VOAL

VOAL

McMaster: Terroristët po korruptojnë Islamin

Gazeta New York Times shkruan se këshilltari i ri i Sigurimit Kombëtar i ka thënë stafit të tij se myslimanët që kryejnë akte terroriste korruptojnë Islamin; një largim nga pozita ideologjike e mbajtur nga këshilltarë të tjerë të lartë të presidentit Donald Trump.

Sipas gazetës New York Times, gjeneral-lejtnanti H.R. McMaster u tha anëtarëve të Këshillit të Sigurimit Kombëtar se përdorimi i termit “terrorizëm islamik radikal” ishte kundërproduktiv, sepse veprimet e terroristëve janë jo-islamike.

Sipas njerëzve që morën pjesë në takim, zotit McMaster i bëri këto vërejtje të enjten në mbledhjen e parë me stafin e tij.

Komentet e tij janë shenjë e hershme se ai mund ta distancojë Këshillin e Sigurimit nga pikëpamjet ideologjike të paraardhësit të tij, Michael Flynn.

Shkalla e ndikimit të zotit McMaster për këtë çështje mbetet për t’u parë në Shtëpinë e Bardhë, ku disa këshilltarë të lartë të presidentit kanë perceptim të ndryshëm të Islamit. Strategu kryesor Stephen Bannon, për shembull, ka paralajmëruar për një betejë të afërt mes botës judeo-të krishterë dhe Islamit.

Dallimet në qëndrimet e mbajtura nga këshilltarët e Shtëpisë së Bardhë mund të ekspozohen publikisht vetëm nëse Komisioni i Senatit për forcat e armatosura vendos të mbajë një seancë konfirmimi për zotin McMaster. Këshilltari i sigurimit kombëtar nuk kërkon konfirmimin e Senatit, por senatorëve u duhet të votojnë për miratimin e gradës së tij të gjeneralit me tre yje për pozitën e re. Kryetari i Komisionit, senatori John McCain, nuk ka thënë nëse do të zhvillojë një seancë të tillë konfirmimi.

SHBA: Diplomati Fried ka tërhequr vërejtjen për izolacionizëm dhe agresion rus

Diplomati amerikan, Daniel Fried, që ka shërbyer një kohë të gjatë, ka tërhequr vërejtjen kundër izolacionizmit dhe agresionit rus, gjatë fjalimit me rastin e pensionimit të tij.

Ambasadori Daniel Fried, tha mbrëmë vonë se përfitimet për liri dhe demokraci, që u arritën nga perëndimi pas “fitores së pabesueshme në Luftën e Ftohtë”, tash janë në rrezik për shkak të kombinimit të dobësimit të besimit dhe unitetit në perëndim dhe për shkak të agresionit rus.

“Institucionet e mëdha perëndimore, NATO-ja dhe BE-ja, u zhvilluan për t’i mbështetur 100 milionë evropianë të çliruar”, tha Daniel Fried, i cili ka shërbyer për afro 40 vjet në detyrën e ambasadorit në ish-Bashkimin Sovjetik dhe Poloni, para se të bëhej ndihmës sekretar shteti për Evropën.

“Kam mëusar që asnjëherë të mos nënçmohet mundësia e ndryshimit”, tha ai dhe shtoi se “asgjë nuk mund të merret si e garantuar dhe kjo e arritur e madhe tash është nën sulm nga Rusia”.

“I takon gjeneratës aktuale për tu mbrojtur dhe, kur përsëri të jetë koha, ta zgjeroj lirinë në Evropë”, tha zoti Fried.

Ai ka tërhequr vërejtjen, po ashtu, kundër asaj që Shtetet e Bashkuara të fokusohen përbrenda vetvetes, duke e lejuar dëshirën e Rusisë dhe Kinës për të dominuar në rajonet e tyre të botës.

“Sferat e ndikimit…do të nënkuptonin pranim të heshtur kur fuqitë e mëdha, duke filluar nga Rusia dhe Kina, i dominojnë fqinjët e tyre nëpërmjet forcës dhe frikës, derisa krijojnë perandori të mbyllura ekonomike”, tha Daniel Fried.

Kritikohet Shtëpia e Bardhë, përjashton disa media nga takimi me gazetarët

Shtëpia e Bardhë u vu në shënjestër të kritikave të ashpra, për shkak se nuk lejoi një numër mediash të merrnin pjesë në një sesion të përditshëm me pyetje-përgjigje me sekretarin e shtypit, Sean Spicer.

Disa organizata lajmesh, kritike ndaj presidentit Donald Trump, si CNN dhe New York Times, ishin mes mediave që nuk u lejuan të mbulonin konferencën me gazetarët.

Ndërkaq u lejuan disa organizata mediatike që shihen si më të favorshme ndaj zotit Trump, duke përfshirë Breitbart News, One Amerika News Network dhe Washington Times.

U lejuan gjithashtu disa media si ABC, CBS, NBC dhe Fox. Të tjerë, si Associated Press, refuzuan të marrin pjesë, në solidaritet me ata që u përjashtuan.

Takimi me gazetarët, ku nuk u lejuan kamerat, u mbajt në zyrën e zotit Spicer dhe zëvendësoi konferencën e përditshme të shtypit që jepet në prani të kamerave dhe ku marrin pjesë të gjitha mediat e akredentuara.

Shoqata e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, organizatë e gazetarëve që mbulojnë presidentin, publikoi një deklaratë ku qortonte ashpër Shtëpinë e Bardhë.

“Bordi i Shoqatës proteston me forcë ndaj mënyrës se si po organizohet takimi i sotëm me gazetarët nga Shtëpia e Bardhë,” tha presidenti i Shoqatës, Jeff Mason. “Ne inkurajojmë organizatat që u lejuan të ndajnë materialet e tyre me përfaqësuesit e tjerë të shtypit që nuk ishin të pranishëm. Bordi do ta diskutojë çështjen më tej me stafin e Shtëpisë së Bardhë,” thuhej në deklaratë.

Editori ekzekutiv i gazetës New York Times, Dean Baquet, tha: “Asgjë e këtij lloji nuk ka ndodhur ndonjëherë më parë në Shtëpinë e Bardhë, në historinë tonë të gjatë të mbulimit të administratave të shumta të partive të ndryshme.”

Në një deklaratë, drejtori për marrëdhëniet me median i agjencisë së lajmeve Associated Press tha: “Associated Press beson se publiku duhet të ketë sa më shumë qasje që është e mundur tek presidenti.”

Administrata Trump është kritikuar edhe më parë se është përpjekur të anashkalojë disa media që i sheh si jo miqësore.

Në një koment në Twitter javën e kaluar, zoti Trump përfshiu organizatat e lajmeve New York Times, NBC, ABC, CBS, CNN në një listë mediash që ai i quajti “armike të popullit.”

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë nuk i janë përgjigjur kërkesës së Zërit të Amerikës për koment.

Trumpi përsërit sulmet ndaj medias. Reagon “Washington Post”

Presidenti Donald Trump përsëriti sulmin ndaj medias gjatë fjalimit në Konferencën Konservatore për Veprim Politik, duke thënë se gazetarët nuk duhet të lejohet të përdorin burime anonime në njoftimet e tyre.

Duke folur para një audience prej mijëra mbështetësish në takimin më të madh vjetor të konservatorëve, zoti Trump akuzoi përfaqësuesit e medias se kanë sajuar burime anonime për lajmet e tyre kritike në adresë të presidentit, sipas tij, për t’a bërë atë të duket keq.

Jam kundër njerëzve që shpikin lajme dhe burime. Ata nuk duhet të lejohen të përdorin burime, përjashtuar rastet kur publikojnë emrat e tyre”, tha zoti Trump duke shtuar se “nuk do të ketë më burime”.

Zakonisht gazetarët përdorin burimet anonime në lajme ku subjekti është i një natyre konfidenciale, në mënyrë që burimi të mund të shmangë pasojat mbi të.

Zoti Trump iu referua në mënyrë specifike një shkrimi të publikuar këtë muaj në “Washington Post”. Në të citohen 9 zyrtarë të administratës, të tanishëm dhe të kaluar, të kenë thënë se ish-këshilltari për sigurinë kombëtare Michael Flynn keqinformoi lidhur me bisedën që zhvilloi me ambasadorin rus në Uashington, për sanksionet amerikane ndaj Rusisë.

Zoti Trump tha se 9 burimet u shpikën nga gazetarët që bënë shkrimin.

Ata sajojnë burime. Ata janë njerëz vërtet të pandershëm”, tha zoti Trump.

Presidenti tha se askush nuk e do më shumë sesa ai amendamentin e parë të Kushtetutës amerikane, por ai shtoi se gazetarët fshihen pas mbrojtjes që garanton Kushtetuta për të publikuar gënjeshtra ndaj tij.

Shumë prej këtyre grupeve mediatike, janë pjesë e korporatave të mëdha të medias që kanë agjendën e tyre, që nuk është e juaja”, tha zoti Trump. “Nuk përfaqëson popullin, nuk do t’a përfaqësojë ndonjëherë dhe ne do të bëjmë diçka për këtë”.

Përgjigjet “Washington post”

Menjëherë pas fjalimit të presidentit, drejtori i gazetës “Washington post” Marty Baron iu përgjigj komenteve të zotit Trump, duke dalë në mbështetje të shkrimit që është provuar, sipas tij, nga raportime të regjistruara. ‘

Shkrimi çoi menjëherë në shkarkimin e këshilltarit të sigurisë. T’i quash raportet e gazetarëve të rreme, kjo nuk i bën ato të tilla”, shkruan zoti Barron.

Mbështetës të zotit Trump me të cilët “Zëri i Amerikës” foli pas fjalimit të tij thanë se ata janë dakord me presidentin kur shprehet se disa gazetarë sajojnë burime me qëllim dëmtimin e tij.

Hunter Dworksy, ish drejtor për fushatën e zotit Trump në Delaware, tha se fjalët dhe veprimet e zotit Trump janë keqinterpretuar në mënyrë të vazhdueshme nga korporata të tilla mediatike si CNN dhe NBC. Ai tha se zoti Trump u drejtohet atyre, sepse ata po dëmtojnë pasurinë e tij më të madhe, aftësinë për t’u lidhur me njerëzit.

