VOAL

VOAL

Gjykimi i Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit drejt fundit: Cilat janë procedurat përpara?

Mimoza Sadiku

Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është në kilometrin e fundit, dhe pak hapa kanë mbetur deri te vendimi i trupit gjykues të Dhomave të Specializuara të Kosovës, në Hagë, për akuzat ndaj tyre për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat.

Ata akuzohen për veprat penale që përbëjnë krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje.

Krimet pretendohet se janë kryer midis muajit mars të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit pasues në disa lokacione në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.

Në fillim të javës së ardhshme pritet të nisin deklaratat përmbyllëse të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Mbrojtësit të Viktimave dhe të ekipeve mbrojtëse të ish-eprorëve të UÇK-së, të cilët ndodhen në qendrën e paraburgimit të asaj që njihet si Gjykata Speciale, në Holandë, që nga nëntori i vitit 2020.

Çfarë ka ndodhur deri më tani?

Aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj katërshes së UÇK-së u konfirmua më 26 tetor të vitit 2020. Me t’u bërë publike, më 5 nëntor të po atij viti, të akuzuarit u dërguan në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Pastaj nisi procedura paraprake, kur u mbajtën një sërë konferencash statusore, e u prezantuan materiale dhe prova të ndryshme. Gjykimi nuk filloi deri më 3 prill të 2023-tës.

Për tri ditë rresht, palët mbajtën deklaratat e tyre hyrëse. Fillimisht, prokurorët dhe mbrojtësit e viktimave.

Prokurorët e specializuar njoftuan se do të paraqisnin dëshmi se të akuzuarit ishin anëtarë të asaj që e konsiderojnë “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, që gjoja kishte shënjestruar kundërshtarët e perceptuar të UÇK-së. Në deklaratat hyrëse, ata thanë se ajo kishte udhëhequr një “luftë speciale” kundër atyre që i konsideronte “kolaboracionistë” dhe “tradhtarë”.

Në fjalimin e tij hapës në nisje të gjykimit, prokurori i specializuar, Alex Whiting, deklaroi se “shumica e viktimave të të pandehurve ishin bashkëkombës shqiptarë të Kosovës”.

“Në zellin e tyre për të goditur dhe eliminuar ata që i konsideronin kundërshtarë, të pandehurit mbështetën dhe zbatuan një politikë që shpesh i viktimizonte edhe të vetët e tyre”, tha Whiting.

Ndërkaq, përmes deklaratave të tyre hyrëse, për dy ditë me radhë, duke nisur nga 4 prilli i vitit 2023, ekipet mbrojtëse argumentuan se UÇK-ja s’kishte një komandë fikse, duke hedhur poshtë akuzën se ata ishin pjesë e “ndërmarrjes së përbashkët kriminale”, siç pretendon Prokuroria.

seancën e 4 prillit, u deklarua edhe vetë Thaçi. Ai tha se është vërtetuar se UÇK-ja nuk ka kryer veprën e trafikimit të organeve, akuzë që ishte bërë nga ish-senatori zviceran, Dick Marty, që u konkretizua në një raport të Këshillit të Evropës më 2011. Pikërisht ky raport shërbeu si pikënisje për krijimin e Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës, me seli në Hagë.

“Bota tani e di sot, si rezultat i këtij procesi, se nuk kishte trafikim organesh dhe se Shtëpia e Verdhë nuk ka ekzistuar kurrë. Tani e dimë se edhe unë, edhe UÇK-ja, populli i Kosovës dhe gjithë shqiptarët, jemi shfajësuar nga këto akuza. E vërteta është thënë, dhe reja e zezë mbi Kosovën është hequr. Pra, kjo sakrificë ia ka vlejtur”, u shpreh Thaçi.

 

Që nga prilli i vitit 2023, e deri në dhjetorin e vitit 2025, palët paraqitën prova e thirrën dëshmitarë në gjykatore.

Në rastin ndaj katërshes së UÇK-së vlerësohet se janë 155 viktima pjesëmarrëse. Zyra e Prokurorit të Specializuar ftoi në gjykatore 125 dëshmitarë, ndërkaq 117 të tjerë dorëzuan dëshmitë e tyre me shkrim.

Një nga dëshmitarët e Prokurorisë ishte edhe Fadil Geci, i cili në tetor të vitit 2024 dëshmoi në Hagë se “Thaçi ka menduar të na shfarosë”.

“Kjo është e vërteta… me krejt familjen, qëllimi i tij ka qenë të na shfarosë”, shprehej Geci.

Në prill të vitit 2025, Prokuroria e Specializuar përmbylli fazën e prezantimit të dëshmitarëve, ndërkaq më vonë, gjatë atij muaji, e përmbylli paraqitjen e provave, duke prezantuar mijëra prova materiale, që tha se mbështesnin akuzat e saj.

Dy viktima u thirrën në gjykatore nga mbrojtësit e viktimave, ndërkaq shtatë dëshmitarë u ftuan nga ekipet mbrojtëse.

Dëshmitarët e mbrojtjes

Në shtator, ekipet mbrojtëse të Thaçit dhe Krasniqit nisën thirrjen e dëshmitarëve, dhe paraqitjen e provave të tyre. Ekipi i Veselit dhe ai Krasniqit zgjodhën të mos paraqisnin as prova, e as të thërrisnin dëshmitarë.

I pari që doli para gjykatores ishte James Rubin, ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, i cili për tri ditë rresht, në shtatorin e 2025-tës, dëshmoi në mbrojtje të Thaçit. Ai tha se ish-presidenti i Kosovës kishte rol kryesisht politik në UÇK, dhe s’kishte kompetenca për vendime ushtarake, duke shtuar se për çdo vendim të rëndësishëm ai duhej të merrte miratimin e komandantëve të zonave. Rubin dëshmoi se nuk kishte informacione që e lidhnin Thaçin dhe Krasniqin me pretendimet për vrasje.

 

Në gjykatore u paraqit edhe Christopher Hill, diplomat i pensionuar amerikan, që kishte qenë i dërguar i Uashingtonit gjatë luftës në Kosovë. Edhe ai ishte në të njëjtën linjë se Thaçi nuk ishte përgjegjës në UÇK, duke theksuar se nuk kishte informacione se Thaçi kishte urdhëruar aktivitete të paligjshme.

Ish-komandanti suprem i forcave aleate të NATO-s, Wesley Cark, ishte dëshmitari i fundit i mbrojtjes së Thaçit. Për dy ditë resht, në nëntorin e 2025-tës, ai dëshmoi për rolin e UÇK-së dhe të Thaçit. Sipas gjeneralit të pensionuar amerikan, Thaçi nuk mban përgjegjësi për aktet e dhunës në Kosovë.

Njeriu kryesor i fushatës së NATO-s ndaj caqeve serbe dëshmoi se UÇK-ja nuk kishte zinxhir komandues funksional, e as hierarki të plotë, dhe nëse do të kishte diçka të tillë, sipas tij, do të ishte e pamundur që SHBA-ja dhe NATO-ja të mos ishin në dijeni.

Ai i tha trupit gjykues se UÇK-ja nuk ishte terroriste dhe se pjesëtarët e saj luftuan për lirinë e tyre.

 

Deklaratat përmbyllëse

Me përmbylljen e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes, gjykimi kaloi në fazën tjetër: Dorëzimi i dosjeve përfundimtare nga palët, deri në fund të janarit.

Ndërkaq, nga 9 deri më 18 shkurt, palët do të mbajnë deklaratat përmbyllëse.

Fillimisht do të ketë radhën Prokuroria, ekipet e mbrojtësve të viktimave, dhe më pas nga 11 shkurti do të jetë radha e ekipeve mbrojtëse të të pandehurve.

Çështja te trupi gjykues

Pas përmbylljes së deklaratave, çështja kalon te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen dhe ta shpallin atë.

Nga Gjykata në Hagë më herët kanë treguar se gjykatësit mund të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit edhe për dy muaj, dhe në raste të jashtëzakonshme edhe më gjatë.

Teksa ky gjykim po shkon drejt fundit, Thaçi pritet të ketë ende punë me Dhomat e Specializuara, pasi ndaj tij pritet që së shpejti të nisë gjykimi për një rast të ndarë kundër administrimit të drejtësisë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar u themeluan në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, dhe janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por veprojnë me personel ndërkombëtar në Holandë.

Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Intervistohen 14 të dyshuar për falsifikim të rezultateve të votimit në Kllokot

Radio Evropa e Lirë

Policia e Kosovës ka arrestuar dhe intervistuar 14 persona – kryesues dhe anëtarë të komisioneve numëruese – nën dyshimet për falsifikim të rezultateve të votimit në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) në Kllokot.

Sipas njoftimit të Policisë, arrestimet janë kryer më 6 shkurt, ndërsa të dyshuarit janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve. Me vendim të prokurorit, ata janë liruar pas intervistimit.

Deri më tani, për shkak të dyshimeve për manipulim të votave janë ndaluar dhjetëra persona në disa rajone të Kosovës dhe janë intervistuar qindra të tjerë. Hetime po zhvillohen në Prizren, Malishevë, Podujevë, Ferizaj dhe Mitrovicë.

Koordinatorja nacionale për zgjedhje, Laura Pula, e ka cilësuar procesin zgjedhor të 28 dhjetorit si ndër proceset “më të komprometuara”, pasi janë vërejtur mospërputhje të mëdha në numrin e votave të kandidatëve për deputetë pas një rinumërimi të pjesshëm të urdhëruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Më pas, KQZ-ja urdhëroi rinumërim të plotë të votave, i cili përfundoi në fundjavën që shkoi.

Pula ka thënë se edhe kandidatët të cilëve u janë shtuar votat do të jenë objekt i hetimeve, por deri më tani nuk është bërë e ditur nëse ndaj ndonjërit prej tyre kanë nisur procedura hetimore.

Pas përfundimit të rinumërimit, më 31 janar, KQZ-ja ka shpallur rezultatet përfundimtare, duke i hapur rrugë formimit të institucioneve të reja të vendit.

Sipas rezultateve përfundimtare, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 51.10 për qind të votave, duke siguruar 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës. Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 20.19 për qind të votave, apo 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 13.24 për qind, apo 15 ulëse, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 5.50 për qind, apo gjashtë ulëse.

Nga ulëset e rezervuara për minoritetin serb, nëntë ulëse i ka fituar Lista Serbe dhe një ulëse Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Nis numërimi mbrapsht: Çka mund të ndodhë me postin e presidentit?

Krenare Cubolli

Ani pse është demokraci parlamentare, në Kosovë ka pasur gjithmonë rëndësi se kush është ngjitur në pozitën e presidentit. Mandati i radhës nuk përbën asnjë dallim. Madje, kalkulimet për të duket që sa shkojnë e rriten. Në anën tjetër, koha për finalizim të procesit sa shkon e shkurtohet. Pse, atëherë, partitë nuk deklarohen zëshëm për një kandidat?

 

Çfarë pritet nga legjislatura e dhjetë?

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka thënë hapur se synon edhe një mandat në krye të shtetit.

Por disponimin e njëjtë nuk duket se e kanë ata që duhet t’ia japin votën.

Momentalisht, Kosova nuk e ka një legjislaturë të re në Kuvend, ndonëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i ka shpallur rezultatet përfundimtare dhe pritet t’i certifikojë ato shpejt.

Ndërkohë, numërimi mbrapsht ka nisur: Deputetët duhet ta votojnë deri më 4 mars emrin e presidentit për mandatin e ri, në të kundërtën vendi i rrezikon edhe një palë zgjedhje të parakohshme.

Logoja e Presidencës.

Logoja e Presidencës.

Çfarë thonë partitë?

Për Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), partinë që ka fituar mbi 51 për qind të votave në parlamentaret e parakohshme të 28 dhjetorit, zgjedhja e presidentit përbën prioritetin e katërt.

Kreu i saj, Albin Kurti, njëherësh kryeministër në detyrë i Kosovës, e ka pranuar se ka biseduar me Osmanin në këtë drejtim, por, sipas tij, muaji shkurt e vërteton gatishmërinë dhe interesimin e opozitës për të nisur një kapitull të ri me pushtetin.

Për Dritëro Arifin, njohës i çështjeve politike, LVV-ja me qëllim nuk është deklaruar me “po ose jo të madhe” për Osmanin. Sipas tij, Kurti nuk dëshiron të negociojë për Osmanin, për të cilën besimi, pavarësisht se nga fundi i mandatit kanë pasur bashkëpunim, nuk është sikurse më 2021.

“E ka lënë me qëllim që të nënkuptohet që janë të mundshme të dyja variantet. LVV-ja po luan me skenarin e presionit të madh, që të afrohet sa më shumë data e 4 marsit, dhe të ketë presion më të madh te opozita, që në rastin më të keq të pranohet cilido kandidat apo kandidate që propozohet, vetëm të mos shkohet në zgjedhje të reja”, thotë Arifi për Radion Evropa e Lirë.

As ish-partitë opozitare nuk duket se e kanë ndarë mendjen.

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka thënë se fillimisht duhet të konstituohet Kuvendi dhe më pas të gjendet një formulë.

Udhëheqësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka pohuar së voni se është i gatshëm të flasë me gjithë spektrin politik për t’i dhënë zgjidhje kësaj çështjeje. Sipas tij, figura në pozitën e presidentit duhet të përfaqësojë “unitetin kombëtar” të Kosovës.

“Na duhet komunikim publik brenda spektrit politik. Kjo është shumë e natyrshme. Kur flasim për marrëveshje politike, nuk e kemi fjalën për pazare politike, e kemi fjalën që duhet ulur partitë që t’i bëjnë numrat për një president të ardhshëm të Republikës së Kosovës”, ka thënë Abdixhiku.

Partia e tij, LDK-ja, ka qenë ajo që ia ka bërë kuorumin Osmanit më 2021.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në fjalimin e saj të parë, pasi e ka fituar pozitën e presidentes më 4 prill 2021.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në fjalimin e saj të parë, pasi e ka fituar pozitën e presidentes më 4 prill 2021.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës duket se do ta ketë kandidatin e vet. Pal Lekaj nga kjo parti tha ditë më parë se lideri i partisë, Ramush Haradinaj, mund të jetë kandidat.

“Mendoj që është koha e duhur që opozita të unifikohet dhe të vendosë për një kandidat konsensual, e në këtë rast pse të mos ishte edhe zoti Haradinaj”, u shpreh Lekaj, duke shtuar se ka diskutime edhe me krerët e PDK-së dhe LDK-së në këtë drejtim.

Arifi beson se këto parti nuk janë në pozitë shumë të favorshme, për shkak të rrezikut të zgjedhjeve të reja, andaj edhe mund të lëshojnë pe – nëse jo partia si një, mund të ketë deputetë që të paktën qëndrojnë në sallë.

Sa u përket minoriteteve joshumicë, tre përfaqësues të tyre – Emilija Rexhepi, Veton Berisha dhe Erxhan Galushi – thanë ditë më parë se do të votonin kandidatin që e propozon shumica, duke përmendur se kanë votë edhe për Osmanin.

Si zgjidhet presidenti i Kosovës?

Për ta çuar përpara një propozim duhet të sigurohen të paktën 30 nënshkrime të deputetëve.

Një kandidat duhet t’i sigurojë dy të tretat e votave të deputetëve në Kuvendin me 120 karrige, ndërsa kuorumi arrihet me 80 deputetë.

Nëse në dy rundet e para një kandidat nuk i siguron 80 vota, atëherë në votimin e tretë mjafton t’i ketë 61.

Deputetët e legjislaturës së kaluar në Kuvendin e Kosovës.

Deputetët e legjislaturës së kaluar në Kuvendin e Kosovës.

Çfarë ndodh nëse nuk zgjidhet presidenti?

Këtë herë, përtej kalkulimeve partiake, mosrespektimi i afateve kohore do ta çonte shtetin në zgjedhje dhe do të rrezikonte ta paralizonte gjithë sistemin. Shteti do të mbetej pa buxhet dhe rrjedhimisht as nuk do të mund të ndaheshin fonde për proces tjetër zgjedhor.

Mos të flasim për mungesë pagash për sektorin publik dhe një mori komplikimesh tjera.

Një tjetër fatkeqësi për shtetin do të ishte nëse nuk do të ratifikoheshin marrëveshjet ndërkombëtare për Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian dhe ato me Bankën Botërore.

Arifi beson se Kosova mund të përballet me zgjedhje të reja, vetëm nëse kalon në një “marrëzi totale kolektive politike”.

“Përndryshe nëse ka pak racionalitet, partitë opozitare duhet ta marrin një vendim se si do të duket skena politike me presidenten, cilindo që do ta propozojë LVV-ja. Normalisht, do të ishte mirë të kishin marrëveshje me LVV-në, që të jetë një pushtet më balancues, por po vërehet që partia [LVV-ja] nuk është e gatshme ta ndajë këtë pozitë”.

Presidentja Osmani është kritikuar disa herë gjatë mandatit të saj se ka mbajtur anë nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, në fund të dhjetorit, ajo tha se nëse nuk e fiton edhe një mandat, atëherë do t’i kthehet angazhimit politik, pa treguar se me cilën parti.

Serbia arreston një veteran të UÇK-së

Radio Evropa e Lirë

Një ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shtetas i Kosovës, është arrestuar nga autoritetet në Serbi paraditen e 5 shkurtit, thanë nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK) dhe avokati Arianti Koci. Autoritetet serbe konfirmuan se Mit’hat Lozhani u arrestua nën dyshimet për krime kundër popullatës civile.

Nënkryetari i OVL të UÇK-së, Gazmend Syla, tha për Radion Evropa e Lirë se Lozhani u arrestua në kufirin mes Serbisë dhe Kroacisë dhe gjatë kontrollit i është gjetur në xhep kartela e anëtarësisë së veteranit të UÇK-së.

Syla shtoi se ai ka marrë pjesë në disa stërvitje në Shqipëri dhe nuk ka informacione të ketë qenë në vijat e frontit në Kosovë.

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, tha se i arrestuari është nga Peja dhe ai dyshohet për krime kundër popullatës civile.

Sipas tij, Mit’hat Lozhani është dërguar në ndalim prej 48 orësh dhe më pas do të dërhohet para Zyrës së Prokurorisë për Krime Lufte ku do t’i ngrihet aktakuza.

Sipas Serbisë, ai dyshohet se ka kryer trajnime si pjesëtar i UÇK-së i Zonës Operative të Dukagjinit më 1998 dhe 1999 “pas së cilave ka marrë pjesë në sulme terroriste kundër anëtarëve të MPB-së serbe dhe ushtrisë jugosllave”. Në njoftim thuhet po ashtu se “si anëtar i grupit të komanduar nga Ramush Haradinaj, ai ka marrë pjesë në rrëmbim dhe masakrim të policëve”.

Ndërkaq, avokati kosovar Arianti Koci tha se arrestimi ndodhi rreth orës 11:00 të 5 shkurtit.

Sipas tij, ky rast nuk është i izoluar, pasi arrestime të shtetasve të Kosovës që kalojnë nëpër Serbi po përsëriten.

Ai kërkoi nga autoritetet e Kosovës që të reagojnë për këto arrestime, pa përjashtuar edhe masa politike, “përfshirë edhe mbylljen 24-orëshe të kufirit, nëse arrestimet vazhdojnë”.

“Nga ana ime në cilësinë e avokatit, po bëhet maksimumi i mundshëm. Megjithatë, mbrojtja efektive e qytetarëve të Kosovës nuk mund të mbetet vetëm në nivel individual. Kjo është përgjegjësi e shtetit, brenda dhe jashtë kufijve të tij”, shkroi ai.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ende nuk kanë reaguar për këtë rast.

Serbia ka arrestuar vazhdimisht shtetas të Kosovës nën pretendime për krime lufte në Kosovë më 1998-’99, dhe vetëm në vitin 2025 u regjistruan disa arrestime të tilla.

Serbia gjatë viteve ’90 e karakterizoi UÇK-në si organizatë terroriste, ndërsa për Kosovën, UÇK-ja është organizata që mbrojti popullsinë lokale nga represioni i forcave të armatosura jugosllave.

Rastet e të arrestuarve në Serbi, sipas burimeve në MPJD

Arbnor Spahiu – i arrestuar në qershor nën dyshimet për “vrasje të rëndë” në Banjskë; u lirua më 21 nëntor.

Lulzim Halili – i arrestuar në korrik, i akuzuar për “krime lufte”; mbetet në paraburgim.

Sasha Gjorgjeviq – i arrestaur në korrik, nën dyshimet për “bashkëpunim me Shërbimin Informativ të Shtetit të Shqipërisë (SHISH), përmes Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI)”; mbetet në paraburgim.

Behar Preniqi – i arrestuar në gusht, si “pjesëtar i dyshuar i UÇK-së”; mbetet në paraburgim.

Hazir Haziri – i arrestuar në shtator nën dyshimet për “krime lufte”; u lirua në janar 2026.

Avni Qenaj – i arrestuar në nëntor për “krime lufte”; gjykata në Beograd i dha një muaj paraburgim.

Millan Vukashinoviq dyshohet se është rrëmbyer nga xhandarmëria serbe në Leposaviq – pjesa veriore e Kosovës – më 1 nëntor.

