VOAL

VOAL

(Video) Edicioni i dytë i MIK nën patronazhin e Inva Mulës,yllit shqiptar me famë botërore të belkantos

July 11, 2019

Komentet

Tryezë kushtuar 80 vjetorit të botimit të gazetës “Rilindja” Nga Tahir Bezhani

Kronikë nga Kultura- Gjakovë.

 

Shoqata e Intelektualëve “Jakova” në Gjakovë, me 12.shkuet, 2025 organizoi një TRYEZË përkujtimi me rastin e 😯 vjetorit të botimit të gazetës “Rilindja”. Në këtë manifestim ishin të ftuar shumë veteran të gazetarisë kosovare ndër vite, intelektual e qytetarë profesionesh të ndryshme nga jeta kulturore e Gjakovës. Manifestimi u mbajt në sallën e përurimeve “Teki Dervishi”, në bibliotekën e qytetit.

Manifestimin e hapi moderatoja e nderuar, Dea Krasniqi, me një talent të nivelit të lartë, e cila, pasi falënderoj të pranishmit, dhe lexoj disa nga mesazhet e atyre veteranëve të gazetarisë, që për arsye të ndryshme ,nuk kanë mundur të vijnë në këtë tryezë. Pastaj ia kaloi fjalën fillestare Prof..dr. Ruzhdi Safës, të palodhshmit, kryetarit të Shoqatës së Intelektualëve “Jakova” në të Gjakovës .
Prof. Dr. Ruzhdi Sefa , në fjalën e tij përmbajtësore, foli për historinë e gazetës “Rilindja”, kohën dhe sukseset e arritura nëpër kohë, rrugë të cilën populli jonë e kaloi me mjaft vështirësi të politikave gllabëruese. Kjo “MEMORIE” historike mund të jetë një element kyç për të dhënë vlerë të kaluarës, për të mbajtur gjallë në kujtesë rëndësinë historike të mediave në shoqërinë kosovare.
Prof. Ruzhdi Sefa, misionin dhe rëndësinë e gazetës “Rilindja” e vlerësoi në disa aspekte ,duke cekur mendimet me ndikim të madh në shoqërinë kosovare. Filloi me “Ruajtja e Identitetit Kombëtar”, ”Pasqyrimi i realitetit të vështirë të Kosovës”, “Rezistenca ndaj diktaturës” ”Roli i madh në Lëvizjen Politike dhe Shoqërore e tjera.
Gjatë rrugëtimit të gazetës “Rilindja”, që fillimi, ka ngjarë shpesh që të hasë në “fërkime” mes misionit të saj si organ i pushtetit dhe rolit e ndikimit që kishte në ruajtjen e identitetit kombëtarë shqiptar, foli Dr. Ruzhdi Sefa. Pastaj profi bëri një paralelizëm të informimit të” Rilindjes”, deri në ndalimin e saj nga strukturat e dhunshme të pushuesit hegjemonist të klikës serbe, me 05. shtator,1990, duke cekur se informimi sot, kur kemi portale të shumat e mediume televizive, të cilat jo gjithherë na informojnë.
Në mbarimin e fjalës së tij prof. Ruzhdi Sefa, si pikë referencë ndaloi në “Rolin e gazetës Rilindja dhe medias moderne në edukimin dhe informimin e shoqërisë”, reference e cila u prit me dashamirësi nga publiku në sallën “Teki Detrvishi”.
Kryetari i SHI.”Jakova” z, Ruzhdi Sefa, njoftoj të pranishmit se për nderim të kësaj trashëgimie të çmuar dhe përpjekjet për ta ruajtur ndikim e saj, në Shoqatë është diskutuar për botimin e gazetës se re javore, “Rilindja e Re”, e cila do të vazhdojë misionin e gazetës origjinale. Kjo ide e shprehur nga prof.. Ruzhdi Sefa u prit me duartrokitje si shenje e aprovimit te iniciativës promovuese.

Prof. Dr. Ruzhdi Sefa.
Në vazhdim të Tryezës përkushtuese në 80 vjetorin e botimit të “Rilindjes” ,moderatorja Dea Krasniqi, fjalën ia kaloi Bashkim Hisarit, një veteran i dëshmuar në gazetarinë kosovare, i cili me kumtesën e tij ,”Rilindja”-Foleja e ngritjes intelektuale të shqiptarëve”, temë e cila zgjoi kureshtjen e të pranishmëve prezent. Ky personalitet i gazetarisë dhe kulturës sonë, elaboroi historinë e gazetës “Rilindja” nga dalja e deri te shuarja e saj nga diktatura e politikës Serbe në vitet 90-ta. Bashkim Hisari potencoi në veçanti elitën kombëtare e politike të kohës së pas luftës se Dytë Botërore,të cilët,në ato rrethane bënë të pamundurën për të pasur gazetën edhe shiptarët në gjuhën e tyre.Ishte ky kuadri intelektual e politik të shkolluar atëbotë në Shqipëri, si Fadil Hoxha, Xhavit Nimani, Zekiria Rexha, Emin Duraku, Xhevdet Doda, Esat Mekuli, Xheladin Hana, bartësit e rrjedhave politike, ekonomike por edhe kulturore e informative.
Me iniciativa të dëshmuara nga patriotët e kombit, si Fadil Hoxha e Zekeria Rexha, nga Tirana sollën mjetet teknike të shtypshkronjës dhe kështu me 12.shkuet,1945 në kryeqytetin e KA të Kosovës, fillon punën gazeta “Rilindja”. Emërtimin gazetës, sipas dëshmive historike të kohës, ia dha pjesëmarrësi i LANÇ, poeti e intelektuali Esat Mekuli, si mirënjohje e rilindësve të kohës së kaluar. Z. Hisari, në detale përmendi edhe shumë emra tjerë të kohës si kontributëdhës për gazetën “Rilindja” e cila e dha provimin e kohës në zhvillimin dhe emancipimin e popullit tonë, ku analfabetizmi ishte nën parashikimin e duhur të popullit në Kosovë. Me gjitha vështirësitë e cezurat e kohës. ”Rilindja” hatëroi me kohën falë këmbënguljes dhe qëndresës së plejadës së intelektualë e gazetarëve të skalitur nëpër vite…Ajo ngadalë u shndërrua në një shtëpi botuese grafitë në kuadrin e se cilës u botuan edhe shumë gazeta e revista tjera, deri në vitin 1990,kur dhunshëm u bë ndalimi i saj nga politika okupuese serbe .

Agim Jaka, një tjetër veteran i çmuar i gazetarisë kosovare, në Tryezën e lartëcekur, me kumtesën e tij, pos historisë e vlerave të gazetës “Rilindja”, dhe rolit të saj pozitiv në çdo aspekt të jetës, potencoi “garniturën” e çmuar të gazetarëve gjakovarë, të cilët me mish e me shpirte, dhanë çdo gjë nga vetja për zhvillimin e gjithmbarshëm të jetës shoqërore e kulturore. Në Kosovë. “Rilindja” u bë shkollë ku e mësuan profesionin e gazetarit shumë intelektual, të cilët më vonë u bënë profesionist të tyre jetësor,” tha prof.. Agim jaka. Pastaj potencoi emrin e parë të gazetarit nga Gjakovë që ishte Xhafer Vokshi, ndërsa nga gjinia femërore, gazetarja e parë theksohet Hidajete Domi, e cila me 14.shkurt,1947 shkruan për kujdesin e grave të Gjakovës, për familjet e vobekta.

Gazetarët veteran të cilët ishin prezent në këtë Tryezë përkushtuese, si Esat Dujaka, Jusuf Meqa, Blerim Vula, dhanë vlerësimet e tyre për rolin e pamohueshëm që bënte gazeta “Rilindja” për prosperitet në të gjitha fushat e jetës, por, duke potencuar edhe vështirësitë jo të vogla që buronin nga përgjegjësia dhe censura e kohës…

Doajeni i gazetarisë, shkrimtari e publicisti, Esat Dujaka, me emocion të veçantë tregoi sqaronte punët e përgjegjësitë në karrierën e gazetarisë, duke theksuar në fund, “se ne, nuk e kemi merituar që mbesim pa “Rilindje”, me te cilën u rritem dhe kontribuuam me tëra mundësitë e kohës….” Nga publiku pati të interesuar për të shtruar pyetje dhe vlerësime për gazetën “Rilindja” ,ndër të cilët ishte edhe Prof. Sidorela Doli, e cila trajtoi gazetën në shumë aspekte pozitive, e posaçërisht në moshën e saj kur ajo ishte e re, se sa me vëmendje përcillte faqen për fëmijë që botohej n kuadër te gazetës Rilindja.

Së fundmi, vlenë të ceket se Shoqata e Intelektualëve të Gjakovës, në krye me .Prof. Dr. Ruzhdi Sefa, me organizime te tilla gjatë gjithë vitit, duke zgjedhur tema pikante për vlerat kombëtare, ka dhënë dhe po jep kontribut të madh në jetën kulturore e intelektuale në qytetin e Gjakovës, e jo vetëm, për çfarë, meriton respekt dhe mirënjohje të sinqertë.
Folësit gjatë Tryezës në 80 vjetorin e gazetës “Rilindja”. Fotot e bashkangjitura tekstit janë nga aparati i Shkelzen Rexhës.

Prof. Bashkim Hisari

Agim Jaka

Blerim Vula Dr. Gezim Lupaveci

Prof. Sidorela Doli Bashkim HisariGjakovë,

Saga e madhe Shqiptare ZËRAVE DHE ZHURMAVE të shkrimtarit Kristaq Turtullit- Nga ILLO FOTO

Nëse thellohemi sadopak në humbëtirat e sotme të letërsisë shqiptare, atëherë padyshim që ndër zërat e vetëm që akoma arrijnë të jehojnë në këtë botën tonë përkatëse të mishëruar në tiparet njësore të librit të ngjizur e shkruar në gjuhën shqipe, është kthjelltësisht oshtima e veprës letrare të shkrimtarit të dëshmuar në vijimësi, përmes penës së tij burimore, Kristaq Turtullit.
SAGA e madhe Shqiptare e ZËRAVE DHE ZHURMAVE e shkrimtarit Kristaq Turtulli përbën grykëderdhjen e radhës të frymëzimit krijues të këtij shkrimtari, njeriut që ka arritur tërësisht në mënyrë të vetvetishme të sendërtojë një skaj të tijin vetjak në xhunglën e koklavitur të letrave shqipe, veçanërisht përgjatë tranzicionit të hutueshëm, ku dergjet njëkohësisht letërsia dhe libri shqip, krahas vetë shoqërisë shqiptare, mendësisë së pjesëtarëve të saj, qëndrimit të shqiptarit ndaj jetës, dukurive të saj të llojllojshme, përditshmërisë, dashurisë, dritëhijeve të shumta të shqiptarësisë dhe formës sesi gjithë këto gjëra mund të shndërrohen në letërsi të mirëfilltë.
Kristaq Turtulli ia del mbanë me sukses të plotë që ta përthithë thelbin e çdo rrezatimi të së shkuarës që ende përcakton, shënjon e kushtëzon aktualitetin shqiptar, duke e pasqyruar në një krijim letrar, një roman të përkufizueshëm, veç nëpërmjet një ushtrimi të harlisur mendor, shpirtëror, shijehollë, pikërisht ashtu siç është jetësuar frymëzimi i këtij shkrimtari në këtë libër, duke na ofruar një vepër që ta pasuron shijen letrare duke ta lartësuar leximin dhe duke ta rikrijuar përmbi themele krejt të përveçme botëkuptimin kundrejt letërsisë së ravijëzuar brendapërbrenda konturave të gjuhës shqipe, kornizave dhe trajtave të saj karakteristike.
Të lexosh në përgjithësi krijimet e Kristaq Turtulli domethënë të ndeshesh përherë në ndjesi të këtilla, duke zbuluar të tjera kënde e skuta të panjohura të shtjellimit në shqip të botës letrare, duke u endur dhe depërtuar tutje në thellësitë e shpirtit krijues të këtij shkrimtari të talentuar, që gjithnjë guxon aty ku pakkush, ose askush nuk ka shkelur më parë.
E tëra falë një kureshtje krijuese, një frymëzimi të papërmbajtshëm, të jetësuar përmes një përzgjedhje të epërme të fjalorit shqip, personazheve të gjallë e të përshkruar me përpikëri, sidomos në anën e tyre psikologjike, dhe një mjedisi shqiptar epoke të shkuar, që në tymnajën bardhë e zi, ngërthen sakaq nuancat më të ndezura të rrëfimit të mbrujtur në realizmin magjepsës që i mvishet si lëkurë e dytë veprës së Kristaq Turtullit.
Në këtë Sagë të madhe Shqiptare me qindra karaktere të gdhenduar mjeshtërisht, përvijohen mjeshtërisht ngjarje, situata, zhvillime, nënkuptime, fragmente, grimca njerëzore, politike, ndikime, ndërhyrje, qëndresa, shpirtshitje, kryeneçësi tipikisht shqiptare, tradhti, vogëlsira e madhështi të rëndomta të shtetit tonë mbi njëshekullor e popullit tonë fort më të lashtë se kaq, që vetëm mendja e autorit, përfytyrimi i tij, aftësia e tij e rrallë sintetizuese, dhuntia e tij për t’i caktuar rolin e duhur gjithkujt e gjithçkaje brenda një SAGE të parë dhe të rrallë Shqiptare, çfarëdo nocioni të prekshëm, abstrakt, surrealist, real apo të metaforizuar, arrijnë t’i bëjnë mirëfilli pjesë të kësaj Sage, duke gjetur çdo veçori vendin e vet natyrshëm, porsi një gjëegjëzë letrare e përkryer, që sapo të lexohet me ëndjen kureshtare të lexuesit, ka për t’i ofruar atij/asaj, një shpërblim të paçmuar gjatë procesit frymëzues të leximit.
Kjo urë e gjatë shteruese, nëpër shtrirjen e të cilës, përmbi lumin e rrjedhshëm të frymës krijuese të Kristaq Turtullit, lexuesi ka për të përshkruar kohë pas kohe vitet e pushtimit fashist gjer në agun e mugët të vendosjes së regjimit monist, falë mbështetjes “dashamirëse” të shokëve jugosllavë, do të na shërbejë neve që do të gëzojmë fatin e lëçitjes së kësaj SAGE të madhe Shqiptare të pamungueshëm në raftet tona ballore të librarive shtëpiake, letërsinë shqiptare edhe në këtë kontekst kaq zdritës për kërshërinë tonë letrare, që na dhurohet bujarisht nga ky shkrimtar.
Shkrimtari Kristaq Turtulli, përfaqësohet jo vetëm si romancier, por edhe si filozof, i një epoke, që ka dashur të bëhet sunduese, por nuk ja arriti, sepse u projektua dhe u udhëhoq gabimisht. Mendimi filozofik i autorit Turtulli, ngrihet mbi epokën, që përshkruan. Turtulli është artist i fabulës dhe i fjalës
Saga e madhe Shqiptare ZËRAVE ZHURMAVE e shkritmarit Kristaq Turtullit sigurisht nuk ndalen me kaq, ndaj kjo Sagë lipset të lexohet kërshëri, duke pritur krijimimet e ardhshme.
ILLO FOTO,gazetar, studjues,
New York USA