Ai flet me ty. Ai të godet në zemër dhe pikërisht kështu e përcjell ai mesazhin,” tha Dworksy.

Ariel Kohane, zyrtar i republikan nga Manhattani dhe anëtar i grupit të hebrejve për Trumpin, tha se është i kënaqur të ketë një udhëheqës që është i gatshëm të kritikojë gazetarët, kur ai mendon se kanë keqinterpretuar të vërtetën.

Le të merremi me faktet dhe ne do t’i kërkojmë medias llogari për këtë,” tha ai.

Zoti Trump specifikoi se ai nuk mendon se e gjithë media është siç e cilësoi “armik i popullit”, por vetëm “media e lajmeve të rreme”, e cila siç tha, përfaqëson një pjesë të vogël të gazetarëve, që në mënyrë të vazhdueshme deformojnë fjalët e tij.

Në fakt, në mbulimin e komenteve të mia, mediat e pandershme nuk e shpjeguan që unë quajta lajmet e rreme armik të popullit, lajmet e rreme“, tha Trump.” Ata hoqën fjalën ‘e rreme’ dhe papritur lajmi u bë media është armiku“, u shpreh presidenti.

Vizioni konservator

Pas sulmeve mbi përfaqësues të medias, zoti Trump shpalosi vizionin e tij lidhur me lëvizjen konservatore. Ai tha se përfaqëson idenë se “ne jemi një vend, që vendos dhe do të vazhdojë të vendosë të parat, interesat e qytetarëve të vet”.

Kjo entuziazmoi pjesmarrësit në konferencë që shpërthyen në duartrokitje dhe thirrje mbështetëse.

Zoti Trump tha se ndërtimi i murit në pjesën jugore të vendit do të nisë shumë shpejt dhe se ndërtimi i tij do të nisë shumë më herët seç është parashikuar.

Presidenti foli shkurtimisht mbi politikën e tij të imigracionit që synon, siç tha, të largojë kriminelët nga vendi, trafikantët e drogës, vrasësit.

Nuk do të lejojmë kthimin e tyre”, tha zoti Trump për ata njerëz të cilët janë deportuar sipas rregullave të reja të administratës së tij mbi emigracionin e paligjshëm. “Nëse ata kthehen, do t’a pësojnë më keq seç e kanë imagjinuar”, tha ai.

Fjalimi i zotit Trump ishte pjesa më e rëndësishme konferencës dhe i dha asaj një frymë të re më energjike, nisur dhe nga fakti që republikanët kontrollojnë për herë të parë pas 10 vitesh si Shtëpinë e Bardhë ashtu edhe Kongresin.

SHBA, myslimanët kërkojnë që Trumpi të trajtojë shqetësimet e tyre

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dënoi haptazi këtë javë anti-semitizmin, pas një sërë kërcënimesh me bombë ndaj qendrave komunitare hebraike. Por, shumë amerikanë myslimanë janë të zemëruar që Presidenti nuk ka vepruar kështu edhe për të trajtuar shqetësimet nga ndjenjat në rritje kundër myslimanëve.

Presidenti Donald Trump ishte kritikuar se nuk pati shfrytëzuar disa mundësi për të dënuar një rritje të anti-semitizmit. Ditën e martë, ai u tregua i drejtpërdrejtë:

“Kërcënimet anti-semite që kanë në objektiv komunitetin tonë hebraik dhe qendrat komunitare, janë të tmerrshme dhe të dhimbshme.”

Shumë myslimanë amerikanë shpresojnë tashmë që Presidenti të veprojë në mënyrë të ngjashme për të trajtuar shqetësimet për incidentet në rritje anti-myslimane në mbarë vendin. Por, ata nuk janë optimistë.

“Presidenti ka qenë i heshtur dhe që nga zgjedhjet ka patur një seri krimesh urrejtjeje ndaj minoriteteve fetare, etnike dhe racore, që u tregojnë njerëzve se duhet bërë më shumë”, thotë Corey Saylor, i Këshillit mbi Marrëdhëniet Myslimano-Amerikane.

Zoti Saylor thotë se fjalët duhet të shoqërohen edhe me gjeste, si p.sh. kur Nënpresidenti amerikan Mike Pence ndihmoi në pastrimin e një varreze hebraike që ishte përdhosur në Mizuri.

“Nuk ka vend në Amerikë për urrejtje, akte paragjykimi, dhune apo anti-semitizmi”, deklaroi Nënpresidenti Pence.

Pjesë e këtij pesimizmi, në veçanti nga myslimanët, lidhet me deklaratat publike të Presidentit dhe disa këshilltarëve të tij, të cilët e kanë ravijëzuar luftën kundër terrorizmit në terma fetarë, përfshirë një propozim fushate i zotit Trump për të mbajtur myslimanët jashtë vendit.

“Donald Trump kërkon një mbyllje totale dhe të plotë për myslimanët që hyjnë në SHBA, derisa përfaqësuesit e vendit tonë të gjejnë se ç’po ndodh”, pati deklaruar ai gjatë fushatës.

Megjithëse zoti Trump është tërhequr prej asaj deklarate, ajo vazhdon të ndodhet në faqen e tij në internet.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë nuk e pranojnë se këto komente reflektojnë paragjykim ndaj myslimanëve. Zëdhënësi Michael Short i tha Zërit të Amerikës se “të pranosh ekzistencën e rrezikut nga terrorizmi radikal islamik, nuk të bën anti-mysliman”.

Trump kritikon FBI-në për rrjedhje informacioni

Presidenti amerikan Donald Trump kritikoi Byronë Federale të Hetimeve sepse nuk po pengon, sipas tij, rrjedhjen e informacionit për mediat.

Në komentet e bëra sot në Twitter, ai tha se informacioni që po raportohet është sekret dhe mund të ketë pasoja shkatërrimtare për vendin.

Komentet vijnë pas njoftimeve se shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Rajns Pribus, i ka kërkuar një zyrtari të lartë të FBI-së të hidhte poshtë njoftimet e medias se këshilltarët e fushatës së zotit Trump kishin qenë në kontakte të shpeshta me agjentët e inteligjencës ruse gjatë zgjedhjeve.

FBI-ja, komenton Presidenti Trump në Twitter është krejtësisht e paaftë të frenojë nxjerrësit e informacioneve që lidhen me sigurimin kombëtar, të cilët, sipas tij, kanë depërtuar në qeveri prej një kohe të gjatë.

FBI-ja, shkruan zoti Trump, nuk është në gjendje as të ndalë rrjedhjet e informacionit brenda saj.

Shtëpia e Bardhë ka kërkuar që FBI-ja t’i diskreditojë raportet për kontaktet Trump – Rusi

Shefi i personelit të Shtëpisë së Bardhë, Reince Priebus, ka kërkuar nga agjencia FBI, që t’i diskreditojë raportet në media se këshilltarët e fushatës së presidentit, Donald Trump, kishin kontakte të shpeshta me agjentët e inteligjencës së Rusisë gjatë zgjedhjeve presidentiale amerikane, kanë raportuar mbrëmë mediat në Shtetet e Bashkuara.

Agjencia Associated Press, duke cituar burime të paidentifikuara në Shtëpinë e Bardhë, tha se kërkesa e zotit Priebus ndaj drejtorit të FBI-së, James Comey, dhe zëvendësdrejtorit, Andrew McCabe, ishte bërë pasi FBI i tha Shtëpisë së Bardhë se kishte besuar se një raport i së përditshmes, New York Times, ku përshkruheshin kontaktet e këshilltarëve të Trumpit me Rusinë, ishte i pasaktë.

Në raporte theksohet se Priebus kishte kërkuar nga udhëheqësit e FBI-së që së paku të flasin me reporterët për ta kontestuar raportin e New York Times-it, dhe artikujt që dalin nga ai, por ata e kishin refuzuar kërkesën dhe nuk kanë thënë asgjë publikisht për këtë çështje.

Rrjeti CNN, që fillimisht kishte raportuar për kërkesën e zotit Priebus, tha se Comey e kishte refuzuar atë për shkak se kontaktet e dyshuara ndërmjet rusëve dhe ndihmësve të Trumpit ishin subjekt i një hetimi të FBI-së që po vazhdon.

Reince Priebus, ndoshta, u është afruar agjencive të tjera të inteligjencës me kërkesn e njejtë për të intervenuar në media, raporton CNN.

Shtëpia e Bardhë e ka hedhur poshtë artikullin në New York Times, derisa Priebus e ka quajtur “mbeturinë komplete”.

Në rrjetin Fox News, më 19 shkurt, Priebus e hodhi poshtë arikullit e gazetës, New York Times, si “akuza të tipit për tradhti”.

“Nivelet më të larta të komunitetit të inteligjencës më kanë siguruar se ai artikull, jo vetëm që nuk është i saktë, por është i tejzmadhuar dhe ishte i gabueshëm. Nuk ka asgjë në të”, tha Priebus.

Trumpi paralajmëron rritjen e arsenalit bërthamor të Amerikës

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë të enjten se dëshiron rritjen e arsenalit bërthamor të Amerikës, për t’u siguruar që ajo të jetë e para nga të gjithë, duke shtuar se SHBA’ja ka ngecur për sa i përket kapacitetit të armëve bërthamore.

Në një intervistë për Reuters, Trump po ashtu është ankuar për dislokimin e një rakete nga ana e Rusisë, në shkelje të një traktati për kontrollin e armëve, dhe ka thënë se do të flasë për këtë çështje me presidentin rus, Vladimir Putin, kur ata të takohen, transmeton Gazeta Express.

Numri një i Amerikës po ashtu ka thënë se Kina mundet “shumë lehtë, nëse do” që ta zhdukë rrezikun që i kanoset SHBA’së nga Koreja e Veriut, duke i bërë kështu trysni Pekinit që të ushtrojë më shumë ndikim mbi Phenianin, për të frenuar veprimet e saj gjithnjë e më provokuese.

Duke folur nga tavolina e tij në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, Trump po ashtu është shprehur “shumë i zemëruar” nga testet raketore bërthamore të Koresë së Veriut, dhe ka thënë se ndërtimi i një mburoje bërthamore për aleatët e SHBA’së, si Japonia dhe Koreja e Jugut, është një prej shumë opsioneve të mundshme. /Express/

Conway: Trumpi ka marrë drejtimin e lëvizjes konservatore

Presidenti Donald Trump ka marrë vendosmërisht drejtimin e lëvizjes politike konservatore në Shtetet e Bashkuara dhe po e çon atë përpara, sipas filozofisë së tij, tha sot një prej këshilltareve kryesore të presidentit.

