Napoli, më 7 tetor 1920
I dashur mik,
Mora vetëm pardje letrën t’ënde më 2 të k.m. për të cilën të falem nderit. Gëzohem që Zonja u shërua e po më vjen keq se ti qenke i sëmurë. Edhe unë këto ditë s’kam qenë fare mirë: isha ftohur e më kishin zënë pakëz ethe, arsye për të cilën nuk munda të të shkruaja ose të të dërgonja të hollat. Sot të nisa një policë postale 1000 L.; 6 L. e prishun më tepër po t’i mbyll këtu mbrênda.
Marrëdhënat postare me Shqipëri janë bërë shumë të vështira; të hollat e mija mënuan 3 javë duke shkuar dorë më dorë gjer sa arrijtën tek unë. Nuk dij që të m’arrijnë më shpejt të tjerat që kanë për të m’ardhur. Këndova me vërejtje sa më shkrove mbi bisedimet që paske pasur me Z. Mehmet Konitzën e me z. Gurrën. Edhe një mik nga Bari më përshkruan kuvendimin me Z. Konitzën e më kumton mejtimet me të cilat po vete në Shqipëri e që përpiqen me ato që më kishe shkruar ti. Uroj që Z. Konitza t’arrijë t’i këthejë në praktikë ato propozime t’arsyeshme e të dobishme; pse me të vërtetë është koha e nevoja që vendi i ynë të hyjë në rregull e të shpëtojë nga anarkija. Ndonse nuk dua t’i besoj të gjitha lajmet e zeza që po shkruhen në këto ditë në gazetat italjane mbi gjendjen e Shqipërisë, prapë më shtrëngohet shpirti kur marr vesh çarjet që po ndodhin në mes të ministravet, e mjerimin në të cilin po vuajnë t’ikurit prej katundeve të djegura nga serbët.
Të falem për opinionin e mirë që ke për mua; po nuk më dëfteve opinionin e bashkëkuvendasit t’ënt kur ti i the se lypsej të m’ipej mua barra për të përfaqësuar Shqipërinë pranë Qeverisë italjane.
Nuk dua të thom që ne s’kemi nevojë për Italinë, po me këtë dua të çkoqit që në defterët figurojnë si të bëra në Shqipëri, po që më të shumat, ja u prishën më kot ja mbaruan në xhepat e nëpunësvet të tij e vështirësitë e Ministrit të Shqipërisë në Romë i cili duhet të jetë lundrar tepër i vlefshëm që të dijë ta rregullojë timonin e anijes së vet në mes të shkrepavet pa u pjekur kurrë me to.
Po, përveç frikës së përgjegjësisë, mua më përmbajnë edhe arsye të tjera, për tregim, ajo e shokëvet të mij të përparshëm me të cilët unë jam plotësisht solidar. Si do t’i qasem unë qeverisë së sotshme në qoftë se ajo vijon në ndjekjet kundër ex kolegvet të mij? Ngjarjet e Fejzi Bej Alizotit e të Lef Nosit janë tepër t’afërme për t’i harruar.
Të jap besën se nuk jam armiku i Qeverisë së Tiranës. E dij mirë se ai, që mundohet t’i kundërshtojë sot Qeverisë Kombtare, është armiku i atdheut, pse ç’do kundërshtim që t’i bëhet sot Qeverisë sjell trazime të tilla që munt të shkaktojnë humbjen. Këshillat e miqvet e kam zakon t’i çmoj si duhet e më duket edhe se kam dhënë mjaft prova se nuk i shtëmangem detyrës e se dij të bëj ç’farëdo therorije për t’i shërbyer atdheut, po disa herë konditat janë më të forta se vullneti i njeriut. Lene që unë nuk mund të besoj se Qeverija do të më bëjë një paravume të tillë, po, edhe sikur të m’a bënte, nuk e dij se si do t’a prisja. Ai që të marrë barrën e rëndë për të drejtuar në ditën e sotshme marrëdhëniet e Shqipërisë me Italinë duhet të ketë një aftësí tepër të madhe, mbasi aktiviteti i tij do të zhvillohet ndërmjet vështirësish të panumëruara. Do të mbajë gjithnjë përpara sysh se përfaqëson një komb të paformuar mirë e me një opinion publik që ndrron si era, pranë një kombi tjetër që beson se e njeh mirë e nuk e njeh fare Shqipërinë e që kërkon prej nesh mirënjohje të paharruar për ndihmat që nuk na ka dhënë e për shpenzimet e vendit. Po, në tjetër anë, edhe bashkëpunimi i ngushtë me tê, gjer sa të mbajë udhën që ka zënë, për disa nga ne është i pamundëshëm.
