- Nervozizëm
Ndonjëherë lëviz duart në ajër, gërvisht qiellin me plagë pëllumbash
Shumica mendojnë: flas me vete në përpjekjet për të fluturuar.
Ajri nga joshja më bëhet mollë në duar.
Ndonjëherë bërtas buzë oqeanit albatrosë e pulëbardha për të hutuar
Po ato s’e njohin mallin e shtegtarit, u duket britma ime
Sirena SOS e anijes mbi shpirtin e trazuar.
Kthehem në shtëpi me një thërrime loti në sy
Me një mollë ajri në duar.
- William Blake me të shoqen, të dy lakuriq,
recitojnë vargje nga “Parajsa e Humbur”1)
Ka humbur Gjyshe Parajsa: vuan nga amnezia
vërtitet udhëve pa identitet, duke u qeshur të gjithëve
duke u dhënë fëmijëve karamele e qershia
duke shtyrë në lumë një vajzë të zhgënjyer.
E gjetëm Parajsën të pluhurosur donim t’i kujtonim kush ishte: u zhveshëm lakuriq
Na mban mend jemi ne – dy të parët, po ajo qesh: kujtesa i është kthyer në hije.
Mban mend kur të martova me Ferrin, u ndjeve e kënaqur
Ty yjet të dukeshin qirinj torte, bashkëshortit Ferr: koleksion plagësh.
Ulu Gjyshe, na shih lakuriq, mos rrudh buzët nga trupat tanë të lodhur
Kristina ngjan me Evën: lëkurën prej zymbylash të sapo larë nga vesa
Kristina Kristina Kristina. Sytë prej jargavani.
Pubisi: ferrëz ku sapo u zgjua vjollca e parë. Kristina. Kristina.
… Gjyshe Parajsa nuk sheh, kalon mes nesh me hapa krizanteme
Pastaj shtrihet të fle në divanin e kuq ku para një ore dashurova Kristinën.
—-
1) “Parajsa e humbur”, vepër e Miltonit.
- ***
Ky shi këmbëzbathur është vagabond: rrjedh nga një re mendjelehtë
Një rrufe vjedhacake ka për sfond dhe qiellin që vërtitet si ruletë.
- Lufta
Ushtari i vrarë.Përmbys.
Helmeta: zhguall breshke
koka fshehur prej frikës.
Gjaku ende rrjedh
dhe lule rradhiqes
i merren mendtë
shtrihet, i bie të fikët.
Tutje – një flamur i bardhë
tjetër lule e trishtë.
Një vogëlush i vrarë
me koren e bukës në buzë:
buka si saze ka ngrirë
Dikush qan
me lotë të nxirë nga baroti
një tjetër pyet përçart:
a mban helmetë Zoti?
a mban helmetë Zoti?
- Gjuetia e kuajve të detit
Kuajt e detit nuk e dinë:
kur kthehen në ilaçe kushtojnë miliona.
Po të sëmurët që kurohen me ta
ka kohë që ankohen
se brenda trupit ndiejnë zhurmë dallgësh
një si trok i mbytur u ndez dejet
madje kur bie nata,thonë ata,
hëna na tërheq si dete në baticë
dhe ne kemi frikë nga vdekja…
Atëhere mjekët detyrohen t’u bëjnë grafinë
dhe shohin: zemrat u janë kthyer në ishuj koralesh
ku pushojnë të lodhur kuajt e detit.
- Një sup i njomë në kabare
Një sup i njomë në kabare është shkallëzë magjie:
të zbret nën dhé
të ngre mbi dhé.
një sup i njomë në kabare ne purgatorasit na deh.
Kjo kabare e drunjtë në muzg – ç’vegël e çuditshme muzike!
Një sup i njomë në kabare… ah, dritën syri dot s’e fsheh
dhe vera bëhet flakë – të nxeh
Ferri që po digjet poshtë, Parajsën lart e ngroh, e deh
moj kabare e drunjtë në muzg, në s’je kitarrë, çfarë djallin je…
Ne purgatorasit e gjorë asgjë e kotë s’na gënjen
veç sup i njomë në kabare…
na zbret nën dhé
na ngre mbi dhé.
