Spanja do t’i propozojë Bashkimit Evropian pezullimin e plotë të Marrëveshjes së Asociimit me Izrael, duke argumentuar se qeveria izraelite shkel të drejtën ndërkombëtare. Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez deklaroi se propozimi do të paraqitet zyrtarisht të martën në nivel të Bashkimi Evropian, duke kërkuar pezullimin e plotë të marrëveshjes së nënshkruar mes dy palëve.
“Këtë të martë, qeveria spanjolle do t’i paraqesë Evropës një propozim që parashikon anulimin e marrëveshjes së asociimit me Izraelin”, tha Sánchez gjatë një tubimi parazgjedhor në Andaluzia.
Ai shtoi se “një qeveri që shkel të drejtën ndërkombëtare nuk mund të jetë partnere e Bashkimit Evropian”. Marrëveshja e Asociimit BE–Izrael, e cila është në fuqi që nga viti 2000, përfshin një klauzolë që lidh bashkëpunimin me respektimin e të drejtave të njeriut. Spanja e kishte ngritur për herë të parë çështjen e rishikimit të marrëveshjes në shkurt të vitit 2024, kur Sánchez dhe ish-kryeministri irlandez i dërguan një letër Komisionit Evropian, duke kërkuar vlerësim të respektimit të detyrimeve për të drejtat e njeriut nga Izraeli në kontekstin e konfliktit në Gaza.
Që atëherë, Madridi ka forcuar gradualisht qëndrimin e tij, përfshirë edhe kritika lidhur me zhvillimet në Liban. Së fundmi, Irlanda, Sllovenia dhe Spanja i dërguan një letër Komisionit Evropian duke kërkuar që marrëveshja të shqyrtohet në takimin e ardhshëm të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së.