Ka prapë edhe arsye që më pengojnë, të cilat është kot të t’i përmend, pse, si të thashë, nuk më shkon as nëpër mend që Qeverija të më bëjë propozime si ato që thua ti.
Të vijmë tashti në çështjen e gazetës. Të thom të vërtetën se më ke vënë një barrë shumë të rëndë, sidomos kur më thua se përgjigja e ime do të ketë nji influenza decisiva mbi vendimin tënd për vijimin a të prerët e botimit të Kuvendit. Po, mbasi m’a vure këtë barrë, edhe unë po e pëlqej e po të tregoj mendimin t’im, ashtu si e kërkon, të kthjelltë e të sinqertë.
Në parim unë nuk admetoj botimin e një gazete kombtare me fondet e një qeverije të huaj. Po në rasën t’ënde çështja munt të ndryshojë, mbasi ti nuk po themelon një gazetë të re, por po vijon botimin e një gazete të nisur në një kohë kur Shqipërija ishte në zjarr e kishte më tepër se kurrë nevojë për organe që t’i mbronin të drejtat. Nuk mund të vihet në dyshim se Shqipëria ka gjithnjë nevojë për një shtyp të lirë e të ndershëm e, në tjetër anë, duhet të rrëfejmë edhe se një gazetë shqipe nuk mund të mbahet kurrë me t’ardhurat e pajtimevet. Për të vërtetën duhet të themi edhe se në kohët më të vështira e kur interesat e Italisë kundërshtoheshin keqas me ato të Shqipërisë, Kuvêndi ka mbajtur një udhë të drejtë e t’arsyeshme e nuk i ka mohuar kurrë parimet e programit kombëtar që ka pasë vendosur.
Mund t’a kuptoj mirë gjëndjen e vështirë në të cilën do të jetë ndodhur e mund të ndodhet në disa rasa Drejtori i “Kuvendit” që ka pasur të bëjë e do të ketë të bëjë me mentalitetet e shqiptarëvet e t’Italjanvet; po kur ky të ketë ndërgjegjen e dëlirë e të jetë shigur se me veprën e tij i bën një shërbim Atdheut të vet, atëherë bashkë me helmet munt të ketë edhe disa kënaqësi.
Këto janë disa nga arsyet që, në rasën tënde, munt t’a zbutin pakëz egërsinë e parimit që vura përsypri e munt të bëjnë që të mos i kundërshtohen dëshirit t’ënd për vijimin e botimit të “Kuvêndit” sidomos kur të marr përpara sysh edhè sjelljen t’ënde të përparshme e guximin që dëftove shumë herë duke u bërë kundërshtim të rrebtë paravumeve të padrejta t’Italisë.
Duke pasur besim në kthjelltësinë e ndjenjavet të tua e duke shpresuar se sot e mbrapa, interesat e Italisë nuk do të jenë më në një kundërshtim të math si përpara me ato të Shqipërisë, jam i shigur se ti duke dhënë vendim për vijimin e botimit të “Kuvendit”, ke për të kërkuar një lirí edhe më të gjerë e ke për të treguar një guxim edhe më të madh në mbrojtjen e të drejtavet të Kombit e t’Atdheut t’onë.
Me kaqë i ap funt kësaj letre të gjatë duke t’u lutur t’i paraqesish Zonjës ngjatjetimet e mija e të puthësh për mua Lekën e Lenën.
