VOAL

VOAL

ÇFARË DO TË NDRYSHOJË VUÇIÇI NË KUSHTETUTË?

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq , ka paralajmëruar mundësinë për propozimin e ndryshimit të Kushtetutës së Serbisë.

Ky paralajmërim është bërë nga kryeministri serb në intervistën për të përditshmen amerikane The Wall Street Journal dhe siç interpretohet në këtë gazetë, këto ndryshime do ta përfshinin edhe largimin e përmendjes së Kosovës si krahinë në Serbi.

“Lidhur me këtë, do të na duhet që të bisedojmë me popullin serb. Nuk jemi duke biseduar për këtë, por po them se do të na duhet të kemi bisedë të hapur për të ardhmen e Serbisë. Duhet qenë i sinqertë ndaj popullit dhe ai do ta thotë fjalën e fundit”, ka thënë Vuçiq.

Deklaratat e kryeministrit serb Aleksandar Vuçiq, kanë nxitur reagime në Serbi.

Milovan Drecun, kryetari i Këshillit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka vlerësuar se deklaratat e kryeministrit serb, nuk nënkuptojnë heqjen dore nga Kosova.

“Këtë deklaratë të Vuçiqit nuk duhet kuptuar si gatishmëri të Serbisë që të heqë dorë nga Kosova, por si gatishmëri për marrëveshje me shqiptarët që të zgjidhet statusi i Kosovës”, ka theksuar Drecun.

Borisllav Stefanoviq, ish-udhëheqës i bisedimeve i qeverisë së mëparshme serbe në dialogun me Kosovën, thotë për Radion Evropa e Lirë se referendumi eventual lidhur me ndryshimet kushtetuese, në njëfarë mënyre do të nënkuptonte edhe përcaktimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian, sepse e ardhmja evropiane e Serbisë është e pamundur pa zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Sipas tij, Vuçiq më në fund e ka pranuar realitetin.

“Kjo tregon se pushteti i tanishëm ka nevojë që edhe përmes ndryshimeve kushtetuese ta rrumbullakojë atë për të cilën janë marrë vesh me Prishtinën. Preambula nuk është arsyeja kryesore dhe bazë për ta ndryshuar kushtetutën”, tha Stefanoviq.

Preambulën e cila e definon Kosovën si pjesë përbërëse dhe të pandashme të Serbisë, e ka integruar në Kushtetutën e Serbisë në vitin 2006, qeveria e Vojislav Koshtunicës dhe me këtë ajo e pati forcuar politikën e saj shtetërore me moton ‘Kosova është Serbi”.

Por, Dushan Janjiq nga Forumi për marrëdhënie etnike, vlerëson se tash e 10 vjet, autonomia e Kosovës, siç është përshkruar në Kushtetutën serbe, nuk ekziston në jetën reale.

“Kushtetuta, në të cilën keni shkronja të vdekura në letër, është sikur një organizëm që ka kancer dhe kjo duhet të ndryshohet. A do të ndihmonte zgjidhjen e çështjes së Kosovës? Mendoj se po”, tha Janjiq për Radion Evropa e Lirë.

Në anën tjetër, Drecun ka theksuar se edhe në qoftë se hiqet preambula nga kushtetuta serbe, asgjë nuk do të ndryshojë në raportin e Serbisë ndaj çështjes së Kosovës. Sipas tij, më e rëndësishme është që në Kushtetutë të jetë normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën.

“Në qoftë se arrijmë marrëveshje me Prishtinën për një status tjetër, me të cilin do të definohej Kosova në një formë tjetër, por pa u ndryshuar kufijtë tanë të pranuar ndërkombëtarisht, atëherë kjo duhet gjithsesi të përfshihet në Kushtetutë”, ka thënë Drecun.

Marrëveshja e Brukselit do të kurorëzohet me ndryshimet kushtetuese në Serbi, por a do të mund të arrihet një formulim në aktin më të lartë juridik të Serbisë që Kosova të jetë pjesë e pandashme e Serbisë?

Borko Stefanoviq, i cili vjen nga subjekti opozitar në Serbi, Partia Demokratike, konsideron se një gjë e tillë nuk është reale.

“Mendoj se konkretisht do të jetë një formulim që nuk do të flasë se Kosova është pjesë e Serbisë, por që do të legalizohet pranimi i ekzistimit të Kosovës. Do të thotë, të Kosovës, jo si shtet i pavarur por si një entitet të ndarë funksional”, tha Stefanoviq.

