Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë në UNESCO, mbështesin anëtarësimin e Kosovës në Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë e Kulturë.
Në një deklaratë të përbashkët, ata thanë se kjo do të çonte përpara qëllimet e UNESCO-s dhe do të kishte përfitime për të gjitha komunitetet në Kosovë sikundër edhe për komunitetin global.
“Me anëtarësimin në UNESCO pasojnë edhe përgjegjësitë solemne. Së këndejmi mirëpresim përkushtimin e qeverisë së Kosovës për t’ju përmbajtur detyrimeve të rrepta dhe formale ndërkombëtare që sjell anëtarësimi, përfshirë mbrojtjen e monumenteve të rëndësishme fetare e kulturore, posaçërisht ato të përfshira në listën e trashëgimisë së UNESCO-s dhe për të mbrojtur trashëgiminë ortodokse serbe”.
Në deklaratë thuhet se “duke respektuar kushtetutën e UNESCO-s dhe duke zbatuar në tërësi detyrimet që përmban ajo për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë, anëtarësimi i Kosovës do të rris transparencën kundrejt zonave të trashëgimisë dhe mirëmbajtjes së tyre. Kjo do të ndihmonte paqen e sigurinë duke nxitur bashkëpunimin ndërkombëtarë nëpërmjet arsimit, shkencës e kulturës si dhe zhvillimin ekonomik në të mirë të popullsisë së re të Kosovës dhe të rajonit”.
Në deklaratë, ambasadorët shprehin gatishmërinë për të punuar me qeverinë e Kosovës në përmbushjen e detyrimeve që dalin nga anëtarësimi duke ndihmuar forcimin e përpjekjeve për integrimin shoqëror dhe për të forcuar mbrojtjen e trashëgimisë së pasur kulturore e fetare të saj.
Deklarata e publikuar në faqen e internetit të qeverisë britanike, u bë disa ditë para se Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s që po i zhvillon punimet në Paris, të debatojë kërkesën e Kosovës për anëtarësim.
Kërkesën e ka paraqitur zyrtarisht Shqipëria, ndërsa është mbështetur nga 45 vende. Vendimi përfundimtar pritet të debatohet të hënën më 9 nëntor.
Beogradi kundërshton ashpër anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, duke ngulur këmbë se siç thuhet, kishat dhe manastiret ortodokse në Kosovë i takojnë trashëgimisë dhe pronës së Kishës Ortodokse serbe dhe “çdo rrëmbim i kësaj trashëgimie do të ishte cenim real i ekzistimit të objekteve më të rëndësishme fetare, kulturore e historike të popullit serb”.
Kreu i Kishës Ortodokse në Serbi, patriarku Irinej, tha të martën se të gjithë duhet të ngrenë zërin për të mbrojtur Kosovën. “Nëse ndodhë përdorimi i forcës, duhet të bëjmë gjithçka që me dashje apo me forcë ta kthejmë”, tha ai.
Autoritetet në Kosovë dënuan fjalorin e përfaqësuesve serb, ndërsa thanë se me anëtarësimin në UNESCO, Kosova do të rrisë standardet e ruajtjes dhe të garantimit të trashëgimisë kulturore, përshirë respektimin e statusit, të trashëgimisë dhe të pronës së Kishës Ortodokse Serbe.
Kërkesa e Kosovës është futur në rend të ditës më 21 tetor në mbledhjen e Këshillit Ekzekutiv të UNESCO-s, i cili miratoi edhe projekt rezolutën me të cilën rekomandohet pranimi i Kosovës, e cila mori 27 vota, ndërsa 14 vende votuan kundër.
Konferencën e përgjithshme e përbëjnë 195 vende anëtare dhe secili vend ka një votë, ndërkaq që për marrjen e vendimit, nevojiten dy të tretat e votave
Grupi vullnetar “Shpëto Vlorën”, i krijuar rishtazi pas lejeve të ndërtimit që kanë rikthyer presionin mbi zonat e mbrojtura, protestoi të shtunën në Pishë–Poro–Nartë.
Ndryshe nga një javë më parë, kur aktivistët rrëzuan rrethimin dhe arritën të hyjnë në zonën e mbrojtur, këtë herë hyrja u bllokua. Territori ishte rrethuar nga të dyja anët nga një gardh me tela me gjemba, që shtrihej deri në det.
“Është bërë një rrethim gjigant si në kohën e pushtimit gjerman”, thotë për Citizens Gëzim Zile, mësues matematike në Vlorë, tashmë në pension, njëkohësisht edhe ish-kryetar i Bashkisë në fund të viteve ’90.
Banorët: Nuk dimë kush po ndërton
Zile thotë për Citizens se në terren mungon çdo formë transparence. Sipas tij, nuk ka asnjë tabelë informuese, asnjë të dhënë për kompaninë që po kryen punimet dhe asnjë shpjegim për qytetarët.
Ai shton se “është rrethuar edhe deti, i cili nuk është pronë private”.
“Është nga Porto Novo deri te Hidrovori, një perimetër i rrethuar prej rreth 15 km, me një thellësi që varion deri në 100–200 metra dhe rreth 600 hektarë pyll”, thotë ai.
Protestuesit u shprehën se në zonë nuk kishte asnjë përfaqësues të firmës apo të bashkisë që të jepte sqarime. Në terren, sipas tyre, kishte vetëm forca të Policisë së Shtetit.
“Ne ishim rreth 200 veta, po aq ishin edhe forcat policore”, thekson Zile.
Ai e lidh këtë zhvillim me projektet e mëdha turistike të përfolura për zonën e Vlorës dhe Zvërnecit, përfshirë edhe projektin e Jared Kushner për ishullin e Sazanit, i cili është reklamuar dhe mbështetur publikisht nga qeveria shqiptare.
“Tre-katër fshatra që janë përballë Sazanit arrijnë deri në kufijtë e Vlorës, siç tha edhe Ivanka kur erdhi: ‘Po më pëlqekan shumë këto’”, ironizon Zile.
Edhe aktivisti mjedisor Lavdosh Ferruni, i cili ishte pjesë e protestës, thotë për Citizens se kundërshtia e vlonjatëve nuk do të ndalet këtu dhe se protestat do të vijojnë edhe fundjavën e ardhshme.
“Pati kërkesa për të hapur derën e kantierit, por nuk na u lejua hyrja. Të shtunën do t’i bashkohemi organizatës PPNEA. Do të jetë një protestë më e madhe”, tha ai.
Citizens tentoi të kontaktojë kompaninë “Zvërnec South Adriatic Development”, por kontaktet e vendosura në faqen zyrtare nuk rezultojnë funksionale. Numri i telefonit është i padisponueshëm, ndërsa brenda dy javësh kompania ka ndryshuar tre herë adresën e emailit.
Emri i kompanisë u bë publik nga IKMT vetëm pas presionit mediatik. Sipas institucionit, “Zvërnec South Adriatic Development” po kryen punime përgatitore për rrethim dhe ndërtim rrugësh, mbi bazën e një lejeje të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit më 29 prill 2026.
Megjithatë, vendimi i plotë nuk është zbardhur ende. Vetë IKMT sqaron se leja e zhvillimit ende nuk është lëshuar dhe se punimet aktuale konsiderohen “përgatitore”.
Projekti, i quajtur “Zvërnec Peninsula”, parashikon ndërtime banimi, hotele deri në tetë kate dhe një port në një nga zonat më të ndjeshme të bregdetit shqiptar.
Shënjestrimi i aktivistëve dhe gazetarëve
Ndërsa dokumentet e plota për projektin nuk janë bërë publike dhe kompania mbetet e paarritshme, aktivistët dhe gazetarët që po ndjekin çështjen janë përballur me shënjestrim publik dhe presion në terren.
Disa media të shtypit të shkruar i kanë etiketuar aktivistët si “agjentë grekë” që po bllokojnë “investimet e Trump”.
“A është normale që qytetarët që kërkojnë zbatimin e ligjit të etiketohen dhe baltosen, ndërkohë që mungon transparenca dhe llogaridhënia për veprimet që prekin pronën publike?”, shkruan në Facebook Laureta Petoshati, një nga aktivistet e grupimit vullnetar “Shpëto Vlorën”.
Presioni është shfaqur edhe në terren. Protestuesit kanë publikuar video ku persona civilë të paidentifikuar ushtrojnë presion ndaj gazetarëve dhe protestuesve, duke i intimiduar me fjalët: “Po ju evidentojnë një nga një”.
Përveç organizimit të paralajmëruar për fundjavën e ardhshme në Nartë, një tjetër protestë është thirrur më 26 maj nga Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA). Protesta do të mbahet në orën 14:00, para Ministrisë së Mjedisit në Tiranë.