Duke folur në Konferencën për Aksionin Konservator Politik, takimi më madh i amerikanëve me bindje konservatore, Kellyanne Conway tha se zoti Trump i ka hyrë një rruge që konservatorët e lëkundur pas tij e shohin jo në një linjë me atë që ata besojnë.

“Ai iu drejtua direkt bazës dhe e përqafoi atë -tha ajo. Ai bëri që shumë njerëz të ndihen që janë pjesë e një lëvizjeje”, tha zonja Conway.

Ajo shtoi se zoti Trump e fitoi garën për të qenë kandidati republikan për president, duke e nisur “nga poshtë-lart dhe jo nga lart-poshtë” ndryshe nga shumë politikanë të cilët kanë vite përvojë dhe janë emra të njohur të jetës publike.

Zonja Conway tha se zoti Trump gjeti mbështejen e konservatorëve pasi ata u ndjenë të përfshirë që prej fillimit. “Ai ishte aty sepse donte të ishte, sepse beson tek potencialet e vendit, tek njerëzit e tij, beson tek shpirti i lirë dhe ju e shihni kur jeni me të”.

Ndikimi i presidentit Trump

Fjalimi presidenit Trump të premten do të jetë momenti kryesor i konferencës së këtij viti, që merr dhe me shumë forcë nisur nga fakti se republikanët kontrollojnë si Shtëpinë e Bardhë ashtu edhe Kongresit për herë të parë në 10 vjet.

Tubimi i këtij viti i mijëra konservatorëve po zhvillohet në një hotel në Maryland, shumë pranë Uashingtonit dhe nxiti debate ende pa filluar.

Udhëheqësi i saj Matt Schlapp i tha “Zërit të Amerikës” se ai vuri re një “qasje më shumë populiste” këtë vit, me zotin Trump si forcë shtytëse.

“Pajtohem se ka pak më shumë shtrirje populiste të konservatorëve këto ditë. Nuk e di nëse kjo është një ndryshim në filozofi, por di që kjo është për shkak se ata janë të shkurajuar me atë që ka ndodhur në Washington gjatë gjithë këtyre viteve “, tha ai.

Tre linja konservatorësh

Udhëheqësi i konferencës Schlapp tha për “Zërin Amerikës” se egziston një koalicion “i gjallë dhe vibrant” i përbërë nga tre linja të konservatorëve: ata që kujdesen për kulturën, ata që thjesht duan më pak ndikim të qeverisë dhe taksa më të ulëta dhe të tjerët që thonë se vendi ka nevojë për një mbrojtje të fortë.

Ndërsa republikanët konservatorë mblidhen në Maryland, demokratët në opozitë do të takohen në Atlanta për të zgjedhur një udhëheqës të ri të Komitetit Kombëtar Demokratik.

SHBA shtyn publikimin e ndalesës së re të udhëtimit

Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka shtyrë publikimin e ndalesës së re të udhëtimit deri javën e ardhshme.

Presidenti Donald Trump tha se urdhri i ri ekzekutiv do të publikohet këtë javë, por zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë u thanë gazetarëve se ai është shtyrë.

Urdhri fillestar u ka ndaluar hyrjen në SHBA refugjatëve dhe emigrantëve nga shtatë vende me shumicë myslimane.

Urdhri ka shkaktuar protesta masive dhe konfuzion në aeroporte, ndërsa gjykatat amerikane e kanë bllokuar përkohësisht.

Shtëpia e Bardhë tha se urdhri i rishkruar do të adresojë disa çështje të ngritura nga gjykatat, ndërsa sekretari për siguri kombëtare, John Kelly, tha se ai “do të jetë më i fortë dhe më efektiv se urdhri i parë”.

Trumpi mund të detyrohet të deklarojë taksat

Një anëtare republikane e Komitetit të Inteligjencës në Senatin e Shteteve të Bashkuara tha se është e hapur ndaj shfrytëzimit të urdhrit të shkruar ligjor, për të hetuar deklarimet tatimore të presidentit Donald Trump, për lidhje të mundshme me Rusinë. Me këtë urdhër, Trump do të duhej të dëshmonte para gjykatës ose ndonjë tjetër organi.

Susan Collins, në një intervistë për radion publike, tha po ashtu se shumë anëtarë të komitetit, i cili udhëheq hetimet e Kongresit për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA më 2016, do të kërkojnë formalisht që këshilltari i larguar për sigurinë kombëtare, Michael Flynn, të dëshmojë përpara panelit.

“Të gjithë jemi të vendosur për të marrë përgjigje”, tha Collins.

Ajo shtoi se republikanët mbajnë vetëm një ulëse shumicë në Komitetin e Inteligjencës. Vota e saj për thirrjen për dëshmi mund të jetë vendimtare, pasi demokratët, për muaj të tërë, i kanë bërë thirrje Trumpit të publikojë taksat.

Refuzimi i Trumpit është një thyerje e traditës së presidentëve amerikanë. Ai ka thënë se do t’i publikonte ato pas përfundimit të një auditmi nga Shërbimi i të Ardhurave të Brendshme.

Përdorimi i thirrjes për dëshmi, për të siguruar qasje në deklarimet tatimore, do të ishte një hap më agresiv, që republikanët në Kongres, deri më tash, nuk kanë qenë të gatshëm ta bëjnë në hetimet për ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhje.

Javën e kaluar, republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve kanë bllokuar një përpjekje të demokratëve për të përdorur një ligj të paqartë, për sigurimin e deklarimeve tatimore nga Thesari amerikan. Demokratët e kanë përshtatur këtë çështje si problem për sigurinë kombëtare, duke vënë në dyshim nëse Trump ka investime në Rusi.

Duke thënë se Komiteti i Inteligjencës do të kërkojë dëshminë e Flynnit, Collins nuk qartësoi nëse paraqitja e tij do të ishte publike apo prapa dyerve të mbyllura.

Flynn ka dhënë dorëheqje javën e kaluar, pas raporteve se ai ka keqinformuar nënpresidentin Mike Pence, në lidhje me disa biseda telefonike që ka pasur me ambasadorin e Rusisë në SHBA, Sergei Kislyak.

Collins tha se komiteti është duke bërë hetime të gjera në lidhje me ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhje dhe se është ende herët të spekulohen rezultatet.

Drejtori i FBI-së, James Comey, më 17 shkurt, ka njoftuar komitetin për hetimet e kësaj çështjeje nga agjencia e tij.

Rusia dyshohet se ka pirateruar kompjuterë të Partisë Demokratike në SHBA dhe të tjerë, në favor të zgjedhjes së Trumpit president kundrejt rivales së tij demokrate, Hillary Clinton.

Përgatiti: Valona Tela

Këshilltari i ri i sigurisë kombëtare amerikane alarmon Moskën

Këshilltari i ri i sigurisë kombëtare amerikane, H.R. McMaster

Këshilltari i ri i Sigurisë Kombëtare amerikane i përzgjedhur nga presidenti Donald Trump, H.R. McMaster, në Uashington dhe në Moskë shihet si person me qëndrime shumë më të ashpra ndaj Rusisë se sa parardhësi i tij, Michael Flynn.

Në një fjalim të mbajtur vitin e kaluar, McMaster ka thënë se Rusia ka arritur të aneksojë gadishullin ukrainas të Krimesë dhe të ndërhyjë në Ukrainën lindore pa paguar asnjë çmim.

McMaster ka thënë se qëllimi i gjërë i Moskës është të fundosë rregullin politik, ekonomik dhe atë të sigurisë së Evropës së pas Luftës së Ftohtë duke e zëvendësuar atë me diçka të re që sheh me pozitivitet drejt interesave ruse.

Rusia ka përdorur “luftë hibride” në Krime dhe Ukrainën lindore, diçka që është pjesërisht politike, pjesërisht shpërndarje e informacioneve të rreme dhe pjesërisht ushtarake, ka thënë më tej ai.

Derisa Kremlini nuk ka bërë ndonjë koment për përzgjedhjen e Trumpit në këtë post, një deputet rus duket se është alarmuar nga zëvendësimi i Flynnit me McMasterin.

Ligjëvënësi Frants Klintsevich i ka thënë agjencisë, RIA Novosti se McMaster “është 100 përqind fajkua” që paraqet kërcënim.

“Krahu i mbrojtjes dhe inteligjencës së Uashingtonit do të bëjnë politikë rusofobe”, ka thënë ai.

Deputeti tjetër, Viktor Ozerov ka kërkuar kujdes, megjithatë duke thënë se se pavarësisht se çfarë këshille të jap McMaster Trumpit, presidenti është ai që vendos për politika.

SHBA: Protesta kundër Trumpit me rastin e Ditës së Presidentit

Pamje nga një protestë e mëparshme kundër Donald Trumpit në Nju Jork

 

Mijëra demonstrues e kanë shfrytëzuar Ditën e Presidentit në Shtetet e Bashkuara për të protestuar kundër Donald Trumpit, me moton “Nuk Është Dita e Presidentit Tim”.

Në këto protesta të mbajtura dje në 28 qytete në Shtetet e Bashkuara, kanë marrë pjesë dhjetëra mijëra njerëz.

Mijëra vetë në rrugët afër ndërtesës Trump Tower në Nju Jork kanë brohoritur “jo ndalesë, jo mur” dhe “regjimi Trump ka dështuar”.

Ata, po ashtu, mbanin parulla ku shkruante “mbajeni kushtetutën tash” dhe “shkarkojeni gënjeshtarin”.

Në tubimin në qendër të Los Anxhelosit, mijëra vetë kanë protestuar ndaj politikave të presidentit Trump kundër migrimit, ndryshimeve klimatike dhe rregullimeve të ambientit.

Në Çikago, afro 1,200 vetë janë tubuar përgjatë lumit afër ndërtesës Trump Tower, duke brohoritur “Donald Trump duhet të shkoj”.

Protesta janë mbajtur edhe në Uashington, Atlanta, Salt Lejk Siti dhe Portlend, e në qytete të tjera.

