Një panel vëzhguesish po kërkon nga presidenti amerikan, Donald Trump, që të sqarojë trajtimin e informacioneve të ndjeshme sekrete derisa qëndronte në hotelin e tij në Florida.
Mediat kanë raportuar se si Trumpi ka diskutuar informacione të ndjeshme në prani të klientëve të hotelit.
Përfaqësuesi Jason Chaffetz, udhëheqësi i Komisionit të Mbikqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve, dëshiron të dij se si Trumpi dhe kryeministri japonez, Shinzo Abe, i janë përgjigjur testit të raketës balistike të Koresë së Veriut, derisa kanë qenë në resorin “Mar-a-Lago”, gjatë fundjavës.
Fotografitë e bëra nga klientët në restaurantin e hapur tregon se si Trumpi dhe Abe diskutonin dhe shikonin dokumente derisa ishin të rrethuar nga këshilltarët, pas lansimit të raketës nga Koreja komuniste.
Fotografitë tregojnë se si stafi i Shtëpisë së Bardhë ka shfrytëzuar “telefonat e tyre për të ofruar dritë gjatë rishikimit të dokumentave”, të cilat mund të kenë qenë sekrete, thotë Chaffetz.
“Ndaras, një mysafir në Mar-a-Lago ka postuar në profilin e tij në Facebook një fotografi të një burri që është përshkruar si mbajtës i ‘futbollit bërthamor’”, ka thënë më tej ai.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, ka thënë se Trumpi është informuar rreth situatës në Korenë Veriore në një zonë të sigurt të “Mar-a-Lago” para dhe pas darkës me Abe.
“Të gjithë arritën te përfundime të liga” pas kanë parë fotografitë, por gjatë darkës nuk ka pasur asnjë dokument sekret, ka thënë më tej ai.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i ka falur 39 amerikanë të dënuar për vepra të padhunshme penale, si dhe ua ka zbutur dënime gati 1.500 njerëzve të tjerë.
Shtëpia e Bardhë tha se ky është numri më i madh i faljeve presidenciale brenda një dite të vetme. Ajo nuk i ka bërë të ditur emrat e njerëzve të falur.
Bideni tha se do të ndërmarrë më shumë hapa të tillë në javët e ardhshme dhe se do të vazhdojë t’i shqyrtojë kërkesat për falje.
“Amerika u ndërtua mbi zotimin për dhënien e mundësisë dhe shansit të dytë”, tha Biden në një komunikatë.
“Si president, kam nderin të tregoj mëshirë për njerëzit të cilët kanë dëshmuar pendesë dhe rehabilitim, duke ua dhënë mundësinë amerikanëve të marrin pjesë në jetën e përditshme dhe të kontribuojnë në komunitetet e tyre, dhe duke ndërmarr hapa për t’ua hequr dënimet të dënuarve për vepra të padhunshme, posaçërisht atyre të dënuar për drogë”, tha ai.
Bideni e mori këtë vendim disa javë pasi e fali djalin e vet, Hunter, i cili po ndiqej penalisht për vepra penale në lidhje me armën dhe taksat.
Bideni është duke u përballur me trysni nga grupet avokuese për të falur më shumë njerëz, përfshirë ata të dënuar me vdekje, para se presidenti i zgjedhur Donald Trump ta marrë detyrën në janar.
Njerëzit e falur të enjten kanë qenë të dënuar për krime të padhunshme, si droga, dhe e kanë ndryshuar jetën për mirë, thanë avokatët e Shtëpisë së Bardhë.
Në të kaluarën, presidenti i kishte falur 21 njerëz dhe ua kishte zbutur dënimin 122 të tjerëve.
Ai fali gjithashtu të dënuar për përdorimin dhe posedimin e marihuanës në tokat federale dhe në Distriktin e Kolumbisë, dhe fali ish-anëtarët e ushtrisë amerikane të dënuar për shkelje të ndalesës, që është shfuqizuar tashmë, të seksit homoseksual në ushtri. REL
Presidenti i ri i SHBA-së, Donald Trump është shpallur “Personi i Vitit” nga revista Time. Viti 2024 shënon herën e shtatë radhazi që fituesi i zgjedhjeve presidenciale gjithashtu u shpall Personi i Vitit.
Trump mori titullin edhe në vitin 2016, pas fitores së tij të parë në zgjedhjet presidenciale, dhe tani i bashkohet grupit të njerëzve që janë zgjedhur dy herë.
