VOAL

VOAL

PRILLI I RIEDUKIMIT – Tregim nga Konstandin Dhamo

February 21, 2020
blank

Komentet

blank

PROKURORI Tregim nga SHKËLQIM HAJNO

 

1.
– Përshëndetje!
– ?!
Tjetri bëri sikur nuk dëgjoi dhe hodhi shikimin tej nga Gryka e Shedenikut, ku shtëllungat e reve të murme gjigande sikur çukisnin njëra-tjetrën.
– Përshëndetje barba!- në shenjë respekti për të moshuarin, tha më i riu që shkelte për herë të parë në ato anë.
Tjetri, si hodhi një vështrim të vetëtimtë dhe tangent ndaj njeriut të panjohur, rregulloi kapelën qytetëse, një borselinë ngjyrëhiri të zbardhëlyer që e bënte edhe më shumë të habitshme dhe groteske praninë e tij si prej një alieni në këtë mjedis rural në qafëmali. Pas një heshtimi, iu kthye kalimtarit:
– Përshëndetje!
– -Më falni, a kalon ndojnë kamion kësaj ane? ….Më falni, kush jeni ju ? C’bëni këtu në këtë lëndinë? …Edhe i vetëm.!
Njeriu me borselinë dhe xhaketë kostumi të viteve ‘60 heshti pak, por ndjeu një si shtysë të brendshme për të dhënë një përgjigje.
– Ju zotni, me moshë afër një mesoburri, jeni gjë hetues në këtë qafë mali dhe në mes të xhades që lidh fshatrat këtej? Po bëni hetime për ndonjë kallëzim apo vepër penale? Nuk e shikon që nuk jam vetëm!?- dhe bëri me dorë për të treguar gjashtë dele që kullosnin aty pranë.
Njeriu i ardhur bëri një “aha!”, duke i dhënë të kuptojë se u morën vesh.
Mungesë takti, i tha vetes. Idiot! Ç’punë ke ti që kërkon qiqra në hell me burrin e botës! Të kanë caktur mësues në shkollën e mesme të Sajmolit edhe kaq. Në fund të dynjasë. Dhe kaq! Tani prit ndonjë kamion kooperative të hipësh në karroceri edhe ik, o njeri!
Por një kërshëri e brendshme, si majë thike, e mundonte tek shikonte këtë tip qytetari, ulur tani në një lëndinë, që ruante delet në një fshat kaq të largët dhe kaq malor. Papritur, iu kthye vetes tek u ul mbi një gur gjithë myshk.Gjynah! Mundet të ketë ikur mendsh… Dhe bënte ç’bënte, i hidhte sytë vjedhurazi nga njeriu me borselinë dhe kostum të strëngur, dhjetë hapa më tej.
Pastaj, si për të shtyrë akrepat e orës, që dukeshin se kishin mbetur në vend, nisi të mendojë. Me kostum dhe borselinë qytetari në këtë qafë mali. Burri i panjohur iu përhit si një personazh filmi, shumë-shumë si një figurë e dalë befas ngadonjë libër, prerë me kujdes nga faqet e ndonjë romani dhe i animizuar tani, si një fanitje.
I gjatë. I dobët.Nofullkërcyer. I thinjur. Me kurriz. Me sy që të zhbironin fort tek t’i ngulte si dy shigjeta, lëshuar me forcë nga një guvë e thellë mendimi e dyshimi. Gati hipnotizues.
Njeriu me borselinë e ftoi rishtarin, që sa të priste në këmbë ndonjë makinë për qytet, le të ulej se mund të kalojë ndonjë kamion kooperative.Kamionet po prisheshin një nga një asaj ane, siç fikeshin qirinjtë , në një meshë përshpirtjeje. Përshpirtje e një agonie gjysmëshekullore të regjimit që sundoi me dorë të hekurt.
– Ulu, or njeri! Për një e shumta dy orë, këtej edhe kalon ndonjë kamion. Ndoshta ke fat.
– Më falni, kush jeni ju?- u ngut sërish i riu, tani me një ton miqësor.
– Kaq shumë të mundon kjo pyetje? Të ha përbrenda, siç e ha ndryshku metalin nga lagështira? Hee?!
Tjetri pohoi me kokë, por nuk bëri zë. Nga një paketë DS e kohës nxori një cigare. Ia zgjati të faniturit pranë, por ky e refuzoi prerë me dorë. Por pastaj e mori një. Ia ndezi njeriut me borselinë, pastaj edhe vetes. Ia kishte lexuar mendimin. U ul mbi një gur në atë lëndinë të pjerrët plot bar e lule të sapoçelura pranvere. E sqaroi se ishte një mësues i sapoemëruar në fshatin e Sajmolit aty pranë. Pastaj i nguli sytë nga borselina.
– Unë jam ai që kam bërë trembëdhjetë vite në burg dhe trembëdhjetë të tjera në internim.
I riu luajti pak vendit nga guri ku ishte ulur.
– Aaa?! Po si kështu? Përse i ke bërë kaq shumë? Edhe internim, edhe burg?
Tjetri rregulloi kapelen qytetëse. E hoqi. E vuri sërish në kokë dhe e ktheu pakëz anash nga e majta.
– Do ta dish vërtet?
– Nuk thashë gjë. Kot pyeta.
– Po ta them, para se të kesh ikur me merakun e enigmës sime. Ta them, që ta marrësh me vete sipër, në kamionin që do të vijë, në karroceri.
– ?!

2.

Tjetri e pa me keqardhje dhe habi. Që ka shkarë, ka shkarë i shkreti, tha me vete. Kjo nuk do shumë mend për t’u kuptuar. Pak shkasin tani nga ledhi, domethënë nga mendja? Një më shumë nuk është asgjë fare.
Dhe iu kujtua polic Cacja në qytetin e lindjes. Me biografi të mirë për kohën. Qelibar. I besuar i regjimit. Por qëkurse e kishin zhveshur, se e patën zënë një herë në gjumë në orar të shërbimit në lulishten para komitetit të Partisë e, më pas, e pati lënë edhe gruaja, një shitëse në mapon e fruta-perimeve, befas kish nisur e mbante ‘fjalime’. Po po! Fjalime. Me intonacion si të Udhëheqësit të dikurshëm!
Por të gjitha me partishmëri. “Rroftë Komiteti Qendror i Partisë, me në krye shokun Enver Hoo…!”
Kaq thoshte i ngrati Cace, se ia kishin zënë gojën në fillim me forcë ca të Frontit të lagjes dhe ca kolegë të tij me uniformë. Tani e thoshte falinë e parullës së përhershme pa pjesën fundore. Jo në çdo kohë, me vend e pa vend. Por si ilaçet. Me orar. Priste të binte muzgu i parë. Të bëhej qetësi. Dilte në ballkon. Shikonte njerëzit që bënin shëtitje dhe sidomos çiftet e reja dhe ia niste: “Rroftë Komiteti Qendror me në krye shokun Enver Hooo…!”. Pastaj vijonte një pauzë. “Shokë edhe shoqe! Novatorë edhe novatorje duararta, lulja e lules së Partisë, gonxhet e gonxheve të Partisë! Partia jonë me forë! Partia jonë e Punës, me në krye shokun Enver Hooo… i ka dhënë dërrmën imperializmit amerikan dhe revizionizmit sovjetik! Ashtu de!”
I ngrati Cace, paqësor në hallin e tij, nuk ngacmonte njeri. Nuk trazonte askënd. As lulet në park dhe asnjë mizë, siç i thonë.
Fëmijët ishin mësuar me të dhe nuk e ngisnin. Tepër rrallë, ndonjë çamarrok, kur kalonte me shokët për në shkollë, hidhte ndonjë pjesë nga parullat e Caces. “Rroftë Komiteti…”. Por aty për aty gjendej ndonjë i rritur që ndërhynte. “More pelivan, je edhe djalë shkolle, ti! Do t’i bëj veshët opinga, po të kapa!” Tjetri nxitonte hapat ose ia mbathte.
Por Cacja ruante qetësinë e tij proverbiale. Nuk merrte ‘çentil’ nga kalimtarët e rastit. Priste muzgun e tij olimpik. Muzgun e qetësisë. Mbretërinë e tij të paqes. I miri Cace, priste atë orën e përafërt të muzgut, që askush në qytet nuk e dinte saktësisht kur ishte, që të dilte në ballkonin e tij. Ndoshta i dukej si tribunë nga ato të udhëheqjes, që e pati ruajtur pothuaj një jetë të tërë me sytë bërë katër me vigjilencë revolucionare.

Me sytë e mendjes, i riu në ato anë vështroi borselinon qetësisht, si një mik, me të cilin tani kishte ndarë edhe duhanin.
– Jo, jo. Kot pyeta,- tha mësuesi i transferuar në Sajmol. Puna juaj.-shtoi si për ta ngjitur bisedën aty ku u këput, siç këputet shiriti i një magnetofoni.

Borselinoja shtoi me gjysmëfjali:
– Trembëdhjetë vite burg. Plus trembëdhjetë internim? Baraz njëzet e gjashtë! Në rregull?
Tjetri pohoi me kokë.
– Nëse mund ta di dhe nuk ju lëndoj, të më ndjeni… pse e keni vuajtur dënimin? Dhe më pas, edhe internimin?.
– Atë, ma thuaj ti, përse?- e hoqi borselinën. Tani e mbante në duar njeriu i thinjur, me nofullat e kërcyera vendit. Pastaj e vuri ngadalë mbi kokë, si për të formuluar përgjigjen më tej.

– Sepse jam spiun i grekut! Ja! Kjo qe! E kuptove tani? I grekut! I Greqisë.
Pastaj heshti një grimë dhe rregulloi sërish borselinën mbi kokë, si për të gjetur fjalitë pasardhëse dhe shtoi:
– Kaq e thjeshtë është, apo jo?
Tjetri u step.
– Jo!- ia ktheu nëpër dhëmbë.- Nuk kuptova gjë prej gjëje! Dhe as e thjeshtë nuk më duket gjithë sa më the deri tani.
– E shikon?As ti nuk e beson! Nuk të besohet? S’ka sesi! Dhe tani, që njerëzit po arratisen dhe ikin me grupe nga malet, drejt kufirit, drejt Greqisë, nga luginat, nga shpatet nëpër hone e nëpër borë, kush e kush t’ia mbathë nga ky kopshti ynë i lulëzuar i socializmit; nga kalaja shkëmbgraniti, fenerndriçuese buzë Adriatikut; unë, spiuni grek, po rri këtu! Po qëndroj këtu. Tani, kur kalaja e pamposhtur po bie, ra, po shembet pak nga pak ose kollotumba… unë tani rri këtu, që të ruaj gjashtë dele! Hehee! Më kupton?
– Të më falësh, por nuk të kuptova asnjë fjalë, zotëri!
– Po s’ka sesi të më kuptosh, ore njeriu i ri! Nuk ka! Një mendje normale nuk mund të kuptojë kaq ‘thellë’. I falur je. Që nuk kupton.
– Po cila është historia jote dhe ç’bën këtu me këto dele, se ti dukesh që nuk je fshatar nga këto anë. Je një qytetar. Kjo nuk kërkon shumë mend dhe lexohet që përtej. Por këto delet më ngatërrojnë. Unë jam mësues i transferuar kësaj ane, siç të thashë. Po me se je marrë në jetë?
– Delet i ruaj se këto kam gjënë e gjallë të shtëpisë së babait dhe nënës, që më kanë vdekur të dy. Po mos u ngut!

3.

Unë kam qenë partizan. Si dhjetëra e qindra të tjerë. Isha i ri. Pas luftës vazhdoja të kisha uri më tepër për shkollën se për bukën. Isha plagosur dy herë në luftë. Por fati më ndihmoi. Më pas, domethënë pas lufte, më nisën në shkollë, në Bashkimin Sovjetik, si shumë të tjerë. Mësova si i uritur. Dola prokuror. Imitoja Vishinskin e madh të asaj kohe. Dija dhe di, për fat të keq, pjesë nga pretencat e tij si prokuror. Në rusisht, po se po, por edhe në shqip. Si një bibël. Pas ca punëve nëpër dikastere në Tiranë, më caktuan prokuror në rrethin tim. Aso kohe, fshati im ishte dy orë e ca me makinë. Isha shumë i rreptë në detyrë. Ata lart, në Tiranë, më vlerësonin. Sidomos, në fillimet e punës edhe kur më caktuan në dy rrethe të tjerë me postin e lartë të prokurorit.
Gati pa mendje, nisi të vizatonte me një shkop që mbante në dorë një rreth mbi tërfilin e lëndinës pranë këmbëve. Pastaj dukej se donte ta ngulte në tokë.
– Ata poshtë, domethënë Partia dhe zyrat e pushtetit, nisën të thoshin se P. M. “është më katolik se Papa!” Kishte abuzime plot. Po edhe varfëri të madhe, sidomos pas kooperativave që u bënë me dhunë. Siç thuhej aso kohe, ‘me iniciativë nga poshtë dhe me direktivë nga lart’. Domethënë nga Partia, s’do mend.
I nguli sytë diku në lëndinën e blertë, si për të parë me vetulla të ngrysura diçka që i kishte humbur kohë më parë.
– Unë procedoja për çështje të ndryshme penale. Kishte shumë vjedhje. Po kishte, siç të thashë edhe varfëri të madhe. Këto shkonin paralel. Si vijat e hekurta të një hekurudhe. Edhe për agjitacion e propagandë nisën të shtoheshin çështjet. Edhe për tentim arratisje. Po varfëria po i zhvishte pak nga pak të tërë, lakuriq. Në qytet po se po, pa le më në fshat! Njerëzit po i fusnin me forcë e detyrim nëpër kooperativa. Kush kundërshtonte, shpallej kulak. Njerëzit po ndaheshin në dy grupe. Domethënë edhe ne, si organ i akuzës, kështu po e ndiqnim këtë vijë zjarri: njerëz të bardhë që ishin me partinë, frontin, kooperativat, domethënë me regjimin dhe të tjerë, në të zinj. Kundërshtarë. Kamp armik. Unë hyja te të bardhët, kuptohet. Ai që kishte vëllanë, xhaxhanë, dajon, kunatin e të tjerë me ata të Ballit në luftë, ose ai që nuk pranonte të hynte në kooperativë, hynte menjëherë në rrethin e të zinjve.
E mendova gjatë kur isha në burg këtë punën e ndarjes në të bardhë dhe në të zinj. Jo më parë. Mendja ime prej Vishinski nuk e lexonte atëherë kështu, si tani. Ishte që nga lufta e dytë kjo e ndarjes me sopatë, pas dyzet e katrës. Në burg, atje ku çoja të tjerët, e kuptova se ndarja më dysh e shqiptarëve kishte nisur që nga lufta. Por tepër vonë e kuptova këtë, se isha nga më të zjarrtët e vijës së parë. Fanatik. E kuptova kur kisha shkelur te syri i ciklopit.
Për herë të parë u kthye. Pasi vuri re se tjetri po e ndiqte me vëmendje, tha:
– Më the se je mësues.
– Po. E respektoj vuajtjen tuaj,- shtova.
– E pashë këtë, ndaj e ngava muhabetin më tej. Se gjeta një njeri që duket më kupton. Kupton një njeri të pakuptueshëm, si të thuash.
Mori një cigare, që ia zgjati mësuesi.
– E di se prokurori i Stalinit, Vishinski, hodhi idenë që të krijoheshin disa spitale psikiatrike ku të futeshin krijues dhe shkencëtarë që mendonin ndryshe nga Stalini dhe rendi socialist sovjetik? E di si i quanin këto spitale?
– Jo.
– Këto spitale psikiatrike quheshin nga rusët psihushka, psihushka.
– Po tek ne?
– Ta them unë. Ne ishim të gjithë në një spital psihushka. Atje ndihmova edhe unë si prokuror, edhe si pacient. Psihushka. Unë isha, si të thuash, një nga qindra doktorët e psihushkas.

Papritur iu përhumb vështrimi në një pikë të largët të pacaktuar.

4.

– Një ditë në zyrën time të prokurorit të rrethit më sjellin një kallëzim për vjedhje. Në fshatin tim të origjinës, pikërisht, dikush kishte vjedhur ullinj. Një trastë gjë, por thuhej se kjo ishte e përsëritur prej kohësh dhe, me gjasë, mund të ishin bërë edhe kuintalë. Por askush nuk kishte prova të qarta. Në kallëzimin e radhës thuhej e zeza mbi të bardhë se njeriu që kishte vjedhur ishte, as më shumë e as më pak por ajo që më kishte bërë mua kokën: nëna ime! E gjora plakë! Vonë e kuptova se i kishin varur qëllimisht në samar të gomarit një trastë me ullinj tek kthehej në darkë nga puna në shtëpi, me gomarin ngarkuar me shkarpa. Dhe, sapo hyri i ngrati gomar me nënën në oborrin e shtëpisë, hyjnë edhe vigjilentët.
“Ç’e ke këtë që ke varur në samar të gomarit, moj shoqja Parashqevi?” Parashqevija, ishte mëma ime. Kaq ishte puna. Vjedhje e pasurisë socialiste. Çështjen e gjykova vetë. Të gjithë me sy e veshë nëpër zyrat e komiteteve dhe të organeve të drejtësisisë, policisë, sigurimit, organizatave të masave etj. Prisnin vetëm përgjigjen e një pyetjeje: si do të vepronte prokurori i ashpër i rrethit! Do ta zhvishte shpatën si ngaherë apo, do ta fuste në mill dhe do të tregohej si një lepur ose pulë e lagur para nënës që i ka bërë kokën?! Dhe e di ç’bëra? Nuk e di?
– Jo,- ia priti tjetri.
– E dënova me katër muaj e gjysmë burg nënën time. Me heqje lirie, kupton?!
Mësuesi i çakërdisur po dëgjonte sy e veshë.
– E vërtetë?!
– Po. Siç është e vërtetë që ne të dy tani jemi përballë njëri-tjetrit. Dhe ata të nomenklaturës së rrethit duket menduan se do t’u vinte radha një ditë për vjedhje apo xudhira të tjera, se i bënin që çke me të dhe ne, si prokurori, i dinim. Pas kësaj, nuk shkoi më shumë se një vit, kur zyra ime u hap me forcë pa trokitur dhe ia behën menjëherë katër vetë. Tre me pistoleta dhe njëri me aparat fotografik.
“Mos lëviz!- më thanë.- Të erdhi fundi, o spiun i grekut! Duart lart!”
– ?!
– Më hodhën prangat si çdo të arrestuari nga ne dikur, për vepra penale, me urdhrat e mia si prokuror. Duhej edhe një armik prokuror. Mokra komuniste prej vitesh kishte nisur të hante njerëzit e vet një e nga një, dy e nga dy. Dhe, sapo ndiente se po i mbarohej zahireja e vjetër me familjet e të arratisurve, mokra nuk mund të punonte në boshllëk. Ndaj duhej “bereqet i ri” që ajo të mokërzonte, të punonte, të bluante pa pushim, natë e ditë jetën e njerëzve të pafajshëm.
– Dhe i bëre trembëdhjetë vite burg?
– Edhe trembëdhjetë të tjera internim në Myzeqe, në një fshat ku kunupi ishte sa një bletë.
Pasoi një heshtje e rëndë për të dy.
– Siç e shikon, spiun jam. Të tjerë po ikin kësaj rruge për në kufi. Kalojnë në Greqi edhe nëpër borën që ka ngrirë në lugje e hone. Ndërsa unë, siç të thashë, tani ruaj këto dele.- Si heshti pak, ia nisi si për të vëndosur një pikë në dramën e tij:
– Dhe ndez nga një qiri për manën, nënën time, Parashqevinë!
Dhe i lutem zotit të më falë mëkatin e madh dhe mëkate të tjera që mund të kem bërë në punën time dikur.

_ oOo_

blank

HEBREU I FUNDIT Tregim nga SHKËLQIM HAJNO

 

Një ditë më parë, në qytetlimanin e vogël buzë detit, ia behën autokolonat e para me gjermanët që vinin nga Greqia. Atë vjeshtë të dytë, qyteti sikur ngriu prej një akulli siberian. Varkat me kupi, që niseshin çdo ditë për peshk deri tej, në Kanalin e Korfuzit, nuk lëvizën. Qetësia dhe zhurmat e zakonshme të ditënetëve u prishën nga tollovia e makinave dhe triçiklave të ushtarëve me helmeta dhe armë në duar. Thirrjet në gjuhën gjermane, si komanda vjekjeje, gërvishnin si në metal veshët dhe zemrat e banorëve paqësorë.
Një hije frike, si një cohë e zezë, u nder cep më cep në krejt rrugët dhe shkallaret e gurta, hyri në çdo skutë, dyqan me qepena mbyllur, uzeri dhe ato pak hotele në vijën buzë detit. Të nesërmen e pllakosjes së qytetit me gjermanë, përveç dy furrave të bukës, askush tjetër nuk shkoi në punët e përditshme.
Një shi i ftohtë vjeshte nisi të rigojë në rrugën me shkallare që ende mbante pllakën “Via Konti Ciano” dhe niste vertikalisht nga Limani drejt qytetit. Në uzerinë e Dhosit, me tri tryeza jashtë dhe pak të tjera brenda, binin në sy vetëm dy klientë të moshuar. Ata dalloheshin prej së largu, pasi njëri ishte i veshur krejt në të zeza dhe me mjekër të bardhë, ndërsa tjetri, i moshuar gjithaq, kishte veshur një palë qillota dhe një pallto me një cohë angleze. Të dyja të blera në dyqanin me emër të Qirkove, në rrugën e kishës.
Tek flisnin nën zë me njëri-tjetrin dhe me kafet e zakonshme përpara, siç bënin çdo ditë në të njëjtën orë, dy të moshuarit vunë re se Pirro, korrieri i bashkisë, u avit te oborri i uzerisë dhe u drejtua nga ata. Merrte frymë me zor si pas një vrapi.
– Shyqyr që ju gjeta, zotni!- iu drejtua më parë ai myftiut të qytetit, Tanush Omeri.
Pastaj, u kthye nga njeriu me të zeza dhe me mjekër, duke thënë pothuaj të njëjtën fjali:
– Shyqyr që ju gjeta, papa Leksi!
– Qetësohu, rob i perëndisë,- ia pat Tanush Omeri.- Qetësohu njëherë!
– Si është puna, more njeri?- i tha papai i kishës së Shën Gjergjit në qytet.
Tjetri, i tmerruar, nisi të rrëfejë me gulçima lajmporosinë.
– Vij nga ata, nga gjermanët. Nga vetë ai, komandanti i madh, majori, siç më tha terxhumëni*) i tyre. Po nuk i gjete, më thanë, mos e sill kokën!
– Çfarë porosie ke?
– Ju kërkon të dyve komandanti gjerman.
– Ku? Ku?- pyetën me një gojë të dy klerikët.
– Ku na kërkon, more njeri,- e ndau llafin myftiu, me filxhanin e kafes në dorë.
– Atje ku vendosën komandën e tyre sot, në pallatin e beut, zotit Syrja, në katin e dytë, te ballkoni. Atje më priti më i madhi i tyre. Më dha afat gjysmë ore. O perëndi e madhe! Shyqyr që ju gjeta. Dje kishin vrarë shtatë njerëz në të hyrë të qytetit.
– Mirë, mirë,- u dëgjuan të thoshin dy klerikët, që e pinin kafen gjithmonë në këtë orë te uzeria e Dhosit.
– Dhosi! Bëji një kafe Pirros, edhe një uzo nga ne.
Pirroja shikonte me sy të shqyer, si nga një botë tjetër.

