Nuk bindej kurrsesi, kthehej me njemije dyshime. Dhe ate nate kur Cizia Zyke, producenti francez, i propozoi rolin e shoqeruesit te filmi; Kanun” nuk u tundua nga asgje tjeter, vec prej aventures. Po, kishte ardhur koha e nje aventure ne vende qe ruajne nje thesar, ne malet e veriut, ne palcen e dimrit. Pra, mund te rrezikonte njefaresoj. Ia kishin gjetur damarin; te rrezikonte me rolin dhe me vete jeten. Me vete mori nje tufe me kaseta dhe vinte njerin pas tjetrit; Luis Armstrong, Rej Carls, Brown, Ellington.. Xhaz, bluz, soul..Ishte ritmi i rolit te ri, pa kete ritem ai s’mund te luante. E duronte urine, te ftohtin, mungesen e alkoolit, po muzika e shpetonte. Rruges per ne Sang, nje fshat ne gjak ne Mirdite, kur pa kullat qindravjecare, te braktisura, aq klasike, te paperseritshme ne llojin e ndertimit, malesoret e rralle, aq te varfer qe shkonin dhe ktheheshin nga mergimi dhe na tregonin plaget e kerbaceve ne kurriz, ai e harroi rolin. S’kishte njeri me fatkeq. U mblodh e u be nje grusht. E munden ata titane, malet, dhe ai e pranoi me kenaqesi disfaten. Ishte shume njerezor, gjer ne perulje me ata malesore dhe, te syte, perhere kercenues per te thene me pare, jo, pashe lot. Gjate gjithe atij filmi e humbi skenen. U zhyt koke e kembe ne ate jete gati mesjetare, ku kanuni bente ligjin, nga aktor u kthye ne predikues; kerkonte paqe midis fiseve te percara nga gjakmarrja. I dashuruar pas anomimatit, ishte nje kompensim i fames, me nje lloj brerje ndergjegjeje. Ja, si rronin spektatoret e tij. Ata qe e pelqenin shume, qe i permendnin batutat.
Ne Srriqe, ku u xhirua skena e pajtimit te gjakut, nuk vinte asnje imazh nga telvizioni kombetar, se s’kishte sinjal, po ama, Halit Beratin ( Gjeneral Gramafoni ) Mertinin ( Perballimi ) Bermemen ( Balle per balle ) Tunxhin ( Udha e shkronjave ) i dinin permendesh, shqiptonin batuta dhe iu dukej e cuditshme qe ai njeri aq i urte e i sjellshem, qe iu bindej si me perulje, ngaqe ndiente shume dhimbje per ta, t’i kishte luajtur aq bukur ato role.
Nuk do ta harroj ate mbasdite te ftohte me debore kur nje grua me te zeza vuri djepin me nje foshnje brenda para deres se kulles se gjaksit. Pritej te zbriste i zoti i kulles dhe te fuste djepin brenda. Po a do ta bente kete akt, qe t’i jepej fund gjakmarrjes? Fisi qe kishte vrare tani ishte gati te flijonte foshnjen. Dhe atje do te mbetej ai djep edhe sikur i zoti i kulles te mos zbriste dhe te mos e fuste brenda. Une kisha nje dhimbje te tjeterllojte, qe mund ta quaj artistike, ngaqe e kisha bere kurban per filmin kete detaj dramatik, te cilin e ruaja per ndonje tregim a roman ne nje fletore me shenime nga veriu, ndersa Bujari qante, sepse xhirimet s’po ecnin dhe foshnja vertet lebetitej nga te ftohtit. Ajo gruaja malesore e veshur me te zeza, qendronte diku, ashtu e heshtur si nje statuje, po s’leshonte ze, s’bente asnje gjest padurimi. C’behet! gati sa s’thirri Bujari dhe shkoi drejt djepit, po nje dore e ndaloi, nje dore qe e terhoqi me butesi; Bujar ku shkon?! Po xhirohet! Po ajo nene, ajo nene!..thirri Bujari, ndersa gruaja me te zeza qeshi dhimbshem dhe tha; Ani, i ban mire me qajt, e burre! Dhe Bujari u terhoq, si nje spektator qe i thone; Ulu! Nje burrereshe, padyshim nje nene e perralles, por qe ishte e vertete ne ato male, ajo degjonte ngasherimen e foshnjes se vet, qe te kepuste shpirtin, po s’tundej, respektonte ate fjalen e urte te maleve; Shtepia e shqiptarit eshte e zotit dhe e mikut. Dhe ne ishim miq ne shtepine e saj.
