VOAL

VOAL

Erdogani: Turqia po e humbet durimin me inkursionet ruse

NATO-ja hodhi poshtë sot shpjegimin e Moskës se aeroplanët e saj e shkelën hapësirën ajrore të Turqisë gabimisht dhe tha se Rusia po dërgon më shumë trupa tokësore në Siri. NATO-ja i ka cilësuar incidentet si “jashtëzakonisht e rrezikshme” dhe “të papranueshme”.

Ndërkohë që Rusia i ka zgjeruar sulmet ajrore, duke përfshirë edhe qytetin e lashtë Palmyra, Presidenti turk Recep Tajip Erdogan tha se po e humbet durimin me shkeljet e hapësirës ajrore të vendit të tij nga Rusia.

“Një sulm mbi Turqinë do të thotë një sulm ndaj NATO-s,” tha zoti Erdogan në një konferencë të përbashkët shtypi në Bruksel me kryeministrin belg.

“Marrëdhëniet tona pozitive me Rusinë janë të njohura. Por, nëse Rusia humbet një mik si Turqia, me të cilin bashkëpunon për shumë çështje, ajo do të humbasë shumë,” tha zoti Erdogan.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se aleanca ka njoftime për një shtim të ndjeshëm të forcave ushtarake ruse në Siri, duke përfshirë trupa tokësore dhe anije në Mesdheun lindor.

Duke folur për inkursionet ajrore në kufirin e Turqisë me Sirinë, zoti Stoltenberg tha:

“Nuk do të shpreh hamendje mbi motivet …, por këto nuk duken si aksidente dhe kemi parë dy të tilla.” Ai vuri në dukje se inkursionet “zgjatën për një kohë të gjatë”.

Incidentet, të cilat NATO-ja i ka quajtur “jashtëzakonisht të rrezikshme” dhe “të papranueshme”, nxjerrin në pah rrezikun e një shkallëzimi të mëtejshëm të luftës civile në Siri, ndërkohë që avionët rusë dhe amerikanë kryejnë misione luftarake mbi të njëjtin vend për herë të parë që prej Luftës së Dytë Botërore .

Zoti Stoltenberg nuk pranoi të komentojë nëse avionët rusë kishin drejtuar radarët e tyre mbi avionët turq F-16 të dërguar të shtunën për të shoqëruar avionët rusë jashtë hapësirës ajrore.

Përdorimi i radarëve në këto raste zakonisht është një prelud për hapje zjarri.

Dje, Departamenti amerikan i Shtetit tha se inkursion i një avioni luftarak rus në hapësirën ajrore turke ishte i papërgjegjshëm, i rrezikshëm dhe provokues.

“Inkursioni në hapësirën ajrore turke flet për rëndësinë e konsultimit dhe të frenimit. Ne e shohim këtë si një akt të papërgjegjshëm,” tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Mark Toner.

Ai tha se kjo është e rrezikshme, provokuese dhe mund të shkaktojë aksidente.

‘Danas’: Rama i anulon ftesën Thaçit për hir të Vuçiç

“Kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiç me siguri do të marrë pjesë në ndeshjen e futbollit Shqipëri – Serbi në “Elbasan Arena”, pasi Zv.Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi duket se e ka “anuluar” ftesën”. Kështu shkruan sot gazeta serbe “Danas” duke iu referuar burimeve nga qeveria e Kosovës.

Sipas gazetës, njofton Syri.net, “kryeministri shqiptar e konsideron këtë takim si një moment të rëndësishëm ku mbizotëron vullneti për ta kaluar ndeshjen kundër Serbisë pa asnjë incident. Rama do ta ndjekë ndeshjen në shoqërinë e homologut të tij serb Vuçiç dhe I është shmangur çdo incidenti të mundshëm.

rami

Burimet e gazetës thanë se Hashim Thaçi hoqi dorë definivisht nga prania në ndeshjen me Serbinë në “Elbasan Arena” dhe tani gjithçka është gati që qeveria e Shqipërisë të njoftojë zyrtarisht Kryeministrin e Serbisë për listën e të ftuarve, ku miku i Ramës, Hashim Thaçi, nuk do të jetë i pranishëm, së paku, zyrtarisht, në radhët e të ftuarve.

Media të tjera serbe si Telegraf.rs, citojnë kryeministrin Vuçiç: “Jam duke pritur se kush do të marrë pjesë në ndeshje dhe pastaj, kur të më informojnë zyrtarisht, do të vendos,” ka thënë ai.

Ndërsa Tanjug, përcjell Syri.net, thekson se “rreth 50 studentë nga Serbia do të vizitojnë nesër Shqipërinë për tre ditë me radhë, në kuadrin e një zbatimit të marrëveshjes ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë për themelimin e një Zyre Rajonale të Ballkanit Perëndimor për të Rinjtë.

Pikërisht ata do të marrin pjesë dhe në ndeshjen Shqipëri-Serbi që do të zhvillohet më 8 tetor në Elbasan. Ata do të qëndorjnë në Tiranë dhe në Elbasan, sipas organizimit që kanë bërë ministritë e Arsimit të dy vendeve.

“Kjo vizitë është e para e një serie vizitash të tilla të programuara”, th ministri serb i Arsimit, Srdan Berbic, që theksoi se të rinjtë serbë do të shoqërohen nga të rinjtë shqiptarë. Ata do të kenë mundësinë të shohin sesi është jeta dhe si studiohet në Shqipëri. Për këtë vizitë, tha ministri, është marrë garancia maksimale për sigurinë e studentëve.”

Stoltenberg: Shkelja e hapësirës ajrore turke nga Rusia është e qëllimshme, nuk është incident

Shkelja e hapësirës ajrore të Turqisë këtë fund javë nga dy avionë luftarakë rusë nuk është një incident, vlerësoi sot shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ndërkohë që Moska është justifikuar me kushtet e këqija të motit.

“Informacionet që kemi mbledhur më japin arsye të them se nuk bëhetë fjalë për një aksident”, konfirmoi Stoltenberg gjatë një konference për shtyp në selinë e Aleancës në Bruksel.

“Në fakt, kanë ndoshur dy shkelje gjatë fundjavës dhe kjo i shtohet fakteve që tregojnë se nuk bëhet fjalë për një aksident”, insitoi ai.

“Për më tepër, këto incidente kanë zgjatur shumë në raport me të shkeljet e më parshme në hapësirën ajrore evropiane”, vazhdoi Stoltenberg.

“Është për këtë arsye që e kemi marrë këtë shumë seriozisht. Ky lloj incientesh mund të krijojë situata të rrezikshme”, sipas Stoltenberg, që shpreson që kjo të mos ndodhë më.

Daçiç: Kosova është ISIS

Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiç, tha se “pranimi i Kosovës në UNESCO do të ishte vendim vetëshkatërrues dhe absurd, pikërisht sikur dikush të propozonte që edhe Shteti Islamik të bëhej anëtar i kësaj organizate”. Ministri serb është shfaqur i zemëruar me mundësinë që Kosova të bëhet pjesë e kësaj agjencie të Kombeve të Bashkuara.

Ai u tha mediave serbe se “katër nga tempujt tanë të shenjtë janë deklaruar si trashëgimi kulturore botërore – manastiri i Deçanit, Patrikana e Pejës, manastiri i Graçanicës dhe kisha e Shën Premtes në Prizren, janë shpallur nga UNESCO si trashëgimi e mbrojtur kulturore për shkak se ishin në rrezik. Dhe nga kush ishin në rrezik? Propozimi i Kosovës në UNESCO do të ishte sikurse të kërkohej që Shteti Islamik, të anëtarësohej në këtë organizatë. Cili është dallimi?”.

Sipas tij, Shqipëria e ka vënë në rend të ditës anëtarësimin e Kosovës në UNESCO jashtë procedurave standarde. Mbledhja e Këshillit Ekzekutiv për futjen në rend dite të kësaj kërkesë do të mbahet me 12 tetor, ndërsa vendimi pritet të merret me 21 tetor në mbledhjen e Asamblesë së përgjithshme të UNESCO-s. Vendimi merret me dy të tretat e votave.

Ministri serb tha se që kur KFOR-i është në Kosovë, janë shkatërruar mbi 200 kisha, manastire e objekte tjera të trashëgimisë kulturore, dhe se ato janë shkatërruar me dinamit si dhe janë djegur dhe shkatërruar mbi 8 mijë varre. Ai tha se vendi i i tij do të luftojë deri në pafundësi për të parandaluar anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

Zyrtarët e qeverisë së Kosovës e cilësuan “kriminale” qasjen e ministrit serb. Zëvendësministri i A Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, u tha mediave vendase se “deklarata e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiç, edhe një herë dëshmon se as Daçiçi dhe as politika serbe ende nuk po mund të shkëputen plotësisht nga e kaluara kriminale e shtetit të Serbisë. Daçiç ishte pjesë e regjimit të Serbisë në kohën kur ai regjim në mënyrë të organizuar dogji mbi 200 xhami dhe objekte të tjera të kultit në Kosovë, mbylli shkollat dhe fakultetet në gjuhën shqipe, grabiti pasuritë e trashëgimisë kulturore…”.

Ivica Daçiç, aktualisht, ministër i jashtëm i Serbisë dhe kryetar i Partisë Socialiste, ishte zëdhënës i ish presidentit serb Sllobodan Millosheviç, i cili vdiq në Hagë në vitin 2006, derisa po gjykohej për krime lufte dhe gjenocid në hapësirat e ish Jugosllavisë, përfshirë edhe Kosovën.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur në shkurt të vitit 2008, por është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve në shkëmbim të përparimit drejt integrimeve evropiane. Ndonëse ka nënshkruar një marrëveshje me Kosovën për mos pengimin e anëtarësimit të saj në forumet ndërkombëtare, anëtarësimin e saj në UNESCO e sheh si njohje të shtetit të ri.

Stoltenberg: E papranueshme shkelja e hapësirës ajrore turke nga avionët rusë

Turqia tha sot se një avion rus shkeli hapësirën e saj ajrore në afërsi të kufirit me Sirinë, duke bërë që dy avionë turq F-16 ta shoqëronin aeroplanin rus jashtë kësaj zone.

Në një deklaratë të ministrisë së jashtme thuhej se incidenti ndodhi të shtunën, dhe se Turqia, anëtare e NATO-s, paralajmëroi Rusinë se do të mbajë “përgjegjësi për çdo incident të padëshiruar”, nëse ndodh një tjetër shkelje e hapësirës ajrore.

Agjencia ruse e lajmeve Interfax citon ambasadën ruse në Turqi ta ketë konfirmuar incidentin dhe të ketë thënë se zyrtarëve turq iu dhanë shpjegime.

Në një deklaratë të bërë sot, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se u takua me ministrin e jashtëm turk Feridun Sinirlio-glu për të diskutuar mbi operacionet ruse në Siri, dhe mbi atë që ai e quajti “shkelje të papranueshme të hapësirës ajrore turke” nga avionë ushtarakë rusë.

Stoltenberg shtoi se “veprimet e Rusisë nuk po kontribuojnë në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit”, dhe se trupi vendimmarrës i NATO-s, Këshilli i Atlantikut të Veriut, do të mblidhej sot për të diskutuar mbi incidentin.

Nju Jork – Sot protesta për të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi

Protesta e Komunitetit Shqiptar në SHBA, në mbrojtje të të drejtave të mohuara nga Qeveria Malzeze, të shqiptarëve në Mal të Zi, do të organizohet ditën e Enjte, 1 Tetor 2015, në ditën e fjalimit të kryministrit të Malit të Zi në OKB, duke filluar nga ora 11 dhe do të vazhdojë deri në 12:30 para konsullatës Malazeze.

Adresa e Konsullates Malzeze:

801 2nd Avenue

New York 10017
Më pas protesta do të zhvendoset nga ora 13:00 deri në 16:00 pranë selisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB). Edhe Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA, u ka dhënë mbështetje organizatorëve të protestës.

Shekerinska: Kemi video për afera seksi të ministrave maqedonas

SHKUP – Nënkryetarja e LSDM-së, Radmila Shekerinska në një emision televiziv në Maqedoni, nxori një bombë të vërtetë, por kësaj here pa publikuar dëshmi materiale.

Ajo theksoi se si parti posedojnë edhe me video incizime për seks-afera të ministrave të VMRO-DPMNE-së.

“Kemi incizime nga seks-afera të ministrave dhe udhëheqësve të VMRO-DPMNE-së, por nuk i publikuam sepse duam lojë korrekte!”, citohet të ketë thënë ajo.

Një gjë të tillë nënkryetarja e Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM) e deklaroi në një emision të televizionit “24 Vesti”.

Qasja e Beogradit ndaj të pagjeturve – demagogjike dhe e papërgjegjshme

Deklaratat që vijnë nga autoritetet serbe, përmes të cilave ato shprehin gatishmërinë për vlerësimin dhe kontrollimin e çdo lokacioni, për të cilin ka informata për varrezë të mundshme masive, nuk janë të sinqerta.

Kështu vlerësojnë përfaqësuesit e delegacionit të Kosovës në grupin e përbashkët punues të Kosovës dhe të Serbisë, për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Ditë më parë, Veljko Odaloviq, kryesues i delegacionit të Serbisë në grupin punues për të pagjeturit, ka theksuar se autoritetet serbe kanë plotësuar të gjitha kërkesat e palës nga Kosova për hulumtimin e varrezave të dyshuara masive, për të cilat janë dhënë informacionet.

“Deri tash asnjë kërkesë e delegacionit të Prishtinës, për verifikimin e cilitdo lokacion, nuk ka mbetur e paplotësuar. Ne, në ndërkohë, në muajin gusht, në afërsi të Novi Pazarit kemi punuar në dy lokacione, për të cilat ata kanë kërkuar. Më herët, këtë vit, kemi kontrolluar edhe në dy lokacione në afërsi të Medvegjës. kemi punuar për kontrollimin e dy lokacioneve në Batajnicë dhe një kontroll në Petrovo Selo”, ka theksuar Odaloviq.

Por, Prenk Gjetaj, drejtues i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se deklaratat e autoriteteve serbe, gjegjësit të Odaloviqit, më tepër janë për medie se sa të sinqerta.

“Lidhur me deklaratat e tij (Odaloviq) se nuk ka asnjë lokacion, i cili është kërkuar nga pala jonë, e nuk është vlerësuar, nuk qëndron, për arsye se pikërisht në Novi Pazar, gjegjësisht në fshatin Kozarevë, na janë ndërprerë punimet, me arsyetimin se mungon buxheti dhe se nuk ka urdhëresë gjyqësore për më tutje. Ne kërkojmë që të vlerësohet pikërisht vendi aty ku dyshohet, sepse është punuar, por jo pjesa aty ku ne mendojmë dhe dyshojmë, sipas informatave që i kemi”, tha Gjetaj.

Megjithatë, Odaloviq, pati theksuar se nga pala serbe nuk ka bllokim të procesit të kërkimit të varrezave të dyshuara masive në Serbi dhe sipas tij, një gjë e tillë nuk është në interesin e Serbisë.