***

Në javën e dytë të shtatorit 1943, në murin e fasadës së godinës së Syrja bej Zabërzanit ishte shkruar: “BEFEHLE, komanda”. Dy flamujt e kuq me kryqin e zi të thyer të svestikas në fushë të bardhë ishin vendosur në shtiza të pjerrëta në dy cepat e ballkonit të katit të dytë.
Dy klerikët iu afruan godinës.
– Halt! Halt!- thirri roja me automatik në fund të shkallëve të jashtme. Dikush zbriti dhe komunikoi me rojen.
– Jeni klerikët? Kaloni sipër! Ju pret komandanti,- tha njeriu që foli shqip.
Sapo shkelën edhe shkallën e fundit me pllaka të dekoruara të katit të dytë, në krye të sheshqëndrimit i priste një ushtarak, që dukej nga shenjat se ishte më i madhi i të ardhurve në qytet. I gjatë, me kapelë me ballinë të kthyer përpjetë, komandanti iu drejtua të sapombërriturve:
– Gut. Sehr gut!
Përkthyesi në krah të tij bënte shpjegimet:
– Mirë! Shumë mirë. Tani nga ju zotërinj të nderuar, që jeni dy udhëheqësit e këtij qyteti të vogël, unë kërkoj të njoftoni menjëherë çifutët që banojnë këtu. Të paraqiten para kësaj godine. Të gjithë pa përjashtim! Aq sa janë. Sot! Menjëherë sot! Dhe jo nesër! Kuptuat?!
Ai e ndërpreu fjalën e tij si me thikë dhe u hodhi një vështrim të thukët nga sipër.
– Kuptuat?
– Kuptuam, zotëri,- tha me zë të ulët myftiu Tanush Omeri.
– Po ti me mjekër, kuptove?- iu drejtua gjermani papa Leksit.
– Po zotni, kuptova mirë, shumë mirë,- tha njeriu me raso të zezë.
– Tani duhet të kuptoni edhe një gjë tjetër, të dy. Keni vetëm dy orë kohë,- tha komandanti.- Dy orë për t’i sjellë këtu përpara, me këmbët e tyre,- dhe bëri me kokë nga sheshi që ndodhej përpara godinës së komandës.
Të dy klerikët u larguan të heshtur. Vështrimi zhbirues i oficerit gjerman i shoqëroi nga ballkoni deri sa humbën në kthesën e parë të rrugës.

***

Kishin kaluar ndoshta dyqind metra nga godina me flamujt e kuq dhe kryqin e zi, kur mbajtën këmbët.
– Po tani?!- foli i pari papa Leksi, duke parë në panik mikun e tij. Myftiu pa nga deti, sikur aty të gjente formulën e kësaj koklavitje të madhe që u ra mbi krye dhe që kërkonte kokë njeriu.
– Ç’do t’i themi, zoti Tanush? E kupton ç’gur të madh kemi në kurriz tani?
Tjetri nuk foli menjëherë.
– E kuptoj,- tha trishtueshëm.- E kuptoj, vëlla, e kuptoj. Po ato tri familje që kanë mbetur ende pa ikur, ne nuk do t’i japim! Apo jo? Do të flasim me besalitë tanë, do t’i veshim si gjyshet, si gratë e vashat tona, si ne…
– Dhe, me ndihmën e Zotit të madh,- tha papai.
– Me ndihmën e Zotit të madh,- tha myfti Tanushi.- Pastaj shtoi:
– Me ndihmën e Zotit të madh që është në qiell, mbase e heqim këtë ndiliksje*) të madhe nga qafa jonë dhe e qytetit.
Pas këtij çasti, si me komandë, vështruan secili orët me qostek dhe u dhanë këmbëve, duke u tretur të dy nëpër oborret e shtëpive me frangofiq e borzilok mbi det.

***

Kishin mbetur vetëm pesë minuta nga skadimi i afati të kobshëm të caktuar nga oficeri gjerman. Të dy klerikët, myftiu dhe pas tij papai, u dhanë para komandës. Që sipër, mbi ballkonin e katit të dytë, triumfues dhe me një kamzhik që rrihte herë pas here çizmet e zeza, komandanti i pa me një padurim që lexohej menjëherë në fytyrën e tij eshtake.
– Më thoni menjëherë të rejat që dua, zotërinj klerikë!- tha komandanti.
– I nderuar zotëri, ju betohemi për atë Zot,- dhe pa nga qielli,- ne e dinim që kishin ikur pak ditë më parë. Por, për siguri dhe respektin tuaj, u interesuam përsëri. Mësuam se të gjithë kanë ikur në ishull, në Korfuz, tri ditë më parë, me varka.
Heshti pak.
– Sepse e dinin, siç mësuam sot, që do të vinit ju,- tha i pari me një gjendje hutimi myftiu që kishte çarë akullin.
Oficeri e vështroi ngultas me sy dyshues prej dhelpre.
– Ashtuuu?!
– Po, zotëri oficer. I fundit hebre është largur një ditë më parë, bashkë me familjen, po në Korfuz. Me varkë.
Komandanti u kthye befas nga kleriku tjetër.
– Po ti, njeriu i zotit me mjekër, po këtë mendim ke?
– Si urdhëron, zotëri! I fundit ka ikur tri ditë më parë, gjithmonë me varkë. Me kupi.
Pas kësaj, papa Leksi bëri kryqin dhe tha si me pëshpërimë: “O Zot, mos na tradhto!”
Oficeri iu kthye me zë të çjerrë përkthyesit:
– E dinë këta të rrjedhur se ç’do të thotë kjo?
Tjetri ua përcolli të dyve pyetjen fatale.
– Si urdhëron, zotëri!- thanë pothuaj me një gojë, duke e parë në sy njeriun me uniformë ushtarake, i cili nisi t’i binte tani çizmes së djathtë më fort me kamzhik.
– M’u hiqni sysh! Tani! Menjëherë! Dhe, po doli ndryshe, e dini se ku do t’u var?
Klerikët nuk folën, ndërsa tjetri shtoi:
– Që të dy tek cepat e këtij ballkoni. Njërin majtas dhe tjetrin djathtas!
Papa Leksi si përgjigje bëri kryqin disa herë, duke nomatisur me vete.

Pas pak, të dy të thirrurit po zbrisnin shkallët e ndërtesës së komandës për të dalë në rrugë. Papai bënte kryqin në mënyrë të përsëritur dhe që të dy pëshpërisnin si në një rrëfim me të plotfuqishmin: “O Zot, ndihmoi robt e tu, mos na tradhto!”.

__oOo__

blank

SKËNDERBEU I TRAGJEDISË SË HAXHIADEMIT, NJË TJETËR PAVDEKËSI, POR E PLAGOSUR… Nga Visar Zhiti

…dua të marr ndër duar tragjedinë “Skënderbeu” të Etëhem Haxhiademit, ta shfletoj sërish e sërish, sidomos sot…
Vit Skënderbejan, 555 vjet pavdekësi… Prisja një si të kremte të madhe, mbarëkombëtare, me pjesëmarrje nga Europa, të cilën e mbrojti heroikisht, nga bota, historisë së cilës i përket… një Krujë tjetër, sheshe e shtatore të tjera, panteon të tij, mesha, ishte dhe Atlet i Krishtit, akademi, teatër, të ngjitej në skenë Skënderbeu i Haxhiademit, opera, ekspozita, konkurse e konferenca, kolanë botimesh skënderbejane, homazhe dhe fishekzjarre në qiellin e tij sot.
555 vjetët pavdekësi e madhërishme si një tronditje në heshtje e tokës, 5-5-5 si një trini heroike përkrenaresh, edhe e shenjtë…
Por unë i besoj letërsisë shumë. Skënderbeun na e lanë plot shkëlqim Barleti dhe Frang Bardhi, etj, e ringjallën De Rada dhe Naimi e At’ Fishta, etj. Është e madhe biblioteka skënderbejane dhe shumë gjuhëshe.
Po unë thashë, do marr një libër në gjuhën e Gjergj Kastriotit, tragjedinë e Etëhem Haxhiademit si për të gjitha këto…
Është një çudi e letrave tona, kam thënë, ka sjellë të paarritshmen nga askush më parë e as më pas. Ka botë dhe kohë, bashkon antikitetin greko-romak dhe klasiken e Rilindjes Europiane, iluminizmin, shekspirizmin me rilindjen shqiptarë duke ringritur ato që shëmbën shekujt e errësirës, Pallatin Mbretëror Skënderbejan dhe Katedralen e shpirtit të Kombit.
Na ka sjellë një Skënderbe sa kompleks dhe të qartë si statujat e tij, mbret dhe luftëtar, udhëheqës dhe njeri, i mençur, zemërmadh dhe dinak, i pamëshirshëm dhe falës, i kërcënuar nga jashtë nga armiku i madh, por i kërcënuar dhe nga brenda, edhe nga tirania e vet e mundëshme. Në krah ka Donikën mbretëreshë, dinjitoze, mbështetëse, rrezëllitëse si ikonë.
Shpirti i tragjedisë, vetë tragjedia është një grua tjetër, Zanfina, bashkëshortja e gjeneralit të Skënderbeut, e Moisi Golemit, që tradhtoi dhe u kthye prapë, një përzierje e ambicjes shtetërore me qëndresën ndaj sindromave të tiranisë, misionar i detyrës dhe kundërdetyrës dhe detyrës prapë, etj. Po është Zanfina më në qëndër, që frymëzon dhe nxit, që guxon dhe flet. Kur burri i saj tradhton atdheun, ajo guxon dhe zgjedh të mbajë anën e burrit, është e tij, e betuar dhe kur burri kthehet i penduar, ajo e qortim që nuk e çoi deri në fund punën e nisur. Mbase e çon më tej Hamzai, nipi i Skënderbeut… Tragjedia është e gruas, ajo vret veten. Por dhe e kombit… aty është thelbi universal i vetes, i njeriut.
Tragjedia nuk e ka mbushur ende shekullin, që nga kur është shkruar, në 1935, kur autori ishte 33 vjeç, në moshën e Krishtit, në Gjirokastër, ku kishte lindur dhe bridhte antikrishti, djalli i kuq, që do të sundonte Shqipërinë për një gjysmë shekulli. Me të mbaruar Lufta II Botërore, fitimtarët do ta burgosnin tragjedianin e parë, Etëhem Haxhiademin me akuzën se ishte nacionalist, me Ballin e Kombit, pra, skënderbejan. Mbi supe i vunë kryqin e rëndë të dënimit me vdekje. Ai nuk doli gjallë nga burgu…
7 tragjeditë e tij (aq ka dhe Eskili) u ndaluan. Emri i tij u mallkua. U braktis ajo fryma e tij në letrat shqipe, u fut urrejtja dhe përçarja.
Nëse do të ishin lënë, qoftë dhe vetëm vepra “Skënderbeu” e Haxhiademit të lexohej, të njihej nëpër shkolla, edhe At’ Fishta, edhe Konica, edhe Nënë Tereza, më ndryshe do të ishte edukata kombëtare, besoj, duke u rritur do të silleshim më mirë si popull me njeri-tjetrin, do të kuptonin absurdin e luftës së klasave, dhembshurinë, do ta dinim se cili ishte armiku, sundimtarët dhe shtetin, etj.
Tragjedi tjetër është tani dhe mosnjohja e tragjedive të tragjedianit të parë dhe të vetëm shqiptar, Etëhem Haxhiademit, lënia ende në “Burrelin e harresës”, moslejimi i asaj fryme njerëzore deri në shenjteri. Altaret e Kombit po duan t’i mbushin serish me urrejtjen që la trashëgim enveri, me antipsalmet e tij dhe për të, që i ndjejnë si poezi të djallit, në bibliotekë pëlqejnë librat me stalin, era e këtij dimri u nëpërmend mjekrrën e Marksit, kjo u duket epos. Asnjë fjalë për Haxhiademin, asnje falje, konvertim i frikshëm për të mbrojtur mashtrueshëm atë që ishin, socrealizmin e emrave…
Kur ktheva faqen e fundit të tragjedisë “Skënderbeu”, fjalëve të tij si amanet:
“Barbarit të tërbuëm sa të jem gjallë,
Do t’i vërsulem rreptësisht me pallë
Dhe gjak i im bregoret do t’i lajë,
Që t’rroj Shqipnija dhe flamur’ i sajë!”
U shtova këto dy vargje në stilin haxhiademjan:
Dhe i vdekur armiqtë do t’i luftoj
Dhe me vdekjen time Atdheu do të rrojë.
Chicago, Roselle, 17 janar 2023

blank

MIQËSIA IME ME BASHKËTHEMELUESIN E SURREALIZMIT PHILIPPE SOUPAUL- «PO PSE JE KAQ HUMAN, NË NJË BOTË TË PAMËSHIRSHME?» nga Skënder SHERIFI

Kur më rikujtohet sot miku im i dikurshëm, por i përjetshëm Philippe Soupault, të cilin publiku i gjerë nuk e njeh fare, edhe pse ka qenë figura themelore, pionieri i Surrealizmit, bashkë me liderin shumë më karismatik, por mjaft autoritar, z. André Breton ( i cili njihet shumë më mirë, si autor dhe intelektual, ndërsa Filipi ka ndejtur padrejtësisht tepër diskret dhe nën hijen e tij. ) Nëse flitet për atë lëvizje madhore të shekullit 20, e cila ka dominuar të gjitha fushat krijuese planetare, bile për 6 dekada, në minimum, duhet t’i kemi disa nocione paraprake në kujtesë. Simbolikisht dhe si referencë evidente historike, mund t’i përmendim në Teorinë e Surrealizmit, këto dy vepra kryesore bazë, që janë së pari : «Fushat Magnetike” – botuar nga të dy autorët së bashku Breton-Soupault, që në vitin 1919-20, dhe pak më vonë, ai “Manifesti fiozofik” i asaj shkolle filozofiko-artistike fantastike, botuar në vitin 1924, – pra, çka është surrealizmi, ku mbështetet, çka propozon, ku e ka vijën drejtuese, dhe cilat janë objektivet e tij ?»

Ajo rrymë lind nga vitet 1920, me Dadaizmin, të cilin e kanë imponuar gradualisht disa artistë dhe filozofë, më tepër gjermanikë, që në fillimet e tij ( Austri, Zvivër dhe Gjermani ). Pastaj është zhvilluar, konsoliduar dhe teorizuar me Surrealizmin, të cilin e kanë analizuar, dekoduar, shpjeguar dhe teorizuar pikërisht ky duet letrarë, që janë André Bretoni me Philippe Soupault-në ! Dhe prapë sot, në vitin 2022, një shekull pas, ajo shkollë, e cila për mua është një revolucion kulturor dhe artistik madhor, e ka ruajtur të njejtën fuqi imagjinative dhe ngelet prapë aktuale apo në modë, për çdo Publik evropian ose amerikan. Nëse keni ndonjë dyshim: provojeni ju vet ! Le të hapet kudo, në Metropolet emblematike planetare, një ekspozitë profesionale e kompletuar e Salvador Dali-t, e Max Ernst-it, apo e René Magritte-it, dhe do jetë automatikisht një sukses publik i paparë dhe i garantuar, me firmën time. Sepse, surrealizmi, e ka një fuqi atraktive dhe një magnetizëm në vete, ka diçka të thellë, që të tërheq automatikisht, që të thret, ti prekë dikund telat e shpirtit tënd sekret. Kam tentuar për ta kuptuar sepse ? Sepse, i adresohet surprizës, të papriturës, ëndrrës, botës paralele misterioze dhe të fshehtë, subkoshiencës, pjesës tjetër të trurit dhe të shpirtit të njeriut, icebergut të tij të panjohur … dhe është ajo gjë, e cila na tërheq. Mua, prapë, pas 100 vitesh, e di që do më mahnitë përsëri bota e Salvador Dalit, apo e Magritt-it, apo një film i Bunuelit. Kurse ka shumë pak shance, për të më fasinuar apo befasuar për mirë, një pseudo abstraksion apo instalacion i sotit, një kloun mediatik alla Jeff Koons ( përpos ndonjë eksepcion artistik tepër i rrallë ! )

Ua kam thënë që e ka bazën e saj frymëzueze tek psikoanaliza e FREUD-it … pra, të gjitha ato që na i ka sqaruar, Gjyshi jonë Sigmund nga sallonet e Viennës, duke i mashtruar dhe abuzuar me famën dhe me mjeshtërinë e tij manipuluese, por mbi disa të vërteta shkencore, të padiskutueshme, e jo çdoherë, mbi një hiç, si tek neve te Shqiptarët, të gjitha borgjeze të Austrisë tradicionale dhe katolike. E natyrisht, kjo gjetje e surrealizmit ka qenë gjeniale, e pasur dhe e pa demodueshme, gjithmonë aktuale, ngaqë, subkoshienca do jetë çdoherë pjesë e errët e jona, diçka misterioze, e cila do na përcjell përjetësisht mbi këtë tokë ( pra, si me e përdorur dhe aplikuar botën Freudiane në art, në krijimtari dhe me teorizuar në aspektin filozofik dhe pedagogjik nëpër Odat e Malësisë evropianë ? ) … Ta thrasim Bretonin me Soupault !Ndërsa pjesa tjetër frymëzuese, do me thënë ana më politike e revolucioneve të majta komuniste, si ai i tetorit 1917 në Rusi, gjithë ajo pjesë bolshevike, marksiste, leniniste, apo trotskiste … është për mua, pak më e diskutueshme, dhe aty i kam disa rezerva të forta ndaj miqëve të mi surrealistë. Pos me Philippe Soupault-në, kam qenë mik edhe me piktorin tepër magjik dhe të famshëm belg, zotin Paul Delvaux, i cili më ka pritur edhe tek shtëpia e tij private në Furnes (Deurne) të Flandrës, çka ishte një privilegj i rrallë. Bile e ka edhe Muzeumin e tij pak më larg në Saint-Idesbald Por, e ka botën e tij të veçantë, ka qenë surrealisti më i famshëm i Belgjikës bashkë me René Magritte. Mirëpo, gjatë bisedave tona të shumta, edhe ai ishte dakort me mua, për ta kundërshtuar seriozisht atë pjesën politike komuniste, të asaj shkolle, ( për mua nuk kishte shumë vlerë, pos për ta huazuar vetëm idenë e revolucionit, por si koncept teorik, për ta vendosur pastaj në praktikë në fushat artistike, por me kusht, për t’iu larguar sa më parë, të gjitha pozicionimëve të tjera politike ) ngaqë, sipas meje, politizimi i tepruar, e dëmtonte dhe e kufizonte më tepër atë lëvizje fantastike surrealiste … pra, ja reduktonte atë anën e saj provokuese, imagjinative të pakufi, atë lirinë e lirë. Tani, a ka sens për një shkollë artistike, aq origjinale, e pasur, dhe e fuqishme, për t’u shndërruar në një lëvizje militante politike ? Për mua, JO !

Me Philippe Soupault-në, na ka lidhur një miqësi e fortë afektive, diçka e rrallë, nuk e di pse ? Na ka kaluar energjia së bashku … I kam tri ose katër kujtime pikante me të, që edhe sot më bëjnë për të qeshur me shumë mallëngjim dhe nostalgji humane.

