In memoriam
për FASLLI HALITIN
ME POEMEN DIELLI DHE RREKERAT
- Fletë – Rrufe poetit HALITI (13.03.1971)
Kështu the një mëngjes lart e poshtë në të gjithë qytetin: çfarë shiu ra mbrëmë jashtë, ra edhe brenda shtëpisë sime…
Kështu the dhe Partia e di. Pastaj; aq shumë u qullën trarët e vjetër të çatisë, sa kur u gdhi , u tmeruam nga këpurdhat e zeza, që ishin zhvilluar shpërthyeshëm gjatë natës dhe vareshin tëposhtë si bolla kërcënuese…
Deshe t’i prekësh njerëzit me kushtet e vështira në të cilat gjoja jeton , deshe t’i revoltosh dhe t’i armiqësosh ndaj pushtetit, por populli ynë revolucionar, nuk e ka mendjen te shqetësimet e tua të vockla prej mikroborgjezi. Republika jonë Popullore Socialiste është i vetmi vend në botë , që ndërton me sukses socializmin, që çan me sukses rrethimin e egër imperialisto – revizionist, që ka një ekonomi të qëndrueshme, që nuk njeh kriza, inflacion , papunësi, ngritje çmimesh dhe fenomene të tjera negative, që gërryejnë shoqërinë e vendeve borgjezo – revizioniste. Por ti, duke vënë interesin përsonal mbi atë të përgjithshëm, përqurresh rrugëve dhe, ç’është më e keqja , merr penën dhe katranos një poemë, që mban titullin e palejueshëm Dielli dhe Rrëkerat. Përse ti, në këtë poemë përgjithëson fare pa të drejtë një ngjarje krejt personale ? Sigurisht, që kjo pëgërë libreske, s’është veçse një çoroditje ideologjike dhe politike, që shtrembëron me dashje natyrën e pushtetit tonë popullor dhe, njëherësh edhe marrëdheniet e pazgjidhshme parti – popull.Por, ç’bëhet, pyesim ne, kush i boton këto shkarravina?
Ne sugjerojmë të mbahet qëndrim i ashpër kritik edhe ndaj redaktorëve të gazetës Zëri i Rinisë, të cilët, duke u treguar syleshë, botojnë pa hezitim gjithçka u dërgon ky autor.A marrin pjesë rregullisht në orët e edukimit politik këta redaktorë; punë fizike, një muaj në vit, a bëjnë në bazë ? Po lajmet në mbrëmje , a i ndjekin, apo e kanë harruar një herë e mirë luftën e klasave, të cilën Partia e zhvillon pareshtur edhe brenda gjirit të saj ? Nëse do të silleshim kështu të gjithë, Shqipëria, atdheu ynë i dashur , nuk do të quhej më feneri ndriçues i komunizmit në Adriatik!
Përse nuk pyesin gazetarët e Zërit të Rinisë, shkon apo nuk shkon autokinemaja në fshat, shtypi i Partisë, a shkon ? Përse nuk shkruajnë ata për kishat dhe xhamitë e kthyera në vatra kulture, në depo drithi ( domethënë bereqeti…) apo magazina veglash bujqësore ? Apo atyre u bie ndër mend të pyesin në telefon të afërmit dhe miqtë vetëm nëse doli apo jo stof terital në mapot e qytetit ?
Ndoshta i rënduam pak si tepër, por ne, duke gjykuar si revolucionarë, mendojmë se është më mirë ta parandalosh të keqen që n’embrion…
Por të kthehemi te poema në fjalë. Ja, si fillon ajo:
Ndërsa çatia e atdheut tim, është
e kaltër dhe optimiste,
çatia e shtëpisë sime qaramane është …
Ç’kuptim kanë këto vargje të mbrapshta ? A nuk është çatia e atdheut vetë çatia e popullit ? Atëherë, çfarë mëton ky poet ( kështu po e puajmë ende) , që shkollën ia dha Partia ? Sipas tij, të gjithë na qenkëshin keq e mos më keq, ndërsa burokratët e pushtetit, na flekan gjumë të ëmbël dhe, në mëngjes , ua mbyllkan në surrat derën e zyrës së shtetit punëtorëve duarartë, kur ata venë për të parashtruar ndonjë kërkesë modeste , në një kohë që strehojnë gjithë sojin dhe sorollopin e tyre. Madje, këta burokratë, të cilëve, do t’ua thyeka dhëmbët dhe dhëmballët klasa punëtore, paskan degjeneruar deri në atë shkallë sa, për një paketë cigare me filtër , të vënë përpara autorizimin e një apartamenti, apo një të drejtë studimi për vajzën !