“Nuk mund të lejojmë që një nga zonat më të rëndësishme natyrore të Shqipërisë të shkatërrohet para syve tanë. Mos heshtni përballë shkatërrimit të Vjosë–Nartës”, thuhet në thirrjen e PPNEA./citizens.al
Një aksidenti i rëndë u regjistrua mëngjesin e sotëm në fshatin Mengel në Elbasan, ku ka humbur jetën një fëmijë 7-vjeçar.
I mituri u përplas për vdekje nga një automjet që drejohej nga 61-vjeçari, Petri Bozo, në rrugën Elbasan-Librazhd, teksa mësohet se ngjarja ka ndodhur pranë një shkolle.
Siç bëhet me dije shkolla ka qenë pranë aksit nacional Elbasan-Librazhd.
Fëmija ka qenë me të ëmën duke shkuar në shkollë, teksa i shpëtoi asaj nga duart duke kaluar rrugën dhe pësoi aksidentin fatal.
Sakaq, 61-vjeçari është shoqëruar në Komisariat.
Njoftimi i policisë:
Elbasan/Informacion paraprak
Rreth orës 08:00, në aksin rrugor “Elbasan-Librazhd”, automjeti me drejtues shtetasin Petri Bozo, 61 vjeç, ka përplasur një fëmijë rreth 7 vjeç, i cili si pasojë ka humbur jetën.
Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme.
Grupi hetimor në vendngjarje po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
Del foto e të miturit që mbeti viktimë pas përplasjes nga automjeti
Report Tv ka siguruar fotografinë e 7-vjeçarit Algit Samurri, i cili humbi jetën mëngjesin e kësaj të hëne, pasi u përplas për vdekje nga një automjet në aksin nacional Elbasan-Librazhd.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 08:00 të mëngjesit të sotëm, teksa nëna po e shoqëronte të miturin për në shkollë, në fshatin Mengël.
Vogëlushi Algit Samurri, nxënës i klasës së parë, humbi jetën mëngjesin e kësaj të hëne, teksa nëna po e shoqëronte për në shkollë.
Drejtuesi i mjetit që u përfshi në aksident është producenti Petri Bozo. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, fëmija po kalonte rrugën bashkë me nënën, por në një moment i ka shpëtuar vëmendjes së saj dhe ka përfunduar poshtë rrotave të makinës.
Zhvillohen aktivitete rutinë si ky i mëposhtëmi, por faktet mbeten rrëqethëse, presin që popullit t’i vdesë plotësisht memoria:
————————–
Në godinat e braktisura të ish kampit të punës së detyruar të Spaçit, i përdorur gjatë diktaturës komuniste si vend dënimi për të burgosurit politikë, u përkujtua 53-vjetori i Revoltës së Spaçit, një nga ngjarjet më të rëndësishme të qëndresës ndaj regjimit totalitar drejtuar nga Enver Hoxha.
Protesta e të burgosurve nisi më 21 maj 1973 si kundërshtim ndaj punës së detyruar në minierë, por ajo mori ngjyrim politik kur të burgosurit të organizuar morën kontrollin e burgut duke hedhur parrudhat; “Poshtë komunizmi!”, “Rroftë Shqipëria e lirë!”
Shtypja e revoltës nga forcat policore të regjimit përfundoi me 4 të pushkatuar, Pal Zefi, 33 vjeç, Skënder Daja, 23 vjeç, Dervish Bejko, 27 vjeç dhe Hajri Pashaj, 29 vjeç, ndërsa dhjetëra të burgosur të tjerë u ridënuan me burg.
Katër të ekzekutuarit e kësaj revolte sot e kësaj dite mbeten pa varr, por gjetjet e fundit të një hetimi të kryer nga Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, ICMP, në bashkëpunim me Autoritetin e Dosjeve, AIDSSH, kanë ngjallur shpresat për gjetjen e eshtrave të tyre.
Hetimi i ekspertëve të ICMP konstatoi se ka indikacione për ‘mbetje njerëzore’ në thellësi të tokës në zonën e Shpalit në zonën ku ndodhet ish-burgu i Spaçit, vend ku sipas dëshmive dhe dokumenteve arkivore besohet se janë varrosur pas pushkatimit 4 organizatorët e Revoltës së Spaçit.
Edhe pse më shumë se tre dekada pas rënies së regjimit komunist Shqipëria ka bërë pak ose aspak në drejtim të gjetjes së të zhdukurve, pasi ende nuk është ndërmarrë një aksion serioz për të kërkuar, zhvarrosur dhe identifikuar trupat e mijëra shqiptarëve që rezultojnë të zhdukur para viteve ’90.
Dhe pse me një marrëveshje ligjore në fuqi mes qeverisë shqiptare dhe ICMP-së dhe rekomandimeve të Komisionit Europian procesi nuk ka nisur për shkak të mungesës së vullnetit politik, përplasjes mes institucioneve për përgjegjësitë dhe boshllëqeve ligjore.
Por, Gentiana Sula, kryetare e AIDSSH, u shpreh optimiste se gjërat do të ndryshojnë pas gjetjeve të reja. Ajo u tha të pranishmëve në aktivitetin përkujtimor se Autoriteti ka dorëzuar në prokurori raportin hetimor të ICMP-së dhe po pritej leja për nisjen e zhvarrimeve.
“Në Shpal mendojmë se, përmes provave që kemi mbledhur, mund të jetë vendi ku ndodhen trupat e tyre. Raportin e kemi përfunduar, e kemi miratuar dhe ia kemi nisur Prokurorisë së Rrethit, së bashku me pesë raporte të tjera për vendvarrime të dyshuara”- tha ajo duke shtuar se po AIDSSH po priste “me padurim hapat e mëtejshëm: lejen për gërmim dhe procesin e identifikimit”.
Duke folur në mënyrë simbolike pas një porte hekuri të qelive të Spaçit, ambasadori i BE-së, Silvo Gonzato, bëri apel për nevojën për drejtësi dhe dëmshpërblim për ata që vuajtën nën mizorinë e regjimit komunist, si vlera thelbësorë të Bashkimi Evropian.
“Ne u detyrohemi këtyre njerëzve tre gjëra: së pari, një vend kujtese për jetët e humbura dhe heroizmin e atyre që mbijetuan; së dyti, drejtësi për ta dhe për familjet e atyre që u vranë; dhe së treti, dëmshpërblim, sepse dëmshpërblimi është një mënyrë konkrete për të njohur vuajtjen e shkaktuar dhe për të rikthyer dinjitetin e tyre”- tha ai.
Ambasadori Silvio Gonzato në Spaç
Autoritetet shqiptare vlerësojnë se rreth 6,000 shqiptarë vdiqën nga torturat ose ekzekutimet jashtëgjyqësore ose u qëlluan teksa përpiqeshin të kalonin kufirin midis viteve 1944 dhe 1991, kur Shqipëria drejtohej nga një diktaturë e egër staliniste. Që nga rënia e komunizmit, të afërmit e të zhdukurve kanë kërkuar gjetjen e eshtrave të tyre, por kanë marrë pak ndihmë nga shteti.
Dëshmitë dhe dokumentet arkivore sugjerojnë se në territorin e Shqipërisë, kryesisht pranë burgjeve dhe kampeve të internimit, janë dhjetra lokacione që kanë shërbyer si vendvarrime për kundërshtarët e regjimit.
AIDSH thotë se hetimi i ICMP ka referuar edhe 5 vendvarrime të tjera përveç zonës së Shpalit në Mirditë ku besohet se janë varrosur 4 organizatorët e Revoltës së Spaçit. Ato janë Zona pranë ish-Burgut të Spaçit në Mirditë; Varrezat e Rrmajit në Shkodër, ku dyshohet se ndodhen eshtrat e Jup Kazazi, Sait Kazazi, Gjon Shllaku, Dom Luigj Zojzi dhe personave të tjerë të ekzekutuar gjatë viteve 1948–1953; si dhe vendvarrime të dyshuara në Mallkeq; në Shënvasil dhe në vendin e quajtur Shelegur, në malin e Gramozit.
Për hulumtuesit e historisë së komunizmit nevoja për veprim konkret nga institucionet në këtë drejtim sa vjen e bëhet më e madhe me kalimin e viteve për të përballur shoqërinë me përmasat e krimeve të komunizmit dhe kthimin e dinjitetit njerëzor për të zhdukurit dhe familjet e tyre.
Enriketa Papa, pedagoge në departamentin e Historisë në Universitetin e Tiranës, i tha BIRN se procesi duhej të përfshinte patjetër hetim penal nga prokuroria për rastet e referuara nga AIDSH me raportin e gjetjeve të ICMP-së, por ajo shprehet skeptike për kapacitetin dhe vullnetin e institucionit për ta bërë këtë.
“Prokuroria e shtetit në radhë të parë nuk ka eksperiencë, mund të ketë dhe mungesë interesi për shkak të mbingarkesës së punës, dhe çështja e ‘missing persons’ mbetet në plan të dytë. Pra nuk është çështje emergjente për prokurorinë”- tha ajo.
