PËRSËRITJE STILISTIKORE
Në det u panë,
u panë në det,
në re u takuan,
u takuan në re,
në pikën e shiut
brenda të dy,
të dy brenda
në pikën e shiut,
ende aty,
aty ende.
BIXHOZ NË VARREZA
Nga shtrat i “lumit- natë” ky i zgjatur kortezh,
nëpër të peshq të vegjël me fenerë bishtakë,
si ushqimi në zorrët e barkut arkivoli rrëshqet,
dy varrmihës në gropë e zbresin, e kallin,
lopatat me plisa dhe gërvishtje rrëngjethëse,
mbyllje me dhe dhe hapje pa dhe e grushteve
sikur sytë në lojën e kësaj bote “Kukafshehti”,
përcjellje në stomak e fjalëve të pa dala,
pirgu i hipnozës të vdekurin e mbulon, e shtyp,
e njejtë veç lëvizja e duarve të bixhozçiut,
dheun me grushta e hedh sikur letrat me idole,
minj të shpejtë dalin nga vrimat e syve.
E JETËS
Peri-
i lëmshit,
gjilpëra-
e cicës,
ajo anë-
e grisjes,
kjo anë-
e grisjes,
flutura në mes krahëhapur,
dy brigjet e humnerës
prej saj bashkë.
SHUK I FLOKËVE TË SHKULUR
Prej lëkurëkuqve indiane flokëgjata e pendkorbi,
skalp i kresë- kapak i kyçur, çelës i tij në oqean.
Shukun me flokë të zinj, nga i shoqi shkulur,
treg pret të gjejë e ta shesë, e dhunuara,
ky shuk flokësh të saj- për asnjë paruke në teatër,
dhe Had pagan- skena, kush hy nuk del më,
shkolla psikologjike e humanistikës falas i do,
tregtarëve në Pazarin e Vjetër të Krujës, jo se jo,
për flokë të motrës së Skënderbeut, Mamicës,
në shitje i vënë, dega e lotit pa iu dridhur,
shteti duhet ta blejë atë shuk fijesh të shkulura,
nga lëmsh i futunës i fatit fill i tjerrur,
për çdo fill floku nga një fletë kuponi tatimor
ky shtet shitës të presë,
Muzeu i Dhunimit të Grave
për dokumente vërtetues
ato kupona fiskalë.
HAMALLI I SOTËM
Qysh herët në majë fort e lidh
të vehtes thes të lëkurës,
strajca përplot me mish e kocka,
te shesh i të papunëve, pret,
ndonjë sy i dalë se mos
ndihmën e hamallit do,
syrin e dalë me krahë t’ia shtyjë,
ose në kurriz ta ngarkojë,
në vend t’ia çojë shpejt.
MYSLIMANI I MBYTUR NË DETIN MESDHE
U mbyt myslimani nga Dheu i Shamit,
gropa e kërthizës te barku i dalë i ujit, e thithi,
dallga e Mesdheut me rrobat të bardha.
PËRMBYTJA E MADHE
Në ç’laborator u klonua dhe u rrit
kjo shembëlltyrë e gjithpushtetshme?
As fillim, as mbarim trup i saj,
e matshme vetëm nga tropet e stilistikës me mëkate,
çdo çast nga një formë lind,
këlyshin e vet të formës që lind, në çast e mbyt,
vetë e ha,
kolori i shkumës nga përpëlitja
te sytë e magjistricës Circea,
e bija e Heliosit dhe oqeanidës Persë.
Ujin as për këtë faj s’ka, kurrë s’mund të ketë faj uji,
mbytjen në lëng gjithkush me vete e mban
porsi kërmilli shtëpinë në kurriz,
shëmbëllesat e sjelljes jo atome a molekula të lëndës,
ujin shpirti e pi,
55-75 përqind në trupin njerëzor ujë,
uji lan e shpëlan, përveç “princit të errësirës”, Satanait,
uji pa faj dhe te “Tabela e Elementeve”
e rusit botëror Mendelejev.