I pari, ka qenë kur më tha, që gjatë disa udhëtimëve të tij nëpër Europën e lindjes apo ballkanike, ka qenë në ato vitet 1930, në kalim e sipër, në Shqipërinë e kohës së Zogut, ha, ha, ha … kam qeshur deri në lot, kur ma tregoi atë ngajrje, sepse, nuk mund ta imagjinoja Babain e surrealizmit në Albaninë e orientalizuar, të varfër dhe e shndërruar në një No Man’s Land mjedis evropës greko-italianë, që ngelet si shenjë apo si djep civilizimi, ndërsa neve nuk kishim dalur akoma nga një narkozë e thellë post-traumatike. Dhe unë e pyeta spontanisht: » po mirë, i dashuri Filip, a ishe për aventurë surrealiste atje, apo për një bredhje ekzistenciale absurde, si në filmat e Antonionit apo të Kaurismakit në natën finlandeze ? Dhe çka të ka pas bërë më tepër përshtypje në Shqipëri, gjatë atij kalimi tënd të shpejt andej, duke e përfunduar një sahan me kryelanë ? »

Dhe m’u përgjigj : » trotuarët 1 metra të lartë nëpër kryeqytetin e juaj Tiranë, ku vinin Femrat e mbuluara, hipur mbi një Gomarë dhe zbrisnin në anën e trotuarit, për të mos e thyer këmbën. » Prapë, qesha me gaz, se m’u dukë gati një hajgare, ose një skeç provokativ dadaist … dhe i tash vetës, a mos është duke më testuar apo duke luajtur me mua ? Hezitova një moment, me ju thënë të drejtën, sepse e doja, por në anën tjetër, e kisha atë krenarinë e Malësorit, atë shpirtin e Kaubojve spagetti alla Tropojë … dhe për pak isha duke i thënë – « He, të raftë murtaja, zoti Soupault, se na ke turpëruar Kombin, a e dinë që i kemi 3000 vite Histori dhe që jemi Nipat fisnik të Skenderbegut dhe të Frashërlinjve, dhe ti na flet për trotuare dhe për femra mbi një gomarë ! Na ke ofenduar miku im … të presim për një duel me pushkë në sheshin kryesorë, nesër herët në mëngjes, kur të lind dielli. » Mirëpo, e kam edhe nje pjesë timën budiste, pak më të urtë, e cila më tha, pranoje vlerësimin e tij dhe çoje deri në fund … Dije që gjërat janë të shkruara dhe që jeta funksionon me cikla. Sot je në këtë epizodë të ekzistencës tënde të mjerë, por dje ke qenë dikush tjetër dhe nesër do jesh prapë dikush tjetër. Dhe na duhen disa etapa për t’u plotësuar, për ta përfunduar ciklin e plotë jetësorë dhe për ta mbrri urtësinë, Nirvanën. Tani, ti djalë, pop e rock, i droguar, shikoje sesa është autentik dhe i sinqertë zoti Soupault ? Dhe e pyeta përsëri me muzikën hipnotizuese e Ravi Shankarit : « po çuditem, Filip, miku im i nderuar, por asgjë tjetër nuk të ka bërë ndonjë përshtypje në Shqipëri, pos atyre trotuarëve të mutit ? Si është e mundur ? A e dinë që jemi një Popull shumë i vjetër, që nuk humbem, as nuk tretem, kemi ndikuar në Egjipt, Turqi, këndej dhe andej … a është normale ?

E pau që isha pak i irrituar por i përmbajtur dhe më tha: « po të kuptoj, i dashur Skënder, dhe më fal, nëse të kam ofenduar me këtë reagim banal, por nëse e pranon vërtetësinë time shpirtërore ashtu siç është, vetëm ajo skenë më ka pas bërë mua personalisht përshtypje, dhe asgjë tjetër … fatkeqësisht ! Nuk kam parë diçka marramendëse, vetëm pluhur, lluç, varfëri, mizerabilitet, mjerim, lypsa, shkretim, si në botën e tretë miku im. Dhe e kam ruajtur imazhin e atyre trotuarëve në kokë. Sepse, nuk kam pa diçka të tillë në shtetet e tjera të këtij Kontinenti. » Okay, i dashur Filip, e pranoj pa problem, është e drejta e jote, nuk mund të diskutohet fare. Pra, a po e sheh, që dikund kemi qenë surrealista intuitivisht, por pa e ditur se çka jemi ?

Dhe ashtu, u përmirësuar përsëri atmosfera, duke e vazdhuar me humor reciprok.

Disa dekada pas, bile edhe sivjet në muajin Nëntor 2022, që e kalova në Tiranë, duke shëtitur me kusheririn tim ISA dhe me mikun tim shqiptaro-anglofon Rudolf Markun, më bënë edhe mua nëpër disa lagje të kryeqytetit tonë, përshtypje ato trotuare aq të larta ( bile shkonin lehtësisht deri në 70 centim, ndoshta jo tamam 1 metër siç më thoshte Filipi … por nuk kam pa as vetë, aso lloj trotuarësh kudo që kam lëvizur në Europë ) kështu, që m’u deshte për të qenë mjaft i kujdesshëm për të mos e thyer pahir këmbën, në një mënyrë krejt absurde. Dhe m’u rikujtua Philippe Soupault-ja ! Por nuk më kishte bërë ajo punë përshtypje mua personalisht gjatë 30 vitëve. Por tani vonë, PO ! Ah, bullshit ! A nuk kemi diçka më serioze dhe me vlerë për ta bindur Botën ? Me të ardhur keq dhe inati realisht … Ejani ta pimë një birrë së bashku !
Rasti tjetër, ishte krejt i ngjajshëm me atë të mikut tim filozof Jacques Derrida, sepse erdhi një ditë i ftuar nga shoqja ime Monika Dorsel, drejtoresha e Teatrit të Poezisë në Bruksel, zoti Philippe Soupault, personalitet gjigant i kulturës frankofone por edhe botërore, të cilin do ua prezantoj në aspektin më profesionalë, pak më vonë, pasi që t’i shijoj disa meze. Dhe më thirri Monika duke më thënë: » eja shpejt nesër Skender, nga ora 20, se na vjen miku yt Philippe Soupault për një prezantim letrarë në teatrin tonë dhe thirri dy-tre personalitete ! « Po, patjetër : Ramazan Hajrullahun, Hajredin Maksutin, dhe Avdullah Llafazanin … nga Dibra, Luma dhe Hasi … po mirë Monikë, a ke lajmëruar gjithë dynjanë, ti zonjë, se nuk është kushdo zoti Soupault, duhet ta kemi për nder që po na vjen së pari ! A i ke lajmëruar të gjitha Mediat, Shoqatat, Fiset e Belgjikës, të Flandrës dhe të Valonisë, kafet e emigrantave, restorantet, Bajraktarët e Shqipërisë dhe të Kosovës ? Mos të korritemi kot, dhe thirrë kënd të mundesh, se po të hanë dreqi ! » – Jo, jo, cool i dashur, se kryesorja është që të ketë ndodhur aktiviteti dhe ti e dinë, që unë nuk dua rrëmujë dhe mundim të tepërt, dhe mirë se na vijnë subvencionimet nga institucionet e shtetit. « Po mirë, kur të mbaron seanca pas orës 22, po themi, a ja ke propozuar një natë në Bruksel ? » – Jo, se do e merr trenin e fundit në ora 23, Gare de Midi … e çoj me makinë, ose e merr taksin !

Dhe nëse do me qendruar një natë këtu, vendose ti te ndonjë mik shqiptarë, i cili e ka një Hotel dhe merruni me të … nuk mungojnë Njerëzit e gjindshëm tek ju !

I tash në humor : për qejf, ju kisha dërguar unë vetë, ty dhe disa institucionalë të kornizuar të Belgjikës, për një stazh 3 mujorë në Minat e krypës në Siberi, sa për t’i rikujtuar disa vlera njerëzore të vërteta dhe disa norma shoqërore edukative. Por nuk e kam fatkeqësisht atë mundësi. Filozofia e juaj është sikurse e jona në thelb : qysh me përfituar, me zhgryer, me zhvatur, me kalkuluar, pa u lodhur fare, pa u munduar dhe me një lehtësi maksimale në aspektin e përgjegjësive. It’ okay Baby … Let’s go !

Dhe na erdhi sikurse filozofi, Philippe Soupault-ja, në Teatrin e Poezisë, me një libër të ri me poezi, dhe përballë 10 vetave në skenë, duke më hequr mua dhe Monikën me nga një shoqërues, maksimum 6 spektatorë autentik që kishin paguar një hyrje. Më erdhi patjetër turp dhe e pava qehren e Filipit, i cili filloj për t’u luhatur në mend … Dikur më tha : « Sherif, çka është kjo punë ? A nuk ka më shumë Njerëz ? A nuk e keni lajmëruar siç duhet profesionalisht këtë ngarje kulturore në media dhe në publik ? Mos është një kurth kjo seancë ?

Ja shpjegova imtësisht funksionimin personal të Monikës, drejtoresha e Teatrit dhe i thash: që pos për ta lajmëruar automatikisht në broshurën apo revistën e saj të brendshme të Teatrit, e cila i ka 1000 të abonuar dhe ju vjen me postë tek shtëpia e tyre, nuk ka reklamim tjetër. Krye atë seancë, o burrë, merre si skeç surrealist e dadaist, për Portokallinë, Fare Fiks, apo Al Pazar … Cool Men, me grupin Cool and the Gang, mos u formalizon fare, se do rrimë së bashku, për qejfin tonë. E sprovojmë ndonjë birrë apo verë. Të marrë unë përsipri deri nesër pasdite me Mërgatën e Qyqëve. Dhe shkuam në një kafe të Shen Gjillit, lagje popullore dhe plot me emigranta të 100 kombësive të ndryshme në Bruksel. Pak pasi u ulem na erdhi një magrebian tek tavolina me ca objekte.

Skender, më tha Filipi, kush është ky tip, çka ka me né dhe pse po na pengon ?

— Po na i propozon disa materiale të vjedhura, të ramë nga mahuna ? Më thuaj, ke nevojë për diçka, se po bëjmë pazar ? Ndonjë orë, parfum, telefon ? Ha … ha … ha …. me vdekë së qeshuri… por edhe ai, e mori pozitivisht !

Me siguri, do i ketë thënë vetës: « ky qenka edhe më i çmendur sesa unë … «
Kaloj edhe kjo punë horash në kryeqytetin evropianë, pa pikën e kulturës, i ngopur me pensionista, me emigracion dhe me klasa katundareske të pasura, apo komplet të dështuara… mes të cilave, kultura dhe arti vlejnë sa një pako Pom Frita të skuqura me një salcë andaluzë. Ky është realiteti i mjerë, o Miq, nuk kam se çka me bërë ! …

Të nesërmën kisha për të vajtur në varrimin e një miku të babait tim në Skarbeg, ku Ibrahim Kodra, kubisti i parë shqiptarë, na ka lënë si kujtim në një shesh të shkretë, statujen e Skenderbegut, e cila i përgjante më tepër Shën Kollit që ju shpërndante bombona dhe çokollata fëmijëve çdo 6 dhjetorë, ose një Plaku të shkretë pensionist, i abonuar në domino dhe çaj kamomili, sesa një Luftëtari historik dhe emblematik. I thash vetës: « ky është Heroi i jonë, Trimi i madh kombëtarë, dy pllëmbë mbi tokë dhe me një kosto maksimale ! » Pra, edhe aty, në celebrimin zyrtarë të një figure gjigante shqiptare, në Bruksel, ka mbretëruar korrupsioni i gjithë anëshëm. Dhe kur e varrosem në komunën e Skarbegut atë bashkatdhetarë, na erdhi zoti Nezir Spahia, i afërt i mbretit Zog dhe i djalit të tij, Leka i parë, nga periferia e Parisit, Créteil, një udhëtim prej 3 orësh rrugë … dhe na tha të gjithëve mbarë, larë e palarë : » shikoni, o vellezër dhe miq, kjo është hera e tretë, që po ju vi nga Franca, për ta varrosur një mik timin shqiptarë në Belgjikë, dhe është pak mundim, me 6 orë rrugë për mua.

Tani, mundësisht, a ua merr mendja, për të vdekur me nga 5 apo 6 veta për një herë, që të më lehtësoni punë edhe mua në pleqëri dhe do vi për t’iu përcillur me qejf të gjithëve menjëherë. Se dijeni që një nga një, sot, nesër, dhe pas një jave … sinqerisht nuk më përshtatet. Pra, përpiquni pak, gruponu, dhe gjithë ata që kanë për të vdekur, le të merren vesh së bashku për të na shkuar në të njejtin afat të caktuar. »

Na bëri për të qeshur ! Pastaj, kujtimi tjetër që kam me Philippe Soupault-në, është fakti që e kam vizituar rregullisht, gjer në fundin e jetës së tij në fakt. Por dikur ishte mjaft i lodhur dhe i pafuqishëm, dhe mos harroni, që ka pas jetuar mbi moshën 90 vjeçare. Kësthu, që me psikologjinë e Europës Përendimore : « sa je, je … dhe kur nuk je, nuk je ! Do të thotë, që sa të jesh aktiv dhe dinamik, pranohesh, të takojnë, ke lëvizje këndej dhe andej, vizita, propozime, e gëzon një interesim real dhe praktik, por kur të thuash apo të bëjsh për të kuptuar … – JO, se tani jam i lodhur, i kufizuar, i kam lënë aktivitetet e mia, jam tërhequr nga pleqëria, dhe po rri tek shtëpia ime, apo në domin e pleqëve … Sinqerisht, të nderuarit miq, nuk do pyet askush për ty dhe nuk të vjen askush për ta kaluar një orë për qejf apo respekt pranë teje.
Në Paris, Londër, New-York, etjera Metropole mbretëron individualiteti, Rinia, funksionimi praktik, aktiviteti, egocentrizmi maksimal, kalkulimi dhe interesa, prodhimi, konsumimi, dhe nuk ka shumë vend për Humanitet, për gjëra falas, për anën e ngrohtë shoqërore apo afektive, për shprehjen e dashurisë apo të miqësisë.
Dhe do harrohesh, do lihesh anash, nuk do merret askush me ty realisht.

E ke krye procesin tënd të punës, të funksionimit dhe tani ke dalur jashtë përdorimit, si një makinë tepër e vjetruar. E hudhin në varrezat e makinave ! Bile më duket, që miku im hispano-francez, autor dhe regjisor, specialist i shahut, Fernando Arrabal, e ka pas shkruar një vepër provokative, pikërisht mbi këtë temë. Filozofia është shumë e thjeshtë dhe pragmatike. Duhet vetëm për ta pritur qetësisht fundin tënd dhe për të vdekur, duke i lënë të tjerët rehat. Kjo është përafërsisht logjika apo psikologjia përendimore. Nuk do vjen askush me të argëtuar apo kashagitur … Janë institucionet publike të paguara për atë punë ! Pra, do plakesh dhe do vdesish në shtëpinë tënde, nëse ke fat, apo shpeshherë në një Dom anonim, si numër dosje, ose në një spital, të ftohtë dhe kafkaian. Lamtumirë, humanitet … !

Mirëpo unë, me edukatën që kisha, kanunore, mesdhetare, jugore, intuitive, poetike, shpirtërore dhe pos asaj, duke qenë mësuar me SEGHERS-in, për 15 vite, vetëm në shkëmbime afektive, duke u përqafuar dhe puthur së paku 3 herë në ditë dhe duke më thirrur – Djalë – për çdo moment ! Pra, isha i abonuar në HUMANIZËM dhe në kodet kanunore të respektit ndaj Pleqëve, të cilët konsiderohen si të urtë dhe me përvojë, edhe nëse nganjëherë, mund të jenë injoranta patetik, por e kanë mund të thuash, me të drejtë, privilegjin e moshën, e cila do na imponon një respekt normal.

Dhe tani unë vija për ta vizituar Philippe Soupault-në, edhe kur ishte tepër i lodhur, apo jashtë përdorimit … çka e befasonte deri në ekstrem. Më thoshte mua, me një çudi të rrallë, pak nostalgji dhe mallëngjim: – » Po, i dashur Sherif, pse vjen për të më pa, tani kur nuk i duhem askujt për asgjë ? Pse je aq tepër human, se këtu në Paris, nuk bën … nuk e ke idenë se çka të pret, ngaqë, do auto- shkatërrohesh dhe biesh gradualisht në depresion, nga zhgenjimet e shumta, që do i pësosh me njerëzit në jetë. Parisi është një qytet super atraktiv, por tepër i pamëshirshëm … nuk e duron heshtjen, meditimin e thellë, imobilizmin dhe mos aktivitetin … duhet me qenë mjaft aktiv si bleta, dhe kur tërhiqesh, të lënë forcat nga defektet e moshës, e ke gati për dëtyrë morale, për t’u zhdukur ti vet dikund dhe për ta pritur qetësisht fundin tënd. Tamam siç bëjnë Kafshet, miku im … Luani, Tigri, Elefanti, shkojnë në një vend të qetë dhe të izoluar për të vdekur, pa i penguar të tjerët. Se këtu, askush nuk merret me ty, kur të shohin të paaftë për asgjë dhe komplet jashtë ritmit dhe gjithë lëvizjeve parisiane. Ka mbaruar filmi yt dhe tani je para fjalës « The End « dhe pikë ! Kështu, që mos hajde më, miku im Sherif dhe vazhdoji aktivitetet e tua lirisht. Është këshilli im ! Mos humb kohë, kot me mua, se më dhimbesh …

E futa këngën mitike të Jim Morrisonit « The End « diçka magjike dhe apokaliptike. E pava fundin e Botës, zhdukjën e Dinauzorit të fundit, qeshjet femërore, fëminore të fundosura nga ujërat dhe lavat vullkanike. « This is the End, my only Friend ! »

Më preken ato fjalë, i kuptova në thelb, se e njoh mirë logjikën evropiane. E mora Filipin, e shtrëngova si babëgjysh dhe e përqafova, duke e mbajtur bile dy minuta rreth krahëve të mi … Filloj për t’u emocionuar dhe për të qajtur si fëmijë … dhe unë nuk mujta për t’u përmbajtur … notova në lotët e mia … Motherfucker : çka na gjet ?

Na u mbyll cikli … babëgjyshi e ritakoj fëminë që ka qenë dikur mbi këtë Tokë !

Pasi që e rimora vetën, i thash spontanisht: « shiko, miku im i dashur Filip … sa ta kam një fije humaniteti në shpirt, një miligram edukatë malësore, sa të jam pjesë e racës njerëzore tamam, e jo e klounave virtual egocentrik gjer në ekstrem … ti do jesh miku im dhe do vi për të takuar, për qejfin tim dhe për respekt ndaj teje, ndaj veprimtarisë tënde madhore … A je babai i Surrealizmit, o Burrë ! Pse, a mos duhet me të hudhur në koshin e plehrave, pse je i plakur dhe i llodhur ? Jo, miku im … Ta kemi me borxh respektin, ndihmen, asistencën, dhe me ta ndërtuar një monument.
Në këtë pikë precize: dije që jam komplet anti-francez dhe anti-përendimorë ! Për mua, pleqët dëgjohen, ndihmohen dhe respektohen deri në fund … e kjo quhet edukata humane. Po pse, miku im Filip: gjithë kjo traditë aq e pasur humaniste dhe gjithë kjo trashëgimi e Rilindjeve … a na është propozuar për të mbrri deri në këtë shkallë egoizmi, indiference dhe mos humaniteti ? Unë, nuk mund ta besoj !

 

Pra, do i mbaj kanunet e mia, o Filip, kundër gjithë Parisit dhe New-Yorkut, okay ?

Ah, Sherif, je madhështor dhe unik, por për këtë shoqëri, tepër marsian. Je për t’u admiruar me vlerat që ke … por të këshilloj sinqerisht për t’u përforcuar në maksimumin e mundshëm, nëse nuk dëshiron për të përjetuar surpriza mjaft të hidhura. Këtu, nuk ka gjenerozitet spontan, miqësi dhe të pa kalkuluar … ta dish mirë ! Po nga të vjen ty personalisht gjithë ky humanitet ?

Zor me t’u përgjigjur o Filip … nga natyra, ngaqë jam i lidhur dikund, i kam ruajtur disa kode, rite, trashëgimi, kujtesa kolektive, i kam disa luhatje dhe antena, e perceptoj sensin dhe vlerën e çdo elementi jetësorë, ua di rëndësinë gjërave dhe marrëdhënieve njerëzore, e kam sensin e besnikërisë … Kaq !

Të gjitha këto të nderojnë natyrisht, i dashur mik, porse këtu në Paris, nuk funksionon shoqëria ashtu.

Dakort, e kuptoj, porse unë e kam ruajtur esencën time primitive dhe burimore, intuicionin e pikënisjeve, sensin e lidhjeve … nuk jam i fshirë komplet nga memoria tokësore dhe humane, nga trashëgimitë e të parëve, dhe nuk jam mbi këtë Glob të rrumbullakët, për të prodhuar vetëm debilitet, absurditet, trullografi, show dhe amnezi … por mundësisht, për ta lënë një gjurmë konstruktive, me pak sens shpirtërorë dhe pak humanitet !

Eja e të përqafoj dhe ta pimë një gotë … Se nuk i luan askush këto fjalë !

E ke me të drejtë: ti je i populluar me shumë kujtesa … je një shpirt super i lashtë, antik, i perzier me diçka tepër moderne, dhe gati avanguardiste. Je i përbërë nga një koktel unik dhe shumë i rrallë … duhet me qenë Nobelist i Kimisë, për me ta deshifruar siç duhet gjer në imtësi, gjithë alkiminë tënde. Supozoj që e ndien vetën super të vetmuar dhe të pakuptuar, çka është logjike.

— Po, e vërtetë, por jam i gëzuar që ti i dashur Filip, ma ke kuptuar esencën !

Po ua përshkruaj tani edhe një kujtim tjetër, ngaqë, po më sillet që sa kohë, si një satelit amerikan Apollo nëpër kokë … Një herë, më ka pas propozuar zoti Soupault, për të shkuar në një seancë letrare, ku u aplikonte ajo teknike speciale, e cila quhej dikur « shkrimi automatik » dhe mbrrimë tek një sallë, në një Kafe-Restorant të kryeqytetit francez, ku i gjetem rreth 8 Persona me një Hipnotizues, i cili ishte miku i njërit prej tyre. Dhe u ulën rreth një tavoline, po ashtu edhe unë me ta, dikush kërkoj për ta hipnotizuar, çka funksionoj me gjysmën prej tyre, ndërsa të tjerët mirrnin droga, kërpurdha, substanca hallucinogjene, dhe kur më pyeten mua : – po ti, çka dëshiron, Monsieur Sherifi … ju thash : » një shishe verë Bordeau me 4 vite vjetërsi, me pak djathë të Cantal-it dhe të Pireneve.

Po pse, a nuk doni drogë, apo hipnozë, zotëri ?

Jo, jo, faleminderit, por nuk ka nevojë, ngaqë për nga vet natyra, jam shumë më i droguar sesa ju, por pa drogë … sepse, ma prodhon trurin im drogën që më nevojitet. Tani, mund të më harroni, për ta vazhduar seancën tuaj lirisht.

