Elida Buçpapaj ka lindur në Tiranë. Ajo ka ndjekur shkollën 8 vjeçare tek Emin Duraku, gjimnazin tek Sami Frashëri dhe Bachelor e Master shkencor në Fakultetin Histori-Filologji, dega gjuhë dhe letërsi, pranë Universitetit të Tiranës.
Si e bija e poetit dhe gazetarit Vehbi Skënderi, ajo bashkë me familjen kanë përjetuar kalvarin e vuajtjeve të diktaturës. Regjimi komunist, vëllavrasës e dënoi Vehbi Skënderi me punë të detyrueshme dhe me internim gjithë familjen në një fshat të humbur rrethi i Tiranës.
Si bija e një armiku të partisë, Elida Buçpapajt iu ndalua të ndiqte studimet universitare. Ajo u dërgua të punonte si punëtore në Kombinatin Josif Pashko, Varrezat e Sharrës, daktilografiste në Institutin e Kulturës Popullore dhe pranë arkivit të këtij instituti si ndihmëse shkencore e Prof.Qemal Haxhihasanit, falë mbështetjes që i dha Prof.Alfred Uçi, pasi gruaja e tij Rozeta Uçi kishte qenë kolege me Vehbi Skënderin, në Shtëpinë Botuese «Naim Frashëri».
Angazhimi i Elida Buçpapajt në gazetari
Elida Buçpapaj filloi angazhimet në gazetari, sapo u shpall pluralizmi. Shkrimin e parë e ka botuar tek Rilindja Demokratike, kushtuar shkrimtarit të shquar Petro Marko. Më pas ajo vazhdoi të botonte opinione nga politika dhe shkrime me temë nga kultura tek gazeta Atdheu, Tribuna Demokratike dhe Kosova. Në një tjetër shkrim botuar tek Atdheu, në fillimet e saj si gazetare, ajo e shihte të papranueshme që Arben Puto, kunati i Manush Myftiut, një nga krerët e nomenklaturës së lartë dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Enver Hoxhës, të drejtonte “Komitetin Shqiptar të Helsinkit”, që u krijua menjëherë pas shpalljes së pluralizmit.
Në shkurt 1992 Elida filloi karierën e saj në gazetari si reporterja e parë nga Tirana e Zërit të Amerikës. Aty kontribuoi deri në tetor 1992. Kur ishte reportere e VOA, ajo nuk pranoi ftesën e Ramiz Alisë për ta takuar që i erdhi përmes këshilltarit të tij. Pavarësia nga politika dhe oligarkët e rinj të tranzicionit e udhëheq veprimtarinë e saj si gazetare, bashkëbotuese dhe qytetare.
Në mars 1992 Elida Buçpapaj refuzoi emërimin zyrtar si zëdhënëse e kryeministrit Aleksandër Meksi, duke preferuar të mos angazhohet afër politikës, kur bashkëshorti i saj Skënder Buçpapaj ishte Drejtor i Përgjithshëm i RTSH, pra zyrtar i lartë publik.
Pas shkëputjes nga Zëri i Amerikës, Elida Buçpapaj filloi të kontribuonte si redaktore tek Gazeta Zëri i Rinisë, me kryeredaktor Ilir Yzeirin dhe kolegë Agron Tufën e Mark Markun. Kishte një kolumnë në faqen e parë dhe mbulonte si redaktore kulturën.
Në të njëjtën kohë ajo ishte freelancer tek gazeta Republika me kryeredaktor Ylli Rakipin dhe zvkryeredaktor Lutfi Dervishi, ku botonte kolumnën e saj, dy herë në javë, në një vend të rezervuar në faqen e parë.
Në mars 1995 deri në tetor 1995 bashkë me shkrimtarin Fatos Kongoli, ai si kryeredaktor dhe ajo si redaktore, botuan pranë RTSH revistën dyjavore Shqipëria RTSH, ku përveç reportazheve apo intervistave dhe bashkëpunimeve botonte në faqen e fundit të gazetës opinionin e saj.