Më 14 gusht, autoritetet serbe njoftuaan se i ndaluan edhe dy persona me inicialet X.E. dhe B.E. (Xhemajl dhe Bashkim Emini) në pikën kufitare mes Serbisë dhe Hungarisë, Horgosh, nën dyshimet se si pjesëtarë të UÇK-së, “kanë kryer krime lufte kundër popullsisë civile”. Pesë ditë më pas, ata u liruan.

Aktgjykimi i Kushtetueses: Nënkryetari serb i Kuvendit propozohet nga shumica e deputetëve serbë

Radio Evropa e Lirë

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar aktgjykimin e plotë lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, duke theksuar se nënkryetari propozohet nga shumica e deputetëve të këtij komuniteti.

Aktgjykimi i plotë publikohet disa ditë pasi Kushtetuesja publikoi një njoftim lidhur me këtë vendim sa i përket zgjedhjes së Nenad Rashiqit në postin e nënkryetarit gjatë legjislaturës së kaluar, duke gjetur se ai ishte zgjedhur në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit.

“Kandidati/ja për nënkryetar/e të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb propozohet nga shumica e deputetëve të komunitetit serb; përderisa kandidati për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komuniteteve të tjera që nuk janë shumicë propozohet, nga shumica e deputetëve të komuniteteve të tjera që nuk janë shumicë, në përputhje me kërkesat formale dhe në mirëbesim”, thuhet në aktgjykim.

Rashiq, udhëheqës i partisë Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, u zgjodh nënkryetar nga radhët e komunitetit serb në tetor të vitit 2025, përmes shortit të iniciuar nga kryetari i Kuvendit, Dimal Basha.

Shorti u organizua pasi Lista Serbe – që kishte nëntë deputetë dhe po aq do të ketë edhe në legjislaturën e re – nuk morën votat e nevojshme, dhe u organizua shorti.

Zgjedhja e tij u kontestua nga Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit.

Që atëherë, Kuvendi është shpërndarë dhe vendi ka mbajtur zgjedhje dhe Kushtetuesja ka thënë se aktgjykimi i saj nuk ka efekt prapaveprues”.

Pra, kjo do të thotë se ky vendim nuk vlen edhe për rastet para hyrjes në fuqi, por për ato që do të merren në të ardhmen.

Çfarë thuhet në aktgjykim?

Gjykata tha se e drejta për të propozuar nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb i takon shumicës së deputetëve të këtij minoritet.

Në aktgjykim u tha se aktivizimi i mekanizmit zhbllokues të shortit, “duhet të vijnë në shprehje rrethana përjashtimore, me ç’rast shumica e deputetëve nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë nuk do të propozonte kandidatët”.

Institucioni më i lartë juridik në shtet tha se në rastin konkret nëntë kandidatë nga komuniteti serb u votuan nga tri herë, pas propozimit nga ana e përfaqësuesit të tyre.

“Rrjedhimisht, Gjykata vlerëson se shumica e deputetëve nga radhët e komunitetit serb ka shfrytëzuar të drejtën e propozimit për nënkryetar të Kuvendit, respektivisht, anëtar të Kryesisë së Kuvendit, si dhe pas kërkesës nga kryetari i zgjedhur i Kuvendit që të propozohet deputeti i mbetur i pa votuar nga radhët e komunitetit serb, përfaqësuesi i shumicës së deputetëve në radhët e komunitetit Serb kërkoi ripropozimin e kandidatëve nga kjo shumicë bazuar në të drejtën e përcaktuar në paragrafin 4 të nenit 67 të Kushtetutës në lidhje me nënparagrafin 1 të paragrafit 6 të nenit 12 të Rregullores së Kuvendit”, u tha në aktgjykim.

Në vendim thuhet se përderisa i takon Kuvendit që të vlerësojë rrethanat që e bëjnë të domosdoshëm aktivizimin e mekanizmave debllokues, “Gjykata thekson fuqishëm që këto mekanizma nuk mund të përdoren si procedurë e rregullt e zgjedhjes së kryetarit/nënkryetarëve, por vetëm në rrethana të caktuara, kur një gjë e tillë është e domosdoshme për të debllokuar procesin e konstituimit të Kuvendit dhe vetëm në masën që një gjë e tillë i shërben qëllimit kushtetues për çka këto mekanizma janë përcaktuar”.

“Në parim, ashtu siç është theksuar më herët, propozimet nga grupet parlamentare apo deputetët që gëzojnë të drejtën e propozimit, në frymën e mirëbesimit dhe bashkëpunimit, duhet të synojnë arritjen e konsensusit, të sigurojnë votat e nevojshme dhe të rezultojnë në zgjedhjen e kandidatëve ashtu siç janë propozuar dhe siç parashihet me Kushtetutë. Për më tepër, duke u mbështetur në përcaktimet kushtetuese të lartcekura, ky parim ka rëndësi të veçantë për garantimin e së drejtës së përfaqësimit të komuniteteve që nuk janë shumicë, të cilat nuk disponojnë numrin e nevojshëm për të siguruar vetë zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre në kryesinë e Kuvendi”, thuhet në aktgjykim.

Kushtetuesja thotë se shorti nuk mund të përdoret si mekanizëm në rrethanat kur shumica e deputetëve të Kuvendit do të përcaktonte përfaqësuesin e një komuniteti joshumicë, pa propozimin e këtij komuniteti, pasi argumenton se kjo, “në thelb, do të përbënte anashkalim të garancive kushtetuese dhe atyre të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit”.

Pas njoftimit për aktgjykimin, të publikuar nga Kushtetuesja më 28 dhjetor, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, e kishte kritikuar atë, duke vlerësuar se përmbante “gabime thelbësore në interpretim dhe zbatim të normave përkatëse”.

Ai vlerësoi se pretendimet e Gjykatës Kushtetuese “janë të pabaza” sa i përket zgjedhjes së nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.

Basha deklaroi se Rashiq nuk u propozua nga shumica e deputetëve serbë, pasi siç argumentoi ai, nga shumica e këtyre deputetëve nuk ka pasur propozim.

“Me fjalë të tjera, vetë Gjykata Kushtetuese po e pranon se shumica e deputetëve nga komuniteti serb nuk e kanë propozuar zotin Rashiq, pra kemi pasur të bëjmë me refuzim, apo ndryshe thënë mospropozim nga ana e tyre”, shkroi Basha në rrjetet sociale.

Më 16 tetor 2025, Lista Serbe iu drejtua Kushtetueses me ankesë lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, duke pretenduar se janë shkelur Kushtetuta, Rregullorja e punës së Kuvendit, si dhe një aktgjykim i mëparshëm i Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata më e lartë në vend veçse kishte trajtuar një ankesë të Listës Serbe lidhur me çështjen e nënkryetarëve, pasi kryeparlamentari Dimal Basha, e kishte shpallur të konstituuar Kuvendin pa zgjedhjen e nënkryetarit të pestë nga radhët e komunitetit serb.

Më pas, Gjykata konstatoi se Kuvendi nuk ishte i konstituuar, duke kërkuar që deputetët të zgjidhnin nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb, me qëllim që të hapej rruga për formimin e Qeverisë.

Në atë vendim, Kushtetuesja tha se propozimi për nënkryetarin nga radhët e komuniteteve joshumicë, në këtë rast të pakicës serbe, duhet të bëhet nga shumica apo numri më i madh i deputetëve nga radhët e deputetëve të komunitetit serb.

Formimi i qeverisë së re në Kosovë, Albin Kurti paralajmëron emra të rinj në ekzekutiv

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka paralajmëruar ndryshime në kabinetin e qeverisë “Kurti 3” në raport me emrat që i pati prezantuar në Kuvend muaj më parë, para se vendi të shkonte në zgjedhje të parakohshme.


“Do të ketë shumë prej emrave që tashmë i kam prezantuar edhe unë dhe Glauk Konjufca vjeshtën e vitit të kaluar, mirëpo nuk do të jenë identikë. Do të ketë edhe emra të tjerë”, ka thënë ai në një deklaratë për mediat në Podujevë.

Në listën e të propozuarve nga Kurti ishin përfshirë emra të rinj, teksa ishin lënë jashtë ai i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, i ministres në detyrë të Tregtisë e Industrisë, Rozeta Hajdari, i ministrit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci.

Për postin e ministrit të Infrastrukturës, Kurti pati propozuar kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha.

Detyrën për ta udhëhequr ministrinë e re, atë për Familje e Mirëqenie Sociale, ia pati besuar Andin Hotit. E në atë për Kulturë dhe Turizëm e pati propozuar aktorin Fatmir Spahiu.

Për ministre të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Kurti kishte propozuar Fitore Pacollin, e cila nuk ka mbajtur post ministror në Qeverinë Kurti 2.

Ndërkohë, ministren e deritanishme e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e pati propozuar që të marrë drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë, e cila më parë është udhëhequr nga Albulena Haxhiu.

Në dy raste, pos Kurtit edhe Glauk Konjufca si mandatar për kryeministër, patën propozuar rritjen e numrit të ministrive nga 15 në 19.

Në këtë deklaratë, Kurti ka deklaruar se Kuvendi duhet të formohet sa më shpejt dhe të miratohen marrëveshjet ndërkombëtare për qindra miliona euro përfitime për Kosovën. Ai ka kujtuar edhe domosdoshmërinë që buxheti të miratohet sa më shpejt.

Në zgjedhjet e fundit, të 28 dhjetorit, Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit mori më shumë se 50 për qind të votave. Këto vota i mjaftojnë për të formuar qeverinë në bashkëpunim vetëm me pakicat. gsh

Dënohet me 12 vjet e gjysmë burgim një i akuzuar për krime lufte në Malishevë

Radio Evropa e Lirë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shqiptuar aktgjykimin ndaj të akuzuarit për krime lufte Sërgjan Lazoviq, duke e dënuar me 12 vjet e gjashtë muaj burgim.

Lazoviqit u dënua për krime të kryera në Panorc të Malishevës gjatë luftës së fundit në Kosovë, raporton Betimi për Drejtësi.

Aktakuza ndaj tij ishte ngritur më 2024 nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Sipas aktakuzës të siguruar nga kjo media e specializuar në raportime në fushën e drejtësisë, Lazoviq akuzohej se në periudhën 1998-1999, në fshatin Panorc të Malishevës, në bashkëkryerje me persona të tjerë ende të paidentifikuar kishin kryer arrestime të kundërligjshme, keqtrajtime fizike dhe psikike të popullsisë civile shqiptare, që nuk ishin të përfshirë në luftë.

Aktakuza thotë se nga 3 shtatori i vitit 1998 deri më 5 tetor të po atij viti, në Panorc, Lazovi, si person i uniformuar, së bashku me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe me qëllim të frikësimit, dëbimit masiv dhe spastrimit etnik të popullatës shqiptare, ai kishte arrestuar, ndaluar, torturuar, maltretuar fizikisht dhe psiqikisht rreth 500 civilë.

Prokuroria ka argumentuar se banorë të fshatrave të Malishevës dhe Klinës u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre, duke shkuar në drejtim të bjeshkëve të fshatit Panorc dhe me të arritur aty, civilët hasën në një postbllok të forcave policore serbe. Aktakuza thotë se forcat serbe fillimisht i ndan burrat nga gratë dhe fëmijët, duke i urdhëruar këta të fundit që të largoheshin. Ndërkaq, rreth 500 burra shqiptarë u arrestuan dhe u dërguan në drejtim të shkollës së fshatit dhe rrugës u keqtrajtuan dhe rrahën.

Në këtë shkollë, burrat ishin mbajtur të bllokuar për rreth 30 orë, dhe në një klasë ata dërgoheshin për t’u marrë në pyetje, ku edhe rriheshin e torturoheshin, thuhet në aktakuzë, ku shtohet se 13 prej të ndaluarve u dërguan më pas në Burgun e Dubravës dhe të tjerët u liruan.

Lazaroviq dhe pjesëtarë të tjerë të forcave serbe po ashtu akuzohen se dëbuan popullsinë shqiptare dhe më pas plaçkitën shtëpitë e tyre.

Së voni, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur një sërë aktakuzash për krime lufte në Kosovë. Ndërkaq, që nga përfundimi i luftës, dhjetëra persona janë dënuar për këto krime para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Fillimisht pas luftës, përkatësisht nga viti 2000 dhe 2008, krimet e luftës në Kosovë u hetuan nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX).

Më 2018, EULEX-i ia dorëzoi lëndët organeve vendore të drejtësisë.

Gjatë luftës në Kosovë, nga viti 1998 deri në 1999, janë vrarë më shumë se 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur.

Më shumë se 1.500 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur, pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

Prishtina radhitet si kryeqyteti më i lirë në Evropë

Prishtina renditet si kryeqyteti më i lirë në Evropë sa i përket kostos së jetesës, qirave, çmimeve të ushqimeve dhe në restorante. Megjithatë, edhe fuqia blerëse është ndër më të ulëtat, duke lënë prapa vetëm Athinën, Shkupin, Beogradin, Lisbonën, Kievin, Kishinjevin dhe Tiranën.

Shifrat tregojnë koston e jetesës në qytete të ndryshme, krahasuar me Nju Jorkun. Kur një indeks ka vlerën 80, ai qytet është më i lirë se Nju Jorku për 20 për qind. Nëse indeksi ka vlerën 120, qyteti është më i shtrenjtë se Nju Jorku për 20 për qind.

Shënim: Në indeksin e publikuar janë përfshirë edhe shumë qytete të tjera të Evropës dhe botës. Vetëm gjashtë vende në botë radhiten si më të shtrenjta se Nju Jorku, të gjashtat nga Zvicra.
Burimi: Numbeo

Jahjaga: Raportimet mediatike për “lidhjen time” me dosjen “Epstein” janë tërësisht të pabaza dhe të pavërteta

Sqarim publik
Raportimet mediatike për “lidhjen time” me dosjen “Epstein” janë tërësisht të pabaza dhe të pavërteta. Si Presidente e Republikës së Kosovës nuk kam pasur asnjëherë njohje, takim apo çfarëdo lloj kontakti me personin në fjalë.
Përmendja e emrit tim nga mediat me rastin e dokumenteve të publikuara së fundmi lidhet vetëm me një korrespondencë elektronike të palëve të treta, e cila nuk përbën dhe nuk dëshmon asnjë takim, njohje apo lidhje personale me mua. Emri im askund nuk përmendet në asnjë lloj dokumenti të publikuar.
Në këtë email te palëve të treta permendet Presidenti i Kosovës, por nuk është e qartë cili, dhe nuk permendet kerkesa per takim në emër të tij apo të saj.
Çdo raportim ndryshe është insinuate dhe mashtrim i opinionit, siç mund te verehet lehtë nga dokumentet.
Kërkoj që ky sqarim të jepet në mediat të cilat e kanë lakuar emrin tim, sidomos meqenëse as nuk e kam njohur, as takuar dhe as nuk kam kërkuar takim me personin në fjalë në asnjë pozitë që kam mbajtur deri më tani.

Prokuroria autorizon Policinë për hetime lidhur me numërimin e votave në Podujevë

Radio Evropa e Lirë

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës për grumbullimin dhe mbledhjen e provave lidhur me dyshimet për parregullsi gjatë procesit të numërimit të votave në komunën e Podujevës.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, autorizimi është dhënë për Drejtorinë e Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në kuadër të dyshimeve për kryerjen e veprave penale që lidhen me cenimin e të drejtave të votimit.

Prokuroria ka bërë të ditur se gjatë këtij procesi ekzistojnë dyshime për parregullsi, përkatësisht mospërputhje në numrin e votave të kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, pas përfundimit të numërimit të votave në Podujevë.

Autoritetet nuk kanë dhënë detaje shtesë lidhur me natyrën e mospërputhjeve apo numrin e personave që mund të jenë përfshirë në këtë fazë të hetimeve.

Hetimet lidhen me procesin zgjedhor për Kuvendin e Kosovës dhe vijnë në një kohë kur autoritetet kanë paralajmëruar rritje të vëmendjes ndaj çdo dyshimi për manipulim të votave apo shkelje të integritetit të procesit zgjedhor.

Ditëve të fundit, autoritetet në Kosovë kanë intervistuar qindra njerëz nëpër komuna të ndryshme, dhe kanë ndaluar dhjetëra, nën dyshimet e njëjta.

Përgjatë procesit të rinumërimit, votat për disa kandidatë ndryshuan – me raste deri në 6 mijë për një individ – ndërsa ato për partitë nuk u cenuan.

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, çdo manipulim i qëllimshëm i votës apo rezultatit zgjedhor përbën vepër penale dhe dënohet me deri në pesë vjet burgim.

Për disa zyrtarë shtetërorë, ky ka qenë “procesi më i komprometuar zgjedhor” në Kosovë, pasi vendi është lavdëruar shpesh nga organizata vendore dhe ndërkombëtare për organizim të proceseve zgjedhore të drejta dhe transparente.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) e ka përfunduar procesin e rinumërimit të premten në mbrëmje, ndërsa i ka publikuar rezultatet përfundimtare të nesërmen.

Anëtarët e KQZ-së i kanë miratuar listat e kandidatëve të të gjitha partive, përveç asaj të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

Lista Serbe dhe Beogradi zyrtar kanë reaguar ashpër ndaj këtij vendimi, ndërsa partia serbe ka thënë se do të ushtrojë ankesë.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se palët mund ta shfrytëzojnë të drejtën e ankesës për 48 orë pas shpalljes së rezultateve.

Sipas të dhënave të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar 51.10 për qind të votave, apo 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës, 20.19 për qind të votave apo 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës, 13.24 për qind të votave apo 15 ulëse, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, 5.50 për qind të votave apo gjashtë ulëse.

Nga ulëset e rezervuara për minoritetin serb, nëntë ulëse i ka fituar Lista Serbe dhe një ulëse, Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Pas certifikimit të rezultateve, hapet rruga për formim të institucioneve të reja.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti me partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje pritet ta formojë pa probleme Qeverinë e re.

Megjithatë, ai e ka pranuar vetë një ditë më parë se do të duhet të krijohet një raport i ri mes pushtetit dhe opozitës për çështje tjera madhore, siç është ajo e pozitës së presidentit apo miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare.

Për të dyja proceset duhet siguruar dy të tretat e votave.

Intervistohen edhe 43 kryesues tjerë të QNR-ve nën dyshimet për manipulime me vota

Radio Evropa e Lirë

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka bërë të ditur të dielën se ka urdhëruar Departamentin e Hetimeve të Policisë së Kosovës që të intervistojë 43 kryesues të Qendrave Komunale të Numërimit në Mitrovicë të Veriut, Mitrovicë të Jugut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, për shkak të dyshimeve për manipulim të votave të kandidatëve në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë.

Ditëve të fundit, autoritetet në Kosovë kanë intervistuar qindra njerëz nëpër komuna të ndryshme, dhe kanë ndaluar dhjetëra, nën dyshimet e njëjta.

Përgjatë procesit të rinumërimit, votat për disa kandidatë ndryshuan – me raste deri në 6 mijë për një individ – ndërsa ato për partitë nuk u cenuan.

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, çdo manipulim i qëllimshëm i votës apo rezultatit zgjedhor përbën vepër penale dhe dënohet me deri në pesë vjet burgim.

Për disa zyrtarë shtetërorë, ky ka qenë “procesi më i komprometuar zgjedhor” në Kosovë, pasi vendi është lavdëruar shpesh nga organizata vendore dhe ndërkombëtare për organizim të proceseve zgjedhore të drejta dhe transparente.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) e ka përfunduar procesin e rinumërimit të premten në mbrëmje, ndërsa i ka publikuar rezultatet përfundimtare të nesërmen.

Anëtarët e KQZ-së i kanë miratuar listat e kandidatëve të të gjitha partive, përveç asaj të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

Lista Serbe dhe Beogradi zyrtar kanë reaguar ashpër ndaj këtij vendimi, ndërsa partia serbe ka thënë se do të ushtrojë ankesë.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se palët mund ta shfrytëzojnë të drejtën e ankesës për 48 orë pas shpalljes së rezultateve.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka thënë përmes një postimi në Facebook se KQZ-ja ka kryer shkelje, fillimisht duke shpallur rezultate pa u konsumuar afati ligjor për ankesa, dhe më pas duke shpallur rezultate “të pjesshme”.

“Cilido anëtar që votoi kundër ose abstenoi, nëse kishte dyshime reale për rezultatet, ishte ai që duhej të ankohej. Situata nuk zgjidhet me votim politik brenda KQZ-së dhe as duke bllokuar ose lejuar rezultate sipas interesave të momentit. Por, duke e ditur se çfarë do të ishte epilogu ligjor nga një ankesë potenciale në PZAP apo Supreme, disa zgjodhën ta shtyjnë edhe një episod të kësaj shfaqjeje të pakuptimtë politike”, ka thënë Cakolli.

Sipas të dhënave të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar 51.10 për qind të votave, apo 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës, 20.19 për qind të votave apo 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës, 13.24 për qind të votave apo 15 ulëse, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, 5.50 për qind të votave apo gjashtë ulëse.

Nga ulëset e rezervuara për minoritetin serb, nëntë ulëse i ka fituar Lista Serbe dhe një ulëse, Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Pas certifikimit të rezultateve, hapet rruga për formim të institucioneve të reja.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti me partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje pritet ta formojë pa probleme Qeverinë e re.

Megjithatë, ai e ka pranuar vetë një ditë më parë se do të duhet të krijohet një raport i ri mes pushtetit dhe opozitës për çështje tjera madhore, siç është ajo e pozitës së presidentit apo miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare.

