1.
Iki në drejtim të paditur: më kërkojnë të gjithë (jo satelitët)
Brenda sekondës dhe në Nju Jork, dhe në Tiranë: me miqtë.
Papritmas Hëna e plotë ndez ligjin e baticës: Nju Jorku ngre supet,
Tirana çgradon policët
(Me Hënën bëj selfie, pa blic).
Pak gjëra mora me vete: një grusht dhé nga varri i prindërve
Ca libra në shqip, dy dallgë deti: transplant të mushkrive…
Zogu kardinal i tëri në të kuq më kungon me petale qershie.
2.
Lamtumirë dashuri e lodhur: njollëz hiri
Kokë e mbështetur në supin e panjohur: fole zogu në dremitje bliri
Heshtja gatuan mllefin: Nga bir prej mishi do kthehem prej floriri.
Një kokë mermeri do mbështetet në supin tim përzhitur nga rrufetë
Do më mungoj dhoma e vogël me dy dritare picëruar nga drita e pakët
Do më mungojnë gjunjët e tua dhe pse jam gjunjëzuar si të gjithë ikanakët.
Lamtumirë! Do më mungoj çatia jonë me pëllumbat e egër
(Gugitjet e tyre në muzg: pëllumbat kërkojnë falje për të tjerët).
3.
Nuk ka të tashme, zonjë, jetojmë të djeshmen: dreri tërheq sajën e ëndrrave.
Nuk ka të tashme, zonjë. Ishte një pyll i vogël mbushur me manatoke
Si Kësulkuqe vrapoje. Mos bëj sikur harron, zonjë:
E djeshmja ty t’i shkëlqen sytë dhe mua fjalët.
Pylli luante me kastanjenta pishash, mblodhëm manatoke duke qeshur
Dukeshe bukur, (fëmijë, zonjë)… nuk e di ç’pasqyra përdorin ëngjëjt.
Dukesha bukur?… Përsërite, përsërite, përsërite…
Po ti më thua: Nju Jorku ka vetëm të tashme, Nju Jorku s’është kujtesa ime
Broduej është një tatuazh në lëkurën e Globit, mungon dreri me sajë ëndërrimesh
Dhe në shi më kthehen pikëllimet…
Jo zonjë. Kujtesa është kafshë që zgjohet, lëviz Kujtesa
Manhatan është pyll hekurash, zonjë… Kësulkuqja është kthyer në reklamë
Dhe ujku rënkon shtrirë në shtratin e gjyshes.
Na mungojnë kastanjetat-boçe të pishave, duam pyllin tonë të vogël, zonjë
Të mbledhim manatoke, zonjë, yjetoke, zonjë
Ne jemi e djeshmja, zonjë dhe mund të vallëzojmë, zonjë
Rrugëve të Nju Jorkut, zonjë, mes reklamave-Kësulkuqe, zonjë
Mes shikimit të ujqve, zonjë…………….
Në spitalin Ruzvelt urgjenca kapelekuqe më çoi
Bëhuni infermierja ime, zonjë…
4.
Manhatan: gravurë gri
Shiu sikur bie nga shiringa vertikale qiellçarësesh: i hollë, i ftohtë ky shi
I lodhur nën këtë qiell nëntori. Shi-ri-nga. Shi.
Kruspull në hyrje të metrove të droguar dhe hipi. Shi-ri-nga. Shi.
Një orë horizontale me shi-fra të kuqe kohën e shkrin dhe vetëtin
Barnes & Noble mbaj shi-she serumi në krahun e majtë që m’u mpi…
(pikë-pikë pikojnë shkronjat në venat e mi)
Gravurë gri. Shi-ri-nga shi, shi, shi…
5.
Gabuam: në muzg premë kokën e këndezit
Një lafshë gjaku u shtri në tokë, nata si gjel pa kokë përpëlitej….
Kjo natë me supe ngashërimi
kokën e gazetarit Foley vë mbi krye…
Si dinozaurë e mamuthë po zgjohen perandoritë e reja
Evropa e Bashkuar lindi e vjetër, e vjetër po vdes
Shtetet vrapojnë kuturu si gra të veja
Me kokat e burrave në thes…
Në një kënd mund të flenë dy njerëz pa hije (këndet: barabrinjës, unë: brinjëthyer)
Në këndin tjetër syri i dollarit më sheh vëngër: Mona Lizë konspirative.
6.
Dyshimi ka shtëpi të madhe: dyer të mbyllura, dritare të hapura
Dyshimi tret dritën e syve, zvogëlon hapat.
