VOAL

VOAL

Shqipëria, Maqedonia e Veriut mbyllin hapësirën ajrore për avionët rusë

February 27, 2022

Komentet

Portet turistike. BIRN: Si po e godasin konkurrencën ‘ligjet me porosi’ të qeverisë

Deputetja nismëtare e PS-së, Zamira Sinaj, mori si shembull Sazanit për të justifikuar modifikimin e ligjit për “Portet turistike’, ndërsa pretendoi se kjo do t’u shërbente gjithë investitorëve strategjikë që në projektet e tyre kishin parashikuar dhe ndërtimin e një porti.

TIRANË- Kuvendi miratoi të enjten me 76 vota të mazhorancës socialiste një nismë ligjore të mbështetur nga qeveria, e cila parashikon dhënien pa garë të koncesioneve për porte turistike në favor të kompanive që kanë përfituar statusin e investitorit strategjik.

Në të vërtetë, ndryshimi I ligjit u prezantua të kishte vetëm një qëllim: përmbushjen e një kërkese të mbërritur në qeveri nga kompania e përfaqësuar nga dhëndri i presidentit amerikan, Jared Kushner për investimin e parashikuar në ishullin e Sazanit.

Deputetja nismëtare e PS-së, Zamira Sinaj, mori si shembull Sazanit për të justifikuar modifikimin e ligjit për “Portet turistike’, ndërsa pretendoi se kjo do t’u shërbente gjithë investitorëve strategjikë që në projektet e tyre kishin parashikuar dhe ndërtimin e një porti.

Opozita e kundërshtoi nismën si “një ligj me porosi” për të favorizuar 2-3 biznesmenë në përdorimin e pronës publik – praktikë kjo që bie ndesh me procesin e integrimit europian.

Deputetja Jorida Tabaku tha se e kishte denoncuar nismën në Komisionin Europian si ndërhyrje që “bie ndesh me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe cënon disa kapituj kyçë të legjislacionit europian”.

“Ligji për portet turistike është një tjetër ligj me porosi, një ndër dhjetëra të tillë që kanë kaluar në Kuvend, duke mbrojtur interesa të veçanta dhe jo interesin publik,” u shpreh Tabaku, duke e konsideruar këtë si pjesë të një praktike të përsëritur të qeverisë Rama.

Tabaku i tha BIRN se ky ishte një nga dhjetra ligjet klienteliste të mazhorancës socialiste me ndikim në prishjen e konkurrencës dhe keqpërdorimin e pronës publike. Sipas grupimeve të bëra nga deputetja, këto nisma ligjore kanë ngritur mekanizma për të favorizuar grupime të vogla individësh apo kompanish të afërta me qeverinë.

Mes ndërhyrjeve të miratuara gjatë dekadës së fundit, Tabaku përmend ligjin për investimet strategjike apo ngritjen e Korporatës së Investimeve Shqiptare, ligjet speciale për portin e Jahteve në Durrës apo Teatrin Kombëtar, i cili u rrëzua  më pas nga Gjykata Kushtetuese, si dhe ligjet për lojërat e fatit, zonat e mbrojtura apo parqet teknologjike, TEDA.

“Pasojat në ekonomi janë të jashtëzakonshme dhe po ndihen në pjesën më të madhe të sektorëve,” tha Tabaku për BIRN.

Ligjet ‘e porositura’ konsiderohen si një nga format më të dukshme të kapjes së shtetit, përmes së cilave vendimarrja publike diktohet nga interesat private të një numri të vogël njerëzish.

Sipas ekspertit të ekonomisë, Zef Preçi, ligji që parashikon dhënien pa garë të porteve turistike në favor të investitorëve strategjikë është një tjetër shembull i kapjes së shtetit në favor të klientëve të qeverisë.

“Përmes këtij amendimi me një procedurë të dyshimtë ligjore, buxhetit iu hoqën disa miliona euro që mund të sillte gara e parashikuar në legjislacionin vendas, ndërsa bëhet e qartë fuqia ndikuese e parasë së grumbulluar në pak duar mbi vendimmarrjen qeveritare dhe ligjbërjen shtetërore,” tha Preçi për BIRN.

Ndërhyrja në një ligj të përhershëm në favor të një ligji të përkohshëm është gjithashtu në kundërshtim me teknikën legjislative, thekson më tej Preçi.

“Përfituesit janë klientët e vjetër dhe të rinj të qeverisë,” tha ai, ndërsa shtoi se qytetari vazhdon të mbetet i humbur, ndërsa sheh se një pjesë e rëndësishme e pasurive të vendit po kalon në duart e kapitalit vendas apo “miqve të huaj të kryeministrit”.

Edhe Neritan Sejamini, analist i politikës, thekson se këto praktika të dhënies së pronave publike me ligje favorizuese po dëmtojnë ekonominë dhe konkurrencën e lirë.

“Nuk ka asgjë strategjike në investimet e ashtuquajtura strategjike që mbështet qeveria,” tha Sejamini. “Investitorët strategjikë janë klientët e zakonshëm të qeverisë, janë të gjithë shqiptarë, janë të njëjtët që marrin kontrata publike në fusha të tjera, që marrin leje ndërtime dhe që përfitojnë monopole dhe koncesione nga qeveria,” shtoi ai.

Nga ana tjetër, Sejamini vlerëson se investimet e tyre nuk kanë asnjë rëndësi startegjike, pasi të gjithë janë në sektorë me pak vlerë të shtuar në ekonomi. Përkundrazi, nuk vihen re sipas tij investime në prodhim, në infrastrukturë, në energji, në industri prodhuese të përparuara apo në infrastruktura të rëndësishme digjitale.

Sejamini e përkufizon modelin e investimeve strategjike si një mënyrë për të privatizuar prona shtetërore dhe për t’u dhënë favore ‘klientëve qeveritarë’.

“Ajo që është më skandaloze është që shpesh privilegjet që qeveria u afron këtyre janë më të mëdha se vetë investimet,” theksoi ai.

Zef Preçi thekson se ligjet me porosi deformojnë vendimmarrjen publike dhe e vënë atë në shërbim të interesave të ngushta private.

“Nga ana tjetër, pakësojnë të ardhurat e buxhetit të shtetit dhe krijojnë premisa për deformim të tregjeve për mallra apo shërbime të njëjta që ofrojnë operatorët eknomikë përfitues,” përfundoi ai./Reporter.al

Kakografia ligjore për gjuhët në RMV- Nga Pof. dr. SHEZAI RROKAJ

 

Studentët po protestojnë në Republikën e Maqedonisë së Veriut (RMV) për Provimin shtetëror të jurisprudencës. Në fakt, pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2001 dhe Ligjit për gjuhët në RMV (2018) kanë lindur gjatë zbatimit të tij keqinterpretime të qëllimshme që cenojnë përdorimin e gjuhës shqipe në mjaft veprimtari shtetërore, por sidomos në fushën e jurisprudencës për pakicat kombëtare, ku përfshihet edhe popullsia shqiptare e këtij shteti. Më konkretisht, në këtë fushë, disa nga këto keqinterpretime lidhen me interpretimin nga Gjykata Kushtetuese të disa neneve të këtij ligji në përputhje me Kushtetutën, ku theksohet parimi kushtetues se ‘maqedonishtja (dhe alfabeti i saj cirilik) është gjuha zyrtare e sistemit juridik në gjithë territorin dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare’.

KU QËNDRON PROBLEMI?

Në fakt, nuk ndalohet përdorimi i gjuhëve të tjera (pra, dhe i shqipes) në gjykata. Pranohet përdorimi i gjuhëve të tjera në përputhje me ligjin procedural (psh., e drejta e palëve për përkthim dhe përdorim të gjuhës së tyre), por ka pasur keqinterpretime që lidhen me ‘gjuhën e procedurës’ (procedural language) dhe ‘gjuhën e palëve në proces’. Në praktikën e gjerë procedura gjyqësore dhe aktet zyrtare mbeten vetëm në maqedonisht (si gjuhë zyrtare), por palët kanë të drejtë të përdorin gjuhën e tyre, me përkthim të garantuar. Pra, ky theksim i rolit primar të maqedonishtes si gjuhë zyrtare, që me sa duket i mbivendoset një gjuhe tjetër zyrtare si shqipja, në sistemin juridik ka krijuar konfuzion me Ligjin e gjuhëve në RMV, ku përdorimi i gjuhëve të tjera (pra, dhe i shqipes) lejohet sipas ligjit dhe standardeve të të drejtave të njeriut. Shpërfaqje e këtij ngërçi ligjor institucional është edhe pamundësia e dhënies së provimit shtetëror të jurisprudencës në gjuhën shqipe për studentët që ndjekin fakultetet juridike në gjuhën shqipe. Me një fjalë, kemi të bëjmë me një kakografi ligjore ku shteti me një dorë e jep të drejtën në Ligj për përdorimin e gjuhës shqipe në nivel qendror dhe vendor, por me dorën tjetër interpretimi kushtetues e heq këtë të drejtë përmes përdorimit vetëm të maqedonishtes si “gjuhë zyrtare e vetme e sistemit juridik” me të cilën qeveria kinse ‘përligj’ faktin detyrues të dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën maqedone.

ÇFARË KËRKOJNË STUDENTËT?

Studentët kërkojnë që provimi shtetëror i jurisprudencës të mos bie ndesh me të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe të sanksionuar në Kushtetutë dhe në Ligjin për gjuhët. Ndërkaq, këto protesta nxiten dhe mbështeten në këtë rast edhe nga partitë opozitare të vendit, të cilat i shfrytëzojnë këto protesta për ambiciet e tyre politike. Në këtë rast, çështja e mbajtjes së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe për të cilën protestojnë studentët shqiptarë është thelbësore dhe ajo shpërfaq pikërisht këtë mospërputhje ligjore. E drejta për ta ushtruar profesionin në gjuhën amtare nuk është privilegj, por një e drejtë thelbësore për barazi në funksionimin ndërinstitucional dhe ajo nuk mund t’u privohet studentëve në fazën përmbyllëse të formimit profesional. Pra, duhet t’u garantohet e njëjta e drejtë që ata e kanë gjatë procesit të shkollimit në gjuhën shqipe.

PËRSE DUHET MBËSHTETUR PROTESTA?

