesi që u dhunua nga rojet e sigurisë në Zvërnec u cilësua “greku” në lajm të televizionit kombëtar Top Channel. ABC News, megjithatë, duket se shkoi një hap më tej.

Në përpjekje për të mbështetur narrativën e autobusëve të shfaqur në emisionin kryesor të së hënës, televizioni raportoi të martën se SPAK kishte nisur procedim penal lidhur me autobusët dhe mënyrën se si protestuesit kishin mbërritur në protestë.

Pamjet që shoqëronin kronikën tregonin autobusë të linjës Vlorë–Athinë, të identifikuar me elementë grafikë – katrorë të gjelbër dhe shënues semantikë – që ngjajnë me ato të Sistemit të Monitorimit të Trafikut të Policisë së Shtetit.

Pronari i linjës së autobusëve që shfaqet në pamjet televizive, Xhorxhi Ruci, u tall me pretendimet për financime të huaja.

“Nuk u çmend Greqia të na japë para neve,” deklaroi Ruçi në një bisedë telefonike, ndërsa shtoi se prej 35 vitesh kryen linjën Athinë–Vlorë.

“Nuk i di hallet e pasagjerëve; kush vjen për mort, kush vjen për dasmë,” shtoi ai.

Ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit nuk iu përgjigjën pyetjeve të BIRN-it në lidhje me mënyrën se si pamjet e sistemit shtetëror të monitorimit u përdorën në media për të identifikuar mjetet me të cilat u pretendua se udhëtuan qytetarët protestues.

Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) e përgënjeshtroi zyrtarisht pretendimin se po hetonte të ashtuquajturit “autobusë nga Greqia”.

“Nuk ka procedim apo hetim,” tha SPAK.

Sipas aktivistit Rigels Xhemollari nga organizata “Qëndresa Qytetare”, përdorimi i pamjeve nga kamerat e sigurisë synonte frikësimin e qytetarëve që protestojnë.

“Asnjë shtetasi shqiptar, për asnjë arsye, nuk mund t’i mohohet e drejta kushtetuese e protestës,” tha Xhemollari, i cili kërkoi hetime mbi rrjedhjen dhe publikimin e pamjeve.

Edhe Erlis Çela tha se publikimi i këtyre materialeve ngre shqetësime serioze për privatësinë dhe etikën mediatike.

“Publiku ka të drejtë të dijë se si janë siguruar këto pamje, për çfarë qëllimi janë përdorur dhe nëse publikimi i tyre përbën shkelje të privatësisë,” tha ai.

“Media dhe gazetarët që kanë përdorur këto të dhëna kanë detyrimin të bëjnë transparencë për marrëdhënien me institucionin që ka përgjegjësinë për ruajtjen e tyre,” shtoi Çela.

Enea Mekolli, 34 vjeç është efektivi i vrarë në Lozhan të Maliqit gjatë operacionit për arrestimin e ish ushtarakut në kërkim

 

Kjo është foto e policit të vrarë gjatë operacionit për arrestimin e Violand Braçellarit mëngjesin e sotëm në Lozhan të Maliqit.

Ai është Enea Mekolli, 34 vjeç efektiv i forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Korçë, ndërsa i plagosur ka mbetur kolegu i tij, Edison Adri, 36 vjeç.

Autori Violand Braçellari rezulton ish ushtarak që ishte dënuar në vitin 2017 me 9 vjet, 11 muaj e 7 ditë burgim nga Gjykata e Korçës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa në vitin 2011 ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Policia kishte identifikuar vendndodhjen në një stan në Lozhan të Maliqit dhe kishte ndërmarrë një operacion për arrestimin e tij mëngjesin e sotëm.

