“Mendoni për romanet e mëdha të kohës sonë, mendoni për Uliksin e James Joyce-it”.
Jorge Luis Borges
L’Art de poésie, Gallimard, Paris, 2000, f. 54.
Është një rrugë në Paris, rruga Odeon, e cila mund të ishte quajtur rruga Uliks, meqë botimi origjinal i romanit monumental Ulysses (Uliksi) i James Joyce-it, u mor përsipër të botohej më 1922 nga Sylvia Beach që kishte aty librarinë Shakespeare & Company; përkthimi frëngjisht (Ulysse) doli shtatë vjet më vonë nga botuesja Adrienne Monnier, mikeshë e S. Beach. Monnier që nga viti 1916 kishte botuar disa autorë francezë, mes tyre edhe Paul Fort, Jules Romain dhe Roger Caillois, pa harruar edhe një revistë jetëshkurtër, ku botuan autorë si: Blaise Cendrars, Jean Giraudoux, Jules Supervielle, Antoine de Saint-Exupéry. Mund të përmenden edhe miqtë shkrimtarë që frekuentonin librarinë si Guillaume Apollinaire, Colette, Jean Cocteau, Jacques Prevert, Saint-John Perse e të tjerë. Me kulturë të gjerë letrare dhe me kuptimësi për rëndësinë e kësaj vepre, ajo ua besoi punën e hollë e të vështirë të përkthimit dy figurave të njohura si përkthyes të anglishtes e që u rishikua i tërë nga shkrimtari Valery Larbaud dhe nga vetë autori.
I cilësuar nga Borges-i si “katedrale e prozës” (Parathënie, Pléiade), ai është çmuar si një nga romanet më të rëndësishme të letërsisë moderne duke zënë vendin e parë në listën e 100 romaneve më të mira të gjuhës angleze në shekullin XX që hartoi The Modern Library më 1998.
Përkthimi në shqip i romanit Uliksi të Joyce-it nga Idlir Azizi dhe botimi i tij nga Shtëpia Botuese Zenit, mbetet një ngjarje kulturore. Sepse kjo vepër e Joyce-it është si një univers i pafund, me regjistrat gjuhësorë dhe stilet e të shprehurit që përmbledh ligjërimi i tij i panjohur më parë në letërsi. Përkthimi i Azizit është një aventurë e guximshme dhe e bukur, por që ka brenda edhe mundimin, si medalje e pakundërshtueshme e gjithë atyre që i kanë hyrë përkthimit të një vepre të vështirë.
Historiku i veprës
Romani Ulysses doli për herë të parë në formën e një rubrike të përjavshme në The Little Review[1], në Nju Jork, gjatë muajve mars 1918 dhe nëntor 1920, para se të botohej i plotë në Paris, në shkurt 1922, nga libraria Shakespeare&Company (ky do të mbetet i vetmi botim me tirazh të madh i librarisë). Që nga botimi i tij me fragmente në Shtetet e Bashkuara, romani nxiti diskutime, sidomos një ankesë nga New York Society për heqjen e pjesëve që u quajtën të turpshme. Madje ajo e cilësoi krejt librin të pabotueshëm. Romani u ndalua në Shtetet e Bashkuara deri në vitin 1933. Pas kësaj ai u komentua pareshtur dhe do të bëhej objekt i studimeve të panumërta.
Uliksi, vepër klasike e shekullit XX
I pari që e vuri re karakterin enciklopedik të veprës së Joyce-it ishte Ezra Pound-i kur shkroi se “Joyce ka ndërmarrë artin për të vazhduar atje ku e ka lënë Floberi” (Literary Essays of Ezra Pound, ed.Faber &Faber, 1920, f. 403). Është e çuditshme kur konstaton sot se edhe Floberi i shkruan të dashurës së tij Luise Colet, një shkrimtare e kohës, kështu: “Librat, prej të cilëve rrjedh një letërsi e tërë, si Homeri dhe Rabëleja janë enciklopedi e epokës së tyre” (Flaubert, Correspondance II, Pléiade, 1980, f. 545).
Uliksi është nga ata romane që i jep formë një bote të tërë. Duke qenë një roman total, ai i shumëfishon nivelet e leximit dhe përmbush një program enciklopedik. Nëse flitet për palimpsest, ai është një roman me shumë palimpseste, sepse çdo kapitull dhe çdo episod, siç i quan autori, ka një teknikë e simbolikë të veçantë si dhe një mënyrë rrëfimtare të ndryshme. Studiuesit e veprës dhe jetës së Joyce-it, të cilët kanë parë edhe dorëshkrimin, janë mahnitur, sepse kanë gjetur aty romanin shumëpërmasor. Joyce-i i ka lëvizur nga vendi praktikat e tjera të shkrimit. Valéry Larbaud që u bë bashkëpërkthyes i botimit dhe që shkroi hyrjen, e rrallë për epokën, pyet: “Atëherë ku është çelësi”; që arrihet të shkohet përtej klisheve. Në vend të lexuesit që i hutuar nga orteku i fakteve nuk di të orientohet, ai përgjigjet : “Eh, pra, ai është, si të thuash te titulli Uliks”.
Ndikimet
Vepra e Joyce-it ka ushtruar një ndikim të madh te shkrimtarë si Samuel Beckett, Borges, Alain Robbe-Grillet, Salman Ruzhdie, Philippe Sollers, Raymond Queneau, William S. Burroughs, Kerouac, Nathalie Sarraute e të tjerë. Flann O’Brien-i, shkrimtar irlandez e ka protagonist në një roman ku hija e Joyce-it hyn në bisedë me Shën Agustinin.
Një numër i madh kritikësh kanë shkruar se vepra e tij ka nxiturfiksionin modern dhe postmodern duke krijuar breza shkrimtarësh që e braktisën gramatikën, thurjen e ngjarjes, ndonjëherë të palexueshme (si në veprën e Burroughs-it dhe të tjerë të brezit të tij). Disa shkrimtarë si Bernard Shaw ose Paule Coelho janë mjaft të rezervuar për veprën e Joyce-it.
Megjithatë, teoricienët e letërsisë strukturaliste Tzvetan Todorov dhe Gérard Genette dhe të asaj poststrukturaliste, ndër të tjerë Umberto Eco dhe Robert Scholes e shohin Joyce-in si një ndër shkrimtarët më të rëndësishëm të shekullit. Eco e quan FinnegansWake si një « univers ajnshtajnis[2]. Ndikimi i Joyce-it ka lënë gjurmë edhe në fusha të tjera. Kështu fjala “kuark” Three Quarks for Mister Mark në FinnegansWake, është në origjinë të fjalës quark (kuark) përdorur në fizikë. Fraza këndohet nga një kor zogjsh deti.
*
Vepra e Joyce-it është bërë objekt studimesh në dhjetëra e dhjetëra libra studimorë, seminare, sesione shkencore dhe konferenca.
Filozofi Jacques Derrida ka shkruar një libër për përdorimin e ligjërimit në Romanin Uliksi; filozofi amerikan Davidson e krahason Finnegans Wake me tekstet e Lewis Carrol-it; psikanalisti Jacques Lacan i kushtoi seminaret e viteve 1975 dhe 1976;
Nabokov-i e vlerësonte shumë romanin Uliksi; ai e zhvilloiatë në kurset universitare midis veprave madhore të shekullit XX, si Metamorfoza e Franz Kafka-s apo edh ndonjë tjetër.
Shumë filma janë xhiruar për jetën e Joyce-it dhe Norës, si dhe për vepra të ndryshme të Joyce-it. Midis tyre regjisori amerikan Joseph Strick, më 1983 përshtati për ekranin e madh romanet Ulysses dhe A Portrait of the Artist as a Young Man.
Është orkestruar edhe një pjesë muzikore për fëmijë, me titull Një lule për vajzën time.
Herbert Gorman më 1941 botoi biografinë e parë për Joyce-in.
Richard Ellmann më 1959 botoi një biografi dhe e pasuroi atë më 1982.
Në Dublin, Joyce-i kujtohet duke festuar çdo vit 16 qershorin “Bloomsday”.
Që nga 2011 në Monreal mbahet një festival i quajtur Joyce.
Në Dedham (Massachusetts) të ShBA-së në Shëtitoren Joyce, zhvillohen çdo vit veprimtari sportive dhe lexime të veprave të autorit.
Një kopsht në Paris quhet Kopshti James Joyce.
Për të ruajtur të gjallë kujtimin dhe veprën e shkrimtarit irlandez, në Cyrih ku ai kaloi një pjesë të rëndësishme të jetës, më 1983 është themeluar nga Fritz Senn Fondacioni James Joyce. Ai ka shkruar edhe parathënien e përkthimit të parë shqip të romanit Uliksi.
Sot është përkthyer në shqip një pjesë e madhe e veprës së Joyce-it.
Kritika francezedhe anglo-saksone
Uliksi (Ulysses anglisht) konsiderohetsotsikryevepër që e ka merituar shugurimin letrar të Joyce-it. Ai është një roman në lëvizje të përhershme, që përshkruan jetën në një ditë të vetme, në universin e hapur të një qyteti të vetëm, Dublin. Ideja filozofike e tij se jeta është një udhëtim, realizohet edhe nëpërmjet monologut të brendshëm të quajtur përroi i ndërgjegjes (stream of consciousness) nga kritika.
Në atë përditshmëri Joyce-i përpiqet të mbërthejë “atë që quhet jetë”, në rrethanat historike të modernitetit në shekullin XX duke kapërcyer pengesat gjuhësore dhe duke e zhvendosur objektin e romanit nga rrëfimi i ngjarjeve, në vetërrëfim. Gjuha, dykuptimësia e ligjërimit dhe teknikat e ndryshme të shkrimit që ndryshojnë në çdo episod, përftuan një jehonë të gjerë qysh në fillim kur romani u botua në Francë dhe ndikuan në çmistifikimin e rrëfimit letrar tradicional. « Detyra që i kam vënë vetes teknikisht, është të shkruaj me tetëmbëdhjetë pikëpamje të ndryshme dhe me po aq me stile të gjithën, atë që duket e panjohur ose e pavënë re nga sivëllezërit e mi”[3]. Këto janë gjithashtu tetëmbëdhjetë orët e atij 16 qershori 1904 në Dublin që nis në orën tetë të mëngjesit dhe vazhdon gjer natën vonë.
Edhe pse një pjesë e kritikës e ka cilësuar romanin Uliksi si një parodi të poemës homerike, kuptimi i tij është shumë më i thellë. Vladimir Nabokov-i në kursin[4] për romanin, më 1980 shkruante: “Uliksi është një vepër e shquar e gjithëkohshme arti, por kritikët janë të interesuar më tepër për konsiderata të përgjithshme dhe ide sesa për veprën në vetvete… Unë duhet t’ju sqaroj se në zhvendosjet e Leopold Blumit atë ditë vere në Dublin, nuk duhet të shihni një parodi të ngushtë të poemës Odiseja, ku punonjësi i reklamave luajtka rolin e Odiseut, ku gruaja kurorëshkelëse e Blumit do të ishte e dëlira Penelopë, ndërsa Stiveni do ta shihte veten si Telemaku. Që ka një jehonë të vagullt të përgjithshme homerike në rastin e Blumit është e dukshme, ashtu si e thotë titulli dhe gjithashtu shohim një sërë nënkuptimesh klasike në libër, por do të ishte fare një humbje kohe, po të kërkoje paralele të ngushta me çdo personazh dhe çdo skenë… Prandaj, pas këtyre interpretimeve në shtyp, Joyce-i u detyrua t’i hiqte titujt pseudo homerikë nga kapitujt, sepse e mendoi se çfarë përfundimesh do të nxirrnin gjithë të mërzitshmit, të ditur dhe të paditur.”
Zanafilla e tekstit
Shqetësimi i Joyce-it për çështjen e formës dhe estetikën e shkrimit është shfaqur mjaft herët. Në fletoret e Parisit ai shkruan: “Ritmi duket se është raporti i parë, domethënë një raport i formës midis pjesëve të ndryshme dhe një të tëre, ose edhe midis cilësdo prej këtyre pjesëve dhe së tërës […] pjesët përbëjnë një të tërë kur ato plotësojnë një qëllim të përbashkët” (25 mars 1903)[5].
Ideja për romanin atij i lindi qëkur ishte duke shkruar Dubliners (Dublinasit) më 1903; ai deshi të shtonte edhe një tregim të titulluar Ulysses. Madje përcaktoi edhe emrat e dy personazheve kryesore: Stiven Dedalus dhe Leopold Blum. Por kjo ide u la për një vepër më të madhe.
Kemi edhe një gjenezë të dytë të romanit në vitet që u ndalua në Amerikë nga viti 1921 deri në vitin 1934 dhe në Britaninë e Madhe deri më 1936. Është një aventurë më vete shpërndarja e romanit në mënyrë të fshehtë. Në shumë tregime moderniste dhe në intervista përshkruhet sesi e kanë kaluar përtej detit romanin e botuar në Francë në një valixhe me fund të dyfishtë apo të ndarë pjesë-pjesë, futur midis rrobave duke përjetuar makthin që i mbërthente nëpër dogana. Madje edhe nga Gjermania naziste, vepra mundi të dilte e të kalonte oqeanin prej një profesori amerikan të letërsisë.
Një përmbledhje e shkurtër e përmbajtjes
Ngjarja, pra, fillon në mëngjesin e 16 qershorit. Arsyeja përse Joyce-i zgjodhi 16 qershorin është thjesht një datë simbolike e jetës së tij, data kur pati takimin e parë të dashurisë me Nora Barnacle (të cilën e kishte njohur një javë më parë), dhe që u bë bashkëshortja e tij e pazëvendësueshme.
Në dritën e imagjinatës së çliruar nga normat e ngushta letrare, personazhet kryesore jetojnë një ditë të zakonshme në qytetin e Dublinit me detin e tij, me diellin mbi det e me shkollat, me shtëpitë, me kishat dhe varrezat, me gazetat, bibliotekat, baret dhe tavernat, spitalet dhe shtëpitë publike e me të gjithë banorët. Në një anekdotë tregojnë se Joyce-i e ka përshkruar me aq saktësi Dublinin, sa po të ndodhte një apokalips, do të mjaftonte të merrnin romanin e tij për të rindërtuar qytetin ashtu si kishte qenë.
Me tetëmbëdhjetë episodet, ashtu si i ka quajtur Joyce-i, në tetëmbëdhjetë ligjërime përurohen sinoret (vend, pjesë e trupit, ngjyrë, fushë e mendimit ose e veprimtarisë), mënyrat e reja të shprehjes (tregimtari, retorikë, stil gazetarie, vazhdim i formave muzikore, evolucion i gjuhës etj.) si dhe temat që trajtojnë jetën, dashurinë dhe vdekjen, në të cilat përfshihen (shkolla, familja, arti, kultura, tradita, ëndrra, seksi, feja, gjendja politike e shoqërore… ). Uniteti i tekstit sigurohet nga përdorimi i pikave të orientimit hapësirë-kohë dhe me teknikën e monologut të brendshëm, që mundëson sjelljen e së shkuarës në të tashmen.
Stiven Dedalusi është njëri prej personazheve kryesore që shfaqet qysh në romanin Portreti i artistit në rini. Aijeton në kullën Martelo me mikun e vet Bak Maligan dhe një tjetër, pak i njohur nga Stiveni, quhet Hajnes dhe ka ardhur një natë më parë, por që del admirues i folklorit irlandez. Dedalusi është një i ri i zhgënjyer, disi pesimist dhe që e neverit shtirja e bashkëkombësve të vet si dhe rregullat e ngurta, prandaj nuk do që t’i shërbejë asnjë ideologjie, madje tallet me Rilindjen gaelike që vepron në rrethet letrare dublineze.