MORFOLOGJIA SHPIRTËRORE NË LIBRIN “GJURMË NË JETE” TE SHKRIMTARIT AFIRMATIV NEKI LULAJ- Nga TAHIR BEZHANI

Neki Lulaj: “Gjurmë në jetë….” botoi Lena Grafik Prishtine,2024

Thënie e autorit për nxënësit:” Nxënësit janë si anijet që ankorohen buzë limanit në oborrin e shkollës. Mua sot më rrinë në kornizën e shpirtit plot djersë. Pas vrapit dhe lojërave era ua thante djersën fytyrëndriturve të kombit”.

Neki Lulaj është emër i përveçëm, në gjithë hapësirën shqiptare, i cili me krijimtarinë e vet të begatshme letrare, ka zënë vend në mesin e krijuesve më afirmativ në poezinë, por edhe në prozën tonë.
Një numër solid i veprave të botuara me poezi, ku temat e trajtuar në aspektin universal, me stilin, formën dhe forcën e fjalës, bëjnë që poeti nga diaspora, Neki Lulaj, të jetë i kërkuar e i dashur për lexuesit e artit letrar në përgjithësi.
Krijimtarinë letrare z. Lulaj e kishte filluar që herët, nga bankat e shkollës fillore të vendlindjes së tij ,në Prapaqan të Deçanit, për ta vazhduar gjithë jetën me një pasion të zjarrtë deri më sot, kur frymëzimet e tij gjithnjë rrinë të ndezura, si një grykë krateri i hapur e që gjithnjë vjell zjarr…
Vjeshtën e viti të kaluar u takuam së bashku në Mitingun jubilar të poezisë në Gjakovë, i 60- ti me radhë, me ç ‘rast me dhuroi dy libra me autograf dedikues, duke e bërë më të pasur bibliotekën time, por, edhe duke e njohur më shumë në thellësi mikun tim, Neki Lulaj.
Njëri, libër me poezi, ”Sofra e fjalës” dhe tjetri në prozë, ”Gjurmë jete”,që të dy ishin një dhuratë që më bën të ndihem i gëzuar. Me të vazhduar me leximin e këtyre dy librave, u gjenda në horizonte jete të papritura, të cilat më bënë kureshtar deri në maksimum, për t’u zhytur në kalavaret e një jete të përvuajtshme, me sakrifica, por me plot krenari jete.
Nga këto libra mora përvojën se sa e rëndësishme është jeta kur luftohet gjithmonë për të mirën deri në fitore. Vetëm sakrificat njeriut ia shtojnë bukurinë, vlerën ditëve të jetuara me përkushtim.
Pas luftës së fundit në Kosovë, krijimtaria letrare, sikurse ka marrë atë kahen e “ndarjes”, si letërsi e diasporës, një letërsi e shkruar më veçantë nga krijuesit tanë atje. Duke qenë të ndjekur në mënyre barbare nga politika shoviniste serbe, me të madhe u shtua ikja e kosovarëve nga vendet e tyre, që nga vitet 90’ e më herët, e në mesin e tyre edhe shume krijues të zotë, të cilët mbi vete e brenda në zemrat e tyre, morën gjithë mallin, lotët, vuajtjen dhe zjarrin e vendlindjes, atdheut të tyre të dashur.
I tillë është edhe krijuesi, poeti Neki Lulaj, edukatori i brezave të ardhshëm, i cili me përkushtim e devotshmëri punoi si profesor në disa shkolla shqipe të Kosovës. Duke qenë i shtrënguar të iki nga vendlindja, si shumë të tjerë, mori rrugën e gyrbetit, u vendos në Speyer të Gjermanisë, ku gjendet edhe sot.Pikërisht, në këtë qytet të Gjermanisë vazhdoi aktivitetin e tij letrare, duke u bërë personalitet kyç në jetën kulturore e letrare të diasporës sonë, jo vetëm si krijues veprash, por edhe si aktivist i denjë në shumë shtett të Evropës ,me një prestigj të lakmueshëm.
Ndalem në veprën prozaike,” Gjurmë në jetë”, e cila nuk është e definuar në kuptimin e zhanreve, por mbetët vepër prozaike moderne e kohës.Kjo vepër, për kuptimin tim, është një manual enciklopedie përmes të cilës, lexuesi në vazhdimësi ndeshet me ato gjëra të paditura deri me tani e posaçërisht një ndihmesë e mirë për brezat e rinj.Shëtitjet e panumërta të autorit në gjitha trojet shqiptare, kanë rezultuar të jenë një pasqyrë e gjithë historisë, duke përfshi zona të ndryshme vendesh shqiptare ,emrat e personaliteteve historike, vendet historike të kulturës sonë me shekuj deri në ditët e sotme, si kisha e vende tjera të kultit e kulturës sonë në përgjithësi.

Shëtitjet e këtij krijuesi të mirënjohur dhe dokumentacioni që ka vjelur nga vendet e vizituara prezantojnë një punë mjaft kolosale e cila ka zgjatur, ndoshta me vite deri te të dhënat e tilla, të cilat sot na shërbejnë, jo vetëm për kënaqësinë tonë, por edhe pasurojnë dijen dhe ndërdijen kombëtare e njerëzore.
Për këto fakte, bazuar në librin “Gjurmë në jetë”, Neki Lulaj, krijues nga diaspora i ngjan një Evlija Çelebiu të kohës sonë, i cili padyshim, me punën e tij të palodhur, lexuesit tonë po ia lë një pasuri krijuese të pakontestueshme, një aset kulturor.
Neki Lulaj, duke qenë i një niveli me kulturë e arsim të lartë, nuk hezitoi kurrë që me punën e tij të skalitë në vepër edhe përvojën së bashku me dijen për të lënë gjurmë në jetë.Pas thithjes së nektarit historik në gjitha trojet shqiptare, duke bashkëdyzuar dhimbjen me krenarinë historike, z. Lulaj i drejtohet kontinentit të largët, Tokës së Premtuar, Amerikës, me qëllim që të zgjerojë horizontin e dijes dhe ato t’i reflektojë në artin e tij krijues.
Ne SHBA, viziton shumë vende ku kanë vepruar dhe kontribuar shumë koka të mençura të kombit tonë, si Noli, Konica e shumë e shumë të tjerë. Ai nxjerr shënime e fakte historike, ndoshta te paditura për një pjesë të lexuesve tanë. Me fakte sqaron për mërgatën tonë si burim patriotizmi, veprime të gjendura arkivave të ruajtura mirë, si psh. Vatra, Dielli ,ku veprimtarët e çështjes kombëtare, Noli, Konica etj. mbesin të pavdekshëm me kontributet e tyre për çështjen kombëtare.
Autori i librit “Gjurmë në jetë.” gjen e shënon të parin emigrant shqiptar, i quajtur Kolë Kristofori nga Korça në vitin 1884. Pasojnë emra e kohë të tjera në librin në fjalë që pasurojnë kontinuitetin histok të mërgatës sonë atje.Pas Amerikës, Neki Lulaj i qaset Evropës, atyre vendeve ku kanë lenë gjurmë kokat gjeniale të kombit tonë, rilindasit e paharruar.
Ndalesa më e zgjatur ishte në Bukuresht të Rumanisë, aty ku rilindasit bënë historinë. Gjurmon e shënon të gjithë emrat e tyre, punën dhe veprimtaritë e tyre, me konsideratë të lartë.
Libri “Gjurmë në jetë” me 240 faqe, padyshim se përmban një volum të madh ngjarjesh, veprash dhe gjetje të tjera interesante, por kam bindjen e thelle se lexuesi i mirëfilltë do interesohet për të lexuar (pasur) këtë libër me shumë interes për kulturën dhe historiografinë tonë.
Në kuptimin përmbajtësor të librit në fjalë, theksoj se autori e ka ndarë në katër shtylla: “Rrëfimi për rrëfimin”, “Në rrugën e miqve të mi artistë dhe heronj”,” Miqtë për Neki Lulaj” dhe “Tryeza poetike,” dhe aktivitete e tij në shoqatat letrare në diasporë. Si kompliment mirënjohje, padyshim me ëndje lexohet, reçenca e Sejdi Berishës për mikun e tij, z. Neki Lulaj.

Neki Lulaj, moment nga puna krijuese.

Ndërsa, për librin voluminoz poetik, “ Sofra e fjalës”, shkarazi mund te them se është libër lirikash në të cilat rrëshqasin fjalët e zemrës së Neki Lulaj në teren imagjinate, të mbushur mall e dhimbje për vendlindjen, për popullin e tij, rrëfim për gjakderdhjen në luftën e fundit dhe heronjtë e skalitur në historinë më të re, të cilët, disa prej tyre, ishin miq e bashkëvendës të autori, si Sali Çeku etj.
Pastaj lexojmë poezi përkushtuese për familjarët, ku vend madhorë zënë prindërit, vendlindja dhe kullat si sinonim i qëndresës ,fjalës së urtë e të pathyeshme në kuptimin e qëndresës.
Ky libër, pra “Gjurmë në jetë” dhe ai me poezi “Sofra e fjalës”, do mbetën gjatë në kujtesën time, të cilët ua sugjeroj lexuesve të nderuar. Bilës këtë libër, (prozën), do e quaj si një atllas i gjeografisë shpirtërore.

 

Gjakovë, 09 shkurt,2025

Lutfi Alia vjen me librin e ri “Dita e Verës Shqiptare”

