VOAL

VOAL

Ambasadori britanik në Tiranë: Ndaloni “kapot” të drejtojnë bandat nga qelitë e burgut

Ambasadori britanik në Tiranë Duncan Norman, ka ngritur shqetësimin se bandat kriminale, në shumë raste drejtohen nga burgu.

Në prezantimin e masterplanit për zhvillimin e sistemit të burgjeve, diplomati britanik tha se duhet përmirësuar menaxhimi, me qëllim që gangsterët të mos japin komanda për ushtarët e tyre, dhe të drejtojnë operacione kriminale nga pas hekurave.

Duncan Norman: “Të burgosurit duhet të mbahen të sigurt ndërsa ne duhet të marrim masa që ata të mos drejtojnë operacionet e tyre të krimit të organizuar nga prapa hekurave. Gangsterëve nuk duhet t’u lejohet të japin komanda për ushtarët e tyre. Kur menaxhohet me saktësi, burgjet mund të bëjnë më shumë sesa thjesht të na mbrojnë nga kriminelët, pasi me burgosjen e tij duhet të prishet dhe veprimtaria kriminale e grupit. Presoni është faktor kryesor në luftën kundër krimit të organizuar, një pikë që shpesh anashkalohet.”

U vra dhe u hodh në kanal, sot vjen në atdhe trupi i Festim Latos

Familja e Festim Latos në Vlorë ka hapur dyert e mortit, ndërsa sot në orën 15:00 do të presë në aeroportin e Rinasit trupin e pajetë të 44-vjeçarit që u gjet i vrarë në Holandë ku jetonte prej vitesh.

Festim Lato, president i vetëshpallur i Çamërisë, do të përcillet të shtunën për në banesën e fundit me homazhe të cilat do të mbahen tek “Teatri Petro” në Vlorë.

Autoritetet holandeze konfirmuan dje se trupi që u gjet javën e kaluar në një kanal është i shqiptarit Festim Lato, që ishte vetëshpallur President i Çamërisë. Sipas policisë holandeze ai është vrarë dhe më pas është hedhur në një kanal.

Vitet e fundit, Lato kishte qëndruar në një shtëpi në Afferden. Jashtë shtëpisë së tij duket flamuri i Holandës, Shteteve të Bashkuara dhe Çamërisë. Por në janar të këtij viti pronari e kishte larguar nga banesa, pasi kishte ankesa pasi hynin dhe dilnin shumë persona duke krijuar shqetësim. Ndërsa në prill të këtij viti Lato u deklarua zyrtarisht i falimentuar nga gjykata e Zutphen.

Një 44-vjeçar i larguar në moshë të vogël nga Shqipëria, por që jeta e tij ndryshoi tërësisht duke filluar një jetesë luksoze në Holandë. Festim Latos i ishin vënë pas një numër kreditorësh, pasi bashkëpunonte me biznese që nuk paguanin TVSH. Ishin mediat holandeze që shkruanin se Lato kishte borxhe me kompani dhe individë që shkonin deri në miliona euro, çka mund të jetë bërë shkak për vrasjen e tij.

I vetëshpallur si ‘President i Republikës së Çamërisë’ ai lindi në Vlorë në vitin 1976, ndërsa jetonte në Holandë. Ai e fitoi shtetësinë holandeze, pasi u martua me një turke me shtetësi holandeze.

KPA vendos: Kreu i Gjykatës së Lartë shkarkohet nga detyra

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pasi ka kryer procesin e rivleresimit per kreun e Gjykates se Larte, Xhezair Zaganjori ka njoftuar paraditen e sotme vendimin e marre per te. 

Pas rivleresimit, KPK ka vendosur shkarkimin nga detyra kreun e gjykates se Larte, Xhezair Zaganjori.

Kujtojme se me rekomandim të Operacionit Ndërkombëtar i Monitorimit, Komisioneri Publik apeloi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që konfirmoi në detyrë Zaganjorin.

Zaganjori u konfirmua në detyrë në korrik të 2018-ës nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por ky vendim u kundërshtua në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Ne seancen e fundit, ne KPA, Zaganjori deklaroi se ai kishte paraqitur më shumë se 120 dokumente dhe se nuk mund të gjykojë dot procesin e vettingut, duke theksuar se do i përmbahet ligjit.

 

Zaganjori ne mbyllje te asaj seance tha se nuk ndihet aspak në presion dhe se është dakord për të bërë një reformë tërësore gjyqësore.

Ja cfare deklaroi 

Sigurisht që unë jam shumë i qetë, sepse gjatë gjithë këtij procesi, jam përpjekur të bëj më të mirën që të paraqesë jo vetëm dokumentacionin, por t’iu përgjigjem pyetjeve. Kam paraqitur më shumë se 120 dokumente. Personalisht ndihem shumë i qetë në vetvete.

Duhet të presim që Kolegji i Apelimit të marrë në shqyrtim pretendimet e mia dhe Komisionerit Publik. Si unë si ju do të presim datën 26 për të marrë përgjigje. Unë theksova faktin se gjatë hetimit administrative, edhe gjatë gjykimit në seancë, dokumentet që janë kërkuar nga Komisioneri Publik unë i kam dhënë. Unë paraqita dokumentet dhe menjëherë më datë 10 korrik, disa prej tyre janë cilësuar sikur s’kanë vlerë. Ata kanë vlerë, kanë vula, unë mendoj se duhet të merren në konsideratë. Ai që vendos është Komisioneri Publik.

Detyra e Komisionerit Publik është të mbrojë interesin e publikut dhe në këtë mënyrë duhet  të ngrejë probleme. Ajo që është dokument. Ka më shumë se 1 vit që jam në proces vettingu. Sigurisht që synohet të bëhet reformë dhe ne kemi për detyrë që të respektojmë këtë proces. Unë nuk e ndjej veten në presion.  Gjykata e Lartë nuk funksionon për shkak të proceseve që dihen. Unë do të rri në atë zyrë për sa kohë më lejohet me ligj. Për shkak edhe të funksionit që kam, unë jam munduar që të jem i qartë dhe i drejtpërdrejtë në përgjigjet që kam dhënë. Procesin nuk e vlerësoj dot unë.”, deklaroi Zaganjori.

Konfirmohet shifra, qeveria 25 ditë kohë për të apeluar pagesën e frikshme pas humbjes së gjyqit me Becchetti-n

Autoritetet shqiptare kanë afat deri më 20 gusht për të kundërshtuar vendimin e marrë nga Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID) një gjykatë arbitrazhi, pjesë e Bankës Botërore, në favor të sipërmarrësit italian Francesco Becchetti dhe disa kompanive dhe ortakëve të tij, nënës së tij Liliana Condomitti dhe bashkëpunëtorëve Mauro de Renzis dhe Stefania Grigolon, për mbylljen e televizionit “Agon” pak vite më parë.

ICSID, dënoi Shqipërinë me 110 milion euro, duke gjykuar se mbyllja e televizionit ishte “motivuar politikisht”. Vendimi u mor në 24 Prill. DY muaj më vonë, Avokatura e Shtetit njoftoi “fillimin e procedurës së konkurrimit për përzgjedhjen dhe kontraktimin e avokatit ose të zyrës së avokatisë vendase ose të huaj..” me qëllim “përfaqësimi dhe mbrojtja e interesave të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të procesit të anulimit të një vendimi arbitrazhi në ICSID”.

Anullimi është një formë e jashtëzakonshme rekursi e parashikuar në mbrojte të parimeve themelore juridike që lidhen më një process. Një palë mund të kërkojë anullimin e plotë ose të pjesshm të një vendimi duke u mbështetur së paku në një prej 5 rasteve të parashikuara nga vetë rregullat e ICSID-së: kur trupa gjykuese nuk është formuar në mënyrë korrekte; kur ajo ka tejkaluar hapur pushtetin e saj; kur është konstatuar rast korrupsioni nga një prej anëtarëve; kur është vënë re devijimi nga një prej rregullave bazë të procedurave dhe kur vendimi nuk ka mundur të dëshmojë motivet mbi të cilat është bazuar.

Nuk dihet se në cilën nga këto klauzola, do të mbështetet pala shqiptare në kundërshtimin e vendimit, i cili përfaqëson vlerën më të lartë me të cilën Shqipëria është dënuar nga një gjykatë arbitrazhi.

Burimi: VOA

“Çfarë pakti bëre me djallin që shkele mbi dinjitetin?”- Guljelm Radoja-Robert Ndrenikës: Për se u shite miku im?

Aktori i njohur Guljelm Radoja i pozicionuar që në krye të herës kundër shembjes së Teatrit, i është bashkuar sot artistëve dhe qytetarëve në agore në mbrojtje të Teatrit.

Duke këmbëngulur që kauza e Teatrit të mos politizohet ai u bëri thirrje kolegëve që të ruajnë dinjitetin e tyre, pavarësisht natyrës së brishtë ta artistëve, ndonjëherë edhe të manipulueshme.

 

Kështu ai iu drejtua aktorit Robert Ndrenika, duke folur për kthesën që ky i fundit bëri , duke pranuar shembjen  e ndërtesës.

Një nga kolegët e mi i tha dikujt se “unë shkela mbi dinjitetin tim”. Pse shkele? A ka gjë më të madhe se dinjiteti? Secili prej nesh kur lan faqet në mëngjes shikon veten dhe thotë një fjalë:  Ç’bëra dje?! Sa dinjitoz qesh dje. Pse isha qesharak dje, dhe lashë të shkelet mbi dinjitetin tim. Për çfarë? Përse u shite miku im?! Përse u shite kolegu im? Çfarë pakti bëre me djallin që shkele mbi dinjitetin?”, tha aktori.

E plotë – Zbardhet marrëveshja e opozitës dhe artistëve për teatrin

 TIRANE

Është zbardhur marrëveshja që ka nënshkruar opozita e bashkuar me Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit. Kontrata publike mes artistëve dhe opozitës në sallën kryesore të Teatrit Kombëtar përfshin angazhimin e PD jo vetëm në opozitë me mbështetjen e betejës së Aleancës në Mbrojtje të Teatrit, por edhe në qeveri me mbështetjen e artit dhe të kulturës.

Partia Demokratike angazhohet që, brenda vitit të parë nga momenti kur opozita të jetë në drejtimin e vendit, të rrisë buxhetin për artin dhe kulturën në nivelet më të larta të rajonit. Gjithashtu, PD në qeveri angazhohet që, në konsultim më artistët, të reformojë sektorët e artit dhe të kulturës, nëpërmjet decentralizimit të institucioneve kulturore, reformimin e ligjeve për shpërblimin e drejtë financiarë të artistëve dhe garantimit të të drejtave të autorit.

Artistët dhe opozitarët kanë rënë dakord të mos lejojnë zbatimin e projektit të përzgjedhur nga qeveria për ndërtimin e një Teatri të Ri. Në draft-rezolutë thuhet se të dyja palët jnë zotuar publikisht që t’iu përmbahen pikave të marrëveshjes mes tyre.

Në këtë marrëveshje, shprehet qartë vendosmëria për të mos lejuar projektin aktual për prishje të Teatrit. Ndër të tjera, në këtë marrëveshje saktësohet se brenda 6 muajve nga momenti kur Partia Demokratike e Shqipërisë do të jetë shumicë politike qeverisëse, kompleksit të ish-Qarkut “Skanderbeg”, ku përfshihet edhe Teatri Kombëtar dhe zonat përreth tij, do t’i rikthehet me përparësi statusi “Ansambël Monument Kulture”, duke qenë pjesë e Qendrës Historike të Qytetit të Tiranës.

Po ashtu, thuhet edhe se në momentin kur Partia Demokratike e Shqipërisë do të jetë shumicë politike qeverisëse, kompleksi i ish-Qarkut “Skanderbeg”, ku përfshihet edhe Teatri Kombëtar dhe zonat përreth tij, do t’i nënshtrohen ruajtjes dhe restaurimit të tyre, duke tërhequr në një sipërmarrje të tillë përvojën dhe ekspertizën e arkitektëve dhe ekspertëve të monumenteve të kulturës më të mirë në vend. Në këtë marrëveshje jepen edhe zotime të tjera nga palët që e kanë nënshkruar atë.

DEKLARATA E PLOTË:

DEKLARATË [KONTRATË]

PËR NDËRMARRJEN E NJË ZOTIMI TË PËRBASHKËT PUBLIK

Në Tiranë, sot më 25 Korrik 2019,

Ne, qytetarët dhe artistët e angazhuar për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar,

dhe Partia Demokratike e Shqipërisë,

1.1. Duke e konsideruar ndërtesën e Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Eksperimental, si dhe zonën përreth tij, si pjesë të patjetërsueshme të Qendrës Historike të Tiranës, si dhe me vlera të padiskutueshme historike dhe pjesë të trashëgimisë kulturore;

1.2. Duke qenë krenarë dhe të vetëdijshëm për rëndësinë e trashëgimisë kulturore dhe me përgjegjësinë për të ruajtur trashëgiminë tonë historike e kulturore dhe mbrojtur e forcuar vlerat shpirtërore të vendit;

1.3. Duke i vlerësuar si antikombëtare dhe të paligjshme përpjekjet për shkatërrimin e ndërtesës historike të Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Eksperimental;

1.4. Duke mbajtur në konsideratë se rendi kushtetues, identiteti kombëtar dhe trashëgimia kombëtare, janë bazat e shtetit shqiptar, i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë;

1.5. Duke vlerësuar nevojën urgjente që ka arti dhe kultura për më shumë mbështetje financiare nga Buxheti i Shtetit, ndërtimin e ambienteve të reja në funksion të artit dhe kulturës, si dhe nevojën që ekziston për ruajtjen dhe restaurimin e plotë të ndërtesës së Teatrit Kombëtar;

1.6. Duke qenë të ndërgjegjshëm se pronat publike janë pasuri e të gjithë qytetarëve, dhe se nuk mund të tjetërsohen, duke cenuar interesin publik, për qëllime fitimi nga biznesi privat;

1.7. Duke e konsideruar miratimin e një ligji të posaçëm për të rregulluar procedurën për realizimin e një projekti publik-privat, konkret dhe individualisht të përcaktuar, si një precedent të rrezikshëm për interesin publik dhe që rrezikon thelbësisht barazinë përpara ligjit dhe lirinë ekonomike;

1.8. Duke mbajtur në konsideratë se mbrojtja e interesit publik dhe e drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit, si dhe duke qenë të ndërgjegjshëm se aktualisht jemi në një moment ballafaqimi historik, mes demokracisë shqiptare të rrezikuar dhe totalitarizmit të shfaqur;

1.9. Me vendosmërinë për të kontribuar në ndërtimin e një shteti të së drejtës, dhe një shoqërie demokratike që garanton liritë dhe të drejtat e njeriut, në një sistem politik demokratik që garanton llogaridhënien dhe kufizimin e pushtetit;

DEKLAROJMË

ME PËRGJEGJËSI TË PLOTË PUBLIKE

NDËRMARRJEN E KËTIJ ZOTIMI:

  1. Lidhur me Teatrin Kombëtar:
  2. “Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit” shpreh vendosmërinë për të vijuar pandërprerje betejën për mbrojtjen e kompleksit shumëfish historik e kulturor, në të cilin funksionojnë aktualisht dy teatrot, ai Kombëtar dhe ai Eksperimental.
  3. Partia Demokratike angazhohet të mbështesë veprimet dhe aksionet e “Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit” për mbrojtjen e ndërtesës historike të Teatrit Kombëtar dhe njëherësh për mbrojtjen e pronës publike të kërcënuar nga tjetërsimi i paligjshëm dhe korruptiv, duke përfshirë ndërmarrjen e çdo aksioni, të duhur e të nevojshëm, ligjor, politik e qytetar.
  4. Brenda 6 muajve nga momenti kur Partia Demokratike e Shqipërisë do të jetë shumicë politike qeverisëse, kompleksit të ish-Qarkut “Skanderbeg”, ku përfshihet edhe Teatri Kombëtar dhe zonat përreth tij, do t’i rikthehet me përparësi statusi “Ansambël Monument Kulture”, duke qenë pjesë e Qendrës Historike të Qytetit të Tiranës.
  5. Në momentin kur Partia Demokratike e Shqipërisë do të jetë shumicë politike qeverisëse, kompleksi i ish-Qarkut “Skanderbeg”, ku përfshihet edhe Teatri Kombëtar dhe zonat përreth tij, do t’i nënshtrohen ruajtjes dhe restaurimit të tyre, duke tërhequr në një sipërmarrje të tillë përvojën dhe ekspertizën e arkitektëve dhe ekspertëve të monumenteve të kulturës më të mirë në vend.
  6. Brenda 1 muaji nga momenti kur Partia Demokratike e Shqipërisë do të jetë shumicë politike qeverisëse, do të shfuqizojë me përparësi si antikushtetues ligjin nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe i godinës së re të Teatrit Kombëtar”, si dhe çdo akt tjetër ligjor e nënligjor që buron prej tij dhe parashikon tjetërsimin e paligjshëm të pasurisë publike.
  7. Në momentin kur Partia Demokratike e Shqipërisë do të jetë shumicë politike qeverisëse, do të ndërmarrë të gjitha masat e duhura ligjor për të garantuar vënien përpara përgjegjësisë penale dhe administrative të të gjithë vendimmarrësve publikë dhe subjekteve private, për përfshirjen në aferën e grabitjes kriminale të truallit të Teatrit Kombëtar, duke u ngarkuar atyre edhe detyrimin për kompensimin e çdo dëmi të shkaktuar.
  8. Lidhur me masat për të garantuar demokracinë funksionale, sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e interesit publik:
  9. Në momentin kur Partia Demokratike e Shqipërisë do të jetë shumicë politike qeverisëse, do të ndërmarrë çdo iniciativë të mundshme ligjore, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, përfshirë shtesa dhe ndryshime në legjislacionin në fuqi, për të garantuar që çdo investim e zhvillim i realizuar në pronën publike, të tjetërsuar në kundërshtim me ligjin dhe/ose për motive të dyshuara si korruptive, do t’i kthehet publikut nëpërmjet konfiskimit dhe/ose asgjësimit.
  10. Në momentin kur Partia Demokratike e Shqipërisë do të jetë shumicë politike qeverisëse, do të ndërmarrë çdo veprim ligjor të mundshëm, si dhe do të miratojnë çdo akt ligjor e nënligjor të nevojshëm, që çdo subjekt privat që ka ndërmarrë veprime aktive apo ka bashkëpunuar në shkatërrimin e pronës publike, sipas rasteve të përmenduara në pikën II/1, do të detyrohet sipas ligjit për dëmshpërblimin e dëmit të shkaktuar dhe rehabilitimin e plotë të zonës dhe pasurive publike, nëpërmjet kthimit të tyre në gjendjen e mëparshme.
  11. Në momentin kur Partia Demokratike e Shqipërisë do të jetë shumicë politike qeverisëse, me qëllim përmbushjen e plotë të angazhimeve të përmendura në këtë zotim publik, do të ngarkojnë një strukturë të posaçme pranë Avokaturës së Përgjithshme të Shtetit, për hartimin dhe ndjekjen e një strategjie të plotë ligjore, si dhe ndërmarrjen e çdo veprimi të duhur ligjor, që mundëson njëkohësisht realizimin e angazhimeve si më sipër dhe mbrojtjen e interesit publik.
  12. Partia Demokratike angazhohet të propozojë një reformë ligjore dhe institucionale për rritjen e përfshirjes dhe pjesëmarrës së publikut në vendimmarrje nëpërmjet garancive të mjaftueshme ligjore për konsultimin efektiv me qytetarët dhe realizimin e demokracisë së drejtpërdrejtë nëpërmjet referendumeve mbi çështje të interesit publik;
  13. Partia Demokratike angazhohet për një sistem zgjedhor që u jep mundësi qytetarëve të shprehen për përfaqësuesit e tyre dhe një reformë kushtetuese që synon rritjen e kontrollit dhe balancës ndërmjet pushteteve apo forcimin e llogaridhënies dhe kontrollit ndaj pushtetit. Diskutimi mbi këtë çështje duhet të bëhet në mënyrë transaprente dhe gjithëpërfshirëse, duke përfshirë në hartimin e tyre përfaqësues të të gjitha grupeve të interesit dhe shoqërisë civile.
  14. Lidhur me nevojën për një Reformë të vërtetë në art dhe kulturë:

Brenda 1 viti nga momenti kur Partia Demokratike e Shqipërisë do të jetë shumicë parlamentare, në konsultim me komunitetin e artistëve, do të nisë një proces të hapur dhe gjithëpërfshirës, për reformimin e sektorit të artit dhe kulturës në vend që synon:

  1. Decentralizimin e institucioneve kulturore në dakordësi me komunitetin artistik dhe shndërrimin e institucioneve buxhetore të artit e kulturës në institucione të pavarura publike;
  2. Reformimin e kuadrit ligjor për të garantuar statusin dhe të drejtat e profesionit të artistit, përfshi shpërblimin monetar të tyre;
  3. Garantimin e mbrojtjes efektive të të drejtave të autorit në Shqipëri;
  4. Rritjen e buxheteve për artin dhe kulturën në nivelet më të larta të rajonit.

PËR KËTË QËLLIM:

Palët nënshkruese janë mirëkuptuar për të punuar së bashku dhe të ftojnë të gjithë qytetarët për të kontribuar në përmbushjen e objektivave të përfshira në këtë zotim publik.

Palët nënshkruese angazhohen të informojnë dhe konsultohen me njëra-tjetrën, për mënyrën e përmbushjes në kohë të angazhimeve të përmendura në këtë Deklaratë. Organizatat përfaqësuese të aktorëve, grupet e interesit dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, gëzojnë të drejtën të kërkojnë në çdo kohë informacion të plotë, si dhe përmbushjen e këtyre angazhimeve, duke ndjekur çdo mekanizëm dhe duke ndërmarrë çdo veprim që e vlerësojnë të nevojshëm për të garantuar realizimin e tyre.

Një kopje e nënshkruar e kësaj Deklarate [Kontrate] bëhet publike në faqet zyrtare të internetit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, si dhe i bëhet me dije opinionit publik, në format dhe mënyrat më të përshtatshme.

Publikimi i kësaj Deklarate konsiderohet edhe informim me mjete të përshtatshme, i çdo subjekti privat që parashikon të përfshihet në veprime aktive apo të bashkëpunojë në shkatërrimin e ndërtesave dhe zonës përreth Teatrit Kombëtar, duke përfituar pasuri publike, nëpërmjet tjetërsimit të paligjshëm të tyre, sipas arsyetimit kushtetues e ligjor të shprehur në Dekretin e Presidentit të Republikës për kthimin për rishqyrtim të ligjit nr. 37/2018 në Kuvendin e Shqipërisë. Çdo veprim i kryer nga tani e në vijim do të konsiderohet ligjërisht si i kryer në keqbesim.

Me garancinë për përmbushjen e plotë të saj, të shprehur nëpërmjet përmbajtjes dhe nënshkrimit publik të kësaj Deklarate:

PALËT E PËRFSHIRA NË KËTË ZOTIM PUBLIK:

Për Partinë Demokratike të Shqipërisë:

Kryetari

Lulzim BASHA

Për Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit

Rama i nxori deklaratën për Teatrin, reagon Raimonda Bulku: Mos dhuno kolegët, teatër të ri, por mos shkul të vjetrin

Ka reaguar me nje shenim ne faqen e saj ne Instagram aktorja e njohur Raimonda Bulku, ne pergjigje te postimit te kryeministrit Rama, per nje deklarate te dhene prej saj lidhur me domosdoshmerine nje teatri te ri. 

“Une jam per nje teater te ri, dhe i qendroj deklaratave te mia, por jo ne dhunim te ligjeve, kolegeve, miqve e shokeve te mi! Respekto traditen! Ruaje historine!”- shkruan ajo ne pergjigje te postimit te Rames.

 

Aktorja shpreh keqardhjen qe nuk ndodhet mes kolegeve ne teater, pasi eshte jashte duke mbajtur mbesen, per te cilen deshiron te behet aktore teatri.

Postimi i Bulkut 

Une jam per nje teater te ri, dhe i qendroj deklaratave te mia, por jo ne dhunim te ligjeve, kolegeve, miqve e shokeve te mi!
Respekto traditen!
Ruaje historine!
Nderto teater te ri, jo duke shkulur te vjetrin! Jam larg dhe me vjen keq qe mungoj te jem mes kolegesh ne teater …!!!! Ne krahet e mi mbaj mbesen time qe me mrekullon dhe deshiroj qe te behet aktore teatri….!!!

Pas dëshmisë para prokurorëve belgë, Basha: Taulant Balla duhet të ishte në pranga

Pasi doli nga prokuroria e Krimeve të Rënda, aty ku u pyet nga prokurorët belgë për çështjen e parave në makinat “Toyota Yaris”, kreu i PD-së, Lulzim Basha hodhi akuza të forta ndaj sekretarit të Përgjithshëm të PS-së, Taulant Balla.

Basha tha se kishte dhënë më shumë informacion se kishte bërë publike dhe se Taulant Balla duhej të ishte arrestuar.

“Dhashë informacion më shumë se ç’kam dhënë në publik. Taulant Balla duhej të ishte në pranga. Dhashë informacione të plotë mbi çështjen. Qeveria e Edi Ramës dhe Edi Rama janë kthyer në shërbëtorin nr 1 të pastrimit të parave të drogës dhe krimit.

Gjithçka po kryhet sot është në shërbim të pastrimit të parave dhe krimit, koncesionet tenderat. Gjithçka po bëhet për pastrimin e parave të pista”, tha Basha.

Artan Fuga: “Legjitimiteti i mbrojtësve të Teatrit kundër arbitraritetit të prishësve”

“Asnjë argument që jep qeveria, apo lakej të ndryshëm, nuk i qendron arsyes kur kërkojnë të shkallmojnë ndërtesën e Teatrit Kombëtar!” kështu shkruan përmes një postimi në facebook Akademiku Artan Fuga, ndërsa shton se sulmi mbi ndërtesën e Tetarit kombëtar është dhunë e pastër!



Nga Artan Fuga

Asnjë argument që jep qeveria, apo lakej të ndryshëm, nuk i qendron arsyes kur kërkojnë të shkallmojnë ndërtesën e Teatrit Kombëtar!

Asnjë!

Do të më mjaftonte vetëm një argument, një i vetëm, që të mos ishte një budallallik me brirë, dhe unë do të isha bërë me pushtetin kundër mbrojtësve!

Por, nuk ka asnjë!

Godina e vjetër ?

Restaurojeni!

Skena jashtë standarteve të sotme?

Modifikoheni për standarde të reja dhe për aq sa mundësi krijon! Kur të luani Nabukodonosorin vëreni në skenë atje te konstruksioni i qelbur Turbina, a Hidrocentrali, atje ku as për kopsht zoologjik nuk bën!

Do të urbanizohet i gjithë ai territor?

Gjithçka duhet urbanizuar duke ruajtur vlerat e qytetit që është bërë si memorje budallai, fare bosh, fishkëllimë!

