VOAL

VOAL

Socialistët kërkojnë shkarkimin e Malajt nga Këshilli i Bankës së Shqipërisë

Në Shqipëri shumica socialiste ka nisur procedurat për shkarkimin e anëtarit të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë Arben Malaj për shkak të “shkeljeve të rënda të etikës”, me anë të daljeve dhe prononcimeve të tij publike.

Në dokumentin me anë të të cilit propozohet shkarkimi, vlerësohet se zoti Malaj ka shkelur Kodin e etikës së Bankës së Shqipërisë pasi “në cilësinë e anëtarit të Këshillit Mbikqyrës, në asnjë nga daljet publike nuk ka trajtuar çështje që mund t’i shërbejnë publikut për edukimin e tij ose për informimin e publikut për veprimtari të Këshillit Mbikqyrës, në kufijtë e lejuar nga legjislacioni i fushës”.

Shkarkimi i një anëtari të Këshillit Mbikqyrës, përcaktohet nga Ligji për Bankën e Shqipërisë, i cili parashikon se ata “…mund të shkarkohen nga Kuvendi me propozim të shumicës së anëtarëve të Këshillit Mbikqyrës, kur personi i propozuar për shkarkim gjatë ushtrimit të detyrës ka shkelur rëndë etikën e punës dhe ka cënuar thellë interesat e Bankës së Shqipërisë”. Ky përcaktim i ligjit nuk i lë hapësirë parlamentit të veprojë pa patur më parë një vendim nga vetë Këshilli.

Por për ta anashkaluar këtë, deputetëve socialistë, u është dashur t’i hyjnë interpretimeve ligjore, ndonëse për rastin në fjalë ligji është mëse i qartë. Ata i janë referuar Kodit të Procedurave Administrative, dhe sjellin në vëmendje faktin që parlamenti në rezolutën për Bankën e Shqipërisë, të miratuar në Maj të këtij viti ka kërkuar që “Këshilli të marrë në shqyrtim zbatimin e Kodit të Etikës nga anëtarët e tij..”, por që deri më tani sipas tyre nuk është reflektuar në veprimtarinë e Këshillit. Për pasojë, sipas deputetëve socialistë, atyre u lind e drejta që “kur një detyrë nuk zbatohet, apo refuzohet të zbatohet nga zyrtari i ngarkuar me ligj, atëherë kompetenca mund të ushtrohet drejtpërdrejt nga organi që ka detyrimin ligjor për të vendosur në lidhje me çështjen”, shkruhet në dokument duke ju referuar Kodit të Procedurave Administrative.

Propozimi për shkarkimin e zotit Malaj, mbështetet nga 28 deputetë socialistë, me në krye, drejtuesin e grupit parlamentar Taulant Balla. Të njejtët që vetëm 6 muaj më parë i dhanë një mbështetje të hapur kandidaturës së zotit Malaj, për rikonfirmimin e tij si anëtar i Këshillit Mbikqyrës, madje duke zgjedhur sërish të anashkalojnë procedurat parlamentare, të cilat parashikojnë që kandidatët i nështrohen më parë seancave dëgjimore në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave. Zoti Malaj ishte i vetmi që më 21 Dhjetor të vitit të kaluar, mori kartonat e socialistëve, pa kaluar seancën dëgjimore, siç ndodhi me kandidatët e tjerë konkurrentë.

Në një reagim në Facebook, zoti Malaj shprehet se “fakti që pas shkarkimit nga Erdogan të Guvernatorit të Bankës së Turqisë, ky mund të jetë rasti i dytë që maxhorancat e gjithëpushtetëshme shkarkojnë një anëtar Bordi të Bankës Qendrore, vetëm profesionalisht më trishton”. Ai vijon më tej duke folur për “një veprim të pastër politik, sepse shkeljet etike materializohen me cënim të reputacionit apo eficencës së Bankës së Shqipërisë gjë që sipas vlerësimeve edhe të institucioneve ndërkombetare nuk konstatohen të tilla, por edhe në 7 mbledhjet e Bordit gjatë vitit 2019, nuk ka asnjë shqetësim të shprehur ndaj meje për shkelje etike. Mbledhja e fundit ishte në 3 Korrik 2019”, shkruan zoti Malaj duke saktësuar se “në respekt të institucionit të Bankës së Shqipërisë, nuk do të bëj asnjë deklaratë specifike përpara nisjes së balafaqimit institucional”. za

E bija Irma Rudiqi jep lajmin për largimin nga kjo jetë të Pjetër Rodiqit, intelektualit të njohur & bashkëshortit të ikonës Vaçe Zela!

Ka qenë vetë e bija, Irma Rodiqi që ka lajmëruar largimin nga kjo jetë të të jatit të saj të dashur, intelektualit të njohur Pjetër Rodiqi, njëkohësisht bashkëshorti i të madhes Vaçe Zela.

Ja si shkruan Irma Rodiqi në rrjetin social:

“Një yll më shumë iu shtua qiellit, për të ndriçuar edhe më fort pranë mamit.

Me pikëllim të thellë, sot kam barrën e rëndë t’ju njoftoj për largimin nga kjo jetë të babait tim të shtrenjtë, Pjetër Rodiqi.

Zoti e dinte dashurinë e tij të pafund për atdheun e dashur, prandaj edhe ia mundësoi ta kalojë këtë sëmundje të rëndë në Shqipërinë e tij të shtrenjtë,

që nuk ia zevëndësuan dot kurrë as bukuritë e Vjenës, ku pat lindur, e as të Bazelit, ku për hir të dashurisë e përkushtimit ndaj familjes kaloi 21 vite të jetës së tij.

Unë e quaj veten vajzën më me fat në botë, që pata e do të kem gjithmonë në zemrën e në shpirtin tim një baba fisnik e me virtyte të rralla si ai.

Me dashuri e mirënjohje të pafund për gjithshka që babai im i shtrenjtë përfaqëson për mua e për këdo që ka patur fatin ta njohë.

Irma Rodiqi”

 

Ndërsa në postimin në gjermanisht Irma shkruan:

 

Shumë ishte Ti shumë,
për mua ishe gjithçka.

Të dashur të afërm, miq, kolegë

Me një pikëllim të thellë, më duhet t’i them lamtumirë babait tim të dashur, Peter Wolfgang Rodiqit.

Unë e desha atë aq shumë, pothuajse pa e ditur dhe pa e ndier, sepse është po aq e natyrshme sa jeta dhe këtë dashuri të thellë unë nuk e kam ndjerë deri në momentin e ndarjes së fundit se sa të thella janë rrënjët e kësaj dashurie. Ai la një zbrazëti aq të madhe sa nuk ka fjalë që ta shprehë!

Babai im i dashur, fjala jote më e fundit drejtuar meje ishte “Faleminderit”. Unë duhej të të falenderoja Ty, për të gjitha që Ti më ke dhënë.

Do të të dua përjetësisht, Baba!

Ti do të qendrosh përgjithmonë në zemrën time.

Me shumë pikëllim

Irma Rodiqi

 

“Vielen warst Du vieles,
mir warst Du alles.

Liebe Verwandte, Freunde, Kollegen

Ich habe ihn so sehr geliebt, fast ohne es zu wissen und ohne es zu fühlen, weil es so natürlich wie leben ist; und habe bis zum Augenblick der letzten Trennung nicht gespürt, wie tief die Wurzeln dieser Liebe hinabreichen. Er hinterlässt eine Leere, die in Worten keiner auszudrücken vermag.

Mein liebster Papa, Dein letztes an mich gerichtete Wort war “Danke”. Dabei muss ich Dir danken, dass ich Dich haben durfte. Ich werde Dich ewig lieben, Papa! Du bleibst in meinem Herzen für immer.

Schmerzerfüllt

Irma Rodiqi”

 

Shitja dhe blerja e floririt vetëm me urdhrin e Kryeministrit, Meta i rikthen ligjin në Kuvend PS-së. Ja argumentet

Presidenti, Ilir Meta i ka kthyer Parlamentit për rishqyrtim ligjin për “Për rezervat materiale të shtetit”.

Në argumentin e Presidentit theksohet se me ndryshimin e ligjit më datë 20 qershor, me urdhër të Kryeministrit mund të vendoset blerja e Mallrave të Grupit A.

Në këtë grup sipas relacionit përfshihen “Prodhime ari, argjendi, platini etj. të kësaj natyre.
Mjete të rënda për çdo lloj transporti, Grurë.  Mallra të ndryshme tepër vëllimorë”.

“1. Lëvrimi dhe shitja e mallrave rezervë të grupit A bëhet me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit.”.

Pra sipas këtij ndryshimi në ligj, të gjitha mallrat e Grupit A, të cilat deri tani, kanë qenë në kompetencë të Këshillit të Ministrave për të vendosur lëvrimin e tyre, nëpërmjet këtij ndryshimi ligjor propozohen që ato të lëvrohen me akt individual të Kryeministrit me propozimin e ministrit.

Siç u përmend edhe më sipër, ky ndryshim justifikohet nga qeveria dhe Kuvendi me të vetmin argument se thjeshtohet procesi i lëvrimit të mallrave rezervë shteti të grupit A, për shkak se miratimi i lëvrimit të mallrave të grupit A bëhet nëpërmjet një akti kolegjial, si ai i vendimit të Këshillit të Ministrave, dhe kjo sjell vonesa në daljen e aktit të miratimit dhe deri në lëvrimin e tyre”, thuhet në relacionin e kreut të shtetit.

Por argumenti ligjor sipas kreut të shtetit nuk është I mjaftueshëm. “Presidenti i Republikës vlerëson se ky argument i Këshillit të Ministrave dhe i Kuvendit të Shqipërisë, nuk qëndron dhe nuk justifikon aspak ndërmarrjen e kësaj nisme ligjore për miratimin e ndryshimeve në nenin 10 pika 1 të ligjit ekzistues”.

“Republika e Shqipërisë, ka në fuqi një bazë ligjore të shëndoshë që parashikon mbledhjen në urgjencë të Këshillit të Ministrave, për të ushtruar në çdo kohë përgjegjësitë dhe funksionet e tij.

Prandaj çdo aludim se lëvrimi i mallrave të rezervave të shtetit, mund të pengohet nga vonesa e vendimarrjes së Këshillit të Ministrave, nuk qëndron dhe është një argument fiktiv për të legjitimuar ndërhyrjen që po tentohet të realizohet në ligjin ekzistues nr.9900/2008.

Për më tepër, nisur nga rëndësia dhe vlera që kanë mallrat e Grupit A të rezervave të shtetit është në interes të publikut të gjerë që kontrolli ndaj çdo veprimi administrativ mbi këto mallra të jetë maksimal dhe jo një marrëdhënie midis dy autoriteteve politik Ministër – Kryeministër, ku padyshim kjo marrëdhënie varësie midis tyre (Kryeministër-Ministër) mund të ndikojë drejtëpëdrejtë në objektivitetin e vendimarrjes.

Presidenti i Republikës vlerëson se nisur nga natyra dhe lloji i mallrave të Grupit A, të rezervave të shtetit, është e domodoshme të ruhet standarti ligjor i vendosur prej 11-vjetësh, ku vendimarrja mbi mënyrën e administrimit të mallrave të Grupit A, t`i lihet vendimarrjes së Këshillit të Ministrave.

Presidenti i Republikës, vlerëson se në zbatim të nenit 100 pika 1 të Kushtetutës, ku përcaktohet se Këshilli i Ministrave përcakton drejtimet kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore është e detyrueshme që të gjithë anëtarët e Këshillit të Ministrave duhet të jetë në dijeni dhe të japin mendimin e tyre për çdo lëvizje apo lëvrim të mallrave të rezervave shtetërore pjesë e kategorisë A, pasi ruajtja e këtij standardi kontrollues mbi këtë verimtari garanton një mënyrë më objektive për të ruajtur të pacenuar interesin publik.

Ndryshimet ligjore të mriatuar me ligjin nr. 36/2019, dobësojnë mekanizmat e kontrollit mbi këtë proces, si dhe ulin nivelin vendimarrës mbi mënyrën se si këto mallra do të administrohen dhe qarkullojnë në vijim, duke krijuar kështu një rrezik të shtuar që interesi publik të cenohet”, thekson Presidenti.

Argumentet e plota

Arsyet e kthimit të ligjit nr. 36/2019

 “Për një ndryshim në ligjin nr. 9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat materiale të shtetit”

 Të nderuar deputetë,

Kuvendi i Shqipërisë në seancën plenare të datës 20 qershor 2019 ka miratuar ligjin nr. 36/2019 “Për një ndryshim në ligjin nr. 9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat materiale të shtetit”. Me shkresën e Kuvendit nr. 2596 prot, datë 26.06.2019, administruar në Institucionin e Presidentit të Republikës me nr.2003 prot, datë 26.06.2019, ligji nr. 36/2019, i është përcjellë Presidentit të Republikës, për dekretim dhe shpallje.

Nga vlerësimi i praktikës parlamentare rezulton se ky projektligj është propozim i Këshillit të Ministrave, nisëm e Ministrisë së Mbrojtjes. Kjo nisëm ligjore është shqyrtuar nga Komisioni për Sigurinë Kombëtare në Kuvendin e Shqipërisë në cilësinë e komisionit përgjegjës.

Referuar relacionit shpjegues të Këshillit të Ministrave që ka shoqëruar propozimin e projektligjit, si dhe raportit të datës 17.06.2019 të Komisionit për Sigurinë Kombëtare, rezulton se ndryshimi ligjor i miratuar synon të thjeshtojë procesin e lëvrimit të mallrave rezervë të shtetit që bëjnë pjesë në grupin A, duke e zëvendësuar miratimin e lëvrimit të tyre nga me vendim të Këshillit të Ministrave siç parashikon aktualisht ligji në fuqi, me një akt individual, “Urdhër të Kryeministrit”.

Sipas relacionit të Këshillit të Ministrave dhe Raportit të Komisionit për Sigurinë Kombëtare, kjo mënyrë e re e vendimarrjes bëhet për shkak se miratimi i lëvrimit të mallrave të grupit A bëhet nëpërmjet një akti kolegjial, si ai i vendimit të Këshillit të Ministrave, gjë e cila sjell vonesa në momentin e daljes së aktit deri në lëvrimin e mallrave.

Presidenti i Republikës për shqyrtimin e ligjit nr. 36/2019, ju referua përmbajtjes së vet aktit të dërguar për dekretim dhe shpallje, si dhe praktikës parlamentare të ndjekur për këtë qëllim. Presidenti vlerësoi përputhshmërinë e këtij ligji, duke bërë një analizë të përmbajtjes së qëllimit për të cilën ky akt është propozuar në raport me interesin publik.

Nga shqyrtimi i ligjit nr. 36/2019, konstatohet se ndërmarrja e kësaj iniciative ligjore është e pajustifikuar ligjërisht dhe për më tepër kjo mënyrë e re e lëvrimit të mallrave pjesë e rezervës shtetërore nëpërmjet Urdhërit të Kryeministrit, nuk garanton plotësisht mbrojtjen e interesit publik në procedurat e administrimit dhe lëvrimit të mallrave me vlerë që përbëjnë grupin kryesor të mallrave të rezervave të shtetit.

 Bazuar mbi këtë arsyetim, të shpjeguar si më poshtë vijon, në bindje të Kushtetutës dhe në ushtrim të së drejtës të parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të saj, Presidenti i Republikës, vlerëson se ligj nr.36/2019, duhet kthyer në Kuvend, me qëllim rishikimin e tij për të vlerësuar objektivisht nëse miratimi i këtij ndryshimi në ligjin nr. 9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat materiale të shtetit” është vërtet i nevojshëm apo jo.

 Konkretisht;

Kuvendi i Shqipërisë nëpërmjet ligjit nr. 9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat materiale të shtetit” ka krijuar bazën ligjore të nevojshme për rregullimin e të gjitha marrëdhënieve që lindin, ekzistojnë dhe shuhen gjatë administrimit, mirëmbajtjes dhe kontrollit të pronësisë në rezervat materiale të shtetit.

Ky ligj i miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, që prej datës 10.04.2008, nuk është ndryshuar për një periudhë 11 vjeçare dhe implementimi i tij në praktikë, nuk rezulton të ketë sjell ndonjë problematikë të theksuar, e cila të jetë bërë pengesë në veprimtarinë administrative të strukturave shtetërore të ngarkuara për zbatimin e tij.

Sipas nenit 2 të ligjit ekzistues nr. 9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat materiale të shtetit”, rezervat materiale të shtetit janë lëndët e para, materialet, produktet e gatshme, prodhimet dhe mjetet e tjera të domosdoshme për depozitimin, mirëmbajtjen dhe ruajtjen e tyre, ndërkohë që administrimi i tyre është lëvrimi, këmbimi, freskimi, plotësimi, ruajtja ose mirëmbajtja, heqja apo seleksionimi, huadhënia, blerja, shitja dhe çdo veprim tjetër, që mund të kryhet me rezervat materiale të shtetit.

Në po këtë nen në pikën 4 të tij, jepet përkufizimi i termit “lëvrim” ku sipas ligjit lëvrimi është dhënia, falas ose me pagesë, e rezervave materiale të shtetit.

Ndërkohë në nenin 3, të ligjit nr. 9900, datë 10.4.2008, përcaktohet se:

“Rezervat materiale të shtetit krijohen për të ndërhyrë, në mënyrë operative, për mbrojtjen e popullsisë, të ekonomisë dhe mbrojtjen e vendit, në situata të gjendjes së jashtëzakonshme, gjendjes së emergjencës civile, veprimeve terroriste, veprimeve ushtarake (në gjendje lufte), të cilat sjellin dëme të menjëhershme e të rënda për jetën, për shëndetin e popullatës dhe të gjësë së gjallë, për pasurinë, për trashëgiminë kulturore dhe për mjedisin. Rezervat materiale të shtetit përdoren edhe për dhënien e ndihmave humanitare, në përputhje me normat e së drejtës ndërkombëtare”.

 Referuar dispozitës së mësipërme, është e qartë se Kuvendi i Shqipërisë ka vlerësuar të përcaktojë me ligj rëndësinë madhore që ka krijimi, administrimi dhe përdorimi i rezervave materiale të shtetit, të cilat përveç krijimit dhe rifreskimit permanent të tyre, përdoren kryesisht në ato raste kur vihet në rrezik jeta dhe shendeti i popullatës, apo prona publike dhe private që në thelb të tyre bëjnë pjesë në ato marrëdhënie juridiko shoqërore mbrojtja e të cilave përbën interes të lartë publik.

 Pikërisht për nga shumëllojshmëria dhe rëndësia e materialeve që përbëjnë rezervat shtetërore, ligjvënësi në nenin 5, pika 3 të ligjit nr. 9900, datë 10.4.2008, ka përcaktuar se:

Lista përbërëse e mallrave rezervë, në lloje e sasi, e ndarë sipas grupeve, miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave” .

Këshilli i Ministrave me vendimin nr.1128, datë 05.08.2008 ka miratuar listën përbërëse të mallrave rezervë shtetërore, në lloje dhe sasi, e ndarë sipas grupeve, si dhe limiti minimal për secilin artikull, ku në lidhjen nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi parashikohet dhe Grupi A, i mallrave rezervë material shtetërore si më poshtë:

Lidhja nr. 1

LISTA E MALLRAVE REZERVË MATERIALE SHTETËRORE, SIPAS GRUPEVE,

E NDARË NË LLOJE DHE SASI

 GRUPI A

Nr. Artikujt Njësia Matëse Gjendja orientuese e mallrave (Sasia) Limiti minimal
1. Prodhime ari, argjendi, platini etj. të kësaj natyre kg Relative sipas burimit relativ
2. Mjete të rënda për çdo lloj transporti copë 50 30
3. Grurë ton 600 300
4. Mallra të ndryshme tepër vëllimorë copë Relative sipas burimit relativ

Kuvendi i Shqipërisë, për lëvrimin e mallrave të Grupit A, që kanë një rëndësi të lartë dhe një vlerë të konsiderueshme për rezervat shtetërore, ka përcaktuar në nenin 10 pika 1, të ligjit nr.9900, datë 10.4.2008, se:

Lëvrimi dhe shitja e mallrave rezervë të grupit A bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit”.

Ndërkohë që me ndryshimet që propozohen të realizohen me ligjin nr. 36/2019 “Për një ndryshim në ligjin nr. 9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat materiale të shtetit”, Kuvendi ka miratuar ndryshimin pikërisht të pikës 1, të nenit 10 të ligjit bazë. Sipas nenit 1 të ligjit nr. 36/2019, parashikohet se:

Pika 1, e nenit 10, të ligjit nr. 9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat materiale të shtetit”, ndryshohet si më poshtë:

“1. Lëvrimi dhe shitja e mallrave rezervë të grupit A bëhet me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit.”.

Pra sipas këtij ndryshimi në ligj, të gjitha mallrat e Grupit A, të cilat deri më tani, kanë qenë në kompetencë të Këshillit të Ministrave për të vendosur lëvrimin e tyre, nëpërmjet këtij ndryshimi ligjor propozohen që ato të lëvrohen me akt individual të Kryeministrit me propozimin e ministrit.