“Ne nuk kemi asnjë arsye, asnjë bllokim e as një problem në këtë çështje, por vetëm na nevojitet ndihma për informacione të mira dhe ne do t’i verifikojmë ato. Nuk është interesi ynë që të mos gjenden mbetjet mortore, jo vetëm të trupave të serbëve dhe atyre joshqiptarë, por edhe të shqiptarëve“.

“Ne i jemi qasur këtij procesi pa diferencime dhe mendoj që kështu e meritojnë viktimat. Politika dhe këto tjerat, zhvillohen jashtë këtij procesi, sepse një gjë e tillë nuk do të na qonte askund”, tha Odalloviq.

Në anën tjetër, Gjetaj vlerëson se deklaratat e këtilla të Odalloviqit janë sa për ta arsyetuar mosgatishmërinë e palës serbe për të dhënë informacionet mbi varrezat masive.

“Së pari, ata nuk i kanë hapur dhe nuk i hapin arkivat. Dhe së dyti, nuk japin informacione. Prandaj, ne, prej këtu, si ta dimë se ku i kanë varrezat masive, kur ata i dinë. Ata i kanë informacionet, i kanë të dhënat dhe kanë shënime nga strukturat policore dhe ushtarake, për varrezat masive“.

“Do ta përshëndesnim gatishmërinë e tyre që ata të na tregojnë dhe të fillojnë të na ftojnë aty ku janë varrezat masive, sepse dyshohet se ka varreza masive. Do të thotë, unë e përshëndes atë që politika të jetë larg dhe jashtë kësaj çështjeje, por pikërisht këtu bëhet politikë nga pala e Beogradit”, tha Gjetaj.

Ai ka shtuar se edhe gjatë procesit të gërmimeve në Rudnicë të Rashkës, kanë hasur në probleme nga pala serbe, për shkak se disa herë janë ndërprerë dhe zvarritur punimet, deri në momentin kur bashkësia ndërkombëtare ka ushtruar presion mbi Beogradin zyrtarë.

Deri më tash aty janë gjetur mbetjet mortore të 53 shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Të dhënat zyrtare, sipas Gjetajt, tregojnë që deri më sot, ende mbetet i pazbardhur fati i 1 mijë e 650 personave, të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Varoufakis: Do të ndodhë Kosovizimi i Greqisë – do të zhytemi në vrimën e zezë!

Ish-ministri i Financave në Greqi, Janis Varoufakis, ka komentuar zgjedhjet e mbajtura në vend më 20 shtator, duke i quajtur ato “zgjedhje të pikëlluara”.
Gjatë një interviste dhënë të përditshmes “Politico”, Varoufakis ka deklaruar se nuk dëshiron të zvogëlojë suksesin e ish-shefit të tij, por ka vënë në dukje se SYRIZA, që nga janari ka humbur 363 mijë vota, derisa një pjesë e madhe e njerëzve nuk kanë dalë fare në zgjedhje: madje edhe ata 1.6 milionë grekë që kanë votuar në referendumin kundër masave shtrënguese, këtë ëikend kanë qëndruar nëpër shtëpitë e tyre.
Ndërkaq, i pyetur nga gazetari i “Politico”, se si e sheh Greqinë pas pesë viteve, Varoufakis ka dhënë një përgjigje shumë pesimiste.
“Nëse asgjë nuk ndryshon, do të jemi të zhytur edhe më thellë në vrimën e zezë. Nëse vazhdojmë të jemi në përputhje me dispozitat e marrëveshjes së dakorduara për ndihmë, do të ndodhë Kosovizimi i Greqisë. Me këtë dua të them se gjithnjë e më shumë do të shndërrohemi në protektorat që e ka euron si Kosova, por se eksporti ynë i vetëm do të jenë njerëzit dhe turizmi, me zero investime në veprimtari prodhuese, me banka që do të funksionojnë si thesar, e jo si institucione të kreditimit”, ka shtuar Varoufakis

Tensionet përshkallëzohen në kufirin mes Serbisë dhe Kroacisë

Kanë eskaluar tensionet mes Serbisë dhe Kroacisë, në pamundësi që këto dy vende të gjejnë një mënyrë të duhur për t’u ballafaquar me mijëra emigrantë, të cilët përmes vendeve të Ballkanit, duan të shkojnë në BE.

Serbia ka ndaluar sot importet kroate, në shenjë proteste, pasi kjo e fundit ka mbyllur të gjithë kufijtë me Serbinë.

Ministri i brendshëm i Serbisë, Nobojsha Stefanoviç ka thënë se këto masa janë ndërmarrë për të “ruajtur sovranitetin.”

“Unë kam dashur ta hap kufirin…por tani nuk do ta bëj,” ka thënë kryeministri i Kroacisë, Zoran Milanoviç.

Turqi: Mijëra pjesëmarrës në protestën kundër terrorizmit kurd

Dhjetëra mijëra vetë kanë marrë pjesë në protestën në Stamboll për ta dënuar dhunën nga kryengritësit kurdë.

Aktualisht, Turqia është përfshirë nga dhuna, pasi kanë vazhduar luftimet ndërmjet ushtrisë dhe pjesëtarëve të Partisë Punëtore të Kurdistanit (PKK).

Ky grup konsiderohet organizatë terroriste nga Turqia, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoglu, tha mbrëmë në këtë protestë se “ata që dëshirojnë ta ndajnë këtë vend duke e shkatërruar, mund të jenë të mallkuar”.

Partia e Drejtësisë dhe Zhvillimit (AKP), e cila ka rrënjë islamike, e që ishte udhëhequr nga presidenti aktual i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, po përpiqet t’i rikthejë humbjet që i ka pësuar në zgjedhjet e qershorit, të cilat sollën një situatë ku kjo parti nuk ishte në gjendje ta formoj qeverinë, kështu që zgjedhjet e reja do të mbahen më 1 nëntor.

Analistët thonë se sulmet kundër PKK-së janë të ndërlidhura me problemet në zgjedhje të partisë AKP.

Agjencia shtetërore e lajmeve në Turqi, Anatolia, pardje ka raportuar se nga sulmet ajrore kundër luftëtarëve të PKK-së janë vranë së paku 55 militantë.

Syriza drejt fitores – së pamjaftueshme

Votimi ka përfunduar në Greqi dhe një anketë e rëndësishme pas votimit tregon se partia e majtë e ish kryesministrit Alexis Tsipras kryeson ndaj rivalit të saj kryesor konservator.

Por anketa, e kryer nga pesë stacione televizive të djelën, tregon se partia Syriza e Zotit Tsipras nuk ka arritur një shumicë absolute të nevojshme për të formuar qeverinë.

Partia Syriza parashikohet të ketë fituar mes 30 dhe 34 përqind të votave, ndërsa konservatorët e partisë Demokracia e Re mes 28 dhe 32.5 përqind.  Një anketë tjetër pas votimit parashikon gjithashtu shifra të ngjashme.

Zgjedhjet e së djelës – të tretat për Greqinë këtë vit – u shkaktuan kur Tsipras dha dorëheqjen muajin e kaluar, vetëm shtatë muaj pasi Syriza mori pushtetin me premtimin për të rinegociuar masat shtrënguese të vendosura nga kreditorët evropianë në këmbim të miliarda dollarëve ndihma.

Megjith premtimin e tij dhe një referendum në korrik ku votuesit grekë kundërshtuan kërkesat evropiane,Tsipras muajin e kaluar pranoi kushtet e kreditorëve për paketën e tretë të shpërtimit prej 98 miliardë dollarësh.

Udhëheqësi i partisë Demokracia e Re Vangelis Meimarakis e ka akuzuar zotin Tsipras për paaftësi në negociimin e marrëveshjes.

Shqiptarët po e braktisin nga dita në ditë Luginën e Preshevës

PRESHEVE – Lugina e Preshevës po zbrazet dita ditës nga shqiptarët. Banorët thonë se janë të diskriminuar nga politika serbe e të anashkaluar nga Tirana e Prishtina. Politikanët lokalë sipas tyre po i shikojnë vetëm përfitimet e veta, pasi mirëqenien e popullit nuk e kanë prioritet. Përkrahje nuk kanë e as nuk presin nga Serbia, të cilën e konsiderojnë armike, ndersa nga Shqipëria e Kosova kanë dëgjuar vetën deklarata, pa vepra konkrete.

Praninë e shtetit në të cilën jetojnë e shohin vetëm me mbipopullimin me policë e xhandarë përskaj kufirit me Kosovën. Me një papunësi që sillet prej 70 deri në 80 për qind, ata nuk shohin perspektivë për të ardhmen, shkruan sot “Koha”.

Ndërkaq qeveria e Kosovës që vazhdon të merret me pasojat e prezencës së Serbisë në Kosova, edhe për një kohë nuk do ta ketë në axhendë çështjen e shqiptarëve të Luginës. Të drejtat që i gëzojnë serbët në Kosovë, nuk i kanë as për së afërmi shqiptarët e Luginës.

Banorët që has në qytetin e Preshevës hezitojnë të flasin për problemet që i kanë.

“Politikanët pyesni si jetojmë”, thotë një i ri duke rritur dozën e nervozizmit. “Sidomos pushteti i sotëm e ka likuiduar Preshevën, një bankë e kemi, nuk kemi gjyq, nuk kemi asgjë, pushteti i sotëm është më i keqi që e ka qeverisur Preshevën”, shfryn ai mllefin. Ai nuk pret të bëhet mirë. “Po çfarë të bëri mirë, edhe ne me ik si refugjatët sirianë”. “Presheva po zbrazet”, përfundon ai.

Policia greke, raporte për drogën nga Shqipëria

Policia greke njoftoi përmasat e  trafikimit të lëndëve narkotike për vitin e kaluar,  ku në zonat fqinje me Shqipërinë  shihet aktiviteti më i shtuar kriminal. Sipas të dhënave policore gjatë vitit 2014 policia greke bllokoi në gjithë territorin e vendit rreth 19.600 kilogramë marijuanë  ku rreth 50% e kësaj sasie është sekuestruar në Rajonin e Epirit, fqinj me Shqipërinë.

Policia greke flet për një rritje  në përmasa të mëdha të trafikut të heroinës,  sasitë e së cilës janë bllokuar kryesisht  në zonë e Atikës dhe Epirit . Vetëm gjatë vitit 2014 policia bllokoi rreth 2.528 kilogramë  heroinë  në këto dy rajone trafik që sipas vetë polcisë ka shënuar rritje të konsiderueshme.

Policia greke  vëren se gjysmën e dytë të vitit 2014  pati një ulje të trafikimit të narkotikëve nga Shqipëria për shkak  të goditjes së vatrave të kultivimti dhe trafikimit  në fshatin Lazarat të Gjirokastrës, fqinj me zonat verirore greke.Kjo ulje ,sipas policisë greke në Rajonin e Epirit është në rreth 71% të sasisë së trafikuar të marijuanës.

Ndërkaq, policia greke  gjatë vitit 2015 po gjen raste të shtuara të kultivimit të marijuanës në zonat afër kufirit me Shqipërinë. Kjo dukuri e shfaqur këtë vit shënon kultivim të marijuanës në brezin kufitar të Greqisë  me Shqipërinë nga shetas si të dyshuar shqiptarë dhe kultivim të marijuanës nga shetas greke në zonat më në thellësi të territorit grek.

Policia thotë se ka arritur të zbulojë disa vatra të mbjella me marijuanë   në zonën e kufirit tokësor me Sarandën, Gjirokastrën dhe Korçën, ku shtetas  si të dyshuar  nga Shqipëria  kanë depërtuar brenda kufirit grek   dhe kanë ushtruar këtë aktivitet.

Dy ditë më parë policia greke bllokoi një shtetas greke në zonën bujqësore të Eleuzës, në afërsi të Janinës (rreth 80  km nga qyteti  i  Gjirokastrës) të cilit iu gjetën  të mbjella në një  serë  bimë marijuana.

Policia greke  tha se sekuestroi edhe një sasi  farash marijaune  për mbjellje dhe një sasi lënde narkotike të presuar. Sipas analistëve kriza ekonomike në rajonet ndërkufitare shqiptare dhe greke  që po shoqërohet me papunësi të lartë  po i bën fermerët të priren drejt këtyre aktiviteteve kriminale. Kultivimi i shtuar vijon tu japë përmasa rrjeteve të trafikantëve  që prej vitesh vepronin në këto zona herë me trafikun e marijuanës,herë me trafikun e  refugjatëve dhe herë me kontrabandimin e makinave luksoze të vjedhura në vendet perëndimore.

Kriza e refugjatëve: Kroacia mbyll kufirin me Serbinë

Kroacia ka mbyllur shtatë nga tetë pikat kufitare me Serbinë deri në “njoftimin e radhës”, për shkak të fluksit masiv të emigrantëve dhe refugjatëve, ka bërë të ditur Ministria e Brendshme.

Kroacia po ashtu kë vënë ushtrinë në gjendje gatishmërie, për t’u marrë me më shumë se 11,000 migrantë që kanë hyrë në këtë vend nga Serbia, qysh më 16 shtator.

Migrantët ia kanë mësyrë Kroacisë pasi Hungaria ka mbyllur kufirin me Serbinë të martën, duke bllokuar kështu njërën nga rrugët kryesore për në Bashkimin Evropian, që sivjet është përdorur nga më shumë se 200,000 migrantë, shumica e tyre nga Lindja e Mesme dhe Afganistani.

Kroacia ka thënë se do të kishte lejuar njerëzit të kalonin lirshëm nëpër territorin e saj, por kryeministri Zoran Millanoviq ka njoftuar se burimet e vendit për të trajtuar fluksin e migrantëve janë “të kufizuara”.

Ndërkohë, Sllovenia ka bërë të ditur se ka ndaluar një tren nga Kroacia me migrantë dhe se do të kthejë në Zagreb rreth 150 pasagjerë, pasi ata nuk kanë pasur dokumentet e nevojshme për të udhëtuar tutje.

Sllovenia është vendi i radhës tranzit për migrantët që synojnë të arrijnë në Austri dhe Gjermani.

Kryeministri slloven, Miro Cerar, ka thënë se vendi i tij do të respektojë rregullat e zonës Schengen për udhëtim të lirë. Sllovenia do të pranojë kërkesa për azil, por nuk do të krijojë “korridor” për refugjatët për të kaluar përmes territorit të saj në Austri.

Autoritetet kroate kanë transportuar shumë migrantë në qendrat e pritjes përreth kryeqytetit Zagreb, pasi i kanë regjistruar ata.

Ministri i Shëndetësisë, Sinisha Varga, ka thënë se Kroacia pret një fluks prej mbi 20,000 migrantësh gjatë dy javëve të ardhshme.

Bashkimi Evropian, për muaj të tërë, nuk ka arritur të bie dakord për mënyrën e sistemimit të migrantëve, duke bërë që shumë shtete anëtare të marrin hapa të njëanshëm për kontrollimin e kufijve të tyre.