Mos më godisni në udhë!
I gatshëm të fle te Bujtina me çatinë alpine të Lavdisë
Çdo njeri vetëfshikullohet me kamxhik të padukshëm
Bujtina e madhe dhe pse mijëra herë ka joshur rrufetë
Ndan udhës qëndron si një Sfinks.
Mos më vrisni gjatë udhës!
Për Dyshimin flas: mikun tim të heshtur (fshehur në Bujtinë do më vrasë)
Dyshimi te drita e syve tretur: në arkivol e kthen dhe një kontrabas…
Ferri dhe Parajsa për mua kanë vënë bast…
(pikë-pikë pikojnë shkronjat në venat e mi)
Shi-ri-nga shi…
…syri i dollarit më sheh vëngër: Mona Lizë konspirative.
7.
Plagosur nga E vërteta eci në Rrugën e Gënjeshtrës
Pështyj hijet nën shojet e këpucëve të vjetra: E djeshmja bëhet Nesër.
Plagët: lehe lulesh vyshkur nga Pendesa
E djeshmja si sytë e të verbërit shndrit kur premtohet dritë tek E nesërmja.
Hyjmë e dalim në dyer plagosur nga sy magjik
Ngjisim e zbresim shkallë si spirale viaskash
Të qeshur edhe pse tragjikë
Në botën ku fytyrat kërkojnë transplante maskash.
Do të mbyllem brenda një plage pa u kthyer në perlë.
8.
Në dimër Bryant Park është piano e bardhë, në verë: piano e blertë
Të njëjtat këmbë mbajnë shtypur pedalin e metrove.
Në New York dukem shenjt me misionin e njëmijë shenjtorëve.
Luaj në piano një muzikë ferri, dëgjohem gjer tej te Katrori i Orëve.
Në pentagrame shoh koka të prera në vend të notave muzikore!
9.
Rri i heshtur si hija e të sapovrarit me gjak përzier.
Heshtja ta shpërblen mençurinë në të njëjtën tabaka me kokat e prera
Po cilat koka, në gjuhët e tyre ç’fjalë kanë mbetur?
Një tym i zi lut qiellin për shi në çastin kur Hëna shfaq maskën e Vdekjes.
Heshtja buron muzikë mortore,
Muzgu merr ngjyrën e gjakut në thikë
Herod, Herod ndiz muzikë!…
Koka të prera në vend të notave!
10.
I mbyllur në një vrimë të zezë e quaj qesharake Big-beng-un.
Dalë jashtë natyre duke fërgëlluar: Falmini mëkatet, kthemëni në natyrën time
Të flirtoj me dritën e besimit si engjëll i devotshëm
Le të vijnë nesër gjithë pinjojtë e mallkimit të trokasin në lodhjen time
Le të vijnë valët gjeomangnetikë të flasim me kodin e diellit në shpërthim
Nuk dorëzohem do të mbyllem në guackën e fildishtë
Te kështjella e vogël mizantrope ku shërben egoizmi im
Falmini mëkatet (natyrshëm) siç falim detin për anijet e mbytura.
Do të mbyllem brenda një plage pa u kthyer në perlë.
11.
Atje në udhëkryq janë mbledhur burrat të ashpër si e djeshmja
Katër lumenj katër dhe burrat s’dinë ku të shkojnë
Katër fletë të regjura mulliri rrahin erërat… Burrat heshtin syulur
Atje në udhëkryq ku loti ndahet në katër pjesë
Dhe flugerët pyesin: si mundet udhëkryqi të kthehet në Fluger…
Dhe krahët e mullirit të bëhen udhëkryq…?
Zogu kardinal i tëri në të kuq më kungon me petale qershie.
12.
…Të jesh i vetëm i papjestueshëm me të vërtetën
I harruar në shpellën e Platonit.
Vetmia është skaj plotësimi, heshtje e bardhë ajsbergu…
Të jesh i vetëm: pikë e një fjalie mbyllur pa kuptim
Thesi i fundit i hedhur nga koshi i ballonit
Ku rëra e mendimit shpërndahet pa kthim.
I harruar në shpellën e Platonit….
Rri i heshtur si hija e të sapovrarit me gjak përzier.
Zogu kardinal i tëri në të kuq më kungon me petale qershie…
Do të mbyllem brenda një plage pa u kthyer në perlë…
Ferri dhe Parajsa për mua kanë vënë bast…
Pikë-pikë pikojnë shkronjat në venat e mi…
Shi-ri-nga shi shi shi…
Nju Jork, gusht – nëntor 2014
Komentet