Ende më keq: autori na bën thirrje edhe neve, që të bashkohemi nën flamurin e tij të rreckosur kundër burokratëve shpirtkazmë( !!!), që po ua thithin gjakun si shushunja njerëzve të ndershëm. Jo, more ! Sipas teje, ne të ngrihemi dhe të përmbysim pushtetin popullor dhe diktaturën e proletariatit, që na hapën sytë dhe krijuan njeriun e ri ? A, kështu e ke kuptuar ti luftën, që zhvillon Partia kundër burokracisë ? Vargjet e tua gumëzhijnë haptazi vetëm për anarki dhe rebelim !
Shoku Jani dhe shoku Zeqo të poemës tënde, nuk mund të mos jenë përgjithësime artistike, por ja, që këto përgjithësime na qenkan negative . Si kështu, i dashur poet? Si nuk na jep, qoftë edhe një herë të vetme , të drejtën të mendojmë se, burokratët Jani dhe Zeqo janë tipa të rastit ?
Atëherë , dëgjo të mësosh nga ne dhe, nesër, kur të mos jetë ende vonë, të bësh një autokritikë të sinqertë dhe, aspak sa për sy e faqe !
Sistemi ynë shoqëror, duke qenë pa dyshim më i përparuari në botë, nuk pjell kurrsesi monstra si ata burokratët e tu, more vesh ? Madhështia dhe forca e Partisë sonë heroike, qëndron te farkëtimi i unitetit të çeliktë me popullin. Në Shqipërinë tonë të lulëzuar, nuk ekziston ndonjë parti, që të rrijë këmbëkryq e të numërojë në mënyrë sentimentale meloditë diletante të pikave të shiut. Si e harron ti vallë trekëndëshin monolit parti – popull – pushtet ? Ku je molepsur dhe, nga kush ? E ha bukën e popullit dhe harron bllokadën e egër imperialisto – revizioniste, që i kanë bërë vendit tonë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Sovjetik, harron që ushtria jonë e lavdishme, ushtri e popullit ushtar, ruan natë e ditë kufijtë tanë të shenjtë !
Në vend që të dalësh të dielave nëpër lagjen tënde dhe të shohësh se kush nga të deklasuarit , apo edhe nga njerëzit tanë, që nuk i kanë përvetësuar ende siç duhet mësimet e shokut Enver, kanë ngritur ndonjë antenë – armike për televizorin e tyre, ti del e ankohesh tërë kohës, apo u lexon atyre , që pranojnë të shoqërohen me ty , shkrimet e tua pa vlerë.
Ato bollat e zeza në tavanin tënd, do të të zënë fytin një ditë pikërisht ty, që je mbërthyer me thonj pas pronës së neveritshme private dhe s’e lëshon e s’e lëshon, po nuk more më parë paratë. E ku qëlloi ajo karakatina jote se, mu në qendër të qytetit, aty ku Partia ka vendosur të ngrejë një kinoteatër gjigant, në të cilin rinia jonë, do të vijë e do të futet drejt e nga fabrika, ashtu e veshur me kominoshe, apo drejt e nga fusha , ashtu me lopatën në sup ! Po, kush të pyet ty ! Një ditë do të t’i ngrenë partallet me gjithë ç’ke…
Por ne, përsëri kemi të drejtë të pyesim: po Sigurimi i Shtetit, ç’bën ? Ç’bën kolektivi ku punon ti ? Po LIdhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, anëtar i së cilës ti vazhdon ende të jesh pa të drejtë ?
Turp për ty, që guxon ta quash shok traktoristin, që qëndis arat, elektriçistin që ndez lulet e llambave nëpër shtëpitë tona, apo muratorin, që, tek suvaton ballkonin e apartamentit të ri, i vjen një dallëndyshe e gëzuar dhe, ngre çerdhen e saj. Ti je bukëshkalë ! Megjithatë, Partia, si gjithmonë , edhe në rastin tënd, mund të tregohet zemërgjerë dhe, të ta japë dorën e ngrohtë. Por ne mendojmë se ti duhet të dalësh sa më shpejt në gjyqin e popullit dhe të përgjigjesh !