Hungaria ka mbyllur kufirin e saj me Serbinë, duke ngritur gardh me tela, dhe çdo hyrje të paligjshme në vend e konsideron shkelje penale.

Hungaria ka thënë se do të zgjasë gardhin edhe në kufirin e saj me Rumaninë.

Bullgaria ka filluar vendosjen e trupave në kufirin e saj juglindor me Turqinë, për të ndaluar fluksin e refugjatëve.

Austria po ashtu ka nisur kontrolle selektive të automjeteve që hyjnë nga Hungaria, ndërsa Gjermania kontrollon njerëzit që hyjnë nga kufijtë me Austrinë dhe Republikën Çeke.

Bashkimi Evropian do të mbajë një samit të liderëve më 23 shtator, për të diskutuar krizën më të rëndë me migrantë qysh nga Lufta e Dytë Botërore.

Parlamenti Evropian ka mbështetur planin për sistemimin e 120,000 refugjatëve në BE, në bazë të kuotave të detyrueshme, por ministrat e Brendshëm të bllokut evropian, deri më tash, nuk kanë rënë dakord.

Gjermania dhe Franca janë në favor të planit, por Hungaria, Polonia, Republika Çeke dhe Sllovakia janë në mesin e disa shteteve anëtare që e kundërshtojnë fuqishëm atë.

Megjithatë, të enjten, kryeministri çek ka thënë se vendi i tij mund të pranojë vullnetarisht rreth 10,000 refugjatë – që do të thotë shumë më shumë se 1,500, për sa është zotuar fillimisht.

Përgatiti: Valona Tela.

Samiti i Vjenës – Shqipëria humbësja e madhe e rajonit

Nga 24 projekte Shqipëria ka përfituar 1, Bosnja 5, Kosova 3, Mali i Zi 3, Maqedonia 4 dhe Serbia 13 projekte.

Në një listë me 10 projekte, në kuadrin e “Programit të Paraanëtarësimit” të BE-së, të cilat përfituan një grant prej 205 milionë eurosh, Shqipëria përfitoi 1 projekt energjetik 14 milionë euro grant dhe asnjë projekt në transport.

Në një intervistë për revistën “Monitor”, ka folur Geri Selenica, Drejtor Ekzekutiv i “Qendra Shqiptare për Studime Strategjike”.

Vetëm pak ditë më parë në Samitin e Vjenës u diskutuan projektet infrastrukturore të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor midis liderëve të rajonit dhe BE-së. Ju ishit prezent në shumë takime ekonomike. Çfarë u diskutua aty dhe çfarë u tha për financimin e tyre?
Geri Selenica : Së pari, le t’i shtjellojmë në një linjë shkak-pasojë, që të qartësojmë për lexuesit tuaj së ç’është “Procesi i Berlinit”, ç’është “Axhenda e Konektivitetit” të BE-së, ç’janë “Korridoret Trans-Europiane” dhe pastaj çfarë u arrit në “Mbledhjen e Vjenës për Ballkanin Perëndimor 2015” dhe çfarë fitoi Shqipëria.

“Procesi i Berlinit” është një nismë fillestare e qeverisë gjermane dhe e Kancelares Merkel për të përshpejtuar integrimin e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE (Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë, Serbisë dhe Shqipërisë). Një nga instrumentet që po përdoret për këtë qëllim është përshpejtimi dhe mbështetja e “Axhendës së Konektivitetit” të Komisionit Europian për këto vende. Kjo është një gjë shumë pozitive nga ana ekonomike, pasi arsyeja bazë që këto vende të Ballkanit janë të pazhvilluara ekonomikisht është se janë larg tregjeve dhe epiqendrave ekonomike. Shkurt, janë disa zona të thella të Europës. Përmirësimi i lidhjes me vendet më të zhvilluara të Europës, si dhe nëpërmjet vetë vendeve të Ballkanit (zgjerimi i tregut rajonal) është hapi më i rëndësishëm për rritjen e potencialeve të tyre ekonomike. “Axhenda e Konektiviteit” parashikon investime kapitale në ndërlidhjen e infrastrukturave të transportit (rrugore, hekurudhore, lumore, portuale, aeroportuale) dhe ato energjetike (elektricitet e gaz). Madje, duhej të ishte përfshirë dhe infrastruktura e internetit broadband. “Axhenda” parashikon dhe përmirësimin e sektorëve të transportit dhe energjetikës nga ana legjislative me disa “Soft Measures” (Masa të Buta). Këto janë kombinuar edhe me një mbështetje teknike nga SEETO.

Zhvillimi i transportit në BE udhëhiqet nga një program i quajtur “TEN-T” – “Trans European Transport Network” – (Rrjeti Trans-Europian i Transportit). TEN-T ka identifikuar 9 korridore transporti trans-europianë, nga të cilat 3 zgjaten nëpër Ballkan (2 nga to në Shqipëri: Korridoret “Med” dhe “Orient/East Med”). Këto korridore kanë dy shtresa: “Core Network” (Rrjetin Kryesor), i cili mbart flukset më të rëndësishme të pasagjerëve dhe mallrave dhe “Comprehensive Network” (Rrjetin Gjithëpërfshirës/Mbështetës), i cili siguron qasje në rrjetin kryesor. Projektet prioritare përgjatë seksioneve të këtyre korridoreve dhe pjesët më të rëndësishme të “Core Network” legjitimohen për financim të mundshëm nga BE gjatë gjashtë viteve të ardhshme.

Janë bërë disa takime në mbështetje të “Procesit të Berlinit” në nivele kryeministrash, ministrash dhe ekspertësh. Takimi i dytë në nivel kryeministrash ishte “Mbledhja e Vjenës e Ballkanit Perëndimor 2015”. Në këtë mbledhje, 6 vendet e Ballkanit besoj që kishin pritshmëri shumë më të madhe, por Komisioneri Hahn jua preu shkurt duke ju thënë që “BE nuk është një bankomat”. Në fakt, çdo nismë e ka një faturë nga mbrapa. Fatura reale për ta zbatuar 100% “Axhendën e Konektivitetit” për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor është mbi 30 miliardë euro. Sipas studimeve, në total duhen mbi 100 miliardë euro investime në të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, që këto vende të jenë konkurruese dhe me ekonomi të qëndrueshme.

Në Vjenë nuk u tha ndonjë shifër investimesh, (përveç 1 miliard euro që Komisioneri Hahn e ka lançuar më parë), por thjesht u paraqitën projekte ose më saktë projektide, që ishin diskutuar që më parë në nivel teknik me BE-në dhe u mbajtën fjalime politike, sidomos për energjinë. BE publikoi një listë me projektide në infrastrukturën e transportit (Indicative Extension TEN-T Core Network to Western Balkans) dhe atë elektrike (Electricity Infrastructure Projects of Energy Community Interest – PECI).

Sa për të thyer akullin e financimeve, BE paraqiti një listë me dhjetë miniprojekte që ishin gati për bashkëfinancim që më parë, në kuadrin e “Programit të Paraanëtarësimit”. Katër në energjetikë dhe gjashtë në transport, me vlerë 616 milionë euro, të cilat përfituan një grant prej 205 milionë eurosh. Shqipëria kishte vetëm 1 projekt energjetik, “Linjën e interkoneksionit me Maqedoninë” dhe përfitoi 14 milionë euro grant dhe asnjë projekt në transport.

Nuk e di saktë se ç’projektide ka paraqitur Shqipëria pranë BE-së, por di saktë që BE përzgjodhi 24 projekte transporti dhe Shqipëria përfitoi vetëm 1 projekt.

Ja konkretisht si u shpërndanë 24 projektet:
Bosnja dhe Hercegovina, 5 projekte:
1 – Autostrada kufiri Kroaci/Bosnjë – Sarajevë – Ploce;
2 – Hekurudhë Bosanski Šamac/Šamac – Sarajevë;
3 – Aeroporti i Sarajevës;
4 – Autostrada kufiri Kroaci/Bosnjë–Gradiška–Banja Luka–Travnik;
5 – Porti i Brčkos.
Kosova, 3 projekte:
1 – Autostrada Nish-Prishtinë;
2 – Autostrada Prishtinë – kufiri Kosovë/Maqedoni;
3 – Hekurudha Kraljevo – Prishtinë – Gorce Petrov;
Mali i Zi, 3 projekte:
1 – Autostrada e Kaltër (Rijeka–Ploce–Tivar–Durrës–Igumenicë);
2 – Hekurudha Beograd – (Vrbnica) – Tivar;
3 – Autostrada Beograd – Tivar;
Maqedonia, 4 projekte:
1 – Autostrada Kërçovë – Gostivar;
2 – Stacion i përbashkët hekurudhor në Tabanovce Serbi/Maqedoni;
3 – Hekurudha Beljakovce – kufiri Maqedoni/Bullgari;
4 – Autostrada Rankovce – Kriva Palanka – kufiri Maqedoni/Bullgari;
Serbia 13 projekte:
1 – Hekurudha Nish – Dimitrovgrad – kufiri Serbi/Bullgari;
2 – Hekurudha Beograd – Novi Sad – kufiri Serbi/Hungari;
3 – Hekurudha Beograd – Nish;
4 – Autostrada/Unaza e Beogradit (Strazevica-Bubanj Potok);
5 – Autostrada Nish – Prishtinë;
6 – Stacion i përbashkët hekurudhor në Tabanovce Serbi/Maqedoni;
7 – Hekurudha Beograd – (Vrbnica) – Tivar;
8 – Autostrada Beograd – Tivar;
9/10 – dy projekte për lumin Sava;
11/12 – dy projekte për lumin Danub;
13 – Terminali intermodal i Beogradit.

Shqipëria 1 projekt:
1 – Autostrada e Kaltër (Rijeka–Tivar–Durrës–Igumenicë), që në Shqipëri përfshin studimin paraprak, dizajnin e detajuar, EIA dhe punimet për pjesët Thumanë – Kashar/Vorë, bajpasin e Lezhës, unazën e Tiranës dhe veprat e nevojshme në bajpasin e Tepelenës.
Siç e shikoni Shqipëria ka marrë shumë pak nga BE ose ka kërkuar shumë pak nga BE. Për këtë mund të pyesni autoritetet shqiptare.

Për këtë, ju bëni me faj autoritetet shqiptare apo BE-në?
Geri Selenica: Besoj që përgjegjësia kryesore për këtë i bie qeverisë shqiptare, pasi sipas BE-së, Komitetet e Investimeve Kombëtare (National Investment Committees), që nuk e di nëse ekziston një i tillë në Shqipëri, janë përgjegjëse për përcaktimin e menaxhimin e prioriteteve të projekteve kombëtare (Single Project Pipelines) dhe duhet të shërbejnë si bazë për programimin e të gjitha burimeve të mundshme të financimit të tyre (duke përfshirë donatorë vendas dhe të tjerë).

Ne me ekspertët tanë, vendas dhe të huaj, ua kemi bërë të qartë shumë herë dhe me shumë argumente shkencore qeverisë shqiptare, që përveç “Autostradës së Kaltër” siç i themi ne, ose “Mediterranean Corridor” (klasifikim i BE), duhej të paraqiteshin dhe këto projekte shumë strategjike në BE, si “TEN-T Core Networks”:
1 – Autostrada Elbasan-Qafë Thanë-Kapshticë;
2 – Hekurudha Kapshticë-Pogradec-Hani i Hotit.
Mbase edhe këto projekte shtesë, që t’i plotësojmë nevojat tona të transportit:
1 – Hekurudha Milot-Prizren.
2 – Terminali Multimodal i Spitallës i integruar me Portin e Durrësit ose më mirë me Porto Romanon;
BE mund t’i klasifikojë këto projekte ose në “Korridorin Mesdhetar” ose në “Korridorin Orient East Med”. Për mendimin tim, BE nuk i ka kushtuar vëmendjen e duhur “Korridorit Adriatik/Mesdhetar” dhe aq më pak Shqipërisë. Në fakt, unë e ngrita këtë çështje në Vjenë në takimin me drejtorin e zgjerimit të Komisionit Europian, përgjegjës për Shqipërinë, zotin Jean Eric Paquet, dhe ia dhashë me shkrim vërejtjet (përfshirë Komisionerëve Hahn dhe Bulc), që konsistonin në:
– mospërfshirjen totale në këto korridore të “Hekurudhës së Kaltër”, Kroaci-Mali i Zi-Shqipëri-Greqi dhe
– përjashtimin total të Shqipërisë nga korridoret hekurudhore TEN-T për Ballkanin Perëndimor, duke na izoluar de-fakto nga lidhjet hekurudhore europiane.

Shumë zyrtarë ballkanikë i quajtën me shumë vend këto vërejtje dhe kam informacion zyrtar nga qeveria kroate dhe greke, që do t’i mbështesin fuqimisht në BE dy çështjet e mësipërme. Nga qeveria shqiptare nuk kam përgjigje.

Nga pikëpamja gjeopolitike, nëse nuk ka ndonjë pakujdesi teknike në BE dhe paaftësi nga ana jonë, duke lexuar listën e projekteve dhe kategorizimet e tyre në “TEN-T Core Networks” dhe “Comprehensive Networks” duket shumë qartë që BE mbështet fuqimisht “Korridorin 10” kundrejt “Korridorit Adriatik”.
Meqë këto projekte janë indikative dhe jopërfundimtare mbetet një punë shumë e madhe e qeverive shqiptare, kroate, malazeze e greke, që ta ndryshojnë këtë realitet pranë BE-së.

Si i financon BE këto projekte?
Geri Selenica: Komisioni Europian, nëpërmjet Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (Western Balkans Investment Framework – WBIF), bashkëfinancon vetëm projekte të pjekura në energjetikë nga lista e PECI (Projektet e Interesit të Komunitetit të Energjisë) dhe projekte të pjekur në transport nga lista e “TEN-T Core Network”, në bashkëpunim me institucione financiare ndërkombëtare.
Duhet të kuptojmë që BE ka vetë problemet e saj financiare. Investimet në BE kanë rënë nga 3 triliardë euro në 2007 në 2,6 triliardë euro në 2013. Për të plotësuar këtë mangësi në investime, Presidenti Juncker ka paraqitur Planin Europian të Investimeve Strategjike (EFSI) prej 315 miliardë eurosh. E reja e këtij plani është që me anë të një mekanizmi inovativ financiar do të mundësohet thithja e kapitaleve të të tretëve në investimet e BE-së, përfshi dhe investimet në “Axhendën e Konektivitetit” për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor. Ky është një lajm i mirë, pasi BE do të lejojë kapitale nga të tretë dhe në fakt kapitalet e të tretëve që, realisht mund të përthithen, janë kryesisht kapitalet kineze.

