(Rama diasporës: faleminderit që ju bashkuat trenit të fitores)
Në ndryshim prej njëra-tjetrës ATSH dhe RTSH pjesë kryesore e propagandës zyrtare tërhoqën vëmendjen me përmbajtjen e një lajmi ku sirena e mëngjesit kishte zëvendësuar rubrikën “Sy m’sy” dhe Rama e uroi diasporën duke u shprehur:-““MIRËMËNGJES dhe me një falenderim krejt të posaçëm, për shqiptarët që nga Greqia, Italia, Amerika, e çdo anë e Europës dhe botës që iu bashkuan trenit të fitores duke e bërë atë edhe më domethënëse, jo thjesht për nga numrat po në radhë të parë për nga mesazhi i fuqishëm i shumicës së tyre dërrmuese, i cili do të na bëjë edhe më të përkushtuar për Shqipërinë 2030 në BE, ju uroj një ditë të mbarë”.*
Ajo ishte fraza e zgjedhur “iu bashkuan trenit të fitores“(!)
A është kjo e vërtetë?
Në fakt, ndoshta një realitet që për një shqiptar të larguar prej pak vitesh në emigracion mendja i shkon tek hekurudha si një transport alternativ që shpesh është përcjellë në lajme që kanë nisur si projekte gjatë qeverisjeve Rama 1-2-3 (2013-2021). Por edhe sot syri të kap tek tuk ndonjë lokomotivë të rraskapitur dhe nja dy vagonë të ndryshkur e tërësisht të pasigurt që udhëtojnë në linjat e Hekurudhës Shqiptare.
Diku tjetër si p. sh në Durrës është hedhur zhavorr edhe pas nja katër vitesh kur projekti ka filluar, por lëvizje mbi shina dhe transport udhëtarësh Tiranë-Rinas-Durrës ende nuk ka. Këtë përshtypje ta përforcojnë ca më shumë edhe fondet arkivore të mediave qeveritare ku pas çdo vëzhgimi dhe propagande projektesh në trasetë dallon se ka mbirë bari. Ndërsa ajo modernia, kur flitet për Hekurudhën ekziston në letra dhe në ekrane. Ajo gjendet e kuruar me kujdesin më të madh aty ku bëhen tenderat dhe PPP-ve gjatë konferencave të investimeve sepse ishte një premtim elektoral për të cilat ministrja përkatëse e transportit dhe zv/kryeministrja Balluku i paraqiti edhe në fushatën e saj të fundit. Kudo ku ajo shkon, çelet rruga, hapen tunelet, hidhet asfalti dhe ky premtim ka arritur stacionin e vitit të trembëdhjetë tashmë.
Pra Lokomotiva Tirana e mbylli “remontin” (zgjedhjet), edhe pse makinisti i saj Veliaj ndodhet prej tre muajsh në paraburgim jo i akuzuar për krimin elektoral të 5D-vë në 2021-2023, ku këto të 2025 kishin perfeksionuar metodat e përvetësimit të votës sa dy zgjedhjet e mëparshme të përgjithshme dhe vendore nuk përmbahet nga rezultati i zgjedhjeve që konfirmon kryeministri dhe shprehet ende si kryebashkiak se:-“Sot bëhen 100 ditë nga burgimi im pa asnjë justifikim të arsyeshëm. Ndalimi im i padrejtë dhe arbitrar vazhdon, megjithëse nuk jam akuzuar për asnjë vepër penale. Si pasojë, po pengohem forcërisht nga ushtrimi i detyrave të mia si Kryetar i zgjedhur, me votë masive 3 herë, i Bashkisë së Tiranës… Pavarësisht burgimit mbetem i papërkulur. Çdo ditë që kalon, ma forcon edhe më shumë vendosmërinë. Angazhimi im ndaj Tiranës, ndaj jush, ndaj demokracisë, sundimit të ligjit dhe të ardhmes së Shqipërisë mbetet i palëkundur. Do të vazhdoj të ndjek të gjitha rrugët ligjore për të siguruar lirimin tim, në mënyrë që të vazhdoj t’i shërbej qytetit tonë të mrekullueshëm si kryebashkiaku juaj…”*
Edhe pse me hekurudhë Rama dhe Veliaj nuk takohen dot më, lajmi i ditës i bashkon ata.
Është një orar i përpiktë trenash të cilin vetëm SPAK e humb ose nuk e kap.
Për të folur mbi krimin elektoral le të shkojmë në muajin Shkurt, aty nga data 10 kur Veliaj u arrestua deri më 19-20 Shkurt, kur kryeministri doli nga binarët.