Për të dyja proceset duhet siguruar dy të tretat e votave.

KQZ shpall rezultatet përfundimtare, nuk miratohet përbërja e Listës Serbe

Radio Evropa e Lirë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i ka shpallur të shtunën rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë.

Anëtarët e KQZ-së i kanë miratuar listat e kandidatëve të të gjitha partive, përveç asaj të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë. Tre anëtarë kanë votuar për, dy kundër nga Lëvizja Vetëvendosje, dhe anëtarët tjerë kanë abstenuar.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se palët kanë të drejtë ankese ndaj rezultatit për 48 orë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka thënë përmes një postimi në Facebook se KQZ-ja ka kryer shkelje, fillimisht duke shpallur rezultate pa u konsumuar afati ligjor për ankesa, dhe më pas duke shpallur rezultate “të pjesshme”.

“Ajo që ndodhi sot është absurde. Cilido anëtar që votoi kundër ose abstenoi, nëse kishte dyshime reale për rezultatet, ishte ai që duhej të ankohej. Situata nuk zgjidhet me votim politik brenda KQZ-së dhe as duke bllokuar ose lejuar rezultate sipas interesave të momentit. Por, duke e ditur se çfarë do të ishte epilogu ligjor nga një ankesë potenciale në PZAP apo Supreme, disa zgjodhën ta shtyjnë edhe një episod të kësaj shfaqjeje të pakuptimtë politike”, ka thënë Cakolli.

Radoniqi e ka adresuar çështjen e ankesave në mbledhje, duke thënë se, sipas mendimit të tij, tashmë është tejkaluar afati për ankesa për shkak se votat janë rinumëruar, andaj ankesat nuk parashihen me ligj pas një procesi të tillë, ndërsa edhe vetë ai e ka cilësuar të pakuptimtë mosmiratimin e përbërjes së Listës Serbe nga anëtarët tjerë të KQZ-së.

Rezultatet e partive

Sipas të dhënave të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar 51.10 për qind të votave, apo 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës, 20.19 për qind të votave apo 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës, 13.24 për qind të votave apo 15 ulëse, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, 5.50 për qind të votave apo gjashtë ulëse.

Nga ulëset e rezervuara për minoritetin serb, nëntë ulëse i ka fituar Lista Serbe dhe një ulëse, Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Emrat e deputetëve

Deputetët e ardhshëm të Lëvizjes Vetëvendosje:

  • Albin Kurti, Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu, Hekuran Murati, Donika Gërvalla – Scharz, Xhelal Sveçla, Hajrullah Çeko, Avni Dehari, Mimoza Kusari – Lila, Ejup Maqedonci, Shqipe Mehmeti – Selimi, Andin Hoti, Arben Vitia, Saranda Bogujevci, Edona Llalloshi, Alban Bajrami, Mefail Bajqinovci, Nezir Kraki, Armend Muja, Adriana Matoshi, Rufki Suma, Jeta Statovci, Ardian Gola, Haxhi Avdyli, Blerim Gashi, Adelina Grainca, Albena Reshitaj, Fatos Geci, Agim Bahtiri, Fitore Pacolli – Dalipi, Artane Rizvanolli – Berisha, Taulant Kelmendi, Dimal Basha, Labinotë Demi – Murtezi, Arbëreshë Kryeziu – Hyseni, Arbër Rexhaj, Arjeta Fejzaj, Hysen Durmishi, Artan Abrashi, Arbërie Nagavci, Enver Haliti, Liza Gashi, Adnan Rrustemi, Valon Ramadani, Jeton Raka, Drita Pajaziti, Fatmire Kollqaku, Rozeta Hajdari, Arsim Ademi, Salih Zyba, Fitim Haziri, Fjolla Ujkani, Ilir Kërçeli, Sylejmani Meholli, Vigan Qorolli, Naim Bardiqi dhe Valon Hoti.

Deputetët e ardhshëm të Partisë Demokratike të Kosovës:

  • Bedri Hamza, Arian Tahiri, Përparim Gruda, Uran Ismaili, Sala Jashari, Vlora Çitaku, Arben Mustafa, Enver Hoxhaj, Rrahman Rama, Nait Hasani, Eman Rrahmani, Ganimete Musliu, Elmi Reçica, Artan Behrami, Kujtim Gashi, Xhavit Haliti, Besa Kabashi – Ramaj, Mërgim Lushtaku, Ferat Shala, Arbnore Salihu, Blerta Deliu – Kodra, Ariana Musliu- Shoshi.

Deputetët e ardhshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës:

  • Lumir Abdixhiku, Hykmete Bajrami, Ukë Rugova, Avdullah Hoti, Doarsa Kica- Xhelili, Kujtim Shala, Anton Quni, Armend Zemaj, Lutfi Haziri, Jehona Lushaku- Sadriu, Janina Ymeri, Besian Mustafa, Adelina Thaçi – Meta, Fadil Hadërgjonaj dhe Ermal Sadiku.

Deputetët e ardhshëm të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës:

  • Ramush Haradinaj, Daut Haradinaj, Besnik Tahiri, Bekë Berisha, Albana Bytyçi dhe Time Kadrijaj

Deputetët e Listës Serbe:

  • Sllavko Simiq, Igor Simiq, Liljana Stefanoviq, Millan Kostiq, Nemanja Bishevac, Zllatan Ellek, Milljana Nikolliq, Serxhan Popoviq dhe Verica Çernaniq.

Deputeti nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë:

  • Nenad Rashiq

Deputetët nga komunitetet tjera joserbe:

Ergyl Mazrek, Fatma Taçi, Rasim Demiri, Emilja Rexhepi, Elbert Krasniqi, Duda Balje, Veton Berisha, Artan Asllani, Adem Hoxha dhe Erxhan Galushi.

Dhjetë ulëse për minoritetin serb dhe dhjetë tjera për minoritetin joserb janë të rezervuara me Kushtetutë në Kuvendin me 120 ulëse në total.

KQZ-ja i ka publikuar këto rezultate pasi e ka përfunduar të premten në mbrëmje procesin e rinumërimit të votave.

Rinumërimi është kryer pas dyshimeve për manipulime me votat e kandidatëve për deputetë.

Përgjatë procesit, votat për disa kandidatë ndryshuan – me raste deri në 6 mijë për një individ – ndërsa ato për partitë nuk u cenuan.

Autoritetet e zbatimit të ligjit kanë intervistuar qindra njerëz, kanë ndaluar dhjetëra dhe po i vazhdojnë hetimet.

Për disa zyrtarë shtetërorë, ky ka qenë “procesi më i komprometuar zgjedhor” në Kosovë, pasi vendi është lavdëruar shpesh nga organizata vendore dhe ndërkombëtare për organizim të proceseve zgjedhore të drejta dhe transparente.

Pse ndodhën tani manipulimet?

Agon Maliqi, njohës i çështjeve politike, i ka thënë Radios Evropa e Lirë më herët gjatë javës se mund të ketë ndikuar edhe mënyra e ndryshimit të votimit.

Në proceset e fundit zgjedhore, qytetarët kanë mundur të zgjedhin deri në dhjetë kandidatë për deputetë, nga pesë sa kanë qenë më parë.

Të tjerë e kanë përmendur faktin që ka pasur më pak vëzhgues, pas numërimi fillestar është kryer në ditët e festave të fundvitit.

Për Maliqin dhe njohës tjerë të kësaj fushe, manipulime të tilla kanë ndodhur edhe në të kaluarën. Disa besojnë se ato mund të jenë kryer me miratimin e udhëheqësive partiake, disa jo.

Zyrtarë partiakë të Lëvizjes Vetëvendosje, Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës i kanë dënuar dyshimet për manipulime dhe kanë kërkuar që përgjegjësit të mos amnistohen.

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, çdo manipulim i qëllimshëm i votës apo rezultatit zgjedhor përbën vepër penale dhe dënohet me deri në pesë vjet burgim.

Pas certifikimit të rezultateve, hapet rruga për formim të institucioneve të reja.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti me partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje pritet ta formojë pa probleme Qeverinë e re.

Megjithatë, ai e ka pranuar vetë një ditë më parë se do të duhet të krijohet një raport i ri mes pushtetit dhe opozitës për çështje tjera madhore, siç është ajo e pozitës së presidentit apo miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare.

Për të dyja proceset duhet siguruar dy të tretat e votave.

KQZ shpall sot rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 28 dhjetorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë nesër duke filluar nga ora 10:00, mbledhjen e radhës, në të cilën në rend dite është shpallja e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025.

Sipas KQZ-së, procesi i rinumërimit të 2,557 vendvotimeve, i cili ka nisur më 13 janar, pritet të përfundojë sonte, më 30 janar. Aktualisht, kanë mbetur për t’u rinumëruar më pak se 50 vendvotime.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se pas përmbylljes së rinumërimit dhe verifikimit të të dhënave, Komisioni do të procedojë me certifikimin e rezultateve përfundimtare.

Mbledhja e KQZ-së do të jetë e hapur për publikun dhe mediat.

Ndryshe, që nga mbajtja e zgjedhjeve më 28 dhjetor 2025, autoritetet e zbatimit të ligjit kanë zhvilluar intervista me qindra persona, kanë ndaluar dhjetëra të tjerë dhe kanë vazhduar hetimet nën dyshimet për manipulim të votave të kandidatëve për deputetë në disa komuna të vendit.

Si pasojë e këtyre dyshimeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mori vendim për rinumërim të plotë të votave për kandidatët në të gjitha komunat e Kosovës, ndërsa votat për subjektet politike nuk u përfshinë në këtë proces dhe mbetën të pandryshuara.

Megjithë parregullsitë dhe vjedhjet e votave brenda partive politike, ndarja e mandateve të deputetëve për subjektet politike ka mbetur e njëjtë, pa ndryshime në përbërjen e përgjithshme të Kuvendit.

Deri tani, pasojat konkrete nga këto manipulime kanë rezultuar vetëm me largimin nga Kuvendi të deputetit të komunitetit turk, Fikrim Damka, vendi i të cilit është zëvendësuar nga bashkëpartiaku i tij, Ergul Mazrek.

Sipas hetimeve, manipulimi i votave dyshohet se është kryer në dy forma kryesore: përmes shtimit të votave drejtpërdrejt në sistem nga numëruesit, në rastet kur qytetarët kanë votuar më pak se 10 kandidatë, si dhe përmes transferimit të votave nga një kandidat tek tjetri brenda së njëjtës parti politike.

Këto parregullsi kanë çuar në nisjen e hetimeve në disa komuna, ku një numër komisionarësh dhe vëzhguesish kanë përfunduar në paraburgim, ndërsa prokuroria ende nuk ka ftuar për intervistim deputetët emrat e të cilëve kanë spikatur me dallime të mëdha votash, megjithëse nuk është përjashtuar mundësia që edhe ata të përfshihen në procedurat hetimore në vijim. bw

Manipulimi i votave: Pse u zbulua tani dhe a ka ndodhur edhe më herët?

Krenare Cubolli

Ulje-ngritjet e konsiderueshme të partive politike në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë ranë shpejt në hije, kur nisi të zbulohej ajo që duket se është shkallë e gjerë e manipulimit me vota të kandidatëve për deputetë. Nga të gjitha partitë, në disa qytete. A ka ndodhur diçka e tillë në të kaluarën, pse u bë e madhe kjo punë tani?

 

“Procesi më i komprometuar zgjedhor” – kështu e përshkroi Laura Pula, koordinatore nacionale për zgjedhje nga Prokuroria e Shtetit, krejt atë që ndodhi pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025 në Kosovë.

Dhe njëmend, vështirë të krahasohet me diçka të ngjashme në të kaluarën.

Autoritetet e zbatimit të ligjit kanë intervistuar qindra njerëz, kanë ndaluar dhjetëra dhe po i vazhdojnë hetimet nën dyshimet për manipulim të votave të kandidatëve për deputetë.

Si rezultat, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mori vendim për rinumërim të plotë të votave për kandidatë në të gjitha komunat e vendit. Votat për partitë nuk u cenuan.

Ndonëse shumëkush u habit me atë se çfarë ndodhi, për njohësit e zhvillimeve politike duket se manipulimi me vota ka qenë “sekret publik”.

Shembull, për Artan Muhaxhirin, diçka e tillë ka qenë praktikë e pranuar nga të gjithë dhe asnjërës parti politike nuk i ka konvenuar të reagojë.

Arsyeja?

Sipas tij, liderët dëshirojnë ta dirigjojnë mënyrën e përzgjedhjes së deputetëve, për t’i çuar përpara më lehtë agjendat e tyre.

“Kësaj radhe ishte një evoluim, mbase i rastësishëm i sistemit, sepse ndonjëherë mjafton që brenda sistemit të ekzistojë vetëm një person në pozitë të rëndësishme, i cili nuk është pjesë e skemës kriminale, dhe ta demaskojë atë. Fjala është për kryeprokurorin e Prizrenit [Petrit Kryeziun], i cili pati guxim që ta ngre zërin në mënyrë të fuqishme, me shpejtësi ndaj këtyre keqpërdorimeve dhe pastaj për këtë arsye nuk pati mundësi që kjo vjedhje e madhe industriale të mbulohej”, i tha ai Radios Evropa e Lirë (REL).

Për dallim prej Muhaxhirit, që fajin e drejton tek udhëheqësitë partiake, Agon Maliqi beson se kjo situatë mund të tregojë se liderët e partive politike ndoshta nuk i kanë strukturat e tyre nën kontroll si dikur.

“Është përfolur shumë edhe më herët se ka shumë ndikim të komisionerëve lokalë dhe bashkëpunim ndërpartiak të numëruesve, që kryesisht vijnë nga të njëjtat rajone, dhe kanë interes të përbashkët që të bashkëpunojnë, sepse pa bashkëpunim mes tyre kjo nuk bëhet”.

REL-i ka bërë përpjekje të marrë komente nga partitë më të mëdha shqiptare lidhur me këto pretendime, mirëpo ato nuk kanë qenë të qasshme.

Zgjedhjet e 28 dhjetorit i fitoi bindshëm Lëvizja Vetëvendosje.

Zgjedhjet e 28 dhjetorit i fitoi bindshëm Lëvizja Vetëvendosje.

Pse publiku mësoi tani për këtë “fenomen”?

Maliqi beson se manipulimi me vota në një shkallë kaq të madhe – në disa raste është raportuar për mbi 6.000 vota dallim vetëm për një kandidat – mund të jetë mundësuar edhe nga mënyra e ndryshimit të votimit.

Në proceset e fundit zgjedhore, qytetarët kanë mundur të zgjedhin deri në dhjetë kandidatë për deputetë, nga pesë sa kanë qenë më parë.

Juristja e mediave, Flutura Kusari e ka përmendur ditë më parë edhe mundësinë që procesi i manipulimit të jetë lehtësuar për shkak të numrit më të vogël të vëzhguesve në zgjedhje nga rrjeti i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim, në mungesë fondesh.

Eugen Cakolli nga ky rrjet ka thënë për Radiotelevizionin e Kosovës se fakti që numërimi i votave ka ndodhur më 31 dhjetor, 1, 2 janar, atëherë mund të mos ketë pasur fare vëzhgim të punës së komisionerëve.

Për Muhaxhirin, edhe vendimi i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani për të caktuar 28 dhjetorin si ditë të zgjedhjeve ka qenë vendim “absurd” dhe për këtë arsye mund të ketë pasur mbikëqyrje më të vogël.

Në vjetët e fundit, Kosova është lavdëruar disa herë nga faktori ndërkombëtar për procese zgjedhore të drejta dhe transparente.

Në vjetët e fundit, Kosova është lavdëruar disa herë nga faktori ndërkombëtar për procese zgjedhore të drejta dhe transparente.

Si ndodhi manipulimi?

Në qendrat komunale të numërimit, secili fletëvotim iu nënshtrohet disa kontrolleve.

Fillimisht fletëvotimi lexohet me zë të lartë nga një numërues, më pas shfaqet në ekran përmes kamerës dhe regjistrohet në sistem elektronik nga një zyrtar tjetër, ndërsa një person i tretë e verifikon fletën.

E, manipulimi besohet se bëhet në fazën e leximit të votave për kandidatë.

Numëruesi mund ta ndryshojë verbalisht numrin e kandidatit të votuar, duke e zëvendësuar me numrin e një kandidati tjetër. Kështu, sistemi regjistron votë për kandidatin e gabuar, edhe pse fletëvotimi real tregon diçka tjetër.

Koordinatorja për zgjedhje, Laura Pula, ka bërë të ditur se në hetime do të përfshihen edhe kandidatët që u janë shtuar vota.

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, çdo manipulim i qëllimshëm i votës apo rezultatit zgjedhor përbën vepër penale dhe dënohet me deri në pesë vjet burgim.

Një zyrtare duke i futur në sistem të dhënat e një fletëvotimi.

Një zyrtare duke i futur në sistem të dhënat e një fletëvotimi.

Çfarë flet kjo situatë për partitë?

Zyrtarë partiakë të Lëvizjes Vetëvendosje, Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës i kanë dënuar dyshimet për manipulime dhe kanë kërkuar që përgjegjësit të mos amnistohen.

Por, Agon Maliqi beson se kaq nuk mjafton.

“Ai dënim nuk do të duhej të ishte vetëm retorik, duhet të matet në të ardhmen nëse do të emërohen këta komisionerë manipulues sërish në ato role, a do të shpërblehen me role tjera ekzekutive”.

Për Muhaxhirin, manipulimet treguan “ngjashmëritë ekstreme të partive”.

“Ky është indikatori më i qartë se si funksionojnë partitë politike, në mënyrë jodemokratike, në mënyrë manipulative dhe për këtë arsye nuk ka meritokraci. Ky është fakti kryesor që partitë që nuk kanë ekspertizë, nuk kanë profesionistë të nivelit që do të duhej të kishin, dhe në vend të projekteve zhvillimore, ekonomike, socio-kulturore, kemi vetëm popullizëm e pseudo-patriotizëm”.

KQZ-ja beson që deri në fund të janarit do të përfundojë procesi i rinumërimit, duke i hapur rrugën certifikimit të rezultateve dhe më pas formimit të institucioneve të reja.

Miratimi i buxhetit të shtetit, marrëveshjet ndërkombëtare dhe shmangia e zgjedhjeve të reja, për shkak të pozitës së presidentit, konsiderohen hapa jetikë që vendi të mos hyjë në një terren të pashkelur më parë.

Fondet e Kosovës për Luginën e Preshevës ndezin përplasje politike

Bekim Bislimi

Milionat e ndara prej vitesh nga Qeveria e Kosovës për Luginën e Preshevës – të menduara si mbështetje për mbijetesën kombëtare të shqiptarëve në jug të Serbisë – kanë hapur një front të brendshëm politik.

Partitë shqiptare atje akuzojnë njëra-tjetrën për keqpërdorim të fondeve, favorizim selektiv dhe mungesë transparence.

Në qendër të debatit është roli i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH) – institucioni përmes të cilit menaxhohen mjetet, si dhe raportet e tij me partitë politike lokale.

Ky këshill dhe Qeveria e Kosovës nënshkruan në vitin 2022 Memorandumin për Bashkëpunim, me qëllim “mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të shqiptarëve, si dhe ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës, artit, kulturës dhe identitetit shqiptar në Luginën e Preshevës”.

Në dy vjetët e parë të zbatimit të memorandumit, fondi i ndarë nga Qeveria e Kosovës ishte nga 2 milionë euro për secilin vit. Më 2024, kjo shumë u rrit në 3 milionë euro, ndërsa më 2025 në 4 milionë euro – ndonëse realizimi i mjeteve të fundit nuk ka nisur ende.

Ku shkojnë këto para?

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, nga koalicioni Fronti për Ndryshim, thotë se fondet e ndara nga Qeveria e Kosovës, nuk kanë prodhuar rezultate të dukshme në terren.

“Nuk mund të shihni një shenjë konkrete që ka mbetur nga të gjitha këto mjete që i jep Qeveria e Kosovës”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Ai thekson se kritikat e tij nuk kanë për qëllim ta vënë në pikëpyetje mbështetjen e Qeverisë së Kosovës për Luginën e Preshevës, të cilën e konsideron të domosdoshme, por mënyrën se si, sipas tij, ajo menaxhohet.

Sipas Pajazitit, veçanërisht fondi i vitit 2022 – i ekzekutuar një vit më pas – është keqpërdorur nga KKSH-ja dhe persona të lidhur me Partinë për Veprim Demokratik (PVD).

Ai pretendon se një pjesë e mjeteve u janë shpërndarë organizatave joqeveritare, prapa të cilave, sipas tij, qëndrojnë persona të afërt me këtë parti që udhëheq KKSH-në.

“Një pjesë e mirë e fondeve ka përfunduar në xhepa të funksionarëve partiakë”, thotë Pajaziti, duke shtuar se, për këtë arsye, shumë mjete të ndara në vitin 2023 nuk janë realizuar për projekte të shoqërisë civile, por vetëm për furnizimin e nxënësve me libra shkollorë dhe për bursat e studentëve.

Pa sjellë ndonjë provë më konkrete, Pajaziti ka bërë pretendime të ngjashme edhe në komentet për disa media në Serbi.

Kundërpërgjigjja e KKSH-së dhe komunat tjera

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, i hedh poshtë këto pretendime.