Kur niset atë mëngjes për në punë duke nxituar në ranishtën buzë detit edhe mendimet e tij lëkunden “si valët e detit”. Përsiatjet filozofike për realitetin e botës dhe krijimin nga exnihilo, vazhdojnë me kujtimet e Parisit kur lexonte Aristotelin dhe Shën Thomas d’Aquin-in. Ai që kishte synim të bëhej doktor apo shkrimtar, i kupton me hidhërim dështimet dhe vetminë që e shoqëron si artist. Duke menduar për ekzistencën e njëkohshme të Atit të përjetshëm dhe unit “terr që shkëlqen në dritë”, ai përhumbet njëkohësisht në vërshimet e ndjesive të një bote në zhvillim të vazhdueshëm. Krenaria e tij e cenuar e shtyn të urrejë trupin, mishin dhe të pohojë një liri të vërtetë shpirtërore. Stiveni është mësues historie. Një nxënës që vjen vonë në klasë, i kujton fëmijërinë duke i ngjallur të kaluarën, dhe e bën të mendojë për dashurinë amnore si të vetmen gjë të vërtetë në këtë botë. Kur mbaron mësimin ai takon drejtorin, i cili i mban një ligjëratë misozhine[6] e antisemite. Në këto rrethana vjen fraza e famshme: “Historia është një makth, nga i cili dua të zgjohem”.
Leopold Blumi, personazhi tjetër, Uliksi modern, shfaqet i heshtur, por plot andralla. Gjatë një dite ai do të përjetojë emocione të shumta e të ndryshme. Autor dhe shpërndarës reklamash, ai kryen një punë si gjithë të tjerët. I ati i tij ka qenë një hebre, i ardhur nga Hungaria dhe i kthyer në protestantizëm; aty në Irlandë ai e pati ndërruar mbiemrin në Blum. Pak pas vetëvrasjes së të atit, Leopoldi përqafoi katolicizmin për t’u martuar me një këngëtare që shëtit gjithë Irlandën me grupin e saj dhe “në ndryshim nga Penelopa e Homerit, ajo kishte pasur shumë dashnorë”, thuhet në një koment, ndër dhjetëra e qindra të tillë që ka ngjallur figura e saj. Ata kanë një vajzë që ka mbushur 15 vjeçe dhe një djalë që jetoi vetëm 11 ditë. Blumi është njeri i thjeshtë, një borgjez i vogël, i sjellë, dashamirës dhe zemërgjerë dhe ne shohim sesi dita e tij ka gëzimet dhe zhgënjimet e saj. Në mbrëmje ai shkon në teatër dhe pastaj në një bordel ku edhe takohet me Stivenin. Aty përjeton disa halucinacione që Joyce-i i përshkruan me mjeshtëri.
Mund të ndalemi në ndonjë temë të poemës së Homerit që autori e risjell me një kuptim të ri bashkëkohor. Bie fjala, tema e Sirenave në të cilën jepet fuqia mizore e kumbimit tingullor, është model i krijimit ku i lihet liri imagjinatës. Për Homerin rreziku e ka burimin te kënga e dy sirenave. Sigurisht te Joyce-i “rreziku” janë dy vajza të reja, por përtej tyre, është krejt episodi që nis e këndon. Lexuesi gjendet i magjepsur si Uliksi i poemës dhe i duhet të kthjellohet që të mos tralliset nga hutimi.
Sylvia Beach dhe James Joyce në librarinë Shakespeare & Company me rastin e daljes nga shtypi të Uliksit (1922)
Struktura
Joyce-i është ruajtur të mos ketë ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me poemën Odiseja të Homerit, edhe pse në letërkëmbime ai u ka vënë tituj episodeve për ta bërë sa më të kuptueshëm tekstin. Skemat shpjeguese, të njohura si skema Linati[7] dhe skema Gorman[8] (madje është edhe një emër tjetër më pak i njohur), janë “një lloj çelësi” për të hyrë në vepër. Sipas Genette-it, kjo e bën romanin Uliksi një model të “hipertekstit”.
Rrëfimi i romanit përbëhet nga tetëmbëdhjetë kapituj, të cilat Joyce-i vetë i quajti episode (Pléiade, faqe LXXIV), të ndara në tri pjesë të mëdha: duke rimarrë emrat nga poema Odiseja, si: Telemak, Odise dhe Nostos (Pléiade, f. LXXXI-LXXXIV), ose sipas skemës tjetër me tri metafora: Aurora, Mëngjesi, Mesnata, (Pléade, f. LXXVI-LXXX).
Pjesa e parë Telamakiada (sipas skemës Linati) përmban tri episode. Veprimi përqendrohet rreth Stiven Dedalusit, personazh që përfaqëson fushat shpirtërore dhe intelektuale, pra, atë që është e palëndët te njeriu, figurë që njëjtësohet me Joyce-in, si një vazhdim i jetëshkrimit Portreti i artistit në rini (Pléiade, f. LXXIV-LXXXIV), i cili mbyllej me fjalët e artistit :“Do të farkëtoj në kudhrën time ndërgjegjen e paformuar të racës njerëzore.”
Pjesa e dytë zhvillohet në dymbëdhjetë episode dhe është pjesa më e rëndësishme e veprës. Aty gjejmë personazhin Leopold Blum, zëdhënës i fushës materiale dhe ndijimore të njeriut, Gjatë gjithë romanit, shtegtimet e Uliksit mund të ilustrohen në mënyrë hipotetike me zhvendosjet e Leopold Blumit në qytetin e lindjes. (Pléiade, f. LXXIV-LXXXIV).
Pjesa e fundit, e treta, përbëhet nga tri episode. Aty shfaqe sërish poeti i ri niset në kërkim të fatit. Monologu i fundmë i Mollit është quajtur më tepër një shtojcë sesa një episod.
Nga ndjesia e pikëllimit dhe zemërimit në hapje, kalohet në atë të gjendjes absurde e të lodhur në pjesën e dytë, për t’u mbyllur me pjesën e tretë muzikore. « Qëllimi im është të transpozoj mitin sub specie temporis nostris. Çdo aventurë nuk duhet vetëm ta kushtëzojë, por madje ta krijojë teknikën e vet»[9].
Veprimi në roman realizohet përmes gjuhës, nisur nga një skemë gjigante njerëzore. Disa komentues janë përpjekur ta minimizojnë fare rëndësinë e skemave të Joyce-it (Ezra Pound, kritiku i tij i parë, mendonte se është fjala për kombinime të pjesëve). Nga bisedat me Frank Budgen[10] shpërfaqet ideja se duke u nisur nga skema, Joyce-i kishte parasysh krijimin e një totaliteti imagjinativ historiko-kohor. Një skemë e tillë gjendet edhe te KomediaHyjnore. Lacan-i ishte mahnitur nga kjo lloj skeme. « Që çdo kapitull i romanit Uliksi kërkon të mbahet me një lloj suazimi […] është domethënëse, sepse lidhet me lëndën e asaj që tregon” [11].
Interpretimi
Mëngjes qershori. Ditë me dritë të artë, me qiell të kaltër, me rrugë që zgjohen. Një ditë e re dhe një odise e re për njeriun. Stiven Dedalusi nuk ka shumë kohë që është kthyer nga studimet, ai është edhe i trishtuar edhe i gëzuar.
Ky është epilogu i romanit. Sipas kritikës kemi një lindje plot histori që e marrim vesh jo në një vijë rrëfimtare kronologjike, por në prerje horizontale. Pastaj shfaqet Leopold Blumi. Lexuesi i njeh historinë dhe jetën e personazheve si në një vepër të pikturës baroke në të cilën përdoret “edhe impresionizmi edhe kubizmi”.
Përmes monologut të brendshëm ne takojmë shumë personazhe hije, të afërt dhe miq të këtyre personazheve, të vdekurit e Blumit të atin dhe të birin, miqtë e tij të rinisë, të atin dhe të ëmën e Stivenit dhe figura të tjera episodike. Sido që monologu i brendshëm nuk është mbizotërues dhe nuk përdoret i pashoqëruar me një ligjëratë të zhdrejtë, ai në të vërtetë mbetet shenja më dalluese e romanit. Vetëm monologu i Mollit në mbyllje është mbase i vetmi monolog i pastër.
Tetëmbëdhjetë episodet e romanit që përurojnë një grup të ri elementesh, janë një konceptim i ri të shkruari në fillimet e shekullit XX. Uniteti i veprës sigurohet nga përdorimi i shenjave dalluese, hapësirë-kohë dhe nga teknika e monologut. Romani është gjithashtu shumësi simbolesh dhe nënkuptimesh për historinë e mendimit perëndimor. Uliksi vetëështënjëtitull simbolik, ashtu si edhe personazhi kryesor, Leopold Blumi, i cili shndërrohet nësimbol. Aiështëhebre, përfaqësues injëpopulli me fat dramatik[12]. Në parathënien[13] e botimit të parë, vendosjen e Blumit në qendër të romanit, përkthyesi I. Azizi e quan “akt themelor politik”.
Ndryshe nga bashkëkohësit e vet shkrimtarë, Joyce-i nuk rrëmbehet nga përsiatjet morale dhe shoqërore. Në roman narracioni organizohet si kaos i një subjektiviteti fatmirësisht përparimtar, me një ironi që pastron vetëdijet, me një fragmentim të ngjarjeve dhe kujtimeve, ashtu si në jetë; ky model do të arrijë kulmin me Romanin e ri në Francë. Joyce-i kryqëzon idioma, vende, fjalë, ligjërime nën diellin e patriotizmit irlandez, shtegtime, këngë të trupit dhe shpirtit njerëzor, ngjyra dhe takime qytetërimesh, në të vërtetë të përziera prej kohësh. Të gjitha nën shigjetën sarkastike të deheroizimit të jetës në një përditshmëri natyrore të vjetër sa bota dhe në një vend të përbashkët ku kryqëzohen fatet njerëzore.
Nabokov-i ishte një lexues i vëmendshëm i Joyce-it. Ai e quante dhunti të veçantë shpikjen e fjalëve, lojën dhe tingëllimin e tyre. Por një moment që i kishte lënë shumë mbresa dhe që e komentonte në kurset e tij si një ide që do të formonte breza burrash të emancipuar, është ai kur Blumi i sjell mëngjesin në tabaka Mollit. Këtë pasazh ai e quante si “më të madhin e gjithë letërsisë”. Në këtë cilësim përzihej entuziazmi i shkrimtarit, lexuesit dhe ligjëruesit në katedrën e letërsisë.
*
Kritika thotë se ka një poetikë universale ligjërimi te vepra e Joyce-it. Domethënë se mund të ekzistojë një Libër, forma e të cilit të shpjegojë ide universale. Umberto Eco e ka quajtur vetë titullin një “formë shprehëse” që flet për përmbajtjen. Kur Joyce-i kërkon të dënojë paralizën e jetës irlandeze[14] dhe, përmes saj paralizën dhe shkërmoqjen e botës, për shembull, ai regjistron fjalitë e zbrazëta të mbushura me një vetëbesim të tepruar të gazetarëve, pa dhënë vetë asnjë gjykim. Gjykimi qëndron thjesht te forma e kapitullit, në të cilin rigjejmë të gjitha figurat retorike dhe ku frazat e bisedës u përgjigjen paragrafëve, titujt e të cilëve na kujtojnë ata të artikujve të gazetave; një lloj retrospektive titujsh të gazetës viktoriane të mbrëmjes plot skandale. Umberto Eco e lidh këtë formë rrëfimi me një lloj epifanie. « Nuk bëhet fjalë më për magjepsje nga një epifani vegim, por për një epifani strukturë me përmbajtje të qartë karteziane”[15].
Forma e romanit është “ujdisur” që në kohën e Aristotelit me poetikën e një intrige që sa vjen dhe zhvillohet në kohë. Përkundrazi Joyce-i realizon një formë shkrimore me prerje horizontale, në të cilën brenda një dite ngërthehen kohërat: Antikiteti, Mesjeta, Moderniteti, madje jashtë përsiatjeve dhe bisedave nuk mbeten as Upanishadat që është faza e fundit e Vedave dhe që sipas filozofisë Hindu shpreh te njeriu esencën shpirtërore të ndarë nga trupi.
Te Uliksi veprimet pa ndonjë rëndësi të jetës së përditshme, përftojnë vlera narrative. Perspektiva aristoteliane gjendet kështu e përmbysur; ajo që më parë ishte e dorës së dytë, bëhet kryesore. Aty nuk janë më gjërat e mëdha që ndodhin, por gjërat e vogla që shumohen përbëjnë ngjarjen. Herë-herë në roman ka biseda serioze, herë-herë dëgjohen thirrma vulgare ose shprehje formale, pa kuptim, herë-herë stili kalon në Yiddish ose në një gjuhë të pakuptueshme. Vështrimi i rastësishëm, mendimet dhe gjestet e atypëratyshme, marrin formën e një lloj automatizmi të jetës dhe janë lënda e parë për shkrimtarin. Sepse “arti është mënyra njerëzore për t’i dhënë lëndës së dukshme apo të padukshme një qëllim estetik” (Joyce, Fletoret e Parisit, 1905).
Kritiku Ernst R. Curtius shkruan se “Uliksi ka në bazë një nihilizëm metafizik; te ai makrokozmosi dhe mikrokozmosi prehen në zbrazëti dhe se qytetërimi katandiset në hirnajë si në një kataklizmë kozmike. Nihilizmi i tij është i lidhur me rregullin irracional”[16].
“Çrregullimin” në veprën e Joyce-it disa studiues e quajnë art, sepse çrregullimi aty jepet sipas një rregulli. Me këtë “gjenialitet të formalizmit”, autori ia del të sigurojë ekzistencën e botës së re që ka zbuluar vetë. Pikërisht këtu qëndron shpikja kryesore në roman.
Metoda e Joyce-it që ndërton një monolog të përzier me përshkrimin e gjesteve dhe të historisë, është më afër krijimit poetik. Këtë e ka shpjeguar Budgen[17] që e vlerësonte mënyrën e paraqitjes psikologjike të personazheve te romanit. Në librin me kujtime ai shkruan “ Metoda e thurjes së elementeve në prozën e Joyce-it ishte më shumë ajo e një poeti sesa e një prozatori. Fjalët që përdorte, ai i kishte të gdhendura thellë në mendje, para se të merrnin formë në letër”. Budgen kujton edhe se, ndërsa njëherë e pyeste për ecurinë e romanit, Joyce-i i ishte përgjigjur se “kishte punuar gjithë ditën për të shkruar dy fraza”. Dhe kishte shtuar se “i kishte tashmë në kokë fjalët, por i duhej të gjente rendin ideal”. Ja dhe dy frazat: “A warm human plumpness settled down on his brain. His brain yielded. Perfume of embraces all him assailed. With hungered flesh obscurely, he mutely craved to adore. “ (Ulysses, f. 637). Por përkthimi e ka të pamundur në cilëndo gjuhë qoftë, të ruajë rendin e fjalëve për shkak të zhvendosjes të theksit. Në anglisht fragmenti paraqitet si prozë poetike.
Shembujt e ndryshëm nga romani tregojnë se më shumë është fjala për një poetikë të brendshme të frazës sesa për një teknikë të mirëfilltë poetike. Ai është një art poetik që shpaloset mezidukshëm, një art që trazon dallimet e zakonshme mes poezisë dhe prozës. Valéry Larbaud shihte në këtë teknikë mjetin që Joyce-i të shkruante në mënyrë të natyrshme dhe ta zvogëlonte sa më shumë intrigën.