Trumpi emëron Gjeneralin McMaster si Këshilltar të Sigurisë Kombëtare

Presidenti Donald Trump ka emëruar Gjeneralin e ushtrisë H.R McMaster si këshilltarin e ri të sigurisë kombëtare.

Presidenti e quajti McMaster “nje njeri me talent dhe eksperiencë të jashtëzakonshme”.

54-vjecari McMaster ka mbaruar Akademinë Ushtarake West Point dhe zëvendëson ish-këshilltarin Michael Flynn, i cili dha dorëheqjen pasi kishte dhënë informata të pavërteta për një bisedë që kishte zhvilluar me ambasadorin rus para se të fillonte mandatin administrata e re.

Dje presidenti Trump intervistoi katër kandidatë për këtë post, Gjeneralin McMaster, këshilltarin Keith Kellogg, gjeneral në pension; John Bolton, ish-ambasador i SHBA në OKB si dhe Gjeneralin Robert Caslen.

Nju Jork: Protestë kundër politikave emigruese të presidentit Trump

Pamje e një proteste të mëparshme kundër politikave të emigrimit të presidentit Donald Trump në Nju Jork

Më se një mijë njerëz të religjioneve të ndryshme kanë marër pjesë në protestën për mbështetje të myslimanëve amerikanë dhe për t’i kundërshtuar politikat imigruese të presidentit amerikan, Donald Trump.

Tubimi me moton “Unë jam mysliman, po ashtu”, është mbajtur dje në qendër të Nju Jorkut dhe ishte organizuar nga disa grupe, përfshirë Fondacionin për mirëkuptim etnik, raporton agjencia AP.

Protestuesit kanë bartur flamuj amerikanë dhe parulla në të cilat shkruante “jo ndalesë për myslimanët” dhe “ne jemi një”.

Kryetari i qytetit të Nju Jorkt, Bill de Blasion, anëtar i Partisë Demokratike, tha në këtë tubim se “ne duhet t’i eliminojmë stereotipet” dhe se Amerika është vend i themeluar për t’i mbrojtur të gjitha fetë dhe të gjitha besimet”.

Raportohet se tubime të tilla gjatë fundjavës janë mbajtur edhe në Oregon dhe Dallas.

Në Dallas, afër protestës, dhjetëra njerëz kanë marrë pjesë në tubimin në mbështetje të presidentit Donald Trump.

Telefoni i Hitlerit shitet për qindra mijë dollarë

Telefoni i udhëheqësit nazist, Adolf Hitler

Një shtëpi e ankandeve në SHBA tha se telefoni personal i Adolf Hitlerit është shitur për 243,000 dollarë.

Alexander Historical Auctions në Merilend nuk e zbuloi emrin e blerësit.

Telefoni është marrë nga bunkeri i Hitlerit në Berlin nga zyrtarët rusë, pak ditë pas rënies së kryeqytetit gjerman, më 1945.

Sipas shtëpisë së ankandeve, telefoni i është dhënë ushtarit britanik, Ralph Rayner.

Djali i Raynerit e ka nxjerrë atë në shitje.

Telefoni, të cilin Hitleri thuhet se e ka përdorur për të diktuar urdhra vdekjeprurës gjatë dy vjetëve të fundit të luftës, është krijuar nga kompania Siemens në Berlin.

Në të është i gdhendur emri i Hitlerit, së bashku me një svastikë dhe një simbol të shqiponjës të Rajhut të Tretë.

Dachau: Pence e viziton ish kampin nazist që është çliruar nga trupat amerikane

Nënpresidenti amerikan, Mike Pence me bashkëshorten dhe vajzën e tij, Charlotte, e kanë vizituar kampin e kohës së nazistëve të Dachau, në periferi të Mynihut në Gjermani.

Ai shoqërohej edhe nga një i mbijetuar i kampit, Abba Naour. Pence e ka vendosur një kurorë me lule në monumentin në qendër të kampit para se të shkonte edhe te pjesa ku gjenden furrat brenda krematoriumit të kampit.

Kampi i Dachau është krijuar nga qeveria e Adolf Hitlerit në vitin 1933.

Mbi 200 mijë njerëz nga e tërë Evropa janë mbajtur në kamp, ndërsa 40 mijë njerëz kanë vdekur aty. Shumica e viktimave kanë qenë hebrenj, homoseksualë, romë, aktivistë të krishterë dhe disidentë politik.

Kampi është çliruar nga trupat amerikane në prillin e vitit 1945.

Më vonë gjatë ditës, Pence do të udhëtoj drejt Brukselit për takime në NATO dhe me zyrtarë të Bashkimit Evropian.

Graham: Këtë vit do ta ndëshkojmë më shumë Rusinë

Senatori amerikan, Lindsey Graham është zotuar se do të kërkojë ndëshkim më të madh për Rusinë për shkak të dyshimit se ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale amerikane, duke thënë se viti “2017 do jetë koha kur në Kongres do e godasim Rusinë në fundshpinë”.

Republikani Graham e ka bërë këtë koment në konferencën e sigurisë në Mynih më 19 shkurt.

Agjencitë amerikane të inteligjencës në muajin janar e kanë publikuar një raport që vlerëson se presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar një “fushatë ndikimi” që kishte qëllim minimin e besimit në sistemin zgjedhor amerikan. Kjo është bërë duke e denigruar kandidaten demokrate, Hillary Clinton.

Raporti thotë se Rusia ka zhvilluar fushatë preferuese për Donald Trump i cili ka fituar zgjedhjet e 8 nëntorit dhe është inauguruar si president më 20 janar 2017.

Graham ka thënë se kur të tejkalohen konfliktet e brenda pas zgjedhore, Kongresi “do të merret me gjëra të tjera, dhe në krye të prioriteteve do të jenë sanksionet kundër Rusisë”.

Ai ka thënë se shpreson që të fitoj përkrahje dypartiake për një ligj përmes së cilit do të vendoseshin sanksione shtesë kundër Rusisë “për ndërhyrje në zgjedhjet tona”.

Pence: SHBA nuk do të lejojë që Irani të kërcënojë stabilitetin rajonal

Zëvendëspresidenti i SHBA-ve është takuar me kryeministrin e Irakut, Haidar al-Abadi dhe me presidentin e Vetëqeverisjes Rajonale Kurde në veri të Irakut, Mesut Barzani

UASHINGTON– Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Mike Pence, ka deklaruar se Washingtoni nuk do të lejojë që Irani të kërcënojë sigurinë dhe stabilitetin e rajonit.

Gjatë Konferencës së 53-të të Sigurisë në Mynih, Pence ndaras është takuar me kryeministrin e Irakut, Haidar al-Abadi dhe me presidentin e Vetëqeverisjes Rajonale Kurde në veri të Irakut, Mesut Barzani.

Në njoftimin me shkrim të Shtëpisë së Bardhë theksohet se Pence gjatë takimit me kryeministrin Abadi lavdëroi përpjekjet dhe përparimin të cilët forcat e bashkuara irakiane e realizojnë në kuadër të luftës kundër organizatës terroriste DEASH.

“Zëvendëspresidenti Pence tha se nuk do të lejojmë që Irani të kërcënojë sigurinë e aleatëve tanë, përfshirë edhe Irakun dhe të kanosë këtë rajon”, theksohet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë. Pence dhe Abadi biseduan edhe për vazhdimin e bashkëpunimin amerikano-irakian, me theks mbi bashkëpunimin në sektorët e mbrojtjes dhe ekonomisë.

Zëvendëspresidenti amerikannë Mynih u takua edhe kreun e Vetëqeverisjes Kurde në Irakun Verior, Barzai, ndërsa me këtë rast theksoi se është me rëndësi që autoritetet kurde nga Erbili të vazhdojnë bashkëpunimin konstruktiv me qeverinë irakiane në Bagdad. “SHBA do të vazhdojë mbështetjen e plotë të Irakut të bashkuar, federal dhe demokratik”, u shpreh Pence.aa

Trumpi përsërit sulmet ndaj medieve gjatë fjalimit në Florida

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka vazhduar sulmet ndaj medieve. Ai ka njoftuar se gjatë ditëve në vijim do të vendosë për një këshilltar të ri për Siguri Kombëtare, derisa e ka mbajtur një miting të ngjashëm me ato të fushatës në Florida.

 

Trump në fjalimin e tij, gjithashtu, e ka përsëritur se ai dëshiron krijimin e zonave të sigurta në Siri dhe vende të tjera për refugjatët, për të cilat do të paguajnë vendet arabe në rajonin e Gjirit Persik.

Duke folur në një hangar të aeroplanëve në Melbourne të shtetit federal amerikan, Florida, presidenti u është kthyer shumë temave që i ka përmendur gjatë fushatës parazgjedhore presidenciale.

Tema, për të cilën ai ka folur me më shumë pasion ka qenë sulmi ndaj medieve.

Trump i ka thënë turmës së përkrahësve se ai dëshiron të flasë me ta pa filtrin e “lajmeve të rreme”.

Ai ka akuzuar “mediet e pasinqerta” se publikojnë shumë lajme të rreme rreth administratës së tij.

Ai ka thënë se kur mediet i gënjejnë njerëzit, ai nuk do të lejojë që ato t’ia dalin me ato gënjeshtra.

Ndërsa, për këshilltarin për Siguri Kombëtare, Trump ka paralajmëruar se do të intervistojë kandidatët e mundshëm gjatë qëndrimit në Florida.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer para fjalimit të presidentit ka thënë se kandidatët që do të intervistohen nga Trump janë:gjenerallejtënanti i pensionuar i ushtrisë, Keith Kellog, ish-ambasadori i SHBA-së në OKB, John Bolton, gjenerallejtënant H.R. McMaster dhe gjenerallejtënant Robert Caslen, që është i angazhuar në akademinë amerikane të ushtrisë.

Ish-këshilltari i sigurisë kombëtare, Michael Flynn, është detyruar të dorëhiqet më 13 shkurt pas zbulimit se ai e ka mashtruar nënpresidentin, Mike Pence rreth diskutimit me ambasadorin rus në SHBA për sanksionet amerikane ndaj Rusisë, derisa Trump ende nuk ishte inauguruar si president.

