Poetë të mëdhenj, në kohë të ndryshme, kanë dhënë mendime të ndryshme për poezinë. Poeti italian Mazini poezinë e quan si një pleksje të imagjinatës me sentimentin, ndërsa poeti amerikan Sandberg shkon dhe më larg, e përcakton poezinë si “pika ku përplasen imagjinata, ëndrra dhe realja.”
Poeti i madh Spanjoll F.G.Lorka thotë ”Poezia është atje ku ajri shndërrohet në mendim.” Verlen poezinë e quan: ”shtegu i hapur i tingullit për pikat e pacaktuara të jehonave..” E Paund poezinë e konsideron si “të mbjellësh pemë që flasin në pyllin e magjishëm të imagjinatës…” Në një vend tjetër, Paund poezinë e quan: ”lënda e ëndrrave ”.
Poeti Skënder Buçpapaj, miku im i hershëm, me këtë libër të fundit të titulluar “Jubileu i shiut të çmendur”, ashtu siç thotë Paund, e gatuan poezinë me lëndë ëndrrash, duke mbjellë pemë që flasin në pyllin e magjishëm të poezisë…
Me poezinë e këtij autori, ndër më të rëndesishmit e poezisë së re shqipe, të këtij dhjetëvjeçari, jam njohur në fillimet e viteve shtatëdhjetë. Ishte koha kur unë punoja si redaktor i Revistës letrare “Nëntori” dhe ishim të të etur për prurje të reja, origjinale. Sirtaret e redaksisë ishin mbushur me poezi entusiaste, ku sundonte rima dhe tematika socialiste. Në një nga ato ditë shfaqet tek dera e redaksisë një djalë i ri, shtatgjatë e me ballë filozofik. Poezitë e tij i lexova me një frymë, dhe i botova po në atë numër që po përgatitej për shtyp, pasi, për herë të parë ndjeja kumbimin e vargut të lirë të një poeti të vërtetë… Kam njohur shumë poetë me vlera të veçanta, por poetë të lindur dhe poezi me imazhe të një bote epike, me një figuracion original dhe me shtrirje kohore, nuk kam ndeshur. Skënder Buçpapaj është një prej atyre poetëve gjenuin. Ai hyri në poezi me zërin e vet, me imagjinatën e vet, me problemet e veta , me origjianlitetin e vet i cili ka tipologjinë e poezisë veriore… Këtë mendim pati atëherë për poezinë e Buçpapajt dhe kryetari i Lidhjes, Dhimitër Shuteriqi (viti 1973) i cili, kur lexoi ciklin e tij, disa nga ato poezi, si “Korbat”, “Diella”, etj. i deklamoi me zë të lartë para nesh.
Tashmë Poeti Skënder Buçpapaj, pas një rrugëtimi të gjatë ndër vite, si dhe pas një karierre politike dhe shoqërore, si një ndër përfaqësuesit kryesorë të ndryshimeve politike në vend, e më pas si botuesi e gazetës më të madhe dhe më të rëndësishme trevave shqiptare, jo vetëm nuk e braktisi poezinë, por e ngriti nivelin artistik dhe e zgjeroi gamën e problemeve, nga njëri libër tek tjetri, gjer sa erdhi tek ky libër, botimi i të cilit përbën një evinement në letërsinë tonë të dekadës së fundit.
Skënder Buçpapaj me dy librat e tij të fundit, “Frikë nga Atdheu” dhe “Jubileu i shiut të çmendur” e vendos veten në krye të lirikës filozofike të poezisë moderne shqipe… Ai është një poet i vizioneve të mëdha. Poezinë e Skënder Bucpapajt do e krahasoja me plot të drejtë me poezinë e Witmanit, Ricosit, Seferisit, Hikmetit, dhe disa poetëve amerikanë bashkëkohorë…
Ky libër i ri ka karakteristikë thjeshtësinë e shprehjes dhe thellësinë e mendimi, shfaqur me një figuracion brilant.
