VOAL

VOAL

Z. Alain Berset – Zviceranët i kanë respektuar të gjitha këshillat nga Berna & Kantonet, por kjo nuk ka mjaftuar! Nga Elida Buçpapaj

December 14, 2020

Komentet

UGSHPD: RAMA LË KUVENDIN PËR TË KAPUR KREUN E KARVANIT  (Mllefi dhe Paqja)

 
Mes debatesh dhe tensionesh Kuvendi i Shqipërisë mori në shqyrtim:- “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes” ku shpesh herë Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi ndërpreu kohën, këshilloi për tonet dhe ngjyrimet e diskutueseve kryesisht të opozitës me vëmendje “kujdes për fjalorin parlamentar”.
Një vëzhgim domethënës nga ana e tij për të administruar kohën deri tek procesi i votimit si dhe për t’ja bërë të lehtë atmosferën kryeministrit që spikati me frazën “zëdhënës dhe punëtor të paqes”.
Nga zhvillimi i orëve të para makineria e propagandës së qeverisë prodhoi shumë tituj lajmesh si kurrë ndonjëherë dhe nuk kishte kohë të bënte transkriptin e fjalimit të kryeministrit i cili shpesh vendoset si “fjala e plotë”. Mbase do ta bëjë atë çka u dha drejtpërdrejtë nga mediat audio-vizive dhe nga ku u dëgjua fort fundi i fjalimit dhe më pas largimi i Ramës duke i drejtuar dy gishtat disa herë nga salla. 
A e dini se cili ishte reagimi i Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë SHTZ Niko Peleshi?
-Faleminderit Zoti kryeministër?
A e mbani mend se si e mbylli kryeministri Rama fjalën?
“…dhe mos e harroni kurrë se sa më shumë lehin qentë, aq më shumë karvani ka shkuar përpara.Dhe sa më shumë ka shkuar karvani aq më e madhe është bërë distanca mes karvanit dhe qenve”.
A ka bord etike ky Kuvend të cilin Rama e ndjek sa herë që i duhet dhe pasi e shan kë mundet nga institucionet largohet duke lënë një atmosferë të ngarkuar sherri, pas të cilës mund të rekomandohet pushimi?
Kujtoni disa ditë më parë sulmin dhe presionin ndaj drejtësisë ku në çështjen e piramidës së pagave Rama përfundoi me një arsyetim që sot është i vlefshëm për veten e tij. 
“Kur skandali është logjik, moral, ligjor dhe kushtetues, ky quhet turp kombëtar”.
Nuk po ja marrim autorësinë, por makinacioneve që ai përdor për të qendruar në pushtetin e mbytur nga korrupsioni, por kryesisht ky arsyetim vlen për vetë atë dhe qeverisjen e korruptuar.
 
 
22 Janar, 2026
 
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

“e-Albania”, si në “gjendje lufte”, sistemi i self-care nuk punon prej katër ditësh

Prej katër ditësh aktiviteti i bizneseve është i bllokuar, pasi sistemi self-care, që menaxhohet nga e-Albania nuk funksionon.

“Nuk mund të hysh fare në platformën e faturave”, thotë një ekonomiste. “Bizneset e vogla, të cilët janë të vetëpunësuar të vetëm, përdorin platformën qendrore të faturave për të lëshuar faturë tatimore shitje për shërbimet e tyre dhe prej tre ditësh nuk mund të lëshojnë fatura sepse platforma nuk punon”.

Problemet me sistemet kanë qenë të vazhdueshme që nga fundi i vitit të kaluar, por kjo është dita e tretë rresht, që bizneset nuk mund të aksesojnë sistemin.

Bizneset e vogla, me të vetëpunësuar të vetëm, nuk arrijnë të bëjnë dot bilancet sepse nuk nxjerrin dot faturat e blerjes dhe të shitjes dhe tabelën përmbledhëse të të ardhurave dhe shpenzimeve totale të vitit në bazë të së cilit bëhet bilanci. Shumë prej tyre përdorin këtë platformë që është falas.

