( 28.02. 2026 Holli Koncrtor i TKOB dhe AP)
Pianisti Amir Xhakoviq, tashmë është konfirmuar si një muzikant shumë i talentuar i brezit të ri.
Me individualitet të spikatur,që karakterizohet nga koherenca e thellësisë së përjetimit të mendimit muzikor, nga potenca e energjisë së shprehjes artistike, virtuoziteti, aftësia komunikuese dhe një ekuilibër me sens mase ndërmjet intuitës muzikore dhe intelektit.
Cilësi që u përshfaqën dukshëm në natën e mbrëmshme.
Koncerti filloi me Suitën për Piano Op. 27 ” Barokjare”të kompozitorit Aleksandër Peçi.
Interpretimi u përqëndrua në zbulimin e anës poetike të veprës, duke treguar kujdes, nënvizimin emocional intonativ të melosit të ngrohtë të jareve shkodrane , gërshetuar bukur me stilizimin e tyre me teknikën baroke zbukuruese. Një ligjërim tingujsh që evokonin një emocion nostalgjik të vetëpërmbajtur, të kujdesshëm në përshtatje me zhanrin.
Vepra e dytë ishte interpretimi i Suitë për piano Op.27 – në La maxhor të kompozitorit Maqedonas Tomislav Zagrofski.
Ky kompozitor përfaqëson gjeneratën e krijuesve të vitit 1960, që u kujdesën të afronin qëndrimet muzikore kombëtare me rrjedhat kryesore botërore. I pari që gërshetoi karakteristikat stilistike të Neoklasicizmit në muzikën mqedonase. Krijimtaria e tij përfshin rreth 160 vepra të gjinive të ndryshme orkestrale, vokale instrumentale, muzikë filmash etj.
Suita për piano është nga veprat e rëndësishme në repertorin pianistik maqedonas. Struktura e saj është organizuar në pesë seksione tematike me kontrast të theksuara emocionale, ku kompozitori kombinon ndikimet historike, veçanërisht atë të Barokut të vonë dhe të periudhës së parë Klasike e herpasëherëshme me atë të stilizimit e ndikimit intonativ maqedonas në mënyrë krijuese.
Në seksionin e parë Sinfonia-Allegro, pianisti theksoi me ndjeshmëri të thellë natyrën madhështore të karakterit romantik. Intermezzo, seksioni i dytë, në përshtatje me idenë e veprës ai nënvizoi stilin e vonë Barok me një teknikë brilante. Krejt në konrast emocional u trajtua lëvizja e seksionit të tretë, Passaggio – Alla breve leggerio, karakterizuar nga linja melodike emocionale ngjyrosur në mënyrë elegjiake. Këtu interpretimi u karakterizua nga një kujdes i shtuar, kontroll i vëmendshëm, dinamik e frazim ekspresiv. Në këtë seksion ndikimi i ndërthyerjeve të stileve barok e klasik u trajtua në mënyrë fluide dhe zhvillim dinamik gradual.
Romanza- Andantino, seksioni i katërt, Xhakoviq-i transmetoi qetësinë e linjave melodike, duke trajtuar butësisht karakterin e tyre vokal, që në mënyrë indirekte intonacioni kombëtar i stilizuar më nxiti fantazinë për të shijuar agun e një dite të bukur në natyrë, freskinë dhe ndriçimin e rrezeve diellore. Seksioni i fundit, Finale- Allegro, kompozitori rikthen materialin tematik hyrës, që pianisti e interpretoi gjithë energji e patos emocional duke bashkuar me koherencë gjithë suitën dhe kombinimin e ” udhëtimit” të kompozitorit nëpër stile të ndryshme krijuese.
Pas këtyre dy veprave të para koncerti vijoi me interpretimin e Sonata nr. 32. Op 111 në do minor- Ludwik von Beethoven.
U kompozua ndërmjet viteve 1821- 1822, në një periudhë të vonë të krijimtarisë së tij, plotësisht në gjëndje të shurdhërisë së plotë dhe izolimit social, gjë që muzikakisht gjeti pasqyrim të admirueshëm si emocion. Cilësuar nga botuesit dhe publiku si vepra e fundit në këtë gjini. Ashtu si dhe në veprat e tjera të kësaj kohe idetë muzikore të saj trajtojnë tema filozofike dhe mjaft shpirtërore, duke arritur kulme dramatike të pa shprehura më parë, sepse përfaqëson pikën kulmore të reflektimit të tij mbi jetën dhe artin. Këtu kompozitori thyen normat e strukturës klasike duke eksperimentuar me mjetet e gjuhës muzikore. kërkime të reja harmonike, metrike e ritmike.
Pianisti tregoi gjithë bengraundin e formimit të tij profesional, intelektual, dhe shpirtëror duke e trajtuar të gjithë kohën e parë, Maestozo- Allegro e con brio ed appasionato, me një frymë virtuoze e në mënyrë të thellë dramatike, duke pasqyruar me qëndrimin e mbajtur maksimimumin e revoltës e luftën e brendëshme shpirtërore ndaj fatit. Me një koherencë bindëse e rriti deri në fund logjikshëm tensionin dramatik, shpesh me kulme agresive, duke e mbajtur gjithë kohës vëmendjen e publikut të tërhqur të cilin e la gati ” pa frymë”.