Presidenti Juncker ra dakord në parim më kryeministrin kinez Li Keqiang në maj 2015 në Bruksel për krijimin e një Platforme Investimesh Kinë-BE, e cila do të materializohet gjatë vizitës së Presidentit Juncker në fund të këtij muaji në Pekin. Pra bashkëfinancues me BE-në mund të jetë edhe Kina. Sidomos Ballkani është pjesë e strategjisë kineze “Silk Road Economic Belt” (Brezi Ekonomik i Rrugës së Mëndafshit), që ka si pika hyrje në Europë Portin e Pireut dhe Stambollin. Në disa takime në Vjenë, këtë e pranuan edhe drejtuesit më të lartë të institucioneve financiare të BE-së, por me kusht që financimet kineze të kryhen konform rregullave të institucioneve bankare të BE-së.

Por, pothuajse të gjitha projektet e transportit edhe nëse financohen ose bashkëfinancohen nga të tretë, nuk janë realisht të vetëpagueshme dhe të përballueshme për shtetet e varfra të Ballkanit. Kështu që duhet patjetër mbështetja financiare e BE-së në formë grantesh apo garancish trafiku. Pra edhe klasifikimi i projekteve tona në “TEN-T Core Network” rrit mundësinë teorike të përfitimit nga BE-ja.

Pra, pa angazhimin real të BE-së, financimi i këtyre projekteve do të vihej në vështirësi?
Geri Selenica : Në një masë të madhe po. Në pikëpamjen time, Takimi i Vjenës ishte një takim politik pa shumë vlerë reale e konkrete ekonomike në zbatimin e “Procesit të Berlinit”. Kam bindjen dhe këtë opinion kishin edhe shumë kryeministra, ministra e drejtues të Ballkanit, që BE ende nuk e ka Ballkanin Perëndimor në fokus dhe nuk e ka marrë seriozisht. Thjesht po e mban më premtime. Nëse BE do t’i merrte seriozisht 6 vendet tona, aq sa mori seriozisht Greqinë, me një fraksion të fondeve që po ndihmon Greqinë, do të kishte mbaruar punë me kohë me të 6 vendet tona.

Si është çështja e “Korridorit të Kaltër”? Çfarë është ky projekt?
Geri Selenica : “Korridori i Kaltër” është arteria më strategjike, që lidh Shqipërinë me Europën dhe është një sukses i madh që BE e klasifikoi para disa muajsh si pjesë të “Korridorit Mesdhetar” të BE-së. Në pikëpamjen e autostradës, ajo duhet ndërtuar nga Plocë e Kroacisë deri në Janinë (sipas BE-së). Një arritje shumë pozitive e qeverive kroate, malazeze dhe shqiptare është që kanë përcaktuar pikat e përafërta të kalimit të kësaj autostrade nga Debeli Brijeg dhe midis Muriqanit e Velipojës. Gjurmët e sakta do të dalin nga studimi i detajuar i fizibilitetit dhe nga projekti përfundimtar, që do ta financojë BE-ja menjëherë. Vështirësia më e madhe financiare dhe inxhinierike e kësaj autostrade është në Malin e Zi, për arsye të terrenit malor dhe kufizimeve financiare që ka, megjithëse 10 km të kësaj autostrade do t’ia japë grant Socar i Azerbajxhanit.

Për mendimin tonë, që ia kemi thënë qeverive shqiptare, greke dhe BE-së, lidhja me Greqinë nga Kakavija e “Autostradës së Kaltër” është jashtë logjikës ekonomike. Ne e kemi sugjeruar me fakte lidhjen nga Kapshtica, pasi:
-Gjurma e autostradës nga Kakavija do edhe 70 km autostradë të re deri tek autostrada Egnatia A2 në jug të Janinës. Dhe më tutje duhen mbi 100 km autostradë e re (A5) për t’u lidhur me Athinën. Ndërkohë që autostrada Egnatia A2 ka mbërritur 3 km në jug të Kapshticës (Ieropigi). Pra nëse ndiqet gjurma nga Kapshtica, Greqia nuk ka nevojë të ndërtojë autostradë.
-Distanca Tiranë-Athinë nga Kapshtica është 100 km më pak se nga Kakavija.
-Sipas studimit socio-ekonomik, gjurma nga Kapshtica i shërben më shpejt 90% të ekonomisë dhe popullsisë greke që jeton në veri e jug të Greqisë.
-Gjurma nga Kapshtica është rreth 200 km më afër Stambollit se sa Kakavija.
-Gjurma nga Kapshtica e bën “Autostradën e Kaltër” dhe “Autostradën Egnatia” më konkurruese kundrejt Korridoreve 4, 10 e 8. Distanca Pire-Tiranë-Trieste bëhet 150 km më e shkurtër se Pire-Beograd-Trieste, ndërsa Stamboll-Tiranë-Trieste vetëm 75 km më e gjatë se Stamboll-Beograd-Trieste.
– Gjurma nga Kapshtica integrohet me Korridorin 8 për 120 km nga Tirana në Qafë Thanë, duke rritur ndjeshëm dhe leverdishmërinë e kësaj rruge.

Meqë BE dhe qeveria shqiptare e duan lidhjen me Greqinë nga Kakavija, atëherë është detyrë urgjente e qeverisë shqiptare ta klasifikojë segmentin Qafë Thanë – Kapshticë në “TEN-T Core Network”. S’është nevoja ta klasifikojë në “Med Corridor”, pasi ky segment përfshihet shumë mirë në parametrat e “Orient/East Med Corridor”. Por mungesa totale e tij në “TEN-T Core Network” do ta përjashtojë automatikisht nga mbështetja financiare e BE-së. Dhe zyrtarët dhe ekspertët grekë të transporteve preferojnë Kapshticën si lidhjen më të mirë midis dy vendeve.

Ne besojmë që “Autostrada e Kaltër” duhet dizenjuar si një arterie e rëndësishme europiane, që përveç ekonomive tona modeste dhe popullsive tona të pakta, duhet t’ju shërbejë flukseve europiane të trafikut, si 25 milionë turistëve që shkojnë çdo vit në Greqi e 30 milionë turistëve në Turqi, mallrave që vijnë nga Turqia, Lindja e Mesme dhe nga Lindja e Largët e Kina dhe mallrave që BE eksporton në drejtim të lindjes.

Po “Hekurudha e Kaltër” çfarë është?
Geri Selenica : “Korridori i Kaltër”, përveç autostradës, duhet të parashikonte edhe hekurudhën. Por kjo mungon në materialet e shpërndara në “Takimin e Vjenës”. Fakt është që Kroacia nuk ka asnjë studim për këtë. Mali i Zi dhe Bosnja kanë bërë një studim dhe paraprojekt të financuar nga BE, për të lidhur hekurudhën malazeze nga Nikshiqi me atë boshnjake në Caplinja. Shqipëria tani po e bën një studim për masterplanin hekurudhor të financuar nga BERZH. Nuk e di nëse ky studim i Shqipërisë do të përfshijë edhe 52 km linjë e re hekurudhore nga Pogradeci në Kapshticë (kufiri grek). Greqia, nga ana e saj, e ka përfshirë hekurudhën e saj deri në Kapshticë si “TEN-T Core Network” dhe për çudi “TEN-T Core Network” ndërpritet në Shqipëri!!!

Bazuar në vizionin e shprehur më lart, ne jemi promotorët kryesorë të “Hekurudhës së Kaltër” (Kalabaka/Follorine-Kapshticë-Pogradec-Hani i Hotit-Nikshiq-Caplinja-Ploce-Split) dhe kemi protestuar pranë BE-së për mospërfshirjen e saj në “TEN-T Core Network”. Zgjidhjet pjesore hekurudhore që kemi dëgjuar për Shqipëri (në Tiranë-Hani i Hotit ose Vlorë-Hani i Hotit apo Lin-Durrës) nuk janë të logjikshme, pasi nëse hekurudha nuk e përshkon Shqipërinë nga Veriu në Jug dhe t’i shërbejë transportit ndërkombëtar, nuk do të ketë kurrë të ardhme. Shqipëria nuk ka as mallra e as pasagjerë në sasi të mjaftueshme që ta bëjnë rentabël një hekurudhë. Me një vizion të qartë ekonomik dhe me një vullnet politik solid “Hekurudha e Kaltër” është më fizibël se “Korridori Hekurudhor 10”. Kjo do një lobim të fortë në BE, por dhe studime e argumente serioze, të cilat qeveria shqiptare fatmirësisht do t’i ketë së shpejti, nga studim i financuar nga BERZH-i (të cilin mund ta financonte vetë me kohë).

Si pozicionohet Shqipëria dhe cilat janë përfitimet që mund të ketë ajo në rrafshin ekonomik e strategjik?

Geri Selenica: Nuk mund t’ju jap një përgjigje të saktë për këtë, pasi duhen studime serioze, por hamendësimet tona paraprake tregojnë që përshkimi i Shqipërisë nga Jugu në Veri, nga Lindja dhe Verilindja në Perëndim e bën një nyje të rëndësishme tranziti. Kjo do të kishte një vlerë shumë më të madhe nëse Porti i Durrësit ose Porto Romano do të zhvilloheshin në një “hub” rajonal, siç po bëjnë kinezët Portin e Pireut. Por kjo varet shumë dhe nga interesi i lojtarëve globalë të transportit me anije dhe kontejnerë.

Në çfarë faze është Shqipëria në krahasim me vendet e rajonit? Çfarë vështirësish po hasen për të qenë koherentë me ta?
Geri Selenica: Me sa kam parë, të gjitha vendet e rajonit janë shumë më përpara me bërjen e projekteve. Ndërsa këtu nuk kam parë ndonjë projekt serioz. Përkundrazi e vetmja rrugë me vlerë të madhe financiare që po bën qeveria, në hapësirën e natyrshme të korridoreve europiane është një investim krejt i kot prej 150 milionë eurosh, rruga Qukës-Qafë Plloçë. Një rrugë malore që 20 km janë parashikuar të ndërtohen në lartësi nga 1,000m deri 1300m në malet e Mokrës. Faktikisht e pakalueshme në dimër për kë e njeh zonën, me temperatura që arrijnë nën -20’C. Për dijeni Korça është vetëm 800m mbi nivelin e detit. Shkurtimi i distancës në raport me gjurmën nga Pogradeci është vetëm 3km. Pra, një projekt pa parametra, që ekspertët e huaj tallen, që ‘de-facto’ është bërë nga një ish-zëvendësministër i qeverisë së shkuar, thjesht për të përfituar financime arabe në mënyrë korruptive. Kjo është shumë e turpshme dhe shpërdorim i papërgjegjshëm i fondeve publike. Këtë ia kemi vënë në dukje kryeministrit dhe shumë ministrave.

Si duhet të lobojë Shqipëria, çfarë duhet të ketë parasysh qeveria shqiptare?
Geri Selenica: Në Tiranë mund të kënaqen vetëm me “Autostradën e Kaltër”, por e përsëris, qeveria shqiptare duhet të paraqesë menjëherë pranë BE-së projekte serioze shtesë. Minimalisht, duhet të kërkojë urgjent përfshirjen e lidhjes së dytë me autostradën me Greqinë Elbasan-Kapshticë dhe hekurudhën Kapshticë-Hani i Hotit në “TEN-T Core Network”. Nuk duhet të mjaftohet më “Autostradën e Kaltër”. Shikoni shtetet përreth. Të gjitha kanë futur çdo projekt që ju duhet, madje kanë arritur t’i klasifikojnë edhe në “TEN-T Core Network”. S’është nevoja t’ju përmend shtetet e projektet. Më mirë shikoni hartat e aprovuara në Takimin e Vjenës.

Marrë nga Revista “Monitor”

Çamëria, për herë të parë në Senatin amerikan

Këto ditë Senati amerikan organizoi një seancë të posaçme debati për “Problemin Çam”, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë.

Një ndër mbështetësit më të fuqishëm të kësaj çështjeje ishte Riçard Lukas, një udhëheqës i ri i bashkësisë së shqiptarëve në Nju Jork, i cili e ka parashtruar problemin çam në strukturat më të larta ligjvënëse amerikane, transmeton shekulli.

Në këtë seancë u pranua nëpërmjet apologjisë së përfaqësuesit grek, se qeveria e Athinës e njeh mirë këtë problem por përpiqet ta anashkalojë dhe t’ia hedhë dikujt tjetër përgjegjësinë.

E parë në këtë plan historik politik, çështja çame do të trajtohet në kontekstin e përgjithshëm të “Çështjes Shqiptare”, që tashmë është shtruar për zgjidhje.

Kocijançiq: Presim nga Serbia zbatim të konventave për pakicat

Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka thënë sot në Bruksel se “asociacioni i komunave të banuara me shumicë serbe në Kosovë është rezultat i negociatave shumë specifike në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve”, të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Këto komente zonja Kocijançiq i ka bërë duke komentuar krijimin e një asociacioni të ngjashëm në komunat e banuara me shqiptarë në jug të Serbisë.

Përfaqësuesit politikë të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit kanë votuar më 12 shtator themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Shqiptare.

“Kur bëhet fjalë për pakicën shqiptare në Serbi, Serbia ka zotuar vetveten për të zbatuar një politikë mbi pakicat kombëtare, në një linjë me të gjitha detyrimet ndërkombëtare që dalin nga korniza e Konventës së Këshillit të Evropës për mbrojtjen e pakicave kombëtare dhe nga Karta Evropiane për pakicat. Presim përmbushjen e këtyre detyrimeve”, u ka thënë gazetarëve, zonja Kocijançiq.

Marrëveshja për Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe, ndërkaq është arritur më 25 gusht në Bruksel.

Halimi: Modeli i Tirolit Jugor për zgjidhjen e problemeve të pakicave në Ballkan

Vendimi për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Shqiptare në Luginë të Preshevës nuk ishte përgatitur mirë, thotë kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Riza Halimi, njëherësh deputet në Kuvendin e Serbisë.

Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, Halimi tregon arsyet pse partia e tij nuk mori pjesë në aktin e shpalljes së Asociacionit. Sipas tij, themelimi i Asociacionit ishte vetëm një përsëritje e disa vendimeve të mëhershme të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Halimi i cilëson si të pasakta edhe deklaratat e kryeministrit dhe zëvendëskryeministrit të Serbisë, në lidhje me të drejtën e komunave që të themelojnë Asociacione. Kjo e drejtë, potencon ai, komunave u lejohet me ligj.

“Ligji për Pushtet Lokal në Serbi parasheh në mënyrë të qartë se pushtetet lokale për të realizuar interesa të përbashkëta, mund të ndërtojnë asociacione dhe të krijojnë organizata, institucione e organe të përbashkëta. Ligji këtë e parasheh, por normalisht që duhet ta kemi parasysh që niveli i të drejtave, i kompetencave të pushteteve lokale në Serbi nuk është i njëjtë me ato që i kanë komunat me shumicë serbe në Kosovë. Jo që nuk është i njëjtë, por është dukshëm më i ulët”, thotë Halimi.

Votimi për themelimin e Asociacionit të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës, konsiderohet se duhet të marrë për bazë vetëm votat e këshilltarëve komunalw nga Presheva e Bujanoci, pasi ata të Medvegjës nuk kishin mandate legjitime, për shkak se kjo komunë ishte në procesin zgjedhor.

