Çfarë triumfi për një kryetar partie! Arriti të përjashtojë nga të gjitha forumet drejtuese të Partisë Socialiste një grua që dëshmoi se nuk kishte frikë prej tij! Tani mund të flejë i qetë, i rrethuar nga burra që nuk guxojnë të mendojnë e ta kritikojnë hapur dhe nga gra që kanë frikë të flasin.
Enver Hoxhës iu desh të shpikte armiq ideologjikë kur përjashtoi dhe persekutoi një grua, Liri Belishovën. Edi Ramës i mjafton një grua që nuk mendon si ai. Një grua me profil të lartë politik, ish-kryetare e Kuvendit dhe ish-ministre e Jashtme, që guxoi të kërkojë atë që çdo parti demokratike duhet ta konsiderojë normale: të drejtën për të menduar ndryshe, për të folur, për të kritikuar dhe për të kërkuar ndryshim. Ky, me sa duket, është mëkati i saj i pafalshëm.
Dikur burrat e pushtetshëm i trembeshin revoltës së popullit. Sot, kryeministri ynë trembet edhe nga një grua që mendon ndryshe. Burrë shteti, jo shaka!
Ironia, sidoqoftë, mbaron këtu. Sepse ajo që po ndodh në Partinë Socialiste nuk është thjesht një konflikt mes kryetarit dhe një prej figurave më të njohura të saj, por shprehje e një sëmundjeje politike që ka kohë që ka mbërthyer këtë parti: autoritarizmit, servilizmit dhe frikës nga mendimi i lirë.
Në Partinë Socialiste të Edi Ramës mund të gabosh, mund të abuzosh me pushtetin, mund të bëhesh objekt hetimesh për korrupsion, por nuk mund të mendosh ndryshe nga kryetari. Sepse Partia është Ai dhe kushdo në atë parti duhet të mendojë si Ai. Korrupsioni mund të tolerohet; mendimi kritik, jo.
Këtu qendron paradoksi më i madh moral i kësaj historie. Belinda Balluku, ish-zëvendëskryeministre dhe një nga bashkëpunëtoret më të afërta të Ramës, është përballur me akuza të rënda penale lidhur me ushtrimin e funksioneve të saj publike. Natyrisht, është drejtësia ajo që do të përcaktojë përgjegjësinë e saj. Por qytetarët kanë të drejtë të pyesin:
Përse Rama ka treguar kaq shumë mbështetje politike për Ballukun dhe kaq pak tolerancë për Spiropalin?
Përse një grua që përballet me dyshime serioze për korrupsion meriton mbrojtje politike, ndërsa një grua që kritikon kryetarin meriton përjashtimin nga forumet drejtuese të partisë?
Çfarë e tremb më shumë Edi Ramën: korrupsioni në qeverinë e tij apo mendimi i lirë në partinë e tij?
Mos vallë Balluku di shumë për mënyrën se si është ushtruar pushteti, për vendimet që janë marrë dhe për përgjegjësitë që mund të mos jenë vetëm të saj?
Kjo është një pyetje politike që kërkon transparencë, jo një akuzë që mund të merret si e provuar. Por, kur një kryeministër shqetësohet më shumë për fatin politik të një bashkëpunëtoreje nën hetim sesa për integritetin moral të qeverisjes së tij, lind dyshimi se ai nuk mbron parimin, por pushtetin.
Rama e ka shndërruar Partinë Socialiste në një repart politik të regjimentuar, ku disiplina vlen më shumë se ndërgjegjja, bindja çmohet më shumë se dinjiteti dhe heshtja më shumë se e vërteta.
Deputetët socialistë nuk pritet të përfaqësojnë qytetarët, por të rreshtohen pas kryetarit. Nuk pritet të gjykojnë, por të miratojnë, jo të kundërshtojnë, por të duartrokasin. Kjo nuk është demokraci partiake. Ky është nënshtrim politik i organizuar.
Një lider i sigurt në legjitimitetin dhe autoritetin e tij nuk i trembet kritikës. Ai e kërkon atë, sepse e di se pushteti pa kritikë korrupton jo vetëm institucionet, por edhe vetë gjykimin e atij që e ushtron.
Vetëm një lider i pasigurt e sheh mendimin ndryshe si një kërcënim personal. Vetëm një lider autoritar e njëjëson besnikërinë ndaj partisë me besnikërinë ndaj vetes.
Dhe vetëm një lider që e ka personalizuar pushtetin mund ta konsiderojë më të rrezikshme një grua që flet sesa një sistem qeverisjeje mbi të cilin rëndojnë dyshime serioze për korrupsion.
Edi Rama mund ta përjashtojë Spiropalin nga forumet e Partisë Socialiste. Ai mund t’i mbajë të rreshtuar deputetët socialistë në një regjiment të disiplinuar, t’i deryrojë ministrat dhe vartësit të heshtin. Por të vërtetën nuk mund ta përjashtojë nga jeta publike. Ajo është sheshit. E sheh kushdo. Edhe të verbërit. Nuk e shohin vetëm ata që nuk duan ta shohin.
Një parti që përjashton zërat kritikë dhe mbron politikisht njerëzit e pushtetit përballë dyshimeve për korrupsion nuk është më një bashkësi politike e lirë. Ajo shndërrohet në një instrument personal të atij që e drejton.
Dhe kur një kryetar partie fillon të ketë më shumë frikë nga një grua që arsyeton dhe gjykon me mendjen e saj sesa nga korrupsioni që duhet luftuar, problemi nuk është më ajo grua. Problemi është vetë kryetari.
A tyre që mund të thonë se znj. Spiropali u kujtua shumë vonë të kritikojë, vetëm pasi humbi pozitat e saj në pushtet, u përgjigjem: Edhe nëse është kështu, çfarë provon kjo? Se ajo duhej të vazhdonte të heshtte? Se një e vërtetë humbet vlerën e saj vetëm sepse thuhet me vonesë?
Kritika, edhe kur vjen vonë, është gjithnjë më e dobishme se heshtja që, nga frika, interesi apo konformizmi, zgjat përgjithmonë.
Dhe nëse kritikat e saj dëshmojnë se ajo ka ndryshuar mendim, kjo nuk është domosdoshmërisht një dobësi karakteri apo një shenjë oportunizmi. Mund të jetë, përkundrazi, dëshmi e pjekurisë politike dhe e aftësisë për reflektim kritik.
Njeriu që mendon nuk është i dënuar të mbetet përgjithmonë rob i mendimeve që ka pasur dje. Të ndryshosh mendim përballë fakteve, përvojës apo një kuptimi më të thellë të realitetit nuk është tradhti ndaj vetes, por një mënyrë për t’i qëndruar besnik arsyes.
Niçe vinte në dukje se bindjet e palëkundura janë armiq më të rrezikshëm të së vërtetës sesa gënjeshtrat. Dhe kishte të drejtë. Sepse mendjet e hapura e të lira nuk kanë frikë të dyshojnë, të reflektojnë dhe të korrigjojnë veten. Vetëm mendjet e ngurta e ngatërrojnë kokëfortësinë me karakterin dhe nënshtrimin me besnikërinë.
Njerëzit inteligjentë mund të ndryshojnë mendim sepse guxojnë të mendojnë. Servilët nuk guxojnë. Ata nuk ndryshojnë mendim, sepse prej kohësh kanë hequr dorë nga e drejta për të pasur një mendim të vetin.