Ky libër hapet me një nga poezitë më befasuese dhe më mbresëlënëse,”Mbi malin e Hekurave dikur”, një hymn madhështor për kohën e akullnajave dhe gjenezën e krijmit të botës. Maja e Hekurave simbolikisht, janë majëmalet , qyshse kanë qenë nën akullnaja. Nuk janë vetëm majëmalet e Korabit, Shkëlzeni dhe Tomorrit, janë majëmalet e gjithë botës, të Araratit dhe të Arafatit, të Apenineve dhe të Himalajave. Në këtë poezi autori realizon poetikisht vizione të botës pas shkrirjes së akullnajave. Është një Adam dhe një Eva që shumëzon vetveten në mijëravjeçarë… Janë gjallesat e tokës në udhëtimin e vet milionavjeçarë… Sikur dy tre poezi të tilla të ketë një libër poetik ia vlen për ta lexuar, për ta vlerësuar dhe për ta krahasuar me poetët e mëdhenj botërorë. Shkrirja e akullnajave do të thotë fillesat e jetës në tokë.
Qiejt iknin përpjetë dhe përjetë,
Pas tyre jepnin shpirt koralet,
kurrë më varka nuk do të ankoroheshin
në Malin e Hekurave..
Kështu mori fund foshnjëria e tokës dhe e njerëzimit.
Duke shfletuar në faqet e këtij libri vëren se poezi të tilla me vizione të një apokalipsi botëror, nuk janë të vetme.
”Unë shikoj të padukshmen” është një poezi tjetër e këtij libri e cila mund të përfshihej denjësisht në një antologji botërore. Të padukshmen që i sheh vetëm syri poeti i Bucpapaj janë shumë:”është lënda që merr frymë”. Është muzika e masave të qenieve të padukshme”. Poeti ka shqisa të vecanta, ai shikon “atë që nuk e shikojnë dot as teleskopët e viteve tre milionë”.
Poezia e Buçpapajt synon të rrokë vizione me përmasa universale dhe ta shfaqi atë gjithmonë me një figuracion befasues, gjithmonë origjinal.
Hëna, tek poezia “Hajku” s’është gjë tjetër veç një presje e bardhë… Dritaret, në poezinë e Buçpapajt “vetëzbrazin dritën”.”Një pikëçuditëse rend nëpër shi …” një re që i kalon pranë poetit ”kap përdore një rrufe çalamane”.
Kot nuk thamë, qysh në fillim, poezia është një mpleksje e realitetit me ëndrrat. Një ndër poezitë më të bukura të këtij libri, padyshim është poezia “Erdhëm të fundit”:
Para nesh erdhi materja dhe jo materja, erdhi e dukshmja dhe e padukshmja, erdhi lënda dhe jo lënda, erdhi e ngurta, e lëngta dhe e gazta…
Erdhën qelizorët dhe jo qelizorët, thundrakët, putranët,
erdhën pangjinorët, dhe gjinorët.
Erdhën botët dhe familjet e botëve,
planetët dhe universet, erdhi errësira nga fruta e bërë e së cilës
doli drita…
Më poshtë poezia zgjerohet në elementët e krijimit të gjenezave fillestare gjersa , autori e hedh vështrimin në kozmos dhe vëren se si:
Yjet lindnin dhe vdisnin,
Yllësitë lindnin dhe vdisnin….
Meteoret lëshoheshin pingul kollotumbas…
Hëna i vërtitej vazhdimisht Tokës.
“Ishte një monotoni pa rrugëdalje” shkruan autori gjersa njeriu me lutjet e tij i kërkoi Zotit
që të vinim ne. Të vinte njeriu…
Autori e kundron botën qetësisht. Ai përshkruan një kohë që është pa kohë dhe një hapsirë që është pa dimension, pa fillim e pa fund.…
E këtij dimensioni është dhe poezia tjetër, ”Rrugë të vjetra”:
Rrugë të vjetra, të braktisura, të vdekura,
të pavarrosura, dhe më keq, të harruara…
Si u plakët, si iu dolën brinjët,
si u gërryet, si mbetët gërdallë,
nëpër shkrepa, si skeletë të ndukur,
nga shpendët dhe të lëpirë nga bishat…
Pastaj u bëtë fantazma dhe dolët
Në kërkim të udhëtarëve…
Këtyre poezive po t’i heqësh emrin e autorit S.Buçpapaj dhe t’i vesh një emër tjetër, si për shembëll Wollt Witman, askush nuk do e kuptoje.