Por, Papa, shton se “me zbulimet e ICMP-së patjetër që hetimi penal duhet të bëhet edhe në aspektin e identifikimin të viktimave, si është zbatuar vendimi i gjykatës për dënimet e tyre, por sigurisht dhe në aspektin e dinjitetit njerëzor”.
Ajo sugjeron që prokuroria të krijojë një departament për këtë çështje dhe të marrë eksperiencë nga vendet e tjera ku procesi për kërkimin e të zhdukurve nga regjimet totalitare është zhvilluar.
Për sa i përket ndikimit dhe pasojave që ka në kujtesën kolektive gjetja e tyre, Papa thotë se “kjo është e rëndësishme sepse lidhet me të vërtetën historike për të kuptuar çfarë ka ndodhur”. Sipas saj ky është një kapitull pak i heshtur kur vjen puna tek çështje të drejtësisë tranzitore dhe përballjes me të shkuarën komuniste dhe se Shqipëria është tmerrësisht vonë për të akumuluar kaq shumë çështje që skanë gjetur zgjidhje.
“Duhet të jetë prioritet i drejtësisë sepse me gjetjen e tyre, jo vetëm familjet kanë nevojë për kthimin e dinjitetit njerëzor, por dhe shoqëria ka nevojë për të kuptuar se çfarë ishte komunizmi dhe përmasat e këtij krimi, sa janë vrarë, sa janë ende të zhdukur sot, sepse ende hamendësojmë mbi numrat”
Edhe Admirina Peçi, gazetare që prej më shumë se një dekade merret me memorien nëpërmjet një programi televiziv të përjavshëm ‘DosjaK’ dhe autore e ‘BunkArt’, i tha BIRN-it se gjetjet për vendvarrimet duhet të shoqërohen me “veprim institucional”.
“Prandaj pyetja sot nuk është vetëm nëse ekziston kapacitet teknik për gjetjen e të zhdukurve, por nëse ekziston një vullnet i qëndrueshëm për ta trajtuar këtë si çështje drejtësie dhe dinjiteti njerëzor, jo thjesht si çështje memoriale”- shton ajo.
Duke sjell përvojën e saj duke punuar në fushën e memories Peçi thotë se përmasat e këtij krimi shtetëror janë të mëdha dhe tregojnë mënyrën se si regjimi I trajtonte kundërshtarët politikë, duke mos u dhënë as të drejtën e një varri.
“Kam dëgjuar dëshmi të ish-të burgosurve apo banorëve lokalë që tregojnë për varrime natën, pa emra, pa shenja, në vende që më pas janë mbuluar nga koha dhe heshtja dhe duhet të kuptojmë se këto nuk janë vetëm histori të së shkuarës; janë plagë që vazhdojnë të ekzistojnë në mijëra familje shqiptare edhe sot”- thotë ajo.
Sipas Peçit, procesi I gjetjes dhe rikuperimit të eshtrave të të zhdukurve duhet të shoqërohet me një hetim penal për krimet e komunizmit.
“Mungesa e një hetimi ka krijuar një boshllëk të madh në ndërgjegjen publike shqiptare, sepse kur një shoqëri nuk arrin të emërtojë viktimat, të gjejë trupat apo të pranojë përgjegjësitë institucionale të së kaluarës, krijohet ideja se krimet mund të harrohen me kalimin e kohës”- thotë ajo duke theksuar se “kjo dëmton jo vetëm kujtesën kolektive, por edhe besimin te drejtësia dhe te vetë shteti”.
Ndërsa heshtja institucionale është, sipas Peçit, “rrezik që historia të relativizohet ose të banalizohet.” /Reporter.al
Me një guxim jo të zakonshëm gjyqtarja e GJKKO, Marinela Osmani, i ka thyer hundët SPAK-ut i cili donte të merte në mbrojtje Irena Gjokën, duke e mbyllur çështjen e saj.
Ajo ka vendosur të kthejë në SPAK çështjen për plotësim hetimesh. Gjoka është kallëzuar pasi ka fshehur në formularin e dekriminalizimit një dënim të dhënë ndaj saj nga një gjykatë greke, kur donte të kalonte kufirin me dokumenta të fallcifikuara.
Pa e përfillur këtë fakt, SPAK kërkoi pushimin e procedimit penal me argumentin se procesi në Greqi ishte zhvilluar në mungesë dhe nuk qe vërtetuar nëse Irena Gjoka ka qenë në dijeni të dënimit.
Por, alibia e SPAK, që përfaqësohej në këtë proces nga prokurori Bledar Maksuti, është rrëzuar me kohë. Prej kohësh Lapsi.al ka publikuar një dokument ekskluziv ku figuontee një prokurë e Irena Gjokës për avokatin që do ndiqte çështjen e saj në Greqi, që tregon se ajo ka pasur dijeni për vendimet e autoriteteve greke për dënimin dhe dëbimin që ua fshehu organeve të vettingut.
Që kur plasi në mediat greke skandali i dëbimit të saj (linku poshtë), vetë Maneku ka mbajtur qëndrim të njëjtë me atë që mbajti SPAK në proces, se ajo nuk ka qenë në djeni të asaj që kanë vendosur autoritetet greke pas shpinës së saj. Edhe në letren mbrojtëse që ajo ka dërguar ndërsaa rasti i saj shyrtohej në KLGJ-ë, Irena Gjoka (Maneku /Shpata) pretendonte se vetëm i është refuzuar, pa shpjegime, hyrja në territorin grek, ndërsa nuk ka pasur dijeni, as për procesin dhe as për vendimin gjyqësor.
Por, dokumenti që Lapsi.al arriti të sigurojë e nxirrte bllof gjykatësen e GJKKO-së. Ky dokument tregonte se ajo jo vetëm e ka ditur se ka qenë e dëbuar dhe e dënuar për kalim kufiri me dokumenta të fallcifikuara, por ajo ka marrë avokat në Greqi dhe i ka bërë atij prokurë për të kundërshtuar masat ndaj saj.
Irena, që në këtë kohë mbante ende mbiemrin Maneku, bashkë me bashkëshortin e fundit, Stefanaq Gjokën kanë bërë prokurë në 2003-shin (faksimilja poshë) tek një noter në Fier, për të autorizuar një avokat në Patra, me emrin Andon Konomi, për të ndjekur çështjen e tyre.
Kjo ka qenë pak a shumë historia e kalvarit të saj. Por, në gjykim SPAK mbylli sytë duke shtuar dyshimet se prokurorët specialë e kanë mbrojtur atë, si një nga gjykatëset që e kanë përdorur si kamikaze kryesisht në gjyqet kundër liderve të opozitës. Irena Gjokës i janë besuar të gjitha proceset e goditjes kundër opozitës, nga ai Berisha, Meta, Mediu, Beleri. Ajo ishte gjykatësja që u akuzua se mbajti mbi një muaj në sirtar dosjen e ardhur nga jashtë të bandës së Troplinëve, deri sa ata të përdoreshin për zgjedhjet në zonën ë Durrësit. Ajo ka qenë gjithashtu gjyqtarja e shefit të operacionales, Oltion Bistri, tashmë i liruar. Këto shërbime ndaj pushtetit u panë edhe si motivi që e shtyu Kështillin e Lartë Gjyqësor, në janar të këtij viti, të votonte mospranimin e nisjes së procedurave për verifikimin e gjyqtares Irena Gjoka.
Por, atë që nuk e bënë gjastë anëtarë të qeverisë së gjyqësorit (votat e Ilir Rusit, Yllka Rupës, Ridvan Hados, Markelian Koçajt, Emona Muçit dhe Klodian Kurushi) pati guximin ta kthejë në vendim një gjyqtare e vetme.
Marinela Osmani e ka urdhëruar Prokurorinë e Posaçme që brenda gjashtë muajve të thellojë hetimet për Irena Gjokën.
Në afro 20 kërkesat që ajo i ka lënë detyrë SPAK-ut gjenden edhe ato që kanë lidhje me prokurën që publikoi në mënyrë ekskluzive Lapsi.al. Ajo ka urdhëruar marrjen e prokurës nga noteri ne Fier, ku Irena Maneku dhe Sotiraq Gjoka kishin dhënë prokurë për avokatin Andon Konomi, që ta ndiqte çështjen pranë autoriteteve greke. Marrjen e dokumenteve nga gjykatat në Greqi ku ka ankimuar avokati me prokuë të firmosur nga Gjoka. Marrjen e dokumenteve të ankimimit që ka kryer Irena Gjoka në Gjykaten e Athines etj.
Krahas tyre, SPAK që ka dashur të mbrojë me çdo kusht kamikazen e vet në GJKKO, sipas Marinela Osmanit ka “harruar” të shohë si prova edhe
të dhënat nga pika kufitare e Kakavijes, vendimin penal të gjykatës greke, dokument apo proces-verbalet për njoftimin e dënimit ndaj Gjokës
si dhe raportin e ekspertizës që iu krye pasaportes me vize të falsifikuar të Irenes me disa mbiemra.