Përshëndetje revolucionare
Nga të rinjtë e gjimnazit
Mao Ce Dun
- 2. Denoncojmë poetin F.HALITI (23.04.1991)
Ka mjaft nga ata , që mendojnë se letërsia e lëvruar gjatë viteve të skëterrshme të diktaturës, duhet të hidhet e gjitha në kosh. Por, a është ky një konkluzion i saktë dhe i matur ? Ne , ndonëse të djathtë, mendojmë se jo. Jo ! Ka shumë poezi, tregime , apo edhe romane me vlera të vërteta dhe të qëndrueshme , që mund të përballen me sukses dhe dinjitet me çdo kohë, sado e papritur dhe e ndryshuar të vijë ajo. Por ne na nervozojnë lëvizjet politike të disa autorëve, të cilët gjer dje kanë qenë të përkëdhelurit e Oborrit të Kuq. Ata po nguten të hipin përsëri nëpër tribuna. Kësisoj, na takon neve t’ua tregojmë vendin. Kjo, madje, është një detyrë kombëtare, që duhet përmbushur sa më mirë.
Sepse, ka një lëvizje të gjerë postkomuniste tepër kërcënuese, të cilën e kryesojnë disa fanatikë të djeshëm shumë aktivë, që shfaqen tashmë si të moderuar, si të zhgënjyer, si të mashtruar dhe (o Zot !) si të persekutuar. Kjo lëvizje, që, për ironi, nuk zhvillohet aspak in occulto , ka në vetvete karakter revanshist, sepse postkomunistët të denoncuar dhe të demaskuar botërisht nga Haveli, kanë si synim marrjen e pushtetit edhe në kushtet e ekonomisë kapitaliste. Prandaj, na duhet t’i heqim qafe sa më parë këto kandrra patogjene, që në demokraci bëhen më të rrezikshme sesa në sistemin e tyre. Dhe, ta fillosh këtë spastrim nga boritë shurdhuese të Partisë, siç është edhe poeti F. të cilin do ta analizojmë për ta paraqitur si shembull të keq, do të thotë të jesh konsekuent dhe fitues!
E pra, poeti F. po azhurrnohet përsëri ! Alarm ! Ç’kërkon vallë ai, ç’vend synon të zerë ? Poema e tij famëkeqe Dielli dhe Rrëketë, i helmoi pashërueshmërisht mendjet e njerëzve në kohën që u botua. Kujtohuni: dielli – Enver, bubullinte ai atëherë dhe ne e kritikuam dhe e asgjësuam , si krijues, kuptohet…
Por, ç’janë ata, që e lavdërojnë ende ?
Siç e dini, në vitet e komunizmit, edhe një poezi të vetme po të botoje, ta lexonte edhe kooperativisti më i humbur i Shqipërisë; prandaj merret me mend lehtë efekti propagandistik i shtypit të atëhershëm të supercensuruar. Ahaa ! Rendimentet e prodhimeve bujqësore nuk rriteshin dot pa ngritjen politiko – ideologjike të fshatarit socialist, pa përvetësimin prej tij të mësimeve të Partisë dhe parimeve të marksizëm – leninizmit. Shkurt (le të gudulisemi pak ) , trangulli nuk zgjatej në fushë pa u kultivuar me këto mësime…
Brezat e rinj, që sapo kanë nisur të angazhohen në jetën politike dhe artistike, duhet ta kenë të qartë sa edhe ne të shumëvuajturit se, komunistët do të jenë të parët që do të ngrenë lart dhe do të valëvitin vullkanisht flamurin e të përsekutuarve. Po, po, e thamë këtë ! Dhe nuk do t’u vijë pikë turpi.
Poeti F., ky Bjedni surrogat i Shqipërisë, që nuk la himn pa thurur për Partinë e Punës dhe diktatorin e saj, s’ka të drejtë morale, por ndoshta edhe ligjore , të shkruajë përsëri. Më saktë, të shkruajë po të dojë, sa të mundë, por të mos botojë më !
Atë, vërtet, e çuan të punojë për kaq e kaq vite rresht në fermë dhe, ai me ato vite të punës atje spekulon, kur deklaron se është një nga të parët poet disidentë që ka mbushur kovat me komposto fekalesh , apo ( na falni !) me mut, siç shpërthen ai i prekur dhe i revoltuar tash së fundi, por ne jemi në ballë të situatave, pikërisht për të ndriçuar të vërtetat ashtu siç janë, pa i interpretuar aspak sipas konjukturave aktuale. Por s’është e lehtë, s’është e lehtë, po të kihet parasysh konfuzioni i madh ideologjik që mbizotëron anekënd. Nuk ka busull bindjesh që të të orientojë…
Me siguri ka agjentë që paguhen posaçërisht për të trazuar këtë batak.