Grupi përfshin tre presidentët e fundit me dy mandate: Bill Clinton, George W. Bush dhe Barack Obama. (Franklin D. Roosevelt është i vetmi person që i është dhënë titulli tre herë.)
Trump ka pasur një marrëdhënie të ‘stuhishme’ me revistën Time. Pasi u emërua personi i vitit në vitin 2016, ai e përshkroi revistën si një botim “shumë të rëndësishëm” dhe tha se i kishte dhënë një “nder të jashtëzakonshëm”.
Por Trump, i cili kishte fituar një garë polarizuese presidenciale, në të cilën ai humbi votën popullore, u përplas me revistën, e cila e përshkroi atë si “president i shteteve të ndara të Amerikës”. gsh
Presidenti Joe Biden ka miratuar një dokument të ri mbi sigurinë kombëtare përpara kthimit të Donald Trump-it në Shtëpinë e Bardhë. Dokumenti mund të shërbejë si një udhërrëfyes për administratën e ardhshme mes përpjekjeve në dukje të saj për t’iu kundërvënë bashkëpunimit në rritje mes Kinës, Iranit, Koresë së Veriut dhe Rusisë. Lajmi u njoftua të mërkurën nga Shtëpia e Bardhë.
Zyrtarët e administratës Biden nisën punën për hartimin e udhëzimeve këtë verë. Sipas dy zyrtarëve të lartë të administratës, dokumenti u hartua në formën e një udhëzimi, që mund të ndihmojë administratën e ardhshme të ndërtojë që nga dita e parë e punës, qasjen e saj mbi mënyrën se si do t’i trajtojë marrëdhëniet e vështira me vendet kundërshtarët dhe konkurrentët më të mëdhenj të Amerikës.
Zyrtarët, të cilët folën në kushte anonimiteti, thanë se dokumenti sekret nuk do të bëhej publik për shkak të ndjeshmërisë së disa prej gjetjeve që përfshihen në të.
Dokumenti përmban katër rekomandime të gjera siç janë: përmirësimi i bashkëpunimit ndërinstitucional brenda qeverisë amerikane, përshpejtimi i shkëmbimit të informacionit me aleatët rreth katër vendeve kundërshtare, kalibrimi i veprimeve në përdorimin e sanksioneve dhe mjeteve të tjera ekonomike nga ana e qeverisë amerikane për të siguruar efektivitet maksimal si dhe forcimi i përgatitjes për të menazhuar krizat e njëkohshme që lidhen me kundërshtarët.
Për shumë vite Shtetet e Bashkuara ka qenë të shqetësuara për bashkëpunimin mes Kinës, Iranit, Koresë së Veriut dhe Rusisë. Koordinimi mes tyre është përshpejtuar si pasojë e sulmit rus në Ukrainë në vitin 2022.
Zyrtarët amerikanë vunë në dukje se në një kohë që Rusia është izoluar nga pjesa më e madhe e botës, Moska i është drejtuar Iranit për dronë dhe raketa.
Nga Koreja e Veriut, Rusia kanë siguruar artileri, raketa e madje mijëra trupa i janë bashkuar trupave ruse për t’i ndihmuar ata në përpjekjet për të zmbrapsur forcat ukrainase nga rajoni i Kurskut.
Kina ndërkohë ka mbështetur Rusinë me komponentë me përdorim të dyfishtë që e kanë ndihmuar atë të ruajë industrinë e saj ushtarake.
Në këmbim, Rusia ka dërguar avionë luftarakë në Iran dhe ka ndihmuar Teheranin në synimet e tij për të forcuar sistemet e mbrojtjes me raketa si dhe teknologjinë hapësinore.
Koreja e Veriut ka marrë nga Rusia lëndë djegëse dhe fonde shumë të nevojshme për të ndihmuar në ndërtimin e kapaciteteve të saj prodhuese dhe ushtarake.
Zyrtarët amerikanë shtuan se Rusia e ka njohur “de fakto Korenë e Veriut, si një vend me armë bërthamore”.
Ndërkohë Kina po përfiton nga ekspertiza ruse dhe Moska e Pekini po punojnë së bashku për të thelluar bashkëpunimin e tyre teknik ushtarak. Po kështu ata po kryejnë patrullime të përbashkëta në rajonin e Arktikut.