Po dhe ate fjalen e urte; Me kripe e zemer, aty e kuptuam mirefilli, se prej varferise kishte dale. Nje kupe raki e bute, turshi dhe pak dhjame pasterma. Po ishim shume te uritur. Sidoqofte, edhe ne kete rrethane te skajshme, Bujari guxoi t’i kerkonte te zotit te shtepise pak djathe. Buka e misert ishte e ashper, te thyente dhembet, mielli i saj ishte perziere me barishte, tershere e hime, qe te shtonte ne peshe. Bjerre ndjenjes se perkore te perzgjedhjes, fineses se holle ne shijimin e hajeve te vecanta, pikanteve e llojeve te sallatave, vecmas te djathit, tani shikoje Bujarin malesor, aspak artist e pretendues te padurueshem, hante me uri ate buke te forte, pa kurrfare shije, pinte raki si uje dhe kafshonte ngapak ate djath dhie, ashtu si vjedhurazi, se ne nuk kishim patur fatin e atij luksi ne pjatat tona te varfra, vetem e perfytyronim djathin, qe i zoti i shtepise kushedi se ku e kishte lypur. Me vone mesova se, Frani, keshtu e quanin, e kishte bere lypjen per Halit Beratin, ate gernetistin e filmit Gjeneral gramafoni. Ndoshta prej asaj cope djathi, qe na zilepsi, Cizia i dha 60 dollare ( shume e madhe fort kjo, per ate vit te veshtire, 92-shin ) djalit te madh te shtepise per nje nga kecat e tufes se vogel te dhive. Kater gjithsej qe verrinin brenda nje tharku prapa kulles. Kater, per gjithe ata camerdhoke e ferishte qe i kishim neper kembe, duke qare, duke lozur, po me shume te menduar e te trishtuar. Dhe c’hoqi per t’ia blere! Dhe nje gje s’e harroj kurrsesi; Bujari njomte buken ne raki, ate buke misri qe s’kafshohej, se ishte e forte si gur, e thithte dhe e pertypte ngadale. Pastaj mbremja; na shtruan pertoke ne nje dhome me oxhak qe brambullinte, plot shilte e jasteke me kashte. Nuk pyeti, zuri nje vend ndane vatres, me shishen e rakise ne dore, ia shtroi nje muhabeti te gjate me plakun e shtepise, qe s’pyeste per filma, vetem e vetem qe te shtynte naten dhe, vone, shume vone e zuri gjumi ndenjur, ndersa flaket, me nje drite tronditese, sikur i shpiknin ne tiparet e fytyres, ne ate mimike memece, nje alfabet zjarri. Ashtu i pelqente, pa hyre ne tesha, gjysme fjetur e gjysme zgjuar, sikur te luante nje rol te ri, se nuk ishte mesuar te nderronte shtrat. Asgje per cimkat, per morrat, asgje, edhe po ta ngacmoje, vec peshperiste; nuk po ua zbuloj dot kete thjeshtesi te vuajtjes.. Flasin pak dhe me figura..me duhet nje perkthyes..Ishte ne rol.