Përmes këtij sistemi bëhet dhe ngarkimi i certifikatave të fiskalizimit. Nëse një subjekti i mbaron afati 1-vjetor i certifikatës këto ditë, biznesi mund të mbeten pa punë, pasi nuk e rinovon dot.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), që menaxhon sistemin e e-Albania nuk ka pranuar zyrtarisht që sistemi nuk funksion, por burime të “Monitor” thanë se ata janë në dijeni të problemit dhe po punojnë për ta zgjidhur.

“U bënë si në kohë të luftës këto sistemet tona”, thotë me ironi një ekonomist.

Investimet për qeverisjen digjitale janë shtuar me ritme të shpejta në 6 vitet e fundit.

Në vitin 2025, financimi për e-qeverisjen u rrit me tre herë brenda vitit, duke arritur në 20.1 miliardë lekë (mbi 200 milionë euro), nga rreth 3.3 miliardë lekë që jepeshin në vitin 2019, në një total prej 48.4 miliardë lekësh në 4 vjet, ose gati 500 mln euro. po në dekadën e fundit, administrata është shtuar me 20 mijë persona, për të arritur në 184 mijë punonjës, por sërish bizneset nuk arrijnë të gjejnë zgjidhje për problemet e tyre!

“Mazhoranca s’do t’ja heqë imunitetin Ballukut!”- Lapaj: Nëse nuk veprojnë, zv.kryeministrja mund të arrestohet në zyrë!

Kreu i “Shqipëria Bëhet”, Adritik Lapaj, teksa ka komentuar seancën në Kushtetuese të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, deklaroi se deputetët e mazhorancës nuk do t’ja heqin asaj imunitetin, kërkesë e depozituar në Kuvend nga SPAK që prej dhjetorit të vitit 2025.

Lapaj u shpreh se të dhënat, faktet dhe mënyra se si po veprohet tregojnë që mazhoranca nuk do ta japë imunitetin e Ballukut, ndërsa theksoi se “kjo është gabim sepse pozicionohen përballë drejtësisë”.

Më tej, Lapaj shtoi se nëse nuk i hiqet imuniteti, mund të ndodhë që Balluku të arrestohet dhe në zyrë.

“Nëse nuk procedohet i kërkohet heqja e imunitetit, parlamentit. Unë gjykoj se nëse nuk e japin mund të ndodhë që Balluku të arrestohet dhe në zyrë”, tha ai në News24.

Lapaj: E gjithë reforma, e cila në majë të piramidës së saj ka SPAK dhe GJKKO, parashikon që subjektet e posaçme në këtë rast, janë ato të nivelit të lartë drejtues shtetëror. Këto lloj subjektesh duhet t’ju nënshtrohen kompetencave të këtyre organeve.

Nëse sot ne nxjerrim justifikime për të bllokuar funksionalitetin për të cilat janë krijuar, për çfarë e bëmë këtë reformë. Hetimi dhe të gjitha procedurat ndaj këtyre subjekteve janë në tagër të plotë të SPAK dhe të GJKKO-së. Unë gjykoj që në këtë rast, e drejta qëndron nga organi i Prokurorisë, i cili me të drejtë, për një subjekt që heton, të merren masa të cilat lidhen me ndalimin e ndotjes së provave…

Kryeministri është i ndërgjegjshëm që ato punë, as Belinda dhe as të tjerët nuk i kanë bërë vetë. Nuk dua të bëj parashikime, por të dhënat, faktet dhe mënyra se si po veprohet tregojnë që mazhoranca nuk do ta japë imunitetin e Ballukut. Kjo është gabim sepse pozicionohen përballë drejtësisë.

Dhe është një fund i pashmangshëm dhe nuk mund t’i ikin asaj që kanë bërë dhe herët apo vonë do të shkojnë përpara drejtësisë. Nëse nuk procedohet i kërkohet heqja e imunitetit, parlamentit. Unë gjykoj se nëse nuk e japin mund të ndodhë që Balluku të arrestohet dhe në zyrë.