Dhe i filluan deliriumet e tyre, por me një strukturë precize, ngaqë ishte një lider, si një lloj animatori për t’i drejtuar dhe një sekretarë, i cili shënonte gjithçka në një fletore. Dhe ideja ishte, gati si në Odat Malësore, që me rrallë çdokush prej tyre, ta shprehë spontanisht dhe pa kufizim fare, me një liri totale, atë çka i vjen, pra, çka ja dikton subkoshienca e tij ( dikush nën hipnozë, dikush nën drogë ) dhe filloj njëri prej tyre si Poet dadaist, me një frazë të kotë absurde, por komike, dhe ashtu me rrallë.

Tani, kur u mblidhnin të gjitha këto materiale bruto : kishe aty-këtu disa fraza mjaft befasuese dhe estetikisht të bukura, interesante si efekt surrealist special, porse, e kishin së paku, një fuqi poetike dhe imagjinative … pastaj, kishe mjaft fraza banale në formë, dhe pos asaj pa pikë sensi, të cilat përfundonin në kosh apo në kaftorr.

Pas një seance prej 2 orësh mesatarisht : të gjithë së bashku kolektivisht diskutonim mbi materialin tonë letrarë brut, dhe mbi seleksionimin e frazave apo të vargjeve, të cilat kishin një sens poetik, apo diçka interesante në formë, apo në sfond ? Më në fund, na ngelnin pas një seance shkrimi automatik, mes 10 deri në 20 fraza, të cilat i ruanim, me idenë që kishin një vlerë potenciale letrare. E falënderova mikun tim Philippe Soupault, sepse ishte një leksion praktik mjaft interesant për mua, sa për ta ditur në esencë, se çka do me thënë dadaizmi apo shkrimi automatik ? Nuk është si me ta thënë për borxh formalisht një Profesorë gjimnazi apo universiteti në një klasë si diçka krejt abstrakte dhe teorike. Dhe më pyeti : – Sherif, si t’u dukë ky përjetim dhe çka mendon mbi këtë teknikë poetike origjinale ? Ma thuaj pa rezerva …

Shiko, miku im Filip, është padyshim diçka interesante dhe inovuese në thelb, sepse nuk është sprovuar më parë … dhe në etapën e parë, të dytë, të dhjetë, pra në fillim, mund të jetë diçka atraktive dhe origjinale, sepse e prodhon patjetër një efekt tek lexuesi. Liri totale, perzierje zhanresh, imazhesh, absurditetesh, ngaqe, shprehet pa limit subkoshienca njerëzore, por jashtë kontrollit, me droga, hipnoza, dhe në një mënyre automatike, të pamenduar, të pastrukturuar. Kështu që dalin një seri tekstesh poetike të mira, për nga ana poetike dhe estetike, pra formale … okay ? Mirëpo, i nderuar Filip, pas disa kohe, për mua nuk qëndron ajo punë dhe kalon në ciklin e absurdit total, pra, del më në fund krejt bosh dhe e pa vlefshme, sepse, do shtjerret ai procesus komplet mekanik, nuk do rinovohet, do sillet rreth boshtit të tij, pikë së koti, si tek Miti i Siziphit, i cili nuk jep më në fund asnjë rezultat pozitiv praktik.

Po dua me thënë, që shkrimi automatik, si teknikë dadaiste, e ka jetën mjaft të shkurtër, është modë kalimtare dhe do harrohet shumë shpejt sipas meje.

Sepse, miku im, POEZIA për mua e donë një sens, një përmbajtje, një mesazh, një gjurmë njerëzore, një porosi, do thotë diçka, do na transmeton një idé …

Dhe tani, për të lexuar Tekste poetike, të cilat mund ta kenë një efekt poetik formalisht interesant dhe të çuditshëm … okay, do funksionon në fillim për disa herë, por dikur do merzitesh me atë përsëritje puro mekanike, e cila ty nuk do të transmeton asgjë. Pastaj, mos e harron një gjë elementare, Filip :
Poezia është e ndërtuar me fjalë … okay ? Fjala e përbën fjalorin francez, anglez, gjerman, etjerë, dhe çdo fjalë e ka një sens preciz, një domethënie ?

Kur e propozon një POET një tekst të tij me disa fjalë, fraza apo vargje, me logjikë FJLALA apo FRAZA të dikton dikund një sens, një domethënie, një idé, ta komandon atë gjë … nuk mund të jetë diçka boshe, e kotë dhe pa asnjë sens sepse atëherë, nuk ka sesi funksionon me kohën, se nuk e mban distancën kohore dhe nevojen që ka Njeriu për një sens, sidomos kur komunikon Artisti me instrumentin e fjalës. Kjo për mua, është evidente … ! Eventualisht, si Piktor, kur je Salvador Dali për shembull, do funksionon pa problem, ana mekanike, absurde, surpriza permanente, kolazhi dhe kaosi, intuicioni i lirë, etjera … ajo çka vjen pa na pyetur fare ? Ngaqë, aty të propozohet si mjet komunikimi IMAZHI – dhe ai imazh, që është Tabloja e filanit apo fistekut, ty si shikues, si individ, të len komplet të lirë për ta interpretuar siç të duash ti, për ta komentuar, analizuar lirisht, ose për të mos e analizuar fare. E ke atë liri veprimi, sepse, imazhi nuk të dikton dëtyrimisht një interpretim të caktuar.

Prandaj, unë i dua surrealistat, dadaistat si Francis Picabia, në pikturë apo në skulpturë, sepse ma respektojnë edhe mua lirinë imagjinative dhe intelektuale dhe imazhi dominon si imazh, nuk e ka një definicion të kufizuar dhe të caktuar paraprakisht nga IKS Fjalorë enciklopedik. Ndërsa, për mua Fjala nuk mund të propozohet shumë gjatë, pa asnjë sens apo domethënie. Kështu, që Poezia, duhet të na transmetojnë diçka … Natyrisht, si Poet anarshist, ti e kupton mirë, zotëri Filip, që unë nuk po flas këtu, për porosi, apo mesazh në aspektin kolektiv, të diktuar nga Shteti, Regjimi politik, nga institucionet, nga akademitë … nuk jemi në diktatet letrare propagandistike apo në misionet edukative dhe pedagogjike të paramenduara … sepse, jam i pari që i refuzoj kategorikisht. Nuk e dua letërsinë me porosi sociale, politike dhe nën diktate.

Por e dua, një vepër letrare, ose poetike të një individi IKS, i cili na propozon me lirinë e tij të pakufi botën e tij, por ajo botë e ka një domethënie, pra, do na transmeton neve një porosi, një dëshmi, një sensacion, një sens dikund.

Kur e lexon Rembonë, Bodlerin, Whitmanin, e ke një propozim, nuk janë tekste komplet boshe dhe të pa sens, të cilat nuk përmbajnë asgjë. Nëse je një Poet i vërtetë, ti do e kesh botën tënde intime, poetike, emocionale, intelektuale, etjera … dhe do jesh pjesë e Njerëzimit dhe e Shoqërisë ku po jeton … kështu, që përmes tekstëve të tua, do e ndajsh atë eksperiencë personale me neve si lexues, dhe dëtyrimisht do na transmetosh diçka …

Sepse, me rreshtuar fjalë dhe fraza të kota, absurde dhe të pa sens, vetëm për ta befasuar dhe destabilizuar Lexuesin, e supozuar qenie logjike … funksionon disa herë në fillim, nga efekti poetik i ri që mund të krijon, por pastaj, mbaron ai muhabet dhe del ajo punë komplet e pavlerë, me distancën kohore. Sepse, fjala të lidh dëtyrimisht me sensin … a u morem vesh siç duhet miku im ?
Këto ishin ato kujtimet e mia kryesore me Philippe Soupault-në, të cilat nuk do mend, që më kanë pasuruar për së tepërmi. Pos asaj, ka qenë tip i dashur dhe mjaft komunikativ, e jo komplet i milimetruar dhe i auto-kontrolluar si zoti Lévi-Strauss.

Me këtë Personalitet të jashtëzakonshëm, e kam ndier vetën relativisht të lirë dhe pa shumë ojne apo protokolle, çka më konvenonte edhe mua. Mirëpo, mjeshtëria supreme është për t’iu adaptuar çdokujt, por duke qendruar vetvetja në thelb.

Tani, më lejoni për t’ua prezantuar pak më në detaje, se kush ka qenë realisht zoti Philippe Soupault dhe cili ka qenë saktësisht kontributi i tij në artin dhe kulturën franceze dhe botërore ? Se jam i bindur, që pak kush prej Bashkatdhetarëve tanë, e njeh siç duhet, dhe aq më pak, e kanë lexuar.

Filipi lind në gusht 1897 në Chaville, që nuk e di as unë se ku gjendet në Francë. Po në atë muaj mbrri familja ime, e zotit Shpend Sherifi dhe e nënës Xhevahire Sadria, me 1 gusht 1956 në Belgjikë, si emigranta politik, të ikur nga regjimi stalinian i shokut Hoxha ( a mos e kishte Babain hoxhë, dhe ka pas harruar me bë shehadet ? ) dhe tani, i thonë zyrtarët belg, oficerit të Mbretit Zog, dhe shefit të odave të Brukselit në Mërgatën e Qyqeve, – « do e pastroni fermën IKS, në një fshat të Valonisë, do i dlirni Stalat e thinjëve dhe të lopëve dhe do qëndroni këtu, për një rifillim të karierës tuaj belge. Dhe ky i përgjigjet përmes përkthyesit shqiptarë: – u thua këtyre horave, që ju vras juve dhe fermierët belg, për shkejle nderi, në bazë të kanunit, se nuk ndodh as në ëndërr që Shpend Sherifi, burrë i njohur në krejt Malësinë e Gjakovës, ta kap këtu tek ju fsheshen, për të pastruar mutësihanët e Belgjikës. Ha … ha … ha … Dhe pastaj funksionari i Belgjikës frankofone i përgjigjet : » okay, zotëri Sherifi, e kuptova dhe na falni për ofendim, por neve jemi Popull pragmatik, e jo kanunorë … mirëpo tani, këtu në Belgjikë, neve nuk mund të bëjmë Ministër, as Gjeneral, besoj që e kuptoni ! Nga ana tjetër, do punoni diçka, apo jo … më thoni, ku dëshironi për të punuar, zotëri ? »

Dhe i përgjigjet atij përkthyesit, më duket ka qenë Gjin Mirakaj, nëse nuk gaboj, i cili e zotëronte deri dikund frëngjishtën: » thuaju këtyre idiotave, që e dua një punë, në një zyre, ku mund të shkoj përditë i larë dhe i hekurosur, me kravatë, kostum dhe këmishë të bardhë, si filozofi hebrej francez Bernard Henri-Lévy, dhe me një laps në dorë, tamam si zotëri … një punë me dinjitet për rangun tim, ose do i han dreqi, se askush në botën shqiptare, nuk do kishte guxuar për të ma bërë atë propozim aq të ultë, pa u nda keq me mua ! Po këta pisa, nuk po e dijëshin fare, se çka do me thënë fytyra dhe nderi tek Shqiptari dhe qenkan të fshirë nga truri ! I marroftë Zoti !»

Dhe kështu, ja gjeten më në fund një punë në një Magazinë të madhe, e quajtur : « les Galeries Anspach « në kryeqytetin belg, ku ishte në një zyre siç donte, për t’i regjistruar të gjitha mallërat që vinin.

Ndërsa, Philippe Soupault-ja, i kishte zgjidhur të gjitha problemet e tia praktike dhe financiare me kohë, gati që nga lindja e tij, sepse vinte nga një familje e pasur në të dy anët, me prona të mëdha nëpër Francë. Babai i tij Maurice ishte mjek, kurse nëna e tij Cécile Dancongnée, ishte vajza e një avokati të famshëm pranë Këshillit të Shtetit ( le Conseil d’État ). I ka dy vajza ( Nicole dhe Christine ) me dy shoqet e tij, që quhen Suzane Pillard dhe Marie-Louise Le Borgne (Soupault ), dhe kjo vajza e dytë Kristina, do martohet me arkitektin e njohur francez Paul Chemetov ( i cili ka imagjinuar dhe realizuar shumë projekte në Francë, si Ministria e Financave në Bercy të Parisit, disa mediateka, kisha, sinagoga, qendra sportive, banesa private, pallate…)

Natyrisht, merr pjesë aktive me miqët e tij André Breton-in, dhe Louis Aragon-in, në lëvizjen apo më mirë me thënë, aventurën letraro-poetike DADA ( pra, dadaizmi ), të cilën, e konsideron si diçka të nevojshme ( tabula rasa … me fshijë gjithçka që ka pas ekzistuar më parë, për të tentuar diçka komplet të ré ), duke e ditur shumë mirë, bile e kishim debatuar edhe së bashku disa herë, që ishte një shkollë provizore mjaft e përkohëshme, e cila do kalonte bukur shpejt, për arsyet që ua kam shpjeguar më sipër … dhe ka mbrri më vonë me logjikë të shëndoshtë tek surrealizmi ( i cili ka qenë shumë më solid dhe i strukturuar ) lëvizje po ashtu e ré, e cila ka dominuar një pjesë të madhe të shekullit 20 dhe bile është akoma prezente mes nesh edhe tani … sepse, ka lënë gjurma dhe referenca të pashlyeshme në kujtesat tona ( përkundër dadaizmit mekanik dhe provokativ, pak më adoleshent i vonuar ) mirëpo, siç ua kam thënë që në fillim: SOUPAULT-ja, vet me BRETON-in, kanë qenë themeluesit intelektualë të asaj rryme artistike, pra ata që e kanë teorizuar dhe shpjeguar me argumente serioze vijën drejtuese apo filozofinë surrealiste. Hapi i parë, ka qenë botimi i librit të tyre: « Fushat Magnetike » i botuar në vitin 1919-1920 … e cila konsiderohet si vepra e parë surrealiste në realitet. Kurse pastaj, do vjen « Manifesti – më teorik « për ta konsoliduar filozofinë e asaj shkolle të ré dhe për ta imponuar në meset artistike dhe intelektuale parisiane që në vitin 1924. Në një farë mënyre, burimet frymëzuese ose ikonat emblematike të tyre, kanë qenë që në fillim : Freudi, me psikoanalizën, dhe Lenini, e Trotsky me idenë e revolucionit. Tani, a po na sillni një Pulë të pjekur ?

Por, për ato rezervat, të cilat ua kam pas shprehur unë më sipër, në vitin 1926, pra shumë shpejt, edhe pse ka qenë themeluesi i kësaj lëvizje, do e përjashtojnë Philippe Soupault-në, që në vitin 1926 nga Surrealizmi, me pretekst që është tepër letrarë, dhe jo aq i angazhuar në kauzen e revolucionit komunist ( do me thënë: pse po rrinë si një intelektualë borgjez në art dhe në poezi dhe nuk po militon për përhapjen e frymës komuniste nëpër botë ? ) Me 7 nentor 1933, gjatë festës madhore kushtuar revolucionit, në Ambasadën ruse sovietike, ku vjen gjithë elita e Parisit intelektualë dhe artistik, dashurohet në një grua gjermane Ré Richter, e cila ti plasë të gjitha ndjenjat, kur mbrri në shkallën 7 Richter … emri i vërtetë i saj, sipas KGB-së, është Meta Erna Niemeyer dhe do martohen në vitin 1937. Është femër super interesante, sepse është e lidhur miqësisht dhe artistikisht me disa grupe krijuese me reputacion në kryeqytetin hekzagonal galez. Takon rregullisht Man Ray, Fernand Léger, Elsa Triolet ( ish dashnoren e Maiakovkit, shoqja e Aragon-it, e shkrimtare ruso-franceze ) Max Ernst, Kiki de Montparnasse, etjerë … dhe duke qenë studente e shkolles gjermane Bauhaus, dhe mikeshë e ngushtë e dadaistave të Berlinit ( qytet super interesant gjerman, sepse emblematik i disa rrymave artistike avanguardiste dhe nëntokësore, të quajtura underground ) pra, është ajo që i lidh francezët me atë shkollën e Bauhaus-it, të cilin natyrisht nuk e njihnin. ( e themeluar në Weimar, në vitin 1919, nga Walter Gropius – i cili e shpjegon filozofinë e saj në një Manifest )

Pra, huazon shumë elemente nga funksionimi i botës industriale, ose grafike, siç ka vepruar edhe Andy Warholi me Pop Artin, ka diçka gjeometrike, është pak asetike, minimaliste, në një stil shumë dezajn, lidhet me arkitekturën e mbrendshëm dekorative dhe përdorë materiale ekzistuese. Aq sa është lëvizje puro artistike për nga ana krijuese, aq është edhe artizanale, si zanat, sepse e favorizon gati njëlloj punën apo mjeshtërinë e dorës. Nuk e celebron kultin krijues të Artistit si individ !

Nga fundi i vitëve 1920, Philippe Soupault punon si gazetarë dhe fiton një emër me kredibilitet pranë disa gazetave dhe revistave franceze ( si për shembull Vu – ose Excelsior – L’intransigeant ) dhe i propozon shoqës së tij, për t’ia ilustruar shkrimet apo reportazhet. Pas vitit 1934, do udhëton nëpër botë: Gjermani, Angli, Suedi, Amerikë, duke shkruar dhe shoqja e tij Ré, duke fotografuar. Bile e thotë vet në Radion « France Culture », si anekdotë komike … që një ditë rastësisht, do gjendet bashkë me Adolf Hitlerin dhe shoqëruesin e tij, në të njejtin ashencor, dhe merzitet që nuk e kishte në atë moment preciz, një revole në xhep ( se mund të kishte ndryshuar komplet faqja e historisë planetare ). Po ashtu thoshte, që e ka pas takuar një ditë edhe Jozef Stalinin, i cili, i ka pas bërë përshtypje me egërsinë e fytyrës së tij.

Atë ditë, sipas Filipit, i ka pas pirë 24 vodka në një recepsion zyrtarë. Pas vitit 1935, do e vazhdon rrugen e tij nëpër Skandinavi, Ballkan, në Shtetet e Lindjes të Europës orientale, dhe nga Magrebi. Dikur, zoti Léon Blum – një figurë madhore e socializmit francez, i cili në atë kohë, nga viti 1936 është Presidenti i Këshillit të Frontit Popullor ( Président du Conseil du Front Populaire ) emër ikonik, bashkë me Jean Jaurès, të cilit, ja ka kënduar Jacques Brel-i, një këngë fantastike, e ngarkon Philippe Soupault-në, për ta hapur një radio antifashiste, e cila do quhet « Radio TUNIS », dhe do e drejton gjatë 3 vitëve ( 1937-1940 ) Duke pasur dëshirë ta takon lirisht popullin, kudo që të jetë, me një bicikletë të ndryshkur, dhe për t’u ballafaquar direkt me realitetin objektiv, do ndiqet edhe nga pala franceze bashkëpunëtore e regjimit Vishist ( pro Pétain ) dhe nga nazistat gjerman të vendosur në Tunizi. Dikur, e arrestojnë dhe do e burgosin për 6 muaj, mirëpo, për fat, do e gjen një mundësi për t’u larguar nga Tunizia, në nëntor 1942, pak para pushtimit komplet të kryeqytetit Tunis, nga forcat e Mareshalit të njohur Rommel. Do kalon përmes Algjerisë së korruptuar dhe do mbrri dikur në USA ( Amerikë ) me muzikën « Born in USA » të Bruce Springsteen.

Për të qenë Rocky Balboa apo Rambo-ja, nuk ishte aq në formë sportive. E kështu, gjatë vitit 1943, e ngarkon qeveria e De Gaulle-it, me disa misione nëpër Amerikën veriore dhe të jugut, për të rikrijuar Agjenci Shtypi, pra disa kanale mediatike për informacion. Në New-York, i takon disa nga miqët e Parisit, si Man Ray, Léger, Ernst, Kurt Weil ( kompozitor i famshëm gjerman ), Marcel Breuer ( arkistekt prestigjioz që ka ndërtuar Muzeumin në Manhattan « Withney Art » dhe Unesco-në, në Paris ), Herbert Bayer ( Fotograf, desajner, piktor, arkitekt autro-amerikanë ), Gisèle Freund ( sociologe dhe fotografe e njohur gjermano-franceze, e cila ka vdekur në Paris në vitin 2000 ), dhe Victoria Ocampo në Argjentinë ( shkrimtare, botuese, mecene, e cila ka jetuar shumë kohë nëpës meset kulturore të Parisit ). Shumë më interesant, sesa me i takuar getotë zezake dhe arabe të Belgjikës, apo indiano-pakistaneze të Londrës ( me përjashtimin e regjiserëve Ken Loach apo Mike Leigh ). Tani, Filipi shkonë me shoqën e tij Ré, në gjithë Amerikën Latine, gjatë vitin 44, nëpër Bolivie, Meksikë, Colombie, Brazil, Guatemala … kalojnë nëpër Haiti dhe Kuba, kërkon për ta pi një rhum dhe një cigare made in Havana, me Fidel Castron dhe Che Guevarën, por ishin të zanun në Santa Clara, në një sulm revolucionarë, kundër regjimit të bixhozit dhe të prostitucionit amerikanë, alla Batista. Tani, mirë se vini, në GULAG-LAND !

Më mirë, ta marrim anijën e parë, për Amerikë, e dashur … si thua ? Po, Filip, do të ndjek kudo, gjer në zhytjen e Titanikut, nën zërin magjik të Céline DION-it.

Ja propozojnë Soupault-së, një post Profesori në një Universitet të Pensilvanisë ( USA ) … më mirë sesa barman ose shitës hamburgerash në Mac Donald.