Ndryshe nga librat e mëparshëm të këtij autori tek libri më i ri,”Jubileu i shirave të cmendur” ka një tendencë për të trajtuar tema universale, të gjenezave njerëzore dhe të botës. Kjo gjë verehet në poezitë “Ne kafshët”, ”Rashë në letargji…, ”Beteja Polifemësh”, ”Muzg i rjepur”,”Unë dhe unë”,” Edhe sot është sot”, ”Në parajsë…” “Vijnë dhe shkojnë” etj.
Vijnë dhe shkojnë, pa prekur askënd…
………………………………..
Diej në bërthamë hënash,
Hëna në bërthamë diejsh,
Si diellhëna aq hënadiella
Shkojnë si të ishin, si të qenë…
Një karakteristikë tjetër e këtij libri është fjalëformimi i fjalëve të reja, si në rastin”diellhëna”, ”Hënadiella”,”njeritjetrimet”
Mbresëlënëse janë dhe poezitë “E hëna…” dhe “Rima” e cila duket si poezi formaliste por nuk është ashtu, është poezia e tingujve të natyrës,poezi onopatopeike, e krijimit të fjalëve sipas tingujve të natyrës.Poezitë e tjera :”Zjarr mbi shi”, ”Diell i ftohtë” dhe veçanërisht “Rreze e zezë” janë ngritur mbi antiteza poetike një nga karakteristikat e poezisë së Skënder Buçpapajt.
“Zogu i gurit, i marr kristalet e brymës dhe petalet e vesës, në sqep… Zogu i shiut ka hijeshinë e padukshme të shiut.” “Lulet e qershive, sipas Buçpapajt, janë fëmijë që lindin vetëm natën.”. Ndërsa kujtesa, sipas Bucpapës,”është i vetmi bagazh që do ta marrim me vete.” ,kur të ikim nga kjo botë.
“Nëpër drurë kanë lënë shënime dallandyshet.”
“Dritarja,-sipas Buçpapës,- shndërrohet në qiell të kaltër e në gjelbërim pylli”. Dritareve autori i ka kushtuar disa poezi.,por poezia “Dritaret”, qëndron mbi të gjitha. Janë dritaret nga shihet bota ,janë dritaret nga vjen ajri dhe drita. Janë dritaret, që, sipas poetit,
Nuk e durojnë dot vetminë e tyre.
Nuk e durojnë dot mungesën tonë.
Është një poezi gjithë dritë që i ngjan poezisë “Dritaret” të poetit të madh turk, N.Hikmet. Poezia e këtij autori ndonse është një poezi mendimi përshkohet nga një figuracion brilant, me elemente të natyrës:.
Hijet janë pasqyrat tona,
ne jemi kundërhije të hijeve.
………………………………….
Urat janë fluturim i brigjeve…
Gjithmonë njeri nga brigjet
Është i dashuruar me tjetrin.
Po i mbyll këto shënime, mbresa të nxjerra nga një lexim i bërë me një frymë, te këtij libri të mrekullueshëm, duke cituar disa vargje nga poezia”Unë isha ty, ti ishe ajo” e cila tingëllon si një hymn për dashurinë
Unë isha Ai, ti ishe Ajo…
Ti ishe lundër….
Ata të dy, të dashuruarit, ishin si Adami dhe Eva në krijimin e parë të botës .Syte e lakmitarëve lehnin. Po lehjet e tyre shndërroheshin e binin mbi supet e dy të dashuruarve “si petale qiejsh dhe gjethe yjesh.”
E kam ditur prej kohësh dhe e kam pritur prej kohësh, një poezi të tillë dhe një aritje të tillë të mikut tim të hershëm, poetit Skënder Buçpapaj. Dhe ja tani, ajo erdhi. Ajo lindi,u rrit. Ajo u bë pemë, e madhe, që lëshon hije në letërsinë shqipe. S’kam ç’të shtoj më tepër veç të gëzohem dhe të krenohem për keto arritje, duke i uruar poetit suksese të mëtejshme dhe jetëgjatësi…
Komentet