“Poetika e tij e re nuk ndalet vetëm në shfrytëzimin e sferës së unit lirik në gjendje nistore si në prozën e Woolf-it”, por përfshin një material të shtrirë në hapësirë dhe kohë. Kritika shënon se shqetësimi i Joyce-it për tekstin nuk kishte të mbaruar. Ai dëgjonte me vëmendje dhe shënonte fjalë, të cilat i duheshin dhe kishte besim te ylli i frymëzimit të tij. Gjithçka që grumbullonte, e përdorte në kohën dhe në vendin e duhur. Dhe meqë Uliksi pati si temë jetën në të gjitha pamjet e saj, nuk kishte kufi në përdorimin e elementeve të ndryshme që do të luanin rol në ndërtesën e tij krijuese: ngjyrat e ditës; të qiellit; një parodi; emri i veçantë i një peshku; metodat që përdoreshin për dënimin e marinarëve në anijet shkollore; një frazë e pambaruar; ngërçi nervor i një të ftuari që vizatonte në gotën e tij rrathë bashkëqendrorë; një shaka në një sallë muzike, bisedat nacionaliste… Shkrimtari dhe kritiku Wyndham Lewis thotë: « Kjo është një metodë natyraliste e çuar gjer në makth të përkryer”. Në këtë kuptim Uliksi lajmëron Finnegans Wake. Lexuesi e vë re se gjuha është ajo që shpesh i strukturon perceptimet.
*
Joyce-i ka përfituar nga realizmi psikologjik i personazheve letrare, sidomos i atyre të shekullit XIX, por ai e ndërthur këtë në ekuacionin veprim / monolog. Ne shpeshherë lexojmë mendimet e një personazhi që përshkojnë monologun e një tjetri : përputhje të habitshme bëjnë që Blumi të mendojë atë që Stiveni kishte thënë për Shekspirin. Edhe Lacan-i e përmend këtë gjë. Ndonjë kritik hamendëson se Joyce-i ka për qëllim të vërtetojë një lloj transmetimi telepatik midis Blumit dhe Stivenit. Bie fjala, Stiveni në bibliotekë dhe Blumi në episodin “Sirenat” mendojnë pak a shumë të njëjtën gjë: poetika e trishtimit, roli i muzikës, vargje nga vepra e Shekspirit. Është fjala për një kryqëzim idesh: gjithçka ndodh sikur Joyce-i donte të thoshte se ekziston një nënvetëdije kolektive. Prandaj është e pranueshme për të gjithë kritikët xhoisjanë të flasin për një instancë të një narracioni specifik midis narratorit dhe autorit. Ai shfrytëzon mundësitë që krijon struktura e ligjërimit e bazuar mbi një lloj dialogjizmi me ndërhyrje që janë thyerje logjike në ligjërim.
Për Joyce-in “bota e re”, e re në kuptimin që të ndërmarrësh një punë që nuk është provuar gjer atëherë, është më tepër « më e mira e botëve” të përhershme që rrjedh si lumë. Humori aty është i pranishëm çdo çast edhe pse gjejmë medoemos pesimizëm, hidhërim, keqardhje apo ironi. Humori shërben për të yshtur ankthin e vdekjes. Ndaj edhe dëgjojmë pareshtur të qeshura në të gjitha tonalitetet, një e qeshur që përfshin gjithësinë.
Kjo epope e Uliksit, e simbolizuar me një çifut hungarez, i shtënë pas shkencës, të cilit i bashkohet artisti Stiven Dedalus, i përhumbur në ankthin e Historisë është e jashtëzakonshme. Një pjesë e romanit shquhet për monologun e brendshëm të personazheve, pjesa tjetër për një parodi stilistike dhe autonomie gjuhësore në raport me “subjektet”, derisa gjuha bëhet vetë subjekt. Kështu kur përshkruan një skenë në maternitet Joyce merret me evolucionin e letërsisë angleze. Të gjitha shënimet që ka lënë ai, flasin për një enciklopedi të kulturës dhe historisë. Risjellja e së kaluarës në të tashmen, na kujton formulën e Dekartit : Mendoj, pra, jam[18], mënyrë faustiane për të kapërcyer tmerrin total. Jacques Derrida tregon se Emmanuel Levinas thoshte se Uliksi është “hero shumë hegelian”. Në esenë Uliksigramafon, ndër të tjera, Derrida shkruan: “Nga njëra anë, vepra (Uliksi) e Joyce-it është një makinë shkrimtarie, një korpus, në të cilin shpalosen dhe ndërthuren të gjitha: ligjërimet, gjuhët, dija. […] Nga ana tjetër thjeshtësia e saj dhe mënyrat e tërthorta të paraqitjes, bëjnë që të triumfojë autori dhe gjithçka merr pjesë pastaj për ta bërë të pamundur deshifrimin e tekstit. E shkruar në një përzierje gjuhësh, vepra mban gjallë pështjellimin. […] Ajo lë te lexuesi gjurmë të pashlyera duke e transformuar (nëse ia del ta lexojë; në më të shumtën e rasteve nuk ia del dot).Dhe lexuesi pret nga libri një zë profetik. Libri është si një thirrje në telefon që thotë: “Alo, jam këtu, po të dëgjoj”.
Përfundim
Duke shkruar Uliksin, James Joyce-i kreu një udhëtim gjuhësor që zgjati tetë vjet e që u kurorëzua me një kryevepër botërore. Prandaj krijesat e Joyce-it ia behin nga hapësira e rrëfimit me gjithë plotërinë e tyre duke fituar lëndën prej mishi dhe kocke, jo të një demiurgu, por të një njeriu që është i mbërthyer thellë në “jetën e vërtetë”.
Uliksi është një roman total, me një ndërtim shumëpërmasor që ka bashkuar disa regjistra shkrimorë për të shumëfishuar nivelet e leximit. Duke ecur në gjurmët e Homerit, por nga ana e kundërt e epikës, Joyce-i tregon jetën e zakonshme, komike dhe tragjike njëherësh, betejën ekzistenciale të njeriut. Uliksii sotëm përmbledh në një ditë të vetme në Dublin, dhjetë vjetët e endjes së Uliksit homerik. Epopeja moderne është “parodike […] e mishëruar te personazhi Leopold Blum, i cili nuk ka asnjë përmasë heroike në veprime, por vetëm në ëndrra. Bota në të cilën jeton ai është një pështjellim në vogëlsinë e vet dhe në përmasat mediokre”[19]. Forca e Blumit është të mos mposhtet nga negativja p<r t< siguruar vazhdimësinë e njerëzimit.
Para së gjithash romani është një sfidë vetjake për autorin, e cila mishëron një betejë gjuhësore në kërkim të fjalëve, prandaj është quajtur aventurë gjuhësore. Sintaksë, strukturë, tingull dhe stil, çohen gjer në atë pikë, sa fjalët dhe shkronjat e tyre fitojnë një jetë të pavarur. Simbolizmin që përshkon gjithë romanin dhe portretet psikologjike realizohen me anë të gjuhës. I syrgjynosur vullnetar i vendit dhe i gjuhës së tij, Joyce-i sajon gjuhën e vet, një gjuhë tjetër që e përvetëson, një gjuhë të krijuar prej tij që e shtyn lexuesin deri në kufijtë e të padukshmes. Thyerja e raporteve shkrimore të vendosura nga një traditë mijëvjeçare ishte guxim i madh krijues. Shkrimi i tij imiton shpërfaqjen e një mendimi të vetvetishëm.
Ecuri teknikash dhe lojërash gjuhësore, Uliksi i Joyce-it do të shquhet, ndër të tjera, për përdorimin e shkëlqyer të “përroit të ndërgjegjes”, që mëton të përshkruajë pikëpamjet e personazheve si një barasvlerë të mendimit të tyre.
Të lexosh Uliksin është një përvojë e papërsëritshme, sepse ai është edhe një udhëtim i brendshëm që na përball me një pjesë të unit tonë të panjohur. Joyce-i e vendos subjektin para një pasqyre në të cilën mund të humbasësh ekuilibrin nga e vërteta e zbuluar, por që është edhe e vërteta jonë. Thuhet se Joyce-i e mbrojti njëherë të vetme romanin me thënien e papërsëritshme dhe magjiplote: “Atëherë, po të mos lexohet Uliksi, duket thënë se nuk duhet të jetohet jeta”.
Efekti i “çuditshëm” i romanit lidhet me dendurinë e stilit, i cili është ekstravagant dhe plot kolorit. Këto “ushtrime” stilistike, nëse do t’i quajmë të tilla, nuk mbeten të ngujuara në një botë ëndrrash të ndarë nga jeta: ato hyjnë befasisht në mes të një historie që vazhdon të shtjellohet me gjakftohtësi në mes të një deti kulture. Dhe është kjo lëvizje kontradiktore me rënie dhe ngritje që e shndërron këtë tekst në një stinë të madhe jetësore ku jepen edhe qëndrimet kundër kishës dhe institucioneve, kryesisht ndaj Kishës katolike dhe Shtetit.
“Cilat janë arsyet e një suksesi botëror të Uliksit?”- pyet Typhaine Samoyault, kritike dhe profesore e letërsisë në universitetin Paris 8, e cila ka marrë pjesë në grupin e tetë përkthyesve të romanit për botimin e ri më 2004[20]. “Duke u bërë botëror, Uliksi është shkëputur nga kufizimet kombëtare, por gjithashtu edhe nga pozicioni i tij jashtëqendror duke e transformuar thellësisht idenë e autoritetit letrar. Joyce-i ka emancipuar gjuhën dhe kombin”,- përgjigjet vetë ajo. Kurse Philippe Forest , edhe ky profesor letërsie dhe studiues i vepërs xhoisjane në ditë tona, mendon se “Ulysse” nuk është një libër i palexueshëm”, ashtu si thuhet rëndom, “por një libër i lexueshëm; ai flet për jetën e atij që lexon dhe të atij që shkruan”.
Në të vërtetë, qysh nga botimi i pjesshëm dhe deri në ndalimin e tij të plotë kemi një mungesë perspektive botimi, por njëkohësisht edhe një veprim çlirues, thotë kritika. Censura solli një solidarësi të veçantë me librin. Kemi gra të guximshme botuese si Margaret Anderson në Amerikë dhe Silvia Beach në Francë, postierë që rrëmbejnë kopje të revistës LittleReview pas dënimit ku është botuar Ulysses, ka gjyqtarë dhe botues që e mbrojnë librin. Sigurisht ka edhe doganierë që zbulojnë kopje të librit dhe i djegin.
Por është për t’u theksuar, se botues me emër kanë luftuar ta heqin censurën mbi librin duke marrë pjesë me guxim në një proces të madh gjyqësor në mbrojtje të romanit për vite të tëra. Prandaj mund të thuhet se romani mbarti një fuqi transformuese: “Uliksi ka karakter transformues, ai nuk ka ndryshuar vetëm rrjedhën e letërsisë, por edhe përkufizimin e letërsisë në sytë e ligjit”[21].
Vepra e Joyce-it karakterizohet kryesisht nga një zotërim mahnitës i gjuhës dhe nga përdorimi i formave letrare të reja, të shoqëruara me krijimin e personazheve si Stiven Dedalus, Leopold Blum dhe Molli Blum që janë individualitete të një humanizmi të thellë.
Burimet: Veprat kryesore të Joyce-it, botimet Pléiade dhe arkiva Universalis.
[1] Revistë e avanguardës amerikane me bashkëdrejtues dhe bashkëpunëtorë Gertrude Stein, Shervood Andersom, T.S. Eliot. Romanin Uliksi të Joyce-it e rekomandoi aty Ezra Pound që ishte bashkëpunëtor për Europën. Revista e cilësonte si një nga veprat më të rëndësishme të shekullit XX, e cila do të transformonte krejt prozën narrative.
[2] Umberto ECO, L’Oeuvre ouverte, ndarja 1: La poétique de l’oeuvre ouverte, Seuil, Paris, 1962, f.97.
[3] Letër dërguar H.Weaver-it, 24 qershor 1921 në Lettres 3 : 1915-1931, Paris, Gallimard, 1981, f. 194.
[4] Vladimir NABOKOV, Littératures, Paris, Robert Laffont, 2010, f. 1214. Në kurset e letërsisë në universitetet amerikane (1941-1958), Nabokov-i ka analizuar vepra nga Dickens, Flaubert, Stevenson, Proust, Kafka, Joyce ashtu si edhe ato të autorëve rusë: Gogol, Tourgenjev, Dostojevski, Tolstoi, Çehov dhe Gorki. Ai ka bërë një studim ikonoklast për DonKishotin. Duke hedhur poshtë shumicën e ideve të pranuara për kryeveprat e letërsisë, Nabokov-i pohon me një humor të shkëlqyer dhe ironi konceptet e veta të pavarura. “Litteratures” nuk arriti të botohej në gjallje të autorit, por në sajë të një pune të paepur dokumentuese të profesorit amerikan Fredson Bowers, skicat e Nabokovit, shpesh në dorëshkrim dhe shënimet në kopjet e librave që i duheshin për citime në auditor, formuan librin e madh të kurseve universitare, që John Updike, në parathënie i quan Ese.
[6] Misogine (fr. me burim grek): Që urren ose përçmon gratë.
[7] Carlo LINATI, shkrimtar dhe kritik italian (në James Joyce, Œuvres complètes, Gallimard, « Bibliothèque de la Pléiade », 1995, v. II, f. 910-911.
[8] Herbert GORMAN, shkrimtar dhe biograf amerikan.
[9] Letër dërguar Carlo Linati-it, 21shtator 1920 (në James Joyce, Œuvres completes… (vepër e cit.). Po aty.
[10] Frank Spencer BUDGEN (1882 – 1971), piktor, shkrimtar dhe veprimtar socialist. Budgen dhe Joyce kanë kaluar shumë kohë bashkë në Zvicër, sidomos gjatë Luftës I botërore. Libri i tij me kujtime James Joyce and Making of Ulysses, 1934, përshkruan diskutimet e tyre të shumta rreth problemeve estetike të krijimit. Si piktor Budgen-i ka realizuar mjaft portrete të James Joyce-it.
[11] Jacques LACAN, Le Séminaire, livre XIII, Lesinthome, Seuil, Paris, 2005, f.65.
[12] Kur botoi Joyce-i romanin, shteti i Izraelit nuk ekzistonte.
[13] Mendoj se ajo parathënie duhet ta shoqërojë librin në të gjitha ribotimet.
[14] “Banorët e Dublinit janë bashkëkombësit e mi… por ata përbëjnë një racë sharlatanësh … Dublinasi e kalon kohën duke dërdëllitur dhe duke shkuar nga kafeneja në kafene, në taverna dhe në bordel…”. Citim nga një letër e Joyce-it në librin e Richard Ellmann-it, Joyce.
[15] Umberto ECO, L’Oeuvre Ouverte, Du Seuil, Paris, f. 221.
[16] Ernst Robert CURTIUS (1886-1956) , një prej figurave të mëdha të kulturës moderne europiane. Filolog dhe profesor letërsie në disa universitete të Gjermanisë, ai bëri studime për shumë autorë si Paul Valéry, Maurice Barrès, Valéry Larbaud, Paul Clodel, Marcel Proust, James Joyce, Emerson, T.S. Eliot, Hugo von Hofmannsthal e të tjerë. Ai është autor i veprës së shquar “Letërsia europiane dhe Mesjeta latine”.
[17] Frank Spencer BUDGEN, James Joyce et la création d’Ulysse, (përkth. nga angl.), Denoël, Paris, 2004, f.137.
[19] Robert LOUIS, James Joyce, Une epopee parodique, Magazine Littéraire, Paris, janar, 2004, f. 55.