Pastaj gjakmarrja ne Arst- Miliska, nje gjakmarrje groteske. Dikujt i kishin vrare gjelin. Po ne kanun thuhej se ai qe vriste gjelin hynte ne gjak. Ishte mbledhur pleqesia e fshatit dhe s’po gjenin dot nje zgjidhje. I demtuari permendi gjate fjales se tij, se gjelin e kishte sahat me zile. Sipas avazit te tij, fisi kryente punet e dites dhe te nates. Cizia kishte blere ne Tirane nje ore 3 mije dollare dhe kur e pyetem te cuditur pse ishte harxhuar aq shume, ai na tha duke qeshur se ishte ore e vjedhur, ne Paris e gjeje per 30 mije dollare. Cizia e hoqi nga dora dhe ishte gati ta jepte. Po te njejtin gjest kreu dhe Bujari me sahatin e tij te shtrenjte, po te dhuruar. I zoti i gjelit nuk i pranoi qe te dyja, nuk ia mbushen syrin, se nuk i benin pune. I gjeten nje sahat te vjeter muri qe s’kishte gjel, po qyqe, qe i jepte avazet me kukame. Keshtu u mbyll kjo gjakmarrje. Ate dite, mbaj mend, se ndezen ne debore nje zjarr duke ferkuar dy gure qe shkrepen ne nje grusht me kashte, vune zhezvene me kafe, mbushen dy kupa me kafe dhe pine ndersa debora binte dhe ata te dy, Cizia dhe Bujari kendonin si ne fillimin e botes, kur sapo ishte shpikur zjarri, nje kenge te tjeterllojte, me fort nje britme a nje ulerime per nje gjakmarrje qe ishte pajtuar prej nje sahati me qyqe. E kishte dhe Bujari ate shpirt aventurieri, si te Cizias, po prej kohesh e kishte rafinuar duke e dhunuar percudshem dhe tani vuante prej ketij shnderrimi, qe ne keto male po e zhvishte prej lavdise, se malet ishin skena te vetvetes, s’kishin kurrfare nevoje per aktore, sado te medhenj qe te ishin. E kishte ajo britme e asaj kenge gezimi te eger dhe kete vuajtje, qe duhej fshehur. Skena e teatrit ishte per te, ajo skene qe ndoshta s’do te ishte me, sepse Bujari kishte kohe qe s’luante, vec priste e priste nje Byhner me Vdekja e Dantonit, apo serish nje Artur Miler te Vdekja e komisionerit..Dhe binte debore.
Ne male fitoi varferia, kanuni, po jo Bujari, sepse atje ai s’kishte kohe te ishte praktikues i zakonit fin e i manieres qe ende s’e kisha zberthyer, e asaj perkorjeje te sterhollte qe pergatitej gjithsesi per ate rolin e enderruar, qe ndoshta s’vjen kurre, po ku i dihet, edhe vjen. Ju permenda ne fillim te shkrimit se ai ishte gjithmone ne rol, edhe kur pinte me shoke, edhe kur ecte ne bulevard, edhe kur flinte, sepse padyshim ne endrra ai shikonte luane si plaku i Heminguejt. Ai peshku i madh, qe e hengren peshkaqenet, skeleti qe nuk qendron poshte ne mol, po te dera e teatrit. Le ta shikonin, le ta admironin..po vec, ishte dikur.. Ishte i papune. Nuk po luante role te vertete. Dhe s’jepej. Priste. Kjo i kish mbetur. Dhe ne kete aventure me Cizia Zyke, aventurierin me te madh te shekullit te njezete, priste aventuren e tij; 45 vjec, ne kulmin e forcave krijuese, jo lypasar i roleve, po prites pretencioz, prej kokefortesise se talentit, ndonese koha kishte ardhur e mbrapshte per artin.