Ai thotë se fondet janë shfrytëzuar për projekte konkrete dhe se përfituesit nuk janë përzgjedhur mbi baza partiake.

“Efektet nuk maten nga deklaratat politike, por në terren – në media, në institucione, në projekte kulturore dhe në jetën reale të qytetarëve”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Sipas Rexhepit, fondi prej dy milionë eurosh i vitit 2022 u ekzekutua 100 për qind gjatë vitit pasues, ndërsa më 2023 u realizua vetëm 14.5 për qind, për shkak të vonesave nga zgjedhjet brenda KKSH-së.

Për vitin 2024, nga tre milionë euro janë ekzekutuar 60.96 për qind, ndërsa shpërndarja e 4 milionë eurove të vitit 2025 parashikohet të arrijë në 78.39 për qind, përmes konkurseve publike të shpallura nga KKSH-ja.

Rexhepi përmend si shembull funksionimin e televizioneve lokale, mbështetjen e klubeve sportive, si dhe shpërndarjen falas të librave shkollorë për mbi 30 mijë nxënës të shkollave fillore në Luginë.

Sipas tij, qindra studentë kanë përfituar gjithashtu bursa për studime.

“Duhet ta kuptojmë se jetojmë në një komunitet të vogël dhe, si kudo tjetër, organizatat dhe individët janë shpesh të ndërlidhur përmes angazhimeve profesionale, shoqërore apo edhe politike. Kjo nuk nënkupton keqpërdorim, por është realitet i shoqërive të vogla”, thotë Rexhepi.

Ai shton se në projekte kanë qenë të angazhuar edhe profesionistë të afërt me koalicionin Fronti për Ndryshim, prej nga vjen Pajaziti.

Ky koalicion – në përbërje të të cilit janë Alternativa për Ndryshim, Lëvizja për Reforma dhe Lëvizja për Bujanocin – aktualisht nuk ka përfaqësim në KKSH.

Aty janë të përfaqësuara Partia për Veprim Demokratik, Lëvizja e Progresit Demokratik, Partia Demokratike e Bujanocit dhe Partia Demokratike Shqiptare.

Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, nga Partia për Veprim Demokratik, vlerëson se mbështetja financiare e Qeverisë së Kosovës ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“Përfitimet janë të prekshme dhe shumëdimensionale, si në Preshevë ashtu edhe në mbarë Luginën e Preshevës”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Sipas Sinanit, ndihma ka përfshirë disa sektorë kyç, veçanërisht arsimin, ku nxënësit kanë përfituar libra falas, ndërsa studentët bursa.

Ajo shton se janë mbështetur edhe klubet sportive për të rinj dhe fëmijë, është zbatuar një program i posaçëm për përkrahjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara, si dhe është financuar renovimi i një objekti që po shndërrohet në Shkollë Muzike dhe Muze në komunën e Preshevës.

Në kuadër të kësaj mbështetjeje, Sinani përmend edhe financimin e aktiviteteve lobuese për ndërkombëtarizimin e çështjes së shkeljes së të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Si rrjedhojë, një grup ligjvënësish amerikanë i kërkuan Departamentit amerikan të Shtetit javën e kaluar që t’i shqyrtojë pretendimet për diskriminim ndaj shqiptarëve në Serbi.

Afrim Ferati, një nga tre asamblistët shqiptarë në Kuvendin Komunal të Medvegjës dhe drejtues i degës së KKSH-së në këtë komunë, e konsideron mbështetjen financiare nga Qeveria e Kosovës si të domosdoshme dhe pozitive për komunitetin shqiptar.

Ai shmang përplasjet politike ndërmjet partive lokale dhe thekson mirënjohjen e komunitetit për ndihmën që vjen nga Kosova.

Ferati pranon se fondet mund të menaxhohen më mirë dhe me më pak procedura, por nuk beson në keqpërdorim masiv.

“Unë nuk besoj tek ajo që flitet se ka pasur keqpërdorim masiv. Ndoshta mund të flasim për cilësinë e menaxhimit të mjeteve, por presim që të ketë përmirësim në procesin e ndarjes së tyre”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Qëndrimi i Qeverisë së Kosovës

Pretendimet për mungesë efektesh në terren i hedh poshtë edhe Qeveria në detyrë e Kosovës.

“Nëse dikush pretendon se ‘nuk ka efekte të dukshme’, kjo është më së paku e pasaktë dhe nuk përkon apo reflekton me realitetin dhe ndikimin që ka pasur në jetën e shqiptarëve të Luginës mbështetja e dhënë nga institucionet tona”, thotë për Radion Evropa e Lirë Klisman Kadiu, këshilltar për media i zëvendëskryeministrit në detyrë, Besnik Bislimi.

Sipas tij, procesi përfshin mekanizma kontrolli, raportimi dhe monitorimi në çdo fazë të realizimit.

“…dhe mjetet janë shfrytëzuar ekskluzivisht për financimin e projekteve, në përputhje me Memorandumin për Bashkëpunim dhe shtojcat përkatëse”, shton ai.

Në këtë video nga arkivi mund të mësoni më shumë pse shqiptarët vendosin ta braktisin Luginën

Ndihmë apo instrument politik?

Megjithatë, kryetari i Bujanocit shpreh dyshimin se bashkëpunimi i Prishtinës është fokusuar kryesisht me PVD-në dhe jo me institucionet e zgjedhura lokale.

Ai kujton se dy zyrtarë nga PVD-ja – Ardita Sinani, aktualisht kryetare e Komunës së Preshevës, dhe Ragmi Mustafi, kryetar i degës së PVD-së në Bujanoc – kanë qenë këshilltarë në kabinetin qeveritar të Kosovës, të drejtuar nga Albin Kurti.

“Qeveria e Kosovës e ka ndihmuar dhe po e ndihmon vetëm Partinë për Veprim Demokratik”, të cilën, siç thotë ai, “dëshiron ta fuqizojë përmes fondit”.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës nuk deshën ta komentonin këtë pretendim.

Sinani, ndërkaq, i sheh akuzat në kontekstin e zhvillimeve politike lokale, duke përmendur rezultatet e zgjedhjeve komunale të vitit 2024 dhe krijimin e shumicës komunale në Bujanoc me votat e partive serbe.

Në këto rrethana, thotë ajo, retorika politike kushtëzohet shpesh nga nevoja për të ruajtur shumicën – gjë që reflektohet edhe në diskursin publik ndaj Kosovës.

Sipas saj, politizimi i mbështetjes nga Kosova nuk i shërben interesit publik të qytetarëve të Luginës së Preshevës.

Mbështetja e bllokuar për bujqit

Në krejt këtë diskutim, një nga pikat më problematike mbetet mbështetja për bujqit shqiptarë të Luginës së Preshevës.

Rexhepi, nga KKSH-ja, pranon se rreth një milion euro të ndara për këtë qëllim, nuk janë realizuar, pasi janë bllokuar nga Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave në Serbi.

Sipas tij, kjo ministri anuloi subvencionet për fermerët shqiptarë në janar të vitit 2025, me arsyetimin se KKSH-ja nuk ka kompetenca në fushën e bujqësisë, duke u mbështetur kështu edhe në një vendim të Gjykatës administrative në Nish.

Ai thotë se shkak për këtë vendim u bë edhe një shkresë e dërguar më herët nga Alternativa për Ndryshim – pjesë e Frontit për Ndryshim – e cila kishte njoftuar institucionet serbe për konkursin e shpallur nga KKSH-ja.

“Pasojat i kanë pësuar drejtpërdrejt bujqit, të cilët nuk kanë asnjë faj në këtë përplasje politike”, thotë Rexhepi.

Pajaziti, në anën tjetër, thotë se ka ofruar zgjidhje, duke propozuar që fondet të barten në Komunën e Bujanocit për t’u shpërndarë përmes saj.

Por, Rexhepi e hedh poshtë këtë mundësi, duke argumentuar se një gjë e tillë është e pamundur ligjërisht dhe do të rezultonte në shpërndarje të pabarabartë, pasi komuna është multietnike.

Sipas tij, mbështetja financiare e Qeverisë së Kosovës është e dedikuar vetëm për komunitetin shqiptar në Luginën e Preshevës, dhe KKSH-ja e ka përgjegjësinë për avancimin e shqiptarëve në këto troje.

Rexhepi thekson se këshilli po ndërmerr të gjitha hapat ligjorë dhe institucionalë për të sfiduar vendimin e autoriteteve serbe dhe për të rikthyer mbështetjen për bujqit, duke komunikuar në mënyrë të rregullt me institucionet përkatëse, partnerët ndërkombëtarë dhe Qeverinë e Kosovës.

Ai insiston se pengesë kryesore për veprimtarinë e institucioneve të Kosovës në Luginën e Preshevës mbetet pushteti në Beograd dhe strukturat e tij lokale.

Në Luginë jetojnë më shumë se 60.000 shqiptarë, të cilët përbëjnë pakicën e katërt më të madh në Serbi, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë më 2022.

Përfaqësues i vetëm i tyre në Kuvendin e Serbisë është deputeti Shaip Kamberi nga Partia për Veprim Demokratik.

Përpjekjet për ta shndërruar ndihmën nga Kosova në temë përplasjesh politike “janë të dëmshme për interesin shqiptar”, përfundon Rexhepi.

Kushtetuesja: Zgjedhja e Rashiqit si nënkryetar i Kuvendit ishte antikushtetuese

Nenad Rashiq, së bashku me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti. 19 nëntor 2025.

 

Radio Evropa e Lirë

Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi se zgjedhja e Nenad Rashiqit në postin e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb në legjislaturën e kaluar, nuk ishte në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit.

Në njoftimin për aktgjykimin, Gjykata tha më 28 janar se ky “në rrethanat e rastit konkret nuk ka efekt prapaveprues”.

Pra, kjo do të thotë se ky vendim nuk vlen edhe për rastet para hyrjes në fuqi, por për ato që do të merren në të ardhmen.

Edhe në legjislaturën e re, të dalë nga zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, Lista Serbe pritet të ketë nëntë deputetë, ndërkaq Rashiq një. Prandaj, në bazë të këtij vendimi, do t’i takojë Listës Serbe, si partia me më së shumti deputetë nga radhët e serbëve, që të propozojë kandidatin për nënkryetar të Kuvendit.

Rashiq u zgjodh në tetorin e vitit të kaluar, pasi të propozuarit nga Lista Serbe – që kishte nëntë deputetë – nuk morën votat e nevojshme, dhe u organizua shorti.

Kushtetuesja tha se drejta për të propozuar nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb i takon shumicës së deputetëve të këtij minoritet.

“Për pasojë, zgjedhja e deputetit z. Nenad Rashiq në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit nuk ka ardhur si propozim nga shumica e deputetëve nga radhët e komunitetit serb, si dhe nuk ka pasur refuzim për të shfrytëzuar këtë të drejtë nga ana e shumicës së deputetëve nga radhët e komunitetit serb. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se, në rrethanat e rastit konkret, mekanizmat debllokues, nuk ishin përdorur në pajtim me frymën dhe qëllimin për të cilin ishin paraparë”, u tha në aktgjykimin e Kushtetueses.

Organi më i lartë i drejtësisë në Kosovë tha se mekanizmat zhbllokues, sikurse hedhja vetëm deri në tri herë në votim e një emri dhe procedura e shortit, “duhet të vijnë në shprehje vetëm në rrethana përjashtimore dhe për qëllimin për të cilin ato janë përcaktuar, përkatësisht në funksion të konstituimit të Kuvendit”, në mënyrë që brenda afatit 30-ditor të konstituohet organi ligjvënës.

“Siç është elaboruar në aktgjykim, zbatimi i këtyre mekanizmave në një mënyrë që do t’i mundësonte shumicës së deputetëve të Kuvendit të përcaktojë përfaqësuesin e një komuniteti që nuk është shumicë, pa propozimin e deputetëve të atij komuniteti, në thelb, do të përbënte anashkalim të garancive formale të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit. Kjo për arsye se, propozimi i kandidatëve për nënkryetarë nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë është e drejtë e shumicës së deputetëve të atyre komuniteteve”, u tha në vendim.

Çështja e nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës

Më 16 tetor 2025, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – iu drejtua Kushtetueses me ankesë lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, duke pretenduar se janë shkelur Kushtetuta, Rregullorja e punës së Kuvendit, si dhe një aktgjykim i mëparshëm i Gjykatës Kushtetuese.

Legjislatura e nëntë e Kosovës u konstituua më 10 tetor, me zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar nga radhët e komunitetit serb.

Zgjedhja e tij u bë pasi të nëntë deputetët e Listës Serbe, ndonëse u hodhën nga tri herë në votim, nuk morën votat e nevojshme.

Gjykata më e lartë në vend veçse kishte trajtuar një ankesë të Listës Serbe lidhur me çështjen e nënkryetarëve, pasi kryeparlamentari Dimal Basha, e kishte shpallur të konstituuar Kuvendin pa zgjedhjen e nënkryetarit të pestë nga radhët e komunitetit serb.

Më pas, Gjykata konstatoi se Kuvendi nuk ishte i konstituuar, duke kërkuar që deputetët të zgjidhnin nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb, me qëllim që të hapej rruga për formimin e Qeverisë.

Në atë vendim, Kushtetuesja tha se propozimi për nënkryetarin nga radhët e komuniteteve joshumicë, në këtë rast të pakicës serbe, duhet të bëhet nga shumica apo numri më i madh i deputetëve nga radhët e deputetëve të komunitetit serb.

Pasi deputetët e Listës Serbe nuk morën numrin e mjaftueshëm të votave, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, kërkoi që zgjedhja e nënkryetarit serb të vazhdojë përmes shortit, duke i mundësuar deputetit tjetër serb, Nenad Rashiq nga partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë të zgjidhet nënkryetar.

Rashiq ka qenë ministër në Qeverinë e Albin Kurtit, duke udhëhequr dikasterin për Komunitete dhe Kthim.

Lista Serbe ka argumentuar se zgjedhja e Rashiqit është “jolegjitime” dhe paralajmëroi se zgjedhjet do të humbasin kuptimin, nëse shumica e deputetëve shqiptarë u imponon serbëve përfaqësues, duke legalizuar ashtu “dhunën e shumicës ndaj pakicës”.

Një ditë pas zgjedhjes së Rashiqit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte mandatuar udhëheqësin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për formimin e Qeverisë së re. Por, as Kurti dhe as mandatari i dytë, Glauk Konjufca, nuk arritën ta bënin Qeverinë dhe vendi shkoi në zgjedhje të reja më 28 dhjetor.

Kur e ke pasë rastin një herë e s’ke qenë i zoti me e çu përpara, rasti i dytë nuk vjen me automatizëm Nga Astrit Haraqija

Sinqerisht, spo di a kanë fillu disa me bo emisione humoristike apo po flasin seriozisht.
Njerëz që rastësisht kanë marrë funksione në LDK, sot dalin publikisht e shprehin ambicie për Kryetar partie.
Deri sot, nuk e di a kanë pasë ndonjëherë dëftesë që kanë pagu anëtarësinë e LDK-së.
Rastësisht u bënë Kryeministra, se shefat e tyne ua dhanë mundësinë – por nuk ditën me e mbajtë.
E tash, i njëjti ish-Kryeministër, që postin e ka gëzu falë mentorit të vet, mendon se mund ta udhëheqë LDK-në, kur përveç pozitës që ka pasë ose komunës prej kah vjen, ka veç 3.178 vota.
Jo, jo… nuk bën.
Kur e ke pasë rastin një herë e s’ke qenë i zoti me e çu përpara, rasti i dytë nuk vjen me automatizëm.
O zotni, ka bre ky guxim e kjo ambicie?
Unë nuk jam trim, por kurrë s’jam tutë me e thënë të vërtetën.
Amanet shumë e kush – prej vitit ’92, me detyra, me folklor a me karrierizëm – s’kanë mujtë me e fundos LDK-në.
Mos harro: LDK ka jetu edhe pa ty, ka me jetu edhe pa mua.
E po, që e ke shpallë kandidaturën, po e shpalli edhe unë.
Të paktën kam ma shumë kohë anëtar i LDK-së, edhe pse s’kam pasë asnjë funksion nga komuna qe vijë qe 18 vite – e megjithatë kemi më shumë vota se ju.
LDK nuk është rastësi.
LDK nuk është privilegj.
LDK nuk është ferr me lujtë.

Transportuesit rajonalë bllokojnë kufijtë me BE-në, Kosova në vështirësi

Transportuesit nga Serbia bllokuan pikën kufitare me Kroacinë, Batrovci, 26 janar 2026.

 

Nadije Ahmeti, Petar Klinçarski

Transportues nga Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi, nga mesdita e 26 janarit, bllokuan pikat kufitare për qarkullimin e mallrave drejt zonës Schengen të Bashkimit Evropian.

Ky veprim është reagim ndaj sistemit të ri të BE-së për kontrollin e hyrje-daljeve, të cilin ata e konsiderojnë shkak për dëbime, vonesa dhe humbje ekonomike, dhe kërkojnë që kompanitë e transportit të përjashtohen nga zbatimi i tij.

Transportuesit njoftuan se bllokadat do të zgjasin shtatë ditë, nëse gjatë kësaj kohe nuk gjendet zgjidhje për problemin e tyre.

Çka është sistemi EES?

I njohur si EES (Entry/Exit System), ky sistem u vendos në kufijtë e jashtëm të zonës Schengen dhe nisi të zbatohej gradualisht më 12 tetor 2025.

Ai pritet të jetë plotësisht funksional deri më 10 prill 2026.

Rregulli i ashtuquajtur “90/180 ditë” parasheh që transportuesit nga vendet jashtë Schengenit mund të qëndrojnë në këtë zonë maksimumi 90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh.

Si importuese e shumë mallrave përmes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, Kosova pritet të ndjejë pasojat e protestave në qarkullimin e mjeteve të transportit.

Qendra Kombëtare për Menaxhim të Kufirit njoftoi se, sipas informacionit të pranuar nga zyrtarët kufitarë të Serbisë, “do të ketë ndërprerje të qarkullimit të kamionëve në të gjitha pikat kufitare me Serbinë”.

“Këto protesta ndikojnë në qarkullimin e mjeteve të transportit dhe mallrave, si dhe mbingarkojnë trafikun në zonat kufitare të Republikës së Kosovës me vendet e rajonit, që janë të përfshira në protesta”, thuhet në njoftim.

Qendra Kombëtare për Menaxhim të Kufirit paralajmëroi se bllokadë të ngjashme do të ketë edhe nga Mali i Zi.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, njëherësh udhëheqës i Odave Ekonomike të Ballkanit Perëndimor, thotë se Kosova nuk merr pjesë në protestë, pasi vendi nuk ka ende kompani logjistike që realizojnë transport të rregullt me vendet e BE-së.

Por, paralajmëron se efektet e saj do të ndihen edhe në Kosovë.

“Për shkak të bllokadës së kufijve, Kosova nuk do të mund as të eksportojë dhe as të importojë mallra”, thotë Rafuna për Radion Evropa e Lirë.

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës për vitin e kaluar, vendi ka importuar produkte në vlerë prej mbi 7 miliardë eurosh në total, ose rreth 20 milionë euro në ditë – një sasi të madhe të tyre përmes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Vlera e eksporteve, ndërkaq, ishte rreth 942 milionë euro vitin e kaluar, apo rreth 2.6 milionë euro në ditë.

Në përpjekje për të gjetur një zgjidhje, Rafuna thotë se gjashtë Odat Ekonomike të Ballkanit Perëndimor i kanë dërguar një shkresë presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Në letrën që siguroi Radio Evropa e Lirë dhe që mban datën e 20 janarit, kërkohet që të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme për këtë çështje.

“Zhvillimet e pritshme si pasojë e këtyre masave, janë shqetësuese dhe mund të shndërrohen në një sfidë sistematike ekonomike dhe politike për rajonin”, thuhet në letër.

Sipas Rafunës, sistemi i ri ka detyruar kompani në Ballkanin Perëndimor që, çdo tre muaj, të punësojnë shoferë të rinj.

“Ky është problem i madh, sepse ka mungesë të tyre… dhe kjo komplet e çrregullon zinxhirin e furnizimit”, thotë ai.

Nënkryetari i Shoqatës së Transportuesve të Mallrave nga Kosova, Besnik Aliu, thotë për Radion Evropa e Lirë se transportuesit në Kosovë përballen me sfida të ngjashme me kolegët e tyre në rajon, për shkak të sistemit EES.

Sipas tij, edhe pse në Kosovë janë të licencuar rreth 2.000 kamionë për transport mallrash, sektori mbetet i dobët në transportin ndërkombëtar, pasi shumica e importeve dhe eksporteve realizohen nga kompani të rajonit dhe BE-së.

“Nuk është e lehtë të gjesh shoferë për tregun e BE-së, sikurse gjenden për transportin brenda Kosovës apo në rajon”, thotë ai.

Transportuesit nga Maqedonia e Veriut bllokuan pikën kufitare me Serbinë, Blace, 26 janar 2026.

Transportuesit nga Maqedonia e Veriut bllokuan pikën kufitare me Serbinë, Blace, 26 janar 2026.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Sasho Ilievski, pronar i kompanisë “Stema Transport” në Shkup, thotë se nuk preket drejtpërdrejt nga rregullat e reja – pasi kamionët e tij udhëtojnë drejt shteteve më të afërta të BE-së – por shton se ai do t’i mbështsë kolegët në protestë.