Biznesmeni Behgjet Pacolli ka reaguar sërish me përplasjet me ish-ortakun e tij Valon Ademit, pasi punëtoret e kompanisë Mabco nuk janë lejuar që të futen në kantieret e ndërtimit. Pacolli i ka bërë thirrje policisë që të mos ndërhyjë, pasi sipas tij po shkelet ligji dhe Kushtetuta.
Sipas biznesmenit, ish-aleatët e tij po tentojnë me një kontratë të jashtë ligjshme që të pengojnë kompaninë e tij që të futet në kantieret e ndërtimit. Pacolli u ka kërkuar autoriteteve që të mos bien pre e narratives, mashtrimeve dhe veprimeve ilegale të Valon Ademit.
“Kjo Kontrate ilegale është nënshkruar nga Valon Ademi dhe fabrikanti i falsifikimeve, Valon Lluka, së bashku me tri kontrata të tjera të 2A-së, po ashtu ilegale, të nënshkruara nga Valon Ademi dhe Balon Lluka, pa dijenin dhe prokuren e Mabcos”,. thekson ai në postimin e tij.
Përplasjet mes dy aksionerëve në Aeroportin e Vlorës janë tensionuar aq shumë sa që tashmë qeveria ka dërguar policinë mëngjesin e sotëm për të mbajtur nën kontroll situatën.
Dje, punonjësit e kompanisë së Valon Ademit nuk kanë lejuar hyrjen brenda në aeroport të 22 nënkontraktorëve të thirrur nga Pacolli, për të kryer punime brenda aeroportit.
Këto raporte mësohet se kanë ardhur në Shqipëri, por edhe dërguar në Bruksel. Ku pikërisht për çështjen e kalimit të IBAR, qeveria e Edi Ramës do të ndëshkohet për hipokrizinë në lidhje me sjelljen ndaj krimit të organizuar.
Një raport i fundit i autorieteve italiane në lidhje me çështjen e bashkëpunimit me Shqipërinë për luftën ndaj krimit të organizuar në Shqipëri, ngre alarmin e transferimit të të burgosurve shqiptarë nga Italia në vndin tonë.
Italia ka një numër dramatik të burgosurish të dënuar shqiptarë; më shumë se 12 mijë persona, shifër kjo që zë vendin e dytë të listës së përgjithshme. Pasi kampionë janë marokenët, të cilët përveç se janë një popullsi më e madhe rreth 40 milionë, kanë emigruar shumë herët se ne në Itali. Por numri i të burgosurve nga Maroku nuk janë më shumë se 1 mijë persona, 13 mijë.
Gjendja e mbipopullimit të burgjeve italiane me shqiptarë, përveç problemit të vështirësisë për menaxhim, ka hapur edhe një çështje në lidhje me hetimet penale.
Pasi shumica dërrmuese e të dënuarve apo të paraburgosurve shqiptare janë për krime që kanë të bëjnë me krimin e organizuar kryesisht trafik narkotikësh në funksion të grupeve të strukturuara mafioze.
Problemi kyç është vijimi i veprimtarisë së këtyre të burgosurve, edhe nga burgu për të vijuar aktivitetin kriminal. Ideja e autoriteteve qeveritare italiane, kryesisht e Ministrisë së Drejtësisë, ka qenë që në qendrat e Gjadrit, të transferohen një pjesë e të burgosurve problematik.
Por një raport i Antimafia-s italiane ka bërë të ditur se nuk ka një besueshmëri se kj gjendje e ndryshme e baronëve shqiptarë të krimit, do të ulë aktivitetin e tyre për të drejtuar nga qelia.
Duke analizuar situatën, ata theksojnë se fillimisht, 4 vite më parë, autoritetet shqiptare kanë rritur shpresën me implementimin e 41/bis shqiptar. Pra me krijimin e kushteve në qeli, që baronët e mafies, tu ndalohet lidhja dhe veprimi me bashkëpunëtorët e tyre jashtë.
Por, siç thuhet në raport, implementii i 41/ bis ka dështuar totalisht, pasi asnjë prej të dënuarve për krim të organizuar që janë vendosur nën burgim të rreptë, është edhe më i lirë se më parë për të ushtruar aktivitetin kriminal.
Autoritetet italiane të hetimit të krimit të organizuar theksojnë se edhe agjenci të rëndësishme të Europës por edhe SHBA, nuk këshillojnë transferimin e të burgosurve në Shqipëri.
Edhe eksperimenti britanik, që ishte më shumë politik i përkrahur nga konservatorët, për të transferuar të burgosurit në Shqipëri, ka dështuar. Si pasojë e fuqisë financiare të baronëve të krimit që me anë të avokatëve të tyre të bëjnë betejë në sistem për të qëndruar në Britaninë e Madhe.
Një nga prokurorët më të njohur në luftën ndaj mafias në Itali, Nicola Gratteri, i cili është marrë kryesisht me Ndragheta-n kalabreze, thekson se mafia shqiptare është një asset kontraktual i kalabrezëve në shpërdarjen e kokainës nga Amerika Latine në Europë. Duke i dhënë kështu kësaj armate të madhe që ka 13 mijë të dënuar vetëm në Itali, një fuqi të madhe për të investuar sasitë marramendëse të parave, si dhe për të ruajtur pushtetin e tyre në territor.
Gratteri i mëshon idesë se grupet mafioze shqiptare, si të gjithë grupet kriminale botërore, ndihen më të sigurtë në territorin e tyre, ku përveçse ruhen më mirë, njohin njerëzit dhe zhvillojnë biznese ku qarkullojnë paranë kriminale dhe krijojnë një mjedis që ruan pushtetin, qoftë në politikë, qoftë në tregun mediatik, qoftë në shoqëri.
Regjimi 41/bis pati sukses në Itali, pasi bllokoi bosët e Cosa Nostra-s siçiliane, Camorra-s napoletane apo edhe Ndragheta-s kalabreze që të vijojnë aktivitetin e tyre nga qelia. Kjo uli ndjeshëm aktivitetin agresiv të këtyre organizatave në territory, duke ulur dhunën e krijuar shpresë tek njerëzit që kishin frikë nga krimi.
Kurse në rastin e Shqipërisë regjimi 41/ bis konsiderohet një dështim jo i ndodhur për shkaqe praktike, por sepse ai deri tani ka mbetur vetëm në letër. Këto raporte mësohet se kanë ardhur në Shqipëri, por edhe dërguar në Bruksel. Ku pikërisht për çështjen e kalimit të IBAR, qeveria e Edi Ramës do të ndëshkohet për hipokrizinë në lidhje me sjelljen ndaj krimit të organizuar./ Pamfleti
Në reagim thuhet, se problemi lidhet me vonesa të konsiderueshme në realizimin e punimeve, mospërmbushje të detyrimeve kontraktuale dhe shkelje të afateve të përcaktuara nga kontrata. Më tej, VIA sqaron se procedurat e hyrjes në kantier janë procedura standarde sigurie dhe zbatohen për të gjithë pa përjashtim.
VLORË– Shoqëria koncesionare “Vlora International Airport – VIA” sh.p.k. ka sqaruar situatën e krijuar këtë të hënë në hyrje të kantierit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Me anë të një reagimi në rrjetet sociale, “Vlora International Airport – VIA” sh.p.k. thekson, se bëhet fjalë për një çështje të qartë kontraktuale me shoqërinë MABCO Constructions S.A. dhe jo për një konflikt politik, mediatik apo për një “bllokim të aeroportit”.
Në reagim thuhet, se problemi lidhet me vonesa të konsiderueshme në realizimin e punimeve, mospërmbushje të detyrimeve kontraktuale dhe shkelje të afateve të përcaktuara nga kontrata. Më tej, VIA sqaron se procedurat e hyrjes në kantier janë procedura standarde sigurie dhe zbatohen për të gjithë pa përjashtim.
Shoqëria koncesionare thekson ndër të tjera, se Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës është projekt strategjik kombëtar dhe nuk mund të mbahet peng nga vonesat, presioni publik apo taktikat që zhvendosin debatin nga dokumentacioni kontraktual tek tensioni në hyrje të kantierit.
Reagimi
SQARIM PËR PUBLIKUN
Shoqëria koncesionare “Vlora International Airport – VIA” sh.p.k. sqaron opinionin publik, institucionet dhe mediat lidhur me situatën e krijuar sot në hyrje të kantierit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, duke theksuar se bëhet fjalë për një çështje të qartë kontraktuale me shoqërinë MABCO Constructions S.A. dhe jo për një konflikt politik, mediatik apo për një “bllokim të aeroportit”, siç është tentuar të paraqitet publikisht.