Në vitin 1945, pas çlirimit të Europës nga Nazizmi gjerman, dhe jazzi në bodrumet e njohura të Shen Gjermen des Prés ( lagja 6, e famshme e Parisit ) do çlirohet edhe ai, nga shoqja e tij Ré, pa e ditur as vet sepse … ( hajde, e të provoj diçka të ré ! )

Duhet ta dini që miku im Philippe Soupault, i ka botuar mbi 20 libra me Poezi, ndër të cilat mund t’ua citoj :
Les Champs magnétiques ( Fushat Magnetike ) 1919-20, në Paris ( au sans Pareil )
Westwego – poezi – botuar në Paris në 2022 – Libraria SIX – Titulli përfaqëson një vend gjeografik të Luizianës ( Louisiane ) në Amerikë, dhe është një bredhje poetike në rrugen WEST nën erën, atmosferën, peizhazhet dhe takimet që do i bën andej …
Këto dy libra, jam kam lexuar unë që në atë kohë dhe më kanë pas pëlqyer, pa asnjë dyshim. Pastaj, do keni veprat …
Il y a un Océan ( ka një Oqean ) botuar te Guy Lévis Mano – në 1936
Odes – botuar nga miku im Pierre Seghers në vitin 1946 ( edhe këtë e kam lexuar )
Poèmes et Poésies – Grasset ( tek boton Bernard Henri-Lévy ) Paris, në 1973 e 1987
Pastaj i ka botuar edhe rreth 15 vepra me romane dhe tregime, mes të cilave:
Le bon Apôtre – Apostulli i mirë – botuar në vitin 1923
Les Frère Durandeau – Vëllezërit Durandeau – Grasset – Paris 1924
Le Bar de l’Amour – éditions du Sagittaire – viti 1925
Le Coeur d’Or – Zemra e artë – Grasset – Paris 1927
Le Nègre – Zezaku – éditions du Sagittaire – viti 1927
Les dernières nuits de Paris – Netët e fundit të Paris-it, botuar në 1928, Calman Lévy
dhe ribotuar në vitin 1997 tek Gallimard – në koleksionin : L’imaginaire.
Le grand Homme – Paris – Kra – viti 1929
Ka botuar po ashtu 5 libra në fushën e Teatrit francez :
Vous m’oublierez – Do më harroni – 1920 – dramë me 3 akte
Tous ensemble autour du Monde – Gjithë së bashku rreth Botës : 1943
Rendez-vous ( Takim )- viti 1972
A vous de jouer – E keni ju topin e lojës – libër me 5 drama – Lyon – 1980

Ka botuar rreth 25 shkrime të thella, analiza, ose ese, mbi autorët, nëpër disa antologji të prozës dhe të poezisë, ose mbi disa individualitete më emblematike, sikurse William Blake, Guillaume Apollinaire, Charles Baudelaire, Eugène Labiche, Lautréamont, Arthur Rimbaud, Alfred de Musset, James Joyce, mbi disa Piktorë si Paolo Uccello, le douanier Henri Rousseau, mbi filmin me Charlie Chaplin dhe disa libra më të plota kushtuar zhanrit si për shembull : écrits de cinéma, 1918-1931, ose një seri shkrimesh me karakter puro kinematografik. Ose e keni : shkrimet mbi Pikturën : botuar në Paris 1980 , tek Lachenal dhe Ritter. Pastaj, keni : shkrimet mbi artin e shekullit 20 – botuar tek Cercle d’Art në vitin 1994. « Ninullat franceze « botuar në një antologji speciale tek Seghersi në vitin 1961.
Pastaj, i keni bile 10 vepra biografike apo monografike, që i janë kushtuar direkt Philippe Soupault-së, nga disa autorë sikurse Myriam Boucharenc, Sylvie Cassayre, Henri-Jacques Dupuy, Serge Fauchereau ( të cilin e kam pas njohur në Paris ), ka pas botuar veprën, « Philippe Soupault – voyageur magnétique » Cercle d’Art – 1989, Lydie Lachenal, Claude Leroy, Bernard Morlino, dhe Beatrice Mousli.

Philippe Soupault, ka vdekur në moshën 92 vjeçare në Paris dhe është varrosur në Montmartre. Ka pas banuar sikurse Claude Lévi-Strauss-i, në Paris, tek ajo lagja 16, ku e ke një qetësi dhe një rregullsi absolute. Ka qenë fans absolut i Apolinerit, të cilin ma citonte për mendsh. Franca e ka celebruar përmes disa çmimeve interesante :
Grand Prix de la Littérature SGDL ( société des gens de lettres, krijuar në 1947 ) 1973
Prix Saint-Simon në vitin 1981
Grand Prix de la Poésie de l’Académie française – në vitin 1974
Grand Prix National des Lettres – i krijuar në vitin 1950 – nga Ministria e Kulturës. Filipi e merr atë çmim në vitin 1977.

Pra, ky ishte miku im surrealist francez Philippe Soupault, dhe më bën mjaft përshtypje, siç ua thash që në fillim, fakti që me këtë të kaluar aq prestigjioze, kur shihet shumë qartë, që e ka luajtur një rol madhorë në historinë e artit dhe të kulturës franceze të shekullit 20, dhe në dialog direkt me biografinë e tij të jashtë zakonshme ( kariera e tij si gazetarë, si misionarë i Leon Blumit dhe i De Gaulle-it, nëpër botë, pa folur për gjithë ato vepra letrare që na i ka lënë në trashëgimi, mbi 60 apo 70 … të cilat pak kush i njeh në imtësi, pos disa specialista, analista, kritikë, apo studenta të letërsisë në Sorbonë ) dhe megjithatë, është një Personalitet që ka ngelur tepër nën hijen e André Breton-it, dhe akoma i panjohur nga Publiku i gjërë.

Por unë kam kaluar momente të bukura dhe të pasura me atë Njeri, dhe kam kujtime tepër të prekshme për nga ana humane. Me një fjalë, jemi kuptuar perfekt. E kishim të njejtën diagnozë mbi dadaizmin dhe mbi surrealizmin. Kemi qeshur dhe lotuar së bashku disa herë … Tani, sa herë që do shëtisi nepër të gjitha lagjet e Tiranës, do më shkon mendja për t’i pa me kujdes trotuarët, duke menduar për mikun tim të dashur.

Unë vet, sipas rregullit që ma kishte imponuar me plot të drejtë babai im shpirtërorë Pierre Seghers-i, ( ti djalë, ke për t’i lexuar dëtyrimisht 5 vepra të çdo autori, a more vesh, dhe minimumi do jetë 3 … ose mos shkon fare për t’i takuar, se do e turpërosh vetën dhe mua në të njejtën kohë … nuk je turist para figurave gjigante të shekullit, okay ! Ngulite mirë në kokë ! ) Faleminderit, se shumë mirë e ke pasur, Pierre !

Por tani Philippe Soupault-së, ja kam lexuar vetëm 3 vepra, që më kanë pas bindur dhe interesuar … natyrisht, nuk mjaftonte, por e kam lërë me kaq, sepse më kanë pas pasuruar po aq, edhe aventurat e shumta jetësore, shkëmbimet fantastike me të dhe e ndieja vetën të plotësuar, të kënaqur. Të përqafoj atje ku je, o miku im, i nderuar, dhe do qeshim prapë së bashku me disa përralla surrealiste dhe dadaiste.

Të abonuar në lirinë poetike dhe në improvizimin permanent, besoj që jemi tani të vaksinuar kundër idiotësisë së përditshme, të gjitha pastrimet e trurit të mundshme dhe banalitetit të auto-programuar. Unë, personalisht, po se po ! Por tani, a është edhe Populli im shqiptarë në Prishtinë dhe në Tiranë ? Nuk jam aspak i sigurt, dhe do kisha paguar shtrenjtë, për t’ua çelur sytë në maksimum. Lëvizni, reagoni, o miq dhe mikesha … se flitet për jetën dhe për ardhmërinë e juaj, në trojet e vendlindjes !

Nuk jeni turista të huaj, dhe kalimtarë me një aparat fotografik në dorë, në mes të vendit tuaj, aty ku keni lindur, ku jeni shkolluar dhe edukuar, ku prindërisht dhe gjyshërat e juaj, do ua kenë lënë një amanet, një porosi, një mësim minimal.

Besoj, që ka ardhur koha me vepruar me vetëdije dhe pjekuri të plotë, tamam si atdhetarë pozitiv, dhe si qytetarë … se nuk do vjen askush për t’ua rregulluar punët dhe problemet e juaja shqiptaro-shqiptare, nga jashtë, në vendin tuaj !

Çdokush prej nesh, e ka një ditë për mision të dëtyrueshëm për ta bërë, herët apo vonë bilancin e tij njerëzorë : « po çka kam bërë dhe çka kam lërë UNË, si gjurmë, si shembull, ose si kujtim konkret mbi këtë Tokë ? »

Asnjë gjë, nuk do ju ofrohet falas nga askush, por duhet që ta kërkoni dhe ta fitoni … Kalofshi mirë dhe qëndroni sa më dinjitoz mbi këtë tokë, dhe mos u dorëzoni !

Me 18 janar 2022 në Bruksel

 

blank

TI GJITHMONË KAMPION (Kushtuar Presidentit Dr.Ibrahim Rugova)- Nga YMER ADEM LLUGALIU

 

Në vizionin tand
Gravitonte kombi.
Me hapin tand
Ecte atdheu.

Tue shkri nëpër damarë,
Tue mbajt mbi supe
Shekujt e hershem edhe të vonë
Nëpër gurgullimat
e Marahunes,Drilonit,të Astibosit
Nën plisin përjetsisht të bardhë
të Arbanasit,të Sharrit,
të Pindit
Filloi me buzqeshë
Dardania Antike
Në Vulën tande
Shqiponjes krenaria iu ringjall
në fluturim drejt yllit dardan.

Në Artin e së mundshmes
Ti valltari ma i imirë
nëpër skenat ilirjane.
Jo në maje shpate
me fuqinë dhe shkathtsinë e muskujve.
Por në majën e gjuhës
Nëpër zikzaket shumëngjyrshe të arsyes.
Nji gjoks mbylli nji grykë topi,
Në histori u ngrit shtatore mbi vdekjen.
Ti mbylle Shpellën e ferrit
Prej nga nëpër dekada e shekuj
Çparnagohej Boreu
Me u sul me tërbimin e bishës,
Me shfrenimin shoven
Anti Dardano-Kosovar.

Sepse Ti e indentifikove me kohë,
Me vend e përdore
Si ushtar i mirë
Armën ma të fuqishme të kombit
KAMBNGULJEN STOIKE
Unë jam Unë
As nuk zhbihem
As nuk zhbahem.
Djali Babën do ta trashigojë,
Kosovari-Dardanin.
Me ball ma krenar,
Me shpatulla ma të gjana,
Me frymmarrje ma të lirshme.

Kjo pendë, mur kinez
E ndërtueme me durimin e të pavdekshmit
Ia ndrroi kahjen stuhisë.
Fusha e tej ngime në gjak
Përherë të pare i shpëtoi përmbytjes,
E mposhti Balozin.

“The Friend in need
Is the Friend indeed”

Po i ndryshohej padyshim
kahja historis.

Pak fole, shum the.
Prajshëm u shprehe,
Zani yt kaloi oqeanet.
Trokiti po aq prajshëm
Ne veshin e njerzimit

Ma imadhi i botës të tha:
Ti, ma i shtypuni,
Ma i nëpër kambuni
I Kontinentit të Vjetër
Ma kurr pranga s’do të kesh mbi duer,
nëse vetveti ato nuk ia ven.
Oborrin ma kurr s’do ta kesh të përmbytun në gjak,
Nëse vetvetes gjakun nuk ia derdh.

Kosova kishte vesh
Kostumin e nusnis.
Priste vetëm vellon
Me ia ngrit mbi ball.
Burri ma i merituem
Në buzë urimin me ia vulos.
Krenarin për emën,
përjetë me ia ringjall.
Kur pa rreshtat
E krushqve rranzë mali jo,
Ishin vargjet e homazheve
nëpër gjatsinë e bulevardeve.
Jo për Rexhën në grazhd të kalit,
Por,për Prijsin në holl të Kuvendit.

Kanga hollsi sqaruese
Kurr s’ka dhanë,
Cili kal e vrau Rexhën?
Përveç se thot
Ka qenë vranq.

Por, s’dihet a ishte ambicioz
Karvanit të hipizmit me i pri.
Apo ishte llupës,
Kuajve vrapues
taxhinë nga strajcat
Deri në kokërr me ua fshij.

Lajmi Kosovës
Kostumin ia bani akull,
Prej syve i rridhnin lot të bardhë.
Por me kujdesin dhe ngrohtësinë e Nanës
Birin e vet në gji e ka marrë.
Në ndonji epokë ma të hershme,
Në hapsinat tjera kombesh antike
Ty do të shpallin padyshim
PROFET
Në rrugën e Paqes
Nëpër hapsinat Ilirjane
Ishe kampion dhe Kampion
Ke me mbet.

blank

MONOGRAFIA “GJAKOVA NDËR VITE”, DËSHMI E REZISTENCËS SË PAEPUR TË NJË POPULLI TË TËRË PËR LIRI E PAVARËSI- Nga Tahir Bezhani

Nga kultura: Libri monografik, ”Gjakova Ndër vite” (1990-1999), dëshmi vlerash të pa kontestuara historike e politike te kohës me peshë të veçantë .

 

Këto ditë Shoqata e Intelektualëve “Jakova”të Gjakovës, nxori nga botimi monografinë “Gjakova Ndër Vite”-1990-1999, e cila pasqyron një periudhë të gjatë vuajtjesh nën sundimin barbarë të hegjemonisë serbe dhe luftën e paepur në të gjitha fushat e jetës, jo vetëm për mbijetesë ,por edhe në luftë për lirinë e shumëpritur me shekuj, pavarësinë e Kosovës nga një okupator me cilësi kanibaliste

blank

Këtë radhë iniciativën, për ta pasqyruar këtë epokë historike, kalavaret e vuajtjeve dhe mynxyrat e pushtetit okupues serb, e mori me përgjegjësi dhe e realizoi, Shoqata e Intelektualëve “Jakova” nga Gjakova. Si gjithnjë, me mprehtësi dhe qëllime largpamëse e realizoj qëllimin në mënyrën më mirë të mundshme. Intelektualët e Gjakovës, qytetarë të profileve të ndryshme, doktorë shkencash, profesor të shkollave të mesme, krijues e njerëz të pendës gjakovarë, dhanë të gjitha dëshmitë e kohës dhe i hedhen në këtë dokument historik, me qëllimin e vetëm që të shkruhet realiteti historik dhe gjeneratat pas nesh, mos të harrojnë kurrë vuajtët e përjetuara, gjakun e derdhur dhe luftën për liri të Kosovës ndaj një fqinji barbarë.
Në ngjarjet e viteve 90-ta,për faktin e një aparteidi krijuar nga Serbia hegjemoniste, ishin të angazhuara të gjitha strukturat e shoqërisë sonë, edhe të jetës politike ,si asaj sindikale, në arsim, në shëndetësi, në ekonomi, industri, zejtari, në kulturë etj. Vend të veçantë zënë në këtë monografi fshatrat, pjesëmarrëse të luftës, me ç ‘rast u krijua edhe emigrimi i popullatës fshat-qytet dhe vuajtjet e tyre të pa përshkruara. Vendosja e tyre nëpër familjet gjakovare, të cilët, atëbotë i priten si miq familjarë, duke u kujdesur, jo vetëm për strehimin ,por edhe për ushqimin e gjithë të ikurve nga vatrat e luftës. Ky veprim, atëbotë, unifikojë dhe motivoi popullatën e gjithmbarshme në luftë për rezistencë. Të gjitha aktivitetet dhe aktivistët e ngjarjeve të atyre ditëve të vështira të historisë sonë, janë përfshi në këtë monografi nga autorë te ndryshëm, çoftë nga ditarët e tyre ,çoftë nga mbamendja e përjetimeve të atyre ngjarjeve të rënda.

Të gjitha mënyrat e veprimeve të përbashkëta si popull, në luftë për liri e pavarësi, në parathënien e kësaj monografie, pas realizimit i vlerëson bukur Prof. Dr. Ruzhdi Sefa :” do të jemi të kënaqur për dy arsye: një se nesër pasardhësve tanë të shumë brezave nuk do t’u vijë turp se baballarët dhe gjyshërit e tyre, edhe pse të arsimuar, e me grada shkencore ,nuk u kanë lënë asgjë të shkruar për gjithë ato vite të jetës brenda një kazani të quajtur Jugosllavi, që vlonte nga zjarri i cili po digjej; dhe, dy, për të mos mbetur pa histori e pa shënime autentike ngjarjet që i kemi përjetuar në lëkurën tonë dhe i kemi parë me sytë tanë ”.Një konstatim i pa koment i të nderuarit Prof. Dr. Ruzhdi Sefa, pos që meriton lëvdatën për këtë thënie me shumë vlera. Disa rreshta të poetit tonë të madh, Esat Mekulit, e kanë madhështuar gjithë kuptimin e kësaj monografie, kur Prof. i nderuar, z. Ruzhdi Sefa e përdorë me aktualitet të veçantë:”
Do të vijnë mbas nesh fëmijët tanë e fëmijët e fëmijëve tanë,
Dhe ata do të flasin për ne, ata do të gjykojnë për ne
Breznitë, veprat i gjykojnë.

/ Esat Mekuli/

Monografinë me vlera të jashtëzakonshme historike, jo vetëm për Gjakovë, por për mbarë çështjen kombëtare e botoi Shoqata e Intelektualëve “Jakova”. U shtyp në shtypshkronjën “Blini” në Gjakovë.
Botimi i këtij libri është mundësuar nga donatori RAMIZ TAFILAJ, president i “Jalifat Publishing”, fitues i Çmimit të Presidentit të SHBA ,për Arritje Jetësore.

 

Gjakovë,21.janar,2023 Tahir Bezhani

blank

Gremisjet e një shkrimtari të talentuar Nga Bedri ALIMEHMETI, “Mjeshter i Madh”

“Gremina e dashunis” dhe gremisjet e një shkrimtari të talentuar

blank

Sapo isha ndarë me heronjtë e letërsisë policeske, pra i kisha thënë lamtumirë romaneve të “kolanës së verdhë”, që në ato vite ishte rreptësisht e ndaluar për t’u lexuar e aq më tepër për të qarkulluar (nën dorë siç bënim ne) dhe kur them kështu bëhet fjalë për serinë e romaneve të shkrimtarit Edgar Wallace si, “Rrethi I kuq”, “Kompania e bretkosave”, “Ndënshkrimi i spiunit”, apo romanet “Joana e katër katrorve”, “Misteret e Luvrit”, ” Dy të vdekur në një qivur”, “Aventurat e Allen Pinkertonit” etj, të autorëve të ndryshëm apo “Sherlock Holmesi” i Kenon Dojlls etj, dhe isha dhënë i tëri pas leximit të romaneve rozë sentimentalo – dramatikë të “kolanës rozë” si: “Bija e mallkuar”, “Lypsja e urës”, “Dashuri fatale”, “Foleja tragjike e dashurisë”, “Manon Lesko”, “Ura e psherëtimave” etj, derisa një natë tek rrëmoja në morinë e librave, në atë raftin e futur në mur, në fund të “odës së madhe”, siç i thonim ne dhomës së zjarrit, ku rrinim më ra në dorë romani “Gremina e dashunis” i Mustafa Greblleshit. E shfletova me kujdes dhe sapo përpiva rrjeshtin e parë nuk e lëshova më nga dora, madje nuk lëviza as nga vendi. Aty ku isha në atë qoshe, lexo e lexo, derisa e mbarova, ndërkohë që faqen e fundit e kisha qullur të tërën si pakuptuar me lotët, që më kishin rrjedhur nga dhimbja për fatin tragjik të Memlit e të Margeritës. Kur ngrita kokën në dritare pashë se nga Dajti po feksinin rrezet e para të agimit.

Po cili ishte Mustafa Greblleshi? Autori i këtij romani të mrekullueshëm, që më kishte magjepsur e më kishte lënë kaq shumë mbresa dhe përshtypje? Për mua deri në atë kohë ishte krejtësisht i panjohur. Emrin e tij nuk gjeja në asnjë titull në vitrinat e librarive të Tiranës. Vetëm një gjë më gëzonte së tepërmi, fakti që nga gjuha e të shkruajturit dhe nga ambientet që përshkruante në roman, më qe krijuar bindja, që ai duhet të ishte tiranas. Po kë të pyesja unë trembëdhjetë vjeçari i atëhershëm, im atë kishte vite që dergjej në burg, nëna po ditë natë mbi makinën qepëse, për të na siguruar bukën e gojës! Atëherë pyeta gjyshin.

– E njof, – tha – posi, Liun e Cakut, e njof mirë fort bile.

– Jo Liun e Cakut more gjysh, – këmbëngula unë – po Mustafa Greblleshin.

Ai vuri buzën në gaz dhe tundi lehtë kokën, që ia hijeshonte aq bukur qeleshja tironce, e gjatë dhe e bardhë si bora në majën e malit të Dajtit.

– Nigjo lalën ktuna, – shtoi ai gjithnjë në dialektin tiranas ëmbëlsinë në akcentin e të cilit im gjysh e kishte të veçantë – Liu i Cakut osht pseudonimi i Mustafa Greblleshit, çunit të Hamidit, që e vranë kto (në gjuhën e tim gjyshi pushtetarët komunistë ishin përjetësisht të përemëzuar) sa vunë komën m’Tironë. Me kët emën shkrujte disa gjona t’bukra fort Mustafaj me gjith Himën e Hasnojt (Ibrahim Hasnaj), që përdorte emnin Cen Qytyku. Na knoqshin fort ke gazeta “Bashkimi i Kombit” ene ke revista “Njeriu”, për kët revistë biles që ishte me sens fetar, kom dhonë ene una lala jot pare me u shtyp. Po nishti si lojn kto. Të dy i futën në burg kot fare. Mustafan e majtën nja dy vjet ene e lirun, kurse për Himën nuk di gjo, a ka dalë apo s’ka dalë hala i shkreti Himë, ka qenë shoku i Xhemolit tonë, kon luftu të dy m’Kosovë”.

Dhimbjes që ndieja për Memlin dhe Margaritën iu shtua edhe dhimbja për krijuesin e tyre të talentuar, që nuk e linin më të botonte. Po ku ishte ai tani, ç’punë bënte, me se merresh? Këto pyetje ia bëja shpesh vetes në ato ditë, ndërkohë që romanin e lexova për së dyti dhe për së treti. Ua dhash edhe mjaft shokëve e shoqeve të klasës për ta lexuar dhe e ruaja si gjënë time më të shtrenjtë…….