Duhet ruajtur Kalaja, Teatri dhe gjithçkaqë ka kujtesë historike!

Kush do të vejë dorë mbi Teatrin një ditë do të përgjigjet përpara të vdekurve dhe të gjallëve, të gjithë kombit!

E sigurt!

Mos kujtojë njeri se kombi harron!

Mbi gërmadhat e kullave që do të përmbysen aty, te vendi i krimit të shëmtuar, nëse do të ndodhi, një e nga një do të na ftojë atëhere aleanca për Teatrin të vijnë shqiptarët të përmjerin mbi ato gërmadha!

Mijra currila do të rrjedhin mbi to!

Nuk ka qeveri dhe Kuvend – Kopil (pa origjinë legjitime) që të ketë legjitimitet të prishi ndërtesën e Teatrit!

Nuk është i Tiranës ai, ajo ndërtesë, është kombëtare, i takon të gjithë kombit, madje edhe shqiptarëve jashtë kufijve, edhe arbëreshëve, edhe arvanitasve, madje!

Kush ka të drejtë të vejë dorë mbi kujtesën tonë kombëtare, kush e ka tagrin ta bëjë atë?

Kujtojnë ca qeveritarë qendrorë a lokalë që kanë pushtet për ca vjet se mund të venë dorë mbi historinë e kaluar edhe atë të ardhme të shqiptarëve!

Kush ka të drejtë të vejë dorë mbi ndërgjgjen shpirtrore të shqiptarëve!

Kush qeveri a kryetar bashkie ka marrë vota për këtë?

Askush!

Kush ka të drejtë të vejë dorë mbi historinë e kulturës dhe të artit shqiptar?

Ka marrë gjë votat e shqiptarëve tê dikurshëm a të ardhshëm? Aspak! Cfarë e kujtojnë veten? Mos kujtojnë se janë të përjetshëm!

Kush ka të drejtë të flasi në emër të artistëve? Kush e ka kontaktuar Pitarkën, Roshin, Frashërin, Imamin, Prosin, e pa fund mjeshtra të mëdhenj që janë në botën e përtejme dhe na shohin ?

Asnjë argument, asgjë!

Pa legjitimitet!

Prandaj sulmi mbi ndërtesën e Tetarit kombëtar është dhunë e pastër!

Dhunë e pastër e shtetit me forca policore kundër trashëgilisë shpirtrore të kombit!

Ku ka legjitimitet pushteti bashkiak kur votuesit e kanë braktisur në zgjedhje të na “menaxhojë” edhe botën tonë shpirtrore” shekullore?

Një, një, një argument të vetëm po gjetën! Përndryshe është krim, dhunë, shkatërrim!

Poqese një ushtri e huaj do të kishte guxuar ta bënte këtë gjithë kombi sot do të ishte këtu!

Do të mblidhej këtu!

Këtu!

Këtu!

A do ta zgjidhë Specialja enigmën e vrasjes së Ahmet Krasniqit?

Tash që Gjykata Speciale ka intensifikuar punën dhe ftesat po vijnë për ditë, po rrjedhin edhe informacione se cilat raste po trajtohen aty. Deputeti Milaim Zeka ka bërë me dije se kjo gjykatë e ka marrë në pyetje në lidhje me vrasjen e Kolonel Ahmet Krasniqi – ish ministrit të emëruar nga Qeveria e Republikës së Kosovë në ekzil. Për këtë vrasje që gjerësisht cilësohet si politike vëllai i Ahmeti Krasniqit pret që Haga të vëjë drejtësinë në vend, shkruan Gazeta Express.

20 vite pas vrasjes së tij, eshtrat e kolonel Ahmet Krasniqit u kthyen në atdhe. Me rivarrimin e Krasniqit, nuk iu dha fund edhe pikëpyetjeve se kush qëndron prapa atentatit.

Për krejt këto vite, drejtësia vendore nuk e pati asnjë person të dyshuar e as të akuzuar. Ky dështim për të zbardhur këto vrasje, e disa të tjera që ndodhën gjatë e pas luftës, u mendua se do të finalizohej vetëm me funksionalizimin e Gjykatës Speciale.

Tash kur ka disa muaj prej kur kanë filluar të merren në pyetje, dëshmitarët e të dyshuarit e parë, vrasja e Krasniqit është një nga ato, për të cilat u tha publikisht se janë pyetur disa persona.

Ishte deputeti Milaim Zeka që tha mbrëmë në RTV Dukagjini se është marrë në pyetje nga Gjykata Speciale, për vrasjen e Ahmet Krasniqit.

“Jam ftuar për dy raste. Faktikisht kam kërkuar vet që të sqarohem në Gjykatën Speciale për vrasjen e Ahmet Krasniqit, pasi kam qenë njeriu i parë që jam akuzuar nga Millosheviqi dhe një gazetë në Kosovë. Gazetari i këtij mediumi për fat të keq ka cituar Millosheviqin, i cili me gjasë ma ka përzier emrin. Millosheviqi në Tribunal të Hagës e pyet një spiun të UDB-së: ‘A ke dëgjuar për Milaim Zekën?’, ai ia kthen: ‘Po kam dëgjuar’. Millosheviqi i thotë përsëri: ‘A ke dëgjuar se Milaim Zeka me urdhër të Rexhep e Sylejman Selimit e ka vrarë Ahmet Krasniqin në Tiranë?’. Ky thotë: ‘Jo këtë nuk e kam dëgjuar’. Nga ai moment kam qenë personi publik më i akuzuar dhe asnjëri nga shokët e mi të luftës nuk më kanë mbrojtur dhe janë tallur”, tha Zeka.

Dhomat e Specializuara në territorin holandez do të hetojnë ish-ushtarët e UÇK-së që dyshohet se kanë kryer krime lufte dhe krime të tjera që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Derisa atentati e vrasja e Ahmet Krasniqit ndodhi më 21 shtator të vitit 1998, edhe kjo është në afatin kohor ku është e paraparë që të trajtohen krimet.

Se po merren me hetime për këtë vrasje kanë informacione edhe familja e kolonelit të vrarë. Në një përgjigje për Gazetën Express, tash kur kjo temë është ri aktualizuar, vëllai i Ahmet Krasniqit, Behxhet Krasniqi ka thënë se deri më tani, megjithatë, kanë munguar kontaktet fizike me personelin e kësaj gjykate.


Behxhet Krasniqi ne interviste per T7

“Sinqerisht unë tani nuk mund të flas më shumë rreth Gjykatës Speciale. Ne si familje jemi gjithmonë të gatshme për bashkëpunim me drejtësinë dhe për drejtësi. Deri tash kanë munguar kontaktet fizike me personelin e Gjykatës, kaq mund të them”, thotë Krasniqi.

Ai thotë se presin që Gjykata Speciale ta vëjë në vend drejtësinë.

“Është fakt se tani kemi një Gjykatë Speciale nga e cila pritet që drejtësia, ndonëse e vonuar, të vihet në vend. Të gjitha familjet e dëmtuara (nga dora e krimit dhe tradhtisë), po ashtu edhe familja Krasniqi, presin që më në fund të gjendet e vërteta rreth vrasjeve politike dhe më në fund dorasin të marrin dënimin e merituar për aktet e tyre kriminale. Gjykatën Speciale nuk e sollëm ne (familjet e të dëmtuarve), por, atë e solli elita politike që po sundon në Kosovë. Pse si dhe cilat ishin pritjet e tyre nga kjo gjykatë, atë e dinë vetë. Megjithatë, për ne gjykata speciale është një dritë e zbehtë në tunelin e zi e të zisë, nëpër të cilin jemi të detyruar të ecim”, ka thënë ai.

Gazeta Express për këtë çështje e ka kontaktuar edhe deputetin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Qunin.

Deputeti po thotë se nuk është i informuar se me çfarë raste po merret Gjykata Speciale, e shton se nuk është kontaktuar asnjëherë nga ta.

“Unë nuk jam i informuar se me cilat raste po merret Gjykata Speciale dhe unë personalisht nuk jam kontaktuar asnjëherë nga ta. Ne si Parlament i Kosovës e kemi votuar ligjin për dhomat e specializuara për arsye se kishim para vetes dy opsione, atë që ta votojmë ne ose që ta lëjmë në mundësinë e krijimit të një gjykate apo tribunali nga OKB-ja. Ne zgjodhëm opsionin e parë të bindur se Kosova nuk mund ta shmang kalimin nëpër një proces që mund të jetë i dhimbshem por i pashmangshëm”, ka thënë Quni.

Për Express, deputeti i LDK-së, ka shtuar se beson që këto vrasje, si e Ahmet Krasniqit pritet që të zbardhen, por, që se di a do të ndodhë ky proces në Gjykatë Speciale.

“Vrasjet si ajo e Ministrit te Mbrojtjes Ahmet Krasniqit, e figurave tjera ushtarake dhe politike te LDK-së, janë plagë ende të pashëruara në Kosovë, dhe së pari familjet e tyre, por edhe gjithë qytetaret e Kosoves, besoj që presin të zbardhen. A do ta bëj këtë Gjykata Speciale apo jo, unë nuk e di. Kosova, duhet ta mbyllë këtë plagë, për të mos ua lënë barrë brezave të ardhshëm si dhe për të demonstruar qe ne si popull, po aq sa e duam lirinë e duam edhe shtetin ligjor e të së drejtës”, ka thënë ai.

Ministri i të ashtuquajturës Qeveri të Kosovës në ekzil ishte vrarë në moshën 50-vjeçare, natën e 21 shtatorit të vitit 1998, diku në zonën e ish-shtëpisë së partisë, pak para mesnatës në Tiranë.

Trupi i tij ishte varrosur fillimisht në varrezat e Sharrës, derisa rivarrimi i eshtrave të tij u bë në shtator të vitit të kaluar në Prishtinë.

Gjykata Speciale ka për detyrë të hetojë dhe të gjykojë krimet e supozuara të kryera prej UÇK-së, e po ashtu besohet se subjekt i saj do të jenë edhe vrasjet e pasluftës, të kryera kryesisht ndaj anëtarëve të LDK-së.

Kur është fjala te vrasjet që cilësohen të natyrës politike, paslufta kryesisht dominohet me eliminimin e bashkëpunëtorëve të ngushtë të Presidentit Ibrahim Rugova, pjesëtarëve të LDK-së, apo edhe të FARK-ut një formacion rival i krahut tjetër UÇK-së gjatë fundit të viteve ’90.

Të gjitha këto atentate edhe gati dy dekada pas kryerjes së tyre kanë mbetur të pazbardhura nga drejtësia. Kishte filluar me vrasjen e kolonel Ahmet Krasniqit, më 21 shtator të vitit 1998, në Tiranë. Ministri i Mbrojtjes i Qeverisë në ekzil u vra në një atentat në mes të kryeqytetit shqiptar. Meqë vrasja u krye jashtë Kosovës, ishin zgjeruar edhe kufijtë e dyshimeve. Madje, edhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, për vrasjen e kolonelit kosovar kishte akuzuar shërbimin sekret të Shqipërisë. Vrasja nuk është zbuluar kurrë, për më tepër ajo shpesh është subjekt i polemikave ndërmjet partive politike.

Më 11 janar 1999 në Prishtinë ishte vrarë Enver Maloku, gazetar dhe anëtar i LDK-së. Vrasja e tij ishte kryer para banesës së tij dhe para fëmijëve të tij, në lagjen “Kodra e Diellit”. Drejtuesit të Qendrës Informative të Kosovës, që u vra gjatë luftës asnjëherë nuk i janë gjetur atentatorët.

Përfundimi i luftës nuk ishte fundi i vrasjeve të anëtarëve të partisë së Rugovës. Familjarët e gjithë të të vrarëve, besojnë që ideologjia politike, ishte arsyeja që i mori të afërmit e tyre përmes atentateve të kryera, në shumicë, me sukses.

E të dyshuar, disa prej familjarëve kanë përmendur regjimin e Millosheviqit, por edhe kundërshtarët politikë shqiptarë.

Më 23 nëntor 2001 u vra bashkëpunëtori shumë i afërt i Presidentit Rugova, gazetari dhe publicisti Xhemajl Mustafa. Ne vendin e ngjarjes kishte pasur dëshmitarë që kishin thënë se atentatorët kishin ardhur nga shkallët e ndërtesës, para së cilës u vra ai. Megjithatë, edhe vrasja e Mustafës hyn në ato që nuk u zbardhën asnjëherë.

Më 24 prill 2001 vritet Ismet Rraci, kryetar i Komunës së Klinës e i Degës së LDK-së në Klinë, derisa po kthehej nga puna. Për këtë vrasje kishte folur edhe Presidenti Rugova, i cili kishte thënë se vrasja e zyrtarit të tij ishte e lidhur me fitoren e LDK-së në vitin 2000.

Në një atentat në tetorin e 2001-s, ishte vrarë gazetari Bekim Kastrati; truproja e presidentit Rugova, Besim Dajaku, ndërsa ishte plagosur ish-deputeti Gani Geci.

Më 17 janar 2002, ishte vrarë edhe deputeti Smajl Hajdaraj. Edhe kjo vrasje, sikur të tjerat, u krye në pritë, para banesës së Hajdarajt, në një errësirë të plotë dhe me ikjen e atentatorëve, që asnjëherë s’janë zbuluar. Vrasja e tij, ishte kryekëput për motive politike, siç kishin thënë familjarët e tij, përkatësisht djali i ish-deputetit, Shpëtim Hajdaraj.

Më 27 tetor 2002 vritet Ukë Bytyçi kryetar i komunës së Therandës dhe i degës së LDK-së në këtë komunë.

Më 4 janar 2003 vritet në Pejë kolonel Tahir Zemaj, ish-komandant i FARK-ut në rajonin e Dukagjinit.

Një vrasje tjetër që kishte tronditur opinionin në Kosovën e pasluftës është ajo e komandant Drinit. Drini ishte vrarë para shtëpisë së tij në lagjen “Bazhdarhane” në rrethana misterioze, në mëngjesin e 8 majit të vitit 2000, në kohën kur po punonte si drejtor komunal për Emergjencë.

Lista e vrasjeve të pasluftës është më e gjatë se kaq. E, po ashtu, ajo do zgjatej edhe më shumë, në qoftë se nuk do të dështonin disa nga planet për vrasje të tjera, të cilat përfunduan si tentim-vrasje./GazetaExpress/

Zbardhet kërkesa – Kuvendi 8 pyetje Venecias për Metën: A e shkeli ligjin me anulimin e 30 Qershorit?

Kuvendi i kërkon Komisionit të Venecias përgjigjet për 8 pyetje në lidhje me detyrat e kompetencat e Presidentit të Republikës pas procedurave që ka nisur maxhoranca për shkarkimin e tij dhe ngritjen e komisionit hetimor.

Në shkresë Kuvendi bën një përmbledhje të situatës në vend, duke nisur nga caktimi i datës së zgjedhjeve nga Presidenti, qëndrimi i opozitës e djegia e mandateve, mospjesëmarrja e PD e LSI në zgjedhje, përplasjet në KZAZ-të në bashkitë e drejtuara nga përfaqësues të opozitës në vend, 30 qershori dhe deri tek komisioni hetimor për shkarkimin e Kreut të Shtetit.

Po kështu në shkresën e firmosur nga kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi përfshihet edhe çuarja në Kolegj e kërkesës për çregjistrim të partisë së Idajet Beqirit dhe vendimin e tij.

Në fund, kreu i Kuvendit duke iu drejtuar Presidentit të Komisionit të Venecias z. Buquicchio, i kërkon një opinion sa më shpejt që të jetë e mundur, ‘nisur nga ndjeshmëria dhe situata ku ndodhet vendi’.

PYETJET
1. Cili është roli i Presidentit të Republikës në regjimet parlamentare si Shqipëria, në raport me pushtetet e shtetit sa i takon proceseve zgjedhore?
2. Cilat janë detyrimet kushtetuese dhe konventore që i imponohen Presidentit të Republikës në regjimet parlamentare, siç është edhe Shqipëria, në ushtrimin e kompetencës për caktimin e datës së zgjedhjeve?
3. A ka kufizime në ushtrimin e kësaj kompetence që rrjedhin nga e drejta demokratike e zgjedhësve për ta ushtruar këtë të drejtë sipas marrëveshjes kushtetuese, me siguri dhe parashikueshmëri?
4. Kompetenca e Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve, është një e drejtë e tij për të vendosur ushtrimin e sovranitetit të popullit, apo një detyrim i tij për të garantuar cilësisht ushtrimin e sovranitetit popullor nëpërmjet zgjedhjes së përfaqësuesve të tij, brenda kufizimeve që sovrani ka vendosur nëpërmjet Kushtetutës së miratuar prej tij?
5. Nëse Presidenti i Republikës, pasi e ka caktuar datën e zgjedhjeve dhe organet e administrimit të zgjedhjeve janë duke kryer veprimet sipas ligjit, e anulon dhe cakton një datë tjetër, a kemi cenim të parimeve të së drejtës për të zgjedhur dhe të sigurisë kushtetuese, në funksion të respektimi të shtetit të së drejtës?
6. Në rastin e mësipërm, a kemi ndërhyrje të Presidentit të Republikës në procesin zgjedhor, duke cenuar të drejtën e subjekteve zgjedhore për të konkurruar në mënyrë të barabartë dhe të lirë?
7. Nisur nga parimi se qeverisja duhet të dalë nga një sistem zgjedhjesh periodike, që mbahen çdo katër vjet, nxjerrja e Dekretit të Presidentit që anulon datën 30 qershor 2019 si datë të mbajtjes së zgjedhjeve vendore dhe që zgjat qëndrimin në detyrë të përfaqësuesve në këshilla bashkiakë dhe kryetarëve të bashkive, tej mandatit katër vjeçar, a e respekton parimin e periodicitetit të zgjedhjeve?
8. Duke patur parasysh se ndryshimi i datës së zgjedhjes ndikon tek pritshmëritë ligjore për subjektet zgjedhore dhe zgjedhësit, a konsiderohet se cenohet siguria juridike në këto raste?
A është i lidhur cenimi i sigurisë juridike me pasojat që vijnë apo mjafton shkelja e parashikimeve kushtetuese dhe cenimi konsiderohet i kryer?

Protesta në Teatrin Kombëtar, Rama nuk tërhiqet: Do të ndërtohet si plan e përgjegjësi qeverisëse

Kryeministri Edi Rama ka dale me nje qendrim te prere lidhur me gjitha sa po ndodh ne Teatrin Kombetar, e pas situates se tensionuar te protestes se artisteve, qe jane shprehur te palekundur ne mbrojtje te godines.

 

Me nje shenim ne Twitter, Rama ka deklaruar se “Teatri i ri Kombëtar do të ndërtohet si plan e përgjegjësi qeverisëse”.

Postimi i Rames 

Asnjë minorancë nuk mund të marrë peng asgjë e askënd në këtë vend.Megjithë respektin për një minorancë aktorësh teatri dhe politikanësh që s’kanë hyrë kurrë në teatër, po janë mësuar të bëjnë teatër me çdo gjë,Teatri i ri Kombëtar do të ndërtohet si plan e përgjegjësi qeverisëse

Teatrin e ri Kombëtar e kërkon kryeqyteti, vendi, kombi e shumica e komunitetit të artistëve të skenës.Njësoj si Stadiumi i Ri kombëtar ai do të jetë një gur kilometrik në rrugën e Shqipërisë që duam.Kush s’është dakord është i respektuar,po s’ka as mandat as të drejtë të pengojë.

Kërkesa e plotë që Presidenti Meta depozitoi në Kushtetuese kundër shembjes së Teatrit: Ja pse ligji është antikushtetues

Presidenti Meta ka depozituar ne mesdite në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shpalljen antikushtetues të ligjit për shembjen e Teatrit Kombëtar.

 

Me poshte mund te lexoni te plote gjithe kerkesen e kreut te Shtetit, Meta, qe e cilesoi vendimin per shembjen e TK nje akt kriminal. 

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

PRESIDENTI I REPUBLIKËS

 Nr. 2580 Prot.                                                                                                                                                                Tiranë, më 24. 07. 2019

KËRKESË

KËRKUES:                                 PRESIDENTI I REPUBLIKËS

                                                          Adresa: Godina e Institucionit të Presidentit të Republikës, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 1, Tiranë

DREJTUAR:                              GJYKATËS KUSHTETUESE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

SUBJEKT I INTERESUAR:    KUVENDI I SHQIPËRISË, me adresë: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Tiranë.

KËSHILLI I MINISTRAVE, me adresë: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Godina e Kryeministrisë, Tiranë

MINISTRIA E KULTURËS, me adresë: Rruga “Aleksandër Moisiu”, nr. 76, ish-Kinostudio “Shqipëria e Re”, Tiranë

MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË, me adresë: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3, Tiranë

BASHKIA E TIRANËS, me adresë: Sheshi “Skënderbej”, nr. 12, Tiranë

OBJEKTI:                                   Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën, si dhe me Marrëveshjet Ndërkombëtare, të ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”.

Pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”, derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese mbi këtë çështje të hyjë në fuqi.

BAZA LIGJORE:                      Nenet 3, 4/1, 5, 6, 7, 11, 13, 15, 18, 41- 42, 59 pika 1/g, 86/1, 108-109, 113/1, 116/1, 122, 124, 131 pika 1, germa “a”, 132/2, 134 pika 1 germa “a”, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë;

Ligji nr. 9490, datë 13.03.2006 “Për ratifikimin e Konventës për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale”, miratuar nga Konferenca e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën, “UNESCO”, në Paris në datën 17 tetor 2003.

Ligji nr. 8548, datë 11.11.1999 “Për ratifikimin e “Kartës Europiane të Autonomisë Vendore”;

Ligjin nr. 9590, datë 27.7.2006 “Për ratifikimin e “Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe bashkësive evropiane e shteteve të tyre anëtare”;

Nenet 20, 21/1, 26, 27, 42, 45, 47, 49/1, 50/1, 51/1, 51/a, pika 1, germa “b”, 76, të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.

Të nderuar anëtar të Gjykatës Kushtetuese,

 Në seancën plenare të datës 5 korrik 2018, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt ‘Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”.

Ky ligj ju dërgua Presidentit të Republikës për dekretim dhe shpallje në datën 10 korrik 2018.

Sipas relacionit shoqërues të projektligjit dhe përmbajtjes së dispozitave të ligjit të miratuar nga Kuvendi, ky ligj kishte për qëllim përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me një operator privat me objekt realizimin e projektit të zhvillimit të zonës urbane në qytetin e Tiranës ndërmjet rrugëve “Abdi Toptani” dhe “Murat Toptani”, duke përfshirë projektimin, ndërtimin dhe dorëzimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar.

 Sipas relacionit të Këshillit të Ministrave dhe raporteve të komisioneve parlamentare që kanë shqyrtuar propozimin shoqëria “Fusha” sh.p.k, si një nga pronarët e një pasurie pronë private në zonën ndërmjet rrugëve “Abdi Toptani” dhe “Murat Toptani” në muajin shkurt 2018 kishte paraqitur kërkesën për shprehje interesi pranë Bashkisë Tiranë me qëllim zhvillimin e zonës së mësipërme urbane në qytetin e Tiranës, duke përfshirë projektimin, ndërtimin dhe dorëzimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar. Bashkia Tiranë po në muajin shkurt 2018, ju drejtua Këshillit të Ministrave dhe Ministrisë së Kulturës, për shqyrtimin e kërkesës për shprehje të interesit të paraqitur nga subjekti në fjalë.

Sipas shpjegimit të dhënë në relacionin shoqërues të projektligjit subjekti privat angazhohej që, përveç zhvillimit të pronës në pronësi të tij, të realizonte zhvillimin e kësaj zonë në qendër të Kryeqytetit duke përfshirë edhe ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar. Shoqëria kërkuese shprehte vullnetin për të bashkëpunuar me Qeverinë, Bashkinë Tiranë dhe institucionet e tjera shtetërore, duke propozuar që shteti të vendoste në dispozicion truallin shtetëror për zhvillimin e zonës përkundrejt ndërtimit aty të godinës së veçantë të Teatrit të ri Kombëtar, ndërkohë që në pjesën tjetër të zonës të ketë zhvillim sipas përcaktimit të planifikimit urban.

Ky propozim u vlerësua i favorshëm dhe siç rezulton në ndjekje të këtij procesi Ministria e Kulturës dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë kanë hartuar dhe propozuar pranë Këshillit të Ministrave, ndërmarrjen e një nisme ligjore për tu miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë. Këshilli i Ministrave më datë 27.06.2018 ka depozituar në Kuvend projektligjin përkatës, projektligj ky i cili rezulton të jetë kërkuar dhe shqyrtuar me procedurë të përshpejtuar nga Kuvendi i Shqipërisë.

Kuvendi i Shqipërisë në datë 05 korrik 2018 miratoi ligjin nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt ‘Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”, duke përzgjedhur kështu në mënyrë të drejtëpëdrejtë me ligj, të bashkëpunojë me shoqërinë propozuese “Fusha” sh.p.k Tiranë.

Në këtë mënyrë Kuvendi përcaktoi me ligj një trajtim preferencial të kompanisë private propozuese, duke e vlerësuar apriori kërkesën e saj për shprehje interesi, si propozimin më të mirë, duke bërë kështu pranimin automatik të faktit të kryer, pa asnjë procedurë konkurrimi të hapur dhe transparente.

Presidenti i Republikës vlerësoi përputhshmërinë e këtij ligji me Kushtetutën, duke bërë një analizë të kujdesshme të përmbajtjes së tij, në raport me respektimin e parimeve kushtetuese, interesit publik, si dhe ruajtjes së vlerave historike të trashëgimisë kulturore dhe identitetit kombëtar.

Në përfundim të shqyrtimit të ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”, Presidenti i Republikës çmoi se ky ligj, i paraqitur për shpallje, nuk ishte në përputhje me parimet kushtetuese, aktet ndërkombëtare ku Republika e Shqipërisë aderon apo që  ka ratifikuar; gjithashtu fryma e këtij ligji shkon në kundërshtim me sistemin ligjor aktual, mbi të cilin zhvillohet shoqëria shqiptare. (shih arsyet e dekretit të Presidentit të Republikës nr. 10849, datë 27.07.2018).

Mbështetur në një asyetim shterues për vlerësimin e këtij ligji Presidenti i Republikës, në mbështeje të nenit 85, pika 1 dhe 93, të Kushtetutës, ka nxjerrë Dekretin nr. 10849, datë 27.07.2018, ku vendosi:

 Kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”.

Presidenti i Republikës, në cilësinë e Kreut të Shtetit dhe si përfaqësues i unitetit të popullit, bazuar në nenin 85 pika 1, 86 pika 1, 92/a, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, vendosi që ky ligj duhej t’i kthehej Kuvendit të Shqipërisë, me qëllim që kjo çështje, të merrte kohën dhe vëmendjen e duhur, për tu vlerësuar përsëri, duke e ftuar Kuvendin që ta rishqyrtonte në tërësi ligjin nr.37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt: Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”.

 Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, në seancën plenare të datës 20 shtator 2018, me Vendimin nr. 96/2018, vendosi:

Miratimin e dekretit nr. 10849, datë 27.07.2018, të Presidentit të Republikës “Për kthimin e ligjit nr.37/2018 (të datës 05.07.2018) “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”.

Në të njëjtën seancë plenare Kuvendi miratoi, gjithashtu, ligjin nr.37/2018, datë 20.09.2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt `Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar`”.

 Me shkresën e Kuvendit nr. prot 2288/3 datë 24.09.2018, të dy këto akte ju përcollën  Presidentit të Republikës duke i kërkuar shprehjen me dekret për shpalljen e ligjit nr.37/2018, datë 20.09.2018, si dhe njohjen me vendimin nr.96/2018 të Kuvendit, me të cilin ishte pranuar dekreti i Presidentit nr.10849, datë 27.07.2018.

Pas vlerësimit dhe shqyrtimit të praktikës parlamenatre, Presidenti arriti në bindjen se, ligji nr. 37/2018, i miratuar në datë 20.09.2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt `Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”, i paraqitur për dekretim ishte një ligj i ri, dhe për këtë arsye kërkesa e Kuvendit duhet të pranohej për shqyrtim nga Presidenti i Republikës, në zbatim të kompetencave kushtetuese të parashikuara në nenet 84, 85 të saj.

Në shqyrtim të kërkesës së Kuvendit, Presidenti i Republikës, në mbështetje të neneve 84 e 85 të Kushtetutës vlerësoi përputhshmërinë e këtij ligji të ri në raport me Kushtetutën e vendit, interesin publik, ruajtjen e vlerave historike të trashëgimisë kulturore dhe identitetit kombëtar, krahasuar dhe në raport edhe me arsyet e dhëna nga Presidenti i Republikës në dekretin nr. 10 849, datë 27.07.2018 dhe të pranuara nga Kuvendi.

Në përfundim të shqyrtimit të ligjit nr. 37/2018, i miratuar nga Kuvendi në datë 20.09.2018, Presidenti i Republikës, arriti në konkluzionin se, ky ligj nuk kishte arritur të zgjidhte në thelb asnjë prej 9 (nëntë) çështjeve dhe problematikave kushtetuese dhe ligjore të evidentuara në dekretin e Presidentit të Republikës nr. 10849, datë 27.07.2018, edhe pse ky dekret u miratua në tërësi nga Kuvendi i Shqipërisë.

 Nga shqyrtimi i praktikës parlamentare, rezultoi se Kuvendi nuk kishte argumentuar ndonjë pretendim kundër dekretit të Presidentit nr. 10849, datë 27.07.2018, si dhe nuk kishte rrëzuar asnjë prej arsyeve të tij, por në seancën plenare të datës 20 shtator 2018, me Vendim nr. 96/2018”, Kuvendi vendosi: “Miratimin e dekretit nr.10849, datë 27.07.2018, të Presidentit të Republikës `Për kthimin e ligjit nr.37/2018 (të datës 05.07.2018) `Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt `Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar`”.

 Kuvendi megjithëse ishte përpjekur që të plotësonte vetëm 1 (një) prej konstatimeve kushtetuese të Presidentit të Republikës dhe që kishte të bënte me trajtimin preferencial dhe jo të barabartë drejtëpëdrejtë me ligj të një subjekti privat, sërish edhe me ligjin e ri të miratuar në datë 20.09.2018, Kuvendi rezultoi se nuk kishte arritur të zgjidhte edhe këtë çështje.

 Edhe ligji nr. 37/2018, miratuar në datë 20.09.2018, paraqiste sërish probleme kushtetuese, pasi në thelb dispozitat e tij përmbajnë kushte dhe kritere diskriminuese që nuk garantojnë konkurencën e lirë dhe të ndershme, por përkundrazi, ato bëjnë një trajtim preferencial që kufizojnë pjesëmarrjen në garë dhe që diktojnë paraprakisht fituesin. Edhe pse kjo është e vetmja çështje e shqyrtuar nga Kuvendi, sërish parashikimet e reja ligjore nuk e kanë zgjidhur situatën antikushtetuese të konstatuar nga Presidenti i Republikës në dekretin e tij të mëparshëm nr.10849, datë 27.07.2018.

Nga studimi i dispozitave të ligjit të miratuar më datë 20.09.2018, rezultoi se edhe kjo normë ligjore paraqet elementë që cenojnë drejtpërdrejt konkurrencën e lirë, trajtimin e barabartë dhe nuk garanton që procesi do të jetë objektiv dhe i ndershëm.

 Këto konstatime e bëjnë këtë ligj të bjerë sërish ndesh me zbatimin e parimeve kushtetuese të “barazisë përpara ligjit” dhe “lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve”, duke cenuar funksionimin e vet shtetit të së drejtës.

 Nga studimi i praktikës parlamentare u evidentua se, veprimtaria e Kuvendit në procesin rishqyrtues të datës 20.09.2018, ishte e pambështetur në ndonjë vlerësim tekniko-ligjor, për çështjet e ngritura nga Presidenti i Republikës në dekretin e tij nr. 10849, datë 27.07.2018.

Kuvendi në seancën e datës 20 .09.2018 votoi sërish një projekt të ri ligjor, në mënyrë të pajustifikuar dhe që në realitet nuk ofron asnjë zgjidhje për problematikat kushtetuese të konstatuara nga Presidenti i Republikës në dekretin e tij të mëparshëm 10849, datë 27.07.2018.

Kuvendi nuk ka shqyrtuar në themel të gjitha çështjet dhe konstatimet e Presidentit të Republikës, në mënyrë që ato të gjenin zgjidhje kushtetuese, në funksion të interesit publik.

Vendimmarrja e Kuvendit, në miratimin e ligjit nr. 37/2018 (datë 20.09.2018) ka shmangur shqyrtimin e 8 (tetë) prej çështjeve të ngritura në dekretin e Presidentit, me qëllim miratimin e një norme të re ligjore, e cila në thelb paraqet të njëjtat problematika kushtetuese si ligji i mëparshëm. (shih arsyet e Dekretit nr.10908, datë 11.10.2018).

 Në përfundim të shqyrtimit Presidenti i Republikës, në bindje të Kushtetutës së Shqipërisë, dhe në ushtrim të së drejtës të parashikuar në nenin 84 dhe 85 pika 1 të saj, me Dekretin nr.10908, datë 11.10.2018, vendosi:

Kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 37/2018, datë 20.09.2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”, pasi të gjitha argumentet që shoqëronin dekretin e Presidentit nr. 10849, datë 27.07.2018, nuk janë shqyrtuar objektivisht nga Kuvendi, dhe konstatimet në lidhje me pozitën antikushtetuese të këtij ligji ngelen sërish të njëjta, si në ligjin e mëparshëm. (shih arsyet që shoqërojnë Dekretin).

Dekreti i Presidentit të Republikës, është shqyrtuar nga Kuvendi i Shqipërisë në seancën plenare të datës 25.10.2018, ku Kuvendi me Vendimin nr.110/2018, ka vendosur: “Rrëzimin e Dekretit të Presidentit nr. 10849, datë 27.07.2018”.

Më pas ligji nr. 37/2018, datë 20.09.2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar””, është dërguar për botim në qëndrën e Botimeve Zyrtare, ku rezulton e botuar ditë e hënë datë 29.10.2018, gjë e cila bën të mundur që ky ligj të ketë hyrë në fuqi më datë 13 nëntor 2018.

Presidenti i Republikës, në ushtrim të kompetencës dhe së drejtës së tij të parashikuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenin 134/1a, ku citohet se Gjykata Kushtetuese vihet në lëvizje me kërkesë të Presidentit të Republikës, i drejtohet Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, si i vetmi organ që në zbatim të nenit 131/1/a mund të vendosë për pajtueshmërinë e ligjit nr.37/2018 si një akt ligjor i papajtueshëm me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare.

Presidenti i Republikës, në cilësinë e palës kërkuese në këtë gjykim kushtetues, vlerëson se ligji nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”, i miratuar në datë 05.07.2019 dhe datë 20.09.2018;

–          nuk është në përputhje me parimet kushtetuese;

–          bie ndesh me dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë;

–          bie ndesh me aktet ndërkombëtare ku Republika e Shqipërisë aderon apo ka ratifikuar;

–          bie ndesh me përcaktimet e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit;

–          në thelb dispozitat e këtij ligji përmbajnë kritere diskriminuese që nuk garantojnë konkurencën e lirë dhe bien ndesh me zbatimin e parimeve kushtetuese të “barazisë përpara ligjit” dhe “lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve”, duke cenuar kështu funksionimin e shtetit të së drejtës;

–          cenon rëndë parimet kushtetuese të ndërtimit dhe funksionimit të organeve të pushtetit vendor të “decentralizimit” dhe “autonomisë vendore”, duke rënë ndesh, njëkohësisht edhe me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve;

–          bie në kundërshtim dhe jurisprudencën kushtetuese të krijuar nga Gjykata Kushtetuese, mbi parimet e funksionimit të organeve të qeverisjes vendore dhe ushtrimit të kompetencave prej tyre në përputhje me parimin e decentralizimit dhe autonomisë vendore;

–          cenon parimin e sigurisë juridike lidhur me ushtrimin e të drejtave pronësore mbi të drejtat private të pronësisë;

–          nuk garanton mbrojtjen e pronës publike;

–          është në kundërshtim me sistemin ligjor aktual, mbi të cilin zhvillohet shoqëria shqiptare;

–          paraqet mangësi dhe paqartësi të theksuara në aspektin e leverdisë ekonomike dhe financiare të shtetit, duke krijuar terren të përshtatshëm për abuzim me pronën publike dhe cenimin e interesit publik.

Më konkretisht parashtroj si më poshtë:

Së pari, ligji nr.37/2018, i miratuar në datë 20.09.2018, nuk garanton dhe për më tepër i shkel parimet e “barazisë përpara ligjit” dhe “lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve”, parime këto të cilat gëzojnë një mbrojtje të veçantë nga Kushtetuta. 

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë mishëron dhe mbron më së miri parimet dhe vlerat më të larta të funksionimit të një shoqërie demokratike. Në nenin 11, pika 1 të saj, parashikohet se:  “Sistemi ekonomik i Republikës së Shqipërisë bazohet në pronën private e publike, si dhe në ekonominë e tregut dhe në lirinë e veprimtarisë ekonomike.”. Zbatimi i këtyre parimeve kushtetuese në praktikë nënkupton që ligjvënësi dhe qeveria do të duhet të nxjerrin akte ligjore dhe nënligjore që bëjnë të mundur zhvillimin ekonomiko-shoqëror, bazuar në mundësi të barabarta zhvillimi, ku nën një klimë të përshtatshme dhe të garantuar për biznesin, të nxitet konkurrenca, sipërmarrja e lirë dhe që, në tërësi, të krijohen garancitë e nevojshme ligjore që krijojnë besueshmëri tek çdo qytetar i vendit, apo investitor vendas apo i huaj, se ky regjim juridik nuk do të ndryshojë . 

Këto standarde të larta të zhvillimit shoqëror i mbron Kushtetuta e vendit e cila, në nenin 18 të saj, ka përcaktuar se të gjithë janë të barabartë përpara ligjit.

Kjo nënkupton se veprimtaria legjislative e Kuvendit duhet të jetë shumë e kujdesshme në mënyrë që ligjet e reja që miratohen të mos bien ndesh me sistemin ligjor aktual, për të mos krijuar kështu trajtim jo të barabartë, pasi në të kundërt, kjo do të cenonte funksionimin e shtetit të së drejtës.

Në zbatim të ligjit themeltar të shtetit, është detyrë e ligjvënësit që të miratojë akte, të cilat krijojnë një sistem të përgjithshëm ligjesh që rregullojnë veprimtarinë e gjithë shoqërisë brenda një shteti dhe që janë të detyrueshme dhe të zbatueshme nga të gjithë. Ky është sistemi ligjor që Republika e Shqipërisë ka ndërtuar deri më sot ku ligji ka karakter të përgjithshëm, nëpërmjet të cilit mbrohen dhe rregullohen të gjitha marrëdhëniet juridiko-shoqërore për të gjitha shtresat e shoqërisë dhe ku të gjithë janë të barabartë përballë tij (ligjit).

Nëse ky sistem ligjor i përgjithshëm cenohet dhe veprimtaria e ligjvënësit orientohet shpesh e më shpesh për të miratuar ligje që rregullojnë një marrëdhënie të caktuar me një individ apo subjekt të caktuar ekonomik, atëherë roli rregullator i shtetit individualizohet nëpërmjet trajtimit preferencial, dhe si rrjedhim, në mënyrë të pashmangshme, duke sjellë kështu pabarazi dhe cenim të veprimtarisë së lirë ekonomike. Pra në këtë formë funksionimi, shteti nëpërmjet ligjeve të posaçme që nxjerr, del nga zbatimi i parimit të përgjithshëm të shtetit të së drejtës dhe individualizon trajtimin e shoqërisë nëpërmjet normave ligjore të ndryshme.

Kuvendi në ligjin e miratuar në 5 korrik 2018 me ligjin nr. 37/2018, kishte përcaktuar një trajtim preferencial të kompaninë private “Fusha” sh.p.k, ku kërkesa për shprehje interesi, e paraqitur nga kjo kompani, ishte vlerësuar “a priori” si propozimi më i mirë, duke bërë kështu dhe pranimin automatik të faktit të kryer, pa asnjë procedurë konkurrimi të hapur dhe transparente.

Pikërisht shkelja e parimeve kushtetuese të barazisë përpara ligjit dhe lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve, ishte një nga arsyet, por jo e vetmja, që Presidenti i Republikës, me dekretin nr.10 849, datë 27.07.2018, vendosi ta kthente ligjin për rishqyrtim në Kuvend (shih arsyet e Dekretit nr. nr.10 849, datë 27.07.2018).

Kuvendi me ligjin e ri nr.37/2018, të miratuar në datë 20.09.2018, është përpjekur të përcaktojë se për realizimin e këtij projekti, do të kemi tashmë një garë të hapur ku do të mund të përzgjidhet personi fizik apo juridik, me të cilin shteti do të negociojë për nënshkrimin e një kontrate bashkëpunimi.

Konkretisht në nenin 3, pika 4, 5, 11 të ligjit parashikohet se:

“4.“Palë private” është çdo subjekt privat që paraqet një propozim për zhvillimin e projektit të zhvillimit të zonës së Teatrit Kombëtar, duke përfshirë̈ projektimin, ndërtimin dhe dorëzimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar.  

5.“Palë private e përzgjedhur” është pala private, propozimi i së cilës ka rezultuar në përputhje me kërkesat e këtij ligji,më i favorshmi në raport të interesit publik, si dhe është klasifikuar e para nga komisioni. 

 11.“Thirrje e hapur” është ftesa e hartuar nga komisioni për palët private që janë të interesuara për të paraqitur një propozim për realizimin e projektit të zhvillimit të zonës së Teatrit Kombëtar, duke përfshirë̈ projektimin, ndërtimin dhe dorëzimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar, sipas kushteve dhe kritereve të përcaktuara në këtë ligj.

Në pamje të parë, duket sikur tashmë do të realizohet një procedurë konkurrimi e lirë dhe që respekton kërkesat kushtetuese për veprimtari të lirë ekonomike dhe trajtim të barabartë, por nëse shqyrtohen dispozitat e mëtejshme ku përcaktohen kërkesat, mjetet dhe kriteret sesi kjo garë realizohet, arrihet në konkluzionin logjik se sërish edhe kjo normë ligjore paraqet elementë që cenojnë drejtpërdrejt konkurrencën e lirë, trajtimin e barabartë dhe që nuk garanton që procesi do të jetë objektiv dhe i ndershëm. 

Konkretisht në pikën 3, të nenit 6, të ligjit parashikohet se: 

“3. Me marrjen e propozimeve, komisioni verifikon paraprakisht statusin e të gjitha pronave mbi të cilat do të zhvillohet projekti, sipas përcaktimeve të pikës 4, të nenit 3, të këtij ligji. Komisioni verifikon dhe marrëveshjet e arritura dhe të nënshkruara me pronarët privatë që posedojnë pasuritë në zonën e zhvillimit të projektit.”   

Pikërisht ky parashikim, përcakton se çdo palë private që dëshiron të marrë pjesë në konkurrim duhet që propozimin e tij për zhvillimin e projektit të zhvillimit të zonës së Teatrit Kombëtar, duhet ta shoqërojë dhe me marrëveshjet që duhet të ketë arritur, me pronarët e pasurive private që ndodhen në zonën objekt zhvillimi dhe që përfshihen në këtë projekt.

Në thelb vendosja e këtij parashikimi ligjor përbën një kusht parakualifikues për të marrë pjesë në garë, duke e bërë kështu një proces selektiv konkurrimi.

Për këtë është me rëndësi të evidentohet se:

Është fakt i provuar shkresërish që, Kuvendi i Shqipërisë, me propozimin e Kryetarit të Bashkisë Tiranë dhe më pas të qeverisë, u investua me procedurë të përshpejtuar në shqyrtimin e propozimit dhe miratimin e ligjit nr. 37, datë 05.07.2018, duke përzgjedhur me ligj bashkëpunimin me shoqërinë propozuese “Fusha” sh.p.k, si një nga pronarët e pasurive prone private në këtë zonë.

Gjithashtu është fakt i bërë publik dhe i formalizuar në kërkimin e Bashkisë Tiranë dhe propozimin e Qeverisë dhe i pranuar nga Kuvendi i Shqipërisë, që në zonën e përcaktuar për realizimin e këtij projekti ndërmjet rrugëve “Abdi Toptani” dhe “Murat Toptani”, shoqëria propozuese “Fusha” sh.p.k. ka në pronësi pasuri të paluajtshme truall dhe ndërtesa.

Në këtë situatë faktike, ku shoqëria “Fusha”, shpk, rezulton pronare në zonën objekt zhvillimi, vendosja e këtij kushti nëpërmjet ligjit dhe mosparashikimi në ligj i rolit të shtetit si garant për një proces të hapur dhe transparent konkurimi, sjell si rezultat të vetëm realizimin e një procesi selektiv konkurimi në kushte aspak të barabarta.

Kjo sepse ligji i ri në fakt parashikon se çdo subjekt që dëshiron të konkurojë, është i detyruar që të lidhë, apo të ketë lidhur marrëveshje me pronarët e truallit, ku një prej tyre rezulton të jetë propozuesi i parë i këtij projekti, me të cilin Kuvendi me procedurë të përshpejtuar kishte përcaktuar bashkëpunimin me të, me trajtim preferencial nëpërmjet një ligji të veçantë, tashmë të rrëzuar.

Kuvendi nuk ka parashikuar asnjë zgjidhje për rolin garantues të shtetit në kushtet kur të drejtat e pronësisë private të një, apo disa pronarëve mund të diktojnë pjesëmarrjen në konkurim.

Konkretisht nuk është parashikuar në ligj, zgjidhja e një situate ku një palë private paraqet një propozim, shumë herë më të lartë për nga interesi ekonomik për shtetin dhe interesin publik, por nuk ka mundur të realizojë plotësisht apo pjesërisht marrëveshje bashkëpunimi me pronarët privatë të pasurive të paluajtshme që ndodhen në këtë zonë objekt zhvillimi.

Në këtë mënyrë ligji nr. 37/2018, i miratuar në datë 20.09.2018 me kriteret e vendosura dhe me paqartësitë e tij, nuk e ka zgjidhur problemin kushtetues që ekzistonte në lidhje me këtë çështje, pasi sërish nëpërmjet kushteve dhe kritereve të tilla të vendosura në ligj, kufizohet pjesëmarrja në konkurim, duke bërë kështu që në praktikë të ekzistojë sërish trajtimi preferencial dhe i favorizuar i një ose disa subjekteve të caktuar, gjë e cila sjell si rezultat paracaktimin e fituesit në këtë proces.

Për rrjedhojë, arrihet në bindjen se edhe kjo procedurë e re ligjore krijon pabarazi dhe cenim të veprimtarisë së lirë ekonomike dhe barazisë përpara ligjit, parime këto të mbrojtura nga neni 11 dhe 18 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.   

Paracaktimi i drejtpërdrejtë me ligj nga Kuvendi i disa kushteve specifike për kualifikim që siç rezulton nga histotiku i formimit të vullnetit të ligjvënësi i plotëson vetëm një rreth kufizuar i operatorëve ekonomik, për të mos thënë vetëm operatori që ka shprehur interesin për zhvillimin e zonës, e bën këtë proces haptazi antikushtetues në shkelje të neneve 11, 18 të Kushtetutës.

Kjo sepse sërish shteti me ligjin nr.37/2018, të miratuar në datë 20.09.2018, ka diktuar vullnetin e tij se ka zgjedhur të bashkëpunojë për të kryer një punë publike, vetëm me atë kompani që ka siguruar kontrata me pronarët e truallit për zhvillimin e pronës së tyre, ku një prej tyre është dhe pronar i pjesshëm i një pasurie brenda zonës që pretendohet të zhvillohet dhe propozuesi fillestar për zhvillimin e saj.

Trajtimi preferencial që i bëhet me ligj kompanisë që gëzojnë këtë mundësi, në raport me shtetasit dhe subjektet e tjerë, që do të dëshironin të ishin pjesë e një konkurrimi të ndershëm për të hartuar qartë propozimet e tyre me qëllim që në të ardhmen t’u krijohej mundësia për të ndërtuar një partneritet me autoritetet publike për zhvillimin e tyre ekonomik, është shkelje e hapur dhe e drejtpërdrejtë e këtyre parimeve kushtetuese të barazisë përpara ligjit dhe lirisë së veprimtarisë ekonomike.  

Në rastin konkret, dispozitat e këtij ligji nuk garantojnë asnjë procedurë konkurrimi të hapur dhe transparente.

Republika e Shqipërisë ka të miratuar dhe në fuqi një sërë normash ligjore dhe akte nënligjore që rregullojnë procedurat e konkurrimit për sipërmarrjet private të punëve publike.

Legjislacioni mbi prokurimin publik, apo ai i partneritetit publik privat, parashikon se çdo propozim parashtrohet dhe krahasohet me nevojat që autoriteti publik ka; pra, me termat e referencës, ku sipas procedurave bazuar në kritere jo diskriminuese dhe transparente konkurrimi, përzgjidhet operatori që ka ofertën më të leverdisshme dhe që mundëson realizimin e një kërkese të entit publik për mallra, shërbime apo ndërtime etj.

Aktualisht Republika e Shqipërisë ka një bazë ligjore të plotë për të realizuar çdo investim publik që kërkohet të realizohet.

Krijimi i precedentëve të tillë, siç është ligji nr. 37/2018, i miratuar në 20.09.2018, për të dalë nga zbatimi i këtyre rregullave të përgjithshëm dhe për të krijuar rregulla të veçanta ligjore që i adresohen rregullimit të një marrëdhënie të caktuar me kritere preferenciale që diktojnë përzgjedhjen e një operatori ekonomik të caktuar, jo vetëm që përbën trajtim të pabarabartë, por do të krijonte prirjen e operatorëve në treg që të kërkonin në vijimësi që gjithkush të kishte një trajtim preferencial për të operuar në një mjedis ligjor të personalizuar.

Ky regjim rregullator me ligj nëpërmjet Kuvendit, ku vendosen kushte për konkurim që mund të plotësohen vetëm nga një numër i kufizuar i operatorëve ekonomik, krijon pabarazi të shtetasve përpara ligjit, sepse diskriminon çdo person fizik, apo juridik që do të dëshironte të ushtronte të drejtën e veprimtarisë së lirë ekonomike, duke konkurruar bazuar në rregullat ekzistuese të njëjta, por që nuk mundet, pasi ligji, ia heq këtë mundësi, sepse përcakton, paraprakisht, kushte të tilla plotësimi i të cilave diktohet nga vullneti i subjektit me të cilin shteti fillimisht zgjodhi që të bashkëpunojë.

Ligji nr.37/2018 përmbys hapur zbatimin e parimeve evropiane të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut ku ligji është i barabartë për të gjithë dhe përpara tij janë të gjithë të barabartë.

  1. Së dyti, ligji nr. 37/2018, miratuar në datë 20.09.2018 nuk është në harmoni me parimet themelore kushtetuese të identitetit kombëtar dhe trashëgimisë kombëtare apo me objektivat socialë mbi të cilat qytetarët e Republikës së Shqipërisë kanë vendosur të ngrenë dhe zhvillojnë shtetin e tyre. (neni 3, 59 pika 1, germa “g” e Kushtetutës). 

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenin 3 të saj, parashikon: “Pavarësia e shtetit dhe tërësia e territorit të tij, dinjiteti i njeriut, të drejtat dhe liritë e tij, drejtësia shoqërore, rendi kushtetues, pluralizmi, identiteti kombëtar dhe trashëgimia kombëtare, bashkëjetesa fetare, si dhe bashkëjetesa dhe mirëkuptimi i shqiptarëve me pakicat janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë.”.

Populli Shqiptar ka vendosur trashëgiminë kombëtare si një nga parimet themelore, mbi bazën e  të cilit ngrihet dhe funksionon shteti. Nëpërmjet institucioneve të tij, nga ai më i larti në hierarkinë shtetërore deri tek institucioni më i ulët i administrimit të funksionit publik, shteti ka për detyrë ta respektojë dhe ta ruajë këtë parim, si gjithë parimet e tjera të parashikuara në Kushtetutë.

Nga relacioni shoqërues i kësaj nisme propozuese të qeverisë, por dhe nga shqyrtimi i raporteve të komisioneve parlamentare, është e dukshme se gjatë gjithë këtij procesi nuk janë evidentuar apo vlerësuar siç duhet vlerat e trashëgimisë kulturore që mbart me vete kompleksi ekzistues i Teatrit Kombëtar, vlera këto që ky objekt ka krijuar që nga ndërtimi i tij në vitet 1938 dhe më tej nëpërmjet ekzistencës dhe funksionimit ndër këto 80 vite.

Ky fakt provohet për më tepër edhe nga konstatimi ku procedurat e shqyrtimit të kërkesës, propozimit të kësaj nisme ligjore dhe miratimit nga Kuvendi rezultojnë të jenë realizuar me procedurë të përshpejtuar. Nga studimi i praktikës parlamentare në krahasim me rëndësinë që ka kjo çështje shqyrtimi me procedurë të përshpejtuar i këtij ligji nuk rezulton i argumentuar dhe i justifikuar.