Më 15 mars 1996 largohen familjarisht nga Shqipëria për në Zvicër, ku Skënderi emërohet diplomat në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Bernë, Zvicër, ndërsa Elida nis punën pranë Ambasades si sekretare teknike, sipas një praktike që ka qenë në diktaturë e vijon edhe sot, ku në shërbimet diplomatike punësoheshin edhe bashkëshortet e diplomatëve.
Në nëntor 1997 çifti Buçpapaj parashtroi pranë organeve kompetente kërkesë për azil politik, që e fituan përkatësisht të dy në gusht të 2004. Tashmë ata janë edhe të natyralizuar.
Më 1 mars 1998 çifti Buçpapaj filluan kontributin tek Gazeta Bota Sot, me qendër në Zürich Skënderi si kryeredaktor dhe Elida si kolumniste, ku të dy fituan të drejtën e punës si gazetarë, megjithëse në praktikën zvicerane nuk lejohet ushtrimi i profesionit me dokumenta të përkohshme në rastet kur kërkon azil. Rasti i tyre ishte përjashtim. Gazeta e përditshme mbuloi me sukses tri konflikte rresht: në Kosove, Luginën e Preshevës dhe Maqedoninë e Veriut, përfshi edhe Shqipërinë që përjetoi pothuaj një konflikt civil. Elida Buçpapaj ishte pjesë e impressum-it të gazetës Bota Sot. Botonte kolumnat e saj të përditëshme në faqen e tretë, po ashtu çdo ditë për një dekadë mbulonte faqet e kulturës dhe të lajmeve nga Shqipëria.
Bota Sot ishte një sukses i fjalës së lirë, gjatë dekadës 1998-2008 të angazhimit të çiftit Buçpapaj. Gazeta arriti të shitej në mbi 200 mijë kopje, në Zvicër, BE, Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe SHBA, një shifër rekord që e ka arritur vetëm kjo gazetë në mbi një shekull e gjysmë të gazetarisë shqiptare. Bëhej gazetari profesioniste, megjithë pengesat, pa tabu, por jo pa pasoja. Prej 11 janarit vitit 1999 deri në 25 qershor të 2005 janë vrarë katër gazetarë e bashkëpunëtorë të Bota Sot: Enver Maloku, ish shefi i QIK, Xhemail Mustafa, këshilltar i Ibrahim Rugovës, Bekim Kastrati 23 vjeçar dhe Bardhyl Ajeti 28 vjeçar, vrasjet e tyre edhe sot e kësaj dite janë të mbuluara me heshtje.
Bashkëshortët Buçpapaj kanë mbi tre dekada bashkëpunim me Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane, AACL, por bashkëpunimi i tyre me ish Kongresmenin JoeDioGuardi dhe Shirley Cloyes DiGuardi ishte shumë intensiv gjatë dekadës tek Bota Sot prej 1998-2008, dekada më e rëndësishme edhe për Kosovën.
Po ashtu bashkëshortët Buçpapaj kanë mbajtur lidhje të forta me Komunitetin Shqiptaro-Amerikan prej 1991, sidomos me Vatrën dhe Diellin, që është ndërprerë kur Vatra ndryshoi kursin e Konicës, Nolit dhe Elitës antikomuniste. Po ashtu mbajnë kontakte konstante me Komunitetin Shqiptar në diasporë.
Me vdekjen e Rugovës më 2006 dhe aleancat e reja politike midis LDK dhe PDK në nëntor 2007, nga punët e para të aleancës së tyre ishte largimi i çiftit Buçpapaj nga gazeta dhe humbja e një institucioni të fjalës së lirë. Sot Bota Sot ka vetëm një botim online.
Më 2008 çifti Buçpapaj, Skënderi dhe Elida filluan kontributin e tyre si pronarë dhe botues të VOAL.CH – Voice of Albanians, një platformë mediatike e pavarur dhe e suksesshme, antikonformiste, pro interesave kombëtare, Euroatlantike dhe truthteller, që i përcjell realitetet shqiptare me një rrjet të respektuar bashkëpunëtorësh nga elita në Shqipëri dhe sidomos diasporë.