Kurrë nuk i shihte retë e zeza në qiellin shqiptar poeti F. Për të ky, qiell ishte përgjithmonë dhe patjetërsueshmërisht veçse i kaltër dhe ( bobo, ç’absurditet ), optimist…
Po ç’të thuash më parë dhe ç’të komentosh ! Poeti F nuk e kaloi kurrë gardhin e vogël të mediokritetit. E si ta kalonte me atë frymëzimin e tij lejfenian ? E, pra, atij më shumë sesa poet, i shkon të damkoset si grafoman i pjellshmërisë së lartë , por ne, duke ruajtur shprehitë eufemike të edukatës sonë, po vazhdojmë deri në fund ta quajmë poet.Vargjet e të gjithë librave të tij janë të varfër dhe prozaikë. Në to nuk gjen qoftë edhe një inversion të vetëm , apo një rimë asonantike të freskët: pale krahasime dhe epitete ngjyruese. Të thahet fyti së lexuari fjalë parullash apo fletërrufesh; të rrëqethet mishi nga thirrjet për hakmarrje ndaj mikroborgjezëve, thirrjet për luftë ndaj shfaqjeve të huaja, zakoneve të prapambetura. Shkurt, ai vargëzonte për militantët e ndezur dhe vulgarë.
Po ta shihje këtë autor në ato vite, do të të bënte shumë përshtypje mënyra sesi e lexonte ai gazetën Drita në trotuar, apo edhe në mes të rrugës. E hapte më dysh përballë vetes dhe e përpinte me sy, a thua se kishte zënë përdore një damë, me të cilën pas pak do të shkrehej në vallëzim.
Por, siç pranuam edhe më lart, ne e asgjësuam, duke ia atribuuar shkrimet tona kritike , tepër djegëse, gjmnazistëve naivë. Aso kohe, pra, në diktaturë, siç edhe e dini, ishin shumë në modë gjimnazistët. A nuk u ngritën kinse ata edhe kundër besimit fetar ? Ishin një variant shqiptar ata, të gardistëve të kuq kinezë…
Sot, lavdi Zotit, flitet haptazi, të dashur miq ! Sot s’vlejnë më kafshët ezopiane, metaforat, alegoritë, aluzionet e të tjera, e të tjera si këto. Sot, urdhëro e fol ! Ku ndodhen tani, për shembull, i ziu zoti Jani, apo zoti Zeqo ? Mos vallë i futi në burg dielli me rrëketë e tij dhe, ne ende nuk dimë gjë ? Të mjerët personazhe realë ! Të mjerët personazhe negativë !
Ja, këto lloj krimesh kryente poeti F përmes artit të tij famëkeq. Dhe nuk ligështohej fare, përkundrazi krekosej…
Po përse nuk janë paraqitur as sot e kësaj dite në selinë e partisë sonë të gjorët burokratë të diktaturës së proletariatit ? Përse nuk janë pajisur me tesër partie ? Apo tremben ende nga sharlatanët e politikës dhe të artit ? S’kanë faj.
Poeti F. në vitet shtatëdhjetë arriti deri atje sa të kërkonte që poemat e tij gjëmimtare, të ndaheshin strofa – strofa apo edhe vargje – vargje dhe të zëvendësonin parullat masive ndanë kryqëzimeve të rrugëve ( të atdheut ) apo mbi muret e lartë të uzinave, me ato çatitë e dhëmbëzuara sipër tyre si tehu i sharrës, mbi muret e shkollave, reparteve ushtarake, kooperativave: të shkruheshin kuptueshëm në krye të dekoreve të festivaleve folklorikë dhe të muzikës së lehtë, apo të deklamoheshin në raste përvjetorësh historikë të Partisë dhe të Shqipërisë…
Deliranti, me zell të përndezur dhe të tepruar, harronte që kësisoj fshiheshin citatet e diktatorit! Po ku mbahej poeti F; kështu ka vepruar edhe Majakovski, u shpjegonte ai instruktorëve dinakë të Partisë, prandaj triumfoi Revolucioni në Rusi. Madje, Majakovski bënte edhe më shumë; i recitonte vargjet, duke qëndruar monumentalisht në sfondin e stendave gjigante, të mbushura me fragmente të poemave të tij…
Kuptohet që ata nuk e duruan dot dhe një ditë e nxorën jashtë me shqelma. Kështu poshtëroheshe atëherë, po të harroje rolin që t’ishte parapërcaktuar …
Së fundi, duke qenë të bindur se ky shkrim udhëzues do të pasohet vrullshëm nga shkrime të tjerë ende më denoncues, po kërkojmë nga ju , përmbysësit e diktaturës dhe idolatrisë frikësuese të saj, të mos shihni më te dielli fytyrën e Enverit, Leninit apo Mao Ce Dunit !
Diellin ,tashmë , shiheni thjesht si një planet që jetëzon gjithë rruzullin tonë.
Nga nismëtarët e Partisë së Djathtë NDV.
1996
Nxjerrë nga libri NOBELISTET E VETESHPALLUR 1996
Komentet