Në relacionin e qeverisë që ka shoqëruar projektligjin parashtrohet: 

“Objekti i Teatrit Kombëtar, vlerësuar nga ekspertët e fushës, nuk mbart vlera të spikatura të arkitekturës së kohës në të cilën është ndërtuar, kjo edhe për faktin se: a) objekti është ndërtuar në vitin 1938, si një objekt i përkohshëm për të plotësuar shërbimet e kërkuara për një kryeqytet; b) objekti asnjëherë nuk është vlerësuar me status mbrojtjeje, si shumica e objekteve të ndërtuara në këtë periudhë në qytetin e Tiranës. Për sa më sipër, godina e Teatrit Kombëtar, referuar vlerësimit të ekspertëve jo vetëm që nuk plotëson asnjë standard bashkëkohor lidhur me anën funksionale, sigurinë e strukturës, sistemet e ruajtjes nga zjarri, ato elektrike, të ngrohjes, etj., por edhe nëse kryhet rikonstruksioni i saj, sado i kushtueshëm dhe i thellë të jetë, nuk e sjell atë në kushtet optimale teknike të sotme, sipas kodeve të projektimit.”

Presidenti i Republikës, çmon se këto konkluzione që janë arritur mbi vlerat e kompleksit ekzistues të godinave të Teatrit Kombëtar të lidhura me nevojën për ndërtimin e një godine të re, janë bërë bazuar në një vlerësim jo të plotë e të thelluar, duke u fokusuar vetëm tek cilësia e ndërtimit të objektit aktual ku ushtrohet veprimtaria e Teatrit Kombëtar, sa i takon anës funksionale aktuale të tij, apo arkitekturës së përdorur.

Ndërkohë që, vlerësimi i kompleksit të Teatrit Kombëtar, duhet të përfshinte patjetër dhe veprimtarinë kulturore, arsimore, arkivin e gjithë veprimtarisë së krijuar ndër vite, ngjarjet, veprimtarinë njerëzore dhe institucionale, pasurinë artistike që ka krijuar, elemente këto që duhet patjetër të merreshin në konsideratë dhe nuk mund të përjashtohen nga vlerësimi i një çështje me kaq rëndësi dhe sensitivitet për trashëgiminë kulturore kombëtare.  

Në asnjë prej dokumenteve që shoqërojnë këtë ligj qoftë relacionin e qeverisë, qoftë në raportet e Kuvendit të komisioneve përkatëse, nuk citohet nëse ekziston ndonjë dokument shkencor i plotë për ti dhënë përgjigje shteruese pyetjes, nëse godinat e Teatrit Kombëtar përbëjnë një trashëgimi kulturore në vlerësim dhe të veprimtarisë që aty është krijuar, apo realizuar ndër vite.

Kjo çështje nuk mund të shtrohet duke i vlerësuar godinat a priori, në mënyrë të veçuar, vetëm për nga cilësia aktuale e funksionimit të një objekti ndërtimor; ky vlerësim është shumë herë më kompleks dhe duhet të lidhë të gjitha elementet bashkërisht si: arkitektura, funksionaliteti ndër vite, i lidhur me veprimtaritë artistike, arsimore, kulturore që janë zhvilluar aty dhe janë ngulitur në mendjen e shqiptarëve.

Pikërisht për këto arsye, Presidenti i Republikës vlerëson se ky objekt paraqet vlera që përbëjnë histori të trashëgimisë kombëtare kulturore.

Si i tillë, ai gëzon mbrojtje të drejtpërdrejtë nga Kushtetuta (neni 3) dhe aktet e tjera të institucioneve ndërkombëtare ku Shqipëria ka aderuar apo ka ratifikuar.

Presidenti i Republikës, në arsyetimin e Dekretit nr.10849, datë 27.07.2018, dekret ky që është pranuar nga Kuvendi i ka parashtruar Kuvendit që nëpërmjet një konkursi transparent mund të sigurohet paraprakisht një studim i plotë dhe objektiv mbi vlerat e trashëgimisë kombëtare e kulturore të këtij objekti, duke vlerësuar njëkohësisht dhe mundësinë e restaurimit dhe rikonstruksionit të të gjithë kompleksit të Teatrit Kombëtar, përpara se të kalohej në një vendim ekstrem për shembjen e tyre dhe hyrjen në një proces të tjetërsimit të pasurisë publike me vlera kombëtare.

Kompleksi i godinave të Teatrit Kombëtar, për 80 vjet të funksionimit në dimensione të ndryshme, ka krijuar kujtesën e tij dhe e bën atë padyshim përfaqësues të denjë të historisë kulturore, artistike, arsimore, sociale, albanologjike dhe politike të shtetit shqiptar; pra, të trashëgimisë kombëtare, e cila në këtë këndvështrim është pronë e të gjithëve dhe pikërisht për këto arsye gëzon mbrojtje të drejtpërdrejtë nga Kushtetuta.

Ligji nr. 37/2018, bie ndesh jo vetëm me parimet themelore të Kushtetutës, por njëkohësisht nuk është në harmoni me objektivat socialë që Kushtetuta ka përcaktuar në nenin 59, pika 1, germa “g”, të saj, në të cilën parashikohet se shteti, brenda kompetencave kushtetuese dhe mjeteve që disponon, si dhe në plotësim të nismës dhe të përgjegjësisë private, synon mbrojtjen e trashëgimisë kombëtare, kulturore… .

Ndërkohë, është me vend të evidentohet se brenda një kohë shumë të shkurtër vendimmarrja e Kuvendit në rastin e miratimit të ligjit nr.37/2018, nuk ka treguar koherencë me qëndrimet e tij. Konkretisht: në zbatim të objektivave socialë të vendosura në Kushtetutë, Kuvendi ka miratuar më datë 17.05.2018 ligjin nr. 27/2018 “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”.

Nga ana tjetër, me procedurë të përshpejtuar Kuvendi brenda një kohe të shkurtër me ligjin nr. 37/2018, shpreh një tjetër vullnet, duke vendosur në fakt që këto objekte të identitetit kombëtar e historisë së kulturës shqiptare të mos ekzistojnë. Kjo vendimmarrje e Kuvendit, bie ndesh edhe me qëllimet e përcaktuara në nenin 1, të ligjit nr.27/2018, të miratuar vetëm një muaj më parë.

Argument kryesor i përdorur nga Kuvendi në miratimin e ligjit nr.37/2018 është se vendi ka nevojë për një Teatër të Ri Kombëtar. Është fakt i gjithëpranuar, se Tirana si kryeqyteti i Shqipërisë, ka nevojë për mjedise të reja për artin e kulturën, përfshi këtu dhe ndërtimin e një godine të re për Teatrin Kombëtar.

 Për këtë çështje qeveria shqiptare dhe Bashkia e Tiranës, duhet të tregojnë përkushtimin e tyre për krijimin e mjediseve në dobi të aktorëve dhe të publikut, duke synuar ndërtimin e godinave të reja funksionale bashkëkohore, por njëkohësisht pa dëmtuar trashëgiminë e krijuar ndër vite në kompleksin e godinave ekzistuese të Teatrit Kombëtar, pasi një humbje e tillë do të ishte përfundimisht e parikuperueshme në të ardhmen.

Presidenti Republikës, vlerëson se në lidhje me këto çështje kaq të ndjeshme, të gjitha argumentet duhet të ishin ballafaquar vetëm me studime shteruese shkencore, teknike dhe ligjore në ruajtje të trashëgimisë dhe vlerave historike kombëtare, përpara se të kalohej në një vendimarrje të tilllë.

Kompleksi aktual i godinave të Teatrit Kombëtar, sipas mendimit të një pjese të mirë të bashkësisë së aktorëve, të studiuesve, akademikëve, historianëve, arkitektëve, inxhinierëve duhet ruajtur dhe mirëmbajtur, pasi vlerat e trashëgimisë dhe identitetit kulturor që ky kompleks ndërtimor ka krijuar ndër vite, nëpërmjet zhvillimit historik të artit dhe kulturës shqiptare, janë të jashtëzakonshme për identitetin kombëtar.

III.             Së treti, ligji nr. 37/2018 bie ndesh me parimet e Konventës Evropiane të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, miratuar në Paris në vitin 2003, duke bërë kështu që veprimtaria legjislative të bjerë ndesh edhe me të drejtën ndërkombëtare  detyrueshme për zbatim.

Me ligjin nr. 9490, datë 13.03.2006 Kuvendi i Shqipërisë, ka ratifikuar konventën “Për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale”, e miratuar nga Konferenca e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën, “UNESCO”, në Paris në datën 17 tetor 2003.

Me ratifikimin dhe botimin saj në “Fletoren Zyrtare”, dispozitat e kësaj konvente janë bërë pjesë e legjislacionit të brendshëm dhe zbatimi i normave të saj, ka epërsi mbi legjislacionin vendas dhe, sidomos, mbi ligjet e vendit që nuk pajtohen me të.

Nisur nga përmbajtja e ligjit nr. 37/2018 dhe pasojave që ai do të mundë të sjellë në praktikë, referuar trashëgimisë kulturore, vihet në dukje se ky ligj është në kundërshtim edhe me parashikimet e kësaj konvente.

Në nenin 2 të kësaj konvente parashikohet, veç të tjerash, se:

“Me “trashëgimi kulturore jomateriale” kuptohen: praktikat, paraqitjet, shprehjet, njohuritë dhe dijebërja (savoir-faire), si dhe veglat, objektet, artefaktet dhe hapësirat kulturore që bashkëshoqërojnë ato, që bashkësitë, grupet dhe, kur është rasti, individët, i pranojnë si pjesë përbërëse të trashëgimisë së tyre kulturore. Kjo trashëgimi kulturore jomateriale, përcjellë brez pas brezi, është rikrijuar në vijimësi nga bashkësitë dhe grupet në funksion të mjedisit të tyre, të ndërveprimit të tyre me natyrën dhe të historisë së tyre, dhe u jep atyre një ndjenjë identiteti dhe vazhdimësie, duke ndihmuar kështu për nxitjen e respektit për diversitetin kulturor dhe  të krijimtarisë njerëzore.”.

Gjithashtu, në dispozitat vijuese të nenit 3 të Konventës përcaktohet:

“Trashëgimia kulturore jomateriale”, siç është përcaktuar në paragrafin 1, shfaqet sidomos në traditat dhe shprehjet gojore, përfshirë këtu edhe gjuhën si vektor i trashëgimisë kulturore jomateriale; artet e shfaqjes (spektaklit); praktikat sociale, ritualet dhe ngjarjet festive…..”.

Ndërkohë, në nenet 11 dhe 13 të po kësaj konvente, është përcaktuar se roli dhe detyra e shtetit palë të kësaj Konvente është që të sigurohet: ruajtja, zhvillimi dhe vënia në pah e trashëgimisë kulturore jomateriale, e pranishme në territorin e tij, ku çdo shtet palë, veç të tjerash, të përpiqet që:

–          të nxisë studime shkencore, teknike dhe artistike, si dhe metodologji kërkimore për një ruajtje të efektshme të trashëgimisë kulturore jomateriale, në veçanti të trashëgimisë kulturore jomateriale në rrezik; 

–          të miratojë masat ligjore, teknike, administrative dhe financiare përkatëse me synim favorizimin e krijimit ose të forcimit të institucioneve për formimin në administrim të trashëgimisë kulturore jomateriale, si dhe përcjelljen e kësaj trashëgimie përmes forumeve dhe hapësirave të destinuara për paraqitjen dhe shprehjen e saj.

Gjithashtu, në nenin 14 të kësaj konvente përcaktohet si detyrim i shtetit palë, pra edhe i Shqipërisë, e cila e ka ratifikuar këtë konventë, që të përpiqet me të gjitha mjetet përkatëse për të promovuar edukimin për mbrojtjen e hapësirave natyrore dhe të vendeve historike, ekzistenca e të cilave është e nevojshme për shprehjen e trashëgimisë kulturore jomateriale.

Siç u parashtrua më sipër, kompleksi aktual i godinave të Teatrit Kombëtar dhe veprimtaria artistike dhe sociale e krijuar aty, që në ndërveprim me historinë dhe kohën, i japin njëra-tjetrës në mënyrë të përbashkët një ndjenjë identiteti dhe vazhdimësie të krijimtarisë njerëzore ndër vite, përbëjnë atë që në vetvehte mund të konsiderohet trashëgimi kulturore jomateriale.

Ekzistenca e këtyre godinave të kompleksit të Teatrit Kombëtar, është pjesë e pandashme edhe e trashëgimisë kulturore jomateriale, pasi në këtë hapësirë është prodhuar ndër vite art skenik, që siç citohet vet në relacionin shoqërues të Këshillit të Ministrave, përbën një shkollë të vërtetë të artit teatror kombëtar, duke kultivuar me dekada vlerat më sublime të kulturës shqiptare në mbarë hapësirën shqiptare, që përbëjnë trashëgimi kulturore.

Pra, rezulton se ligji nr. 37/2018, i miratuar nga  Kuvendi, bie ndesh edhe me parimet e kësaj  Konvente, ndaj ai duhet të deklarohet i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, pasi ai bie ndesh ndër të tjera me nenin 5 të Kushtetutës, e cila parashikon se Republika e Shqipërisë zbaton të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për të.

Në kundërshtim me detyrimet që parashikon Konventa, Kuvendi i Shqipërisë me procedurë të përshpejtuar, ka miratuar një propozim të iniciuar fillimisht nga Bashkia e Tiranës dhe të propozuar nga qeveria, duke i hapur rrugë kështu shembjes së godinave të Teatrit Kombëtar, pa një studim të mirëfilltë shkencor për një ruajtje të efektshme të kësaj trashëgimie jomateriale, ndërkohë që konventa parashikon se shteti palë duhet të miratojë: masat ligjore, teknike, administrative dhe financiare përkatëse me synim favorizimin e krijimit ose të forcimit të institucioneve për formimin në administrim të trashëgimisë kulturore jomateriale, si dhe përcjelljen e kësaj trashëgimie përmes forumeve dhe hapësirave të destinuara për paraqitjen dhe shprehjen e saj.

Mbrojtja e kësaj trashëgimie kërkon që mjediset, në të cilat ajo është krijuar, të forcohen, jetësohen edhe më shumë, pasi janë të lidhura me kujtesën që lidhet me vendin ku ato janë krijuar, pra me godinat, të cilat nëse prishen dhe nuk ekzistojnë më, përbëjnë një rrezik që kujtesa e veprimtarisë kulturore dhe artistike e lidhur me to, të humbasë.

Ky është një argument i fortë që gjen mbështetje jo vetëm në parashikimet e neneve të Konventës mbi Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore jo Materiale, por në pjesën hyrëse (preambulën) e kësaj konvente ku citohet se, trashëgimia kulturore jomateriale dhe trashëgimia materiale kulturore dhe natyrore janë të ndërvarura nga njëra-tjetra. 

  1. Së katërti, ligji nr.37/2018 cenon rëndë parimet kushtetuese të ndërtimit dhe funksionimit të organeve të pushtetit vendor të “decentralizimit” dhe “autonomisë vendore”, duke rënë ndesh, njëkohësisht edhe me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve (neni 4, 7, 13, 109, 113 i Kushtetutës) .

Kushtetuta ka vendosur tashmë se pushteti vendor funksionon bazuar mbi parimet e decentralizimit dhe autonomisë. Bazuar mbi këto parime themelore, është krijuar jo vetëm kuadri kushtetues, por dhe ai ligjor që përcakton se organet përfaqësuese të njësive bazë të qeverisjes vendore janë këshillat dhe organi ekzekutiv i bashkisë, është kryetari i saj.

Kushtetuta, në nenin 6, përcakton: “Organizimi dhe funksionimi i organeve të parashikuara në këtë Kushtetutë rregullohen me ligjet e tyre përkatëse, përveç rasteve kur në Kushtetutë parashikohet ndryshe.”

Gjithashtu, në nenin 13 të Kushtetutës parashikohet: “Qeverisja vendore në Republikën e Shqipërisë ngrihet në bazë të parimit të decentralizmit të pushtetit dhe ushtrohet sipas parimit të autonomisë vendore.”

Bazuar në këtë frymë decentralizuese dhe autonomie në vendimmarrje, Kushtetuta në nenin 113 të saj, përcakton se këshillat bashkiakë ushtrojnë të drejtat e pronës, administrojnë në mënyrë të pavarur të ardhurat e krijuara, si dhe kanë të drejtë të ushtrojnë veprimtari ekonomike.

Mbi këto parime kushtetuese, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, ligj që rregullon në mënyrë shumë të qartë veprimtarinë dhe strukturat vendimmarrëse shtetërore në nivel vendor. Ky ligj është pikërisht një nga ato akte, për të cilat Kushtetuta në nenin 81, pika 2, germa “a” parashikon se miratohet me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit; pra, me një shumicë parlamentare të cilësuar (84 vota) përkundrejt shumicës së thjeshtë, me të cilin është miratuar ligji nr. 37/2018, apo që kushtetuta parashikon se mund të miratohet një ligj i kësaj natyre.

Në nenin 54, të ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, janë parashikuar kompetencat e këshillit bashkiak, ku në pikën 1, germa “e”, është e përcaktuar se këshilli bashkiak ka për detyrë dhe për kompetencë që të miratojë tjetërsimin ose dhënien në përdorim të pronave të tretëvevendime këto që, sipas nenit 55 pika 4, të po këtij ligji, merren me jo më pak se tri të pestat e numrit të përgjithshëm të anëtarëve të këshillit. 

Ndërkohë në nenin 64 të ligjit nr. 139/2015,  janë përcaktuar dhe kompetencat e Kryetarit të Bashkisë, i cili veç të tjerave, ushtron të gjitha kompetencat në kryerjen e funksioneve të bashkisë, me përjashtim të atyre që janë kompetencë vetëm e këshillit përkatës.

Pra, nëpërmjet ligjit nr. 139/2015, ligjvënësi ka parashikuar se vendimmarrja për tjetërsimin e pronës publike, që është në pronësi të pushtetit vendor, konsiderohet me rëndësi për autonominë e pushtetit vendor dhe vendimmarrja mbi to duhet të realizohet nëpërmjet një shumice të cilësuar votash, duke diktuar kështu një mekanizëm monitorues dhe shprehës të vullnetit të qytetarëve mbi veprimtarinë e pushtetit vendor.

Ligjvënësi ka qenë i kujdesshëm që për këto çështje, kontrolli dhe balanca brenda funksionimit të vetë organeve të qeverisjes së pushtetit vendor të parashikohet me ligj dhe për këtë, funksionimi dhe zbatimi i ligjit me objektivitet do të rrisë transparencën në vendimmarrje të kësaj natyre.

Në kundërshtim me frymën e këtyre parimeve kushtetuese dhe kërkesave që parashikon ligji nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, mbi të cilin sot organizohet dhe funksionon pushteti vendor, duke vlerësuar praktikën dokumentare që ka shoqëruar fillimin e kësaj nisme propozuese deri në propozimin dhe miratimin e ligjit nr. 37/2018 nga Kuvendi, rezultojnë disa shkelje kushtetuese qoftë në veprimtarinë organizative, qoftë në atë vendimmarrëse.

Sipas relacionit shoqërues të Këshillit të Ministrave dhe raporteve të komisioneve përkatëse në Kuvend, evidentohet se në zonën ku propozohet të zhvillohet projekti, trualli në ponësi të shtetit ka një sipërfaqe prej 8465 m², nga të cilat rreth 2100 m² janë në pronësi të Bashkisë së Tiranës.

Sipas relacionit të Këshillit të Ministrave, apo raporteve të komisioneve në Kuvend, që kanë shoqëruar këtë nismë legjislative, bazë për inicimin e këtij projektligji ka qenë shkresa, e paraqitur nga Bashkia e Tiranës pranë Ministrisë së Kulturës lidhur me shprehjen e interesit për zhvillimin e zonës pranë Teatrit Kombëtar të subjektit “Fusha”, sh.p.k”. Bashkia e Tiranës ka paraqitur shkresën me nr. 6848/1, datë 23.2.2018, pranë Ministrisë së Kulturës për shprehje interesi për zhvillimin e zonës pranë Teatrit Kombëtar të subjektit ku subjekti privat angazhohet që, përveç zhvillimit të pronës në pronësi të tij, të realizojë edhe ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar, në përputhje me një projekt që do të miratohet nga të gjitha strukturat përkatëse. Pra, në rastin konkret, propozimi konsiston në shfrytëzim e gjithë pronës publike, përfshi këtu ndërtesat dhe truallin prej 2100 m², në pronësi të Bashkisë së Tiranës.

Nisur nga fakti që, propozimi i mbërritur kishte për objekt tjetërsimin e pronës publike “truall dhe ndërtesa”, të cilat pjesërisht janë në pronësi të Bashkisë Tiranë, në zbatim të nenit 113 të Kushtetutës, dhe neneve 54, 55 të ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, ishte e detyrueshme që Kryetari i Bashkisë së Tiranës këtë shprehje interesi të subjektit privat duhet ta parashtronte, paraprakisht, për diskutim përpara Këshillit Bashkiak të Tiranës, i cili kishte dhe ka kompetencën për të shprehur vullnetin për tjetërsimin e sipërfaqes prej 2100 m² në pronësi të Bashkisë Tiranë.

Nga shqyrtimi i praktikës parlamentare, që ka shoqëruar projektligjin, rezulton se ky proces i detyrueshëm ligjërisht, nuk është kryer. Pikërisht këtu fillon problemi kushtetues e ligjor, pasi është çasti i parë procedural që rezulton të jetë shmangur vendimmarrja e autoritetit publik vendimmarrës të Këshillit Bashkiak të Tiranës, që Kushtetuta dhe ligji i ka njohur.

Presidenti Republikës, vlerëson se ndjekja e një praktike të tillë rezulton të mos ketë bazë kushtetuese dhe ligjore, pasi kemi të bëjmë me një veprim propozues, i cili kërkonte patjetër një shprehje të vullnetit nga organi, të cilit i takon kjo kompetencë, pra, Këshillit Bashkiak të Tiranës.

Ndërkohë, në dokumentet parlamentare në lidhje me këtë devijim fillestar, nuk ka asnjë shpjegim apo përpjekje për të marrë vendimin apo qëndrimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës, nëse ky këshill dëshironte apo jo, që prona publike në pronësi të Bashkisë së Tiranës të përfshihej në të tilla procedura tjetërsimi, sipas propozimit të paraqitur nga një subjekt privat.

Në kundërshtim me këtë fakt, qeveria dhe Kuvendi nëpërmjet një procedure të përshpejtuar ka miratuar ligjin nr.37/2018, duke realizuar kështu dhe një cënim të bazës ligjore dhe kompetencave kushtetuese të Këshillit Bashkiak, duke anashkaluar parashikimin e drejtpërdrejtë kushtetues (neni 113) dhe të ligjit organik që rregullon veprimtarinë e organeve të qeverisjes vendore.

Kuvendi ka vendosur me ligj që prona e Bashkisë së Tiranës do të duhet të tjetërsohet dhe autoriteti që do ta realizojë dhe udhëheqë këtë proces është Kryetari i Bashkisë apo personi i autorizuar prej tij.

Pra, shkelja antikushtetuese e Kuvendit, në këtë rast, është e dyfishtë.

E para, sepse Kuvendi me procesin legjislativ ka vendosur a priori tjetërsimin e pronës publike të Bashkisë së Tiranës, ndërkohë që kjo është kompetencë e Këshillit të Bashkisë; dhe e dyta, sepse në përcaktimet e ligjit të ri nr.37/2018, Kuvendi ka përcaktuar se atributet sesi kjo pronë tjetërsohet dhe zhvillohet nëpërmjet nënshkrimit të një kontrate përfundimtare, janë në kompetencë të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës apo personit të autorizuar prej tij.

Nga shqyrtimi i këtij ligji dhe relacionit apo raporteve shoqëruese të tij rezulton:

–          Kryetari Bashkisë së Tiranës, në ndjekjen e këtij procesi dhe mbështetjen e propozimit të bërë për tjetërsimin e pronës prej 2100 m², pronë e Bashkisë së Tiranës, ka anashkaluar vendimmarrjen dhe vullnetin që duhet të shprehte Këshilli i Bashkisë së Tiranës. Hyrja në një marrëdhënie të tillë e Kryetarit të Bashkisë të Tiranës, pa siguruar autorizimin e Këshillit Bashkiak, kur bëhet fjalë për çështje të ushtrimit të së drejtës së pronës publike dhe tjetërsimit të saj, nuk është në përputhje me parimin e shtetit të së drejtës dhe tejkalon kompetencat e Kryetarit të Bashkisë, duke ndërhyrë tek kompetencat e një organi tjetër.

–          Kuvendi nëpërmjet ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt ‘Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar’”, ka shmangur autoritetin e Këshillit Bashkiak në këtë vendimmarrje.

Kjo përbën shkelje të drejtpërdrejtë të Kushtetutës, pasi ka ndërhyrë në autonominë vendimmarrëse të tij nëpërmjet procesit legjislativ, duke e kaluar me ligj këtë pronë të pushtetit vendor në funksion të tjetërsimit të vlerësimit të tij.

Shmangia e autoritetit të Këshillit të Bashkisë së Tiranës, bie ndesh edhe me nenet 4, 7, 13, 109, të Kushtetutës, të cilët garantojnë parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Sipas këtij parimi, asnjë organ, në përbërje ose jo të një prej tre pushteteve, nuk mund të ndërhyjë në trajtimin dhe zgjidhjen e çështjeve që, sipas rastit, do të përbënin objektin qendror të veprimtarisë së organeve apo institucioneve të tjera kushtetuese.

Duke qenë se Këshilli Bashkiak është një organ i parashikuar nga kushtetuta, ndërhyrja e qeverisë nëpërmjet propozimit të projektligjit dhe bërja fakt nga Kuvendi me miratimin e ligjit nr.37/2018 ka realizuar ndërhyrje të drejtpërdrejtë në kompetencat e Këshillit Bashkiak, duke bërë kështu që Këshilli Bashkiak i Tiranës të humbasë “de facto” të drejtën e shprehjes së vullnetit në ushtrimin e drejtës së pronës prej 2100 m², që sipas nenit 113 të Kushtetutës dhe nenit 54, 55 të ligjit nr. 139/2015, është në kompetencë të tij (këshillit).

Kuvendi nëpërmjet miratimit të ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt ‘Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar’”, me një ligj me shumicë të thjeshtë ka anashkaluar kështu zbatimin  e kuadrit kushtetues, si dhe atij ligjor bazë të miratuar me tri të pestat e votave e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, siç është ligji nr.139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”.

Për më tepër, ligji nr. 37/2018, bie në kundërshtim dhe jurisprudencën kushtetuese të krijuar nga vendimarrja e Gjykatës Kushtetuese, e cila në disa raste, ka interpretuar dispozitat kushtetuese, sa i takon funksionimit të organeve të qeverisjes vendore dhe ushtrimit të kompetencave prej tyre në përputhje me parimin e decentralizimit dhe autonomisë vendore. (shih vendimet e Gjykatës Kushtetuese nr.3, datë 2.02.2009, dhe nr. 29, datë 21.12.2006). 

Parimi i autonomisë vendore është një prej parimeve bazë të mbrojtur nga Karta Europiane të Autonomisë Vendore, dokument ky i miratuar nga Këshilli i Europës, dhe i ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë me ligjin nr. 8548, datë 11.11.1999 “Për ratifikimin e “Kartës Europiane të Autonomisë Vendore”.