Siç u përmend edhe më sipër, ky ndryshim justifikohet nga qeveria dhe Kuvendi me të vetmin argument se thjeshtohet procesi i lëvrimit të mallrave rezervë shteti të grupit A, për shkak se miratimi i lëvrimit të mallrave të grupit A bëhet nëpërmjet një akti kolegjial, si ai i vendimit të Këshillit të Ministrave, dhe kjo sjell vonesa në daljen e aktit të miratimit dhe deri në lëvrimin e tyre.

Presidenti i Republikës vlerëson se ky argument i Këshillit të Ministrave dhe i Kuvendit të Shqipërisë, nuk qëndron dhe nuk justifikon aspak ndërmarrjen e kësaj nisme ligjore për miratimin e ndryshimeve në nenin 10 pika 1 të ligjit ekzitues.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenin 100 përcakton ndër të tjera se Këshilli i Ministrave merr vendime me propozim të Kryeministrit ose të ministrit përkatës.

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin nr. 9000, date 30.1.2003 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, ligj ky në të cilin është përcaktuar faqe qartë, mënyra se si mblidhet, kush e thërret dhe si i merr vendimet qeveria e Republikës së Shqipërisë.

Në nenin 13 të këtij ligji përcaktohet se mbledhja e Këshillit te Ministrave thirret nga Kryeministri ose, ne mungesë dhe me porosi të tij, nga Zëvendëskryeministri.

Pra, autoriteti që ka për detyrë dhe përgjegjësi që të thërrase mbledhjen e Këshillit të Ministrave, është vet Kryeministri. Në këtë mënyrë rezulton se, ndryshimet e propozuara në ligjin nr.9900/2008, për t’i kaluar Kryeministrit një kompetencë të Këshillit të Ministrave, nën argumentin se Kryeministri mund të vonojë mbledhjen dhe vendimarrjen e këtij organi kolegjial është absolutisht i pambështetur në ligj dhe krejtësisht i pajustifikuar.

Për më tepër, ligji nr.9000/2003 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, ka parashikuar edhe ato raste kur mbledhja e Këshillit të Ministrave është e domodoshme të realizohet në mënyrë urgjente dhe në raste të jashtëzakonshme.

Konkretisht në nenin 14 të ligjit, parashikohet se: Në raste të veçanta, Këshilli i Ministrave thirret në mbledhje të jashtëzakonshme nga Kryeministri ose, në mungesë dhe me porosi të tij, edhe nga zëvendëskryeministri. Në rastet e thirrjes së mbledhjes të jashtëzakonshme nuk zbatohen rregullat e parashikuara në nenin 15 të këtij ligji”.

Pra edhe sipas kësaj dispozite është parashikuar edhe zgjidhja e atyre situatave të jashtëzakonshme që bëjnë të pamundur zbatimin e rregullit se rendi i ditës dhe projektaktet që do të shqyrtohen në mbledhjen e Këshillit të Ministrave dërgohet 2 (ditë) përpara datës së zhvillimit të mbledhjes.

Pra është vet ligji organik i Këshillit të Ministrave që e ka zgjidhur qartësisht se si veprohet në situata emergjece me rëndësi të jashtëzakonshme.

Në këtë mënyrë, referuar parashikimeve të ligjit nr.9000/2003 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, rezulton se argumenti i përdorur për ndryshimin e nenit 10 pika 1 të ligjit  nr. 9900/2008 “Për rezervat material të shtetit”, nuk qëndron dhe është ligjërisht i pajustifikuar, pasi Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, është i detyruar të mblidhet në çdo kohë dhe nuk ka asnjë pengesë ligjore që të vështirësojë procesin vendimarrës të tij, përfshi këtu edhe vendimarrjen për lëvrimin e mallrave pjesë e rezervës shtetërore.

Republika e Shqipërisë, ka në fuqi një bazë ligjore të shëndoshë që parashikon mbledhjen në urgjencë të Këshillit të Ministrave, për të ushtruar në çdo kohë përgjegjësitë dhe funksionet e tij.

Prandaj çdo aludim se lëvrimi i mallrave të rezervave të shtetit, mund të pengohet nga vonesa e vendimarrjes së Këshillit të Ministrave, nuk qëndron dhe është një argument fiktiv për të legjitimuar ndërhyrjen që po tentohet të realizohet në ligjin ekzistues nr.9900/2008.

Për më tepër, nisur nga rëndësia dhe vlera që kanë mallrat e Grupit A të rezervave të shtetit është në interes të publikut të gjerë që kontrolli ndaj çdo veprimi administrativ mbi këto mallra të jetë maksimal dhe jo një marrëdhënie midis dy autoriteteve politik Ministër – Kryeministër, ku padyshim kjo marrëdhënie varësie midis tyre (Kryeministër-Ministër) mund të ndikojë drejtëpëdrejtë në objektivitetin e vendimarrjes.

Presidenti i Republikës vlerëson se nisur nga natyra dhe lloji i mallrave të Grupit A, të rezervave të shtetit, është e domodoshme të ruhet standarti ligjor i vendosur prej 11-vjetësh, ku vendimarrja mbi mënyrën e administrimit të mallrave të Grupit A, t`i lihet vendimarrjes së Këshillit të Ministrave.

Presidenti i Republikës, vlerëson se në zbatim të nenit 100 pika 1 të Kushtetutës, ku përcaktohet se Këshilli i Ministrave përcakton drejtimet kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore është e detyrueshme që të gjithë anëtarët e Këshillit të Ministrave duhet të jetë në dijeni dhe të japin mendimin e tyre për çdo lëvizje apo lëvrim të mallrave të rezervave shtetërore pjesë e kategorisë A, pasi ruajtja e këtij standardi kontrollues mbi këtë verimtari garanton një mënyrë më objektive për të ruajtur të pacenuar interesin publik.

Ndryshimet ligjore të mriatuar me ligjin nr. 36/2019, dobësojnë mekanizmat e kontrollit mbi këtë proces, si dhe ulin nivelin vendimarrës mbi mënyrën se si këto mallra do të administrohen dhe qarkullojnë në vijim, duke krijuar kështu një rrezik të shtuar që interesi publik të cenohet.

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë

Siç u relatua më sipër, në përfundim të këtij shqyrtimi Presidenti i Republikës, konstaton se;

  • Nisma ligjore për ndryshimin e nenit 10, pika 1 të ligjit 9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat materiale të shtetit”, është e pajustifikuar;
  • Dispozitat e ligjit të miratuar nr. 36/2019 “Për një ndryshim në ligjin 9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat materiale të shtetit”, përbëjnë rrezik të shtuar për cenimin e interesit publik, që mund të vijë nga keqadministrimi dhe shpërdorimi i pushtetit vendimarrës për lëvrimin e mallrave të rezervave të shtetit, pjesë e grupit A.

Për këto arsye, në bindje të Kushtetutës dhe në ushtrim të së drejtës të parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të saj, kam vendosur kthimin e ligjit nr. 36/2019 “Për një ndryshim në ligjin nr. 9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat materiale të shtetit” për rishqyrtim në Kuvendin e Shqipërisë.

Çlirim Gjata: Përbërja e komisionit skandal, ja lista e kriminelëve që duan të shkarkojnë Metën

Sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Demokratike Çlirim Gjata, tha se është e paprecedentë që të  tha se është e paprecendentë që të hetohet presidenti i Republikës për një dekret, që ai e quajti demokratik.

Në një konferencë për mediat, Gjata u shpreh se hetimi i Presidentit bëhet për të tërhequr vëmendjen nga ato që i cilësoi “skandale të qeverisë”.

 

Gjata u shpreh se aktorët kryesorë të Komisionit Hetimor për të shkarkuar kreun e shtetit Meta janë personazhë të njohur për lidhjet me krimin.

Ai hodhi akuza ndaj kreut të Komisionit Hetimor Ulsi Manja, duke thënë se është pjesë e përgjimeve në Dibër dhe se ka marrë pjesë aktive në shit-blerje të votës e duhej të ishte sot në burg e jo të hetonte.

Deklarata e plotë:

Sot denoncojmë një skandal tjetër të Edi Ramës, i cili nuk është se ka filluar sot, por si ai keqbërësi, krimineli, që kapet gjithmonë në krim, kërkon të mbulojë një zullum me një zullum tjetër, kërkon të mbulojë një krim me një krim tjetër.

Kjo e radhës është Komisioni Hetimor për shkarkimin e presidentit të republikës. Ky zullum i ri i Edi Ramës nuk është thjeshtë për çështjen e Presidentit të Republikës, por bëhet për disa shkaqe. E para, për të tërhequr vëmendjen nga skandalet e panumërta, për të mbuluar skandalin me skandal, sepse ai nuk del dot nga ajo vorbull ku ka hyrë. I dyti synim që kërkon Edi Rama nëpërmjet këtij komisioni të nënshtrojë dhe të frikësojë çdo lloj institucioni, çdo individ që punon në administratë, çdo personalitet, që të mos guxojë t’i dalë kundër qeverisë, pasi kjo e pret.
Dhe mbi të gjitha, skandali qëndron tek vetë përbërja e Komisionit Hetimor, pra tek ata deputetë që do të vendosin shkarkimin e presidentit të republikës. Përpara se të ndodhë kjo, Edi Rama duhet t’u shpjegojë shqiptarëve se kush do ta hetojë presidentin e republikës. Do ta hetojë Ilir Ndrazhi, i cili është përfaqësuesi politik ose krahu politik i bandës së Abdylajve, të cilin Abdylajt e kishin vënë në listë, me numër rendor, dhe i premtonin se do fitonin edhe 10 me 0 madje, dhe ky person i vendosur nga kjo bandë do të votojë shkarkimin e presidentit të republikës. Kush është kryetari i Komisionit Hetimor?

Ulsi Manja i dosjes 184, që Zoti e ruajtë me ç’kanë dalë nga përgjimet e Bild-it, ku mjafton lidhja e tij me bandat e Dibrës, me shefa komisariatesh, me drejtorë arsimorë, e me turli lloj të tillë, të organizuar në krim, për të vjedhur dhe për të blerë vota. Ky njeri pra, do të hetojë dhe do të vendosë për shkarkimin e Presidentit të Republikës.

Për presidentin e republikës do të vendosë Jurgis Çyrbja, përfaqësues politik i Bandës së Shullazit, që i thoshte Shullazit se “po na bëjnë hetime” dhe i kërkonte që të ndërhynte për të ndaluar hetimet. Një tjetër që do të vendosë për presidentin e Republikës është Rrahman Rraja. Të gjithë e dimë skandalin e tij të fundit. Do të vendosë Luan Harusha, përfaqësuesi i Bandës së Bajrajve, apo Damian Gjiknuri, që do të pastronte 30 milionë euro për llogari të Edi Ramës, duke falsifikuar dokumente zyrtare të qeverisë amerikane.

Pra, aktorët kryesorë të këtij komisioni janë personazhet e dosjeve “184” dhe “339” të blerjes së zgjedhjeve apo të lidhjes dhe bashkëpunimit me krimin e organizuar.

Ulsi Manja do të hetojë presidentin nëse ka shkelur Kushtetutën apo jo.

Po pse nuk e heton dikush Ulsi Manjën për atë çfarë ka bërë në Dibër, që kanë dalë përgjimet në “Bild”?

Pra, e gjithë bota e ka dëgjuar, e ka parë me zë dhe me figurë Ulsi Manjën se si shkelte ligjin për llogari të blerjes së votave dhe mbështetjes së krimit të organizuar.

Nuk mund të jetë hetues sot Ulsi Manja por i hetuar nga prokuroria. Ai duhet të ishte në burg për një krim që e panë të gjithë shqiptarët me zë dhe me figurë.

Shqiptarët nuk mund të gënjehen sot me propagandë.

Edi Rama e ka të qartë se komisionet për shkarkimin e Presidentit janë një sajesë propagande dhe abuzim me fondet publike.

Presidenti nuk ka kryer asnjë shkelje, por ka ushtruar kompetencën e tij kushtetuese për t’u garantuar qytetarëve të drejtën e zgjedhjes, të drejtën kushtetuese për të zgjedhur. Vendimi kushtetues dhe i përgjegjshëm i Presidentit u shërben njerëzve, i shërben interesit publik, ndërsa votimet moniste të 30 qershorit siç shprehet edhe OSBE/ODIHR-i u mbajtën pa marrë në konsideratë interesin e qytetarëve.
Deri më sot dekretin e Presidentit nuk e ka shfuqizuar askush, por kemi një komision hetimor të mbushur me bashkëpunëtorë të krimit të organizuar që do të hetojë presidentin pse ka nxjerrë këtë dekret që është akoma në fuqi.

Gjyqi për bandën dhe Emiljano Shullazin kthehet në telenovelë turke

Gjyqi për bandën e Emiljano Shullazit dhe vetë tij duket se do të vijojë të bëhet lajm i shkurtër, po aq sa zgjasin dhe seancat në gjykatën e apelit për krimet e rënda.

Edhe këtë të hënë procesi është shtyrë për shkak të mungesës së palës mbrojtëse, duke e kthyer kësisoj procesin në thuajse një telenovelë e cila nuk gjen mbarim.

Këtë të hënë i pandehuri Gilmando Dani, i njohur si krahu i djathtë i Shullazit, ka kundërshtuar caktimin e gjyqtarit Arben Vrioni, me argumentin se ai ka gjykuar më parë në Apelin e Durrësit dosjen në lidhje me ish hotel Vollgën, çështje në të cilën ishte e përfshirë banda.

Gjykata e Apelit për Krime të Rënda shtyu sërish procesin ndaj Emiljano Shullazit dhe katër të pandehurve të tjerë, shkak është bërë mungesa e mbrojtësve kryesisht.

“I nderuar nuk mund të lahesh me dosjen tonë sepse je shumë pis. Ta bëjë vetë dorëheqjen, pa dalë gjë“-ka deklaruar Dani në gjyq./Express

Ndërtimi i Bulevardit, nis shembja e 4 banesave tek Unaza e Re

Që prej orëve të para të mëngjesit, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, Forcat “Shqiponja” dhe Forca e Rendit kanë mbërritur në zonën e Unazës së re, teksa vijon aksioni për prishjen e ndërtesave pa leje.

Gazetarja Dorjana Bezat raportoi për “Gazetën Shqiptare” se ka nisur aksioni për shembjen e katër banesave private, që preken nga ndërtimi i bulevardit të ri të Kasharit.

Banorët janë larguar vullnetarisht nga banesat, pasi janë njoftuar paraprakisht për shembjet.

Mbërritja e policisë që në orët e mëngjesit ka alarmuar qytetarët e Unazës së re, të cilët kanë dalë në rrugë, por janë larguar pa asnjë incident, pasi kanë parë që shembja bëhet për Bulevardin e Kasharit.

Çka përmban letra që Albright ia dërgoi Haradinajt

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pranuar letër nga ish Sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, ku konfirmon miqësinë që Kosova ka me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Haradinaj në një postim në llogarinë e tij në Facebook, ka shkruar se është mirënjohës përjetë për përkrahjen dhe kujdesin që ish Sekretarja Albright dhe Amerika kanë treguar për Kosovën.

“I nderuar të pranoj letër falënderimi nga ish Sekretarja Amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, që rikonfirmon edhe njëherë miqësinë speciale që Kosova ka me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ish Sekretarja Albright, është ikonë e paqes dhe gruaja që bëri shumë për shtetin e Kosovës. Mirënjohës përjetë për përkrahjen dhe kujdesin që ish Sekretarja Albright dhe Amerika kanë treguar për vendin tonë! Amerika është aleati ynë i përhershëm dhe ne jemi të bekuar që jemi në rreshtin e tyre”, ka shkruar në Facebook, Haradinaj.

Ndryshim dramatik, sa do shkojnë temperaturat në Tiranë më 2050

Rreth 8 në 10 qytete në botë do të përjetojnë ndryshime dramatike, sa i përket temperaturave, sipas studimit të 520 qyteteve kryesore të botuara në revistën shkencore britanike Plos One.

Tirana nuk bën përjashtim. Përkundrazi, është në qytetet që do kenë rritje të ndjeshme të mesatares së temperaturave në të gjithë stinët e vitit. Sipas studimit, në kryqytetin shqiptar deri në 2050, do të rriten me thuajse 4% temperaturat.

E gjithë situata në Europë duket se do të ndryshojë ndjeshëm, sikur të dhënat e hartës tregojnë qytetet kryesore të ngjyrosura me të kuqe. Veçohet Lubjana, kryeqyteti i Sllovenisë, e cila parashikohet të ketë ndryshimin më të lartë sa i përket temperaturave, me rreth 15 gradë rritje.

Studimi nënvizon se, nga 2050 qytete të ndryshme të botës do të bëhen më të nxehta, sidomos gjatë dimrit dhe verës. Sezonet e lagështa do të jenë më të thata dhe sezonet e thata do të thahen edhe më shumë. Analiza tregon se 77% e qyteteve në mbarë botën do të përjetojnë një ndryshim të habitshëm të kushteve klimatike, me 22% që do të hasin kushte që aktualisht nuk ekzistojnë.

Zhvendosja më dramatike do të ndodhë në qytete më veriore, me klimën e tyre në vitin 2050, që do i ngjajë klimës së sotme të qyteteve mbi 1.000 kilometra në jug. Në Evropë në veçanti, qytetet do të jenë 3,5 ° C më të ngrohtë në verë dhe 4,7 ° C në dimër. Kjo do të thotë që Londra, për shembull, do t’i ngjante Barcelonës së sotme, Moska- Sofjes së sotme, Stokholmi – Vjenës së sotme.

Rajonet tropikale do të përjetojnë ndryshime më të vogla në temperaturë, por ndryshimet konsistojnë në reshje me muajt më të lagësht me 5% dhe muajt më të thatë do jenë 14% më të thatë. Në përgjithësi, tropikët do të bëhen më të thata dhe thatësirat më të rënda. Megjithatë, këto parashikime duhet të konsiderohen si rasti më i mirë dhe përmbajnë një përqindje të lartë të pasigurisë, pasi nga 22% e qyteteve që do të përjetojnë kushte të reja klimatike, 64% janë të vendosura në tropikë.

Studimi tregon se, Madridi do të shndërrohet si Marrakesh i tanishëm deri në vitin 2050, dhe Stokholmi si Budapesti.

Mungesa e ujit do të ndikojë në shumë qytete në klimë të butë si rezultat i ngrohjes globale, e cila parashikohet të jetë deri në 3.5C në qytetet evropiane në verë dhe 4.7C në dimër./Monitor

Foto – Ja e reja që u mbyt në Kanionin e Holtës, do ikte në Gjermani

Një ngjarje tragjike ka ndodhur një ditë më parë në Kanionet e Holtës, në Gramsh, teksa vërshimi i ujit i ka marrë jetën 25-vjeçares Desantila Sollaku.

E reja kishte shkruar për të kaluar një fundjavë pranë bukurive natyrore, por ka mbetur viktimë në Kaionet e Holtës. Ajo shoqërohej nga vëllai i saj, Denisi, i cili sapo ishte kthyer nga Gjermania.

Më poshtë po iu sjellim foton e viktimës, e cila mësohet se do të largohej së shpejti nga Shqipëria për të punuar si infermiere në Gjermani. Ajo kishte mbaruar studimet për infermieri në Tiranë.

Ditën e djeshme një grup turistësh prej 33 personash kanë mbetur të bllokuar në Kanionet e Holtës, në Gramsh. 6 persona u shpëtuan, mes tyre 4 fëmijë. 25-vjeçarja Desantila Sollaku u gjet e pajetë në grykëderdhjen e Kanionit të Holtës, ndërsa turistët e tjerë treguan tmerrin që përjetuan mes furisë së ujit.

Grupi i turistëve ishte i paorganizuar dhe ka hasur vështirësi në kalimin e këtyre kanioneve për shkak të shirave të shumta që kanë bërë që niveli i ujit në lumë të rritet.

Basha pret delegacionin Amerikano-Hebraik: Do vazhdojmë betejën, orë e errët për Shqipërinë

Kryetari i opozitës, Luzim Basha ka takuar sot një delegacion të Komunitetit Amerikano-Hebraik, i kryesuar nga Drejtori Ekzekutiv David Harris.

Në njoftimin e PD, Basha bën të ditur se opozita ka siguruar miqtë amerikan se do vazhdojë betejën ka kompromis dhe se nuk do të dorëzohet para modelit të despotizmit lindor.

 

“Takim i përzemërt dhe shumë miqësor me delegacionin e Komitetit Amerikano- Hebraik ACJ, të kryesuar nga Drejtori Ekzekutiv David Harris.

I shpreha z. Harris mirënjohjen për mbështetjen e çmuar ndër vite të Shteteve të Bashkuara për demokracinë dhe liritë civile dhe politike të qytetarëve shqiptarë si dhe domosdoshmërinë për ta vazhduar betejën në këtë orë të errët në Shqipëri, për vlerat dhe parimet themelore të zgjedhjeve të lira, barazisë para ligjit dhe ndarjes dhe kontrollit të pushteteve.

I sigurova miqtë amerikanë se në vend të heshtjes apo dorëzimit para modelit të dështuar të despotizmit lindor, korrupsionit dhe shkatërrimit të lirisë dhe demokracisë, ne do të vazhdojmë pa kompromis me standardet europiane dhe amerikane, betejën tonë deri në triumfin e vlerave të përbashkëta perëndimore të lirisë, demokracisë dhe mundësive për çdo shqiptar”, thekson Basha.