Parimi kryesor i shpalljes së këtij Asociacioni, bazohej në reciprocitetin mes të drejtave të serbëve në Kosovë dhe të drejtave të shqiptarëve në Serbi.

Riza Halimi thotë se ka dallime të mëdha, pasi që pozita e serbëve në Kosovë është më e avancuar. Por ai pret që edhe faktori ndërkombëtar të reagojw dhe në bazë të disa modeleve ndërkombëtare, t’i zgjidhw edhe çështjet e ngjashme që kanë mbetur tani në Ballkan.

“E kemi Tirolin Jugor, e kemi ujdhesën Aland në Finlandë, do të thotë kemi shembuj shumë pozitiv që në të kaluarën shtetet evropiane i kanë zgjidhur”.

“Tash është aktual Ballkani dhe nëse nuk përdoren kritere të njëjta, posaçërisht për pakicat, sidomos ato që paraqesin shumicë në një territor të caktuar të një shteti, atëherë nuk do të kemi stabilitet dhe në një mënyrë, këto shtete që synojnë integrime evropiane do ta destabilizonin vetë Evropën nëse nuk përdoren kritere evropiane”, ka deklaruar Halimi.

Krijimin e Asociacionit të Komunave Shqiptare në Luginë të Preshevës si masë reciprociteti me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë e ka kundërshtuar Qeveria në Beograd, përkatësisht kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Përderisa Qeveria në Prishtinë, nuk ka bërë ndonjë deklaratë zyrtare për apo kundër këtij vendimi të përfaqësuesve shqiptarë të Luginës së Preshevës.

Në provë diplomacia e Prishtinës dhe e Tiranës – Nga Prof. dr. MEHDI HYSENI

*** Të mos lihen Presheva, Bujanoci dhe Medvegja në “mëshirën” dhe në varësinë e politikës dhe diplomacisë kolonialiste të Serbisë (1912-2015).
Siç bën të ditur gazeta  “Kosova Sot” e Prishtinës, shqiptarët e  Kosovës Lindore: Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, më 12 shtator 2015, miratuan Deklaratën  për formimin e Bashkësisë së Komunave Shqiptare nën Serbi. Ja teksti integral i kësaj Deklarate: 
 
“ Këshilltarët shqiptarë të tri komunave të Luginës – Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, më 12 shtator 2015 miratuan Deklaratën për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë shqiptare në Serbi. Deklarata u miratua në mënyrë unanime, respektivisht asnjë nga 43 këshilltarët komunalë nga të tri komunat nuk votoi kundër. Kryetari i Preshevës Ragmi Mustafa gjatë mbledhjes tha se sot është një ditë historike. Ai tha se shqiptarët e Luginës çdo ditë janë nën trysninë e deklaratave kërcënuese të qeverisë së Serbisë.  Ndërkaq kryetari i Këshillit Nacional Shqiptar Jonuz Musliu tha se rrugë tjetër nuk ka pos realizimit të të drejtave të shqiptarëve të Luginës. Sipas tij Serbia gjithmonë ka qenë e interesuar për spastrim etnik dhe për marrjen e tokave shqiptare. Musliu theksoi se shqiptarët janë të vendosur që të realizojnë vullnetin e tyre dhe asgjë më shumë.”( //http://www.kosova-sot.info/lajme/34112/miratohet-deklarata-per-themelimin-e-asociacionit-te-komunave-shqiptare-ne-serbi/12 shtator/2015//).
 
Një kërkesë e këtillë e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, është plotësisht e drejtë, e pranueshme dhe në frymën e standardeve ligjore dhe demokratike të Bashkimit Evropian (BE), pavarësisht reagimit negative dhe kërcënuese të kryeministrit  Aleksandar Vuçiq  dhe ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq  se, nëse  “shqiptarët  e PBM-së formojnë  Associacionin  e Komunave  Shqiptare, do të përdorin forcën”.
 
E pranuat “Zajednicën serbe”, pranoni edhe Bashkësinë shqiptare !
 
Duke qenë se politika dhe diplomacia zyrtare e Kosovës dhe e  Shqipërisë kanë pranuar dhe  mbështetur nënshkrimin e Marrëveshjes  së krijimit të “Zajednica srpskih opstina”  brenda  territorit të shtetit të pavarur të Kosovës, të miratuar më 25 gusht 2015 në Bruksel nën monitorimin e  Federica Mogherinit  (përfaqësuese e lartë për politikë të jashtme dhe të sigurisë  të BE-së) ,  të cilën së fundi, pa asnjë rezervë e përqafoi, edhe presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani në takimin që pati me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjga në Tiranë, më 10 shtator, atëherë, as Nishani e as Jahjaga nuk kanë asnjë arsye, që të mos e mbështesin edhe Deklaratën e shpallur të shqiptarëve të Preshevës dhe të Bujanocit për themelimin e Asociacionit të Komunave Shqiptare (AKSH) nën Serbi, ashtu siç e mbështetën me gëzim dhe me dashuri, edhe Marrëveshjen  për formimin e Associacionit të Komunave Serbe në Kosovë.
 
Pra, që tani, në potez  janë poltika, drejtësia  dhe diplomacia e hollë dhe racionale e  Tiranës dhe e Prishtinës, përfaqësuesit e të cilave urgjentisht, duhet të vihen në veprim për thirrjen e mbledhjeve të dy qeverive dhe të dy parlamnenteve, që  njëzërit, të miratojnë Deklaratën e 43 këshillëtarëve  të komunave të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës  për themelimin e Associacionit të Komunave Shqiptare nën Serbi.
 
Për mbështetjen zyrtare të Deklaratës së përfaqësuesve legjitimë të popullit shqiptar të PBM-së  për themelimin e  Associacionit të Komunave Shqiptare, ndër të parët, FAJLËN e kanë  Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, që ta ngrenë zërin sikurse në rastin e miratimit të “Zajednica srpskih opstina” në Kosovë.
 
Gjithashtu Jahjaga dhe Nishani urgjentisht, duhet t’i thërrasin kryeministrat e qeverive  të tyre , Isa Mustafën dhe Edi Ramën”, që  me procedurë të shkurtër ligjore , ta miratojnë Deklaratën e theksuar  dhe, të njëjtën t’ua procedojnë për miratim të dy kuvendeve të Ilir Metës dhe të Kadri Veselit.
 
Pas  kësaj procedure ligjore të miratimit të Deklaratës për themelimin e Associacionit të Komunave Shqiptare (PBM), qeveria e Kosovës dhe e Shqipërisë, këtë kërkesë  t’ia dërgojnë për shqyrtim zonjës së lartnderuar Erica Mogherinit  (përfaqësuese e lartë  për  politikë të jashtme dhe për siguri të BE-së).
 
Në këtë rast, do të pajtohej, edhe  Zëdhënësja e lartë e BE-së, Maja Kociançiq, e cila lidhur me  formimin e Associacionit të Komunave Shqiptare në Serbi, ka reaguar negativisht, duke theksuar se : “Për Luginën e Preshevës mund të flitet në Bruksel, nëse pala serbe dhe kosovare janë dakord dhe se kjo pyetje para Brukselit, duhet shtruar, se pari autorititeve në Beograd dhe atyre në Prishtinë…” // http://botasot.info/lajme/452182/brukseli-reagon-per-asociacionin-ne-luginen-e-presheves-ja-cfare-thote/11/09/2015/
 
Së fundi, nëse  drejtësia, politika dhe diplomacia e Kosovës dhe e Shqipërisë (sipas  procedures ligjore  dhe demokratike)  nuk e përligjin Deklaratën e 43 këshillëtarëve legjitimë të Preshevës, Bujanocit dhe Medevgjës për themelimin e Associacionit të Komnave Shqiptare, atëherë,  kuptohet, këtë nuk do ta mbështesin as Beogradi as faktorët relevantë të bashkësisë ndërkombëtare.
 
Nëse ndodh ky absurd i faktorit brendashqiptar, atëherë, nuk kemi të drejtë morale, as ligjore, që t’i  kritikojmë dhe t’I fajësojmë as Beogradin, as Brukselin (BE-në)  e as Nju-Jorkun(OKB-në),  por vetëm  politikën dhe diplomacinë zyrtare të Tiranës dhe të Prishtinës.
 

Radio Evropa e Lirë: Lugina e Preshevës insiston në Asociacion

Voal – Këshilltarët shqiptarë të tre komunave: Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, tërësi kjo e njohur nga shqiptarët e këtyre komunave si Lugina e Preshevës, në jug të Serbisë, do ta sjellin vendimin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë shqiptare në Serbi, konfirmojnë zyrtarët shqiptarë të këtyre komunave.

Jonuz Musliu, kryetar i këshillit Nacional të Shqiptarëve (KNSH), i ka thënë Radios Evropa e Lirë se tashmë janë kryer të gjitha përgatitjet për takimin e këshilltarëve shqiptarë të tri komunave me shumicë shqiptare në Serbi, takim ky i cili pritet të mbahet të shtunën, në Preshevë.

“Teknikisht gjithçka është përgatitur për takimin e nesërm të këshilltarëve shqiptarë, në orën 11, në Preshevë. Do të bihet një vendim për Asociacionin e komunave me shumicë shqiptare, në Luginë të Preshevës”, theksoi Musliu.

Ndryshe, idenë për formimin e një Asociacioni të komunave me shumicë shqiptare e kishte aktualizuar Musliu në fund të muajit gusht të sivjetmë.

Por, çfarë synohet me formimin e këtij asociacioni?

Kryetari i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, duke folur për Radion Evropa e Lirë, tha se çështja e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë shqiptare në Serbi “është iniciativë e këshilltarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës” dhe ky organ synohet të jetë analog me Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Ajo që po ndodhë në Kosovë për Asociacionin e komunave serbe në Republikën e Kosovës, të ndodhë edhe për shqiptarët në Luginë të Preshevës. Pra, që të themelohet Asociacioni i komunave shqiptare në Luginë të Preshevës, që ta arrijë po atë shkallë të të drejtave sa edhe për serbët në Republikën e Kosovës, gjë për të cilën gjykojmë se është plotësisht e drejtë, plotësisht analoge dhe proporcionale”, tha Mustafa.

Mendim të ngjashëm ka edhe kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, i cili thotë për Radion Evropa e Lirë se vendimi për formimi i këtij asociacioni do të jetë në përputhje me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe po ashtu, duke u bazuar, siç thotë ai, “në referendumin e 1 dhe 2 marsit të vitit 1992, në platformën politike të shqiptarëve të Luginë së Preshevës, të aprovuar me 14 janar të vitit 2006, si dhe në përputhje parimit të reciprocitetit, duke u bazuar në marrëveshjen fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për formimin e asociacionit të komunave serbe në Kosovë.

Arifi thekson se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë shqiptare në Serbi, nuk e shkel Kushtetutën serbe.

“Në Kushtetutën e Republikës së Serbisë dhe në Ligjin për administrimin lokal thuhet se: tri apo më shumë komuna mund të aprovojnë edhe akte të përbashkëta kur kemi të bëjmë me planifikimin hapësinor apo në bashkëpunim për çështje të kulturës, arsimit dhe kështu me radhë”.

“Ky është një vendim i yni ku mendoj se edhe faktori ndërkombëtar, po para së gjithash Qeveria e Republikës së Kosovës dhe ajo e Shqipërisë duhet të na ndihmojnë në këtë drejtim, sepse ky është vetëm një përparim në të drejtat e pakicave në rajonin e Ballkanit perëndimor”, u shpreh Arifi.

Në anën tjetër, autoritetet e larta Serbe kanë kundërshtuar idenë e këshilltarëve shqiptarë të tri komunave: Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, për formimin e asociacionit.

Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq, në një intervistë për transmetuesin publik të Serbisë, e ka quajtur veprim të papërgjegjshëm politik dhe të papranueshëm.

“Serbia di si të reagojë – me urtësi dhe mençuri. Nëse është e nevojshme ta tregojë fuqinë, mos keni dert, sepse gjithsesi do ta tregojë”, ka theksuar Vuçiq.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri serb Ivica Daçiq, me tone të ashpra i ka porositur këshilltarët komunalë shqiptarë “të mos luajnë me zjarr”.

“I paralajmërojmë që të shtunën në Preshevë të mos bëjnë ndonjë paralele me Bashkësinë e komunave serbe në Kosovë. I paralajmërojmë që të mos luajnë me zjarr dhe ta respektojnë kushtetutën dhe rendin e Serbisë”, ka thënë Daçiq.

Por, përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, në jug të Serbisë, thonë se porositë nga autoritetet e larta serbe, të cilat ata i vlerësojnë si kërcënime, sipas tyre nuk janë për herë të parë.

Musliu thotë se veprimet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës nuk çojnë në drejtim të nxitjes së konflikteve.

“Ne nuk jemi për të hapur zjarre, as fronte e luftëra, por jemi për atë që ta zgjidhim problemin e shqiptarëve. Nuk jemi as kundër t drejtave të serbëve në Kosovë, por jemi që të bëhet një reciprocitet në mes serbëve të Kosovës dhe shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Edhe Evropa nuk duhet të luaj me dy standarde, ndryshe për serbët e Kosovës e ndryshe për shqiptarët e luginës së Preshevës”, ka theksuar Musliu.

Kryetari i komunës së Preshevës, Mustafa, thekson se mesazhet kërcënuese nga autoritetet serbe për shqiptarët e Luginës së Preshevës janë rutinë.

“Ne jemi mësuar me deklarata të tilla të Daçiqit. Ne, në këtë drejtim, jemi nën presione të vazhdueshme edhe më parë. Nuk është ky presioni i parë dhe fundit i tij. Por, ne do të vazhdojmë me iniciativën tonë, sepse është një iniciativë e këshilltarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës”.

“Në këtë drejtim, fjalën e lirë dhe mendimin e lirë të këshilltarit, të zgjedhur nga vota e popullit, nuk mund ta pengojë askush. Deklaratat kërcënuese të Daçiqit nuk më bëjnë përshtypje”, tha Mustafa.

Ndërkaq, kryetari i komunës së Bujanocit, Arifi, nuk dëshiron t’i komentojë deklaratat e autoriteteve serbe.

“Unë nuk dua t’i komentojë deklaratat e Daçiqit dhe Vuçiqit, sepse nuk janë deklaratat e para. Ne nuk po aprovojmë ndonjë dokument për shkelje të drejtave të serbëve të Kosovës apo të serbëve lokal, këtu në Bujanoc, por ne po i kërkojmë të drejtat tona”, theksoi Arifi.

Përfaqësuesit e shqiptarëve të tri komunave, Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, kanë paralajmëruar se në takimin e së shtunës, pas vendimit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë shqiptare në Serbi, do ta formojnë edhe një grup punues ekspertësh për përgatitjen e statutit të këtij Asociacioni.

BIRN: Ministri i Brëndshëm i Malit të Zi akuzohet për prostitucion

Ministri i brendshëm malazez është akuzuar për prostitucion pas një hetimi disa mujor të policisë në radhët elitë të prostitucionit. 