Në një kohë kur Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, ka parashikuar brenda saj mbrojtjen dhe respektimin e parimeve të Kartës së Autonomisë Vendore, ashtu sikundër dhe ligjin nr.139/2015 “Për vetqeverisjen vendore”, ka rregulluar qartë kompetencat dhe ushtrimin e tyre nga Këshillat e Bashkisë, për çështje të tjetërsimit të pronës, rezulton që miratimi i ligjit nr.37/2018, sjell cenim të kushtetutës, pasi në realitet ky ligj jo vetëm shmang respektimin e këtyre parimeve, duke kundërshtuar drejtpërdrejt parimet dhe jurisprudencën kushtetuese, por dhe vet Kartën Europiane të Autonomisë Vendore, e cila është pjesë e legjislacionit të brendshëm. 

Në vlerësim të sa më sipër, Presidenti i Republikës vlerëson se jo vetëm ligji nr. 37/2018 është antikushtetues referuar parimeve të sipërcituara, por edhe vet inicimi i këtij procesi përmban elemente antikushtetues.

  1. Së pesti, ligji nr. 37/2018 vjen në kundërshtim me standardet dhe vlerat e Bashkimit Evropian dhe parashikimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), plotësimi i të cilave është detyrim parësor për Republikën e Shqipërisë.

Shqipëria, ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, akt ky të cilin Kuvendi e ka ratifikuar me ligjin nr. 9590, datë 27.7.2006 “Për ratifikimin e “Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe bashkësive evropiane e shteteve të tyre anëtare”. Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, Republika e Shqipërisë është angazhuar, ndër të tjera, që të përmirësojë legjislacionin e brendshëm të saj, me qëllim përafrimin me atë të bashkësisë evropiane.

Ndër detyrimet dhe angazhimet që shteti shqiptar duhet të përmbushë sipas kësaj marrëveshjeje, është dhe parashikimi se, shteti shqiptar duhet të ndjekë dhe konsolidojë mekanizmat ligjorë dhe institucionalë që kontratat publike t’i nënshtrohen konkurrencës së lirë dhe transparencës.

Me miratimin e ligjit nr. 37/2018, ky standard i Bashkimit Evropian i detyrueshëm për t’u zbatuar, është cenuar.

Nëpërmjet këtij ligji dhe parashikimeve të vendosura në dispozitat e tij, konstatohet se nuk mund të realizohet një proces konkurrimi i hapur midis ofertave të ndryshme dhe i bazuar në transparencë, ku do të mund të ishte përzgjedhur propozimi më i mirë për realizimin e një vepre apo investimi publik.

Nisur nga objekti dhe qëllimi i ligjit nr. 37/2018, si dhe mënyra sesi ky ligj rezulton të jetë shqyrtuar nga Kuvendi me procedurë të përshpejtuar, nuk rezulton që kjo nismë ligjvënëse t’i përgjigjet gjendjes reale dhe kushteve objektive të një situate pamundësie reale apo të jashtëzakonshme dhe, në këtë mënyrë, ky ligj bie ndesh me detyrimet ndërkombëtare që Republika e Shqipërisë ka përcaktuar në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

Sic u sqarua më sipër, veç të tjerave, vendosja në ligjin nr.37/2018, miratuar në 20.09.2018 e  parashikimeve ligjore që përbëjnë në thelb kushte parakualifikuese për të marrë pjesë në garë, që e bëjnë garën një proces të selektuar që prej fillimit, e bën tërësisht procesin e konkurimit krejtësisht të paracaktuar se kush do të jetë fituesi i saj.  

Për këtë arsye ligji nr. 37/2018, është në kundërshtim me detyrimet që shteti shqiptar ka marrë përsipër nëpërmjet nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, akt ky që sipas nenit  5 dhe 116 i kushtetutës është pjesë e legjislacionit të brendshëm dhe i detyrueshëm për zbatim. Pra ndër të tjera ligji nr. 37/2018 është i papatueshëm edhe me parashikimet e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. 

  1. Së gjashtipropozimi i projektligjit, por edhe vetë ligji i miratuar nr. 37/2018 nuk mbështetet në një vlerësim gjithëpërfshirës dhe të plotë për tjetërsimin e pronës publike, krahasuar me përfitimet ekonomike të shtetit shqiptar dhe interesin publik.  

Në propozimin e këtij projektligji, Këshilli i Ministrave, në relacionin që shoqëron projektin, arsyeton ndër të tjera: 

“Ministria e Kulturës është shprehur që nuk disponon mjetet e mjaftueshme financiare për realizimin e këtij investimi; për më tepër, nuk e ka parashikuar këtë investim as në PBA (2018-2020)”.… Grupi i punës ka gjykuar se Ministria e Kulturës e ka të pamundur të parashikojë fond investimi për objektin e Teatrit Kombëtar, duke pasur parasysh edhe tavanet buxhetore.  Pronari-shtet, në zonën ku propozohet që të zhvillohet projekti, ka një sipërfaqe prej 8465 m², nga të cilat, rreth 2100 m² janë pronë e Bashkisë së Tiranës. … Sipas këtij bashkëpunimi me partnerin privat, dobia kryesore është që shteti realizon ndërtimit e Teatrit të ri Kombëtar në një kohë shumë të shpejtë (3 vjet), vetëm nëpërmjet dhënies së të drejtave për zhvillim dhe pa asnjë financim publik apo fond buxhetor, duke realizuar, në këtë mënyrë, përmbushjen e një ëndrre të artistëve për të luajtur në kushte dinjitoze për ta, por edhe për publikun artdashës. Projektligji parashikon financim tërësisht me fonde private të godinës së re të Teatrit Kombëtar dhe që godina t’i dhurohet shtetit shqiptar. Vlera e pronës shtetërore, përfshirë edhe godinat të angazhuara nga ana e shtetit shqiptar, është rreth 6 milionë euro, ndërsa vlera e godinës së Teatrit Kombëtar, që do të përfitohet, është rreth 30 milionë euro”.

Të njëjtat argumente gjenden dhe në dokumentet parlamentare, raportet e komisioneve ku është shqyrtuar ky projektligj ku, veç të tjerave, ky projektligj është mbështetur dhe me këto argumente:

–       Në rastin konkret, asnjë prej institucioneve publike të parashikuara për ndjekjen e procesit dhe përfaqësimin e administratës publike nuk kanë dhe nuk do të shpenzojnë asnjë lek nga buxheti i shtetit dhe nga fondet publike;

–       Ky shkëmbim maksimizon vlerën e asetit publik apo privat që ka në dispozicion;

–       Bën optimiste vlerën e zhvillimit në qendër të Tiranës dhe të nevojës publike për teatër e shërbime të tjera;

–       Maksimizon vlerën e financimit të sipërmarrjes dhe transferon të gjitha rreziqet te zhvilluesi.

Duke mbajtur në vëmendje shkeljet kushtetuese dhe ligjore në miratimin e këtij ligji të vëna në pah më sipër, në krahasim me argumentet ekonomiko-financiare, mbi të cilat është propozuar nisma, rezulton se ligji nr. 37/2018, paraqet mangësi të theksuara, dhe paqartësi në aspektin e leverdisë ekonomike dhe financiare, në raport me interesin publik. 

Konkretisht: 

–    Në dokumentacionin që shoqëron projektligjin theksohet se ai do t’i paraprijë një “Masterplani” për zhvillimin e kësaj zone urbane. Konceptualisht, gjithmonë dhe kudo, “Masterplani” i paraprin çdo projekti tërësor në përbërje të tij dhe jo e kundërta. Në këto kushte, mungon një Masterplan për këtë zonë që përcakton mënyrën e zhvillimit urban të saj, mbi të cilin dhe brenda parametrave të tij, do të mund projektohet apo ndërtohet zhvillimi konkret i një hapësire; në rastin konkret, kryesisht pronë publike.

–          Kërkesa për shprehje interesi nga investitori privat “Fusha sh.p.k”,  apo më pas vijimi i procesit të mëtejshëm gjatë miratimit në seancë në datat 5 korrik 2018 dhe 20.09.2018 nuk është shoqëruar me asnjë dokument shterues të autoritetit publik, përmes të cilit të bëhej një analizë ekonomike-financiare mbi leverdinë e tij.

Në relacion përmendet shifra 30 milionë euro, e cila referohet si vlera që do të ketë Teatri ti ri Kombëtar, por kjo shifër nuk mbështetet në asnjë dokument (pa asnjë preventiv projekti). Ndërkohë, në relacionin e qeverisë, por dhe raportet e komisioneve, vihet në dukje se vlera e pronës publike që vendoset në dispozicion është 6 milionë euro, por e pashoqëruar me një analizë të qartë dhe të plotë tregu mbi këtë çështje. 

–          Nga informacioni i bërë publik rezulton se problematika midis institucioneve shtetërore dhe grupeve të shoqërisë civile dhe aktorëve, është diskutuar në vijimësi mbi mundësinë e realizimit të dy projekteve të ndryshme ku: njëri është projekti i Teatrit të ri Kombëtar me funksion dhe interes publik, jo tregtar apo ekonomik dhe pa përfshirë ndërtimin e godinave private dhe tjetri është ndërtimi, kryesisht në pronë shtetërore me sipërfaqe trualli rreth 8465 m² ku realizohet zhvillimi i zonës edhe me ndërtesa te tjera me karakter tregtar për interes të investitorit privat “Fusha” shpk, me të cilin shteti ka vendosur a priori të bashkëpunojë. Nuk rezulton i evidentuar ndonjë dokument mbi ekzistencën e këtyre dy projekteve apo ndonjë analizë mbi leverdinë ekonomiko-financiare.

–          Ligji nr.37/2018 i miratuar, në rastin konkret, nëpërmjet “Partneritet-Publik-Privat” i konsideron të ndërthurur realizimin e këtyre dy projekteve, sikur të jetë një projekt i vetëm; por nga ana tjetër, ligji nuk merr në konsideratë legjislacionin në fuqi për “P.P.P”, ku edhe propozimet e pakërkuara apo kërkesat për shprehje interesi nga një investitor privat duhet t’i nënshtrohen një konkurimi dhe një tenderi publik të hapur.

–          Mungesa e një gare reale ku çdokush nga operatorët ekonomikë të ketë mundësinë reale dhe objektive të paraqesë projekte alternative është e pajustifikuar nga ana ekonomike dhe financiare, përveç se është antikushtetuese, siç është arsyetuar më sipër në këtë dokument. 

Pra, në këtë mënyrë dhe në këto kushte siç është vlerësuar kjo çështje cilido autoritet që fillimisht ka përcaktuar a priori se propozimi i “Fusha sh.p.k” është alternativa më e mirë e mundshme, nuk mbështetet në asnjë vlerësim objektiv, sidomos në mungesë të një masterplani apo projekti konkret mbi zhvillimin e zonës.

Gjithashtu edhe ndryshimi i dispozitave për të hequr emrin e kësaj kompanie nga ligji, nuk solli asnjë ndryshim mbi këtë problematikë, pasi asnjë autoritet publik nuk e ka mbështetur këtë iniciativë ligjvënëse me një vlerësim objektiv të thelluar, situatë paligjshmërie kjo që thellohet edhe më shumë në mungesë të një masterplani apo projekti konkret mbi zhvillimin e zonës, të miratuar. 

–          Argumenti i përdorur se buxheti i shtetit nuk paguan asnjë “lekë” dhe, për rrjedhojë, ligji nuk mund të vlerësohet në kornizën e ligjit të koncesioneve apo “P.P.P.”, është i gabuar dhe i pambështetur. Edhe në rastin e koncesioneve të HEC-ve apo në sektorin hidrokarbur qeveria nuk kontribuon me “para” nga buxheti i saj, por në “natyrë” me burime natyrore dhe licencat përkatëse, kështu detyrimisht, të gjitha projektet kalojnë përmes tenderit të hapur publik për të marrë ofertën më të leverdisshme.

 –          Ndërkohë dhe argumenti i pamundësisë së shtetit për të parashikuar fonde investimi për Teatrin Kombëtar nuk është bindës. Konkluzionet e arritura për pamundësinë financiare të Ministrisë së  Kulturës, e krahasuar me PBA apo me tavanet buxhetore, është një vlerësim që mbështet vetëm idenë e tjetërsimit të pronës publike tek persona të tretë dhe lë jashtë vlerësimit tërësinë e argumenteve të tjera, që kanë peshën kryesore në këtë çështje. Asnjë dokument, që ka shoqëruar këtë nismë ligjore, nuk argumenton në mënyrë shteruese nëse janë eksploruar të gjitha mundësitë financiare të shtetit për ndërmarrjen e një iniciative tërësisht publike.

Është i pamjaftueshëm, deklarimi i Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, që të propozojë një projektligj të kësaj natyre, duke argumentuar në relacion se një institucion përbërës i qeverisë dhe në varësi të tij, nuk ka mundësi financiare, ndërkohë që është po vetë Këshilli i Ministrave, organi vendimmarrës më i lartë politik i ekzekutivit, që përcakton drejtimet dhe programin politik, si edhe mbështetjen buxhetore për realizimin e tyre. 

Është fakt që në pesë vjetët e fundit qeveria, me të drejtë, i ka kushtuar vëmendje të madhe dhe mbështetje ekonomike të vazhdueshme projekteve të investimeve në projektet e “Rilindjes Urbane” dhe tashmë edhe të “Rilindjes Rurale”, projekte këto që kanë kërkuar angazhime qoftë të fondeve të qeverisë, Fondit Shqiptar të Zhvillimit, apo donatorëve të ndryshëm.

Nëpërmjet këtyre projekteve, janë rivitalizuar disa qendra historike të qyteteve si: Berati, Shkodra, Tirana, Korça, Kruja, Gjirokastra, etj., që përmbajnë në vetvete trashëgimi kulturore të vendit. Të gjitha këto projekte kanë sjellë zhvillime pozitive, duke përmirësuar qoftë infrastrukturën, pasuritë private, pasurinë publike, nxitjen e turizmit kulturor dhe administrimin me efiçensë të hapësirës publike.

Nisur nga ky tregues, deklarimi i qeverisë se Ministria e Kulturës nuk ka mjete të mjaftueshme ekonomike për Teatrin Kombëtar është i pambështetur, krahasuar me mbështetjen e projekteve të tjera. Pikërisht vendimmarrja që qeveria të lërë jashtë vëmendjes së saj rivitalizimin e Kompleksit të Teatrit Kombëtar, që siç u parashtrua më sipër, përbën kujtesë historike dhe të qenësishme të trashëgimisë kulturore kombëtare, në dukje tregon për një zgjedhje të nxituar në miratimin e ligjit nr. 37/2018.

Siç u arsyetua edhe më sipër, është detyrë parësore e një shteti që të ruajë dhe zhvillojë pasuritë e tij publike, sidomos kur ato paraqesin vlera historike me karakter kombëtar.

Për këtë shteti duhet të marrë të gjitha masat që, në varësi të rëndësisë, të investojë me përparësi për këtë qëllim. Prona e kompleksit të Teatrit Kombëtar ku përfshihen si të pandashme pasuria truall dhe ndërtesat, është pronë e paluajtshme publike, që përmbush funksione themelore dhe të pandashme të shtetit dhe që sjell përfitime në funksion të publikut të gjerë, pra të të gjithë shoqërisë.

Si e tillë, ajo nuk mund të tjetërsohet me ligj të veçantë, sipas kushteve të përcaktuara në ligjin nr.37/2018, por për këtë Presidenti i Republikës, në cilësinë e Kreut të Shtetit dhe si përfaqësues i unitetit të popullit, ka vlerësuar se ajo duhet të vijojë të qëndrojë publike.

Presidenti i Republikës, në vijimësi, ka përcjellë mesazhe në adresë të institucioneve përgjegjëse për diskutim dhe dialog mbi këtë çështje. Hapësira e gjithë truallit publik në pronësi shtetërore të  Bashkisë Tiranë, Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Financave, siç deklarohet, ka një sipërfaqe prej 8465 m². Institucioni i Presidentit të Republikës, vlerëson se Bashkia e Tiranës, Ministria e Kulturës, Ministria e Financave, Qeveria dhe gjithë bashkësia e artistëve, mund të zhvillonin bisedime shteruese që të arrihej në një vendimmarrje objektive në interes të publikut të gjerë ku prona publike trualli dhe ndërtesat ku përfshihen dhe që janë pjesë dhe ajo e Kompleksit të Teatrit Kombëtar të mos tjetërsohen, por në truallin publik, nëpërmjet një plani financimi publik me afate të mirëpërcaktuara, projekti të mirëstudiuar dhe të miratuar, të mundësohet ndërtimi, edhe i godinës së Teatrit të Ri Kombëtar, por pa cenuar absolutisht kompleksin e godinave aktuale të Teatrit Kombëtar, por duke i mirëmbajtur dhe restauruar ato.

Presidenti Republikës vlerëson se trualli publik për nga vendndodhja e tij në qendër të Kryeqytetit, nuk duhet të tjetërsohet, pasi për sipërfaqen që ai paraqet mund të studiohet dhe shfrytëzohet mundësia për ndërtimin edhe të një Teatri të ri Kombëtar me fonde publike, duke krijuar kështu një mjedis të përshtatshëm për shfrytëzim për të ardhmen, por duke ruajtur njëkohësisht dhe historinë, kujtesën dhe trashëgiminë kulturore të krijuar në kompleksin aktual të godinave të Teatrit Kombëtar, të cilat duhet të mirëmbahen dhe restaurohen.

Vetëm në këtë mënyrë kjo trashëgimi do të ruhej dhe do ti transmetohej brezave të ardhshëm.

VII.          Së shtati, ligji nr. 37/2018, nuk është në harmoni me parimet dhe standardet e vendosura tashmë në legjislacionin në fuqi në Republikën e Shqipërisë

Në relacionin e qeverisë që shoqëron këtë projektligj dhe në raportet e komisioneve parlamentare vlerësohet se modeli ekonomik i propozuar mbështetet në disa praktika të aplikuara më parë nga qeveria, përgjatë tre vjetëve të fundit 2016-2018, si mënyra të reja që i japin zgjidhje optimale nevojave/kërkesave të palëve të përfshira, duke përmendur disa praktika ligjore të tilla, si:

–          Ligji nr. 41/2015, “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negociimin dhe lidhjen e kontratës koncesionare/P.P.P., me objekt ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e Rrugës së Arbrit, ndërmjet shtetit shqiptar dhe shoqërisë “China State Construction Company”;

–          Ligji nr.77/2016, “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negociimin dhe lidhjen e kontratës ndërmjet shtetit shqiptar dhe kompanisë “Star Bridge Port Developments Limited”, me objekt projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e Portit të Karpenit, zonës mbështetëse të portit dhe asaj ekonomike”;

–          Ligji nr.4/2018, “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negociimin dhe lidhjen e kontratës ndërmjet shtetit shqiptar dhe shoqërive “Cengiz Construction & Kalyon & Kolin Construction”, me objekt projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e Aeroportit të Vlorës”.

Siç konstatohet, qëllimet publike mbi të cilat është zhvilluar nisma propozuese e ligjeve të mësipërme, ka qenë realizimi i veprave publike në fushën e transportit rrugor, ajror dhe detar,si: Rruga e Arbrit, Porti i Karpenit, Aeroporti i Vlorës, të cilat vërtet mund të kërkojnë një angazhim financiar që buxheti i shtetit shqiptar, e ka të vështirë, apo të pamundur për t’i përballuar për një periudhë të caktuar kohe.

Me gjithë këtë arsyetim, që qeveria e parashtron si argument në mbrojtje të kësaj nisme ligjore, vlen të vihet në dukje se institucioni i Presidentit të Republikës, në vijimësi, ka qenë hezitues në lidhje me natyrën e këtyre akteve, përdorimi i të cilëve mund të jetë në raste të skajshme përjashtimore, kur në mënyrë shteruese janë vlerësuar objektivisht se mundësitë e tjera për të rregulluar një fushë të caktuar, nuk ekzistojnë

Rezulton se jo vetëm për të tre aktet ligjore të sipërcituara por dhe për akte të tjera të kësaj natyre Institucioni i Presidentit të Republikës nuk është shprehur me dekret për shpalljen e tyre.

Ndërkohë, që nëpërmjet këtyre ligjeve, Kuvendi ka shprehur vullnetin duke krijuar rregulla të veçanta për ndërtimin me partneritet publik privat të veprave të reja të infrastrukturës që lidhet me portet, rrugët, aeroport, me ligjin nr. 37/2018, synohet hyrja në negociata me propozuesin e selektuar paraprakisht, për të tjetërsuar një tokë publike për ndërtimin, nga njëra anë, objekte shumëkatëshe me aktivitet ekonomik privat dhe, nga ana tjetër, shteti merr si këmbim një godinë të re të Teatrit Kombëtar, por duke humbur trashëgiminë kulturore me interes kombëtar dhe ndërkohë që përllogaritja e interesit ekonomik të shtetit për truallin nuk mbështetet në studime të plota, transparente dhe shteruese.

Ndërkohë, siç dhe arsyetuam ligji nr. 37/2018, cenon barazinë para ligjit, nismën dhe veprimtarinë e lirë ekonomike, duke anashkaluar parimet dhe detyrimet për konkurrim të hapur dhe transparent të parashikuara qoftë në Kushtetutë, por dhe në ligjin nr. 9643 datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik” i ndryshuar dhe ligjin nr. 125/2013 “Për partneritetin publik privat”, i ndryshuar. 

VIII.       Së teti, miratimi i ligjit nr.37/2018 nuk është bazuar në një verifikim dhe vlerësim të thelluar të statusit të pasurive të paluajtshme që përfshihen në këtë projekt, si dhe dispozitat e këtij ligji krijojnë pasiguri juridike në ushtrimin e të drejtave pronësore qoftë për pasurinë publike, por dhe mbi të drejtat private të pronësisë. 

Në relacionin shoqërues të projektligjit Këshilli i Ministrave, arsyeton ndër të tjera: 

“Nga Bashkia e Tiranës është paraqitur kërkesa me nr. 6848/1, datë 23.2.2018, pranë Ministrisë së Kulturës, për shprehje interesi për zhvillimin e zonës pranë Teatrit Kombëtar të subjektit “Fusha”, sh.p.k.” Në përbërje të kësaj kërkese, subjekti privat angazhohet që, përveç zhvillimit të pronës në pronësi të tij, të realizojë edhe ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar, në përputhje të një projekti që do të miratohet nga të gjitha strukturat përkatëse.” ……. Pronari-shtet, në zonën ku propozohet që të zhvillohet projekti, ka një sipërfaqe prej 8465 m², nga të cilat, rreth 2100 m² janë pronë e Bashkisë së Tiranës… .Po kështu, krahas teatrit, zhvillohet edhe e gjithë zona në afërsi të qendrës, duke i sjellë vlerë të shtuar kryeqytetit dhe duke përmbushur të drejtat/kërkesat legjitime të pronarëve privatë për zhvillim……”. 

Ndërkohë, në Raportin e Komisionit të Veprimtarive Prodhuese dhe Mjedisit si komision përgjegjës për shqyrtimin e këtij projektligji, ndër të tjera, citohet se:

“Pyetjeve të deputetëve lidhur me sipërfaqen e pronës shtet, e cila do të vihet në dispozicion në shkëmbim të zhvillimit të projektit dhe me pronësinë e kësaj sipërfaqeje, iu përgjigj nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, zoti Arbjan Mazniku, i cili sqaroi se pronari-shtet, në zonën ku propozohet që të zhvillohet projekti, ka një sipërfaqe prej 8465,2 m², nga të cilat 5522,7 m² janë të teatrit, sipërfaqe e cila do të vazhdojë të mbetet e teatrit edhe pas ndërtimit të godinës së re, dhe rreth 2100 m²  janë pronë e Bashkisë së Tiranës… .

Ndërkohë, në nenin 3, të ligjit nr. 37/2018 parashikohet: “Projekti” është ndërtimi i godinës së re të Teatrit Kombëtar dhe zhvillimi i zonës ndërmjet rrugëve “Abdi Toptani” dhe “Murat Toptani”, sipas propozimit të paraqitur nga partneri privat, ndërkohë që në nenin 4 parashikohet se në dispozicion të zhvillimit të projektit vihen pasuritë e paluajtshme në pronësi shtet, sipas parashikimeve të këtij ligji, Kodit Civil dhe legjislacionit për pronat e paluajtshme.

Referuar dokumentacionit shoqërues të projektligjit të qeverisë dhe Kuvendit, konstatohet se këto organe nuk kanë siguruar më parë një informacion ligjor të plotë dhe sipas ligjit, të regjimit pasuror të pasurisë së paluajtshme shtetërore apo private, që përfshihet në këtë çështje.

Sipas parashikimeve të ligjit të miratuar, rezulton se e gjithë prona publike truall apo ndërtesë, e cila ndodhet ndërmjet rrugëve “Abdi Toptani” dhe “Murat Toptani”, do të përfshihet në zhvillim, por pa bërë transparente se cila është realisht pasuria publike që preket nga kjo iniciativë ligjore. Siç dihet, brenda kësaj zone ka dhe ndërtesa të tjera me funksion publik.

Ndërkohë, mungon dhe harta kadastrale e regjistrimit të pasurive të paluajtshme në të cilën do të duhej të bëheshin transparente për publikun kufijtë dhe pozicioni gjeografik i pronave që janë propozuar për tjetërsim dhe për tu përfshirë në këtë iniciativë sipas kërkesës për shprehje interesi.

Referuar dokumenteve në dispozicion, rezulton se organi publik që ka shqyrtuar nismën nuk ka siguruar një informacion të plotë ligjor dhe hartografik nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, mbi bazën e të cilit do të mund të vlerësohej nëse mbi godinat, truallin rezulton i regjistruar ndonjë kufizim, e drejtë parablerjeje, peng hipotekor, apo marrëveshje kufizuese, që mund të sjellë pasoja në realizimin e projektit. Kjo është një mangësi  në vlerësimin e këtij projektligji, pasi pa ditur me përpikmëri të drejtat e pronësisë publike apo/dhe private qoftë mbi truallin dhe ndërtesat, kufizimet e ndryshme që mund të rëndojnë mbi to, nuk ka sesi të vlerësohet hyrja a priori në një procedurë të tillë negocimi dhe të vlerësohet rezultati i tyre.

Kjo çështje lidhet gjithashtu edhe me një fakt të bërë publik: origjina e pronës truall, mbi të cilin është ndërtuar kompleksi i Teatrit Kombëtar, i cili sipas informacionit të bërë publik, rrjedh nga një kontratë shitblerjeje, e vitit 1938 nga familja Libohova si shitës, tek përfaqësuesi shtetëror i kohës si blerës ku, vullneti i pronarëve privatë, në momentin e shitjes së pronës truall (viti 1938) ka qenë shitja me destinacion ndërtimin dhe përdorimin për veprimtari kulturore nga shteti.