Ngjarja
Policia njofton se rreth orës 07:30, shërbimet e Policisë kanë rrethuar vendin (stanin) ku dyshohej se fshihej personi në kërkim, konkretisht shtetasi Violand Braçellari, 43 vjeç, i dënuar në vitin 2017 me 9 vjet, 11 muaj e 7 ditë burgim nga Gjykata e Korçës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa në vitin 2011 ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Shërbimet e Policisë i kanë bërë thirrje të kërkuarit të dilte dhe të dorëzohej, por ai nuk i është bindur thirrjes së Policisë dhe ka hapur zjarr në drejtim të punonjësve të Policisë, ku për pasojë ka humbur jetën punonjësi i Policisë, inspektor Enea Mekolli, 34 vjeç, dhe ka mbetur i plagosur punonjësi i Policisë, inspektor Edison Adri, 36 vjeç (të dy punonjës të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Korçë).

Për të neutralizuar sulmin e të kërkuarit, shërbimet e Policisë i janë kundërpërgjigjur me armë zjarri dhe, si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, ka mbetur i plagosur edhe i kërkuari, shtetasi Violand Braçellari, i cili më pas është arrestuar.

Në drejtim të vendit të ngjarjes është nisur helikopteri i shëndetësisë.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje shumë të rëndë, ku humbi jetën në krye të detyrës një punonjës Policie dhe mbeti i plagosur një tjetër punonjës i Policisë./sn

“Studim mjedisor me buldozer? E turpshme”- Zhupa: Shqiptarët protestojnë për Zvërnecin, s’janë agjentë. Dhatë Butrintin me koncesion sot doni t’i hyni Nartës me kokë

Në fjalën e saj në Kuvend Ina Zhupa ka mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj qeverisë Rama.

Zhupa theksoi se është e pafalshme që Shqipëria vazhdon dhe betonizohet dhe se qeveria nuk u përgjigjet kërkesave të qytetarëve. Gjithashtu theksoi se ka kërkuar Interpelancë me ministrin e Mjedisit gjë e cila është mohuar.

“Kam kërkuar një interpelancë urgjente me ministrin e Mjedisit për zonat e Mbrojtura Të vijë dhe t’u japë llogari shqiptarëve, përse nuk është futur në rendin e ditës Interpelanca urgjente. U mësuat ju që betonizonit çfarë të donit, bëtë Gjirin e Manastirit, dhe të Butrintin me koncension nuk pyetët dhe sot doni t’i hyni Nartës me kokë dhe nuk pyesni. Por harruat që shqiptarët luftojnë për Shqipërinë dhe sot janë çuar për një betejë që unë e kam nisur që me Butrinitn dhe PD e ka çuar në Gjykatë. Sot ua kërkon bashkimi Evropian ta mbroni. Janë protestues shqiptarë, jo grekë, apo rusë apo agjentë, janë shqiptarë që u dhimbset, Turizmi i qëndrueshëm është me mjedis të qëndrueshëm. Nuk ka turizëm të qëndrueshëm me beton. Ju doni t’i tregoni shqiptarëve histori me beton, vila. Sot duhet të trembeni nga ata shqiptarë që protestojnë përtej çdo partie. S’mund të na thoni që po bëni studim mjedisor me Buldozier”, tha ajo. bw

“Rama, antimiting në Vlorë”- Berisha: “Hiqni dorë! As mos e provoni” Praktikë staliniste! Ja mesazhet që ia keni dërguar administratës

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka paralajmëruar kryeministrin Edi Rama dhe socialistët që të mos organizojnë atë që ai e ka quajtur antimiting në Vlorë. Sipas tij punonjësve të administratës u është dërguar mesazh të jenë pjesë e takimit, ndërsa tha se praktika e anti-mitingjeve është fashiste.