Kush e gjykon ujin?
Në Ferr ujë s’ka,
në Parajsë po,
atje rrjedhin lumenj me ujë të kulluar.
Ç’qenka kjo shëmbëlltyrë e sjelljes, pra?
Ç’ka ke bërë dje?
Ç’ka po bën sot?
Ç’ka do të bësh nesër?
Trajtë e politikës oligarke kjo,
me kokë që bëhet bark e bark që bëhet kokë,
me kofshë e këmbë të trasha damarë-damarë
lumenjsh të tejfryrë,
shputa të gjëra liqejsh,
gishtrinjsh të panumërt pellgjesh,
thonj të mprehtë rrëkeshë
gjer te foshnja në barkun e nënës
ose e para shpellë e njerëzimit,
bebin duke e përzënë:
“-Jashtë! Jashtë!..”
MINISTËR I DREJTËSISË
Llapë e gjuhës së prerë-
njëra thembër e këpucës,
llapë e gjuhës së prerë-
thembra e këpucës tjetër,
në zyrën e kryeministrit
hy kështu, del kështu,
ministër i drejtësisë.
MASAKËR E ESHTRAVE
As profet, as shenjtor Dante Aligeri,
Variantin e vet të jetës së përtej varrit, e jep,
“Komedia Hyjnore”- kush të mos pikëllohet,
dheu të vdekurit i rras për shtupa të gojëve,
por e gjallë koha e secilit në bulëzat e hapura,
arkeologët te koha e gjallë e secilit gërmojnë,
masakër e eshtrave te nekropolet antike,
ç’dhimbje e tmerrshme ky operacion pa narkozë!
Muzetë arkeologjikë- sarkofagë të idhujve pa krena,
dhe ti, vizitor, vizitore,
kur ndonjërin prej tyre, të vizitosh,
me vete
kokën
mos e merr.
TELI I QELIZËS
Duke të dashur gjithnjë e më tepër, ty,
të gjitha indet ngjisin, metal bëhen,
çdo lloj nga metalet e gjithësisë së dashurisë,
karkaleci i thepisur po, simbol i metaleve,
në vijë lineare ky tel duke u zgjatur,
jeta këndej në ganxhën e vet fort, fort,
vdekja andej fort, fort, me të kthyerin sqep,
dhe pse tërhiq e mos këput ky tel i qelizës,
jo kockë e gjatësisë
por mish i shkurtësisë
këputet.
LËMSHI I DHEUT
Jeta-
vizë
e fijes së lëmshit,
gjer te e fundit pikë,
po lëmsh.
SHIKIMI MBI NJË FEMËR
“Sonte- atëhere”, dy sytë i mbylla gjatë
në të parin shtërngim të trupit tënd,
dy sytë sa i hapa, një pjesë e shikimit më mungonte,
me vete ti ma more : “-E dua për vete…”,-duke më thënë.
“Atëhere- sonte”, ende atë pjesë të shikimit s’po ma kthen,
pse s’ma kthen? Ç’e do moj gjënë e tjetrit,
mollë e ndaluar moj? As borxh, as vjedhje, as e jotja,
ajo pjesë e shikimit mbi një femër .
Mos Zanë, a Perri paske qenë se nën lis të mbërtheva?
Lisi më këmbë, unë jo. Dhe ai po i thotë kroit:
”-Kthema ujin…”, lisi qindra vjet, unë, sa..? Sa.., moj?
“Sonte- tash”, dy sytë përgjithmonë po më mbyllen
në të fundit shtërngim, ama të trupit tim.
Në çastin e fundit të frymës, po e pres të ma kthesh,
atë pjesë të shikimit mbi një femër,
po e pres, sa..? Sa…? Mëkëmëbëse mbretëreshë,
kështu le të ik nga kjo botë, moj kështu,
ty duke të parë pa as më të voglën mungesë
të shikimit përtej.
Komentet