I parë në vështrimin se sa e organizuar është çoroditja që sjell propaganda së partisë shtet dita e 14 Majit, 2026 hyri në rekordet më të mëdha të dëmit që media mund t’i sjellë njohjes mbi faktet dhe problemet që po përjeton Shqipëria në përgjithësi dhe vetëdija e qytetarëve (shtetasve shqiptar), për të vërtetën në veçanti. Duke i ndjekur jo thjeshtë titujt e lajmeve, por duke vëzhguar dinamikën e tyre ajo që u provua prej propagandës zyrtare të qeverisë shqiptare thuajse gjatë gjithë ditës ishin disa ngurtësime fotografish ilustruese në ballinën e ATSH-s.
Nuk sjell ndonjë të re për to vëzhgimi jo vetëm kur orët kalojnë, por as edhe për orët zonale botërore ku shqiptarët emigrantë jetojnë dhe punojnë të marrin mirinformim.
Media e qeverisë si për ironi të fatit që ndodhet në javën e ekspozitës dokumentare “Një Rrugëtim në Historinë e Lajmit”, tregon vërtetë se ATSH-ja dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave pikërisht në “Ditën e Evropës” shtuar këtu edhe Autoritetin e Mediave Audiovizive ishin kujdesur për ta marrë kalanë (Kalanë e Tiranës), vendi ku ekspozimet kanë preferuar ndër të tjera periudhën 1945-1990. Kjo përshtypje e parë për t’u kuptuar nga gjeneratat e shekullit të ri konceptohet ndryshe. Të përshkruara nga një njohës më i vjetër i historisë pa u futur në profesionin e gazetarëve që kanë menduar se punuan të lirë dhe me përgjegjësi edhe pasi diktatura komuniste u shemb mund të përshtatej më mirë me fjalët “Nga Mbyllja Në Mbyllje”, pikërisht për këtë kufizim kohor ideologjik 45 vjeçar nga ku kjo ekspozitë dhe kuratorët e saj kanë koqitur vitet nga 1945-1990.
Po sot me 14 Maj çfarë kishte ballina?
Në fund të ditës kryelajmin e hyrjes në Evropë e dha fusha e muzikës. Ishte këngëtari Alis me këngën “Nan” që e kualifikoi Shqipërinë në finalen e Eurovizionit 2026.
Ishte një lajm i gëzuar për t’u përshëndetur dhe i urojmë fitore dhe sukses në renditje.
Por çfarë ndodhi gjatë gjithë ditës?
Lajmet nga fronti i luftës, apo takimi i dy presidentëve Trump dhe Xi të SHBA-së dhe Kinës ishin të periferisë së lajmit ndërkombëtar sepse më në krye ishte për nga rëndësia një postim në rrjetet sociale i kryeministri Rama i cili ndodhej në Aachen të Gjermanisë ku sipas ATSH-s ai ishte:-“… si pjesë e grupit të miqve të nderit të ceremonisë prestigjioze të Charlemagne Prize (Çmimi i Karlit të Madh).” Në foton e përzgjedhur me rastin e dekorimit të ish kryeministrit të Republikës së Italisë Mario Draghi, është Rama që pozon me gishtin tregues dhe në krah Ursula von der Leyen
Presidente i Komisionit Evropian.
Ndërsa në Tiranë Kuvendi i Shqipërisë ishte i mbledhur në një seancë plenare për rreth 12 orë që prej orës 10:00 të mëngjesit mes 11 pikave të rendit të ditës mbajti diskutimet dhe votimin për miratimin e rezolutës “Për procesin e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”.
A mund ta çojë dot njeri në mendje… një njeri “jo do si do”, por nga ata që jetojnë vetëm me lajme dhe propagandë se Rama, si kryeministër që e ka udhëhequr shtetin dhe mezi pret ta vërë Flamurin Shqiptar “në oborrin e BE-së-Bruksel”, do t’a humbiste një shans të tillë në Tiranë?
Përse e zhvleftësoi kryeministri xhanëm këtë rast?!
Përse nuk veproi kryeministri sikurse në një të Enjte të ngjashme si kjo e Majit me seancën plenare të 22 Janarit u kërkua votimi për projektligjin për aderimin e Shqipërisë në “Bordin e Paqes”?!
Shumë njerëz e mbajnë mend zhurmën në Kuvendin e Shqipërisë dhe sidomos në media dhe televizione kombëtare, për ditë me rradhë. Madje mungesa e takimeve të rëndësishme të Ramës në Forumin e 56 Global Ekonomik të Davos-it për shkak të izolimit ndërkombëtar në po ato ditë u mbulua me një çorientim mediatik të mirë organizuar.
Anëtarët e Parlamentit gjatë 14 Majit, vendosën një rekord pune dhe qetësie të përkohshme me miratimin e rezolutës “Për procesin e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian” me 114 vota pro dhe 1 abstenim. Por çështje të rëndësishme si interpelancat me disa ministra dhe kryeministrin (kjo e fundit e pa zhvilluar), rrodhi në rutinën e njohur të forcës së kartonit nga ana e mazhorancës ku shpesh herë për çështjet e krimit dhe korrupsionit, vështirësinë ekonomike të popullsisë, shpopullimin, veprimin e ligjit, dy standardet e drejtësisë, çensurën dhe lirinë e medias, etj mbeten të pazgjidhura demokratisht dhe vijohet me imponimin politik që nuk reflekton kulturë dhe vlera për kah drejtimit evropian që Shqipëria dhe mbi 90% e shqiptarëve duan ta shpien.
