15:23
Protesta para EULEX-it
Dhjetëra qytetarë u mblodhën para ndërtesës së Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit, EULEX, në zonën industriale në Prishtinë, pas shpalljes së aktgjykimit.
Disa nga ta hodhën gurë në drejtim të ndërtesës.
Më poshtë mund të shihni disa fotografi nga protesta para EULEX-it:
15:09
Të nderuar lexues, faleminderit që po e përcillni Radion Evropa e Lirë.
Nga unë, Valona Tela, mbulimin e zhvillimeve të mëtejshme e merr kolegia Mimoza Sadiku.
14:58
Hamza: Beteja nuk ka përfunduar, PDK do të ndërmarrë të gjitha veprime demokratike dhe ligjore
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, e cilësoi të rëndë aktgjykimin e sotëm ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, duke thënë se me të “jemi dënuar si popull dhe si shtet”, por theksoi se beteja ligjore nuk përfundon këtu.
“Presim që në Apel të shqyrtohen me saktësi konkluzionet mbi qëllimet e përbashkëta kriminale, përgjegjësinë individuale, autoritetin dhe kontrollin real, vlerësimin e dëshmive dhe çdo çështje faktike apo juridike që mund të ketë ndikuar në aktgjykim”, tha ai në një konferencë për media.
Ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit kanë paralajmëruar se do ta apelojnë vendimin.
Sipas Hamzës, aktgjykimi i shqiptuar sot ishte “një padrejtësi e madhe”.
“PDK-ja do të jetë në përkrahje të luftës së drejtë dhe të pastër të UÇK-së dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme demokratike dhe ligjore për këtë proces”, tha Hamza.
I pyetur për deklaratën e bërë nga avokati i Hashim Thaçit, Pierre-Richard Prosper, që po të ishte deputet do të vepronte në zhbërjen e gjykatës, Hamza u shpreh:
“Ai është avokat. Nuk është deputet, deputetët i kryejnë punët e tyre”.

14:33
Kurti: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së është “padrejtësi e papranueshme”
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka cilësuar si “padrejtësi të papranueshme” shpalljen fajtorë dhe dënimet ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
“Shpallja fajtorë dhe dënimi kaq i rëndë për katër ish-krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është padrejtësi e papranueshme, ndëshkim i madh dhe i dëmshëm”, tha Kurti në reagimin e tij.
Ai kundërshtoi edhe formulimin se aktgjykimi është shqiptuar “në emër të popullit të Kosovës”, duke thënë se kjo “formulë e zbrazët nuk duhet ngatërruar me vullnetin e popullit”.
Kurti kërkoi që aktgjykimi i shkallës së parë të ndryshohet në apel.
“Ky aktgjykim patjetër duhet ndryshuar dhe korrigjuar në shkallën e apelit dhe atë sa më parë”, tha ai.
Kurti shprehu gjithashtu mbështetje për familjet e katër ish-krerëve të UÇK-së dhe bashkëluftëtarët e tyre.