Ndryshe, se cili do të jetë përfundimi, pritet të shihet në tre vjetët e ardhshëm, për të cilat janë të lidhura aspiratat e Serbisë për integrime evropiane.

Megjithatë, Drecun ka theksuar që ”mundësia që Serbia ta pranoj Kosovën si shtet të pavarur, është e përjashtuar”.

CARL BILDT – BASHKIMI EVROPIAN T’I PËRKUSHTOHET ME SHUMË BALLKANIT

VOAL – Ish kryeministri i Suedisë, Carl Bildt, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, se nuk pret që konflikti i armatosur në Kumanovë të transferohet në vende të tjera të rajonit. Megjithatë, ai ka theksuar nevojën që Bashkimi Evropian t’iu kushtojë më shumë vëmendje ngjarjeve në Ballkan.

Radio Evropa e Lirë: Serbia ka thënë se do të harmonizojë politikën e jashtme me politikën e Bashkimit Evropian. Si e shihni nivelin e këtij harmonizimi?

Carl Bildt: Mendoj se është e rëndësishme që të ndodhë harmonizimi, sepse ai reflekton faktin se vende të ndryshme ndajnë vlera dhe interesa të përbashkët. Andaj, harmonizimi gradual i politikës së jashtme të Serbisë me atë të Evropës do të ishte ndarje e vlerave dhe inetersave të njëjtë.

Por, kur bëhet fjalë për sanksionet kundër Rusisë, Serbia vazhdon të mos ndjekë vijën e BE-së. Mendoj se është për keqardhje. Jo se sanksionet do të ndryshojnë shumëçka sa i përket Rusisë, por ato janë pjesë e paketës sonë politike, për të ruajtur rendin evropian.

Duhet të dihet fakti se Rusia ka rol shumë aktiv në lojën për ndarje në Evropë dhe ka rrezik që Rusia të luajë me Serbinë në atë mënyrë që do të dëmtonte interesat e saj.

Radio Evropa e Lirë: Kur duhet ta përshtasë Serbia plotësisht politikën e saj të jashtme me BE-në?

Carl Bildt: Mendoj se kjo ndodh gradualisht. Natyrisht, harmonizimi i plotë bëhet kur të bëhet anëtare e BE-së, por paraprakisht duhet të dëshmojë përkushtimin për t’u bërë anëtare. Sa më parë që kjo ndodh, aq më mirë.

Radio Evropa e Lirë: Një pjesë shumë e rëndësishme e rrugës evropiane të Serbisë janë marrëdhëniet me Kosovën. A ka rrezik nga ngecja në dialogun Kosovë-Serbi dhe në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit?

Carl Bildt: Ky rrezik gjithmonë ekziston, por shikuar nga anash, mund të them se është mbresëlënëse se sa probleme janë zgjidhur. Kanë mbetur probleme që janë më të vogla nëse krahasohen me ato që janë zgjidhur tashmë. Kanë mbetur detaje dhe gjithmonë ka rrezik nga tensionet rreth detajeve.

Radio Evropa e Lirë: Fundjavën e kaluar ka pasur një konflikt të armatosur në Kumanovë të Maqedonisë. Çfarë mendoni se qëndron prapa kësaj ngjarjeje?

Carl Bildt: Nuk e di. Do të doja të kem më shumë informacione në lidhje me këtë. Të gjithë do të donim. Por, siç duket, ka qenë një grup që ka bërë përpjekje të vendosë diçka në Kumanovë. Kjo ka ndodhur në momentin kur kemi probleme të tjera në Maqedoni, çfarë është shqetësuese.

Radio Evropa e Lirë: A ka rrezik nga transferimi i këtij konflikti në vendet fqinje?

Carl Bildt: Deri më tash, nuk ka pasur shenja për këtë. Nëse shihni periudhën nga viti 2001, kur ka pasur konflikt, e deri më tash, ajo ka qenë e qetë dhe e qëndrueshme. Mendoj se të gjithë shpresojnë se kështu do të vazhdojë.

Radio Evropa e Lirë: Më herët keni vlerësuar se Ballkani është më i ndjeshëm se pjesët e tjera të Evropës. Pra, ka ndodhur konflikti në Maqedoni, paqëndrueshmëria politike atje, Dodik kërcënon me referendum në Republikën Sërpska… A po i kushton BE-ja vëmendje të mjaftueshme Ballkanit?