Pikërisht, këtë të drejtë të tyre e ka mbështetur edhe Universiteti i Tiranës me një deklaratë të rektorit të universitetit prof. dr. Artan Hoxha të bërë disa ditë më parë. Kësisoj do të ishte e mirëpritur një gjë e tillë edhe Akademia e Shkencave dhe gjithë institucionet e tjera akademike të bënin të njëjtën gjë. Kjo, sepse kërkesat e tyre lidhen me një parim kushtetues themelor siç është parimi i barazisë para ligjit. Ato nuk duhet të trajtohen si “teka” për lëshime të rastit nga pushteti, por si të drejta që burojnë nga rendi juridik ekzistues, dhe që kërkojnë rregullim të qartë ligjor aty ku ka kakografi.

Dëshpëruese është mungesa e mbështetjes nga përfaqësues të pakicave të tjera etnike po të kihet parasysh se pas vitit 2001 dhe në frymën e Marrëveshjes së Ohrit, e cila nuk garanton të drejta vetëm për shqiptarët, por për të gjitha bashkësitë. Në zbatim të kësaj marrëveshjeje u bë edhe ndryshimi i Kushtetutës së vitit 1992, ku gjuha shqipe dhe gjuhët e tjera jomaqedonase as nuk përmendeshin deri në atë kohë. Në amendamentin V u shtua përdorimi i gjuhëve të “komuniteteve”, ose më saktë: “Gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve, është gjithashtu gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, siç është përcaktuar me këtë nen” (Amandamenti V, neni 1, paragrafi 2 i Kushtetutës së RM-së). Sot kur shumë nga këto parime gjejnë zbatim konkret në nivel lokal edhe për këto bashkësi të tjera etnike, mungesa e solidaritetit bie në ndesh jo vetëm me frymën e solidaritetit, por edhe me vetë logjikën e frymën kushtetuese në RMV, të ndërtuar mbi barazi dhe bashkëjetesë.

Po kështu do të mirëpritej një reagim mbështetës edhe nga studentët maqedonë, të cilët ndjekin studimet në fushën e jurisprudencës dhe që më shumë se kushdo tjetër e kuptojnë këtë diskriminim përmes krijimit të një konflikti tinëzar ndërinstitucional. Në këtë kontekst, protesta po tregon se dallimi ndërmjet barazisë ligjore dhe asaj kushtetuese duhet rregulluar. Barazia ligjore përbën arritje të rëndësishme, por mbetet e kufizuar në mungesë të bazës së qartë kushtetuese. Si e tillë, mbetet e hapur ndaj keqinterpretimeve duke krijuar një kinse barazi para ligjit. Për këtë arsye, përpjekja duhet të synojë afirmimin e barazisë në rendin kushtetues, si garanci e qëndrueshme e të drejtave.

ÇFARË FSHEH KJO KINSE KAKOGRAFI LIGJORE?

Kjo është pamja e parë e problemit, që duket si një kakografi ligjore rastësore dhe që sensibilizimi publik ndoshta do të shpjerë në rregullimin përkatës. Por për mendimin tonë problemi është shumë më i thellë dhe kërkon reflektim të plotë në përqasje me parimet demokratike karshi reminishencave nacionaliste që dalin si stërkëmbësha në këtë rrugëtim demokratik integrues, duke fshehur qëllime që burojnë tinëzisht prej këtij mentaliteti nacionalist. Problemi fillon qysh me hartimin e Ligjit për gjuhët (2018) dhe kjo protestë është pasojë e drejtpërdrejtë e këtij Ligji i cili është tinëzisht kaotik lidhur përcaktimin e 20%-it si dhe shtrirjen e tij të plotë në përdorim në disa fusha të veprimtarisë komunitare, përfshi edhe ato të fushës së jurisprudencës. Përgjegjës të drejtpërdrejtë të kësaj gjendjeje janë aktorët politikë të të gjitha kaheve, të mazhorancave dhe opozitave të radhës të cilat, fatkeqësisht, nuk po dinë apo nuk po duan të dalin nga sindromi i koncepteve nacionaliste etnike mbi “gjuhët dhe kulturat e pastra” në Ballkan, të formësuara si ideologji kryesisht gjatë shekullit XIX – XX në kuadër të proceseve të ndërtimit të shtet-kombeve.

Paralelisht me gjuhën, kultura u konceptua si një trashëgimi e pandërprerë dhe homogjene, ku folklori u kodifikua si “autentik kombëtar”, mitet historike u riinterpretuan për të krijuar lidhje dhe vazhdimësi, deri edhe iluzore qysh prej antikitetit; elementet e përbashkëta ndërkulturore të komuniteteve të tjera ose u minimizuan, ose edhe u përjashtuan. Mirëpo sot është më e qartë se Ballkani ka qenë historikisht një hapësirë ndërveprimi intensiv kulturor, sidomos që nga ai bizantin, osman apo mesdhetar në tërësi, ku “pastërtia” apo uniciteti etnik është më shumë një krijesë ideologjike sesa një fakt empirik sui generis. Studimet moderne në gjuhësi dhe antropologji, por edhe ato historike dhe politike i hedhin poshtë këto ide esencialiste, ku gjuha, kultura, etnia shihen përmes një purizmi të skajshëm, duke krijuar në këtë mënyrë konflikte antropoemike të lidhura me mospraninë e “tjetrit”. Nga ky parashtrim kuptohet konflikti ligjor në RMV, për të cilin protestojnë studentët është reminishencë e konceptit të “etnive, gjuhëve dhe kulturave të pastra” në Ballkan si produkt i nacionalizmave modernë dhe jo një realitet historik e shoqëror sui generis i popullsive maqedone, shqiptare dhe të tjera për sendërtimin e një shtet-kombi plural me kontribute historike të përbashkëta. Edhe kjo proteste dëshmon në thelb një qasje e ngurtë, në thelb antihistorike, që ka prodhuar dhe prodhon ngaherë konflikte, tensione dhe përjashtime për popullsitë dhe komunitetet e tjetërfarta, përmes një trysnie “asimiluese” të kontributit të tyre në qenësinë identitare të kombit a shtetit përkatës.

KONVENTA KUADËR E KËSHILLIT TË EVROPËS PËR MBROJTJEN E PAKICAVE KOMBËTARE DHE LIDERSHIPI POLITIK

Mirëpo Konventa Kuadër e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare, e ratifikuar me ligjin nr.8496, datë 3.6.1999 dhe marrëveshjet ndërkombëtare në fushën e të drejtave të njeriut të cilat, ndonëse jo detyruese për shtetet që i kanë nënshkruar, këshillojnë hartimin e ligjeve specifike, ku objektivi duhet të jetë përmirësimi i kuadrit ligjor dhe politikave për mbrojtjen e komuniteteve më të vogla. Fryma e kësaj Konvente është mbrojtja e të drejtave të pakicave dhe garantimi i ushtrimit të të drejtave specifike të njeriut për çdo person që i përket një pakice shtetërore, duke theksuar nxitjen e identitetit dallues të tyre si tipar thelbësor i një shoqërie të integruar, e cila garanton edhe me ligj të drejtën natyrore të qenies njerëzore: mosdiskriminimin dhe barazinë e plotë të shtetasve përballë të drejtave njerëzore. Mirëpo, me sa duket, ende shteti i Maqedonisë së Veriut ende nuk po e kupton se historikisht është një shtet-komb multietnik, që do të thotë se është i të gjithëve maqedonëve, shqiptarëve dhe pakicave të tjera përbërëse.

Për më tepër, në dallim nga pakicat e tjera kombëtare, koncepti element shtetformues pas Marrëveshjes së Ohrit i ravijëzon shqiptarët si pjesë e domosdoshme për qenien e shtetit, pa të cilët nuk mund të jetë shteti kudo, në gjithë shtrirjen shtetërore, si në nivel qendror dhe në atë vendor. Por çfarë ndodh në fakt: koncepti pakicë kombëtare në Ligj tkurret në vetëm përfitim të drejtash në nivel të vetadministrimit lokal dhe vetëm aty ku shqiptarët janë jo më pak se 20% në qeverisjen vendore. Ndërkaq, popullsia e një ‘komuniteti etnik’ me tiparin element shtetformues e bën krejt të dallueshëm atë prej emërtesës gjithëpërfshirëse ‘pakicë kombëtare’, sepse epërsia e madhe numerike brenda popullsisë së shtetit i jep kësaj popullsie një avantazh cilësor që kushtëzon qenien dhe funksionimin e vetë shtetit multietnik si emërtesë.

PROBLEMATIKA E 20%-IT QË I BËN SHQIPTARËT KOMUNITET SHTETFORMUES TË RMV

Mendojmë se rregullimi i parë duhet të fillojë nga njohja e përdorimit të gjuhës shqipe në gjithë shtrirjen shtetërore, pavarësisht faktit nëse në disa komuna ata janë më pak ose më shumë se 20% dhe ky kriter të mos jetë kushtëzues për komunat ku ka shqiptarë me më pak se 20%. Kësisoj Ligji duhet të parashikojë në nivel vendor që, aty ku përmbushen kushtet sipas ligjit për Arsimin Parauniversitar në RMV për mësimdhënie në gjuhën shqipe, ajo të realizohet, pavarësisht faktit nëse plotësohet apo jo në atë komunë kriteri numerik 20%. Problemi i dytë pas konceptit të 20%-it, që mendojmë se duhet rishikuar, lidhet me përgjigjen ndaj pyetjes a është i drejtë, i plotë, gjithëpërfshirës dhe shkencërisht i përligjur koncepti ‘pakicë kombëtare’ për realitetet etnike në RMV, ku përfshihen shqiptarët, bullgarët, serbët, vllahët, turqit boshnjakët e ndonjë komunitet tjetër?

