Tash që Gjykata Speciale ka intensifikuar punën dhe ftesat po vijnë për ditë, po rrjedhin edhe informacione se cilat raste po trajtohen aty. Deputeti Milaim Zeka ka bërë me dije se kjo gjykatë e ka marrë në pyetje në lidhje me vrasjen e Kolonel Ahmet Krasniqi – ish ministrit të emëruar nga Qeveria e Republikës së Kosovë në ekzil. Për këtë vrasje që gjerësisht cilësohet si politike vëllai i Ahmeti Krasniqit pret që Haga të vëjë drejtësinë në vend, shkruan Gazeta Express.
20 vite pas vrasjes së tij, eshtrat e kolonel Ahmet Krasniqit u kthyen në atdhe. Me rivarrimin e Krasniqit, nuk iu dha fund edhe pikëpyetjeve se kush qëndron prapa atentatit.
Për krejt këto vite, drejtësia vendore nuk e pati asnjë person të dyshuar e as të akuzuar. Ky dështim për të zbardhur këto vrasje, e disa të tjera që ndodhën gjatë e pas luftës, u mendua se do të finalizohej vetëm me funksionalizimin e Gjykatës Speciale.
Tash kur ka disa muaj prej kur kanë filluar të merren në pyetje, dëshmitarët e të dyshuarit e parë, vrasja e Krasniqit është një nga ato, për të cilat u tha publikisht se janë pyetur disa persona.
Ishte deputeti Milaim Zeka që tha mbrëmë në RTV Dukagjini se është marrë në pyetje nga Gjykata Speciale, për vrasjen e Ahmet Krasniqit.
“Jam ftuar për dy raste. Faktikisht kam kërkuar vet që të sqarohem në Gjykatën Speciale për vrasjen e Ahmet Krasniqit, pasi kam qenë njeriu i parë që jam akuzuar nga Millosheviqi dhe një gazetë në Kosovë. Gazetari i këtij mediumi për fat të keq ka cituar Millosheviqin, i cili me gjasë ma ka përzier emrin. Millosheviqi në Tribunal të Hagës e pyet një spiun të UDB-së: ‘A ke dëgjuar për Milaim Zekën?’, ai ia kthen: ‘Po kam dëgjuar’. Millosheviqi i thotë përsëri: ‘A ke dëgjuar se Milaim Zeka me urdhër të Rexhep e Sylejman Selimit e ka vrarë Ahmet Krasniqin në Tiranë?’. Ky thotë: ‘Jo këtë nuk e kam dëgjuar’. Nga ai moment kam qenë personi publik më i akuzuar dhe asnjëri nga shokët e mi të luftës nuk më kanë mbrojtur dhe janë tallur”, tha Zeka.
Dhomat e Specializuara në territorin holandez do të hetojnë ish-ushtarët e UÇK-së që dyshohet se kanë kryer krime lufte dhe krime të tjera që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Derisa atentati e vrasja e Ahmet Krasniqit ndodhi më 21 shtator të vitit 1998, edhe kjo është në afatin kohor ku është e paraparë që të trajtohen krimet.
Se po merren me hetime për këtë vrasje kanë informacione edhe familja e kolonelit të vrarë. Në një përgjigje për Gazetën Express, tash kur kjo temë është ri aktualizuar, vëllai i Ahmet Krasniqit, Behxhet Krasniqi ka thënë se deri më tani, megjithatë, kanë munguar kontaktet fizike me personelin e kësaj gjykate.

Behxhet Krasniqi ne interviste per T7
“Sinqerisht unë tani nuk mund të flas më shumë rreth Gjykatës Speciale. Ne si familje jemi gjithmonë të gatshme për bashkëpunim me drejtësinë dhe për drejtësi. Deri tash kanë munguar kontaktet fizike me personelin e Gjykatës, kaq mund të them”, thotë Krasniqi.
Ai thotë se presin që Gjykata Speciale ta vëjë në vend drejtësinë.