Shëndet me mall nga i yti
Luigj Gurakuqi (firma)
P.S. Pres sa më shpejt një letër të gjatë e me lajme të plota duke m’u dhënë përgjegje edhe pyetjeve të mija a janë të vërteta lajmet e gazetës “Il Tempo” mbi dorëheqjen e Lodit e mbi largimin e Castoldi-t nga Durrsi?
Roma, 11 ottobre 1920
I dashur mik,
Mora policën postare 1000 Lirash e letrën me 5 Lira brënda. Të falem nderit. I dëshëroj Zotit që të mos kesh më nevojë, po, pasi njerëz jemi, më gëzon e më nderon fort po të mejtosh kurdoherë se tek unë ke një mik të ditës së bardhë e të ditës së zezë.
Po i përgjigjem tashti paragradikërisht letrës s’ate më 7 të k.m. Zoti Gurra në mos mejtohej ndryshe me zemër u bashkua plotërisht me mëndjen t’ime kur i thashë se askush nga shqiptarët do të mos ishte i zoti t’i përfaqësonte interesat e Shqipërisë në Romë më mirë se Luigj Gurakuqi; ay shtoi se do t’i zinte ngoje Mehmet Konitzës jo vetëm, po se shpresonte t’a sillte ministrin t’i jepte fund këtij emërimi, edhe po të qe që ky i fundit, për shkaqe të vetat, të mos deshte.
Ti më përgjigjesh e, shumë urtisht, i ndán dy sojesh arsyet që të përmbajnë të mos e marrësh përsipër barrën të përfaqësosh Shqipërinë në Romë, edhe po të t’jepej kjo barrë prej Qeverisë s’onë: arësye të cilat e kanë fillin e tyre te frika se vallë mos tregohesh m’i pakët se barra e rëndë e lartësia e misionit, dhe arsye solidarësie kundrejt kolegëvet t’ënd, kundër të cilëvet qeveria e tanishme nuk sillet mirë. Unë i çmoj e i peshoj këto arsye të forta në tërë ndjenjën bujare q’i frymëzon e në tërë rëndësin’e tyre morale e sostanciale. I kisha çmuar e peshuar përpara se të të shkruanja. Po, pikërisht pse dij sa e rëndë e delikate është detyra që vjen të kryenj ministr’i Shtetit shqiptar në Romë, andaj edhe më qëndron mëndja vetëm më ty. Ti e kupton vetë, tani, se arsyet solidarësie unë i vë në radhën e dytë e u jap pra kësisoj fare më pak rëndësí se të tjeravet, të cilat e prekin mu në palcët argumentin që shoshitim, e formojnë pra bazën e tij sostanciale.
Po një fakt i ri vjen tashti në, qoftë vërtet, e j’a pakëson vleftën e pamjedisëshme fjalimit t’onë. Them përsëri në qoftë vërtet se, ahére, ti profetizove duke thënë që “nuk munt të besoj se Qeverija do të më bëjë një paravume të tillë”. Fakti pra është ky: nëpër shqiptarët e Romës u hap fjala, sipas të cilës Qeveria paska emëruar përfaqësonjës në Romë Nuri Vilën. M’a vërtetoi këtë emërim edhe vëllai i Nuriut, që gjëndet këtu si student në shkenca tregëtie.
Në Shqipërí, sipo e sheh, le sorprese qënkan pra n’urdhërin e ditës! E marr punën si të vërtetë dhe gjykoj: zgjedhje m’e mjerë nuk munt të bëhej. Zëre si njeri zëre si patriot, Nuri Vila është padyshim i mirë e i ndershëm; po jo për t’ardhur në Romë si përfaqësonjës i Shqipërisë. Atij i mungojnë, pas mëndjes s’ime, më të parat e cilësivet që duhet doemos të ketë njeriu që do të përfaqësojë interesat t’ona n’Italí. Dhe me kaqë e mbyll fjalën.
