Në tre muaj policia ka arrestuar të paktën pesë shtetas të huaj, të kërkuar për krime të rënda në Bullgari, Rumani, Maqedoni e Shqipëri. Të kërkuarit janë ekstraduar me vendim të Gjykatës së Tiranës, pasi autoritetet e vendeve kërkuese kanë sjellë dosjet respektive ndaj të arrestuarve.
Nëse nuk do ishte rrëmbyer në Shqipëri, një 29-vjeçare gjermane do jetonte e pashqetësuar në Tiranë, edhe pse në vendin e saj kërkohet për disa akuza, përfshi mashtrimin dhe plagosjen. Më 1 mars të këtij viti, Katharina Erlt u rrëmbye në zonën e Unazës së Re nga ish i dashuri i saj, shtetas kosovar, i arrestuar nga policia. Ishin familjarët e 29-vjeçares ata që denoncuan në polici rrëmbimin e vajzës së tyre dhe pas ndërhyrjes së uniformave blu u bë i mundur ndalimi i të dyshuarit, i identifikuar si shtetas i Republikës së Kosovës. Pas ndalimit të agresorit, e dëmtuara bëri kallëzim në polici, ku pas verifikimeve rezultoi se ajo ishte shpallur në kërkim nga autoritetet gjermane.
Policia kreu menjëherë arrestimin e saj, ndërsa autoritetet gjermane përcollën në Shqipëri urdhër-arrestin ndërkombëtar ndaj 29-vjeçares, e cila ishte shpallur në kërkim në vendin e saj. Katharina Erlt akuzohet në Gjermani për mashtrim, plagosje dhe goditje personi. Vetëm pak ditë më parë Gjykata e Tiranës urdhëroi ekstradimin e të dyshuarës në Gjermani për t’u përballur me akuzat e ngritura nga drejtësia e vendit të saj.
Por ky është vetëm një nga rastet kur shtetas të huaj të kërkuar për krime të rënda gjejnë strehë në Shqipëri. Referuar vendimeve të dhëna nga Gjykata e Tiranës për ekstradimin e personave të huaj të kërkuar në vende të ndryshme të Europës, nga Shqipëria janë ekstraduar edhe të dënuar për vrasje apo për trafik droge në sasi të mëdha. I tillë është rasti i shtetases bullgare, Nina Georgieva Sahatchieva, e cila kërkohej nga autoritetet e vendit të saj për mbajtje dhe trafik të lëndëve narkotike në sasi të mëdha. 35-vjeçarja bullgare me banim në Romë të Italisë është arrestuar mbrëmjen e katër shkurtit të këtij viti duke hyrë në territorin shqiptar nëpërmjet aeroportit të Rinasit, pasi ndaj saj ishte lëshuar një urdhër-arresti ndërkombëtar i lëshuar nga Zyra e Prokurorit të Distriktit Rouse, Bullgari.
Nina Georgieva Sahatchieva dyshohet për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 354/a(2), (1), artikulli 2(2) të Kodit Penal Bullgar, vepër për të cilën parashikohet një dënim në maksimum 12 vjet burgim. Në seancën për ekstradimin e 35-vjeçares avokati kërkoi rrëzimin e kërkesës, pasi procesi gjyqësor ndaj saj ishte zhvilluar në Romë të Italisë, ku i ishte hequr edhe masa e sigurisë “detyrim për paraqitje në policinë gjyqësore”. E dyshuara tha se ajo kishte një fëmijë të mitur dhe në Shqipëri kishte ardhur që fëmija të njihej me gjyshërit.
Por pavarësisht këtyre pretendimeve, Gjykata e Tiranës urdhëroi ekstradimin e 35-vjeçares bullgare në vendin e saj të origjinës, ku kërkohej për mbajtje dhe trafikim të lëndëve narkotike në sasi të mëdha. Një tjetër rast ekstradimi është ai i shtetasit bullgar, Boyan Petreski, i kërkuar nga autoritetet maqedonase për vrasje dhe mbajtje e tregti me armë dhe materiale shpërthyese. 30-vjeçari u ekstradua më 8 maj të këtij viti me vendim të Gjykatës së Tiranës, pasi në vitin 2014 autoritetet maqedonase kishin lëshuar ndaj tij një urdhër arresti ndërkombëtar.
“Nga aktet e autoriteteve maqedonase rezulton se shtetasi Boyan Petreski, në bashkëpunim me shtetasin Riste Siljanoski më datë 21.08.2014, rreth orës 23:15 kanë qëlluar me armë zjarri dhe kanë vrarë shtetasit Romeo Gjuzeloski dhe Vasil Risteski në ambientet e restorantit “Imperator nr.15 Korpus”, në Ohër Maqedoni”, thuhet në vendimin e gjykatës. Por avokati i 30-vjeçarit e kundërshtoi ekstradimin duke thënë se i mbrojturi prej tij kishte 1 vit që jetonte në Shqipëri dhe në kohën e krimit ai ka qenë në vendin tonë dhe jo në Maqedoni, sikundër pretendojnë autoritetet.
Por pavarësisht këtyre pretendimeve, gjykata urdhëroi ekstradimin e të dyshuarit në Maqedoni, ku do të përballet me akuzën e vrasjes. Po drejt këtij vendi gjykata ka urdhëruar edhe ekstradimin e shtetasit grek Nikola Konstantinidis, i kërkuar nga autoritetet e këtij shteti. Ndërsa më katër maj të këtij viti, Gjykata e Tiranës urdhëroi ekstradimin drejt Rumanisë të shtetasit italian Ringo Paolo Pellegrini, i kërkuar për “krijim dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale” dhe “mashtrim me pasoja të rënda”. Të gjithë shtetasit e huaj të kërkuar për krime nga disa vende të Europës janë arrestuar dhe ekstraduar vetëm në tre muajt e fundit.