Pikërisht përfshirja sot me ligj e gjithë sipërfaqes së truallit në një tjetërsim të kësaj natyre me një subjekt të tretë dhe për interesa kryesisht private, mund të krijojë rrezikun e ngritjes së pretendimeve civile mbi rikthimin e sendit, apo të drejtave të zhvillimit mbi të, çka do të përbënte një pasiguri juridike për mbrojtjen e interesave shtetërorë duke krijuar hapësirë për cenimin e të drejtave të pronës publike.

Për më tepër, në zonën e trajtuar nga ligji nr.37/2018 mund të rezultojnë të drejta private pronësie mbi ndërtesa apo truall, gjë e cila duhet të ishte vënë në dukje dhe trajtuar në këtë propozim përpara se ky t’i paraqitej qeverisë dhe Kuvendit. Përfshirja a priori me detyrim nën një zhvillim të tillë nëpërmjet ligjit, përbën në vetvete cenim të sigurisë juridike.

Kjo pasiguri buron nga fuqia e drejtpërdrejtë që Kuvendi, nëpërmjet ligjit të veçantë, detyron zhvillimin e një zone të caktuar edhe mbi të drejta pronësie private, por jo për interesa publike, por kryesisht për interesa ekonomike private.

Pra rezulton që, përveç se një nga pronarët e pasurisë publike siç është Këshilli Bashkiak i Tiranës, është shmangur në përcaktimin e këtij vullneti, por dhe pronarit/ët privatë që mund të ekzistojnë në këtë zonë, u është imponuar një mënyrë zhvillimi sipas shprehjes së interesit të një partneri privat.

Mbrojtja e veçantë që parashikon neni 41 i Kushtetutës, në të cilën parashikohet se e drejta e pronës private është e garantuar dhe se ligji mund të parashikojë shpronësime ose kufizime në ushtrimin e së drejtës së pronës vetëm për interesa publikë, rezulton e cenuar, pasi çdo pronar privat që posedon një titull pronësie në zonën që përfshihet në zhvillim, është i detyruar me ligj ta përfshijë pronën e tij për zhvillim të detyruar sipas ligjit nr. 37/2018.

Në këtë mënyrë rezulton se ligji i miratuar krijon pasiguri juridike/ligjore.  

Gjykata Kushtetuese, në shumë vendime të saj, ka arsyetuar: “Parimi kushtetues i shtetit të së drejtës do të konsiderohet i dhunuar, nëse mohohen ose shkelen siguria ligjore, stabiliteti ligjor dhe mbrojtja e pritshmërive të ligjshme. Për të kuptuar dhe zbatuar drejt këtë parim, kërkohet që ligji në një shoqëri të ofrojë siguri, qartësi dhe vazhdimësi, në mënyrë që individët t’i drejtojnë veprimet e tyre në mënyrë korrekte e në përputhje me të… . (shih vendimin nr. 36, datë 15.10.2007 të Gjykatës Kushtetuese).

Nga sa më sipër, rezulton se ligji nr.37/2018, cenon jo vetëm parimin e sigurisë juridike, por ai trondit edhe stabilitetin/ligjor aktual, mbi të cilin rregullohen marrëdhëniet e pronësisë dhe zhvillimit të saj, referuar akteve ligjore në fuqi.

 Të nderuar anëtarë të Gjykatës Kushtetutës, 

Referuar sa më sipër, me qëllim respektimin e parimeve dhe parashikimeve kushtetuese, për të garantuar që rendi juridik i normave të legjislacionit shqiptar, është i njëjtë dhe i barabartë për të gjithë dhe askush nuk mund të ketë një trajtim të parapëlqyer nga qeveria nëpërmjet Kuvendit, duke vënë në shfrytëzim dhe tjetërsuar pasuri publike me rëndësi historike të vlerave të artit dhe kulturës të shtetit shqiptar, Presidenti i Republikës, në cilësinë e Kreut të Shtetit dhe si përfaqësues i unitetit të popullit, përfundimisht vlerëson se :

Ligji nr.37/2018, “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt ‘Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar ”

  1. Nuk është në përputhje me parimet kushtetuese dhe bie ndesh me dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë; 
  1. Shkel parimet e “barazisë përpara ligjit” dhe “lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve”, parime këto që gëzojnë një mbrojtje të veçantë nga Kushtetuta, duke cenuar funksionimin e vet shtetit të së drejtës;  
  1. Nuk është në harmoni me parimet themelore kushtetuese të identitetit kombëtar dhe trashëgimisë kombëtare, mbi të cilat qytetarët e Republikës së Shqipërisë kanë vendosur të ngrenë dhe zhvillojnë shtetin e tyre; 
  1. Bie ndesh me parimet e Konventës Evropiane të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, miratuar në Paris në vitin 2003, duke bërë kështu që veprimtaria legjislative të bjerë ndesh edhe me të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për zbatim;  
  1. Cenon rëndë parimet kushtetuese të ndërtimit dhe funksionimit të organeve të pushtetit vendor të “decentralizimit” dhe “autonomisë vendore”, duke rënë ndesh, njëkohësisht, edhe me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve; 
  1. Bie ndesh me Kartën Europiane të Autonomisë Vendore, e miratuar nga Këshilli i Europës, dhe e ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë me ligjin nr. 8548, datë 11.11.1999 “Për ratifikimin e “Kartës Europiane të Autonomisë Vendore”; 
  1. Bie në kundërshtim dhe jurisprudencën kushtetuese të krijuar nga Gjykata Kushtetuese, mbi parimet e funksionimit të organeve të qeverisjes vendore dhe ushtrimit të kompetencave prej tyre në përputhje me parimin e decentralizimit dhe autonomisë vendore; 
  1. Vjen në kundërshtim me parashikimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), plotësimi i të cilave është detyrim parësor për Republikën e Shqipërisë, si dhe me standardet e vlerat e Bashkimit Evropian;  
  1. Nuk është në harmoni me parimet dhe standardet e vendosura tashmë në legjislacionin në fuqi në Republikën e Shqipërisë; 
  1. Propozimi i projektligjit, por edhe vetë ligji i miratuar, nuk mbështetet në një vlerësim gjithëpërfshirës dhe të plotë për tjetërsimin e pronës publike, krahasuar me përfitimet ekonomike të shtetit shqiptar duke bërë kështu të cenueshëm interesin publik;  
  1. Cenojnë parimin e sigurisë juridike në ushtrimin e të drejtave pronësore qoftë për pasurinë publike, por dhe mbi të drejtat private të pronësisë. 

Për gjithë sa u parashtrua më sipër, Presidenti i Republikës, në mbështetje të nenit 131 pika 1, germa “a”,  134 pika 1 germa “a”, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenit 49/1, 50/1 të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, parashtron këtë kërkesë përpara Gjykatës Kushtetuese me qëllim që në përfundim të shqyrtimit të vendosë: 

–          Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën, si dhe me Marrëveshjet Ndërkombëtare të ligjit nr.37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”. 

–          Pezullimin e zbatimit të ligjit nr.37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”, derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese mbi këtë çështje të hyjë në fuqi. 

Bashkëlidhur i paraqesim Gjykatës Kushtetuese kopjen të njëhsuar të dokumenteve dhe materialeve, listuar sipas shtojcës 1, që shoqëron këtë kërkesë.

Sot në momentin e paraqitjes së kësaj kërkese, Gjykata Kushtetuese është tërësisht jashtë funksionit të saj dhe prej 16-muajsh ajo nuk gëzon kuorumin e nevojshëm për të shqyrtuar çështje të kësaj natyre.

Presidenti i Republikës, në ushtrim të kompetencës së tij kushtetuese, parashtron kërkesën që kjo çështje të shqyrtojë me përparësi të veçantë dhe prioritet emergjent, sapo kjo gjykatë, në respekt të frymës dhe kërkesave të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të bëhet funksionale.

Presidenti i Republikës, në mbështetje të nenit 45/1 të ligjit nr.8577/2000, parashtron kërkesën imediate për pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 37/2018, “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt ‘Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”, pasi siç po evidentohet në mënyrë të qartë dhe publikisht ekzistojnë të gjitha mundësitë dhe rreziqet që Qeveria Shqiptare dhe Bashkia Tiranë, duke zbatuar këtë ligj antikushtetues, që bie në kundërshtim me interesin publik, të realizojnë prishjen, apo dëmtimin e kompleksit të godinave të Teatrit Kombëtar, duke sjellë kështu pasoja të rënda, të pariparueshme për interesin publik shtetëror dhe për trashëgiminë kulturore kombëtare.

Ky pezullim duhet të vendoset dhe të zgjasë për aq kohë sa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese mbi këtë çështje do të hyjë në fuqi.

Presidenti i Republikës, nisur nga shkaqet e kundërshtimit të ligjit nr. 37/2018, që lidhen drejtëpërdrejtë me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore kombëtare dhe mbrojtjen e interesit publik të përgjithshëm, kërkon që kjo kërkesë të jetë çështja e parë që Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë pas konstituimit dhe fillimit të funksionimit të saj, sipas standarteve kushtetuese të reformës në drejtësi të realizuar pikërisht 3-vjet më parë.  

Në zbatim të nenit 42 të ligjit nr.8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, i ndryshuar, Institucioni i Presidentit të Republikës, i parashtron gjithashtu Gjykatës se, i gjithë dokumentacioni shkresor i krijuar apo i administruar prej palëve të interesuara Bashkia Tiranë, Ministria e Kulturës, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave, Kuvendi, që ka lidhje me çështjen është i nevojshëm  për shqyrtimin e saj dhe duhet të bëhet pjesë e këtij shqyrtimi kushtetues.

Tiranë, më 24 korrik 2019  

PRESIDENTI I REPUBLIKËS

ILIR META

 Shtojca 1

Lista e dokumenteve të njehsuar që shoqërojnë kërkesën e Presidentit të Republikës:

  1. Shkresë e Kuvendit nr.2288 prot, datë 10.07.2018 “Dërgim ligjesh për shpallje”
  1. Ligji nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”;
  1. Dekreti nr. 10849, datë 27.07.2018, i Presidentit të Republikës për “Kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar” dhe arsyet bashkëlidhur.
  1. Shkresë e Institucionit të Presidentit të Republikës nr.2209 prot, datë 27.07.2018 “Dërgohet Dekreti i Presidentit të Republikës nr.10849, datë 27.07.2018”.
  1. Shkresë e Kuvendit nr.2288/3 prot, datë 24.09.2018 “Dërgim ligji për shpallje dhe vendimi për dijeni”
  1. Vendim i Kuvendit të Shqipërisë nr. 96/2018, për: “Miratimin e dekretit nr. 10849, datë 27.07.2018, të Presidentit të Republikës “Për kthimin e ligjit nr.37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”.
  1. Ligjin nr.37/2018, datë 20.09.2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt `Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”.
  1. Dekreti i Presidentit të Republikës nr.10908, datë 11.10.2018, për “Kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 37/2018, datë 20.09.2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar” dhe arsyet bashkëlidhur.
  1. Shkresë e Institucionit të Presidentit të Republikës nr.2989 prot, datë 11.10.2018 “Dërgohet Dekreti i Presidentit të Republikës nr.10908, datë 11.10.2018”.
  1. Shkresë e Kuvendit nr.3130/1 prot, datë 29.10.2018 “Dërgim vendimi për dijeni”
  1. Vendimi i Kuvendit nr.110/2018, për “Rrëzimin e Dekretit të Presidentit nr. 10908, datë 11.10.2018.

Kopje e praktikës parlamentare të publikuar nga Kuvendi i Shqipërisë, në faqen zyrtare në linkun  https://www.parlament.al/ProjektLigje/ProjektLigjeDetails/50048.

Zëri i Amerikës: Tiranë, tensione para Teatrit Kombëtar

Momente të forta tensioni u rregjistruan që prej mëngjesit të sotëm përpara godinës së Teatrit Kombëtar në Tiranë, ku pati përplasje mes forcave të policisë dhe një grupi artistësh dhe qytetarësh që kundërshtojnë projektin e qeverisë për të prishur godinën ekzistuese dhe ndërtimin aty, në kuadër të një kompleksi të madh pallatesh shumëkatëshe, dhe të një ndërtese të re moderne të Teatrit.

Gjithçka nisi kur pranë godinës së Teatrit u shfaqën forca të policisë së Rendit për të siguruar hyrjen e disa punonjësve të administratës të ngarkuar me procesin e invetarizimit të materialeve. Artistët dhe disa qytetarë të cilët e kishin kaluar natën në oborrin e Teatrit, tentuan dhe ata të hynin brenda “për të parë se çfarë po bënin aty punonjësit e administratës”. Përplasjet vijuan për një kohë të gjatë, ndërsa numri si i artistëve dhe qytetarëve protestuesë ashtu dhe i forcave të Rendit, të cilëve ju bashkua dhe policia Bashkiake, erdhi në rritje. Situata pati çaste të forta acarimi, kur policisë ju desh të largonte me forcë artistët që kërkonin të hynin në godinë. Aktori dhe regjisori i njohur Edmond Budina, tha se forcat e policisë e kishin “tërhequr zvarrë”.

Protestës para Teatrit iu bashkuan dhe përfaqësues të opozitës dhe më pas dhe kryetari demokrat Lulzim Basha. “Betejën po e bëjnë artistët dhe Aleanca për Teatrin, ne jemi në mbështetje të tyre dhe do të jemi në mbështetje me të gjitha format dhe mjetet. Çdo përpjekje për të hapur gropën e Teatrit, do të kthehet në gropën e Ramës”, deklaroi zoti Basha, sipas të cilit projekti që synon prihjen e godinës aktuale dhe ndërtimin e një Teatri të ri “është një projekt grabitës. Ky është një projekt kriminal, me anë të cilit Edi Rama kërkon të grabisë miliona euro, bashkë me klientët e tij. Gjithçka që po zhvillohet këtu ka vetëm një qëllim: grabitjen e kësaj toke, zhvillimin e një projekti mbi 200 milion euro për të pastruar paratë e drogës me një arkitekt të dënuar në Itali, që është arkitekti klient i Edi Ramës. Pra, është një skemë e pastër mafioze për t’i rrëmbyer kryeqytetit dhe gjithë Shqipërisë Teatrin Kombëtar për të pasuruar Edi Ramën dhe një grusht hajdutësh që kanë marrë përsipër prishjen e Teatrit Kombëtar dhe pastrimin e parave të drogës dhe paratë e Edi Ramës”.

Për situatën e krijuar ndërhyri dhe presidenti Ilir Meta. “Rrethimi me policë i Teatrit Kombëtar dhe përplasjet fizike me komunitetin e artistëve, të cilët janë aty në mbrojtjen e një prej vlerave të trashëgimisë tonë historike, kulturore e kombëtare, janë një ngjarje e shëmtuar dhe e turpshme”, shkruajti Kreu I Shtetit në një postim në Facebook. “I bëj thirrje Policisë së Shtetit të respektojë artistët dhe të mos i dhunojë ata fizikisht në ushtrimin e së drejtës së tyre për të protestuar ndaj një vendimi abuziv e korruptiv për prishjen e godinës së Teatrit, dhe as t’i lëndojë ata shpirtërisht, në respekt të dinjitetit njerëzor dhe kontributeve të vyera që kanë dhënë për artin e kulturën kombëtare. As sampistët e Ramiz Alisë nuk e kanë prekur me dorë Edmond Budinën në dhjetor ’90! Shumë turp! Shumë turp! Shumë turp!”, e mbylli postimin e tij zoti Meta, i cili sot do të depozitojë në Gjykatën Kushtetuese, kërkesën për shpalljen antikushtetuese të ligjit për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar”.

Ndërsa situata erdhi duke u qetësuar, disa artistë dhe qytetarë mundën të hyjnë në godinën e Teatrit nga një prej dritareve anësore. Prej andej ata hapën nga brenda derën kryesore. Që nga ky moment policia nuk bëri më rezistencë dhe protestuesit hynë në mjediset e Teatrit, duke qëndruar në sallën e shfaqjeve. Bashkë me ta, aty po qëndron dhe kryetari demokrat Basha dhe përfaqësues të tjerë të opozitës.

Debati për Teatrin ka nisur që prej fillimit të vitit të shkuar, kur qeveria bëri të njohur projektin për shembjen e tij dhë ndërtimin e një godine të re, pas së cilës qëndron një projekt i paracaktuar për një kompleks ndërtimesh shumëkatëshe që do të ngrihen nga kompania private “Fusha”. Qeveria ka këmbëngulur gjatë gjithë kohës se projekti ka qenë një ofertë e pakërkuar e kompanisë “Fusha”, me pretendimin se ajo ka një pjesë të pronësisë mbi truallin, ndonëse jo më shumë se tre përqind. Por faktet kanë dëshmuar se ajo ka qenë një ofertë e koordinuar më parë me qeverinë e cila fillimisht paraqiti një ligj të posaçëm i cili u kritikua dhe nga Komisioni europian, për shkak se proejkti shmangte një garë të hapur. Socialistët bënë më pas ndryshime në ligj, duke vendosur hapjen e një gare, por e gjitha duket të jetë vetëm në letër, pasi asnjë konkurrent tjetër nuk plotëson të paktën kushtin që të marrë miratimin e të gjithë pronarëve të truallit, pasi i duhet të marrë leje dhe nga kompania Fusha.

Kandidati për kryeprokuror, Çela, kalon Vettingun

Prokurori i Krimeve të Rënda, Olsian Çela, njëkohësisht një nga katër kandidatët për postin e Prokurorit të Përgjithshëm, kaloi sot testin e rivlerësimit. Prokurori Çela kaloi pa asnjë problem procesin e rivlerësimit, në të 3 kriteret e tij, atë formimit profesional, të pastërtisë së figurisë si dhe të pasurisë, kriter i cili ka qenë shkak që ka çuar në shkarkimin e pjesës dërmmuese të gjykatësve dhe prokurorëve që i janë nënshtruar rivlerësimit.

Me një karrierë të gjatë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda të cilën e ka drejtuar dhe për disa vite, zoti Çela shihet si ndër favoritët kryesorë për të marrë në dorë drejtimin e Prokurorisë së Përgjithshme. Në garë është dhe Prokurorja e Apelit Fatjona Memçaj , dhe avokati Lulzim Allushaj si dhe drejtuesja aktuale e Prokurorisë së Përgjithshme Arta Marku. Kjo e fundit u emërua nga parlamenti me një mandat të përkohshëm në dhjetor të vitit 2017. Gjatë kësaj periudhe ajo ka qenë në shënjestër të kritikave, sidomos të opozitës, për zvarritje sipas kësaj të fundit, të hetimeve në çështje ku rezuton të implikuar eksponentë socialistë, ndërkohë që dhe disa emërime apo lëvizje prokurorësh nga ana e saj janë shoqëruar, shpesh me polemika.

Procesi i përzgjedhjes pas aktit të sotëm, hyn në fazën finale. Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të duhet të presë vetëm zbardhjen e vendimit të Komisionit, si dhe kohën brenda së cilës Komisioneri Publik vendos të ankimojë ose jo rastin e zotit Çela, dhe duhet të nisë me intervistimet e të katër kandidatëve në garë, e më pas vlerësimin e tyre në bazë dhe të një sistemi pikësh. Në fund do të jetë parlamenti ai që do të marrë vendimin përfundimtar. Emërimi i Prokurorit të Përgjithshëm kërkon një shumicë të cilësuar me 3 të pestat e parlamentit. Në rast se ku quorum nuk arrihet, atëherë automatikisht, posti i kalon kandidatit të renditur i pari në listën e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. za

Nga Mirdita në Përmet, ja vendburimet e arit në Shqipëri

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nisur procesin e konsultimit publik për programin e veprimit 3-vjeçar, për vitet 2019 – 2021, në zbatim të Strategjisë Minerare.

 

Ky projektvendim ka për qëllim miratimin e programit të veprimit për zbatimin e strategjisë minerare, i cili është dokumenti afatmesëm i planifikimit minerar, për periudhën 3 (tre) vjeçare 2019 – 2021, që hartohet në bazë të strategjisë minerare dhe që përcakton politikat dhe programet e veprimit dhe kërkon të realizojnë zhvillimin e qëndrueshëm të burimeve minerare ekzistuese dhe në perspektivë, në përputhje me zhvillimet e reja të ekonomisë shqiptare, në respekt të mjedisit ku jetojmë” shkruhet në projektvendimin që ka kaluar në proces konsultimi.

Nisma përmban 3 anekse; planin 3 vjeçar të shfrytëzimit minerar, të dhënat për vendburimet dhe zonat që konsiderohen të rrezikshme. Në listën e  të dhënave për vendburimet që publikon SCAN janë edhe zonat minerare që përmbajnë metale të çmuara si ar, argjend apo platin. Në aneks rezulton se janë 6 zona minerare me përmbajtje ari.

Më poshtë lista e vendburimeve të arit:  

-Mirditë/Zona e Bukëmirës-Simon

-Përmet

-Kuçovë-Berat-Gramsh/Zona e  Mendrakës-Lumi i Tomorricës

-Mirditë/Zona e Kaçinarit

-Librazhd/Zona Babje/Ar

-Mirditë/Zona Kthellë e Epërme

SCAN

Ikja pa kthim – Të dytët në Europë, ja sa shqiptarë morën shtetësinë në një nga vendet e BE më 2017

Ndonëse një shtet me një popullsi të vogël, më pak se 3 milionë banorë, shqiptarët u renditën të dytët në Europë në vitin 2017 sa i përket fitimit të shtetësisë në një nga vendet e Bashkimit Europian. Emigrantët e ikur në vite tashmë po bëhen qytetarë me të drejta të plota në BE, kryesisht në Greqi dhe Itali.

 

Të dhënat e Eurostat bëjnë të ditur se 58,853 morën shtetësi në një nga vendet e BE-së në 2017-n, duke u renditur ndër tre vendet e para në Europë që kanë marrë shtetësi në një nga vendet e BE-së. Në vend të parë është maroku, me rreth 68 mijë pasaporta dhe në vend të tretë është India me 32 mijë pasaporta.
Italia ka dhënë 27,112 pasaporta për shqiptarët, teksa ata rezultojnë më të “preferuarit”, duke u renditur të parët. Pas tyre janë marokenët (22.6 mijë) dhe brazilianët (rreth 10 mijë).

Greqia ka dhënë gati 30 mijë pasaporta për emigrantët shqiptarë. Ata që jetojnë në Greqi kanë rezultuar tepër të preferuar sa i përket vendimmarrjes së institucioneve për t’i dhënë shtetësinë. Vendi i dytë që ka marrë më shumë shtetësi greke është Ukraina, me vetëm 500 dhe të tretët janë moldavët me 378.
Përveç Greqisë dhe Italisë, shqiptarët po arrijnë të marrin pasaporta dhe në shtete të tjera, por me shifra shumë më të ulëta. Belgjika ka dhënë 571 pasaport, Gjermania ka dhënë 374 pasaporta, Mbretëria e Bashkuar 315, Franca 282.

Shtetësia në BE

Më 2017, 825 mijë persona kanë fituar shtetësinë e një shteti anëtar në BE. Shtetet Anëtare ku shumica e njerëzve morën shtetësi në 2017 ishin Italia (18% e të gjitha shtetësive të fituara në BE), Mbretëria e Bashkuar (15%), Gjermania dhe Franca (14% secila), Suedia dhe Spanja (8% secila).

Përfituesit kryesorë të një shtetësie të BE ishin njerëzit nga Maroku (8%), Shqipëria (7%), India dhe Turqia (4% secila). Franca, Spanja dhe Italia (së bashku 83%) ishin Shtetet Anëtare kryesore ku shtetasit nga Maroku kishin fituar shtetësi, ndërsa për ata nga Shqipëria ishte në Greqi dhe Itali (së bashku 97%). Mbretëria e Bashkuar (53%) ishte shteti anëtar kryesor ku popullsia nga India fitoi shtetësi, ndërsa për ata nga Turqia ishte Gjermania (50%). Monitor

Takim sekret Meta-Rama në Lalëz? Reagon zëdhënësi i Presidentit: Ja e vërteta

Në disa media është përfolur për një takim sekret mes Presidentit, Ilir Meta dhe Kryeministrit Edi Rama, të zhvilluar në Gjirin e Lalzit pak ditë më parë.

Lajmi ka ngjallur jo pak interes për shkak të marrëdhënieve te tensionuara mes Metës dhe Ramës, të cilët i kanë shpallur “luftë të hapur” njeri-tjetrit. Madje PS e ka shpallur presidentin si “armik të kushtetutës” dhe si të tillë ka nisur procedurën për shkarkimin e tij.

 

I pyetur nga “Panorama Online” lidhur me një takim të supozuar mes Presidentit Meta dhe kryeministrit Rama në Lalëz, zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi u shpreh se: “Ky është një thashetheme plazhi!”.

Ftesat dhe takimet ‘sekrete”

Para ditës së votimeve, ftesat nuk kanë munguar nga Meta në adresë të Ramës. Ai e ka pritur Ramën në Presidencë për të diskutuar rreth mundësisë së shtyrjes së datës së zgjedhjeve, por sipas Presidentit, Rama ditën e takimit ka shkuar të lahet në një pishinë afër Presidencës dhe nuk shkoi në takim me kreun e shtetit.

Takim i fundit ‘sekret’ mes Metës dhe Ramës ka qenë në Pallatin e Brigadave, ku vetë kreu i shtetit ka rrëfyer rezultatet e këtij takimi.

“Kemi pasur një drekë sekrete, e fundit para 10 ditësh në Pallatin e Brigadave ku kemi biseduar dhe ai e di shumë mirë sa i shqetësuar jam unë për këtë situatë dhe tejkalimin e saj. I takonte atij të kërkonte datë tjetër për zgjedhjet. Prandaj Rama ka deklaruar se nuk ishte i surprizuar nga vendimi im. Në 24 maj dhe publikisht kam shprehur gatishmërinë time për ti shërbyer një zgjidhje pas dakordësimit të palëve për të shfuqizuar datën 30 qershor e për të gjetur zgjidhje për një datë tjetër. Kjo kërkesë e imja nuk ka funksionuar, dhe dy tre ditë para se të merrej ky vendim Rama ka qenë ne TV dhe ka bërë të qartë se nuk e vë në diskutim 30 qershorin.

S’kam bërë tentativë për të komunikuar me të ditë më ka nderuar duke vizituar Skraparin. E vërteta është se kam bërë përpjekje për të komunikuar me Rucin, por ka qenë duke udhëtuar drejt Tepelenës, kjo është historia pse Rama s’ka qenë i surprizuar, unë kam qenë me reagimin e tij. Megjithatë ka kohë të reflektojë”, tha Meta. /PANORAMA

“9 vite më parë Gjykata Ndërkombëtare i njohu Pavarësinë”- Meta: Kosova shtet i lirë e pavarur realitet i pakthyeshëm

Presidenti Ilir Meta ka kujtuar sot njohjen e pavarësisë së Kosovës, nëntë vite më parë, nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Në facebook, Meta shkruan se Kosova shtet i lirë dhe i pavarur është një realitet i pakthyeshëm, ndërsa shton se ka kontribuar për më shumë paqe e stabilitet në rajon.