“Jam këtu për të denoncuar me forcë të madhe vendimin për të organizuar në Vlorë anti-mitingun e turpshëm të historisë. Ju paralajmëroj se në mënyrë absolute anti-mitingjet tuaja nuk do të tolerohen e do të marrin përgjigjen e duhur. A ka akt më të turpshëm se të marrësh nëpunësit e të dalësh kundër qytetarëve? Hiqni dorë, anulojeni. Keni dërguar mesazh në punonjëst e gjithë jugut si Ramiz Alia që donte të shpallte republikën e jugut. As mos e provoni! Është fashiste staliniste praktika e anti-mitingjeve. Hiqni dorë. Gjithçka është terri dhe mungesa totale e transparencës.
Sot e tutje zonja Spahiu do të quhesh zonja Mëkati. E kupton vetë ti”, tha ai.

Ndërkohë në rrjetet sociale Berisha ka publikuare dhe mesazhet që sipas tij i janë dërguar administratës.bw

 

Vrasja e policit në Lozhan, reagon Begaj: Ngushëllime familjes, solidaritet në emër të shtetit shqiptar

Presidenti Bajram Begaj ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Maliq, ku një polic u vra dhe një tjetër u plagos.

Në reagimin e tij, Begaj ka shprehur ngushëllime për humbjen tragjike të policit Enea Mekolli në krye të detyrës, dhe plagosjen e rëndë të kolegut të tij, Edison Adri.

Reagimi:

Bashkohem thellësisht më dhembjen për humbjen tragjike të jetës në krye të detyrës të policit Enea Mekolli dhe plagosjen rëndë të kolegut të tij, Edison Adri.

I shpreh familjes ngushëllimet dhe solidaritetin më të lartë në emër të shtetit shqiptar në këtë ditë mjaft të rëndë për ta!

I uroj shërim të plotë dhe sa më të shpejtë punonjësit të Policisë së Shtetit, i cili mbeti i plagosur!
Policia e Shtetit nuk do të zbrapset nga kjo humbje e do ta kthejë dhembjen në forcë e vendosmëri për të luftuar krimin në çdo skutë.

Populli shqiptar është masivisht përkrah policisë në mbrojtje të sigurisë dhe rendit publik. bw

Dosja “Balluku”- Akuza për pastrim parash, SPAK merr të pandehur Igli Taren

SPAK merr të pandehur Igli Taren në lidhje me dosjen “Balluku”.

Gazetarja Klodiana Lala raporton për BalkanWeb se ish-futbollistit të kombëtares shqiptare të futbollit i është komunikuar akuza për pastrim parash.

Më parë vëllai i tij, Agron Tare ishte thirrur nga prokurorët e posaçëm, por SPAK kishte kërkuar dhe dëshminë e ish-futbollistit të Kombëtares. bw

—

Hetimi mbetet në zhvillim, ndërsa SPAK po zgjeron verifikimet për të zbardhur lidhjet dhe përgjegjësitë e mundshme në dosje… 

Igli Tare, ish-futbollist i kombëtares kuqezi, është marrë i pandehur nga SPAK. Tare u paraqit në Prokurorinë e Posaçme paraditen e së enjtes, ku edhe iu komunikua akuza e pastrimit të parave. Ishte prokurori Dritan Prençi, i njëjti që po zhvillon hetimet lidhur me ish-zv.Kryeministren, Belinda Balluku që i ka komunikuar akuzën Tares.

SPAK nuk ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me çështjen, por disa ditë më parë, u mor në pyetje edhe vëllai i tij, Agron Tare. Ky i fundit ka qenë drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës dhe zëvendësministër i Punëve të Jashtme. Agron Tare u pyet nga SPAK me cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e hetimit.

Rama: Pas verifikimeve të SPAK-ut, investitorët e huaj janë pronarë të tokës në Zvërnec

Zvërnec, 31 maj 2026.

 

Jetmira Delia-Kaci

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se pas verifikimeve të kryera nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), investitorët e huaj, të cilët kanë blerë tokën për të investuar në Zvërnec, janë tashmë pronarë të saj.

Sipas të dhënave zyrtare, pronare e zonës së rrethuar me gardh metalik në Zvërnec, afër Vlorës, rezulton të jetë kompania “Albania Land Development”, e regjistruar në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës në Shqipëri më 27 maj 2025.