Vjosa Osmani nga Davosi: Pjesëmarrja e Kosovës në Bordin e Paqes, tregues i vlerësimit nga SHBA

Në një intervistë për RTK-në, ajo ka thënë se të qenit pjesë e themelimit të kësaj marrëveshjeje përbën një vlerësim të drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të presidentit Donald Trump ndaj Kosovës dhe progresit të arritur.

“Fakti që SHBA-të e kanë përzgjedhur Republikën e Kosovës ndër 20 anëtaret themeluese, në këtë ceremoni të nënshkrimit sot, tregon shumë për vlerësimin që presidenti Donald Trump dhe Shtetet e Bashkuara kanë ndaj Kosovës dhe rolit tonë në paqe”, deklaroi ajo nga Shtëpia e Kosovës në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos.

Osmani tha se të qëndrosh me dhe përkrah SHBA-ve është edhe ndjenjë përkatësie, duke nënvizuar se Kosova tashmë prej një kohe të gjatë ka bërë të qarta qëndrimet e saj euroatlantike.

“Për Kosovën, çdo anëtarësim në organizata ndërkombëtare është i rëndësishëm, por ai bëhet edhe më i rëndësishëm dhe merr karakter historik kur flasim për themelimin e organizatave nga aleatët tanë strategjikë. Në këtë rast nga SHBA-të, aleati që ka qëndruar pranë Kosovës në kohët më të vështira dhe që vazhdon të qëndrojë me ne, teksa arrijmë suksese të reja për vendin dhe popullin tonë”, deklaroi presidentja.

Në intervistën për transmetuesin publik, Osmani tha se beson se kjo organizatë do të jetë ndër më të rëndësishmet në historinë moderne, duke ndikuar drejtpërdrejt në zonat e konfliktit. Ajo theksoi se përvoja e shtetndërtimit të Kosovës do të shërbejë si model i shkëlqyer.

“Natyrisht, Kosova, duke pasur përvojën e saj në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes, arritjen e lirisë, demokracisë dhe pavarësisë, është një nga modelet më të shkëlqyera se si duhet ndërtuar shteti, paqja dhe aleancat. Nga përvoja jonë kemi shumëçka për të ofruar dhe jemi shumë mirënjohës ndaj presidentit Trump dhe SHBA-ve që Kosovën e kanë përzgjedhur si një nga shtetet që do t’i vënë themelet e kësaj organizate”, deklaroi Osmani.

Presidentja tha se, me rastin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, kjo marrëveshje do t’u dërgohet për ratifikim deputetëve të legjislaturës së re. Ajo shtoi se është e lumtur që, bashkë me Republikën e Shqipërisë, Kosova është pjesë e kësaj organizate.

Ndërkaq, për Shtëpinë e Kosovës në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Osmani tha se është krenari e veçantë fakti që aty po përfaqësohen të arriturat dhe potenciali i Kosovës dhe i mërgatës para liderëve të rëndësishëm botërorë.

Osmani e përfaqësoi Kosovën si anëtare themeluese, të barabartë dhe me të drejta të plota në këtë iniciativë ndërkombëtare për paqen.

BIRN: Kryeministri, Kuvendi dhe Presidenti bashkohen kundër SPAK për Belinda Ballukun! Prokurori Prençi: Kemi zbuluar prova se ajo mund të ketë kryer edhe vepra të tjera penale

Gjykata Kushtetuese përfundoi të enjten shqyrtimin e çështjes për ligjshmërinë e pezullimit nga detyra e zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur nga Prokuroria e Posaçme, SPAK, për veprën penale të “shkeljes së barazisë në tendera” në disa procedura tenderimi me vlerë qindra-milionë euro.