 

Postimi i plotë:

Nëntë vite më parë, pretendimit serb mbi paligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë i dha fundin e merituar, duke njohur aktin e shpalljes së pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare.

Ky vendim historik ishte njëkohësisht njohje dhe vlerësim ndaj sakrificave sublime të të gjithë atyre që nuk iu nënshtruan spastrimit etnik dhe nuk bënë asnjë kompromis me të drejtën e patjetërsueshme të qytetarëve të Kosovës, për të jetuar të lirë dhe në paqe si të gjithë evropianet e tjerë.

Ishte kënaqësi për mua ta përjetoja këtë moment historik si Ministër i Jashtëm, asokohe i një qeverie që bëri më të mirën për të forcuar pozitën ndërkombëtare të Kosovës.

Kosova si shtet i lirë dhe i pavarur është realitet i pakthyeshëm që ka kontribuar për më shumë paqe, siguri dhe stabilitet në rajonin tonë.

Dita: Rama dhe Meta janë takuar dy netë më parë në Gjirin e Lalzit

Kryeministri Edi Rama ka qenë dy netë më parë në Gjirin e Lalzit

Megjithëse është zgjedhur një orë e vonë për “vizitën”, prania e KM është kuptuar nga prania e shoferit dhe truprojës kryesore të Ramës, të cilët janë parë duke pritur në lokalin e kompleksit Lura 1 afër bregut.

Lura 1 është pjesa e bregut të Lalzit ku kanë vilat e famshme verore pak metra larg njëri-tjetrit familjet Meta dhe Berisha.

Kjo do ishte hera e dytë që Rama dhe Meta takohen jopublikisht gjatë kohës së krizës politike.

Sinjali për një takim mes tyre u dha nga një foto e Metës disa ditë më parë botuar nga vetë ai në rrjete sociale.

Aty Meta shfaqej me personin që ka ndërmjetësuar edhe darkën e famshme mes tij e Ramës në të njëjtin vend.

Përse duhet të takohen fshehtas Presidenti dhe Kryeministri, të cilët duken kaq të acaruar në publik, mbetet pyetje ende pa përgjigje.

Por ndërkohë në mbledhjen e fundit të Komisionit Parlamentar “për shkarkimin e Metës” pati një devijim “të pakuptueshëm”.

Të paktën për publikun.

Ndërkohë që deri në atë ditë u tha që Komisioni kishte një raport të detajuar ku provoheshin “shkeljet e Kushtetutës” nga Meta, papritur Komisioni kumtoi se do merret njëherë një “opinion nga Venecia” nëse ka shkelje.

Vera e nxehtë e rrymave dhe sherreve afrikane, nuk duket dhe aq e nxehtë në Lalzin e ngjalave.

Ftojmë kryeministrin ose presidentin ta përgënjeshtrojnë lajmin nëse është i pavërtetë.

Marrë nga Dita

Tensionohet situata te Unaza e Re, FNSH rrethon zonën (FOTOT)

Tensionohet situata te Unaza e Re, atje ku banorët protestojnë prej muajsh në mbrojtje të banesave të tyre.

Mësohet se banorët kanë ndezur zjarr e kanë grumbulluar gurë për shkak të prezencës së shtuar të policisë.

Sipas ish-deputetit të PD-së, Klevis Balliu në vendngjarje ndodhen edhe FNSH-të.

Po ashtu raportohet se në mbështetje të banorëve përveç Balliut janë edhe dy ish deputetët e LSI-së, Petrit Vasili e Endrit Braimllari.

STATUSI I KLEVIS BALLIUT
Siç e kam paralajmëruar Edi Rama kërkon viktima dhe sot ka sjellë FNSH dhe gjithë Policinë e Shtetit për të ndaluar heronjtë e Unazës së Re që të protestojnë, siç ja lejon Kushtetuta duke provokuar dhunën dhe bërë arrestime të paligjshme tek Unaza.
Gjithçka ndodh sot është faji i Edvin Kristaq Ramës.
I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar që ti bëjë thirrje qeverisë të tërhiqet për të parandaluar dhunën.
Unaza momentalisht është në shtet rrethim për të provokuar dhunë.

Kushtrim për Ramushin- Betim për Kosovën – Nga Azgan HAKLAJ President i Unionit Artistik te Kombit Shqiptar

Ramush Haradinaj është sot, Bibla-Kurani-Talmudi i shqiptarizmit.

Me ty Strateg i luftës, Arkitekt i paqes.

Ramush Haradinaj dha gjithçka për Atdheun.

Kushtrim për Ramushin- Betim për Kosovën.

“Më e shtrenjtë se jeta ime, se familja ime është Atdheu Im”, thoshte Aristoteli i lashtë.
“Ta themi të verteten troç dhe ta mbrojmë atë sikur të gjithë të jenë kundër saj” na ka porositur Ai.Askush me mirë se Kryeministri Ramush Haradinaj nuk i ka përvetësuar këto maksima të filozofit më me ndikim mbi njerëzimin.
“Dua të baj një vepër në sherbim të Atdheut dhe pastaj lë të vdes”, është postulati që na ka lanë shkrimtari Viktor Hygo.”Nderimi më i madh i njeriut në jetë janë plagët që ka marrë në luftë për çlirimin e Atdheut”, është sentenca që na ka lanë Napoleon Bonaparti. iRamush Haradinaj e ka tejkaluar këtë sentencë të Perandorit të Madh.
Familja emblematike Haradinaj i ka dhënë UÇK-së së lavdishme katër gjeneralë dhe kauzës së saj për çlirimin e Kosovës tre deshmorë.
I ka dhanë UÇK-së komandantin e luftës, arkitektin e paqes, vizionarin gjenial, simbolin e qendresës e sakrificës sublime, që ka sfiduar disa herë vdekjen, burrështetasin, pashaportën evropiane të Kosovës Ramush Haradinaj.
Strateg e luftëtar i pathyeshëm në beteja. l paepur e pa kompromis në kurriz të Kosovës në paqe.
Dalzotës dhe dy herë dorëzan vullnetarisht në Hagë, me një betejë të gjatë biblike e qendresë kristiane, vendosmëri e durim të farkëtuar në kudhrën e Profetit Muhamed, me qetësi budiste ia doli të ngadhnjejë dhe të çertifikojë luftën e drejtë të UÇK-së dhe kauzën e saj për çlirimin e Kosovës.
I ndaluar në mënyrë të padrejte në Slloveni, peng politik në Kolmar të Francës me akuza të rreme të një shteti të renë e perseri triumfoi sepse drejtësia e Francës së Liri-Barazi- Vellazërisë e shpalli të pafajshmëm.
Kryeministri Ramush Haradinaj kaloj një sagë të gjatë dhe përmes shumë kasandrash, kurthesh, intrigash, pabesishë e tradhëtishë bizantine por nuk u mposht.
Ai është politikani iluminist i pakompromentueshëm, i pashantazhueshëm, energjik dhe i vendosur, i cili kundërshtoj dhe ndaloi Zajednicën, Osecacionin, ( Republikën Serbska) Prilluzhën, Demarkacionin dhe sëfundmi në Samitin e Berlinit, ndonëse i vetëm shterroi planin djallëzor, endrrat serbiane për ndarjen e Kosovës, në këmbim të njohjes.
Kryeministri Haradinaj i vendosi taksën Serbisë dhe rriti kredencialet e shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare duke adaptuar reciprocitetin e njohjen e ndërsjelltë e ruajtur sovranitetin.
Qendresa e Tij për të mos hequr taksën ndaj mallrave serbe vuni në levizje planin serb dhe aleatët e Serbisë e kuslingët shqiptar për të nënshtruar Familjen Haradinaj.
Haradinaj s’heq dorë nga ideali si dalëzotës i popullit e vendit të tij që ka derdhur lumenj gjaku në shekuj për liri e pavarësi e drejtësinë e munguar.
A shprehet solemnisht:
“Nuk e shes dinjitetin dhe të ardhmen e vendit tim”.
“Kërkoi institucionalizimin e dialogut pa kushte”.
Një komb pa simbole është si kimia pa Mendelejev.
Çdo komb ka simbolet e veta.
Hebrejtë kanë Moisiun,
Franca ka Karlin e Madh, Napoleonin e Degolin,
Gjermania Frederikun e Madh dhe Bismarkun, Anglia Rikard Zemërluanin, Italia Jul Qezarin, Geribaldin dhe Françesko Krispin, Turqia Ertrugrulin, Osmanin e Sulejmanin e Madhërishëm.
Amerika Xhorxh Uashingtonin, Xhafersonin, Franklinin, Ruzveltin, Afrika Nelson Mandelën.
Kombi Shqiptar ka Aleksandrin e Madh, Pirron e Epirit, Konstandinin e Madh, Gjergj Kastriotin.
Sot Kombi Shqiptar ka një figurë emblematike Ramush Haradinin.
Presidenti i Amerikës Xhon Kenedi thoshte “mos mendoni çfarë ban Amerika per ju por çfarë bani ju për Amerikën”.
Ramush Haradinaj bëri gjithçka për Kosovën, për çlirimin e pavarsinë e saj, konsolidimin e demokracisë e shtetin e së drejtës, integrimin e ruajtjen e integritetit të trojeve stërgjyshore.
E bëri Kosovën më ushtri e theu tabunë, shtriu autoritetin e shtetit në Mitrovicën e Veriut, duke mbrojtur thesarin e saj Trepçën nga lakmitarët, dhe kuislingët që donin ta shisnin për interesat e tyre utilitare.
Përsëri në vitin Jubilar të 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës dha dorëheqje për të ruajtur imazhin e qeverisë e shtetit të Kosovës për tu përballur në Gjykatën Speciale pa pushtet, si qytetar i thjeshtë me shpifjet e radhës të fabrikuara nga laboratorët e Serbisë së Vuçiçit dhe argatëve të saj Thaçi e Rama dhe tutorëve të tyre Binomit Putin -Erdogan.
Unioni Artistik i Kombit Shqiptar ju ban thirrje shqiptarëve, patriotëve, nacionalistëve në të gjitha trojet etnike Iliro- dardano-arbërore.
Të gjithë në këmbë me Ramushin.
Ramush Haradinaj bëri gjithçka për Atdheun.
Tani është momenti çdo të bajnë shqiptarët për Ramushin.
Ramush Haradinaj do ia dalë edhe njëherë të triumfojë me apologjinë e UÇK-së e luftës së saj të drejtë.
Ai është Bibla- Kurani-Talmudi jonë.

Frika se qeveria e shemb natën, teatri ruhet natë e ditë

Burime nga administrata e Teatrit na njoftojnë se natën do të bëhet zbrazja e plotë e Teatrit Kombëtar. Kërkohet mobilizim i plotë qytetar. Të gjithë që munden, janë të ftuar të na bashkohen që të qëndrojmë sot natën për t’i bërë qeveritarët që veprojnë si gjithmonë hajdutçe natën që të stepen në qëllimin e tyre të mbrapshtë”. Ka qenë ky njoftimi që ka nxjerrë mbrëmjen e së enjtes, duke u gdhirë e premtja dhjetëra qytetarë në sheshin mes dy teatrove kombëtarë. Pas zbrazjes që nisi të enjten paradite, njoftime kontradiktore vinin se qeveria kish vendosur ta zbrazte natën, për të nisur më pas shembjen e tij ku ka planifikuar që të ndërtojë një trekatësh me PPP, duke shënuar edhe humbjen ose tjetërsimin e një trualli të konsiderueshëm përmes angazhimit të privatit. Me të marrë sinjalin, Aleanca për Mbrojtjen e teatrit ka angazhuar aktivistë e qytetarë në mbrojtje të godinës.



Njoftimi i shpërndarë në orën 23:00 të mbrëmjes ka mbledhur në pak minuta dhjetra veta para godinës kur protestohet prej 18 muajsh. Një orë më vonë, në rrjetet sociale u shpërndanë njoftime dhe foto ku shkruhej “Këtu jemi! Në mbrojtje të Teatrit, deri në fund!”. Për t’u solidarizuar me qëndrestarët e Teatrit, qytetarë të ndryshëm sollën ushqime dhe pije. Gjatë ditës së premte, artistët qëndrestarë që nuk u shitën, bënë me dije se do të qëndrojnë deri në fund. “Ministrja e Kulturës mohon që të ketë një dokument për zhvendosjen e materialeve të Teatrit Kombëtar. Teatrit Eksperimental i kanë kërkuar që të largohen. Kemi dëgjuar shumë në gjithë këto kohë, ne e dimë që nuk vijnë dot dhe e gjitha kjo bëhet për provokim. Ne do të jemi 24 orë në 24 aty, janë thjesht skuthlliqet e Lali Erit dhe Edi Ramës, i provuan të gjitha taktikat me ne dhe nuk ia dolën. Unë personalisht mezi pres që të përballemi, pasi ka ardhur koha që ne të matim forcën tonë. Teatri Kombëtar është kthyer në një betejë kombëtare, kjo është vija për të mbrojtur vendin”, u shpreh në media Neritan Liçaj. “Ndjeshmëria ndaj Teatrit është shumë e madhe, ndenjën me ne gjithë natën edhe qytetarë që nuk kishin qenë kurrë më parë. Problemi më i madh është se ne kemi bërë aleancë shumë të fortë me intelektualë dhe me grupe të tjera opozitare, do të ndizet një vullkan shumë i madh. Ne nuk do të bëjmë pushime dhe t’ia lëmë Teatrin ca halabakëve që duan që të pastrojnë paratë e drogës. Unë e kam thënë edhe më parë që Teatri do të jetë fundi i tyre”, tha aktori.

Bashkia Kamëz i vendos një rruge emrin “Ramush Haradinaj”

Jo vetëm “Bulevardi blu”, rruga “New York”, “Berlusconi”, “George Bush”, “Donald Trump”, “Manhatan”, “Sali Berisha”, “Berlin” etj, Bashkia Kamëz tashmë do të ketë një rrugë me emrin “Ramush Haradinaj”.



Ky është vendimi i marrë nga bashkia Kamëz së fundmi pasi Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj dha dorëheqjen një ditë më parë për t’u vënë në dispozicion të Gjykatës së Hagës.

Në një reagim të shpërndarë për mediat Bashkia Kamëz vlerëson aktin e Haradinajt dhe deklaron se tregoi jo vetëm profilin e tij prej shtetari por njëherazi vendosi të sakrifikojë nga vetja për Kosovën dhe kombin shqiptar.

Deklarata e Bashkisë Kamëz

Ramush Haradinaj me doreheqjen e djeshme tregoi te qenit nje shtetar i vertet pasi qe eshte nje patriot dhe atdhetar kete e ka treguar cdo dite te jetes se tij. Haradinaj tregoi se sakrifikon nga vetja per lirine dhe pavaresine e Kosoves per gjithe shqiptarine.

Me doreheqjen prej nje burri te vertet shteti tregoi se nuk ka asgje per te fshehur dhe se sa here te kerkohet do te shkoj para drejtesise jo si kryeminister i Kosoves por si Ramush Haradinaj.

Haradinaj i është pergjigjur thirrjeve te drejtesise por dhe akteve te marra si kryeminister i Kosoves ne detyre. Bashkia Kamez ka nderin qe nje rruge te qytetit tone t’i vendosë emrin e tribunit te lirise dhe atdhetarise Ramush Haradinaj me vendim te Keshillit Bashkiak.

Kujtojme qe tashme Ramush Haradinaj eshte njeri prej nesh per thjeshtesine qe e karaktarizon por edhe se ai eshte Qytetar Nderi i Kamzez si dhe prej sot nje prej rrugeve mban emrin e tij. Jemi me ty Ramush, te bindur ne pafajesine tende dhe misionin tend per lirine e Kosoves dhe shqiptarise.

Askush nuk ka mundur te gjunjezoje sado qe ka tentuar. Ti Ramush ke ditur te ia dalesh me karakterin tend fisnik fhe pastertine e figures tende. Ti je nje shtetar i vertet ndaj qendro sic ke ditur te ia dalesh pabesive.jemi me ty.

Letër e Hapur Presidentit të SHBA-I nderuari Presidenti Trump!Ju lutem shumë,shqiptojeni për John Bolton togfjalëshin Tuaj magjik:You’re fired! Nga Elida Buçpapaj

I nderuar President i SHBA!

I nderuari Presidenti Trump!

Jeni institucioni më i lartë në Amerikën e vlerave të demokracisë, zgjedhur me votën e popullit Amerikan!

Jeni institucioni i çlirimit dhe lirisë në rang botëror!

Jeni institucion i shoqërisë të lirë dhe i lirive të individit!

Jeni institucion i drejtësisë njerëzore, që merr në mbrojtje lirinë dhe lufton barbaritë!

Jeni institucioni që shqiptarët, si asnjë komb në glob, Ju falen dhe janë të gatshëm të vihen nën komandën Tuaj!

Sikur Ramush Haradinaj, kryeministri i Kosovës, që ka deklaruar botërisht se është ushtari i Amerikës! Ramush Haradinaj posa dha dorëheqjen, sepse po e thërrasin për të tretën herë në Hagë, kur pas shtatë vjet hetimi, prej 2005 deri më 2012, Haga e ka nxjerrë të pafajshëm!

Shqiptarët janë ushtarë të Amerikës dhe Perëndimit, sepse SHBA me aleatët e saj e shpëtuan Kosovën nga Holokausti i fundit i shekullit XX!

Gjermania ka 75 vjet që me të drejtë iu kërkon ndjesë Hebrejve për krimet monstruoze kryer nga regjimi hitlerian, ndërsa Serbia e shekullit XXI, që në kohën e Milosheviçit e përgjaku ish-Jugosllavinë dhe e njollosi ndërgjegjen e Europës të Bashkuar me Srebrenicën e Vukovarin jo vetëm që nuk lyp ndjesë, por tani agresionin militar dhe barbar të 1998-1999 synon ta arrijë me diplomacinë e neveritëshme të Ivica Daçiç që arrin dhe i fut kthetrat deri tek lobet pranë administratës të SHBA dhe pranë zyrës të këshilltarit Tuaj të (anti)Sigurisë, John Bolton i cili njihet botërisht pro-ndarjes së Kosovës, i mënjanuar nga Presidentët Republikanë George Bush senior dhe George W.Bush!

Ministri i jashtëm i Serbisë Ivica Daçiq, përpara se të mbërrinte në Washington D.C deklaroi për të miliontën herë se puna e tij si shef i diplomacisë serbe konsiston të ndalë njohjen e Kosovës nga shtete të reja dhe bëjë gjithçka që shtetet që e kanë njohur Kosovën ta anullojnë njohjen e tyre, pra 180 gradë ndryshe nga sa vepron diplomacia e SHBA, e cila synon që Kosova të jetë pjesë e OKB-së!

Kjo është strategjia e Serbisë, shtetit që nuk pranon të integrohet në NATO dhe blen armatime nga një vend i NATO-s për t’i bërë luftë kujt? NATO-s ?! Se Kosova mbrohet nga NATO dhe baza Amerikane Bondsteel!

Në këtë situatë Shqiptarët e Kosovës nuk mund të puthin duart e një Serbie agresive që nxit një luftë të re, as nuk mund të jenë palë e një dialogu-karikaturë që bie ndesh me parimet bazë të dialogut, ku dy palët iu shërbejnë interesave reciproke në favor të të mirës të përbashkët serbo-shqiptare!

Kosova nuk mund të ulet në një tavolinë me një Serbi që sot ka vënë në përdorim gjithë arsenalin diplomatik për të zhbërë të gjithë atë që ka arritur në Kosovë SHBA me aleatët e saj!

Strategjia e Vuçiçit dhe Daçiçit bie ndesh me strategjinë e SHBA dhe Bashkimit Europian në Ballkan për stabilitet dhe paqe afatgjatë, bie ndesh me strategjinë e shteteve që kanë luftuar për ta çliruar Kosovën dhe për të njohur pavarësinë e saj! Shqiptarët janë paqësorë! Shqiptarët duan ta ndërtojnë paqen në shtëpinë e tyre pa shqetësuar askënd! Shikoni rolin që patën shqiptarët në Maqedoninë Veriore!

Ndërsa Ivica Daçiç ad absurdum vjen në Washington DC, në kuartierin e Presidentit të SHBA të lobojë që Amerika të anullojë vendimin e saj për njohjen e Kosovës!

Daçiçi vjen në SHBA dhe takohet me Këshilltarin tuaj të antiSigurisë, i cili nga pozitat e një zyrtari të lartë të administratës Tuaj harron thembësoren se të gjitha administratat e SHBA kanë qenë me një strategji të unifikuar, Republikanë e Demokratë. Bashkë me Aleatët e përhershëm në Perëndim, ku Amerika mori rolin drejtues u arrit një sukses të përbashkët, të ndalet një Shoah të ri në zemër të Europës dhe të shpëtohet ndërgjegjia e Europës nga një turp i ri, sikur ai që ngjau gjatë konfliktit Bosnje-Serbi, ku Europa mbajti një qëndrim pasiv, vëzhgues, injorues duke i lanë ata njerëz të mjerë, civilë, gra, fëmijë, burra e pleq pa mbrojtje nën kasaphanën e barbarive të karaxhiçëve, mlladiçëve dhe strategut të tyre Milosheviç!

 

I nderuar Presidenti Trump,

 

Shqiptarët nuk janë kundër Serbisë! Kundër Serbisë është administrata serbe që mban peng Ballkanin me  mitet e përgjakura të Milosheviçit, i cili po ta dinte fundin e tij, po t’i kishte marrë në konsideratë paralajmërimet e administratave Amerikane, do të kishte hequr dorë nga Kosova!

Në kohën e Milosheviçit, Kosovën dhe Serbinë e ndante muri i Perdes Së Hekurt, sot ky mur është rrëzuar, jo për të krijuar Shqipërinë e Madhe, por për të mbrojtur stabilitetin afatgjatë si arritje e SHBA dhe Perëndimit në ish-Jugosllavi dhe Ballkan!

Askush nuk e kërcënon Serbinë, Serbia po kërcënon gjithë rajonin duke u armatosur dhe kërkuar rindarjen e Kosovës!

A duhet të gjunjëzohet SHBA dhe BE ndaj kërcënimeve të një shteti ish agresor që mban qendrim të pandryshuar ndaj ish-viktimave të shtetit kriminal që i shpëtoi Amerika dhe NATO nga zhbërja ?!

Pritja që këshilltari Juaj i Sigurisë John Bolton i bëri ministrit të jashtëm të Serbisë Ivica Daciq i tronditi shqiptarët,

sepse z.Bolton nuk tha asnjë fjalë kundërshtuese ndaj deklaratave të përditëshme luftënxitëse që Daçiq bën ndaj asaj që SHBA dhe aleatët e saj konform vullnetit të popullit të Kosovës arritën në Kosovën 20 vjet më parë!

John Bolton edhe Ivica Daçiç janë në kundërshtim të hapur me gjithçka që për 30 vjet kanë kontribuar administratat e SHBA dhe BE deri sot në Kosovë!

Strategjia e SHBA dhe Perëndimit është të mos ketë ndryshime të kufijve!

John Bolton po del mbi Presidentin e SHBA, po del mbi strategjinë e Amerikës dhe Perëndimit për të vendosur paqen dhe stabilitetin në Ballkan!

Shqiptarët kudo që janë, nuk e konfondojnë kurrë John Boltonin me Presidentin e SHBA, as me Amerikën e vlerave të lirisë!

Shqiptarët nuk janë agresorë, nuk e kanë sulmuar kurrë asnjë vend në Ballkan, shqiptarët janë viktima të një konflikti gjakatar nga një makineri kriminale si ajo e Milosheviçit, ithtarët e të cilit sot në krye të Serbisë po kërkojnë që t’i rikthehen luftës e cila u ndal me përpjekjet madhështore të Perëndimit të kryesuar nga SHBA!

Serbia e Vuçiçit dhe Daçiçit, bashkë me njerëz të komprometuar shterrshëm përfundimisht si Hashim Thaçi dhe Edi Rama, po mbajnë peng të ardhmen e rinisë serbe dhe shqiptare!

 

I nderuar Presidenti Trump,

 

Jam një gazetare me eksperiencë të gjatë, që Ju ka ndjekur si fanse prej kur në kulmin e Luftës të Ftohtë në fund të viteve ’70 Ju thyet tabutë dhe në emër të lirisë e dashurisë sfiduat sistemin e antivlerave!

Dashuria për liri është universale dhe sot kur shumë popuj në botë vuajnë nën thundrat e sistemeve diktatoriale etja për liri frymëzohet nga mbrojtësit e saj që janë SHBA dhe Perëndimi!  SHBA i kanë dalë në krahë Europës gjithmonë, por kur SHBA janë vonuar i kanë sulmuar me të pabesë si në Pearl Harbour!

Po ashtu e kam ndjekur rrugën e suksesit Tuaj si brezi i tretë i një emigranti me rrënjë nga Europa, që prej lirive që Ju ka ofruar Amerika keni arritur deri në karriken e Presidentit të SHBA!

Kjo është Amerika Juaj! E krijuar prej Baballarëve të Kombit deri tek Ju! Dhe kështu do të vazhdojë!

Sot si President i SHBA, Ju jeni vijues i rrugës të Etërve të këtij shteti të madh, jeni vijues i Republikanëve, jeni vijues i vullnetit të unifikuar R-D, dmth gjithë popullit Amerikan dhe administratave të SHBA për çfarë kanë bërë për Kosovën, ndërsa John Bolton është një njeri i gabuar në stafin tuaj, nga ata që Ju i largoni me togfjalëshin Tuaj të famshëm që ka hyrë tashmë në të gjithë fjalorët e gjuhëve të botës: “You’re fired!”

Ju lutem shumë Z.President shqiptojeni këtë togfjalësh magjik, që nënkupton shkarkimin, shprehur përmes kësaj metafore kaq ekspresive “you’re fired!”, që thotë: “jeni i djegur! Që të ndalni zjarrin që është duke i vënë rishtas Ballkanit Serbia e Ivica Daçiçit!

Me nderim dhe respekt
Elida Buçpapaj

Presidenti Ilir Meta: Meta: Krenar e i bindur për pafajësinë e tij. Nga sot duhet të flemë më pak e të shqetësohemi më shumë që Kosova…

Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas dorëheqjes së Ramush Haradinaj nga posti i kryeministrit të Kosovës. Në facebook, Meta shkruan se ndihet krenar për këtë vendim duke shprehur bindje për pafajësinë e tij, ndërsa shton se “nuk ka pabesi që thyen burrinë  shtetit”.

Më tej Meta thotë se sot të gjithë duhet të flemë më pak dhe të shqetësohemi më shumë, sipas tij, që Kosova dhe rajoni ynë të jenë të pacenuar në paqen dhe sigurinë.