Presidenti Biden dhe Presidenti i zgjedhur Trump kanë botëkuptime të ndryshme, por zyrtarët e të dyja administratave, asaj në largim dhe asaj që po vjen në pushtet, thanë se ata kanë kërkuar të koordinojnë çështjet e sigurisë kombëtare gjatë tranzicionit.
Një nga zyrtarët tha se me këtë dokument Shtëpia e Bardhë “nuk po përpiqet t’ia vështirësojë punën administratës Trump apo ta orientojë atë drejt një opsioni të caktuar”.
Zyrtari tha se dokumenti synon të ndihmojë administratën e ardhshme të ndërtojë “kapacitet” ndërsa formëson qasjen në disa prej politikave të jashtme më të vështira, me të cilat do të përballet.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë me ambasadorin Michael Carpenter.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë me drejtorin për Evropën në Këshillin e Sigurisë Kombëtare amerikane, ambasadorin Michael Carpenter, tha se Serbia nuk është e gatshme për normalizim të raporteve me Kosovën.
Bislimi tha se tregues për këtë mosgatishmëri të Serbisë për normalizim dhe fqinjësi të mirë është sulmi i 29 nëntorit në Varragë të Zveçanit, ndaj kanalit të Ibër Lepencit.
Ky kanal furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.
Për këtë sulm, që Kosova e konsideron terrorist dhe i cili është dënuar ashpër nga Shtetet e Bashkuara, Prishtina e bën fajtor Beogradin. Por, Serbia ka mohuar përfshirjen dhe ka thënë se do ta hetojë këtë rast.
“Ai [Bislimi] theksoi dhe nevojën që akti i agresionit i Banjskës i shtatorit të vitit të kaluar si dhe sulmi i fundit në Ibër-Lepenc të ndëshkohen me masa konkrete, në mënyrë që të parandalohet që Serbia të përsërisë sulme të përmasave të tilla që minojnë sigurinë e vendit dhe të rajonit”, u tha në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.
Kosova po ashtu fajëson Serbinë për sulmin e 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit, kundër Policisë së Kosovës. Një grup serbësh të armatosur sulmuan Policinë duke vrarë një rreshter. Gjatë këmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues.
Serbia mohon akuzat për përfshirje në këtë sulm, përgjegjësinë për të cilin e ka marrë Millan Radoiçiq.
Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit – në aktakuzën e ngritur nga autoritetet në Kosovë për Banjskën, konsiderohet si organizatori dhe udhëheqësi i sulmit. Kosova kërkon që Serbia ta ekstradojë atë.
Në takimin në Shtëpinë e Bardhë, Bislimi – i cili njëherësh është edhe kryenegociator i Kosovës në procesin e dialogut – tha se Kosova vazhdon të mbetet konstruktive dhe e angazhuar në dialogun për normalizim të raporteve që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe që mbështetet nga SHBA-ja.
Ai po ashtu ka folur për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve.
Kjo marrëveshje u arrit vitin e kaluar. Palët nuk e nënshkruan atë për shkak të kundërshtimit të Serbisë. Por, BE-ja thotë se pavarësisht se nuk është nënshkruar, marrëveshja është e obligueshme për palët dhe ka thënë se Kosova dhe Serbia ende s’kanë nisur zbatimin e saj.
Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut. REL
Tregu i punës në Shtetet e Bashkuara u rimëkëmb në nëntor, duke shtuar 227,000 vende pune, një përmirësim i ndjeshëm krahasuar me muajin e mëparshëm, kur efektet e grevave dhe uraganeve ulën ndjeshëm numrin e të punësuarve.
Punësimi muajin e kaluar u rrit ndjeshëm krahasuar me muajin tetor, kur ekonomia krijoi vetëm 36,000 vende të reja pune.
Raporti i së premtes nga Departamenti i Punës tregoi gjithashtu se shkalla e papunësisë u rrit nga 4.1% në tetor në 4.2% në nëntor. Pagat me orë u rritën 0.4% nga tetori në nëntor dhe 4% krahasuar me një vit më parë.
Raporti i punësimit për muajin nëntor ofron provat më të fundit se tregu i punës në Shtetet e Bashkuara mbetet i qëndrueshëm pavarësisht ngadalësimit që përjetoi krahasuar me rritjen e madhe të punësimit në vitet 2021-2023, kur ekonomia po rimëkëmbej nga rënia e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit. Ngadalësimi gradual i tregut të punës është pjesërisht pasojë e normave të larta të interesit, që Rezerva Federale i rriti në kuadër të përpjekjeve për të zbutur inflacionin.