A është zakon i joni me hedh lek gjatë kërcimit në dasëm? – Nga Gjergj Meta

Kisha pak kohë që isha emëruar ipeshkëv në Rrëshen, rreth gjashtë muaj, dhe një ditë më bie telefoni.



– Alo!
– Dom Gjergji?
– Po – i them – kush është?
– Unë jam N.M. nga Mirditia dhe jetoj në Itali. Ketë verë martohem dhe kam dëshirë të konsultohem për diçka të rëndësishme me ty.
– Po më thuaj!
– Jo jo në telefon. Më mirë po vij me babën dhe të fejumen e flasim nga afër.

Në përgjithësi në këto raste konsultat janë çështje dokumentash, pagëzimi, orari i Kishës etj etj. Por isha gabuar. Konsulta kishte të bënte me diçka tjetër. Ata erdhën një ditë dhe u takuam.

– Dom Gjergji – ia nisi i ati – jemi në një dilemë të madhe. Djali thotë se nuk don që në dasëm, gjatë banketit, në valle, të hidhin lekët, as kur të kërcejë çifti e as në moment të tjera. Unë nuk di çfarë të them. Djalit nuk dua t’ia prish, por nuk e di si do të përballem me njerëzit dhe fjalët e tyre. Çfarë mendon ti?

Pasi u mendova pak u thashë:

– Kjo nuk është një gjë me të cilën merret Kisha. Këto janë probleme të familjes dhe mënyra se i zgjidhni është një vendim i juaj. Por ndoshta për t’ju ndihmuar në zgjedhjen më të mirë po ju them dy gjëra.

E para që hedhja e parave në dasma nuk është zakon i joni, por një shpikje që nuk e dimë se nga ka ardhë.

Dhe e dyta mund t’ju them se çfarë kam bërë unë dhe familja ime.
Para një viti pak a shumë, unë kam martuar motrën dhe sikurse e don zakoni të mërkurën para dasmës mblodhëm kushrinjtë për të ndarë thirrsat. Pasi ndamë ftesat dhe detyrat e secilit, unë me vëllanë e motrën hodhëm për diskutim, me të gjithë kushërinjtë tanë, këtë ide që po thoni ju. E diskutuam gjatë. Kishim bërë shumë dasma në fis. Nëse do të vendosnim për jo do të ishte një shkëputje nga ajo çka ishte bërë deri tani. E kështu do të përballeshim me opinionin. Pothuajse të gjithë kushërinjtë e mbështetën idenë dhe motivi ishte ky: lekët që fitojmë janë frut i djersës dhe është një gjë e padrejtë që këto lekë të shkelen me këmbë. Prandaj ne nuk do ta lejojmë që kjo të ndodhë në dasmat tona. Nëse dikush do të falsë është i lirë, por kjo është zgjedhja jonë. Dhe familja ime e vendosi këtë gjë, pa ditur se si do të reagonin njerëzit.
Mund të them se pas dasmës, ndërsa pëcillnim njerëzit, të gjithë ishin të entuziazmuar nga kjo zgjedhje dhe se do të donin ta bënin edhe në dasmat e tyre.

Tani si ipeshkëv unë nuk mund t’ju them asgjë, e dini vetë. Por nëse kjo dëshmi personale e imja ju ndihmon atëherë ecni përpara e do të keni mbështetjen time.

Aty e mori fjalën djali dhe tha:

– Dom Gjergj unë punoj në Itali prej vitesh dhe e di se sa na kushton paraja që marrim me punë. Prandaj kam menduar që të marr këtë vendim dhe të mos lejoj të hidhen para gjatë banketit. Kush ka ardhur e ka sjellë dhuratën e tij e nuk ka nevojë më të nxjerrë para.

U ndamë. Pas disa kohësh e takoj të atin e djalit dhe i them:

– Hë si shkoi?
– Për bukuri dom Gjergj. Bëmë ashtu si kishe bërë edhe ti. Në fund të dasmës vetëm njëri nga të ftuarit (kisha rreth 270 vetë) më tha: “Heu er burrë po ta kishim dijtë se nuk hidhen lek t’i kishim fut në zarf” , “A ke nevojë për zarf – i thashë duke qeshur?” Qeshi edhe ai dhe kështu përfundoi puna. Po ty të faleminderit për fjalën”.

Qesha edhe unë e u ndjeva mirë që ndoshta dalëngadalë fillojnë e hiqen disa teprime dhe gjëra të panevojshme që na kanë mbetur nga kushedi se nga.

Meta refuzon emërimin e Gjinushit si kryetar i Akademisë së Shkencave

Presidenti i vendit Ilir Meta ka refuzuar emërimin e akademikut Skënder Gjinushi si kryetar i Akademisë së Shkencave.

 D E K R E T

 

 “PËR REFUZIMIN  E EMËRIMIT TË AKADEMIKUT
SKËNDER GJINUSHI  SI KRYETAR I AKADEMISË SË SHKENCAVE”

Në mbështetje të neneve 57 pika 7, 92/g, 93, të Kushtetutës, neneve 3, 6 paragrafi 6, 6/1 germa “c”, 11 të ligjit nr. 9655, datë 11.12.2006 “Për Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, pasi shqyrtova kërkesën dhe praktikën e përcjellë nga Sekretari Shkencor i Akademisë së Shkencave me shkresë nr.89/41 prot., datë 24.05.2019, nëpërmjet të cilës kërkohet dekretimi për emërimin e zotit Skënder Gjinushi si Kryetar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë.

Dekretoj;

 Neni 1

 Refuzimin e emërimit të akademikut Skënder Gjinushi si Kryetar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, sipas arsyetimit bashkëlidhur këtij dekreti.

 Neni 2

Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.


Nr. Dekreti 11223
Tiranë, më 11.07.2019

PRESIDENTI I REPUBLIKËS


ILIR META

 

Arsyet

e refuzimit të emërimit të akademikut Skënder Gjinushi si Kryetar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë

 

Presidenti i Republikës shqyrtoi praktikën shkresore të procesit zgjedhor të zhvilluar në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, për zgjedhjen e Kryetarit të Akademisë së Shkencave të përcjellë me shkresë nr.89/41 prot., datë 24.05.2019 të Sekretarit Shkencor të këtij institucioni dhe administruar në Institucionin e Presidentit të Republikës me nr.1567 prot., datë 27.05.2019.

Sekretari Shkencor i Akademisë së Shkencave ka përcjellë vendimmarrjen e organeve drejtuese të Akademisë së Shkencave ku reflektohet procesi zgjedhor i zhvilluar më datë 24.05.2019 dhe i kërkohet Presidentit të Republikës emërimi i akademikut Skënder Gjinushi si Kryetar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, pasi ai rezulton kandidat fitues për këtë pozicion.

Në shqyrtim të kësaj praktike, Presidenti i Republikës realizoi një takim me zotin Skënder Gjinushi për të diskutuar mbi çështjet e ngritura për realizimin e këtij procesi zgjedhor.

Presidenti i Republikës, për realizimin e një shqyrtimi objektiv dhe të paanshëm të procesit në tërësi, administroi dokumentacionin dhe informacionin e nevojshëm, si dhe kreu verifikimet e duhura për t’u njohur me faktet dhe rrethanat që do t’i shërbenin një vendimmarrjeje të drejtë dhe objektive, të mbështetur në ligj dhe në prova.

Presidenti i Republikës kreu një vlerësim gjithëpërfshirës të kuadrit kushtetues, jurisprudencës kushtetuese dhe bazës ligjore që rregullon veprimtarinë e Akademisë së Shkencave.

Në përfundim të këtij procesi vlerësimi, Presidenti i Republikës, vëren:

I. Praktika e ndjekur për zhvillimin e zgjedhjeve për Kryetar të Akademisë së Shkencave dhe paraqitja e kërkesës për emërim nga Presidenti i Republikës

Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë i është drejtuar Presidentit të Republikës me shkresën nr. 89/41 prot., datë 24.05.2019, administruar me nr. 1567 prot., datë 27.05.2019. Me këtë praktikë shkresore i kërkohet Presidentit të Republikës emërimi i akademikut Skënder Gjinushi si Kryetar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, pasi nga procesi zgjedhor i zhvilluar pranë këtij institucioni më 24.05.2019, zoti Skënder Gjinushi rezulton kandidat fitues.

Bashkëlidhur shkresës nr.89/41 prot., datë 24.05.2019 të Sekretarit Shkencor të Akademisë së Shkencave janë përcjellë këto dokumente:

– Vendimi nr.7, datë 24 maj 2019, i Asamblesë së Akademisë së Shkencave “Për zgjedhjen e Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë”;
– Procesverbali 89/38 prot., datë 24.05.2019 i procesit zgjedhor të realizuar;
– Shkresa nr.8564 prot., datë 24.05.2019 e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit;
– Shkresa nr.597/4 prot., datë 13.05.2019 dhe vendimi nr.296, datë 13.05.2019 i Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit”.

Kërkesa e paraqitur, si dhe vendimmarrja e Asamblesë së Akademisë së Shkencave, referohet në mbështetje të nenit 92 germa “g” të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe në nenin 11 pika 1, të ligjit nr. 9655, datë 11.12.2006 “Për Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, sipas të cilave Presidenti i Republikës është autoriteti kushtetues, që emëron Kryetarin e Akademisë së Shkencave.

Nga shqyrtimi i dokumentacionit të administruar në Institucionin e Presidentit të Republikës, në praktikën e dërguar është përcjellë dhe Vendimi nr.7, datë 24 maj 2019 i Asamblesë së Akademisë së  Shkencave “Për zgjedhjen e Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë”.

Asambleja e Akademisë së Shkencave, në këtë vendim arsyeton veprimtarinë administrative dhe procedurat zgjedhore që ka ndjekur për këtë proces. Konkretisht relatohet se:

– Me vendimin nr. 4, datë 26 shkurt 2019, Akademia e Shkencave ka miratuar, ndër të tjera, caktimin e datës 24 maj 2019 si ditën e zgjedhjeve të reja për Kryesinë dhe Këshillin Ekzekutiv (për postet që kanë përfunduar mandatin).

– Për këtë proces zgjedhor është hapur thirrja për pjesëmarrje në konkurrim për funksionet vakante në Akademinë e Shkencave, kriteret dhe procedurat e konkurrimit.

– Në përfundim të afatit të paraqitjes së kandidaturave për Kryetar të Akademisë së Shkencave që përkonte me periudhën kohore 10 prill 2019-10 maj 2019, ka paraqitur kërkesën për kandidim vetëm akademiku Skënder Gjinushi, së bashku me dokumentacionin shoqërues përkatës.

– Kërkesa për kandidim e akademikut Skënder Gjinushi është paraqitur me shkresë të protokolluar nr.89/15 prot, datë 10 maj 2019. Arsyetohet se për këtë proces kandidimi, janë paraqitur nga akademiku Skënder Gjinushi edhe shkresa për dorëheqjet nga funksionet partiake (shkresa nr.89/22 prot., datë 15.05.2019), si dhe shkresa nr.192 prot., datë 15.05.2019, “Dorëheqje e parevokueshme nga funksioni si Kryetar i Partisë Socialdemokrate.

– Gjithashtu, në vendimin nr.7, datë 24.05.2019, Asambleja e Akademisë e Shkencave arsyeton se deri në datë 15 maj 2019, është kryer edhe procesi ligjor i verifikimit të pastërtisë së figurës për kandidatin Skënder Gjinushi ku në zbatim të ligjit nr. 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë” dhe ligjit nr. 138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, Akademia e Shkencave ka mbajtur korrespondencë me Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, institucione këto që kanë konfirmuar se nuk kanë të dhëna që përbëjnë kushte ndaluese për kandidim.

– Akademia e Shkencave ka vijuar me njoftimin e mbajtjes së mbledhjes zgjedhore të Asamblesë më datë 24.05.2019, ora 10.00.

– Për zhvillimin e procesit zgjedhor është mbajtur procesverbali nr.89/38 prot., datë 24.05.2019 për dokumentimin e procesit të votimit. Ky procesverbal është mbajtur nga komisioni përkatës i ngritur për këtë qëllim. Nga ky dokument rezulton se për postin drejtues të Kryetarit të Akademisë së Shkencave është paraqitur kandidatura e vetme nga akademiku Skënder Gjinushi.

– Nga të dhënat e pasqyruara në procesverbal, në votim kanë marrë pjesë 43 anëtarë të Asamblesë, nga 44 gjithsej. Nga 43 anëtarë që kanë votuar, 32 prej tyre kanë qenë të pranishëm në sallë, ndërsa 11 të tjerë kanë votuar me fletët e votimit në zarfe të mbyllur. Zarfet janë administruar nga komisioni dhe janë hapur në prani të anëtarëve të Asamblesë.Nga të dhënat e pasqyruara në procesverbal, rezulton se nga 43 (dyzetetre) fletëvotimi, 2 (dy) fletëvotimi janë shpallur të pavlefshme dhe 41 (dyzetenjë) fletëvotimi të vlefshme. Nga këto ka rezultuar se për zgjedhjen e akademikut Skënder Gjinushi për Kryetar të Akademisë së Shkencave gjenden 35 (tridhjetepesë) votaqë kanë votuar “pro” zgjedhjes, si dhe 6 (gjashtë) vota që kanë votuar “kundër” zgjedhjes së tij në këtë pozicion.

Për gjithë procedurën e ndjekur, Asambleja e Akademisë së Shkencave në përfundim është shprehur me Vendimin nr.7, datë 24.05.2019  ku ka vendosur:

  1. Akademiku Skënder Gjinushi zgjidhet në detyrën e Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë për një mandat 4-vjeçar.
  2. Referuar Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, neni 92, germa “g”, praktika zyrtare e kandidimit dhe e zgjedhjes të Kryetarit nga Asambleja e Akademisë së Shkencave i dërgohet Institucionit të Presidentit të Republikës për emërim.

II. Veprimtaria verifikuese e kryer nga Presidenti i Republikës

Me qëllim zhvillimin e një procesi në transparencë të plotë, të drejtë, objektiv dhe të paanshëm, Presidenti i Republikës realizoi një takim me zotin Skënder Gjinushi, në cilësinë e Kryetarit të zgjedhur të Akademisë së Shkencave, me të cilin ka bashkëbiseduar për të gjitha çështjet që lidhen me zgjedhjen e tij në këtë pozicion, si dhe me shqetësimet e debatit publik që ka përshirë opinionin për shkak të zhvillimit të zgjedhjeve për organet drejtuese të Akademisë së Shkencave.

Pjesë e diskutimit ka qenë edhe shqetësimi i ngritur mbi mbajtjen e dy pozicioneve njëherazi si atij të anëtarit të rregullt të Akademisë së Shkencave, ashtu dhe të postit drejtues politik të Kryetarit të Partisë Socialdemokrate të Shqipërisë. Në këtë takim zoti Skënder Gjinushi e njohu Presidentin e Republikës me faktin se me aktin nr.1998, prot., datë 15.05.2019, drejtuar Këshillit Drejtues Kombëtar të Partisë Socialdemokrate e Shqipërisë, ai ka paraqitur dorëheqjen e parevokueshme nga posti i Kryetarit të saj, për shkak të kandidimit në datën 24.05.2019 për funksionin e Kryetarit të Akademisë së Shkencave.

Për të verifikuar qartësisht funksionin e mbajtur nga zoti Skënder Gjinushi në subjektin politik Partia Socialdemokrate dhe pozitës së trajtimit sipas ligjit për ushtrimin e statusit që mbante si anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe kandidat për Kryetar të saj, Institucioni i Presidentit të Republikës me shkresën nr. 1567/1 prot., datë 05.06.2019, “Kërkesë për vënie në dispozicion informacioni”, i ka kërkuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë informacionin, për sa më poshtë:

  1. A figuron e regjistruar pranë Regjistrave të Partive Politike, Partia Socialdemokrate e Shqipërisë?
  2. Nëse po, referuar të dhënave që ju administroni, çfarë inicialesh ka kjo parti politike dhe cili është Kryetari aktual i saj?
  3. Sipas dokumentacionit që ju administroni dhe të dhënave të Regjistrit të Partive Politike, na informoni nëpërmjet përshkrimit kronologjik rreth faktit se sipas të dhënave të regjistrit, cili shtetas ka mbajtur funksionin e Kryetarit të Partisë Socialdemokrate e Shqipërisë, që nga çasti i regjistrimit të saj sipas ligjit, deri në ditën e sotme?
  4. Në datën 24.05.2019, cili shtetas figuron i regjistruar në Regjistrin e Partive si Kryetar i Partisë Socialdemokrate të Shqipërisë?
  5. Pas datës 24.05.2019, a është paraqitur pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ndonjë kërkesë nga zoti Skënder Gjinushi, apo nga organet drejtuese/ekzekutive të kësaj partie, për të zyrtarizuar sipas ligjit ndryshimin e Kryetarit të Partisë Socialdemokrate të Shqipërisë? Nëse po, kur është administruar një kërkesë e tillë dhe cila është gjendja procedurale e shqyrtimit të kësaj kërkese nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë?

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, nëpërmjet shkresës nr.4721/1 prot., datë 13.06.2019, administruar në Institucionin e Presidentit të Republikë me nr.1567/2 prot., datë 14.06.2019, ka informuar Presidentin e Republikës se nga verifikimet e kryera në Zyrën e Regjistrit të Partive Politike rezulton:

“Me urdhrin nr.30/1, datë 22.04.1991 të Ministrit të Drejtësisë është miratuar krijimi i partisë politike “Partia Social Demokrate e Shqipërisë” me iniciale PSDSH. Kryetar zoti Skënder Gjinushi.

Pranë kësaj gjykate është gjykuar kërkesa civile me nr. 643 Akti, datë depozitimi 03.06.2019, me kërkues Këshilli Drejtues Kombëtar të Partisë Social Demokrate (Gëzim Musabelliu) dhe me objekt, depozitim i dorëheqjes së Kryetarit të Partisë Socialdemokrate dhe ndryshimi emrit të Kryetarit të Partisë Socialdemokrate me emrin e kryetarit të kooptuar zotit Engjëll Bejtaj.

Çështja gjyqësore është gjykuar dhe gjyqtari Neritan Cena, i cili ka marrë vendimin nr.12, datë 06.06.2019 dhe Gjykata ka vendosur:

 “Pranimin e kërkesës.

Depozitimi i Vendimit nr. 2003 prot., datë 31.05.2019, të Këshillit Drejtues Kombëtar të Partisë Socialdemokrate, me anë të të cilit rezulton të jetë vendosur:

“Pas dorëheqjes së parevokueshme të datës 15.05.2019, të zotit Skënder Gjinushi nga funksioni i Kryetarit të kësaj partie, bazuar në nenin 121 të Statutit të Partisë Socialdemokrate kooptimin në detyrën e Kryetarit të Partisë Socialdemokrate zotit Engjëll Bejtaj deri në zhvillimin e Kongresit, në muajin tetor 2019)…”.

Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, në shkresën e saj nr.4721/1 prot., datë 13.06.2019, citon ndër të tjera se ky vendim nuk ka marrë formë të prerë.

Nga gjithë informacioni i administruar në Institucionin e Presidentit të Republikës dhe, së fundmi, i përcjellë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, rezulton e provuar se:

– Zoti Skënder Gjinushi rezulton ligjërisht të ketë mbajtur funksionin si Kryetar i Partisë Socialdemokrate në mënyrë të pandërprerë që prej themelimit të saj më 22 prill 1991, deri më 06.06.2019 kur Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur ndryshimin e emrit të Kryetarit të kësaj force politike (PSD), për shkak të dorëheqjes së tij nga posti i Kryetarit. Ky vendim ende në datë 13 qershor 2019 nuk ka marrë formë të prerë. Pra, deri në datën 06.06.2019 zoti Skënder Gjinushi vazhdon të konsiderohet ligjërisht si Kryetar i kësaj force politike.

– Sipas këtij informacioni më 24 maj 2019, ditë e realizimit të procesit zgjedhor për Kryetar të Akademisë së Shkencave, zoti Skënder Gjinushi ligjërisht figuron në postin drejtues të Kryetarit të Partisë Social Demokrate.

– Këtë cilësi, si Kryetar i PSD-së, zoti Skënder Gjinushi, e ka mbajtur edhe në çastin kur ka paraqitur kërkesën nr.89/15 prot., datë 10.05.2019 ku ka shprehur interesimin për të kandiduar për Kryetar të Akademisë së Shkencave. Për më tepër, në çastin e shprehjes së interesit për kandidim në datën 10 maj 2019, zoti Skënder Gjinushi, nuk kishte dhënë as dorëheqjen nga funksioni i Kryetarit të PSD-së, akt ky (dorëheqja) që është formalizuar 5 ditë më vonë, në datën 15.05.2019.

– Rezulton se zoti Skënder Gjinushi ka mbajtur për një periudhe të gjatë paralelisht dy funksione, njëri politik si Kryetar i PSD, dhe tjetri si anëtar i rregullt i një institucioni shkencor. Kjo gjendje ka bashkekzistuar për një kohë të gjatë dhe ka vijuar në mënyrë të njëjtë në çastin e shprehjes së interesimit për kandidim për Kryetar të Akademisë së Shkencave më 10 maj 2019, por dhe në çastin e zhvillimit të zgjedhjeve dhe shpalljes fitues më 24 maj 2019.