Carl Bildt: Mendoj se kjo është e saktë dhe se duhet t’iu kushtojmë më shumë vëmendje ngjarjeve në Ballkan. Ka edhe gjëra të mira atje, nuk mund të themi se gjithçka është problematike. Është arritur përparim i rëndësishëm në 15 vjetët e fundit, këtu nuk ka dyshim.

Por, nganjëherë, harrojmë se ka ende çështje të hapura dhe fokusin e bartim te çështje të tjera. Ekziston një nevojë e qartë që BE-ja të jetë më akive rreth çështjeve në Ballkan.
Përgatiti: Valona Tela

Editoriali – DETYRIMET TONA NDAJ SHQIPTARËVE TË VRARË E TË ARRESTUAR NË KUMANOVË

VOAL – Në zhvillimet e para pak ditëve pati shumë shqiptarë të vrarë dhe të arrestuar nga ana e forcave speciale të Maqedonisë. Politika jonë në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup e ka për detyrë që të bëjë të mundur ndriçimin e plotë të zhvillimeve të atyre ditëve në Lagjen e Trimave në Kumanovë dhe të dalë sa më shpejt me versionin e saj zyrtar, në mënyrë që të nxirren mësimet e duhura dhe të merren masat e duhura. Ne si komb e kemi për detyrë të tregojmë se jeta dhe integriteti i bijve tanë është i çmuar dhe i shenjtë. Prandaj atyre që dhanë jetën nga plumbat e Maqedonisë t’iu bëhen të gjitha nderimet dhe shërbesat e lamtumirës në vendlindjet e tyre. Për të arrestuarit të sigurojmë një proces absolutisht të drejtë, dhe transparent duke përfshirë avokatë sa më të zotë, mundësisht edhe ndërkombëtarë, dhe duke sensibilizuar të gjitha organizmat shqiptare e ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Është koha e fundit që ne ta mbrojmë të vërtetën shqiptare të shkelur, të fyer, të nëpërkëmbur dhe të poshtëruar nga një Maqedoni, e cila në këtë çerek shekulli është dëshmuar e pabesë dhe armiqësore ndaj qytetarëve të saj shqiptarë dhe ndaj kombit shqiptar në tërësi. Seriozitetin tonë në këtë përkushtim kemi rastin dhe mundësinë tashmë ta shpalosim pikërisht në rastin e zhvillimeve në Lagjen e Trimave të qytetit të Kumanovës, duke i përmbushur një për një detyrimet tona ndaj bashkëkombësve tanë që e humbën jetën dhe ndaj atyre që ndodhen të arrestuar. Nëse i neglizhojmë, nëse nuk i përmbushim me dinjitet këto detyrime, ashtu si do të bënte çdo komb i vërtetë evropian, atëherë nuk kemi pse të ankohemi kurrë më për papërgjegjësitë, për vrazhdësitë dhe për barbaritë e Maqedonisë ndaj popullit shqiptar në Maqedoni dhe ndaj kombit shqiptar në tërësi, nuk kemi pse ta deklarojmë më kurrë shqiptarinë tonë, atdhetarinë tonë.

MEDIAT E SERBISË – NESËR FILLON LUFTA E VËRTETË NË MAQEDONI

VOAL – BEOGRAD – Gazetat kryesore të Beogradit sot në faqet e para të tyre janë marrë me atë që ndodhi në Kumanovë, duke mëtuar se kanë informacione që lufta e vërtetë në Maqedoni do të fillojë më 12 maj (nesër) dhe se ajo po bëhet me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gazeta serbe ‘Kurir’, e cila njihet për afërsinë e saj me shërbimin sekret (BIA), në ballinën e saj shkruan se ‘Lufta e vërtetë fillon më 12 maj’. Ajo i referohet burimeve të saj dhe në deklaratat publike të saj dhe në në deklaratat publike të pjesëtarëve të armatosur që morën pjesë në përleshjen e Kumanovës e që veten po e quajnë UÇK se lufta e vëtetë e cila ka për qëllim krijimin e Shqipërisë së Madhe, fillon nesër.

Ndërsa gazeta tjetër ‘Informer’, gjithashtu e njohur për afërsinë me pushtetin në Serbi, shkruan se shqiptarët që u përleshën me policinë maqedonase në Kumanovëkëtë po e bëjnë me mbështetje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe kjo me qëllim pengimin e projektit rus të gazsjellësit, i cili kalon përmes Turqisë, Greqisë, Maqedonisë dhe Serbisë, për të dalë më pas në Evropën Perëndimore, transmeton lajmi.net.
Kjo gazetë duke iu referuar burimeve diplomatike shkruan se zyrtarët e inteligjencës amerikane u kanë dhënë sinjal pjesëtarëve të UÇKsë për të filluar sulmet.