Rreth Sirisë, Trump ka thënë se zonat e veçanta do të mundësojnë që refugjatët të jenë të sigurt në rajon.

Ai ka thënë se kjo do i mbajë edhe terroristët potencial jashtë SHBA-së.

“Ne i duam njerëzit që do të jenë të mirë me shtetin tonë”, ka thënë Trump, dhe ka shtuar: “ne nuk i duam njerëzit me idetë e këqija”.

Përgatiti: Artan Haraqija

Stili i pazakontë i udhëheqjes së zotit Trump dominon gjatë muajit të tij të parë në detyrë

Të hënën presidenti Donald Trump mbush një muaj në detyrë, një fillim ndryshe nga çdo presidencë tjetër në historinë e dekadave të fundit. Zoti Trump ka deklaruar se presidenca e tij ka filluar me sukses në sjelljen e ndryshimeve në Uashington, megjithëse ai ka kritikuar shtypin, duke e përshkruar “të pandershëm” dhe se është “jashtë kontrollit”.

Presidenti Trump bëri një mbrojtje të tepruar të arritjeve gjatë muajit të parë në detyrë, në konferencën e tij të fundit për shtyp, ku ai tregoi anën e tij tashmë të njohur luftarake me gazetarët.

“Unë po i drejtohem direkt popullit amerikan me median të pranishme, dhe është nder t’ju kemi juve, sepse shumë prej gazetarëve të vendit tonë nuk duan t’ju thonë të vërtetën” tha ai.

Ishte një moment i jashtëzakonshëm për një president të ri, i cili kritikoi median se nuk e ka vlerësuar sa ç’duhet për atë që ai e përshkroi si “progres të rëndësishëm” që ka arritur administrata e tij, pavarësisht se, sipas zotit Trump ata trashëguan “një rrëmujë”.

“Kështu që unë e di se kur e thoni të vërtetën dhe kur jo. Unë shoh shumë, shumë gjëra të rreme. Dhe t’ju them se çfarë tjetër shoh. Shoh një ton urrejtjeje. Unë në të vërtetë nuk jam njeri i keq, meqë ra fjala” tha ai.

Presidenti amerikan Trump mbetet i matur mbi marrëdhëniet me Rusinë për shkak të dhënies së dorëheqjes të këshilltarit për sigurinë kombëtare Michael Flynn.

Demokratët e Kongresit po kërkojnë një hetim të gjerë rreth çdo kontakti midis fushatës Trump dhe Rusisë.

Ligjvënësi demokrat Elijah Cummings bëri një pyetje duke rikujtuar skandalin Watergate i cili rrëzoi nga detyra presidentin Richard Nixon në vitin 1974.

“Çfarë dinte presidenti dhe kur e mori vesh? Unë besoj se ne duhet të mbajmë një seancë publike me gjeneralin Flynn për të marrë vesh të vërtetën” tha ligjvënësi.

Përballja armiqësore mes zotit Trump dhe shtypit nxiti shqetësime të reja mes kritikëve.

Shumë prej ligjvënësve mbështetës më të hershëm të presidentit thonë se njerëzit që ata përfaqësojnë vazhdojnë të mbështesin zotin Trump, duke përfshirë edhe ligjvënësin Chris Collins të Nju Jorkut.

“Mbështetësit e tij e dinë se ai po mban premtimet; pra unë e di se ne jemi mirë kështu, dhe se shkalla e mbështetjes së presidentit është e lartë” tha zoti Collins.

Si mbështetësit edhe kritikët e tij vazhdojnë të përpiqen të kuptojnë zotin Trump, thotë strategu republikan John Feehery.

“Nuk është e qartë nëse ai do të qetësohet, ose nëse ky është realiteti i ri të cilit duhet t’i përshtatemi. Është e qartë se ai nuk është një politikan tipik. Se nuk është një president tipik. Edhe votuesit duket se duan dikë që nuk është një president tipik. Ata donin të ndryshonin gjendjen aktuale dhe zgjodhën atë që deshën”.

Edhe pse tani ai është president, Trump shpesh duket i kënaqur që të veprojë ashtu si gjatë fushatës, thotë analisti për median Steven Roberts.

“E vështira është se ekziston një dallim i madh mes të qenurit kandidat dhe president, dhe të përpiqesh të veprosh si në fushatë, me qëndrimet dhe sulmet verbale e zakonshme, kur je president është shumë, shumë ndryshe”.

Vetëm në një muaj, stili luftarak i zotit Trump mbetet i pandryshuar, një president i ri i cili duket se pret që Uashingtoni t’i përshtatet atij dhe stilit të tij të udhëheqjes, dhe jo anasjelltas.

Pence: SHBA mbetet aleati më i madh i Evropës

Nënpresidenti amerikan, Mike Pence në aeroportin e Mynihut

Nënpresidenti amerikan, Mike Pence iu ka thënë liderëve evropianë se Shtetet e Bashkuara “tani dhe gjithmonë do të jenë aleati juaj më i madh”, duke u munduar kështu që të heq shqetësimet rreth përkushtimit të Uashingtonit ndaj lidhjeve transatlantike nën udhëheqjen e presidentit Donald Trump.

Duke folur sot në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Pence ka thënë se “lidhja e qëndrueshme” në mes të SHBA-së dhe Evropës është ndërtuar jo vetëm mbi “fuqinë e armëve”, por edhe mbi idetë e përbashkëta dhe parimet që ne i duam shumë: lirinë, demokracinë, drejtësinë dhe sundimin e ligjit”.

Ai ka thënë se e ka sjellë një mesazh nga Trump: “Shtetet e Bashkuara të Amerikës e përkrahin fuqishëm NATO-n, dhe nuk do të lëkundën” në përkrahjen për këtë aleancë.

Në të njëjtën kohë, Pence disa herë e ka përsëritur thirrjen e Trumpit për aleatët evropianë që të kryejnë obligimin e tyre rreth shpenzimeve për mbrojtjen ushtarake, duke kujtuar se vetëm pesë vende anëtare të NATO-s e kanë arritur cakun e shfrytëzimit të 2 % të Bruto Prodhimit Vendor për ushtrinë.

“Ka ardhur koha që të bëhet më shumë”, ka thënë në këtë drejtim, Pence.

Ai ka thënë se SHBA “do e mbajë Rusinë përgjegjëse” për ndërhyrjen në Ukrainë ndonëse kërkon bashkëpunim me Moskën, që Trump ka thënë se beson se do e arrijë.

Rusia duhet t’i përmbahet marrëveshjes për armëpushim të Minskut të arritur në vitin 2015 dhe duhet patjetër të filloj që të ndikojë në qetësimin e situatës në Ukrainën lindore, ka thënë më tej Pence.

Ai gjithashtu ka thënë se SHBA-ja mbetët e përkushtuar për tu siguruar që Irani të mos ndërtojë armë bërthamore.

Tillerson: S’ka bashkëpunim me Moskën nëse e tërë opozita siriane trajtohet si terroriste

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson ka thënë se SHBA nuk do të pajtohet të bashkëpunojë me ushtrinë ruse në Siri derisa Moska e pranon se jo të gjitha grupet opozitare siriane janë terroristë.

Gjatë një takimi me homologët nga Franca, Gjermania, Turqia dhe vende të tjera në margjinat e samitit të G20-ës në Bon, Tillerson ka thënë se administrata e Trumpit përkrahë përpjekjet e OKB-së për të arritur paqe në Siri përmes negociatave që pritet të vazhdojnë më 23 shkurt.

Diplomatët thonë se gjatë takimit, Tillerson ka përmendur se përkrahja e Moskës për qeverinë siriane, që të gjitha grupet opozitare i trajton si “terroristë” do e bënte bashkëpunimin në mes të Moskës dhe Uashingtonit të vështirë.

“Ai e ka bërë të qartë se nuk do të ketë bashkëpunim ushtarak derisa rusët e pranojnë se e gjithë opozita nuk është terroriste”, një diplomat i ka thënë Reutersit.

Ministri i jashtëm francez, Jean Marc Ayrault ka thënë se biseda me Tilerrson ka qenë e mirë.

“Ne i kërkojmë Rusisë që e përkrahë regjimin që të bëjë presion ndaj saj apo të mos konsideroj tërë opozitën si terroriste”, ka thënë Ayrault.

Kondoliza Rajs: BUSHI DONTE TA NJIHTE KOSOVËN NË VITIN 2007

Presidenti i SHBA-ve Xhorxh Bush donte ta njihte pavarësinë e Kosovës qysh në vitin 2007, por kishte shtyrë këtë afat për shkak se francezët edhe gjermanët zvarritnin punë, duke shpresuar se Rusia do të ndërronte mendje, thuhet në librin më të ri të ish-sekretares amerikane të Shtetit, Kondoliza Rajs, “Nuk ka nder më të madh”, i cili është botuar ditë më parë në Nju Jork.

Ish-numri një i diplomacisë amerikane në këtë libër përshkruan periudhën e negociatave për statusin e Kosovës. Ajo shkruan se kah fundi i verës së vitit 2007 kosovarët po shqetësoheshin gjithnjë e më shumë rreth statusit.

“Unë bëra trysni tek evropianët që të vepronin dhe qëllimi ynë ishte ta njohim shtetin e ri bashkë me ta dhe me sa më shumë vende të tjera. Francezët dhe gjermanët zvarritnin punë, duke shpresuar se Moska do të ndërronte mendjen. Kur në mes të qershorit Franca kërkoi edhe një muaj shtyrje, presidenti Bush u zemërua pamasë. Presidenti e thirri Putinin dhe ai iu përgjigj njëjtë me atë që më kishte thënë edhe mua Lavrov. “Ne pranojmë çdo gjë që pranojnë serbët,” kishte thënë Putin””, shkruan Rajs në librin e saj.

Ajo përkujton se pas samitit të G8 në Gjermani, presidenti Bush në një konferencë për media në Romë bëri thirrje për pavarësinë e Kosovës, ndërsa të nesërmen në Shqipëri përsëriti mbështetjen e tij për pavarësinë dhe planin e ish-presidentit finlandez Marti Ahtisari.

“Vetëm edhe një muaj,” më tha presidenti dhe pastaj do ta njohim Kosovën, qoftë edhe të vetëm nëse duhet ta bëjmë. Unë ju kam premtuar dhe këtë duhet ta përmbushim”, shkruan Rajs në librin e saj.

