Një grup banorësh nga zona e Kënetës në Durrës kanë mbërritur mbrëmë (5 maj) pranë Bashkisë së Durrësit, ku kanë ndezur qirinj në kujtim të dy fëmijëve që humbën jetën në aksidentin tragjik të së dielës (3 maj).
Karvani i makinave bllokoi përkohësisht një korsi qarkullimi në aksin përballë sheshit “Liria”, për t’u drejtuar më pas drejt shkallëve të bashkisë.
Aty, qytetarët ndezën qirinj dhe mbajtën një minutë heshtje në shenjë respekti për dy vogëlushët, të moshës 9 dhe 12 vjeç, jeta e të cilëve u ndërpre tragjikisht teksa po luanin në trotuarin pranë banesave të tyre.
Mes dhimbjes ata janë lutur për shpirtrat e dy vogëlushëve, jeta e të cilëve u pre nga një drejtues mjeti që pas arrestimit u gjet i dehur në timon.
Gjykata e Durrësit e la të dyshuarin Nikoll Radaçi në masën arrest me burg, po gjatë ditës së sotme.
Masa e sigurisë së Nikoll Radaçit
57-vjeçari u shfaq në gjendje të rënduar psikologjike dhe nuk foli asgjë para gjykatës. Ndërkohë familjarët nuk e kanë mbështetur, madje ata janë larguar nga banesa nga frika e hasmërisë.
Aksidenti i rëndë ndodhi mesditën e 3 majit në lagjen nr.15 të Durrësit. 3 fëmijë ishin duke luajtur me top në trotuar kur 57-vjeçari në gjendje të dehur, humbi kontrollin e mjetit dhe mori para të miturit, duke lënë të vdekur 2 prej tyre. E.M., 12 vjeç dhe K. N., 10 vjeç ndërruan jetë, ndërsa fëmija tjetër 8 vjeç, arriti të mbijetojë, por me plagë të rënda.
Kujtojmë e shoferi ishte raportuar disa herë në polici nga banorët e zonës, ndërsa ishte gjobitur dhe nga Rrugorja për shkelje të rregullave të sigurisë. gsh