Me izolimin e Veliajt, skemë e makinerisë elektorale u mor në dorë nga vetë kreu i Rilindjes Socialiste Edvin Rama i cili kryeqytetin dhe qarkun Tiranë e mblodhi haptas për skemën duke rreshtuar ulur në kryeqytet në takimin me 6000 punonjësit e bashkisë në sheshin Skënderbej as 1 km larg stacionit të trenit dhe goditjen e përqendruar për mbajtjen e pushtetit e shtriu në çdo qytet e deri në diasporë.
Ky është Autokrati Edvin Rama, që task force e SPAK-ut edhe pse e provoi rrethimin e institucionit të vet, nuk e pa, ashtu sikurse Prokuroria e Përgjithshme dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e panë ngjarjen e kapjes plotësisht të shtetit të zbutur në ekranet televizive të pushtetit ku“protesta me dy turne” e punonjësve të bashkisë shprehu një zemërim të përmbajtur dhe se vetë kryeministri, drejtuesi politik kryesor i kësaj armate patronazhistësh që e qortoi administratën për t’u hedhur në veprim ditën e duhur, më 11 Maj.
Ky është rasti më kulmor në histori që shënon ndarjen e Shqipërisë me Demokracinë dhe Shtetin Ligjor.
Opozita shteroi luftën ligjore dhe ja besoi procesit zgjedhor marrjen me votëbesim të qeverisjes në aleancë që mund të dilte nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme brenda vendit si dhe me pjesëmarrjen e diasporës.
Nuk ka pse të çuditemi tani se përse tre muaj pas arrestimit të Veliajt, Rama i drejtohet diasporës i lumtur në plot pushtetin e tij.
Hekurudha Tiranë-Durrës ende nuk është shtruar dhe SPAK deri atje nuk mund të udhëtojë.
Ky është një rast nga më flagrantët i kryeministrit që përvetësoi kompetencat e pushtetit vendor më 20 Shkurt 2025, duke ushtruar presionin real mbi drejtësinë.
Kjo është një rastësi datash që autokrati ngrihet pikërisht në ditën kur monumenti i diktatorit ju shkul sheshit Skënderbej nga revolta e studentëve të dhjetorit dhe popullit të Tiranës, 34 vite më parë. Çdo qytetar i kryeqytetit dhe i Shqipërisë e mban mend mirë atë datë si dita e shpëtimit nga diktatura dhe përqafimi i vërtetë i idealeve të lirisë dhe i të drejtave si mbarë bota e qytetëruar dhe si Evropa. Fill pas kësaj përmbysje erdhën zgjedhjet e para pluraliste dhe që shoqëria shqiptare mësoi të shkëputej me votën e lirë njëherë e përgjithmonë nga e kaluara dhe të futej në trasenë e zhvillimit të saj të shtetit të së drejtës, ekonomisë private të tregut dhe lëvizjes së lirë.
Në qoftë se ky rrezik për mbrojtjen pluralizmit nga shoqëria shqiptare dhe diaspora nuk u vu re dhe nuk merret në analizë ky dallim cilësor, kjo vjen sepse media është e kapur prej propagandës deri në atë shkallë po aq sa edhe drejtësia nga ana e parti-shtetit për të mos vepruar në kohë për parandalimin e krimit elektoral në zgjedhjet e 11 Majit, 2025 duke përsëritur në një shkallë të re blerjen dhe intimidimin e votuesve si në zgjedhjet e mëparshme.
Deri më 11 Maj, 2025 Task-Force* e SPAK-ut nuk dha rezultatin për ruajtjen e zgjedhjeve dhe veproi për parandalimin e shkeljeve zgjedhore.
Megjithëse i mori këto përgjegjësi përpara publikut edhe reklamoi aksionin e përbashkët institucional me Prokurorinë e Përgjithshme dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kohë përpara ditës së zgjedhjeve, besueshmëria e popullsisë votuese përballë rezultatit që po japin sot zgjedhjet ku edhe diaspora “u ftua” të marrë pjesë për herë të parë dhe për të mos u diskredituar gati 1/2 e popullsisë shqiptare që kanë të drejtë vote, një e panjohur e madhe për rolin që po kryen drejtësia është ngritur. Sipas funksionit, strukturës së kësaj Task Force, SPAK-ut i ka mbetur vetëm një dhjetë ditësh deri në fund të muajit Maj.
Zgjedhjet e 2025 mbaruan ashtu sikurse edhe krimet elektorale të 2021 dhe 2023 nuk u parandaluan.