“Udhëtimet tona zhvillohen kryesisht në Austri, Sllovaki, Republikën Çeke dhe Hungari. Për çdo udhëtim, qëndrojmë maksimumi katër deri në pesë ditë”, thotë ai.

“Megjithatë, ka kompani që operojnë më thellë brenda BE-së… që hyjnë në Suedi, Norvegji, Portugali. Për një udhëtim, ato kalojnë 15 deri në 20 ditë brenda BE-së. Kur kthehen, nuk u lejohet të hyjnë përsëri gjatë atij muaji. E, nëse nuk udhëtojnë sërish, kompania dhe biznesi humbasin, pasi shoferët nuk mund t’i përmbushin detyrimet e tyre profesionale brenda asaj kohe. Ata nuk janë turistë, janë shoferë profesionistë dhe duhet t’u lejohet të qëndrojnë më gjatë”, shton Ilievski.

Para se të hynte në fuqi sistemi elektronik, EES, transportuesit maqedonas nuk kishin probleme, edhe pse rregulli i 90 ditëve për qëndrimin në zonën Schengen ishte në fuqi.

Doganierët vulosnin pasaportat, por nuk numëronin ditët dhe shpesh i “shikonin përmes gishtave”, thotë Ilievski.

Por, që nga fillimi i funksionimit të sistemit elektronik të BE-së, qëndrimet në zonën Schengen monitorohen më rreptë.

Kompjuteri me të dhëna biometrike përmbledh saktë të gjitha ditët – nga koha e kaluar në udhëtim, pushimet në parkime e deri te pritjet në kufi.

“Të gjithë ata që udhëtojnë më thellë brenda Bashkimit Evropian, do të qëndrojnë më shumë ditë. Kjo i prek rreth 70 për qind të kompanive në vend. Kolegët në Suedi, për shembull, nuk mund të kthehen shpejt… Shoferi e drejton automjetin për 9 orë në ditë dhe pastaj duhet të pushojë. Pushimi që merr është brenda BE-së dhe konsiderohet po ashtu qëndrim, edhe pse ai nuk po punon”, thotë Ilievski.

“Prandaj, ne kërkojmë nga BE-ja që t’i përjashtojë kompanitë e transportit. Shoferëve ose duhet t’u zgjatet qëndrimi, ose të llogariten vetëm orët e tyre të punës”, sipas tij.

Blace, 26 janar 2026.

Blace, 26 janar 2026.

Transportuesit maqedonas do të bllokojnë dhjetë pika kufitare – në kufi me Bullgarinë, në kufi me Greqinë, në kufi me Shqipërinë dhe në kufi me Kosovën.

Pika kufitare Tabanovc nuk do të bllokohet nga maqedonasit, por nga transportuesit serbë në anën e tyre të kufirit.

Bllokadat aplikohen vetëm për trafikun e mallrave, duke mbyllur korsitë dhe terminalet për kamionët, ndërsa makinat e zakonshme, autobusët dhe trafiku i pasagjerëve do të lëvizin pa pengesa.

Në Maqedoninë e Veriut, mobilizimi për bllokadat u organizua nga “Makam-Trans” – shoqata më e madhe e punëdhënësve të kompanive të transportit në këtë vend.

Bilana Muratovska, sekretare e përgjithshme e “Makam-Trans”, thotë se shoferët maqedonas, sikurse edhe të tjerët në rajon, përballen me rrezikun e dëbimit pas qëndrimit 90-ditor në zonën Schengen.

Më herët, Konsorciumi i Logjistikës i Bosnje dhe Hercegovinës njoftoi se 100 shoferë profesionalë janë kthyer me forcë nga vendet e BE-së, ndërsa 47 shoferë kanë humbur punën për shkak të problemeve me qëndrimin në këto vende.

“Ne kemi raste të tilla. Nuk kam një numër të saktë, por duhet bërë një dallim… për shembull, flota e transportit në Bosnje e Hercegovinë dhe në Serbi është shumë më e madhe se e jona”, thotë Muratovska.

Ajo shton se dëmet për kompanitë janë të mëdha dhe shkaktojnë shpenzime shtesë.

“Kur i llogarisim kostot që na shkaktojnë – sepse mjeti lihet në një parking plot me mallra, që mund të jetë shumë i shtrenjtë dhe pa mbrojtje, dhe ne nuk e dimë se çfarë do t’u ndodhë shoferëve – situata bëhet e vështirë. Shoferët dëbohen me avion, sepse nuk kanë ditë të mjaftueshme për t’u kthyer me autobus ose me kolegët e tyre. Këto kosto i mbajnë transportuesit”, shpjegon Muratovska.

BE: Asgjë nuk ka ndryshuar me rregullat e Schengenit

Sistemi EES nuk vendos asnjë kërkesë të re për qëndrimet e shkurtra në zonën Schengen, tha zëdhënësi për Çështjet e Brendshme të Komisionit Evropian, Markus Lammert, më 19 janar, në përgjigje të pretendimeve të shoqatave të transportit nga Ballkani Perëndimor se sistemi i ri po i lë punëtorët dhe shoferët pa punë.

“EES siguron zbatim më të mirë të rregullave ekzistuese dhe zbulim sistematik të parregullsive”, tha Lammert, duke theksuar se Komisioni Evropian po ndjek nga afër çështjen e njoftimeve për bllokada nga transportuesit.

Sipas tij, EES nuk sjell ndryshime në rregullat ekzistuese për qëndrimin në zonën Schengen.

“Sipas rregullave, shtetasit e vendeve të treta pa vizë kanë të drejtë të qëndrojnë në zonën Schengen për gjithsej 90 ditë brenda çdo periudhe 180-ditore. Çdo ditë që e tejkalon këtë, duhet të mbulohet me vizë afatgjate ose leje të lëshuar nga një shtet anëtar”, shtoi Lammert.

Por, sipas Muratovskës, edhe pse BE-ja thotë se rregulli i qëndrimit 90-ditor brenda 180 ditëve nuk ka ndryshuar, rrethanat kanë ndryshuar.

“Të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian tashmë janë në zonën Schengen – plus dy vende që nuk janë anëtare të BE-së, Norvegjia dhe Zvicra. Tani, pa marrë parasysh se si largohesh nga vendi, menjëherë hyn në zonën Schengen. Ndaj, pretendimet se situata është e njëjtë si më parë, janë fyerje për inteligjencën”, thotë Muratovska.

Qeveria maqedonase u doli në mbrojtje transportuesve të vendit.

Ministri i Transportit, Aleksandar Nikolovski, tha se e kupton revoltën dhe propozoi që problemi të zgjidhet ose duke shtyrë sistemin elektronik për shoferët profesionalë, ose duke u dhënë atyre mundësinë të marrin viza pune.

Avdullah Hoti thotë se do të garojë për kryetar të LDK-së

Radio Evropa e Lirë

Avdullah Hoti i ka bërë të ditura synimet se dëshiron ta marrë drejtimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke thënë se “ka ardhur koha” për ta kthyer atë në forcën kryesore politike në vend.

Hoti – i cili shërbeu shkurtimisht si kryeministër i Kosovës mes viteve 2020 dhe 2021 – shkroi në Facebook të dielën se do ta kërkojë besimin e delegatëve të partisë në Kuvendin e LDK-së më 31 janar.

Ai tha se po e bën këtë “pas dorëheqjes së kryetarit Abdixhiku për shkak të rezultatit të fundit zgjedhor”.

Kryetari i tanishëm Lumir Abdixhiku pritet ta kërkojë votëbesimin e delegatëve në Kuvendin e 31 janarit, pasi më parë kishte thënë se e ka ofruar dorëheqjen por se do të largohej vetëm nëse Kuvendi i partisë voton për shkarkimin e tij.

Nuk është e qartë nëse Abdixhiku do ta humbë votëbesimin për t’i hapur rrugë garës për kryetar të partisë.

Hoti shkroi se “në këtë moment vendimtar për LDK-në dhe për Kosovën, unë zotohem me përgjegjësi të plotë të marr barrën e ringritjes politike dhe organizative të partisë”.

Hoti, 50 vjeç, është pjesë e LDK-së nga viti 2006 dhe, përveç si kryeministër i vendit, në të kaluarën ai ka shërbyer edhe si ministër i Financave i Kosovës.

“Zotohem se askush nuk do të mbetet në margjina. Se do të ndërtojmë një LDK të hapur, të drejtë dhe konkurruese. Një LDK ku avancimi bazohet në meritë, integritet dhe përkushtim; ku profesionistët, gratë dhe të rinjtë e gjejnë hapësirën që u takon”, shkroi ai.

Ai u shpreh i bindur se brenda LDK-së potenciali “është shumë më i madh”, duke shtuar se partia duhet ta shfrytëzojë atë për t’u kthyer në “forcën politike kryesore në Republikën e Kosovës, në shërbim të qytetarëve dhe të interesit shtetëror”.

LDK-ja caktoi Kuvendin e partisë për 31 janar pas një mbledhjeje të Kryesisë javën e kaluar, ku anëtarët diskutuan për rezultatin dëshpëruese në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

LDK-ja, partia më e vjetër në Kosovë, është duke përjetuar një ndër periudhat më të vështira në historinë e vet, pasi zgjedhjet e dhjetorit sollën rezultatin e dytë më të keq për të.

Disa anëtarë të partisë, përfshirë Hotin dhe Hykmete Bajramin – e cila dha dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares të partisë – kërkuan largimin e Abdixhikut, pasi LDK-ja doli e treta duke i fituar vetëm rreth 13 për qind të votave.

Pas mbledhjes së Kryesisë javën e kaluar, zyrtari i LDK-së Besian Mustafa nuk konfirmoi se do të kishte garë për kryetar të partisë në Kuvendin e 31 janarit.

Duke folur në një konferencë për media, Mustafa tha se “duhet të ketë një proces tjetër për të ardhur deri të kandidaturat e tjera për të pasur një proces zgjedhor në LDK”.

“Tani jemi të pjesa e votëbesimit. Do ta shohim rezultatin e votëbesimit së pari”, tha Mustafa.

Kryeministri Kurti takoi Jonathan Powell, këshilltar për Sigurinë Kombëtare të Kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar

 

 

Davos, Zvicër 23 janar 2026

 

Në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror, të mbajtur në Davos, Zvicër, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takoi Jonathan Powell, këshilltar për Sigurinë Kombëtare të Kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer.

 

Gjatë takimit, u diskutua për zgjedhjet parlamentare të dhjetorit të vitit të kaluar, planet dhe projektet për mandatin e ardhshëm qeverisës, progresin demokratik në Kosovë dhe rritjen ekonomike, dhe çështje të sigurisë rajonale.

 

Kryeministri u shpreh se Mbretëria e Bashkuar vazhdon të jetë një nga aleatët më të ngushtë të Republikës së Kosovës dhe mirëpret vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve. Zyra e Kryeministrit

Kurti: S’ka amnisti për komisionerë e individë të përfshirë në manipulime votash

Radio Evropa e Lirë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje për hetim gjithëpërfshirës dhe ndëshkim për personat e dyshuar për manipulim të votave brenda partive politike në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Thirrja e Kurtit, liderit të partisë fituese të zgjedhjeve Lëvizja Vetëvendosje, vjen pasi autoritetet i ndaluan mbi 100 persona të premten nën dyshimin për keqpërdorim të votave të zgjedhjeve të muajit të kaluar.

Kurti – i cili ishte kritikuar për mungesë reagimi ndaj dyshimeve për manipulime të votave kur ato dolën në sipërfaqe javë më parë – tha të shtunën në Facebook se “komisionerë e individë, që në mënyrë klandestine, janë përfshirë në manipulime votash brenda subjekteve politike duke dëmtuar kolegë e subjekte politike nuk kanë amnisti”.

Javën e kaluar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u detyrua ta nisë rinumërimin e plotë të votave, pasi kishte gjetur mospërputhje në votat për kandidatët për deputetë.

Kurti shtoi se partia e tij “ka qenë gjithnjë gardiane e ruajtjes së vullnetit politik të shprehur përmes votës në kuti të votimit dhe ashtu do të qëndrojë përherë”.

Kur rinumërimi ka përfunduar në pothuajse gjysma e vendvotimeve, del se rreth 80 mijë vota janë të pasakta, sipas Eugen Cakollit nga organizata joqeveritare, Instituti Demokratik i Kosovës.

Në mesin e kandidatëve për deputetë të cilëve u janë hequr më së shumti vota gjatë rinumërimit ka nga partitë kryesore, përfshirë vetë Vetëvendosjen.

Kurti nguli këmbë se dyshimet duhet të hetohen dhe se “manipuluesit duhet të ndëshkohen, këto raste nuk duhet të na shfaqen kurrë më në të ardhmen”.

Autoritetet janë duke kryer hetime në tri komuna, Prizren, Ferizaj dhe Malishevë, me Prizrenin që dyshohet si vendi ku ka pasur më së shumti manipulime të votave.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, tha të premten se të ndaluarit në rajonin jugor të vendit janë kryesisht komisionerë dhe në mesin e tyre ka edhe familjarë të kandidatëve për deputetë.

Ata dyshohen për falsifikim të rezultateve zgjedhore, presion dhe kanosje dhe për dhënie e marrje të ryshfetit.

Sipas tij, një manipulim i tillë nuk ka mundur që të ndodhë pa një kompromis mes komisionerëve të katër partive më të mëdha politike.

“Po flasim për komunën e Prizrenit që janë shtuar hiç më pak se 40.497 vota dhe janë hequr hiç më pak se 27.520 vota. Pra, diferenca totale e keqpërdorimeve është 68.017 vota”, tha Kryeziu.

Në Kosovë manipulimi i votave është vepër penale e dënueshme me burgim.

Megjithatë, së voni organizata joqeveritare, ÇOHU, e publikoi një hulumtim që tregoi se mbi 90 për qind e rasteve për manipulime zgjedhore përfundojnë me dënime me kusht ose gjoba.

Shumica e kandidatëve për deputetë të cilëve u janë hequr më së shumti vota gjatë rinumërimit, e kanë mohuar të kenë pasur gisht në keqpërdorim dhe kanë thënë se e dënojnë këtë dukuri.

SHBA i jep Kosovës skaner për kontrolle kufitare në vlerë prej 3 milionë dollarësh

E ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane, Anu Prattipati, shikon nga afër se si funksionon skaneri Rapiscan

 

Radio Evropa e Lirë

Shtetet e Bashkuara i kanë dhuruar Kosovës një skaner mobil, të llojit Rapiscan, që është vendosur në pikëkalimin kufitar në Merdarë – që lidh Kosovën me Serbinë.

Kjo teknologji e prodhuar në Shtetet e Bashkuara, në vlerë prej 3 milionë dollarësh, sipas Ambasadës amerikane në Prishtinë, do të ndihmojë autoritetet e Kosovës që të luftojnë kontrabandën e mallrave.

SHBA-ja tha se përveç luftimit të kontrabandës së mallrave, skaneri i ri do të ulë kohën e pritjes, duke lehtësuar qarkullimin ndërkufitar.

Ky donacion është pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë mes SHBA-së, Gjermanisë dhe Kosovës, “që sjell përfitime konkrete për Kosovën, përfshirë aftësinë e saj për të përfaqësuar veten në Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, një arritje që e festuam së bashku mbi një vit më parë”, tha e ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane, Anu Prattipati.

“Është një shembull tjetër i partneritetit të fortë mes SHBA-së dhe institucioneve të Kosovës, përfshirë Doganat dhe Policinë kufitare”, tha Prattipati.

Sipas saj, këto dy institucione janë kyç për sigurinë e kufijve të Kosovës dhe luftimit të kontrabandës.

Skaneri që SHBA-ja i dhuroi Kosovës.

Skaneri që SHBA-ja i dhuroi Kosovës.

Në ceremoninë inauguruese të këtij skaneri, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se ky skaner do të rrisë aftësinë e Kosovës për të parandaluar, zbuluar dhe menaxhuar në mënyrë efektive kërcënimet ndërkufitare.

“Siguria e kufirit përbën një shtyllë themelore të sigurisë kombëtare dhe funksionimit të plotë të shtetit ligjor. Në një kontekst të ndryshimeve të mëdha globale dhe të rritjes së rreziqeve të sigurisë, ndërtimi dhe fuqizimi i kapaciteteve të reja kufitare janë të domosdoshme për garantimin e stabilitetit dhe forcimin e aftësisë së institucioneve tona për t’u përballur me sfidat bashkëkohore”, tha Sveçla.

Sipas tij, investimet në teknologjinë moderne, infrastrukturë dhe burime njerëzore janë elementë kyç për menaxhimin kufitar.

“Në këtë drejtim, jam shumë i lumtur që në pikën kufitare në Merdarë po inaugurojmë skanerin Rapiscan, i cili vjen si donacion nga SHBA-ja. Ky donacion përfaqëson jo vetëm një avancim të rëndësishëm teknologjik, por edhe një dëshmi konkrete të partneritetit të fuqishëm dhe të qëndrueshëm mes Kosovës dhe SHBA-së”, theksoi ai.

Ndërkaq, drejtori i Doganave të Kosovës, Agon Llugaliu, tha se vendi do t’i sigurojë edhe dy skanerë të tjerë përmes fondeve të Bankës Botërore.

Skaneri i ri që u vendos në Merdarë është pjesë e një angazhimi të përbashkët të Gjermanisë dhe SHBA-së, me Kosovën, për sigurinë kufitare.

Më 2023, duke e akuzuar Serbinë se po shkelte Marrëveshjen për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), Kosova kishte ndaluar importin e mallrave nga fqinji verior.

Një vit më vonë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, kishte deklaruar se këto dy shtete, së bashku me Bashkimin Evropian i kishin premtuar Kosovës sigurimin e skanerëve.

Po atë vit u hoq masa e ndalesës për mallra serbe, dhe Kurti tha se kur do të vinin skanerët, puna e kontrolleve kufitare do të lehtësohej.

Atëbotë, autoritetet në Kosovë deklaruan se në pikat kufitare do të vendoseshin skanerë të teknologjisë tredimensionale (3D).

Kryeministri Kurti u takua me Komisioneren e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos

 

 

Davos, 21 janar 2026

 

Takimi i radhës i Kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në margjina të Forumit Ekonomik Botëror, u mbajt me Komisioneren e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos.

 

U diskutua mbi progresin ekonomik dhe avancimin demokratik të vendit të cilat janë kyçe në rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian. Raporti i Vendit i Komisionit Evropian për vitin 2025 dëshmoi se Kosova ka vazhduar progresin në integrimin evropian. Asnjë vend i Ballkanit Perëndimor nuk ka qenë më i përgatitur në momentin e marrjes së statusit të vendit kandidat, andaj edhe progresi demokratik i Kosovës meriton të vlerësohet me këtë status.

 

Në takim u diskutua edhe rreth situatës gjeopolitike, Planit të Rritjes, bashkëpunimit rajonal dhe aktualitetit. Sa i përket bashkëpunimit rajonal, kryeministri Kurti theksoi se Kosova luan rol aktiv dhe konstruktiv dhe mbështet integrimin më të gjerë ekonomik të rajonit bazuar në vlerat dhe standardet e Bashkimit Evropian.

 

 

Kryeministri Kurti u takua me përfaqësues nga Këshilli i Jashtëm për Marrëdhënie Ekonomike

 

 

Shtëpia e Kosovës, Davos, 20 janar 2026

 

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi drekë pune në Shtëpinë e Kosovës me përfaqësues nga Këshilli i Jashtëm për Marrëdhënie Ekonomike, mes tyre Alexander Kunitz dhe Maximilian Hoffmann, si dhe Drejtorin Ekzekutiv Max Gulde nga “Constellr”, Carl Holshouser nga “CoreWeave”, Dr. Tanja Wielgoß nga “SPD Economic Council” dhe Matthias Ibrahim Krug nga “Velmora Capital”.

 

Diskutuan mbi integritetin konkurrues si bazë për besim, qëndrueshmëri institucionale dhe klimë më tërheqëse për investime.

 

Kryeministri theksoi progresin e Kosovës në siguri, sundim të ligjit dhe stabilitet makro-fiskal si faktorë që përkthehen drejtpërdrejt në mjedis më të mirë biznesi.

 

U diskutua pozicionimi i Kosovës si nyje për kompanitë që kërkojnë kapacitete të besueshme dhe afër tregjeve të EMENA-s. Kryeministri prezantoi prioritetin e investimeve publike me mbi 7 miliardë euro në transport, mjedis dhe energji për të përmirësuar logjistikën dhe parashikueshmërinë ekonomike./Zyra e Kryeministrit

Bahamas heq vizat për Kosovën- Osmani: Përkushtim i përbashkët për forcimin e lidhjeve ndërmjet qytetarëve tanë

Kosova dhe Bahamasi kanë nënshkruar një marrëveshje për heqjen reciproke të vizave, duke mundësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve të të dy vendeve.

Kjo u bë e ditur nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila theksoi se pas njohjes së Kosovës nga Bahamasi dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike në dhjetor, ky ishte hapi i radhës për forcimin e partneritetit ndërmjet dy shteteve.