Më vonë presidenti Bush ishte pajtuar me shtyrjen edhe për 120 ditë, por me kusht që kjo do të ishte shtyrja e fundit, ndërsa më 18 shkurt të vitit 2008, SHBA zyrtarisht njohu Kosovën ashtu siç bënë edhe shumë shtete të tjera evropiane.

 

Harward nuk pranon ofertën e presidentit Trump

Zëvendës-admirali Robert Harward, nuk e pranoi ofertën e Presidentit Doanld Trump për të zëvendësuar këshilltarin e tij të shkarkuar të sigurisë kombëtare, Michael Flynn. Gjenerali Flynn u detyrua të japë dorëheqjen në fillim të javës, pasi nuk u tregoi të vërtetën zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë rreth kontakteve të tij me zyrtarët rusë gjatë periudhës së tranzicionit.

60-vjeçari Harward ka shërbyer në trupat speciale SEAL të marinës. Ai e ka bërë shkollën e mesme në Iran dhe flet rrjedhshëm persisht. Harward, i cili u tërhoq nga ushtria në vitin 2013, punon si ekzekutiv në Lockheed Martin, kompania e armëve dhe hapësirës, ku merret me Emiratet e Bashkuara Arabe. Ai është i respektuar në komunitetin e sigurisë kombëtare. Harward ka lidhje të ngushta me Sekretarin e Mbrojtjes Jim Mattis. Ata kanë shërbyer së bashku gjatë kohës kur Harward ishte zëvendëskomandant i Komandës Qendrore, që mbikëqyr forcat e SHBA në Lindjen e Mesme. Harward ka punuar më parë për Shtëpinë e Bardhë, si anëtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, me fokus tek anti terrorizmi, kur president ishte George W. Bush.

Harward tha në deklaratën e tij ku refuzonte të shërbente në postin e Këshilltarit për Sigurinë Kombëtare, se “puna që më ofrohet kërkon një angazhim 24 orë në 7 ditët e javës për t’u bërë siç duhet. Tani për tani nuk mund ta marr një angazhim të tillë”, tha ai.

Nënpresidenti Pence fillon një turne europian

Nënpresidenti amerikan Mike Pence fillon këtë fundjavë një turne në Mynih dhe Bruksel, vizita e tij e parë jashtë vendit që kur filloi nga detyra e nënpresidentit muajin e kaluar.

Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë tha se udhëtimi është një mundësi që nënpresidenti, në emër të Presidentit Donald Trump, t’i sigurojë aleatët për parneritetin mes Shteteve të Bashkuara dhe Europës dhe parashtrojë përparësitë amerikane në marrëdhënien transatlantike.

Udhëheqësit europianë kanë shprehur shqetësime për presidencën e zotit Trump, pas shprehjeve të tij admiruese ndaj Presidentit rus Vladimir Putin dhe pasi ai u shpreh për NATO-n si një organizatë e vjetëruar.

Të shtunën nënpresidenti amerikan do të flasë në Konferencën për Sigurinë në Mynih. Një këshilltar tha se zoti Pence do të japë mesazhin se “të gjithë jemi më të sigurtë dhe më të begatë kur SHBA dhe Europa janë të fuqishme dhe në unitet”.

Në Mynih, zoti Pence pritet të takohet me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe disa udhëheqës të Europës Lindore. Ai do të takohet gjithashtu me presidentin afgan Ashraf Ghani dhe me kryeministrin irakian Hiader al-Abadi.

Në Bruksel, zoti Pence do të ketë takime me një numër udhëheqësish të Këshillit Europian, përfshirë Presidentin e Këshillit Europian Donald Tusk dhe me Sekretarin e Përgjithsëm të NATO-s Jens Stoltenberg.

Emigrantët në Chicago protestojnë kundër Trumpit

Policia kishte marrë masa të rrepta sigurie për këtë protestë, ndërkohë qytetarët hodhën slogane kundër Trumpit

CHICAGO – Mijëra njerëz në Chicago të SHBA-së, janë tubuar për të protestuar kundër politikave për emigrantët të Presidentit të këtij vendi, Donald Trump.

Protesta është zhvilluar para fillimit të bojkotit “një ditë pa emigrantë”.

Mijëra njerëz, shumica e së cilëve ishin meksikanë, kanë lënë punën e tyre duke u mbledhur në Union Park.

Policia kishte marrë masa të rrepta sigurie për këtë protestë, ndërkohë qytetarët hodhën slogane kundër Trumpit.

“Rezistencë kundër urrejtjes”, “Nuk duam të kthehemi pas”, “Hiqni dorë nga copëtimi i familjeve tona” dhe “Jo ndalimit të hyrjeve dhe murit”, ishin disa nga sloganet e protestuesve. Ata marshuan më shumë se 5 kilometra në rrugët e Chicago-s.

Miratohet kërkesa e Shtëpisë së Bardhë për pauzë juridike

Pamje e pjesës veriore të Shtëpisë së Bardhë në Uashington

Një gjykatë e apelit në Shtetet e Bashkuara mbrëmë e ka miratuar kërkesën e Shtëpisë së Bardhë për një pauzë në betejën juridike, lidhur me vendimin gjyqësor për ndalesën e përkohshme të hyrjes së refugjatëve dhe disa udhëtarëve në Shtetet e Bashkuara, në mënyrë që administrata të jetë në gjendje ta publikoj një urdhër zëvendësues.

Nuk janë dhënë detaje të urdhrit të ri, por zyrtarë të presidencës Trump kanë thënë se ndoshta ndalesa do të vlejë vetëm për personat e jashtëm nga shtatë vendet me populaltë shumicë myslimane, që më parë kurrë nuk kanë hyrë në Shtetet e Bashkuara, duke siguruar që banorët legalë nga këto vende në Amerikë të mos preken.

Duke e paraqitur urdhrin e ri, “presidenti do ta qartësoj rrugën që menjëherë ta mbroj vendin, e jo të zhvilloj procese të mëtejshme gjyqësore që marrin kohë”, kanë argumentuar avokatët e presidencës.

Gjykata e apeleve në San Francisko e miratoi kërkesën e tyre për pezullimin e rastin.

Presidenti Donald Trump, mbrëmë tha se urdhri i ri javën e ardhshme, do të “qepet”ashtu që të evitohen problemet për shkak të “vendimeve të këqia” nga ana e gjykatave.

Por, Bob Ferguson, prokuror në shtetin Uashington, i cili e ka udhëhequr kundërshtimin gjyqësor në gjykata ndaj urdhrit fillestar të presidentit Trump, tha se lëvizjet e fundit të administratës paraqesin “pranim të disfatës”.

(Video) Shqiptarë mos harroni: Presidenti George W.Bush Mjaft është mjaft: Kosova është e pavarur

Voal.ch shkruan se gjatë vizitës historike të Presidenti George W.Bush në Tiranë më 10 Qershor 2007, vetëm 8 muaj përpara 17 Shkurtit 2018, ai bëri një deklaratë shumë të fuqishme, e cila konsiderohet si deklarata kur SHBA e njohën Pavarësinë e Kosovës:

“Mjaft është mjaft”, tha Presidenti Bush. Kosova është e pavarur. Shqiptarët i kanë bërë një pritje të jashtëzakonshme Presidentit të 43-të të SHBA.

“Ky është qendrimi im! Ky është një qendrim i prerë dhe i fortë”, tha Presidenti Bush!

Asnjë politikani shqiptar populli nuk i bën sot një pritje të tillë sikur i është bërë Presidentit Bush, i cili e ka justifikuar dashurinë e popullit shqiptar!

 

Trump: Është e logjikshme që SHBA të kenë marrëdhënie më të mira me Rusinë

Presidenti Donald Trump tha të enjten se është e logjikshme që SHBA të ketë marrëdhënie më të mira me Rusinë, sepse të dyja janë fuqi bërthamore.

Gjatë një konference të gjatë shtypi me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Trump tha se rreziqet e një konflikti me Rusinë janë të mëdha.

Ai tha: “Ne jemi një vend shumë i fuqishëm bërthamor, po ashtu janë edhe ata.”

Presidenti Trump tha se është i informuar mbi këtë çështje dhe shtoi: “një holokaust bërthamor do të ishte diçka e paparë ndonjëherë.”

Ai tha gjithashtu se nuk dëshiron të tregojë para kohe se si do t’u përgjigjet provokimeve të Rusisë, Koresë së Veriut apo Iranit. Zoti Trump tha se synon të ruajë elementin e befasisë.

PRESIDENTI I DEL NË MBROJTJE PUNËS SË ADMINISTRATËS

Presidenti Trump i doli në mbrojtje shpalljes nga e tij të urdhrit ekezekutiv për ndalimin e udhëtimeve, që aktualisht është pezulluar nga gjyqtarët, për të shqyrtuar ligjshmërinë e tij.

Presidenti i bëri një mbrojtje të fuqishme presidencës së tij dhe akuzoi mediat amerikane, duke i quajtur ato “jashtë kontrollit”. Në konferencën e tij të shtypit ai deklaroi se do ta anashkalojë median dhe do ta dërgojë mesazhin e tij “direkt te populli”.

Gati një muaj pas inaugurimit, zoti Trump tha se administrata e tij e re ka bërë “përparim të rëndësishëm” dhe i njohu vetes meritën për një klimë optimiste biznesi dhe rritjen e tregut të aksioneve.

Ai përsëri iu kundërpërgjigj njoftimeve të shumta për një fillim kaotik në administratën e tij, të karakterizuar nga një urdhër ekzekutiv tashmë i debatueshëm dhe nga një betejë ligjore rreth këtij urdhri.

“Kjo administratë po punon si një makinë e kolauduar mirë,” deklaroi zoti Trump.

Presidenti njoftoi se do të shpallë një urdhër të ri ekzekutiv, që ai tha se do të jetë shumë i plotë “për të mbrojtur popullin.”

Trump e hapi konferencën e organizuar me nxitim duke akuzuar gazetarët se nuk thonë të vërtetën dhe se thjesht u shërbejnë interesave të veçanta.

“Shtypi është bërë aq i pandershëm sa në qoftë se ne nuk flasim për këtë, do t’i bënim një shërbim të keq popullit amerikan,” tha Presidenti Trump.