Shtëpia botuese “Streha” – Tiranë, ka botuar librin tim të ri “Dita e Verës Shqiptare”. Libri është redaktuar nga mikja ime e mirë, kolegia, shkrimtaria dhe poetia Dr. Lili KRISTULI. Parathënia është shkruar nga miku i kahershëm dhe i çmuar Prof. Vaso QANO. Ndër ilustrimet në libër janë dhe katër fotografi pikturash nga cikli “Pranvera”, dhuruar nga miku im, artisti Pashk PËRVATHI, Mjeshtër i Madh. Botimi i librit u konkretizua me kontributin fisnik dhe samaritan të mikut spepcial dhe kolegut Prof. Pëllumb PIPERO. Falenderoj me mirënjohje drejtuesin e shtapisë Botuese “Streha”, Ing. Andon DONO, për realizimin cilësor të librit.
Lexuesit që dëshirojnë të njihen me historinë, ritet, rregullat, normat, madhështinë e festimeve, jehonën dhe mesazhet kulturore e shpirtërore të festës hiroshe Dita e Verës mbarëshqiptare të trajtuara në këtë libër, mund të telefonojnë në numërin 068 2026582.
MEDITIME RRETH LIBRIT TË LUTFI ALIA: “DITA E VERËS SHQIPTARE”
Prof. Vaso QANO
Dita e Verës! Këto dy fjalë janë shumë të dashura për breza të tërë shqiptarësh, duke filluar nga thellësia e shekujve, madje vazhdojnë të jenë po aq të dashura dhe në ditët e sotme. Ardhja e pranverës pritet me shumë gëzim nga të gjithë dhe kështu ka ndodhur ndërmote. Pranvera shpreh ripërtritje në kuptimin më të gjërë të fjalës, andaj populli, me të drejtë, e ka veçuar momentin e ndarjes nga dimri dhe ardhjes së pranverës dhe për kremtuar këtë ndryshim, ka krijuar një festë me të vërtetë të bukur mbarëshqiptare.
Populli ynë, me gjenialitetin kulturor, ndër shekuj ka ngritur shumë monumente, prej guri, prej druri, vepra arti dhe të thurura me fjalë, por një monument i veçantë kulture është pikërisht festa Dita e Verës. Ajo nuk është vetëm një datë e rëndësishme kalendari, por ka vlerat e një monumenti kulture, kur mendojmë madhështinë e festimeve dhe mesazhet e kësaj feste të bukur. Këto janë arsyet dhe faktet, që kjo vepër e artit popullor i ka rezistuar kohëve dhe bëhet festa më e vyera dhe më e bukur mbarëshqiptare.
Kur miku im i kahershëm dhe i shtrenjtë Lutfi Alia më nderoi duke më kërkuar të shkruaj parathënien për studimin e tij të çmuar, përveç përgjegjësisë dhe vlerësimit, natyrshëm u ngjallën shumë kujtime të fëminisë e të rinisë tonë, kujtime që rrinin fshehur, por të përfshira në kujtesë dhe që u ripërtrinë me gjithë bukurinë e tyre. Ritet e bukura të kësaj dite, para, gjatë dhe pas kësaj feste, kanë mbetur në mendjet tona si ditët ndër më të bukurat të jetëve tona të thjeshta. Bukuria, korrektesa dhe serjoziteti me të cilat ndiqeshin të gjitha fazat e festës, tregojnë për një traditë të lashtë dhe të konsoliduar në jetën e popullit tonë.
Në Elbasan, Rrapi i Mansit është vendi i peligrinazhit popullor, është lëndina e piknikut ku shkojnë të gjithë për të festuar së bashku Ditën e Verës. Vizitat herët në mëngjes e fëmijëve dhe e familjeve që “bëjnë Kamë”, ishte riti i parë i 14 marsit, ditës festive të verës. Gatimet tradicionale dhe ballokumet – ëmbëlsira tipike, lulet e pranverës, menekshet dhe karakaftet, lojrat me zare e me arra, vizitat dhe pikniku madhështor, e kanë bërë këtë ditë të veçantë dhe të paharruar për të vegjëlit, për rininë dhe të rriturit. Është një vlerë e mrekullueshme, që kjo traditë shekullor vazhdon dhe është po aq madhështore, madje vazhdon të studiohet dhe të hulumtohet dhe në ditët e sotme.
Studimi i Lutfi Alia, që i paraqitet lexuesve me këtë vepër, i drejtohet një rrethi të gjërë dhe është vërtetë një studim serjoz, dinjitoz dhe i trajtuar mbi baza shkencore të mirëfillta. Ky libër është në vazhdën e punimeve dhe studimeve të tjera po aq dinjitoze të Lutfi Alia, i cili nuk kufizohet në studimet dhe me botimet vetëm në shkencat mjekësore, por si studiues erudit, kërkues dhe këmbëngulës, ka dhënë ndihmesë të madhe në shumë lëmi të tjera si të historisë, estetikës, etnografisë, publicistikës dhe të besimeve fetare. Të gjitha këto punime dhe kontribute, lidhen me një aspekt të përbashkët, me dashurinë e flakët për atdheun dhe kombin tonë të lashtë, i cili ka dhënë ndihmesën e vet të shquar në shekuj, në zhvillimin e historisë dhe të kulturës së përbashkët europiane.
I uroj librit të ri rrugëtim të gjatë dhe të suksesshëm, të arrijë në duart e çdo shqiptari dhe jo vetëm, por të pasohet me studime, punime dhe me vepra të tjera, që di t’i bëjë mirë vetëm Ai, autori i këtij libri dhe miku ynë i mirë, Lutfi Alia

POLIFONIA FEMËRORE NË LETËRSINË E AUTORES VJOLLCA ALIAJ- Nga Albert HABAZAJ

Dy fjalë për vëllimin me poezi “Qëndisur me fije dielli” dhe librin “Njeriu lind si një ditë e bukur” – prozë e shkurtër: skica letrare, tregime, ese

Poetët janë njerëzit më të mirë në botë. Ndërsa poeteshat, veçmas ato që spikasin në letërsinë artistike dhe estetike, janë më të mirat fare; aq më tepër kur ato fisnike shkrimore janë zonja, nëna, gjyshe…
Gjerdanin e bukur shkrimor që feks në letërsinë që prodhohet në Vlorë e zbukuron sidomos letërsia femërore, që vërtet e stolis kraharorin e qytetit.
Një nga synimet fisnike të shoqërisë sonë letraro-kulturore artistike është përurimi i letërsisë së mirë të miqve tanë të penës, ku veçojmë edhe përurimin e disa poeteshave dhe shkrimtareve të Vlorës.
Sot është dita e poetes lirike dhe shkrimtares Vjollca Aliaj dhe ne, me respekt për penën dhe kënaqësi për vlerat, që përçon autorja, po i organizojmë këtë festë letrare të thjeshtë, por të pastër e me shpirt, që na duket si një “qëndisje me fije dielli”, siç thotë Vjollca në një poezi lakonike.
Në parantezë, dua të përmend se nuk është veprimtaria e parë që ne bëjmë me Lidhjen Ndërkombëtare të Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve, “PEGASI” Albania, dhe për këtë unë gjej rastin të falënderoj z. Kristaq F. Shabani, jo vetëm si koleg e dashamirës, por për angazhimin e tij si President i Lidhjes Ndërkombëtare të Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve, “PEGASI” Albania, botues i Lidhjes së Krijuesve “PEGASI”, realizues i përkushtuar dhe I dalluar me prezencë krijuese, analitiko-studiuese në tryeza të rrumbullakta, konferenca, simpoziume, deri në Kongres letërsie. Kristaqi spikas me botime të shumta në mjaft gjini, është anëtar nderi i disa lidhjeve shkrimtarësh dhe akademive  të  shumë vendeve të tjera të Botës. Ndërkohë, është ideator i funksionimit të Akademisë Alternative Pegasiane, në të cilën marrin pjesë profesorë, akademikë, studiues, artisë me nivel dhe të spikatur në Trojet shqiptare dhe nga Bota.
Ndërkohë, Kristaq Shabani është redaktor i 2 librave që ka botuar deri më sot autorja Vjollca Aliaj.
Vjollca Qemal Hysaj Aliaj është një qytetare vlonjate, me gjenetikë të kulluar, si nga dera e babës, dhe nga dera e burrit, ku ndezi zjarrin në tokë e në det. Ajo është një atdhetare e dalluar, veprimtare e angazhuar, që i shërben dukshëm emancipimit të shoqërisë’ dhe edukimit estetik, moral dhe kulturor me jetën e saj vetiake, familjare dhe me letërsinë e kursyer që thur e meriton vëmendje. Vjollca është një zonjë e lexuar, e cila studimet e e larta nuk i ka kryer për Letërsi, por në Fakultetin Ekonomik, për Ekonomi Industriale. Sa mirë ka rastitur për të kjo mundësi! Më ravijëzohet, jo thjesht formalisht, potreti i saj si një bulëzim i formimit universitar të Fatos Arapit.
Si në poezi, edhe në prozë, autorja Vjollca Aliaj e njeh dhe e respekton ekonominë e fjalës, strukturën e poezisë moderne dhe me pak vargje shpreh shumë ndjenja e mendime.
Ngaqë redaktori i të dy librave, autori i të dy teksteve shtesë, siç quhen parathëniet në shkencën e bibliotekonomisë, unikali në llojin e vetë, Kristaq Shabani bëri një vështrim analitik të thukët, unë do të shpreh vetëm 2-3 mbresa për autoren. Vjollca Aliaj, së pari dhe së fundmi, është një poete e dashurisë në të gjitha kuptimet e bukura të saj. Vëllimin e parë me poezi “Qëndisur me fije dielli” (ç’titull i mrekullueshëm metaforik, që sdo të na shqitet nga kujtesa) ia kushton më të shtrenjtëve të saj, burrit të saj ushtarakut të lartë, diplomatit, publicistit, ish-prefektit të Gjirokastrës, njeriut me kulturë Astrit Kareman Aliaj, si dhe dy çupave të tyre aq të mira: Alketës dhe Dorelës. Po me ç’mjaltë shpirti e mbush vjershën “Të panjohurat e Nënujërave, Mbiujërave”, kushtuar babait të saj – komandantit të Sazanit dhe Karaburunit. Dhe në fund të poezisë shkruan: “IM AT’ dhe Deti”, një legjendë!/ hej, Hemingëay!/ Duhesh ti!”. Në një poezi tjetër, aq simbolike të titulluar “Simfoni Gruaje” në vetëm këto 8 vargje: “Çfarë sheh tek ne?/ Është një buzëqeshje/ qëndisur me fije dielli,/ E freskët do të jetë dhe nesër,/ por, kjo që dëgjon/ është këngë dashurie,/ këngë gruaje,/ rron përjetësisht…”, Vjollca ka gdhendur një monument lirik të veçantë për gruan. Ajo lufton shumë për emancipimin e gruas jo vetëm me penë, por me angazhimin e saj dinjitoz si kryetare e Shoqatës “Laskarina Bubulina” – Gratë e Detarëve Shqiptarë (GDSH), falë dhe mbështetjes së fuqishme të bashkëshortit, djalit të Vlorës e komandantit të zgalemëve të detit Astrit Aliaj, si dhe përkrahjes me zemër që i bëjnë simotrat e shoqërisë që drejton.
Vjollca është e përfshirë në disa antologji poetike, prozaike, si dhe rrëfimtarie, por libri “Njeriu lind si një ditë e bukur” është i dyti me firmën e saj, që vjen si një ndihmesë modeste në fushën e prozës së shkurtër me skica letrare, tregime dhe ese. Edhe në këtë libër me prozë ajo shfaqet natyrshëm e pa sforco si poete me konceptim të ri, të bukur, të lartë e letrarisht fisnik për jetën, për dashurinë, për vijimin e saj të denjë.
Në këtë libër, ajo paraqitet edhe me statusin e gjyshes, dhe këtë shportë me lule shkrimore ia kushton nipit Giorgio Alessandro Emanuele.
Prozat poetike të Vjollcës më nxjerrin mallin e Nonda Bulkës, por, patjetër, ndërtuar me një frymë të re, mbushur me dritë të ngrohtë, plot hapësirë dashurie, kthjelltësi mendimi, pranverë ndjenjash, që na dhuron kalendarin e jetës së vërtetë të njeriut, jo qaraman, jo të zymtë, të keq e të egër, por atij optimistit, qytetarit, të mirit, të qeshurit, njeriut të bukur në mision e në mesazhe. Ashtu sikurse bleta punëtore, që mbledh nektarin e luleve për mjaltin e kosheres, edhe Vjollca ka mbledhur nga shoqëria vlerat, virtytet, traditat më të mira, dijen, edukatën, mirësinë me frymëmarrje, mbresat e gjalla, të thella e të forta të jetës, diellin e librave të mirë të bibliotekave të pasura, “njeriun, që lind si një ditë e bukur” për të kënaqur shijet artistike dhe estetike të lexuesit.
Nuk mund të zgjatem më tepër, jo se nuk dëshiroj e s’mundem, por se program duhet respektuar dhe t’u lëmë radhë të tjerëve të thotë mendimet dhe urimet e tyre.
Veç një gjë dua ta shpreh, se një nga mesazhet më të forta të librit dhe patjetër të autores, (se libri është jeta e saj), unë e mora tek proza e vogël drithëruese “Me Bukovskin” e famshëm, ku shkrimtarja jonë bën këtë reflektim, tek ndalet në fëmijërinë e saj, pasi lexoi romanin e katërt të Bukovskit “Bukë me sallam”: “Nëse, do ta kujtoja gjënë më të bukur prej saj, do të përmendja praninë e prindërve në çdo moment”. Sidomos sot, kur ndjehet shumë ashpërsi, vrazhdësi, ç’ekuilibrim, skizofreni psikopateske, dhunë, sëmundje morale, dhimbje e infeksion në edukimin e fëmijve, duhet të pijmë ujë të kulluar në gurrën e kthjellët të edukimit të prindërve prurë me dinjitet në bashkëkohësi.
Udha e Letërsisë është e bukur se ka mozaik shkrimor, dhe të gjithë ne, guximtarët e lindur për fjalën e bukur letrare dhe që dimë ta mbajmë jemi në udhëtim, secili në korsinë e vetë. Kjo Udha e e Letërsisë më sjell imazhin e rrugëve automobilistike të qytetit, në të cilat nuk qarkullojnë vetëm veturat luksoze, autobuzat e makinat e rënda, por edhe biçikletat e bukura aq të këndshme dhe të dobishme.
Vjolla, të faleminderit, se, si një amvisë e zonja e fjalës na ke dhuruar një letërsi të mirë!
Jetë të gjatë dhe pena flori!