III. Vlerësimi i Presidentit të Republikës.

Duke shqyrtuar të gjithë praktikën e administruar gjatë këtij procesi, bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, në vlerësim tërësor të situatës së krijuar për zgjedhjen e Kryetarit të Akademisë së Shkencave, Presidenti i Republikës çmon sa më poshtë vijon:

Procesi i zgjedhjeve, i zhvilluar në datën 24.05.2019 në Akademinë e Shkencave për pozicionin e Kryetarit të këtij institucioni është realizuar sërish duke iu referuar ligjit në fuqi nr.9655, datë 11.12.2006 “Për Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar. Në këtë ligj përcaktohet mënyra e organizimit, vendimmarrjes, zgjedhjes dhe funksionimit të organeve drejtuese të Akademisë së Shkencave.

Midis të tjerave ky ligj përcakton procedurat e zgjedhjes së organeve drejtuese të Akademisë së Shkencave, si dhe kushtet ligjore që duhet të plotësojnë kandidatët konkurrent në këto procese zgjedhore.

Në nenin 11 pika 1, të ligjit nr.9655/2006, parashikohet shprehimisht:

“1. Kryetari i Akademisë përzgjidhet drejtpërdrejt me votim të fshehtë nga Asambleja, nga radhët e anëtarëve të rregullt ose të përhershëm. Kryetar zgjidhet kandidati, i cili merr më shumë se gjysmën e votave të të githë anëtarëve të Asamblesë. Kryetari i zgjedhur nga Asambleja emërohet nga Presidenti i Republikës.”

Sipas dispozitës së mësipërme, zgjedhja e zotit Skënder Gjinushi si Kryetar i Akademisë së Shkencave, formalisht duket se i është përmbajtur plotësimit të parashikimeve të këtij neni, pasi ai është një nga anëtarët e rregullt të Akademisë së Shkencave dhe, për zgjedhjen e tij si Kryetar, kanë votuar më shumë se gjysma e të gjithë anëtarëve të këtij institucioni.

Ndërkohë, ligji nr.9655/2006 “Për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar, në dispozita të tjera të tij, parashikon përbërjen dhe kushtet ligjore që duhet të plotësojë individi që legjitimojnë qenien e tij si anëtar i rregullt apo i përhershëm në Akademinë e Shkencave.

Konkretisht në nenin 5, pika 1 të ligjit nr. 9655/2006, parashikohet shprehimisht:

“1.  Akademia ka në përbërje anëtarë të rregullt, anëtarë të përhershëm, anëtarë të asociuar dhe anëtarë nderi.” 

Konkretisht në nenin 6, paragrafët 1, 2  dhe 6 të ligjit nr. 9655/2006, parashikohet shprehimisht:

“Anëtarët e rregullt të Akademisë zgjidhen nga radhët e shkencëtarëve të shquar me titull “Profesor”, që kanë ose kanë pasur shtetësi shqiptare, të cilët, nëpërmjet punimeve origjinale, veprave përgjithësuese, me një nivel të lartë shkencor, kanë zgjidhur, teorikisht dhe praktikisht, probleme të një rëndësie të veçantë në fushën e shkencës, të ekonomisë, artit dhe kulturës, si dhe kanë dhënë ndihmesë në formimin universitar e pasuniversitar të shkencëtarëve të rinj.  Anëtarë të rregullt të Akademisë  zgjidhen edhe nga radhët e shkencëtarëve të shquar shqiptarë, që nuk e kanë fituar titullin “Profesor” në Shqipëri, por kanë gradën shkencore “PhD” ose “Doktor”, që punojnë aktualisht pranë universiteteve dhe qendrave kërkimore jashtë vendit dhe kanë kontribute akademike, që tejkalojnë parashikimet e akteve ligjore e nënligjore në fuqi për kërkimin e titullit “Profesor.”

Në raste të veçanta, anëtarë të rregullt të Akademisë mund të zgjidhen edhe personalitete me merita të shquara në fusha të ndryshme të krijimtarisë. 

Personat që kanë funksione të larta administrative dhe politike, nuk mund të kandidojnë për t’u zgjedhur anëtarë të rregullt dhe të asociuar të Akademisë gjatë ushtrimit të këtyre funksioneve.” 

Për më tepër, në nenin 6/1, pika 1, germa “c” të po këtij ligji parashikohet:

“1.  Statusi i anëtarit të rregullt, atij të asociuar, dhe i çdo funksioni tjetër drejtues të lidhur me këto funksione në zbatim të neneve 9 dhe 10 të këtij ligji, përfundon kur anëtari: 

c) zgjidhet apo emërohet në funksione drejtuese në parti politike apo organe kushtetuese; 

Në vlerësim të të gjithë dispozitave të sipërcituara të ligjit nr. 9655/2006 “Për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, që në thelb garantojnë zbatimin e parimit kushtetues të autonomisë dhe lirisë akademike të parashikuar nga neni 57, pika 7 e Kushtetutës, parim ky i elaboruar nga Gjykata Kushtetuese në Vendimin nr.36, datë 15.10.2007, është e qartë se:

Statusi i anëtarit të rregullt të Akademisë së Shkencave nuk mund të ushtrohet paralelisht me kryerjen e funksioneve drejtuese të larta në parti politike.

Në këtë mënyrë, ka qenë në përgjegjësinë e organeve drejtuese të Akademisë së Shkencave që, në përmbushje të kërkesave të Kushtetutës që në çastin e miratimit të ligjit nr.9566/2006 apo të ndryshimeve të këtij që përcaktonin këto ndalime ligjore, duhet t’i kishin kryer menjëherë dhe shumë kohë përpara të gjitha praktikat e nevojshme administrative me qëllim që në zbatim të ligjit, të bënin të mundur shmangien e gjendjes së papajtueshmërisë së ushtrimit të statusit të anëtarit të rregullt të Akademisë së Shkencave me funksionet drejtuese në parti politike.

Papajtueshmëria ligjore në ushtrimin e statusit si anëtar i rregull i Akademisë së Shkencave, e bën tërësisht procesin zgjedhor të pavlefshëm. Kjo, sepse çdo anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave që ka papajtushmëri të statusit si anëtar i rregullt i saj me funksione drejtuese në parti politike, rrjedhimisht është në kushtet e ndalimit ligjor për të kandiduar dhe për t’u zgjedhur në funksionet drejtuese të Akademisë së Shkencave ku përfshihet dhe funksioni i Kryetarit.

Në rastin konkret, kjo kërkesë e ligjit nr. 9655/2006 “Për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar, rezulton të jetë një fakt i pranuar edhe nga kandidati Skënder Gjinushi, pasi pikërisht dorëheqja e tij nga funksioni si Kryetar i Partisë Socialdemokrate, është bërë në datën 15 maj 2019 për shkakun se ai po konkurronte për një funksion drejtues të Akademisë së Shkencave, siç është Kryetari i Akademisë së Shkencave.

Kjo dorëheqje nuk e justifikon faktin që shprehja e interesit për kandidim e paraqitur në cilësinë e anëtarit të rregullt të akademisë më 10.05.2019, rezulton të jetë ushtruar në kushte të papajtueshmërisë dhe ndalimit ligjor.

Për më tepër, dorëheqja nga funksioni i Kryetarit të Partisë Socialdemokrate e paraqitur nga zoti Skënder Gjinushi më 15.05.2019, nuk është formalizuar me një vendimmarrje ligjore përpara kohës së zhvillimit të zgjedhjeve për Kryetar të Akademisë së Shkencave në datën 24.05.2019.

Rezulton se as organet drejtuese të Partisë Socialdemokrate (Këshilli Drejtues Kombëtar) dhe as Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë nuk kanë marrë një vendim as përpara datës 10.05.2019 apo 24.05.2019 për të pranuar dorëheqjen nga ushtrimi i funksionit të Kryetarit të Partisë Socialdemokrate.

Rezulton se Këshilli Drejtues Kombëtar i PSD-së, ka shqyrtuar dhe ka marrë vend për pranimin e kërkesës për dorëheqje të Kryetarit në datën 31.05.2019, ndërkohë që Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka pranuar këtë kërkesë dhe vendimmarrjen e organeve drejtuese të PSD-së vetëm në datën 06.06.2019.

Në këtë mënyrë rezulton që në datën 10.05.2019, kur është bërë shprehja e interesit për kandidim dhe në datën 24 maj 2019, ditë kur janë zhvilluar zgjedhjet për Kryetar në Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë, zoti Skënder Gjinushi, ligjërisht figuron Kryetar i Partisë Socialdemokrate.

Kjo pozitë juridike krijon papajtueshmëri të ushtrimit të statusit si anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave, çka përbën shkak ligjor ndalues për të kandiduar dhe për t’u zgjedhur Kryetar i Akademisë së Shkencave.

Në këto kushte, referuar nenit 57, pika 7 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe parashikimet e neneve 3, 6 paragrafi 6,  nenit 6/1, pika 1 germa “c”, 11 të ligjit nr.9655, datë 11.12.2006 “Për Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, rezulton se procesi zgjedhor i zhvilluar në datën 24.05.2019 në Akademinë e Shkencave, për zgjedhjen e Kryetarit të Akademisë së Shkencave, paraqet problematikë të theksuar ligjore.

Kjo gjendje paligjshmërie e bën të pamundur që Presidenti i Republikës të ushtrojë kompetencën e tij të parashikuar në nenin 92/g të Kushtetutës, për të emëruar Kryetarin e Akademisë së Shkencave.

Presidenti i Republikës nuk mundet të dekretojë emërimin e Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë në kushtet kur procesi zgjedhor, i realizuar për këtë funksion, është kryer në shkelje të përcaktimeve të ligjit nr.9655/2006.

Kushtetuta i ka dhënë një rol të veçantë Presidentit të Republikës që nuk mund të jetë kurrsesi formal për t’u shprehur bazuar vetëm mbi një kërkesë zyrtare të paraqitur.

Në cilësinë e Kreut të Shtetit, Presidenti i Republikës, si një institucion asnjanës dhe mbi palët, ka për detyrë që të verifikojë nëse mekanizmat ligjorë dhe kushtetues kanë funksionuar siç duhet, në mënyrë që të mos cenohen parimet kushtetuese dhe të mos shkelen parashikimet e ligjit specifik.

Ushtrimi i kompetencës kushtetuese të Presidentit të Republikës, për emërimin e Kryetarit të Akademisë së Shkencave, parashikuar në nenin 92/g të Kushtetutës, kërkon domosodshmërisht shprehjen e vullnetit nga Presidenti i Republikës, vullnet ky i cili formohet vetëm pas verifikimit dhe vlerësimit jo vetëm të procedurës së ndjekur nga organet respektive që kanë realizuar procesin zgjedhor, por dhe verifikimin e vlerësimin e çështjes për të vënë në dukje faktin nëse i gjithë ky proces është i mbështetur ose jo në ligj dhe në prova.

Kushtetutëbërësi i ka dhënë Presidentit të Republikës kompetenca për emërimin e Kryetarit të Akademisë së Shkencave, pikërisht për të garantuar zbatimin e paanshëm të parimit kushtetues të ndarjes e balancimit të pushteteve, me qëllim shmangien e çdo lloj ndikimi politik në këtë institucion, në mënyrë që të garantohet jo vetëm autonomia dhe liria akademike, por dhe respektimi i ligjit sipas frymës së Kushtetutës.

Për sa u parashtrua më sipër, referuar mënyrës sesi janë zhvilluar zgjedhjet për Kryetar të Akademisë së Shkencave në datën 24.05.2019, si dhe duke vlerësuar në tërësi rrethanat, provat dhe bazën ligjore që rregullon mënyrën e organizimit të Akademisë së Shkencave, Presidenti i Republikës, mbështetur në nenin 57 pika 7,  92/g,  93, të Kushtetutës, nenit 3, nenit 6 paragrafi 6, nenit 6/1 germa “c”, nenit 11 të ligjit nr. 9655, datë 11.12.2006 “Për Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, ka arritur në konkluzionin:

– Procesi i kandidimit dhe ai zgjedhor i zhvilluar dhe i përfunduar në datën 24.05.2019 për zgjedhjen e Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, paraqet shkelje të parashikimeve të ligjit nr.9655, datë 11.12.2006 “Për Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

Për këtë arsye të vetme ligjore, Presidenti i Republikës ka vendosur refuzimin e emërimit të akademikut Skënder Gjinushi si Kryetar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, përcjellë nga Sekretari Shkencor i Akademisë së Shkencave me shkresë nr.89/41 prot, datë 24.05.2019.

Sinqerisht,

Ilir Meta

Paketa anti-shpifje/ Erebara: Ju tregoj tri shkeljet Kushtetuese

TIRANË

Gazetari i njohur Gjergj Erebara i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në News 24  ka folur për ligjin antishpifje, projektligji ky i miratuar disa ditë më parë nga qeveria Rama. Ai tha se kjo nismë e re nuk ka qëllim tjetër, por synon censurimin e mjedisit mediatik. Sipas  gazetarit, kjo paketë ka disa shkelje kushtetuese.

Gjithashtu gazetari thotë se gjuha e përdorur në këtë ligj është shumë fluide dhe lë mundësinë që ky institucion të gjobisë median, sipas dëshirës së saj. Ai ka besimin se ky ligj nuk do të ecë përpara.

“Është një përpjekje e hapur për censurë, në shkelje të Kushtetutës dhe lirive themelore të njeriut që janë të mishëruara në Kartën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Në variantin e parë kishte një numër shkeljesh të të drejtave të njeriut, 5-6 ose 7 shkelje. Ndërsa në drafin e fundit, numri i shkeljeve është reduktuar në 2-3, por gjithsesi mbeten shkelje kushtetuese dhe si të tilla nuk duhet të miratohen. Ligji krijon një institucion që zëvendëson sistemin gjyqësor në Republikën e Shqipërisë, që është Këshilli i Ankesave pranë një institucioni politik, që është Autoriteti i Medias Audiovizive, i cili zgjidhet nga parlamenti dhe parlamenti zgjedh këtë këshillin e ankesave. Pa kurrëfare procedure dhe procesi të njohur, ky institucion merr përsipër të gjobisë një media, nëse gjykon, që kjo media ka shpifur ose ka cënuar nderin dhe dinjitetin.

Gjuha e përdorur në këtë ligj është shumë fluide dhe lë mundësinë që ky institucion të gjobisë median për çfarë t’i dojë qejfi. Që të ketë një procedurë administrative është një gjë, por që të ketë një procedurë administrative të pa apelueshme, është një gjë tjetër. Kjo është shkelja e dytë.

Shkelja e parë është parimi i sigurisë juridike, që do të thotë, unë duhet të kem siguri që do të trajtohem në mënyrë të drejtë nga një institucion dhe ky institucion duhet të plotësojë disa kritere. Fjala vjen, ne shkojmë në gjykatë por gjykatësit duhet të jenë më shkollë magjistrature, që të më gjykojnë. Ndërsa në këshillin e etikës, do jenë disa burokratë të nivelit të ulët, pa kurrëfarë kriteri ligjor, pa kurrëfarë arsimi juridik, që do të gjykojnë mbi median. E dyta është e drejta për të apeluar. Sipas ligjit, këto gjoba të AMA-s, të cilat variojnë nga njëqind mijë lek deri në një milionë lek të reja, janë të zbatueshme menjëherë pavarësisht nëse media merr përsipër të shkojë në gjykatë apo jo.

Shkelja e tretë, është se merr përsipër të zbatojë një kod etike pa kaluar në rrugë gjyqësore. Merr nën kontroll median.  Ka një nen aty që thotë se në rast se Gjergj Erebara gjykohet se ka shpifur ndaj një zyrtari të lartë, atëherë AMA i vendos një dritare pop-up, siç janë dritaret e reklamave, që të thotë se ky portal ka shpifur. Kjo do të thotë të imponohesh tek portali yt. Të gjitha këto janë përpara se të shkosh në gjykatë. Në ndryshim nga ligji më përpara që të mbyllte, në këtë rast ai nuk i ka dhënë të drejtë vetes ta mbyllë portalin, por duke vendosur gjobë njëqind mijë deri në një milionë lek, kjo do të thotë të mbyllet.

Gjobat janë disproporcionale me synimin. Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, ka shqyrtuar gjerësisht çështjen e gjobave për shpifje. Edhe kur shpifja ekziston me të vërtet, liria e shprehjes është me e rëndësishme se sa liria e dinjitetit të një personi dhe liria e shprehjes do të thotë se gjoba nuk mund të jetë penalizuese dhe nuk mund ta vendosë subjektin shpifës në gjendje falimenti.

Kjo është një çështje që do të shqyrtohet në vijimësi. Unë nuk jam shumë i frikësuar nga kjo, nuk mendoj se do të ndodhë kjo. Në botën e internetit është shumë e vështirë të censurohet sot. Në vende si Kina, harxhojnë miliarda për të mundur të censurojnë, edhe ata e kanë shumë të vështirë. Në Shqipëri, qeveria shqiptare ka zero shanse ta bëjë këtë punë”-tha ai.

Tirana nuk është Shqipëria – Nga Alion Çaçi

Më së shumti, për çdo temë bisede apo diskutimi, njësia matëse është kryeqyteti. Kjo është ndikuar shumë prej televizionit, duke qenë se televizionet më të ndjekur janë të vendosur në Tiranë dhe, po ashtu, edhe ata që dalin e flasin nëpër televizione. Shumë e rrallë është që nëpër debate të ftohen njerëz nga rrethet. Madje madje, edhe kur tema e diskutimit i përket rretheve, nuk ftohet asnjë banor i atij rrethi.



Në vijim të kësaj, njerëzve u ngulitet në kokë se Shqipëria është Tirana. Dhe ne, që jetojmë në Tiranë, nuk e çojmë shpesh nëpër mend sesi është jetesa jashtë kryeqytetit. Më saktë, jashtë qendrës së Tiranë, sepse mjafton të shkosh në Bathore/Laprakë/Paskuqan dhe zbulon çudira. Po ashtu, nga hijëzimi që u bëhet rretheve, padashje idealizohet Tirana dhe krijohet ideja se  është qyteti i ëndrrave dhe i mundësive.

POR, ÇFARË KANË RRETHET QË TIRANA S’I KA DHE ÇFARË KA TIRANA QË RRETHET NUK E KANË?

Rrethet nuk kanë: asnjë mundësi argëtimi veç kafeneve.  Nuk kanë kinema, teatër aktiv, koncerte, ambjente “snob” ku mund të sillen si artistë, mundësi zgjedhjeje për të kaluar mbrëmjen. Kanë vetëm një zonë ku dilet. Nuk kanë shumë liri prindërore për të dalë. Nuk dilet pas orës 7 mbasdite në dimër (përjashtojmë ndonjë qytet ku dilet edhe kiameti deri në 9). Nuk kanë rroga të mjaftueshme. Jo se në Tiranë janë të gjithë të kamur, por nëpër rrethe nuk të del as për bukë, e jo më të konceptohet të pish një birrë. Rrogat janë shumë të ulëta, femrat e kanë të vështirë të gjejnë punë. Mbi të gjitha, nuk kanë universitete dhe shërbim shëndetësor, për “të të mbaruar punë”. Janë sajesa boshe, që ngjasojnë me shkolla dhe spitale, por që të gjithë dynden në Tiranë për të marrë këto shërbime.

Por ama, Tirana nuk ka: ushqime të mira si nëpër rrethe. Si për shembull bulmetet apo fruta-perimet, që shiten në Tiranë, janë shumë herë më pa shije sesa ato të rretheve, për shkak të numrit të popullsisë. Sa më shumë banorë, aq më e lartë kërkesa, aq më artificial prodhimi. Tirana nuk ka bibliotekë, ndërkohë që rrethet kanë. Sado të varfra që i kanë, por i kanë. Tirana nuk ka kurrë temperatura më të ulëta se rrethet, për shkak të betonizimit ekstrem dhe cilësisë së dobët të ajrit. Tirana nuk ka ujë rubineti më shumë se rrethet.

Këto ç’balancime janë të gjitha pasoja të “centralizimit”. Tashmë çdo gjë është e përqendruar në Tiranë. Ndryshe nga deri para 30 vjetësh, kur çdo rreth kishte spitalin dhe universitetin e tij apo shquhej për diçka të madhe që mund të grumbullonte njerëz. Gjithë studentët përplasën në Tiranë. Gjithë të sëmurët përplasen në Tiranë. PSE? Sepse spitalet e rretheve janë më të pisët se banjot publike (që Tirana nuk i ka) dhe po aq pak profesionalë. Sepse universiteteve të rretheve nuk u njihet diploma as në Tiranë. E çdo bëjnë rrethet, pra? Kanë nevojë për zhvillim.

Në kuadër të fitores absolute moniste të Bashkive, ringjallja e rretheve mund të jetë e vetmja gjë që të na bëjë të mbyllim një sy e një vesh për zgjedhjet që sapo u bënë. Gjithsesi, mos thoni më “Shqipëria ashtu, Shqipëria kështu” ndërkohë që jeni duke folur për një ashensor që s’punon për të të çuar në katin e 13 të një kulle për të pirë një aperol spritz. E mbi të gjitha, nëse ti nuk e gjen veten te këto që thashë, qenke shumë i pasur për këtë shkrim.