Problemi lidhet me vonesa të konsiderueshme në realizimin e punimeve, mospërmbushje të detyrimeve kontraktuale dhe shkelje të afateve të përcaktuara nga kontrata. Vetëm deri më 08.04.2026 janë evidentuar 429 ditë vonesë dhe dëmvonesa të përllogaritura në 4.290.000 euro, shumë e cila vijon të akumulohet deri në pranimin provizor të punimeve.
VIA sqaron se procedurat e hyrjes në kantier janë procedura standarde sigurie dhe zbatohen për të gjithë pa përjashtim. Ato kanë për qëllim mbrojtjen e kantierit, sigurinë e personelit, kontrollin e hyrje-daljeve dhe parandalimin e hyrjes së personave të paautorizuar. Asnjë subjekt nuk mund të hyjë në kantier pa respektuar autorizimet dhe procedurat përkatëse.
Shoqëria koncesionare thekson se Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës është projekt strategjik kombëtar dhe nuk mund të mbahet peng nga vonesat, presioni publik apo taktikat që zhvendosin debatin nga dokumentacioni kontraktual tek tensioni në hyrje të kantierit. VIA deklaron se mbetet plotësisht e angazhuar për vijimin e punimeve, mbrojtjen e interesit publik, respektimin e standardeve teknike dhe përfundimin e projektit sipas detyrimeve kontraktuale dhe institucionale.
Në fund, VIA i bën thirrje MABCO-s që çdo pretendim të trajtohet vetëm në rrugë ligjore dhe kontraktuale, duke shmangur çdo përpjekje për tensionim të situatës në hyrje të kantierit apo përdorim të punonjësve dhe nënkontraktorëve për presion publik./Dosja.al
Anëtari i këshillit Kombëtar të PD-së dhe ish-kandidati për deputet në zgjedhjet e fundit, Ilir Alimehmeti, u distancua nga diskursi politik që ka ndjekur ish-deputeti Ervin Salianji në garën për kryetar të partisë.
Ai rrëfeu edhe ambicien e tij për Bashkinë e Tiranës dhe jo për postin e kryetarit të PD, teksa shpjegoi pse zgjodhi të mos garonte për zgjedhjet e 23 majit.
Ndërsa theksoi se moskandidimi i Salianjit lidhej me mosplotësimin e kritereve, në emisionin “Kjo Javë” në News24, ai shpjegoi se vetë është për një garë në ekip dhe me projekt, e jo për një konkurrim individual siç zgjodhi Salianji.
Kurse për garën me një kandidat të vetëm, të kryetarit aktual Sali Berisha, Alimehmeti tha se e sheh si një konfirmim, edhe pse pranoi se gara me më shumë se një kandidat është më interesante.
“Kjo situatë për PD quhet një konfirmim se s’ka si të jetë ndryshe me një kandidat të vetëm, quhet rikonfirmim. Patjetër një garë do kishte qenë një garë interesante. Nuk kam pasur ndonjëherë dyshim se nuk do konfirmohej zoti Berisha në garë”, tha ai.
Pyetjes nëse mund të kishte figura të tjera për garë, ai tha:
“Patjetër që mund të kishte ehe figura të tjera që mund të kandidonin por për të marrë drejtimin duhet të fitonin votat. Kemi pasur edhe më parë kandidatë që morën vota si më 2022 kur kishim zotin Elezi të Kukësit. Për platformë fituese do duhej platformë, me një ekip dhe të kandidonin ëpr shumë pozicione, se ka edhe pozicione të tjera. Por është tjetër llojë gare, ndryshon nga ajo elektorale”.
Alimehmeti u pyet nëse mund të kishte kandiduar edhe vetë për postin e kryetarit në zgjedhjet e 23 majit. Por ai u përgjigj se nuk e ka ambicien për kryeministër në hije dhe se objektivi i tij është Tirana, duke nënkuptuar zgjedhjet e ardhshme lokale të 2027 për kryebashkiak të kryeqytetit në siglën e PD.
“Unë e kuptoj dashamirësinë, por duhet të ketë ambicien personi përkatës. Nuk e kam këtë ambicie. Kam tjetër objektiv, e kam treguar qartë me vite. Objektivi im ka qenë i drejtuar drejt Tiranës. Ambicia e kryetarit të PD dhe nesër kryeministër, është tjetër lloj çështje, gare, territorialisht më e gjerë. Mendoj se ka njerëz më të avancuar. Tjetër garë, është ambicie tjetër që unë nuk e kam”, u shpreh Alimehmeti.
I pyetur për përjashtimin e Ervin Salianjit nga gara për kryetarin e partisë, Alimehmeti u distancua, duke thënë se nuk e mbështet modelin që zgjodhi ish-deputeti për të konkurruar dhe platformën e tij.
Gjithashtu ai u shpreh se do ishte dakord që Salianji të konkurronte, por mungesa e kritereve e mbajti jashtë zgjedhjeve.
“Ashpërsimi i tonit nuk është pozitiv, nuk e shoh si pozitiv atë arsyetim dhe nuk e mbështes dot atë arsyetim. Unë mendoj se nuk do kishte ndonjë problem, ka qenë anëtar Kryesie, unë nuk shihja problem, por ka një Komision që vendos. A do kishte një garë? Padyshim do kishte një garë, por nuk u plotësuan ato kushte që unë thashë. Shkon parimi gjithmonë në ekip, nuk shkon në garë për një pozicion të vetëm, por shkon në ekip dhe unë garën e shikoj për të gjitha pozicionet, me ekip. Por e vendoste kryesia. A do të kishte një garë? Mendoj se do të kishte, por nuk i plotëson ato kushte”, vijoi ai.
Por a e sheh Alimehmeti ish-deputetin Salianji si një kryetar partie?
“Mund të ishte apo jo kryetar partie është çështje personale, ajo varet nga anëtarësia dhe në bazë të sondazheve nuk e kemi parë këtë. Individi një votë ka dhe vendos shumica. Sepse shumica vendos, është vullneti i shumicës, nëse PS psh., bën dhe voton një ligj, unë duhet ta zbatoj, është vullneti i shumicës”, tha këshilltari bashkiak i Tiranës.
Ajri në Shqipëri nuk është më një çështje mjedisi. Është një histori e vjetër neglizhence që përsëritet me të njëjtët protagonistë: trafikun, ndërtimet, institucionet… dhe mungesën e matjeve. Prej tetë vitesh, stacionet shtetërore të matjes së ajrit fiken dhe ndizen herë pas here, duke e kthyer monitorimin në një proces të dështuar.
Shqipëria ka një rrjet kombëtar monitorimi të ajrit me 59 stacione. Një hartë që të jep idenë e një sistemi të plotë, të shtrirë, të aftë për të treguar në kohë reale çfarë po thithim. Por në terren, realiteti flet ndryshe. Monitorimi kryhet vetëm në 9 stacione në të gjithë vendin. Katër në Tiranë. Nga një në Durrës, Shkodër, Elbasan, Fier dhe Korçë. Pjesa tjetër e vendit nuk ka matje të cilësisë së ajrit.
Agjencia Kombëtare e Mjedisit, institucioni përgjegjës për matjen e cilësisë së ajrit, e pranon indirekt dështimin.
Në një përgjigje për Faktoje, institucioni shprehet se rrjeti aktual përbëhet nga stacione që matin ndotës si PM10, PM2.5, NO₂, SO₂, O₃ dhe CO, ndërsa “stacionet janë në funksion, me përjashtim të njërit për arsye teknike”.
Por problemi nuk është më vetëm nëse janë ndezur apo fikur. Problemi është se janë pak. Shumë pak. Problematikë që është vënë në dukje edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, ku përmes një auditi të fundit thekson se institucionet “nuk kanë garantuar të dhëna të besueshme dhe të mjaftueshme për vlerësimin e gjendjes reale të cilësisë së ajrit”.
Shqipëria që matet dhe Shqipëria që nuk matet
Në këtë boshllëk institucional, një hartë tjetër ka filluar të ndërtohet, ajo e matjeve alternative. Nga njëra anë qëndron Agjencia Kombëtare e Mjedisit, institucioni ligjërisht përgjegjës për matjen e cilësisë së ajrit, me një rrjet të kufizuar stacionesh dhe raportime që e paraqesin situatën relativisht të qëndrueshme për shumicën e ndotësve. Sipas AKM-së, përveç rritjeve sezonale të ozonit në verë, “situata për ndotësit e tjerë paraqitet e stabilizuar”, ndërsa tejkalimet e ndotjes lidhen kryesisht me trafikun, ndërtimet dhe ngrohjen në dimër.
Nga ana tjetër, një sistem paralel, i ngritur nga shoqëria civile, po përpiqet të plotësojë boshllëkun që shteti ka lënë me një panoramë shumë më të qartë.