Gjykata u vu në lëvizje nga një kërkesë e kryeministrit Edi Rama, i cili pretendoi se Gjykata e Posaçme, GJKKO, kishte ndërhyrë në kompetencat e tij kushtetuese me pezullimin nga funksionet ekzekutive të bashkëpunëtores së tij dhe se masa binte ndesh me imunitetin që Kushtetuta u jep deputetëve dhe ministrave.

Me të njëjtat argumente u paraqitën në seancës e së enjtes para trupës së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese edhe përfaqësuesit ligjorë të Kuvendit të Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës, që morën pjesë si palë të interesuara në proces.

Edhe pse po shqyrtohej një vendim i marrë nga ky organ, Gjykata e Posaçme njoftoi mosprezencën në seancë, pasi në vlerësimin e saj nuk mund të legjitimohej si palë në gjykimin kushtetues me kërkues kryeministrin.

“Në një shtet demokratik të së drejtës, të bazuar në parimin e sundimit të ligjit dhe të ndarjes së pushteteve, një gjykatë nuk mund të thirret dhe as të legjitimohet si palë në një gjykim kushtetues për të bërë parashtrime apo për të mbrojtur një vendim të dhënë prej saj. Pjesëmarrja e GJKKO-së si palë e interesuar në Gjykatën Kushtetuese do të cenonte parimin e ndarjes së pushteteve dhe pavarësinë e brendshme të pushtetit gjyqësor,” tha Gjykata e Posaçme përmes një njoftimi.

Vendimin për pezullimin nga detyra të Ballukut e mbrojtën prokurorët e SPAK-ut, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko, të cilët argumentuan se masa e pezullimit nga detyra nuk cënonte kompetencat e Kryeministrit, por ishte bërë në favor të interesit publik, pasi qëndrimi në detyrë i të pandehurës përbën rrezik për përsëritjen e krimit për të cilën akuzohet dhe helmim të provave në dëm të hetimit ndaj saj.

SPAK e konsideroi ankesën e Kryeministrit në Gjykatë Kushtetuese për të shfuqizuar një masë gjykate si ndërhyrje në punën e organeve ligjore të drejtësisë.

“Hetimet e deritanishme kanë zbuluar prova se ajo mund të ketë kryer edhe vepra të tjera penale. Duke marrë parasysh detyrat e të pandehurës që drejton një ministri të madhe, si në strukturë dhe në buxhet, dhe duke marrë parasysh ndikimin e mundshëm të saj në proceset tenderuese dhe përdorimin e detyrës publike, rrezikshmëria shoqërore është e lartë dhe ekziston rreziku që të kryejë vepra të tjera penale, të pengojë hetimin, të manipulojë provat apo dhe të largohet,” tha prokurori Prençi para Gjykatës Kushtetuese.

Prokurori tha gjithashtu se pretendimet e Kryeministrit janë të pambështetura dhe ndikojnë mbi kompetencat e Gjykatës së Posaçme.

“…mund të krijojë një precedent të rrezikshëm, ku ekzekutivi mund të ndikojë në vendimet gjyqësore dhe në balancën kushtetuese të pushteteve,” tha ai.

gjykata kushtetuese

Sipas prokurorit Prençi, pezullimi nga detyra i një ministri nuk cenon kompetencat e Këshillit të Ministrave sepse ai është një organ kolegjial dhe në asnjë rast, puna e tij nuk pengohet nga mungesa e një ministri dhe po ashtu nuk ‘e detyron’ Kryeministrin që ta shkarkojë ministrin, pasi masa është e përkohshme dhe vlerësohet në mënyrë periodike nga gjykata.

“Pretendimi i Kryeministrit nuk ka bazë juridike sepse ‘pezullimi’ nuk është në bazën ligjore në kompetencat e tij”- argumentoi më tej ai, duke shtuar se nga ana tjetër vendosja e masës së pezullimit nga detyra është ushtrim i pavarur i pushtetit gjyqësor me karakter individual dhe si garantues për mbarëvajtjen e hetimeve.