 

SOJLIU nga SKRAPARI- Esé nga Përparim Hysi

LIbri “Visare të Skraparit” nga VIKTOR BAKILLARI

Oswald Chambers thotë për librat;-Librat janë kloroform i bekuar i mendjes.Dhe ka shumë të drejtë.Sado jam i moshuar,por nuk ka ditë që mos lexoj.Sot këtë ese ia kushtoj një autori (nuk di sa e gjërë është gjeografia e njohjes për të,por mua më ka çuditur,me atë ngulmim aq skrupuloz që,dhe, po ta kishte detyrë shtëpie, nuk do kishte aq fuqi sa ta nxirrte në dritë dhe t’ua dhuronte lexuesëve me aq lehtësi,sa,po të vjedh një varg nga NOLI,do thosha:” Dhe na i dhuroi me aq lehtësi”sa zë burri veshnë e tij”.) Një punë e madhe hulumtuese në shumë fusha: në histori e gjeografi; në arkeologji; në tradita e zakone; në folklorin;në faunën dhe florën e krahinas;në statistikë;në demografinë dhe… jam i pazoti t’i numëroj të tëra. Dhe nëse shihni metaforën time për të:”SOJLIU”,nuk e kam futur në thonjëza,se,me të vërtetë është SOJLI.Këtë titull honorofik ai e meriton plotësisht. Qysh në kohën e tij,EPIKURI ka thënë:”Nuk është natyra ajo që i ndanë sojlitë nga sojësëzit,por veprat e secilit.”
*
Libri”Visare të Skraparit” të VIKTOR BAKILLARIT është një libër”tavoline” me rreth 700-faqe. Në gjykimin tim,kjo punë kaq voluminoze e tij,tregon që,së pari.VIKTOR BAKILLARI,në burimin e dijes pi ujë dhe nuk bën gargarë si shumë prej tyre,që dijet i fitojnë si”dy hunj e një purtekë”,por çudia e këtij kaq punëtori në kërkim të”visareve” është në vullnetin prej titani të tij,Kjo punë titanike e tij vihet re në referencat e shkrimet; në literaturën që ka shfletuar;në autorë të gjallë,por dhe nga ata që kanë lënë qoftë dhe një postulatë që do t’i vlente për librin e tij.
Tek i shfletoj faqet e këtij libri me kaq vlera për SKRAPARIN,veçanërisht,por dhe për KOMBIN,se ky libër,po nuk u pa me syrin e njerkës,siç ndodh rëndom nga”sojsëzët”,ka vendin e merituar në FONDIN E TRADITAVE dhe HISTORISË në BIBLIOTEKËN KOMBËTARE,
Libri fillon nga”njeriu i parë” tek “çifti i parë” dhe,mandej:statistikë,popullsia dhe ndarja administrative;objektet e kultit:Monumente të natyrës;në fushën e Mitilogjisë:fjalë e frazeologji të botës bimore në krahina të ndryshme të Skraparit;shprehje e tinguj nga fauna e Skraparit;fjalë të urta;përralla:gjë e gjëza(këto të ndara,si:në pjesët e trupit,puna dhe mjetet e punës;banesa,ushqimet,pijet,veshjet. Për mjetet kulturore dhe artistike;mjete të komunikimit e ndërlidhjes;mjete dhe për armët e luftës;për pemët e bimët;për kafshët e shpendët,për insektet,për fenomenet e natyrës;gjë egjëza problemore.
Një kapitull më vete: mallkimet,vajet,urimet,fjalë dhe shprehje.
Kapitull tjetër janë këngët e baladat, të ndara:Këngë kurbeti;këngë elegjiake:këngë për dëshmorët;këngë djepi;këngë dashurie dhe këngë të tjera lirike.Këngë dasmash.
Një kapitull me vlerë,zë EPIKA HISTORIKE dhe,së fundi,këngët e Pasçlirimit dhe deri në ditët tona.
Dinjiteti i këtij SOJLIU qëndron në modestiinë dhe moskapërdisjes e made in sojsëzëve:Për çdo referencë, evidenton autorin apo autorët,të cilët,me prezencën e tyre,si fare pa kuptuar,gati bëhen”bashkëautorë” të këtij libri me vlera të mëdha.
Natyrshëm,unë nuk kam asnjë grimë fuqie për të bërë”anamnezën” e gjithë kësaj pune me vlerë të VIKTOR BAKILLARIT,por në gjykimin tim ky libër ka vlera akademike dhe,së pari AKADEMIA të vlerësojë këtë punë titanike të tij. Dhe sa për SKRAPARIN që VIKTOR BAKILLARI e “ka lakuar në të gjitha rasat e GJUHËS SHQIPE” duhet ta shpallë”Qytetar nderi”.
Me këtë libër,VIKTOR BAKILLARI apo SOLJIU është jo vetëm një studjues,por dhe edukator.Ky deduksion imi nuk është origjinal,por e kam marrë nga RALF WALDO EMERSON.Ky thotë:”Njeriu që gjërat e rënda,i bënë të lehta,është edukator”. A nuk ka vepruar kështu,VIKTOR BAKILLARI?

Tiranë,26 dhjetor 2024

VARGJET GDHENDIN KUJTIMET (Poezia është diçka që ta shuan etjen dhe zgjatë jetën)- Nga NEKI LULAJ

Poeti Agim Desku

Krijuesit e mirëfilltë të artit kanë një lloj vetmie në intuitën e vet, kanë unin e vet të veçantë ,ata kanë tri dashuri/ muzën /frymëzimin /dhe vetminë/. Ata rrinë duke e vjedhur kohën në identifikimin e vetvetës.Të njejtën gjë e bën edhe poeti i Dardanisë ,pejani i vyer Agim Desku dhe poezia e tij , kështu që opusi i tij lirik dhe poetik ka përmbajtje,stil,subjekt ,porosi apo edhe çasje të thukët retorike.Githmonë duke u dhënë dritë,gjallëri,forcë, gjerave që ndodhin me një qartësi të rrallë logjike.
Shkrimet e tij lirike , biografike dhe të tjera nisin rrugëtimin diku para gjysëm shekulli ,duke kërkuar kuturu shtegun e qartë dhe duke hedhur në letër atë çka e nxit poetin – shoqërinë, e me këtë dua të them se krijuesit si ky lindn për të tjerët dhe janë si herojt e kombit duke lenë shumë vargje e testamente në sirtarët e hapura për të mos u harruar ose vdekur kurrë.
Cilësia e tij poetike shihet se rritët nga përvoja e gjatë e artit agimjan, të cilat nuk lindin nga idetë ,nuk lind as nga mendja ,as nga endërrimi, por lind nga thelbi përvëlues duke hedhur në fletën e bardhë atë çka e frymëzon dhe i thotë zemra.Ai përmes vargut poetik prezanton një Hartë historie të mbarë gjeografisë shqiptare,andaj edhe me të drejt mund ta quajmë pelegrin i përjetimeve historike,duke e parë dritën e përkthimit, Përmbledhjet e tij poetike në gjuhën italiane ,por edhe atë greke.Agimi krijimtarinë e tij poetike dhe atë letrare arriti ta prezentoj edhe jashtë vendit si në i tali .Greqi dhe atë individualisht në Shoqatën e Shkrimtarëve edhe në Izrael ,e pikërisht në qytetet,Tel Aviv dhe Jerusalem.
Me plot të drejtë mund të konstatoj se krijimtaria e Deskut,nëpër të gjitha etapat e zhvillimit të saj mbeti e lidhur shumë ngushtë me Traditën kombëtare si mishi me kocka, por edhe i futur thellë në poret e zemrave të popullit ,në koret dhe lëngun e plagëve të hapura ,në ofet e nënave të heronjëve dhe dëshmorëve tanë, në dasmat dhe vdekjet,në gëzimet dhe vajët e tyre deri në ditët e sotme.
Si janë poetët
Poetët janë si pyelli me plot gjethe
Si një fushë me ullinj plot gjethe me kokrra
Deget ju lakohen nga pesha e rendë e begatisë
Kanë bukurin qe ua njeh guri lulja dhe shqota.
N. Lulaj

Poezia Deskjane asnjëherë nuk është ndikuar nga askush, por gjithmonë i ngeli besnik tradicionalës, i lidhur shumë ngushtë për kombin si rrënjët e Lisit, për token amë .Ajo mbeti realiste dhe tokësore duke u modernizuar në hap me kohën.Poezia e Agim Deskut,frymon me mushkëritë e kombit ,me rezultatet dhe dështimet e tija ,me gëzimet dhe shqetësimet ,është e shëndoshë dhe e pëlqyer nga lexuesit dhe nga Kritika letrare.
„Me bindje të plotë mund të them se pa hyrë në Përmbledhjet poetike të tija ,të cilat për nga numri janë shumë, është sikur të kesh hyrë në një Kopsht Botanik, për ta zgjedhur një Buqet me lule, por aty ka shumë lule të bukura dhe shumë ngjyrëshe saqë është veshtirë që t`i zgjedhish se cilat janë me të bukura! Kështu poezitë e tija janë të te gjitha zhanrëve ,saqë nuk mund të ndahesh pa i lexuar të gjitha,por gjendësh para veshtirësive që të zgjedhesh ,kjo apo ajo është me e bukur se tjetra.“N.Lulaj
Agimi ecën vertikalisht, ngadalë dhe shumë i sigurtë , që nga fillimi i krijmtarisë se tij e deri në ditët e sotme çka e besoj se kështu do të vazhdojë muza e tij krijuese terë jetën duke thënë se poezitë e tija janë të shijshme sikur gjella që duhët të hahet ngadalë duke e përtypur mirë e me oreks çdo kafshatë…….
Pëmbledhja e tij poetike „Dua të pi Verë çamërie“,Të pimë së bashku për Ty Çamëri, është një përmbledhje poetike tejet interesante dhe shumë e mirëpritur nga kritika .
Autori, duke qenë i përkushtuar tani për sa vite për Çamërinë dhe fatin e saj, ai edhe në këtë libër, sikur është i ndikuar nga vepra që ia ka kushtuar kësaj pjese të trojeve etnike, dhe kështu na sjell mendimin filozofik edhe për trevat përbrenda Kosovës dhe më gjerë. Prandaj, ngjashëm ligjëron, që nënkupton mendimin dhe shkrumbin për bashkim: “…Të ngritim gotën/ Për Dukagjin/Se do bëhem edhe Drenicë/Edhe Malësi/Herë Tiranë e Preshevë/ Herë Ulqin e Iliridë /Më shumë Çamëri…”. Të gjithë së bashku në një Shqipëri.Shkrimtari si zakonisht gjithmonë shkruan për atë që e preokupon duke përdorur imagjinatën si një instrument të fuqishëm dhe duke e begatuar kulturën shqiptare.Agimi është shkrimtar që ka dy atdhe ,një atdheun ku lindi dhe atdheu i dytë për të është Poezia,ku nëpërmes vargut flet për jetën e nuk e lejon jetën të flas në përmjet tyre.
Agimi,është perlë e poezusë , një aktivist i dallur dhe një fisnik i pa lodhur,një atdhetar i rrallë,individ shumë i vyer me një kulturë të madhe dhe edukator i dalluar. Pishtar i arsimit deri në pension ,i cili në misionin e tij ka ndërtuar një Kështjellë dhe ka bërë një histori në vete duke na dhuruar visare krijuese ,në përkujdesjen dhe punën e tij të palodhur ,që përmes vargut thot-‘’Populli im është relativisht I vogël,por me një histori të lavdishme luftërash për liri,andaj shquhet për shpirtin e qiltër revuloucionar çka e shijojmë në brumin e tij krijues’’.Ai ka krijue një bagzh të pasur duke përdorur me shumë kujdes imagjinatën e pangopur dhe gjithçka ka shkruar dhe kthyer në narrative ,I cili ndër vite ka zgjëruar imagjinatën e vet duke thur vargje dhe krijim idesh për çka është shpërblyer me disa dhjetra Mirënjohje dhe Çmime në Dardani,Shqipëri Iliridë Preshevë,Ulqin ,Itali dhe Izrael.
Këtij shkrimi nuk dua t`i vëj pikë ngase për analizën dhe studimin e poezive të Agim Deskut do të duhet kohë dhe përkushtim serioz,çka mbetet në duart dhe vullnetin e studiusve të gjeneratave që merren me këtë punë fisnike.
Mendimet e mia po vrapojnë asfalteve të shkronjave të Abetares deskiane, për t`u ndalur të muza e dashurisë se tij poetike.Dhe krejt në vazhdim poetit Deskut i uroj shëndet e jetë të gjatë dhe punë të pa lodhur në pasurimin e vlerave tona kombëtare.

Poezia e Qerim Arifit- Nga Nexhat REXHA

Vitet e shtatëdhjeta, kur Qerim Arifi boton poezinë e tij në shtypin e kohës, paralajmëron se ai radhitet ndër poetët modern, sepse brezi i shkrimtarëve të asaj periudhe solli ide dhe formë të re të shkrimit letrar

Krijimtaria artistike e Qerim Arifit vjen si lidhje e ngushtë me botën e tij shpirtërore. Ai që në fillimet e tij është në kërkim të zbërthimit të vetmisë. Në këto kërkime ai vetëflijon ditët e rinisë me artikulime e pasion për të depërtuar në gjetjen e kësaj oaze të ndritshme të vendlindjes. Kërkimet poetike të tij vijnë si realizime përmes vargjeve poetike, ato krijojnë analogji në përpjekjet e botës së mbyllur, nganjëherë pa shtegdalje në kapërcim të territ, këto meditime i japin glorifikimin e zbërthimit të ëndrrës  poetike. Poezitë e botuara në librin e parë poetik “Kujtime” ofrojnë depërtimet e mozaikut të gdhendur bukur në gravurën e botës letrare, më një stil e figuracion të zgjedhur, të cilat për kohën kur u shkruan ato, paraqesin diçka të re në poezinë e kohës. Në pjesën e parë të librit, autori ka radhitur poezitë në gjashtë pjesë, ato kanë ngjashmëritë dhe dallimit e veta. Në realitet këto poezi, komunikojnë në mes vete përmes brendisë dhe shtjellimit artistik. Urna dhe kasollja e poetit sikur paralajmërojnë, fatin e poetit në veprat e ardhshme që do vijnë. Dashuria e përflakur në këto vargje, paralajmëron se dielli e drita, sikur kanë barrierën para stuhive që i mbulon mjegulla e kohës. ”Mbi urnat e jetës ende po shoh kalimtarë, Mundohem të takoj”.