Instituti për Zhvillimin e Habitatit CoPlan, një organizatë që merret me adresimin e çështjeve mjedisore, përmes projektit GreenAL, ka vendosur qindra pika monitorimi në qytetet kryesore.
Rezultatet e fundit nuk lënë vend për optimizëm dhe nuk përputhen aspak me narrativën zyrtare.
Në Tiranë, 66.7% e pikave tejkalojnë normat për dioksidin e azotit një ndotës që lidhet drejtpërdrejt me trafikun, ndërkohë që sipas të dhënave zyrtare këto nivele raportohen përgjithësisht brenda kufijve.
Në Durrës, 100% e pikave të monitorimit të Co-PLAN rezultojnë mbi standardet për grimcat e imëta PM2.5 dhe PM10, ndërsa Agjencia flet për një situatë pa rritje të konsiderueshme për shumicën e ndotësve.
Në Elbasan, kontrasti bëhet edhe më i dukshëm. Ndërsa matjet alternative tregojnë se 91% e pikave tejkalojnë kufirin për NO₂, raportimet zyrtare nuk evidentojnë një situatë alarmante për këtë ndotës. E njëjta tablo përsëritet në Fier, ku deri në 79% e pikave janë mbi normë për grimcat e pluhurit, dhe në qytete si Korça dhe Shkodra, ku më shumë se gjysma e pikave rezultojnë mbi standardet.
Pra, teksa Agjencia Kombëtare e Mjedisit flet për një situatë përgjithësisht të qendrueshme me tejkalime të kufizuara, matjet e Co -Plan në terren tregojnë se ndotja është e përhapur, e vazhdueshme dhe mbi normat e lejuara.
Trafik dhe ndërtim
Nuk ka mister në këtë histori. Asnjë ndotës i padukshëm që nuk mund të identifikohet. Vetë Agjencia Kombëtare e Mjedisit pranon për Faktoje se “kontribuesit kryesorë të ndotjes së ajrit janë trafiku i rënduar dhe ndërtimi”, ndërsa në dimër shtohet edhe ndotja nga përdorimi i lëndëve djegëse për ngrohje.
Në disa qytete, lista zgjatet. Industria në Elbasan, Fier dhe Tiranë vazhdon të jetë një faktor i rëndësishëm. Por mbi të gjitha qëndron trafiku. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, në vitin 2025 numri i mjeteve në qarkullim në vend e kaloi për herë të parë shifrën 1 milion.
Edhe dy muajt e parë të vitit 2026 konfirmojnë të njëjtin trend, me rreth 14 mijë mjete të importuara dhe një rritje prej 5%.
Por problemi nuk është vetëm numri. Është cilësia e flotës. Rreth 69% e automjeteve në Shqipëri funksionojnë me naftë, ndërsa mosha mesatare makinave ka arritur në 18 vite.
Kontrolli i Lartë i Shtetit e përshkruan këtë si një tendencë shqetësuese, duke theksuar se “është rritur numri i mjeteve me moshë mbi 20 vjet”, një faktor që ndikon drejtpërdrejt në ndotjen e ajrit, sidomos në zonat urbane. Në këtë panoramë, mjetet elektrike mbeten pothuajse të padukshme, vetëm 1.3% e totalit.
Në sfondin e trafikut, një tjetër burim ndotjeje është rritur ndjeshëm vitet e fundit ndërtimi. Sipas të dhënave të INSTAT, të përllogaritura nga Faktoje, në pesë vitet e fundit janë dhënë rreth 7 mijë leje ndërtimi në të gjithë vendin. Çdo kantier sjell pluhur, lëvizje mjetesh të rënda dhe zhdukje të hapësirave të gjelbra elementë që jo vetëm rrisin ndotjen, por edhe e bëjnë atë më të qëndrueshme në kohë.
Para ka, por jo për ajrin
E ndërsa qeveria shpenzon miliarda lekë për investime, ajri që qytetarët thithin ka një buxhet minimal për t’u matur.
Pak kohë më parë, Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, u shpreh se “Ministria e Mjedisit ka angazhuar edhe buxhetin e saj këtë vit dhe në dy vitet në vijim për të plotësuar Shqipërinë me të gjithë pajisjet për monitorimin e cilësisë së ajrit”. Por ndonëse në dokumentet zyrtare, mbrojtja e mjedisit shfaqet si prioritet, fondet për përmirësimin e cilësisë së ajrit janë të pakta, si pjesë e Programit të Mbrojtjes së Mjedisit.
Për vitin 2026, fondet arrijnë në rreth 1 miliard lekë. Por ky është një buxhet që duhet të mbulojë edhe mbetjet, biodiversitetin, ndryshimet klimatike dhe ujërat. Ajri mbetet një pjesë e vogël e kësaj torte. Madje, analiza buxhetore e viteve të fundit tregon se sa herë që buxheti rishikohet, ky zë pëson shkurtime.
Ky reduktim ndodh përmes akteve normative, që në praktikë tkurrin më tej financimin për një sektor që tashmë operon me burime minimale. Ndaj dhe rezultati është i dukshëm në terren, një rrjet monitorimi i kufizuar, pajisje që shpesh dalin jashtë funksionit dhe mungesë e të dhënave të vazhdueshme.
Përfundim
Shqipëria ka një plan për cilësinë e ajrit. Një dokument që flet për ulje trafiku, përmirësim të transportit publik, promovim të teknologjive të pastra. Por në praktikë, këto mbeten formulime të përgjithshme. Kontrolli i Lartë i Shtetit vëren se masat janë “jo të qarta dhe jo lehtësisht të matshme”. Nuk ka objektiva konkrete.
Ndërkohë, vendi ka një detyrim të qartë. Direktiva 2008/50 e Bashkimit Europian kërkon monitorim të vazhdueshëm dhe publikim të të dhënave në kohë reale për cilësinë e ajrit. Pa këtë, vendi rrezikon jo vetëm shëndetin e qytetarëve, por edhe procesin e integrimit europian.
Dhe zgjidhjet janë. Kontrolli i Lartë i Shtetit thekson se Agjencia Kombëtare e Mjedisit duhet të sigurojë funksionimin e pandërprerë të stacioneve të monitorimit, me mirëmbajtje dhe kalibrim të rregullt. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit duhet të garantojë fondet për zgjerimin e rrjetit matës. Dhe mbi të gjitha, qytetarët duhet të kenë akses në të dhëna të përditësuara dhe të besueshme. Sepse ajri nuk është statistikë. Është ajo që thithim çdo ditë. Dhe për këtë, askush nuk mund të presë. /Faktoje.al
Gazetari investigativ italian Nello Trocchia, ka folur për fuqizimin e grupeve kriminale shqiptare dhe lidhjet e tyre me organizatat mafioze në Itali.
I ftuar në emisionin “Oponencë” në News24, Trocchia deklaroi se mafia shqiptare ka ndërtuar ndër vite një strukturë të organizuar dhe fleksibile, që i ka mundësuar të zgjerohet shpejt dhe të krijojë marrëdhënie të forta me grupet kriminale italiane.
“Mafia shqiptare ka një strukturë shumë të mirë, të paktën nga sa e njohim ne në Itali. Janë grupe që kanë aftësinë të shkrihen dhe të përhapen menjëherë”, u shpreh gazetari italian.
Ai theksoi se sot ekziston një ndërthurje e fortë mes mafias shqiptare dhe organizatave kriminale italiane si Ndragheta dhe Camorra, veçanërisht në aktivitetet që lidhen me trafikun e drogës dhe pastrimin e parave.
Sipas Trocchia-s, bashkëpunimi mes tyre shtrihet në bizneset ilegale, rrjetet e furnizimit me lëndë narkotike dhe aktivitetet financiare të paligjshme.
Gazetari investigativ deklaroi gjithashtu se Italia ka shërbyer si një “palestër” për grupet kriminale shqiptare që prej viteve ’90, periudhë gjatë së cilës shumë trafikantë shqiptarë krijuan lidhje të drejtpërdrejta me botën e krimit italian.
“Mafia shqiptare ka gjetur në Itali një palestër në vitet ’90 dhe ka bërë stërvitje. Kolona shumë të rëndësishme dhe trafikantë të rëndësishëm kanë kaluar në Itali, kanë pasur lidhje me krimin italian”, tha ai.
Sipas Trocchia-s, pas më shumë se tre dekadash bashkëjetese dhe bashkëpunimi kriminal, raporti mes mafias shqiptare dhe organizatave italiane nuk është më i njëanshëm.
“Raporti i tyre është sot mes të barabartësh”, deklaroi gazetari italian.
Gazetari investigativ italian Nello Trocchia, i ftuar në emisionin “Oponencë” në News24, ka komentuar marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë për kampet e procesimit të emigrantëve të kapur në det në përpjekje për të shkuar drejt Italisë.
Sipas Trocchia-s, kjo marrëveshje përfaqëson një dështim të dukshëm si nga pikëpamja politike, ashtu edhe nga ajo ekonomike, duke sjellë kosto të larta për palët e përfshira.