Përgjigjia q’i jep pyetjes s’ime për çeshtjen e Kuvêndit, është, me të vërtet, një përgjigjie e cila me filosofí pozitive e gjykon atë çeshtje alla stregua dei fatti contingenti e incontrovertibili.[1] Të falem nderit. Të siguroj se peshimet e tua të thjeshta faqe veprëzës s’ime më japin të drejtë dhe arsye të mburrem. Jam, pa fjalë, me ty, i njatij parimi: një gazetë kombtare s’është pun’e lëvduar që të botohet me fondet e një qeverie të huaj. Un’e mejtova thellë këtë gjë, përpara se të nisem të vij në Romë për të themeluar Kuvêndin. Eca me filozofí objektive… Peshova mirë më parë nevojat e mëdha që kishte çështja jonë të njihej në botë dhe të mbrohej, pastaj peshova dëmet e fitimet që munt t’i vijshin çështjes kombëtare nga një gazet’e botuar me fonde të huaja: fitimet m’u dukën më të mëdha. J’u përvesha pra punës, pa vërshtruar rrotull, pa përfillur gjëndjen e vështirë në të cilën vullnetarisht e vinja veten.
Padyshim, kohët tani janë, sikur thua edhé ti, më të mbara për t’a vijuar botimin e Kuvêndit. Po s’kam shpresë. Të shtunën, pardje, kisha vajtur në Consulta për të mësuar gjësendi, e sidomos që të sigurohem a ishte i vërtetë lajm’i Il Tempo, që bënte fjalë për një të ngritur t’afërme të Castoldi-t prej Durrësi, etj. Vincenzi më tha se një gjë të tillë e panë vetëm ndër gazetat. Po të kthehemi te tema. Mbaj mënt të të kem shënuar në një letër se Defacendisi nuk sheh nonjë dobí, nga pikëpamja e interesavet italiane, që të botohet në Romë një gazetë shqipe, me fondet e Qeverisë italiane. Vincenzi më tha pra, pardje, se Consulta i dha fund t’ia presë përfare gazetës ndihmën q’i jepte për të dalë. Kështu, në fund të këtij muaji, do t’a mbyll doemos zyrën. Për këtë masë, për mënyrën me të cilën e muar dirigjentët e punëvet shqiptare, kam shumë vrojtime për të bërë, të cilat e shoh të tepërme t’i shtroj këtu. Të them vetëm se çështja e gazetës s’ime është një fakt i ri që provon, për fat të keq, edhè një herë më tepër, ngushtësin’e mëndjes së tyre, vogëlin’e shpirtit të tyre dhe inkoerencën e punëvet të tyre.
Politikanët e Italisë e kanë zakon, madje parim, të prishin veprën e predeçesorëvet të tyre. Kuvendi u themelua kur në krye të Ufficio Albania ishte Castoldi. Natyrisht, veprës së këtij të fundit zoti Defancendis, për të qënë koerent i zakonit e i parimit, nuk mund të mos i hiqte një shqelm dhe ta përmbyste.
Unë, më parë se t’a mbyll zyrën e gazetës, kam interes e detyrë të kuvëndoj me Castoldi-n. Për këtë gjë këto ditë nisem për Durrës. Do të shkoj nga Napoli vetëm që të piqem me ty e të kuvëndojmë.