[20] Përkthimi i ri i romanit u bë më 2004 nga Shtëpia Botuese Gallimard, Paris, me një grup prej tetë vetësh të formimeve të ndryshme universitare, kryesuar prej Jacques Aubert.
[21] Kevin BIRMINGHAM, The Most Dangerous Book: The Battle for James Joyce’s Ulysses, 2014, f. 92.
O Dardani, sa shekuj mban mbi supe,
sa stuhi kanë kaluar mbi malet e tua;
sa herë retë e zeza janë mbledhur mbi fusha,
e sa herë agimi ka lindur përsëri mbi ty.
Nën gurët e lashtë fle kujtesa e një kohe,
nën barin e butë heshtin gjurmët e të parëve;
në rrënjët e lisave të vjetër rron zëri i dheut,
si një amanet që koha nuk mundi ta marrë.
Të kanë kaluar mbi shpinë shekuj e sundime,
të kanë trazuar erëra, stuhi e furtuna;
por, si mali që i pret retë me gjoksin përballë,
ti ke qëndruar — e plagosur, por kurrë e shuar.Sa nëna kanë pritur pranë dritares në heshtje,
me një lutje të fshehur thellë në kraharor;
sa etër kanë përcjellë bijtë me lot në sy,
dhe sa fëmijë janë rritur para kohe me dhimbjen.
Ka emra që ruhen në gurë e në kujtesë,
ka varre ku pranvera mbin mbi dheun e ftohtë;
ka plagë që nuk shihen, por jetojnë në shpirt,
si një dimër i gjatë që pret diellin e vet.
Por edhe toka e di sekretin e ringjalljes:
pas dimrit, rrënja nuk vdes — ajo pret;
nën borë ruan farën e pranverës së ardhshme,
dhe kur vjen koha, çel pa pyetur sa gjatë ka pritur.
Kështu ke jetuar edhe ti, Dardani:
me rrënjë thellë në tokë e me sy nga qielli;
e ke bartur dhimbjen pa e lënë të të marrë shpirtin,
dhe ke ruajtur një dritë edhe në netët më të zeza.
Por sot plagët nuk janë vetëm kujtime.
Ka një tjetër dhimbje që ecën rrugëve tona:
është valixhja e të riut që niset larg shtëpisë,
është dritarja e nënës që pret një kthim,
është heshtja e një prindi që nuk di ç’të shpresojë.
Është toka që mund të japë fryt, por mbetet pa duar;
është mendja që kërkon mundësi dhe gjen dyer të mbyllura;
është fjala që premton shumë e harron shpejt,
dhe e vërteta që shpesh mbetet duke kërkuar zërin e saj.
Por një popull nuk humbet vetëm kur e godet stuhia;
humbet atëherë kur pushon së besuari në agim.
Prandaj, Dardani, mos ia dorëzo shpirtin dëshpërimit.
Mos e kthe plagën në urrejtje,
as kujtesën në zinxhir që të mban peng;
ruaje të kaluarën, por ndërto mbi të një të ardhme.
Sepse e vërteta është si dielli pas reve:
mund të fshihet, por nuk shuhet;
mund të vonojë, por nuk humbet rrugën;
dhe kur del mbi horizont, ndriçon edhe atë që ishte fshehur.
E vërteta nuk është pronë e askujt.
Ajo është dritë për të gjithë.
Prandaj duhet ta kërkojmë me guxim,
ta mbrojmë me drejtësi
dhe ta themi pa urrejtje.
Sepse një popull që kërkon të vërtetën
nuk ka nevojë të ketë frikë nga drita.
Dhe lufta jonë e sotme duhet të jetë një luftë tjetër:
jo kundër njëri-tjetrit,
por kundër errësirës që na mban të ndarë;
kundër padijes, padrejtësisë, korrupsionit e dëshpërimit.
Le të luftojmë me dije atë që na mban të paditur,
me drejtësi atë që e shtrembëron ligjin,
me punë atë që e varfëron jetën,
dhe me dinjitet çdo tundim që kërkon të blejë ndërgjegjen.
Le të bëhemi si lumi që zbret nga mali:
nuk ndalet përpara shkëmbit, por gjen një udhë tjetër;
mund ta turbullojë stuhia, mund ta rëndojë balta,
por uji vazhdon ta kërkojë detin.
Edhe ne duhet të ecim.
Jo gjithmonë në të njëjtën rrugë,
por drejt të njëjtit horizont.
Le të bëhemi si pema:
rrënjë të thella në kujtesë,
trung i fortë në qëndresë,
degë të hapura drejt së ardhmes,
dhe fruta që u përkasin atyre që do të vijnë pas nesh.
Sepse një popull pa rrënjë thahet,
por një popull që vetëm shikon pas nuk e sheh agimin.
Duhet të dimë nga vijmë
që të dimë ku duam të shkojmë.
Atdheu nuk është vetëm toka që shkelim.
Është edhe mënyra si sillemi me njeriun pranë nesh.
Është drejtësia që kërkojmë,
puna që bëjmë,
fjala që mbajmë
dhe e ardhmja që u lëmë fëmijëve.
Ç’kuptim ka një flamur nëse nën të njeriu ndihet i harruar?
Ç’kuptim ka liria nëse i riu nuk sheh rrugë për të ardhmen?
Ç’kuptim ka kujtesa nëse nuk na mëson të bëjmë më mirë?
Dhe ç’vlerë ka fitorja, nëse pas saj mbetet vetëm përçarja?
Të rënët nuk nderohen vetëm me emra në gurë.
Ata nderohen kur liria bëhet jetë me dinjitet;
kur fëmija mëson pa frikë,
kur i riu punon pa u përulur,
kur ligji është i njëjtë për të gjithë.
Kujtesa duhet të jetë rrënjë, jo pranga.
Plaga duhet të bëhet urtësi, jo urrejtje.
Historia duhet të na mësojë të mos përsërisim
atë që i ka kushtuar aq shumë këtij vendi.
E ardhmja nuk ndërtohet duke harruar të shkuarën,
por duke mos lejuar që e shkuara të na verbojë.
Prandaj mbillni, o bij e bija të Dardanisë,
edhe kur toka duket e lodhur.
Mbillni dije në shkolla,
drejtësi në institucione,
besim në shoqëri,
dashuri në familje
dhe përgjegjësi në zemër.
Një ditë do të rriten.
Ashtu si fara që fle nën tokë
dhe askush nuk e sheh duke punuar në heshtje;
derisa një mëngjes çan dheun
dhe del drejt dritës.
Kështu lind edhe shpresa.
Jo me zhurmë,
por me rrënjë.
Dhe një ditë do të vijë mëngjesi mbi Dardani.
Mbi malet do të hapet qielli,
lumenjtë do të vazhdojnë rrugën e tyre,
fushat do të mbajnë përsëri aromën e tokës së punuar,
dhe dritaret do të hapen jo vetëm për të pritur,
por për të mirëpritur ata që kthehen.
Do të vijë një kohë kur i riu nuk do të pyesë:
“Ku duhet të shkoj që të kem një të ardhme?”
Por do të thotë:
“Çfarë mund të ndërtoj këtu?”
Dhe mërgimtari do ta ndiejë vendin si shtëpi,
jo vetëm si një kujtim që e ruan larg;
sepse toka e tij do t’i japë arsye për t’u kthyer,
dhe fëmijët e tij do të kenë një arsye për të qëndruar.
Atëherë do ta kuptojmë
se një vend nuk shërohet brenda një nate.
Shërohet ngadalë,
si mali pas stuhisë,
si toka pas dimrit,
si pema pas degëve të thyera.
Por shërohet.
Nëse nuk e braktisim.
Nëse nuk e shesim shpresën.
Nëse nuk ia fikim dritën njëri-tjetrit.
Prandaj, Dardani, ec.
Ec me kujtesën në zemër,
por me sytë nga e ardhmja.
Ec me të vërtetën në gojë,
me drejtësinë në shpirt,
me dijen në mendje
dhe me punën në duar.
Kur të vijë stuhia, bëhu mal.
Kur rruga të bllokohet, bëhu lumë.
Kur dimri të zgjasë, bëhu farë.
Kur të duket se gjithçka është shuar,
ruaje shkëndijën.
Sepse zjarri më i madh
mund të lindë nga një prush i vogël
që dikush refuzoi ta linte të vdiste.
Dhe ndoshta drita që kërkojmë
nuk po vjen nga larg.
Ndoshta ajo ka qenë këtu gjithë kohën:
në duart e atyre që punojnë,
në sytë e fëmijëve që mësojnë,
në zemrën e nënës që ende shpreson,
në zërin e atij që guxon të thotë të vërtetën,
në dorën që ngrihet për drejtësi,
në njeriun që zgjedh të ndërtojë
kur është më e lehtë të dorëzohet.
Kjo është drita jonë.
Jo një dritë që verbohet nga lavdia,
por një dritë që ndriçon rrugën.
Jo një dritë që kërkon të djegë tjetrin,
por një dritë që i tregon edhe atij udhën.
Sepse e vërteta nuk ka nevojë për urrejtje.
Ajo ka nevojë për guxim.
Dhe drejtësia nuk ka nevojë për hakmarrje.
Ajo ka nevojë për ndërgjegje.
Prandaj, kur nata të duket e pafund,
mos thuaj se drita ka humbur.
Shiko horizontin.
Diku pas malit,
dielli tashmë është duke lindur.
Dhe kur rrezja e parë të prekë majat,
do të zbresë ngadalë mbi çdo gur,
mbi çdo shtëpi,
mbi çdo fushë,
mbi çdo plagë që ka pritur kaq gjatë.
Atëherë do ta kuptojmë:
nuk ishte errësira që na mbajti gjallë,
por drita që nuk pranuam ta humbnim.
Nuk ishte vetëm historia që na solli deri këtu,
por mënyra si zgjodhëm të ngriheshim prej saj.
Dhe nëse shekujt na lanë plagë,
le t’u lëmë brezave një amanet tjetër:
një vend më të drejtë,
një shoqëri më të bashkuar,
një të ardhme më të ndritur.
Le t’u lëmë jo vetëm kujtimin e asaj që kemi vuajtur,
por dëshminë e asaj që kemi ndërtuar.
Sepse Dardania nuk është vetëm ajo që ka qenë.
Dardania është edhe ajo që ne zgjedhim të bëhet.
Dhe për sa kohë që një zemër këtu ende beson,
për sa kohë që një fëmijë hap një libër,
për sa kohë që një njeri ngrihet për të drejtën,
për sa kohë që një dorë mbjell një pemë
edhe pse nuk do ta shijojë vetë hijen e saj—
Dardania nuk e ka humbur dritën.
Mali do të qëndrojë.
Lumi do të rrjedhë.
Fara do të çajë tokën.
Pranvera do të vijë.
Dhe dielli do të dalë.
Sepse mund të vonohet agimi,
por nuk mund të ndalohet.
Mund të errësohet qielli,
por nuk mund të shuhet dielli.
Mund të plagoset një popull,
por për sa kohë ruan të vërtetën në shpirt,
ai ende ka fuqinë të ringrihet.
Dhe kështu, nga rrënjët e lashta
deri te brezat që ende nuk kanë lindur,
nga gurët që ruajnë kujtesën
deri te drita që kërkon horizontin,
Dardania do të ecë.
Jo pa plagë.
Por me shpresë.
Jo pa dhimbje.
Por me dinjitet.
Jo pa errësirë.
Por me dritën përpara.
Dhe kur dikush të pyesë një ditë
se si e gjeti rrugën një popull
mes kaq shumë nate,
përgjigjja do të jetë e thjeshtë:
E kërkoi të vërtetën.
E ruajti kujtesën.
E mbolli shpresën.
Dhe nuk e la dritën të vdiste.
Prandaj—
Drita në Dardani
e gjen rrugën e saj
edhe përmes errësirës.
Është muaj shtator. Më 12 shtator 1989,në moshën 75- vjeçare,është ndarë nga jeta një shkrimtar i madh i LETRAVE SHQIP,STERJO SPASSE. Këtë batutën që lexoni më sipër,e dëgjova shumë vite më parë nga një kooperativist që,tek bënte debate me biigadierin e tij,pyetjes:”PSE?”,iu përgjigj flakë për flakë:-Psenë nuk e ka gjetur STRJO SPASSE dhe jo ta gjej unë!!! Brigadieri,u tregua i mundur dhe unë,si dëshmitar i këtij debati kaq shpotitës,por dhe emocional.u mbusha me emosione gëzimi.. Isha i sigurt që as ai kooperativisti dhe as brigadieri,jo vetëm nuk e kishin lexuar romanin “PSE?”,por as që e dinin se kush qe ky STERJO SPASSE. Por opinioni është më i madh se sa qyteti.Bredh gojë pas goje dhe bëhet sundues. Mendoni veç për pak:ka ndodhur rreth viteve ’60-të të shekullit të kaluar dhe që të dy debatuesit(ata i njihja mirë:ishin me shkollë fillore),por jo vetm kaq:edhe unë që po shkruaj,në ato vite,nuk e kisha lexuar”PSE?” që qe si”mollë e ndalueme” në kohën e diktaturës së proletariatit”. E sa për STERJO SPAASEN,jo vetëm e njihja,por dhe e doja.Ndaj më erdhi mirë që ai kooperativisti i thjeshtë e vuri poshtë brigadierin që i hëngri shpirin me”pse”. Çelësi i fitores qe STERJO SPASSE.
*
Unë e kam njohur STERJO SPASSEN qysh mesviteve ’50-të të shekullit të kaluar,kur qeshë nxënës në shkollën Pedagogjike”Luigj Gurakuqi” në Elbasan. Profesori im i letërsisë,i ndjeri AZMI STRINGA,drejtonte dhe bibliotekën e shkollës. Profesori më fuste atje dhe,së pari,lexova Revistën”Normalisti” ku gjeta shkrime nga ish-nxënësi,STERJO SPASSE. Më ngjitën shkrimet e tij dhe,mbaj mend, që në Elbasan, tek bukinisti “Mendel” alias Dajë SULË KURANi gjeta “Afërditën” atë roamnin që STERJO SPASSE e kish shkruar pas romanit “PSE”. Atëherë,sado që nuk lija libër pa lexuar, i merrja gjithë gërat si të vërteta dhe tek lexoja”Afërditën” më dukej se kjo qe mësuesja ime e fillores në PETOVË të FIERIT, e mira FATMIROSHE GURGAJ që qe jo vetëm e mirë,por dhe shumë e bukur. Dhe thosha:- Kot ia ndërron emrin,kjo është dhe pikë,–Po ku e njohu,vallë? Pastaj,kthiellesha dhe thosha:-Po dhe unë,bëj pyetje idiote,po”Psenë” nuk e ka gjetur STERJO SPASSE dhe jo ta gjej unë. Më tej, Xha Koroveshi,një nga personzhet.Aha,këtu nuk e ha sapunin për djatthë. Shkruan ti se Xha Korveshi është nga Gorica apo nga fshatrat e PRSPËS? Jo i nderuar e ke marrë nga PETOVA e FIERIT (unë jam vet nga PETOVA). Këtu ka pesë familje me mbiemrin Koroveshi dhe me siguri ti ke zgjedhur,xha LILI KOROVESHIN,se ky është më i gjatë!!! Nëse e ke fjalën për atë Rako Ferrën, efhe ky është nga Fieii,se aty ka disa familje me mbiemrin Ferra.