Në të gjitha industritë muajin e kaluar, kompanitë prodhuese shtuan 22,000 vende pune, duke reflektuar fundin e grevave nga punonjësit e kompanisë Boeing dhe atyre të kompanive të tjera. Kompanitë e kujdesit shëndetësor shtuan 54,000 vende pune, agjencitë qeveritare 33,000 dhe restorantet 29,000. Por dyqanet e shitjes me pakicë shkurtuan 28,000 vende pune në nëntor.
Ekonomia u rrit me një ritëm vjetor 2.8% nga korriku deri në shtator për shkak të nivelit të mirë të shpenzimeve nga konsumatorët, që janë motori i ekonomisë amerikane. Rritja vjetore ekonomike ka arritur nivelin e mirë prej 2% në tetë nga nëntë tremujorët e fundit. Inflacioni ka rënë nga 9.1% në qershor të vitit 2022 në nivelin 2.6% muajin e kaluar.
Presidenti amerikan, Joe Biden ka bërë të ditur se e ka falur djalin e tij, Hunter Biden, ndonëse kishte premtuar se do të rrinte larg procedurave ligjore që rëndonin kundër djalit të tij.
Hunter Biden është deklaruar i pafajshëm në akuzat për mashtrime me taksa dhe është dënuar për një rast që lidhet me armëmbajtje.
“Sot e kam nënshkruar faljen për djalin tim Hunter. Prej ditës kur e kam marrë detyrën kam thënë se nuk do të përzihem në vendimmarrjen e Departamentit amerikan të Drejtësisë, dhe e kam mbajtur fjalën edhe teksa e kam parë djalin tim duke u gjykuar padrejtësisht edhe në mënyrë selektive”, ka thënë presidenti përmes një deklarate.
Shtëpia e Bardhë ka thënë vazhdimisht se Biden nuk do të falë Hunterin, i cili i është nënshtruar një periudhë rehabilitimit nga përdorimi i drogave.
“Asnjë njeri i arsyeshëm që analizon faktet për rastin e Hunterit nuk mund të arrijë në përfundim tjetër përveçse Hunter është veçuar sepse ka qenë djali im”, ka thënë Biden përmes një deklarate të lëshuar pak para nisjes në një udhëtim në Afrikë.
Vendimi për falje vlen për të gjitha veprimet që mund të jenë kryer në periudhën 1 janar 2014 – 1 dhjetor 2024.
Hunter Biden ishte paraparë për përballej me dënimet këtë muaj.
“E kam pranuar dhe kam marrë përgjegjësi për gabimet e mia gjatë ditëve më të rënda të varësisë – gabime që janë shfrytëzuar për të më nënvlerësuar dhe për të më turpëruar mua dhe familjen tim për shkaqe politike”, ka thënë Hunter Biden përmes një deklarate, duke siguruar të gjithë se është i pastër nga çdo drogë për më shumë se pesë vjet.
Republikanët e kanë kritikuar vendimin e presidentit.
Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump e ka quajtur vendimin si abuzim dhe ka pyetur nëse në falje janë përfshirë edhe personat e burgosur për sulmin në Kongresin amerikan më 6 janar të vitit 2021, pasi Trump pati pretenduar se i ka fituar zgjedhjet e vitit 2020.
Biden, në anën tjetër, ka thënë se vendimin për falje e ka marrë këtë fundjavë.
“Shpresoj që amerikanët do ta kuptojmë pse një baba dhe një president mund të marrë një vendim të tillë”, ka thënë mes tjerash ai. REL
Sot në Shtetet e Bashkuara është Dita e Falenderimeve që festohet çdo vit, të enjten e fundit të nëntorit. Kjo festë e ka origjinën në vitin 1621, kur evropianët e vëndosur në Shtetet e Bashkuara u ulën për të darkuar së bashku me banorët indigjenë të Amerikës në qytetin Plymouth në shtetin e Masaçusets.
Megjithëse amerikanët tani e festojnë Ditën e Falenderimeve të enjten e katërt të nëntorit, historianët nuk mund ta përcaktojnë datën e saktë se kur u festua për herë të parë Dita e Falenderimeve.
