Eksperti i IT-së, Gent Progni, tha se kryeministri Edi Rama është guri i parë i dominosë që pasi të bjerë do të marrë edhe të tjerët me vete, të të gjithë klasës së vjetër politike.
Ai nënvizoi se kërkesa kryesore e protestuesve është dorëheqja e Edi Ramës dhe më pas shfuqizimi i ligjeve të miratuara, si ai i Kodit Zgjedhor.
“Shprehja e famshme shqiptare ‘na ka ardhur në maj të hundës’ është bërë ‘na ka ardhur në maj të ballit. Njerëzit janë të acaruar, nuk janë budallenj. Njerëzit nuk po durojnë dot më. Nuk janë të metodës së vjetër që ndryshohen politikanët për ndryshim të ri dhe pastaj bashkëpunojnë mes tyre. Ka ardhur kulmi, nuk durohet më, njerëzit janë të shqetësuar. Ka ardhur në majë të hundës me këtë pronësinë e të vërtetës që kanë partitë politike duke censuruar deri edhe mediat në marrëveshje me njëra-tjetrën. Këta kanë bërë marrëveshje siç ishte dhe me AKSHI-n dhe nuk duhet të flasë askush”, tha ai mes të tjerash për “News24”.
Ai shpjegoi se për fat të mirë të shqiptarëve ka qenë një shkëndijë ajo që ndezi protestën e cila prej 20 ditësh mbledh mijëra qytetarë në shesh, përfshi edhe Diasporën.
“Për fatin e mirë ka qenë një shkëndijë që bëri që njerëzit të dalin, ka nga të gjitha rrymat. I kuptoj shumë mirë këto mosbesimet, se ka që duan foninë apo s’duan foninë, po me faktorizojnë me tezën që Genti s’do që njerëzit me fol. Genti nuk ndalon njerëzit të flasin, ka nga të gjitha shtresat, ka numër të pafund të atyre që duan të flasin”, tha ai.
Ndërsa për kërkesat e protestuesve, Progni shpjegoi e kryesorja mbetet dorëheqja e Ramës dhe se ai do e japë patjetër.
“Unë realisht do doja që të kishte e të vinin më shumë intelektualë, është mendimi im. Të gjithë kanë dhe dinë ide, nuk dua të hyjmë në teknikalitete. Mendimi im është se nëse Rama jep dorëheqjen dhe Rama do e japi se s’bën dorëheqjen, është guri i parë i dominosë që merr edhe gurët e tjerë me vete. Dorëheqja e Ramës sjell ekzaltim dhe dëshirë më të madhe për të dalë në protestë, do rriten numrat edhe më shumë, do dalin më shumë në shesh dhe do i frymëzojë”, theksoi ai.
Eksperti shpjegoi edhe hapin tjetër pas dorëheqjes së kryeministrit:
“Pastaj do i kërkojmë parlamentit të shfuqizojë ligjet, duke nisur që nga ai i vitit 2008 i zgjedhjeve, që ka kapluar të gjithë sistemin dhe vendosin këta se si, kë do votojnë dhe ku do votojnë. Pra është Kodi Zgjedhor. Por kryesorja mbetet dorëheqja e Edi Ramës”.