Observimet poetike vijnë në kërkim të realizimit të idesë dhe krijimit të subjektit krijues në avancim të depërtimeve sa më të thella në artikulimet e vrojtimeve poetike, të cilat renditen në harkun e  veprimtarisë sa më moderne  për të  ndërtuar strukturën e mbarështrimit artistik në krijimtarinë e tij. Ai gjithnjë ruan në kujtesë të kaluarën e largët në optikën e vështrimit e të ruajtjes deri në skajshmëri për themelet e lashtësisë. Këto kërkime sa të vjetra, po aq edhe të afërta në botën shpirtërore të poetit, krijojnë asociacionin e dashurisë përmes figurave mitike. Dashuria si përjetim i pandalshëm në arealin topografik vjen me parafytyrimet e një bukurie qe e ndjen njeriu. Autori në këtë lashtësi komunikon me Nimfën, si portretizim i ndjesive që ajo ofron nga bota e saj dashuri në disa variante. Po ku mund të jetë e ruajtur ajo dashuri më mirë se në themele të lashtësisë, e cila si thesar i ka përballuar stuhive e sundimeve nga më të rëndat. Brenga e poetit mbetet e pashtershme në kërkim të dashurisë për të gjetur diku në afërsi, së paku një pjesë të trupit të saj. Kërkimet nuk kanë fund dhe në këto shtrëngata kohësh autori portretin e bukurisë nuk e gjen, sikur ajo të kishte mbijetuar edhe si sfingë deri në ditët e tija. Pritja dhe shushurima pranë fontanës krijoi lëvizjen e padukshme të një fluture bashkë me melodinë e zogjve në stinën e vjeshtës. Kjo shushurimë e fontanës përcakton dhembjen e poetit në stinën e kërkesave për të mbledhur frytet e një vere të munguar. Kërkesa e autorit shprehet bukur në vargjet e poezisë ”Të kërkova”:

Të kërkova TY

Vjeshta më tha:

Pi nektarin tim dhe shpreso!

Të kërkova Ty

Loti më tha:

Pi lëngun tim dhe SHPRESO!

Të kërkova ty lumturi

Jeta më tha:

Pi gjakun tim dhe shpreso!

Në veprën e dytë poetike “Nokturno”, lirikat poetike në vepër arrijnë bashkërenditje e depërtime më të thella në shpërfaqje, pasqyrim e ndriçim të errësirës. Qerim Arifi, poet depërtues e njohës i gjuhës,kulturës angleze, depërtoi në njohje e zbërthim të prekjes së ëndrrave nga afërsia e botës  së artit në metropolet e Londrës. Ai duke  ndjekur  këto avancime nga afërsia e zhvillimit  të artit në përgjithësi, ka arritur të komunikojë, përafrojë fjalën artistike në krijimtarinë e tij. Në disa poezi të këtij vëllimi,kërkesat janë përbrenda vargjeve, të cilat kërkojnë amnisti për të ndriçuar errësirën e viteve të munguara në jetën e njeriut të tij. Pra, vendlindja sikur troket pandalshëm në zemrën e tij. Ai këto shpalosje e kërkesa poetike i parashtron në ide të së ardhmes, duke iu dhënë vargjeve të tija shtrirje sa më hermetike për lexuesin e zakonshëm, në realitet figuracioni i brendshëm ka afirmim të gjerë në kontekstin artistik e filozofik,me sprovim të konstatuar në rrafshin e zgjerimit të shprehjeve leksikore, duke e spikatur fiksimin e gjërave të rëndomta në fokusim të cilësisë.

Nata në poezinë e Arifit ka veshjen e padukshme, sepse ajo ka parafytyrimet e saja në veshjen e errësirës, edhezhurma trokëllinë ashtu zhurmshëm si terri i netëve të gjata në Preshevën e tij marrin e japin ngjyrimin e përjetimeve përtej kohëve të tija. Zhurma e padukshme merr me vete fatet e njerëzve të tij, si motet e dimrave të egër që kapërdijnë fatin e stinëve të harbura. Kurse motet krijojnë klimën e dhembjeve të rënduara nëpër këto ecje të mundimshme të atyre viteve, ani pse nga pamjet e jashtme të japin portretizimin e përditshmërisë si abstraksion metaforik. Këto lirika burojnë nga perceptimet e autorit në dukshmëri të përjetimit intim. Ato reflektojnë në magjinë artistike si konkretizim i narracionit, përmes ideve të materializuara në saktësim të referencave të harmonizuara, si shtrirje në rrafshin burimor. Titulli i librit vjen përmes vargjeve po me poezinë ”Nokturno”, si vijimësi e lidhje harmonike mes tingujve të natës dhe dëshirës për të krijuar melodinë e të ardhmes me koherencën përtej harresës. Kërkesa e autorit reflekton në kontinuitet, për të ndezur dritën në shtratin e Parnasit, sepse atje pushojnë mendimet e kohëve të lëna pasdore në mes persekutimeve dhe shpresës në mbytur në bimët e harresës:

Për sytë e ndezur në agun e jetës mitare

Mu aty ku mbaron së vizatuari hija

Aty fillon dëshira

Në ujdhesën e kuqe.

Në këto depërtime, zbërthime, poezia e Qerim Arifit shtron shtrirjen shumëdimensionale në kapërcim të kohëve, si  ngritje e nivelit poetik, po ashtu edhe si referencë shkrimore në poezinë e kohës, e cila gërsheton imazhet e brendshme përmes transmetimit artistik, duke i dhënë poezisë së tij fuqinë e materializuar artistike. Gjithnjë në meditim të heronjve dhe rikthimit të kujtesës për afirmimin e  të kaluarës në zgjim të ndërgjegjes për të ardhmen, si në vargjet e poezisë ”Në kujtimet vetëm heronjtë jetojnë”:

Kur arrita te Kalaja gjeta shtyllat e Dioklecianit dhe pallatet

E Preshevës e cila që me kohë ishte duke lulëzuar dhe jetuar-

Ajo merrte frymë lirisht, në kujtime vetëm heronjtë jetojnë.

Në këto frymëmarrje poetike, jeta e poetit rizgjon botën poetike për t’i dhënë jetë të ardhmes. Ai ripërtërinë ëndrrën e përgjumur  të kohëve dhe asaj i jep gjallërinë për frymëzime të reja, sepse  jetojnë vetëm ata qe marrin epitetin heronj. Si në të gjitha kohët, jeta kërkon frymëzim, e kush më mirë se vargjet e poetit Qerim Arifi, të japin ndjenjën e dashurinë për vendlindjen. Koha sado që nëpërkëmbet, ajo ruan diçka të shenjtë, e kjo ruhet në tokën e të parëve tanë. Sado që sundimet kanë humbur gjurmët e të kaluarës, megjithatë ajo ruhet diku si thesar i mbuluar në thellësi të zemrës së poetit, mesazhi artikulon shpresën në kërkim, e në ruajtje për të pa  atdheun e  lirë.

Vëllimi poetik “ Fatamorganë”, u botua gjatë kohës kur autori ishte i shtrirë në spitalin e Nishit. Kolegët e tij poetë arritën të përgatisin për botim këtë libër. Poezitë e përmbledhura në këtë libër janë vazhdimësi e veprave  të mëparshme të poetit Qerim Arifi. Disa poezi të përfshira në faqet e këtij libri, ishin të botuara në shtypin e kohës. Fatamorgana figurë mitologjike, shfaqet në botën e përhershme të njeriut, e në këtë kontekst, kjo zanë dikton në meditime ekzistuese dhe në ato rrathë që krijojnë halucinacione. Momentet e largimit nga rrethi familjar dhe ai i miqve, krijojnë realitetin e deformimeve, të cilat shtegtojnë nëpër meditimet e trishtimit dhe në kërkim të shpresës për lumturi.

Poeti parafytyron fytyra e zëra njerëzish, ata prodhojnë fjalën në funksion të fatamorganës si fletët e bimëve, kur vijnë me gjallërinë e ditëve të lumtura, për t’i thënë jetës, se ajo kalkulon në mrekulli dhe në absurditet. Vargjet të japin mundësinë e shkrirjes nga ditët që ikën dhe ato që vijnë, e në pikësynim për të ruajtur dashurinë që nuk plaket kurrë. Ajo gjithnjë i jep shpirtit shpresën që nuk krijon lodhjen e stërzgjatur. Edhe pse autori në këto përjetime, dhimbje shëndetësore, krijon poezi, ato si të këtilla të japin refleksionin e paradigmës së prodhuar në suaza të territ që bluan koha me vetminë, si katalizator që funksionon me të bukurën dhe të tmerrshmen:

Shpresë çfarë do të jesh

Në rroba pranvere vere vjeshte

Që lidhin agimin buzë liqeni

Shpresë ç’do të jesh

Demon engjëll flutur akrep sfingë.

Në këto figura e shenja sa të natyrës, stinëve dhe atyre mitologjike, kërkojnë vëmendjen e lexuesit në vrojtim konkret, sepse brendia e tekstit të ofron zgjedhjen e transmetimit si tejkalim të luftës me antitezat që i japin poezisë, dialektikën e pranimit dhe kundërshtimit të kësaj fatamorgane. Poezi që dallojnë në nivelin artistik në këtë vëllim, janë poezitë që frymojnë me titujt disa veprave të poetit e mikut të tij, Beqir Musliut. Në këto poezi autori ndërlidhë botën reale me atë imagjinative, duke i dhënë poezive të tija ndjeshmërinë e përjetimit si metaforë dhe si analogji në kërkim të bukurisë artistike për të mundur ndjekjen e vdekjes. Ai në poezinë (unë, halil garria), ndër të tjera shkruan: ”Po këtu afër meje, o mik, nuk ka më as vegulli as katarzë, vetëm errësi”

Libri “Myllur në urnë” është libri i katërt poetik që u botua për gjallje të autorit. Në të gjitha poezitë e këtij vëllimi, poezia  komunikon me jetën në disa shtrirje të ecjeve të autorit. Meditimet me jetën dhe “Urna” që bartë ditët e netët e tija, vjen me ide të perceptuara dhe komunikon me titullin e brendshëm të librit. Poezia ka gërshetimin e përsiatjeve të kërkuara nëpër veprat e ndryshme, duke komunikuar me “ Gilgameshin” dhe protagonistët kryesor të veprës së hershme, e cila në luftën e mbijetesës për të mundur vdekjen, arrin në përfundimet se jeta sado e ëmbël që të jetë, ajo ka fundin e saj. Qerim Arifi veprën e strukturon në shtrirje të rrafshit ekzistencial, ani pse ai lufton me jetën, kjo luftë ndërtohet me evoluimet e tija nga vepra në vepër dhe si e këtillë, poezitë kanë konsolidim artistik.

Mënyre e shtjellimit ka komunikim të qartë, sepse vetë observimet kanë shtrirje në modelin e fiksimit të asaj që vjen si furtuna e një stine kah dridhjet që ngrijnë çdo qelizë në trupin e tij. Ai këto mbyllje të frymëmarrjes i fikson në urnën e tij. Përqendrimi fokusohet në stabilitetin e brendshëm poetik, teksti gjithnjë merr dimensionin e kësaj dhembje shpirtërore, ai edhe në këto dhembje prejudikon dashuri. I tërë procedimi artistik në këtë vëllim sikur shkrihet  në poezinë ”Vijat i qëndisi gjithmonë nëpër shi”. Nomenklatura e tërësishme poetike ka të brumosura artikulimet e ekzistencializmit jetësor, duke i kujtuar ditët e fëmijërisë dhe pjesën më vitale të jetës deri në dashurinë e pambarim të etnisë së tij personale.

Poezitë e librit shpalosin botën e ëndrrave të autorit, ato specifikojnë në portretizime të kërkuara për të rilindur dëshirat e dikurshme të tija. Ai botën e sheh si meteor që mund të ndriçojë vendin e tij, e kjo vjen me piktakimin e dashurisë së përjetshme në botën e artistit, si metaforë dhe si filozofi e mendimit të pritjes për të konkretizuar botën morale të ndëshkimeve që kapërdinë jeta. Lufta me sëmundjen dhe lufta për të mundur atë, janë pikëtakimet në mes botës reale dhe asaj ëndërrimtare. Mirëpo, poeti Qerim Arifi është i vetëdijshëm se ai ballafaqohet me sëmundjen dhe e bartë atë mbi krahët e tij në çdo moment, sepse “ Urna” është ajo që i rri mbi kokë. Për këtë katandisje të plagës së pashëruar ai shkruan: “Nuk korret ajo që moti është pjekur në fushë, e ke qëlluar thembrën time të Akilit, përsëri zgjimi i kasnecit të pikëllon”. Ai beson se ditët ecin kah mbyllja në urnë. Përkundër kësaj stuhie shpirtërore, Qerim Arifi kërkon forcë që të tejkalojë këtë situatë. Në këto bredhje të kërkimit, ai kthehet nga fillimi i diçkaje që vjen e ruhet me dinjitet për të kuptuar se nga largësia janë ruajtur fjalët që “Formula e pagëzimit“ i ka kornizuar në të gjitha etapat e jetës që kur u shkrua ajo.

