VJESHTË A FILLIM DIMNI
T’verdhat e plepit para shpis teme
Shpirtit tem po shkunden pikllime t’zbehta,
Përndritjet e funit pa frymë kputen n’heshtje
Ku shuhen pastaj,
N’vjeshtë a fillim dimni.
Nji gjysmë ftoi i ngranë,
Flakë anash udhës
Mi gazeta t’vjetra, shkelë e stërshkelë,
Rrotat e makinës,
Ah këto dreq frenash,
Përgjakin t’dielën dëshirën e prehjes.
Gjethe t’verdha,
Kalamendje e zbrazët,
Ene pak nalt, ene pak pezull…
T’qëndrosh a t’biesh –
Vramendja e stinës
Aspak s’e ndryshon vendimin e qiejve.
Si unë kqyr dielli shtatet e zhveshme.
Dhimjet e holla t’degëve,
Rremat e kaltër,
Treten,
Harrohen pa i pa askush
T’humin n’ajrin e qetë t’pasdites,
Sa t’merr malli për erën e mjegullën…
MALET JANË GJITHKUN
Malet janë gjithkun, para dhe mas meje,
T’hutuem prej dritës, ditët ngjajnë
Kaq t’pavëmendshëm,
Gjujt e prrojve t’thamë
Sikur i luten qiellit.
Putrat e natës mshteten n’truellin
Ku me përndezje syshë ngrehen pusitë
E ditës,
Rrathët e hanës plotë honeve
Derdhin mrekulli kërcënimi.
Malet janë gjithkun, para dhe mas meje,
N’veshjezhveshjen e motit,
Shkreptimën e reve,
Kurriz harkuem e t’çatalluem
Shkrepash. Zoti i verbtë
Përplaset si n’jerm sa n’ nji brijë
N’tjetrën.
Para dhe mas meje
Përhidhet vjedhtas jeta
Sa mezi e shoh n’shpatull.
Si drenushës,
Brinat e kohës mërthehen
Mas degshë.
Asnjë kamë përpara,
Por as prapa s’kthehesh.
Rrufeja ngrin, s’ka
Ulurimë ujku, as rënkim t’pritshëm
Gjaku t’ngroftë,
Presin me le andrra
Nji turmë pret kosën e mortjes,
Po jeta e gjen shtegun e ikjes
Botës tjetër ku gjithçka asht ndryshe.
Malet janë gjithkun, para dhe mas meje,
S’dihet kur u ngulën,
Ku duen me shkue
N’viset ku ikjet dhe ardhjet vështrohen,
Ku avullohet
A shkrin harkut t’vetllave,
Ku përdridhet e rrxohet për mue nji gjethe,
Plagë e verdhë ta ndezë qetsinë teme
T’digjem s’paku,
T’ndjej paksa dhimjen.
Malet janë gjithkun, para dhe mas meje
Ndërrohen ernat,
Mjegullat.
Bora e re shtron mi t’vjetrën.
T’blertën man bredhi,
Atje ku si drutë e preme
Stivohen shekujt,
Hingllima e shpata
T’veja shahen e shkulen për floksh.
Si gur mi gur, kobi,
Piramida e plojës –
Pa gojë e klithma drejt qiellit.
Mund t’lahesh n’t’njajtin ujë
Sa herë t’duesh,
T’flasësh vetë me Heraklitin…
Po truelli i kujtesës
I shkretë metet,
Askush nuk ngjitet,
Nuk mundet.
Lutje e thoj dëshprimi
S’të bahen flatra…
Veç savani i bardhë i borës
N’pasqyrë sheh vetveten,
Zbardhet.
Malet janë gjithkun, para dhe mas meje
Gjamën kanë për emën.
Fjalën e amël
Truejnë sa del buzve t’tamlit
Humnera bahet kodër e kodra
Humon n’bark t’dhevit,
Soji i thneglave
Gjithë verën e lume kullot
Flakët e ferrit
E dimnit sheh parajsën andërr
Malet janë gjithkun, para dhe mas meje
S’dihet kur u ngulën,
Ku duen me shkue
N’viset ku pritjet dhe përcjelljet urohen,
Ku avullohet
A shkrin harkut t’vetllave,
Ku vjeshta e rrëzon për mue nji gjethe
Plag’ e verdhë e ndezë qetsinë teme
Digjem s’paku,
E ndjej paksa dhimjen.
ETJA
Me gurin Cerber n’qafë
Lodhet etja pas Kroit t’Bardhë
Dhe gjen gjithnji Kroin e Kuq
NJI LUGHIJE
M’duhet nji lughije,
Bar a lule,
Gjeth i njomë
Ku ta përplas shkamin tem
Pa kërkue ndjesë.
T’ngulem atje,
T’fle
Andrrën e livadhit t’paprekun.