Rekord botëror – Shqipëria drejt zhdukjes. Ja sa mbetemi në fund të shekullit

Shqipëria është vendi që do të ketë tkurrjen më të madhe të popullsisë në botë deri në fund të shekullit. Parashikimi tronditës vjen nga Organizata e Kombeve të Bashkuara në projeksionin e fundit të popullsisë botërore.


Sipas projeksionit bazë të OKB-së, në fund të këtij shekulli popullsia e Shqipërisë do të rrudhet në vetëm 1 milionë banorë, me një rënie prej 62 për qind krahasuar me shifrën aktuale.

Kjo është rënia më e madhe në botë, e cila e projekton kombin shqiptar sa një lagje e një qyteti të zakonshëm europian. Sipas OKB, nga 5 shtetet që pritet të kenë rënien më të madhe të popullsisë në 80 vitet e ardhshme, 4 gjenden në Ballkan.

Më konkretisht në vendin e dytë, shteti që do të pësojë uljen më të madhe të popullsisë është Serbia me 52 për qind, ndërsa në vendin e tretë dhe të katërt Moldavia dhe Bosnja, ku popullsia pritet të tkurret me 50 për qind deri në fund të këtij shekulli. Shteti që mbyll pesëshen e vendeve më krizën më të thellë demografike, është bullgaria për të cilën OKB parashikon se do të humbasë 48 për qind të popullsisë deri në vitin 2100.

Këto janë projeksionet sipas skenarit bazë, i cili ka probabilitetin më të lartë për t’u realizuar. Paralelisht OKB ka llogaritur projeksionet edhe sipas një skenari me negativ, i cili bazohet në një rënie më të shpejtë të lindshmërisë. Rezultatet për këtë variant janë edhe më alarmante, duke e parashikuar rrudhjen e popullsisë së Shqipërisë në vetëm 500 mijë banorë në fund të shekullit. Një projeksion fatal, që praktikisht e projekton Shqipërinë drejt zhdukjes./TCH

Mustafaj: “Shteti ka rënë, por pushteti është në këmbë… Shqipëria është në një situatë çmendurie”

Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj i ftuar në rubrikën “Opinion” në News 24 ka komentuar krizën politike ndërsa tha se vendi ndodhet në një situatë “çmendurie dhe antikushtetuese”. Ai tha se ekonomia shqiptare është e “zhytur” në krizë dhe kjo është konfirmuar edhe nga INSTAT.

“Shteti ka rënë, pushteti është në këmbë. Situata në vend është antikushtetuese. Ekonomia jonë është përtokë, kjo e konfirmuar edhe sipas INSTAT. kur nuk funksionon ekonomia, shteti i së drejtës, çfarë situate është kjo? Sigurisht kjo është një situatë e çmendur”-tha ai.

Gjithashtu Mustafaj u ndal edhe tek zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Sipas tij, pjesëmarrja e ulët në votime ishte një mesazh i qartë për kryeministrin Edi Rama për t’i treguar se qeveria që ai drejton është e “deligjitimuar”. Por si duhet të veprojë opozita pas zgjedhjeve të 30 qershorit, Mustafaj dha këtë përgjigje:

“Ne jemi në kushtet ku opozita ka vetëm rrugën për të bërë politikë. Hapësira e vetme që i ka ngelur opozitës për të bërë politikë është vetëm protesta. Qeveria u deligjitimua me rezultatin që pati në 30 qershor. Kjo qeveri tregoi është e gatshme të vjedh edhe vetëveten. Opozita ka arritur një fitore dhe duhet ta kapitalizojë politikisht. Ligjërimi i saj duhet të përmirësohet dhe të përshtatet me situatë, që t’i drejtohet edhe pjesës më të madhe, e cila është kundërshtuese e qeverisë. Opozita duhet të përgatitet për zgjedhjet e ardhshme. Elektorati “Gri” është me rëndësi të veçantë për opozitën. Ne nuk kemi një mundësi për të kryer me shpejtësi një studim sociologjik se kush nuk shkoi dhe pse nuk shkoi të votonte. Protestat janë e vetmja rrugë, unë nuk shoh zgjidhje tjetër.”- shtoi ai.

Thellohet skandali me prodhimet bujqësore – Ndryshe nga ato të eksportit, prodhimet që hyjnë në tregun vendas nuk kontrollohen

Frutat dhe perimet që shiten për tregun vendas nga pikat e grumbullimit në Lushnje, nuk kontrollohen për përmbajtjen e elementeve të dëmshme për organizmin e njeriut. E kundërta ndodh për mallrat që dalin jashtë vendit.

 

Pikat e eksporteve kontrollohen nga vetë eksportuesit nëpërmjet kësaj aparature për nivelin e nitriteve. Nëse ato janë të larta, ngarkesa kthehet mbrapsht, me shumë gjasë për të përfunduar në tregjet shqiptare, e më pas në tavolinat tona.

Një analizë më e detajuar u kryhet ngarkesave në pikat doganore nga shteti ku ato eksportohen.

Ndryshe ndodh për prodhimet bujqësore që përfundojnë në tregjet tona. Tregtarët nuk kanë asnjë fletë analize për garancinë e produkteve që shesin. Ndërsa qytetarët ndihen tërësisht të pasigurt.

Gazetarja e Televizionit Klan në Lushnje kontaktoi të gjithë drejtuesit e bujqësisë dhe Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në këtë qytet, për t’i pyetur se përse prodhimet bujqësore dalin në treg pa asnjë kontroll. Por askush nuk pranoi të flasë.

Janë 32 pika eksporti të ngritura në Lushnje dhe produktet e tyre nuk kalojnë jashtë vendit pa analizat fiziko kimike.

160 mijë ton fruta dhe perime prodhohen në një vit në Lushnje. Nga kjo sasi, 120 mijë ton shkon për eksport dhe 40 mijë ton janë për tregun vendas. Moskryerja ka bërë që në tregjet shqiptare të përfundojnë produkte me nivele skandaloze të nitratit.

Në disa teste të kryera nga Televizioni Klan, rezultoi se vetëm për pjeprin, niveli i nitratit arrinte deri në 850 miligramë për kilogramë, nga 90 miligramë që është norma maksimale e lejuar.

Sarajevë, Meta vendos lule te varri i Izetbegoviçit: Burrë i madh shteti!

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka kryer homazhe te varri i një prej liderëve më të mëdhenj të Bosnjës, Alija Izetbegović.

Ky i fundit ishte udhëheqësi i luftës së popullit boshnjak për pavarësi dhe një nga mendimtarët më të shquar të shekullit të XX, sa është quajtur edhe “Mbreti i mençur”.

Për këtë arsye, Kreu i Shtetit Shqiptar shkruan në “facebook” se e nderon sa herë që shkon në Sarajevë.

Ndër të tjera, Meta sjell në vëmendje dhe një nga thëniet e shquara të Alija Izetbegović “Do të sakrifikoja paqen për sovranitetin e Bosnje-Hercegovinës, po për paqen në Bosnje-Hercegovinë nuk do të sakrifikoja sovranitetin”.

“Nga jeta plot privacione dhe sakrifica, e këtij burri të madh shteti si Alija Izetbegović, mjafton dhe kjo trashëgimi që ka lënë, për ta nderuar sa herë vij në Sarajevë”, shkruan Meta.

Meta në çarshinë e Sarajevës: Me krenarinë e sportit shqiptar

Presidenti i vendit, Ilir Meta ndodhet në Sarajevë ku ka pasur edhe një takim me disa sportistë shqiptarë. Mes të rinjve me të cilët kreu i shtetit bën shqiponjën me duar, është edhe kampionja Majlinda Kelmendi.


Presidenti Meta ka shkruar:

Me krenarinë e sportit shqiptar, kampionen e botës, Majlinda Kelmendi dhe ekipin e xhudos së Kosovës, kaluam momente shumë pozitive në çarshinë e Sarajevës.
Përherë kënaqësi të takohem me këta ambasadorë të shkëlqyer të vlerave më të mira njerëzore e sportive të kombit shqiptar kudo në botë.

Andi Bejtja: “Zaev i tha të gjitha se kush e dëshiron ndarjen e Kosovës”

Pas publikimit të një përgjimi të kryeministrisë së Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, sipas të cilit ndarja e Kosovës përkrahej nga Rusia për të krijuar një precedent të ri ndërkombëtar dhe i mbështetur gjithashtu edhe nga Turqia, gazetari Andi Bejtja shkruan se kjo mund të ketë shkaktuar të qeshura në Rusi dhe Ukrainë por jo në Tiranë, Prishtinë apo në Bruksel.

 

Sipas tij, Zaev i ndan qartësisht, duke shtuar se kush e do këtë vend duhet të shkojë me vrap në zgjedhjet e 13 tetorit.

Reagimi i plotë: 

Faleminderit Zaev Biseda e Kryeministrit Zaev me dy humoriste ruse qe imitonin Presidentin e Ukraines duke folur me te, mund te kete shkaktuar te qeshura ne Rusi apo Ukraine, po jo ne Tirane apo Prishtine..Berlin apo Bruksel…

Kisha kaq kohe qe degjoja Baton Haxhiun neper tavolina te thoshte se amerikanet na e paskerkan mendjen top per shkembimin e territoreve Kosove-Serbi: e kisha pyetur dhe publikisht ne Opinion “e kujt ishte kjo ide”po kishte llocur….

Dhe na e tha Zaev sot, dhe Vucic muaj me pare: qe eshte ide ruse, serbo-ruse, sot mesuam ka dhe pak gisht vllai yne Erdogan….Synojne destabilitetin e rajonit thote me gojen plot Zaev qe ndryshe nga shume lider ballkanik njihet per sinqeritetin dhe modestine..

Cte thote me i ka thene te gjitha…na i ndau para syve si ne Shqiperi ashtu edhe Kosove grurin nga krundet…qenkeni budallenj neqoftese nuk e keni te qarte….Ndaj kush e do ket vend me vrap ne zgjedhje me 13 tetor!

Himarë: Muret e kalasë mbushen me parulla raciste kundër shqiptarëve

Në muret e kalasë së vjetër të Himarës gjen shkrime të shëmtuara, që jo vetëm kanë njollosur kalanë por kanë dhe mesazhe raciste kundër shqiptarëve.

Në to gjen shkrime si “Himara tokë greke”, “Kacifas i pavdekshëm” e shumë parrula të tjera raciste kundër shqiptarëve.

Fotot i ka postuar aktori i humorit Florian Binaj, i cili vë në dukje faktin se asnjë autoritet shtetëror e në veçanti Ministria e Turizmit nuk kanë reaguar në lidhje me rastin./Express

Gurë makinës së Lubonjës, 50-vjeçari lihet në burg. Prokuroria i ngre 5 akuza, e kishte denoncuar edhe gruaja sepse…

Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për Arben Haçkajn, i cili ndodhet në spitalin e burgut.

Haçkaj goditi makinën e analistit Fatos Lubonja rreth një javë më parë, duke dëmtuar xhamin e saj, ndërsa vetë Lubonja e konsideroi si të qëllimshëm dhe të nxitur nga qëndrimet e tij publike. 50-vjeçari nuk është i panjohur për autoritetet e Policisë, ndërsa ka qenë edhe më herët i proceduar për plagosje.

Ndërkohë, Haçkaj është denoncuar edhe nga bashkëshortja e tij për dhunë në familje, e cila tashmë ka edhe një urdhër mbrojtje. Ngjarja, për të cilën akuzohet i dyshuari, ka ndodhur në datën 1 korrik, ndërsa lajmi u bë i ditur rreth një javë më vonë. Ndërkohë që, sipas versionit të Policisë, goditja e makinës së Lubonjës është bërë rastësisht gjatë tentativës për t’iu larguar Policisë, analisti e konsideron këtë si një version të rremë, pasi edhe më herët ky person ka pasur sjellje agresive ndaj tij.

POLICIA

Sipas Policisë, Arben Haçkaj është arrestuar në flagrancë pasi ishte duke kërcënuar me mjetet prerëse disa kalimtarë dhe gjatë tentativës për t’u larguar, ai ka thyer me sende të forta xhamin e makinës së analistit. “Më datën 1 korrik 2019, shërbimet e Komisariatit Nr. 2, pas marrjes së një njoftimi, u vunë në ndjekje të një personi që po kërcënonte me mjete prerëse disa kalimtarë. Në tentativë për t’u larguar, shtetasi A.H. theu me sende të forta xhamin e një mjeti të parkuar në hyrje të pallatit ku banonte. Agjentët arrestuan 50- vjeçarin nga Tirana”, njoftoi zyrtarisht Policia.

DENONCIMET

Sipas burimeve zyrtare të Policisë, ndaj Haçkajt ka bërë kallëzim penal edhe bashkëshortja e tij, e cila ka pretenduar se e ka dhunuar. Në kallëzim, zonja Haçkaj ka shtuar se prej vitesh 50- vjeçari vuante nga sëmundje të shëndetit mendor. Ndërkohë, për makinën ka bërë kallëzim vëllai i analistit Fatos Lubonja.

Sipas Policisë, edhe vëllai i Lubonjës ka deklaruar se i dyshuari ka shfaqur probleme të shëndetit mendor. “Ndaj tij bëri kallëzim për dhunë në familje edhe bashkëshortja, e cila deklaroi se ai vuante prej disa vitesh nga shëndeti mendor. Për dëmtimin e mjetit bëri kallëzim shtetasi A.L, vëllai i zotit F. Lubonja, i cili deklaroi se ishte përdoruesi faktik i automjetit, se agresorin e kishte fqinj dhe se ky i fundit kishte shfaqur probleme mendore., Prokuroria ka shënuar procedim penal për Haçkajn dhe e akuzon atë për 5 vepra penale. “Materialet i kanë kaluar Prokurorisë për ‘Dhunë në familje’, ‘Kanosje’, ‘Shkatërrim prone’, ‘Prishja e qetësisë publike’ dhe ‘Mbajtje pa leje të mjeteve prerëse, të dyshuara si armë të ftohta’”, njoftoi Policia.

PANORAMA

Një ditë pas protestës, Basha: Të largojmë sa më parë këtë qeverisje antikombëtare

Kreu i PD-së, Lulzim Basha reagon një ditë pas protestës numër dhjetë të mbajtur nga opozita.

Pasi falenderon pjesëmarrësit, Basha shkruan se opozita dhe populli do largojnë atë që ai e quan qeverisje antikombëtare.

“Mirënjohje të thellë dhe falenderime nga zemra për të gjithë ata që na janë bashkuar në betejën kombëtare për Shqipërinë si gjithë Europa.

Bashkë do ta largojmë këtë qeverisje antipopullore dhe antikombëtare. Sa më parë, aq më mirë për Shqipërinë!

Detyra më e madhe, prioriteti numër një, është t’ju japim shqiptarëve ndryshimin e vërtetë, fundin e tranzicionit, Shqipërinë e lirive, mundësive dhe mirëqenies për të gjithë.

Shqiperia si Europa”, shkruan Basha.

Një ditë pasi Kuvendi miratoi Komisionin për shkarkimin, Meta nxjerr “foton e jetës” dhe mesazhin

Presidenti i Shqiperise, Ilir Meta e ka nisur diten sot me nje mesazh domethenes.

Nje dite pasi Kuvendi i Shqiperise miratoi me 101 vota ngritjen e Komisionit Hetimor për shkarkimin e tij, Meta ka ndare me miqte e tij reale e virtuale nje foto ne faqen e tij ne FB.

 

“PHOTO OF MY LIFE! SHQIPËRIA E PARA!”- shkruan Meta, teksa poston kete foto qe shihni me poshte, ku ai eshte fotografuar me doren mbi kushtetute. 

Nisen protestuesit nga Fieri, Baçi: Kushti i vetëm, largimi i Ramës (video)

FIER

Qindra protestues janë nisur nga qyteti i Fierit duke iu përgjigjur thirrjes së opozitës për të marrë pjesë në protestën e dhjetë kombëtare.
Kreu i PD-së Fier Luan Baçi, tha se i vetmi kusht është largimi i kryeministrit Edi Rama. Ai tha se opozita nuk do të ndalojë se protestuari deri në largimin e tij.

“Ne kemi axhendën tonë dhe ajo është një dhe e pa ndryshueshme, Rama ik! Aq më tepër duke parë që pas ditës së diel, instalimi i një neodiktature, Partia Demokratike dhe opozita në përgjithësi nuk do të ndalojë së protestuari deri në largimin e Ramës. Nuk do të ketë negociata me Edi Ramën dhe 30 qershori është ashtu siç tha kreu i PDSH zoti Basha, është fillimi i fundit real të Edi Ramës”, deklaroi ai.

Për sa i përket 13 tetorit, ditës së dekretuar nga presidenti për zgjedhjet e reja, Baçi tha se opozita nuk duhet të futet as në këto zgjedhje me Ramën kryeministër.
“Është një problem që do të diskutohet hap pas hapi. Për mendimin tim opozita ka axhendën e vet, largimin e Edi Ramës.
Opozita nuk ka pse të futet në zgjedhjet e 13 tetorit me të njëjtat kushte siç është me Ramën kryeministër.
Për mendimin tim personal nuk ja vlen të negociosh me Ramën dhe as për 13 tetorin. Është një problem ligjor që është shkelur përsëri dhe është një problem mes presidencës dhe mazhorancës”, theksoi Baçi.

Protesta e opozitës: 1200 protestues beratas nisen për Tiranë (video)

Si gjithmonë edhe sot, demokratët beratas i bashkohen protestës së madhe të opozitës së bashkuar në Tiranë.

Rreth 1 200 protestues nga opozita e Beratit janë nisur drejt Tiranës, për t’ju bashkuar protestës së dhjetë të opozitës, që është vendosur të zhvillohet përpara Kryeministrisë në orën 20:00.

Protestuesit e Partisë Demokratike të Beratit janë grumbulluar si gjithmonë përpara selisë së PD-së së qytetit, ku u nisën me autobusë dhe automjete private drejt Tiranës, ndërkohë që protestuesit e LSI-së u nisën me automjete private nga sheshi qëndror i qytetit.

Gazetarja Eneida Petova raporton për “Balkanweb” se nga selia e Partisë Demokratike janë nisur drejt Tiranës 4 autobusë dhe automjete të vogla, ndërkohë që 2 autobusë të tjerë me mbështetës të PD-së janë nisur nga fshatrat Lapardha dhe Velabisht.

Kryetari i degës së PD-së Berat,Gazmend Azizi,ka deklaruar se,nga selia e Partisë Demokratike u nisën drejt protestës së dhjetë të opozitës rreth 900 protestues,ndërkohë që nga LSI-ja konfirmohet një numër prej rreth 300 protestuesish të nisur me automjete private drejt protestës së madhe të opozitës së bashkuar.

Nga selia e Partisë Demokratike janë nisur në orën 16:00 të ditës së sotme 4 autobusë dhe rreth 60 makina private, ndërkohë që nga LSI-ja janë nisur 3 autobusë dhe rreth 30 automjete të vogla me protestues. Sipas kryetarit të PD-së Berat, Gazmend Azizi, protestat e opozitës shpalosin revoltën e popullit ndaj qeverisë kriminale të Edi Ramës.

Protesta e opozitës, nisen mijëra protestues nga Dibra

DIBËR

Mijëra mbështetës të opozitës janë nisur nga qarku i Dibrës për të marrë pjesë në protestën e sotme. Kështu deklaron Partia Demokratike në Dibër, e cila thotë se nga 4 bashkitë e qarkut janë rreth 5000 qytetarë që po i bashkohen protestës së orës 20:00 në Tiranë.

Protestuesit janë nisur me autobusë dhe shumë mjete private. Për shkak të pikave të kontrollit të ngritura në rrugët nacionale, mësohet se protestuesit janë nisur që nga mëngjesi i kësaj të hënë.

Rama shpërthen kundër Metës: Është armik i kushtetutës! ‘Mic Sokoli’ duhet shkarkuar. Pritet reagimi i Presidentit

Kryeministri Edi Rama ka shpërthyer në akuza të rënda në adresë të Presidentit Ilir Meta, duke e cilësuar si një armik të kushtetutës.

Para parlamentit, i cili është mbledhur posaçërisht për të votuar mbi ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e Presidentit, Rama deklaroi se kreu i shtetit është kthyer në një figurë komike që nuk e kupton më dallimin mes realitetit dhe mendimeve në kokën e tij.