Sipas ekspertëve, ushqimet që u shtruan në darkën e parë të Falenderimeve ishin ndryshe nga gjeli i detit, patatet e skuqura dhe misrat e zierë, gatimet e njohura sot si trandicionale të kësaj feste.
Në vitin 1863, gjatë Luftës Civile, Dita e Falënderimeve u bë një festë kombëtare. Presidenti Abraham Lincoln nxiti idenë për një Ditë Falenderimesh për arsye strategjike.
Një grua me emrin Sarah Josepha Hale, redaktore e një reviste për gratë, ndikoi për të bindur Presidentin Lincoln se një festë kombëtare për dhënien e Falenderimeve do të ndihmonte të bashkonte vendin e dërrmuar nga lufta.
Sot, trashëgimtarët e banorëve autoktonë të Amerikës e shënojnë ditën e Falenderimeve në mënyra të ndryshme. Disa e konsiderojnë atë një ditë zie duke pasur parasysh kolonizimin e shpejtë dhe zhvendosjen e anëtarëve të fisit të tyre. Të tjerë mblidhen me familje, por pa patur në mendje pelegrinët.
Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump tha të hënën se në ditën e tij të parë në detyrë do të vendoste një tarifë 25% për të gjitha produktet nga Meksika dhe Kanadaja, dhe një tarifë shtesë prej 10% për mallrat nga Kina, duke përmendur rolin e tyre në emigracionin e paligjshëm dhe tregtinë e drogave të paligjshme.
“Më 20 janar, në mesin e shumë Urdhrave të parë Ekzekutiv, unë do të nënshkruaj të gjitha dokumentet e nevojshme për të vendosur 25 për qind tarifë ndaj të gjitha produkteve nga Meksika dhe Kanadaja që hyjnë në Shtetet e Bashkuara”, thuhet në një postim të zotit Trump në rrjetin “Truth Social”.
Zoti Trump tha se tarifat do të mbeten në fuqi derisa të dyja vendet të ndalin kalimin në Amerikë të drogës, veçanërisht të fentanilit dhe emigrantëve të paligjshëm.
Presidenti i zgjedhur gjithashtu akuzoi Kinën se nuk ka ndërmarrë veprime mjaft të forta për të ndalur rrjedhën e drogave të paligjshme që mbërrijnë në Shtetet e Bashkuara përmes kufirit meksikan.
“Ne do të vendosim një tarifë prej 10 për qind ndaj të gjitha produkteve të Kinës që vijnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila nuk do të hiqet derisa ata të ndalin rrjedhën e drogës”, thuhet në postimin e zotit Trump.
Presidenti i zgjedhur është zotuar më parë t’i japë fund statusit tregtar të vendit më të favorizuar që gëzon Kina dhe të vendosë mbi 60 për qind tarifa ndaj importeve kineze, shumë më të larta se ato të vendosura gjatë mandatit të tij të parë.
Ekonomia kineze është në një pozitë shumë më të vështirë, duke patur parasysh rënien e tregut të shtëpive dhe pasurive të patundshme, rreziqet nga borxhi publik dhe dobësimi i kërkesave të konsumit të brendshëm.
Dollari u rrit me më shumë se 2% kundrejt pesos meksikane, pas publikimit të komenteve të zotit Trump në platformën e tij të mediave sociale.
Një gjykatëse amerikane pushoi të hënën çështjen gjyqësore lidhur me akuzat ndaj Donald Trumpit për përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, pas një kërkese të prokurorëve bazuar në politikën e Departamentit të Drejtësisë kundër ndjekjes penale të një presidenti në detyrë.
Vendimi i gjykatëses Tanya Chutkan i jep fund përpjekjes federale për ta mbajtur zotin Trump përgjegjës për përpjekjet e tij për të mbajtur pushtetin pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2020, duke kulmuar me sulmin e 6 janarit 2021 në Kapitol nga një grup i mbështetësve të tij.
Vendimi pasoi kërkesën e Prokurorit të Posaçëm Jack Smith, i cili ka mbikëqyrur rastin për zgjedhjet dhe atë për dokumetet sekret, për të pushuar të dyja çështjet. Zoti Trump është akuzuar se pas largimit nga detyra e Presidentit në 2021, ai ka mbajtur në mënyrë të paligjshme dokumete sekrete.