Përroit t’vogël t’gjumit,
Turbullirës s’amël,
Mos t’shoh si drujzohem,
Gurzohem,
Paqes t’heshtun.
Mos t’më shohin dreqnit e parajsës,
Brinat e engjëjve…
M’duhet nji lughije, hije
Këndelljesh,
Bisqe aromash,
Valë që lajnë përherë ranën.
TI HAP HERË PAS HERE
Ti hap herë pas here derën e harresës,
Për t’më kujtue gjithnji ekzistencën e zanave,
Shtatore t’ngrime Adamësh,
Metë pa gojë prej teje.
Ka ngri tash lëvizja nëpër arteriet e qytetit,
Zhurmat dhe grimcat e pluhnit pezull kanë metë…
Gjethja e shkëputme prej degës ka shtangë,
Si goja e djalit që qeshi,
Meti haptë.
Tullat nuk shkuen tek muri,
As ranë prej tij,
Plumat e vdekjes metën n’ajër.
Vetëm ti je para meje,
Heshta jote m’ka shpue edhe kur t’kam harrue.
Vjen t’më përmendësh se jam ende n’jetë
I aftë t’thithem prej teje.
I shituem prej syve n’pikë t’drekës,
Mesnatës,
Ti je mëngjesi jem,
Darka jeme e vorfun.
NJI QERRE
Nji qerre n’pasqyrën e syve,
Qiejve t’dridhshëm
Si gjethet e plepishtes buzë rrugës.
Zbardhja e beftë e dhamit t’dhimjes
Mes kremit t’fjalëve.
Nji qerre
N’pikë t’drekës së shtrime plazheve përvëluese.
Loja e përjetshme e ujit me bregun,
Sulm e tërheqje,
Rrota e fatit
N’dorën e ngashnjimit t’fmijës,
Fanitja e muzgut
N’mëngjezin e qelqtë, t’thërmuem prej erës.
Nji qerre,
Shtegtim i krojeve n’andrrën
E shkretinës.
Rikthimi i fluturimit
N’pullazin e vjetër,
Ylli që bie,
Shuhet ngadalë
Brenda meje.
Pa kalorës, pa kuaj, nji qerre…
Hija e brinave t’qeve, shatërvanë avulli,
Lërimi,
Mjellja,
Kallijtë e shpresës
N’shtregull. Oborri me pemë,
Pragu,
Gjurmt e ngrime t’hanës shtegut t’ballit.
Nji qerre,
Gurve me myshk t’Drinit,
Vetmisë t’shelgjeve,
Cicërima t’tremuna pa zanafillë…
Nji qerre kur thyhet, thonë,
Gjendet udha.
Uudhaaa, mrekulli e zotit,
Po çfarë duhet udha, zot, pa qerren?!
PRAJSHËM E PJERRTË
Prajshëm e pjerrtë, tymnajës t’plumtë
Hapsina gri kullon,
Rrjedhin përrojtë e lodhun prej vetvetes
Pellgje,
Farka vetimash…
Mumrimë e zgjatun qiejve t’zotit,
Pikëpjekja jonë e avullt soset
Ende pa le, qerpikut tand
Po shkas i kristaltë…
MOTRA JEME
N’majë t’malit, motra jeme,
Mu n’kikël-
Borë e papranueme,
Rreze dielli që rrshet n’akull.
Mjegulla e mërzisë u mshtillet gurëve,
I ban t’përhimtë.
Rrufeja plakë kullotë grykat,
Pjell rrufetë e reja…
Pranë prekjes t’engjllit
Pa qenë Moisiu
Mund t’flasë kushdo me zotin.
IKU VERA E MIRËSIVE
Iku vera e mirësive,
Zjarri i syve u shue,
S’ka Vezuv dashnie,
Ka qetësi.
Pakëz hi plehnon trëndafilin e rrashtës teme.
Mos e trembni paqen varre,
Pse pa gajle,
Bri jush endet e për endet nji njeri.
S’ecën vetë, orëvrami,
E shtjell era,
E ka marrë malli për shi.
Shurdhni. Shok i shkretë veç etja,
Binë e kallet nëpër eshtna,
Shpirtin pa e mrri.
SHORTI I DRIDHJES
Short’ i dridhjes n’fill t’erës
Nji degëz shelgu,
Si shelgu dridhen n’fund t’tij
Blerimet e vjetra që moti s’i treti.
Mesi i zhveshun, irnosë prej ngricash,
N’majë sythat e ri t’nisjes
Nga fillimi. Nëpër njana-tjetrën
Stinët në nji degëz shelgu.
Shinat e vjeshtës s’na mlodhën, retë
E dimnit hapen e mlidhen,
Ne veç largohemi, a do t’jemi n’pranverë
Si kjo degëz shelgu n’fill t’erës?!
T’i dridhim bashkë verë e dimën.
Komentet