Pjesëmarrja aktive e Elida Buçpapaj në organizmat e gazetarëve
Elida Buçpapaj është anëtare aktive e IFJ, International Federation of Journalists – Bruksel – prej vitit 1992;
Elida Buçpapaj është e regjistruar në Regjistrin e Gazetarëve Profesionistë të Zvicrës.
Ajo është anëtare aktive e Sindikatës të Gazetarëve Zvicër – Schweizer Syndikat Medienschaffender.
Ajo është anëtare aktive e APES, Association de la Presse Etrangère en Suisse et au Lichtenstein, Asosacion i gazetarëve të huaj në Zvicër e Lihtenshtejn, organizatë një shekullore e mediave më të njohura të botës me qendër në Gjenevë;
Elida Buçpapaj është anëtare aktive e UGSHPD, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës, 2021 Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD) me qendër në Zvicër e krijuar me iniciativën e Elidës dhe mbështetjen e Skënder Buçpapajt dhe një grupi gazetarësh profesionistë të diasporës, si reaksion ndaj ngushtimit gjithmonë edhe më tepër të hapësirave të fjalës së lirë në Shqipëri dhe degradimit atje të sistemit, prej mungesës së shtetit të së drejtës.
Elida Buçpapaj nuk është anëtare e asnjë partie politike dhe mban qendrim të pavarur si profesioniste konform kodit dhe etikës së gazetarit.
Krijimtaria letrare dhe publicistike e Elida Buçpapajt
Elida Buçpapaj është autore e monografisë Hiperbola dhe Paralelizmi në Ciklin e Kreshnikëve, e botuar në dy numra në Revistën Kultura Popullore, organ i Institutit të Kulturës Popullore, pranë Akademisë së Shkencave së Shqipërisë.
Ajo është skenariste e dy dokumentarëve televizivë, prodhime të RTSH:
Dokumentari i parë i kushohej folkloristit dhe akademikut të shquar Qemal Haxhihasani, që u nda nga jeta më 1992, si një mendje e ndritur, mbledhës i shquar i folklorit dhe ekspert i epikës heroike dhe historike të folklorit shqiptar.
Dokumentari i dytë i kushtohej poetit dhe publicistit Vehbi Skënderi, i cili deri në rrëzimin e diktaturës përjetoi privime si krijues dhe njeri, duke u detyruar të punonte në repartin e plehrave të Poligrafikut në Tiranë.
Librin e parë poetik “Vij”, Elida Buçpapaj e çoi për botim kur ishte në Gjimnaz. Një kopje të librit përmes babait të saj poetit Vehbi Skënderi do t’ia paraqiste kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Dritëro Agolli, i cili pasi e vlerësoi librin i lëshoi një vërtetim si e re e talentuar, falë të cilit Elida Buçpapaj mundi të ndiqte studimet e larta.
Unë nuk jam e përjetëshme, Tiranë 1994. Ky libër u vlerësua nga dy poetë të rëndësishëm të Kosovës si Teki Dervishi dhe Ramadan Musliu.
Respodi e Golgotës së Tranzicionit, Omsca-1, 2012
Unë jam e përjetëshme, Omsca -1 2012
Anticirkland, Onufri, 2014
Ujshëm, Onufri 2019
Of-shaj, Onufri, 2022
Skaterr, Onufri, 2024
Elida Buçpapaj ka botuar edhe dy libra me publicistikë:
Tirania e Tranzicionit, Onufri, 2013 me redaktor, Akademik Mark Krasniqi dhe
dy parathënie nga Prof.Dr.Përparim Kabo e historiani e publicisti Jusuf Buxhovi.
Traumat e Tranzicionit, Onufri, 2013
Parathënia nga publicisti Shqiptaro-Amerikan Frank Shkreli, ish shefi i Zërit të Amerikës, gjuha shqipe.
Elida Buçpapaj ka përkthyer dhe botuar majat e poezisë botërore.
Ajo ka një angazhim prej mbi tri dekadash në gazetarinë e përditshme të shkruar shqiptare, në fillim në Shqipëri e në vijim në diasporë, duke kontribuar me të gjitha zhanret e gazetarisë nga kronikat e raportet, intervistat tek opinionet, komentet, analizat etj, duke botuar mijëra faqe publicistikë, krijimtari, përkthime etj..
——