Poeti Qerim Arifi, gjatë kohës sa ishte në spitalin e Strugës, në Mbrëmjen Poetike të Strugës, ku merrnin pjesë poetët e ftuar, dëgjoi krismën e një arme në atë mbrëmje. Psherëtiu deri në thellësi të shpirtit të tij prej poeti dhe protestoi me vargjet:

Kur fishekzjarrët filluan të pëlcasin

E pashë një nënë që ia mbylli veshët foshnjës

Që të mos e trembin në gjumë,

Për herë të parë u gëzova që nuk isha poet.

Vetëm zemra e një poeti të lënduar i gëzohet momentit kur nuk merr pjesë në krismën e trishtimit të një fëmije që luftonte për jetë a vdekje. Poetët si Qerim Arifi, botën emocionale e shkrijnë në dhembjen universale për të ardhmen e një vendi. Ai deri në frymëmarrjen e fundit lutet e falë dashuri, testamenti i tij është i përjetshëm, fjala e tij është triumfi mbi jetën dhe vdekjen.

Libri “Rekuiem për kalanë” botohet nën përkujdesjen e zgjedhjen e poetit Januz Fetahaj. Pjesa më e madhe e pozive janë marrë  nga gazetat e revistat e kohës, të cilat ishin të botuara. Një pjesë e tyre është marrë nga përmbledhjet e mëparshme të tija. Libri ka më shumë karakter përkujtimi për poetin Qerim Arifi, në shenjë respekti e kujtimi për veprën e tij. E rëndësishme është në këtë botim edhe informacioni i botuesit se poeti Qerim Arifi kishte dorëzuar për botim në ”Rilindje”për gjallje të tij një përmbledhje poetike, e cila nuk u botua dhe nuk dihet se në dorën e cilit redaktor ajo mbeti…Poezia e Qerim Arifit në shtrirjen e saj përfaqëson opusin lirik me tone të theksuara, si bartje të përjetimeve intime, nostalgjike për jetën dhe të ardhmen e njeriut të tij. Fokusimi i poetit ka shtrirje në autencitetin lirik si metaforë e dhembjes shpirtërore dhe si analogji në determinime të revoltës së heshtjes, e si kapërcim përtej kohëve. Roland Barthes kur shkruan për shënjimin, ai thotë:” Në semiologji, dihet termi i tretë është bashkëshoqërimi i dy të parëve: është i vetmi që jepet për t’u parë në mënyrë të plotë e të mjaftueshme, i vetmi që konsumohet me të vërtetë”! Brenda  këtyre shqiptimeve të artikuluara, poezia e Qerim Arifit është në kërkim të ripërtëritjes si revoltë dhe protestë lirike. Ai e ka shkrirë imagjinatën artistike në horizontin e gjerë, në referim të idesë dhe me konvencinalizëm identifikon produktin e ofruar për lexuesin e të gjitha  kohëve. Në realitet, poezia e tij që nga vëllimi i parë e deri tek ai i fundit, ruan konceptin e parashtrimit në imazhet e intimitetet e tija si dhe vetëdijeson fatin në ruajtje të identitetit për njeriun e vendlindjes. Poezia, si relikt i ndërtimeve artistike ka krijuar edhe filozofinë në mes ëndrrës dhe bashkëndërtimit të udhëtimit nëpër rrathët e ringjalljes për të prekur të paprekshmen përtej nesh. Shenjat perceptuese në poezinë e Qerim Arifit marrin trajtën e përjetësisë, ato lidhin fatin e jetës për të depërtuar në thellësi të zanafillës jetëgjatësi. Vdekja si fenomen, brumos kreativitetin poetik nëpër shtrirjen fragmentare të mendimit filozofik, dhe si veçanti etike e morale në zbërthimet e pohimit ekzistencial, deri në diskursin e procesit të njohjes me veprimet e vetënjohjes. Poezia e tij të jep rezultatin e shpalljes së kufijve të pranuar për jetën nëpërmes shenjave që krijojnë asociacionin e përfytyrimit deri në fiksion të dashurisë pikëlluese. Kjo dashuri për poetin i ka të përmbledhura frytet e saja në të gjitha stinët e vitit, mirëpo stina e vjeshtës me peizazhet e natyrës, me frytet e begatshme, të japin përjetimin e  ngjyrave të botës artistike në poezinë e tij. Ato të japin aromën, shijen dhe ndjenjën e qenësisë poetike deri në ngushëllim të amshimit.

Lirikat e tija thuajse në çdo poezi komunikojnë me botën reale, përjetimet burojnë nga idetë forcuese për të mundur konfliktin e kohëve me të gjitha variantet e pakënaqësive që prodhon ndërdija njerëzore. Poezia e Qerim Arifit brenda tekstit ruan thellësinë e nëntekstit, ajo identifikon preokupimin intim dhe të ofron dimensionin e trashëgimisë artistike në shtrije të përmasave kombëtare. Në këto depërtime artistike, muza poetike krijon arritjet në shtrirje të gjëra e funksionale, duke i dhënë shpirt amalgamës ekzistuese në veprim e koncepcion të mjaftueshëm, që e bën poezinë e tij të jetë më e avancuar. Kjo qasje i jep dimensionin e kuptimit fundamental vargut e mesazhit deri në esencë. Të gjitha shkrimet e tija marrin trajtën e emërtimit të faktografisë dhe përjetimit, sepse ai ka shkrirë të dukshmen dhe të padukshmen në poezi. Ajo qe e veçon poezinë e tij në kontekstin e kohës është reflektimi i përjetuar, brenda qarqeve të shoqërisë së atëhershme në psikën-analizën e njeriut. Poezia e tij ruan vlerën e qëndrueshme në analet e poetëve të mirëfilltë të kësaj periudhe kohore, e cila ka dhënë reagimin më të fuqishëm artistik për botën shqiptare. Poezia dhe përjetimet janë prodhim i njeriut dhe faktorit kohë, në këto relacione krijohet edhe personaliteti poetik i shkrimtarit Qerim Arifi. Përkushtimi nëpër shtrirjet e dallgëve të kohëve e formëson personalitetin e tij si poet i të ardhmes. Në veprën e parë poetike “Kujtime”, ai i dha shenjat e para për depërtimet artistike, të cilat në vete skaliten me brendësinë e mendimit të thellë artistik.

Përjetimi i realitetit kohor dhe shkrirja e ideve në vargje, e afirmojnë poezinë e tij brenda cilësisë, të cilat krijojnë përforcimin e poezisë së shkruar në ato vite. Ai nga vepra në vepër konsolidon vargun dhe mendimin poetik. Vitet e shtatëdhjeta, kur Qerim Arifi boton poezinë e tij në shtypin e kohës, paralajmëron se ai radhitet ndër poetët modern, sepse brezi i shkrimtarëve të asaj periudhe solli ide dhe formë të re të shkrimit letrar. Kjo qe arritje e frymës origjinale, si formësim i një rrjedhe të re të letërsisë shqipe. Hejza

FJALA KRYENGRITËSE E SHKRIMTARIT- Recension nga ATDHE GECI

(Bedri Tahiri, DARDANIA MËSIM LIRIE, Lena, Prishtinë, 2024)

Shkrimtari, eseisti, publicisti dhe studiuesi Bedri Tahiri edhe në këtë moshë të madhe, lapsit i jep udhë anekënd trojeve shqiptare. Libri “Dardania, mësim lirie” është vepër mision për sot, për nesër dhe për të gjitha kohërat. Në të gjitha shkrimet e veta, Bedri Tahiri vë në letër shpirtin e tij letrar, përvojën e jetës së jetuar, mesazhin për artin, për atdhedashurinë, për shkencën dhe për kulturën shqiptare.
Bedri Tahiri, tashmë u takon dy shekujve letrar. Libri i tij i di fjalët e tokës, fjalët e detit, fjalët e qiellit, fjalët e shkrepave, fjalët e erërave të forta, fjalët e stinëve me stuhi si dhe melodinë e numrave për ter Atdheun. Libri “Dardania, mësim lirie” e di emrin e vërtetë të Atdheut tonë- Dardanisë. Ky libër është një ëndërr epokash, për një mësim lirie për brezat e ardhshëm shqiptarë!
Libri “Dardania, mësim lirie” i merr të mirën jetës dhe shkruan me zemër identitetin dardan të Ilirisë. Dardania pellazge-ilire është vijimësi e historisë dhe kulturës të popullit tonë. Ne, dardanët e sotëm, jemi krenarë që trashëgojmë pellazgët e lashtë dhe origjinën e gjuhës së tyre, të cilën e flisnin dhe perënditë.
Lulet e gjelbra të erës flasin bukur pellazgjisht, na thotë natyra. Në Atdheun tonë të lashtë e të ri, pellazgjisht flasin edhe të gjitha emërvendet e tokës sonë. Në këtë tokë të lashtë pellazge, shqip flasin: guri, bari, pema, uji, zjarri dhe drita. Kjo tokë poetike e natyrës e meriton nderimin e kallinjve, të luleve, të frutave të saj. Ky libër është vërtetësi e shpirtit dhe zemrës, të quajtur Bedri Tahiri.
Aktualiteti i tij prej shkrimtari jeton dhe mbijeton në tërë qenien e Bedri Tahirit. Ky shkrimtar i shquar e prodhimtar, është autor i mbi 54 veprave në letërsinë tonë të bukur. Shkrimtari Bedri Tahiri njihet si mjeshtër i hartimit të monografive për dëshmorë, por ai është i dëshmuar edhe në vargun poetik, në prozë (në tregime e romane), edhe në fushën e kritikës si dhe në publicistikën kryengritëse.
Personazhet në veprat e Bedri Tahirit, janë ndërgjegjja e shkrimtarit për Atdheun dhe për Kombin. Hartuesit e këtyre shkrimeve vlerësuese nuk e patën të vështirë, sepse, kjo penë e artë, nuk shkruan dosido, por laton me daltën e artistit profile luftëtarësh që me gjakun e tyre nderuan Dardaninë, dhe Ilirinë e tyre!
Libri “Dardania, mësim lirie” paralajmëron lindjen e një epoke të re, e cila do t’ia kthej emrin e vet Atdheut, emrin ILIRI. Një qasje vërtetë kombëtare për një epokë shqiptare.
Dortmund, 2024

Sot në Gazetën ExLibris- “Lulja e Vlorës”: Kujtimet e një gruaje hebreje në Shqipërinë e mikpritjes dhe solidaritetit- Nga Dr. Dorian Koçi