Në fakt, deri sot në literaturën studimore është folur për minoritete kombëtare, me të cilat identifikohen shqiptarët, bullgarët dhe serbët, kurse vllahët, romët, turqit dhe boshnjakët janë identifikuar si pakica etno-gjuhësore. Kjo ndarje, e cila mbështetej mbi kritere historike, gjuhësore e kulturore, është eliminuar në ligj, përmes përdorimit të termit ombrellë pakicë kombëtare (alias gjuhë komuniteti). Futja nën një ombrellë është një deformim shkencor historik, etnik, kulturor, gjuhësor e gjeografik, i vetë këtyre ‘komuniteteve’ dhe i raportit të tyre me entitetin kombëtar, e bërë kjo kinse prej pragmatizmit semplist të plotësimit të këtij prioriteti të vënë si kusht prej Konventës Kuadër. Kësisoj pyetja që shtrohet në Ligjin për pakicat kombëtare në RMV lidhet me pyetjen a janë pakicë kombëtare apo element shtetformues shqiptarët në RMV. Cili është dallimi midis konceptit pakicë kombëtare dhe konceptit element shtetformues? Po të kundrohet me kujdes realiteti juridik i shqiptarëve prej Marrëveshjes së Ohrit e këtej ai i njeh shqiptarët në RMV si element shtetformues.

Por duket qartë se ky fakt juridik kushtetues nuk është reflektuar sa dhe si duhet te Ligji për Gjuhët, ku shqipja nuk veçohet prej gjuhëve të pakicave (shih gjuhë komuniteti), por përmblidhet nën të njëjtën ombrellë emërtese si gjuhët e kombësive të tjera. Siç do të përshquhet më tej në këtë qasje Ligji për Gjuhët ka vendosur kriterin numerik 20%, me të cilin bëhet një dallim në disa të drejta që kombësitë përkatëse i fitojnë në nivel të qeverisjes qendrore dhe atë vendore, porse ai është mëdyshas për sa i përket dallimit në aspektin cilësor pakicë kombëtare/element shtetformues. Ligji hapërdahet në një sërë paqartësish shkencore konceptuale që i kemi këqyrur qysh prej Preambulës ligjore e në vijim gjatë shtjellimit të përmbajtjes, ku gjithçka sheston një ndërdymje tinëzare mes të drejtave gjuhësore të këtyre kombësive si në nivel qendror ashtu edhe në atë të vetadministrimit lokal.

/Gazeta Panorama

“Largimi i Viktor Orbanit nga pushteti, valë tronditëse në Ballkanin Perëndimor”- Analiza e gazetarit të njohur gjerman: Ja kush janë liderët më të prekur! Partneri më i afërt, Vuçiç

Gazetari gjerman i Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), Michael Martens shkruan në një artikull të tij se “humbja e pushtetit nga kryeministri hungarez Viktor Orban përbën një goditje, jo vetëm për Hungarinë, por edhe për aleatët e tij kryesorë politikë në Ballkanin Perëndimor”.


Në shkrimin me titull “Rrjeti i Orban në Ballkan është në prag të shkatërrimit”, gazetari gjerman thekson se më të prekurit nga kjo humbje në Ballkan janë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, lideri i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, si dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, të cilët humbasin një nga mbështetësit më të fortë brenda Bashkimit Europian.

“Që nga rikthimi i tij në pushtet në vitin 2010, Orban kishte ndërtuar një rrjet të gjerë ndikimi në rajon, përmes mbështetjes së mediave, organizatave dhe partive me orientim joliberal, shpesh të shoqëruar me financime të konsiderueshme. E ardhmja e këtij rrjeti tani mbetet e pasigurt”, shkruan ndër të tjera Martens.

Më tej gazetari vijon analizën duke thënë se “një nga partnerët më të afërt të tij ishte Vuçiç. Madje, së fundmi, autoritetet serbe raportuan për një komplot të dyshuar ndaj një gazsjellësi që furnizon Serbinë dhe Hungarinë me gaz rus, një zhvillim që u interpretua nga shumë vëzhgues si ndihmë indirekte elektorale për Orban. Ky i fundit falënderoi publikisht Serbinë, duke e cilësuar ndërhyrjen si vendimtare për shmangien e një katastrofe.

Në Bosnjë dhe Hercegovinë, Orban ka qenë një mbështetës i rëndësishëm i Dodik, pavarësisht se ky i fundit është përballur me sanksione dhe ndalime politike. Budapesti ka kundërshtuar vazhdimisht përpjekjet brenda BE-së për ta ndëshkuar atë. Në të kaluarën, Hungaria ka ofruar edhe mbështetje financiare për Republikën Srpska, përfshirë kredi të konsiderueshme për sektorin bujqësor.

Po ashtu, lidhje të ngushta kanë ekzistuar edhe me partinë konservatore VMRO në Maqedoni e Veriut. Një nga rastet më të përfolura ishte ai i ish-kryeministrit Nikola Gruevski, i cili u arratis në Hungari në vitin 2018 pasi u dënua për shpërdorim detyre dhe mori azil politik atje.

shkrimi ne gazetan gjermane

Marrëdhëniet mes Orban dhe Mickoskit kanë mbetur të forta, të reflektuara edhe në mbështetje financiare dhe bashkëpunim mediatik. Biznesmenë të lidhur me Hungarinë kanë investuar në media në Maqedoninë e Veriut, duke ndikuar në diskursin publik në favor të aleatëve politikë.

Megjithatë, rrjeti i ndërtuar nga Orban gjatë më shumë se një dekade nuk pritet të shpërbëhet menjëherë. Në vitet e fundit janë raportuar tashmë shenja dobësimi, përfshirë reduktimin e mbështetjes financiare nga Budapesti, pjesërisht për shkak të bllokimit të fondeve nga Bashkimi Europian ndaj Hungarisë për çështje që lidhen me shtetin e së drejtës.

Në Serbi, opozita shpreson se largimi i Orban mund të ndikojë edhe në dobësimin e pushtetit të Vuçiç. Megjithëse vala e protestave kundër qeverisë është zbehur, ajo ka lënë gjurmë, dhe mund të rishfaqet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Pavarësisht paqartësive mbi zhvillimet e ardhshme politike në rajon, një gjë duket e qartë, boshti joliberal në Ballkanin Perëndimor është dobësuar ndjeshëm pas largimit të Orbán nga pushteti”.

“HISTORI TË PASHKRUARA”: NË KËTË DITË TË SHËNUEME T’PËRURIMIT SHTATORES N’PËRKUJTIM TË NANËS TEREZË TË KALKUTËS- Nga MËRGIM KORҪA

 

 

N’kët ditë të shënueme për të tânë besimtarët të mbledhun sot këtu, jam sinqerisht tejet i emocionuem për nderë t’madhe që m’ka bâ famullitari i Kishës Zojës Pajtore t’Shqyptarve, i përnderëshmi Dom Ndue Gjergji si edhe Këshilli i Kishës, tue më nderuem me ftesë të tyne me i folë disa fjalë me kët rast para jush, motra e vllazën bashkatdhetarë t’ mij.

Ẫsht fol’e shkrue aq shum për personin si edhe veprën madhore të Nanës Terezë, sa që nuk m’ka mbetë mue m’u thânë juve asgjâ t’ re rreth saj. E ksisoji mund  kenë n’mjedis jush edhë njerz që dijnë me m’thânë mue shum mâ shum  se sa kishjem m’u thânë un atyne! Prandej e vendosa t’a kujtojmë s’bashku  shpirtin si edhe veprën e Saj  t’madhnueshme n’dy drejtime kryesore:

S’parit si mistike e madhe.

S’dytit, si luftëtare e pamposhtun, ku ky aspekt i saji âsht edhe gjâ shum’ e çuditshme, n’pamje t’jashtme: nji murgeshë, e imët fizikisht si ajo, e mû për mâ tepër edhe skâjshmërisht e vorfën, a ka si me pas’kenë luftëtare? Po, t’dashun miq, Ajo jo qi kje e tillë, por kje luftëtare e madhe n’dashtuní e përkushtim  Zotit n’personifikim t’Jezuit. Por t’mos i marrim çashtjet rryeshëm. T’shkojmë hap mbas hapi.

Mistika e Nânës Terezë rrezaton fuqishëm n’përkushtimin e Saj m’e pòamun n’çdo send e kudo. Për Nânën Terezë egziston vetëm nji dashtuní: Ajo për Zotin. E tue e përkrye e thellue kët dashtuní mrrihet m’e vlersue çdo krijim t’Tijin! Ky besim e prûni Nânën Terezë me pohue me t’madhe sr vetë vorfnia  e skâjshme e Motrave Misionare të Mëshirës  si edhe Dashtunisë, u nepte atyne mundësinë me kênë tânsisht t’lira prej çdo ndikimi t’huej e pra prej çfardo vartsije! E kjo liri e tyne u krijote mundësinë me pa n’secilin t’gërbulun n’secilin mâ t’vorfën të t’vorfënve, Zotin vetë, t’cillit ato i shërbejnë me përkushtimin mâ se t’skâjshëm. E kësi shtegu ato pra, tue luftue me bindje  t’thella anmikun shpirtnuer ma t’rreptin t’njerit, EGOIZMIN, kanë mrrîjtë  n’ato naltsina hyjnore prej kah  nuk ka mâ pengesë t’ua ndalë  pamjen e Zotit t’Plotfuqishëm si edhe t’Gjithëmëshirshëm!

Kah lutet Nâna Terezë  e thotë:

Kur mendoj vetëm për vedi,

Tërhiq vemndjen téme  mbi nji tjetër njeri

Ose kah i kërkon Zotit:

Kur kryqi i jêm bâhet i rândë,

Më bân m’e dákryqin e nji tjetrit

Shêmbulli qi Ajo na nep me lutjen e Saj, na difton se Ajo n’kët përkushtim ndaj Zotit  e vên vedin n’livelin e vetë Zotit t’mishnuem n’krijesë njerzore, por pa mëkatet e njérit) që me shêmbullin e Tij difton se ka ardhë  n’kët dhé me kryqin n’shpinë, m’e e kthye njerzimin  mëkatar n’rrugë t’shelbimit e mâ gjatë, t’amshimit!

Kjo sa i tokon mistikës Nânës Terezë.