“Është fakt se tani kemi një Gjykatë Speciale nga e cila pritet që drejtësia, ndonëse e vonuar, të vihet në vend. Të gjitha familjet e dëmtuara (nga dora e krimit dhe tradhtisë), po ashtu edhe familja Krasniqi, presin që më në fund të gjendet e vërteta rreth vrasjeve politike dhe më në fund dorasin të marrin dënimin e merituar për aktet e tyre kriminale. Gjykatën Speciale nuk e sollëm ne (familjet e të dëmtuarve), por, atë e solli elita politike që po sundon në Kosovë. Pse si dhe cilat ishin pritjet e tyre nga kjo gjykatë, atë e dinë vetë. Megjithatë, për ne gjykata speciale është një dritë e zbehtë në tunelin e zi e të zisë, nëpër të cilin jemi të detyruar të ecim”, ka thënë ai.
Gazeta Express për këtë çështje e ka kontaktuar edhe deputetin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Qunin.
Deputeti po thotë se nuk është i informuar se me çfarë raste po merret Gjykata Speciale, e shton se nuk është kontaktuar asnjëherë nga ta.
“Unë nuk jam i informuar se me cilat raste po merret Gjykata Speciale dhe unë personalisht nuk jam kontaktuar asnjëherë nga ta. Ne si Parlament i Kosovës e kemi votuar ligjin për dhomat e specializuara për arsye se kishim para vetes dy opsione, atë që ta votojmë ne ose që ta lëjmë në mundësinë e krijimit të një gjykate apo tribunali nga OKB-ja. Ne zgjodhëm opsionin e parë të bindur se Kosova nuk mund ta shmang kalimin nëpër një proces që mund të jetë i dhimbshem por i pashmangshëm”, ka thënë Quni.
Për Express, deputeti i LDK-së, ka shtuar se beson që këto vrasje, si e Ahmet Krasniqit pritet që të zbardhen, por, që se di a do të ndodhë ky proces në Gjykatë Speciale.
“Vrasjet si ajo e Ministrit te Mbrojtjes Ahmet Krasniqit, e figurave tjera ushtarake dhe politike te LDK-së, janë plagë ende të pashëruara në Kosovë, dhe së pari familjet e tyre, por edhe gjithë qytetaret e Kosoves, besoj që presin të zbardhen. A do ta bëj këtë Gjykata Speciale apo jo, unë nuk e di. Kosova, duhet ta mbyllë këtë plagë, për të mos ua lënë barrë brezave të ardhshëm si dhe për të demonstruar qe ne si popull, po aq sa e duam lirinë e duam edhe shtetin ligjor e të së drejtës”, ka thënë ai.
Ministri i të ashtuquajturës Qeveri të Kosovës në ekzil ishte vrarë në moshën 50-vjeçare, natën e 21 shtatorit të vitit 1998, diku në zonën e ish-shtëpisë së partisë, pak para mesnatës në Tiranë.
Trupi i tij ishte varrosur fillimisht në varrezat e Sharrës, derisa rivarrimi i eshtrave të tij u bë në shtator të vitit të kaluar në Prishtinë.
Gjykata Speciale ka për detyrë të hetojë dhe të gjykojë krimet e supozuara të kryera prej UÇK-së, e po ashtu besohet se subjekt i saj do të jenë edhe vrasjet e pasluftës, të kryera kryesisht ndaj anëtarëve të LDK-së.
Kur është fjala te vrasjet që cilësohen të natyrës politike, paslufta kryesisht dominohet me eliminimin e bashkëpunëtorëve të ngushtë të Presidentit Ibrahim Rugova, pjesëtarëve të LDK-së, apo edhe të FARK-ut një formacion rival i krahut tjetër UÇK-së gjatë fundit të viteve ’90.