Rama: Ilir Meta duhet hetuar dhe ndëshkuar deri në fund nga ky kuvend dhe reagimi ynë duhet të jetë frontal përtej dallimeve tona, në emër të kushtetutës dhe të vetë dinjitetit të shtetit shqiptar. Ai është armiku i Kushtetutës, armiku i deklaruar i vetë parlamentit të Shqipërisë. Nuk është më politikani i frikësuar deri në palcë, por ai sot është vetë shëmbëlltyra e të tremburve nga drejtësia. Ai na turpëron të gjithëve. Si mund të ketë Shqipëria sot një kryetar shteti që sillet si një komik që imiton Presidentin. E imagjinon ambasadën e shba-ve si topin që ai i vë gjoksin si Mic Sokoli. Sëmundja e vërtetë e këtij kreut të shtetit, është ajo e atij personazhit të Dostojevskit, që gënjen të tjerët për të gënjyer veten. Duke u vetëgënjyer, njeriu vjen një pikë që nuk e kupton më se ku fillon bota në kokën e tij dhe ku fillon ajo jashtë rradakes së tij. Por nëse Meta mund t’ja lejojë vetes të ngatërrojë dynjanë, ky parlament s’mund tja lejojë vetes mbylljen e syve përballë këtij burimi destabiliteti politik dhe komedie ndërkombëtare. Ilir Meta ç’ështe e vërteta e ka shkelur Kushtetutën më shumë sesa një herë, duke penguar apo refuzuar harbutërisht duke mos pranuar të dekretojë ministra, apo duke kthyër papërgjegjshmërisht ligje të ardhur nga ky parlament. Më shumë sesa një herë ai e ka prishur ekuilibrin e figurës së Presidentit, duke luajtur role e figura që kurrë një Presidenti s’ja ka lejuar vetes. Aq larg ka shkuar me vandalizmat, saqë vetë paraardhësi i tij, një rreshter i partisë së tij, sot duket si një Xheferson.

Shkarkimi nga detyra e Kreut të Shtetit, i cili solli në skenën e historisë Haxhi Qamilin, është një lëvizje me detyrim përcaktim i këtij kuvendit, dhe është detyrim i çdo deputeti që nuk e ka harruar betimin. Ilir Meta nuk e ka mbushur kupën, por e ka derdhur dhe vijon ta derdhë kupën çdo ditë.

Rama: I bëj thirrje Metës që të reflektojë dhe ta grumbullojë veten sa më parë. Të ndërpresë çdo sulm ndaj ndërkombëtarëve, të ndërpresë sulmet ndaj parlamentit dhe aktivitetet e tij të paligjshmë kundër qeverisë së Shqipërisë. Mir do të ishte të ndalonte dhe përgojimin e figurave historike të këtij vendi, sepse krahasimet e tij keqinformojnë rininë… por kjo mbetet sidoqoftë një vërejtje miqësore.

Ish-gjyqtarja e Kushtetueses ankimon vettingun në Strasburg, gjykata 5 pyetje Shqipërisë

Ish-anëtarja e Gjykatës Kushtetuese, Altina Xhoxhaj, e cila u shkarkua nga vettingu ka bërë ankesë në Gjykatën e Strasburgut.

Kjo e fundit ka pranuar të shqyrtojë padinë e Altina Xhoxhajt kundër shkarkimit nga KPK dhe KPA, ku pas pranimit të padisë, Gjykata e Strasburgut i drejton Shqipërisë pesë pyetje në lidhje me rastin.

 

Pyetjet i janë drejtuar Avokaturës së Shtetit, e cila përfaqëson Shqipërinë në proces. Altina Xhoxhaj u shkarkua nga Gjykata Kushtetuese më 3 maj 2018 për shkak të vettingut

Shpjegimet:

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, më datë 8 mars 2019, ka regjistruar çështjën për shqyrtim të ngritur nga zj.Altina Xhoxha ish-gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese në Republikën e Shqipërisë, ku ajo pretendon se ka patur shkelje të të drejtave dhe lrivire themelore të njeriut në procesin e zhvilluar ndaj saj nga Komisioni Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Apelimit, në kuadër të aplikimit të procesin të rivlerësimit kalimtar (procesit vetting)

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, ka bërë prezente listën e çështjeve që meritojnë sqarim në këtë çështje, duke ngritur dhe pyetje për të gjitha palët në proces. Një listë e gjatë pyetjesh i është drejtuar Qeverisë Shqiptare e cila nëpërmjet Avokaturës së Shtetit dhe oraneve të rivlerësimit kalimtar do të duhet të japin shpjegime përpara Gjykatës (GJEDNJ), në lidhje me pyteje që u janë adresuar atyre.

Ajo që konstatohet lehtësisht në këtë pyetësor të GJEDNJ-së që i është drejtuar autoriteteve Shqiptare, ka të bëjë me faktin se Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeritu, në krahasim me rastet e tjera që kanë plikuar pranë saj, është fakti se në këtë rast GJEDNJ ka zgjeruar fushën dhe llojin e çështjeve që meritojnë të sqarohen.

Konkretisht, pretendimet për sqarim lidhen me respektimin e nenit 6/1, 8, 13 të Koventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut :

E drejta për një proces të rregull ligjor
E drejta për respektimin e jetës private dhe familjare
Si dhe të drejtën për një zgjidhje të mbështetur në mjete efektive

Në këtë çështje, referuar respektimit të këtyre parimeve dhe referuar pyetësorit të GJEDNJ-së, rezulton se është zgjeruar rrethi i çështjeve për trajtim nga kjo gjykatë, ku dukshëm  në mënyrë shteruese është kërkuar shpjegim nga autoritetet shqiptare duke vendosur për diskutim edhe çështjet e barrës së provës në procesin që është zhvilliuar nga autoritetet shqiptare në ngarkim të ankueses .

Nenet e Konventës dhe Lista e Pyetjeve më poshtë:

NENI 6

E drejta për një proces të rregullt

1. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.

NENI 8

E drejta për respektimin e jetës private dhe familjare

1. Çdokush ka të drejtën e respektimit të jetës së tij private dhe familjare, banesës dhe korrespondencës së tij.

2. Autoriteti publik nuk mund të ndërhyjë në ushtrimin e kësaj të drejte, përveçse në shkallën e parashikuar nga ligji dhe kur është e nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit publik, shëndetit ose moralit ose për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve.

NENI 13

E drejta për zgjidhje efektive

Çdokush, të cilit i janë shkelur të drejtat dhe liritë e përcaktuara në këtë Konventë, ka të drejtën e një zgjidhjeje efektive para një organi kombëtar, pavarësisht se shkelja është kryer nga persona që veprojnë në përmbushje të funksioneve të tyre zyrtare.

Pyetjet:

  1. A ishte neni 6, pika 1 i Konventës, nën udhëheqjen tij civile, i aplikueshëm në procdedurën në këtë rast? A ka depozitur kërkuesi mjetet juridike vendase në lidhje me pretendimet e saj sipas nenit 6 të konventës?
  2. A ka pasur një proces gjyqësor të drejtë, në përputhje me kërkesat e nenit 6 § 1 të Konventës? Veçanërisht:

A mund të konsiderohet Komisioni i Pavarur i Kualifikimeve, një “gjykatë e themeluar me ligj”, në kuptim të nenit 6 § 1 të Konventës? A e ka përmbushur kërkesa e paanshmërisë, duke marrë parasysh se i njëjti subjekt ka kryer hetimin dhe ka marrë vendimin për të hequr kërkuesin nga zyra gjyqësore?

A ishte Dhoma e Apelit që e dëgjoi ankesën e ankuesit në këtë rast “të pavarur dhe të paanshëm”, në kuptim të nenit 6 § 1 të Konventës?

A ishin dispozitat e Ligjit nr. 84/2016 mjaftueshmërisht të qarta dhe të arritshme, duke siguruar që të drejtat e Konventës së aplikantit ishin të mbrojtura në procedurat para organeve të rivlerësimit kalimtar? Në veçanti, si i kanë interpretuar dhe zbatuar organet e rivlerësimit aspektet e mëposhtme të ligjeve përkatëse?

konceptet e “të ardhurave të ligjshme” (neni 3 (19) i Ligjit), duke përfshirë edhe të ardhurat nga burimet e huaja dhe “pasuritë e ligjshme” (neni 61 (1) i Ligjit)

kushtet për zhvendosjen e barrës së provës mbi subjektet e rivlerësimit, duke përfshirë edhe kushtin që “provat kanë arritur nivelin e provueshmërisë” (provat kanë nivelin e provueshmërisë, neni 52 (1) i Ligjit), si dhe në lidhje me faktet dhe rrethanat që kanë ndodhur shumë vite para procedurave aktuale;

standardet e “zbulimit të pamjaftueshëm të aseteve” (neni 61 (3) i Ligjit) dhe “dëmtimi i besimit të publikut në sistemin e drejtësisë” (neni 61 (5) i Ligjit) si arsye për largimin nga zyra gjyqësore ;

metodologjia e përdorur për vlerësimin e shpenzimeve të jetesës së subjekteve të rivlerësimit dhe familjeve të tyre?

Qeveria është e ftuar të sigurojë ekstrakte të vendimeve të organeve rivlerësuese që mund të qartësojnë çështjet e mësipërme.

A ishin shkeljet disiplinore apo shkeljet e tjera që siguronin bazën për largimin e aplikantes nga zyra, duke iu nënshtruar ndonjë kufizimi ligjor (shih Oleksandr Volkov kundër Ukrainës, nr. 21722/11, §§ 137-140, KEDNJ 2013)?

A ishte refuzimi i kërkesës së ankuesit për dëgjim publik dhe për paraqitjen e provave shtesë përpara Dhomës së Apelit duke shkelur të drejtën e saj për një proces të rregullt gjyqësor në kuptim të nenit 6 § 1 të Konventës, të shqyrtuar së bashku me pyetjen nën paragrafi 2 (a) më lart (shih Ramos Nunes de Carvalho e Sá kundër Portugalisë [GC], nr. 55391/13 dhe 2 të tjerë, 6 nëntor 2018)?

  1. A e ka depozituar aplikanti mjetet e brendshme në dispozicion në lidhje me pretendimet e saj të nenit 8, duke përfshirë edhe ndalimin e pretenduar të jetës së tij nga praktika private e ligjit? Në mënyrë pozitive, ka pasur një ndërhyrje në të drejtën e aplikantit për respektimin e jetës private të saj, sipas nenit 8 të Konventës, për shkak të largimit të saj nga detyra si gjykatës i Gjykatës Kushtetuese (shih Oleksandr Volkov kundër Ukrainës, nr. 21722 / 11, §§ 165-167, KEDNJ 2013 dhe Denisov kundër Ukrainës [GC], nr. 76639/11, 25 shtator 2018)?
  1. Ishte ndërhyrja në të drejtën e aplikantit për respektimin e jetës së saj private të përcaktuar me ligj dhe të domosdoshme në një shoqëri demokratike, në kuptim të nenit 8 § 2 (shih Oleksandr Volkov kundër Ukrainës, nr. 21722/11, KEDNJ 2013 dhe Denisov kundër Ukrainës [GC], nr. 76639/11, 25 shtator 2018)? Veçanërisht:

ishte sanksioni i largimit nga detyra në proporcion me rëndësinë e shkeljeve disiplinore apo të shkeljeve të tjera mbi të cilat ishte bazuar?

Ligji nr. 55/2018 për avokatët pengojnë parashtruesin, për shkak të largimit të saj nga detyra gjyqësore nga Dhoma e Apelit, nga praktika private e ligjit; dhe nëse po, për sa kohë?

  1. A ka pasur në dispozicion ankuesi një mjet juridik efektiv vendas për ankesat e nenit 8, siç kërkohet me nenin 13 të Konventës?

Presidenti i Shqipërisë merr pjesë në samitin në Sarajevë

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, do të marrë pjesë në një darkë që do të mbahet sonte në Sarajevë, në kuadër të Samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore.

Të martën, Meta do të marrë pjesë edhe në takimin në nivel presidentësh në Jahorinë, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë këshilltari i Metës për rajon dhe diasporë, Flamur Gashi.

Më herët, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj, ka thënë se Shqipëria, në shenjë solidariteti me Kosovën, e ka anuluar pjesëmarrjen në samit, kryesisht për shkak të marrëdhënieve të organizatorit me Kosovën.

Gashi, megjithatë, tha se Meta nuk e ka anuluar pjesëmarrjen e tij.

Cakaj nuk mori pjesë në takimin e sotëm të ministrave të Jashtëm, me të cilin u hap samiti dyditor.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se pavarësisht “gatishmërisë dhe vullnetit” për të marrë pjesë në samit, ai ka vendosur të mos shkojë në Sarajevë, sepse, siç tha në një postim në Twitter, “trajtimi dhe deklaratat nga Presidenca e Bosnje dhe Hercegovinës nuk janë në favor të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe vlerave dhe parimeve të BE-së”.

Kosovo committed to good neighbourly relations and expects just and equal treatment by all, including B&H. Treatment&statements from the B&H Presidency not conducive to good neighbourly relations and EU values and principles thus prevent #Kosovo from participating in the SEECP.
— Hashim Thaçi (@HashimThaciRKS) July 6, 2019

Bosnja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Qëndrimi i plotë – Ilir Meta: Situata ligjore pas 30 qershorit dhe zgjidhja e krizës

Nje jave pas zhvillimit te procesit zgjedhor ne vend, Presidenti Ilir Meta ka bere publik qendrimin e tij.

Ne nje deklarate te bere publike nga Presidenca, Meta sqaron qendrimin e tij për situatën ligjore mbas 30 qershorit dhe zgjidhjen e krizës.

Qëndrimi i plotë:

Presidenti i Republikës me Dekretin nr. 11199, datë 10.06.2019 vendosi, “Shfuqizimin e Dekretit të Presidentit nr.10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, duke anuluar kështu datën 30 qershor 2019, si ditë e zhvillimit të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë. Presidenti e ndërmori këtë akt i mbështetur tërësisht në dispozitat  e Kushtetutës dhe bazuar në argumente plotësisht Kushtetues. Ky Dekret u botua në Fletoren Zyrtare nr.84, ditë e martë datë 11 qershor 2019.

Dekreti i Presidentit të Republikës, referuar;

–   dispozitave kushtetuese mbi të cilat është mbështetur nxjerrja e tij;

–      veprimtarisë tërësisht kushtetuese të Kreut të Shtetit;

–      parimeve kushtetuese, të drejtave dhe lirive themelore për mbrojtjen e të cilave ky akt është nxjerrë;

–      marrëdhënieve juridiko-shoqërore që ky akt rregullon;

–      si dhe referuar argumenteve tërësisht kushtetues mbi bazën e të cilëve është marrë, është një akt me natyrë krejtësisht të veçantë juridiko-kushtetuese dhe si i tillë askush tjetër veç Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë nuk mundet të shqyrtojë vlefshmërinë dhe kushtetutshmërinë e Tij. Ky Dekret për anulimin e datës 30 qershor 2019 si ditë e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, deri në ditën e sotme nuk është kundërshtuar nga ndonjë forcë politike apo nga ndonjë subjekt tjetër politik ose jo politik përpara ndonjë gjykate në Republikën e Shqipërisë përfshi këtu edhe Kolegjin Zgjedhor.

Dekreti i Presidentit të Republikës me nr.11199, datë 10.06.2019, deri në ditën e sotme,

–      nuk është ndryshuar

–      nuk është anuluar ;

–      dhe nuk është shfuqizuar; nga Kolegji Zgjedhor, apo nga  ndonjë Gjykatë tjetër në Republikën e Shqipërisë. Dekreti nr.11199, datë 10.06.2019 është në fuqi dhe i detyrueshëm për zbatim nga të gjithë. Neni 145 i Kodit Zgjedhor, përcakton se Kolegji Zgjedhor në Shqipëri shqyrton këto lloj ankimesh:

–      Ankimet e çdo subjekti zgjedhor kundër vendimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kur ato cenojnë interesat e tyre të ligjshëm;

–      Ankimet e individëve ose partive politike, të cilëve u është refuzuar kërkesa për regjistrim si subjekt zgjedhor;

–      Ankimet e subjekteve zgjedhore për mos marrje të vendimit brenda afatit ligjor nga KQZ-ja;

–      Ankimet e çdo partie politike, koalicioni, kandidatit, organizate joqeveritare shqiptare ose e huaj, si dhe organizatat ndërkombëtare të specializuara të cilëve u është refuzuar kërkesa për akreditimin e vëzhguesve në zgjedhje.

Pra sipas Kodit Zgjedhor, Kolegji Zgjedhor nuk ka kompetencë të shqyrtojë vlefshmërinë e Dekreteve të Presidentit, pasi këtë të drejtë nuk ia njeh as Kushtetuta, as Kodi Zgjedhor dhe as ndonjë ligj tjetër në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, e cila do të duhej të shqyrtonte çdo pretendim mbi kushtetutshmërinë e Dekretit të Presidentit të Republikës, Partia Socialiste dhe KQZ, duke përdorur Partinë e Unitetit Kombëtar (PUK, aleat i Partisë Socialiste në këto zgjedhje) inskenuan një veprim procedural për të anatemuar indirekt vendimin e Kreut të Shtetit me qëllim për të ndërtuar një operacion propagandistik brenda e jashtë vendit, që të dezinformonin se Dekreti i Presidentit u shfuqizua nga Kolegji Zgjedhor.

Ndërmarrja e një procesi në Kolegjin Zgjedhor nga partia PUK është vetëm një përpjekje e Partisë Socialiste për të justifikuar politikisht paligjshmërinë e veprimtarisë së anëtarëve të saj në KQZ. Kjo veprimtari e koordinuar e KQZ, Partisë Socialiste dhe Kolegjit Zgjedhor, ishte e pritshme që të dështonte, sepse nuk kishte asnjë mundësi ligjore që të ndodhte ndryshe.

Kolegji Zgjedhor me Vendimin 12, datë 24.06.2019, ka vendosur:

Rrëzimin e padisë së palës paditëse Partia e Unitetit Kombëtar.

Objekt i kërkimit të kësaj partie përpara Kolegjit ishte: “Kundërshtimi i Vendimit nr.836 dt. 13.06.2019 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me të cilin ishte vendosur rrëzimi i kërkesës së kësaj partie për tu çregjistruar nga zgjedhjet imagjinare të 30 Qershorit 2019”.

Ky vendim i Kolegjit, nuk prek aspak vlefshmërinë e Dekretit të Presidentit të Republikës. Në këtë proces gjyqësor Institucioni i Presidentit të Republikës nuk është thirrur nga Kolegji Zgjedhor, për të qenë palë në proces. Në këtë vendim 3-anëtarë të Kolegjit Zgjedhor në disa rreshta të pjesës arsyetuese kanë dhënë intepretimin e tyre për veprimtarinë e KQZ-së lidhur me Dekretin e Presidentit. Ky arsyetim është një përpjekje e shëmtuar, një truk procedurial për të krijuar publikisht një imazh të ndryshëm nga fakti, pasi vendimi që Kolegji Zgjedhori mori, nuk cenoi aspak Dekretin e Presidentit nr. 11199, datë 10.06.2019.

Ky vendim i Kolegjit Zgjedhor, nuk ka urdhëruar në dispozitivin e tij asnjë detyrim që të krijojë pasoja juridike mbi Dekretin dhe Institucionin e Presidentit të Republikës, e rrjedhimisht edhe mbi faktin e anulimit të datës 30 qershor si ditë e zhvillimit të zgjedhjeve.

Në zbatim të nenit 145, 155, 156, 158 të Kodit Zgjedhor dhe rregullave të Kodit të Procedurës Civile, vendimet e Kolegjit Zgjedhor, kanë efekt vetëm përkundrejt palëve në proces dhe vetëm për atë çka është vendosur midis këtyre dy palëve: pra midis Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe aleatit të Partisë Socialiste, Partisë së Unitetit Kombëtar (PUK).

Dekreti i Presidentit nr.11199, datë 10.06.2019 për anulimin e datës 30 qershor si ditë e zhvillimit të zgjedhjeve për pushtetin vendor, është marrë në mbështetje të plotë me Kushtetutën dhe parimet themelore të mbrojtura prej saj. Për pasojë vetëm Gjykata Kushtetuese mund të shqyrtojë kushtetutshmërinë e Dekretit të Presidentit të Republikës.

Edhe Ambasadorja Audrey Glover, drejtuese e misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it në Zgjedhjet Lokale 2019, në raportin e gjetjeve paraprake të publikuar prej saj në datë 01 korrik 2019, ajo evidenton se :

“Dekretet e 10 qershorit dhe 27 qershorit të Presidentit dhe veçanërisht reagimet e ndryshme që ata ngjallën mes aktorëve institucionalë dhe politikë, kontribuuan të gjitha bashkë në pasiguri juridike dhe politike. Gjërat u bënë edhe më komplekse për shkak të mungesës së një Gjykate Kushtetuese dhe një Gjykate të Lartë funksionale, ku e para (Gjykata Kushtetuese) është i vetmi organ i mandatuar për të vendosur në lidhje me kushtetutshmërinë e dekreteve të Presidentit”.

Sa më sipër, referuar dispozitave Kushtetuese që përcaktojnë se Presidenti i Republikës është autoriteti i vetëm kushtetues që cakton datën e zgjedhjeve, si dhe faktit që, Dekreti i Presidentit nr.11199, datë 10.06.2019 për anulimin e zgjedhjeve për pushtetin vendor të datës 30 qershor, nuk është prekur dhe nuk është cenuar deri në ditët e sotme nga asnjë Gjykatë vendase dhe ndërkombëtare, rikonfirmohet dhe një herë fakti se, ky akt i Presidentit të Republikës i bazuar tërësisht në argumente Kushtetues është në fuqi dhe i detyrueshëm për zbatim nga të gjithë.