Intermexo

Në shpirtin e në zemrat e tiransve

Dy shkrimtarët e shquar tiranas, Hafiz Ibrahim Dalliu dhe Mustafa Greblleshi në mënyrë të padiskutueshme janë autorët më të dashur e më të lexuar nga banorët autoktonë të kësaj treve. Edhe pse të persekutuar, burgosur e nëpërkëmbur nga regjimi diktatorial ata kanë qenë dhe kanë mbetur tashmë përjetësisht në shpirtin e në zemrat e tiransave, të cilët asnjë herë e madje kurrën e kurrës nuk i kanë harruar, krijuesit e palodhur, që në themel të veprave të tyre kanë trajtuar gjithnjë, e madje si askush duke ngjitur në vendin që meriton të jetë,Tiranën qytetin e tyre të shtrenjtë. Madje, pikërisht për këtë dy librat e tyre vërtet kryevepra “Patriotizma më Tiranë” e Hafiz Ibrahim Dalliut dhe romani “Gremina e dashunis” e Mustafa Greblleshit, anatemuar keqas e ndaluar gjatë gjithë ekzistencës së pushtetit komunist, jo vetëm i kanë lexuar, por edhe i kanë ruajtur ndër vite me shumë dashuri e kujdes të ve[antë. Ndër vite nonat, momat apo më saktë ijet e dhembshura shpirtbardha, si[ i thonë tironcit, sipas porosive të [unave i ruanin ato ndry me [elës në arkat e tyre personale. Mbështjellë me pëlhura mëndafshi, i mbanin aty bashkë me gjërat më të shtrenjta të familjes, relike të vërteta.

…..derisa një ditë krejt papritmas u ballafaqova dhe me një fakt tjetër, që e lëndoi edhe më shumë zemrën time ende të njomë.

Po kthehesha nga shkolla, kur gjyshi që rrinte çdo ditë te furra e Tut Huqit mikut të tij, aty përballë shkollës “Lidhja e Prizrenit” afër teqes së Dervishe Hatixhes ma bëri me shenjë që t’i shkoja pranë. Furra po lyhej atë ditë, gjyshi shtjeu kokën në derë dhe thirri njërin nga bojaxhinjtë.

– Nji ky osht nipi im o Mustafa, – i tha – atë rromancin tat se lësho pri dore, kush di sa herë e ka kënu!

O Zot përpara meje ndodhej Mustafa Greblleshi! Autori i romanit “Gremina e dashunisë”, i ndotur me gëlqere, me furçë në dorë dhe me kapele prej letre në kokë. Më vinte të qaja, të ulërija kur befas në sup ndjeva të më mbështetej dora e tij dhe dëgjova një zë të ëmbël e tepër njerëzor të më fliste:

– Të pëlqen letërsia?

– Po, – i thashë.

– Po për të shkruar, ke dëshirë?

Unë pohova me kokë.

– Atëherë duhet të lexosh sa më shumë, – më tha – mos harro lexo sa më shumë, sepse vetëm paskësaj do të arrish të shkruash bukur.

Dhe për herë të parë u pamë sy ndër sy. Vallë sa halle e brenga fshiheshin në thellësi të atyre syve, që kishin aq dritë, aq dritë sa nuk di se si t’ua them. Ky qe takimi im i parë dhe i fundit me Mustafa Greblleshin.

Më vonë kur unë hyra në gjimnaz dhe nisa të frekuentoja “Broduejin”, Mustafa Greblleshin, nuk them shpesh por më rastiste jo rrallë ta shihja tek kalonte nëpër “Broduej”- in tonë mbi biçikletën e llangosur me gëlqere, me dy kovat e bojës në timon dhe me shkallën dyshe mbërthyer fort në supin e kominosheve prej doku.

Më ndrydhej zemra sa herë që e shikoja dhe më vinte të thërrisja: O tempora! O mores! (latinisht: O kohëra! O zakone!) siç shprehej ai në një moment dramatik, në faqet e romanit të famshëm. Kur i tregova Nezit, shoqes time të klasës, një bojaxhi me biçikletë tek merrte kthesën në rrugicën e kinema “17 nëntorit” dhe i thashë që ai është autori i romanit “Gremina e dashunis”, ajo u ndal si e ngrirë në vend.

– Si është e mundur! – më tha – Autori i “Greminës së dashunisë” të jetë gremisur në këtë mënyrë!

Dhe në gjithë purpurimin e fytyrës i hasa gjurmët e një pezmatimi të thellë për atë tronditje të çastit, teksa mbi pendëzat e qerpikëve i shndritën dy pikëza loti. Shumë saktë e kishte thënë Nezi, Mustafa Greblleshi pas atij suksesi të bujshëm të romanit, vërtet qe gremisur keqas. Imagjinoni 22 vjeç djalë të bëhesh i famshëm, duke pushtuar zemrat e mijra lexuesve, më 1945 të shoqërosh nëpër Shqipëri shkrimtarin e madh rus Ilia Erenburg, ta lësh atë gojëhapur për frëngjishten e kulluar, që e flet aq bukur dhe pas një viti në kulmin e krijmitarisë, pra as 25 vjeç të arrestohesh, të të vënë pranga pikërisht në duar, ato me të cilat shkruan(!) bashkë me miq të tillë: shkrimtarët e njohur Petro Marko e Andrea Varfi me të cilët punon në redaksinë e gazetës “Bashkimi”. (Arrestimi e burgosja e një redaksie të tërë. Rast unikal në median e shkruar botërore, që për fat të keq nuk është evidentuar aq sa duhet.) Vetëm një karakter njerëzor i fuqishëm mund të përballojë theqafje të tilla monstruoze.

Si u shkrua romani “Gremina e dashunisë”

“Me Mustafa Greblleshin, – më tregonte Ibrahim Hasnaj, miku i tij më i ngushtë, pak kohë para se të ndahej nga kjo jetë – ishim njohur që fëmij, thuajse ishim rritur bashkë, sepse edhe shtëpitë i kishim afër. Unë punoja në revistën “Njeriu” bashkë me profesorin e njohur Fiqiri Llagami. Drejtor i revistës ishte Sherif Putra. Mustafai punonte tek gazeta “Bashkimi i Kombit” por shkruante shpesh edhe në revistën tonë. Prej kohësh më kishte folur për një subjekt interesant që ishte duke shkruar madje disa fragmente nga ai, me sa mbaj mend edhe i kishte botuar tek “Bashkimi i Kombit”. Konkretisht bëhej fjalë për një roman, por siç shprehej ai, nuk po arrinte të gjente kohën për ta çuar punën deri në fund. Ma kishte thënë disa herë këtë gjë dhe unë një ditë ia tregoj këtë fakt profesor Llagamit. Ishim duke pirë kafe tek “London”, bar-restorant në bulevardin “Zog I”. Ai u mendua pak. Me sa kuptova i erdhi keq, ngaqë ia njihte aftësinë e talentin Mustafait. Gjithsesi, pasi e shoshitëm një copë herë muhabetin, kusdisëm një plan, nëpërmjet të cilit do ta shtynim për ta realizuar projektin, që po e mundonte prej shumë kohësh”.

Madje, sipas tregimit të Ibrahim Hasnajt, zbatimi i planit kishte nisur që atë ditë. Kështu sapo kishte mbërritur Mustafai në redaksi, profesor Llagami kishte ngacmuar Hasnajn kinse duke iu drejtuar Greblleshit, që e kishte lënë mbas dore krijimtarinë letrare kohët e fundit. Dhe Greblleshi kishte aprovuar vërejtjen e profesorit. “Ti, – i ishte drejtuar Hasnaj, Greblleshit, – mos u merr me krijimet e mija, shkruaj atë roman që më ke thonë prej kaq kohësh, do e shkruaj sot e do e shkruaj nesër dhe deri më sot nuk ke bër asgjë”. Kaq kishte mjaftuar për t’u ndezur debati. Dhe puna kishte mbërritur deri aty, sa për zgjidhjen atij “konflikti” profesor Llagami, kishte shpallur një “duel” letrar midis dy shkrimtarëve të rinj tiranas, Ibrahim Hasnaj e Mustafa Greblleshi, duke filluar nga ajo ditë, brënda harkut kohor të dy javëve, duhej të dorzonin në redaksi secili nga një roman. Për të cilët se, kush përmbante më shumë vlera do të ipesh vlerësimi nga një komision, që do të ngrinte revista “Njeriu”.

Dhe kështu kishte nisur ky “duel” midis krijuesish të talentuar, ndoshta unikal në llojin e tij. Gjithsesi, gjithnjë sipas tregimit të Hasnajt, i cili personalisht as kishte patur ndër mend edhe as e kishte marrë mundimin ato ditë për të shkruar një roman. Gjithçka ishte bërë kinse për të nxitur Mustafain, që po atë ditë e kishte nisur punën me shumë vrull.

Ditët në vazhdim profesor Llagami, mëngjezeve sapo shkelte në redaksi sidomos ku gjente aty Mustafan pyeste Ibrahimin, si po i shkonte puna me romanin. “Bukuri, i përgjigjesha unë, – vijon tregimi i Hasnajt, – po më rrëshket pena vetvetiu”. Kurse Mustafaj thoshte vetëm kaq: “Po punoj, të shohim se çdo të bëj”. Ndërkohë ato ditë maji të vitit 1944 në Athinë të Greqisë do të shkonte një delegacion për të rënë në kontakt me Kryqin e Kuq Ndërkombëtar, ku do të kërkohej ndihmë për të mjeruarit e luftës në Shqipëri. Në përbërje të delegacionit bashkë me kryetarin e Kryqit të Kuq Shqiptar doktor Sadedinin dhe kryetarin e Komitetit të mjeruarve nga lufta doktor Vasfi Samimin, kurse përfaqsues i shtypit nga Ministria e Kulturës ishte caktuar Mustafa Greblleshi. Madje, dita e nisjes së tij për në Greqi, përkonte me atë të afatit për dorëzimin e romanit. Dhe pikërisht atë mëngjez para se të nisej për në Athinë, Mustafa Greblleshi erdhi në redaksi, dorëzoi dorëshkrimin e romanit. “E kam gdhirë mbrëmë, deri sa i dhashë fund”, – vetëm kaq tha dhe u largua ngaqë koha nuk i premtonte. Bashkë me profesor Llagamin e morëm dorëshkrimin e lënë, dhe u pamë sy më sy kur lexuam faqen e parë “Gremina e dashunis” roman nga Mustafa Greblleshi. Profesori pasi e lexoi faqen e parë ma kaloi mua. Dhe kështu fletë pas flete e dorë pas dore e lexuam me një frymë. “Paska bërë vërtet një mrekulli, – tha profesor Llagami, – bëmë mirë që e nxitëm për këtë duel”.

Kur u kthye Mustafaj nga Greqia, atë mbrëmje kur kalonte rrugës së Elbasanit për në shtëpi në vitrinën e librarisë “August”, të cilën ai e frekuentonte rregullisht jo vetëm për libra, por sidomos për të shfletuar shtypin e huaj, pa romanin e tij “Gremina e dashunis”, vënë në qarkullim nga shtëpia botuese “Ismail Mal Osmani”. Ishte romani i parë sentimental në letërsinë shqipe, që u përpi brënda pak ditëve nga të rinjt e asaj kohe dhe u shit habitshëm në kohë rekord……

—————————-

Po siç ndodh rëndom pas ditësh të vrejtura, me rrebesh e shi, qielli hapet dhe rrezet e shndritshme diellore ndriçojnë e ngrohin në paqe e qetësi edhe shpirtrat e trazuar. Në revistën “Nëntori” Nr. 2 të vitit 1962 u befasova kur në faqet e saj lexova tregimet “Kukulla” dhe “Tut Huqi dhe hygjena”, që mbanin firmën e Mustafa Greblleshit. Ndjehesha kaq i lumturuar atë ditë sa gati nuk mbushesha me frymë nga emocionet. Më në fund autorit të “Greminës së dashunis” i qe dhënë “visto” për të shkruar. Interesant qe, madje fakti që tregimi “Tut Huqi dhe hygjena” ishte shkruar mbi motive reale të përjetuar nga autori, si edhe unë atë ditë tek u takova për herë të parë me të, përpos personazhit kryesor të cilit ai i kishte qëndruar besnik, jo vetëm në portretizimin fizik, por edhe në atë shpirtëror, çka e vërtetonte më shumë këtë gjë qe pikërisht emri i tij i vërtetë në jetë: Tut Huqi furrxhi i njohur me nam shumë të mirë edhe sot e kësaj dite në Tiranë. Dhe mbi të gjitha ky fakt, qe një mësim tejet i vlefshëm për krijimtarinë time të mëvonshme, që më obligonte për të mos e marrë kurrë penën për të shkruar, nëse në thelb të ngjarjes nuk do të qe të paktën një bazë reale sado e vogël nga jeta.

Pas kësaj emrin e Mustafa Greblleshit e ndeshja dy apo tre herë në muaj nëpër faqet e “Dritës”, si autor tregimesh interesantë apo reportazhesh shumë tërheqës, gjë që më bënte të ndjehesha i lumturuar. Kulmi qe, kur nëpër vitrinat e librarive tona u ekspozua kopertina e vëllimit të tij me tregime “Albumi i një bojaxhiu”. Ashtu si edhe në rastin e romanit, u përsërit po e njëjta gjë për orë të tëra u zhyta nëpër faqet e librit derisa i dhash fund. Dhe s’kishte se si të ndodhte ndryshe, përderisa për mua ai tashmë ishte i deklaruar: shkrimtari më i dashur shqiptar dhe aq më tepër që mjeshtërisht ndër ato faqe përshkruante jetën e qytetit tim të shtrenjtë, me njerëzit e thjeshtë në ato ambiente të magjishëm të ngrohtësisë tiranse. Kur i tregova Nezit të nesërmen në klasë, i meritova me të drejtë kritikat për pavëmendshmërinë që kisha treguar duke mos ia sjellë atë libër, çka më detyroi në mbrëmje të shkëputesha nga trotuaret e Broduejit dhe t’ia çoja, aty ku e kishim lënë tek rrugica përballë poliklinikës qëndrore. I pashlyeshëm ka mbetur në kujtesën time imazhi i asaj mbrëmjeje të largët tiranse, ndriçuar nga argjendimi i rrezeve të hënës, teksa Nezi e mbante librin shtrënguar në kraharor, aty ngjeshur pas copës prej fanellate me kuadrata, të atij fustani të thjeshtë, ku brishtësinë e supeve ia mbulonte xhaketa e vjetër e babait, mbi të cilën i dallgëzonin flokët. Pas këtij takimi kur u ktheva në shtëpi hodha në letër poezinë: “Buzëqeshjet e tulipanëve nordikë”.

BUZEQESHJET E TULIPANEVE NORDIKE 1)

Hapi yt, pendë i lehtë

shket mbi gurët e lagur të rrugicës.

Flokët e tu, mëndafsh i verdhë

dallgëzojnë mbi xhaketën e vjetër të babait

hedhur supeve të brishtë,

ravijëzuar nga dritë e hënës.

Në “Broduej” sonte e dashur

pashë të buzëqeshnin tulipanët nordikë!

Vështrimi yt i hutuar:

“Mos vallë flet për[art?”

Nuk të gënjej unë i pashë

dhe desh harrova fjalët e tua:

“…Eja se, a e di se sa mërzitem mbasdite”,

që më erdhën si tufë harabelash të trembur.

Desh i harrova e dashur.

U hutova i tëri pas tulipanëve nordikë,

që cuditërisht buzëqeshnin edhe shetisnin

këtë mbrëmje nëpër “Broduejn” tonë.

Teksa hutimi në sytë e tu,

ende s’ka të shuar.

Ngulmas tulipanët kërkojnë të gjejnë në sytë e mi,

por ndërkohë

zjarri im mbi buzët e tua shuhet i përmalluar.

E ke kot e dashur,

në iriset e këtyre syve je vetëm ti.

———–

1963

1) Më 31 dhjetor 1963 në Tiranë për një vizitë zyrtare kryeministri i R. P. të Kinës {u En Lai. Me që Kina në atë kohë nuk ishte bërë ende anëtare e OKB dhe nuk lejohej të fluturonte me avionët e saj, delegacioni kinez udhëtoi me avion [arter marrë me qera nga Danimarka. Kështu atë mbrëmje të largët fundviti stuardesat daneze (kuptohet si të gjitha nordiket padyshim ishin bjonde, ndaj figurativisht i kam identifikuar ato me tulipanët nordikë, me që kjo lule është më karakteristikja që rritet në këto vende)shoqëruar nga pilotët e avionit teksa shetisnin nëpër kryeqytet, kaluan edhe në “Broduejn e Tiranës”.

Fill pas botimit të vëllimit me tregime Mustafa Greblleshi korri një sukses të dukshëm në shfaqjen “Ditari i një bojaxhiu” me bashkautor në libret mikun e tij shkrimtarin e njohur Dionis Bubani, vënë në skenë nga trupa e estradës së Tiranës, ku interpretonin artistë si Ramazan Zyberi, Skënder Sallaku, Melpomeni Cobani, Myftar Armiri, Enver Dauti, Meaxhide Pici etj. Shfaqja në fjalë ishte mbështetur në motivet e disa prej tregimeve të vëllimit “Albumi i një bojaxhiu”. Premiera e saj jo vetëm u prit shumë ngrohtë, por edhe u ndoq për javë të tëra me interes të jashtzakonshëm nga artdashësit kryeqytetas. Më pas ai botoi një libër të vogël me skica e skece për fëmij, titulluar “Shalli i kuq”.

Entuziasmi im në atë kohë nuk kishte të përmbajtur, më dukej punë ditësh që nëpër vitrinat e librarive do të dukej edhe kopertina e romanit “Gremina e dashuris”. Madje, arrita deri atje që në mbrëmjet e vitit të ri që organizonim në gjimnaz, kur bënim të ashtëquajturën kadrile, krahas Hamletit e Ofelisë, Romeos e Zhulietës, Otellos e Desdemonës, Onieginit e Tatjanës në bashkpunim me shokët do të vija patjetër edhe heronjtë e “Greminës së dashunisë”, Memlin e Margaritën. Do të zgjidhja vajzën më të bukur të shkollës ashtu siç e kishte përshkruar edhe shkrimtari, kurse për Memlin shokun tim më simpatik, nga sytë e të cilit buronte më tepër dritë.

Intermexo për Nasho Jorgaqin

Shkrimtari e eseisti ynë i njohur profesor Nasho Jorgaqi, i suksesshëm në vitet 60-të që me botimin e novelës “Dashuria e Mimozës” (të cilën tashmë pas një ripunimi të thellë e ka shndërruar në roman), në ato vite kishte lajmëruar bojaxhinjtë në ndërmarrjen komunale banesa për të lyer apartamentin. “Qëndrova vetë në shtëpi, – ka treguar shkrimtari më vonë, në një mbrëmje përkujtimore organizuar enkas in memmoriam nga shoqata “Tirana” në vitin 1994 për Mustafa Greblleshin, në ambjentet e “Piramidës”- bojaxhinjtë erdhën shpejt. Ishin dy vetë, një më i moshuar kuptohej qe “ustai” dhe ndihmësi një më i ri në moshë. Filluan punën dhe më vonë në një çast pushimi pasi u bëra nga një kafe në bisedë e sipër kur mësuan se ç’punë bëja, “ustai” e “çiraku” u panë sy më sy. Por, unë nuk i dhash rëndësi këtij detaji. Gjithsesi, disa çaste më vonë “çiraku” gjeti rastin si mënjanë, më tregoi se cili ishte “ustai” i tij. Të them të drejtën u befasova dhe njëherësh, më erdhi keq por e pata edhe për kënaqësi që po më jepej mundësia të njihesha me të. Romanin “Gremina e dashunis” të Mustafa Greblleshit e kisha lexuar fshehurazi me një frymë që në gjimnaz. Pas kësaj u ulëm e folëm gjatë, Greblleshi më tregoi që gjatë gjithë kësaj pauze, ku i ishte privuar botimi, kishte shkruar edhe vijonte të shkruante. Kur u ndamë i kërkova të më sillte disa nga krijimet e fundit. Dhe vërtet pas disa ditësh u takuam sërish. Më kishte sjellë vëllimin me tregime “Albumi i një bojaxhiu”, dy nga të cilët “Kuklla” dhe “Tut Huqi dhe hygjena” ia botova në revistën “Nëntori”.

****

Nga mesi i viteve 60 – të Mustafa Greblleshi na solli në shqip të përkthyera përsosmërisht nga origjinali novelat e nobelistit italian Luixhi Pirandelo në përmbledhjen “Jeta lakuriq” dramat e Eduardo de Filipos në përmbledhjen që mbante për titull kryeveprën e tij “Filumena Marturano”, pa thënë për poezit e Alfred De Vinji e Pjer Kornejt dhe të Alfred de Myses, që nuk dihet se ku kanë përfunduar. Dhe vetëm kaq. Ndërkohë thuhej se janë botuar edhe përkthime të tjera të tij, por pa emrin e shqipëruesit. Gjithsesi mbi të ranë përsëri represionet dhe persekutimet diktatoriale, që arritën kulmin më 1967 me vendosjen e një fletë-rrufeje në qendër të Tiranës, që e detyruan shkrimtarin të zhdukë më duart e tij, me qindra tregime e novela dhe bashkë më ta edhe njëmbëdhjetë romane në mes të të cilëve: “Shefi me sy të kuq” roman biografik, që kishte në qëndër persekutorët e tij, romanin erotik “Azylka” etj. Por, për fatin tonë të mirë bashkëshortja zonja e nderuar Rushi, arriti të shpëtonte jo plotsisht romanin “Muzgu i bregut tjetër”, si dhe “Gremina e dashunisë”, të cilën kishte shumë kohë, që e kishte shkrojtur edhe njëherë nga e para. Vetëm kaq arriti të shpëtonte nga gremisja tjetër e këtij shkrimtari të talentuar.

blank

Mustafa Greblleshi

I çuditshëm vërtet fati dhe tejet i pamëshirshëm si për krijuesin ashtu edhe për romanin “Gremina e dashunisë”, që në harkun kohor as prej dy dekadash ka parë dritën e botimit disa herë rradhazi në Kosovë, me sukses të plotë, ndërkohë që në Shqipëri ndalohej qarkullimi i tij. Edhe kjo padyshim bënte pjesë në paradokset e panumurta absurde të sistemit të dështuar komunist, pre e të cilëve u bë disa herë shkrimtari Mustafa Greblleshi, më i madhi në trevën e Tiranës e ndër më të mëdhenjtë e Shqipërisë, nivelin, vlerat dhe kapacitetin e të cilit, dinin ta çmonin e vlerësonin, gjigandë të tillë të pendës në letrat shqipe: Eqerem Çabej, Lasgush Poradeci, Petro Marko, Mitrush Kuteli, Nonda Bulka e Sterjo Spase, të cilët jo më kot e mbanin aq pranë, e donin aq shumë dhe e kishin aq mik.