Ajo që më tërhoqi ishte kjartësia e shprehjes emocionale dhe orientimi gati gati me konkretësinë e fjalës në kuptimin konceptual dhe strukturor, sa të dukej se, pas tingujve ishte analisti që shpjegonte e udhëhiqte, kaq qartë dhe me vend paraqitjen e materialeve tematikë.
Koha e dytë Arietta- Adagio molto semplice e cantabile, ndryshe nga qëndrimi i kritikëve për t’u trajtuar shumë thjesht pa dramacitet, pianisti nuk e çliroi plotësisht nga atmosfera emocionale dramatike e kohës së parë, kur paraqiti temën e parë me karakter vokal, lirik të qetë . Në variacionin e parë, kështu zhvillohet kjo temë, ndihet në planin filozofik dorëzimi ndaj fatit dhe paqja që të jep pranimi. Në koherecë të plotë me konceptimin e tij pianisti dalloi për një ekuilibër gati brilant daj melodisë dhe raportit me harmoninë mbështetëse, por ende ndihej hera herës lufta e brendëshme shpirtërore ndaj fatit dhe pranimit. Në variacionet e karakterit instrumental Gjakoviq nxori në pah aftësitë e tij teknike vituoze, por edhe në këto raste ndihej kujdesi ndaj kontrasteve emocionale dhe ecurisë në kontekstin e përgjithshëm si një e tërë drejt arritjeve kulmimante të zhvillimit. Moment shumë i bukur i këtij interpretimi ishte edhe variacioni i fundit me trilet e vazhdueshme që u trajtuan me finesë , jo në funksion zbukurimi por si mbështetje frymëmarrjeje në paraqitjen e temës.
Në këtë konceptim personal, që në tërësinë e veprës e justifikojë veten mendoj se pianisti duhej të përdorte më shumë kontraste dinamike veçanërisht përdorimin e dinamikës piano. Mbizotëronte dinamika forte ndërkohë që tek Arietta,Beethoveni pas dramës gjen paqe, dorëzim dritë. Ajo konsiderohet nga kritika si koral i pastër, i përjetshëm metafizik, që buron nga një gjendje dorëzimi e pajtimi.
Après une lekture du Dante: Fantazi quasi Sonata, Franc Liszt, ishte interpretimi i fundit në program.
Frymëzuar nga Komedia Hyjnore kompozitori krijon një udhëtim emocional shpirtëror nga errësira e ferrit ku lahen mëkatet e dashurisë
së dënuar, përshfaqur me një atmosferë dramatike pothuajse apokaliptike kërcënuese drejt ndriçimit të parajsës.
Kjo vepër nuk është konceptuar sipas strukturës së sonatës klasike, por një fantazi- sonatë programatike, ku muzika ndjek idetë poetike dhe filozofike të Dante-s.
Në litaraturën pianistike ajo zë vend si sonata më e vështirë, jo vetëm në krijimtarinë e Liszt-it, por në të gjithë repertorin romantik , si për konceptimin e ideve muzikore, po ashtu edhe për realizimin teknik.
Ndaj ndoshta mendoj që pianistët shqiptarë s’kanë guxuar t’i qasen, e në se nuk gaboj, interpretimi i Xhakoviq-it ishte premierë në skenën shqiptare.
U kompozua rreth viteve 1849- 1856, periudhë ku kompozitori tërhiqet përkohësisht nga impenjimi koncertal në europë, si pianisti më virtuoz i kësaj perizdhe, duke iu përkushtuar kompozimit të veprave me program, ndikuar nga idetë poetike e filozofike letrare.
Këtu pianisti kulmoi me një interpretim virtuoz, plot kontraste dinamike e dramatike por dhe momente të bukura e të ndjera lirike ,duke përshfaqur potencën e lojës, sigurinë e zotërimit, thellësinë bindëse në koherencën e zhvillimit dhe shpalosjen e ideve estetike muzikore.
Dante Sonata është vija e demarkocionit, ku jo të gjithë pianistët guxojnë ta ” shkelin”
Në këtë koncert Xhakoviq, jo vetëm guxoi, por dhe i sfidoi vështirësitë me sukses, madje ndonëse programi bazohej në vepra pretenduese e gjini si sonata, që kërkon një publik të specializuar për t’u ndjekur, ai i zakonshëm i kësaj mbrëmjeje muzikore e ndoqi me shumë interes dhe e duartrokiti gjatë.
Në mbyllje do t’i sugjeroja seicilit interpretues instrumentist apo vokal të marrin parasysh për gjatë provave kushtet akustike të hollit, që nuk janë të favorshme për kualitetin e tingullit. Ndaj të bëjnë kujdes në kontrollin e dinamikave kryesisht atë forte dhe frekuencave të tingullit, pasi fortisim vjen e zhurshme në veshin e dëgjuesit , për t’iu përgjigjur këtyre kushteve.

I.Dema. 3. 03. 2026.