Por le t’i lëmë aluzionet dhe hamendësimet naive të miat,pyetja është e thjeshtë:-Pse ndodhte kështu me librat e STERJOS? Ndodhte kështu se qenë shkruar përmjet shpirtit të shkrimtarit,
E ka thënë me kohë HANS HOFMAN:” Një vepër arti është një botë me vete që pasqyron shpirin dhe emocionet e botës të autorit”. Ka dhe më: kur e pyetëm FLAUBERTIN për romanin”Madam BOVARI”, mësje kush është kjo”zonja BovariI?”. Dhe ai:-Po unë jam,kush mund të jetë tjetër? Sa lexova këtë,thashë:”Aha,AFËRDITA qenka ky,kush mund të jeë tjetër? Ndaj dhe ju kthye dhe,pas çlirimit,shkroi” Afërdita përsëri në fshat”. Shkroi,po vallë a pushoi ai së shkruari? Në biografinë e tij letrare,ka katër libra me tregime; ka 10 romane; ka tekste të gjuhës Shipe për shkollat 8-vjeçare,tekst të stilistikës për shkollat e mesme; ka artikuj pedagogjikë; ka përkthime dhe me një emër përgjithësues
STERJO SPASSE ka qenë një” makineri e vërtertë shkrimi”.. Nuk flas vetëm për sasinë e shkrimeve,por,veçanërisht,për cilësinë. E pamundur që,pasi e lexon, të mos e duah atë. Unë jam një nga të shumtit që e dua.
*
Shpesh herë,tek mendoj për STERJO SPASSEN,nuk u shpëtoj disa hamendësive që nuk duhet të jenë vetëm të mijat. Në moshën 21 vjeç,kur ishte mësues në zonën e DROPULLIT( më duket në Derviçan),shkruan romanin “PSE?”.
Qe një risii letrare,një si “trokitje në portë”,për romanin filozofik dhe si shteg për romanin modern. Bëri atë një diturak ka thënë:-Mos shko atje ku është shtegu, po hap shteg dhe lërë gjurmë.” E hapi shtegun dhe la gjurmë,por kishin ndërruar kohët dhe në SHQIPËRi kish vetëm një filozofi:made in bolshevizëm dhe romani shprehte”rrezik”.
Sidoqoftë,STERJO SPASSE nuk i ndali shkrimet dhe,pothuaj,i arriti të tëra. Me tituj, ndere,medalje. Me çmim të REPUBLIKËS;Nderi i qarkut të KORÇËS; Nderi i komunës së PUSTECIT (ku përfshihet dhe Gollomboçi i tij )dhe mbi të gjitha ai qe NJERIU i dashur që i donte njerëzit. Nëse duhet ta veçoj paksa,STERJO SPASSEN,siç mendoj unë, mban veshur kostumin e një NJERIU mbushur me virtyte. E ka thënë me kohë KONFUCI: “Njeriu superior mendon për virtytin,njeriu i zakonshëm për rehatin.”. Po të merrja hua një thënie të humoristit të madh Amerikan,MARK TWEN.ai qe aq i mirë si njeri,sa mirësinë e tij e “shikonin” dhe të verbërit dhe e “dëgjonin” dhe shurdhët. Mos kujtoni se po zmadhoj diçka për të. Para se ta mbyll,dua t’ju them që shtëpia e tij në PRESPË, me fond të UNESKOS.është kthyer në muze,ku ruhen veç veprave,shumë relikte që janë dëshmi të një NJERIU që ka lënë pas vlera. Ai është sjell me njerëzit, si një ZOT i mirë dhe i dashur. Më duket se BALZAKU kur i tha këto fjalë,ka njohur një të gjashëm me njerëzit. Fjalët e BALZAKUT janë këto:- Është sjel si ZOT me njerëzit.
*
Sado nuk më lejon shëndeti, do ta quaja të mangët këtë ese timen, po mos shtoj një ndodhi që ka vlerën e një vërtetimi noterik,pa”vulë” të thatë.
Shtëpia ku ka jetuar STERJO SPASSE në Tiranë, ka qenë si një hotel “me pesë yje”. Kjo shtëpi qe strehë për krejt PRSPARËT që vinin në Tiranë për hallet e tyre. Ku do gjenin më babaxhan se bashkëfshatari i tyre i dëgjuar që i priste me krahët hapur bashkë me të shoqen STEROVICËN. I biri i tij,ILINDENI,më tregonte duke qeshur:” Buçiste shtëpia sikur çdo ditë bëhej dasëm. Ndodhte si me atë përrallën:”hanin të gjitë e tepronte gjysma”! Tej shakave,vetëm rroga e STERJOS,se STEROVICA nuk punoi asnjë ditë. Mos përmend këtu,kolegë të STERJOS,si NONDA BULKA;MAHIR DOMI,FATMIR GJATA;r,ZISA CIKULI dhe lista e gjatë. Edhe ISMAIL KADARE se kish shok kur studuuan në Leningrad. Për kontrbutin e madh tl STERJS SPAASES,tek kjo shtëpi u vendos një pllakë përkujtmore,me okelion:”Kjo shtëpi është e STERJO SPASES”. Ra plani dhe u vendos që do ndërtohej pallat. U prish dhe familja u vendos në pallatin që u ngrit. Pas dy vjetësh, u kujtuan për atë”Pllaknpërkujtimore”.Pyesnin të njohurit për rrreth dhe të gjithë ngrini supet. Rreth e përqark,ka një seri dyqanesh dhe, tek psonisnin,njerëzit shprehnin shqetësimet e tyre. Shprehin keqardhje. Aty,nëpër këmbët e tyre,vete e vjen me cigare në gojë një bohem. Aty ka qenë ai kur rronte ai burri zotëri, me emrin STERJO SPASSE. Aty paskësh qenë kur u prish shtëpia dhe pllaka mbeti përdhe. E rrëmbeu,sikur qe thesar dhe e çoi në shtëpi. E mbuloi me një copë rrobë dhe nuk ia besonte njeriu.
Dhe kur i tha mendja, e mori me gjithë rrobë dhe u tha:”Merreni,ua solla! Ishte gjynah të shkelej me këmbë.” SE ai ZOTNIA na donte të gjithëve! Bohemët njerëzit që vdesin me zemrën e qashtër të një fëmije. Kjo është nota më e lartë që merr NJERIU-STERJO SPASSE!
Ai është i paharruar dhe rron përmjet veprave të tij.
Sot flamuri valon dhe nuk është vetëm era që e lëviz; është një zë që zbret nga qielli mbi tokën tonë dhe na thërret me emrin e Atdheut. Është një kushtrim që zgjon kujtesën, që troket në zemrat tona dhe na kujton se ka çaste kur një burrë nuk qëndron thjesht në këmbë, por qëndron përpara historisë, përpara tokës së vet dhe përpara flamurit që mbledh nën hijen e tij një popull të tërë.
Rreshtohuni!
Rreshtohuni përpara flamurit, ju që e mbani në zemër kujtimin e atyre që mungojnë; rreshtohuni ju që dikur nisët me një ëndërr dhe sot ktheheni me kujtesën e një kohe që nuk shuhet; rreshtohuni ju që e dini se liria nuk është vetëm fjala që shqiptojmë, por përgjegjësia që mbajmë mbi supe.
Rreshtohuni, sepse flamuri nuk ju thërret vetëm juve; ai thërret edhe hijet e atyre që nuk mund të rreshtohen më. I thërret emrat që jetojnë në gurë, në fotografi, në kujtimet e nënave, në sytë e fëmijëve dhe në heshtjen e shtëpive ku mungon një zë. I thërret ata që sot janë pjesë e qiellit dhe që, sa herë flamuri ngrihet, duket sikur kthehen për një çast në mesin tonë.
Rreshtohuni!
Sepse sot nuk është vetëm një ceremoni. Sot është një përballje me kujtesën. Përballë jush qëndron flamuri dhe brenda tij duket sikur mblidhet e gjithë toka jonë: mali dhe fusha, gurët dhe krojet, shtëpitë dhe pragjet, nëna dhe biri, dhimbja dhe krenaria, nata e gjatë dhe mëngjesi i lirisë.
Shikojeni flamurin!
Shikojeni mirë, sepse ai nuk valon vetëm mbi kokat tuaja; ai valon mbi kujtimet tona. Në çdo palosje të tij duket një faqe historie, në çdo valë të kuqe duket një plagë e vjetër, ndërsa shqiponja duket sikur hap krahët dhe na thotë se një popull nuk mbahet gjallë vetëm nga ajo që fiton, por edhe nga ajo që nuk harron.
Rreshtohuni sërish!
Jo për të kërkuar një luftë të re, por për të mos lejuar që kujtesa të shpërndahet. Jo për të ngritur armët, por për të ngritur kokën. Jo për të kthyer kohën pas, por për t’i dhënë së ardhmes një themel mbi të cilin ajo mund të ecë me dinjitet.
Rreshtohuni për nënat që ende i mbajnë emrat e bijve të tyre në zemër. Rreshtohuni për fëmijët që sot rriten nën një qiell të lirë. Rreshtohuni për gurët e pragjeve ku u dhanë përshëndetjet e fundit. Rreshtohuni për malet që ruajnë heshtjen e tyre. Rreshtohuni për çdo emër që nuk duhet të humbasë në harresë.
Dhe kur flamuri të ngrihet edhe më lart, mos e ulni shikimin.
Le ta shohë secili veten në atë flamur.
Le ta shohë atje babanë që nuk u kthye, nënën që priti, fëmijën që u rrit me një fotografi në duar, ushtarin që qëndroi deri në fund dhe Atdheun që ende kërkon nga bijtë e vet një gjë të vetme: kujtesë, dinjitet dhe bashkim.
Rreshtohuni!
Rreshtohuni krah për krah, jo sepse jeni të njëjtë, por sepse ju bashkon e njëjta tokë. Rreshtohuni me zemrat e hapura, me ballin lart dhe me emrat e të rënëve në kujtesë. Bëjeni rreshtin tuaj një urë mes së kaluarës dhe së ardhmes, një dëshmi se ajo që është përjetuar nuk harrohet dhe se ajo që është fituar me sakrificë duhet të nderohet.
Sot flamuri valon.
Sot toka dëgjon.
Sot kujtesa zgjohet.
Dhe sot, përpara këtij flamuri, një zë ngrihet mbi heshtjen:
Rreshtohuni, bij të kësaj toke!
Rreshtohuni përpara flamurit!
Rreshtohuni përpara kujtesës!
Rreshtohuni përpara Atdheut!
Sepse disa rreshta shpërbëhen kur mbaron ceremonia, por rreshti i kujtesës nuk shpërbëhet kurrë.
Ai vazhdon në zemrat tona.
Ai kalon nga babai te biri, nga nëna te vajza, nga një brez te tjetri.
Dhe sa herë flamuri ngrihet në qiell, ai kushtrim do të dëgjohet përsëri:
Në rresht!
Përpara flamurit!
Përpara Atdheut!
Përpara kujtesës që gjithmon Jetë do të ketë.
-Pa ardhur një njeri tjetër këtu, ti nuk mund të ikësh prej këndej sonte.
-Nuk mund të iki ? Pse po më mbani peng.? Po ju le protezat e mia peng. Nuk do mbaçitem gjer nesër. Nuk iki askund. Nuk ju fshihem. Më thërrisni nesër.
-Nuk mund të ikësh.
-Po ju le unazën time të martesës, Është gjashtëdhjetë vjeçare ajo. S’e kam hequr asnjëherë nga gishti. Më lini të iki të fle rehat në shtëpinë time. Nuk ju fshihem. Nuk iki askund – përsëriti fjalët e tij i moshuari me zë pak më të lartë.
-Nuk mund të ikësh!
-Po ju le peng bastunin. Ky bastun i gdhendur vlen për muze.
Polici kruajti kokën, i hodhi sytë tinëz të moshuarit.
-Nuk mund të ikësh pa ardhur dikush tjetër këtu. Kafazi s’duhet të rrijë bosh.
-Po e ngrata ime të rrijë qyq ?
Rron ajo ? – e pyeti i çuditur polici.
-E drobitura ime jo, por rron hija e saj. Unë hijen e saj e ushqej për mbrëmje e përnatë. I lag buzët nga etja. E mbuloj në të ftohtë. Në të ngrohtë i bëj fresk. I dredh një cigare afër agut se në ag ajo hije bëhet fytyra e së ngratës sime.
Ky paska rrjedhur – belbëzoi polici. – O njeri i moçëm, s’po të lë tek koshi sonte. Më dhimbsesh. Do të rrish këtu tek kthina ime me mua gjer nesër, pasnesër.
-Po të drobiturën ta lë vetëm.? Ajo do të qajë e ngashërej, do të më kërkoj.
-Eh, o i moçëm, e vdekura nuk kërkon njeri.
-Do më kërkoj hija e saj. Hija e saj është pëshpërimë e përshpirtje. T’i lutemi e t’i falemi.
Kujt ? Hijes ?- u çudit polici.- Ç’t’u desh të hysh në turmë, o njeri? Nuk e sheh e dëgjon ç’bubullon gjithandej?
-Nuk jam i turmës unë. Nuk protestoj. Më shtyu vala. Dikush më mbërtheu nga krahët, më tërhoqi mënjanë të tjerëve. Pastaj më solli këtu.
-Ç’të të them unë? S’mund të bëj asgjë për ty sonte.
Mundesh, mundesh – këmbënguli i moshuari.
-Si mundem? Ti do të ikësh prej këndej. Por po t’ikësh ti atëhere jam unë në kosh.
-Hap dritaren. Kaq mundesh.
Polici iu bind fjalëve të të moshuarit. E hapi dritaren. Shpejt e mbylli me një pendesë të vetëtimtë.
Mos ke ndërmend të fluturosh q’andej-e pyeti polici njeriun afër vetes. Kur ç’të shoh?
Proteza plot jargë rrëzuar përdhe. Unaza kërcente plot tinguj. Bastuni me kokën e shembur por pa asnjë ofshamë. I moshuari këmbënguli përsëri :
-Hape dritaren! Mos e mbyll. Nuk hyn e nuk del kush q’andej.
Polici, i rrudhosur e i vranët, e hapi me nge dritaren. Papritur një frushullimë e fortë e shtyu pas. Ai u mbajt s’i u mbajt tek rrjeta e çelniktë e koshit. Koshi bosh. Ndoshta aty jetonte frika. Frika e kujt? E policit, nëse i moshuari nuk përmendej nesër nga lodhja dhe pabesia e fajit të paqenë? Frika e të moshuarit se kur të dilte prej këndej jashta nuk do ta gjente gjallë të ngratën plakë-hije në shtratin e vet?
Një hije e ngratë hyri nga dritarja. Hije e njohur veç për të moshuarin. Hija-plakë atje në shtëpi përmendi të ngratën-hije ta linte gjumin, gjumi ta linte shtratin.
Hija mbathi kepucët me gjethe të vyshkura dhe hyri tek ngrehina policore nga dritarja e hapur.
Hape derën, hape, o kapter ! – bërtisnin disa zëra të tjerë kapterësh nga korridori duke qëlluar me grushte, me grushte e me shkelma pafund derën.
-Kemi sjell gjahun…
-Shpëtove, o i ngratë, – i tha polici të moshuarit. Vetëm të moshuarit se hijen e së ngratës së tij ai as nuk e shihte, kund, as përdhe, as rrethrrotull, as në tavan, as tek krevati policor me një këmbë uloke.
-Nuk dal. Ku të shkoj? Do të rri këtu gjersa të agoj.
-Ç’thua, o njeri ?- e pyeti gjithë habi polici – Tani je i lirë. Ndoshta ti nuk duhet të rraseshe këtu. Këtu të solli turma.
– Jo turma por njeri prej jush. Njeri prej jush. Me uniformë, pa uniformë. Ju të gjithë jeni njësoj. Nuk jeni të gjithë njësoj.