Në një rast si ky, vëzhgimi veç ATSH-s që fragmentonte lajme dhe pjesë të rëndësisë partiake të zhvillimeve në kuvend, në dhjetra tituj gjatë ditës dhe për shkak të transparencës disa detaje se si informacioni përcillet në publik nga mediat bëhet i një rëndësie të veçantë kur flitet për Kuvendin e Shqipërisë, mediat e shkruara dhe Radio-Televizionet kombëtare.
Kuvendi në YouTube (stream-online) në rreth 12 orë seancë plenare po këqyrej nga 5-6-7 deri në 9 mijë shikues. Të pajtuar, ndjekës apo ‘subscribers” në të gjatë 10 viteve që ky shërbim ofrohet një numër prej diçka më shumë se 700 personash i ndjekin ose janë të interesuara për punimet e Kuvendit, në një kohë kur çdo anëtar i tij ka një llogari dhe i shfrytëzon për mrekulli rrjetet sociale, padyshim me një numër disa mijëshe përkrahësish.
Por do të lindte pyetja se ku po duam të dalim ose ku na shpie kjo analizë dhe vëzhgim i ditës mbi mediat?
Thelbi është i njëjti.
Jemi po aty tek çoroditja e organizuar!
Një Televizion Kombëtar (TCh), në formatin prime të pararegjistruar, njërën gjysmë të programit ja kishte kushtuar pyetjeve mbi ish-drejtoreshën e AKSHI-t Mirlinda Karçanaj rreth kushteve e shkaqeve të arrestimit nga SPAK ku zyrtarisht akuzohet ‘Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike’, (e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal), ‘Grup i strukturuar kriminal’, ‘Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal’ dhe ‘Pastrim parash’.
Në qoftë se ende Kuvendi i Shqipërisë vijonte punimet dhe mazhoranca e kishte rrëzuar me forcën e kartonave një interpelancë të kryeministrit Rama të thirrur nga PD (Gazment Bardhi), për AKSHI-n, mediat e shkruara dhe televizionet që bëhen të pranishme në situata ligjore shumë të nxehta shpesh të bëjnë të dyshosh se këto zhvillime janë sa të papritura, por kanë kthesat që merren si pa u kuptuar në përballjen e vendimeve të fajësisë apo pafajësisë mbi subjektet/individë të veçantë apo grupet e individëve me drejtësinë.
Vetëm gjatë javës së fundit kemi tre raste interesante me drejtësinë.
Në të parën, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka kërkuar pavlefshmërinë e emërimit të prokurorit Olsi Dado dhe transmetimin live të seancës për publikun.
Në një rast i dytë, është kthimi për vazhdimin e muajve të mbetur të dënimit të ish Ministrit të Mjedisit Lefter Koka për çështjen e inceneratorëve.
Dhe i treti, mbetet ky i ish drejtoreshës së AKSHI-t Mirlinda Karçanaj në një orë të zgjedhur të mbrëmjes që ndoshta e bëri audiencën të humbasë interesimin nga Kuvendi dhe ndoshta edhe sallën me më pak pjesëmarrës se orët e mëngjezit.
Për rastin e tretë media zyrtare ATSH ende nuk është shprehur.
Arrestimet dhe masat shtrënguese nga SPAK deri në dhënien e vendimit të formës së prerë nga Gjykata për dy nga subjektet e mësipërme Veliaj dhe Karçanaj rezervon atë që:-“Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë”, por rikthimi i ish ministrit Koka tregon se ky prag pafajësie tashmë është djegur për shkak të çështjes së inceneratorëve.
Pyetja që mund të shtrohet deri sa kryeministri të kthehet nga udhëtimi ose në boshllëkun e çoroditjes së organizuar mbetet:-“A dihet se kush do të arrestohet?”
Për SPAK të tjerë subjekte që lidhin qeverisjen dhe politikën me korrupsionin, favorizimin e dhënies së tenderave, pastrimin e parave e deri tek format e grupeve të strukturuara kriminale mbeten në kërkim, çka do të thotë se “çoroditja e organizuar” deri në këtë përmasë ku një ish ministër kërkohet për të vazhduar burgun, disa artistë dhe simpatizantë të Veliajt shfaqen në një seancë gjyqësore si mbështetës, ndërsa në një program televiziv që vendos standardin “fton dhe nuk shkon” tek subjekti Karçanaj duke ruajtur formatin e programit brenda në studio. Në ndjesinë e parë janë situata të sforcuara, inskenime ose regjistrimi paraprake që i humbasin vlerat e shërbimit të ndërsjellët për të vërtetën. Këto janë situata me porosi për të cilat gazetarë dhe profesionistë të televizionit teknikisht kanë shumë për të thënë në shërbim të publikut. Ndoshta edhe mësime që mund të nxirren për të kuptuar, njohur se çfarë gjëje të bukur sjell liria e shprehjes në shërbim të së dhe sa të ndjekshëm pa propagandë mund të jenë mediat në tërësi në dobi të pavarësisë së tyre që do të quheshin vetëdije e gazetarëve.
Megjithatë këto janë zgjedhje të cilat tregojnë një udhëkryq të ri ku shoqëria shqiptare, politika, mediat dhe burimet financiare kanë mbërritur.
14 Maj, 2026
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)