Rama që pasi grumbulloi pa bujë “komplimentet” e fitores së mandatit të katërt me Samitin e KPE-së e shpërndau lajmin-propagandë përmes mediave të linjëzuara me pushtetin edhe pse rezultati ende nuk ishte shpallur zyrtarisht. Ai iu drejtua mëngjesin e së Hënës diasporës me frazën e gjetur “iu bashkuan trenit të fitores”.
Kryeministri le t’i gëzohet fitores.
Shqipëria në vitin e trembëdhjetë pas mandateve të njëpasnjëshme të Ramës vërtetë po rilind.
Asnjë km rrugë hekurudhore brenda standardeve evropiane, dhe asnjë lidhje me botën veri-jug.
Në perëndim na ndan deti…
Shqipëria me trenin e Rilindjes Socialiste me këto zgjedhje tregoi se po nis rrugën përtej kufijve të një anëtari të BE-së nga lindja e kontinentit si Bullgaria.
Ky është thelbi i mandatit të katërt ende të pa kontestuar ku u gjendën më shumë fletë votimi se sa pjesëmarrës në zgjedhje. Ky ishte dhe kuptimi i termit “treni bullgar”* të cilit i thuhet hapur
M A N I P U L I M (!), duhet bërë shembull dhe ndëshkuar si krim zgjedhor.
Në qoftë se kjo nuk ndodh atëherë shteti i kapur nga korrupsioni dhe zgjedhjet e manipuluara nuk do të kërkojnë ngritjen e drejtësisë vërtetë në standardin e të pakorruptueshmëve që në historinë e vendit fqinj si Italia në fillimin e viteve ’90-të njihet me “mani pulite”*. Ju desh një punë me energji kolosale drejtësisë që të merrte peshën e hetimit të Parlamentarëve Italian gjysma e të cilëve ishin nën akuzën për korrupsion të cilat brenda një dhjetëvjeçari kishin arritur në vlerën e 4 miliardë dollarëve.
Pas këtyre zgjedhjeve pyetja jonë është:- A do të jetë kuvendi në shina?
Si asnjëherë tjetër fraza e Ramës që lë stacionin e tretë (mandatin), e i drejtohet diasporës i hipur vetë në trenin bullgar të votës se shqiptarët e diasporës “iu bashkuan trenit të fitores”.
Kjo e thënë s’ka si lidhet më bukur se me terminologjinë të hekurudhës në rastin e figurshëm të një shkrimi. Është një lëndë e gatshme për një përpunim ideje mediatike, pasi propaganda në 12 vitet që lamë pas tregoi për miliona € të shpenzuara nga taksapaguesit shqiptarë dhe evropianë vit pas viti, por kurrë hekurudhë me standarde evropiane nuk u pa dhe transporti i udhëtarëve me trena nuk ekziston.
Treni i BE-së së Ramës tani ka ndalur në analizën e 100 ditëve pa Veliajn sikurse edhe ndodhet rreth 100 ditë larg një Kuvendi ku fuqia e kartonit të mazhorancës do të përpiqet të shpërbëjë pluralizmin.
Publiku, lexuesi që është pronari i një vote të lirë ka të drejtën e vet që të gjykojë se ku shkoi vota dhe çfarë e pret më tej shoqërinë shqiptare kur ajo do të drejtohet nga një autokrat me të gjitha pushtetet nën kontrroll. Votuesit të gjykojnë jo vetëm për tunelet, rrugët dhe hekurudhat, por të jetë syhapur nga propaganda e pushtetit që ende pa u certifikuar zgjedhjet po shikon se si është detyruar të pranojnë nënshtrimin nga korrupsioni në vend që me të drejtat e fituara nga demokracia dhe kushtetuta të përcaktojë ardhmërinë e fateve të veta, familjeve dhe atdheut të tyre.
KQZ-ja, Drejtësia dhe roli i subjekteve politike në certifikimin e zgjedhjeve të 11 Majit, 2025, kanë barrën e madhe të një popullsie që tashmë ka si zgjedhës që vendosin që nuk i takojnë vetëm politikës, por Shqipërisë dhe Diasporës.
_________________
task-force*- SPAK për parandalimin e krimeve elektorale ngritur në Janar 2025 me veprim Mars, Prill, Maj.
*ATSH 20 Maj, 2025
*RTSH,- 20 Maj, 2025
“treni bullgar”*- fenomeni i kontrollit të plotë të votës.
* Itali 1980-1993, dyshime për 5 mijë figura publike, 400 këshilltarë që në bashkëpunim me korrupsionin shtetëror arritën në shifrën 4 miliardë dollarë.
Komentet