“Nuk ka asnjë gjurmë të diskriminimit kundër hebrenjve në Shqipëri, pasi Shqipëria është një nga vendet e rralla në Evropë sot ku paragjykimi dhe urrejtja racore nuk ekzistojnë, edhe nëse shqiptarët janë ndarë në tri besime.”
—Ambasadori amerikan në Shqipëri, Herman Bernstein, 1930-1933
Libri ‘Lulja e Vlorës’, i shkruar nga doktoresha Anna Kohen, është një rrëfim i rrallë dhe prekës për jetën e një gruaje hebreje të lindur në Vlorë, Shqipëri. Kohen na ofron një pasqyrë intime të jetës së saj në Shqipërinë komuniste dhe historinë e komunitetit hebre, duke sjellë një dritare për një kohë dhe vend të vështirë, që mbetet kryesisht i panjohur për lexuesit ndërkombëtarë. Ky libër, më shumë se një përmbledhje kujtimesh, është një testament për solidaritetin e jashtëzakonshëm të shqiptarëve ndaj hebrenjve, një marrëdhënie që ka kaluar përmes shekujve me histori të mbushura me sfida, por edhe me momente të jashtëzakonshme humanizmi
Anna Kohen kujton përjetimet e saj në një Shqipëri të izoluar nga pjesa tjetër e botës, por gjithashtu të ngrohtë dhe mikpritëse ndaj komunitetit të saj. Historia e familjes së Anna Kohen fillon në vitin 1938, kur prindërit e saj, së bashku me gjyshin dhe gjyshen, u vendosën në Shqipëri. Në atë kohë, ata u bashkuan me një komunitet të vogël hebrenjsh Romaniotë që kishin ardhur nga Janina dhe ishin vendosur në Vlorë. Ky komunitet, edhe pse i vogël në numër, kishte një kohezion të jashtëzakonshëm. Pas Luftës së Dytë Botërore,kur në Shqipëri u instalua regjimi komunist, familja Kohen, edhe pse shtetas grekë, nuk arriti të largohej nga Shqipëria, duke mbetur e bllokuar në këtë vend ku lindi dhe u rrit Anna së bashku me tre motrat e saj.
Ajo përshkruan jo vetëm sfidat e përditshme të jetës gjatë periudhës komuniste, por edhe aktet e vogla dhe të mëdha të dashamirësisë që karakterizuan marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe hebrenjve. Një ndër episodet më prekëse në libër lidhet me ruajtjen e identitetit hebre nga fqinjët shqiptarë, të cilët shpesh ndihmonin familjet hebreje të ruanin traditat dhe vlerat e tyre fetare, edhe kur rrezikonin vetë. Kohen sjell në kujtesë momente të vogla, si festime të fshehta të Pashkës hebraike, apo mbështetjen e fqinjëve për të fshehur simbolet hebraike gjatë kohës kur feja ishte ndaluar nga regjimi. Qyteti i Vlorës mbetet një monument i mikpritjes në kujtesën kolektive të shqiptarëve për hebrenjve në territoret shqiptare në shekullin e XV. Në shekullin e XV, 528 familje hebreje u vendosën në këtë qytet pas përndjekjes së inkuizicionit në Spanjë. Në shekullin e XVI, Vlora u shndërrua në një qendër shqiptaro-hebre, ku komunitetet bashkëjetuan në harmoni, duke ndarë jo vetëm hapësirat e banimit, por edhe ekonominë dhe kulturën. Në këtë periudhë, hebrenjtë sefarditë zhvilluan tregtinë me qytetet e bregut perëndimor të Adriatikut, duke përdorur portin strategjik të Vlorës. Kohen thekson se bashkësia hebreje e Vlorës ishte një nga më të mëdhatë në rajonin e Rumelisë, pas Selanikut, dhe kjo pasuri kulturore dhe ekonomike ndikoi pozitivisht në zhvillimin e qytetit. Libri është një dëshmi e rëndësishme e pranisë së komunitetit romaniot hebre në Shqipëri. Hebrenjtë Romaniotë, ndryshe nga herbenjtë Ashkenazi të Europës Qendrore dhe Lindore apo Sefarditët me origjinë nga Spanja dhe Portugalia, kishin një kulturë dhe histori unike, që shpesh është lënë në hije nga ngjarjet më të mëdha historike. Përmes kujtimeve të saj, Kohen shpjegon se ky grup hebrenjsh, përfshirë ata nga Janina, Vollosi dhe Kavalla, kishte ruajtur traditat e veta për shekuj me radhë. Në librin e saj, ajo ndan momentin kur, pas leximit të një libri në vitet ’80, kuptoi për herë të parë që ishte Romaniote, një fakt që e lidhte atë me një prej komuniteteve më të vjetër hebreje në rajon. Kjo reflektim ndihmon lexuesin të kuptojë më thellë ndërlikimet e identitetit hebraik dhe diversitetin brenda vetë kulturës hebreje.
Një pjesë thelbësore e librit i dedikohet periudhës së Luftës së Dytë Botërore, kur Shqipëria u bë një strehë për hebrenjtë që i shpëtuan Holokaustit. Anna Kohen përshkruan përpjekjet heroike të shqiptarëve për të mbrojtur hebrenjtë nga ndjekja naziste, duke i fshehur në shtëpitë e tyre dhe duke rrezikuar jetët për të siguruar mbijetesën e këtyre familjeve. Një shembull i prekshëm është strehimi i hebrenjve në fshatin Trevllazër të Vlorës. Familja e Kohen gjeti strehim në fshatin Trevllazër, në familjen Lazaj, ku u mbrojtën nga banorët myslimanë, të cilët ndanë gjithçka me ta. Familjet shqiptare aty jo vetëm që i strehuan hebrenjtë, por ndanë gjithçka që kishin me ta, duke treguar një solidaritet të jashtëzakonshëm. Këto akte të humanizmit janë dokumentuar edhe në arkivat ndërkombëtare, si në Muzeun Yad Vashem në Izrael, ku shqiptarët janë njohur si “Të Drejtët midis Kombeve.” Dokumentet e ruajtura në Muzeun e Holokaustit në Uashington dëshmojnë për këto përpjekje, me emrat e 2,264 hebrenjve të shpëtuar nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Këtë ndihmë dhe solidaritet të shqiptarëve me hebrenjtë e ka njohur edhe vetë komuniteti hebraik i Shqipërisë që në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, ku mes të tjerash spikat shkrimi i Inxhinierit hebre Samuel Mandili më 20 shkurt 1945 në Gazetën “Bashkimi”: “Të gjithë hebrenjtë që erdhën nga Shqipëria u shpëtuan falë mirësisë bujare të popullit shqiptar që e konsideronte detyrën morale për të mbrojtur të gjithë emigrantët e persekutuar në shtëpitë e tyre […] Qëndrimi i mrekullueshëm dhe fisnik i popullit shqiptar duhet të njihet sepse ata meritojnë të gjithë mirënjohjen e botës dhe të çdo njeriu të arsimuar […]
Libri ‘Lulja e Vlorës’ nuk është vetëm një rrëfim personal, por edhe një dokument historik që ndriçon një aspekt të rrallë të marrëdhënieve midis shqiptarëve dhe hebrenjve. Ai na jep një pasqyrë unike të solidaritetit dhe bashkëjetesës që u përballën me sfida të mëdha, duke përfshirë pushtimin nazist dhe diktaturën komuniste Për shqiptarët, ky libër është një kujtesë e virtyteve që kanë karakterizuar historinë e tyre: mikpritja, solidariteti dhe humanizmi. Ndërkohë, për komunitetin hebre, ai është një dëshmi e rëndësishme për një kapitull të ndritshëm në historinë e mbijetesës së tyre. Rëndësia e këtij libri pasqyrohet edhe në përpjekjet e sotme për të dokumentuar dhe përjetësuar këtë histori. Në Vlorë, po përfundon ndërtimi i Muzeut Hebraik, një projekt që synon të ruajë dhe të promovojë trashëgiminë hebreje në Shqipëri. Ky muze do të shërbejë jo vetëm si një qendër kujtese, por edhe si një urë midis brezave, duke ndriçuar vlerat universale të bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë. Në këtë kontekst libri i Dr Anna Kohen merr një rëndësi të veçantë pasi shërben si një dëshmi kryesore e jetës social hebraike në Vlorë deri në vitin 1966, vit në të cilin ajo largohet nga Shqipëria.
Dr Anna Kohen, përmes kujtimeve të saj, tregon jo vetëm për sfidat e së kaluarës, por edhe për fuqinë e shpirtit njerëzor për të kapërcyer vështirësitë. Pas largimit nga Shqipëria në vitin 1966, ajo vazhdoi studimet për stomatologji në Greqi dhe më pas u vendos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vitin 1991, me ndihmën e organizatave hebraike, ajo arriti të transferonte 37 anëtarë të familjes së saj në SHBA, një akt që pasqyron përkushtimin e saj ndaj familjes dhe komunitetit. Angazhimi i saj ndaj shqiptarëve nuk u ndal këtu. Si kryetare e organizatës së grave shqiptaro-amerikane “Motrat Qiriazi” për më shumë se 25 vjet, ajo ka organizuar aktivitete edukative dhe humanitare për shqiptarët në të gjithë botën. Gjatë krizës së Kosovës në vitin 1999, Kohen luajti një rol aktiv në ndihmën humanitare për refugjatët shqiptarë, duke demonstruar lidhjet e saj të thella me popullin shqiptar. Për këtë kontribut, në vitin 2004, ajo u nderua nga Presidenti i Shqipërisë me medaljen “Për Merita të Veçanta Civile.”
Libri ‘Lulja e Vlorës’ është një thirrje për të mos harruar të kaluarën dhe për të mësuar nga vlerat e solidaritetit dhe humanizmit që e karakterizojnë atë. Përmes një stili të thjeshtë dhe të ndjerë, Dr Anna Kohen i fton lexuesit në një udhëtim në kujtimet e saj, duke ndarë gëzimet, dhimbjet dhe shpresat e një kohe që ka kaluar, por që mbetet e gjallë në kujtesën e saj. Ky libër nuk është vetëm një testament për jetën e një gruaje të jashtëzakonshme, por edhe një monument për virtytet e një kombi që, pavarësisht sfidave, ka treguar gjithmonë anën më të mirë të njerëzimit. Për shqiptarët dhe hebrenjtë njëkohësisht, ai mbart një trashëgimi të çmuar, që frymëzon brezat për të ndërtuar ura të reja mirëkuptimi dhe bashkëpunimi në një botë gjithnjë e më të ndërlikuar.

Botohet libri nga Dhimitër Anagnosti “Treni ADN” me poezi, ese dhe meditime

Familja Anagnosti ka kënaqësinë që në prag të festave të fundvitit të prezantojë librin e sapo dalë nga shtypi të Dhimitër Anagnostit “Treni ADN” me poezi, ese dhe meditime.
Ështe një udhëtim emocionues në rrugët e jetës dhe të fundjetës.
Për momentin e gjeni në librarinë “tiranabook” tek sheshi “Willson”, në fillim të rrugës “Sami Frashëri” në Tiranë.
Në këtë librari do të gjeni dhe ribotimet e librave të Dhimitër Anagnostit: “Ulliri, pema e dhimbjes” dhe “Koburja nga Evropa”
Lexim të mbarë!

Dr. MUJË BUÇPAPAJ: RRUGËTIMI I DOSJES SË “KCIMIT TË TROPOJËS” PREJ VITIT 2016 DERI PRANIMIN NGA UNESKO, SI PJESË E LISTËS PËRFAQËSUESE TË TRASHËGIMISË KULTURORE JOMATERIALE TË NJERËZIMIT