Nga Dushica TOMOVIQ

Ministri i brendshëm i Malit të Zi, Rasko Konjeviq, të mërkurën mohoi akuzat se ai përdorte prostituta, duke e quajtur këtë një «gënjeshtër të shëmtuar».

Në një konferencë për shtyp të mërkurën, Konjeviq tha se kishte ngritur padi kundër Prokurorit Special Milivoje Katniq, pasi zbuloi se policia në departamentin anti-krim i organizuar në bashkëpunim me kriminelët dhe median po përgatitnin diskreditimin e reputacionit të tij.

«Është e qartë se krimi i organizuar dhe tentakulat e tij në polici dhe media po përgatiteshin të më diskreditonin,» tha Konjeviç.

Sipas raportimeve të medias ministri u akuzua nga një oficer policie, Gjoko Goluboviq,  i cili pretendoi se Konjeviq kishte vizituar prostituta për një kohë të gjatë.

Goluboviq u arrestua të mërkurën i dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe një gjykatë urdhëroi mbajtjen e tij për tre ditë në qeli.

Oficeri i policisë e mbrojti veten duke thënë se ai vetëm kishte përsëritur atë që i kishin thënë kur po merrej në pyetje për të thyer një rrjet prostitucioni.

Në dy muajt e fundit, policia ka kryer disa operacione kundër prostitucionit, që është i paligjshëm në Malin e Zi dhe përfshin dënime të rënda me burg.

Në një aksion policor të quajtur «Kukulla» në fund të gushtit, Zeljka Roloviq nga qyteti i Kotorrit u arrestua e dyshuar për përfshirje në një rrjet të organizuar prostitucion me disa gra.

Ajo dyshohet se ka organizuar shërbime seksuale në hotele, vila, varka dhe vende të tjera të qytetit bregdetar për fitim financiar.

Fotografitë e saj në udhëtime luksoze nëpër botë janë përhapur kudo në media. Hetimi i policisë ka zbuluar në listën e klientëve të saj të famshëm dhe politikanë.

Rrjetet sociale kanë spekuluar rreth politikanëve dhe atletëve që përdorën shërbimet e «Madamës Malazeze», siç e ka pagëzuar media Roloviqin.

Kjo ka mohuar të ketë pasur lidhje me prostitucionin dhe është shprehur se media i ka shkatërruar jetën me përrallat që ka treguar.

Në një tjetër mësymje policore në korrik, në një resort në Budvë, tre persona nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja u arrestuan të dyshuar për organizimin e një rrjeti prostitucioni.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Podgoricë sipas raporteve të policisë.

Sipas organizatave që monitorojnë gjendjen, prostitucioni është shumë i përhapur në Malin e Zi, sidomos në qytetet bregdetare ku ka komplekse turistësh.

Çmimet për shërbimet variojnë nga 200 deri në 250 euro, por në resorte si Budvë, çmimet mund të arrijnë në 1000 euro, ndërsa gratë e prostitucionit të jahteve fitojnë nga 3000 deri në 5000 euro.

(BIRN Albania, Reporter.al)

Foto: Fisun Ivan / Shutterstock.com

Heroi i rezistencës Glezos i bashkohet kundërshtarit të Ciprasit

ATHINË– Veterani i së majtës greke, Manolis Glezos, heroi i rezistencës kundër nazizmit, iu bashkua, në kuadër të zgjedhjeve legjislative të 20 shtatorit, Unitetit Popullor të euroskeptikut Panajotis Lafazanis, kundërshtar i kryeministrit të të majtës radikale, Aleksis Cipras, njoftoi sot partia e tij.

”Manolis Glezos, 92 vjeç, i cili e vuri popullaritetin e tij në shërbim të ardhjes në pushtet të Ciprasit, në muajin janar, do të jetë në krye të listës së partisë Uniteti Popullor (LE)”, theksoi zyra e shtypit e kësaj partie.

Kjo lëvizje është një goditje për Ciprasin, i cili afroi zgjedhjet me dhënien e dorëheqjes më 20 gusht, pas ndarjes brenda grupit të partisë së tij SYRIZA shkaktuar nga Lafazanis.

Ky i fundit refuzoi të mbështesë marrëveshjen e dhënë nga Ciprasi për planin e ri të shpëtimit financiar BE-FMN me një vlerë prej 86 miliardë eurosh, ofruar Greqisë në këmbim të zgjatjes së masave shtrënguese në fuqi që prej pesë vitesh.

Ikonë e rezistencës për heqjen në moshën 18-vjeçare të flamurit nazist që valëvitej në Akropol të Athinës, Glezos ishte distancuar këto muajt e fundit me qeverinë e Ciprasit, duke u shprehur kundër çdo kompromisi me kreditorët e Greqisë.

Duke grupuar 25 deputetë disidentë të SYRIZA-s, Uniteti Popullor numëron gjithashtu në radhët e tij kryetaren e parlamentit, Zoe Konstantopulu.

Biserko: Serbia nëpërmjet Asociacionit do ta bllokojë shtetin e Kosovës

Aktivistja për të drejtat e njeriut në Serbi, Sonja Biserko, shpreh shqetësimin e saj se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe në Kosovë do të mund të përdorej si levë e Beogradit për ta penguar shtetin e Kosovës.

Në një intervistë drejtoresha e Komitetit të Helsinkit në Beograd, Biserko thotë se nëse qeveria serbe do të kishte për qëllim mosfunksionimin e institucioneve shtetërore të Kosovës, posaçërisht Kuvendit, sipas saj, këtë mund ta arrijë përmes këtij asociacioni.

Për këtë, Biserko e kritikon edhe vet planin e Ahtisaarit që, sipas saj, ka lënë shumë hapësirë për keqinterpretim të gjërave.

Kjo aktiviste serbe ka folur në një intervistë për lajmi.net edhe për pajtimin historik mes serbëve dhe shqiptarëve si dhe për procesin e shtetformimit për vendet e rajonit.

Lajmi.net: Në fund të muajit janë nënshkruar disa marrëveshje mes Kosovës e Serbisë, njëra ndër to është Asociacioni i Komunave me shumicë serbe. A mendoni se ky asociacion është trup demokratik, apo do të jetë një pengesë për institucionet e Kosovës?

Sonja Biserko: Marrëveshja Brukseli II do të duhej të nënkuptonte që zgjidhja e çështjes së Kosovës të përparojë, të paktën kur është fjala për dokumentet e nënshkruara. Megjithatë, siç ndodhë rëndom, zbatimi në jetën reale përballet me pengesa dhe vështirësi të shumta.

Statuti i Asociacionit ka mbetur të përpilohet. Serbia po mundohet që ky status të jetë i ngjashëm me atë të Republika Srpska-s në Bosnje, që do të thotë vështirësim të jetës së serbëve në Kosovë dhe integrimin e tyre në shoqëri e shtet. Njëra nga versionet e paraqitura është Plani i Ahtisaarit të cilin Serbia e ka refuzuar në vitin 2007.

Ahtisaari kishte krijuar hapësirë për zgjidhje e cila mund të jetë jofunksionale për shtetin e Kosovës, përderisa nuk ka dëshirë politike për një integrim të serbëve në Kosovë.

Pala kosovare insiston në atë që komuniteti serb dhe komunat të jenë në përputhje me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe ta konsultojë edhe Gjykatën Kushtetuese. Dhe duket se në këtë ka pasur sukses. Ajo që nuk duket mirë është se asociacioni i komunave është e bazuar në parime etnike, dhe jo, themi në ato gjeografike apo ekonomike.

Megjithatë, përderisa ajo bashkësi përcjellë interesat qeveritare, partneritetin me komunat tjera, mund të ketë integritet e konstruktivitet.

Lajmi.net: Çfarë qëllimi mund ta ketë Serbia që të arrijë përmes këtij asociacioni?

Sonja Biserko: Rrezikun më të madh e shoh në atë që kjo bashkësi të shndërrohet në instrument të Beogradit, i cili, përmes saj do të kontrollonte Kuvendin e Kosovës.

Shpresoj që Beogradi do ta kuptojë që një Kosovë stabile është në interes jo vetëm të Kosovës por edhe Serbisë dhe të gjithë rajonit.

Raportet mes serbëve edhe shqiptarëve, përkundër obstruksioneve politike, megjithatë po ecin rrjedhës së vet. Ilustrimi po ndodhë, Serbia më shumë eksporton në Kosovës se sa në Rusi. Gjithashtu ekziston komunikim në nivel të shoqërisë civile që po i mbanë lidhjet me Kosovën gjatë këtyre viteve. Megjithatë, kjo normalisht nuk është e mjaftueshme pa angazhim të shtetit. Beogradi gjithmonë ka kërkuar mundësitë që me Tiranën të merren vesh për ndarjen e Kosovës.

Akademikët serbë, posaçërisht Dobrica Çosiq, gjithmonë ka folur për të drejtën e shqiptarëve për vetëvendosje. Megjithatë, prapa saj fshihet përpjekja për bashkimin e serbëve, veçanërisht atyre të Republika Srpska-s.

Emancipimi i popujve të Ballkanit ishte i pashmangshëm, por, fatkeqësisht, ky proces është shoqëruar me disa pasoja negative – krijimin e shteteve etnike jotoleruese, jopluraliste dhe të mbyllura.

Takimit të liderëve të Ballkanit në Vjenë i mungon presioni për përmirësimin e sistemit të drejtësisë

Lajmi.net: Në takimin e liderëve të Ballkanit në Vjenë, ku përveç tjerash, është biseduar për pajtimin mes dy kombeve, shqiptar e serb. A mendoni se ky pajtim duhet të bëhet mes Serbisë e Shqipërisë, duke injoruar Kosovën dhe pa kërkimfaljen e Serbisë për krimet e luftës?

Sonja Biserko: Takimi i liderëve të Ballkanit në Vjenë si vazhdë e procesit të nisur në Berlin një vit më parë, i shtyrë nga kancelarja gjermane Angela Merkel, kishte për qëllim intensifikimin e bashkëpunimit mes shteteve të rajonit. Përkeqësimi i dukshëm i situatës ndërkombëtare (drama me migracion, ndikimi rus në rajon, trendet regresive në rajon) i ka përshpejtuar dukshëm disa iniciativa të BE-së, por parë nuk është e qartë se sa do të jetë kjo efektive. Në të njëjtën kohë, vonesat e Europës kontribuuan në humbjen e atraktivitetit për anëtarësim e vendeve të rajonit në BE dhe janë kthyer në alternativa të tjera që nuk janë aq tërheqëse.

Për këtë arsye, deklarata e Vjenës mund të cilësohet si dokument i rëndësishëm. Bashkëpunimi rajonal, megjithatë, nuk do të ketë sukses përderisa akterët rajonal të mos bëhet më aktiv në inicimin e këtyre projekteve relevante, si dhe shtimin e presionit ndaj BE-së që t’i përmbushë premtimet e saja. Nga gatishmëria e tyre do të varen zgjidhjet e çështjeve me rëndësi si ato ekonomike, sociale, politike.

Deklaratës i mungon përfundimi i cili merret në mënyrë adekuate lidhur me bashkëpunimin e gjykatat ndërkombëtare dhe përmirësimin e sistemit të drejtësisë. Ky është njëra nga kushtet kryesore për një shtet të së drejtës. Nëse do të veprohej kështu, Nikola Shainoviq nuk do të pritej këtyre ditëve në Serbi në atë mënyrë sikur të hapte një perspektivë politike në Serbi, duke harruar se për çka është gjykuar.

Pajtimi duhet në rajon duhet të ndodhë pasi të kuptohet e kaluara

Lajmi.net: Si mendoni se ky pajtim duhet të bëhet?

Sonja Biserko: Pajtimi mes serbëve dhe shqiptarëve (dhe të gjithë të tjerëve) do të thotë para së gjithash kuptimi i së kaluarës. Problemet e pazgjidhura të lidhura me krimet, bllokon përparimin shpirtëror.

Për një raport të tillë ndaj të kaluarës janë të nevojshme elita të reja dhe të përgjegjshme politike që janë të gatshme që të jenë të gatshme të angazhohen në këtë çështje të ndjeshme. Duke e ditur se bëhet fjalë për shtete të reja të cilat janë në proces e sipër të krijimit të identitetit shtetëror dhe kombëtar është e rëndësishme se në çfarë drejtimi do të vazhdojë ky proces.

Nacionalistët, në përgjithësi kërkojnë fajtorin për të gjitha problemet me të cilat ballafaqohet një shoqëri, dhe shumë rrallë gjejnë zgjidhje. Një qasje të tillë, gjithmonë e vuajnë pakicat.

Është e domosdoshme sinteza e identitetin etnik (i cili është dominant në Ballkan) dhe në përgjithësi. Vetëm kështu mund të gjendet balanci që nuk do t’i prishte raportet me të tjerët.

Gjykatat ndërkombëtare kanë bërë një punë të rëndësishme. Megjithatë, që ajo të jetë relevantë edhe për shoqëritë tona, është e nevojshme krijimi i disa raporteve morale dhe etike ndaj gjyqësorit.

Në luftërat e viteve të nëntëdhjeta janë shkruar një numër i librave dhe janë xhiruar shumë filma dokumentarë, ekzistojnë dëshmitar dhe dëshmi të shumta për të gjitha ato që janë bërë. Është bërë evidenca dhe çdo gjë që dëshmon të vërtetën që ka ndodhur, pasi pa zbardhjen e së vërtetës, nuk do të ketë paqe.

Serbia, fatkeqësisht, ende nuk është e gatshme që ta pranojë të kaluarën jo të largët. Siç duke që kjo do t’i trashëgohet gjeneratave të ardhshme.

Stuhi e fuqishme pritet të godasë Ballkanin sonte (harta)

Reshje të shumta pritet të bien mbi rajonin e Ballkanit dhe jugun e Italisë, siç duket edhe nga një hartë e postuar nga weather.com. Sipas të njëjtit burim pritet që ky rajon të goditet nga stuhi të forta ere dhe shiu ndërsa është konsideruar si një rajon me rrezikshmëri të lartë përmbytjesh. Shirat pritet të nisin në orët e vona të së mërkurës dhe pritet të variojnë nga 50 në 100 mm ndërsa në zona të caktuara do të shkojnë në 150 mm. Përmbytjet pritet të jenë të shumta ndërsa nuk përjashtohen rrëshqitjet e baltës. Përveç Sicilisë në Itali, rajonet më të prekura pritet të jenë Greqia dhe Shqipëria e jugut. Stuhia do të përfshijë gjatë së enjtes edhe veriun e Greqisë, Maqedoninë, Bullgarinë perëndimore dhe Serbinë. Zonat e caktuara me jeshile të errët shihen si me rrezik të lartë përmbytjesh. Stuhitë do të vazhdojnë deri të premten.

stfq2

Shpallen të pafajshëm pjesëtarët e Sigurimit Shtetëror të akuzuar për atentatin ndaj Vuk Drashkoviçit

BEOGRAD  – Gjykata e Lartë e Beogradit liroi Milan Radonjiç, Ratko Romiç dhe Stevan Basta, pjesëtarë të Sigurimit të Shtetit (DB) me akuzën e ndihmës në tentim të vrasjes ndaj Vuk Draskoviçit, liderit të Lëvizjes për Ripërtëritjen Serbe në vitin 2000 në Budva.