Te udhetimi i dyte per filmin Amigo, ai u shfaq i plote, dhe me ate gjestin tek Admirali, qe une s’e kuptova. Vetem ne nje kemishe te zeze, pa te brendshme, ne muajin nentor. Ashtu eshte luajtur ai film. Nje kemishe e zeze prej pupuline, drejt e ne trup te zhveshur, ftohte ngrohte, ere, djerse, zgjimi ne pese, fjetja ne dymbedhjete. Drejt e ne trup sepse s’donte t’i dukeshin, edhe ashtu humbshem, konturet e te linjtave, aty ketu. Dhe kjo ndodhte per hir te kerkesave ekstreme qe kishte ai per artin. Mbaronim xhirimet ne erresire, kur dyndeshin muzgjet dhe deti poshte malit te Qeparoit, nga blu behej mavi dhe tutje larg xixellonte Korfuzi me nje ndjellje luksi. A besoheshin keto net mbi shtepite si vila, krejt te braktisura, ku thyheshin prej korentiti te eres qelqet e dritareve dhe te dukej se dikush qellonte me gure. Shtepi pa drita. Vetmi. Nje shkolle pa femije. Nje kishe pa prift, me nje kumbanare te holle e te gjate, me litarin qe e kishin lidhur ne nje gur shkembi. Aty u lidh Bujari dhe me tha ta shtyja, e hop hop, ra kambana e kishes, ra e ra, per askend, se pleqte qe kishin mbetur s’degjonin nga veshet. E theu nje cope heshtjen e me tha ta zgjidhja. E bera, tha, per tiranine e ikjes, se edhe ikja eshte diktature. Ky fshat i braktisur ka nevoje per nje prift qe te mbaje nje meshe. Po te kem kohe do ta beje vete kete gje, ja me kete kemishen e zeze te rolit si nje rraso dhe do te bekoj shpirtin. Se ai ka merguar, shpirti i pari..ai qe mbushi kinemate dhe teatrot plot dhe na dha gezimin. E pe kinemane e fshatit me karrige te mbledhurae te mbeshtetura ne mure, shkollen bosh, pa femije? Po kjo me jep tharmin per rolin, kjo braktisje..Luate rolin e nje babai qe i vret te gjithe, gruan, femijen, pervec qenit. Duhet te ishte i dhunshem, po dhe fin. Me foli gjate per Marlone Brandone, mimiken e tij memece, po qe fliste cuditerisht aq shume, pa grimasa, me nje kopraci te eger per te dhene masen e mases se gjendjeve, me fjalen qe thuhej si prej origjines se saj, pa perpunimin qe ia humbet fuqine genuine. A nuk ishte Bujar Lako nje Marlon Brando shqiptar? Kujtoni Martinin, sekretarin, te filmi Perballimi! Tunxhin, te Udha e shkronjave, natyrshmeria e njeriut qe luan si per here te pare, qetesia e ngrire e akullit, poshte te cilit mugullon jeta, fashitja e pasionit qe kalon kufirin e mases, pikasja e dy te tetave te ajsbergut, nje vije per te thene shume vija, nje germe per te thene shume germa, pak fare pak per shume e me teper se shume..Kaseta pa fund me filma e drama qe ai i shikon me ore te tera ne apartamentin e tij surrealist, krejtesisht te zhveshur nga orendi utilitare, pa karrige, pa tryeze, me dy tre televizore pertoke, me dy tre video, me nje rrogoz te punuar artistikisht, apo me nje shilte mbi pllaka duke pare mjeshtrit e skenes, ashtu gjysme shtrire, me goten e qumeshtit perpara ku ka thyer brenda tri kater veze. Dhe me ate kemishe te gjate gjer te thembra e kembes, ai endet ne ate yrt, ku ngrihen vetem mure me gure. Do qe te izoloje djalin nga bota e prishur perreth. Dhe ky rrethim prej muri, eshte simboli i tragjedise. Ai duhet te luaje tragjedine e izolimit. Pak fjale ka filmi, sikur luhet me heshtjen e Amigos, qenit, po ne ate heshtje, duhet shprehur nje bote e fshehur. Bujari aty shkelqen! Ai thote gjithmone me shume se teksti. Me shume se autori. Me shume se vetvetja, sepse shumezohet prej talentit. Ai film s’ka regjisure te