Ky vendim është një fitore e madhe ligjore për presidentin e zgjedhur republikan, i cili fitoi zgjedhjet e 5 nëntorit në Shtetet e Bashkuara dhe do të kthehet në detyrë më 20 janar.
Politika e Departamentit të Drejtësisë që cituan prokurorët daton në vitet 1970. Ajo thotë se ndjekja penale e një presidenti në detyrë do të përbënte shkelje të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, duke minuar aftësinë e udhëheqësit të degës ekzekutive të vendit për të ushtruar funksionet e tij.
Prokurorët në një dosje në rastin e përpjekjes për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve thanë se politika e Departamentit të Drejtësisë kërkon që çështja të pushohet përpara se zoti Trump të kthehet në Shtëpinë e Bardhë.
“Ky rezultat nuk bazohet në meritat apo forcën e çështjes kundër të pandehurit”, thuhet në dosjen e prokurorëve.
Prokurorët e çështjes së dokumenteve sekrete sinjalizuan se do të kërkojnë nga një gjykatë federale e apelit rikthimin e çështjes kundër dy bashkëpunëtorëve të zotit Trump, të cilët ishin akuzuar për pengim të hetimit në fjalë.
Zëdhënësi i zotit Trump, Steven Cheung përshëndeti vendimin, duke e quajtur atë “një fitore të madhe për sundimin e ligjit”.
Zoti Trump përballej me akuza penale në katër raste, dy të paraqitura nga Prokurori Smith dhe dy në gjykatat shtetërore në Nju Jork dhe Xhorxhia. Ai u shpall fajtor në rastin e Nju Jorkut, ndërsa çështja në shtetin e Xhorxhias, e cila gjithashtu lidhet me përpjekjet e tij për të përmbysur zgjedhjet e vitit 2020, ka ngecur.
Në një postim në rrjetet sociale, zoti Trump kritikoi të hënën çështjet ligjore ndaj tij, duke thënë se ato ishin një “pikë e ulët në Historinë e vendit tonë”.
Veprimet e tanishme të zotit Smith, i cili u emërua në vitin 2022 nga Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara Merrick Garland, janë shumë të ndryshme nga ato në kohën kur ai mori detyrën. Pas ngritjes së akuzave ndaj zotit Trump në atë kohë, ai tha se bëhej fjalë për krime që kërcënonin integritetin e zgjedhjeve dhe sigurinë kombëtare të Shtetet e Bashkuara. Prokurorët pranuan se zgjedhja e një presidenti i cili përballej me çështje penale krijoi një problem të pashembullt për Departamentin e Drejtësisë.
Gjykatësja Chutkan la të hapur mundësinë që prokurorët të mund të të ngrejnë sërish akuza ndaj zotit Trump pas largimit të tij nga detyra, por prokurorët ka të ngjarë të përballen me sfidën e kalimit të një periudhe kaq të gjatë kohore nga shkeljet e dyshuara.
Donald Trumpi u deklarua i pafajshëm në gusht 2023 për katër akuza federale, duke përfshirë ato për komplot për të penguar certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të vitit 2020, të cilat i fitoi demokrati Joe Biden.
Zoti Trump, i cili si president do të mbikëqyrë sërish Departamentin e Drejtësisë, pritej të urdhëronte pushimin e të dyja çështjeve penale ndaj tij, atë për përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2020 dhe atë të mbajtjes së dokumenteve sekrete.
Donald Trump në maj u bë ish-presidenti i parë i shpallur fajtor për një krim pasi një juri në Nju Jork e shpalli atë fajtor për akuza penale në lidhje me mosdeklarimin e pagesës për të blerë heshtjen e një aktoreje të filmave pornografikë për një marrëdhënie intime përpara zgjedhjeve të vitit 2016. Shpallja e masës së dënimit të tij në lidhje me këtë rast është shtyrë për një kohë të pacaktuar.
Çështja penale kundër zotit Trump në gjykatën e shtetit të Xhorxhias lidhur me zgjedhjet e vitit 2020 ka ngecur.
Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, po shqyrton mundësinë e emërimit të Richard Grenell, ish-shefit të tij të inteligjencës, si të dërguar special për konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës.
Ky zhvillim është raportuar nga agjencia e lajmeve Reuters duke cituar burime të brendshme.