Tetëdhjetë e dy vjeçari Fundim Kucka po çartej e çatrafilosej i gjithi a po fliste më kthjellët se çdo herë tjetër?
– Ti më xhveshe lakuriq. Jo ti., dikush si ty. Më poshtëroi duke më rrasur këtu.
Fundim Kucka po zbraste mllefin e tij. Kush e dëgjonte ?
Shpëtove, o i ngratë – përsëriti njeriu me uniformë.
-Tani mund të shkosh. Je i lirë.
Ku të shkoj ? S’e mbaj mend udhën nga erdha. As shtëpinë time përdhesë s’e mbaj mend. Unë jetoj diku. Diku hyj e dal. Diku kthehem. Ushqehem. Pshurr. Lahem. Laj si laj pislleqet e mia.
– O i ngratë, shpë-to-ve…- ia theksoi rrokjet polici njeriut që zbrazi mllefin e tij. – Sa ta hap derën dil shpejt përjashta. Ca turmacakë të tjerë do të mbyllen këtu. Ata janë keqbërës, ndoshta hajdutë, kërcënues, vrasës.
-Mos llomotit kështu, o polic. Mos. A nuk po i dëgjon të qarat e fëmijve, të qara grash. Eh, tek-tuk mund të ketë edhe burra. Burra të vërtetë. Jo si mua kërcu. Ti nuk di asgjë. Nuk e di ç’janë ata. Nuk e di pse i sollén këtu. Protestoj!- bërtiti Fundim Kucka. Po kush e dëgjonte veç vetes dhe të ngratës së vet.?
Ku është, ku është ajo ?- pyeti i moshuari. – Pyeti veten. Njeriu me uniformë nuk e pa hijen e ngratë kur hyri nga dritarja. Po as plaku nuk e pa nga doli.
-Ku të shkoj tani unë ? Njeri pa njeri. Hije njeriu. As hije. Nga ia mbathi ajo e ngrata ime? S’i drodha as cigaren e mëngjesit.Po unë nga t’ia mbath? Ku e kam shtëpinë? Në një plevicë bari apo haur bagëtish?
O kapter, o matuf, hape derën se do e shqyejmë-bërtitën sërish nga korridori.
-Kemi sjell gjahun….
Sonte kafazi do jetë plot- tha polici. Ç’fat.! Nesër do të marrim rrogat. Ndoshta edhe shpërblime.
ç’ruan
në zbehtësinë e fytyrës
në aneminë e fjalës
ç’fsheh
barrën e dhjetë
apo vitet e tua
ç’ruan
në zbehtësinë e fytyrës
zërin e t’yt shoq
apo në përkëdhelje të humbur
ç’ruan në aneminë e fjalës
këngën e heshtur
apo një pranverë të sosur
ç’ruan
kur përkund kohën në djep
ç’ruan
ç’fsheh
Ora e parë
Jusufi
Jusuf Kanjushë e verdhë
Jusuf Gërvalla… mungon
Teuta Iliri Agroni Ylli
Fadi Fadil Talla… mungon
Ylfetja Ylfete Humolli… mungon
Shukrija Shukrije Obërtinca… mungon
Kimetja Arsimi Kujtimi
Halimi… Halimi… mungon
Shpresa Besa Kastrioti
Fatmiri Fatmir Kërleshi… mungon
Afrimi Afrim Zhita… mungon
Vazhdojmë
Valbona Shkurta Gjoni
Xhevati… Xhevati… mungon
Mungon Nesimi Bekimi
Afrimi… Afrim Prebreza… mungon
Mos më sillni
Certifikata mjekësore
Prindore policore shtetërore
Thoni vetëm mungon
Me lule do t’ua mjekojmë plagët
Do t’i presim
Do t’i presim
Thoni vetëm mungon
Do të çelin lule gjaku
ora vazhdon…
Prej teje deri te unë
Prej teje deri të unë,
Një natë
Dhe rrugë e gjatë.
Prej teje deri të unë,
Njerëzit ecin pa zhurmë.
(Disa kthehen nga turni i tretë).
Prej teje deri të unë,
Hapat në trotuar.
Në kokat e kalimtarëve,
Zhurmë makinash.
(Si te unë fjalët).
Prej teje deri të unë,
Secili edhe një hap në shtëpi.
Prej teje deri të unë,
Nata e vodhi rrugën
E di emrin tim
Nëse më njeh – e di emrin tim
ka emrin e fluturimit
nëse e di emrin tim mos më thirr fluturim
Nëse më ke parë – e di kush jam
i kam krihet e thëllëzës
nëse e di kush jam mos më thërrit thëllëzë
Nëse ke dëgjuar këngën time – e di si këndoj
vëlla e kam bilbilin
nëse e di si këndoj këngën mos ma ndal
Nëse lotët i urren – e di se unë nuk qaj
qyqen nuk e kam fis
nëse e di se nuk qaj mos më thuaj se nuk ndjej.
Ka ndërruar jetë në moshën 76-vjeçare Flora Brovina, ish-deputete e Partisë Demokratike të Kosovës.
Brovina, e cila ka qenë edhe pediatre dhe aktiviste për të drejtat e grave, ishte parashikuar që nesër të dëshmonte në gjykatë lidhur me Masakrën e Dubravës.
Dëshmia e saj ishte planifikuar në një kohë kur rasti i Masakrës së Dubravës vazhdon të jetë një prej çështjeve të rëndësishme që lidhen me krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
Brovina ka qenë e burgosur gjatë luftës dhe në biografinë e saj dokumentohet edhe përvoja e saj si e burgosur politike.
Kush ishte Flora Brovina?
Brovina u lind në Skenderaj. Kreu shkollimin në Prishtinë, ndërsa studimet për mjekësi në Beograd dhe Prishtinë.
Specializimin në fushën e pediatrisë e kreu në Zagreb.
Punoi si gazetare në të përditshmen “Rilindja”, ndërsa më pas iu kthye profesionit të mjekësisë.
Në vitin 1992 themeloi Lidhjen e Gruas Shqiptare për të kontribuar në mbrojtjen e të drejtave të gruas.
Më 20 prill të vitit 1999 u rrëmbye në banesën e saj nga paramilitarët serbë dhe u dërgua në burgun e Pozharevcit në Serbi, ku më pas u dënua me 12 vjet burg.
Pas presionit ndërkombëtar, u lirua dhe u kthye në Kosovë në vitin 2000.
Që nga ajo kohë u angazhua në punë humanitare dhe në aktivitete politike.
Botoi disa libra me poezi: “Verma emrin tim” (1973), “Bimë e zë” (1979), “Mat e çmat” (1995). Poezitë e saj janë përfshirë në antologji dhe janë përkthyer në disa gjuhë.
Ka qenë deputete e Kuvendit të Kosovës në radhët e Partisë Demokratike dhe kryetare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.
Me rastin e 25 – vjetorit të atentatit terrorist në Kullat Bibjake të Nju Jorkut, po botojmë një fragment nga romani me të njejtin titull i shkrimtarit Skifter Këlliçi, botuar në vitin 2010 në Shqipëri, në vitin 2022 në Amerikë nën titullin “Disastrous September” nga Llullu Press dhe nën titullin “Disastroso Septembre” vitin e kaluar në Itali. Siç dihet, midis rreth 3000 viktimave të këtij atentati ishin edhe tre shqiptarë, personazhe të këtij romani .
11 SHTATOR, GJITHNJË MËNGJES, NË ORËN 8. 45 E MË PAS
Besimi ndodhej në kosh dhe po përfundonte së pastruari qelqet e dritareve të kateve të epërme të kullës së parë.
Tisnaja mjegullore po davaritej duke lënë të shfaqeshin kokat e rrokaqiejve të tjerë përreth kullave binjake, të cilat dukeshin sikur atë mëngjes po përshendetnin njera- tjetrën. Nga sipër në tarracën, të mbushur me turistë, disa prej tyre, madje edhe me fëmijë, zgjateshin që të fotografonin Besimin në kosh dhe pamjet magjepsëse që shpaloseshin pas tij nga kjo lartësi.
Mund të kishte vazhduar si zakonisht punën, por Markoja i kishte thënë se, përderisa sistemi elektrik në kullën e dytë nuk kishte përfunduar së rregulluari, ai kishte dëshirë ta zëvendësonte në mënyrë që shoku i tij të bënte një pushim të shkurtër. ”Për dy javë ti do ta lesh këtë zanat një herë e përgjithmonë, ndaj duhet të të mbajmë me kimet”, i kishte thënë. Dhe Besimi ishte bindur.
Mirëpo, kur shtypi butonin dhe koshi dalëngadalë zuri të ngrihej për të arritur në tarracën e katit të 107- të, ku e priste Markoja, ai dalloi nga larg një avion që po bënte drejt kullës. Gjatë tërë atyre viteve që kishte punuar pastrues në Kullat Binjake, kishte parë avionë që kalonin mbi qiellin e Nju Jorkut, por kurrë të fluturonin kaq pranë.
Mos ndoshta piloti po bënte ndonjë demonstrim, mos ndoshta, duke qenë i pirë, kishte humbur kontrollin e avionit që drejtonte, mos ndoshta po bënte një shaka pa kripë? E, pra, nuk dukej avion i vogël, një ose dy vendesh, por avion transporti udhëtarësh.
Edhe Markoja, mbeti i çoroditur kur pa që avioni tashmë po sulej drejt kullës. Lëshoi një britmë, ia bëri me dorë, si t’i thoshte pilotit se kishte gabuar kahje, se po të vazhdonte kështu, do të përplasej me kullën. Ishte një veprim i pavetëdijshëm, se, merrej me mend, se nga një largësi, ende e madhe, piloti as që kishte mundësi ta pikaste atë që vazhdonte të tundte dorën gjithnjë e më shumë.
Por kur avioni u shfaq tashmë aq pranë, si dinozaur parahistorik me krahë të nderë, i gatshëm të mësyjë prenë e tij, kur ai goditi me shpejtësi marramendëse diku në mesin e kateve të kullës, kur ajo u trand, u lëkund, Besimi në kosh dhe Markoja në tarracë, ndonëse larg njeri- tjetrit, e morën me mend se kishte ndodhur diçka që ia kalonte tmerrit, llahtarit, hatësë.
Në çast koshi ku ndodhej Besimi, i cili tashmë po ngjitej me shpejtësi mbeti dhe u tund sa nga e majta aq edhe nga e djathta, sa ai mezi mundi të mbante drejtpeshimin. Shtypi edhe një herë butonin, por më kot. Atëherë kuptoi se qarku elektrik ishte bllokuar dhe ai kishte mbetur i burgosur në kosh, pa më të voglën mundësi që të dilte së andejmi.
Markoja u sul drejt hekurave rrethuese të tarracës, u mbështet mbi to, zgjati kokën dhe pa koshin që ende vazhdonte të tundej me Besimin brenda tij. E kuptoi që koshi tashmë nuk mund të ngrihej dhe se shoku i tij do të mbetej përgjithnjë atje.
Rrufeshëm vrulloi teposhtë drejt ashensorit. Së bashku me të edhe dy – tre punëtorë që edhe ata ndodheshin mbi terracë, së bashku me grupin e turistëve, që shtrëngonin në duar fëmijët e tyre. Ishin kaq të tromaksur sa, duke e parandierë se ç’rrezik i madh i priste, asnjëri nuk shqiptoi qoftë edhe një fjalë. As Markoja. Mirëpo ashensori nuk punonte. Markoja u kujtua se edhe aty ishte ndërprerë qarku elektrik.
– O burra, te shkallët! – briti me zë të mbytur njëri nga punëtorët, kur sinjali i alarmit po jehonte drithtueshëm.
Ashtu bënë të gjithë. Bashkë më ta edhe Markoja, i ndjekur nga turistët, që filluan të flitnin tërë ankth në gjuhët e tyre. Duke u derdhur furishëm nëpër shkallë, ai solli ndërmend se, kështu ishte derdhur edhe Besimi disa vjet të shkuara, kur kishte marrë vesh se në katet nëndhese të kullës ishte hedhur një bombë dhe ashensorët ishin bllokuar.
Shkallët po dyndeshin tani edhe nga punonjës të kateve të tjera dhe burra e gra që sokëllinin të mbërthyer nga paniku e llahtari.
– O zot, ç’është ky, tërmet?
– Jo, më duket se një avion ka goditur anën e prapme të kullës.
– Një avion? Po piloti ku i kishtë sytë?
– Një djall e merre vesh!
– Lërini llafet, të shpëtojmë kokën. Kjo ka rëndësi!
Ata bënin teposhtë e teposhtë, andej nga filloi të vinte një duhmë e rëndë dhe shtëllunga tymi të zi, zunë të ngjitëshin lart, aq sa atyre filloi t’u zihej fryma.
Markoja u ndal në katin e 80- të dhe mori majtas. Vrapoi nëpër mesore, u përplas me disa nëpunës, që u habitën kur panë se ai, në vend që të kriste e t’ia mbathte si ata, po bënte të kundërtën, u rrëzua, u ngrit, u kthye djathtas, u fut në një zyrë, pastaj në një tjetër dhe tutje dritares së madhe të saj pa Besimin brenda koshit që varej pezull. Megjithëse si i kapur në çark po mundohej t’i afrohej dritares.
Atëherë Markoja rrëmbeu një karrike dhe, me sa forcë që kishte, nisi të godiste qelqin e trashë të dritares. Të njejtin veprim zuri të bënte edhe Besimi me shkopin e gjatë, mbi majën e të cilit ishte furça që i shërbente për të pastuar e larë dritaret. Por më kot. Shkopi qe i lehtë dhe i hollë. Ai nuk kishte peshë dhe si pasojë, pas disa përpasjesh në qelqin e trashë të dritares, pjesa e sipërme e tij, u thye.
Besimi ofshani dhe drejtoi sytë nga Markoja që goditi karriken sërishmi edhe më më shumë forcë mbi xhamin e trashë të dritares. Xhami në një moment u kris, u plasarit dhe më së fundi u grimcua në qindra e qindra kokrriza të imta, një pjesë e të cilave u tretën teposhtë dhe një pjesë tjetër e vogël u përhap mbi parketin e zyrës.
– Zgjatma shkopin!- briti Markoja që tashmë ndodhej mbi prevazin e dritares, aq sa po vinte veten në rrezik.
Dhe Besimi ashtu bëri. Markoja i tendosur nderi krahun e djathtë për ta kapur shkopin dhe dorën tjetër e mbërtheu në pjesën prej dërrase të dritares, qelqi i së cilës tashmë ishte thyer përgjysmë. Atëherë, si e shtrëngoi shkopin fort në dorë, e tërhoqi pas vetes e bashkë me të, tërhoqi edhe koshin ku ndodhej Besimi. Sapo koshi preku faqen e murit ku fillonte dritarja, Besimi, me duart të mbështetura në mbajtësen e koshit, u ngrit me të dyja këmbët mbi paretin anësor të tij, u hodh përmes dritares brenda dhomës dhe u shkapet mbi dyshemenë e zyrës dhe atë çast nga goja e tij shpërtheu një rënkim therës.
– Ç’pate? – pyeti Markoja duke iu afruar dhe duke rrekur ta ngrinte.
– Këmba, – rënkoi Besimi, duke u përpjekur të ngrihej. – Më duket se e ndrydha.
– Të ndihmoj unë, – i dha zemër Markoja, duke e kapur për duarsh.
