Një kalavesh rrushi, *
Varur,
Në kujtesë fëmijërie,
E shoh nga larg…,
Në degën gjatoshe të lisit të vjetër,
Lisit, ma të vjetër se gjyshi im.
Aaah (!), lisi në stom të oborrit,
(Nxjerr kuj, me kohën e hekurbetonit),
Lisi që më bani dhuratën e parë,
M’i fali djepit drulisin bujar.
Ai lis, m’i jep vjeshtës identitetin,
Si një pallto e ngrohtë,
Më mbështjell edhe këtu, në mërgim,
Më ruan nga uraganët,
Nga dallgët e serta, erë-Perëndim.
Ndoshta, nuk do t’i ngjitem ma atij lisi,
Vilen e rrushit e shoh nga larg,
(Ma mirë që, atje e dij)
…Nuk bahna merak,
Edhe pse sot, nuk e arrij.
Vjeshta, kudo i rrëzon gjethet,
(Bistaku i rrushit në Gri, pozon në diell),
I çukitur, nga sqepat e zogjve,
Zogjtë le ta hanë, dhe…,
-Dhe, ju bafte mirë!
Gjyshi dhe Baba,
Të gjithë të parët e mi të tabanvatanit,
Ishin burra “Prej vërteti”, *
Ju lan hise edhe zogjve të malit!
Unë, (me demek,ma i mençëm),
Tërë botës i rashë qark,
‘Ku nisi e ku bitisi…”, **
Nuk bana, jo ma shumë se ata,
…Por, as një kalavesh rrushi,
Nuk e lashë majë një lisi.
* * *
Lisi i vjetër e-mail më çon,
(Ai, e njeh para meje internetin),
-Mos e harro hijen e Bab-Gjysh-Lisit,
Flladin që ta përkundi djepin!
Të paktën, sa të jemi gjallë,
Ti dhe Unë,
Le ta shihnim njëri-tjetrin ndër sy,
Dhe, ndoshta…,ndoshta…,
Nuk na duhej gja ma shumë.
————
*kalavesh=vesh=vilë=bistak…=sinonime
**shprehje popullore, toskërishte
***shprehje e vjetër popullore
-Nga libri me poezi “Si n’kurbet bre vella”-
Hello this site https://google.com the best