Grenell, i cili ka shërbyer si ambasador i SHBA-së në Gjermani dhe si ushtrues detyre i drejtorit të inteligjencës kombëtare gjatë mandatit të parë të Trumpit, mund të luajë një rol kyç në përpjekjet për ndalimin e luftës, nëse emërohet zyrtarisht në këtë detyrë.
Aktualisht, nuk ka një të dërguar special për zgjidhjen e konfliktit Rusi-Ukrainë, por republikani po konsideron krijimin e këtij posti, megjithëse ende nuk është marrë një vendim përfundimtar.
Gjatë fushatës së tij, 78-vjeçari është zotuar se do t’i japë fund luftës “shpejt”, ndonëse nuk ka dhënë detaje konkrete për mënyrën se si do të arrijë këtë qëllim. sn
Presidenti i zgjedhur Donald Trump, emëroi të enjten ish-Prokuroren e Përgjithshme të Floridës, Pam Bondi, për postin e Prokurores së Përgjithshme të vendit – një post i barasvlershëm me atë të ministrit të Drejtësisë – duke vepruar me shpejtësi për të zëvendësuar ish-kandidatin Matt Gaetz.
Zonja Bondi është aleat prej një kohë të gjatë e zotit Trump. Ajo ishte një prej avokatëve të tij, kur Dhoma e Përfaqësuesve në Kongres ngriti akuzat e para ndaj ish-presidentit që synonin shkarkimin e tij. Zoti Trump u shpall i pafajshëm nga Senati lidhur me akuzat për abuzim me pushtetin e përpjekje për të kushtëzuar ndihmën ushtarake amerikane për Ukrainën.
Zonja Bondi ishte në mesin e një grupi republikanësh që u paraqitën për të mbështetur zotin Trump në gjyqin penal kundër tij në Nju Jork, i cili përfundoi në maj me dënimin e tij për 34 vepra penale.
Ajo ka qenë kryetare në Institutin e Politikave Amerika e Para, një institut kërkimor i krijuar nga ish-punonjës të administratës Trump.
“Për një kohë të gjatë, Departamenti politik i Drejtësisë është përdorur kundër meje dhe republikanëve të tjerë, por jo më”, shkruante zoti Trump në një postim në mediat sociale.
“Pam do ta rifokusojë departamentin tek qëllimin e tij që janë lufta kundër krimit dhe për ta bërë Amerikën sërish të sigurt“, shtonte ai me tej.
Ish-ligjvënësi Matt Gaetz tërhoqi të enjten emrin e tij nga emërimi për postin e prokurorit të përgjithshëm nga Presidenti i zgjedhur Donald Trump, duke thënë se procesi i konfirmimit të tij është shndërruar në një shpërqëndrim.
Me një mesazh në rrjetin X, zoti Gaetz njoftoi se pati takime të shkëlqyera një ditë më parë me senatorët dhe shprehu vlerësimin për mendimet e tyre dhe mbështetjen.
Zoti Gaetz shton se është bërë megjithatë e qartë se konfirmimi ishte shndërruar në mënyrë të padrejtë në një shpërqëndrim për punën jetike të ekipit të tranzicionit për administratën e ardhshme Trump-Vance.
Zoti Gaetz mendon se kjo është arsyeja që po e tërheq emrin e tij nga shqyrtimi për postin e prokurorit të përgjithshëm, që në Shtetet e Bashkuara ka funksionet e ministrit të drejtësisë.
Tërheqja e papritur është një hap prapa për përpjekjet e Presidentit të zgjedhur Donald Trump për të emëruar persona besnikë në postet e administratës së tij të ardhshme, por edhe një pranim i realitetit të rezervave mes vetë përfaqësuesve të Partisë së tij Republikane ndaj emërimit të tij. Duke u tërhequr, zoti Gaetz shmang atë që pritej të ishte një betejë e ashpër për konfirmimin, që do të kishte vënë në provë se deri ku mund të arrinin senatorët republikanë për të konfirmuar emërimet për anëtarët e kabinetit të ri Trump.
Presidenti i zgjedhur Donald Trump shkruajti në një postim në mediat sociale se: “Vlerësoj shumë përpjekjet e Matt Gaetz-it për të siguruar mbështetjen për t’u bërë Prokuror i Përgjithshëm. Ai po ia dilte mbanë shumë mirë, por njëkohësisht, nuk dëshiroi të bëhet një shpërqëndrim për Administratën, për të cilën ai ka shumë respekt. Matt ka një të ardhme të mrekullueshme, dhe pres me padurim të shoh gjërat e shkëlqyera që ai do të bëjë!”.