Ai e cilësoi ankesën e Kryeministri si tentativë për të krijuar “mosmarrëveshje kompetencash artificiale” dhe e vlerësoi si të rëndësishme që Gjykata Kushtetuese të mbante parasysh garantimin e pavarësisë së gjyqësorit në vendimin e saj.

“Rendi kushtetues do të vihej në rrezik nga shfuqizimi i masës,” tha ndër të tjera Prençi në parashtrimet e tij në gjykatë.

Në një vendim të mëparshëm, Kushtetuesja vendosi të pezullojë vendimin e GJKKO duke rikthyer në detyrë Ballukun, deri në shqyrtimin në themel të cështjes, vendim ky që për SPAK ka krijuar rrezik potencial për kryerjen e krimeve të tjera të ngjashme dhe helmim të provave nga ana e së pandehurës.

Ndërkohë që shqyrtohet ligjshmëria e masës për pezullimin nga detyra, SPAK ka dërguar prej dy muajsh në Kuvend kërkesën për dhënien e autorizimit për të marrë  një masë më të rëndë ndaj Ballukut, me pretendimin se ajo ka kryer veprën penale të intimidimit të dëshmitarëve pas kthimit në detyrë.

Shumica socialiste në Kuvend po zvarrit marrjen e një vendimi me orientim të kryeministrit Rama, ndërsa përfaqësuesja e Kuvendit në seancën e Gjykatës Kushtetuese, Mimoza Arbi, tha se edhe masa e pezullimit nga detyra duhej të kërkonte një autorizim të Kuvendit, pasi ishin cënuar imuniteti i garantuar në Kushtetutë për deputetët dhe se cënon kompetencat e Kuvendit që është organi që e ka votuar ministrin.

“Duke pranuar që pezullimi mund të arrijë deri te shkarkimi, cenohen kompetencat e Kuvendit si organ ligjvënës,” tha ndër të tjera ajo, duke shtuar se vendimi I GJKKO krijonte konfuzion juridik në lidhje me statusin e akteve, pasi emërimi bëhet me dekret të Presidentit I cili prodhon efekte juridike të plotë dhe është akt kushtetues.

Në të njëjtën linjë ishte dhe Presidenca dhe përfaqësuesit ligjorë të saj argumentuan se Kushtetuta nuk njeh mekanizëm për pezullimin e anëtarëve të Këshillit të Ministrave, ndërsa këshilltari igjor i Presidentit, Ilirjan Rusmali, shtroi para trupës së gjyqtarëve një situatë hipotetike ku legjitimimi i aktit të GJKKO mund të çonte në pezullim nga detyra gjithë ekzekutivin të njëjtën kohë, duke lënë vendin pa qeveri.

Përfaqësuesit ligjorë të Këshillit të Ministrave ripërsëritën argumentet e bërë publike dhe nga vetë Rama se vendimi i gjykatës e kishte vendosur Kryeministrit para detyrimit për të shkarkuar ministren, duke ndërhyrë kështu në kompetencën e tij dhe kishte pamundësuar punën në ministrinë që ajo drejton. /BIRN/

Ndërsa SPAK kërkon arrestimin e saj, Balluku dhe Rama jo si shefi me vartësen por si dy të afërt shumë intimë

Kamerat në Parlamentin e Shqipërisë janë fokusuar tek kryeministri dhe zëvendesja e tij ndërsa SPAK kërkon arrestimin e saj dhe Gjykata Kushtetuese do të japë vendimin. Përse gjithë ky gaz midis shefit, “Palloshit” dhe vartëses, në një ditë aspak gazmore, sepse SPAK, drejtësia e pavarur, e akuzon Belinda Ballukun për:

Kjo shtetase është marrë në cilësinë e të pandehurit në kuadër të procedimit penal nr.136 të vitit 2025, pasi akuzohet për kryerjen e veprës penale:

“Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 258/2 dhe 25 të Kodit Penal, në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”.