Vendimi u dha në një gjykatë të veçantë në Burgun e Qarkut në Beograd pasi që Radonjiç, ish-shefi i sigurimit të qendrës së Beogradit, si dhe pjesëtarët e po kësaj qendre, Romiç dhe Basta ndodhen në paraburgim. Ndaj këtij gjykimi ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

Tre të lart-përmendurit me gjykimin e parë u dënuan konkretisht shtatë vjet burg, por këtë vendim e rrëzoi Gjykata e Apelit dhe urdhëroi një gjyq të ri. Më parë, me dënime me burgim disa dekadash u dënuan pjesëtarët e Njësisë së për Operacione Speciale. Radonjiç, Romiç dhe Basta, pasi ishin të akuzuar se kanë dhënë mbështetje logjistike për pjesëtarët e NjOS, domethënë se ata kishin ofruar fotografi të shtëpisë ku jetonte Drashkoviç. Po ashtu, akuzoheshin se ata me urdhër të Sllobodan Millosheviçit, ish-Presidentit të Republikës Federale të Jugosllavisë, organizuan vrasjen e liderit të LPS-së.

Ndaj Radonjiç dhe Romiç, sot do të vazhdojë gjykimi para Gjykatës Speciale në Beograd me akuzën e vrasjes së gazetarit Slavko Çuruvija në vitin 1999.

The Gardian: Pa lidership, pa para – BE-ja e ka lënë Ballkanin me krizën e refugjatëve Nga Marcus Tanner

Krerët e rajonit u mblodhën javën e kaluar në Vjenë për një të ashtuquajtur samit të madh të organizuar prej Austrisë dhe Gjermanisë, në të cilin shpresohej se do të kishte kishte hartim të një doracaku solid dhe ndarje shumash të majme parash. Rezultati nuk solli asgjë të madhe: veç premtimit për pak miliona euro dhe fjalë të ngrohta solidariteti

 

Numri i personave që po kalojnë përgjatë rajonit të Ballkanit në rrugën drejt Perëndimit është rritur në mënyrë të hatashme. Vjet vetëm tetë mijë persona kishin kaluar Maqedoninë dhe Serbinë rrugës për në Hungari dhe gjetiu. Sivjet deri në korrik, shifra ka arritur në 70 mijë me rreth dy mijë persona që kalojnë në ditë prej Serbisë në Hungari në javët e fundit.

Tani kur dielli përcëllues i verës së Ballkanit nis t’ia lëshojë anën vjeshtës, po shtohet ankthi në rajon për atë se çfarë do të ndodhë me këta njerëz teksa dimri po afrohet.

Krerët e rajonit u mblodhën javën e kaluar në Vjenë për një të ashtuquajtur samit të madh të organizuar prej Austrisë dhe Gjermanisë, në të cilin shpresohej se do të kishte kishte hartim të një doracak solid dhe ndarje shuma të majme parash. Rezultati nuk solli asgjë të madhe: veç premtimit për pak miliona euro dhe fjalë të ngrohta solidariteti. Nuk është habi që kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ua ktheu me frustrim. «Tre milionë euro janë vetëm një e dhjeta e asaj që do të shpenzojmë për angazhimin e ushtrisë, policisë dhe kapaciteteve të tjera tona», është ankuar ai këtë javë.

Deri tani, serbët e rëndomtë janë treguar miqësorë me numrin e madh të njerëzve që po ecin këmbë, me autobusë e trena prej kufirit jugor me Maqedoninë deri në atë verior me Hungarinë. Ndalesa për marshimet kundër emigrantëve, marshime që ishin planifikuar prej grupeve djathtiste, duket se ka marrë përkrahje popullore. Beogradasit më shumë duket se shprehin keqardhje se armiqësi ndaj personave të shumtë që qëndrojnë nëpër parqe. Vendi është në krizë ekonomike dhe FMN-ja kundërshton përpjekjet për rritjen e pagave. Por askush nuk është kundër shpenzimit të parave për të menaxhuar e kontrolluar kalimin e refugjatëve.

Por ky humor i serbëve mund të mos zgjasë pafundësisht. Autoritetet serbe nuk dëshirojnë të ndërtojnë shumë qendre pranimi nëse emigrantët vendosin të qëndrojnë. Por me afrimin e acarit – planifikohen edhe tri qendra të reja – nuk do të mund të strehohen mijëra refugjatë që nuk do të mund të bëjnë gjumë në qiell të hapur.

Rreziku tjetër është frika e ngeljes së refugjatëve në kufirin verior për shkak të rrethojës gjembore të Hungarisë. Me numrin e refugjatëve që vazhdojnë të qëndrojnë në qytetin Horgos, që po shndërrohet në një «Calais të ri», atëherë cila do të jetë rruga që ata do të ndjekin, mbase nëpërmjet Kroacisë a Sllovenisë? Askush nuk e di dhe në mungesë të një strategjie koherente evropiane, secili shtet po mundohet ta menaxhojë situatën sipas kuteve të veta.

Bullgaria po ndërton një rrethojë me gjemba në kufi me Turqinë, qysh po bën edhe Hungaria në kufi me Serbinë. Maqedonia, një vend tjetër në rrugën e gjatë të refugjatëve, në fillim është munduar të bartë refugjatët që të kalojnë nëpër vend. Me shpresë se do të kënaqte Brukselin, vendi vendosi të hiqte kufizimet për emigrantët, duke ua lejuar atyre 72 orë për të kaluar në Serbi. Pastaj i ra pishman, duke mbyllur kufirin me Greqinë, me policinë speciale që rrahu valët e refugjatëve. Pastaj hoqi dorë prej kësj ideje dhe ua hapi përsëri kufirin refugjatëve.

Është acaruese se si ka ardhur puna te ky konfuzion që duket i pashmangshëm. Të gjitha vendet që shtrihen përgjatë rrugës së emigrantëve nëpër Ballkan – Maqedonia, Kosova, Serbia dhe Bosnja – janë shtete kandidate të BE-së ose po luftojnë fort për të marrë këtë status. Të gjitha janë pjesë e kërkesave që u kërkohen t’i plotësojnë për fushën e migracionit, por askush në Bruksel, Vjenë a Berlin nuk duket i interesuar të çojë përpara një plan koherent, e lëre më të ndajë para.

Në Beograd dhe Shkup ka njëfarë shprese të zbehtë se deri në dimër nuk do të ketë valë kaq të madhe të njerëzve që ia mësyjnë rrugës së Ballkanit. Nëse jo, atëherë do të ketë alamet krizë. Atëherë nuk do të bëjnë punë as fjalët e përgëzimit „shpirtin evropian“ kur flitet për këtë temë./ks/dp

«Guardian»
04-09-2015 14-09-25

18 shtetas turq rrëmbehen në Bagdad

Persona të armatosur me uniforma ushtarake rrëmbyen sot 18 shtetas turq në Bagdad.

Shtetasit turq ishin të punësuar nga komapnia Nuroil Insaat e cila po ndërton një stadium futbolli në një rajon kryesisht shi’it në verilindje të Bagdadit.

Personat e armatosur hynë me forcë në orën 3 të mëngjesit në mjediset ku flinin punëtorët pasi kishin çarmatosur më parë rojet e ndërtesës.

Ende nuk dihet identiteti ose motivet e rrëmbyesve.

Zëvendës kryeministri i Turqisë Numan Kurtumlus tha se autoritetet turke janë në kontakt me ato irakiane për fatin e pengjeve.

Vitin e kaluar militantët e Shtetit Islamik rrëmbyen 49 turq nga konsulata në Mosul dhe i mbajtën pengjet për rreth 3 muaj.  Mes tyre kishte diplomatë, gra dhe fëmijë.

Rreziku nga një IS ballkanik

Lëvizjet ekstremiste dhe terroriste, të cilat bazohen në interpretimet dhe keqinterpretimet fetare, kryesisht islame, mund të nxjerrin dhe shfrytëzojnë motivet ballkanike, përfshirë këtu edhe Kosovën, për të krijuar grupe terroriste, vlerësojnë njohësit e aspekteve dhe zhvillimeve të sigurisë në Kosovë.

Burim Ramadani, ish deputet i Kuvendit të Kosovës, duke folur mbi rrezikun nga ekstremizmi i dhunshëm, radikalizmi dhe terrorizmi, thotë për Radion Evropa e Lirë se motivet ndëretnike, me ideologji ekstremiste islamiste dhe me metoda kriminaliteti, të cilat janë të pranishme në Ballkan, përfshirë këtu Kosovën, ka rrezik se mund të shfrytëzohen nga grupi militant Shteti Islamik.

“ISIS-i ose organizatat tjera që funksionojnë nën ombrellën e ISIS-it, mund të nxjerrin dhe respektivisht edhe t’i shfrytëzojnë motivet ballkanike, që do të krijonte një, kushtimisht ta quajmë, ISIS Ballanik. Ballkani është i ndarë përbrenda, tensionet ndëretnike, tensionet politike dhe konfliktet ndërshtetërore janë të hapura. Ky është rreziku kryesor për Ballkanin”, theksoi Ramadani.

Lidhur me këtë, ai shtoi se elementi i dytë që mund të shfrytëzohet nga ideologët, strategët dhe misionarët e organizatat terroriste islamiste, është fakti se shtetet në Ballkanin Perëndimor janë të brishta, me qeverisjet që kanë elemente autokratike, me mos konsolidim të demokracisë, me mungesë të zhvillimit ekonomik dhe me nivel të ulët arsimor.

Mendim të ngjashëm, ka edhe Nuredin Ibishi, anëtar i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri në Kuvendin e Kosovës.

Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se ekziston rreziku nga grupi militant Shteti Islamik, se mund të shfrytëzojë gjendjen e tashme të shteteve ballkanike, e sidomos të Kosovë, e cila është në konsolidim e sipër.

“Mendoj që mund ta shfrytëzojë këtë edhe rreth disa aspekteve statusore që janë në zhvillim e sipër në krijimin e institucioneve rreth shtet-formimit. Mendoj që ata mund të infiltrohen dhe të krijojnë një sistem”, theksoi Ibishi.

Në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, mbi luftën kundër terrorizmit në botë gjatë vitit 2014, Kosova është vlerësuar si një vend me kërcënim në rritje nga ekstremizmi islamik.

Kuvendi i Kosovës tashmë ka miratuar një ligj, me të cilin sanksionohet pjesëmarrja e qytetarëve të Kosovës në luftërat e huaja.

Ndërkaq, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës kanë theksuar se janë duke punuar për krjimin e “Strategjisë Nacionale për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që shpie në Terrorizëm”.

Edon Myftari, i cili po e drejton Grupin Punues që merret me këtë strategji, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se tash e disa muaj është duke u punuar në këtë strategji, për të cilën janë duke u marrë edhe mendimet e të gjithë faktorëve relevant, ashtu sikurse edhe për planin e veprimit që ka aktivitete konkrete në segmente të ndryshme të strategjisë.

“Qëllimi i kësaj strategjie është që të ketë një gjithë-përfshirje të spektrit, qoftë të institucioneve shtetërore, komunitetit fetar në Kosovë, organizatave të ndryshme joqeveritare, medieve dhe shumë aktorëve tjerë që mund të kenë një rol kontribuues në zbatim, në momentin kur të miratohet strategjia”.

“Tash jemi në fazën e finalizimit të kësaj strategjie. Do të thosha që brenda dy javësh, që nga sot, do të miratohet në qeveri, pasi që të shqyrtohet në Këshillin për Siguri të Kosovës”.

Myftari ka shtuar se terrorizmi, tashmë është bërë problem me përmasa globale dhe ai ka prekur edhe Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën.

Pjesëmarrja e një numri të shtetasve të Kosovës në luftërat në Siri dhe Irak, sipas tij, ka reflektuar rrezikun potencial nga ky fenomen.

“Masat që po merren përmes kësaj strategjie dhe përmes iniciativave të ndryshme që po bëhen, qoftë nga institucionet e zbatimit të ligjit, por edhe institucionet tjera, organizatat joqeveritare, komuniteti fetar – që ka një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në vetëdijesimin e masës apo popullatës, për sa i përket asaj se çfarë lejohet apo nuk lejohet me fe-, vetëdijesimi i gjeneratave të reja përmes shkollave dhe ligjëratave të ndryshme”.

“Të gjitha këto janë aktivitete që ndërlidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me objektivat e vetë strategjisë. Në mënyrë të drejtpërdrejtë, por edhe tërthorazi, ndikojnë që ekstremizmi të luftohet dhe adresohet që në zanafillën e saj”, theksoi Myftari.

Por, Ramadani vlerëson se finalizimi i kësaj strategjie po vonon dhe sipas tij, për hartimin e tij nuk ka pasur përfshirje të gjithë faktorëve relevant. Sipas tij, mungesa e strategjisë tashmë ka kaluar në nivel të shqetësimit të madh.

“Institucionet e Kosovës nuk duhet të humbin kohë dhe nuk duhet ta marrin me shaka nevojën dhe domosdoshmërinë për ndërtimin dhe miratimin e kësaj strategjie. Është kërkesë e koalicionit global kundër terrorizmit dhe është kërkesë e domosdoshme brenda Kosovës dhe në rajon”.

Deri më tash, rreth 150 – 200 pjesmarrës nga Kosova në luftëra të huaja, dyshohet të kenë shkuar në Siri dhe Irak për të luftuar përkrah grupit militant Shteti Islamik dhe Frontit al-Nusrah. Nga këta, rreth 20 raportohet të jenë vrarë, sipas të dhënave nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Kurtz – Marrëveshjet e Brukseli ia hapin rrugën Serbisë për anëtarësim në BE

Me marrëveshjet e nënshkruara mes Prishtinës dhe Beogradit, Bashkimi Evropian mund të hapë kapitujt e parë për anëtarësimin e Serbisë në bllok. Këtë e ka thënë ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurtz.

Duke folur për mediat serbe, Kurtz ka thënë se marrëveshjet janë të një rëndësie të madhe.

“Ato kanë qenë të domosdoshme për afrim me BE-në dhe i sjellin stabilitet gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Kurtz, shkruan “Koha”.

Të martën në Bruksel, kryeminitsrat e Kosovës dhe të Serbisë, Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiç, kanë nënshkruar marrëveshje për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për telekomunikimin, energjinë dhe lirinë e lëvizjes.

Të gjitha këto në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

PKK dy vitet e fundit ka rrëmbyer në mal 316 fëmijë

ANKARA – Dy vitet e fundit në polici për 316 fëmijë ku 88 janë vajza nën moshën 18 vjeç, prindërit e tyre kanë denoncuar se fëmijët e tyre janë rrëmbyer nga PKK.