Postimi i plotë:

Krenar për Ramush Haradinajn dhe i bindur në pafajësinë e tij!

Nuk ka pabesi dhe presion që e thyen Burrin e Shtetit dhe Heroin e Kombit!

Nga sot të gjithë duhet të flemë më pak, të shqetësohemi më shumë dhe të bashkohemi më fort që Kosova dhe rajoni ynë të jenë të pacënuar në paqen dhe sigurinë tonë, si dhe në të ardhmen europiane

Sali Berisha:Jam me Ramushin ! Zografi bis & Miladini shqipfoles Baton Stanishiqi festojne sonte doreheqjen e Kryeministrit Ramush Haradinaj!

Pas dorëheqjes të kryeministrit të Kosovës ka reaguar edhe Sali Berisha në rrjetin social. Ja çfarë shkruan:

“Nje akt shtetar dinjitoz!

Miq, sot Kryeministri i Kosoves, Ramush Haradinaj dha doreheqjen pasi thirret per t’u intervistuar nga Gjykata Speciale e Hages.

Duke shprehur vleresimin tim per aktin e tij prej shtetari te vertet shtoj ketu se kjo eshte hera e dyte qe z. Ramush Haradinaj jep ne menyre dinjitoze doreheqjen si Kryeminister i Kosoves dhe hera e trete qe ai paraqitet para Gjykates se Hages ne pergjigje te thirrjes se drejtesise nderkombetare. Ne dy rastet e mepareshme ai eshte gjetur i pafajshem. Komandant trim qe luftoi me heroizem kunder pushtuesve dhe ndihmoi dhe shpetoi qindra familje shqiptare nga barabarite serbe gjate luftes, shtetar me integritet dhe kryminister efiçent e adhetar i flakte, Ramush Haradinaj kundershtoi me guxim te madh projektin e Serbise se Madhe te Vuçiç, Zografit Bis, Miladinit shqipfoles dhe Baton Stanishiqit per çka dhe fitoi admirimin, mbeshtetjen e madhe te qytetareve te Kosoves dhe mbare kombit shqiptar.

Me kete rast une shpreh nderimin tim te palekundur per vepren dhe aktin e tij burreror te kryeministrit te Kosoves dhe kryetarit te AAK Ramush Haradinajt dhe besimin e palekundur ne drejtesine nderkombetare, e cila e ka shpallur ate dy here te pafajshem.

Une gjithashtu iu bej thirrje forcave politike ne Kosove, qytetareve te saj dhe mbare kombit shqiptar te kundershtojne me vendosmeri te palekundur te gjitha perpjekjet, prapaskenat per ndarjen dhe coptimin e Kosoves te projektit te Serbise se Madhe te Vuçiç, argateve te tij shqipfoles, albanofobe, Zografit Bis, Miladinit shqipfoles Baton Stanishiqit qe festojne sonte doreheqjen e Kryeministrit Ramush Haradinaj dhe thirrjen e tij nga Gjykata e Hages pasi kishin tek ai nje dige te pakapercyeshme. sb”

Reagon Basha: Haradinaj vuri Atdheun mbi gjithçka

Kryedemokrati Lulzim Basha ka reaguar përmes një postimi në twitter pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit të Kosovës.

“Dorëheqja e kryeministrit Ramush Haradinaj është akti i një njeriu që ve Atdheun mbi gjithçka. Ramushi i ka shërbyer gjithmonë me vetëmohim Kosovës, në ditë të mira dhe në ditë të këqija. Ramush Haradinaj është Kosova – Kosova e lirë, Kosova e pavarur, Kosova europiane. Askush dhe asgjë nuk e përdhos dot luftën çlirimtare të Kosovës dhe sakrificën sublime të familjes Haradinaj në altarin e lirisë!” shkruan Basha në twitter.

Rrahja live në televizion, Prokuroria ngre disa aktakuza ndaj Frashër Krasniqit e Milaim Zekës

Prokurorisë Themelore në Prishtinë i janë nevojitur më pak së një muaj që të ngrejë aktakuzë ndaj dy deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Frashër Krasniqi dhe Milaim Zeka, për shkak të përleshjes fizike. Aktakuza është mbajtur në sirtarët e prokurorisë dhe gjykatës, pa u bërë asnjëherë publike

Aktakuza ndaj deputetëve Krasniqi dhe Zeka, të cilën e ka siguruar ekskluzivisht “Betimi për Drejtësi”, është ngritur më 26 tetor 2017.

Prokuroria e ngarkon Krasniqin me veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, ndërsa Zekën me veprën penale “kanosje”.

Se ka një aktakuzë të ngritur ndaj Zekës e Krasniqit e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Gashi, nuk ka dhënë detaje rreth procedimit të këtij procesi gjyqësor, me arsyetimin se gjykatësi i çështjes është në pushim vjetor.

Ndryshe, përleshja fizike ndaj dy të akuzuarve kishte ndodhur gjatë emisionit “Info Magazinë” në Klan Kosova, më 29 shtator 2017. Pas fyerjeve e sharjeve në mes të Krasniqit e Zekës, situata kishte eskaluar në përleshje fizike mes tyre.

“Opozita qëndrim të pandryshuar”- Basha në Vjenë: Zgjedhje të lira dhe qeveri tranzitore pa Edi Ramën

Kreu i PD-së, Lulzim Basha nuk tërhiqet nga kërkesat e opozitës së bashkuar, për largimin e Ramës si kryeministër dhe krijimin e një qeverie tranzitore.

Në Vjenë, ku ka takuar përfaqësues të lartë të OSBE, Basha thotë se ka ndarë me ta shqetësimin për krizën në vend si dhe qëndrimin e pandryshuar të opozitës së bashkuar.

 

Në Vjenë me përfaqësuesit e lartë të OSBE ndamë shqetësimin për krizën dhe qëndrimin e pandryshuar të Opozitës së Bashkuar: zgjedhje të lira e të ndershme me një qeveri tranzitore pa Edi Ramën, që garanton lirinë e votës dhe ndëshkimin nga drejtësia të hajdutëve të zgjedhjeve”- shkruan Basha në Twitter.

Rama vizitë në Turqi, takon presidentin turk

Kryeministri Edi Rama ndodhet në një vizitë në Turqi, e pa paralajmëruar më parë.

Nëpërmjet një postimi në Instagram, Rama publikon një foto me Presidentin turk, Rexhep Taip Erdogan, në rezidencën e tij verore në Marmaris.

 

“Në mikpritjen e Presidentit Erdogan në rezidencën e tij verore në Marmaris”, shkruan Rama.

Ende nuk dihet arsyeja e vizitës së kryet të qeverisë shqiptare dhe as detaje të bisedës midis tyre.

Shoqata e Bashkive i drejtohet Gjykatës Kushtetuese

Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, ku përfshihen bashkitë e drejtuara nga opozita, dorëzoi sot në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për konstatimin si antikushtetuese të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit.

Në kërkesën e saj, Shoqata e Bashkive të Shqipërisë kërkon “konstatimin antikushtetues të zgjedhshmërisë së procesit zgjedhor të zhvilluar me 30 qershor 2019 për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore, të kryetarëve të bashkive dhe anëtarëve të këshillave bashkiake dhe, si rrjellojë, konstatimin antikushtetues të zgjedhjes së anëtarëve të këtyre organeve në kundërshtimin me nenet e Kushtetutës së Shqipërisë”.

Gjithashtu, Shoqata e Bashkive të Shqipërisë i kërkon Gjykatës Kushtetuese që të verifikojë kushtetutshmërinë e veprimtarisë së Partisë “Bindja Demokratike” në lidhje me rregjistrimin e saj në gjykatë dhe zgjedhjet e datës 30 qershor.

Në një prononcim për mediat, kryetarja e Shoqatës së Bashkive të djathta, Voltata Ademi, e cila drejton edhe Bashkinë e Shkodrës, tha se shpresonte që, në momentin që Gjykata Kushtetuese do të ngrihet, do e marrë në shqyrtim kërkesën e tyre.

Voltana Ademi

“Ne po veprojmë në mënyrë institucionale. Gjithë kryetarët e bashkive i janë drejtuar institucioneve të drejtësisë, një e drejtë e jonë, për të ndërtuar demokracinë mbi bazën e shtetit. Apeloj që çështjet të hetohen dhe gjykohen në mënyrë të pavarur duke mos iu nënshtruar presionit politik. Kemi gjykata që kanë vepruar në mënyra të ndryshme.”

Një ditë më parë, kryebashkiakja e Shkodrës dorëzoi në prokurori një kallzim penal për “krimet elektorale të kryera në votimet e 30 qershorit”.

Zonja Ademi kërkoi me këtë rast që prokuroria të bëjë detyrën dhe të hetojë në lidhje me shkeljet e konstatuara në votimet e 30 qershorit dhe të mos i nënshtrohet anjë presioni politik apo çfarëdo lloji tjetër.

Bashkitë qe drejtohen nga opozita i kane cilesuar si antikushtetuese zgjedhjet e 30 qershorit, pasi sipas tyre ato bien ndesh me dekretin e Presidentit I cili shdekretoi daten 30 qershor duke caktuar nje date tjetër për zgjedhejt vendore, ate të 13 tetorit. za

Basir Çollaku SMS për Ramën/ Po të isha në Amerikë do e vrisja!

Po  të isha në Amerikë do e vrisja/sms për Ramën

Z.Rama, zelltarët po kapërcejnë racionin e dhënë. Eja të gjejmë bashkë “fotografin” tim. Në punën time të gjatë në medie, tashmë mbi 20-vjeçare, AND të së vërtetës, kam një thënie të një gazetari argjentinas. “….Dua të lajmëroj maskarenjtë e kësaj bote, se nuk përfaqësoj interesat e asnjërit prej tyre”. Shkurt. Asnjërit.

Dy ditë më parë “një postier” i paftuar mësyn me zell befasues banesën time, duke fotografuar disa herë. Rreth orës 07e 20 të mëngjesit, një burrë tek të 50-at, është futur në rrugicën e shtëpisë ku unë jetoj dhe ka nisur të bëjë shkrepje në disa pozicione. Eshtë afruar 2 metër afër derës, duke bërë filmime. Një i afërm imi ka dalë në ballkon dhe e ka thirrur ateë me zë të lartë. Ka kërkuar të dijë përse e bën këtë veprim. Vizitori ka ulur kokën, është kthyer pas dhe është larguar me nxitim. Kjo nuk ka zgjatur më shumë se tre apo katër minuta, me aq sa familjarët kanë mundur të konstatojnë.

Mua më thonë me vonesë për të mos më shqetësuar,  ndonëse vetë ishin më tepër të alarmuar. Një mesoburrë, veshur me pantallona xhins dhe një këmishë apo triko gri. Kaq kemi fiksuar. Tmerrësisht pak. Kamerat janë ca më tutje. Por dikush e di dhe unë do ta gjejë. Në atë shtëpi banoj unë me time shoqe dhe tre fëmijët e mi, prindërit e bashkëshortes sime dhe familja e tyre.

Personi i mëngjesit të së hënës së 15 korrikut, nuk ka kthyer kokën asnjëherë nga banesat e tjera të ndodhura përballë apo anash nesh. Ka pasur adresë të saktë. Shtëpinë time.

Po e ndihmoj. Unë banoj në;

Rruga “Ali Visha” nr 75

Ky që iku, e di.  Lajmërimin e bëj për të tjerët…

Jam mësuar me trysni e kanosje individuale, nga më të çuditshmet. Pushtetarë, politikanë, banditë, të gjithë e kanë një mërzi, por asnjërit s’i kam shpifur asnjë germë.

Z.Meta

  1. Rama
  2. Lleshi
  3. Bendo

Unë nuk kam asgjë për të fshehur. Jam mësuar me komedi të bezdisura përgjimesh, vëzhgimesh, kombinimesh, mbikqyrjesh.

Pas daljes së përgjimeve të Bild, Kryeministri bëri kanosjen publike, se do më hidhte mua në gjyq. E mirëprita më dëshirë ta bënte. Ishalla e bën mendova me zë, se kjo i hap shteg ardhjes së dosjes 184 në gjyq.

Shpresova kot.

Taulant Balla më ka denoncuar si comedian, për një vepër, të cilën prokurorët s’po e gjenin ku ishte në raport me mua.

Me 11 tetor 2018, unë bëra kallzim penal për numrin dy të mazhorancës. Prej 10 muajsh, gjykatësja e nderuar, Enkela Bajo, na ka mundësuar jo më shumë se tre seanca.

Me 11 mars 2019, pas një kanosje publike në një televizion, unë bërë kallzim në polici dhe më pas në Prokurori. Jam ende duke pritur të gjendet njeriu lehtësisht i identifikueshëm. Janë katër muaj. Por do pres drejtësinë, ashtu me atë takatin e saj aktual. Në profesionin tim, e kam mundur këtë drejtësi shumë here, aq sa jam ndjerë keq nga kjo fitore…

Disa nga dosjet, ngjarjet, çështjet në hetim dhe jo, ku unë kam hasur përballje e përplasje deri në zgrip, janë shumë. Po rendis pak prej tyre.

1-Peticioni për ish-Guvernatorin Fullani, ku unë, pjesë e një grupi me disa miq kokëkrisur, mblodhëm 15 mijë firma me kërkesën për ta mundësuar përballjen e tij me drejtësinë. Kjo më kushtoi mbi 1500 ditë, izolim profesional, pamundësi pune,presion personal dhe familjar. Por, kasta sërish shpërbleu sërën e vet, Fullanin me qindra-mijëra dollarë, për arsye stresi.

2-Intervista me 1 shtator dhe 5 nëntor 2015, me shefin e antidrogës së Fierit, Dritan Zagani, kryedenoncuesin e ish-ministrit Sajmir Tahiri dhe platformës kriminale canabis. Ne këtë afere, brenda saj Jaeld Çela, Gjergj Kohila, Sokol Bode..Dihet kush janë.

3-Intervista dhe denoncimet e rënda me oficerët e antidrogës, Bledar Naçi dhe Antonio Nazeraj.

4-Intervista denoncuese e nënkomisar Emiljano Nuhu, oficerit të infiltruar në shumë operacione. Telashet e dala nga kallzimi për deputetin Rrahja, kryebashkiakun Artur Bushi, kryedeputetin Taulant Balla e mjaft njerëz në polici dhe Prokurori. Ka ende shumë ai denoncim.

Intervista me ish-drejtorin e policisë, Arben Hyseni, një rrëfim ku trazoheshin mjaft kusure të trafiqeve.

6-Intervista dhe denoncimi me drejtues Shkëlqim Pepkolaj, zv/drejtor i Policisë Vendore Kukës, për skandalin e lirimit të trafikantit Naser Gashi dhe Laboratorin e Heroinës në Has, hetim i kryesuar aso kohe nga Pepkolaj.

Të gjitha keto kallzime e denoncime, unë si shumë kolegë të mi, i kam ndjekur dhe vijoj ta bëj.

Bashkëpunimi me kolegë të “Bild” ishte një tjetër punë serioze. Ata ende nuk kanë përfunduar punën e tyre me investigimin e bërë në Shqipëri. Kanë mjaft sa të na lënë pa fjalë dhe japin leksion lirie.

Kolegë të “ARD” që kam kontaktuar, duan një hulumtim serioz për Mafian dhe Pushtet-politikën në Tiranë. U sugjerova Xibrakën  si dosje, meqë ka rrënjë dhe investigim të madh gjerman dhe ende u hollua pa shkuar në piramidën e fajit.

Një tjetër dosje në redaksinë e Shijak Televizion, e kemi gatin për publikim. Shqetësim serioz do të jetë, sigurisht. Janë skandale me paranë, me thesarin, me financat , me kompanitë, me klientët që shumë prej tyre, kryeministri Rama  i ka në tryezën e Qeverisë dhe të Shtëpisë.

Nuk po përmend marrjen pjesë në pafundësi emisionesh dhe lajme të tjera të rënda ku kam debatuar.

Ka shumë lajme se janë shumë vite pune. Po të jetoja në Amerikë, ku njeriu nuk këmbehet me asgjë, unë do ta vrisja Spiunin te Porta.

Kjo ështe fotografia ime.

Të tjerët janë sjellë si mafiozë pranë banesës sime. Ndonëse dyshoj se do jetë zelltar policie. Mbase i dypunësuar..

Ftoj KM të më ndihmojë ta gjejmë.

Ai e di, kushdo qofshin postierët e mjerë, nuk garojnë dot me mua në marrëdhënien me Zotin . Besoni! Të drejtët, Zoti i mban me hatër

Lleshaj: E kujtoni ’97? Çdokush mund të ketë vrarë njerëz dhe ende nuk e di

Një deklaratë të çuditshme ka bërë këtë të enjte Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, i cili riktheu në vëmendje vitin 1997 nga aula e parlamentit, duke thënë se çdo shqiptar që ka qëlluar në ajër në atë kohë, mund të ketë vrarë një njeri dhe ende nuk e di se ka kryer krim.

“Sa më shumë ta ngushtojmë hapësirën e përdorimit të armëve ose mbajtjes së armëve, aq më shumë i kemi shërbyer jetës së qytetarëve tanë. Mos harroni se në vitin e famshëm 97 në Shqipëri janë vrarë mijëra njerëz në mënyrë të pavullnetshme, thjesht për faktin se Shqiptarët nuk e dinin ende në atë kohë diferencën mes një instrumenti muzikor dhe një instrumenti që quhet pushkë dhe nga kënaqësia që u shkaktonte tingulli i plumbave që dilnin, kanë vrarë njerëz dhe sot nuk e dinë që kanë vrarë. I kanë hedhur ato plumba në ajër të cilët diku kanë rënë , kanë vrarë dikë dhe dikush sot nuk mund të jetë i qartë që s’ka vrarë njeri.

Deklarimi i Lleshajt erdhi teksa në parlament diskutoheshin ndryshimet e reja në kodin penal, e veçanërisht ashpërsimi i masave për dhunën ndaj uniformës së policisë, mjekëve si dhe një sërë ndryshimesh të tjera.

Gjatë fjalës së tij, Lleshaj paralajmëroi se Shqipëria mund dhe duhet të prodhojë armë.

“Shqipëria është një vend që nuk ka kufizime në prodhimin e armëve. Parimisht edhe Shqipëria mund të prodhojë armë. Ka prodhuar, mund të prodhojë edhe nesër , mbase edhe duhet të prodhojë nesër”

Gruaja e Theodhori Sollakut nën hetim për shpërdorim detyre

Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet për shpërdorim detyre për gjyqtaren e Apelit të Tiranës Zeqine Sollakut, gruan e ish-prokurorit të Përgjithshëm Theodhori Sollaku.

Mësohet se Sollaku është nën hetim për akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Padia ndaj saj është depozituar nga Natasha Petrela e cila e akuzon Sollakun duke treguar një anshmëri në procesin gjyqësor të ngritur prej saj për çështje pronësie.

Theksojmë se Sollaku ka qenë pjesë e trupit gjykues së çështjes ‘Xhisiela’ ku u përfshi Rexhep Rraja, djali i deputetit socialist Rrahman Rraja.

Sqarojmë se hetimet për këtë dosje po bëhen nga Prokuroria e Durrësit pasi për të shmangur konfliktin e interesit e hetimit në Prokurorinë e Tiranës.

FOTOT – PRINCESHA RUHIJE MBI KALË DHE NJË NDESHJE FUTBOLLI

Të hënave të muajit korrik, Muzeu Marubi ndan një përzgjedhje imazhesh nga arkivi Marubi që evidentojnë momente nga zhvillimi i disiplinave të ndryshme sportive. Ky imazh i Gegë Marubit na paraqet motrën e Mbretit Zog, Princeshën Ruhije, gjatë një stërvitjeje. Ndonëse nuk dimë vendin se ku është shkrepur fotografia duke sikur na paraqet një moment nga jeta private e Princeshës, në praktikimin e hipizmit. (© Muzeu Marubi, Gegë Marubi, Ruhije Zogu në kalë, 1937)



Po në këtë kuadër, evidentohet edhe momente nga zhvillimi i disiplinave të ndryshme sportive.
Një tjetër fotografi është marrë nga një moment i ndeshjes së parë të futbollit shqiptar, mes ekipit vendas “Indipendenca” dhe një skuadre të forcave austro-hungareze, organizuar nga Palok Nika në Shkodër në vitin 1913.
Kjo ndeshje do i paraprinte organizimeve të tjera futbollistike në vend derisa në shkurt 1919 do të themelohej shoqnia “Vllaznia”, njëkohësisht edhe klubi i parë i futbollit shqiptar.

Fuga denoncon skandalin: Projektligj për Akademinë e Shkencave me 22 punonjës administrate, as në kohën e monizmit nuk ndodhte

“Një projektligj që bllokon përfundimisht reformimin e akademisë së shkencave! Dhe ata e kanë hallin se përse Presidenti i republikës nuk pranoi të pranonte zgjedhje të paligjshme!!!“, kështu shprehet akademiku dhe profesori i njohur Artan Fuga mbi ligjin për akademinë e Shkencave, në një koment të bërë publik në Facebook

Fuga denoncon skandalin, ndërsa shprehet se ” po propozojnë dhe po kalojnë një organigramë të akademisë së shkencave me nja 22 punonjës administrate dhe pa asnjë punonjës shkencor atje”, duke shtuar se “se kjo administratë është ndofta më e madhe sesa kur akademia e shkencave në kohën e monizmit kishte nën vartësinë e saj ndofta nja dhjetë institute shkencore e kërkimore”.

Reagimi i plotë:

Një projektligj që bllokon përfundimisht reformimin e akademisë së shkencave!

Dhe ata e kanë hallin se përse Presidenti i republikës nuk pranoi të pranonte zgjedhje të paligjshme!!!

A e dini se :

A e dini se këta po propozojnë dhe po kalojnë një organigramë të akademisë së shkencave me nja 22 punonjës administrate dhe pa asnjë punonjës shkencor atje !

A e dini se kjo administratë është ndofta më e madhe sesa kur akademia e shkencave në kohën e monizmit kishte nën vartësinë e saj ndofta nja dhjetë institute shkencore e kërkimore!

A e dini se më shumë se trecereku i akademikëve ose janë pensionista ose punojnë në zyra ku nuk kanë asnjë lidhje me shkencën dhe kërkimin shkencor!

A e dini se për cdo pesë a gjashtë antarë akademie ka një prej tyre që punon në administratën e akademisë së shkencave!

A e dini se kostua reale e një kopje libri që boton akademia e shkencave shkon nga 200.000 deri 300.00 lekë të vjetra!

A e dini se shumica e librave që botohen blihen vetëm në 20 deri 30 kopje ndonëse botohen nga 400 e 500 kopje!

A e dini se revista e studimeve albanologjike që duhej të botonte akademia e shkencave, më kryesorja, ka vite që nuk del më!

A e dini se 90 përqind e librave që hyjnë në fondin e bibliotekës së akademisë së shkencave nuk i lexon askush!

A e dini se akademia e shkencave e Shqipërisë nuk ka pothuajse asnjë marrëveshje konkrete dhe efikase bashkëpunimi me ndonjë akademi shkencash të ndonjë vendi perëndimor!

A e dini se mbi trecereku i artikujve shkencorë që raporton akademia e shkencave janë raportuar më parë nga institucione të tjera, pra ka raportim dyfish!

A e dini se akademia e shkencave nuk ka asnjë marrëveshje bashkëpunimi efikase me asnjë nga universitetet publike ose private shqiptare!

A e dini se akademia e shkencave nuk ka asnjë studim ose raport mbi gjendjen e kërkimit shkencor në vend, mbi numrin dhe statusin e kërkuesit shkencor, asnjë strategji për kërkimin shkencor në vend!

A e dini se projektligji i ri që po shkon në Kuvend për t’u kthyer në ligj nuk sjell asnjë hap reformues në akademinë e shkencave në krahasim me ligjin e vjetër!

A e dini se akademia e shkencave punon pa një tematikë vjetore mbledhjesh të asamblesë!

A e dini se zgjedhjet për kryesinë e asamblesë të akademisë së shkencave janë bërë në kundërshtim me ligjin në fuqi!

A e dini se nga pesë dokumente për reformim që duhej të prodhonte akademia e shkencave ka propozuar vetëm një dhe atë të pa shoqëruar me bilanc financiar, në kundërshtim me kushtetutën e Shqipërisë!

A e dini se akademia e shkencave nuk ka një plan prioritetesh studimore vjetore!

A e dini se për një periudhë 4 vjeçare mbi 20 përqind të fondeve të botimit e kanë marrë antarët e kryesisë së akademisë së shkencave dhe të këshillit ekzekutiv të saj.

A e dini se revistat e akademisë së shkencave nuk janë të indeksuara në asnjë platformë digjitale europiane!

A e dini që akademia e shkencave jep ta zemë çmimin për veprën më të mirë kushtuar Skënderbeut ndërkohë që në përbërjen e saj nuk ka asnjë specialist të asaj periudhe!

A e dini që pothuajse asnjë akademik i Shqipërisë nuk është ftuar nga ndonjë akademi shkencash perëndimore për vizitë pune ose referim shkencor!

A e dini që studimet që botohen në revistat shkencore të akademisë së shkencave nuk kanë thuajse asnjë oponent të huaj!

A e dini që akademia e shkencave e Shqipërisë nuk ka sot asnjë projekt studimor të financuar nga fondet e Bashkimit europian!

A e dini pra se ajo është kthyer dhe do të mbetet një institucion pa asnjë dobi shoqërore por që harxhon me të dyja duart taksat tuaja!

Aleati i Bashës: Së shpejti do të ketë përgjime të reja që do të publikohen

Kreu i PDK, Nard Ndoka, duke folur për përgjimet e dosjeve 339 dhe 184 bëri me dije se së shpejti do të ketë përgjime të reja që do të publikohen, pjesë e të cilave sipas tij do të jetë kryeministri Rama dhe njerëz pranë tij.

Por më tej Ndoka pranoi se opozita ka burime brenda Prokurorisë.

Nisur nga fakti se opozita i paralajmëron përgjimet para se të dalin, duket sikur kanë burime brenda Prokurorisë, Nard Ndoka tha: “Ka, opozita është institucionale dhe ka informacionet e veta. I ka pasur edhe më përpara.

Basha i ka bërë publike muaj përpara për dosjet të cilat rrinin në Prokurori nuk hetoheshin, bllokoheshin. U ka përmendur edhe numrat”.

I pyetur se a është normale që një parti politike të ketë indikacione të brendshme në Prokurori, Nard Ndoka u përgjigj.

“Kur nuk funksionon sistemi, patjetër që po. Ka edhe prokurorë të përgjegjshëm, që e kuptojnë që një dosje është bllokuar. Siç ishte rasti konkrete. Bashkëpunojnë për hir të realitetit dhe drejtësisë. Për ta zhbllokuar atë situatë edhe nga trysnia që kanë nga drejtuesit, apo bllokazhet nga politika”, tha ai në Top Talk.


Send this to a friend