Për pasojë e gjithë veprimtaria zgjedhore e organizuar dhe zhvilluar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më datë 30 qershor 2019 është një proces votimesh tërësisht i paligjshëm, antikushtetues dhe që nuk krijon asnjë pasojë juridike, pasi veç të tjerave data 30 qershor 2019, nuk ekziston ligjërisht si një datë zgjedhjesh për organet e qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë.

Pas anulimit të datës 30 qershor 2019 si ditë e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, Presidenti  i Republikës, për të garantuar që të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë, të votojnë në mënyrë të ndershme, të fshehtë, të lirë dhe demokratike, në një situatë të qetë dhe jo konfliktuale dhe jashtë çdo rreziku të mundshëm të konfliktit social, në mbështetje të neneve: 1/3, 3, 4, 5, 15, 45/1 e 4, 86/1, 92 shkronja “gj”, 93, 109 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, më datë 27.06.2019, Presidenti i Republikës me Dekretin nr. 11 211, datë 27.06.2019, ka vendosur se:

“Zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore caktohen për t’u zhvilluar ditën e diel, në datën 13 tetor 2019”. Pra ligjërisht zgjedhjet duhet të mbahen në këtë datë.

Ky akt i është njoftuar menjëherë për zbatim KQZ-së dhe është në fuqi dhe i detyrueshëm për zbatim nga të gjithë. Po kështu lidhur me krahasimin e pavend që bëhet mes Kolegjit Zgjedhor Shqiptar me Kolegjin Zgjedhor Amerikan është tërësisht i qëllimshëm për të krijuar konfuzion ligjor, për të minuar sundimin e ligjit në Shqipëri dhe për të çoroditur opinionin ndërkombëtar.  Në sistemin Amerikan kandidati për President apo vet Presidenti kur ai rikandidon, është subjekt konkurrent në zgjedhje, pra konsiderohet një subjekt zgjedhor garues.

Në këtë mënyrë ai mund të ngrejë pretendime përpara Kolegjit Zgjedhor për rezultatet e zgjedhjeve/votimeve të zhvilluara, apo për çështjet e tjera zgjedhore (procedurale dhe materiale). Ndërkohë, sipas sistemit tonë Presidenti i Republikës nuk është subjekt konkurrent në zgjedhje, pra nuk është subjekt zgjedhor.

Sipas Kushtetutës Presidenti i Republikës është autoriteti i vetëm kushtetues që ka kompetencë kushtetuese për të vendosur datën e zgjedhjeve që zhvillohen për Kuvendin, Pushtetin vendor dhe Referendumet. (neni 92/gj i Kushtetutës). Kjo kompetencë e Presidentit është e parashikuar edhe në Kodin Zgjedhor. Po kështu ka një dallim të madh edhe për sa i takon përbërjes dhe mënyrës së funksionimit të dy Kolegjeve Zgjedhore, atij Amerikan dhe atij Shqiptar.

Kolegji Zgjedhor në Shqipëri përbëhet nga 8 (tetë) gjyqtarë të përzgjedhur me short nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe që funksionon pranë Gjykatës së Apelit, Tiranë. Kolegji Zgjedhor në Shqipëri përbëhet nga gjyqtarë dhe nuk ka për kompetencë të shqyrtojë as pretendimet e Presidentit të Republikës dhe as Dekretet e nxjerra prej tij.

Në këtë mënyrë krahasimi që i bëhet dy Kolegjeve Zgjedhore (Amerikan dhe Shqiptar) nuk qëndron dhe është tërësisht i gabuar. Në përfundim, sjellim në vëmendje se;

Presidenti i Republikës, pasi anuloi datën 30 qershor 2019 si ditë e zgjedhjeve, për të garantuar që të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë, të votojnë në mënyrë të ndershme, të fshehtë, të lirë dhe demokratike, në një situatë të qetë dhe jo konfiktuale dhe jashtë çdo rreziku të mundshëm të konfliktit social, në mbështetje të neneve: 1/3, 3, 4, 5, 15, 45/1 e 4, 86/1, 92 shkronja “gj”, 93, 109 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, më datë 27.06.2019, me Dekretin nr. 11 211, datë 27.06.2019 ka vendosur që:

“Zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë caktohen për t’u zhvilluar ditën e diel, në datën 13 tetor 2019” dhe do të mbahen ligjërisht në këtë datë.

Ky akt ka hyrë menjëherë në fuqi dhe është i detyrueshëm për zbatim nga të gjithë. Ky akt i është përcjellë menjëherë për zbatim Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Duke vënë në dukje këtë situatë të qartë ligjore se nuk ekzistojnë ligjërisht zgjedhjet e 30 qershorit dhe duke ritheksuar se dekreti i 13 tetorit është një mundësi e shkëlqyer për të garantuar zgjedhje vendore gjithëpërfshirëse dhe demokratike, Presidenti i Republikës i fton të gjithë të mos thellohen në rrugën e paligjshmërisë, njëanshmërisë dhe konfliktualitetit .

Po kështu, duke vlerësuar krizën e rëndë të përfaqësimit në vend, Presidenti i Republikës u bën thirrje të gjithë aktorëve t’i bashkohen propozimit të tij që më 13 tetor qytetarët shqiptarë të votojnë edhe për Kuvendin e Shqipërisë, por edhe për Presidentin e Republikës. Është koha për t’iu rikthyer sovranitetin të gjithë qytetarëve të Shqipërisë!

Protesta e shqiptarëve para Shtëpisë së Bardhë, reagon Meta: Përkrahja e tyre më shumëfishoi forcat

Presidenti i vendit, Ilir Meta ka shprehur sot mirënjohjen e tij per te gjithë ata shqiptarë qe dje te mbledhur bashke protestuan në Uashington DC para Shtëpisë së Bardhë, duke i kerkuar presidentit Trump te mos lejoje Soros te destabilizoje nje vend te NATO-s, si eshte Shqiperia.

Me nje shenim ne faqen e tij ne FB, Meta shkruan se “Përkrahja e tyre më shumëfishoi forcat, ndaj si President i Republikës kam besim tek komuniteti i ndershëm shqiptaro-amerikan, për të mbrojtur dhe forcuar së bashku këtë aleancë strategjike!”

Postimi i Metës

Mirënjohje të gjithë shqiptarëve të mbledhur dje në Uashington DC para Shtëpisë së Bardhë, të cilët lanë punët e tyre dhe i bashkoi shqetësimi për të ardhmen e Shqipërisë🇦🇱, duke konfirmuar aleancën e pathyeshme të kombit tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës🇺🇸.

Përkrahja e tyre më shumëfishoi forcat, ndaj si President i Republikës kam besim tek komuniteti i ndershëm shqiptaro-amerikan, për të mbrojtur dhe forcuar së bashku këtë aleancë strategjike!

 

Shqiptarët qëndrojnë të fortë dhe të vendosur, jo për të marrë një vizë amerikane, por për të mbrojtur idealet amerikane të lirisë dhe dinjitetit njerëzor, që janë jo vetëm idealet e SHBA, por edhe të qytetërimit botëror ku ne bëjmë pjesë.

Shqipëria nuk do të kthehet kurrë më në “one-party state”!

Ne jemi anëtarë të NATO-s dhe në zemër të kësaj Aleance është DEMOKRACIA!

Zoti e bekoftë Shqipërinë!
God bless America!
God bless Albanian-American friendship!🇦🇱🤝🇺🇸

Protesta

Dje shqiptaret e Amerikes protestuan para Shtepise se Bardhe kundër qeverisë së Kryeministrit Edi Rama dhe asaj që ata e quajnë ndërhyrje e miliarderit George Soros në punët e Shqipërisë.

Ata iu drejtuan Presidentit amerikan Donald Trump me lutjen që të tregojë vemendje për atë që po ndodh në Shqipëri.

“Nuk jemi pjesë e ndonjë organizate, as e ndonjë partie. Thjesht jemi shqiptarë që na interesojnë të drejtat dhe liritë e popullit tonë, të cilat janë të mohuara nga qeveria aktuale, që është e kapur nga krimi, nga korrupsioni,” thotë Vera Matoshi​ nga Nju Jorku.

Protestuesit mbanin në duar pankarta kundër miliarderit George Soros, që ata thanë se po destabilizon një vend të NATO-s, siç është Shqipëria.

“Ai po ndërhyn në çdo cep. Sipas informacioneve, ka hedhur shumë lekë në reformën në drejtësi, në një reformë që po dështon. Po shikojmë njerëz që po kualifikohen, disa prej të cilëve edhe nuk e meritojnë të kualifikohen,” thotë Ervis Zholi, veprimtar i Degës së Vatrës në Miçigan.

Lezhë, zbulohet droni që fuste drogë dhe celularë në burg

Pëllumb Sulo

Në Shqipëri, policia bëri të ditur se zbuloi rastin e parë të një tentative për futjen, me ndihmën e dronëve, në ambientet e brendëshme të burgut të lëndëve narkotike dhe telefonëve celularë.

Në një njoftim të sajin, policia bëri të ditur se, në mbrëmjen e së shtunës, në rrethimin e jashtëm të Burgut të Shënkollit, rreth 10 kilometër në afërsi të qytetit të Lezhës, punonjësit e policisë së burgut, që kryenin shërbim, konstatuan se po fluturonte një dron duke hyrë në zonën e ndaluar të sigurisë. Forcat e policisë arritën të bllokojnë dronin në rrethin e dytë të jashtëm të burgut. Gjatë këqyrjes, në trupin e dronit u gjetën, të lidhura në një qese plasmasi, 7 pako me lëndë narkotike, si dhe tre telefona celularë.

​Në lidhje me këtë ngjarje policia arrestoi tre persona, të cilët u kapën në një automjet, rreth 1 kilometër në afërsi të burgut. Gjatë kontrollit të automjetit u gjet telekomanda dhe çanta e dronit, si dhe tre telefonë të tjerë celularë.

Të arrestuarit janë të moshës nga 25-28 vjeç, banorë të Malësisë së Madhe dhe të Shkodrës. Ata akuzohen nga prokuroria për veprat penale “Prodhim dhe shitje të narkotikeve” dhe “Futje ose mbajtje e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim, e mbetur në tentativë”.

Vitet e fundit janë regjistruar raste të shumta të tentativës për të futur drogë dhe telefonë celularë në Burgun e Shënkollit. Në mars të këtij viti, gjashtë punonjës të këtij burgu u pezulluan nga detyra për mosrespektim të rregullave të sigurisë, gjë që u kishte mundësuar familjarëve të të burgosurve të fusnin në burg lëndë narkotike përmes ushqimeve.

Ndoka: Agresori i Lubonjës qenka njëlloj si Rama

Kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, ka reaguar pas deklaratës së policisë se agresori që sulmoi makinën e analistit Fatos Lubonja, kishte probleme mendore.

Në një status në Facebook, Ndoka shkruan se në këtë pikë agresori që sulmoi makinën e Lubonjës dhe kryeministri Rama qenkan njëlloj.

“S’keni parë gjë akoma!” Kush është personi që sulmoi makinën e Lubonjës, me vete kishte një thikë

Makina e analistit Fatos Lubonja është sulmuar disa ditë më parë, konkretisht më datë 1 korrik. Sipas policisë së Tiranës, personi që ka thyer me një gurë xhamin e parë të makinës së analistit është identifikuar si shtetasi me inicialet A.H. Personi në fjalë është ndaluar nga policia dhe më pas është liruar, pasi mësohet se ai vuan nga probleme të shëndetit mendor.

Mësohet se sulmi ka ndodhur gjatë ditës, në prani të disa kalimtarëve, të cilët e kanë ndjekur të gjithë skenën.

Personi ka patur me vete një thikë në momentin kur ka sulmuar makinën e Lubonjës, madje ka përdorur dhe një shprehje të njohur të kryeministrit Edi Rama, në kohën kur ky i fundit erdhi në pushtet, duke thënë “s’keni parë gjë akoma”.

Gjithashtu mësohet se vetë Lubonja nuk ka bërë një denoncim në polici për A.H, pasi ai është në dijeni se personi në fjalë njihet se vuan nga problemet e shëndetit mendor. Vetë A.H ka deklaruar në polici se nuk ka asnjë problem personal me Lubonjën.

Por interesant mbetet fakti se një i sëmurë me probleme mendore i referohet retorikës së përdorur nga politikanët, në rastin konkret kryeministrit të vendit i cili jo pak herë ka përdorur terma apo përcaktime fyese në lidhje me gazetarët dhe analistët e Shqipërisë.

Personi qe e ka goditur makinën me gur, ka patur me vete edhe nje thikë. Burimet bëjnë me dije se ai ka bërtitur “s’keni parë gjë akoma”, një shprehje e përdorur nga kryeministri Edi Rama. Mësohet se ky person e ka sulmuar verbalisht Lubonjën edhe ne të shkuarën, por analisti nuk e ka raportuar në polici, duke qenë se autori njihet si person me probleme të shëndetit mendor. Ai ka deklaruar në polici se nuk ka asnjë problem personal me Lubonjën.

Mbi rastin në fjalë kanë reaguar këtë të dielë pas publikimit të fotove të makinës së Lubonjës një sërë politikanësh, përfshi këtu edhe Presidentin e Republikës Ilir Meta./Express

Kryemadhi: Rama dhe Veliaj e morën peng Tiranën më keq se komunizmi

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, duke folur për simpantizantët e Lëvizjes Socialiste të njësisë numër 5 në Tiranë tha se Rama dhe Veliaj kanë marrë peng Tiranën dhe vendin më keq se komunizmi që errësoi Shqipërinë për 45 vjet.

 

 

Kryemadhi theksoi se Rama u refuzua më datë 30 qershor dhe se kryeministri është në fundin e vet politik.

Fjala e Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi gjatë takimit me strukturat e Njësisë  5

Këto ditë janë shumë të rëndësishme për të gjithë ne, jo për Monikën si ish deputete apo si kryetare e LSI, as për Petritin, as për Flobin e as për Floidën por këto janë ditë shumë të rëndësishme për të gjithë shqiptarët sepse janë vazhdimësia e aksionit të refuzimit që gjithë shqiptarët i bënë Edi Ramës dhe klikës së tij. Ne jemi shumë të kthjellët dhe shumë të qartë në aksionin tonë politik.

30 Qershori është fundi politik i Edi Ramës për të gjithë ata ndërkombëtarë që nuk kishin sy për ta parë, që nuk kishin veshë për ta dëgjuar dhe nuk kishin gojë për të folur.

Është fundi i Edi Ramës për të gjithë ata skeptikë të cilët mendonin që Edi Rama ishte shumica por 30 Qershori tregoi që Edi Rama është minorancë e minorancës.

Me politikat e veta Edi Rama e çoi partinë socialiste në minorancë dhe ju e dini shumë mirë dhe e keni parë që njësia 5 ka qenë një nga zonat më suportuese dhe mbështetëse të partisë socialiste dhe e patë se ç’ndodhi me 30 Qershor në njësinë 5, as 11% nuk morën pjesë në votime në njësinë 5 ku historikisht partia socialiste ka marrë mbi 40% të votave pra partia socialiste duke u drejtuar nga Edi Rama ka humbur zemrën dhe furnizimin me gjak të partisë socialiste me vota që është njësia 5.

Detyra jonë është që mos të ndalojmë por të takohemi çdo ditë, jo vetëm me socialistët e zhgënjyer, jo vetëm me demokratët, jo vetëm me LSI-stët, jo vetëm me republikanët, jo vetëm pra me militantët partiak por duhet të takohem pra me të gjithë ata qytetarë të cilët refuzojnë këtë qeverisje që iu rrit taksat shqiptarëve, që iu shkurton vendet e punës, që i mbyt me pasiguri, që rrit çmimin e bukës, që ul standardin e jetesës, që po izolon më shumë shqiptarët.

Ne nuk besojmë që jemi më të mirët edhe pse duam që ta themi që duam të bëjmë më të mirën por di t iu a them që ne si Lëvizja Socialiste për Integrim përballë rrogës së disa ish deputetëve, përballë rrogës kryetarëve të bashkive, përballë flamujve politik për ne si LSI është shumë më e rëndësishme mirëqenia e shqiptarëve, është shumë më i rëndësishëm punësimi i shqiptarëve, është shumë më e rëndësishme shëndetësia për shqiptarët, është shumë më e rëndësishme siguria për shqiptarët por mbi të gjitha sot pas 30 viteve po vihet në rrezik demokracia dhe lëvizja e lirë e shqiptarëve. Për ne kjo është kryesore.

Ne e dimë shumë mirë që Shqipëria në izolim do të jetë e pamundur për të zhvilluar ekonominë e tregut, konkurrencën dhe do të jetë e pamundur që fëmijëve të shqiptarëve ti japim shanset dhe mundësitë për të qenë dhe për të konkurruar të barabartë në Europë, si të gjithë europianët e tjerë. Ne mund të bënim një marrëveshje me stabilokracinë që po kërkojnë të vendosin disa struktura ndërkombëtare të verbra dhe burokrate. Ne mund të bënim sikur bënim opozitë në Parlament, ne mund të vazhdonim të bënim lojën e fasadës në Parlament, por ne e dinim shumë mirë që urrejtja dhe revolta e shqiptarëve do të binte mbi ne si opozitë, ku në çdo moment Edi Rama hiqte vëmendjen nga varfëria e shqiptarëve, duke u marrë me batutat. E filloi me kazanin dhe me tepsinë, dhe e mbylli me filxhanin.

Fati i shqiptarëve nuk është as në dorë të Edi Ramës, as në filxhanin e Edi Ramës dhe as në dorën e dikujt tjetër. Fati i shqiptarëve është në dorë të shqiptarëve. Ne jemi sot këtu, sepse kemi bërë shumë gabime në këto 30 vite tranzicion, të gjithë bashkë. Të gjithë partitë politike. Të gjithë politikanët. Prandaj ne kemi marrë përsipër ta shkrumbojmë, ta shkatërrojmë, ta shembim përfundimisht kështjellën e kalbur të tranzicionit dhe për të ngritur njëherë e përgjithmonë me themele të forta kështjellën e institucioneve, kështjellën e vendosjes së ligjit mbi padrejtësitë dhe atë që është më e rëndësishme, pushtetin e qytetarëve mbi çdo politikë.

Sot ka ardhur koha që të zgjohemi të gjithë. Ne kemi nevojë për institucione, ne kemi nevojë për sistem, ne kemi nevojë për njerëz që ti shërbejnë sistemit dhe jo për njerëz që i shërbejnë individit.

Sot gjithë ditën kam komunikuar me miq dhe me shokë, me kryetarë partish nëpër rrethe, për ti ftuar ditën e hënë në protestën që është përpara Kryeministrisë në orën 8 të darkës. Mendoja që njerëzit do të ishin të qetësuar, të relaksuar, sepse mendoja që të gjithë thonin që 30 qershori ishte beteja e parë që fituam kundër klikës së Edi Ramës. Isha pak në mëdyshje kur e fillova ditën, por të gjitha telefonatat që merrja në mëngjes dhe që diskutonim, kishin një intuziasëm të jashtëzakonshëm për të vazhduar me qëndresën tonë.

Qëndresa jonë nuk është revolucionare, por është një qëndresë demokratike, shpirtërore, sepse në fund të fundit të gjithë ne nuk kemi përballë as armikun e klasës, as pushtuesin, por kemi përballë një armik virtual që ka zaptuar të gjithë shtetin shqiptar, por që është një individ i vetëm që është kthyer në shërbim të krimit të organizuar. Them armik virtual, sepse sot Edi Rama kërkon të vendosi shqiptarët përballë shqiptarëve. Nuk përballet vetë, por nxjerr policinë, nxjerr drejtorët, nxjerr shefat e sektoreve, nxjerr administratën për të kërcënuar me bukën e gojës nëse ata nuk shkojnë të votojnë. Nxjerr policinë për të hedhur gaz mbi shqiptarët dhe nuk harxhon qoftë edhe një qindarkë të vetme për të rritur ndihmën ekonomike, për të rritur mundësinë e arsimit dhe shkollimit të të rinjve shqiptarë dhe për ti dhënë shanse dhe mundësi të gjithë shqiptarëve për të qenë të barabartë.