Po si luftëtare shka e karakterizon Nânën e madhe? Historia ka diftue se të tânë diktatorët mâ t’mdhaj që përmênden, i ka karakterizue egoizmi i tyne i çfrenuem i gërshetuem prej etjes për pushtet. Po megjithatê, respekt të mirfilltë kurr nuk kanë fitue. E ç’âsht mâ e madhja, me dekë të tyne ka mbarue edhe pushteti i diktaturës i vendosun synesh. Kurse Nâna Terezë muejti me i thânë “ndal”  luftës n’Beirutin e përflakun në 1982 – shin  ku si palestinezët e gjithashtu edhe jahuditë e lejuen m’i nxjerrë prej spitali e m’i marrë me vedi dhjetra fëmijë t’smûet e n’nevojë, Presidenti Kennedy kje n’garë me presidentin De Gaulle kush t’a nderonte mâ nalt. Presidenti Reagan i dha Dekoratën Amerikane t’lirisë, kurse presidenti clinton e bâni qytetare nderi amerikane dhe e quejti Gjigande e Kohëve Tona!

E tashti n’fund qe edhe paradoksi mâ i madh. Ndërhynë shtetárë e gjithashtu edhe Sekretari i Kombeve t’Bashkueme U – Thant, e shteti shqiptar nuk e lejoi Nânën Terezë t’shkote e t’shifte për t’fundit herë për s’gjalli t’âmën edhe t’motrën. E ato ndrruen jetë, si edhe vetë Nâna Terezë, t’dishrueme për njâna tjetrën. E megjithatê, kur Ajo erdh   në vjetin 1989 me ua vizitue banesat e fundit nânës edhe motrës saj, pranoi  m’e  vûe nji tufë lule n’vorr të  diktatorit se Nâna e Madhe dite vetëm me dashtë e vetëm me falë! Ai tash, përkrah Luciferrit, kish me dashtë m’ua hângër rrashtat pinjojve e studjuesve që rriti e për gjallje t’tij s’lane gjâ pa thânë edhe e quejtne për dekada rresht deri  lavire e përdalë edhe agjente e CIA-së. Kjo se ata tash u bashkohen koreve q’i këndojnë  lavde e mundohen me botime albumesh e organizime konferencash, në hijen e Nânës së Madhe, me u rehabilitue. Po ajo nuk ka se si me ndollë se Ajo nuk âsht mâ e ksaj toke e aq mâ pak e truellit shqiptar qi për pesëdhjet vjet veç e përbalti. Nâna Terezë, luftëtarja e madhe e dashtunísë njerzore, tashmâ i tokon të tânë botës. E ata q’e luftuene me ashk deri në fund, janë t’destinuem m’u harrue prej historisë kurse Ajo, Nâna e Madhe që vetëm dashtuni dijti me rrezatue, edhe prej atje nalt ku i prehet shpirti, lutet për të tânë njerzimin e n’mes tyne edhe mâ fort për ata që ashpër e luftuene për s’gjalli. E na sot kena nderin m’e vêndue n’pjedistal shtatoren e kësaj luftëtares madhe të dashtunisë e t’vllaznimit njerzuer! Ju falemnderës.

 

Fja e mbajtur nga Mërgim Korça në Kishën Zoja Pajtore e Shqiptarëve në qytetin e Beverly Hills të Michiganit. 26 tetor 2003.

 

 

 

 

 

 

Lufta Rusi-Ukrainë: Ndihma e Gjermanisë për Ukrainën po vihet nën presion

Pas humbjes në zgjedhje të Viktor Orbanit në Hungari të dielën, pritet të ketë më pak rezistencë nga Europa për vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën.

 

Që nga lufta në Iran, në Ukrainë është rritur frika  se lufta në vend mund të spostohet në plan të dytë. Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump dëshiron një marrëveshje të shpejtë paqeje midis Rusisë dhe Ukrainës dhe ka reduktuar ndjeshëm ndihmën amerikane. Si rezultat, roli i Gjermanisë dhe i vendeve të tjera evropiane po rritet.

Pas humbjes në zgjedhje të Viktor Orbanit në Hungari të dielën, pritet të ketë më pak rezistencë nga Europa për vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën. Dhe në konsultimet qeveritare gjermane-ukrainase të martën në Berlin, qeveria federale pritet të japë siguri: te Gjermania mund të mbështetesh.

Cila është situata?
Pas SHBA,  Gjermania është me shumë diferencë donatori i dytë  më i madh bilateral për Ukrainën. Qeveria gjermane e ka mbështetur Ukrainën me gati 100 miliardë euro që nga fillimi i luftës (të dhëna deri në fillim të vitit 2026). Gjermania ofron ndihmë ushtarake, financiare, teknike dhe humanitare. Kjo përfshin gjithashtu pranimin e më shumë se një milion refugjatëve ukrainas.

Ndihma ushtarake
Sipas të dhënave të veta, qeveria gjermane i ka dhënë Ukrainës ndihmë ushtarake me vlerë rreth 55 miliardë euro ose e ka vënë atë në dispozicion për vitet e ardhshme (deri më 31 dhjetor 2025).

Kjo përfshin  furnizime me pajisje dhe armë nga armatimet e Forcave të Armatosura Gjermane,  si dhe furnizime të financuara nga shteti nga industria. Ajo mbulon të gjithë spektrin ushtarak: nga armët kundërajrore, artileria dhe automjetet luftarake, si tanket, e deri te armët e zjarrit dhe furnizimet mjekësore.

Për më tepër, që nga fillimi i luftës, Gjermania ka trajnuar më shumë se 24.000 ushtarë ukrainas në territorin gjerman.

Megjithatë, gjatë luftës fokusi ka ndryshuar qartë. Kështu, për shembull, tanket luftarake, me të cilat Gjermania e furnizoi Ukrainën vetëm pas shumë hezitimi, sot thuajse nuk luajnë rol të rëndësishëm. Në vend të tyre, dronët luftarakë dominojnë operacionet ushtarake. Dronët luftarakë për Ukrainën gjithashtu vijnë nga Gjermania ose prodhohen nga kompani gjermane në Ukrainë.

Pyetja, e debatuar për vite me radhë, nëse Gjermania duhet të dërgojë raketa me koka mbushëse Taurus në Ukrainë, nuk është më në tryezë, sipas mendimit të kancelarit gjerman Friedrich Merz.  Ukraina tani ka armët e veta me rreze të gjatë veprimi  , deklaroi kancelari në fund të marsit gjatë një seance pyetje-përgjigje të qeverisë në Bundestag. Ukraina është ‘më mirë e armatosur sot se kurrë më parë’. Problemi është më tepër mungesa e fondeve, një fushë në të cilën Gjermania megjithatë dëshiron të ndihmojë.

Ndihma civile dhe humanitare
Ndihma civile bilaterale e Gjermanisë (përveç ndihmës së ofruar brenda kuadrit të BE-së) arrin, sipas shifrave të qeverisë, në rreth 39 miliardë euro. Kjo përfshin të gjithë ndihmën joushtarake që forcon rezistencën dhe funksionimin e shtetit ukrainas.

Një nga prioritetet kryesore është furnizimi me energji, të cilin Rusia po e sulmon me intensitet në rritje. Në total, që nga fillimi i luftës, qeveria gjermane ka dhënë më shumë se 1.2 miliardë euro ndihma vetëm për sektorin e energjisë, duke u bërë donatorja e dytë më e madhe në këtë fushë pas SHBA.

Në njërën anë, kjo përfshin riparimet dhe masat e emergjencës në objektet e shkatërruara. Në anën tjetër, ekspertët gjermanë po punojnë me partnerët ukrainas për rindërtimin e infrastrukturës energjetike, duke u përqendruar në efikasitetin energjetik dhe zgjerimin e energjive të rinovueshme.

Aktivitetet e ndihmës humanitare financohen në bashkëpunim të ngushtë me organizata ndërkombëtare dhe joqeveritare, duke siguruar që kujdesi mjekësor, ushqimi, uji i pijshëm dhe ndihma e tjera emergjente t’u arrijnë njerëzve shpejt, veçanërisht atyre pranë vijës së frontit.

Mbështetje për refugjatët
Më shumë se një milion refugjatë ukrainas, kryesisht gra dhe fëmijë, kanë gjetur strehim në Gjermani që nga fillimi i luftës. Qeveria gjermane mbështet landet federale dhe autoritetet lokale në akomodimin dhe kujdesin për këta njerëz, për shembull përmes ndihmës financiare të drejtpërdrejtë ose duke vënë në dispozicion për strehim ndërtesa në pronësi federale.

Refugjatët mbështeten, për shembull, për kurse të gjuhës gjermane, arsimim të mëtejshëm dhe programe integrimi, si dhe mbështetje në gjetjen e punësimit. Sipas të dhënave të Institutit për Kërkime të Punësimit në shkurt 2026, rreth gjysma e refugjatëve ukrainas në moshë pune janë të punësuar.

Rindërtimi dhe reformat
Qeveria gjermane po planifikon tashmë rindërtimin e Ukrainës së bashku me Ukrainën dhe partnerët nga BE dhe G7-ja. Kjo duhet të shoqërohet me një modernizim të shtetit dhe ekonomisë dhe të marrë parasysh procesin e anëtarësimit të Ukrainës në BE, të cilin Gjermania e mbështet në parim.

Janë mbajtur tashmë disa konferenca ndërkombëtare për rindërtimin (Konferenca për Rimëkëmbjen e Ukrainës, URC), përfshirë një në Gjermani në vitin 2024. Në vitin 2026, Polonia do të jetë mikpritëse e URC-së. Konferenca pritet të mbahet në fund të qershorit në Gdansk.

Rezistenca nga e djathta dhe e majta
Jo të gjithë në Gjermani janë dakord me formën dhe shkallën e mbështetjes për Ukrainën. Nëse në të ardhmen do të kërkohej edhe më shumë nga Gjermania, për shkak të tërheqjes gjithnjë e më të madhe të SHBA nga ndihma për Ukrainën, rezistenca ka të ngjarë të rritet edhe më shumë.

Mëria mes popullatës gjermane ndaj refugjatëve ukrainas është relativisht e ulët, pjesërisht sepse këta njerëz konsiderohen relativisht të mirëintegruar. Megjithatë, ka kritika për faktin që refugjatëve ukrainas iu dhanë menjëherë të ardhurat bazë, në vend të përfitimeve të reduktuara për kërkuesit e azilit.

Si pasojë, në marrëveshjen e koalicionit, CDU/CSU dhe SPD ranë dakord që refugjatët që hyjnë në Gjermani pas 1 prillit 2025 do të marrin përfitime të reduktuara në të ardhmen.