mirefillte, skenar te ripunuar, sepse fatkeqesisht mbeti besnik i noveles, po ka nje aktor te shkelqyer, Bujar Lakon, qe ndihmon dhe nxjerr faqebardhe regjisorin dhe skenaristin. Ai beri qe, edhe qeni, nje shepherd prej race te paster, i blere nga Cizia ne Belgjike, te luante rolin e jetes se vet. Nje rol per t’ia patur zili. Dhe me nje histori te cuditshme. U vodh, apo shqeu zinxhiret ( kjo mbeti mister ) prej afshit ( ishte ne moshen e afshit te pare, te seksit ) nje nate para se te xhirohej skena e fundit, kur Amigo do te hakmerrej kunder babait per vdekjen e djalit, pra, u zhduk njehere e pergjithmone, megjithe perpjekjet e ekipit te filmit dhe fshatareve, qe kerkuan per tre dite ne fshatrat rrotull dhe lart ne stane, por pa dobi. Jo, s’kish se si te hakmerrej ai qen kunder babait, Bujar Lakos, mikut te tij me te mire, qe i mesoi te luante si aktor. Ia thashe kete ngushellim dhe Bujari qeshi; Vertet, Roland, si do te vinte te me mbyste? Dhe e besoi vertet kete pandehme, gjithsesi mirenjohese, aq te besueshme tek nje qen. Pikerisht te kjo marredhenie Amigo- Bujar, rane te gjitha zakonet e cuditshme dhe manierat e ketij burri qe kerkonte ne cdo gje perkryerje. Dhe kjo ndodhi prej mirenjohjes. Prej mirenjohjes se nje qeni, i cili i dha dashuri prej qeni dhe, kur kjo i mungoi, ai e kuptoi se sa e kote ishte ajo perkryerje qe, se pari, ishte arritur prej nje primitivi, nje qeni. Ky kompleksitet i ndryre ne ate muaj nentori, qe u luajt si nje muaj vere ( dhe per fat na eci ) nuk kaloi pa keqkuptime dhe vuajtje qe, une, me ne fund, te kuptoja c’ishte ajo shfaqje e Bujarit te Admirali, shkuarja ne banjo, kthimi ne tryezen e miqve dhe mosdhenia e dores.
Ne bujtnim neper shtepite e atyre pak banoreve qe kishin mbetur ne fshat. Te ca plaka e pleq qe vuanin prej mungesave esenciale. Iu kishin mbetur dhomat e dhendureve dhe nuseve te zbrazeta. I kish perpire si nje lubi mergimi. Krevate te pandrequra sic i kishin lene, per te mbetur pershtypja se aty ishin ende. Me kish rene te banoja ne shtepine e pronarit te restorantit te poshtem, ku me binte te haja dreke me Bujarin. Flija ne nje dhome ne katin e pare me drejtorin e filmit, Ylli Kokonen, nje tip interesant, qe luante filmin e jetes me seri te pambaruara. Dhe kolona zanore ishte xhazi amerikan i viteve 60 -te. E interpretonte me goje ne menyre te mahnitshme bashke me Bujarin, me fort ne netet blu me hene, me detin poshte qe vezullonte me nje drite te marrte, pas darke kur i kishim rrekellyer disa shishe me vere reisling. Ecnim kalldremit dhe krijonim piano e kontrabase ajror, qe dilnin prej gojeve tona. Bujari, ne ate kohe ( viti 94 ) e kish lene xhazin dhe merrej me gjeniun e tropikut, xhamajkianin Bob Marli. Ai i shkonte per bukuri ritmit pasionant te rivieres. Larg, pertej mureve prej guri te avllive ku viheshin stive drute e dimrit, dukeshin flaket vertikale dhe luhatese te zjarreve te kazaneve. Cdo shtepi ku banonim, ne te filmit, vinte kazanet ne zjarr; laheshim me kokme, lanim e shplanim teshat naten, pastaj flinim, ato tri kater ore qe mbeteshin. Bujari jetonte fillikat ne nje vile pa njerez. Ai s’e gezonte kete privilegj. Ate nate, ndersa vazhdonte te bente xhaz me goje, me ze te larte, ne ate dalldine e embel te dehjes, erdhi dhe u la me ujin e kazanit tim. Po e pikasi zonja e shtepise dhe e ndoqi me dru. Po ti pse qesh, m’u versul mua, une e ve per ty, vjen ai si hajdut e te merr