Malsia e Gjakovës, një nga zonat më të famshme të trashëgimisë kulturore shpirtërore dhe materiale të kombit dhe të botës
“K’cimi i Tropojës” është pranuar dje, më 3 dhjetor 2024, si pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit nga UNESKO.
Tropoja, e njohur ndryshe edhe si “Malsia e Gjakovës, është një nga zonat më të famshme të trashëgimisë kulturore shpirtërore dhe materiale të vendit dhe botës. Qytetërimi i saj fillon prej antikitetit deri në ditët tona, duke qënë një thesar i rëndësishëm i popullit tonë.
Ajo me anë të këtij identiteti të fortë kulturor dëshiron t’i tregojë botës këtë trashëgimi unike si dhe të shprehë vetëdijen e ruajtjes dhe të vazhdimësisë së saj kulturore, historike në këtë fushë.
Pas një pune të gjatë këmbëngulëse dhe profesionale të një grupi pune të përbërë nga koreografi i mirënjohur Skëndër Haklaj, akademiku i shquar Vaso Tole, autori i këtyre radhëve si kordinator dhe bashkedrejtues i kosnferencës me zotin Skëndër Haklaj, prof. Shpend Bengu dhe studiuesi i folklorit i ndjeri Zog Hysenaj, u arrit që në dhjetor 2016 të mbahet në Tropojë, konferenca e parë shkencore rajonale për “Kcimet e Tropojës”, e cila hodhi një hap të rëndësishëm për t’i paraqitur Ministrisë së Kulturës propozimin për të shpallur “ Kcimin e bjeshkës me tupan, të Tropojës”, si “Kryevepër të Trashëgimisë Shpirtërore, Kombëtare.”
Qendra Kulturore Nacional dhe gazeta letrare dhe kulturore “Nacional”, me Shoqatën “Kcimi i Tropojës”, në bashkëpunim me Bashkinë e Tropojës, me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Ministrinë e Kulturës dhe Ministrinë e Arsimit, Qëndren e Studimeve Albanalogjike Tiranë dhe Institutin e Studimeve Albanologjike Prishtinë,”, organizuam me sukses Konferencën e Parë Kombëtare, “Kcimet si thurimë e ritualeve të jetës dhe trashëgimisë shpirtërore në Tropojë”. Konferenca dedikuar tërësisht kcimeve të Malsisë së Gjakovës u mbajt në mjediset e Muzeut Historik, Bajram Curri prej 15-16 dhjetor 2016.
Konferenca kishte për objektiv të sillte praktikat më të mira si dhe qasjen e tyre, përfshirë zhvillimin e politikave të përshtatshme për ruajtjen e trashëgimisë jomateriale dhe materiale në Tropojë, duke gjeneruar përgjigje konkrete për nevojën vendimtare për ruajtjen, konservimin dhe prezentimin ne nivel kombëtar dhe ndërkombëtar të këtyre vlerave të trashëgimisë shpirtërore.
Qëllimi përfundimtar i Konferences ishte për të sjellë së bashku sa më shumë aktorë që të jetë e mundur, nga institucionet Qeveritare (qendrore dhe lokale), nga institucionet kërkimore dhe shkenore të vendit, nga menaxhuesit e trashëgimisë kulturore, etj, në mënyrë që të arrihet një nivel sa më i lartë i mirëkuptimit të ndërsjellë për nevojat, kërkesat dhe mjetet financiare e teknike për mbrojtjen, ruajtjen, konservimin, dokumentimin dhe prezentimin e trashëgimisë kulturore, të kësaj treve të begatë të kombit tonë, sic konsiderohet Tropoja.
Konferenca në të gjitha kumtesat, si dhe konkluzionet e saj, i rekomondoi zonjës Mirela Kumbaro, Ministre e Kulturës dhe Komitetit Kombëtar të Trashëgimisë Shpirtërore, pranë Ministrisë së Kulturës për të shpallur: “ Kcimin e bjeshkës me tupan, të Tropojës”, si “Kryevepër e trashëgimisë shpirtërore, kombëtare.”
Në pranverën e vitit 2017 unë, Skënder Haklaj, Rovena Vata e Zog Hysenaj, plotësuam gjithë dosjen e nevojshme për aplikim në Ministrinë e Kulturës, duke ja vënë në dispozicion bashkisë së Tropojës për ta dorëzuar në ministri, me qëllim për t’i dhënë vlerat e një përfaqësimi qytetar.
Po në vitin 2017 bashkia e Tropojës, i paraqiti zyrtarisht ministrisë së Kulturës propozimin për të shpallur: “ Kcimin e bjeshkës me tupan, të Tropojës”, si “Kryevepër e Trashëgimisë Shpirtërore, Kombëtare,” bashkë me dosjen përkatëse shkencore të përgaditur nga shkenctarët më të mirë shqiptarë të fushës: Studiuesi i shquar Prof. Dr. Ramazan Bogdani, studiuesi i mirënjiohur Prof. Dr. Anton Papleka, Akademiku i mirënjohur Prof. Dr. Gjovalin Shkurtaj, Prof. Dr. Zymer Neziri,” Prof. Dr. Agron Xhakolli, Prof. Dr. Bashkim Lajci , prof. dr. Vaso Tole, Prof. Dr. Shpend Bengu, Dr. Rovena Vata, muzikanti i njohur Kolë Susaj, koreografi i mirënjohur Arjan Subashi, koreografi dhe studiuesi i mirenjohur Skënder Haklaj, poeti dhe studiuesi i njohur, dr. Mujë Buçpapaj, autor i ketij shkrimi.
– Me datë 25 maj 2018 Ministria e Kulturës e Shqipërisë , përkatësisht, Komiteti Kombëtar i Trashëgimisë Shpirtërore, shpalli “ Kcimin e bjeshkës me tupan, të Tropojës”, si “Kryevepër të Trashëgimisë Shpirtërore, Kombëtare.”
Ky ishte një hap tjetër për të vijuar aplikimin për në UNESCO.
-Më 14 gusht 2020, Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Jo Materiale vendosi për të kandiduar “Kcimin e bjeshkës me tupan të Tropojës”, si “Kryevepra të trashëgimisë shpirtërore të njerëzimit”, nën mbrojtjen e UNESCO-s.Lajmin e pati bërë të ditur ministrja e radhës Kulturës, Elva Margariti, ndërsa vlerësoi ritmet marramendëse, energjinë shpërthyese dhe ngjyrat e këtij kërcimi.
Për përgatitijen e dosjes për UNESKO përsëri koreografi Skëndër Haklaj pati rol vendimtar për dokumentimin dhe plotësimin e dosjes duke përfshirë hulumtime në terren, krijimin e një përshkrimi të detajuar të elementit, mbledhjen e materialeve arkivore dhe dëshmive nga komuniteti dhe të gjitha me shpenzimet e veta, të familjes dhe të miqve të tij.
– Me 3 dhjetor 2024, pas vlerësimit pozitiv nga Organizmi i Vlerësimit të UNESCO-s, gjatë sesionit të 19-të të Komitetit Ndërqeveritar për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, në Asuncion, Paraguaj, “K’cimi i Tropojës” është pranuar si pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit. Lajmin e bëri të ditur ministri i Kulturës Blendi Gonxhe i cili tha me këtë rast se “K’cimi i Tropojës”, është një vallëzim i njohur festiv shqiptar me vlera universale.
2
Plot tetë vjet prej fillimit të punës tonë për Kcimin e Tropojës, kemi një përgjigje të shumëpritur dhe të merituar.
Është një moment vlerësimi dhe homazhi për disa breza kërcimtarësh të Tropojës që e ruajtën për shkeuj me radhë këtë vlerë të njerëzimit të pa prekur, origjinale dhe kaq vitale edhe në kohërat moderne.
Ne jemi duke jetuar një periudhë që karakterizohet nga ndryshime radikale në shoqëri, në mënyrën e jetesës, në teknologji dhe në kulturë e cila mbetet një sfidë për shoqërinë dhe trashëgiminë tonë kulturore, gjithnjë dhe më shpesh e kërcënuar, e cila mbetët një obligim për të gjithë ne për ta ruajtuar sidomos për femijët dhe të rinjtë shqiptarë.
Projekti ynë vinte në frymën e ligjeve të Bashkimit Europian, të UNSKO-së dhe atyre kombëtare, konkretisht të ligjit Nr. 9490, datë 13.3. 2006 “Për ratifikimin e Konventës për Ruajtjen e trashëgimisë Kulturore jo materiale”, Paris 2003, Ligjit Nr. 9048 datë 07.4. 2003 “Për Trashëgiminë Kulturore” si dhe akteve të tjera ligjore dhe nënligjore me objekt ruajtjen e trashëgimisë kulturore në Republikën e Shqipërisë.
UNESCO posaçërisht qysh nga Konventa e vitit 2003 thekson rëndësinë e trashëgimisë kulturore jomateriale si një garanci e zhvillimit të qëndrueshëm.
Miratimi i kësaj Konvente u bë një moment historik në zhvillimin e politikave ndërkombëtare për promovimin e diversitetit kulturor, ku për herë të parë komuniteti ndërkombëtar kishte njohur nevojën për të mbështetur llojin e manifestimeve dhe shprehjeve kulturore që deri atëherë nuk e kishte përfituar nga programet e UNIKO-s si një pjesë e madhe e Kuadrit ligjor dhe programor.
-Ne si grup studiuesish kemi propozuar që në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve, bazuar edhe në disa praktika ndërkombëtare, në shkollat 9 – vjeçare dhe të mesme të rrethit Tropojë, të realizohet përfshirja në programin mësimor të disa elemëntëve të trashëgimisë kulturore të Tropojës si “Kcimi i vënit” , por edhe njohja me disa rite, zakone dhe tradita etj, që konsiderohen nga ne si vlerë e trashëgimisë tonë kulturore në rrezik zhdukje, por edhe si trashëgimi botërore që duhet përcjellë për brezat që vijnë.
Kjo gjë mund të realizohet në përputhje me programin e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve për arsimin parauniversitar.
-Po kështu prashikohet edhe organizimi i konkurseve në shkolla, të cilat mëndohet se do të ndikojnë në rritjen e informimit të kësaj grupmoshe me këtë trashëgimi, por edhe për formimin e koncepteve të drejta për ruajtjen e trashëgimisë kulturore jomateriale dhe materiale në Tropojë.
Këto konkurse, të shoqëruara edhe me biseda nga ekspertë të fushës, do të fokusohen përveç të tjerash edhe në në temën e rëndësisë së trashëgimisë kulturore jomateriale në zhvillim e qëndrueshëm të rajonit.
Qellime të tjera:
• Rritja e ndërgjegjësimit të nxenësve, të të rinjëve dhe komunitetit për çështjet e ruajtjes së Trashëgimisë Kulturore Jomateriale dhe Materiale në Tropojë.
• Përshtatja graduale e kurrikulave mesimore në të gjitha nivelet e arsimimit, në Tropojë, duke përfshire në to edhe tëmat e “Kcimit të vendit” si orë mësimore përfshirë mësimi për ritet, zakonet, zejtarinë tradionale etj.
• Të të kuptuarit më mire të marrëdhënieve në mes të trashëgimisë kulturore jomateriale e materiale, si dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, në zbutjen e varfërisë, fuqizimin e komunitetit, rinovimit urban, arsim, etj, për të fuqizuar OJQ në rreth nëpërmjet shkëmbimit të informacionit të dobishëm në aktivitetet e tyre, dhe për të forcuar rrjetet e OJQ-ve në Tropojë.
• Hartimi i një liste me vepra të trashëgimisë kulturore jomateriale dhe material origjinale të trevës së Tropojës që mund të propozohen për Listën e Trashëgimisë Botërore jo materiale, si vlerë e njerëzimit.
• Krijimi i një koncepti të qëndrueshëm se asnjë zhvillim nuk mund të jetë i qëndrueshëm pa një komponent të fortë të kulturës. Në të vërtetë vetëm një qasje e njeriut në qendër të zhvillimit të bazuar në respektin e ndërsjellë dhe dialogut të hapur ndërmjet kulturave mund të çojë në rezultatete përfshirëse dhe të drejta kulturore, për të parë kulturën si një ekuacion zhvillimi.
Pritshmëritë:
Pritshmeritë nga futja e “ Kcimit të bjeshkës me tupan, të Tropojës”, si “Kryevepër e trashëgimisë shpirtërore, të mjerëzimit” të mbrojtur nga UNESCO, do të jenë pozitive.
Edukimi dhe informimi i brezit të ri është themelor në ruajtjen e trashëgimisë kulturore në një vend. Eksperienca botërore ka treguar rezultate të dukshme dhe realiste në këtë drejtim. Ajo cka synohet të arihet nëpërmjet kësaj arritje të madhe janë:
 Përcaktimi i roleve dhe i përgjegjësive që kanë Institucionet Arsimore, Kulturore, se bashku më ministritë përkatëse dhe autoritete lokale, lidhur me zbatimin e politikave të ruajtjës së trashëgimisë materiale dhe jomateriale kulturore.
-Zhvillimi i kurrikulave mesimore në të gjitha nivelet e arsimimit, duke përfshire në to edhe temat të vecanta të kësaj trashëgimie.
-Fushata periodike ndërgjegjësimi që bazohen në krijimtarinë e zhvilluar nga vetë nxënësit. Fëmijëve dhe familjeve të tyre duhet t’u përcillen mesazhe të qarta duke përfshirë, për shëmbull organizmin e “Ditëve të trashëgimisë kulturore” në secilën shkollë.Një praktikë kjo që nxitet edhe nga ministria e Arsimit dhe Sporteve.
PËRGJEGJËSITË
Bashkia Tropojë:
• Në bashkëpunim me DAR, duhet të organizojë veprrimtarinë “Ditët e trashëgimisë kulturore” në secilën shkollë të rrethit, me biseda, ekspozita dhe paraqitje të artefakteve.
* Ministria e Ministria e Arsimit dhe Sportit si dhe DAR marrin përsipër:
– Dhenia e lejes për venien në dispozion të ambjenteve të shkollave;
– Disponueshmërinë e mesuesve të letërsisë për të organizuar konkurset në shkolla për trashëgiminë materiale dhe jo materiale të Tropojës si dhe organizimin e tyre;
– Ministria e Arsimit dhe Drejtoria Rajonale Arsimore, do të mundësojnë dhe disponibilitetin e inspektorit të aktiviteteve kulturore për të përmbyllur me sukses gjithë këtë aktivitet.
*Bashkia Tropojë, Ministria e Kulturës dhe MAS marrin përispër bashkarisht fushatën publicitare në mediat lokale dhe kombëtare.
Ministria e Kulturës
-Vë në dispozicion ekspertët e saj për të dhënien e shërbimeve këshilluese rreth politikave në fushën e trashëgimisë kulturore jomateriale, për ofrimin e trajnimit dhe këshillimin e shërbimeve sipas programit botëror të UNESKO-s, të ndërtimit të kapaciteteve.
-Në bashkëpunim me MAS organizon dhe drejton zhvillimin e seminareve në shkolla me titull “Zhvillimi i politikave në fushën e trashëgimisë kulturore jomateriale në vënd dhe në Tropojë”, me qellim nxitjen konstruktive të metodave për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
– Ndërton në bashkëpunim me Bashkinë e Tropojës një sërë bisedash në mediat lokale dhe në shkolla me tematikë: Çfarë është zhvillimi i politikave për ruajtjen e trashëgimisë kulturore jomateriale? Cilat janë nevojat e Tropojës në këtë fushë? Si përshtatet kjo trashëgimi në programin global të UNESCO-ndërtimit të kapaciteteve për zbatimin e Konventës së vitit 2003 dhe legjislacionit të vendit ?
– Bashkëpunim me UNESCO-n, nëpërmjet zyrave të saj përgjegjëse për të drejtuar koordinimin e programit në rajon si dhe të qënë e pranishme në ecurinë e tij në terren.
-Është një ndërmjetëse mes komunitetit vendas të Tropojës dhe qeverisë, për të përcaktuar masat dhe aktivitetet e tyre, për të ndërtuar një rrjet të vitalizimit të aktiviteteve të tyre, për ruajtjen dhe për zhvillimin e qëndrueshëm të kësaj trashegime të papërseritshme kulturore në rrezik.
-Të informojë opinion vendas dhe institucionet ndërkombëtare duke vlerësuar rolin e rëndësishëm të medias me autoritetet kombëtare për të rritur ndërgjegjësimin e publikut dhe vlerësimin e trashëgimisë kulturore jomateriale, e materiale për të inkurajuar dialogun ndërkombëtar dhe kohezionit social nëpërmjet trashëgimisë kulturore jomateriale e materiale për zhvillimin paqësor dhe të qëndrueshëm.
Në këtë ditë të gëzuar për të gjtihë shqiptarët, u shpreh mirënjohjen time të gjithë atyre që punuan për këtë projekt të rëndësishëm kombëtar, përfshirë Bashkinë Tropojë, Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Ministrinë e Kulturës dhe Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë, Qendren e Studimeve Albanalogjike Tiranë dhe Institutin e Studimeve Albanalogjike Prishtinë, Qendren e Kulturës dhe Arteve Nacional, shoqatës “kcimi i Tropojës” etj.
Trashëgimia përbën një burim të identitetit dhe kohezionit kombëtar, një trashëgimi e ndërprerë apo e rrezikuar të zhduket nga ndryshimet marramendëse teknologjike dhe sociale e shoqërore, si dhe jostabiliteti ekonomik është një humbje e kombëtare për sot dhe të ardhmen.
Kreativiteti kulturor i bazuar tek trashegimia kontribuon në ndërtimin e shoqërive të hapura, gjithëpërfshirëse dhe pluraliste. Të dy trashëgimitë materiale dhe shpirtërore të kulturës dhe krijimtarisë mbajnë themelet e jetës tonë, të gjallë dhe të begatë si dhe krejt shoqërive të dijes.

Send this to a friend