“Marrëveshja Itali-Shqipëri për refugjatët është një dështim i madh për të dyja palët. Italia ka shpenzuar më shumë se 1 miliard euro, ndërsa rreth 120 milionë euro shkojnë për Shqipërinë për të garantuar sigurinë”, u shpreh gazetari.
Ai shtoi se, sipas tij, vendimi për këtë marrëveshje ka qenë i gabuar nga ana politike dhe ekonomike, duke e cilësuar si një zgjedhje të pasaktë të qeverisë italiane.
“Unë besoj se kjo marrëveshje ka qenë një zgjedhje e gabuar nga ana e Melonit dhe një pozicionim i gabuar politikisht”, deklaroi Trocchia.
Gazetari italian ngriti gjithashtu dyshime mbi ndikimin që kjo marrëveshje mund të ketë në procesin e integrimit europian të Shqipërisë, duke theksuar se edhe vetë Italia, sipas tij, ka humbur peshë në arenën evropiane.
“Nuk e di nëse kjo marrëveshje e ndihmon Shqipërinë për anëtarësim në BE, sepse edhe Italia ka humbur peshën e saj në arenën europiane”, tha ai.
EKSKLUZIVE ‘A SHOW’ – Ruhet me truproja, gazetari Trocchia: Kërcënimet pas librit për mafien shqiptare. Pse hesht Rama për takimin në Aruba?
Në një intervistë direkte me emisionin ‘A Show’ me gazetarin Adi Krasta, gazetari i njohur investigativ italian i ‘Domani’, Nello Trocchia, ka rrëfyer detaje mbi kërcënimet që çuan në vendosjen e tij nën mbrojtje të rreptë (eskortë) nga autoritetet italiane.
Gazetari konfirmoi gjithashtu se mesazhe shqetësuese i kanë ardhur edhe nga nipi i një narkotrafikanti italian, i lidhur ngushtë me grupet kriminale shqiptare që operojnë në kryeqytetin italian.
Një nga pikat më të nxehta të bisedës ishte informacioni i Drejtorisë Hetimore Antimafia (DIA) italiane për një takim të ndodhur në ishullin Aruba në vitin 2019, midis një karteli kriminal dhe përfaqësuesve të qeverisë shqiptare.
Trocchia sqaroi se përpara se të publikonte këtë lajm në librin e tij, kishte tentuar disa herë të merrte një version zyrtar nga kryeministri shqiptar, por kishte hasur në heshtje totale.
INTERVISTA E PLOTË
Adi Krasta: Në linjë të drejtpërdrejtë me kolegun tonë, gazetarin investigues, Nelo Trokja, i cili duhet të jetë në lidhje me mua dhe ja ku është. Nelo është një kënaqësi që je me ne.
Nello Troçhia: Shumë faleminderit. Faleminderit dhe për ftesën.
Krasta: Pra, nuk është vetëm ndjeshmëria jonë gazetareske, por për ty, i dashur Nelo, kemi edhe një ndjenjë miqësie dhe, si të themi, edhe kuriozitet njerëzor. Pyetja ime e parë ka të bëjë me situatën e re që është krijuar, ku ndodhesh. Më thuaj nëse është e mundur, a mund të na tregosh çfarë ka ndryshuar, që agjencitë e rendit në Itali kanë vendosur të të shoqërojnë me eskortë.
Trochia: Absolutisht po, kështu është. Mirëmbrëma juve dhe të gjithë teleshikuesve. Që nga mëngjesi i së shtunës më është komunikuar ky vendim për të rritur nivelin tim të mbrojtjes. Unë prej më shumë se dy vitesh kisha tashmë një formë vëzhgimi pranë shtëpisë sime, periodike, me një frekuencë orare të ndryshme, por që nga mëngjesi i së shtunës kam eskortë.
Pra, mbrojtja ime është forcuar, në kuptimin që unë lëviz ekskluzivisht me makinën e shërbimit i shoqëruar nga agjentët e institucioneve, të cilët i falënderoj për këtë vendim, ashtu siç i kam falënderuar gjatë këtyre viteve për vendimet e marra në lidhje me sigurinë time.
Këto ndryshime, natyrisht, lidhen me vlerësime që janë bërë nga Komiteti për rendin dhe sigurinë publike, ku marrin pjesë të gjitha forcat hetimore të kryeqytetit, prefekti i kryeqytetit, dhe për atë që mund të them unë, është se kur më është treguar, ma kanë thënë 20 ditë më parë në gazetën time, por kam bërë edhe unë një denoncim, një informim të Karabinierëve, pra për faktin se kam marrë kërcënime nga mjedise kriminale të lidhura me grupe kriminale me të cilat jam marrë gjatë këtyre viteve dhe me të cilat do të merrem edhe në të ardhmen.
Pastaj ka edhe prova të tjera, në vëmendje të hetuesve, për hetime për të cilat unë nuk kam dijeni, natyrisht. Por në fund janë marrë të gjitha elementet dhe është vendosur të më jepet eskortë.
Krasta: Më kujtohet gazetari i Rai 2, nëse nuk gaboj Sigfrido Ranuçi, i cili ka bërë këtë shërbim mbi Shqipërinë, ishte sinqerisht i shqetësuar për mundësinë që mafia shqiptare, një mafie që vepron me degë dhe rregulla ndoshta të ndryshme, por edhe të ngjashme me ato të mafies italiane, megjithatë në një farë mënyre vihet në diskutim kjo tipologji e ndryshme, më agresive e mafies shqiptare, një mafie reale në një kuptim. Nuk e di nëse mund të supozojmë, të hamendësojmë në këtë rast, mundësinë që pas librit të rëndësishëm, në të cilin ti flisje për mafien shqiptare, disa kërcënime vijnë sinqerisht nga këto grupe shqiptare në Itali dhe jo vetëm. A mund ta konfirmojmë këtë lidhje apo nuk ka, në këtë rast, një lidhje të dukshme?
Trochia: Shiko, unë i përmbahem fakteve. Faktet thonë se disa muaj më parë, dhe besoj se edhe kjo është një vlerësim, sepse është një vendim i rezervuar që i komunikohet më pas personit, në rastin tim mua. Besoj se kanë vlerësuar edhe një letër anonime që ka mbërritur muajt e kaluar në Prokurorinë Antimafia të Romës, në të cilën flitej qartë për librin tim ‘Invincibili’ mbi mafien shqiptare dhe për një lloj nervozizmi të disa grupeve kriminale në Itali që i referohen kriminalitetit shqiptar në Shqipëri.
Kjo ka ndodhur. Çfarë ka ndodhur tjetër? Që mes kërcënimeve të qarta dhe mesazheve shqetësuese që më kanë ardhur, të hapura, ka një që ka ardhur nga nipi i një narkotrafikanti që për vite me radhë ka qenë i lidhur me kriminalitetin shqiptar, me atë lloj mafieje të Romës që është e lidhur me kriminalitetin shqiptar dhe me këta trafikantë italianë.
Dhe është e qartë që subjektet që më kanë dërguar mesazhe shqetësuese dhe kërcënuese i referohen grupeve kriminale shqiptare. Kjo është e sigurt. Vendimi përfundimtar, megjithatë, siç thashë më parë, merret nga autoritetet në një mbledhje që ka karakter të rezervuar, pra sekret, kështu që ndoshta lidhet edhe me shumë mjedise të tjera kriminale, por ka edhe rastin tim dhe nuk duhet neglizhuar fakti që aktualisht Roma, kryeqyteti i Italisë ku unë jetoj, është një qytet i përshkuar nga grupe kriminale ku ato shqiptare kanë një rol të rëndësishëm, dhe unë me këto merrem prej kohësh.
Krasta: Në vendet me demokraci hibride, siç është Shqipëria në këtë moment, disa lajme të rëndësishme shoqërohen në një farë mënyre edhe me mosbesim, me thashetheme vulgare, me hipoteza që më pas bëhen, si të thuash, komplekse pothuajse për të dobësuar forcën e versionit, të rrëfimit, të versionit real të faktit. Ti e di shumë mirë që përshkrimi yt që ke bërë për takimin në Aruba është shoqëruar në Shqipëri nga një narrativë qeveritare, nga histori që përpiqen të dobësojnë analizën e gazetarisë, të gazetarit investigativ, në këtë rast analizën tënde. Si mund të jemi didaktikë me këtë publik të telenovelave turke, në një farë kuptimi? A mund të themi, të konfirmojmë që gjëja është; një, e rëndësishme; dy, e rrezikshme; tre, tregon një Shqipëri të vështirë, agresive, mjaft kërcënuese në një farë kuptimi, me lidhje të forta, me pika të forta me botën e krimit ndërkombëtar, në këtë kuptim. Nelo, si mund të jemi ne, ti në këtë rast, bindës për të mbrojtur këtë dëshirë të madhe që ka njerëzit për të krijuar dy histori paralele, ku e vërteta shpesh bashkëjeton me versionin e rremë?