- Duke parë një hekur të vjetër për hekurosje në pazarin e Krujës
Antikuari e ktheu në anije…
Nëna: fokiste me një mashë
mbush anijen e vockël me prush
dy lugë të argjendta kafeje i bëri flugerë
nga dera e kuzhinës fryu Trëndafili i Erërave
u gufuan velat: shamitë e nënave të emigrantëve
me lotët ngrirë në formë stërkalash
Anija-antikuar kalon mes ishujve: filxhanë kafeje me harta llumi
plakat rrijnë rrotull: presin kthimin e djemve të vdekur
hekurosin për të njëmijtën herë bluzet e pantallonat e tyre
e nuk shohin si u shtohen rrudhat e fytyrave.
Një e qarë bëhet sirenë, brigjet dridhen
– Kujdes, moj korbë,
në astaret e xhepave
paska mbetur një monedhë!
- ***
Ajnshtajni thotë: koha tokësore mund të përmblidhet në 3 vjet e gjysmë
Bibla thotë: pas 3 vjet e gjysmë do të shfaqet Antikrishti
Unë them: më sillni një gotë ujë të gëlltis Mollën e Adamit të bëhem Luçiferr.
- Një pikë (.)
Ishte një pikë e thjeshtë . si të gjitha pikat
si shenja që lë kompasi mbi letrën e bardhë
para se dikush të krijojë Botën.
Një pikë e vockël në kërkim të mbylljes së një fjalie
mbase të harruar nga Shekspiri…
Një pikë shumë e vockël: majëz nga bari i përjetësisë
rrëmbyer nga gjarpëri i Gilgameshit…
Një pikë thuajse e padukshme: njollëz loti zvogëluar me lupë ligësie.
Rrotull asaj pike u mblodhën të gjithë
të mëdhenj e të vegjël
shikonin njeri – tjetrin në sy
për të zbuluar
nga cila retinë
kish rënë.
- Prostituta
E veshur në të kuqe, me buzë të kuqe, në një sarkofag plumbi,
me sy të mbyllur ku është burgosur e kaltërta e fantaksur,
në një avion të shpejtë ku hëna xhelozon më duraluminin
vjen ajo – prostituta shqiptare në dhera të huaja vdekur.
Unë e kam njohur dhe pse s’kam fjetur njëherë me të:
kryeneçe, kapriçoze, jargavan i freskët në një kopsht epshi
e gjitha shije, aromë, jetë, ëndërr e komanduar si ballon dirizhabël,
qiell i mbledhur kutulaç që diellin e fal si seksin
lot me duar e këmbë që ulëret në një sy magjirash.
Avioni më një kuje të lehtë: rekuiem fantazirash.
Pasagjerët e shumtë – europianë të lodhur, stuadersa të pikëlluara
sot bashkë me ta udhëton një e vdekur në dhera të huaja harruar.
Deri dje bridhte në rrugët e zhurmshme mes harikirit të reklamave
hynte në hotele luksoze, puthej me turpin, zhvishte veten,
qante në orgazmë, pastaj telefononte:
alo nënë, alo nënë…
Dhe për dy orë shëtiste nëpër gjak mallin e verbër.
Unë e kam njohur:
një ditë sytë e saj të kaltër u thanë diçka syve të zinj, (të zinjtë sytë e mi!)
dhe pse trupat tanë aspak s’u njohën, sytë bënin dashuri.
Një dashuri sysh!
Se zgjohesha në mesnatë dhe sytë s’i kisha po ku ishin – e dija!
Mbi sarkofag zambakët përpiqen të duken seriozë e solemn
që t’i shkojnë magjisë së shtrirë…
Hëna e ftohtë shkëlqen : lot i ngrirë.
Vdiq një prostitutë.
Bashkë me lulet – një zarf
me paratë e mbledhura nga xhepat e muajve të lodhur.
Këtë vajze e kam njohur.Trupat tanë s’u bashkuan.
Veç sytë (të zinjtë sytë e mi !) me të kaltërtat e saj janë dashuruar.
Komentet