ujet.. S’ke duar ti? Oj, pa piken e turpit.. Goxha burre..dhe me zhvishej e me ferkohej sikur kish zene morra.. E kisha mire me ate grua, ndoshta i ngjaja djalit te saj qe ia kish mbathur andej nga Greqia dhe ia pat lene dhomen lesh e li..Kish marre gruan, pasi e kishin katranosur ate thagme naten e pare te marteses dhe ashtu, plage nga te puthurat e te ndukurat, qene bere ere ne mengjes.. Keto m’i rrefente gjithmone dhe une e degjoja, ajo nxirrte shpirtin dhe lehtesohej. E merrja me te mire, por jo, kazani ish imi, vetem imi, sipas saj dhe mua me vinte per te qeshur, qe kjo grua nuk e njihte Bujarin dhe s’kish si ta adhuronte prej filmave. I flisja une per te, i kujtoja rolet, po ajo na kish qelluar pafilmse, kurrsesi s’donte te degjonte nga ai vesh. Po nga ky episod komik, m’u kujtua ajo stime e tij per gjerat, e pikasa kur lahej sapo mbaronin xhirimet ndersa dyndeshin muzgjet, ne ujin e ftohte te kroit te fshatit. Mos marresh ndonje te ftohte, i thosha dhe rreqethesha per vete, po ai s’me pergjigjej, vazhdonte te lahej e te sapunisej me nje ngulmim te vecante e, pasi sigurohej se gjithcka e ndyre ish shpelare prej lekures se tij, vraponte drejt shtepise, duke bere levizje per t’u nxehur. Ishte shume i paster, aq sa dhe pastertia e tij kish nje perkryerje si arti i tij, qe binte fort ne sy. Po ashtu te brendshmet qe duhet te ishin prej cohe higjenike, te punuara me finese, corapet prej mendafshi, kemishet e firmes, gjer dhe stringlat qe, secila me vete dhe te gjitha se bashku, duhet te spikatnin fort. Ai bente pershtypje me veshjen, ndryshe nga te tjeret, kepucet e pangrena te thembrat, pa rrudha ne suprine, gjithmone prej lekure dhe te punuara me elegance. T’i gjeje nje fije qime ne kostumin e qepur pas modes se fundit, ishte si te pikasje pretekstin per nje lufte te re boterore. Kur ai kalonte ne rruge, rolit, qe sapo kishte luajtur ne ekran apo ne skene dhe ishte pershendetur me entuziasem, duhej t’i shkonte, me po ate perkryerje dhe veshja, gjithashtu dhe paraqitja e tij, ajo mimike memece, po qe thoshte shume, me nje pretendim trondites, qe prej nje syri te stervitur me kulture, tregonte inteligjence dhe temperament te brendshem, ndersa per syrin me sklepa te vulgut djerrakohe, fodullek dhe kryelartesi. Dhe te vime te ai casti i cuditshem, kur ai hyri te Admirali, mori drejt nga banjoja, enkas pa na vene re, u kthye dhe nuk na zgjati doren. Keshtu ndodhte sa here kthehej nga xhirimet, apo skena e teatrit, ku linte si harac nje pjese te rendesishme te zakonit dhe manieres se tij, qe e rifitonte serish. Kjo nderkohe e pauzes artistike ishte dhe balanca qe pezullonte ne piken zero. Ai tani ishte vetvetja e plote, Bujar Lako njeri dhe artist, sepse kishte mundesine te shfaqej, te binte ne sy, te shkelqente serish, edhe pa luajtur gje. Ja, c’kishte ndodhur; me nje cope leter hundesh kapi dorezen e deres se Admiralit, hyri ne banjo, lau duart, u pa mire e mire ne pasqyre, ne fytyre dhe ne kostumin shik, ku nuk duhej te binte ne sy asnje cen dhe, pasi qe bindur se gjithcka ishte e bukur, vec e bukur, ne harmoni me talentin e tij, doli prej andej, erdhi dhe u ul ne tryeze, pa ia zgjatur doren njeriu, i perkore, qetesisht i hijshem ne stimen e vet, krejt i dashur dhe njerezor, i vecante, nervoz, bucites dhe psheretites, piu nje gote, dy, e teproi, po gjithsesi elegant, tronditshem elegant, sepse ai njeri edhe i dehur ishte ne rol.
Komentet