Ndërkohë, i madhi Ismail Kadare, e çmon jashtzakonisht tek angazhohet e shkruan parathënien në kryeveprën e letërsisë botërore përrallat “Njëmijë e një net” përkthyer mjeshtrisht prej tij, po që Mustafa Greblleshi nuk pati fatin ta shihte. Një ditë të bukur maji, data 16 e vitit 1986, në moshë ende të re, ndërkohë që kishte edhe shumë e shumë për të na thënë edhe për të na dhënë, tek qëndronte në ballkonin e shtëpisë ulur në kolltuk, me shkrime ndër duar, vdekja e pamëshirëshme e ndau prej nesh. Aty rrahu për herë të fundit zemra e Mustafa Greblleshit shkrimtarit më të talentuar tirans, me vështrimin e ngulitur në malin e Dajtit, aq të admirueshëm prej tij.

Në vitet 90-të shtëpia botuese “Çabej”, botoi përmbledhjen me tregime humoristike në dialektin tiranas “Muhabete tironce me Liun e Cakut”, të Mustafa Greblleshit, për të cilin mendojmë që ishte dhurata më e këndshme e simbolike që familja e profesorit të nderuar, të madhit gjuhëtar, Eqerem Çabej, bëri për mikun më të ngushtë e më të dashur të babait të tyre të paharruar, që profesor Çabej e mbajti pranë deri në çastet e fundit të jetës. Falë kujdesit e interesimit të shoqatës “Tirana”, tashmë një rrugë e një shkollë 9-vje[are e kryeqytetit mbajnë emrin Mustafa Greblleshi. Madje, herë pas here janë organizuar edhe veprimtari përkujtimore ku janë interpretuar pjesë nga krijimtaria e tij. Para pak kohësh kryesia e shoqatës “Tirana” e ka nderuar Mustafa Greblleshin me titullin e lartë “Fisnikëria Tiranase”. Por, edhe një herë është për të ardhur keq, që botohen e botohen gati pambarimisht plot vepra mediokre, teksa “Gremina e dashunis” e ripunuar nga autori, madje nga e para, ende nuk po e sheh dritën e ribotimit. Ndërkohë në Kosovë ky roman deri tani, në mos qofsha i gabuar është ribotuar mbi gjashtë herë. Një dhuratë tjetër nga shtëpia botuese “Çabej”, sigurisht me shumë vlera është edhe botimi i librit “Kujtime 1939-44” nga Mustafa Greblleshi me parathënie nga Ismail Kadare.

=======

Marrë nga “Broduej i Tiranes”

blank

PËR ÇDO PSHERËTIMË- Nga Aida Meti

Me çdo psherëtimë
qe ti me vjedh nga gjoksi
për çdo fjalë
që ma gris gojën
një re pengohet
Ne ballin tim
përqendrimi i një horizonti;
i pasigurt pengohet
në ndonjë breshëri
duke u lëkundur
mes dy gishtave
të erës pastaj
goditi në një degë murrizi
deri sa për të ngecur
në një çarje te ngushtë,
e errët në një ndarje
Te pakëndshme
dhe e ngushtë
të ndara në një prerje të shpirtit.

Aida Meti

blank

Retë… Poezi nga Elida Buçpapaj

retë lëshuan brirë
pas tyre u varën
lisharëse
rrugët
me asfalt gri

kalldrëmë
resh të coptuara
të ngrysur
me gunga e cepa
të thepisur
apo lëkurlëmuar
të rrumbullakuar

asfalt prej reje
ngjyrë zymtësie
syreje depresivë
të mefshët
të vranët
me qerpikë
mjegulle fine
që gjithsesi
të ngulin
thika resh
pas shpine

blank

„I MODËS“- Poezi nga YMER ADEM LLUGALIU

 

Kurr s’kam tentue
me u ba „i modës“
tue u dhanë dorën
e tue i perqafue
servilët, injorantët,
zagarët, papagajët
fodullët, skllavët.
T’ue u buzqesh me sforcim
kukullave të kurdisuna
në prapaskenë,
që dhe hapin, shikimin,
gjestin, ngerdheshjen
susta e padukshme
ua kronometron.
Premtojnë mal
pjellin një mi,
duartrokasin
ku duhej me shqelmue.
Nepër gjuhën akull
tue ftohë ndjenjën e zjarrtë.
Nëpër ligjërimin njalë
tue lmue mendimin e vrazhdë.
Nëpër thesin e shekujve
litar i ndrymë
ka mbetë drejtësija
e pagjuhë, e pafrymë.

Rrëshen-Mirditë,1971

blank

DRAMA E KONGRESIT TË LUSHNJËS DHE LETRA PRESIDENTIT TË SHBA…- Nga Visar Zhiti

Delegatë të Kongresit të Lushnjes (1920)

– Triptik në 103 vjetorin e Kongresit në nderim të etërve –

Kongresi i Lushnjës është një dramë e madhe në skenën e Shqipërisë dhe për atë ka një dramë, të shkruar po në Lushnjë, që mbart atë frymë e kohë, por dhe fatin e një populli në një udhëkryq të histories së re.

1- KUVENDI SHPËTIMTAR

Në Lushnjën e vogël u bë histori kombëtare, u arrit “Pavarësia e dytë” e Atdheut, me një kuvend mbarëkombëtar.
…nisi në 21 janar 1920, pra 8 mote pas shpalljes së mëvetësisë nga perandoria otomane…
Gjëndja, kur do të mbahej Kongresi jetik, ishte dramatikisht e rëndë, plot me rreziqe, përçarje dhe varfëri, e paqartë brenda; kurse jashtë, rrëmujë ndërballkanike, ende nxinin gërmadhat dhe plagët e Luftës së Parë Botërore, ndërsa kërcënime shtoheshin. Dukej sikur hanxharët e një kasapane politike po mpriheshin sërish për ta copëtuar Shqipërinë për fare…
Ndërgjegjia e kombit dha kushtrimin skenderbejan. Përfaqësues, të përzgjedhur apo të vetëcaktuar, nga të gjitha trevat, kush e ndjente e mundëte, nga paria, nga ata që kishin bërë emër, kryengritës a nëpunësa, që kishin qenë në Vlorë në ngritjen e Flamurit, që kishin punuar në perandorinë otomane apo kishin studiuar nëpër Europë, që kishin mërguar deri në Amerikë, nga ata që kishin sakrifikuar për vendin, duke lenë pasuri dhe gjak, u nisën për në Lushnjë, me ndonjë makinë, nga ato të paktat që ishin atëhere, të ngadalta gati sa qerret, me kuaj, në këmbë, kaptonin male, çanin borën dhe baltën e dimrit, rreziqet e natës, nëpër shtigjet ku mund të gjendeshe befas mes ushtrive të huaja, që hazdisnin trojeve tona.
“Të mblidhemi në Lushnjë!” ishte thirrja. Qeveria heroike dhe hallemadhe e Ismail Qemalit ishte shprishur. E si u lajmëruan shqiptarët të mblidheshn në Lushnjë? Si u përcoll lajmi par me shumë se një shekull në vendin më të varfër në Europë, ku mungonin posta, institucionet, trenat, universitetet, media, shteti vetë, etj, etj? Si kaloi lajmi nëpër erë, me ç’frymë?
Dëshmori i parë ra, Abdyl Ypi. Por u bashkuan burrat, të palodhur nga lodhjet. Teksa i priste një lodhje tjetër madhështore. S’i caktoi kush delegatë, veçse atdhedashja dhe përgjegjësia. Thirrje si nga thellësitë e katakombeve të Kombit. Pra, jo me vota, as duke e blerë besimin, por sipas bëmave dhe përkushtimit dhe arritjeve dhe pasionit. U mblodhën si “oligarki morale”, jo për të bërë pasuri, por përkundrazi, duke lënë nga e tyrja, veç “të bënin Shqipëri”, siç po buçiste kjo këngë atëhere.
U mblodhën në Lushnjën, që ende ngjante me një katund, në sarajin më të shquar, atë Fugajve. Qëllimi ishte jo vetëm të gjykonin kohën, por të vendosnin se ç’duhej bërë në ato rrethana të rënda e me rrezikun e përbashkët mbi krye, ishte halli i Shqipërisë i pari dhe kryesori dhe të vepronin menjëherë, me qendresë e me diplomaci, edhe me luftë, po të duhej.
A kemi që na duan të mirën? Duheshin përcaktuar aleatët, nëse do të kishte përreth, atëhere më tutje, edhe më tutje, përtej oqeanit, pra ata që do të mund të ndihmonin në shpëtimin e Vëndit. Se gjysma e trojeve ishte marë… Të ruhej ajo që ishte, gjithmonë mëma Shqipëri.
Ku t’i gjenin forcat që të siguronin mbrojtjen e Kongresit? Një emër po dëgjohej gjithandej, Sulë Zdrava me luftëtarët e tij, po me atë pushkë që kishte qenë dhe në Rrethimin e Shkodrës, që kishte mbrojtur Beratin nga andartët grekë…
Kongresi i Lushnjës çudit:erisht ishte fare i qartë dhe i vendoaur. Në 10 ditët e punimeve të tij ribëri shtetin shqiptar, caktoi kryeqytetin, Tiranën, Kryeministrin dhe Qeverinë e tij për t’i dalë zot vendit. Institucionet dhe detyrat nga ideale u bënë program dhe veprim. Shqipëria po shpëtonte sërish. Mrekullia po arrihej. Nga ajo frymë e përbashkët, që vinte nga kohërat dhe varret, nga pragjet, brigjet dhe nga e ardhmja. Guxim dhe mençuri…
Ka mbi një shekull që ecin delegatët e atij kuvendi, mbërrin bëma e tyre dhe fjala e tyre në ditët tona, e arkivuar, ndërsa qeverive të tanishme u del si detyrë jo vetëm që t’i njohin thellë dhe t’i përkujtojnë, jo thjeshtë si histori, por si përvojë e mësime e frymëzim.
Ta kthejmë Shtëpinë e Kongresit në Lushnjë në tempull të patriotizmit, ku të bëjnë pelegrinazh gjeneratat e reja…

2- LETËR NGA LUSHNJA NË WASHINTON
Duket e çuditëshme! Si fantazi për atëhere. Po ja që ndodhi… Kryetari i Katundarisë së Lushnjës, gati një muaj pas mbarimit të Kongresit, më 17.3.1920, dërgon një letër. Dhe ku? Në Washington. Dhe kujt? Presidentit të SHBA-së, Wilsonit. Sa largpamës ky fakt! Lushnja përzgjedh shpëtimtarin, aleatin e Shqipërisë. Ç’letër e mrekullueshme, e qartë, e sinqertë dhe me fjalë të zgjedhura, e ndjeshme, pa stërhollimet kancelareske dinake, e urtë dhe me dije, e bukur… sa vizionare për të ardhmen!
Gjyshërit tanë të mbledhur rreth atij që shkruante, fjalët që ia thoshin me zë, shto këtë, këtë hiqe, po si t’i drejtohemi? Kujdes këtu, mos e zgjat shumë llafin, “e-rej, se isht Presidenti më i madh i botës, lale”, etj, etj. I kërkonin atij, Amerikës njohje të Shqipërisë, mbështetje dhe ndalim të planeve ziliqare të copëtimit të mëtejshëm. Ia kishin kërkuar vetes më parë dhe ishin gati të linin dhe jetën…
Letra është e shkruar me dorë, me pendë a stilolaps mbase dhe pastaj është transkriptuar dhe gjendet në Arkivin e Shtetit. E shkurtër. Me një vetëdije të thellë. Historike dhe ka brenda histori. Ka të ardhmen, që e thirri.
Duhet bërë e njohur sa më shumë kjo letër. Meriton vëmendjen e mëtejshme të studiuesve, të konferencave, të parlamentit e lidershopit, të politikës në përgjithësi dhe të kuptojë aty strategjinë kombëtare dhe taktikat në veprim… Orientimi i drejtë i shqiptarëve mes atij kaosi drejt SHBA-së ndrit si yll polar. Ndjesia e fuqishme e atdhedashurisë, Shqipëria quhet Mëmë dhe dhimbja therëse për Kosovën dhe Çamërinë, për tokën dhe detin, alarm dinjitoz për të mos I copërluar edhe më. Ja, teksti i saj i plotë, pa asnjë ndryshim dhe në drejtshkrim. Me një shqipe të qarta si e njësuar me të folursës e përbashkët. Shëmbullore si letër!
Shkëlqesisë së Tij Wilson, kryetar t’Amerikes
I Shteteve të Bashkuem Vashington.

Shqiptarët që kanë mbështun tanë shpresat e gjallnisë mbi shtyllën apostole të parimevet fisnike të Sh. S’Uaj, sot iu luten të të pranoni falenderjet e paraqituna përkundrejt zanit të nalt e mëshir madh që jeni tye kryer për shpërtimin e atdheut tyne.
I nalti kryetar, shpëtoni nji popull që asht m’i Vjetri në Ballkan e që ka drejtu vështrimet e shpëtimit t’Ekselenca Juaj dhe mo i lini me derdhë gjakun e me vdek përpara lakmimevet imperialiste të fqinjëvet veç sigurimin e kufijvet 1913-es, ju lutem me fuqinë e shpirtit mos pëlqeni as pak krasitje të pa arsyeshme si mbi Kosovë e Çamëri, mbi kufite natyrale ethnografike të sh. s’uej nuk munde me kjen të ndara nga Mëma e tyre Shqipni.
Ju lutemi në emër të popullit pranoni nderimet tona krejt besnike. 
Kryetari Katundaris së Lushnjës
Lushnjë, më 17.3.1920

 

Letra e Lushnjes për Presidentin e SHBA

Po si ia çuan atë letër historike Presidentit Wilson? Shqip? Po kush e përktheu? Ç’do me thënë ‘Kryetar i Katundarisë’? A, qenka Kryetari i atëhershëm i Bashkisë, zoti Besim Nuri. Mes atij analfabetizmi të madh, varfërisë e malarjes e trallisjes kombëtare, si iu arrit kësaj largpamësie, me ç’mister dhe ç’engjëll i printe dhe i mbronte?
Le të shohim një nga kronikat e kohës, shih, ç’thuhet:
…në fillim të vitit 1920, Wilsoni i irrituar refuzoi ta pranonte propozimin britanik, francez e italian për ndarjen e Shqipërisë në tri pjesë: Jugosllavia do të merrte veriun, Greqia jugun, kurse italianët do të kishin mandatin për ta qeverisur një shtet të vogël shqiptar që do të mbeste pas kësaj rrudhjeje. Vlora do të bëhej pjesë e Italisë. Britanikët dhe francezët po përpiqeshin ta arsyetonin planin e tyre duke thënë që ‘populli shqiptar kurrë s’ka qenë në gjendje ta themelojë një qeveri të veten’. Wilsoni fuqishëm refuzoi, siç tha vetë ai, ‘padrejtësinë’ ndaj popullit shqiptar.”
Ai prej njerëzve vlerësohet që vetë i dha fund idesë së ndarjes dhe një mandate italiane që ka qenë në zemër të negociatave në Versajë. Bile edhe në atë kohë, përfaqësuesi i Qeverisë së Përkohshme Shqiptare në Shtetet e Bashkuara, shkruante në gazetën “New York Times” të 11 marsit: “Shpëtimi i vendit tim i mbetet borxh tërësisht veprimit të qeverisë së Shteteve të Bashkuara.”

Në Tiranë, në kryeqytetin që caktoi Lushnja, kur vendi u hap dhe mori udhën e demokratizimit, u ngrit shtatorja e Presidentit Wilson në sheshin që iu dha emri i tij në 2012, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, por po në atë bronz meriton të derdhet dhe kjo letër-institucion dhe të vihet si memorial në Lushnjë, në sheshin para Bashkisë a para Shtëpisë së Kongresit, në Muzeun Kombëtar në Tiranë në Parlamentin Shqiptar. Dhe të bëhen kongrese për Kongresin e Lushnjës.

3- DRAMA ME FRYMËN KONGRESIT

Dramturgu dhe aktori Hekuran Zhiti dhe drama për Kongresin e Lushnjes

“Të mblidhemi në Lushnjë” u shkruajt nga aktori dhe dramaturgu Hekuran Zhiti në Lushnjë, në një dhomë të vogël në një apartament modest, që është dhe sot. Do të festohej 50 vjetori i Kongresit dhe donin që ta vinin në skenë…
Të tre aktete e dramës ndodhin në Lushnjë dhe nis me personazhe vendas, të trilluar dhe realë si Vath Plugu dhe Bajrami, Xha Bami i Haxhiajve, korrieri i Kongresit dhe kulmon me delegatët, përfaqësues të krahinave të vendit, me figura historike si Sheh Karbunara, Plaku i Butkës, Delagati i Matit, më i riu që bëhet minister e brendshëm e deri te Kryetari i Kongresit, Elbasan Pasha, kështu quhet në dramë, etj. Milicë shqiptarë e ushtri të huaja aty, ushtarë e oficerë italianë, ndonje filogrek, etj, etj. Si një mister në dramë ndjehet mbështetja amerikane, fryn si një fllad shpresëdhënës. Fundi i dramës është një magjistrale patriotike. Çahet rrethimi për të mbërritur në kryeqytetin e ri, në Tiranë, për të shkuar në ardhmëri…
Drama “Të mblidhemi në Lushnje” u botua së pari me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së vendit dhe u ribotua me rastin e 100 vjetorit të Kongresit të Lushnjës nga editori “Uegen”, shoqëruar me një studim nga botuesi, historiani Xhevair Lleshi. Në gjimnazin e Lushnjës nxënësit e vunë në skenë dramën dhe priten skena të tjera të mëdha.
Si një vazhdim plot emocion, po sjellim këtu pak nga fryma e dramës, nga akti i tretë dhe i fundit.