Ësht’e afërme përsëritja e kuvëndimevet midis qeverisë italiane e qeverisë jugosllave për çështjen e Adriatikut. Shtypi sllav po rrihet duke thënë se Shkodra ësht’e domosdoshme për Shtetin S.H.S. Të shohim si do t’u vejë filli punëvet. Këtu, në qarqet politike dhe gazetare, mbretëron një farë shetiçizmë, e ndofta të pakët fare janë ata të cilët besojnë një zgjidhje t’afërme t’asaj çështjeje. Nga ana ime nuk mund të bëj asnjë hipotezë mbi atë që ka për të qënë qëndrim’i delegatëvet italianë faqe çështjes shqiptare në Kuvêndin e afërmë italo-jugosllav. Po dij një gjë sigurisht: që ditën q’u nënshkrua protokoll’i Tiranës e këtej, s’ka ndodhur asnjë fakt i ri që të rriste shpresat e qeverisë italiane mbi mejtimet e mira e mbi dispozicionet e mira t’onat faqe Italisë. Kanë ndodhur e po ndodhin, përkundrazi, prej anës s’onë, gjëra të cilat s’janë fare nga më të mbarat e nga më të bukurat për të qetuar sushetibilitetin e italianëvet. Sipas lajmevet q’i vijnë Konsultës, shqiptarët s’kanë pushuar të sillen armiqësisht me italianët që ndodhen në Shqipërí. Kjo sjellje ka një mprehtësí ashpërsie të veçantë në Vlorë. Atje shqiptarët paskan çkulur nga muret të gjitha tabelat të shkruara italisht etj. Shto, pastaj, mbi këto e sipër, faktin që qeveria shqiptare s’e ka plotësuar gjer më sot protokollin e Tiranës, sikundër është paravendosur. Kësaj mungese në Konsultë i japin, nga sa munt të kuptoj, këtë interpretim: hodha lumin të dhjefsha kalin… Dij që Manzoni i ka shkruar Castoldit t’i heqë vërejtjen qeverisë s’onë mbi nevojën që të dërgojë sa më shpejt në Romë një Dërgatë. Mbi këtë çështje Castoldi telegrafon se ka biseduar me M. Konitzën po puna, gjer më tani, më tepër se e varur, tregohet e mbytur.
U poqa këto ditë me zotin Francesco Copolla, posa i këthyer prej udhëtimit tij në Lindje. E shpuri udha të dalë dy herë n’Athinë. Copolla më bëri një ekspozim të plotë të përshtypjevet të tij. Më tha se, pas nja dy muaj, grekërit mejtokan të bëjnë një veprim militar kundër Shqipërisë. Shtoi se Qeveria shqiptare duhet të dërgojë përfaqësonjës të vetët në Kuvêndin e afërm italo-jugosllav.
Të mbyll këtu një copë të gazetës Il Popolo Romano që përmban një intervistë të Faik Konitzës me Francesco Argondizzën, italo-shqiptar.
Të përqafonj me mall.
I yti
Sotir Gjika (firma)
- Q. SH. F. 34 D. 35 Fl. 216 – 219
Roma, 15 tetor 1920
I dashur mik,
Mora poskartën t’ënde më 10 të k.m. Të falem nderit. Më thua të mos besoj se e mbarova detyrën me kaqë. Detyra ime, miku i dashur, mbaron me jetën t’ime.
S’jam aqë mirë nga shëndeti: jam ftohur e më dhëmbin trupi e grykët. Në letrën e fundit të shënonja për udhëtimin t’im në Shqipërí. Të lajmëroj se ndryshova mejtim. Shkaqet: i pari, shëndeti; i dyti, shpresa se Castoldi do të vijë pa dalë ky muaj në Romë. Defacendis-i më tha se më 9 të k.m. u mbajt një Këshill i Ministravet në Tiranë, fort i tronditur. Sulejman Delvina s’paska dashur që të dërgohet shpejt Dërgata në Romë për të plotësuar protokollin. Argumentet që paska përdorur Kryeministri për të përkrahur pikëpamjen e tij dilazionale, s’i paskan bindur dot ministrat e tjerë. Anëtarë më të nxehtë që të dërgohen Delegatët sa më shpejt në Romë, qënkan treguar, n’atë Këshill ministrash, Konitza, Kadri Hoxha dhe Çoba.
Çështja paska shkuar në vota: mundi shumica. Dërgata pra lipset të gjendet n’Italí nga e treta dekad’e këtij muaji. Lajme të mijat s’kam pasur këto ditë nga Shqipëria.
