E njohur për shërbimet ndaj pushteteve të njëpasnjëshme; nga Sali Berisha te Edi Rama, ‘TEMA’ ka kaluar ‘vijën e kuqe’, duke u bërë zëdhënëse e krimit ordiner dhe e perversiteteve të peshkatarit me dosje droge. Ndërkohë që Rama i ka lënë asaj ‘zona të lira ekonomike’ në Përmet, Këlcyrë, Tepelenë, Sarandë e Gjirokastër, me kryetarë të emëruar nga pronari i gazetës…
Në raport me mediat, çfarëdo zullumesh kanë bërë e bëjnë pronarët e tyre në shërbim të pushteteve e grupeve kriminale, “Pamfleti” nuk është përfshirë, jo prej pamundësisë së ballafaqimit publik, por duke i lënë në përgjegjësinë e tyre përballë ligjit e lexuesit.
Por kjo nuk do të thotë se na mungon guximi dhe e drejta e reagimit, kur ndonjë prej mediave e kalon “vijën e kuqe” të këtij rregulli të heshtur mes kolegësh; siç veproi të enjten gazeta “TEMA”, me publikimin e një banaliteti e perversiteti të trafikantit Gjergj Luca, kundër “Pamfletit”.
Qindra fakte e shkrime që ka publikuar gazeta “TEMA” dëshmojnë se kjo gazetë me “nuhatje” interesash ka qenë dhe është zëdhënëse e krimit shtetëror, duke kaluar nga një krahë e klan politik dhe grup kriminal e mafioz ekonomik në tjetrin, gjithnjë para e pas ndërrimit të pushteteve.
Por nuk ishte menduar kurrë që gazeta “TEMA” ta ulte piacën e shërbimeve të ndyra, duke u bërë dhe megafon e zëdhënëse e krimit ordiner, deri në nivelin banal të peshkatarit të drogës Gjergj Luca.
Sepse jo vetëm shqiptarët, por edhe agjencitë ligjzbatuese shqiptare e ndërkombëtare e dinë që gazeta “TEMA” është zëdhënëse e niveleve të larta të krimit shtetëror të çdo ngjyre politike, duke i shërbyer si “kallajxhi” fytyrës dhe pushtetit të zi të Sali Berishës deri në vitin 2006, kur nuk i dha llokmat që i kërkoi me një listë të gjatë.
Prej 20 vitesh, të njëjtat shërbime “pastrimi” po i bën aferave të Edi Ramës, qysh prej kohës kur ishte në krye të Bashkisë e prej 13 vitesh në qeveri, si shpërblim për shumë pasuri publike, leje ndërtimi hotelesh e pallatesh, emërime në tatime, dogana, polici e ushtri.
Madje e dinë të gjithë që Edi Rama i ka lënë gazetës “TEMA” si “zona të lira ekonomike” bashkitë Përmet, Këlcyrë, Tepelenë, Sarandë e Gjirokastër, kryetarët e të cilave i ka emëruar pronari i kësaj gazete.
Fuqia e ndikimit të kësaj gazete mbi Edi Ramën ka shkuar deri në emërime e largime ministrash, kryepolicësh, drejtorësh dogane e tatimesh, afrimin dhe largimin e bandave kriminale, madje deri në ndarjen e pasurive, koncesionet dhe lejet për oligarkët.
Një ndër to është leja e resortit dhe fermës agro-blegtorale në Peshtan të Tepelenës në 100 hektarë tokë shtetërore falas, dhënë kompanisë “Hako”, që i rrëmbeu me polici edhe ujin banorëve të fshatit Mezhgoran.
Është për të ardhur keq që gazeta “TEMA”, zëdhënësja e krimit shtetëror dhe mafies ekonomike që nga koha e SHIK-ut të Gazidedes, është katandisur zëdhënëse e krimit ordiner dhe e perversiteteve të trafikantit e kllounit Gjergj Luca.
Mund të përmendnim gjithë “historikun” e zullumeve të “Moçalit TEMA”, por gjykuam të mjaftohemi me kaq, si kujtesë se e ka kaluar “vijën e kuqe”./Pamfleti