Por Besimi ndjeu se e kishte tepër të vështirë. Sidoqoftë, ishte dëshira për t’u larguar sa më parë që aty, dëshira për të zbritur sa më shpejt poshtë, dëshira për të jetuar, që e hovëzoi, që i dha forca. Ndaj, vuri njërin krah mbi shpatullën e Markos, i cili e mbështolli me njerën dorë në bel, u ngrit më këmbë dhe zuri të çapiste.
Nisën të zbrisnin shkallët e kateve të sipërme, ndërsa shihnin se brinjas u kalonin plot punonjës që derdheshin vrullueshëm nëpër shkallë. Secili për të qenë sa më shpejt poshtë, secili për të shpëtuar nga kjo katrahurë.
Nga dhëmbja që nisi të shtohej gjithnjë e më shumë, Besimi nuk mund ta prekte këmbën e ndrydhur në dysheme e jo më të ecte. Ndaj, duke u mbështetur edhe më fort në në shpatullat e Markos, zuri të përdorte vetëm këmbën tjetër.
Mirëpo, kur po zbrisnin kështu disa kate më poshtë, për njerëzit që vërshonin pas tyre, ata pa dashur u bënë pëngesë.
– Ej, ju, bëni tutje, se kini i zënë tërë shkallën, – u sokëlliu një zë pas tyre.
Të tjerë nuk e zgjatën, dhe i shtynë, aq sa ata për pak nuk u rrëzuan.
– Mbahu mbi shpatullat e mia, Besim, – i tha atëherë Markoja.
– Eshtë e kotë, Marko, – ia ktheu Besimi. – Më mirë më ler mua dhe ik, ik, sa nuk është vonë.
– Në asnjë mënyrë, mik, – ia ktheu Markoja duke tundur kokën.
Dhe kështu, në sheshpushimin e një kati, ai u përkul para Besimit, që i mbështeti duart mbi shpatullat e gjëra të tij. Kësisoj, ata vazhduan të përshkonin shkallët teposhtë.
– Si nuk deshi perëndia që të shkoje me mëngjes në kullën tjetër, ku punon ngahera, – tha pastaj Besimi me dhëmshuri. – Do të kishe shpëtuar nga kjo mënxyrë.
– Ja që kështu ndodhi, – rënkoi Markoja . – Po të bëjmë tani durim e të shpëtojmë së bashku.
Mirëpo, kur po kalonin pranë një dritareje që të shpinte edhe një kat më poshtë, ata panë vetëtimthi një avion tjetër që u përplas me rapëllimë shkundulluese diku mbi kullën dytë, që u përpi brenda kateve të saj të cilat shpërthyen në flakë.
Në çast ata që vazhdonin të vërshënin rrakapjekthi nëpër shkallë, burra e gra, u lebetitën e një grimë mbetën, thua se një avioni tjetër kishte goditur kullën ku ndodheshin.
Besimi ndjeu që shpatullat e fuqishme të Markos mbi të cilat kishte vënë duart, u drodhën; ai u lëkund e mezi u mbajt.
– Atëherë, nuk paska qenë gabim i pilotit që goditi këtë kullë, – mëmëriti ai me zë të përhumbur -Si thua, Besim?
Besimi mbeti një çast pa ditur ç’të thoshte.
– Ke të drejtë, Marko,- iu përgjigj pastaj dëshpërueshëm.- Ky është atentat kundër të dy kullave.
– Po kush e bën këta atentat kush, kush ? Ata ta Al Kaedës?
– Askush tjeter, veç atyre.
Atëherë Besimi pa se si Markoja, edhepse mbante mbi shpatulla peshën tepër të rëndë të trupit të tij, u grahu shpejt këmbëve nëpër shkallë, ku edhe më shpejt po turreshin edhe të tjerë, të tromaksur nga buçimat rëqethëse që kishte shkaktuar goditja e avionit të dytë ndaj kullës tjetër.
Mirëpo këtë radhë, disa nga ata që ndodheshin pas tyre, nuk u bënë më zë që të lëronin rrugën, por në panik e sipër, e dashur pa dashur, i shtynë ata të dy si të mundin. Markoja u rrek të mbahej, por humbi drejtpeshimin dhe u gremis me gjithë Besimin, koka e të cilit u përplas me forcë në parmakun prej hekuri të shkallës. Përplasja qe kaq e fortë, sa gjaku ziuri të buiste nga balli dhë të mbulonte fytyrën e Besimit, që kafshoi buzën e poshtme që të mposhtte një dhëmbje tjetër therëse.
Markoja, ndonëse edhe ai i dëmtuar në njërën dorë, brofi shpejt më këmbë dhe deshi ta ngrinte përsëri Besimin dhe së bashku me të të vazhdonte të zbriste. Por ai vuri buzën në gaz dhe i tha me një fije zëri:
– Tani është e kotë, Marko. Në do të shpëtosh veten, më lër mua këtu dhe vrapo. Vrapo sa të të hanë këmbët, vrapo sa zjarri që duhet të këtë shpërthyer poshtë, të mos kapëlojë shkallët.
– Jo, jo!- briti Markoja, ndërsa lotë nisën t’i teptisnin sysh.
– Marko, – vazhdoi Besimi, kur fytyra tashmë i ishte mveshur nga një nënqeshje e irnosur. – Ti e di mirë, herën e parë më 1993 shpëtova duke zbritur këto shkallë për rreth tri orë e gjysmë. Dhe nuk kisha njeri mbi shpatull, siç më pate ti mua deri pak më parë. Tani, pas kësaj që më ndodhi, nuk mund të më ndihmosh se fuqitë po më lënë. Kështu qenka e thënë, or bir. Ndaj shko, shpëto të paktën veten.
Dhe kur Markoja i mbytur në lotë, nderi duart që ta mbarte, Besimi pati aq forca sa t’i mbërthentë njerën prej tyre e t’i thoshte:
– Lamtumirë, Marko!
Më tepër se një përshëndetje e fundit, ato fjalë i tingëlluan Markos si urdhër. Ndaj ai e zuri Besimin për qafe, e shtrëngoi fort, e puthi mes ngashërimesh dergjeplota, u ngrit, bëri disa hapa, u pendua, deshi të kthehej sërishmi nga ai, por kur pa që Besimi përsëdyti vrazhdë :”Ik sa më parë, Marko!”, u bashkua me turmat që, edhe ato tashmë kishin kuptuar se këto që po ndodhnin në të dyja kullat, ishin pasojë e një bëme djallëzore, të përgatitur enkas, ndaj, të lebetitura vazhdonin të derdheshin poshtë e më poshtë shkallëve, përmes tymit të zi sterrë që dëndësohej gjithnjë dhe më shumë.
Ndonëse rrallë, pati dhe ndonjë që, ashtu si Markoja iu afrua Besimit të përmbysur pranë parmakut, por ai, me sy tashmë të mjegulluar ua bëri me dorë që të vazhdonin të largoheshin.
Atëherë, Besimi nxori nga xhepi telefonin e dorës.
▀
Marta po përgatitej të shkonte, si përherë në punë, kur dëgjoi zilen e telefonit. E ngriti dhe dëgjoi zërin e Besimit. Zakonisht ai rrallë i telefonte në orët e para të mëngjesit, ndaj dhe ajo u habit kur dëgjoi zërin e tij dhe u habit edhe më shumë, kur ai zë ishte më shumë se hija e atij zëri. Një zë i moskësobotshëm.
– Martë, a je vetëm në dhomë, apo me djalin?- e pyeti ai.
– Djali është në dhomën e vet e po sheh një film në televizor, – iu përgjigj ajo. – Po pse më pyet?
– Mbahu si burrneshë, Martë. Kulla ku ndodhem unë ashtu si dhe kulla tjetër binjake, janë goditur nga dy avionë. Mos më pyet më gjatë. Me siguri këtu kanë gisht terroristët e Bin Ladenit.
Me të dëgjuar këto fjalë, ajo nuk përmbajti një klithmë.
– Të thashë të mbahesh si malësore që je!- e urdhëroi ai.
Dhe ajo shtëngoi buzët që i dridheshin.
– Tash më dëgjo me vemendje, – vazhdoi ai.
Kësodore, zuri t’i rrëfente çfarë kishte ndodhur. Pas çdo fjale të tij Marta psherëtinte, ofshante, mbante lotët, gëlltiste këtë ogur të zi që po ia helmonte zemrën, shpirtin, jetën.
– Në besë të besës më ke, – tha pastaj ajo përmes ngashërimesh brengosëse, kur Besimi mbaroi së rrëfyeri gjithçka që kishte përjetuar dhe që përjetonte ato çaste. – Edhe Trimit, tash për tash nuk po i tregoj asgjë…
Por fërgëlloi kur ndjeu se dy duar të vogla e prekën nga pas, dy duar që dridhëtonin, që digjeshin, dy duar që përvëlonin. Ktheu vrulltas kokën dhe pa të birin, Trimin, me sy të rrëmbushur, që nisi të thoshte plot përdëllim:
– Nënë, në televizor shikova se të dyja kullat kishin marrë flakë, kurse ti sapo flisje për mua në telefon e po thoje që nuk do të më tregoje gjë . Me babën po bisedoje?
Marta mbeti e drunjësuar, pa ditur se ç’përgjigje t’i jepte të birit.
Atëherë Trimi, që kuptoi gjithçka, mori telefonin nga dora së ëmës dhe zuri të thoshte me ngashërim:
– Babë, ti më ke vënë emri Trim, ti më ke mësuar që trim të jem gjithnjë! Më thuaj, babë, a je në një nga kullat që po digjen?
Edhe Besimi, ashtu si Marta, u befasua, kur dëgjoi ç’po i thoshte i biri. E pa që ishte e kotë t’ia mbante këtë të fshehtë atij. Në mos tani, ca më vonë, ai do ta mësonte atë.
– Po, bir, jam në kullën e parë.
– Po vimë edhe ne babë, – klithi Trimi me tërë forcën e mushkërive të tij. – Po vimë për të të shpëtuar.
– Është e kotë, bir. Kullat s’do të vonojë e do të shëmben. Mund të shpëtojnë vetëm ata që ndodhen në katet e poshtme të tyre. Prandaj, mbahu dhe ti si nëna jote.
Pas këtyre fjalëve, Trimi, sadoqë u përpoq, u mbyt në lotëri.
– Po burrnohu, Trimi i babës, ti sapo më dhe fjalën, – dëgjoi zërin e të atit, që thuajse po i përgjërohej.
Megjithatë, një forcë instiktive e shtyu djalthin të kapte për dore nënën dhe të bënte vrulltas përpara, duke shpresuar në një fuqi të mbinatyrshme që së bashku me të të dilnin thuajse duke fluturuar jashtë pallatit, ku banonin dhe, po duke fluturuar, të gjendeshin te Kullat Binjake, të gjenin shpejt babain dhe ta shpëtonin. Por qe një feksje e vetëtimtë, një mirazh po aq i vetëtimtë, që erdhi e u shua menjëherë.
Sado i vogël, Trimi, duke ndjekur nga ekrani pamjet gjëmëmëdha, e kuptoi mirëfilli se ç’po ndodhte dhe mbeti, ndërsa e ëma, duke shtënguar buzët që të mos i shpëtotnte prej tyre ndonjë gulçim, e rroku dhëmshurisht..
– Mirë, babë, atë po bëj, – mërmëriti pastaj vogëlushi, duke fshirë me dorën tjetër lotët që i çurkonin faqeve.
– Tani më dëgjo me vemendje, ti me nënën, – vijoi Besimi, ndërsa Trimi me Martën pritnin ç’do t’u kumtonte ai:
– Bir, pas pak ditësh ju do të ktheheni në Kosovë, do të shkoni në Prizren, në qytetin ku kam lindur, ku prindërit më vunë emrin Besim, që të besoj për të ardhmen e Kosovës.. Nuk do të kalojnë një, dy, ose dhe pak më shumë vjet dhe kjo ka për të ndodhur.
– Po babë, ne do ta shohim atë ditë të lume, do ta shohim Kosovën të pavarur, siç më ke thënë shpesh herë ti.
– Ah, sa e bukur është Kosova, bir!…
Ashtu si një vetëtimë që çan qiellin e rënduar nga re të tufanta, të cilat paralajmërojnë stuhi, shtërgatë, ashtu edhe Trimit vetëtimthi iu kujtuan ato fjalë që ati i kishte përsëritur sa e sa herë, qoftë kur shetitnin dhe ai magjepsej nga bukuritë e mahnitshme të Nju Jorkut, nga rrokaqiejtë, ujëvarat gurgulluese e liqenthet që hijeshonin parqet bleroshe, qoftë kur e vinte për të fjetur, ku, veç përrallave, i shushuriste me zë ëmbëlak:
“A don male në Kosovë, bir? Ke për të parë Bjeshkët e Namuna, me majën e tyre më të lartë, Gjeravicën. A don fusha? Sikur të kalosh, qoftë përmes Fushës së Kosovës, ke për t’u mahnitur, kur të ecësh e të ecësh përmes saj e ajo ka për t’u dukur se nuk ka të sosur. Po lumenj? Afrohu në brigjet e Drinit të Bardhë që është më i madhi e që përshkon tërë Rrafshin e Dukagjinit, me pamje që të lenë pa mend. Po liqenet, bir! Më nënën do t’i ngjitesh Malit të Sharrit dhe ke për të parë liqene të vogla me ujë të kthjellët e të kaltërt, si qielli në ditë të bukura pranverë…!”.
– Po, babë, – mezi mundi të belbëzonte pastaj Trimi i ngashëryer. – E ti sa e sa herë më ke folur plot mall për bukuritë e Kosovës e të të jap fjalën që kam për t’i parë, ashtu siç kam për të parë edhe viset e Grudës, ku ku ka lindur nëna…
Ai heshti një grimë dhe priti fjalën e Besimit.
– A po më dëgjon, babë?- e pyeti pastaj.
Por nuk dëgjoi më zërin e tij.
– Babë, babë! – gulçoi pastaj Trimi duke drejtuar sytë plot ankth nga e ëma.
Përsëri heshtje.
Atëherë Marta, mori dorëzën e telefonit nga duart e tij.
– Si je, Besim?- e pyeti, gjithashtu, plot ankth.
Por, në vend të përgjigjes, nga marrësi erdhën buçima, këlthitje, rënkime dhe asgjë tjetër.
Unë jam Ura Mirabo
E di se një poet i quajtur Gijom Apolineri
Ka shkruar për mua një poemë të përmendur
Ku dashuritë gëzimet brengat dhe ditët
Ai i ka përqasur me ujërat që rrjedhin pandërprerje
Nën harqet e mia moskokëçarëse
Që ikin tutje pa asnjë shpresë kthimi
Siç thotë metafora e stërnjohur e Heraklitit nga Mileti
Ato që kam parë e kam dëgjuar gjatë ekzistencës sime
Qysh nga koha që kam zënë vend në brigjet e këtij lumi
Më kanë bindur se të gjitha gjërat dhe krijesat e kësaj bote
Janë kalimtare si valët e lodhura që kalojnë nën harqet e mia
Të cilat kanë harruar se dikur kanë qenë re
Pika vese shira të imët rrebeshe flokë bore
Burime lumenj liqene dhe dete
Muzgjeve
Kur rrallohen anijet që lundrojnë nëpër Senë
Kur shuhet zhurma e hapave që ecin në kurrizin tim
Kur yjtë e largët zbresin nga qielli dhe pasqyrohen në lumë
Sikur duan të më bëjnë shoqëri dhe të ma pakësojnë vetminë
Unë zë të recitoj në heshtje poemën e Gijom Apolinerit
Sikur autori i saj të isha unë Ura Mirabo :
Atëherë ndiej sesi më pushton një ngashërim i thellë
Dhe trupi im metalik dridhet nga dënesje të forta…
NJË LËMSH I ZJARRTË
Kam ndjesinë sikur kam brenda meje
Një lëmsh të zjarrtë
Ai është kaq i pranishëm tek unë
Saqë e përfytyroj flurudhën e tij
Përmes qenies sime
Unë nuk e di nga çfarë përbëhet
As sesi bashkëjeton
Me mishin dhe me eshtrat e trupit tim
Nuk jam në gjendje të them
Emrin e këtij lëmshi të zjarrtë
E vetmja gjë për të cilën jam i sigurt
Është se ai më nxit të mendoj të ëndërroj
Të kryej atë që nuk ia kam dalë dot ta bëj
Ose atë që më duket e pamundur
Unë nuk e di a do të qëndrojë gjatë i ndezur
Ai lëmsh i zjarrtë
Apo do të shuhet përnjëherësh
Gjithçka që mund të them për praninë e tij
Është se ai lëviz nëpër qenien time
Si një yll i këputur apo si një kometë…
ZOGU QË KLITHI NË MUZG
Vallë çfarë deshi të më thoshte
Ai zog që klithi në muzg
Përballë dritares sime ?