Mes partive gjermane në qendrën politike, për mbështetjen për Ukrainën ka kryesisht konsensus. Situata është ndryshe në të djathtën dhe të majtën ekstreme. Si partia Alternativa për Gjermaninë (AfD), e cila është pjesërisht e ekstremit të djathtë, ashtu edhe, në njëfarë mase, partia E Majta e shohin këtë mbështetje me sy kritik dhe kërkojnë lidhje më të ngushta me Rusinë.

Argumenti kryesor është se, duke pasur parasysh arkët e zbrazëta dhe borxhin e lartë, nuk ka mjaftueshëm para as për Ukrainën, as për popullsinë gjermane, dhe se Gjermania duhet të mbështetet përsëri në energji të lirë nga Rusia.

Pikërisht për shkak të çmimeve të larta të karburantit të shkaktuara nga lufta në Iran, ky lloj arsyetimi po fiton terren aktualisht. Shqetësimi kryesor i qeverisë federale është se AfD-ja, në veçanti, mund të përfitojë nga kjo në zgjedhjet rajonale  në shtator, në landet Mecklenburg-Vorpommern dhe Saksoni-Anhalt./DW

Humbje për Mar-a-Lago dhe Moskën- BIRN: Merr fund sundimi dikur i pathyeshëm i Orbanit

Është një humbje e madhe për Moskën dhe lëvizjet e ekstremit të djathtë në të gjithë botën, duke rrëzuar njëkohësisht mitin se Orban nuk mund të mposhtej me zgjedhje demokratike.

Iluzioni se Viktor Orban ishte i pathyeshëm u shkatërrua. Një skandal i madh abuzimi me fëmijë; performanca e dobët ekonomike që sfidoi themelet e sundimit të aleancës së Fidesz; një ish-insider karizmatik me një parti të mirëorganizuar dhe një bazë të madhe e të larmishme votuesish që i dha përparësi rrëzimit të qeverisë mbi dallimet ideologjike – këto duket se ishin përbërësit e nevojshëm për të rrëzuar njeriun e fortë dhe populist të Hungarisë.

Është një humbje e madhe për Moskën dhe lëvizjet e ekstremit të djathtë në të gjithë botën, duke rrëzuar njëkohësisht mitin se Orban nuk mund të mposhtej me zgjedhje demokratike. Tani, kryeministri i ri, Peter Magyar, përballet me sfida të shumta; nga reformimi i sistemeve shtetërore që funksionojnë dobët, te përmbushja e pritshmërive të larta dhe menaxhimi i polarizimit të thellë të vendit.

Nuk ishte surprizë që në Budapest, prej kohësh një bation i opozitës, njerëzit e festuan rezultatin në rrugë. Por skena të ngjashme pati edhe në Debrecen, dikur një bazë e fuqishme për partitë në pushtet. Harta e rezultateve, e cila më parë ishte pothuajse e gjitha në portokallinë e Fidesz-KDNP, u kthye kryesisht në blu për partinë Tisza të Magyar, me vetëm disa “ishuj” portokalli.

Në mënyrë vendimtare, Tisza fitoi një shumicë kushtetuese prej dy të tretash në zgjedhje, gjë që do t’i lejojë një hapësirë të gjerë për të çmontuar sistemin e Orbanit. Me pothuajse të gjitha votat e numëruara, Tisza duket se do të sigurojë 138 vende në parlamentin me 199 vende, ndërkohë që Fidesz i Orbanit pritej të fitojë vetëm 55.

“Së bashku e përmbysëm regjimin e Orbanit, e çliruam Hungarinë, e morëm përsëri mbrapsht atdheun tonë,” tha Magyar në fjalimin e tij të fitores të dielën.

“Fitorja jonë është e dukshme, jo nga Hëna, por nga çdo dritare hungareze – qoftë një kasolle e vogël me tulla balte apo një ndërtesë e lartë,” shtoi ai, duke iu referuar fjalimit të Orbanit në vitin 2022, kur ai tha se fituan aq shumë sa mund të shihej edhe nga Hëna.

Kjo ishte një natë zgjedhore me të cilën hungarezët ishin mësuar. Megjithatë, në dy vitet e fundit, diçka e madhe ka ndryshuar në vend.

Që kur Orban u rikthye në pushtet në vitin 2010, pasi kaloi tetë vite në opozitë, ai fitoi tre herë një shumicë prej dy të tretash. Rezultatet u bënë gjithnjë e më dërrmuese për votuesit e opozitës, duke bërë që shumë prej tyre të vinin në dyshim nëse ishte ende e mundur të mposhtej partia e tij me zgjedhje demokratike.

Kjo ide nuk ishte pa bazë, pasi Orban dhe qeveria e tij kanë bërë gjithçka për të forcuar pushtetin e tyre. Ata morën nën kontroll shumicën e mediave, ndryshuan disa herë sistemin zgjedhor në favor të tyre, përdorën burimet shtetërore për qëllime fushate dhe vendosën besnikë në drejtimin e institucioneve shtetërore.

Sondazhet tregonin vazhdimisht se, ndërsa në Budapest dhe qytetet më të mëdha forcat e mëparshme opozitare gëzonin njëfarë popullariteti, zonat rurale përbënin një bazë të madhe për Fidesz.

Siç doli në fund, këto rrethana nuk ishin të pamundura për t’u kapërcyer, pasi disa ngjarje të papritura krijuan një momentum politik, që as kjo makineri politike e stërvitur mirë nuk mundi ta ndalte.

Momenti i kthesës nisi nga një skandal i madh

Skandali i madh që shpërtheu në vitin 2024, kur presidentja e atëhershme, Katalin Novak u ekspozua për faljen e ish-zv.drejtorit të një shtëpie fëmijësh, i cili ishte dënuar për fshehjen e abuzimit seksual me fëmijë nga eprori i tij ishte një element kyç i këtij ndryshimi.

Përveç presidentes, edhe ish-bashkëshortja e Magyar, Judit Varga u detyrua të japë dorëheqjen si deputete dhe pjesë e listës së Fidesz-KDNP për Parlamentin Europian, pasi në atë kohë ishte ministre e drejtësisë dhe kishte bashkëfirmosur faljen.

Pas dorëheqjes së ish-bashkëshortes së tij, Magyar doli publikisht duke denoncuar korrupsionin e përhapur të Fidesz-it, duke tërhequr vëmendje të madhe. Pak ditë më vonë, në Budapest u mbajt një protestë e madhe, me rreth 50,000 pjesëmarrës. Kjo demonstratë dhe zemërimi që ajo përfaqësonte, si dhe dalja në skenë e Magyar, u dha shpresë shumë njerëzve, edhe pse më parë ai kishte deklaruar se nuk donte të hynte në politikë.

“Stuhia e përkryer” që goditi sundimin e Orbanit kishte nevojë edhe për një faktor tjetër të madh: performancën e dobët ekonomike të vendit, përfshirë inflacionin mesatar prej 17.6 për qind në vitin 2023 dhe rritjen ekonomike prej vetëm 0.3 për qind në vitin 2025. Ndërsa “Pardongate” vuri në pikëpyetje themelet e krishtera dhe familjare të qeverisë, problemet ekonomike ngritën dyshime për aftësinë e saj për ta menaxhuar vendin.

Pas dështimit të forcave të vjetra opozitare, shumë hungarezë, madje edhe ata të pakënaqurit me qeverinë, mendonin se nuk kishte alternativë. Kjo ndjesi ndryshoi pas ngritjes së shpejtë të Magyar dhe partisë së tij Tisza, e cila synoi në mënyrë të saktë votuesit konservatorë dhe ata që jetojnë në vendbanime më të vogla. Tisza përdori simbolikë kombëtare, duke qenë e kujdesshme me tema përçarëse, si parada Pride apo lufta në Ukrainë.

Duke ndërtuar në mënyrë sistematike organizimin e partisë dhe rrjetet e saj lokale, Tisza tregoi fuqinë e saj në rritje duke fituar pothuajse 30 për qind në zgjedhjet europiane të vitit 2024, duke i dhënë goditjen përfundimtare aurës së paprekshmërisë së Orbanit.

Nuk do të jetë një rrugë e lehtë

Në krahasim me fushatën e Fidesz që u përqendrua te gjeopolitika dhe lufta në Ukrainë, Tisza e vuri theksin te çështjet e përditshme që prekin drejtpërdrejt qytetarët. Përveç kostove të jetesës, ajo u fokusua fort te gjendja e sistemit shëndetësor dhe e transportit hekurudhor. Ndërsa partia premtoi masa konkrete, si ulja e taksave apo rritja e pensioneve, pritet gjithashtu të nisë reforma rrënjësore në këto shërbime shtetërore. Kjo ka gjasa të jetë një nga sfidat e para të mëdha për Tisza, pasi reformat e thella kërkojnë kohë, sidomos duke pasur parasysh gjendjen aktuale të buxhetit.

Tisza pritet gjithashtu të punojë për rikthimin e kontrollit dhe balancës demokratike, rivendosjen e pavarësisë së sistemit gjyqësor dhe institucioneve shtetërore, reformimin e sistemit zgjedhor dhe çlirimin e mediave publike. Qeverisja me një shumicë prej dy të tretash do ta ndihmojë në shtyrjen përpara të këtyre ndryshimeve, por duke pasur parasysh kapjen historike të institucioneve, nëse votuesit mendojnë se Tisza mund të abuzojë njësoj me pushtetin, popullariteti i saj mund të bjerë shpejt.

Magyar ka premtuar gjithashtu të “sjellë në shtëpi” fondet e ngrira të BE-së, gjë që nuk është një objektiv jorealist duke pasur parasysh planet e partisë së tij për t’iu bashkuar Zyrës së Prokurorit Publik Europian dhe për të luftuar korrupsionin. Kjo do të ndihmojë në reformat sistemike dhe mund të japë rezultate të shpejta dhe të dukshme.

Ndërsa qeveria e re hungareze pritet të rivendosë shpejt marrëdhënie konstruktive me shtetet e tjera anëtare të Bashkimit Europian dhe institucionet europiane, humbja e Orbanit përbën një goditje të madhe për Moskën, e cila humbi një aleat besnik brenda BE-së dhe NATO-s.