Sipas të dhënave që gazetari i AA-së ka marrë nga burimet e policisë mësohet se mes 22 gushtit 2013 – 31 dhjetor 2013 për 37 fëmijë të cilët 26 janë meshkujt më të vegjël se 18 vjeç dhe 11 femra prindërit e tyre kanë denoncuar në polici se “fëmija më është rrëmbyer në mal nga PKK”.

Ndërsa për vitin e kaluar janë regjistruar në total 205 raste, ku 151 janë meshkuj dhe 54 femra, si dhe për këtë vit deri në muajin gusht janë regjistruar 74 fëmijë, ku 51 janë meshkuj dhe 23 femra, këto raste janë denoncuar nga të afërmit se këto fëmijë janë rrëmbyer nga anëtarë të organizatës terroriste PKK.

Kështu nga 22 gushti 2013 – 22 gusht 2015 janë kryer denoncime se “PKK ka rrëmbyer” 316 fëmijë ku 228 janë meshkuj dhe 88 janë femra.

Gjithashtu është regjistruar se numri i personave të rrëmbyer vitin e kaluar pa dallim gjinie është afruar në njëmijë, ndërsa këtë vit deri në 22 gusht janë rrëmbyer në të njëjtën mënyrë 350 persona.

Ndërsa në anën tjetër në 20 muajt e fundit familjarët kanë denoncuar tek forcat e sigurisë se janë rrëmbyer në mal 279 fëmijë, ku 202 fëmijë janë nën moshën 18 vjeç dhe 77 janë femra si dhe 1 mijë e 171 të rritur.

Këto persona kërkohen nga forcat e policisë si “të humbur me cilësi terroristi”-

Theksohet se në rajonet rurale të Turqisë ndodhen 2 mijë e 500 terroristë, ndërsa jashtë vendit ndodhen ende 9 mijë persona nga PKK të armatosur të moshave të ndryshme, ku 2 mijë e 500 prej tyre në Siri, 600 në Iran, 3 mijë e 500 në Irakun Verior, ndërsa 2 mijë e 500 të tjerë në vende të tjera kryesisht në vendet europiane nën emra të ndryshëm.

– DHKP-C mbështetje me militantë ndaj PKK-

Zyrtarët e policisë kanë theksuar se organizata terroriste DHKP-C ka 5 mijë simpatizantë brenda vendit dhe afërsisht 500 militantë të armatosur janë të gatshëm për të mbështetur PKK në aktet brenda qyteteve.

– Edhe në Siri situata është e njëjtë-

Sipas një raporti të publikuar në vitin 2014 nga organizata Human Rights Watch theksohet se në disa zona në Siri të kontrolluara nga YPG (Trupat e Mbrojtjes Popullore) fëmijë të moshës nën 18 vjeç ose vendosen në pikat e kontrollit ose dërgohen në front për të luftuar. Ekspertët këtë situatë e konfirmojnë në bazë të disa të dhënave të marra nga disa familje që janë takuar.

Në të njëjtin raport theksohet se fëmijët që marrin pjesë në qendrat rinore të PYD (Partia Bashkimi Demokratik) pasi rekrutohen këtu marrin pjesë në radhët e YPG. aa

Stamboll – Përfunduan gërmimet në tunelin e ri poshtë detit që lidh Azinë me Evropën

STAMBOLL – Kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoğlu ka marrë pjesë në përfundimin e gërmimeve në mega-projektin “Tuneli Avrasya”, tunel ky që do të lidhë Azinë me Europën duke kaluar poshtë detit.

Kryeministri Davutoğlu dhe bashkëshortja e tij Sare Davutoğlu morën informacione nga zyrtarë të mega-projektit në kantierin e pjesës europiane të këtij projekti në Çatladıkapı.

Ndërkohë Kryeministri dhe delegacioni që e shoqëronte ndoqën përfundimin e shpimit të “Tunelit Avrasya” nga ekrani. Ndërkohë pas dëgjimit të fjalëve “gërmimi i tunelit përfundoi” Kryeministri Davutoğlu dhe delegacioni që e shoqëronte duartrokiti përfundimin e këtyre punimeve.

“3 mijë e 342 metra tunel u gërmua në 490 ditë”-

Në një fjalim të mbajtur me këtë rast Kryeministri i Turqisë, Davutoğlu tha se kjo është një ditë historike për aziatikët dhe europianët.

Davutoğlu i cili shpjegoi se një udhëtim që zgjaste rreth 100 minuta tashmë ka zbritur në 15 minuta në një siguri dhe qetësi maksimale, më tej në fjalën e tij shtoi: “Është një projekt i madh. Nga projekti 14.1 kilometra që lidh Göztepen me Kazlıçeşmen 5.4 kilometra ndodhet nën det nga të cilët 3 mijë e 342 metra nën ujë, gërmimi i së cilës përfundoi sot. Menjëherë pasi mora detyrën si Kryeministër më 13 shtatorë zbrita për të ndjekur nga afër punimet në tunel dhe atëherë isha i mbushur me shpresë nga puna e palodhshme që bëhej aty. Un falenderoj të gjithë firmat, inxhinierët dhe punonjësit të cilët nuk e nxorën huq këtë shpresë pasi ata e përfunduan 6 muaj para parashikimit gërmimin e tij. Gërmuan 3 mijë e 342 metra në 490 ditë”.

“Trafiku i qytetit do të normalizohet”-

Davutoğlu në fjalën e tij gjithashtu vuri theksin në problemet e trafikut në qytetin e Stambollit pas rritjes dhe modernizimit të qytetit dhe se trafiku në këtë qytet është pjesë e pandarë e jetës së ditës.

“Përmes këtij tuneli pritet të kalojnë rreth 130 mijë automjete, kjo do të thotë që 130 mjete të cilët sot udhëtonin në rrugë pas hapjes së këtij tuneli do të udhëtojnë në tunel, madje në një kohë më të shkurtër. Në këtë mënyrë trafiku në këtë qytet do të normalizohet. Ky projekt do të ndihmojë për ruajtjen e atmosferës së figurës së Stambollit” tha Davutoğlu dhe shtoi më tej se ruajtja e ambientit është një borxh për brezat e ardhshëm.

Ndërkohë pas fjalimit Kryeministri Davutoğlu zbriti në tunel për të ndjekur punimet nga afër dhe pozoi me punëtorët e pranishëm. aa

Tsipras jep sonte dorëheqjen

Kryeministri grek Aleksis Tsipras do t’i paraqesë sonte dorëheqjen presidentit të vendit për t’i hapur rrugën zgjedhjeve të parakohshme më 20 shtator, tha një zyrtar i qeverisë.

Zoti Tspiras, i zgjedhur në janar, pritet të mbajë sonte një fjalim në televizionin shtetëror.

Kryeministri Tsipras efektivisht e ka humbur shumicën në parlament, pas një rebelimi të ekstremistëve në partinë e tij Syriza, të cilët kundërshtojnë një marrëveshje ndihme të arritur me huadhënësit ndërkombëtarë.

“Synimi është që zgjedhjet të mbahen më 20 shtator,” tha një burim i qeverisë pasi kryeministri Tsipras u takua me zyrtarë të lartë të partisë dhe me ministrat për të diskutuar hapat e mëtejshëm të qeverisë.

Zoti Tsipras pritej të kërkonte zgjedhje të parakohshme për të shuar rebelimin në partinë e tij të majtë Syriza dhe për të gjetur mbështetje lidhur me programin e masave të ashpra të shpëtimit financiar.

Vesti: Rama, Thaçi e Vuçiç do të luajnë futboll bashkë në Vjenë

Ndeshje mes ‘BE’ dhe ‘BE e ardhshme’

Një javë para samitit të vendeve të Ballkanit që do të mbahet me 27 gusht, dalin të reja rreth këtij organizimi e takimi mes liderëve. Së fundmi mësohet se para samitit do të zhvillohet një miqësore futbolli mes dy skuadrave, të emërtuara ‘BE’ dhe ‘BE e ardhshme’. Kjo fundit do të ketë në përbërje kryeministrin shqiptar Edi Rama, atë serb Aleksandër Vuçiç dhe ministri i jashtëm kosovar Hashim Thaçi, sikundër edhe ministrat e tjetër të rajonit. Ndërkohë që në përbërje të skuadrës ‘BE’ do të jenë liderë dhe ministra të vendeve anëtare të bashkimit europian, teksa ndeshja do të gjykohet nga eurokomisioneri Johanes Hahn. Ndërsa detaje të reja bëhen te ditura edhe në lidhje me samitin, i cili do të fokusohet tek emigracioni dhe lufta kundër ekstremizmit.

Isa Mustafa, si Kryeministër i Kosovës, nuk do të jetë përkrah homologëve të tij nga Shqipëria e Serbia. Në ekipin e BE-së, do të jetë pjesëmarrës kryeministri i Sllovenisë, Miro Cerar dhe Ministri i jashtëm austriak Sebastian Kurz.

Pesë projektet e Ballkanit për financim nga BE

Tiranë, 20 gusht – Pesë projekte infrastrukturore dhe energjetike priten të zënë pjesën më të madhe të tryezës në Samitin e Vjenës, që do të mbahet më 26 gusht mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të BE-së.

Kryeministrat e Shqipërisë, Kroacisë, Serbisë, Kosovës , Maqedonisë, Mali të Zi, dhe Bosnjë Hercegovina do të jenë edhe në një forum biznesi më 26 gusht, për të diskutuar mbi infrastrukturën, bashkëpunimin rinor dhe politikën e fqinjësisë.

“Ora News” ka siguruar një projekt propozimesh që vendet e Ballkanit pritet të bëjnë për 5 projekte infrastrukturore, në përpjekje për të marrë mbështetje financiare nga BE.

1. Korridori Veri-Jug (pjesë e Autostradës Adriatiko-Ioniane)

Një projekt që kërkon një fond prej 865 milionë euro, dhe për të cilin është ngritur një grup i përbashkët pune shqiptaro – malazez për të përcaktuar aplikimin për studimin e fizibilitetit për Korridorin Adriatiko – Jonian,

2. Korridori Perëndim-Lindje (pjesë e Korridorit VIII)

Kosto e llogaritur paraprakisht nga ARRSH për plotësimin me standard 4 korsi të këtij segmenti është rreth 400 milionë euro.

3. Linja Hekurudhore Bajzë-Tiranë

Kosto e llogaritur paraprakisht për rinovimin me standarde të kësaj hekurudhe është rreth 182 milionë euro.

4. Linja Hekurudhore Durrës-Lin-Pogradec

Ky është segmenti më i përfolur përgjatë gjithë takimeve në kuadër të procesit të Berlinit. Ka pasur një kundërshti për përfshirjen e këtij segmenti në rrjetin bazë të transportit hekurudhor, me arsyetimin se një gjatësi prej 60 km në territorin Maqedonas nuk është realist për tu plotësuar brenda 2030.

5. Linja Hekurudhore Durrës-Vlorë

Kjo linjë nuk ka qenë më herët pjesë e diskutimeve në kuadër të procesit të Berlinit.

8 ushtarë humbin jetën nga shpërthimi i një bombe në Siirt të Turqisë

ANKARA – Shtabi i Përgjithshëm i Turqisë njofton se gjatë kalimit të elementëve të ngarkuar me detyrë për sigurimin e rrugës Siirt-Pervari, 8 ushtarë kanë rënë dëshmorë si pasojë e shpërthimit të një bombe e cila ishte vendosur më parë nga anëtarët e organizatës terroriste separatiste.

Shtabi i Përgjithshëm në një deklaratë ka konfirmuar se afërsisht në orën 14.10 një bombë e vendosur më parë në anë të rrugës nga terroristët ka shpërthyer gjatë kalimit të elementëve të cilët ishin me detyrë për sigurinë e rrugës Siirt-Pervari, ku si pasojë e shpërthimit kanë humbur jetën 8 ushtarë.

Në deklaratë janë shprehur ngushëllimet për familjet e dëshmoreve: “Me një dhimbje të thellë shprehim ngushëllimet dhe Allahu i mëshiroftë. Ndaj familjarëve, të afërmeve të dëshmorëve tanë urojmë durim dhe iu shprehim ngushëllimet tona të Forcave të Armatosura”. aa

Sulm para zyrës qeveritare në Stamboll plagoset polici

STAMBOLL – Në një sulm të ndërmarrë ndaj një pike të policisë në “Dolmabahçe Saraj” në Stamboll, plagoset lehtë një punonjës i policisë.

Na informacionet paraprake mësohet në lidhje me ngjarjen janë ndaluar dy sulmuesit. Agjencia e lajmeve Dogan njofton se është mbyllur trafiku dhe patrulla policia ndodhen në vendin e ngjarjes.

Sipas televizionit privat NTV aty pati një shpërthim. Në pallatin hisorik Dolmabahçe, në lagjen Beshiktash, ndodhet zyra e kryeministrit në Stamboll. VOAL/ANSA

 

 

Greqia i shet 14 aeroporte

VOAL – ATHINË, 18 GUSHT – Qeveria helene zyrtarizoi të martën dhënien e 14 aeroporteve rajonale konsorciumit gjerman Fraport-Slentel për 1,23 miliardë euro, shkruan voal.ch. Vendimi u publikua në Fletoren Zyrtare të Greqisë.

Masa, e cila ishte miratuar nga qeveria e mëparshme, u ngri pas zgjedhjes së kryeministrit Alexis Tsipras. Ky është privatizimi i parë i tij.

Mes aerporteve të interesuara për shitje, pohojnë mediat greke, figurojnë Kreta, Santorini, Mykonos e Korfuzi. Në këtë kontekst do të vazhdojnë shitjet. Në teotor 2015 i takon aeroprtit të Pireut, molin e këtij qyteti, pastaj do të shitet hekurudha dhe porti i Selanikut.

Kërcënonin në rrjetet sociale Vuçiçin – arrestohen

Policia serbe ka arrestoi dy persona të cilët dyshohen se nëpërmjet rrjeteve sociale kanë dërguar kërcënime për jetën ndaj kryeministrit serb Aleksandar Vuçiq dhe disa ministrave.

BEOGRAD – Pjesëtarët e Ministrisë së Brendshme të Serbisë, në dy aksione të veçanta, kanë arrestuar M.M. (1963) dhe D.K. (1971) për shkak të dyshimit të bazuar se nëpërmjet rrjeteve sociale kanë dërguar kërcënime të shumta për jetën ndaj kryeministrit Aleksandar Vuçiç, si dhe disa ministrave, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Brendshme.

Për shkak të dyshimit të kryerjes së vepër penale të rrezikimit të sigurisë, të dyshuarit me kallëzim penal janë sjellë para Prokurorit Publik të Lartë në Beograd.

Siç thuhet në deklaratën për shtyp, policia gjatë bastisjes së banesave të të dyshuarve ka konfiskuar përkohësisht pajisjet kompjuterike, që janë përdorur për kërcënimet nëpërmjet rrjeteve sociale.


Send this to a friend