Të dhënat e Qendrës Kombëtare të Biznesit tregojnë se pronarë të kësaj kompanie janë vëllezërit nga Katari, Mohamadmoataz Mhd Ruslan Alkhayat dhe Ramez Mhd Ruslan Alkhayyat.

“Një zhvillim që unë e konsideroj shumë pozitiv lidhur me procesin e verifikimit të transaksionit për blerjen e tokës në Zvërnec, që do të thotë me sqarimin e plotë dhe përfundimtar të origjinës së fondeve të kaluara përmes bankës dhe me çlirimin përfundimtar të investitorëve që tanimë janë dhe pronarë”, tha Rama pas mbledhjes së Qeverisë shqiptare më 3 qershor.

Ai vlerësoi edhe faktin që SPAK-u ka vendosur të mbajë të ngrira fondet pa i lënë të kalojnë te shitësi, për të cilin ka një proces hetimor.

“Kjo, në këndvështrimin tim, është shumë pozitive edhe për këdo që pretendon pronë në atë territor, pasi çështja do të mbulohet nga një hetim tërësisht i pavarur nga SPAK-i, dhe në të dyja rastet rezultati do të jetë i padiskutueshëm nga pikëpamja ligjore dhe do t’i japë fund çdo pretendimi që nuk është i bazuar në ligj”, tha Rama.

Në lidhje me hetimet për çështjen e pronësisë ndaj tokës në Zvërnec, zyra për mediat e SPAK-ut sërish të mërkurën tha se “çështja ndodhet në një fazë procedurale, detajet e saj nuk mund të bëhen publike në këtë moment”.

Kreu i Qeverisë shqiptare, Edi Rama, tha se hetimi do të tregojë nëse shitësi ka një origjinë legjitime të pronës dhe më pas do të marrë paratë. Nëse do të rezultojë e kundërta,“paratë do t’i mbeten Republikës së Shqipërisë dhe patjetër që ato do të përdoren për cilindo që do të provojë se pretendimin mbi pronën e ka të bazuar”.

Banorë të fshatit Zvërnec kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se janë të përfshirë në një kontest gjyqësor me një biznesmen nga Vlora, lidhur me pronësinë e tokës në Zvërnec, për të cilën pretendojnë se u është marrë padrejtësisht.

Ndërkaq, lidhje me thirrjet e protestuesve për dorëheqjen e tij, Rama tha se nuk sheh arsye për dorëheqje dhe i cilësoi si përsëritje të debateve të vjetra politike. Ai tha se debati publik mbi mjedisin përdoret si instrument për të kundërshtuar projektet ekonomike, ndërsa theksoi se Shqipëria ka nevojë për zhvillim të turizmit elitar për të rritur ekonominë.

Ditët e fundit ka pasur protesta kundër punimeve në zonën e mbrojtur Pishë Poro-Nartë, ku është paraparë të ndërtohet një resort, mes shqetësimeve për ndikimin në mjedis dhe mosmarrëveshjeve mbi pronësinë e tokës.

Kjo zonë është mjedis i mbrojtur dhe konsiderohet si një nga habitatet më të rëndësishme në Shqipëri për zogjtë e ujit dhe ata shtegtar, përfshirë flamingot.

Punimet lidhen me planet e shpallura më herët nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan, Donald Trump. Në mars të vitit 2024, Kushner kishte njoftuar se synon të ndërtojë hotele dhe qindra vila në zonën e Zvërnecit.

E pyetur lidhur me protestat kundër projektit në Zvërnec, kompania e lidhur me investimet e Kushnerit në Shqipëri, Affinity Partnerm i ka thënë Radios Evropa e Lirë se i respekton “proceset e vazhdueshme publike dhe institucionale” dhe se “është e gatshme të ecë përpara, ndërsa ato zhvillohen”.