Ajo përfaqëson gjithashtu një humbje të madhe për populistët e së djathtës konservatore në mbarë botën. Pavarësisht madhësisë së saj të vogël, Hungaria është përmendur shpesh si model nga republikanët e MAGA. Madje, zv. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, u përpoq të ndihmonte fushatën e Orbanit në ditët e fundit. Edhe pse SHBA ka partnerë më të rëndësishëm në Europë, kjo mbetet një humbje simbolike e rëndësishme për botën e MAGA-s. Ka gjithashtu pak gjasa që edicioni europian i takimit vjetor të ekstremit të djathtë të mbahet vitin e ardhshëm në Budapest.

Është e vështirë të thuhet se cili do të jetë hapi i ardhshëm i Viktor Orbanit. Megjithatë, është e vështirë të imagjinohet që votuesit e tij nuk përfaqësojnë një kërkesë reale që do të duhet të përmbushet, edhe nëse kjo realizohet nga një ose disa forca të ndryshme politike.

Ndërkohë, figurat dhe mbështetësit e Fidesz do të duhet, siç tha vetë Orban, të “lëpijnë plagët” dhe të mësohen me idenë e humbjes.

Për politikanët e Fidesz dhe figurat publike pro-qeveritare, do të jetë e vështirë ta përtypin këtë rezultat, edhe për faktin se gjatë dy viteve të fundit ata e kanë nënvlerësuar me zë të lartë Magyar, përmes talljeve dhe fyerjeve. Ata duhej të kishin dëgjuar Lao Tzu: “Nuk ka rrezik më të madh sesa të nënvlerësosh kundërshtarin tënd”./Reporter.al

“Apeli i Hungarisë për zgjimin e Ballkanit”- Arben Malaj: Të angazhohemi që ta mundim mbretërinë tonë kryeministrore, të lyrosur nga korrupsioni dhe kapja e shtetit

Ish-ministri socialist dhe ekonomisti Arben Malaj ka reaguar pas rrëzimit nga pushteti pas 16 vitesh të Viktor Orban, duke i cilësuar zhvillimet në Hungari si një apel për qytetarët e Ballkanit, që të përballem me fenomenet e autokracisë dhe kapjes së shtetit.

Në një mesazh në rrjetet sociale, Arben Malaj thekson se shprehja “shpresa vdes e fundit” merr një kuptim të ri pas rrëzimit të një sistemi të gjatë qeverisjeje.

 

Sipas Malajt, rrëzimi i Viktor Orban në Hungari dhe fitorja e Peter Magyar tregon se ndryshimi politik është i mundur kur qytetarët reagojnë ndaj korrupsionit

Teksa përmend Shqipërinë, Malaj apelon për angazhim që siç thotë ai “të mundim mbretërinë tonë kryeministrore, të lyrosur nga korrupsioni dhe kapja e shtetit”.

Analiza e plotë Arben Malajt

Popujt kanë një shprehje shpresë-dhënëse edhe në momentet me të errta të mbijetesës së tyre; “Shpresa Vdes e Fundit”

Apeli i Hungarisë për Zgjimin e Ballkanit

Popujt kanë të drejtë:

Shpresa vdes e fundit. Mundja e djeshme me shumicë dërrmuese e autokratit të fundit dhe aleatit të bindur kundër gjeopolitikës dhe gjeostratëgjisë evropiane, është një apel i fuqishëm inspirues për shqiptarët e shtypur dhe të nëpërkëmbur nga “mbretëria kryeministrore”!

Inspirimi hungarez duhet të zgjojë popujt e nënshtruar nga autokracitë në Ballkan.

Historia ka treguar se liria nuk është një dhuratë që jepet, por një e drejtë që rrëmbehet.

Sot, ndërsa shohim “mbretëritë presidenciale” dhe “sulltanatet kryeministrore” të lulëzojnë në zemër të Evropës,

modeli i qëndresës hungareze na shërben si një dritë shprese në errësirën e autokracisë.

Në vitin 1956, Hungaria i tregoi botës se asnjë tank dhe asnjë makineri propagandistike nuk mund ta mposhtë vullnetin e një populli që ka vendosur të jetë i lirë.

Sot, në vitin 2026, ky mësim është më i vlefshëm se kurrë.

Autokratët e sotëm nuk mbajnë kurora të dukshme, por sundojnë si mbretër mesjetarë pas fasadës së institucioneve demokratike.

Ata përdorin:

(i) Kapjen e Shtetit;

(ii)  Shndërrimin e gjykatave

      dhe policisë në “roje”

      personale.

 (iii) Kriminalizimin e Pushtetit:

Atëherë kur vullneti i popullit zëvendësohet me interesat e klaneve.

(iv) Propagandën e Frikës: Duke e shitur stabilitetin si zëvendësues për lirinë.

Fuqia e Pamposhtur e “Popullit të Heshtur”

Miti më i madh që autokratët mbjellin është se ata janë të pamposhtur.

Por, historia hungareze na mëson se fuqia e tyre është vetëm një iluzion që ushqehet nga pasiviteti ynë.

Do ta ritheksoj gjithnjë se:

“Nuk ka qeveri, sado e fortë apo e kriminalizuar,

që mund t’i mbijetojë ballafaqimit me një popull që ka humbur frikën.”

Kur qytetari i thjeshtë kupton se vota e tij nuk është thjesht një letër në kuti, por një “akt rebelimi” kunder mbreterive kryeministrore,

muret fillojnë të plasariten.

Modeli hungarez na kujton se revolucionet demokratizuese nuk nisin në pallatet qeveritare, por në kuzhinat e familjeve që nuk mbyllin dot muajin, në kafenetë ku flitet me zë të ulët dhe në mendjet e të rinjve që refuzojnë të emigrojnë.

Popujt e Ballkanit kanë vuajtur gjatë nën hijen e “burrave të fortë”.

Është koha të kuptojmë se këta autokratë nuk janë pasqyra e forcës sonë, por e dobësisë sonë të përkohshme.

 Si ne Hungari duhet Bashkimi mbi Ndasitë:

Ashtu si në momentet kulminante të historisë hungareze,

Suksesi vjen  vetëm kur qytetarët bashkohen përtej ideologjive kundër të keqes të përbashkët: Tiranisë.

Asnjë mbretëri presidenciale nuk mund të qëndrojë në këmbë nëse populli vendos të mos heshtë më.

Liria nuk është një destinacion, është një betejë e përditshme.

Nëse Hungaria mundi të sfidonte perandoritë,

Popujt e Ballkanit kanë të gjithë fuqinë për të çmontuar neodiktaturat e sotme.

Meazhi im qe ne hapat e para ne politike ne 1991 eshte dhe do te mbetet se: Kush shet votën, blen varfërinë!

Kush blen votën, thith edhe pikën e fundit të gjakut të të varfërve.

Me gjakun e votuesve të varfër, ata ushqejnë pangopësinë e tyre për pushtet dhe ushtrinë e patronazhistëve të kriminalizuar nga përfitimet materiale dhe promovimi në kurriz të më të arsimuarve.

Zgjidhni PËRHERË të jeni zotër të fatit tuaj!

Te fillojme të angazhohemi që ta mundim mbretërinë tonë kryeministrore,

të lyrosur nga korrupsioni dhe kapja e shtetit,

që në zgjedhjet  për kryetarët e bashkive 2027!

Mirënjohje!

gsh

Humbja historike e Viktor Orbánit në Hungari, analiza e CNN: Pse mbështetja e SHBA nuk i mjaftoi?

Hungaria po përjeton momente historike pas humbjes së Viktor Orbán në zgjedhjet e së dielës, pasi vendi do të ketë një qeveri të re për herë të parë që nga viti 2010.

 

Edhe pse sondazhet parashikonin një fitore të qartë për partinë opozitare Tisza të fituesit të zgjedhjeve, Péter Magyar, shumëkush ruante rezerva deri në momentin e fundit, ndaj humbja e Orbán për shumëkënd u perceptua si një ndryshim regjimi.

Siç deklaroi për CNN shkrimtari dhe poeti András Petőcz, ndjesia i kujtoi periudhën e rënies së Bashkimit Sovjetik. “Isha 30 vjeç kur përfundoi regjimi komunist. Është e njëjta ndjesi, e njëjta,” tha ai nga brigjet e Danubit, ku ishin mbledhur mijëra mbështetës të Fidesz për të dëgjuar rezultatet.

Sipas analizës së rrjetit amerikan, “ndonëse shumë gjëra mbeten të paqarta, nga madhësia e shumicës parlamentare të Tisza deri te mënyra se si do të nisë çmontimi i sistemit të ndërtuar nga Fidesz, humbja e Orbán tregon kufijtë e populizmit. Ajo ofron mësime si për ata që do të donin ta imitonin, ashtu edhe për ata që gëzohen për largimin e tij.”

Mësimi i parë është se është e vështirë të ndërkombëtarizohet nacionalizmi. Pasi ka qeverisur për kaq gjatë si mbrojtës i sovranitetit kombëtar, duke premtuar të mbrojë Hungarinë nga kërcënimet e supozuara të Bashkimit Evropian dhe ideologjisë liberale, fushata e tij përfundimisht u mbështet fort në përkrahjen e aleatëve të fuqishëm ndërkombëtarë si SHBA dhe Rusia”, shkruan CNN.

Pavarësisht deklaratave të nënpresidentit të SHBA-së, J.D. Vance, i cili udhëtoi në Budapest për të mbështetur aleatin më të afërt të administratës Trump në Evropë, duke thënë se “do ta ndihmoj Orbán sa më shumë të mundem”, si dhe thirrjes edhe më të fortë të presidentit amerikan “dilni dhe votoni për Viktor Orbán, një mik i vërtetë, luftëtar dhe fitues”, këto ndërhyrje nuk dhanë rezultat.

“Megjithëse disa hungarezë mund të jenë ndier të vlerësuar nga vëmendja e një superfuqie, ekziston një kontradiktë në të priturit që qytetarët të votojnë një politikan nacionalist sepse ua sugjeron një fuqi e huaj,” thekson CNN.