PRESIDENTI TRUMP PARALAJMËRON PËR NXJERRJEN E INFORMACIONIT

Të enjten paradite, Presidenti Trump paralajmëroi ata që nxjerrin informacione të klasifikuara se do të kapen. Ai i bëri komentet në Twitter.

Ai tha se nxjerrja e informacioneve, madje edhe nxjerrja e paligjshme e informacioneve të klasifikuara, ka qenë prej vitesh problem në Uashington.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i zotit Trump, Michael Flynn, dha dorëheqjen këtë javë me kërkesë të Presidentit, pasi një seri njoftimesh nxori se zoti Flynn kishte biseduar me një diplomat rus për çështjen e sanksioneve kundër Moskës para ardhjes së administratës së re.

Në komentet e tij në Twitter, Presidenti Trump përsëri e akuzoi gazetën Nju Jork Tajms dhe media të tjera si të dështuara dhe tha se ato duhet të kërkojnë ndjesë. Presidenti pritet të mbajë pas pak një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë.

Mattis kundër bashkëpunimit ushtarak me Rusinë

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis përjashtoi mundësinë e çdo bashkëpunimi ushtarak mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, duke thënë se “për momentin” nuk janë kushtet e duhura.

Gjatë një konference për shtyp në selinë e NATO-s në Bruksel, zoti Mattis shtoi se udhëheqësit politikë do të anagazhohen dhe do të përpiqen të gjejnë pika të përbashkëta.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes tha se Rusia duhet të provojë se respekton të drejtën ndërkombëtare para se të flitet për bashkëpunim ushtarak.

Komentet e zotit Mattis vijnë pasi Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu tha se Moska është “gati të rifllojë bashkëpunimin me Pentagonin”.

Presidenti Donald Trump e vlerësoi udhëheqësin rus, Vladimir Putin gjatë fushatës dhe që kur filloi mandatin, dhe shprehu interes për të rifilluar bashkëpunimin mes dy vendeve. Shtetet e Bashkuara e ndërprenë bashkëpunimin ushtarak me Rusinë në vitin 2014 pasi Rusia aneksoi Krimenë nga Ukraina.

Në ditën e dytë të takimit të ministrave të NATO-s në Bruksel, sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg tha se do të diskutohen rrugët për të luftuar sulmet gjithnjë e më të shpeshta kibernetike kundër qeverive.

Meryl Streep Aktorja e Hollivudit i përgjigjet presidentit Trump

Aktorja Meryl Streep i është përgjigjur presidentit Donald Trump për etiketimin që ai i bëri si një nga aktoret më të mbivlerësuara të Hollivudit. Komentet e Trump erdhën pas kritikave të Streep ndaj tij gjatë një fjalimi në ceremoninë e çmimeve të Golden Globes. Gjatë një fjalimi në fushatën për të drejtat e njeriut ajo u shpreh:

“Unë jam më e mbivlerësuara dhe aktualisht jam ndër aktoret më të kritikuara që më pëlqen futbolli i brezit tim. Ndaj dhe ju më ftoni , apo jo?! Pesha e të gjitha nderimeve është pjesë e asaj që më sjell këtu, në këtë podium. Kjo më detyron dhe sfidon të gjitha instiktet e mia natyrale për të qëndruar në shtëpi. Me detyron të qëndroj përballë njerëzve dhe të them fjalë që nuk janë shkruar nga unë, por që vijnë nga jeta ime.”

Aktorja e dashur hollivudiane Meryl Streep bëri thirrje për veprim, e rezistëncë pavarësisht vështirësisë.

“Ne kemi të drejtë të jetojmë jetën tonë me Zotin apo pa të, në varësi të zgjedhjes. Si amerikanë, burra, gra, homoseksualë,  LGBT të gjithë ne kemi të drejtë për një jetë të lirë dhe për të ndjekur lumturinë. Nësë ju mendoni se njerëzit u zemëruan kur qeveria këkronte tu merrte armët, mendoni se çfarë mund të ndodhë nëse qeveria tenton t’iu marrë lumturinë.”

Mbremja gala u ndoq nga rreth një mijë persona, përfshirë zyrtarë politikë dhe të famshëm të botës së artit në SHBA.

Pentagoni mund të dërgojë trupa tokësore në Siri

Zyrtarë emri i të cilit nuk bëhet i ditur ka deklaruar që “mund të dërgohet një kontingjent trupash tokësore për një periudhë të caktuar në Siri”

UASHINGTON – Thuhet se Departamenti Amerikan i Mbrojtjes (Pentagon), po përgatit një sugjerim për dërgimin e trupave tokësore në Siri.

Sipas një lajmi të CNN, thuhet se një zyrtarë emri i të cilit nuk bëhet i ditur ka deklaruar që “mund të dërgohet një kontingjent trupash tokësore për një periudhë të caktuar në Siri”. Zyrtari ka thënë se çështja mbetet në vendimin e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Trump muajin e kaluar kërkoi nga Pentagoni dhe Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis, që brenda 30 ditësh të kenë një plan për luftën kundër organizatës terroriste DEASH. Ndërsa deklaratat e zyrtarit thuhet se janë pjesë e planit i cili do ti dërgohet Trumpit.

Ndërsa në një prononcim për AA, një zyrtar i Pentagonit ka thënë se momentalisht nuk ka një plan apo sugjerim të tillë të përgatitur.

Në rast se Trump aprovon një gjë të tillë, pas luftës së Irakut, do të jetë hera e parë që ushtria amerikane dërgon trupa jashtë kufijve për të luftuar.

Sipas pretendimit të CNN-it thuhet se momentalisht nuk ka diçka konkrete apo të saktë se cila do jetë detyra e misionit në Siri, por ata kanë hedhur hipoteza se në këtë mision mund të marrin pjesë ushtarët që ndodhen në Kuvajt.

Ndërkohë që SHBA-ja dhe koalicioni kundër DEASH-it është duke bërë plane për rrethimin e qytetit të Rakka-s, vend ky i shpallur kryeqytet nga organizata terroriste, specialistët thonë se marrja e tij nën kontroll nuk do të mund të jetë e mundur përmes krahut të armatosur të PKK në Siri, PYD dhe grupeve të tjera arabe.

Nga ana tjetër prej kohesh flitet një bashkëpunim Turqi-SHBA për marrjen nen kontroll të Rakka-s, por ende nuk dihet se cili mund të jetë roli i forcave ushtarake turke në këtë operacion.

Një tjetër pretendim i CNN është edhe dërgimi i mundshëm i forcave tokësore të SHBA-së edhe në Irak.AA

16 shkurti – “Një ditë pa emigrantë” në SHBA

Emigrantët në Shtetet e Bashkuara nuk do të shkojnë sot në shkollë dhe në punë, me qëllim që të tregojnë se sa të rëndësishëm janë ata për ekonominë dhe mënyrën e jetesës në SHBA.

Aksioni “Një ditë pa emigrantë” do të mbahet në qytetet Uashington, Filadelfia, Boston, Hjuston, Çikago dhe Nju Jork.

Protesta është promovuar nëpër mediat sociale.

Ajo vjen si përgjigje ndaj presidentit Donald Trump, administrata e të cilit është zotuar se do të rrisë dëbimin e emigrantëve që jetojnë ilegalisht në vend.

Trump a bërë fushatë për ndërtimin e një muri në kufirin SHBA-Meksikë dhe ka fajësuar emigrantët për papunësinë e lartë.

Si president, ai ka kërkuar ndalimin e hyrjes në SHBA për njerëzit e shtatë vendeve me shumicë myslimane.

Gjenerali Thomas: “Administrata e SHBA-ve ndodhet në një rrëmujë të pabesueshme”

“Administrata jonë vazhdon të gjendet në një rrëmujë të pabesueshme. Shpresoj që të gjejnë zgjidhje të shpejtë sepse jemi një komb në gjendje lufte”, ka thënë gjenerali Thomas
WASHINGTON – Komandanti i Forcave Speciale të SHBA-ve, gjenerali Raymond Thomas, ka thënë se administrata amerikane ndodhet “në një rrëmujë të pabesueshme”, dhe se kjo gjendje do të ndikojë negativisht në luftën kundër DEASH-it.

Gjenerali Thomas, ka mbajtur fjalim në Simpoziumin Forcat Speciale/Konfliktet me Intensitet të Ulët në shtetin Maryland, e cila organizohet për të 28-ën herë.

Thomas ka folur për rolin e forcave speciale të amerikane kundër organizatës terroriste DEASH, kryesisht në Irak dhe në Siri.

“Administrata jonë vazhdon të gjendet në një rrëmujë të pabesueshme. Shpresoj që të gjejnë zgjidhje të shpejtë sepse jemi një komb në gjendje lufte”, ka theksuar gjenerali Thomas.

Gjenerali nuk tregoi se çfarë dëshiron të thotë me fjalën rrëmujë, mirëpo këto fjalë kanë shkaktuar komente se qëllimi i gjeneralit ka qenë në lidhje me betejën e fshehur mes qeverisë së Trumpit dhe institucioneve të inteligjencës, pasi deklaratat në fjalë kanë ardhur një kohë të shkurtër pas dorëheqjes së Këshilltarit për Sigurinë Kombëtare të Presidentit Trump, Michael Flynn.

Në pyetjet për komentimet e tij, gjenerali është përgjigjur: “Si një komandant, shqetësohem rreth administratës sonë, që ajo të jetë sa më shumë e mundur më stabile”.

Thomas gjithashtu është shprehur se politika jostabile mund të ndikojë në operacionet ushtarake që janë në duke u zhvilluar.AA

Presidenti Trump sulmon agjencitë e zbulimit, median

Presidenti Donald Trump ndërmori sulme të reja sot kundër njoftimeve të medias për lidhje të dyshuara mes tij dhe Rusisë, duke fajësuar komunitetin e zbulimit për ato që i quan rrjedhje të paligjshme informacionesh për agjencitë e medias.

“Skandali i vërtetë këtu është se informacionet sekrete po jepen në mënyrë të paligjshme nga “inteligjenca” si karamele. Është diçka anti-amerikane!” tha zoti Trump.