Osmani thekson se marrëveshja dëshmon përkushtimin e përbashkët për forcimin e lidhjeve mes dy vendeve por edhe për të afruar sa më shumë qytetarët me njëri tjetrin.

“Marrëveshja dëshmon përkushtimin e përbashkët për forcimin e lidhjeve ndërmjet qytetarëve tanë, duke i afruar ata edhe më shumë me njëri-tjetrin”, tha Osmani. bw

Si reaguan kandidatët të cilëve iu hoqën më së shumti vota në rinumërim?

Ekrem Idrizi

Në një kohë kur Kosova është mburrur si dhe lavdëruar nga të tjerët për mbajtje të zgjedhjeve të drejta, demokratike dhe të lira, dyshimet për manipulime me vota, veçanërisht brenda subjekteve politike, kanë nxitur rinumërim të plotë të votave për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njoftoi të hënën se do t’i rinumërojë të gjitha votat, pasi paraprakisht kishte vendosur t’i numëronte vetëm një të tretën e tyre.

Një hetim i Komisionit kishte gjetur mospërputhje në votat për kandidatët për deputetë dhe gjatë numërimit të pjesshëm u vërtetua se dallimet janë të mëdha në vota.

Si pasojë, prokurorët kanë filluar të mbledhin të dhëna lidhur me dyshimet për manipulime të mundshme me vota, ndërsa KQZ-ja ka shkarkuar përfaqësuesit politikë në komisionin e vet komunal në Prizren, ku dyshimet për manipulime janë të mëdha.

E gjithë kjo ka shkaktuar shumë reagime në vend në nivele të ndryshme, përfshirë nga vetë disa kandidatë të cilëve pas rinumërimit të pjesshëm u janë hequr nga dhjetëra deri në mijëra vota.

Ndër ta ka kandidatë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Më poshtë mund t’i lexoni reagimet e disa prej deputetëve të cilëve u janë hequr vota:

FETAH PAÇARIZI – PDK

Kandidati i Partisës Demokratike të Kosovës (PDK), Fetah Paçarizi, tha se ajo që po ndodh gjatë procesit të rinumërimit të votave “është serioze dhe shqetësuese”.

Paçarizi, të cilit iu hoqën mbi 6 mijë vota deri tani, e mohon përgjegjësinë.

“Nuk kam dhe nuk kam pasur asnjë ndikim në këtë proces dhe distancohem plotësisht nga çdo keqpërdorim apo manipulim që mund të jetë bërë në emrin tim ose në dëm të votës së lirë” shkroi Paçarizi në Facebook.

“Kërkoj transparencë, hetim dhe përgjegjësi. Gabimi apo manipulimi i këtij niveli është përgjegjësi shtetërore”, shtoi ai.

NAIT HASANI – PDK

Kandidati tjetër i PDK-së, Nait Hasani, e cilësoi dyshimet për manipulime si “cenim i rëndë vullneti i lirë i qytetarëve” dhe si “sulm i drejtpërdrejt dinjiteti im politik dhe kombëtar”.

“Me atë që pashë në rinumërim, votat e mia janë rritur në mënyrë të padrejtë, duke u përdorur emri im për manipulime të papranueshme zgjedhore. Ky veprim përbën jo vetëm shkelje ligjore, por edhe akt të rëndë moral dhe politik”, shkroi Hasani në Facebook.

Hasani – të cilit iu kanë hequr deri tani mbi 3 mijë vota – tha se “unë refuzoj kategorikisht çdo votë që nuk buron nga vullneti i lirë i qytetarit”.

LULJETA VESELAJ-GUTAJ – PDK

Ndërsa, Luljeta Veselaj-Gutaj, u ankua se “mu cenua integriteti im dhe i shtetit demokratik”, dhe bëri thirrje që personat e papërgjegjshëm të vihen para përgjegjësisë.

Asaj iu kanë hequr deri tani mbi 2 mijë vota.

“Tjetërsimin e votës e konsideroj krimin më të madh që mund t’i ndodhë demokracisë dhe rrugës sonë për një shoqëri të drejtë. Kjo nuk mund asesi të falet, dhe do të kërkoj përgjegjësi nga institucionet e drejtësisë për dëmin e shkaktuar jo vetëm ndaj integritetit tim personal e politik, por edhe të integritetit të procesit më të shenjtë që e ka vendi ynë, atij zgjedhor”, shkroi ajo në Facebook.

ANTON QUNI – LDK

Anton Quni i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), e mohoi çfarëdo përfshirje në manipulim me vota në një reagim në Facebook.

“Dëshiroj të bëj të ditur me përgjegjësi të plotë se çdo rritje e votave në emrin tim është bërë pa dashjen dhe pa dijeni timen. Unë nuk kam kërkuar, inkurajuar apo asistuar në asnjë formë devijimin e vullnetit të qytetarëve”, shkroi Quni.

Quni – të cilit iu kanë hequr deri tani rreth 500 vota – tha se kjo “ngritje artificiale e votave nuk përfaqëson mbështetjen time reale dhe as parimet e mia njerëzore”.

Ai u shpreh “plotësisht i gatshëm” të bashkëpunojë me autoritetet për ta zbardhur “këtë skandal deri në fund”.

DRITON SELMANAJ – LDK

Kandidat për deputet dhe kryetari i degës së LDK-së në Prizren, Driton Selmanaj, tha se “distancohem tërësisht nga kushdo që ka marrë guximin të tjetërsojë vullnetin e qytetarëve të komunës sonë”.

“Kemi dyshimet tona që ky skenar ka qenë i mirë organizuar dhe ka përshirë të gjithë kandidatët dhe të gjitha partitë politike për ta balancuar dhe shpërndarë abuzimin tek të gjithë, në mënyrë që të mos identifikohet lehtë si problem”, shkroi Selmanaj në Facebook.

BURIM RAMADANI – AAK

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Burim Ramadani, tha se “kjo është e tmerrshme! E papranueshme! E gërditshme!”

“Më fyejnë e më terrorizojnë edhe votat e shtuara, edhe votat e hequra”, shkroi Ramadani në Facebook duke mohuar përfshirjen.

Ramadanit – i cili nuk arriti të fitonte vend në Kuvend – iu kanë hequr mbi 150 vota deri tani.

Radio Evropa e Lirë

KQZ vendos për rinumërim të plotë të votave

Radio Evropa e Lirë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që të ketë rinumërim të plotë të të gjitha votave në vendvotimet në 28 komuna. Po ashtu është vendosur që të shkarkohet përfaqësuesit politikë në Komisionin Komunal Zgjedhor në Prizren, ku sipas kreut të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, janë vërejtur dallimet më të mëdha në votat për kandidatët për deputetë.

Paraprakisht, në këto 28 komuna KQZ kishte vendosur që të rinumëroheshin vetëm 10 për qind e vendvotimeve, ndërkaq në 10 komuna të tjera vendosi për rinumërim të plotë.

Vendimi i 19 janarit vjen pasi gjatë rinumërimit të pjesshëm u vërejtën dallime të mëdha në votat për kandidatët për deputetë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit të vitit 2025.

Pas zbulimit të këtyre devijimeve, partitë dhe organizatat e shoqërisë civile kërkuan rinumërim të plotë të votave.

Gjatë mbledhjes, kreu i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se në mbledhjen e mbajtur nga Këshilli për Operacione i KQZ-së u analizua raporti i rinumërimit të pjesshëm. Sipas tij, dallimi në votat për partitë politike është minimal dhe “i papërfillshëm”, ndërkaq ai te kandidatët ka “shkallë të lartë të pasaktësisë”.

“Prizreni është rasti më ekstrem”, tha Radoniqi, duke shtuar se 20.343 vota u janë zbritur kandidatëve për deputetë gjatë rinumërimit. Ai tha se në komuna të tjera nuk vërehen dallime të mëdha në votat për kandidatë.

Anëtarët e partive politike në KQZ përkrahën të dyja rekomandimet, duke kërkuar që të ketë përgjegjësi ligjore për devijimin e rezultatit.

Në mbledhje, anëtari nga radhët e komunitetit boshnjak, Almir Sahiti, kërkoi që në rinumërim të përfshihen edhe votat e diasporës. Kryetari i KQZ-së tha se për këtë propozim do të vendoset pas mbledhjes, ndërkaq disa anëtarë të tjerë thanë se këto vota veçse janë numëruar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, aty ku gjetën edhe mospërputhjet në votat për kandidatë për deputetë.

Më 13 janar, KQZ-ja nisi rinumërimin e plotë të votave në 10 komuna (Dragash, Kaçanik, Leposaviq, Prizren, Skenderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillugu), pasi në verifikimin e 2 për qind të vendvotimeve gjeti mospërputhje të votave të kandidatëve.

Ndërkaq, tani numërimi i plotë do të bëhet edhe në 28 komuna të tjera, ku paraprakisht u vendos të numëroheshin vetëm 10 për qind e vendvotimeve: Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë-Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin-Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut.

Pas vendimit për rinumërimin e pjesshëm ishte paraparë që 914 vendvotimet të numëroheshin për rreth dy javë. Deri më tani, 586 vendvotime janë rinumëruar.

Pas konstatimit se ka dallim në vota për kandidatët për deputetë, Prokurori i Shtetit u vu në lëvizje më 19 janar. Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokurorja Laura Pula, u ka kërkuar kryeprokurorëve në të gjitha prokuroritë themelore, që në të gjitha komunat ku ka përfunduar procesi i rinumërimit “të fillojnë grumbullimin e informatave të nevojshme dhe të sigurojnë prova relevante, që vërtetojnë kryerjen e ndonjë vepre penale që ndërlidhet me procesin zgjedhor”.

Një ditë më parë, Prokuroria Themelore e Prizrenit e autorizoi Policinë që të identifikojë fajtorët për këtë mospërputhje në vota.

Përfaqësuesit e partive politike, ndërkaq, kërkuan rinumërim të plotë të votave, ndërkaq koalicioni i organizatave që monitoron procesin zgjedhor në Kosovë, Demokracia në Veprim (DnV), kërkoi që të ketë një hetim në nivel kombëtar.

DnV-ja tha se subjekt i hetimeve nuk duhet të jenë vetëm komisionerët, por edhe kandidatët që kanë “rezultojnë përfitues nga këto mospërputhje dhe manipulime”, tha DnV.

Më 9 janar, KQZ-ja njoftoi se kishte përfunduar procesi i numërimit të të gjitha votave. Votat e rregullta u numëruan nëpër qendrat komunale të numërimit, ndërksa votat tjera, përfshirë ato nga diaspora në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Gjatë procesit të numërimit, në qendrat komunale të numërimit, çdo fletëvotim kalon përmes disa kontrolleve: lexohet me zë të lartë nga një numërues, shfaqet në ekran përmes kamerës dhe regjistrohet në sistem elektronik nga një zyrtar tjetër, ndërsa një person i tretë e verifikon fletën.

Megjithatë, manipulimi thuhet se bëhet në fazën e leximit të votave për kandidatë. Kur një fletëvotim i takon një partie, ai përmban edhe vota për disa kandidatë. Numëruesi mund të ndryshojë verbalisht numrin e kandidatit të votuar, duke e zëvendësuar me numrin e një kandidati tjetër.

Kështu, sistemi regjistron votë për kandidatin e gabuar, edhe pse fletëvotimi real tregon diçka tjetër. Numri i votave për parti nuk ndryshon, vetëm ndryshon numri i votave për kandidatë brenda të njëjtës parti.

Manipulimi i votave në Kosovë është vepër penale. Megjithatë, së voni organizata joqeveritare ÇOHU publikoi një hulumtim që tregoi se mbi 90 për qind e rasteve për manipulime zgjedhore përfundojnë me dënime me kusht ose gjoba.

Sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje është fituesja e zgjedhjeve me mbi 51 për qind të votave të fituara. Ajo pritet të ketë 57 ulëse në legjislaturën e dhjetë.

Rinumërimi i plotë i votave pritet të shtyjë konstitutimin e përbërjes së re të Kuvendit dhe formimin e ekzekutivit të ri.

Kërkohet rinumërimi i plotë pas ndryshimeve në votat për kandidatë

Radio Evropa e Lirë

Koalicioni i organizatave që monitoron procesin zgjedhor në Kosovë, Demokracia në Veprim (DnV) dhe shumica e partive të mëdha shqiptare në Kosovë kanë kërkuar rinumërim të plotë të votave të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, pasi gjatë rinumërimit u konfirmuan dallime në votat për kandidatë për deputetë.

Pas evidentimit të mospërputhjeve të votave, më 19 janar Prokuroria e Shtetit është vënë në lëvizje, duke urdhëruar grumbullimin e provave për manipulime të mundshme zgjedhore.

DnV tha më 19 janar se pas konfirmimit të devijimeve masive në numërimin e votave për kandidatë në disa komuna, “shmangia nga vendimi për një rinumërim të plotë në nivel vendi po e thellon krizën e besimit në integritetin e procesit zgjedhor”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 13 janar nisi rinumërimin e 914 vendvotimeve, pasi një raport për verifikimin e votave të kandidatëve për 2 për qind të vendvotimeve, gjeti raste të mospërputhjeve të votave. KQZ-ja mblidhet pasditen e sotme dhe pritet të diskutojë për çështjen e rinumërimit.

DnV tha se devijimet që janë evidentuar në komunat ku është bërë rinumërimi i plotë, por edhe në komunat ku janë rinumëruar vetëm 10 për qind, tregon se “fenomeni nuk është i izoluar dhe se përmasa reale e shtrembërimit të votës së kandidatëve nuk mund të vlerësohet me siguri përmes rinumërimeve selektive”.

“Në këtë kontekst, rinumërimi i pjesshëm, sado i zgjeruar, nuk garanton besueshmërinë e rezultatit përfundimtar. Vetëm një rinumërim i plotë i votave preferenciale në të gjitha komunat mund të sigurojë se vullneti i votuesve është reflektuar saktë dhe se nuk ka vendvotime të mbetura jashtë verifikimit, të cilat mund të ndikojnë në renditjen dhe mandatin e kandidatëve”, tha DnV-ja.

Për shkak të mospërputhjeve të votave, Prokuroria Themelore në Prizren një ditë më parë e autorizoi Policinë e Kosovës që të identifikojë fajtorët për mospërputhje gjatë procesit të numërimit të votave për kandidatë për deputetë.

Një ditë më vonë, koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokurorja Laura Pula, u ka kërkuar kryeprokurorëve në të gjitha prokuroritë themelore, që në të gjitha komunat ku ka përfunduar procesi i rinumërimit “të fillojnë grumbullimin e informatave të nevojshme dhe të sigurojnë prova relevante, që vërtetojnë kryerjen e ndonjë vepre penale që ndërlidhet me procesin zgjedhor”.

DnV tha se gjetjet e deritanishme krijojnë bazë të mjafteushme që organet e drejtësisë të hetojnë për këtë çështje në nivel vendi, duke kërkuar që hetimi të mos përfshijë vetëm komisionerët.

“Edhe kandidatët që rezultojnë përfitues nga këto mospërputhje dhe manipulime duhet të jenë pjesë e hetimeve, në mënyrë që të sqarohet nëse ka pasur nxitje, koordinim apo përfshirje direkte apo indirekte në manipulimin e votës”, tha DnV.

Partitë kërkojnë rinumërim të plotë

Rinumërim të plotë të votave kanë kërkuar edhe partitë parlamentare. Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, i cilësoi “tepër shqetësuese” mospërputhjet e zbuluara gjatë rinumërimit të pjesshëm të votave.

“Në këto rrethana të krijuara, si kryetar i PDK-së vlerësoj se rinumërimi i plotë i votave në të gjithë Kosovën është hap i domosdoshëm dhe i drejtë”, shkroi ai në Facebook, duke shtuar se institucionet përgjegjëse duhet të veprojnë për të mbrojtur integritetin e procesit zgjedhor.

Kërkesë të ngjashme ka pasur edhe udhëheqësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

“Për të hequr çdo dyshim, KQZ duhet të sigurojë rinumërim të plotë të çdo kutie në çdo qytet. Le të inkurajohen ata që kanë vlerësuar mirë, të zbulohen ata që kanë vjedhë. Vota nuk tjetërsohet. Vota mbrohet”, është shprehur ai.

Ndërkaq, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se rinumërimi i pjesshëm nxori në pah një “skemë manipulimi të përmasave shqetësuese të votës së qytetarit”.

“Procesi i këtyre zgjedhjeve qysh sot është lënduar dhe pas këtyre gjetjeve, vota duhet të rinumërohet një për një. Pa rinumërim të tërësishëm, nuk sigurohet integriteti i këtyre zgjedhjeve”, është shprehur ai.

Ndryshim të votave te kandidatët për deputetë nuk ka pasur vetëm te partitë shqiptare, por edhe te ajo joshumicë.

KQZ-ja përfundoi numërimin e të gjitha votave, përfshirë ato nga diaspora, më 9 janar.

Gjatë procesit të numërimit, në qendrat komunale të numërimit, çdo fletëvotim kalon përmes disa kontrolleve: lexohet me zë të lartë nga një numërues, shfaqet në ekran përmes kamerës dhe regjistrohet në sistem elektronik nga një zyrtar tjetër, ndërsa një person i tretë e verifikon fletën.

Megjithatë, manipulimi thuhet se bëhet në fazën e leximit të votave për kandidatë. Kur një fletëvotim i takon një partie, ai përmban edhe vota për disa kandidatë. Numëruesi mund të ndryshojë verbalisht numrin e kandidatit të votuar, duke e zëvendësuar me numrin e një kandidati tjetër.

Kështu, sistemi regjistron votë për kandidatin e gabuar, edhe pse fletëvotimi real tregon diçka tjetër. Numri i votave për parti nuk ndryshon, vetëm ndryshon numri i votave për kandidatë brenda të njëjtës parti.

Manipulimi i votave në Kosovë është vepër penale. Megjithatë, së voni organizata joqeveritare ÇOHU publikoi një hulumtim që tregoi se mbi 90 për qind e rasteve për manipulime zgjedhore përfundojnë me dënime me kusht ose gjoba.

Kryeministri Kurti zhvilloi takim me ambasadorët e akredituar në Kosovë

 

Me ftesë të tij, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministrin në detyrë, Besnik Bislimi, mirëpriti sot në takim ambasadorët, të ngarkuarit me punë, shefat e misioneve diplomatike dhe përfaqësues diplomatikë të akredituar në Kosovë.

 

Në kuadër të komunikimit të rregullt dhe zhvillimeve të fundit, kryeministri Kurti dhe zëvendëskryeministri Bislimi, i njoftuan për fazat e zbatimit të Ligjit për të Huaj dhe Ligjit për Automjete, ligje këto të harmonizuara me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe veprimet afirmative, që institucionet e Republikës së Kosovës do të ndërmarrin për zbatimin e plotë të këtyre dy ligjeve.

 

Faza e parë e zbatimit, e cila nis sot, parasheh një periudhë informimi mbi zbatimin e dispozitave ligjore. Vizitorët që hyjnë në vendkalimet kufitare do të pajisen me materiale informuese, të cilat ofrojnë udhëzime të qarta mbi të drejtat, detyrimet dhe procedurat përkatëse që rrjedhin nga legjislacioni në fuqi. Paralelisht do të organizohen sesioneve informuese me qytetarë, fushatë informimi përmes medieve, linja telefonike informuese, etj.  Kjo fazë do të zgjasë deri më datën 15 mars të këtij viti, kur fillon zbatimi i plotë. Zbatimi i Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet synon lehtësimin e qëndrimit të shtetasve jorezidentë në Kosovë.

 

Po ashtu kryeministri informoi ambasadorët e pranishëm mbi domosdoshmërinë e fillimit të integrimit gradual të sistemeve të shëndetësisë dhe arsimit, si pjesë e një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe afatgjate. Kryeministri tha se ky proces integruese do të bëhet në koordinim me Bashkimin Evropian dhe duke siguruar që brengat dhe këshillat e komunitetit joshumicë serb në Kosovë merren në konsideratë.

 

Kryeministri ritheksoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për sundimin e ligjit, zbatimin e barabartë të legjislacionit dhe forcimin e rendit juridik, duke u shprehur se periudha në vijim është thelbësore për funksionalizimin e plotë të këtyre proceseve. Zyra e Kryeministrit

 

Mijëra vota me ndryshime, rinumërimi i pjesshëm shton dyshimet për keqpërdorime

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura në Kosovë më 28 dhjetor 2025.

 

Radio Evropa e Lirë

Procesi i rinumërimit të një të tretës të vendvotimeve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit ka sjellë ndryshime të dukshme të votat e kandidatëve për deputetë qysh në ditët e para.

Deri tani procesi i rinumërimit, që nisi më 13 janar, është përfunduar në 19 komuna dhe janë numëruar 316 vendvotime nga gjithsej 914 sosh, sipas njoftimit të KQZ-së për numërimet deri sot në orën 10:00.

Megjithatë, edhe me kaq vendvotime të rinumëruara, ndryshimi në votat për kandidatë brenda partive politike është i dukshëm.

Kur ishin numëruar pak më shumë se 200 vendvotime, Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, kishte llogaritur se ndryshimet arrijnë në gati 15 mijë vota ndryshim dhe, sipas një postimi të tij në rrjetin Facebook, më së shumti ndryshime ka lista e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Deri më tani, del që 7.719 fletëvotimeve me votë për PDK-në iu ishte modifikuar vota për kandidatë. Më pas vjen Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me 2.947 vota dallim, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 1.676 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 639.