Para humbjes së Orbán, politologu Ivan Krastev, i cili e ka studiuar kryeministrin në largim që nga fillimi i viteve ’90, komentoi: “Ironia është se nëse humbet, do të humbasë si një përkrahës i globalizimit. Duke kërkuar ndihmë nga miq të fuqishëm jashtë vendit, Orbán bëri pikërisht atë që do të pritej nga liderët ndërkombëtarë.”

Sipas CNN, arsyeja pse fushata e Orbán u fokusua kaq shumë në politikën e jashtme ishte imazhi i dobët në planin e brendshëm. Ky është një tjetër mësim nga humbja e tij: populizmi mbështetet në përplasje të vazhdueshme dhe ka nevojë për armiq të përhershëm. Orbán gjeti shumë të tillë: OJQ-të, universitetet liberale, George Soros, komunitetin LGBTQ+, Bashkimin Evropian.

Por në një moment, “armiqtë” mbarojnë. Një pjesë e madhe e fushatës së tij targetoi Ukrainën. Budapesti u mbush me postera të presidentit Volodymyr Zelensky me slogane si “Rrezik!” dhe “Mos e lini të qeshë i fundit”.

Pa një ekonomi të fortë apo një sistem shëndetësor efektiv, fushata e tij u përpoq të frikësonte votuesit, duke paraqitur Fidesz si “zgjedhjen e sigurt”. Siç tha Krastev, paraqitja e Ukrainës si kërcënimi kryesor për sovranitetin hungarez përfundoi duke u dukur qesharake, shkruan CNN.

Përballë këtyre kërcënimeve të paqarta, Magyar u mjaftua duke vënë në dukje gjendjen e brendshme të vendit, e cila nuk i kënaqte hungarezët.

“Për ata që duan të mposhtin populizmin, humbja e Orbán ofron gjithashtu mësime. Pavarësisht fitores së tij, shumë hungarezë liberalë dhe të majtë nuk janë entuziastë për Magyar, një ish-zyrtar i Fidesz me pikëpamje konservatore. Megjithatë, ata u bashkuan rreth tij, duke e parë si mundësinë më të mirë për të mposhtur Orbán. Siç tha politologu Péter Kreko, votuesit nuk lejuan që ‘e përkryera’ të bëhej armike e ‘së mirës’,” thuhet në analizën e CNN.

Në fjalimin e fitores, Magyar pranoi sfidat dhe i bëri thirrje Orbán të veprojë si një lider tranzitor pa penguar qeverinë e re. Megjithatë, për mbështetësit e tij, nëse Tisza do të arrijë të çmontojë sistemin e Orbán dhe të qeverisë në mënyrë efektive, mbetet një çështje për të ardhmen.

“Do të ishte një kthesë e mirëpritur nëse Hungaria kalon nga një shembull i iliberalizmit dhe autoritarizmit në një shembull të ndryshimit demokratik,” tha Kreko, por kjo mbetet për t’u parë, përfundon CNN. Panorama

Analiza e The Guardian: Pse SHBA-të po kërcënojnë të bllokojnë portet iraniane dhe si do të funksiononte kjo?

Donald Trump ka thënë se SHBA-të do të fillojnë bllokadën e Ngushticës së Hormuzit, pasi bisedimet për armëpushim me Iranin përfunduan pa një marrëveshje gjatë fundjavës.

 

Ngushtica është shfaqur si arma më efektive e Iranit në luftën e tij asimetrike me SHBA-në. Që nga 28 shkurti, SHBA-të dhe Izraeli e kanë goditur Iranin, duke goditur mijëra objektiva dhe duke vrarë dhjetëra nga udhëheqësit më të lartë të vendit. Irani është përgjigjur duke mbyllur në mënyrë efektive ngushticën – një rrugë ujore jetësore përmes së cilës në kohë normale lëviz rreth 20% e naftës globale – duke rritur çmimet e naftës dhe duke ushqyer frikën për një rritje të inflacionit.

Kërcënimi nga presidenti tani i ka lënë tregjet globale në një periudhë tjetër pasigurie, pasi javën e kaluar ato përfunduan me optimizëm se negociatat midis Uashingtonit dhe Teheranit mund të rezultojnë në një fund të kaosit që ka goditur ekonominë botërore për më shumë se gjashtë javë.

Çfarë ka njoftuar Trump në lidhje me bllokadën e Ngushticës së Hormuzit?

Të dielën, presidenti postoi në mediat sociale: “Marina e Shteteve të Bashkuara, më e mira në botë, do të fillojë procesin e BLLOKIMIT të çdo anijeje që përpiqet të hyjë ose të dalë nga Ngushtica e Hormuzit.”

Duke akuzuar Iranin për “SHANTAZH BOTËROR”, Trump kërcënoi se çdo person që sulmon anijet amerikane do të “SHKOJË NË FERR!”

Kërcënimi i gjithanshëm i Trump për të bllokuar “çdo dhe të gjitha” anijet duket se është zvogëluar disa orë pas njoftimit të tij, pasi Komanda Qendrore e SHBA-së (Centcom) tha se bllokada do të kufizohej vetëm në anijet që kalonin tranzit nëpër portet iraniane dhe se do të lejonte kalimin e anijeve që drejtohen për në portet që u përkasin aleatëve të SHBA-së në Gjirin Persik.

Centcom tha se bllokada do të hynte në fuqi në orën 10:00 ET (2:00 GMT).

Trump i tha Fox News se aleatët, shumë prej të cilëve ai i ka kritikuar për dështimin në mbështetjen e luftës, donin të ndihmonin me operacionin në ngushticë. The Guardian kupton se Mbretëria e Bashkuar nuk do të përfshihet në asnjë bllokadë të ngushticës dhe kryeministri australian, Anthony Albanese, tha se vendit nuk iu kërkua të merrte pjesë.

Pse do të kërcënonte Trump se do të bllokonte Ngushticën e Hormuzit nëse qëllimi i tij është ta rihapë atë?

Raportet tregojnë se rihapja e ngushticës ishte një nga pikat kryesore të ngërçit në negociatat e fundjavës midis SHBA-së dhe Iranit. Teherani ka treguar se do të donte të mbante kontrollin e rrugës ujore pasi të mbaronte lufta dhe ka paraqitur një plan për të ngarkuar një tarifë deri në 2 milionë dollarë për çdo anije që kalon nëpër rrugën ujore. Trump dhe udhëheqës të tjerë botërorë e kanë hedhur poshtë një plan të tillë si një sulm ndaj “lirisë së lundrimit”.

Pavarësisht pretendimeve të Trump se rihapja e rrugës ujore nuk është përgjegjësi e tij, presidenti është nën presion për ta zgjidhur çështjen përpara se mbyllja e vazhdueshme e ngushticës të shkaktojë një krizë edhe më të madhe për ekonominë globale.

Nëse strategjia e Trump ka sukses, ai do të eliminojë pikën më të madhe të ndikimit të Iranit në negociata dhe do ta pastrojë përsëri ngushticën për tregtinë globale, duke ulur potencialisht çmimet e naftës.

Si do të funksiononte bllokada?

Ushtria amerikane nuk ka ofruar ende shumë detaje, duke përfshirë sa anije luftarake do ta zbatojnë atë, nëse do të përdoren avionë luftarakë dhe nëse ndonjë aleat i Gjirit do të ndihmojë në këtë përpjekje.

Ekspertët thonë se nuk ka gjasa që ushtria amerikane të qëllojë me raketa ose armë të tjera anijet cisternë, duke pasur parasysh rrezikun e një katastrofe mjedisore. Opsioni më i mundshëm është që marina amerikane të përpiqet t’i detyrojë anijet të ndryshojnë kurs përmes kërcënimeve, dhe nëse kjo nuk funksionon, ata do të nisin grupe të armatosura hipjeje për të marrë kontrollin fizik të anijeve, thonë ekspertët.

“Trump dëshiron një zgjidhje të shpejtë. Realiteti është se ky mision është i vështirë për t’u ekzekutuar vetëm dhe ka të ngjarë të jetë i paqëndrueshëm në planin afatmesëm dhe afatgjatë”, tha Dana Stroul, një ish-zyrtare e lartë e Pentagonit gjatë administratës së Bidenit, e cila tani punon në Institutin e Uashingtonit për Politikat e Lindjes së Afërt.

Çfarë do t’i bëjë bllokada çmimit të naftës?

Ekspertët thonë se bllokada mund të çojë në çmime më të larta të naftës, por shumë varet nga “fushëveprimi dhe zbatimi” i saj.

Kevin Book, drejtori menaxhues i kërkimit në firmën kërkimore ClearView Energy Partners, tha se vëllimet më të pakta në përgjithësi nënkuptojnë tregje më të ngushta dhe çmime më të larta. “Mënyra se si reagon Teherani ka rëndësi gjithashtu. Hakmarrjet iraniane dhe/ose huthitë kundër rrugëve alternative të prodhuesve të Gjirit mund t’i rrisin çmimet edhe më shumë”, tha Book.

Duke e mbyllur ngushticën për anijet që transportojnë naftë iraniane, Trump mund t’i ndërpresë regjimit një nga burimet kryesore të financimit, por kjo mund të ketë edhe një efekt negativ afatshkurtër në çmimet globale.

Rreth 100 anije cisternë kanë kaluar nëpër ngushticë që kur SHBA-të dhe Izraeli filluan bombardimet ndaj Iranit, shumica e të cilave transportojnë produkte nafte iraniane me destinacion Kinën dhe Indinë. SHBA-të e kanë lejuar Iranin të vazhdojë këto eksporte – dhe madje kanë hequr sanksionet mbi naftën iraniane në det – në një masë për të lehtësuar presionet e furnizimit. Shpresa ishte që furnizimet e vazhdueshme me naftë iraniane mund të ndihmonin në mbajtjen nën kontroll të çmimeve, pavarësisht se këto fitime shkojnë direkt në regjimin iranian. Ngushtimi i këtyre furnizimeve mund t’i çojë çmimet edhe më lart.

Pas njoftimit të Trump, çmimi i naftës bruto amerikane u rrit me 8% në 104.24 dollarë për fuçi dhe nafta bruto Brent u rrit me 7% në 102.29 dollarë. Nafta bruto Brent, standardi ndërkombëtar, ka shkuar nga afërsisht 70 dollarë për fuçi para luftës në fund të shkurtit në 119 dollarë gjatë rrjedhës së konfliktit.