Në Kongres:
(Salla me 10 ose 12 sërë karrikesh. Në krye një tryezë e madhe, në anë të saj një flamur kombëtar me shtizë dhe një portret i Skënderbeut në njërën dhe i Ismail Qemalit në anën tjetër. Kongresistët, disa me veshje karakteristike të Veriut dhe të Jugut dhe disa me kostume europiane, barsolina e gravata e çanta, janë shpërnarë në grupe, dy e nga tre, duke biseduar…
Lushnjarë e bashkë me ta e të tjerë të armatosur, Vathi, Bajrami, Vrenozi, Thimiu, etj., si roje rrinë pak larg, hyjnë dhe dalin.
Zera:
– …kam ardh mes borës, ujqve dhe ushtrisë serbe…
– E madhe shtëpia… e mblodhi Shqipërinë…
– …nuk kanë mbrritë të gjithë…
– …ku ishit mbrëmë?
– Këtu afër. Na kanë pritur me këngë. Këndonin me rradhé dhe dilnin bënin roje me pushkë jashtë shtépisé…
– …kush e kishte Korçën, grekërit apo fracezët?
– Francezët për grekërit…
– Shiko Plakun e Butkës… legjendarin…
– … sa kohë që s’jemi parë? Qysh në Vlorë,
– …atë ditë kur u ngrit flamuri…
– A fillojmë, burra? Koha nuk pret…
– I përndershmi Sheh Karbunara do t’i bëjë një lutje Zotit, që të na bekojë… ogur i mirë… në mbrojtje nga të papriturat e shumta… ka kaq trazira…
(Të gjithë pa lëvizur nga vendi ngrijnë në heshtje dhe secili, sipas menyrës së vet, luten, dikush me kokën lart, me duart e bashkuara, me kryet ulur, ndonjë gjunjëzohet, mërmërisin, etj., në mes tyre Sheh Karbunara i statujtë duke krijuar kështu një si grup skulpturor sugjestionues, suprem…
-Përfaqësuesi i Lushnjës ta marrë fjalën… Zoti Vokopola nise…
Përfaqësuesi i Lushnjës – Në emër të Prefekturës së Lushnjës, Beratit e Skraparit ju uroj mirëseardhjen në Kongres. Nuk jemi këtu vetëm në shtëpinë e mikut tonë bujar, lushnjarit të nderuar Kaso Fuga, por dhe brenda mureve të historisë. Po nisim një betejë, sot më 21 Janar 1920, e mërkurë, që nuk do të harrohet, e ndjej… (emocionohet) Zini vendet… në këtë sallë… por dhe në ngjarjet që na presin…
Ia jap fjalën patriotit të flaktë, veprimtarit të palodhur kundër pushtimit otoman, mbështetësi kryesor i Ismail Qemalit, ministër në qeverinë e parë, Elbasan Pashës, i zbardhur në përpjekjet për çështjet e më mëdheut. Urdhëroni!
Elbasan Pasha (I moshuar, me pak mjekërr të bardhë, i hollë, i thatë, me kravatë e qylaf, me zë të ngadaltë e pak të ngjirur.) Të dashur qytetarë, delegatë nga i gjithë vendi, ju që keni ardhur dhe ata që nuk kanë arritur ende, por dhe ata që nuk do të vijnë dot kurrë se janë vrarë për ideal, (duartrokitje të forta), luftëtarë, burra që më bëtë nderin ta çel këtë kuvend, vazhdim i atij të Lezhës me Skënderbeun dhe i atij të Prizrenit me Abdyl Frashërin me shokë, duke ju falenderuar me shpirt, shpall të hapura punimet. Së bashku të hapim udhën që do të ndjekim. Nëpër vazhdën e gjakut do të shkojmë ku na e do zemra e plasur që të arrijmë te ëndrra, atje ku na e do puna, sipas amanetit të të parave. Shqipëria është bërë një herë dhe nuk ka pse zhbëhet!
Duartrokitje.
Zotërinj, jeni të lodhur, e di, keni ardhur rrugë e pa rrugë, mespërmes pushtonjësve të Shqipërisë, kjo na ka vrarë më shumë se sa të tatëpjetat e shtigjet e humnerat, se nata me erë e bora, kemi ecur me mjete që prisheshin, kështu e lanë atdheun tonë, me karroca e kuaj e më këmbë, po u shplodhëm që gjetmë sho-shoqin e do të bëhemi me flatra kur të gjejmë dritën që na duhet.
Kam kërkesën që të nderojmë dëshmorin e kësaj ideje, bashkëpunëtorin tonë të ngushtë, Abdyl Ypin, që e vranë ca ditë më parë për të mos qënë këtu ai dhe të gjithë ne e ky Kongres të mos mbahej. Nëpërmjet tij duam të përulemi para gjithë të rënëve dhe martirëve të Kombit…
Të gjithë ngrihen më këmbë. Heshtje e thellë…
Pas përfundimit të Kongresit të Lushnjes
Kryetar (i porsazgjedhur) – Të vazhdojmë më tej… të formojmë komisionet, që tani, të ndahen përfaqësonjësit në grupe dhe… Po emërojmë Sekretarin e Kuvendit, zotin Vokopola dhe për të këqyrur letërpërfaqësimet e delegatëve, pra një komision të posaçëm prej 5 vetash… Hë, të presim… për të mos pritur…
Delegati i Matit – (ngrihet) Unë jam për sulm, i përndershmi Sheh!
Zera – Me shka, me çfarë?
Delegati i Matit  – Me armën e diplomacisë, me diplomacinë e armëve.
Delegati i IV – Konkretisht: burra, gra, djem e pleq, me spata e me hunj, me armët që kemi, të përzëmë armiqtë nga toka jonë. Të hedhim si leckë qeverinë e sotme, që nuk bën për sot. (Duartrokitje)
Kryetari – Traktatin e Fshehtë të Londrës… Kongresi e hedh poshtë me vendosmëri duke përgatitur një protestë energjike për Konferencën e Parisit.
Kjo bëhet në emër të Asamblesë së Kombit në Lushnjë, kundra vendimeve të Francës, Anglisë, Italisë për copëtimin e Shqipërisë ndërmjet Italisë, Greqisë, Sërbisë e Malit të Zi. Rezolutën, na vjen një kërkesë, përfundoje kështu (lexon): Shqiptarët janë gati të bëjnë çdo lloj sakrifice dhe me e derdh pikën e fundit të gjakut të tyre kundra çdo veprimi, që mundet me vue në rrezik pamvarësinë dhe tërësinë e saj tokësore…
Ndizen drita ngadalë, salla e kuvendit, përfaqëuesit nëpër vende, kongresi vazhdon punën…
Sheh Karbunara – Të tregojmë që dimë të qeverisim. Shteti i pavarur shqiptar është realitet. Kështu kanë bërë dhe disa shtetet të tjera të robëruara, zotërinj, kështu Çekosllovakia, Finlanda, Polonia, Lituania… Edhe ne. Shtet i vjetër, qeveri e re!
Rojet e Armatosura – Rroftë Qeveria e re!… (Duartrokitje)
Nënkryetari – Të përgatiten tekstet që do t’i dorëzohen Konferencës së Paqes në Paris dhe Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sugjerime!
Plaku i Butkës – T’i drejtohemi Parlamentit italian, por jo me ton të butë, kështu m’u duk se dégjova, me lal e me lule ose me tryla si thotë myzeqari. Me spatët dardharit siç e përdorin nga Korça…
Përfaqësuesi i Matit – Shkronjat duhet të bjenë erë barut!….
Vrenozi – Zoti ka urdhëruar këtë Kongres për të shpëtuar Shqipërinë.
Delegati IV – Populli është mbret vetë dhe s’ka nevojë për mbretër, sulltanë e perandorë.
Kryetari – Të gjykojmë situatën ku ndodhemi.
Delegati II – Kongresi do përballet dhe do krijojë situatë vetë. Ne na shkon republika, republika, zotërinj dhe asgjë tjetër.
Zëra: republikë, po, po republikë… THOMAJ- Mbështetur nga shumë pëlqime, mendoj të kemi kryeministër zotin Sulejman Delvina.
Delegati I – Tani ai ndodhet jashtë shtetit, në Konferencën e Parisit, pra askush këtu nuk mendoi tjetrin pranë a vetveten.
Delegati II– Gjithmonë më i mirë është ai që mungon… (Të qeshura)
Kryetari – S’është ashtu gjithmonë. Ne i dimë vlerat e mëdha të zotit Delvina, rrjedh nga një familje ndër më të njohura dhe më të famshme në të gjithë Jugun. Ka kryer gjimnazin e Janinës dhe mandej në Stamboll. Fakultetin e Mylqijes në kryeqendrën e Perandorisë Osmane dhe pas marrjes së diplomës, siç e dini, ai u caktua menjëherë atasheut në Ministrinë e Brendshme të Turqisë dhe më pas si sekretar në zyrën e dekreteve të Kryeministrisë. Po në ato vite, ai shërbeu si profesor i literaturës në Gallata Saraj, etj. Në Bibliotekë gjithmonë e gjeje me libra francezë, të kulturës dhe shkencës perëndimore, dihen dhe interesi i tij e adhurimi dhe mirënjohja për Amerikën…
Delegati II- Ai të vijë sa më shpejt.
Ministër i Punëve të Mbrendshme Delegatin e Matit, Zogun e maleve, trimin 25 vjeçar… po, po…
Ministër i Punëve të Jashtme z. Mehmet Bej Konica…
Ministër i Arsimit z. Sotir Peci…
Ministër i Drejtësisë z. Hoxhë Kadri Prizrenin… Zëvendës z. Hysen Bej Virjoni… Ministër Finance Z. Ndoc Çoba… Zëvendës z. Idhomen Kosturi…
Votohen. Duartrokitje…
Kryetari – Tani nuk na mbetet gjë tjetër, veç të bëjë betimin Këshilli i Naltë dhe Qeveria e re dhe të gjithë delegatët për ato që marrim përsipër. (Heq flamurin me shtizë e del para tavolinës duke e mbajtur në dorë.) Urdhëroni, zotërinj, të bëjmë betimin më të lartë para Kombit.
Delegatët ngrihen në këmbë ndërsa të zgjedhurit afrohen para flamurit.
Sekretari – (Lexon me zë të lartë) “Betohem n’Emën të Perëndis, tue dhanë besën shqiptare e fjalën e nderit përpara Mbledhjes së Kombit, se do t’i shërbej popullit dhe shtetit shqiptar drejtësisht dhe mproj ligjet dhe indipendencën e plotë të atdheut të shenjtë!”
Të zgjedhurit  – (Një zëri) Betohemi! Duartrokitje. Kryetari u jep dorën. Delegatët ulen.
Një zë – Dua të shtoj dhe poetin e madh Gjergj Fishta! Le ta kenë si sekretar më vonë…
Një zë tjetër: – Rroftë Poeti! Duartrokitje prapë.
Kryetari – Kongresi i Lushnjës është Pavarsia e Dytë e Atdheut!
Sekretari – Si kujtim nga ky Kongres kemi ca flamurë të vegjël si lulkuqet e fushave me grurë të Muzeqesë, vërini nga ana e zëmrës. Këta do t’i shpërndajmë kudo.
Shpërndan flamujt e vegjël.
Njëri nga delegatët – Ja, kështu dua ta kem plagën në gjoks në luftë për atdhe…
Zëra të ashpër – Jeni të rrethuar… ndalni!… Kongres i paligjshëm… Dorëzohuni… do ju shpërndajmë me forcë…
Jehona e kërcënimeve përsëritet në gjuhë të tjera, italisht, greqisht, serbisht: ndalni… të rrethuar…
Ministëri i Punëve të Mbrendshme – Largohuni! Kongresi shqiptar është mbledhur si vullnet i popullit dhe jo në mëshirë të ndokujt, ushtri qoftë a qeveri e huaj. Po ju them që mos u përzieni në punët tona, përndryshe do ju godasim. Ne nuk duam armiq, por bëni mirë të largoheni nga Lushnja… dhe nga Shqipëria. Ndryshe do ju përzëmë dhe me luftë. Unë, bashkë me forcat e mia të armatosura do të marrshojmë drejt Tiranës!
Një zë i ashpër – Kush jeni ju?
Ministër i Punëve të Mbrendshme  – Ministri i Brendshëm i Qeverisë së vendit tim. Hapnu udhën!
Zëri – Mos lëvizni.
Ministër i Punëve të Mbrendshme – Unë nuk njoh tjetër autoritet, përveç Kongresit të Lushnjës. Ju përdorni armët që keni në dorë, në guxofshi. (Të vetëve.) Përpara me mua! Hingëllima kuajsh, trokëllima… Bie perdja.

* * *

Kështu mbyllet kjo dramë dhe duket sikur zhurmat e shqetësuara të kohës, ato hingëllima kuajsh të ngjarjeve vazhdojnë mitike dhe ndryshe, në kohë të tjera, pa ata kalorësa dhe pa ato barra mbi shpinë, ndërsa trokëllimat ngjajnë si të shndërruara në trokitje në dyert e Europës.
Kongresi lavdimadh na thërret vazhdimisht t’i rikthehemi betimit shqiptar, të lartë dhe me besë, me fe e nder e përkushtim, me drejtësi dhe ligje, dhe të gjithë, tani e gjithmonë, të ndjehemi si para “Mbledhjes së shenjtë të Kombit”, ndërkaq, si me atë misterin që ndihet në frymën e dramës së Kongresit, të bëjmë që të na vijë vazhdimisht ai zëri i mbrojtjes dhe nga përtej oqeanit, nga shteti më i fuqishëm në botë, SHBA, për të gëzuar prosperitet.
Ndërkaq duke u shtuar dhe Republika e Kosovës, duke u bërë dy shtete shqiptare në Ballkan, së bashku me të gjithë shqiptarë kudo në trojet e tyre dhe në diaporë nëpë botë, të shkojmë drejt ardhmërisë. Dhe me emblemën e Kongresit të Lushnjës.

blank

VJESHTA E ZOGJVE QË IKIN DHE E KËNGËVE QË VIJNË… – Nga Albert Habazaj

Poemë
2023

 

 

PJESA I

Motive me diell Çike

Moj fletorkëz vjershërore,
Vargun s’e mbështjell me shall;
Moj fletëzarta vjeshtore
Kupa mjalti zbraz me mall…

Vjeshtës së parë për Tërbaçin
Një qiell urimesh i solla:
Që mëhallat diell paçin,
Në çdo portë diell mbolla.

Në Tërbaç, vjeshta e parë
Si molla, të bën të ëmbël,
Me dritë floriri i larë
Si ato zanat në ëndërr…

Rrush e dardhë e ftoj e shegë,
Lumë e fushë e mal e pyje;
Blerim bujar në çdo degë,
Merr e jep shporta me yje.

O Tërbaç, sa shumë të dua,
Gurrë e kulluar drite;
Mbushem me këngët e tua,
Motive me diell Çike.

Fshat i madh për valle, këngë,
Përshëndet Çika mbi krye,
Si malet rrotull në këmbë,
Jep e merr shporta me yje.

Të fala nga Vlora

Vargje të lagura nga shirat e vjeshtës
Për në vise të largëta guxoj të nis;
Druhem nga tetori, muaji i vjershës,
Se vreshtat vagëllohen të bëhen feniks …

Shkon urimi në Ohrin tim, në Ohrin tënd,
Nga Vlora e Lasgushit, në Pogradecin e Asllanit;
Një det me të fala po nis me gjithë mend,
Se jam fryma labe e Kosovës, Elbasanit …

Është shpirti i pastër si vesë prilli
Që dritëron për çka Zoti ka bekuar;
Të ka, moj vjeshtë, jeta ime sinonimin
Me rruaza diellore vlorërisht zbukurar.

Vjeshtë, moj e bukur vjeshtë,
Të kam rrush, shegë dhe pjeshkë …

Pikturë poetike

Mirë se ardhe bukuroshe, vjeshtë buzëarta,
Me ëmbëlsinë dashamirëse sa butë më zgjove;
Si një grua e plotë, e mirë, pa dekorata,
Pasaportë dashurie në krahë të zogjve.

Një ngjizje mistike më dalldis me vjeshtën,
Herë si Penelopa më duket, herë si Zhuljeta;
Është aroma e saj që ma deh vjershën
Kur rrebelohet si një Petro Marko me gërsheta.

Me Monalizën e Da Vinçit, më duket
Se janë dy motra të kapura për dore;
Kur e shkel, më vjen shumë keq për vjeshtën;
Do të zihem me të, po korri hamullore …

Shirat e vjeshtës

Shirat e vjeshtës rrudhin ballin fajtor,
Vjeshtës nuk i bëra dot karantinë;
E pakos si shami, kur fshij lotët,
I zbuloj personalitetin, psikologjinë .

Natës, turbullohet hëna pas shiut,
Pastaj na hiqet si vajzë e sjellshme;
Vjeshta përshëndet mikeshën qiellore,
Hoje mjalti nga Universi derdhen.

Në vjeshtë dhe plaku flokëborë duket
Thinjur më bukur nga të tjerët;
Shirat e vjeshtës më rrëmbejnë tutje,
Zgjas duart të këpus yjet e ndezur.

Është e pjekur vjeshta, s’mban inate,
Era e ftoit këndshëm i del pragut;
Kur poetët e imitojnë nëpër vargje,
Vjen papritur dimri-princ i akullt.

Në vjeshtë hapen buzët e paputhura si sythe
Të shuajnë etjen e verës që shkoi;
Nën çukitje shirash faqet e vajzave
Feksin si llambushka nate…

Ranë gjethet

Legjendave tona u ranë gjethet,
Iu thanë ato fletët e verdha,
Nuk u thanë legjendat,
Rrënjët e tyre ishin aq të thella.

Rrënjët e tyre janë thellë nën tokë,
Nën dheun e babës, nën dheun e nënës,
Atje ku këngës i buron ëmbëlsia,
Atje ku marrin ritmin rrahjet e zemrës.

Ranë gjethet e legjendave tona,
Lëshuan sythe, lastarë të gjelbër,
Të ecim në këmbë, edhe pse është vonë,
Për të mos rënë qorrsokakëve nesër.

Zogu i vjeshtës

Vjeshta, kjo kupë e bukur, e begatë,
Ç’ më qenka veshur me triko trishtimi!
Fjala vjen, ky zog që sapo kam kapur
Pse kërkon shtigje të tjera fluturimi?

Më vështron i hutuar, ka merak,
Nuk më shfaq asnjë shenjë admirimi;
Mos vallë iu bë ujë ai pak gjak?
Mos vallë tek unë i ka humbur besimi?!

Më çukit në dorë dhe pak nga pak
Pulit sytë me nota qortimi;
Por zogu nuk ditka të mbajë inat,
Zogut të bukur i takon fluturimi.

Dhe më duket se e humba shoqërinë…
Kaluan dy stinë me të bukurin zog!
Të tjera cicërima me lule pres të vijnë,
Si në një simfoni trëndeline do të jemi tok.

Flamingot e Agron Dines

Sinqerisht, i quajta të vërtetë
Aq të bukurit Flamingo në Nartë!
Thashë t’u qasem, me dorë t’i prek…
M’i pruri peneli i perëndishëm ngjyrëartë.

Tek bëjnë balet uji zogjtë lozonjarë,
Në shtëpinë e tyre, në lagunë,
Më bënë për vete dhe si i marrë
Pikturës iu turra, Flamingot të kap unë.

Të bukur ma dha imazhi tronditjen
Dhe përse mos ta quaj veten me fat,
Që njoh, e kam mik Agron Dinen,
Piktorin aristokrat të zogjve aristokratë.

Në parvaz me dallëndyshen

Hapa dritaren dhe derën,
Mëngjes i pastër, i gjelbër.

Pikturon gëzime dielli,
Me vesh me kaltrinë qielli.

Pylli me zogj ndez orkestër,
Mua ma bën ditën tjetër.

Në ballkon, ku rri si mbret,
Një zog vjen, po nuk troket…

Më ulet në sup si ëngjëll,
Cicëron ëmbël si ëndërr.

Zog i vogël, dallëndyshe,
Ma zbukuron ditën ndryshe.

Me këmbë e krahë merr e jep,
“Çvit-çvit” më flet me sqep…

Më sillet rrotull për gushe
Dallëndyshja vogëlushe.

Unë e përkëdhel me dorë,
Më ngjan si princeshë e gjorë.

Ma fali fatin e bardhë,
E lëshova nga ka ardhë.

Dallëndyshe e vogël-o,
Nëpër qiej fluturo!

 

 

 

 

 

PJESA II

Vjeshta në Shqipëri ka ngjyrë lirie

Me një fisnik të lartë, bujar të njohur
Më shëmbëllen dhembshurisht Atdheu im,
Si një plak i urtë, betejash lodhur
Dhe përsëri e përsëri në udhëtim.

Të dashur shumë sa tjetër kënd s’dua,
E kam në frymë vendin tim të ri e të vjetër;
Siç i ngjet Mëmëdheut, më ndodh mua,
Më ngroh dëlirësia, më ngjeth bot’ e egër.

Bota e egër, e ligë, hipokrite
Kërkon të na fëlliq fisnikërinë;
Prodhon Hallemadhja energji drite,
Hapësirash shpërndan bukur mirësinë.

Bie dhe ngrihem, përplasem shkëmbinjsh,
Neveris llumin, hipokrizinë s’e fal;
Lajkat kauçuke ia përplas për turinjsh,
Kam udhë unë, do të ngjitem në mal…

Dhe antikja ime me kostum modern
Ka për udhëtimin një qiell me yje,
Me krenari të malltë nëntori po them:
Vjeshta në Shqipëri ka ngjyrë lirie.

Malli për çlirimtarët

Kam njohur unë një burrë me dinjitet,
Kur qe i ri, e quanin lulja e djalit;
Matej në zjarr me rrufetë që çanin retë,
Në shpirt i çelte bërthama e idealit.

Bërthama e idealit i çelte në shpirt,
I lulëzonte bukur drita e besimit;
Nga shkëlqimi i besës i diellonin sytë,
Rritej në imazhin tim profili i trimit.

Profili i trimit në imazhin tim rritej –
Sinonim i karakterit dhe i besnikut;
Si shqipe lirie qiellit shqiptar ngjitej,
Qëndronte kështjellë te shtegu i rrezikut.

Te shtegu i rrezikut kështjellë qëndronte,
Dhe kishte forcën e zjarrin e djalit;
Më dukej si shqiponjë që fluturonte
Se shoqërohej me shqiponjat e malit.
PJESA III

Bartësi i folklorit

B. D

Thesaret nuk gjenden vetëm në minierat e mineraleve,
Gjeneratori s’lëviz veç nga turbina e hidrocentraleve;
S’fluturojnë vetëm shqiponjat mbi majat e maleve,
Nuk pret në breg vetëm vajza e valave.

Nga shpirti dallgëdritë populli ynë
Thur fisnikërisht filigranë me frymë;
Ashtu heshtur, hijshëm e padukur,
Ka plot thesare që vezullojnë bukur.

Mirënjohje deri në përulje për këto prurje,
I thjeshtë në madhështinë tënde pa mburrje.
Vjeshta e zogjve që ikin dhe e këngëve që vijnë,
Si në stinën e vajzave ma lundrojnë synë…

Iku si vjeshtë e bardhë

Baladë për poetin Fatos Arapi

I
Iku me guximin e heshtjes,
Të lundrojë yllësisht mes yjesh,
Me ecjen e dritës që s’ndalet …
Iku Fatos Arapi ynë në krahë balade..
Mbijnë ullinj të gjelbër në Zvërnec,
Në kodrat e buta mbi Vlorë,
Pikon lotë zie Lirika Shqiptare
Pa të bezdisshmet funerale gjigante.

II
Ju lutem, “më jepni një gjysmë ëndrre”…
Si lule t’ja thur refren një kënge.

Më iku Poeti, ai më i miri,
E qan Zvërneci me lot ulliri.

Zëdhembshuruari si pak të tjerë,
Si fije bari e njomë në erë.

Zëri i tij drithërimë që s’pritet,
Klithmë e pikëlluar drite.

Fije e pakëputur bari në furtunë
Rebelohet: “Fatos jeni ju a unë”?!

Është emri i Tij imazh i detit,
Trajektore trishtimi – udha e Poetit.

Dhe i dridhet zëri si shpirt shenjtori,
Sa shumë që dha, sa pak që mori…

Te Vëllai i madh, i dashuri Fatos,
Në thjeshtësinë e dukjes njoha një kolos.

Fatos Arapi, sa ullinjtë e Mesdheut
Ia mori apo ia dha zjarrin Prometheut?!

Në det të keq me valë
Iku si vjeshtë e bardhë.

Iki më i miri, më i miri,
Qaj e qaj me lot ulliri…

Kafe deti me poetët

Kjo kafe e mëngjesit vjeshtor me poetët,
Është mall dhe pastërti e flokut të bores;
Është det i thellë, i gjerë me të Vërtetët,
Përkarshi detit të bukur të Vlorës.

Nuk njoh ndonjë baron, princ, kont a mbret
Që kafen e detit ta pijë me kaq shije;
Kjo kafe e mëngjesit me Poetët
Ç’marrka një dritë me ngjyra poezie!…


Send this to a friend