‘Ky sulm ishte mesazh që kishte për qëllim t’i dërgohej kryeministrit maqedonas Gruevski dhe homologut të tij serb Vuçiç. Mos harroni se në ditën e sulmit në Maqedoni, në Moskë ushtria serbe marshoi në paradë ushtarake së bashku me rusët,” citon kjo gazetë një prej ambasadorëve të Serbisë, të cilit nuk ia përmend emrin.

TIFOZËT SERBË – THERINI, VRITINI SHQIPTARËT

Vazhdojnë fyerjet dhe thirrjet raciste të tifozëve serbë gjatë veprimtarive të ndryshme sportive. Në ndeshjen e kampionatit serb, Çukariçki-Crvena Zvezda, tifozët e këtyre të fundit, të quajtur “Delije”, kanë kënduar këngë fyese kundër shqiptarëve.

“Therini, therini, shqiptarët, vritini, vritini shqiptarët”, – ishin thirrjet e tifogrupit famëkeq serb sipas shtypit kosovar transmeton Shqip.

Thirrjet nuk ndaluan thuajse për një kohë të gjatë dhe gjyqtari, ashtu siç e parashikon rregullorja e UEFA-s në raste të tilla nuk e ndërpreu lojën.

Ndeshja është luajtur ditën e djeshme dhe situata e fundit në Maqedoni ka ndikuar edhe më shumë për të shtuar tensionin mes shqiptarëve dhe serbëve.

HOMOLOGU BULLGAR E KËSHILLON GRUEVSKIN TË JAPË DORËHEQJE

VOAL – SOFJE – Kryeministri bullgar Boyko Borisov e këshillon kolegun e vet maqedonas Nikolla Gruevski që të japë dorëheqje, në mënyrë që të pushojnë protestat dhe përçarjet në vend, shkruan gazeta bullgare “24 Çasa”.

“Unë kam dhënë shembull se si e bën këtë një kryeministër nëse nuk e ka besimin për ndonjë arsye. Pastaj populli do ta kthejë besimin”, ka deklaruar Borisovi, transmeton kp, i cili në mandatin e vet të parë dha dorëheqje pas protestave për shkak të çmimeve të larta të gazit.

Ai ka shfaqur shpresën se situata në Maqedoni do të vihet nën kontroll dhe se shteti do të rregullohet.

“Maqedonia është një vend shumë i rëndësishëm për ne dhe shërbimet në çdo moment më informojnë se si po zhvillohet situata”, ka thënë mbrëmë Borisovi, duke vlerësuar se viktimat që ranë në Kumanovë janë pasojë e përçarjeve dhe problemeve në Maqedoni.

ZËRI I AMERIKËS – SERBIA DO TA HEQË KOSOVËN NGA KUSHTETUTA E SAJ?

Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka paralajmëruar një ndryshim të mundshëm të qasjes ndaj Kosovës, që është kushti themelor në përpjekjet e Beogradit për integrimin në Bashkimin Evropian.

Ai ka thënë të përditshmes “The Wall Street Journal”, se është “duke shqyrtuar mundësinë e ndryshimeve kushtetuese deri në fund të vitit 2017, ku do të mund të përfshihej heqja e përkufizimit të Kosovës si pjesë e Serbisë”. Aktualisht Kosova zë vend në preambulën e kushtetutës serbe.

“Ne duhet të jemi shumë të sinqertë me popullin tonë për mundësitë e ndryshme. Dhe populli i Serbisë duhet ta thotë fjalën e fundit”, citohet të ketë thënë ai, ndërsa i ka cilësuar “shaka” propozimet e qeverisë së Kosovës që përfaqësuesve të komunitetit serb t’u ofrojë “pushtet sipërfaqësor”.

Serbia përfitoi hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian pas marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën e cila shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008.

Ndonëse nuk e kanë vënë si kusht njohjen e pavarësisë së Kosovës, diplomatët evropian kanë përsëritur qëndrimin se hapja e kapitujve të negociatave për anëtarësim duhet të pasojë një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe detyruese për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Por, presidenti serb Tomislav Nikoliç, tha të premten se “kushti kryesor për anëtarësimin në Bashkimin Evropian do të jetë njohja e pavarësisë së Kosovës”, ndërsa ka përsëritur se Serbia nuk do ta bëjë këtë.