Gjithashtu, shtetasja Belinda Balluku ka marrë cilësinë e personit nën hetim për dyshimin e kryerjes së të njëjtës vepër penale për shtatë procedura të tjera prokurimi me objekt:

“Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja-Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”;

“Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2”;

“Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana”;

“Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”;

“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”;

“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6”;

“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”.

 

Dokumenti/ Begaj autorizon Ramën për pjesëmarrjen në Bordin e Paqes

Presidenti Bajram Begaj autorizon kryeministrin Edi Rama për pjesëmarrjen në Bordin e Paqes, një nismë kjo e krijuar nga presidenti i SHBA, Donald Trump për zgjidhjen paqësore të konflikteve në botë dhe garantimin e sigurisë globale.

Dokumenti është firmosur një ditë më parë nga kreu i shtetit.

“… Autorizoj SH.T.Z Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, për nënshkrimin e “Marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri z.Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”, miratuar në parim me vendim nr.45, datë 21.1.2026, të Këshillit të Ministrave.

Kompetencat, të drejtat dhe detyrimet për lëshimin e plotfuqisë, si dhe të përfaqësimit të Republikës së Shqipërisë, sipas këtij autorizimi, nuk mund të delegohen tek asnjë autoritet apo organ tjetër publik. Ushtrimi i tyre nga autoritetet e përcaktuara në këtë autorim është i detyrueshëm sipas ligjit”, thuhet në dokumentin e firmosur nga kreu i shtetit.

Sot, qeveria dërgoi në Kuvend projektligjin që pritet të miratohet pas diskutimeve në seancë plenare.

Më herët, Komisioni i Jashtëm miratoi me 13 vota draftin duke ia kaluar Kuvendit për votim.

“Po ndodh diçka historike në Gjykatën Kushtetuese”, Shehaj kërkon provat e Ballukut në Kuvend, Peleshi i heq fjalën

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj kërkoi në seancën e sotme në Kuvend provat që ka sjellë SPAK-u për deputetët për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.

Kërkesa e Shehajt erdhi pasi ai dorëzoi 20 mijë firma qytetarësh në Gjykatën Kushtetuese, teksa po gjykohet pezullimi i Belinda Ballukut.

“Zoti kryetar ndërkohë që ne flasim këtu dhe flasim për procedura, po ndodh diçka historike në Gjykatën Kushtetuese.

Tani zoti kryetar, Prokuroria i është drejtuar deputetëve të Kuvendit të për heqjen e imunitetit të zonjës që është ulur aty se do ta arrestojë, ne si përfaqësues të Partisë Mundësia na është mohuar e drejta të kemi provat mbi të cilat prokuroria kërkon arrestimin e asaj zonjës që është ulur aty dhe po qesh dhe tall…” – u shpreh Shehaj, teksa fjala iu ndërpre nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi.

FOTOT+VIDEO- Shtrëngim duarsh para firmosjes së Planit të Paqes, Trump bisedë ‘kokë më kokë’ me Vjosa Osmanin

Teksa në Davos u firmos për ngritjen e Planit të Paqes për Gazën, mes shumë liderëve botërore është dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

 

 

Kjo e fundit mori ftesë nga vetë presidenti i SHBA-ve Donald Trump, që Kosova të jetë pjesë anëtare e këtij plani.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Presidenti Trump, para se Osmani të hidhte firmën e saj, duke përfaqësuar kështu Kosovën në këtë nismë, bëri një bisedë kokë më kokë për disa minuta. Mes tyre pati shtrëngim duarsh, ndërsa më pas Osmani hodhi firmën e saj. bw

KAYO, çelësi sesi Edi Rama po i fal Ron Yeffet pronat e ushtrisë, ja çfarë denoncoi Arben Ahmetaj

Arben Ahmetaj, kishte denoncuar mikun izraelit të kryeministrit dhe rolin e errët të tij, në disa intervista. Por në serinë e katërt provat e nxjerra për publikun do të ishin edhe më të rënda.