Të mërkurën në mbrëmje Komisioni i Etikës i Dhomës së Përfaqësuesve nuk arriti të bjerë dakord nëse duhet ta publikonte ose jo raportin e tij hetimor për ish-ligjvënësin Gaetz, i akuzuar për abuzim seksual dhe përdorim droge, përpara se të emërohej nga Presidenti i zgjedhur Trump për postin e prokurorit të përgjithshëm.
Njoftimi i zotit Gaetz u bë gjithashtu dy ditë pasi një avokat i dy grave tha se klientet e tij i kishin thënë hetuesve të Komisionit të Etikës se zoti Gaetz i pati paguar për marrëdhënie seksuale në disa raste, duke filluar që nga viti 2017, kur zoti Gaetz ishte ligjvënës i Floridas.
Një nga gratë dëshmoi se e pa zotin Gaetz duke bërë marrëdhënie seksuale me një 17-vjeçare në një festë në Florida në vitin 2017, sipas avokatit Joel Leppard. Zoti Leppard ka thënë se klientja e tij dëshmoi se ajo nuk mendonte se Matt Gaetz-i e dinte se vajza ishte e mitur, se e ndërpreu marrëdhënien e tyre kur e mori vesh dhe nuk e rifilloi atë derisa ajo mbushi 18 vjeç. Mosha e ligjshme në Florida për marrëdhënie seksuale konsensuale është 18 vjeç.
Zoti Gaetz ka mohuar me forcë të ketë bërë shkelje dhe tha vitin e kaluar se hetimi i Departamentit të Drejtësisë mbi akuzat për trafikim seksual, ku përfshiheshin vajza të mitura, kishte përfunduar pa asnjë akuzë federale të ngritur ndaj tij.
E ardhmja politike e zotit Gaetz është e pasigurt, për momentin.
Ai dha dorëheqjen papritur nga vendi i tij në kongres, pasi u përzgjodh për t’u emëruar prokuror i përgjithshëm. Kjo lëvizje u pa si një mënyrë për të mbyllur hetimin e Komisionit të Etikës për akuzat për sjellje të pahijshme seksuale.
Republikanët në këtë komision refuzuan këtë javë të publikonin gjetjet e tij, megjithë kundërshtimet nga demokratët dhe një votim të ndarë. Por komisioni pranoi ta mbyllë takimin dhe kishte planifikuar të mblidhej sërish më 5 dhjetor për ta diskutuar këtë çështje.
Zoti Gaetz fitoi rizgjedhjen në nëntor për në Kongresin e ri, i cili mblidhet më 3 janar 2025. Por është e paqartë nëse ai do ta marrë detyrën e re.
Matt Gaetz ka njoftuar se është tërhequr nga nominimi për postin e prokurorit të Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara.
Ai u nominua për këtë post nga republikani, Donald Trump, i cili fitoi zgjedhjet presidenciale amerikane të 5 nëntorit.
Gaetz tha se këtë vendim e ka marrë për shkak të një hetimi federal për trafikim të qenieve njerëzve për shfrytëzim seksual.
Republikani nga Florida e bëri këtë njoftim më 21 nëntor.
Njoftimi erdhi një ditë pasi ai u takua me senatorët në përpjekje për të fituar mbështetjen e tyre për konfirmimin që të udhëheqë Departamentin amerikan të Drejtësisë.
“Përderisa momentumi është i fuqishëm, është e qartë që konfirmimi im padrejtësisht do të ishte shpërqendrim nga puna kritike e tranzicionit të Trumpit dhe [nënpresidentit të zgjedhur amerikan, JD] Vance”, tha Gaetz në një deklaratë për media.
“Nuk ka kohë për të humbur në përplasjen e stërzgjatur në Uashington, prandaj unë tërheq emrin tim nga nominimi për të shërbyer si prokuror i Përgjithshëm”, tha ai.
Tërheqja e tij paraqet një goditje për përpjekjet e Trumpit për të vendosur në krye të departamenteve njerëzit e tij besnikë, teksa ai më 20 janar do të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë. Po ashtu, ky rast është sinjali i parë se Trumpi mund të përballet me rezistencë nga anëtarët e partisë së tij. REL
Komentet