“E nëse Bashkimi Evropian vazhdon të ngulë këmbë, kjo do të thotë se BE nuk dëshiron të na shohë në përbërjen e vet”, i tha ai agjencisë ruse të lajmeve Interfax.

“Por këtë kusht nuk do të pranonte asnjë popull. Këtë mund të pranojnë vetëm robërit”, citohet të ketë thënë presidenti serb i cili shkoi në Moskë për të marrë pjesë në parakalimin ushtarak të shtunën në 70 vjetorin e kapitullimit të Gjermanisë naziste, që kishte shënuar edhe fundin e Luftës së Dytë Botërore.

Vendimi për pjesëmarrjen edhe te ushtrisë serbe në parakalim është marrë nga presidenti serb, me gjithë kërkesat që i janë bërë nga përfaqësues evropian që të mos e bëjë një gjë të tillë.

Një pjesë e madhe e shefave të shteteve perëndimore përfshirë edhe aleatet e dikurshëm të Moskës gjatë Luftës së Dytë Botërore kanë paralajmëruar se nuk do të marrin pjesë në parakalim në shenjë proteste ndaj ndërhyrjes së Rusisë në Ukrainë përmes aneksimit të siujdhesës së Krimesë një vit më parë.

Serbia synon integrimin në Bashkimin Evropian dhe shpreson të fillojë negocimin e kapitujve në kuadër të bisedimeve për anëtarësim gjatë këtij viti. Por, ajo po ecë nëpër një rrugë të ngushtë ndërmjet perëndimit dhe aleatit të saj tradicional, Rusisë, që nga shpërthimi i krizës në Ukrainë.

Beogradi kishte refuzuar t’u bashkohet sanksioneve evropiane kundër Rusisë, por, në të njëjtën kohë, ndonëse pa e dënuar aneksimin e Krimesë nga ana e Rusisë, është shprehur në mbështetje të tërësisë tokësore të Ukrainës.

Serbia vazhdon të ruaj lidhjet emocionale e kulturore me Moskën, posaçërisht edhe për shkak të qëndrimit të saj kundër pavarësisë së Kosovës që u shpall në vitin 2008 më mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Evropës perëndimore.

“Nuk ka kthim prapa”, citohet të ketë thënë kryeministri serb Vuçiç për përpjekjet e Serbisë drejt integrimeve evropiane.

“Kam edhe unë zhgënjimet e mia personale dhe politike kundruall Bashkimit Evropian, por  detyra ime është të kujdesem mbi çështjet e rëndësishme strategjike të këtij shteti”, ka thënë ai, duke shtuar se këtë mesazh ka jo vetëm për Washingtonin e Brukselin, por edhe për Moskën.

VUÇIÇ PARALAJMËRON NDRYSHIME KUSHTETUESE


Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë për të përditshmen The Wall Street Journal, se është “duke shqyrtuar mundësinë e ndryshimeve kushtetuese deri në fund të vitit 2017, në të cilat do të mund të përfshihej heqja e përcaktimit të Kosovës si pjesë e Serbisë”.

“Duhet të jemi shumë të sinqertë me popullin tonë për opsionet e ndryshme. Dhe populli i Serbisë duhet ta thotë fjalën e fundit”, ka thënë Vuçiq, gjatë një interviste për WSJ.

Në këtë intervistë, kryeministri serb i ka cilësuar “tallje” propozimet e qeverisë së Kosovës që përfaqësuesve të komunitetit serb t’u ofrojë “pushtet sipërfaqësor”.

Zoti Vuçiq ka folur edhe për integrimet evropiane, ndërsa gazeta konstaton se përparimi drejt këtij rrugëtimi ka qenë i ngadaltë.

“Nuk ka kthim prapa”, tha Vuçiq për përpjekjet e Serbisë drejt integrimeve evropiane.

“Kam edhe unë zhgënjimet e mia personale dhe politike, në raport me Bashkimin Evropian”.

“Por, detyra ime është të kujdesem mbi çështjet e rëndësishme strategjike të këtij shteti”, ka thënë Vuçiq, duke shtuar se këtë mesazh ka jo vetëm për Washingtonin e Brukselin, por edhe për Moskën.

(rel)


Send this to a friend