Të gjitha këto atentate edhe gati dy dekada pas kryerjes së tyre kanë mbetur të pazbardhura nga drejtësia. Kishte filluar me vrasjen e kolonel Ahmet Krasniqit, më 21 shtator të vitit 1998, në Tiranë. Ministri i Mbrojtjes i Qeverisë në ekzil u vra në një atentat në mes të kryeqytetit shqiptar. Meqë vrasja u krye jashtë Kosovës, ishin zgjeruar edhe kufijtë e dyshimeve. Madje, edhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, për vrasjen e kolonelit kosovar kishte akuzuar shërbimin sekret të Shqipërisë. Vrasja nuk është zbuluar kurrë, për më tepër ajo shpesh është subjekt i polemikave ndërmjet partive politike.
Më 11 janar 1999 në Prishtinë ishte vrarë Enver Maloku, gazetar dhe anëtar i LDK-së. Vrasja e tij ishte kryer para banesës së tij dhe para fëmijëve të tij, në lagjen “Kodra e Diellit”. Drejtuesit të Qendrës Informative të Kosovës, që u vra gjatë luftës asnjëherë nuk i janë gjetur atentatorët.
Përfundimi i luftës nuk ishte fundi i vrasjeve të anëtarëve të partisë së Rugovës. Familjarët e gjithë të të vrarëve, besojnë që ideologjia politike, ishte arsyeja që i mori të afërmit e tyre përmes atentateve të kryera, në shumicë, me sukses.
E të dyshuar, disa prej familjarëve kanë përmendur regjimin e Millosheviqit, por edhe kundërshtarët politikë shqiptarë.
Më 23 nëntor 2001 u vra bashkëpunëtori shumë i afërt i Presidentit Rugova, gazetari dhe publicisti Xhemajl Mustafa. Ne vendin e ngjarjes kishte pasur dëshmitarë që kishin thënë se atentatorët kishin ardhur nga shkallët e ndërtesës, para së cilës u vra ai. Megjithatë, edhe vrasja e Mustafës hyn në ato që nuk u zbardhën asnjëherë.
Më 24 prill 2001 vritet Ismet Rraci, kryetar i Komunës së Klinës e i Degës së LDK-së në Klinë, derisa po kthehej nga puna. Për këtë vrasje kishte folur edhe Presidenti Rugova, i cili kishte thënë se vrasja e zyrtarit të tij ishte e lidhur me fitoren e LDK-së në vitin 2000.
Në një atentat në tetorin e 2001-s, ishte vrarë gazetari Bekim Kastrati; truproja e presidentit Rugova, Besim Dajaku, ndërsa ishte plagosur ish-deputeti Gani Geci.
Më 17 janar 2002, ishte vrarë edhe deputeti Smajl Hajdaraj. Edhe kjo vrasje, sikur të tjerat, u krye në pritë, para banesës së Hajdarajt, në një errësirë të plotë dhe me ikjen e atentatorëve, që asnjëherë s’janë zbuluar. Vrasja e tij, ishte kryekëput për motive politike, siç kishin thënë familjarët e tij, përkatësisht djali i ish-deputetit, Shpëtim Hajdaraj.
Më 27 tetor 2002 vritet Ukë Bytyçi kryetar i komunës së Therandës dhe i degës së LDK-së në këtë komunë.
Më 4 janar 2003 vritet në Pejë kolonel Tahir Zemaj, ish-komandant i FARK-ut në rajonin e Dukagjinit.
Një vrasje tjetër që kishte tronditur opinionin në Kosovën e pasluftës është ajo e komandant Drinit. Drini ishte vrarë para shtëpisë së tij në lagjen “Bazhdarhane” në rrethana misterioze, në mëngjesin e 8 majit të vitit 2000, në kohën kur po punonte si drejtor komunal për Emergjencë.
Lista e vrasjeve të pasluftës është më e gjatë se kaq. E, po ashtu, ajo do zgjatej edhe më shumë, në qoftë se nuk do të dështonin disa nga planet për vrasje të tjera, të cilat përfunduan si tentim-vrasje./GazetaExpress/
Komentet