“Këto janë dallime substanciale, sidomos meqë shfaqen në një kontekst ku rinumërimi është duke u zhvilluar për vetëm 1/3 e vendvotimeve në nivel vendi. Për më keq, vërehet që votat e këtyre kandidatëve janë ndryshuar kryesisht nga qendrat komunale prej nga vijnë këta kandidatë”, shkroi Cakolli.

Në qendrat komunale të numërimit, çdo fletëvotim kalon përmes disa kontrolleve: lexohet me zë të lartë nga një numërues, shfaqet në ekran përmes kamerës dhe regjistrohet në sistem elektronik nga një zyrtar tjetër, ndërsa një person i tretë e verifikon fletën.

Megjithatë, manipulimi thuhet se bëhet në fazën e leximit të votave për kandidatë. Kur një fletëvotim i takon një partie, ai përmban edhe vota për disa kandidatë. Numëruesi mund të ndryshojë verbalisht numrin e kandidatit të votuar, duke e zëvendësuar me numrin e një kandidati tjetër.

Kështu, sistemi regjistron votë për kandidatin e gabuar, edhe pse fletëvotimi real tregon diçka tjetër. Numri i votave për parti nuk ndryshon, vetëm ndryshon numri i votave për kandidatë brenda të njëjtës parti.

Cakolli kishte thënë më herët gjatë javës se procesi i numërimit nuk përcillet me kontrolle të hollësishme të fletëvotimeve, duke mundësuar kështu manipulimet, dhe se në këtë ka ndikuar edhe fakti që numërimi ishte realizuar në kohë festash.

Sipas Çohu dhe Cakollit, mënyra të tilla të keqpërdorimit janë vërejtur në pothuajse secilin proces zgjedhor në Kosovë dhe se zgjidhja për këtë problem do të ishte skanimi teknologjik i fletëvotimeve në vend të numërimit tradicional nga zyrtarët.

Cilat janë pasojat?

Së voni, Organizata joqeveritare Çohu ka publikuar një hulumtim që tregon se mbi 90 për qind e rasteve për manipulimet zgjedhore përfundojnë me dënime me kusht ose me gjoba.

Kjo do të thotë se nëse ndonjë zyrtar vërtetohet se ka manipuluar votat gjatë numërimit, ai ka pak gjasa të ndëshkohet me burg për këtë gjë.

Por pasojat mund të jenë më të mëdha për institucionet, pasi rinumërimi, i cili pritet të zgjasë deri në dy javë, mund ta vonojë edhe më shumë themelimin e institucioneve të reja, në një kohë delikate për institucionet.

Kuvendi i ri duhet të nxitojë për të kaluar marrëveshje ndërkombëtare financiare për vendin, si dhe ta zgjedhë presidentin e ri deri më 4 mars, para se Vjosa Osmanit t’i mbarojë mandati në prill.

Këto afate mund të bëhen edhe më vështirë të arritshme nëse vendoset për rinumërim të plotë – gjë që megjithatë sipas Cakollit mbetet opsioni më i mire tani që është vërtetuar se ka pasur shumë ndryshime në vota gjatë numërimit në qendra komunale,.

Gjatë javës, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, e përsëriti për REL-in mesazhin e kryetarit të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, se nëse pas rinumërimit vërehen manipulime të mundshme me votat e kandidatëve brenda subjekteve politike, komisioni do t’i çojë në organet kompetente anëtarët e ekipeve të numërimit.

Fillon zbatimi i Ligjit për komunikacionin dhe i Ligjit për të huajt në Kosovë

Sandra Cvetkoviq

Në Kosovë, nga sonte në mesnatë, fillon zbatimi strikt i Ligjit për komunikacionin, sipas të cilit automjetet me targa të huaja nuk mund të qarkullojnë në vend më shumë se tre muaj ose mbi bazën e autorizimit.

Këtë e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.

Njëkohësisht, nis edhe zbatimi strikt i Ligjit për të huajt sa u përket dokumenteve personale.

Sipas tij, të gjithë ata që nuk posedojnë dokumente të Kosovës, do të duhet të aplikojnë për leje qëndrimi brenda 72 orëve.

Këto masa do të prekin kryesisht pjesëtarët e komunitetit serb që jetojnë në Kosovë dhe që deri më tani kanë drejtuar automjete me targa të qyteteve në Serbi mbi bazën e autorizimit, ose nuk kanë pasur dokumente të Kosovës.

Zbatimi pa përjashtime i këtyre dy ligjeve ishte paraparë të fillonte më 1 nëntor të vitit të kaluar, por Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës e shtyu këtë afat deri në mesnatën e 15 janarit, 2026, për të mundësuar zhvillimin e një fushate informuese.

Këto masa të autoriteteve kosovare, megjithatë, po hasin në kritika nga komuniteti serb – sektori civil dhe përfaqësuesit politikë.

Si do të ndikojë Ligji për komunikacionin te komuniteti serb?

Nga Policia e Kosovës thanë për Radion Evropa e Lirë se drejtimi i automjeteve me targa të huaja mbi bazën e autorizimit është në kundërshtim me Ligjin për komunikacionin.

Megjithatë, deri më tani, kjo praktikë është toleruar për t’u dhënë qytetarëve kohë t’i ndërrojnë targat.

Veton Elshani theksoi se, nga 15 janari në mesnatë, policia do ta zbatojë ligjin në terren. Ai shtoi se drejtimi i automjeteve mbi bazën e autorizimit do të lejohet vetëm në raste emergjente, por me paralajmërim.

“Për shembull, nëse dikush shkon në spital, nuk do ta ndalojmë dhe nuk do ta konfiskojmë menjëherë automjetin. Por, nëse i njëjti person ndalohet përsëri në ditët në vazhdim, mund t’i shqiptohet gjobë deri në 200 euro”, shpjegoi ai.

Kosova ndaloi në fund të vitit 2022 qarkullimin e automjeteve me targa me akronimet e qyteteve të Serbisë.

Kjo masë shkaktoi daljen e disa serbëve nga institucionet e Kosovës dhe rriti tensionet në terren.

Disa nga pjesëtarët e komunitetit serb që jetojnë në Kosovë, i regjistruan më pas automjetet e tyre me targa të Serbisë dhe i përdornin ato mbi bazën e autorizimit.

Në këtë autorizim përfshihen të dhënat e kartës së identitetit të drejtuesit të automjetit, e cila lëshohet nga autoritetet serbe për qytetet në Kosovë, por që Prishtina zyrtare nuk e njeh.

Si do të ndikojë Ligji për të huajt te komuniteti serb?

Ligji për të huajt mund t’i prekë pjesëtarët e komunitetit serb që nuk kanë dokumente kosovare, por jetojnë, punojnë ose studiojnë në Kosovë.

Megjithatë, Elshani tha se ligji nuk do të zbatohet strikt për ata që jetojnë në Kosovë dhe që për ndonjë arsye nuk kanë dokumente kosovare.

“Ne nuk do t’i dëbojmë këta persona, nuk do t’i ndajmë nënat nga fëmijët apo baballarët nga fëmijët”, tha ai, duke shtuar se ligji do të zbatohet vetëm për ata që vijnë në Kosovë për turizëm, punë ose studime.

“Zbatimi do të bëhet gradualisht, nuk do të dëbohet askush menjëherë. Për shembull, nëse në orën 02:00 të mëngjesit policia takon dikë në rrugë dhe ai nuk ka dokumente kosovare, ai do të njoftohet që duhet të paraqitet në stacionin policor”, shpjegoi Elshani.

Në manualin “Udhëzuesi për hyrjen, lëvizjen, qëndrimin dhe punësimin e të huajve në Republikën e Kosovës”, i publikuar vitin e kaluar, shpjegohet procedura për marrjen e lejes për “qëndrim të përkohshëm, afatshkurtër ose të përhershëm”.

Vendimin për lëshimin e lejeve do ta marrë Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migrim i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.

Në Mitrovicë të Veriut funksionon një universitet që punon brenda sistemit të Serbisë, ku studiojnë ose punojnë shtetas të Serbisë. Po ashtu, punonjës nga Serbia ka edhe në institucionet shëndetësore në mjediset me shumicë serbe dhe në disa institucione kulturore.

Megjithatë, autoritetet e Kosovës nuk i njohin këto organe serbe dhe kanë mbyllur shumicën e tyre, përveç institucioneve arsimore dhe shëndetësore.

Reagimet e sektorit civil dhe të politikanëve

Të dhëna të sakta zyrtare se sa serbë jetojnë në Kosovë dhe posedojnë dokumente kosovare, nuk ka, pasi pjesëtarët e këtij komuniteti, kryesisht në katër komunat e veriut, e bojkotuan regjistrimin e popullsisë në vitin 2024.

Megjithatë, një raport i organizatës joqeveritare Aktiv nga viti 2024, me titullin “Analiza e trendëve dhe qëndrimeve të komunitetit serb”, nxori në pah se mbi 93% e 503 të anketuarve kanë dokumente kosovare.

Grupi i organizatave serbe joqeveritare ka theksuar më herët se ekzistojnë mijëra serbë të Kosovës që nuk mund të marrin dokumente kosovare, pasi “regjistrimi civil i serbëve të Kosovës, si dhe i pjesëtarëve të tjerë të komuniteteve joshumicë, është penguar për një kohë të gjatë”.

Autoritetet kosovare, në periudhën nga nëntori 2024 deri në prill 2025, u mundësuan serbëve në Kosovë ta marrin shtetësinë “më vonë”, duke pasur parasysh se disa nuk mund t’i merrnin dokumentet kosovare për shkak se posedonin vetëm dëshmi të lindjes, të lëshuara nga institucionet serbe, të cilat Prishtina nuk i njeh.

Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar – njoftoi më 14 janar se ka zhvilluar dhjetëra takime me përfaqësues ndërkombëtarë, lidhur me zbatimin e Ligjit për komunikacionin dhe Ligjit për të huajt, duke theksuar se ka hasur në mirëkuptim, por se nuk ka marrë përgjigje ndaj kërkesave të saj.

“Edhe gjatë ditëve të fundit, përfshirë edhe sot, kemi qenë në kontakt intensiv me përfaqësues ndërkombëtarë dhe kemi përcjellë shqetësimet e qytetarëve tanë, veçanërisht sa u përket pasojave të mundshme nga zbatimi eventual i këtyre vendimeve të dëmshme”, thuhet në reagim.

Lista Serbe u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës që ta shtyjnë sërish zbatimin e këtyre “rregullave”, me qëllim që të gjendet një model i përshtatshëm.

Edhe politikanë të tjerë serbë reaguan ashpër ndaj këtyre masave.

Nenad Rashiq, udhëheqës i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, i cili fitoi një ulëse në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e fundit, deklaroi më 13 janar për transmetuesin publik kosovar se masat duhet të shtyhen përsëri, pasi “nuk jemi mjaftueshëm të përgatitur”.

Lëvizja Kombëtare Serbe e Millija Bishevacit, Iniciativa Qytetare “Rrënjët” e Ivan Vuçkoviqit dhe Iniciativa Qytetare “Veriu për të gjithë” e Marko Jakshiqit, iu drejtuan më 15 janar me një letër të hapur Qeverisë në detyrë të Kosovës, Bashkimit Evropian dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, duke kërkuar reagim të menjëhershëm lidhur me zbatimin e Ligjit për komunikacionin dhe Ligjit për të huajt, me arsyetimin se këto masa do t’i prekin mijëra familje.

Këta përfaqësues politikë të serbëve në nivel lokal kërkuan, mes tjerash, shtyrjen e zbatimit të ligjeve të kontestuara, nisjen e dialogut me përfaqësuesit e komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera joshumicë, si dhe gjetjen e modaliteteve të përshtatshme dhe të zbatueshme që, siç thanë, do t’u sigurojnë qytetarëve një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjatë.

Demokracia Serbe e Aleksandar Arsenijeviqit kërkoi që zgjidhja të gjendet përmes dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Nga ana tjetër, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë i cilësoi këto masa si “hapa të rinj përshkallëzues”.

Kjo zyrë paralajmëroi se, nëse Bashkimi Evropian dhe grupi i Quint-it nuk reagojnë, “Beogradi do të detyrohet të shqyrtojë një përgjigje politike dhe ligjore – adekuate ndaj këtyre shkeljeve drastike të të drejtave themelore të popullit serb përmes masave të reja të njëanshme dhe të dhunshme”.

Radio Evropa e Lirë

Përgatiti: Valona Tela

Kryeministri Kurti takoi ambasadorët dhe përfaqësuesit diplomatikë në Kosovë të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi takim me ambasadorët dhe përfaqësuesit diplomatikë në Kosovë të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Takimi u mbajt në Zyrën e BE-së në Kosovë, me ftesë të Shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadorit Aivo Orav.

Temat kryesore të diskutimit ishin mbarëvajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025, rëndësia e konstituimit të shpejt të legjislaturës së dhjetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe formimit të qeverisë së re, si dhe ratifikimi në Kuvend i marrëveshjes për Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian për Kosovën dhe prioritetet e mandatit të ardhshëm qeverisës.

Gjatë takimit, kryeministri theksoi se aktualisht jemi në pritje të certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe se menjëherë pas kësaj do të procedohet me konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë së re. Ai u shpreh se mandati i ardhshëm do të jetë mandat i projekteve të mëdha infrastrukturore, të orientuara drejt zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe rritjes së konkurrueshmërisë së vendit. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet mbështetjes së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, posaçërisht kompanive prodhuese, me qëllim krijimin e vendeve të reja të punës dhe forcimin e kapaciteteve vendore. Kryeministri theksoi po ashtu se siguria dhe mbrojtja do të mbeten ndër prioritetet themelore të Qeverisë së re, gjithmonë në funksion të paqes dhe sigurisë.

Në përmbyllje, kryeministri Kurti falënderoi ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe riafirmoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për thellimin e bashkëpunimit me Bashkimin Evropian në të gjitha fushat me interes të përbashkët./Zyra e Kryeministrit

Sorensen takon udhëheqësit e Kosovës, në përpjekje për ta çuar përpara dialogun me Serbinë

I dërguari i BE-së për dialogun, Peter Sorensen, takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në Prishtinë, 14 janar.

 

Radio Evropa e Lirë

Peter Sorensen – i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë – po qëndron në Prishtinë të mërkurën për takime me udhëheqës të vendit, para se ta vizitojë edhe Serbinë në përpjekje për të shënuar përparimin në normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje.

Sorensen u takua fillimisht me kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës herët në mëngjes.

Më vonë, ai u prit nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në zyren e saj.

Nuk janë paralajmëruar deklarime për media pas takimeve.

Sorensen pritet të ketë takim edhe me opozitën kosovare më vonë.

Pas takimeve në Prishtinë, Sorensen do udhëtojë drejt Beogradit për takime me udhëheqës të Serbisë.

Vizita e tij në Kosovë vjen në një kohë kur vendi është në pritje të themelimit të institucioneve të reja shtetërore pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit – të cilat i fitoi bindshëm Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit.

Kjo do të jetë vizita e tij e parë qëkurse iu vazhdua mandati edhe për dy vjet të tjera si i dërguar për dialogun mbi normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve fqinje.

Gjatë mandatit të parë, ai zhvilloi vetëm dy takime në nivel kryenegociatorësh, të cilat nuk dhanë fryt.

Mungesa e përparimit në dialog gjatë kësaj kohe iu atribuua kryesisht zhvillimeve të brendshme politike në Kosovë dhe Serbi, e jo mungesës së angazhimit të ndërmjetësit evropian.

Pak njerëz në Bruksel besojnë se Kosova dhe Serbia do të jenë të gatshme të angazhohen së shpejti në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.

Besohet se Kaja Kallas, e cila ende nuk ka ndërmjetësuar ndonjë rund dialogu në nivelin më të lartë politik, do të përpiqet të arrijë diçka në Ballkanin Perëndimor, pas një fillimi të vështirë që ka pasur si diplomate kryesore e BE-së.

Marrë parasysh se Brukseli është anashkaluar shpesh në çështje si: bisedimet për paqe për Ukrainën, lufta në Gazë dhe situata në Iran, zyrtarët e BE-së thonë me shaka se arritja e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë mund të jetë “fryti më i lehtë” që mund ta arrijë blloku në këtë moment.

Kosova dhe Serbia veçse arritën marrëveshje për rrugën drejt normalizimit, e njohur si Marrëveshja e Ohrit, më 2023, por nuk janë duke e zbatuar atë.

Edhe pse marrëveshja nuk është nënshkruar, Bashkimi Evropian këmbëngul se ajo është e detyrueshme për të dyja palët.

Kjo marrëveshje prej 11 nenesh, ndër tjerash, parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut 15-vjeçar.

Pas gjetjes së parregullsive, KQZ fillon rinumërimin e votave në 914 vendvotime

Rinumërimi i votave në 36 për qind të vendvotimeve në mbarë vendin rrezikon ta vonojë edhe më shumë themelimin e institucioneve të reja. Në një mbledhje të martën, komisioni e paraqiti një raport nga verifikimi i votave të kandidatëve për 2 për qind të vendvotimeve nga zgjedhjet e dhjetorit, i cili gjeti se raste të mospërputhjeve të votave për kandidatë.

 

KOSOVË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur t’i rinumërojë votat në një të tretën e vendvotimeve në mbarë vendin për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, pasi kishte vërejtur mospërputhje në votat për kandidatët për deputetë.

Rinumërimi i votave në 36 për qind të vendvotimeve në mbarë vendin rrezikon ta vonojë edhe më shumë themelimin e institucioneve të reja të vendit. Në një mbledhje të martën, komisioni e paraqiti një raport nga verifikimi i votave të kandidatëve për 2 për qind të vendvotimeve nga zgjedhjet e dhjetorit, i cili gjeti se raste të mospërputhjeve të votave për kandidatë.

“Rezulton se votat e kandidatëve të numëruara në Qendrat Komunale të Numërimit nuk pasqyrojnë numrin e votave të kandidatëve të evidentuara në fletëvotime”, thuhet në raport.

Rinumërimi i votave nisi të martën pasdite dhe do të kryhet në 914 vendvotime nga 2.557 sa ishin në zgjedhjet e dhjetorit. Rinumërimi pritet të zgjasë rreth dy javë, tha për media zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi tha se, nëse pas rinumërimit vërehen manipulime të mundshme me votat e kandidatëve brenda subjekteve politike, komisioni do t’i çojë në organet kompetente anëtarët e ekipeve të numërimit. Demokracia në Veprim (DnV) misioni vendor për vëzhgimin e zgjedhjeve tha në Facebook se gjetjet e KQZ-së dëshmojnë se procesi i numërimit ka pasur “mangësi serioze”.

Misioni theksoi se, edhe pse rezultati për subjektet politike nuk vihet në dyshim, saktësia e numërimit të votave preferenciale për kandidatë është “element thelbësor i vullnetit të votuesve dhe pjesë përbërëse e rezultatit zgjedhor”. DnV bëri thirrje që të numërohen votat në të gjitha vendvotimet në mbarë vendin, duke thënë se numërimi në vetëm 36 për qind të vendvotimeve mund të prodhojnë ankesa dhe kërkesa të reja për rinumërim të vendvotimeve tjera duke e vonuar edhe më tutje procesin.

Rinumërim të plotë, sipas komisionit, do të ketë në 10 komuna, ndërkaq në 28 komunat tjera, do të ketë rinumërim vetëm në 10 për qind e vendvotimeve. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare i fitoi partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke marrë mbi 51 për qind të votave, apo 57 vende në Kuvendin me 120 vende. Partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës doli e dyta duke i fituar 22 vende, ndërsa Lidhja Demokratik e Kosovës mori 15 sosh.

Rinumërimi në këto vendvotime bën që komisioni të mos jetë në gjendje t’i shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve siç kishte planifikuar në mes të këtij muaji, që nënkupton mund të ketë vonesa edhe në konstituimib e Kuvendit dhe formimin e qeverisë së re. Kosova e humbi një vit të tërë në vitin 2025 duke mos arritur t’i bëjë Kuvendin dhe qeverinë e re, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit të atij viti, gjë që shkaktoi krizë politike dhe zgjedhjet e parakohshme të dhjetorit./KQZ.Kosovë

Nis gjykimi për rezervat shtetërore, seanca mbyllet për publikun

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, gjatë seancës fillestare në rastin e rezervave shtetërore, 13 janar 2026.

 

Radio Evropa e Lirë

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot po mbahet seanca fillestare për rastin e rezervave shtetërore, ku në cilësinë e të akuzuarës është edhe ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari.

Gjyqtari i rastit, Avni Syla, vendosi që seanca të jetë e mbyllur për publikun për shkak të ruajtjes së informacioneve të klasifikuara, raporton koha.net.

Të pyetur se a duan që rasti të vazhdojë me seanca të hapura apo të mbyllura avokatët e të akuzuarve kërkuan që të mos vazhdohet seanca pasi që thanë se në dosjen e Prokurorisë ka dokumente të klasifikuara.

Avokatët kërkuan që, para se të vazhdojë seanca, të nisë procesi i deklasifikimit të dokumenteve. Përndryshe, ata thanë se do të vihen para përgjegjësisë penale pasi që nuk kanë një certifikatë të sigurisë, që duhet për të pasur qasje në dokumente të klasifikuara.