Çfarë ndodh tani me armëpushimin e luftës SHBA-Iran?

Garda Revolucionare e Iranit ka thënë se çdo anije luftarake që i afrohet ngushticës për të zbatuar një bllokadë do të konsiderohet shkelje e armëpushimit aktual dhe do të trajtohet ashpër. Ata këmbëngulën që ngushtica të mbetet nën kontrollin iranian.

Trump hodhi në pah të dielën mundësinë e rifillimit të sulmeve ajrore amerikane brenda Iranit, duke përmendur fabrikat e raketave si një objektiv të mundshëm. Wall Street Journal raportoi se administrata e tij po shqyrtonte rifillimin e sulmeve ajrore si një mënyrë për të thyer ngërçin në bisedimet e paqes./The Guardian

“Gegnishtja asht shqipja origjinale” Reagimet pro deklaratës së Koçekut: Luftë klasash

TIRANË- Deklarata e deputetes së Partisë Socialise Marjana Koçeku ka nxitur një debat të fortë mbi identitetin gjuhësor dhe trashëgiminë kulturore të veriut.

Përmes një reagimi, shkrimi i Astrit Canit e konsideron dialektin e gegërishtes si shtyllën origjinale të shqipes, duke kritikuar sulmet ndaj deputetes si një formë të mbetur të “luftës së klasave”.

Reagimi plotë:

“Nji shkrim prej Astrit Cani ,që meriton me u lexu, bile me “detyrim si tekst shkollor” në zonat e “shkodrianëve”, ktyne “armiqve të përhershëm të partisë”! Deputetja debutante me emrin kitsch Neomalësore, u gjind së mbrami në synin e ciklonit, ose ciklopit, ngase nuk flet neoshqipen. Madje ajo u qortue randshëm (por jo dhe bindshëm), se nuk na flitka as dialektin e gjyshave të saj të Dukagjinit. Porse për “me shitë p*rdhë” na përdorka të folmen e gropës së Shkodrës, që në fakt asht gegnishtja letrare.
E gjitha kjo duket krejt e ngatërrueme, por asht fare e thjeshtë. Gegnishtja asht shqipja origjinale, pra si thonte Gjon Shllaku, jo vetëm nuk asht dialekt, por asht gjuha ma e vjetër e kontinentit. Njiherit asht edhe gjuha ma e vjetër e kontinentit të letërsisë shqipe. Dhe n’asnji doracak historik të letërsisë shqipe, shkrimtarët e veriut, nuk quhen shkrimtarë dialektorë.
Ktë pretendim retroaktiv nuk e pati as banda militante e Kongresit të drejtshkrimit, e cila, kurr nuk pretendoi t’i impononte folësit neoshqipen e vet, përderisa u vetëmbiquejt “e drejtshkrimit”dhe jo “e drejtshqiptimit”, pra vendosi disa rregulla drejtshkrimore, që thjesht e komplikuen punën. Por ma shum e ndërlikuen mediat komerciale që dolën nga putschi i ‘97s, që e vazhduen luftën gjuhësore si luftë klasash e aplikueme kundër qytetarisë së vjetër. Dhe lanë jashtë tregut gjuhësor shumicën e shqiptarisë, që shkon prej Elbasanit deri në Bosnje. Rezultati: rinia kosovare me komplekse neokoloniale, në pamundësi me folë shqipen standarte – të cilën nuk e flet askush përveç inteligjencës artificiale!, – parapërdor anglishten e globalizmit, si gjethu fiku, me mbulue dekontestualizimin e vetë energjisë burimore të tabanit ku gjallon.
Edhe fjalori i gjuhës së sotme shqipe, që gjoja u përditësue online, e vazhdon ktë luftë klasash, dhe deri diku ia mrrin qëllimit që intelektualëve të “klasës” së përmbysun, t’iu rrotullohen eshtnat në vorr.
Neomalësorja mbasi i bashkohet luftës së klasave tek pranon të tufëzohet me Ps-në, kujtohet për luftën e individit, dhe nuk pranon të etiketohet si neomaloke, te nji media komerciale që i atashohet shtabit kundërkulturor me qendër në Tiranë. Dhe kta që janë kundërkulturor, kur vjen te gjuha bajnë si patriot!! Ato media që ma shum se asgja mundësuen shkatërrimin e çdo përkatësie identitetare dhe etike të shqiptarëve anembanë planetit, po ato pretendojnë se po i mësojnë shqip shqiptarëve.
Dhe asht shum kundërzbulues fakti, se pikërisht n’epokën e inkluzivitetit ndodh mobilizimi total mediatik për me lanë jashtë çdo përfaqësim të origjinalit, çka tregon edhe njiherë funksionin përjetësisht defiçitar dhe debilizues të pushtetit!
Nji model konstruktiv i kundërvendos luftës së klasave (e cila referon veç te pushteti i djeshëm dhe i sotëm), luftën e individit! Dhe jo luftën e individit kundër individit, por luftën e individit kundër pushtetit! Dhe kjo asht forma ma e shenjtë e çdo lufte – ajo që len shenj. Shumica e shqiptarve i thonë njishit nji, dhe pamvarësisht se në shkolla na bajnë me shkrue një, ne prap do ta shqiptojmë, nji, pra njih!”, shkruhet në Facebok./Dosja.al

Vizita në Vlorë “fake news”, Ivanka Trumpi ndoqi krah presidentit Donald Trump ndeshjet e UFC në Miami vetëm disa orë më parë

Presidenti amerikan Donald Trump u shfaq pranë ringut në një ndeshje të UFC-së në Miami të shtunën në mbrëmje, i shoqëruar nga fëmijët e tij, Ivanka, Tiffany dhe Don Jr., si edhe nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio.

Ditën e sotme u raportua gjerësisht se Ivanka Trump kishte ardhur sërish në Vlorë, ndërsa u përfol edhe një takim me kryeministrin Edi Rama.

Megjithatë, Ivanka Trump, siç duket qartësisht edhe në pamjet e publikuara nga UFC por edhe familjarë të saj, ndodhej së bashku me babain dhe njëherazi presidentin Donald  Trump në eventin UFC 327, të zhvilluar në Miami.

Kjo distancë gjeografike do ta bënte të pamundur një udhëtim të Ivanka Trump drejt Shqipërisë, pasi ndeshja filloi në orën 21:00 me orën lindore të SHBA, e cila përkon me orën 03:00 në Shqipëri. bw

 

Kosova të mbrohet së është Atdheu i të gjithëve! – Koment nga Skënder MULLIQI

 

Duket qartë së shumë njerëzve të politikës po i shkon përshtati të kemi në vazhdimësi kriza  politike !Këta lirishtë mund të quhen  politikanë agresivë të cilët për shkak të subjektivizmit dhe dëshirës së tyre për pushtet, nuk shohin , ose nuk duan ta shohin pamjën e përgjithshme , kështu që në vend të bashkëpunimit në zgjidhjen e krizave , ofrojnë  zënka , akuza dhe kunder akuza dhe  manipulime .Në rastin tonë , keta  në kohë krize kan punuar më zell për të përfituar përsonalisht duke lënë anash interesin e qytetarëve dhe të Kosovës.I njejti objektiv , e njëjta distancë!Kjo po dërgon mesazhe katastrofike tek qytetarët, duke i trembur ata për të ardhmen e tyre , një mesazh pashprese dhe mungesë shprese , së do të bëjnë një jetë më të mirë ne vendin e tyre .Ky rreshtim i keq politik e ka futur vendin në  rrugët qorre.Disa po ndjekin një politikë krejtësishtë të kundërt  të inkuadrimit të Kosovës në strukturat e BE-së!Jam pothuajse plotësisht i sigurt se  qytetarët  në një situatë të tillë nuk  u besojnë  atyre  që po na fusin në vazhdimësi në kriza politike dhe institucionale , për shkak të cilëve nuk po marrim që sa kohë donacione të mëdha nga Bashkimi Evropian.Nuk po kemi ndryshime pozitive politike , të cilat mundësojnë përfitime  të ndryshme ekonomike .Mendoj së është tepruar më gjithqka dhe se të gjithë ata që po I kontribuojnë krizave  do të përjetojnë disfatën  e merituar.Sjellja e pa përgjegjshme e politikave kombëtare në bashkëpunim më aleatet tanë të ngushtë , nuk I shërben të mirës të  shtetit të Kosovës.Korrupcioni i lartë  I pas luftës dhe krimi i organizuar janë  gangrenë që po e gërryejnë shoqërinë nga brenda.Lufta kunder korrupcionit duhet të jetë një temë e nxehtë për të gjithë , në qdo kohë të ditës apo të natës, pavarësishtë se kush është.Për të korruptuarit nuk ka amnesti.Nuk mund të këtë shtet ligjor nese nuk funksionon apo nuk  ekziton ndëshkimi .Gjithmonë duhet të kërkohet që Kosova të jetë më e mirë, e jo e kundërta. Aktualishtë në plan të parë e kemi zgjedhjën e presidentit të vendit.Ditët e afatit po kalojnë dhe ende nuk po shihet në horizont që do të kemi ndonjë marrveshje politike .Me shumë duket së tek blloku opozitarë mbretëron dëshira për të shkuar në zgjedhje shumë të kushtueshme për Kosovën e varfër, më motivacion së LVV nuk do ta këtë më 51 përqindëshin e votave, duke menduar gjithashtu  së ish presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nese  i bashkangjitet LDK-së,  do  ta rangon shumë ma lartë këtë subject politikë në zgjedhjet e reja.Dhe, realisht ekziton një mundësi e tillë , kur dihet se zonja  Osmani në dy palë zgjedhje që i kishim kishte pasur sukses të madh në grumbullimin e votave .Kjo mund të jetë  një spekulim , por që një mundësi e tillë edhe ekziston.Ndoshta do të ishte mirë dhe për të mirën e vendit të kemi një president jashtë partiak i respektuar nga qytetarët, e ka intelektualë të rangut të tillë.Ne këtë kohë krize globale më luftëra , nuk guxojmë të bëjmë eksprimentime  të rrezikshme me vendin, siq po shohim që gadi dy vite  , për teke të kushdo qoftë ai. Kosova  të mbrohet së është Atdheu i të gjithëve…!

Send this to a friend