“Fokusi ynë mbetet te kujdesi i përgjegjshëm, përmirësimi mjedisor, krijimi i vendeve të punës dhe krijimi i vlerës afatgjatë për komunitetet lokale”, tha për Radion Evropa e Lirë Asher Abehsera, kryetar i Sazan Real Estate Development LLC.

Qeveria shqiptare ka thënë se investimi në Zvërnec është në vlerë prej 4 miliardë eurosh dhe ai synon ta vendosë Shqipërinë në “listën e kampionëve” të turizmit.

Firma investuese zotohet se do t’i respektojë proceset publike pas protestave ndaj projektit në Zvërnec

Radio Evropa e Lirë

Kompania e lidhur me investimet e parapara të dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, në Shqipëri, tha për Radion Evropa e Lirë se i respekton “proceset e vazhdueshme publike dhe institucionale” dhe se “është e gatshme të ecë përpara, ndërsa ato zhvillohen”.

Kjo përgjigje erdhi pasi REL-i iu drejtua kompanisë së lidhur me Kushnerin, Affinity Partners, pas protestave tashmë disaditore në Shqipëri kundër një projekti turistik në Zvërnec, pranë Vlorës.

“Fokusi ynë mbetet te kujdesi i përgjegjshëm, përmirësimi mjedisor, krijimi i vendeve të punës dhe krijimi i vlerës afatgjatë për komunitetet lokale”, tha për Radion Evropa e Lirë Asher Abehsera, kryetar i Sazan Real Estate Development LLC.

“Jemi të entuziazmuar për mundësinë për të krijuar një destinacion të klasit botëror dhe për të realizuar një nga investimet më të mëdha private në historinë e rajonit”, shtoi ai.

Protestat në Zvërnec kundër punimeve për një projekt turistik në zonën Pishë Poro-Nartë, në jugperëndim të Shqipërisë nisën javën e kaluar. Kjo zonë është pjesë e një peizazhi të mbrojtur me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare.

Protestat vazhduan edhe të martën në kryeqytetin Tiranë, me thirrje për anulimin e projektit dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Qytetarë të shumtë u mblodhën para ndërtesës së Qeverisë në Tiranë më 2 qershor, për të protestuar kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec, në jugprëndim të Shqipërisë.

Qytetarë të shumtë u mblodhën para ndërtesës së Qeverisë në Tiranë më 2 qershor, për të protestuar kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec, në jugprëndim të Shqipërisë.

Banorë të zonës, qytetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile kanë ngritur shqetësime për ndikimin në mjedis, pronësinë e tokës dhe transparencën e investimit.

Ndërkohë, organizatat për mbrojtjen e mjedisit kanë nisur edhe mbledhjen e nënshkrimeve përmes një peticioni online.

Por, kryeministri Rama e ka mbrojtur projektin dhe ka thënë se ai nuk do të ndalet për sa kohë është kryeministër.

Rama tha po ashtu se Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, ka bllokuar një transaksion prone të lidhur me projektin. SPAK-u nuk e ka konfirmuar publikisht bllokimin e ndonjë transaksioni.

SPAK-u më 1 qershor konfirmoi se ka nisur një hetim lidhur me Zvërnecin, por nuk dha hollësi se çfarë po hetohet saktësisht.

Projekti ka marrë vëmendje edhe për shkak të deklarimeve të mëhershme të Kushnerit. Në mars të vitit 2024, ai tha se synon të ndërtojë hotele dhe qindra vila në zonën e Zvërnecit.

Kompania e Kushnerit mori statusin e investitorit strategjik në dhjetor të vitit 2024 për ndërtimin e një resorti luksoz në ishullin e Sazanit. Vendimi u mor nga Komiteti i Investimeve Strategjike, i drejtuar nga Rama.

Sa i përket Zvërnecit, Rama tha të martën se Kushner “nuk ka bërë kërkesë për të qenë investitor strategjik”.


Send this to a friend