Në një seri komentesh në Twitter, zoti Trump la të kuptohet se artikujt e lajmeve që japin hollësi për lidhje mes tij, këshilltarëve të fushatës së tij dhe ish këshilltarit të sigurisë kombëtare Michael Flynn nga njëra anë dhe zyrtarëve rusë nga ana tjetër, synojnë të minojnë fitoren e tij në zgjedhjet e nëntorit.

Në një prej komenteve në Twitter, ai shkruante se “Lidhja e palogjikshme me Rusinë është qartësisht një përpjekje për të mbuluar gabimet e mëdha të bëra nga Hillary Clinton gjatë fushatës”.

Ai tha se “mediat e lajmeve të rreme po çmenden me teoritë e tyre të konspiracionit dhe urrejtjen e verbër.” Zoti Trump tha se dy kanale televizive, MSNBC dhe CNN, nuk “mund të shihen dot”, ndërsa e cilësoi një program të kanalit Fox si shumë të mirë.

Në të njëjtën kohë, presidenti pretendon se “informacioni po jepet në mënyrë të paligjshme tek gazetat, sipas tij të dështuara New York Times dhe Washington Post nga komuniteti i zbulimit, Agjencia e Sigurisë Kombëtare dhe Byroja Federale e Hetimeve” ashtu sikurse veprohet në Rusi.”

Gazeta Washington Post ishte e para që publikoi javën e kaluar hollësi rreth bisedave telefonike mes zotit Flynn dhe ambasadorit rus në Uashington para se zoti Trump të merrte postin, ndërsa New York Times në një editorial dje tha se kështilltarët dhe ndihmësit e zotit Trump kishin patur kontakte të përsëritura me zyrtarë të lartë rusë gjatë fushatës presidenciale.

SHBA e kundërshton referendumin për ndryshimin e emrit të Osetisë Jugore

Ambasada amerikane në Gjeorgji i ka dënuar planet nga autoritetet separatiste në Osetinë Jugore për mbajtjen e një referendumi për ndryshimin e emrit të këtij rajoni.

Krahas zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen më 9 prill, separatistët që e kontrollojnë Osetinë Jugore, planifikojnë të mbajnë një plebishit me propozimin për ndryshimin e emrit nga “Republika e Osetisë Jugore” në “Shtetin e Alanias”.

Në komunikatën e publikuar në faqen e vet të internetit më 14 shkurt, Ambasada e SHBA-së në Tbilisi, thotë se Shtetet e Bashkuara nuk do t’i njohin rezultatet e referendumit si të ligjshme pasi ai mbahet pa pajtimin e qeverisë në Gjeorgji.

“Veprime të tilla provokative dëmtojnë besimin dhe minojnë Diskutimet Ndërkombëtare të Gjenevës”, thuhet aty duke iu referuar bisedimeve për qetësimin e tensioneve që vazhdojnë me vite pasi forcat ruse okupuan Gjeorgjinë në një luftë të shkurtër në Osetinë Jugore në vitin 2008.

Lideri separatist i këtij rajoni gjeorgjian, Leonid Tibilov, e ka nënshkruar më 6 shkurt dekretin për referendumin.

Gjeorgjia konsideron se propozimi për emrin është provokativ sepse është i njëjtë me një rajon në Rusinë fqinj që gjithashtu është kryesisht e populluar nga osetianë etnik, më sakt Republika e Osetisë Veriore – Alania.

Plani për ndryshimin e emrit duket se sugjeron bashkimin e dy rajoneve.

Rusia e ka njohur Osetinë Jugore dhe rajonin tjetër separatist gjeorgjian, Abkhazia si shtete të pavarura pas luftës në vitin 2008. Moska vazhdon të mbajë mijëra trupa në rajon, që sipas NATO-s, shkelin një marrëveshje të arritur nga BE-ja për të ndaluar luftën.

SHBA-ja dhe disa vende të tjera nuk e njohin asnjërin prej dy rajonave separatist gjeorgjiane si të pavarura.

Kongresi do të hetojë kontaktet e këshilltarëve të Trumpit me Rusinë

Zyrtarë të lartë të Kongresit amerikanë kanë thënë se do të hetojnë kontaktet në mes të Rusisë dhe këshilltarëve të lartë të presidentit amerikan, Donald Trump, të mbajtura disa javë dhe muaj para se Trump të inaugurohej si president.

Lideri i shumicës në Senat, Mitch McConnell ka thënë se ai pret që Komisioni i Inteligjencës në Senat ta intervistojë Michael Flynnin, këshilltarin për siguri të Shtëpisë së Bardhë që dha dorëheqje para dy ditësh pasi ka mbajtur biseda të fshehta me ambasadorin e Rusisë në SHBA.

Thirrjet për hetime në Kongres janë bërë derisa mediat amerikane kanë raportuar se bashkëpunëtorët e Trumpit dhe stafi i tij kanë pasur jo pak kontakte me zyrtarë të lartë të lartë të inteligjencës ruse para mbajtjes së zgjedhjeve të 8 nëntorit, ndonëse ende nuk është publikuar ndonjë dëshmi për këtë.

Këto raportime janë bërë derisa është marrë vesh se Trump që disa javë e ka ditur se Flynn, tash këshilltati i dorëhequr për siguri, e ka gënjyer Shtëpinë e Bardhë për kontaktet që ka pasur me Rusinë.

Flynn nuk është detyruar të jap dorëheqje derisa mediat kanë nisur të raportojnë javën e kaluar se ai ka biseduar sanksionet ndaj Moskës me ambasadorin Sergei Kislyak.

Flynn i ka thënë “Daily Caller” më 14 shkurt se gjatë bisedave që ka pasur me ambasadorin Kislyak, nuk është kaluar asnjë vijë e kuqe. Ai ka thënë se ata kanë biseduar vetëm për 35 diplomatët rusë që janë detyruar të largohen nga SHBA me urdhër të administratës së Obamës më 29 dhjetor.

“Nuk kishte të bënte me sankskone. Kishte të bënte me 35 personat që janë detyruar të largohen nga shteti”, ka thënë Flynn dhe ka shtuar se ai ka thënë se do të rishikojmë gjithçka, por “asnjëherë nuk kam thënë se ne do të rishikojmë sanksionet, apo diçka të ngjajshme”.

Mirëpo Reuters raporton se transkriptet e bisedave tregojnë se Flynn i ka thënë Kislyak se nëse Rusia i përgjigjet me qetësi sanksioneve të Obamës, kjo do e hapte mundësinë për diskutime të gjëra në përmirësimin e marrëdhënieve ruso amerikane, në momentin kur Trump të nis detyrën si president.

Pas sanksioneve të fundit amerikane, presidenti rus, Vladimir Putin, ndryshe nga herat tjera, vendosi që të mos i përgjigjet SHBA-së me sanksione të ngjajshme. Ai bile në dhjetor ftoj diplomatët amerikanë që të festojnë Krishtlindjet së bashku me të në Kremlin.

Çështjet e ngritura në marrëdhëniet e Rusisë me Trumpin kanë nxitur ligjvënës amerikanë, përfshirë edhe disa republikanë të rëndësishëm që të bëjnë thirrje për hetime të thella jo vetëm ndaj veprimeve të Flynnit, por në përgjithësi lidhjeve që Shtëpia e Bardhë ka me Rusinë.

Përfaqësuesi Adam Schiff, demokrati kryesor në Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për Inteligjencë, ka thënë se Trump reagoj ndaj Flynnit vetëm pasi kjo tërhiqte vëmendjen e madhe të mediave.

Shtëpia e Bardhë e ka konfirmuar më 14 shkurt se Byroja e Hetimeve Federale (FBI) e ka intervistuar Flynnin rreth bisedës që e ka pasur me ambasadorin rus, Kislyak si pjesë të nje hetimi rreth ndërhyrjes ruse në zgjedhjet amerikane, ndërsa Departamenti i Drejtësisë e ka njoftuar Shtëpinë e Bardhë rreth dallimeve në mes të deklarimeve publike të Flynnit dhe llogarive private të bisedave, pak pasi Trump e ka nis detyrën.

Por, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer ka thënë se nuk ka problem ligjor me bisedat që ka pasur Michael Flynn.

Megjithatë, sqarimet e Shtëpisë së Bardhë kanë kënaqur pak veta në Kongresin amerikan. Dy republikanë me pozita të rëndësishme, Bob Corker, dhe John Cornyn, janë pajtuar me McConnell se Komisioni i Inteligjencës në Senat duhet të hetojë kontaktet që ka pasur Flynn me Rusinë.

SHBA: Ekzaminohet nëse Trumpi diskutoi informacione sekrete në publik

Një panel vëzhguesish po kërkon nga presidenti amerikan, Donald Trump, që të sqarojë trajtimin e informacioneve të ndjeshme sekrete derisa qëndronte në hotelin e tij në Florida.

Mediat kanë raportuar se si Trumpi ka diskutuar informacione të ndjeshme në prani të klientëve të hotelit.

Përfaqësuesi Jason Chaffetz, udhëheqësi i Komisionit të Mbikqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve, dëshiron të dij se si Trumpi dhe kryeministri japonez, Shinzo Abe, i janë përgjigjur testit të raketës balistike të Koresë së Veriut, derisa kanë qenë në resorin “Mar-a-Lago”, gjatë fundjavës.

Fotografitë e bëra nga klientët në restaurantin e hapur tregon se si Trumpi dhe Abe diskutonin dhe shikonin dokumente derisa ishin të rrethuar nga këshilltarët, pas lansimit të raketës nga Koreja komuniste.

Fotografitë tregojnë se si stafi i Shtëpisë së Bardhë ka shfrytëzuar “telefonat e tyre për të ofruar dritë gjatë rishikimit të dokumentave”, të cilat mund të kenë qenë sekrete, thotë Chaffetz.

“Ndaras, një mysafir në Mar-a-Lago ka postuar në profilin e tij në Facebook një fotografi të një burri që është përshkruar si mbajtës i ‘futbollit bërthamor’”, ka thënë më tej ai.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, ka thënë se Trumpi është informuar rreth situatës në Korenë Veriore në një zonë të sigurt të “Mar-a-Lago” para dhe pas darkës me Abe.

“Të gjithë arritën te përfundime të liga” pas kanë parë fotografitë, por gjatë darkës nuk ka pasur asnjë dokument sekret, ka thënë më tej ai.


Send this to a friend