Pamje nga opera ‘Goca e Kaçanikut’
Opera ‘Goca e Kaçaniku” do të shfaqet nesër, më 10.02.2026, në Shkup.
Shfaqja do të jepet në ora 19:30 në Operën e Baletit Kombëtar të Maqedonisë së Veriut.
Opera “Goca e Kaçanikut” është realizuar nga Opera e Kosovës në bashkëpunim me Baletin Kombëtar të Kosovës (BKK).
Opera e Kosovës ka njoftuar se prezantimi i operës “Goca e Kaçanikut” në Shkup realizohet me ftesë së kryetarit Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
“Goca e Kaçanikut” trajton motive që lidhen me periudha dhe ngjarje të rëndësishme historike.
Prezantimi i saj në Shkup shihet si një kontribut në rikujtimin dhe aktualizimin e kujtesës historike të përbashkët, duke e transformuar skenën operistike në një hapësirë reflektimi mbi sakrificën, identitetin dhe vazhdimësinë historike.
Akt simbolik i kujtesës historike shqiptare
Meriton Ferizi, ushtrues i detyrës së drejtorit të Operës së Kosovës, ka thënë për KALLXO.com se shfaqja e kësaj opere në Shkup do të bëhet në kuadër të shënimit të Pavarësisë së Kosovës, më 17.02.2026.
Ferizi ka thënë se prezantimi i operës “Goca e Kaçanikut” në Shkup ka një peshë të veçantë artistike, kulturore dhe kombëtare. Sipas tij, kjo vepër nuk është vetëm një realizim skenik, por një akt simbolik i unitetit kulturor mes shqiptarëve të Kosovës dhe atyre në Maqedoninë e Veriut.
“Opera si formë e lartë e artit muzikor-skenik, bëhet medium i fuqishëm për të afirmuar identitetin kombëtar dhe për të forcuar lidhjet shpirtërore ndërmjet komuniteteve që ndajnë të njëjtën trashëgimi gjuhësore e kulturore”- ka thënë Ferizi.
Kreshnik Musolli, ushtrues i detyrës së drejtorit të BKK-së thotë për KALLXO.com se baleti ka një rol kyç në strukturën dramaturgjike të shfaqjes, duke hapur uverturën e operës përmes një blloku koreografik që përmbledh dhe parathotë pothuajse të gjithë ngjarjen që do të shpaloset më pas në vazhdim të veprës.
“Përmes gjuhës së lëvizjes paraqitet mbledhja e burrave për mbrojtjen e vendit, figura e grave shqiptare të gatshme për sakrificë dhe qëndresë, historia e dashurisë së çiftit Pafika–Trimori, si dhe kulmi dramatik: fitorja mbi armikun. Në fund, baleti rikthehet si simbol i festës së madhe popullore me rastin e çlirimit të vendit nga okupatori osman, gjithnjë në përputhje me sinopsisin e operës ‘Goca e Kaçanikut’”- ka thënë ai.
Opera “Goca e Kaçanikut’ u shfaq premierë më 23.02.2024 që ishte edhe shfaqja e parë në Kosovës gjysmë shekulli pas krijimit të saj. Por, në Shqipëri, kjo operë është dhënë për herë të parë në vitin 1978.
Pas premierës në Prishtinë, me 23.02.2024, kjo operë u shfaq në nëntor të atij viti në Tiranë.
E krijuar në fillim të viteve 1970, nga Rauf Dhomi, opera “Goca e Kaçanikut” shpalosë luftën kundër pushtuesve osmanë në anën e Kaçanikut dhe dashurinë e dy të rinjve: Trimorit dhe Pafikës.
“Goca e Kaçanikut”, operë në dy akte dhe tri tablo, është opera e parë kosovare, e kompozuar nga akademik Rauf Dhomi me libret Ajmone Dhomi dhe Jusuf Buxhovi./kallzo.com