Them armik virtual,sepse ata që merren me kompjuterë e dinë se çdo të thotë virusi virtual dhe armiku virtual. Është ai virus virtual që hyn në kompjuterin e secilit nga ne që ka dhe shkatërron çdo program. Edhe armiku ynë virtual Edi Rama së bashku me të gjithë sistemi ne tij, me çipat e tij të krimit të organizuar kanë shkatërruar çdo sistem të Shqipërisë duke filluar nga shëndetësia  të cilën e ka dhënë me koncesion dhe e grabit në mënyrën më të tmerrshme. Duke vazhduar nga arsimi që deformojnë dhe transformojnë jo vetëm historinë Shqiptare por shkatërrojnë sistemin arsimor dhe po shkatërrojnë çdo ditë e më shumë të ardhmen e fëmijëve të shqiptarëve. Duke vazhduar me sistemin e drejtësisë të cilin e ka kapur tashmë dhe e ka kthyer në shërbim të bandave dhe të krimit të organizuar. Vazhdojmë të jemi pa gjykatë të lartë dhe po ua bëj një shpjegim, asnjëri nuk e ka artikuluar mungesën e gjykatës së lartë. Po ua them sot dhe do të vazhdoj tua them, pse e ka shkatërruar Edi Rama gjykatën e lartë? Sepse iu ka premtuar kriminelëve të cilët janë në burg për ti liruar sepse duan që të skadojnë afatet e paraburgimit në mënyrë të tillë, meqenëse nuk ka gjykatë të lartë dhe nëse I mbajnë në burg kriminelët më shumë se sa janë afatet, ata dalin automatikisht nga burgu. Prandaj e ka shkatërruar gjykatën e lartë, sepse I duhen kriminelët në shërbim, për të vjedhur vota, për të intimiduar shqiptarët, për të mbrojtur parcelat e hashashit, për të pastruar paratë e drogës, për të kërcënuar gjyqtarë e prokurorë. I duhet Edi Ramës shkatërrimi I gjykatës kushtetuese dhe ka prej dy vitesh që e ka strategji sepse shkatërrimi I gjykatës kushtetuese do të sillte që Edi Rama të bënte si ti donte qejfi me Parlamentin, me qeverinë, me gjykatat, me pronat e shqiptarëve, me detin e shqiptarëve, me kufijtë e shqiptarëve e kështu me radhë. Kjo është situate në të cilën gjendemi ne, prandaj edhe ne, ditën e hënë nuk dalim për opozitën, do të dalim për të gjithë shqiptarët  dhe hallet e shqiptarëve, secili sipas mënyrës së tij. Dikush sepse kërkon një vend pune, dikush sepse kërkon taksa më të ulëta, dikush sepse I ka falimentuar biznesi për shkak të taksidarëve të Edi Ramës, dikush sepse I ka ikur fëmija në emigracion me dokumente falso dhe nuk kthehet dot qoftë edhe për të parë prindërit e tij, dikush sepse nuk shikon dot nipërit dhe mbesat që I ka në emigracion sepse nuk ka mundësi që me pensionin të paguajë as biletën e tragetit e jo më të paguajë biletën e avionit e kështu të gjithë me radhë. Pra të gjithë duhet të mos ndalojmë, në asnjë moment dhe asnjë sekond, të njoftojmë të gjithë miqtë tanë, shokët, vëllezërit, familjarët, miqtë, kudo që I kemi në të gjithë Shqipërinë, që ditën e hënë, në orën 20:00 me datë 8 korrik të jemi të gjithë në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’. Edhe pse këto ditë të nxehta vere, ne nuk do të sfidojmë vetëm motin, ne mbi të gjitha do të sfidojmë arrogancën, papjekurinë, injorancën politike të Edi Ramës sepse në asnjë vend të botës nuk ka ndodhur kjo që po ndodh sot. Edhe në vendet më të prapambetura, kultura politike e një politikani, që mund të ketë minimumin e edukatës do të kishte bërë sikur do të ishte tërhequr. Por, nga ana tjetër sjellja arrogante e Edi Ramës tregon se sa thellë dhe se sa shumë është I kapur ai njeri nga strukturat e krimit të organizuar, nga qarqet antishqiptare dhe e them këtë dhe do ta përsëris gjithmonë, qarqet antishqiptare, sepse ta dini ju që institucionet ndërkombëtare, një nga njerëzit që I kërcënon më shumë është Vucic, i cili nëpërmjet mbrojtjes së Edi Ramës kërkon të kërcënojë Evropën dhe shumë vende të tjera sikur do të destabilizohet Ballkani pse do të na largohet Edi Rama  në Shqipëri? Mos do luftojnë socialistët që e braktisën në 30 qershor? Mos do luftojnë kriminelët? Banditët e Edi Ramës luftojnë vetëm nëse situata diskutohet me periudhën e muajit qershor. Sepse asnjëherë Edi Rama nuk ka pranuar t’i bëjë zgjedhjet as në pranverë dhe as në vjeshtë. Sepse 30 qershori është fushata e shirjes dhe e korrjes së hashashit. Dhe nëpërmjet parcelave të hashashit ai jep dhe merr me kriminelët, sepse vetëm në këtë mënyrë menaxhon bandat e krimit të organizuar, duke i kërcënuar se nëse ju nuk punoni për të mbushur kutitë e votimit, unë ju djeg parcelat e hashashit. Dhe pas zgjedhjeve, kriminelët e kërcënojnë Edi Ramën, nëse ti nuk na jep ne koncesionet ne do të nxjerrim videot dhe përgjimet që të kemi bërë ty kur kemi bërë allishverishet dhe pazaret për parcelat e hashashit.

Nëse ky shtet dhe ky popull do të vazhdojë të jetë peng i përgjimeve të krimit të organizuar, do të vazhdojë të jetë peng i njerëzve të cilët kërkojnë të pasurohen mbi varfërinë e shqiptarëve, atëherë ne nuk na mbetet më gjë tjetër përveç se të përballemi me ta. Sot do të përballemi me vepra demokratike, do të përballemi me rezistencë demokratike, do të përballemi me reagim demokratik. Por më pas do të jetë shumë e vështirë për Edi Ramën, sepse një popull i revoltuar dhe më pas një popull i inatosur është i pa përballueshëm për ta ndalur. Nuk ka superfuqi në botë që e ndal, por përkundrazi do të jetë aq i rrezikshëm saqë do të marrë përpara këdo që bëhet palë me një kriminel që shkatërron të ardhmen e fëmijëve të shqiptarëve.

Unë ju falënderoj shumë, ju jam shumë mirënjohëse për të gjithë angazhimin tuaj dhe për të gjithë informacionin që ju keni ndjekur hap pas hapi se sa ka qenë pjesëmarrja në qendrat e votimit. Nuk ka rëndësi për mua absolutisht, është e faktuar apo nuk ëhstë e faktuar. Nuk ka rëndësi fare për mua e ka parë apo se ka parë OSBE-ja apo vëzhguesit e ambasadave në Shqipëri. Për mua ajo që është më e rëndësishmja, është që qytetarët e njësisë 5 i thanë “JO” Lali Erit, që u rropat e u copëtua duke nxjerrë para për të paguar këdo dhe që i thanë “JO” Edi Ramës.

Kjo dyshe e cila ka marrë peng qytetin e Tiranës është shumë më e rrezikshme se 45 vitet e komunizmit. Është më e rrezikshme se çdo pushtim tjetër. Sepse një plum i pushtuesit na kthente në heronj, por një plumb virtual i kësaj dysheje kriminale do të na shkatërrojë dhe do të na bëjë inekzistent në vend. Prandaj beteja jonë nuk ëhstë më për flamujt politik, beteja jonë është për të ardhmen e Shqipërisë, për vazhdimësinë e Shqipërisë dhe për të thënë atë që kemi thënë gjithmonë, ky popull i shqiponjave do të vazhdojë të jetojë krenar, me integritet dhe me dinjitet, në mes të këtij Ballkani të trazuar, që gjithmonë ka qenë kundër nesh. Ne kemi mbijetuar, jemi popull i vogël, jemi popull i varfër, jemi popull i vuajtur. Kemi dhe ne gabimet tona, por di të them që shpirtin dhe zemrën e këtij populli as nuk e shet dhe as nuk e blen dot.

Zoti ju ruajttë ju, ruajttë familjet tuaja. Zoti i ruajttë shqiptarët kudo që janë. Me thënë të drejtën do doja t’iu lexoja diçka. Ju e dini të gjithë, unë jam besimtare. Kjo është ajo që mesa duket e vret shumë zotin Rama në të gjithë këtë betejë, sepse dreqi ka frikë nga Zoti. Nuk ka frikë njeriu nga Zoti, nuk ka frikë shërbëtori i Zotit, apo edhe ateisti, se fundja Zoti i pranon edhe mëkatarët. Por vetëm dreqi ka frikë nga Zoti. Dhe në fakt prifti im më dërgoi një mesazh para disa orësh. Dhe ishte shumë interesant. Saimir Xhuglini edhe do kënaqet. Dhe për të gjithë komunistët, sepse kanë qenë 10 urdhrat e Zotit, që i kanë edhe në Kuran edhe në Bibël. Por kanë qenë edhe 10 cilësitë e komunistit. Jo më kot edhe Enver Hoxha që ishte ateist që shkatërroi Kisha e Xhami, i ktheu 10 urdhrat e Zotit në 10 cilësi komunisti. Dhe në fakt Zoti thotë

“Unë jam hyi juaj

tjetër hy mos të kesh e mos

të adhurosh përveç meje”

Ama ne këto duhet ti shikojmë si politikanë.

“Populli është Zoti yt

Asnjë interes mos e ve përpara tij

Mos e merr emrin e Zotit nëpër gojë

Për politikanin mos fol gënjeshtra në emër të popullit

Për të mbuluar hilet e tua

Shenjtëroje ditën e dielë

në ditën e festës së urdhëruar

për politikanin çdo festë e popullit tënd

të jetë e shenjtë dhe e nderuar dhe prej teje

Si politikan

Nderoje prindin tënd nëse do të jetosh

shumë përmbi tokë.

Për politikanin, nderoji figurat e kombit

nëse dëshiron të ndërtosh një të ardhme

me rrënjë të forta nga e shkuara e ndritur

Urdhëresa, mos vra

Mos vrit për interesat e tua për një politikan

Mos bëj imoralitet

Mos ji i pamoralshëm me veset e tua si politikan

Mos vidh, mos e vidh popullin tënd,

as për pasurinë dhe as për lirinë

Mos bëj dëshmi të rreme thotë Zoti

Mos shpif vetëm për hatër të karriges tënde

Sepse dëshmitari i çdo gjëje është populli

që ti sheh dhe Zoti që ti nuk e sheh

Mos lakmo njeriun e huaj për të keq

Për politikanin është, mos ji ziliqar për tjetrin,

duke mos e lënë të ecë përpara, nëse tjetri

është më i mirë se ty dhe populli e do më shumë se ty.

Mos lakmo asgjë të tjetrit

Për politikanin është,

Mos ji ziliqar për të mirat materiale që ka tjetri sepse

Zoti i jep secilit atë që meriton dhe që i duhet.

Kur ma dërgoi e lexova dhe nuk përmbahesha dot. Se mos mendoni që jam Kryetare dhe jam diçka më shumë se ju. Jo jam njësoj si ju, kam po të njëjtat probleme si ju, po të njëjtat halle, me fëmijët, në shtëpi, në katandi, dikush mezi e mbyll 15 ditëshin, diku 25 ditëshin, diku dhe fundit e muaj. Kemi vetëm një shpëtim, të kthejmë politikën dhe të kthejmë shoqërinë shqiptare brenda kornizës së parimeve, virtyteve dhe vlerave. Të kthejmë besimin në familje. Sepse vetëm duke pasur një familje të fortë, do kemi një shoqëri të fortë dhe duke pasur një shoqëri të fortë, do të kemi dhe një shtet të fortë dhe një komb të fortë. Vetëm në këtë mënyrë ne mund ti bëjmë ballë këtij represioni, këtij imoraliteti politik, ekonomik dhe kriminal që ka pllakosur Shqipërinë. Vetëm solidariteti unë do të na bëjë që siç thamë ato 10 urdhrat e Moisiut dhe Kuranit apo dhe 10 cilësitë e komunistit do të jenë 10 cilësitë  e politikanit por dhe le të jenë 10 cilësitë e çdo qytetari për të krijuar një moral të ri në shoqërinë shqiptare dhe për ti thënë fund këtij tranzicioni kriminal që po mban peng Shqipërinë prej 30 vjetëve.

Zoti ju ruajt

Zoti e bekoftë Shqipërinë

“Votat kanë bërë s*ks dhe janë shumuar”, Presidenti Meta ironizon numërimin e 30 qershorit: Ja ‘shpjegimi shkencor’

Presidenti Ilir Meta ka vijuar komentet  tallëse për procesin e numërimit të 30 qershorit.

Ai ka postuar në faqen e tij të Facebook një koment të një qytetari, i cili sipas tij i jep “shpjegim shkencor” shumimit të votave në kutinë e numërimit.

Qytetari i identifikuar si Soni Dako ironizon numërimin duke thënë se: “kanë bërë seks votat me njëra-tjetrën brenda kutive të votimit dhe janë shumuar”.

Këtë postim Meta e shoqëron me një buzëqeshje, duke i uruar qytetarëve një të dielë sa më relaksusese.

“Të dashur miq! Duke ju uruar një të diele sa më relaksuese e çlodhëse ju ftoj të gjithëve të gjeni një shpjegim shkencor të shumimit të votave mbi numrin e pjesëmarrësve të votimeve të 30 qershorit!”, shkruan Presidenti.

Shqipëria s’përfiton asnjë fond nga Samiti i Berlinit. BE ndau 180 milionë euro për pesë vendet e rajonit

ARISTIR LUMEZI/ Qeveria shqiptare nuk arriti të përfitojë nga fondi prej 180 milionë eurosh që iu dhanë pesë vendeve të rajonit nga Procesi i Berlinit, i mbledhur në Poznan të Polonisë.

 

Bosnja dhe Maqedonia e Veriut kanë dalë më të fituarat me nga 3 projekte të zgjedhura në fushën e transportit dhe gazit natyror. Po ashtu dhe Kosova ka përfituar 27 milionë euro, dhuratë për linjën hekurudhore, ndërsa Serbia do të ndërtojë një linjë të re interkonjeksioni.

Shqipëria nuk ka paraqitur asnjë projekt në këto fusha dhe duket se ka ezauruar projektet e saj, falë programit të Partneritetit Publik Privat dhe në këtë mënyrë nuk merr grante nga Bashkimi Europian.

Në total, në 4 vitet e fundit, vendi ynë ka arritur të thithë vetëm 214 milionë euro investime nga axhenda europiane për Ballkanin, në fushën e transportit dhe energjisë, të fundit krahasuar me të gjitha vendet e tjera.

Këto projekte përkojnë me disa linja interkonjeksioni, rehabilitimin e hekurudhës Tiranë-Durrës-Rinas dhe disa përmirësime në Portin e Durrësit. Nga ana tjetër, Maqedonia ka përfituar 272 milionë euro, Kosova 330 milionë euro, Mali i Zi 399 milionë euro, Serbia plot 627 milionë euro, e madje Bosnje-Hercegovina mbi 1 miliard euro.

Vendi ynë, megjithatë, mësohet se do të përfitojë nga shumat më të vogla që BE do të vendosë në dispozicion për përmirësimin e ndërlidhjes digjitale, si dhe për inovacionin në bizneset e vogla dhe të mesme. Në samit morën pjesë edhe ministrat e Jashtëm e ata të Ekonomisë nga vendet e Ballkanit dhe zyrtarë të lartë të vendeve anëtare të BE-së dhe Brukselit, ku e ftuar në Samitin e Ballkanit Perëndimor ishte edhe Kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Kryeministri Rama publikoi dje një galeri me foto nga takimet e zhvilluara në këtë samit, ndërkohë që Bashkimi Europian konfirmoi angazhimin për forcimin e bashkëpunimit me rajonin përmes një sërë masash konkrete, që përqendrohen në pesë fusha kryesore: transporti dhe energjia, ajo digjitale, ekonomia, siguria dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.

Samiti i Poznanit zhvillohet në kuadër të Procesit të Berlinit, nisur në vitin 2014 me iniciativë të Kancelares Merkel.

BASHA

Por kreu i opozitës, e cilësoi dështimin më të madh të Shqipërisë nga ky samit, e cila nuk mundi të përfitojë nga grantet e BE-së. Në një status në “Facebook”, Basha shkruan se “Shqipëria është i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që nuk përfitoi asnjë qindarkë nga 180 milionë eurot që Bashkimi Europian u dha vendeve të Ballkanit për projekte kombëtare infrastrukturore, për vitin 2019”.

Ai shkruan se mospërfshirja e Shqipërisë në këto projekte rajonale është izolim ndaj qeverisë Rama. “Është ndëshkim i qëllimshëm kundër një qeverie të korruptuar dhe të lidhur me krimin. Është vazhdim i qëndrimit të prerë të vendeve të Bashkimit Europian për të mbajtur Shqipërinë jashtë çdo procesi afrimi për aq kohë sa në pushtet është Edi Rama. Qeveria Rama është e vetmja qeveri në 30 vjet tranzicion që nuk ka bërë asnjë hap të vetëm në procesin e integrimit europian. Fatkeqësisht, izolimi ndërkombëtar që po i bëhet qeverisë Rama po sjell pasoja direkte për Shqipërinë dhe shqiptarët, të cilët po ndëshkohen për shkak të Edi Ramës dhe lidhjeve të tij me krimin. Prandaj largimi i Ramës është një arritje që do të përmirësojë jetën e çdo shqiptari”, përfundon Basha reagimin e tij./PANORAMA

Aurel Plasari flet për kërcënuesin: Di kush është, origjinën e deri dhe lagjen

JUXHIN MUSTAFARAJ/ Qëndrimet publike dhe deklaratat e forta kundër qeverisë dhe Kryeministrit Rama, kanë sjellë si rezultat edhe kërcënimin e studiuesit të njohur Aurel Plasari.

Profesori i njohur, pas marrjes në mbrojtje të kreut të KQZ-së, Klement Zguri, publikoi në rrjetet sociale mesazhin e marrë në “Facebook” dhe akuzoi ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj, për indiferencën e treguar për rastet në fjalë.

I pashqetësuar nga përmbajtja dhe forma e kërcënimeve, por i bindur se pas tyre fshihen qëllime politike, Aurel Plasari rrëfen për “Panorama” sms-të e marra dhe bën identikitin e kërcënuesit.

“Duhet saktësuar emri i përdorur nga kërcënuesi, sepse nga një emër pak a shumë i tillë më është dërguar edhe mua një kërcenim i tërthortë dhe poshtanik, më datë 28 qershor nga fb me emrin ‘Emiljano Pjetri’, pra, me gjasë i njëjti kërcënues. Nuk kam dashur ta bëj publik, duke më mjaftuar të kuptoj se në ç’frymë u përgatit 30 qershori i Edi Ramës”, deklaroi Plasari.

Z.Plasari, pas denoncimit të kreut të KQZ-së për marrjen e disa mesazheve kërcënuese, edhe ju keni bërë publike kërcënime të ngjashme që keni marrë nga i njëjti person. I keni zhvlerësuar më parë këto sms?

Unë si kërcënim e kam zhvlerësuar si fakt, por denoncimi publik që i kam bërë atij personi ka qenë për të treguar se është një individ që ka kërcënuar edhe të tjerë. Kam komunikuar edhe me një grua tjetër që më ka deklaruar se është kërcënuar nga i njëjti person. Pra, ky është një person që bën këto punë. Shënimi që unë kam bërë në “Facebook” nuk duhet të shërbejë si indicie për Policinë. Personi në fjalë duhet të ishte zbuluar që më parë, pasi unë nuk jam rasti i parë. Policia nuk mund të dalë edhe të gjejë kush është kërcënuesi, pasi unë e gjej privatisht se kush është personi. Kështu, ata vetëm sa bëhen qesharakë. Këta nuk qenkan aq të zotë sa të gjejnë se kush është ai.

Keni pasur ndonjë reagim nga strukturat e Policisë pas denoncimit publik që keni bërë? Ka ardhur dikush t’ju pyesë në lidhje me ato që ju keni publikuar?

Jo, askush nuk më ka kontaktuar. Por, nuk ka nevojë, unë nuk kam kërkuar ndihmë. Unë e kam me strukturat e shtetit dhe me mënyrën sesi funksionojnë, s’kam lidhje me dikë që është i fshehur diku në Selanik dhe kërcënon. Problemi nuk është se çfarë zbuloj unë privatisht. Mos harrojmë, janë njerëz që i paguajmë me taksat tona. I paguajmë, more, i paguajmë. Sandër Lleshaj duhet të flasë nëse e ka zbuluar kërcënuesin apo jo. Ai duhet të japë shpjegime sesi ka mundësi që dikush privatisht arrin të zbulojë diçka që se zbulojnë strukturat e shtetit. Kjo s’është detyra ime. Unë zbuloj letrat e Skënderbeut para 500 viteve, s’kam për detyrë të zbuloj këta tipa.

Keni pasur kontakte të tjera me këtë person, veç asaj që keni publikuar?

Unë kam zbuluar privatisht kush është ai person, për aq sa më duhet mua. Nuk kam qëlluar aq i paaftë sa të kisha nevojë të prisja Lleshin e gazit lotsjellës që ta zbuloja se kush ishte personazhi kërcënues, fshatin Beltojë nga e ka origjinën, çfarë detyre ka pasur në ish-Sigurimin e Shtetit, mënyrën si është strehuar, madje edhe qytetin ku fshihet, deri edhe lagjen. Por, shteti çfarë bën? Lleshi, ndërkaq, le të ruajë gazin përkatës. Duhet të jenë strukturat e shtetit që të bëjnë thirrje që të gjithë personat që janë kërcënuar nga ky person me 5 profile, të publikojnë mesazhet. Jam shumë i revoltuar kur shoh sesi i çojnë gardën kreut të KQZ-së. Kjo është e turpshme. Është detyrë e shtetit për ta gjetur menjëherë atë person. Për 10 minuta mund ta gjejnë atë nëse duan.


Send this to a friend