Trochia: Le të nisim nga një fakt, një fakt që është i pakontestueshëm. Në Itali ka një prokuror ndër ata me mw shumw pwrvojw dhe më kompetentët që quhet Nicola Gratteri, i cili prej vitesh lufton ‘Ndranghetën, mafien më të fuqishme të Italisë dhe që tani ndan tregun e drogës me grupet kriminale shqiptare.
Nicola Gratteri, unë e kam intervistuar në librin tim dhe i bëj një pyetje. Ky është një fakt. E pyes; në të kaluarën e afërt, kundërshtarë të qeverisë Rama, gazetarë, vëzhgues, e kanë quajtur Shqipërinë një narkoshtet, një model narkoshteti, natyrisht ndryshe nga ato që kemi njohur në vitet e kaluara. Sipas meje është një ekzagjerim. Nicola Gratteri, prokuror i Napolit, një nga figurat simbol të luftës kundër mafies në vendin tonë, është përgjigjur jo, nuk është ekzagjerim, përkundrazi.
Dhe ky është një fakt që nuk mund të kundërshtohet duke delegjitimuar, siç ndodh shpesh, edhe në ambientin italian dhe jo vetëm shqiptar, punën gazetareske. Ky është një fakt. Një fakt tjetër i pakontestueshëm është se në një informatë të Drejtorisë Hetimore Antimafia italiane, shkruhej se kishte ndodhur një takim mes një karteli kriminal në Aruba në vitin 2019 dhe disa përfaqësuesve të papërcaktuar, të paspecifikuar të qeverisë Rama.
Unë, para se të shkruaja një fjali, një element të tillë, që është një informatë policore e Drejtorisë Hetimore Antimafia, që është forca më e rëndësishme hetimore në vendin tonë, kam realizuar një hetim, për një takim mes një karteli kriminal në Aruba në 2019.
Unë, para se të shkruaj, përmes zëdhënësve, përmes numrit të tij personal, i jam drejtuar Ramës, kryeministrit të Shqipërisë, kryeministrit, atij që drejton Shqipërinë, liderit, për ta pyetur nëse mund të konfirmonte praninë në vitin 2019 të subjekteve të lidhura me qeverinë shqiptare, sepse gazetaria ime është një gazetari që kur ka një akt zyrtar si ai që sapo përmenda, pra një informatë e Drejtorisë Hetimore Antimafia, bën gjithmonë një punë verifikimi, prove, pune gazetareske.
Në këtë rast, duke iu referuar qeverisë Rama, kryeministrit Rama, unë telefonoj kryeministrin Rama. Nëse ai vendos të mos përgjigjet, nuk është problem i imi, është problem i atij që ka vendosur të mos përgjigjet. Fakti që ai nuk ka dashur të përgjigjet në asnjë mënyrë, në asnjë nga mënyrat që unë i kam propozuar, nuk është problem i imi, është problem i atij që ka vendosur të mos përgjigjet.
Unë kam një fakt, unë raportoj informacionin e Drejtorisë Hetimore Antimafia, e raportoj fjalë për fjalë, e raportoj në librin tim. Dhe në të njëjtën kohë telefonoj ekzekutivin shqiptar, kërkoj të konfirmojë, të eksplorojë, të monitorojë nëse ka qenë kjo prani, sepse mund të ishte prania e një zëvendësministri, e një personi që ndoshta në mirëbesim po bënte një takim pune.
Mund të kishte shkuar në mirëbesim. Unë, për të kuptuar më shumë, bëj këto pyetje, sepse gazetarët duan të kuptojnë para së gjithash. Por nuk është se unë i censuroj lajmet. Unë kam dhënë një lajm, kam bërë gjithçka për të marrë edhe përgjigjen, versionin e qeverisë, por kjo përgjigje nuk më ka ardhur. Dhe unë lajmin e kam publikuar.
Krasta: Po të bëj një pyetje të fundit dhe pastaj të lë të lirë. Më kujtohet Saviano. Ai donte, e donte dhe e urrente faktin që prej shumë kohësh shoqërohet me një eskortë policore në jetën e tij të përditshme, një eskortë profesionale, pra e agjentëve për të mbrojtur jetën e tij. Por në këtë kuptim, dua të të pyes, ti sigurisht do të vazhdosh të bësh profesionin tënd, të punosh në profesionin tënd, pavarësisht rrethanave të reja që janë krijuar. Pyetja e parë. Pastaj, i shoqëruar nga një pikëpamje profesionale, dhe në fund, sipas teje, bazuar në analizën hetimore, informacionet që ke marrë deri tani, njohuritë e tua personale e kështu me radhë, a do të vijë apo mund të vijë një moment që e ashtuquajtura mafie shqiptare të marrë një formë edhe më kërcënuese, e lidhur me shtetin shqiptar të momentit dhe të rrisë pak forcën kundër ligjit, etj. Si e sheh ti këtë raport tëndin në të ardhmen me këtë problem të madh dhe të rëndësishëm mes dy vendeve tona mike?
Trochia: Le të nisim nga një fakt, sepse duhet të jemi të qartë. Unë i kam quajtur narkotrafikantët shqiptarë ‘të pathyeshëm’, jo vetëm sepse doja të jepja një titull libri, por sepse eksponenti më i rëndësishëm i kolonës romane, që quhet Arben Zogu, ndërsa ne po flasim, është i lirë. Është i lirë dhe është një nga eksponentët më të rëndësishëm të këtij bote kriminale. Subjekte të tjerë që unë i citoj në libër janë të lirë.
Po presim nga Dubai ekstradimin e Dorian Piku, ekstradimin e Altin Sinomatit, që në këtë moment janë ende atje dhe të subjekteve të tjera, ashtu si kolona romane e Zogut ka shumë subjekte të tjera të lira, janë të lirë në Romë, të lirë për të vepruar. Po flasim për një kolonë, për një nga kolonat për të cilat unë flas.
Dëshira për pushtet, për para, aftësia korruptive për të kontaminuar sektorë publikë, administrativë të kriminalitetit shqiptar, kjo aftësi është e jashtëzakonshme. Nuk ka prioritete të tjera për një qeveri, nuk ka prioritete të tjera përveç luftës së ashpër kundër mafies shqiptare, dhe këtë e kam kuptuar duke intervistuar një ish-magjistrat, Mandoi, i cili kritikon qeverinë shqiptare dhe thotë se ligji për konfiskimin nuk është i përshtatshëm për të luftuar nivelin e kriminalitetit që ka arritur në Shqipëri krimi.
Dhe siç më ka treguar një bashkëpunëtor drejtësie, që dikur ishte vrasës, ku nuk arrin pushka, ku nuk arrin kallashnikovi, arrijnë paratë. Aftësia e mafies shqiptare është të korruptojë si element qendror, sepse ka sasi të mëdha parash që vijnë nga narkotrafiku. Nuk ka prioritete të tjera, janë lojtarë ndërkombëtarë.
Nuk ka prioritet tjetër për një qeveri përveç luftës kundër mafies shqiptare dhe kundër nivelit shumë të lartë të korrupsionit që natyrisht i heq qytetarëve, i heq komunitetit dhe ia jep disa subjekteve të lidhura me krimin. Kjo është përgjigjja për pyetjen e dytë. Për të parën, unë do të vazhdoj të bëj profesionin tim.
Sigurisht, është e qartë që gjithçka bëhet më e komplikuar, është e pashmangshme, edhe vetëm në organizimin e jetës së përditshme. Unë gjithmonë kam thënë se ne jemi zgjedhjet që bëjmë, nuk jemi pasojat tona, por jemi zgjedhjet tona. Edhe pse ndonjëherë pasojat janë ndërhyrëse në jetën tonë të përditshme.
Unë do të vazhdoj të bëj gazetarin, kam nisur nga Campania, që është një tokë e madhe, dhe tani punoj për gjigantë që për mua janë simbole, si Giancarlo Siani. Ditët e fundit ishte përvjetori i 48-të i vrasjes së këtij gazetari intelektual nga mafia siciliane.
Unë mendoj se ne kemi detyrimin, ne që bëjmë këtë profesion, ta bëjmë sa më mirë të jetë e mundur dhe kur kemi lajmet, t’i japim, t’i rrëfejmë edhe hijet, kontradiktat, dhe të denoncojmë sistemet kriminale dhe të pushtetit.
Krasta: Nelo, të falënderoj shumë, të jam shumë mirënjohës që fole me mua. Faleminderit shumë këtë mbrëmje, faleminderit shumë.
Trochia: Faleminderit, dhe një përshëndetje e ngrohtë për të gjithë ju dhe një përqafim për Shqipërinë, një tokë që e dua shumë.
Komentet