Tashmë gjithçka kishte nisur të funksiononte dhe sektorë jetikë të sigurisë kombëtare kanë përfunduar në duar e klane të dyshuara edhe ndërkombtarisht.

Narkotrafikanti i fuqishëm i shpëton arrestimit në Shqipëri, mediat italiane: Operacioni u dekonspirua

 

Nga Andreina Baccaro, CORRIERE DELLA SERA

Ka arritur t’i shpëtojë arrestimit Ervin Dakoli, 47-vjeçari shqiptar, i konsideruar nga DDA e Bolonjës një narkotrafikant i fuqishëm, aktiv në trafikun e lëndëve narkotike drejt Italisë, por edhe Francës e Spanjës.

Sipas hetuesve, ai ishte në krye të organizatës kriminale me bazë në Reggio Emilia, e goditur të martën nga nëntë masa sigurie të lëshuara nga gjyqtari hetues i Bolonjës me kërkesë të DDA-së.

Shtatë masa janë ekzekutuar, por ende mungojnë në apel Dakoli, i cili ndodhej në Shqipëri, dhe një tjetër i arratisur me bazë në Francë.

Agjentët e Skuadrës Mobile të Policisë së Reggio Emilia-s, të koordinuar nga Shërbimi Qendror Operativ i Drejtorisë Qendrore Antikriminale dhe të mbështetur nga Divizioni i Tretë i Shërbimit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor, në bashkëpunim me Zyrën e Ekspertit të Sigurisë në Shqipëri, e kishin ndjekur prej muajsh Dakolin në Shqipëri, në qytetin e Kavajës.

Automjeti i tij ishte i gjurmuar me GPS, por kur në agim të së martës u ndërmor operacioni për arrestimin e tij, 47-vjeçari kishte humbur gjurmët. Dyshimi se dikush në atdhe e ka paralajmëruar për urdhrin e arrestit që rëndonte mbi të, tani është më shumë se një hipotezë.

15 persona nën hetim

Operacioni “Sturl One” ka shkatërruar një bandë ndërkombëtare narkotrafikantësh shqiptarë. Në total janë nën hetim 15 persona, prej të cilëve nëntë (tetë shqiptarë dhe një italian) janë subjekt i urdhrave të arrestit. Arrestime dhe kontrolle janë kryer jo vetëm në provincat Reggio Emilia, Bergamo, Brescia dhe Savona, por edhe në Francë, Spanjë dhe Shqipëri, falë bashkëpunimit operacional me autoritetet policore të huaja, veçanërisht me Departamentin e Policisë Kriminale shqiptare.

Sipas hetimeve, anëtarët e bandës përdornin “kriptotelefonë” për të shmangur përgjimet dhe transportonin në gjysmën e Italisë sasi të mëdha kokaine dhe parash cash. Në krye të organizatës ishte pikërisht Dakoli, aktiv në rajonin Emilia-Romagna, i cili importonte në Itali sasi të mëdha kokaine, marihuane dhe hashashi nga Amerika e Jugut, Europa Veriore dhe Spanja, duke i fshehur brenda kamionëve me fruta dhe perime, për t’i shpërndarë më pas në territorin kombëtar me ndihmën e shumë korrierëve.

Platforma e kriptuar “SkyECC”

Për të komunikuar në mënyrë të sigurt mes tyre, të hetuarit përdornin platformën e kriptuar “SkyECC”, të instaluar në pajisje telefonike specifike me vlerë mijëra euro secila. Dy prej këtyre pajisjeve, të sekuestruara në operacione të mëparshme, i dhanë hov të ri hetimeve, duke çuar në vitin 2022 në hapjen e një dosjeje të re hetimore. Nga monitorimi i bisedave, hetuesit konstatuan se organizata, brenda vetëm gjashtë muajsh, kishte arritur të transportonte, menaxhonte dhe shpërndante mbi 200 kilogramë kokainë dhe 1.000 kilogramë hashash e marihuanë, me përfitime të paligjshme mbi një milion euro.