Sot i qërova për fare hesapet e gazetës me Konsultën. Kuvendi pra vdiq e, ashtu si u vate filli punëvet, as mua s’më ka mbetur vullnet e dëshirë që t’a ngjall përsëri. Kam nisur e punoj për të krryer në dritë një tjetër vepër e në qoftë se puna më vete mbarë do të kërkoj edhe bashkëpunimin t’ënd; po, pasi jemi èdhe në fushën e hipotezavet e të projektevet, më duket e tepërme të të çudit me fjalë. Të kam për të shkruar më çkoqur, natyrisht, posa t’a shoh me udhë.
E vjehrra e Luigj Naraçit më shkroi sot e disa ditë, se të shkretin Naraçi është më tepër se një muaj që kur e ka zënë dhe hedhur në burg Qeveria, për shkakun pse e paska kuptuar q’ishte korrespondent’i Kuvêndit nga Shkodra. Më duket se l’articolo incriminato[2] do të jetë ajo letra që botoi Kuvendi (N°82), e për të cilën pësova edhe un, herën e fundit që vajta në Shqipëri, ato që të shkrova. I kam shkruar av. Kristo Floqit t’a marrë përsipër e t’a mbrojë për hesap t’im davan e Luigj Naraçit, në qoftë se ky është hedhur në burg vetëm e vetëm për letrat e tij të botuara te gazeta ime.
Të përqafoj
I yti
Sotir Gjika (firma)
- Q. SH. F. 34 D. 35 Fl. 220
Romë, 28 tetor 1920
I dashur mik,
Mora letrën t’ënde më 26 të k.m. Po të mbyll me të shpejtë, një cheque (Banco di Napoli) pesëqind lirash. Më vjen fort keq që s’munda të të dërgoj shumën e parë: këto ditë kam patur shumë harxhe të shtëpisë. Besomë se të them të vërtetën e Zotit. Në qoftë pra se ti me këto 500 lira nuk hallosesh dot gjer sa të të vijnë pará nga shtëpia, unë mund të të dërgoj edhè 500 lira të tjera, por vetëm nga mes’i muajit që vjen. Në paça se si më parë, të shkruaj.
Do të të përgjegjem këto ditë për të tjerat. Sot s’kam kohë. Fan Noli gjendet në Romë.
Të përqafoj
Sotir Gjika (firma)
Konsulla s’ka edhe ndonjë dije për ardhjen e Komisionit shqiptar në Romë. Lere mos e nga, punët t’ona vanë sá mbarë prapë.
- Q. SH. F.34 D. 35 Fl. 221
Roma, 29 tetor 1920
I dashur mik,
Dje të nisa një cheque pesëqint lirash. Sot në mëngjest, tek po dilnja nga zyra mora telegramën: isha nisur të vija në Banco di Napoli që të të dërgoja me të shpejtë një tjetër cheque pesëqind lirash. Dje mbrëma erdhi në Romë im-kunat, Ugo Quarta, e më lau hesapet e reklamavet të gazetës. I mejtuar dje gjithë ditën se mos shuma që më kërkove të duhej doemos të paguanje në funt të muajit hotelin, sot menatë, të them të drejtë, me gëzim po bëhesha gati të t’i dërgoja 500 lirat e tjera. E po t’a nis këtë letër me këto pakë shpiegime, pa e patur marrë akoma letrën t’ënde për të cilën më shënon në telegramin.
Të fala shum’e shumë
I yti
Sotir Gjika (firma)
P.S. Dëgjova se nga fund’i kësaj jave Mehmet Konitza do të gjëndet në Romë.
- Q. SH. F. 34 D. 35 Fl. 223
Romë, më 1 nëntor 1920
I dashur mik,
Shkruaj prapa çekut këto fjalë dhe dërgoma : “ E per me pagate al signor Sotir Gjika.”
- G….
Për çekun nuk prisha asnjë dyshkë.
Këto ditë do të të shkruaj. Fan Nolin e thirri Qeveria me telegram të vejë në Tiranë.
Të fala
Sotir Gjika (firma)
- Q. SH. F. 34 D. 35 Fl. 224
[1] Italisht : simbas fakteve të çastit e të pakundërshtueshëm (shënim i E.M.)
[2] It. : artikulli i akuzuar
Komentet