Aktakuza ndaj Hajdarit ishte ngritur më 11 nëntor të vitit të kaluar nga Prokuroria Speciale e Kosovës, që e akuzon atë për keqpërdorim të rezervave shtetërore.

Sipas aktakuzës, Hajdari dhe dy zyrtarë të MINT-it i kishin shkaktuar dëm prej rreth 3 milionë eurove buxhetit të Kosovës gjatë muajve shkurt dhe mars të vitit 2022, kur dyshohet se kishin blerë një sasi vaji dhe gruri jashtë vendit, por që s’kishin mbërritur kurrë në Kosovë.

Dështimi i mëparshëm i seancës fillestare

Seancë fillestare ishte caktuar edhe më 10 dhjetor të vitit të kaluar, por kishte dështuar për shkak se Hajdari dhe avokati i të akuzuarit tjetër, Irfan Lipovica nuk ishin të pranishëm.

Kryetari i trupit gjykues, Avni Syla, kishte thënë se Hajdarit i ishte dërguar ftesa për pjesëmarrje përmes postës, por nuk kishte marrë përgjigje nëse ajo e ka pranuar ftesën në mënyrë të rregullt.

Më pas, Hajdari kishte shkruar në Facebook se “nuk kam pranuar ndonjë thirrje për seancë nga ana e Gjykatës”.

“Në momentin që e pranoj thirrjen nga Gjykata, për seancën e ardhshme, do të paraqitem në seancë gjyqësore”, shtoi ajo.

Aktakuza për rezervat shtetërore

Hajdari, sipas aktakuzës së ngritur më 11 nëntor të vitit të kaluar, akuzohet për keqpërdorim të rezervave shtetërore.

Hajdari dhe dy zyrtarët Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, sipas Prokurorisë, dyshohen se bashkëkryerje i kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim që të përfitonin pasuri për persona të tjerë dhe i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës gjatë muajve shkurt dhe mars 2022.

Aktakuza pretendon se buxheti i shtetit ka pësuar një dëm prej rreth 3 milionë eurove si pasojë e veprimeve të të akuzuarve.

Ata dyshohet se asokohe kishin blerë një sasi vaji dhe një sasi gruri jashtë vendit, që nuk kishin arritur kurrë në Kosovë.

Që të tre akuzohen për kryerjen e veprave penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, dhe zbulimi i fshehtësisë zyrtare.

Ndërsa i akuzuari i katërt, Ridvan Muharremi, dyshohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Hajdari, Lipovica dhe Gara akuzohen po ashtu se, pa autorizim, kanë zbuluar fshehtësinë zyrtare.

Ministrja në detyrë, Rozeta Hajdari, e ka cilësuar si “tendencë politike” ndaj Qeverisë së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, aktakuzën e ngritur kundër saj dhe tre të tjerëve për rastin e rezervave shtetërore.

Rezervat shtetërore

Më 2023, tre persona u arrestuan për rastin e rezervave shtetërore, përfshirë Garën, drejtor i departamentit të rezervave shtetërore, dhe Lipovicën, drejtor i departamentit për integrime evropiane.

Në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë më 2023 u kryen bastisje pas publikimit të audio-incizimeve nga portali Nacionale, ku ishte pretenduar se një sasi vaji, e blerë në Poloni, dhe një sasi gruri, e blerë në Turqi, nuk kishin arritur kurrë.

Atëbotë, Hajdari deklaroi se blerjet për rezerva shtetërore ishin bërë në përputhje me ligjin, por nuk dha më shumë hollësi, meqë informacionet për to janë sekrete shtetërore.

Më vonë, ajo e akuzoi policinë se gjatë bastisjeve, ka marrë në cilësinë e provave dokumente të klasifikuara si sekrete shtetërore.

Si dëshmitar për këtë rast është thirrur edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, por deri më tani nuk ka pranuar të shkojë në Prokurorinë Speciale, duke ngulur këmbë të japë dëshminë në Kryeministri.

Për rastin e rezervave shtetërore, Kurti i ka dalë në mbrojtje Hajdarit, duke thënë se “nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi”.

 

 

Lavdi Rexhep Malajt dhe Nuhi Berishës, në 42 vjetorin e rënies së tyre për lirinë e Kosovës! Nga Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës

Në një ditë të ftohtë dimri sikur e sotmja, më 11 janar të vitit 1984, u vranë duke rezistuar të armatosur përballë policisë jugosllave, Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha, dy veprimtarë të shquar politikë e kombëtarë.

Mbrëmjen e 11 janarit 1984, policia jugosllave ndërmori një aksion për kapjen e Rexhepit dhe Nuhiut, duke i rrethuar në një shtëpi ku ata ishin strehuar, në lagjen Vranjec (tash Kodra e Trimave) në Prishtinë. Rexhepi dhe Nuhiu rezistuan me armë, dhe pas mesnate u vranë të dy. Rënia e tyre si angazhim dhe luftë për liri deri në flijim, u përjetua si shembull ideal nga shokët aktivistë dhe nga populli shqiptar, në Kosovën e pushtuar nga Serbia nën Jugosllavi.

Rexhep Malaj ishte anëtar udhëheqës i organizatës së fshehtë Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi (LRSHJ), kurse Nuhi Berisha ishte udhëheqës i Shtabit Operativ të LRShJ-së për Universitetin e Prishtinës. Që prej tre muajsh, Rexhepi dhe Nuhiu ishin duke jetuar së bashku në kushte ilegale, meqë më 8 tetor 1983, ishin pikasur dhe po gjurmoheshin nga shërbimi sekret jugosllav. Si aktivistë, ata ishin lidhur mes tyre vetëm disa muaj më parë, pas daljes së Rexhepit nga burgu më 23 maj 1983.

Rexhep Malaj kishte qenë një nga veprimtarët politikë drejtues më të rëndësishëm të kohës, i cili qysh si gjimnazist ishte përjashtuar nga shkolla dhe dënuar për përfshirje në organizimin e demostratës së 27 nëntorit 1968 në Gjilan. Ai kishte lindur më 29 mars 1951 në fshatin Hogosht të Kamenicës. Në vitin shkollor 1970/’71 punoi si mësues në fshatin Marec të Prishtinës, teksa studionte për ekonomi në Universitetin e Prishtinës. Më 1973, Rexhepi ishte dënuar me 28 ditë burgosje për kalim ilegal të kufirit Jugosllavi – Shqipëri, kurse më 1974 qe dënuar po për kalim ilegal të lufirit në territorin e Sllovenisë, ku nga Jugosllavia kishte dalë në Austri. Më 23 maj 1975, Rexhep Malaj u arrestua dhe në një proces të gjerë gjyqësor ku u gjykua edhe Adem Demaçi, u dënua me 9 vite burgosje. Këto 9 vite, Rexhep Malaj i kaloi në burgje të ndryshme nëpër Jugosllavi: në Prishtinë, Mitrovicë, Zenicë, Shtip, Idrizovë, Prizren, Foçë dhe Mostar.

Nuhi Berisha kishte lindur më 3 tetor 1961 në Svircë të Kamenicës. Pas kryerjes së gjimnazit në Gjilan, ai kishte studiuar për drejtësi dhe kulturë fizike në Universitetin e Prishtinës. Gjatë asaj kohe, si student, Nuhiu i ishte bashkuar Komitetit të Studentëve në kuadër të organizatës Grupi Revolucionar, duke marrë pjesë në organizimin e demostratave të vitit 1981. Ai kishte migruar në Zvicër ku e kishte vazhduar angazhimin e tij politik dhe prej nga ishte kthyer në qershor të vitit 1983.

Fryma e kontekstit kur u vranë Rexhepi dhe Nuhiu, mund të lexohet në shtypin ilegal të kohës, sikur në gazetën “Zëri i Kosovës”, organ i Lëvizjes për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi, e cila në numrin 1 të shkurtit 1984, njoftonte për rezistencën dhe rënien e Rexhep Malajt dhe Nuhi Berishës, me portretet e tyre në ballinë dhe me titullin “Qëndresë heroike në Prishtinë”.

Kurse për ta njohur drejtpërdrejt veprën dhe mendimin politik të këtyre dy patriotëve të paepur, mund të lexohen veprat e tyre të shkruara: ditari i burgut i Rexhep Malajt, me titull “Qëndresa” dhe kujtimet e Nuhi Berishës të shkruara në Zvicër, për demonstratat e vitit 1981, “Pranverë e luleve të kuqe”. “Qëndresa” e Rexhep Malajt është dëshmi e qëndresës së tij në burg dhe e qëndresës së atyre që besuan te liria deri në vdekje, ashtu siç “Pranvera e luleve kuqe” e Nuhi Berishës, është regjistër kujtimesh për demonstratat e vitit 1981 dhe rezistencën e shqiptarëve të shtypur nën Jugosllavi.

Lavdi Rexhep Malajt dhe Nuhi Berishës, në 42 vjetorin e rënies së tyre për lirinë e Kosovës!

Une jam Vasfije Krasniqi – dhe kjo është historia ime

Kur vendosa të dal publikisht, nuk e bëra sepse ishte e lehtë.
E bëra sepse ishte e domosdoshme.
E bëra sepse heshtja për 19 vite më kishte vrarë ngadalë.
Kam qenë vetëm 16 vjeçare kur u rrëmbeva dhe u dhunova nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë. Fëmijë. Pa faj. Pa mbrojtje. Lufta për mua nuk përfundoi me pushimin e armëve – ajo vazhdoi në trupin tim, në mendjen time, në çdo frymëmarrje.
Për 19 vite, dhimbjen time e ndava vetëm me familjen dhe një rreth shumë të ngushtë shoqëror. Jo sepse nuk doja të flisja, por sepse shoqëria jonë nuk ishte gati të dëgjonte. Viktimat e dhunës seksuale në luftë mësohen të heshtin. Heshtja ishte çmimi për të mbijetuar.
Kur drejtësia dështoi në procesin gjyqësor, askush nga shteti apo ShC (edhe pse ishin ne dijeni) nuk më thirri. Asnjë institucion nuk pyeti si isha pas humbjes së drejtësisë. Asnjë dorë nuk u zgjat. Vetëm heshtje. Edhe nga ata që sot flasin për drejtësi.
Kur vendosa të flas publikisht, nuk kërkova leje. I thashë familjes sime:
Kam vendosur të flas, jo të pyes a duhet të flas.
Sepse heshtja nuk është neutralitet – heshtja i mbron dhunuesit. Dhe fatmirësisht, familja ime nuk ia fal Serbisë këtë krim. Të rrish i qetë përballë krimit do të thotë ta mbrosh atë.
Unë isha ajo që hapa shumë rrugë për shumë njerëz.
Hapa dyer që ishin të mbyllura për dekada.
Ndërtova ura mes dhimbjes dhe shoqërisë.
Jo vetëm për gratë e dhunuara gjatë luftës, por edhe për gjeneratat që erdhën pas luftës.
Për 7 vite me radhë, kam folur pa u ndalur:
– kam folur në media vendore dhe ndërkombëtare
– kam ngritur zërin në institucione, kuvende te ndryshme dh Congressin American
– kam qëndruar pranë viktimave që nuk kishin guxim të flasin
– kam luftuar për njohje, dinjitet dhe drejtësi
Kam bërë punën që shteti duhej ta bënte.
Kur u hap mundësia për testin për fëmijët e lindur pas luftës – test që mat sa trauma e nënës së dhunuar gjatë luftës bartet tek fëmija gjatë shtatzënisë – kërkova që edhe vajzat e mia të përfshiheshin.
Jo për privilegj.
Jo për trajtim të veçantë.
Por për barazi dhe drejtësi.
Kërkesa ime u refuzua. Arsyeja ishte tronditëse:
sepse vajzat e mia kanë baba amerikan.
Kjo më theu thellë.
Sepse unë, që hapa rrugë për të tjerët, që sakrifikova gjithçka për këtë shoqëri, u përjashtova në heshtje. U ndjeva e refuzuar. U ndjeva sikur dhimbja ime kishte vlerë vetëm kur i shërbente dikujt tjetër.
Pas daljes publike, çmimi ishte i tmerrshëm.
Ankthi u kthye fuqishëm.
Depresioni u thellua.
Shëndeti im fizik filloi të përkeqësohej dita-ditës.
Sidomos pas vitit 2018, dhe më tej kur hyra në politikë.
U përballa me ofendime, sharje dhe paragjykuar në televizionin kosovar për dukjen time U bëra objekt sulmesh publike. Një viktimë më tha:
“Unë nuk dal me folë, sepse kam familje dhe nuk dua me u bo horë.”
Kjo fjali më dhembi më shumë se çdo sulm tjetër, sepse pasqyron shoqërinë që ende fajëson viktimën.
Edhe sot, në Kosovë, nuk po vlerësohet ajo që kam bërë.
Nuk po nderohet sakrifica.
Nuk po pranohet barra që kam mbajtur mbi vete.
Në vend që të flitet për rrugët që hapa, për zërat që u ngritën falë meje, po tentohet të më preket karakteri, të më njollosin dhe të më zvogëlojnë.
Por le të jetë e qartë:
Karakteri im nuk ndërtohet nga fjalët e atyre që më sulmojnë.
Karakteri im është ndërtuar nga dhimbja që kam mbijetuar, nga sakrificat që kam bërë dhe nga rrugët që kam hapur për të tjerët.
Dhimbja ime nuk është propagandë.
Zëri im nuk është spektakël.
E vërteta ime nuk është për kompromis.
Unë flas sepse drejtësia nuk erdhi.
Flas sepse shteti dështoi.
Flas sepse heshtja po i mbron kriminelët edhe sot.
Flas sepse Kosova nuk shërohet duke harruar dhe duke refuzuar sakrificat e të guximshmëve.
Unë jam Vasfije Krasniqi.
Dhimbja ime është reale.
Sakrificat e mia janë reale.
Dhe kjo e vërtetë nuk do të heshtë kurrë.

Ngrihet aktakuzë ndaj gjashtë të dyshuarve për vrasjen e policit Lika

Radio Evropa e Lirë

Prokuroria në Ferizaj njoftoi të premten se ka ngritur aktakuzë kundër gjashtë të dyshuarve për vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamed Lika, në fillim të vitit 2025.

Rreshteri Lika u vra natën e 1 prillit në shkallët e ndërtesës ku jetonte në Kaçanik, në jug të Kosovës, derisa po kthehej në banesën e tij nga puna.

Prokuroria tha në një njoftim të premten se gjashtë të dyshuarit, të cilët i identifikoi vetëm me inicialet B, R.M, V.Ç, E.L, SH.K dhe D.G, akuzohen për vrasje të rëndë.

“Të pandehurit, në bashkëkryerje me të miturin, me dashje dhe përgatitje paraprake kanë privuar nga jeta tani të ndjerin zyrtarin policor, rreshter M.L, me armë zjarri, ku si pasojë e të shtënave nga plagët ai ndërron jetë, [ndërsa] ata largohen nga vendi i ngjarjes”, thuhet në aktakuzë.

Të dyshuarit mund të përballen më së paku me 10 vjet burgim për vrasje të rëndë nëse shpallen fajtorë, sipas Kodit Penal të Kosovës.

Prokurorët kanë kërkuar nga gjykata të urdhërojë që të gjashtë të dyshuarit- të arrestuar pak javë pas vrasjes – të vazhdojnë të mbahen në paraburgim në pritje të nisjes së gjyqit ndaj tyre.

Verën e kaluar, prokurorët kërkuan nga gjykata ta dënojë të miturin i cili dyshohet se e kreu vrasjen, i ndihmuar nga pesë të dyshuarit e tjerë.

Prokuroria e Ferizajt tha se i mituri dyshohet se, në bashkëpunim me pesë të dyshuar të tjerë, e kishte përcjellë Likën pasi ai e kishte përfunduar orarin e detyrës zyrtare deri brenda hyrjes së banesës së tij, ku kishte shtënë katër herë në drejtim të tij me armë zjarri të kalibrit 9.19 mm brenda një kohe prej rreth 47 sekondash.

Prokuroria nuk ka treguar se cilat ishin motivet e vrasjes.

Por, më herët, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha dhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Burim Çerkini, kishin thënë se dyshimet e para ishin se motivet e vrasjes kishin të bënin me punën e rreshterit si zyrtar policor.

Kushtetuesja rrëzon 13 ligje, përfshirë atë për Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme

Radio Evropa e Lirë

Gjykata më e lartë e Kosovës i ka shfuqizuar 13 ligje të premten, përfshirë Ligjin për Byronë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, duke thënë se Kuvendi kishte bërë shkelje të rregullave kur i kishte kaluar ato dhjetorin e 2024-tës.

Në një njoftim për media, Gjykata Kushtetuese tha se ligjet në fjalë nuk janë në përputhje me Kushtetutën e vendit, pasi gjeti se ishin shkelur rregullat për qeverisjen, ndarjen e pushtetit, vlerat, ushtrimin e funksionit, rregulloren e punës dhe komisionet kur deputetët i kishin miratuar ato në Kuvend.

Vendimi i Kushtetueses vjen pas ankesës së parashtruar nga disa deputetë të partisë opozitare, Partia Demokratike të Kosovës (PDK).

Kjo është hera e dytë që Kushtetuesja e rrëzon Ligjin për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, pas vendimit të vitit 2024.

Pas vendimit të parë, Qeveria e atëhershme e kryeministrit Albin Kurti, bëri ndryshime në Ligj në shtator 2024 dhe më pas i dërgoi ato në Kuvend në dhjetor, ku deputetët e kësaj partie i miratuan.

Ligji synonte që të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë të ishin subjekt i verifikimit të pasurisë nëse do të kishte dyshime se ajo ishte fituar në mënyrë të kundërligjshme.

Kushtetuesja tha të premten në vendimin e saj se e shfuqizoi Ligjin për Byronë sepse ai u miratua me “shkelje të rënda procedurale dhe kushtetuese”.

Sipas saj, Kuvendi e përdori në mënyrë të pajustifikuar shmangien nga afatet procedurale, duke mos u dhënë deputetëve dhe komisioneve kohë për shqyrtim, debat dhe amendamente, në kundërshtim me nenet 74, 76 dhe 77 të Kushtetutës.

Ushtruesi i detyrës të ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, e kritikoi Kushtetuesen dhe tha se “përfundimisht mund të themi se, pavarësisht pengesave nga aktorë me qëllime të caktuara, konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme do të fillojë këtë vit!”

“Është joligjore, joprofesionale dhe joetike, që një ligj kaq me rëndësi për luftimin e krimit dhe korrupsionit të zyrtarëve publik të mbahet në sirtarët e Gjykatës me shumë se një vit vetëm për çështje procedurale! Vonesa të tilla, cenojnë kompetencat eksluzive kushtetuese të Qeverisë dhe Kuvendit në miratimin e ligjeve”, shkroi Sallahu në Facebook të premten.

Cilat ligje të tjera u shfuqizuan?

Përveç atij për Byronë për konfiskimin e pasurisë, u shfuqizuan edhe 12 ligje të tjera për arsye të njëjta.

Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) tha se 12 ligjet e miratuara nga Kuvendi më 5 dhjetor të vitit të 2024 “mund të jenë shumë të mira dhe të rëndësishme, por procedura e ndjekur ka qenë fatale për cenimin e procedurës parlamentare”.

Ai shtoi se Kuvendi i miratoi këto 12 ligje “përmes një procesi që cenoi demokracinë parlamentare dhe shtetin e së drejtës”.

12 ligjet e shfuqizuara

Ligji për Shërbimet e Pagesave; Ligji kundër dukurive negative në sport; Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit; Ligji për provimin e maturës shtetërore; Ligji për Banim Social dhe të Përballueshëm; Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim; Ligji për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor; Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurorinë Speciale; Ligji për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore; Ligji për Financimin e Menaxhimit të Resurseve Ujore; Ligji për Inspektoratin Qendror të mjedisit, ujërave, natyrës, ndërtimit si dhe mbrojtjen nga rrezatimi dhe siguria bërthamore; Ligji për Lojërat Mesdhetare.

Gjykata Kushtetuese tha se ligje të miratuara nga Kuvendi më 5 dhjetor 2024 janë jokushtetuese për shkak të shkeljeve procedurale gjatë procesit ligjbërës.

Për këto 12 ligje, miratimi në lexim të parë dhe të dytë brenda të njëjtës ditë pa shqyrtim të duhur nga komisionet parlamentarë cenoi parimet e ndarjes së pushteteve dhe sigurisë juridike, të garantuara nga nenet 4 dhe 7 të Kushtetutës, tha ajo.

Gjykata theksoi se procedurat e përshpejtuara lejohen vetëm në raste urgjente si siguria kombëtare ose gjendja e jashtëzakonshme, por këto ligje nuk plotësonin këto kushte, duke rezultuar në mungesë transparence dhe parashikueshmërie.

Ajo erdhi në përfundim se Kuvendi nuk i respektoi afatet e Rregullores së Punës, duke miratuar ligje pa lejuar kohë të mjaftueshme për amendamente dhe debat parlamentar.

“Kjo shkelje e nenit 76 të Kushtetutës, i cili kërkon që Kuvendi të veprojë sipas rregullores së tij, pengoi deputetët të ushtrojnë funksionin e tyre siç parashihet në nenin 74”, theksoi ajo.

Edhe për këto 12 ligje në Kushtetuese u ankuan deputetë të PDK-së.


Send this to a friend