Ligjvënësit amerikanë i kërkojnë DASH-it t’i shqyrtojë pretendimet për diskriminim ndaj shqiptarëve në Serbi

Pasivizimi i adresave është një çështje për të cilën shqiptarët në jug të Serbisë janë ankuar vazhdimisht dhe kanë dalë në rrugë për të protestuar.

 

Radio Evropa e Lirë

Anëtarët e Komitetit për Punë të Jashtme të Kongresit amerikan kanë votuar të mërkurën vonë për ta çuar përpara një projektligj, i cili do t’i kërkonte Sekretarit amerikan të Shtetit ta përgatisë një raport gjithëpërfshirës lidhur me trajtimin e pakicave etnike në Serbi, posaçërisht te shqiptarëve etnikë në Luginën e Preshevës.

Me 43 vota për, tre kundër dhe asnjë abstenim kaloi ky projektligji i sponsorizuar nga kongresisti republikani Keith Self.

Pasi ta kalojë shqyrtimin e plotë, ky projektligj do të raportohet nga Komiteti për Punë të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve dhe do t’i dërgohet për votim gjithë Dhomës së Përfaqësuesve.

Më pas, ai duhet të miratohet edhe nga Senati dhe të nënshkruhet nga presidenti amerikan Donald Trump.

Projektligji kërkon të vlerësohen çështje me rëndësi, përfshirë pasivizimin e adresave të shqiptarëve, kufizimet në përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet publike, diskriminimin në arsim, përfshirë mosnjohjen e diplomave të Kosovës dhe mungesën e teksteve shkollore në gjuhën shqipe.

Politikanë shqiptarë në Serbi e përshëndetën vendimin e komitetit për avancimin e projektligjit.

Shaip Kamberi, përfaqësuesi i vetëm i shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë, shkroi në Facebook se “një betejë e gjatë dhe e drejtë, sot e kurorëzuar me sukses. Shtetet e Bashkuara po kërkojnë përgjegjësi ligjore dhe politike nga Beogradi për diskriminimin sistematik të shqiptarëve në Luginën e Preshevës”.

Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, e përshkroi vendimin e komitetit si “mesazh i qartë për Beogradin”.

“Kjo është ditë e rëndësishme për shqiptarët e Luginës. Dhe sinjal se padrejtësia nuk është e përjetshme. Një betejë e gjatë. Me durim, këmbëngulje dhe besim”, shkroi ajo në Facebook.

Në Serbi jetojnë më shumë se 60.000 shqiptarë, të cilët përbëjnë pakicën e katërt më të madhe atje, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë më 2022.

Në raportet ndërkombëtare, Lugina e Preshevës – term që përdoret për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin, komuna të banuara me shumicë shqiptare në jug të Serbisë – konsiderohet tërësisht e izoluar dhe thuhet se merr vëmendje vetëm në kohë zgjedhjesh.

Shqiptarët që jetojnë në këto tri komuna në jug të Serbisë shpesh ankohen për praktika diskriminuese nga shteti serb, teksa zyrtarët në Qeverinë e Kosovës u kanë bërë jehonë këtyre akuzave.

Rasti i pasivizimit të adresave është një çështje për të cilën ata janë ankuar vazhdimisht dhe kanë dalë në rrugë për të protestuar.

Pasivizimi nënkupton fshirjen e qytetarëve prej adresave ku kanë qenë të regjistruar. Ky hap rezulton me humbjen e shtetësisë serbe, e rrjedhimisht të të gjitha të drejtave civile – përfshirë të drejtën për të votuar, për të pasur pronë, për të pasur sigurim shëndetësor e pension dhe për t’u punësuar.

Kjo çështje është përmendur edhe në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në Serbi, për vitin 2023.


Send this to a friend