A mos deshi të më bënte të njohur
Praninë e tij apo vetminë e tij ?
A qe vërtet një zog
Apo ai qe shpirti i ndonjë të afërmi
Të vdekur prej kohësh
Që kishte ardhur të më mbushte mendjen
Se dukuria e metempsikozës
Ekziston me të vërtetë ?
I pikëlluar nga nata që po e shndërronte botën
Në një humnerë të mugët e të shurdhër
Unë mbeta me sy të mbërthyer te dritarja
Sikur prisja t’ia behte në hapësirën e saj
Zogu që klithi në muzg
A mos vallë ai zog i padukshëm
Ishte diçka e dashur që e kisha humbur gjatë jetës
Dhe nuk do të kthehej më kurrë ?
Ndoshta në kohën që unë prisja ta dëgjoja përsëri
Zërin e zogut që klithi në muzg
Përballë dritares sime
Sytë e tij ishin bërë yje që më vështronin
Nga qielli i pakufishëm…
VEGIM NATE
Do të doja të kisha një fuqi mbinjerëzore
Për të lëvizur nga vendi shkëmbin e zi e të rëndë
Me të cilin kjo natë e ka mbyllur shpellën e saj të errët
Dhe zgjat drejt meje mendimet e saj të kobshme
Si duart e zhgabërryera të një Polifemi të verbuar
Më kot strukem në skutat më të largëta të shpellës së errët
Duke përgjuar me veshët pipëz edhe zhurmën më të vogël
Të hapave që enden verbtazi dhe nuk reshtin së afruari
Unë e di se Polifemi ma ka bërë benë
Se fati im është të jem pré e tij
Më kot pres që të zbardhë drita
Që një rreze dielli të depërtojë përmes ndonjë të çare
Për t’i dhënë fund ankthit të kësaj nate të pasosur
Ku rri pa shtënë gjumë në sy
Pa shpresuar se shkëmbi që zë grykën e shpellës së saj
Do të lëvizë nga vendi ndonjëherë
Ky shkëmb i zi e i rëndë i shkoqur nga brinja e një mali
Do të jetë guri i varrit tim të errët
Si kjo natë makthi kur mendimet e saj të mynxyrshme
Më kërkojnë me mllefin e me ngulmin e një Polifemi kanibal
Që ma ka bërë benë të më hajë të gjallë
Që afrohet e afrohet…
MESAZH PËR ZOTIN
Si ta gjej adresën e-mail të Zotit
Për t’i dërguar një mesazh
Për t’i thënë se ai është një autor i dështuar :
Bota e krijuar prej Tij
Në gjashtë ditë apo gjatë miliona vjetëve
Po shkon keq e tukeq ?
Për t’i thënë se bota jonë
Kërcënohet nga anijethyerja
Nga cunamet dhe nga megazjarret
Sidomos nga mynxyra më fatale sesa të gjitha të tjerat :
Nga marrëzia njerëzore
T’i lutem me zjarr
T’ia fillojë punës menjëherë
Për ta rishkruar Gjenezën
Për të nxjerrë në dritë një Botë të Re
Ku do të përjashtohet qenia njerëzore
Ose së paku do të rimodelohet
Do të bëhet një qenie
Që nuk e ka kryer vrasjen e parë
Nuk e ka nyjëtuar ende fjalën « luftë »
Nuk e ka shpikur bombën H
Nuk ka stokuar me mijëra koka me mbushje bërthamore
Që mund ta hedhin në erë planetin disa herë
Një qenie që nuk ka filluar ta kolonizojë Tokën
Me Hordhinë e Hekurt të Robotëve
Ta lus me zjarr Zotin të veprojë
Para se të jetë kaluar vija e kuqe
Përtej së cilës zhdukja e botës sonë
Do të jetë e pakthyeshme
Sepse një fund i tillë nuk mund ta gëzojë
As të jetë për Të një titull fisnikërie
Me gjithë lutjet që i drejtohen
Dhe me gjithë e-mail-et që shfaqen ditë e natë
Në ekranin e kupës qiellore
Shpresoj se mesazhi im i ngutshëm
Nuk do të kalojë pa u vënë re nga sytë e Tij
Sidomos shpresoj se Ai do të më kthejë një përgjigje
Nga e cila do të varet mbijetesa e miliarda qenieve
Dhe e vetë Tokës sonë…
DATIMI I POEMËS
Pashë një ëndërr ku sapo kisha shkruar një poemë të zymtë
Në të cilën bëhej fjalë për një botë muzgore
Të kërcënuar nga pushtime nga rrokullisje
Nga humbja e venomeve dhe e vlerave njerëzore
Nga kthimi i barbarisë
Sapo e kisha hedhur në letër vargun e fundit
Silueta e Historisë u shfaq para meje
Dhe me një zë urdhrues më tha
Të vija datën në fund të poemës
Pasi më kaloi çmeritja
Data e parë që më erdhi në mendje
Qe viti 476 pas Krishtit kur Odoakri rrëzoi nga froni Romulusin
Perandorin e fundit romak të Perëndimit
Historia ia shkrepi të qeshurit
Duke shtuar se ajo ishte një kohë tepër e largët
Data e dytë që më erdhi në mendje
Qe viti 1337 kur filluan konfliktet
Që u bënë Lufta Njëqindvjeçare
Historia ma mori nga dora stilolapsin
Dhe i ra vizë kësaj date
Data e tretë që më erdhi në mendje
Qe viti 1453 kur ra Konstantinopoja
Dhe u konvertua Shën Sofia
Historia bëri një shenjë mohuese
Me gishtin tregues të dorës së djathtë
Data e katërt që më erdhi në mendje
Qe 18 qershori i vitit 1815-s kur disfata e Napoleonit
U pasua nga batica e zezë që vërshoi në Europë
Historia më tha se as kësaj here
Nuk kisha qëlluar dot në shenjë
Data e pestë që më erdhi në mendje
Qe 28 korriku i vitit 1914 kur plasi Lufta e Parë botërore
E quajtur ndryshe Ploja e madhe ose Lufta e Fytyrëcopëtuarve
Historia më tha se i isha afruar mjaft
Datës së saktë
Data e gjashtë që më erdhi në mendje
Qe 1 shtatori i vitit 1939
Kur ushtria hitleriane pushtoi Poloninë
Çka shkaktoi fillimin e Luftës së Dytë botërore
Historia më tha t’i hapja sytë mirë
Dhe ta vëzhgoja botën ku rroja
I orientuar nga fjalët e saj
Në fund të poemës sime
Vura datën e sotme
Historia tundi kokën në shenjë miratimi
Pastaj silueta e saj u bë firë nëpër natë
Duke me lënë fillikat me çmeritjen time
Me poemën time të zymtë
Që rrinte përballë meje si një sfinks…
RRETHI I ZI
Rrethi i zi që vështroj
Në një fotografi
Nuk është një vrimë e zezë :
Ai është syri i shkrimtarit Salman Rushdie
I verbuar më 12 gusht 2022
Nga goditja me thikë e një vrasësi
Me bebëzën e syrit të tij
Një grimcë drite e ardhur nga Big-Bangu
Salman Rushdie e kishte soditur dhe e kishte dashur botën
Që i ngjante me Qytetin e Fitores*
Apo me një kafarnaum të kobshëm
Veprimi i pasardhësit të Kainit
Që e shndërroi në një vrimë të zezë
Syrin e majtë të shkrimtarit Salman Rushdie
Nuk u frymëzua nga dashuria e tij për Zotin
Por nga shpërblimi prej shtatë milonë dollarësh
I premtuar nga porositësit e vrasjes
Thika që u ngul
Në syrin e shkrimtarit Salman Rushdie
I bëri atentat edhe Zotit vetë
Sepse imazhi i njeriut
Syri i të cilit u katandis në një vrimë të zezë
Sipas Gjenezës (1.7) ishte imazhi i Zotit
Përballë rrethit të zi të kësaj fotografie
Që nuk më hiqet nga mendja
Pyes veten : vallë me cilin nga dy sytë e tij
Me syrin e shëndoshë
Apo me syrin ku u ngul thika e një vrasësi
Ky Homer gjysmë i verbuar
E sheh më qartë e më thellë
Tokën tonë që vazhdon të jetë e përlyer
Nga gjaku i pafajshëm i Abelit ?…
*Qyteti i Fitores : një nga romanet e S. Rushdie-së
GËRSHËRËT E PARKËS
Në çastin që erdhe në jetë
Parka u afrua tek ti
Duke kërcitur gërshërët e saj
Me të cilat të preu këthizën
Pastaj të uroi : Rrugë të mbarë !
Në një udhë të panjohur
Buzë rrugës ku ti ecje
Parka u shfaq përsëri
Duke i kërcitur gërshërët e saj mizore
Ajo u rrek të të priste pjesë të tjera të qenies
Ashtu siç të kishte prerë kërthizën :
Të priste fantazinë tënde ëndrrat e tua
Dashuritë e tua nostalgjinë tënde
Kur koha të la në mjerim
Parka u afrua të të priste kujtesën
Gjuhën origjinën të kaluarën
Madje edhe tingëllimin e fjalës « kthim »
Duke të joshur se kështu do të nisje një jetë tjetër
I trallisur nga krismat e gërshërëve
Që vringëllonte dora e Parkës
Ti the me vete :
A është e munduar të vazhdosh të jetosh
Pas një gjymtimi të tillë ?
Sidomos a është e mundur të mëtosh
Të jesh i njëjti njeri ?…
KËLYSHI I KUÇEDRËS
Një ditë lajmi mori dhenë : kuçedra
Kishte mbetur shtatzanë. Në mbarim
Të shtazanisë, kuçedra polli një këlysh.
Për çudinë e të gjithëve, kësaj here
Ajo nuk solli në jetë një kuçedrush
Por një qengj me të gjitha tiparet
E qengjit : me lesh të butë si mëndafsh,
Me sy që të vështronin me qashtëri
E me ëmbëlsi, me një zë të kristaltë
Që ua shkonte edhe zërave të engjëjve.
Të gjithë ata që e shikonin dhe e dëgjonin
Nuk reshtnin së duartrokituri e së brohorituri
Për qengjin që u dukej ca më i mrekullueshëm
Ngaqë atë e kishte pjellë kuçedra.
Ata nuk e merrnin dot me mend se
Sapo binte errësira, qengji i mrekullueshëm
Pjellë e kuçedrës sillej si një kuçedër e vërtetë :
Thante burime dhe lumenj, përpinte retë,
Kërkonte t’i blatoheshin viktima të pafajshme
Të cilat i përpinte në vend të barit e të luleve
Duke mos ditur gjë për jetën e dyfishtë
Që bënte qengji i mrekullueshëm
Idolatrët vazhdonin ta adhuronin, të duartrokisnin
E të brohorisnin : Aleluja ! Aleluja ! Aleluja !…
NË KOHËN E TË TJERËVE
Unë punoja për kohën
Madje i thosha me përkëdheli
Koha ime
Unë punoja për kohën
Por ajo as që donte t’ia dinte
Se ç’punë bëja unë
Për të unë isha thjesht një skllav
I mbërthyer me zinxhirë në bankën e galerës
I detyruar të lëvizë pareshtur remat
Koha që unë e quaja koha ime
Në të vërtetë ajo kishte qenë
Koha e të tjerëve
Këtë gjë e kuptova më mirë
Kur erdhi një kohë tjetër
Të cilën vazhdova ta quaja me të njëjtën verbëri
Koha ime
Ky qe vetëm një vetëmashtrim
Sepse edhe koha që erdhi
Vazhdoi të ishte ashtu siç kishte qenë përherë :
Koha e të tjerëve
Koha që kisha ëndërruar
Koha që kisha dëshiruar aq shumë
Ta quaja koha ime
Ajo kohë nuk erdhi kurrë
E vetmja rrugëdalje që më mbetej
Ishte të përpiqesha të jetoja
Në kohën e të tjerëve…
Dashuria për atdheun nuk mund të gjykohet, as të dënohet. Ajo është e shenjtë, sepse buron nga thellësia e shpirtit dhe nga kujtesa e një populli. Dashuria për atdheun nuk pranon të mbyllet në heshtje dhe as të burgoset në pranga.
Ajo është e lirë si fjala, e fuqishme si e vërteta dhe e guximshme përballë çdo rreziku.
Dashuria për atdheun është fuqi e së vërtetës dhe guxim i ndërgjegjes. Ajo lind aty ku njeriu e ndien se toka mbi të cilën ka lindur nuk është vetëm një copë dheu, por kujtesë, gjak, gjuhë, histori dhe amanet.
E veçanta e kësaj dashurie qëndron në fuqinë e vullnetit dhe të ndërgjegjes së popullit, në gatishmërinë e tij për të qëndruar në këmbë dhe, kur koha e kërkon, për t’u flijuar për lirinë, dinjitetin dhe të drejtën e tij.
Në epokën tonë historike nuk kanë munguar furtunat, rrëbeshet dhe përpjekjet për ta zbehur dashurinë për atdheun. Por dashuria e vërtetë nuk shuhet nga stuhitë. Ajo bëhet më e fortë pikërisht atëherë kur atdheu dhe liria rrezikohen.
Një popull që e do atdheun nuk mund të rrijë i heshtur përballë padrejtësisë. Ai e ngre zërin kur duhet të flasë, qëndron kur duhet të qëndrojë dhe ecën përpara kur historia e thërret.
Dashuria për atdheun, në çdo kohë dhe në çdo rrethanë, mbart në vetvete natyrën e paqes, natyrën e qëndresës dhe natyrën e ndryshimeve të mëdha. nAjo është paqe kur drejtësia triumfon; është rebelim kur padrejtësia bëhet ligj; është ndryshim kur koha kërkon një fillim të ri.
Ajo është edhe mision i fisnikërimit: të pastrojë atë që është ndotur, të ngrejë atë që është rrëzuar, të rikthejë dinjitetin aty ku është cenuar dhe shpresën aty ku është shuar.
Dashuria për atdheun është fuqi e së vërtetës vetëm atëherë kur udhëhiqet nga njerëz të ditur, të drejtë, të ndërgjegjshëm dhe me duar të pastra. Sepse atdheu nuk kërkon vetëm fjalë të mëdha; ai kërkon përgjegjësi, sakrificë dhe besnikëri ndaj së vërtetës.
Shqiptarët e kanë këtë dashuri në zemër.
Prandaj, le t’i dalim zot atdheut, kujtesës dhe trojeve tona. Le ta mbajmë gjallë amanetin e brezave dhe ta përcjellim atë si një dritë nga një brez te tjetri.
Komentet